Rama: Biznesi i vogël pa tatim fitimi deri në 2029
TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Paketës Fiskale 2026 theksoi mbështetjen e qeverisë për biznesin e vogël, duke nënvizuar se ky sektor nuk do të paguajë tatim fitimi deri në vitin 2029.
Gjatë diskutimeve, Rama u shpreh se fokusi i masave është tek biznesi i mesëm dhe i madh.
“Natyrisht që këtu jemi duke folur për sipërmarrjen e mesme dhe të madhe. Biznesi i vogël nuk ka fare tatim fitimi. Kemi të vetmin vend në këtë kontinent, ku biznesi i vogël nuk paguan tatim fitimi dhe do të vazhdojë të mos paguajë tatim fitimi deri në vitin 2029, sikundër ne e kemi premtuar,” tha Rama.
Ai theksoi se kjo masë ka ndihmuar biznesin e vogël të fuqizohet, ndërsa për bizneset që kalojnë kufirin e xhiros prej 140 mijë eurosh në vit, administrata tatimore do të zbatojë verifikime strikte.
“Sfida e administratës tatimore është të mos lejojë që ato biznese që janë mbi kufirin e 140 mijë eurove xhiro në vit të qëndrojnë nën kufi, për t’u trajtuar si biznese të vogla, ndërkohë që janë të mesme ose të mëdha. Në këtë aspekt nuk do të ketë asnjë tolerancë”, tha Kryeministri.
Për bizneset mbi këtë kufi, Rama sqaroi se paqja fiskale krijon mundësi për vetëkorrigjim dhe formalizim të deklaratave financiare.
“Interesi i paqes fiskale është shumë i madh për bizneset e mëdha dhe të mesme, sepse krijon një hapësirë shumë të favorshme vetëkorrigjimi për të formalizuar veten deri në fund. Nuk ka asnjë pasojë përveçse pozitive. Kuptohet qartë që vija e kuqe është mos të kesh probleme të hapura me ligjin. Në rast se nuk je në konflikt të shpallur me ligjin, je plotësisht i legjitimuar të nënshkruash paqen fiskale me qeverinë”, tha ai.
Rama theksoi gjithashtu rëndësinë e dakordësimit paraprak me administratën tatimore për nivelin e fitimit të vitit.
“E gjitha kjo nuk është një shpikje, është një instrument i përdorur që në kohën e Romës dhe një instrument që jep rezultat për të gjithë ata që e përdorin duke besuar në dobinë e tij”, u shpreh Kryeministri.
Paketa Fiskale 2026 ka si qëllim të forcojë besimin mes shtetit dhe biznesit, të nxisë formalizimin e ekonomisë dhe të krijojë një ambient më konkurrues për sipërmarrjen shqiptare.
/gj.m/a.f/
The post Rama: Biznesi i vogël pa tatim fitimi deri në 2029 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.