Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 21 December 2025Main stream

E diel 21 dhjetor, mot i qëndrueshëm dhe i ftohtë

21 December 2025 at 07:25

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët me vranësira kalimtare.

Mjegulla/mjegullina do të jenë të pranishme në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, kryesisht përgjatë zonave luginore.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 5 m/sek.

Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon pritet të jetë i forcës 1 ballë.

Moti, e diel, 21 dhjetor
1 nga 2

The post E diel 21 dhjetor, mot i qëndrueshëm dhe i ftohtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Mbyllet java e 17-të e Superiores, Egnatia merr kryesimin e kampionatit

20 December 2025 at 15:44

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Është mbyllur me dy ndeshjet e sotme Java e 17-të e kampionatit “Abissnet Superiore”.

Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, e zhvilluar në “Selman Stërmasi”, u mbyll në barazim 1-1. Të dy golat u shënuan me penallti. Rafa për Tiranën në minutën e 5-të dhe Balaj barazoi në minutën e 26-të për shkodranët. Balaj pati një mundësi të artë për të marrë fitoren, por gaboi në penalltinë e dytë të akorduar në minutën e 44-rt, pasi portieri vendas Tafas ia priti.

Kështu Tirana e vendit të fundit, pavarësisht mungesave të shumta, ia doli të marrë 1 pikë me Ardijan Nuhijun në krye, barazim i cili e lë në fundin e renditjes me 9 pikë.

Ndërsa Vllaznia e vendit të katërt numëron 27 pikë. Kuqeblutë e Edi Martinit tashmë janë me 7 pikë më pak se Egnatia kryesuese.

Në Ballsh, në stadiumin “Adush Muça” Bylisi mposhti AF Elbasanin me rezultatin 3-2.

Kështu Bylisi rikthehet te fitorja, ku për herë të fundit fitonte në javën e 10-të ndaj Tiranës dhe i largohet zonës së rrezikut. Ndërsa për Elbasanin nuk ka vazhdimësi, kur pas dy fitoresh në dy ndeshje, tani mposhtet në transfertën e Ballshit. Golat për Bylisin u shënuan respektivisht në minutat 44′ (P), 48′, 55′ nga Mustafa, ndërsa për AF Elbasanin shënuan Loukili me një supergol në 52′dhe Tsague në 69′.

Ditën e shtunë Egnatia triumfoi ndaj Partizanit në “Arena Egnatia” me rezultatin 2-1. Falë këtij suksesi të rëndësishëm, rrogozhinasit morën kryesimin e kampionatit me 34 pikë.

Dinamo City mundi Vorën në “Air Albania” me përmbysje 2-1, ndërsa ndeshja Flamurtari – Teuta u mbyll në barazim 2-2.

The post Mbyllet java e 17-të e Superiores, Egnatia merr kryesimin e kampionatit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Justina Shiroka Pula zgjidhet kryetare e Akademisë së Shkencave të Kosovës

19 December 2025 at 20:33

PRISHTINË, 19 dhjetor /ATSH/ Akademikja Justina Shiroka Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Ajo është gruaja e parë që udhëheq këtë institucion të themeluar më 1975 dhe pason në këtë detyrë akademik, Mehmet Krajën.

Gjatë mbledhjes më 19 dhjetor, ASHAK zgjodhi edhe kryesinë e saj, ku Fejzullah Krasniqi u zgjodh nënkryetar, ndërkaq Bardh Rugova sekretar shkencor.

Mandati i kryetarit të ASHAK-ut është katërvjeçar, me mundësi rizgjedhje.

Kush është Justina Shiroka Pula?

Udhëheqësja e re e ASHAK-ut ka përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë. Po ashtu, më 1976 ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.

Ndërkaq, studimet pasuniversitare, në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi më 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonimike të Zagrebit.

Ajo u doktorua në UP me tezën e doktoratës me titull: “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.

Kryetarja e re e Akademisë së Shkencave ka punuar në Bankën Popullore të Kosovës dhe më 1978 ka nisur karrierën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.

Sipas biografisë të publikuar në faqen e ASHAK, Shiroka Pula ka marrë pjesë edhe në studime të posdoktoratës, në Universitetin e Lincit në Aushtri, në atë të Arizonës në SHBA si dhe ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të ndryshme të botës.

Pas luftës, ajo është angazhuar në shoqërinë civile, në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore dhe zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.

Nga viti 2008 deri më 2011 ka qenë ministre e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, ndërkaq nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës. /REL/

The post Justina Shiroka Pula zgjidhet kryetare e Akademisë së Shkencave të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahen çmimet e festivalit mbarëkombëtar “Radiofest 2025”

15 December 2025 at 19:57

PRISHTINË, 15 dhjetor /ATSH/ Festivali mbarëkombëtar i radiove “Radiofest 2025” përmbylli edicionin e tij të 16-të, organizuar nga Radio Gjakova.

Gjakova u shndërrua në qendër të radiostacioneve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” u mbajt manifestimi përmbyllës ku u shpallën fituesit në garën për spot publicitar, raport radiofonik dhe reportazh që iu kushtua trashëgimisë kulturore.

Kështu vendi i parë për radioreportazh i takoi Radio Tiranës dhe autorit Jaho Margjeka, i dyti Radio Kosovës dhe i treti Radio Gjirokastrës. Në vendin e parë për raport radiofonik doli Radio Alba e Klinës, në të dytin Radio Lushnja dhe të tretin Radio Peja.

Ndërsa më të mirët në spote publicitare ishin Radio Plus (Prishtinë) me vendin e parë, pasuar nga Glam Radio (Prishtinë) dhe Radio Klea (Elbasan). Çmimi i organizatorit i takoi Radio Malit të Zi – seksionit shqip, Radio Prizrenit dhe Radio Ylberit (Mitrovicë).

Zëri më i mirë radiofonik i takoi Fitore Istrefi Alushi nga Radio Struga. Shpallja e fituesve në “Radiofest 2025” u shoqërua edhe me një program të pasur artistik me të ftuar nga Kosova dhe Shqipëria. Ky edicion i këtij festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Gjakovës. /KosovaPress/

The post Ndahen çmimet e festivalit mbarëkombëtar “Radiofest 2025” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

14 dhjetor, mot i kthjellët dhe ulje e temperaturave

14 December 2025 at 07:30

TIRANË, 14 dhjetor /ATSH/ Ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se orët me diell do të mbizotërojnë në pjesën më të madhe të vendit, përjashtuar vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në juglindje.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut, me shpejtësi mesatare 5 m/sek, e cila hera-herës në bregdet e kryesisht në atë jugperëndimor dhe lugina fiton shpejtësi deri në 14 m/sek.

Valëzimi në detet Adriatik e Jon pritet të jetë i forcës 1-3 ballë.

Parashikimi i motit 14 dhjetor 2025
1 nga 2

The post 14 dhjetor, mot i kthjellët dhe ulje e temperaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Java e 16-të e Superiores, renditja pas tri ndeshjeve të para

13 December 2025 at 22:17

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ U luajtën sot 3 përballjet e para të vlefshme për javën e 16-të të kategorisë Abissnet Superiore, ku spikatën fitoret e Elbasanit dhe Partizanit.

Verdheblutë mposhtën në frymën e fundit Vorën me rezultatin 1 me 0, duke ruajtur kreun e tabelës.

Partizani bëni detyrën në shtëpi ndaj Flamurtarit me rezultatin 2 me 1.

Ndërkohë dueli tjetër, ai mes Teutës dhe Tiranës u mbyll në barazim 1 me 1.

Të dielën do të luhen dy takimet e tjera: Vllaznia-Bylis dhe Dinamo-Egnatia.

Rezultatet e Javës së 16-të:

E shtunë (13.12.2025)

Vora 0-1 AF Elbasani

Partizani 2-1 Flamurtari

Teuta 1-1 Tirana

E diel (14.12.2025)

Vllaznia – Bylis 16:30

Dinamo – Egnatia 19:00

RENDITJA:

The post Java e 16-të e Superiores, renditja pas tri ndeshjeve të para appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani shpreson të merret vendimi për njohjen nga Vatikani

13 December 2025 at 22:05

PRISHTINË, 13 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u prit sot në takim nga papa Leone XIV në Pallatin Apostolik në Vatikan, njofton KosovaPress.

Gjatë takimit me papa Leonen XIV presidentja Osmani ka kërkuar zyrtarisht njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Selia e Shenjtë.

Takimi u zhvillua në Pallatin Apostolik, ku Osmani u prit nga Ati i Shenjtë, ndërsa gjatë vizitës ajo u takua gjithashtu me sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, si dhe me sekretarin për Marrëdhënie me Shtetet, monsignor Paul Richard Gallagher.

Pas takimeve, në një videomesazh në Facebook presidentja Osmani e cilësoi këtë vizitë si një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit dhe shprehu shpresën që të merret vendimi i shumë pritur për njohjen e Kosovës nga Selia e Shenjtë.

“Paraqita shpresën dhe besimin e gjithë popullit të Kosovës që Vatikani më në fund të marrë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës, duke njohur vuajtjet e gjata të popullit tonë për të jetuar i lirë, i pavarur dhe në demokraci”, tha Osmani.

Osmani bëri të ditur se gjatë vizitës ka ftuar papa Leonen XIV që të vizitojë Republikën e Kosovës. /KosovaPress/

The post Osmani shpreson të merret vendimi për njohjen nga Vatikani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lista Serbe certifikohet për zgjedhjet e 28 dhjetorit

13 December 2025 at 18:05

PRISHTINË, 13 dhjetor /ATSH/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka rrëzuar vendimin e KQZ-së për mos certifikimin e kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Në vendimin e publikuar sot, PZAP thotë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mos certifikimin e kandidatëve më 10 dhjetor është i mangët, jo i plotë dhe nuk i trajton çështjet dhe faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për certifikimin e subjektit politik.

“Në mungesë të një arsyetimi të mirëfilltë ligjor konkludohet se vendimi i tillë nuk mund të qëndrojë juridikisht pasi që nuk përmban as vlerësimin e duhur të fakteve në raport me dispozitat ligjore të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregulloren e certifikimit të subjekteve politike”, thuhet në vendim.

Lista Serbe në zgjedhjet e parakohshme hyn me gjithsej 33 kandidatë. /KosovaPress/

The post Lista Serbe certifikohet për zgjedhjet e 28 dhjetorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mijëra protestues në Shkup kërkuan “drejtësi të mirëfilltë” në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

13 December 2025 at 17:50

SHKUP, 13 dhjetor /ATSH/ Mijëra njerëz u mblodhën të shtunën pasdite në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut, Shkup, për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë” në përfundim të gjyqit për krime lufte ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Ata u tubuan në sheshin “Skënderbeu” në Shkup mes brohoritjeve “UÇK, UÇK”, dhe valëvitjeve të flamujve kombëtarë shqiptarë dhe flamujve të UÇK-së.

Protesta kaloi pa ndonjë incident të raportuar dhe nën mbikëqyrje të rreptë policore.

Qëllimi i protestës, e thirrur nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, ishte shprehja e pakënaqësive me gjyqin ndaj ish-eprorëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nisi më 2023 dhe pritet të përmbyllet në fillim të vitit të ardhshëm.

Që të gjithë ata i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tha se sot “jemi mbledhur këtu për ta ngritur zërin”, dhe për të kërkuar “drejtësi të mirëfilltë”, për ish-krerët e UÇK-së.

“Ne sot, me këtë numër kaq të madh njerëzish… i tregojmë Trendafilovës se Ushtria Çlirimtare e Kosovës buron, lind dhe vepron nga populli”, tha Gucati duke iu referuar Ekaterina Trendafilovës, kryetares së Dhomat të Specializuara të Kosovës në qytetin holandez.

Ai shtoi se UÇK-ja “u rrit dhe u mbrojt nga populli dhe sot populli i qëndron mbrapa asaj. Ne sot kërkojmë drejtësi. Kjo gjykatë i ngjan gjykatave të Serbisë dhe merret me fakte të falsifikuara dhe fabrikuara, të cilat nuk qëndrojnë”.

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim nga Maqedonia e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe politikanë nga Kosova, si Fatmir Limaj e Daut Haradinaj, morën pjesë në protestë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha më herët këtë javë se nuk do ta mbështeste protestën, por njoftoi se ishte formuar një shtab krize për ta vëzhguar të gjitha rrjedhën e tubimit 24 orë para dhe pas tij.

Megjithatë protesta u mbështet nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili vjen nga VLEN, partia shqiptare që është partnere e koalicionit qeverisës së Mickoskit.

Shqiptarët përbëjnë 24.3 për qind apo një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë së Veriut prej 1.8 milion.

Kjo protestë vjen në një sërë protestash të ngjashme që janë mbajtur këtë vit në qytete të ndryshme, përfshirë në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg./REL/

Prtesta në Shkup 14 dhjetor 2025; Fotot: KosovaPress
1 nga 7

The post Mijëra protestues në Shkup kërkuan “drejtësi të mirëfilltë” në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ulutash: Komunikimet e rregullta me ushtrinë serbe, jetësore për të parandaluar përshkallëzime

11 December 2025 at 15:17

PRISHTINË, 11 dhjetor /ATSH/ Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, tha se komunikimet e rregullta me ushtrinë serbe janë të rëndësishme për të parandaluar çdo përshkallëzim të mundshëm.

Ulutash i bëri këto deklarata pas vizitës në Serbi, ku u takua me kreun e ushtrisë serbe, gjeneralin Millan Mojsilloviq.

“Komunikimet e rregullta dhe të hapura mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë janë vitale për të adresuar zhvillimet e rëndësishme dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm të përshkallëzimit me kohë, në mënyrë të duhur, transparente dhe konstruktive. Në javët dhe muajt në vijim, unë do të bëj pjesën time për t’u siguruar që të vazhdojmë t’i shfrytëzojmë sa më mirë këto komunikime të rregullta”, tha Ulutash përmes një deklarate.

Edhe gjatë mandatit të parë të tij në krye të KFOR-it, Ulutash kishte vizituar Beogradin.

Ulutash e falënderoi për mikpritjen Mojsilloviqin me të cilin, tha se “veçse kam zhvilluar një bashkëpunim të hapur dhe frytdhënës gjatë mandatit tim të parë në krye të KFOR-it. Mezi pres të takohem sërish me të, së shpejti”.

Kreu i KFOR-it tha se misioni është i angazhuar për të ofruar siguri që “mundëson krijimin e kushteve të nevojshme për dialog politik”.

“NATO – përfshirë përmes punës së përditshme të KFOR-it – vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit, si kornizë për të adresuar çështjet e mbetura me qëllim që të përfitojnë të gjithë njerëzit”, tha Ulutash.

Sipas gjeneralmajorit Ulutash tha se ky mision për çerekshekulli ka luajtur rol kyç në mirëmbajtjen e paqes dhe duke ofruar siguri për të gjithë qytetarët në Kosovë. Siguria në rajon, sipas gjeneralmajorit turk është e lidhur me sigurinë e Evropës dhe në mbarë zonë euroatlantike.

Gjeneralmajori turk u rikthye në drejtimin e KFOR-it në muajin tetor. Mandati i parë njëvjeçar i Ulutashit në krye të KFOR-it nisi në tetor të vitit 2023 dhe përfundoi në tetor të vitit pasues.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

KFOR-i, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

NATO-ja e shtoi praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në KFOR aktualisht janë mbi 4 mijë paqeruajtës nga vende të ndryshme të botës. /REL/

The post Ulutash: Komunikimet e rregullta me ushtrinë serbe, jetësore për të parandaluar përshkallëzime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot mot i kthjellët

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet kryesisht i kthjellët, por nuk do të mungojnë alternime vranësirash mesatare të larta transparente, kryesisht në pjesën e parë të ditës, përqendruar në relievet malore.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa në bregdet dhe lugina era fiton shpejtësi deri në 10 m/s, me valëzimin në det të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 4/20 Diell pak re
Kukës 2/12 Diell pak re
Lezhë 6/19 Diell pak re
Dibër 2/12 Diell pak re
Durrës 6/21 Diell pak re
Tiranë 7/21 Diell pak re
Elbasan 6/21 Diell pak re
Berat 5/21 Diell pak re
Vlorë 7/19 Diell pak re
Korçë 2/13 Diell pak re
Gjirokastër 2/21 Diell pak re
Sarandë 7/20 Diell pak re

 

The post Sot mot i kthjellët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sotiraq Bratko, artisti i madh i roleve të vogla

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Sot ka ditëlindjen një prej figurave të dashura korçare, Sotiraq Bratko, “Mjeshtër i Madh”, aktori që me talentin, thjeshtësinë dhe humorin e tij u bë pjesë e shpirtit artistik të qytetit.

Sotiraq Bratko lindi më 8 dhjetor 1951 në Korçë dhe u rrit me dashurinë për artin.

Pas studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, iu bashkua Teatrit “Andon Zako Çajupi”, ku shkëlqeu në dhjetëra role, duke sjellë në skenë humor, emocion dhe sinqeritet artistik.

Në kinematografi interpretoi shumē personazhe, por famën e gjeti me rolin e Tirkës në “Zonja nga qyteti”, një figurë e  paharrueshme për publikun shqiptar.

Me mbi 70 role në teatër dhe 18 role në film, Sotiraq Bratko dëshmoi një karrierë të pasur, të larmishme dhe plot përkushtim.

Ndër rolet në kinematografi mund të përmendim: Në vitin 1973: “Brazdat” – në rolin e Skënderit; 1976: “Përballimi” – në rolin e punëtorit të fabrikës; 1977: “Flamur në dallgë” – në rolin e mekanikut Vaso; 1978: “Nusja dhe shtetrrethimi” – në rolin e Petrit; 1978: “Pranverë në Gjirokastër” – në rolin e e operatorit televiziv; 1979: “Liri a vdekje” – në rolin e Latif ages; 1980: “Gëzhoja e vjetër” – në rolin e Kujtimit; 1980: “Një shoqe nga fshati” – në rolin e Tirkës; 1981: “Në prag të lirisë” – në rolin e Fihtit; 1982: “Shokët” – në rolin e Janit; 1983: “Fraktura” – në rolin e babait të Gazit; 1984: “I paharruari” – në rolin e Sotirit; 1985: “Të shoh në sy” – në rolin e Nestit; 1986: “Rrethimi i vogël” – në rolin e Maksit; 1986: “Dasëm e çuditshme” – në rolin e Servetit; 1987: “Botë e padukshme”; 1989: “Njerëz në rrymë”; 1976: “Zonja nga qyteti” – Tirka; 1977: “Zemra që nuk plaken në rolin e Petritit; “Një shoqe nga fshati” – Tirka.

Ai ka luajtur në dhjetëra role në dramë e komedi, kryesisht me Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës.

Për disa vite, jeta e çoi jashtë Shqipërisë, në Greqi, por arti ishte brenda tij. Me rikthimin në Korçë, ai u rikthye edhe në skenë, duke dëshmuar se pasioni nuk shuhet kurrë.

Për kontributin në art, ai është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, vlerësim për një jetë të tërë në shërbim të skenës dhe ekranit.

Sotiraq Bratko është një prej atyre njerëzve që i dhanë Korçës dinjitet artistik. Ai mbetet në kujtesën e qytetit si një aktor i dashur dhe i talentuar që i fali publikut të Korçës dhe gjithë Shqipërisë qeshje, emocione dhe art të vërtetë.

Në këtë ditë të lindjes së aktorit të dashur për publikun korçar dhe jo vetëm, prefekti i Korçës Nertil Jole e uron me një postim në rrjetet sociale: “Urime për ditëlindjen aktori i dashur i qytetit tonë! Jetë të gjatë, shëndet e sa më shumë role të bukura!”.

The post Sotiraq Bratko, artisti i madh i roleve të vogla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritet numri i turistëve në Kosovë

PRISHTINË, 8 dhjetor /ATSH/ Agjencia e Statistikave të Kosovës bën të ditur se në tetor të këtij viti, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) në hotele ishte 60 mijë e 737, prej tyre 40,2% ishin vendorë dhe 59,7% ishin të jashtëm.

Krahasuar me muajin tetor të vitit 2024 kur ishin 57 mijë e 568 vizitorë, pati rritje të numrit të përgjithshëm të vizitorëve në hotele për 5,5%.

Më tej thuhet se numri i netqëndrimeve ishte 142 mijë 672, prej tyre 48,1 për qind nga vendorët dhe 51,9 për qind nga të huajt.

Sipas ASK-së numrin më të madh të vizitorëve të brendshëm në hotele e ka Rajoni i Pejës me 7878 vizitorë dhe me 29 160 netqëndrime.

“Sa u përket vizitorëve të huaj, krahasuar me periudhën paraprake (tetor 2024) në tetor 2025 pati rritje të vizitorëve për 5,2%. Në total, 36 283 vizitorë të huaj, nga të cilët numri më i madh ishte nga: Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia etj.”, njofton ASK.

/KosovaPress/

The post Rritet numri i turistëve në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këshilli i BE-së e fut Kosovën në listën e vendeve të sigurta në legjislacionin për azilkërkuesit

PRISHTINË, 8 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Bashkimit Evropian e ka përfshirë Kosovën të hënën në listën e vendeve të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE.

Përveç listës për vendet e sigurta të origjinës, Këshilli arriti pajtueshmëri edhe për konceptin e vendeve të treta të sigurta.

Blloku shpreson se këto akte ligjore do ta forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore të vendeve të sigurta në legjislacionin e BE-së për azil, synimi i të cilave është të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive azili për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së.

Së bashku me Kosovën, në listën e vendeve të sigurta të origjinës janë futur edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.

Tani i mbetet Këshillit të arrijë pajtueshmëri me Parlamentin Evropian për tekstin përfundimtar ligjor lidhur me këto dy akte.

“Sot, u pajtuam për listën e parë ndonjëherë të BE-së për vendet e sigurta të origjinës, e cila do të ndihmojë në krijimin e procedurave më të shpejta dhe më efikase të azilit, si edhe kthimin e atyre që nuk kanë nevojë për mbrojtje. Një moment i rëndësishëm për politikën e azilit të BE-së”, tha ministri danez për Imigracionin dhe Integrimin, Rasmus Stoklund.

Kjo nënkupton se azilkërkuesit që shkojnë në BE nga këto shtatë vende mund të përballen lehtësisht me refuzimin e kërkesave të tyre dhe me urdhër kthimi.

Sipas Këshillit, çdo vit dhjetëra mijëra njerëz mbërrijnë në Evropë dhe kërkojnë azil edhe pse largohen nga vende të sigurta ku zakonisht nuk ka rrezik përndjekjeje.

Numri i azilkërkuesve nga Kosova në BE është rritur pas liberalizimit të vizave më 1 janar 2024.

Më shumë kërkesa për azil ka pasur vetëm në vitet 2015/2016 kur dhjetëra mijëra kosovarë kishin emigruar drejt BE-së përmes rrugëve ilegale të Hungarisë.

Trendi i azilkërkuesve nga Kosova në Bashkimin Evropian

Pas liberalizimit të vizave, numri i kërkesave për azil në BE nga qytetarë të Kosovës është rritur dukshëm.

Franca ka qenë destinacion kryesor i kosovarëve që kërkojnë azil në BE qysh nga viti 2018, kur për herë të parë zuri vendin e Gjermanisë si destinacion kryesor.

Sipas rregullores së procedurës së azilit 2024, e miratuar si pjesë e Paktit për Azilin dhe Migracionin, shtetet anëtare duhet të zbatojnë një procedurë të përshpejtuar për aplikantët nga një vend i sigurt i origjinës dhe mund ta kryejnë atë në kufi ose në zonat e transitit.

Rregullat për vendet e sigurta të origjinës bazohen në premisën se aplikantët nga këto vende supozohet të kenë mbrojtje të mjaftueshme kundër rrezikut të përndjekjes ose shkeljeve serioze të të drejtave të tyre themelore.

Komisioni Evropian i paraqiti këto dy akte të reja ligjore në fillim të këtij viti. /REL/

The post Këshilli i BE-së e fut Kosovën në listën e vendeve të sigurta në legjislacionin për azilkërkuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i kthjellët në Ultësirën Perëndimore, shi në zonat malore

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore, shi dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, kryesisht përgjatë relieveve malore, të cilat pas orëve të mëngjesit pritet shpërbërja graduale e tyre.

Në orët e para të 24-orëshit deri në mëngjes vranësirat në relievet malore në lindje do të pasohen me reshje shiu me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 7 m/sek, e cila hera-herës përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore pritet të fitojë shpejtësi deri 12 m/sek.

Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 8/19 Diell re
Kukës 4/10 Diell re
Lezhë 10/17 Diell re
Dibër 2/11 Diell re shi
Durrës 8/17 Diell re
Tiranë 8/18 Diell re
Elbasan 7/18 Diell re shi
Berat 5/17 Diell re
Vlorë 7/17 Diell re shi
Korçë 4/12 Diell re shi
Gjirokastër 2/18 Diell re shi
Sarandë 4/18 Diell re shi

The post Mot i kthjellët në Ultësirën Perëndimore, shi në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arbër Hoxha barazon në minutën e 102-të në derbin kroat

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Sulmuesi kuqezi Arbër Hoxha ishte njeriu i ndeshjes dje në klasiken e futbollit kroat, ajo mes Dinamos së Zagrebit dhe Hajdukut të Splitit.

Hoxha ka vendosur baraspeshën e takimit në minutën e 102-të.

Të dy golat e ndeshjes së vlefshme për javën e 16-të u shënuan në pjesën e dytë. Rezultati 1-1 favorizon Dinamon e Zagrebit, që mbetet në krye të renditjes në kampionatin kroat.

Gjyqtarët e ndeshjes akorduan 13 minuta shtesë në fundin e kohës së rregullt, ku Hoxha shënoi në minutën e 102-të, pasi u pozicionua në vendin dhe kohën e duhur për të shënuar golin më të rëndësishëm.

Sulmuesi kuqezi është lojtari i momentit te Dinamo Zagreb. Sulmuesi i Kombëtares po e udhëheq në garën për titull, ndërsa deri tani numëron gjashtë gola dhe dy asiste.

Sulmuesi i Kombëtares është ylli i kampionatit kroat për këtë edicion. Hoxha është edhe “Lojtari i muajit” te Dinamo Zagreb që prej shtatorit.

Dje ai ka postuar një mesazh pas barazimit që u kishte vlerën e fitores.

“Faleminderit për të gjithë suportin tuaj në derbin e sotëm”, ishte mesazhi i sulmuesit të Kombëtares.

Forma fantastike dhe golat e rëndësishëm kanë ndikuar, që të ketë rol të rëndësishëm. Anësori po kalon edicionin më të mirë në Kroaci dhe Dinamo Zagreb kryeson renditjen.

The post Arbër Hoxha barazon në minutën e 102-të në derbin kroat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot derbi i kryeqytetit, Tirana kërkon kthesën e Partizani vazhdimësinë

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ Java e 15-të e kampionatit “Abissnet Superiore” sjell përballjen më të rëndësishme të kryeqytetit, derbin mes Tiranës dhe Partizanit, që do të luhet sot në orën 18:00.

Nuk do të jetë një derbi si gjithë të tjerët, ai i sotmi mes Tiranës dhe Partizanit.

Përballen dy skuadrat kryesore të kryeqytetit, por këtë sezon të dyja ndodhen shumë larg pritshmërive të zakonshme. Tirana vjen pas humbjes 6-2 ndaj Dinamos, ndërsa Partizani pas fitores 1-0. Në përballjen e parë të sezonit fitoi Tirana, në fitoren e saj të vetme deri tani.

Statistikat e të dy ekipeve nuk janë ato që zakonisht shohim nga Partizani dhe Tirana.

Partizani është skuadra e dytë me më pak zotërim topi në Abissnet Superiore, me mesatare 44,6% (më pak ka vetëm Bylisi). Gjithashtu, me 76,3% pasime të sakta, Partizani gabon më shumë se çdo skuadër tjetër në fazën e zotërimit të topit.

Nga ana tjetër, Tirana është ekipi që po pëson më shumë goditje në portë në gjithë kampionatin, rreth 12,5 për ndeshje — dyfishi i Teutës, që pëson më pak. Tirana renditet e treta për përqindjen e goditjeve në portë me 37,6%, ndërsa Partizani është i fundit me vetëm 21,8%.

Të dyja ekipet kanë përqindje të mira në duelet mbrojtëse, pasi të dyja janë mbi 60%. Megjithatë, këto të dhëna janë larg standardit që zakonisht vendosin Partizani dhe Tirana, dhe situata kërkon vëmendje maksimale për të shmangur rrezikun e një sezoni të dështuar.

Në atmosferën e veçantë të stadiumit Air Albania, tensioni dhe intensiteti i këtij derbi pritet të jenë në qendër të vëmendjes, në një mbrëmje që mund të shënojë pikën e kthesës për njërën prej skuadrave.

Po sot, në orën 13:30, Bylis do të presë Teutën në Ballsh.

Ndërkohë, të hënën janë në program tri ndeshje të tjera. Egnatia pret Vorën në orën 16:00, ndërsa në orën 19:00 do të luhen dy sfidat e fundit të javës.

Vllaznia udhëton drejt Elbasanit dhe Flamurtari pret Dinamo City-n në Vlorë.

Abissnet Superiore, java 15

Bylis – Teuta                         07.12.2025 13:30

Tirana – Partizani                   07.12.2025 18:00

Egnatia – FK Vora                  08.12.2025 16:00

AF Elbasani – Vllaznia             08.12.2025 19:00

Flamurtari – Dinamo City        08.12.2025 19:00

The post Sot derbi i kryeqytetit, Tirana kërkon kthesën e Partizani vazhdimësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Mbi 70 mijë votues të regjistruar nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë

PRISHTINË, 7 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka miratuar mbi 70 mijë aplikime për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor) përmes platformës elektronike të KQZ-së, janë pranuar mbi 84.700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar rreth 71.900 ndërkaq janë refuzuar rreth 6.700. Në vlerësim e sipër janë rreth 5.900 aplikime”, ka thënë Elezi në disa përgjigje me shkrim.

Ai ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e votuesve janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51.000 prej tyre, për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2.500 të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

“Rreth 18.000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë mes të tjerash Elezi.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, KQZ-ja pati regjistruar afro 105 mijë qytetarë në diasporë për të votuar në atë proces.

Në ato zgjedhje, Kosova e ka organizuar për herë të parë votimin fizik nëpër përfaqësitë diplomatike, përkatësisht në 16 ambasada dhe 14 konsullata në 19 shtete të ndryshme të botës.

Zgjedhjet e parakohshme mbahen pasi për partitë politike të Kosovës ishte e pamundshme që të arrinin konsensus për të ecur përpara, pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, meqë asnjëra parti nuk arriti t’i siguronte numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme.

Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend, duke i lënë prapa Partinë Demokratike të Kosovës me 24 ulëse, Lidhjen Demokratike të Kosovës me 20, Listën Serbe me nëntë dhe koalicionin mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.

Ulëset e tjera ishin të rezervuara për pakicat.

Disa parti në Kosovë kanë qenë në favor të caktimit të 28 dhjetorit si datë për zgjedhje, me arsyetimin se shumë shtetas të Kosovës nga diaspora kthehen në vendlindje në kohën e festave.

Në mesin e tyre ka qenë Lëvizja Vetëvendosje, e cila i ka fituar shumicën e votave të diasporës më 9 shkurt.

Disa parti tjera kanë përmendur problemet eventuale që mund të dalin me monitorimin e procesit më 28 dhjetor, pasi një pjesë e vëzhguesve ndërkombëtarë mund të mos jenë të angazhuar, marrë parasysh që një pjesë e madhe e botës është në periudhë pushimesh.

Megjithatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka arsyetuar vendimin e saj, duke thënë se KQZ-së i është dashur kohë për t’u përgatitur, meqë vendi i ka mbajtur edhe dy procese tjera zgjedhore në tetor dhe nëntor – dy raunde të zgjedhjeve lokale. /REL/

The post KQZ: Mbi 70 mijë votues të regjistruar nga diaspora për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit

PRISHTINË, 7 dhjetor /ATSH/ Albin Kurti ishte i arrestuar politik gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe ishte liruar më 7 dhjetor 2001 dhe kjo është bërë pas presionit të ndërkombëtarëve për të liruar të burgosurit politik të regjimit serb.

Ai u arrestua më 27 prill 1999 në Prishtinë. Deri më 2 maj 1999 është mbajtur në burgun e Prishtinës. Prej 2 maj deri më 10 qershor në burgun e Lipjanit. Prej 10 qershorit deri më 13 dhjetor 1999 në burgun e Pozharevcit. Prej 13 dhjetorit deri më 13 mars 2000, në burgun e Nishit.

Procesi gjyqësore ndaj Kurtit filloi më 9 mars 2000 ndërkaq më 13 mars është shqiptuar dënimi prej 15 vjetësh nën akuzën “cenimi i integritetit territorial dhe sovranitetit të Jugosllavisë”, sipas nenit 116.

Sërish, prej 14 mars 2000 deri në nëntor, ka qenë në burgun e Pozharevcit. Intervista e dhënë në burg është më 22 prill 2000.

Prej nëntorit të vitit 2000 deri më 3 dhjetor të vitit 2001 ka qenë në burgun e Quprisë ndërkaq, prej 3 dhjetorit 2001 deri më 7 dhjetor, sërish në burgun e Nishit.

Përveç burgut në Serbi, Kurti është arrestuar disa herë edhe në Kosovë.

/KosovaPress/

The post 24 vjet nga lirimi i Albin Kurtit nga burgu i Nishit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fitojnë Partizani e Dinamo, Teuta barazon me Elbasanin

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ U luajtën sot tri ndeshjet e para të Javës së 14-të të kategorisë “Abissnet Superiore”, ku spikati fitorja tenistike e Dinamo City-t ndaj Tiranës 6-2.

Partizani arriti një fitore të çmuar 1-0 në shtëpi përballë Bylisit. Golin e vetëm të takimit e shënoi Kotreras në minutën e 72-të.

Në “Niko Dovana” vendasit barazuan pa gola me kryesuesit e tabelës, AF Elbasanin. Vendasit prodhuan më shumë raste teksa portieri i skuadrës mike, Janaçek shpëtoi disa herë portën. Gjithashtu edhe verdheblutë krijuan raste, por pa konkretizuar.

Në “Air Albania”, Dinamo ka dhuruar një leksion të mirë futbolli në derbin përballë Tiranës, duke fituar me shifrat 6-2 (5′ Guindo, 11′, 61′ Qardaku, 25′, 67′ (p) Bregu, 47′ Vila / 40′ Rafael, 76′ Tare) dhe duke shfaqur diferencën e thellë që ka mes dy skuadrave që luftojnë për objektiva të kundërt këtë sezon. Blutë ishin të pamëshirshëm që në start duke diktuar ritmin e tyre me tri gola të njëpasnjëshëm të Guindo, Qardakut e Bregut, teksa bardheblutë dukeshin të kapitulluar. Goli i Rafael dha një sinjal para pushimit, por me kthimin e ekipeve në fushë, erdhi edhe goli i katërt i Dinamos me Vilën që praktikisht shuajti shpresat e bardhebluve për ta kthyer rezultatin.

Përsëri Qardaku e më pas Bregu me një penallti të përsëritur çuan në 6 numrin e golave për “nëndetësen”, ndërsa Tare nga ana tjetër tundi rrjetën sa për statistike. Shifrat mund të ishin më të thella, por në fund Vila shpërdori një penallti për golin e dytë personal dhe takimi u mbyll “vetëm” 6-2.

Java e 14-të do të mbyllet nesër me dy përballje: Egnatia-Flamurtari dhe Vora-Vllaznia, të dyja do të luhen në orën 16:30.

Elbasani renditet përkohësisht në krye të klasifikimit me 26 pikë, një pikë larg Egnatias dhe dy pikë larg Vllaznisë (me nga një ndeshje më pak). Katërshen e parë e mbyll Dinamo City me 23 pikë. Teuta renditet e pesta me 22 pikë, Partizani 17, Vora 15, Bylisi 13, Flamurtari 10, Tirana 7 pikë.

The post Fitojnë Partizani e Dinamo, Teuta barazon me Elbasanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌