Normal view

Inter u ndje i vjedhur në San Siro: proteste e bujshme kundër vendimeve arbitrale

By: user 2
19 May 2025 at 09:03

Heshtje e zhurmshme nga Inter pas ndeshjes që duket se e ka drejtuar përfundimisht Scudetton drejt Napolit. Klubi zikaltër vendosi të mos paraqesë asnjë të federuar para mikrofonëve pas barazimit kundër Lazios dhe të mungojë në konferencën tradicionale për shtyp pas ndeshjes, në një gjest të bujshëm dhe që rrallë është parë në vitet e fundit.

Një protestë e qartë kundër drejtimit të ndeshjes nga Chiffi dhe mbi të gjitha kundër penalltisë së dhënë në minutën e 94’, pas thirrjes nga VAR për një prekje me dorë në zonë nga Bisseck, e ndëshkuar pavarësisht se krahët dukeshin të ishin pas vijës së shpinës dhe në çdo rast në një distancë të afërt ndaj Castellanos në momentin kur ky goditi topin.

Një vendim që shkaktoi zemërimin e klubit, i bindur se episode të ngjashme janë trajtuar ndryshe gjatë sezonit. Rasti më përfaqësues është ai i Lecce-Inter, kur Baschirotto zgjati krahun duke goditur topin në zonë gjatë një aksioni të Lautaro: asnjë penallti, me arbitrin Marinelli në fushë dhe Di Bello në VAR.

Nervat e tendosura pa nisur ndeshja

Por klima ishte tashmë e tensionuar që në prag të ndeshjes. Kishte shkaktuar diskutime emërimi i Marco Guida, nga Pompeji, si asistent VAR. I njëjti arbitër që, në një deklaratë për Radio CRC, kishte pranuar: “Nuk ndihem rehat të gjykoj Napolin, qyteti ku jetoj”. Një frazë që, sipas shumë tifozëve të Inter, do të mjaftonte për ta përjashtuar nga një ndeshje potencialisht vendimtare për garën e titullit.

Për ta bërë gjithçka edhe më surreale, përkon edhe një herë tjetër përfshirja në episode të diskutueshme e Yann Bisseck. Si në Inter-Roma me përqafimin e dyshimtë të Ndicka në zonë: atëherë, as Fabbri dhe as VAR nuk ndërhynë. Kësaj here, në vend, vendimi përfundimtar i ka hequr Inter një fitore që do të kishte ringjallur ambiciet e saj për titull.

Lexo më tej: Polemika pafund për Inter e Napoli: nga dora e Bisseck te penalltia e hequr në Parma

Klubi është i bindur se penalltia e 2-2 erdhi në momentin më të keq të mundshëm, pasi nga Parma kishte ardhur ndihma e papritur. Me Lazion në disavantazh dhe Napolin të bllokuar në 0-0 nga verdheblutë e ish-lojtarit Chivu, gjithçka dukej se ishte rikthyer në duart e Simone Inzaghi. Por ajo penallti shumë e kontestuar në kohën shtesë vuri gjithçka sërish në diskutim. Dhe ndoshta e mbylli përfundimisht çështjen e titullit.

The post Inter u ndje i vjedhur në San Siro: proteste e bujshme kundër vendimeve arbitrale appeared first on Lapsi.al.

Policia vendos gardh hekuri mes liderëve europianë dhe protestuesve të opozitës

By: user 8
16 May 2025 at 16:29

Pas pak, rreth orës 17:00, pritet të nisë protesta e opozitës pranë ministrisë së Drejtësisë, në kryqëzimin e Bulevardit Zogu I me rrugën Fortuzi.

Protesta e thirrur nga kreu i PD-së Sali Berisha mbahet paralelisht me punimet e Samitit të Komunitetit Politik Europian në qendër të Tiranës, ku janë mbledhur gjithë liderët e Europës.

Ndërkohë në zonën e Ministrisë së Drejtësisë ka prani të forcave policore, të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës, si dhe janë vendosur kangjella për moslejimin e kalimit nga ministria e Drejtësisë për në qendër.

Berisha e thirri këtë protestë pas rezultatit në zgjedhje ku humbi përballë PS-së së Edi Ramës, pasi sipas tij këto votime ishin farsë elektorale, të manipuluara. Berisha ka si qëllim të ndërgjegjësojë liderët e Europës për mënyrën si Edi Rama zhvillon zgjedhje në Shqipëri.

The post Policia vendos gardh hekuri mes liderëve europianë dhe protestuesve të opozitës appeared first on Lapsi.al.

Protesta e njoftuar më 16 maj, policia nuk jep leje për zhvillimin e saj

15 May 2025 at 10:59

Policia e Tiranës nuk i ka dhënë leje Partisë Demokratike për zhvillimin e protestës së lajmëruar më 16 maj në orën 17:00, me arsyetimin se nuk lejohet për shkak të perimetrit të sigurisë të përcaktuar për samitin.

Kryedemokrati Sali Berisha foli dje lidhur me protestën ku tha se do të zhvillohet për një sensibilizim të udhëheqësve europiane se ndodhen në “një shtet që nuk respekton asnjë rregull, asnjë parim të votës së lirë”.

The post Protesta e njoftuar më 16 maj, policia nuk jep leje për zhvillimin e saj appeared first on Lapsi.al.

Protesta e thirrur në 16 maj, Berisha: Mbrojmë votën e shqiptarëve

14 May 2025 at 11:34

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zbuluar posterin e protestës së të premtes. Mësohet se slogani do të jetë ‘Mbrojmë votën e shqiptarëve’. Protesta do të mbahet më datë 16 maj në orën 17:00.

Berisha njoftoi mbajtjen e protestës ditën e djeshme, ndërsa në një konferencë për shtyp bëri me dije se humbja në zgjedhje erdhi si pasojë e ndikimit të bandave dhe përdorimit të pushtetit nga socialistët.

Ai i quajti zgjedhjet më të grabiturat në histori, ndërsa mbi faktin se në të njëjtën ditë në Tiranë mbahet samiti i liderëve europianë, Berisha tha se protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të cenojë organizimin.

Postimi:

Mbrojmë votën e shqiptarëve!
Protestë
16 maj, ora 17:00
Bulevardi i Ri

The post Protesta e thirrur në 16 maj, Berisha: Mbrojmë votën e shqiptarëve appeared first on Lapsi.al.

“As serbi nuk e bën këtë” Banorët e Hotolishtit akuza kundër Belinda Ballukut

By: user 4
5 May 2025 at 14:25

Banorët e fshatit Hotolisht në Librazhd kanë dalë sot në një tjetër protestë kundër mënyrës se si po ndërtohet projekti i Korridorit VIII, duke akuzuar ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, për shpërfillje të vazhdueshme dhe mungesë transparence. Ata kërkojnë shpronësim me çmimet e tregut dhe ndërtimin e një tuneli alternativ, për të shmangur dëmtimin e zonës historike dhe të mjedisit përreth.

Sipas protestuesve, ndërtimi i tunelit do të lejonte zbatimin e projektit pa prekur komunitetin. Ata akuzojnë ministren Balluku se ka refuzuar çdo lloj dialogu dhe nuk ka dhënë asnjë sqarim zyrtar për shqetësimet e tyre.

Një banor deklaroi me tone të ashpra: “Do shkojmë deri në fund, do vijmë t’iu japim përgjigje thonë, asgjë në dritë. Punimet vazhdojnë. Ne çfarë do presim më? Duhet të ngrihemi. Të shkojma ta kapim për fyti edhe ministren. Me çfarë të drejte vjen ajo këtu? Në cilin shtet të botës bëhet një projekt për rrugën dhe nuk shihet një fshat i tërë? Duhet të dërgonte të paktën një letër të sqaronte. Jemi shumë të indinjuar. Tek e fundit nuk kemi çfarë humbim. Me çfarëdo shpërblimi do të më japin, ku do përplasem unë 60 vjeç?”

Duke vënë në dukje përgjegjësinë e qeverisë për të mbrojtur qytetarët dhe pasuritë e tyre, ai shtoi: “Ndaj ju ka votuar një komb i tërë, që të japin zgjidhje. Po kush po pyet për tokat më, po shtëpinë? Veç plumbi e ndan këtë punë. Edhe serbi nuk e ka bërë këtë punë, ka vra njerëz në rrugë, po shtëpitë i ka lënë.”

Protestuesit kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë pa ndërprerje, deri në momentin kur do të merren masa konkrete për të mbrojtur interesin e komunitetit dhe për të gjetur një zgjidhje të drejtë. Ata synojnë ngritjen e një komiteti për të koordinuar veprimet e tyre në ditët në vijim.

The post “As serbi nuk e bën këtë” Banorët e Hotolishtit akuza kundër Belinda Ballukut appeared first on Lapsi.al.

Fermerët në Fier: Thonë janë me pesticide! AKU nuk ka marrë kampione nga toka

By: user7
7 April 2025 at 13:41

Fermerët në Fier këtë të hënë kanë në protestë në lidhje me prodhimin e tyre të luleshtrydhe. Sipas tyre pikat e grumbullimit nuk kanë pranuar tu marrin prodhimin me pretendimin se luleshtrydhet janë me pesticide. Ky mospranim i luleshtrydheve nga pikat e grumbullimit vjen pas skandalit të luleshtrydheve me pesticide të importuara nga Greqia. Fermerët kanë hedhur luleshtrydhet në tokë në shenjë protestë teksa theksojnë se AKU-në se nuk kanë shkuar për të marrë kampione për analizimin e luleshtrydheve të kultivuara në tokat e tyre.

“Kërkojmë ndihmë nga shteti. Të marrë kampionë nga tokat ku është luleshtrydhja. Në asnjë parcelë s’ka ardhur AKU. Luleshtrydhja jonë në këtë zonë mban rekord, por shteti jonë pranon të marrë nga jashtë. Më vjen keq për brezin e ri. Pata djalin tim këtu, kur iku më erdhi keq.

Ky brez i ri po largohen nga ky vend në të njëjtën kohë kur Rama u kërkon të kthehen e të punojnë. Luleshtrydhja u shit me 2 mijë lekë/kg. sot nuk flitet për kile. Është pa vjelë e gjithë luleshtrydhja. Ne sot s’paguajmë dot punëtorët. Një punëtor që të vjelë 25 arka, do 20 mijë lekë. Po nuk vuri dorë shteti, të thotë ik,” thonë fermerët.

Ata shtojnë se nga mostregtimi i luleshtrydheve preken 300-400 fermerë. Ata fajësojnë pikat e grumbullimit për abuzime dhe se propaganda nuk bëhet te ata.

“Mund të jenë 300-400 fermerë. Këto janë faturat, pa çmim e asgjë. Jemi në mëshirë të fatit, shteti s’do t’ia dijë. Vjen vetëm për vota. Ne në këto dy muaj punojmë në vit. Gjysma u kalbëzua nga moti, asnjë subvencion, lekët i marrin pikat e grumbullimit. Propaganda po bëhet nëpër pika, te fermeri asgjë. Zero,” shprehen fermerët.

The post Fermerët në Fier: Thonë janë me pesticide! AKU nuk ka marrë kampione nga toka appeared first on Lapsi.al.

Kosovë/ Rritja e çmimit të energjisë nxiti protesta

By: user7
7 April 2025 at 12:56

Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) ka thënë të hënën se tarifat e reja të rrymës pritet të hyjnë në fuqi nga 1 maji, në pritje të marrjes së vendimit për shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind.

“Vendimi për rritje do të merret nga mesi i këtij muaji, ndërsa tarifat e reja do nisin të aplikohen nga data 1 maj të këtij viti,” tha Petrit Pepaj nga ZRRE-ja gjatë një takimi me gazetarë.

Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke nxitur reagime dhe protesta.

Bordi i ZRRE-së pritet të marrë vendim për çmimin e rrymës më 11 prill. Shtrenjtimi i rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të shtunën në kryeqytet. ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës. Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

ZRRE-ja ka argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se rritja eventuale e çmimit të rrymës do të rriste kostot operative të bizneseve. Kjo më pas do të detyronte bizneset që të rrisnin çmimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke i bëra ato më pak konkurruese në treg.

Kosova, viteve të fundit, është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve. Shtrenjtimi ka nisur në kohën e pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe ka marrë hov pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 2022.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë./REL

The post Kosovë/ Rritja e çmimit të energjisë nxiti protesta appeared first on Lapsi.al.

Protesta në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike

5 April 2025 at 17:17

Grupi “Asnjë Cent ma Shumë” kanë organizuar sot një protestë në Prishtinë, duke kërkuar që të mos merret vendim për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Duke mbajtur në duar parulla si: “Shteti hesht, qytetarët s’ndalen”, “Tarifat e reja, padrejtësi e re”, “Varfërimi i shumicës, pasurimi i pakicës”, “S’ka dritë me padrejtësi”, qytetarë të mbledhur afër ndërtesës së qeverisë së Kosovës, kundërshtuan kërkesën nga kompanitë e energjisë për rritjen e tarifave të energjisë për 15 për qind.

Organizatorët e protestës thanë se përveç shtrenjtimit të rrymës është paralajmëruar edhe një valë e rritjes së çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, prandaj thanë se qytetarët e Kosovës “nuk e meritojnë t’iu vështirësohet më shumë jeta”.

Pas protestës në sheshin Skenderbeu, protestuesit vazhduan marshimin drejt ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë. Aty ata vendosën parullat, në mënyrë që kur zyrtarët të shkojnë në punë, të shohin pakënaqësitë e qytetarëve.

Organizatorët e protestës në Prishtinë paralajmëruan protestë të re më 11 prill, nëse merret vendimi për rritjen e tarifave të energjisë. Zyra e Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar se, nga ky muaj, faturat e energjisë elektrike mund të rriten për 15 për qind.

The post Protesta në Prishtinë kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike appeared first on Lapsi.al.

Protestat masive “pushtojnë” Turqinë pas burgosjes së Imamoglu

By: user7
29 March 2025 at 10:42

Protestat godasin rëndë ekonominë turke pas burgosjes së kryebashkiakut të Stambollit! Turizmi, një nga industritë më të rëndësishme, a do të preket prej tyre?

Që pas burgosjes së kryetarit të bashkisë së Stambollit Imamoglu, tregjet e aksioneve dhe monedha turke kanë shënuar rënie. Po turizmi, një nga industritë më të rëndësishme në Turqi, a do të preket prej tyre?

Lajmi për arrestimin e rivalit të Erdoganit, Ekrem Imamoglu, shkaktoi humbje të mëdha në tregjet turke të kapitalit. Besimi i shumë investitorëve në vend me sa duket u trondit. Kjo çoi në javën më të dobët në tregun e aksioneve që nga kriza globale financiare e vitit 2008: indeksi i aksioneve ISE 100 humbi përkohësisht më shumë se 16 për qind të vlerës së tij.

Si përgjigje Enti Rregullator i Tregut të Kapitalit në Turqi ndaloi shitjet e shkurtra dhe bastet dhe spekulimet për të penguar një rënie të mëtejshme të çmimeve. Në të njëjtën kohë ky ent lehtësoi blerjet e aksioneve në mënyrë që të mbështeteshin çmimet e aksioneve në rënie. Megjithëse indeksi u rrit për një periudhë të shkurtër me rreth dy për qind, ai kaloi përsëri në minus dhe arriti nivelin më të ulët që nga nëntori.

Vëzhguesit janë të mendimit se ky zhvillim mund të bëhet një problem i madh për Erdoganin. Vitet e fundit investitorët turq kishin investuar në bursë për të mbrojtur pasuritë e tyre nga inflacioni i lartë, i cili në mars ishte rreth 39 për qind.

A do të ketë pasoja për turizmin?

Një nga industritë më të rëndësishme në Turqi është turizmi. Në këtë fushë pasiguria për gjendjen në Turqi mund të ketë ndikimin më të dukshëm. Dirk Schmücker, drejtor shkencor në institutin NIT (New Insights for Tourism) në Kiel, beson se pasojat mund të shihen edhe në plazhet e Mesdheut. Megjithatë “se deri në cilin nivel është e paqartë dhe nuk duhet mbivlerësuar”, tha ai për DW. “Sa i përket arrestimit aktual, kjo nuk është hera e parë që qeveria turke sillet ndryshe nga sa jemi mësuar nga shumica e qeverive evropiane.”

Marco A. Gardini, profesor në Fakultetin e Menaxhimit të Turizmit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Kempten, thotë se arrestimi i kryebashkiakut ka “rëndësi të lartë për qarqet ndërkombëtare politike dhe diplomatike”. Por për shumë “turistë që kanë zgjedhur Turqinë si destinacion, kjo ngjarje do të ketë pak ndikim, sepse sot ka shumë pak turistë që e shmangin Turqinë si destinacion udhëtimi për shkak të Erdoganit dhe politikave të tij./DW

The post Protestat masive “pushtojnë” Turqinë pas burgosjes së Imamoglu appeared first on Lapsi.al.

Protestat për Imamoglu/ Trump i ‘shkel syrin’ Erdogan

By: user 8
26 March 2025 at 16:31

Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan si një udhëheqës “të mirë”. 

Trump e bëri këtë koment gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me ambasadorët e sapoemëruar, duke përfshirë Tom Barrack, të emëruarin e tij për ambasador të SHBA-ve në Turqi.

“Si një nga qytetërimet më të vjetra në botë, kombi pritës kërkon vizionin tuaj për paqen, prosperitetin dhe sigurinë,” i tha ambasadori Barrack – Presidentit amerikan.

Donald Trump u përgjigj: “Është një vend i mirë dhe udhëheqësi i tij është gjithashtu i mirë.” 

Vlerësimet erdhën në mes të protestave më të mëdha antiqeveritare të Turqisë në më shumë se një dekadë, të shkaktuara nga arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu.

Lexo më tej: Burgosja e Imamoglu: Kthesa e Turqisë drejt autokracisë totale 

The post Protestat për Imamoglu/ Trump i ‘shkel syrin’ Erdogan appeared first on Lapsi.al.

Drejtësia në rrethim – Brukseli kap sinjalet e sulmit politik ndaj SPAK

By: user 4
20 March 2025 at 15:57

Sinjalet se SPAK dhe Gjykata e Posaçme janë nën presion politik kanë mbërritur në Bruksel, ku duket se gjyqësori shqiptar ka gjetur një avokat të ri, pas tërheqjes së ambasadës amerikane.

Draft-raporti për Shqipërinë në Parlamentin Europian, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder shpreh shqetësim për “ndërhyrjet dhe presionin e vazhdueshëm politik mbi sistemin gjyqësor në Shqipëri”, dhe duke reflektuar një mesazh të qartë nga Brukseli inkurajon: “dokumentimin e hetimeve, ndjekjen penale dhe dënimet në raste të korrupsionit në nivele të larta”, ndërsa lëshon një paralajmërim “kundër minimit të punës së institucioneve të pavarura si SPAK”.

Mesazhi i fundit që vjen në formë paralajmërimi dërgohet në një moment kur SPAK dhe GJKKO janë përballur me një fushatë të ashpër presionesh dhe sulmesh nga politika, në përpjekje për të delegjitimuar hetimet dhe proceset gjyqësore që po prekin nivelet më të larta të pushtetit në vend.

Kuptohet se paralajmërimet e Brukselit vijnë si përgjigje për ambicien e shprehur nga qeveria shqiptare për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Përveç Edi Ramës, që është nga të rrallët politikanë të nivelit të lartë që nuk është kontaktuar nga drejtësia e re, duhet thënë se SPAK ka prekur të gjitha nivelet e pushtetit si në qeveri me hetimin e disa ish-ministrave, në pushtetin lokal, me arrestimin e disa kryebashkiakëve dhe po ashtu nuk është kursyer me arrestimet direkte të liderëve të opozitës. Për pasojë, prokurorët janë përballur me sulme të të gjitha llojeve.

1. Protesta e punonjësve të bashkisë për “Lalin”

Dita kur GJKKO do të shqyrtonte kërkesën për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt në datën 10 shkurt, u shoqërua me një protestë të organizuar nga administrata e bashkisë së Tiranës, një taktikë klasike për të ushtruar presion mbi gjyqësorin dhe për të krijuar një klimë intimidimi. Tubimi ishte një përdorim i hapur i burimeve shtetërore për të ndikuar mbi proceset e drejtësisë.

2. Sulmet e drejtpërdrejta të Veliajt ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve

Pas hapave të parë të prokurorëve të SPAK, që kontrolluan shtëpinë e Erjon Veliajt dhe ngritën ndaj tij disa akuza për korrupsion dhe pastrim parash, kryebashkiaku në detyrë i Tiranës ka përdorur çdo dalje publike për të sulmuar prokurorët dhe gjyqtarët me epitete fyese, duke e cilësuar hetimin si të motivuar politikisht dhe duke angazhuar mediat për të sulmuar prokurorët dhe gjykatësit e çështjes së tij.

3. Paralajmërimet e Edi Ramës për “standartizimin” e drejtësisë

Kryeministri Edi Rama ka artikuluar disa herë idenë e “standartizimit” të drejtësisë së re, një formulë e paqartë që në thelb nënkupton një kontroll më të madh politik mbi vendimet e SPAK dhe GJKKO. Kjo retorikë është parë si një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së drejtësisë, pasi nënkupton krijimin e një linje të përshtatshme politike për të dirigjuar hetimet.

4. Sulmet e Sali Berishës dhe protestat para SPAK

Nga ana tjetër, Sali Berisha ka vijuar të organizojë protesta të rregullta para selisë së SPAK, duke e cilësuar këtë institucion si “organizatë kriminale” në shërbim të Edi Ramës dhe duke shpërndarë akuza të vazhdueshme kundër prokurorëve që po ndjekin dosjen e tij për privatizimin e Klubit Partizani. Berisha ka nxjerrë përgjime të SKY ECC duke akuzuar prokurorë të veçantë të SPAK se janë të përfshirë në fshirjen apo fshehjen e përgjimeve për të shfajësuar politikanë të PS dhe vetë Edi Ramën.

5. Protesta e Partisë së Lirisë kundër SPAK

Me moton “Jo drejtësi me regji”, një grup militantësh të Partisë së Lirisë protestuan para SPAK për arrestimin e Ilir Metës, duke akuzuar institucionin si mjet të Edi Ramës kundër opozitës. Në një letër nga burgu, Meta sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumanin, si “mercenar të Ramës” dhe e cilësoi SPAK-un një “instrument kamikaz” të përdorur për të goditur kundërshtarët politikë.

Draft-raporti i PE-së konfirmon atë që në Shqipëri tashmë është bërë e qartë: që sistemi i drejtësisë është nën një sulm frontal nga politika, kryesisht për shkak të dosjeve të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

Shqetësimi i ngritur nga Parlamenti Europian është një sinjal se sulmet ndaj institucioneve të reja të drejtësisë nuk do të kalojnë pa u vënë re. Tani mbetet për t’u parë se sa do t’i rezistojë presionit drejtësia shqiptare./Lapsi.al

The post Drejtësia në rrethim – Brukseli kap sinjalet e sulmit politik ndaj SPAK appeared first on Lapsi.al.

Marta Kros për protestën në Serbi: Duhen reforma për rrugën drejt BE

By: user 4
16 March 2025 at 10:20

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos deklaroi se një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve serbë demonstruan në mënyrë paqësore të shtunën në Beograd dhe theksoi se duhet të pasohet një marrëveshje për reformat e nevojshme për rrugën evropiane të Serbisë.

Në rrjetin social X, Marta Kos ka shkruar se një numër i paprecedentë i qytetarëve serbë kanë demonstruar në mënyrë paqësore, duke bërë thirrje për sundim të ligjit dhe institucione të forta e të përgjegjshme demokratike.

“Një numër i paprecedentë i qytetarëve serbë demonstroi në mënyrë paqësore sot në Beograd, duke bërë thirrje për sundim të ligjit dhe institucione të forta dhe të përgjegjshme demokratike.

Falenderoj të gjithë ata që garantuan sigurinë e tyre. Një marrëveshje për reformat, të cilat janë të nevojshme për rrugën e Serbisë në BE duhet të pasojë”, shkroi Marta Kos në X.

Protesta “15 për 15” u mbajt në Beograd të shtunën, e thirrur nga studentët që kanë bllokuar fakultetet në katër universitete në të gjithë Serbinë për tre muaj e gjysmë dhe kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 15 personave kur u shemb tenda e stacionit të trenit në Novi Sad më 1 nëntor të vitit të kaluar.

The post Marta Kros për protestën në Serbi: Duhen reforma për rrugën drejt BE appeared first on Lapsi.al.

Protesta kundër korrupsionit në Beograd: Mbi 100,000 në shesh kundër Vuçiçit

By: user 4
16 March 2025 at 10:15

Mbi 100,000 qytetarë iu bashkuan një proteste masive kundër korrupsionit në Beograd të shtunën, duke ardhur nga e gjithë Serbia me makina, motoçikleta, biçikleta dhe në këmbë për të shprehur zemërimin ndaj qeverisë së Aleksandar Vuçiçit dhe për të kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në stacionin e trenit në Novi Sad, në nëntorin e kaluar.

Protestuesit valëvitën flamuj, përdorën bilbila dhe boritë e ajrit, si dhe brohoritën sloganin e lëvizjes protestuese “Pump it!” teksa marshuan nëpër qytet. Ata u mblodhën në zonën mes Kuvendit Kombëtar dhe Sheshit Slavija, ku mbajtën 15 minuta heshtje në kujtim të 15 viktimave të aksidentit, për të cilin besojnë se nxori në pah korrupsionin dhe neglizhencën e qeverisë së Vuçiçit.

Ministria e Brendshme serbe vlerësoi numrin e pjesëmarrësve në 107,000, një nga demonstratat më të mëdha ndonjëherë në Beograd. Megjithatë, Arkivi i Tubimeve Publike, një OJQ që numëron pjesëmarrësit në protesta, e vlerësoi pjesëmarrjen mes 275,000 dhe 300,000 njerëzve.

Këto protesta të drejtuara nga studentët, që zgjasin prej më shumë se tre muajsh, janë sfida më e madhe për qeverinë e Vuçiçit që nga ardhja në pushtet e Partisë Progresive Serbe në vitin 2012.

Protesta kaloi paqësisht, por pas përfundimit të saj pati një incident të shkurtër të dhunshëm, kur një person u rrah pranë Kuvendit Kombëtar. Ngjarja ndodhi afër një kampi të vogël kundër-protestuesish besnikë ndaj Vuçiçit, ku kishte prani të madhe policore. Një rresht traktorësh ishte vendosur rreth kampit që të premten në mëngjes. Kundër-protestuesit ishin bërë objekt i talljeve dhe ironisë nga pjesëmarrësit në protestën kryesore.

Në një konferencë televizive të shtunën në mbrëmje, Vuçiç deklaroi se 22 persona ishin arrestuar gjatë ditës, por pranoi se “një numër befasues i madh njerëzish erdhi nga brenda vendit për të protestuar në Beograd”. Ai më parë i kishte përshkruar protestat si një përpjekje për një “revolucion me ngjyra”.

Të shtunën në mëngjes, kolona automjetesh u panë duke shkuar drejt kryeqytetit nga e gjithë Serbia për të marrë pjesë në demonstratën masive, e cila u organizua nën emrin “15-ta për 15-të”. Kompania shtetërore e hekurudhave dhe disa kompani private të autobusëve pezulluan të gjitha shërbimet e tyre drejt Beogradit, çka u pa nga protestuesit si një përpjekje për të sabotuar demonstratën në favor të qeverisë.

Shumë protestues arritën në Beograd në këmbë të premten në mbrëmje dhe u pritën me një mirëseardhje festive nga qytetarët e kryeqytetit.

Tubimi i së shtunës ishte pjesë e një serie protestash masive në katër qytetet më të mëdha të Serbisë – Beograd, Nish, Kragujevac dhe Novi Sad – si dhe në shumë qytete më të vogla.

Studentët organizatorë kanë katër kërkesa kryesore:

1. Publikimi i të gjitha dokumenteve që lidhen me renovimin e stacionit të trenit në Novi Sad, i cili u krye nga një kompani kineze para aksidentit tragjik.

2. Proçedimi penal ndaj të gjithë atyre që janë përfshirë në sulmet ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave, dhe shkarkimi i tyre nëse janë zyrtarë publikë.

3. Ndalimi i ndjekjes penale ndaj studentëve të arrestuar gjatë protestave.

4. Rritja e buxhetit për arsimin e lartë me 20%.

The post Protesta kundër korrupsionit në Beograd: Mbi 100,000 në shesh kundër Vuçiçit appeared first on Lapsi.al.

Pas protestës në Beograd flet Vuçiç: Energji negative dhe mllef ndaj autoriteteve

15 March 2025 at 22:48

Qindra mijëra qytetarë protestuan sot në Beograd duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad. Presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandar Vuçiç iu drejtua kombit me një fjalim pas protestës. Vuçiç tha se protesta ishte e mbushur me energji negative dhe mllef ndaj autoriteteve serbe.

“U mbajt një protestë e madhe, me energji negative, zemërim dhe mllef ndaj autoriteteve në Serbi, pa pasur viktima apo lëndime të rënda”, tha Vuçiç. Vuçiç ka thënë se janë lënduar rreth 56 persona, por asnjë nuk është lënduar rëndë.

Prej muajsh studentë e qytetarë protestojnë në Beograd, pasi 15 persona humbën jetën nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar. Ata kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi nga qeveria e presidentit Aleksandër Vuçiç, i cili është në pushtet prej 12 vitesh. Ata akuzojnë qeverinë për korrupsion, vjedhje fondesh dhe fshehje të së vërtetës nëpërmjet ndërhyrjes në gjyqësor.

The post Pas protestës në Beograd flet Vuçiç: Energji negative dhe mllef ndaj autoriteteve appeared first on Lapsi.al.

Mbyllet protesta më e madhe në Serbi/ Mijëra qytetarë kërkojnë largimin e Vuçiç

15 March 2025 at 21:17

Ka përfunduar pas 5 orësh protesta e qindra mijëra qytetarëve nga e gjithë Serbia që u mblodhën në qendër të Beogradit pas thirrjes së studentëve, të cilët prej më shumë se katër muaj, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad.

Turma në Sheshin Sllavija të Beogradit u shpërnda, pasi studentët që organizuan protestën, njoftuan se ajo ka përfunduar.

Çfarë ndodhi sot gjatë protestës së madhe?

Turma të mëdha protestuesish, që valëvisin flamujt serbë, u vendosën në disa pika të kryeqytetit. Zhurma e bilbilave, vuvuzelave dhe daulleve mbushi Beogradin.  Ministria e Brendshme e Serbisë thotë se mbi 100 mijë persona janë mbledhur në protestë.

Përpara demonstratës, tensionet ishin të larta, pasi mbështetësit e presidentit ngritën një kamp në një park përballë pallatit presidencial. Vuçiç paralajmëroi se forcat e sigurisë do të përdornin forcë kundër protestuesve. Ai deklaroi se nuk do të largohej nga pushteti për shkak të protestave.

“Do të duhet të më vrisni nëse doni të më zëvendësoni,” u shpreh ai.

Lexo edhe: Beogradi ‘zien’/ Mbi 100 mijë protestues dalin në rrugët e kryeqytetit kundër Vuçiç

Qytetarët në Sheshin Sllavija të Beogradit mbajtën 15 minuta heshtje për 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad. Kujtojmë se 15 njerëz humbjen jetën nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Protestuesit kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad dhe transparencë nga institucionet. Deri më tani, mbi dhjetë persona janë akuzuar për shembjen e çatisë, ndërkohë kryeministri Millosh Vuçeviç, dha dorëheqjen në janar, së bashku me kryetarin aktual të bashkisë.

The post Mbyllet protesta më e madhe në Serbi/ Mijëra qytetarë kërkojnë largimin e Vuçiç appeared first on Lapsi.al.

Mblidhen para selisë së PD-së, qytetarët protestojnë kundër mbylljes së TikTok

15 March 2025 at 19:12

Qytetarët do të protestojnë para Kryeministrisë kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e rrjetit social “TikTok”. Forumi rinor i PD-së, i cili ka thirrur protestën kundër mbylljes së platformës do të nisë marshimin nga selia blu tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”

Dhjetëra efektivë ndodhen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku është ndaluar edhe qarkullimi i automjeteve. Berisha ka ftuar të rinjtë të marrin pjesë në tubim, për të kërkuar heqjen e vendimit për mbylljen e “TikTok”. “Të protestojmë kundër censurës”, u shpreh ai një ditë më parë.

Protesta nuk do të ketë podiumin trandicional, por një podium më të vogël, do të ketë 6 folës që do të adresojnë mesazhdet e tyre.

The post Mblidhen para selisë së PD-së, qytetarët protestojnë kundër mbylljes së TikTok appeared first on Lapsi.al.

Rriten tensionet në Serbi/ Makina përplaset me protestuesit në Beograd, 3 të plagosur

15 March 2025 at 15:33

Situata është tensionuar në Bulevardin ‘Mbreti Aleksandar’, afër parlamentit të Serbisë, ku turma të mëdha njerëzish janë mbledhur për të vijuar protestat që kanë përfshirë vendin muajt e fundit. Tre persona u plagosën të shtunën në mëngjes kur një makinë u përplas me protestuesit. Sipas Ministrisë së Brendshme të Serbisë, policia arrestoi shoferin 50-vjeçar i cili dyshohet se i bëri rezistencë arrestimit.

“Personat që u goditën në zonën e Belë Vodës ishin dy gra dhe një i ri , të cilët janë kontrolluar në urgjencë. Pas diagnostikimit të plotë janë konstatuar lëndime të lehta trupore”. njoftoi zyra e shtypit e ministrisë, duke theksuar se po vijon bashkëpunimi me prokurorinë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur duke mbajtur flamuj të fakulteteve nëpër duar, flamuj të Serbisë, dhe simbole. Studentët dhe qytetarët që protestojnë, ndër të tjera, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

The post Rriten tensionet në Serbi/ Makina përplaset me protestuesit në Beograd, 3 të plagosur appeared first on Lapsi.al.

Protestat masive në Beograd/ Dhjetëra-mijëra njerëz afër Parlamentit

By: user7
15 March 2025 at 14:57

Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Bulevardin ‘Mbreti Aleksandar’, afër Parlamentit të Serbisë, raporton një gazetar i Radios Evropa e Lirë prej vendit të ngjarjes.

Zona është e mbyllur për trafik. Turma të mëdha njerëzish janë parë në qendër të qytetit, duke mbajtur flamuj të fakulteteve nëpër duar, flamuj të Serbisë, dhe simbole të qyteteve prej nga janë.

Studentët në bllokadë, ndër të tjera, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

The post Protestat masive në Beograd/ Dhjetëra-mijëra njerëz afër Parlamentit appeared first on Lapsi.al.

Beogradi në këmbë, mijëra njerëz kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç

By: user 6
14 March 2025 at 21:30

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Beogradit mbrëmjen e së premtes për t’i mirëpritur studentët që po mbërrijnë në kryeqytetin e Serbisë në këmbë nga skajet e largëta të vendit, për një protestë të madhe që do të zhvillohet të nesërmen.

Derisa pritej mbërritja e kolonave të para të këmbësorëve nga Serbia jugore dhe perëndimore, disa çiklistë nga Kragujevci ishin të parët që arritën në qendër të Beogradit.

Duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrimin “studentë, Beogradi është i juaji”, qytetarët i pritën studentët në kryeqytet edhe me medalje e lule.

Studentët, të cilët i kanë bllokuar fakultetet anembanë Serbisë për më shumë se tre muaj, kanë bërë thirrje për një protestë në Beograd më 15 mars.

Studentët në bllokadë, ndër të tjera, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.

Rojet e studentëve u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos iu afrohen traktorëve dhe gardhit që çon në Parkun e Pionierëve në mes të Presidencës së Serbisë dhe Kuvendit të Serbisë, ku janë vendosur në kampe një grup tjetër studentësh që kundërshtojnë bllokadat e fakulteteve.

Një numër i madh traktorësh janë parkuar rreth Parkut të Pionierit në qendër të kryeqytetit. Grupi “Studentët 2.0” është i vendosur në Parkun e Pionierit që nga 6 marsi. Ata e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë” dhe kërkojnë përfundimin e bllokadave.

Në Parkun e Pionierit shihet një prani e madhe policore. Qytetarët në anën tjetër të gardhit brohoritën “turp” dhe “kë po mbroni” ndaj policëve.

Kampi i “studentëve që duan të mësojnë” janë kryesisht meshkuj, shumë prej të cilëve fshehin fytyrat me kapele dhe kapuç.

Traktorë, një gardh dhe policia ndajnë qytetarët, që presin studentët pranë Presidencës dhe Kuvendit, nga kampi në Parkun e Pionierit.Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shteti “do t’i ndërmarrë të gjitha masat” për të siguruar paqe dhe paralajmëroi arrestimin e atyre që shkaktojnë incidente.

Qeveria kishte akuzuar më parë opozitën për përgatitjen e dhunës, ndërsa studentët hodhën poshtë akuzat. Protesta në Beograd konsiderohet si kulmi i demonstratave disamujore anembanë Serbisë të udhëhequra nga studentët. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë

The post Beogradi në këmbë, mijëra njerëz kërkojnë dorëheqjen e Vuçiç appeared first on Lapsi.al.

FOTO/ 44 vjet nga “Demonstratat e 81-it” që zgjuan ëndrrën e Kosovës për Pavarësi

By: user 6
11 March 2025 at 23:36

Demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981 në Prishtinë, të përcjella nga kërkesa për liri dhe barazi në Kosovë, shënuan një moment vendimtar në historinë e saj, duke nxjerrë në pah frymën nacionaliste dhe shpërthimin e kërkesave për pavarësi kombëtare, ndërsa u shoqëruan me represion të rëndë nga autoritetet jugosllave, me humbje edhe të njerëzve.

Demonstratat filluan si nje levizje spontane e studentëve të Kosovës të cilat u mbajtën në Prishtinë me 4 mars 1981 për kushte më të mira në mencen e studentëve në Prishtinë, por ne fakt ishte shkendiaja ne nje zinxhir mbi mllefin e akumuluar prej vitesh.

Shërbimi policor pas ndërhyrjes brutale paraburgosi një numër të madh të studentëve. Kjo ndërhyrje shkaktoi demostratën e organizuar të studentëve më 11 mars e cila po ashtu shtypet me dhunë dhe parabugosen disa studentë.

36 vjet nga demonstratat e 81-shit | Presheva Jonë

Më këtë fillon edhe zinxhiri i demostratave të 81-ës. Si pasojë rrjedhin tubimet e njohura si “Demonstratat e Punëtorëve” në të cilat punëtorët kërkonin lirimin e studentëve të burgosur. Përsëri, organet shtetërore intervenojnë me tërë brutalitetin e tyre.

36 vjet nga demonstratat e vitit 1981

Me kërkesat e demonstruesve: “Kosova Republikë”, “Duam Liri, “Barazi, Drejtësi”, Duam Bashkim”, “Të lirohen të burgosurit politikë”, e shumë kërkesa të tjera, u solidarizua i gjithë populli shqiptar i Kosovës e më gjerë, duke u organizuar më pas demonstrata nga rinia edhe në qytetet e tjera të Kosovës.

Kurti kujton demontstratat e 81-shit: Regjimit iu dridhën këmbët,  studentëve as qerpiku - Gazeta Online INSAJDERI

Gjatë këtyre tubimeve, armata Jugosllave paraqet prezencën e saj. Pas dy muajsh në territorin e “Krahinës Socialiste të Kosovës” vendoset “Gjendja e jashtëzakonshme” e më vonë edhe shtetrrethimi.

Këto demonstrata po ashtu konsiderohen një frymë nacionaliste për krijimin e shteteve të pavarura kombëtare.

Demonstratat e '81-shit”, kryeministri Kurti kujton 43 vjetorin:  Demonstratat e vitit 1981, nxorën parullën “Kosova Republikë” | Presheva  Jonë

Në ato ngjarje të rënda, por të lavdishme në historinë e popullit shqiptar, pushteti serb vrau 9 demonstrues, plagosi 15, e me qindra arrestoi e burgosi, ndëshkoi e dënoi me vite e vite burg të rëndë politik.

Demonstratat që vijuan deri në prill, u shtypën me dhunë policore nga ana e pushtetit jugosllav. Aksioni i njësive speciale të ish-Federatës së Jugosllavisë, i dha hov shpërthimit të zemëratës popullore. 

40 vjet nga ​demonstrata studentore e 11 marsit - Infokus

Demonstratat e pranverës së vitit 1981 në Prishtinë janë një moment kyç në historinë e Kosovës. Ato rindezën aspiratën kombëtare që do të realizohej pas 3 dekadash, Pavarësia e Kosovës. ©LAPSI.al

The post FOTO/ 44 vjet nga “Demonstratat e 81-it” që zgjuan ëndrrën e Kosovës për Pavarësi appeared first on Lapsi.al.

❌