Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Albeu

Dështon gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës, zbulohet arsyeja

By: V K
4 February 2026 at 10:51

Gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës së Shqipërisë, ka dështuar në minutën e fundit. Kandidatëve që morën pjesë u ka ardhur një email nga komisioni, i cili i njofton se gara është finalizuar pa një fitues.

Burime bëjnë me dije se një nga kandidatët që është vlerësuar nga komisioni më me shumë pikë, i mungon një nga kriteret ligjore për t’u shpallur fitues, siç është cikli i dytë i arsimit të lartë.

Për këtë arsye, edhe gara nuk është finalizuar me fitues. Pritet që të hapet garë sërish.

Në mesazhin që u ka shkuar kandidatëve thuhet:Procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi, duke garantuar respektimin e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta”.

The post Dështon gara për drejtorin e ri të Gardës së Republikës, zbulohet arsyeja appeared first on Albeu.com.

Qëndrimi i ftohtë ndaj Mateos, a ka Brikena një lidhje jashtë? Ja si qëndron e vërteta

By: V K
4 February 2026 at 10:41

Pas surprizës që Mateo i bëri spektaklin e kaluar Brikenës dhe reagimit të kësaj të fundit tepër ftohtë, banorët kanë hedhur dyshime se ndoshta banorja ka një lidhje jashtë.

Ky dyshim u hodh poshtë nga Brikena e cila tha se nuk ka dikë jashtë dhe se nëse do ta kishte, ai do të ishte shfaqur.

Ndërkohë, Mateo tha se reagimi i saj është normal dhe për këtë arsye ka kërkuar që të njihen dhe i ka dhënë kohën e saj.

Brikena tha se pëlqim për Mateon nuk ka, por ka vendosur që t’i japë mundësi për ta njohur më mirë.

The post Qëndrimi i ftohtë ndaj Mateos, a ka Brikena një lidhje jashtë? Ja si qëndron e vërteta appeared first on Albeu.com.

Tentuan të grabisin shtëpinë e lojtarit të Premier Ligës, burg për 2 shqiptarët në Angli (EMRAT)

By: V K
4 February 2026 at 10:26

Dy shqiptarë janë dënuar me nga 4 vite e 8 muaj secili pasi grabitën 7 prona, përfshirë edhe shtëpinë e një ish-futbollisti të Aston Villa dhe Birmingham City.

Sipas mediave britanike, Denis Puka, 28-vjeç dhe Erisjan Laska, 29-vjeç së bashku me një person të tretë të paidentifikuar, kryen një seri grabitjesh për 3 net rresht qershorin e kaluar.

Gjyqtari Steven Everett,  e quajti operacionin e tyre “të sofistikuar dhe të planifikuar mirë”, pasi ata rezervuan një dhomë me Airbnb në Warrington dhe lëvizën jashtë zonës për ta përdorur atë si bazë nga e cila kryenin veprat e tyre penale.

Për grabitjet ata përdorën një makinë ‘Seat Leon’, me 3 targa të falsifikuara.

Të pandehurit ishin pajisur me maska, mjete dhe radio dore. Shtëpia e ish-lojtarit të Aston Villa, Scott Hogan i cili tani luan si sulmuesi i Milton Keynes Dons ishte ndër pronat e përzgjedhura midis 5 dhe 7 qershorit.

Prokurorja Nardeen Nemat, tha se gruaja (shtatzënë) e futbollistit dhe vajza e tij e vogël ishin gjithashtu në shtëpi në momentin e grabitjes.

“Të pandehurit u ngjitën mbi gardh dhe hynë në kopsht. Njëri prej tyre u ngjit mbi shpatullën e një tjetri dhe hipi në rrjetën e shtëpisë për të arritur dritaren e dhomës së gjumit. Hogan ishte në dhomën e tij të gjumit kur u zgjua nga një dritë elektriku që ndriçonte nga dritarja e dhomës së tij të gjumit. Ai pa jashtë 3 djem. Hogan vrapoi pas tyre, por ata u larguan”, tha prokurorja.

Në një deklaratë personale të lexuar në gjykatë, Hogan tha se incidenti kishte “çuar në shumë net pa gjumë plot stres dhe ankth”.

“Nuk mund ta shpreh plotësisht me fjalë se çfarë efekti dramatik ka pasur kjo tek unë dhe familja ime”, tha ai.

Dy banesa të tjera ishin vënë në shënjestër atë mbrëmje. Në njërën prej tyre ata mundën të hynin duke plaçkitur çdo dhomë përveç asaj të gjumit ku flinin pronarët.

Të pandehurit sulmuan prona në Grappenhall, Knutsford dhe Northwich natën pasardhëse. Ata përsëri u larguan duarbosh nga dy bastisjet e para, por vodhën një orë Breitling dhe një orë Rolex me vlerë totale 9,000 £ nga një rezidencë në Northwich pasi pronarët e shtëpisë ishin me pushime.

Ata u arrestuan pasi makina e tyre u gjet në një kompleks banimi një javë më vonë me sende të ndryshme brenda, duke përfshirë telefona celularë, veshje të të pandehurve, mjete dhe targa të rreme regjistrimi.

The post Tentuan të grabisin shtëpinë e lojtarit të Premier Ligës, burg për 2 shqiptarët në Angli (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Debati për rritjen e pagave, reagon Shoqata e Prokurorëve: Gjykimi kushtetues të përfundojë i pandikuar nga çdo presion

By: V K
4 February 2026 at 09:51

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, ka dalë në një reagim publik, lidhur me debatin për rritjen e pagave, ku në polemikë është përfshire kryeministri Edi Rama.

Kjo shoqatë, thotë se debatet që lidhen me sistemin e drejtësisë, duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme dhe të balancuar.

Sipas shoqatës, çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, Shoqata thekson se gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve, duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm, ndërsa thekson se pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor.

“Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend”, mbyll reagimin Shoqata e Prokurorëve.

The post Debati për rritjen e pagave, reagon Shoqata e Prokurorëve: Gjykimi kushtetues të përfundojë i pandikuar nga çdo presion appeared first on Albeu.com.

Shkarkohet nga detyra drejtoresha e IdentiTek, Freskida Halilaj

By: V K
4 February 2026 at 09:30

Ministria e Punëve të Brendshme, ka shkarkuar nga detyra drejtoreshën e IdentiTek Freskida Halilaj.

Ende nuk dihen motivet e qarta te shkarkimit nga detyra.

Freskida Halilaj, ka mbajtur postin e drejtoreshës së IdentiTek që prej muajit nëntor 2024. Më parë këtë post e ka mbajtur Loina Prifti.

Sot pritet të bëhet emërimi i drejtuesit të ri.

Freskida Halilaj, më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës së shitjeve në kompaninë Digicom Albania.

Shkarkimi i Loina Priftit, erdhi pas auditit të ngritur nga Ministria e Brendshme, ku janë konstatuar shkelje të ndryshme të praktikave ligjore për ruajtjen e të dhënave sensitive, si dhe abuzim me fondet e kompanisë.

The post Shkarkohet nga detyra drejtoresha e IdentiTek, Freskida Halilaj appeared first on Albeu.com.

Arsenal “fluturon” në finalen e Carabao Cup, “thyen” sërish Chelsea-n, Arteta: Është magjike, jemi në Wembley (VIDEO)

By: V K
4 February 2026 at 09:26

Arsenal po përjeton sezonin më të mirë në vitet e fundit, me ekipin e Arteta-s që është në garë me kokë të plotë për çdo trofe.

Me të drejtë tifozët e Arsenal ëndërrojnë për një vit të suksesshëm, teksa të besuarit e tyre hodhën një tjetër hap të rëndësishëm, siguruan një biletë për në finalen e Carabao Cup.

Suksesi 3-2 ndaj Chelsea-t në transfertë në sfidën e parë, i jepte Arsenal një bonus të madh për ndeshjen e kthimit.

Të shtyrë dhe nga rezultati i derbit të parë, Chelsea ishte më superior, krijuan 14 raste, por goditën vetëm 2 herë kuadratin. “Topçinjtë” nuk qëndruan pasiv, por shfrytëzuan në maksimum detajet e këtij takimi.

Me Chelsea-n të hedhur përpara në kërkim të golit, Arsenal i kapi “mat” me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 97-të, ku Kai Havertz finalizoi me shumë klas duke bërë që Arteta dhe pjesa tjetër e Arsenal të shpërthenin në festë për arritjen e finales së Carabao Cup, aty ku do të përballen me fituesin e çiftit Newcastle-Man.City.

 

 

Nuk e fshehu gëzimin për këtë sukses Mikel Arteta: “Jemi shumë të lumtur. Mendoj se në përgjithësi gjatë dy ndeshjeve e meritonim të kalonim më tej. Ishte një ndeshje e vështirë, ndaj një rivali të shkëlqyer, por arritëm ta mbyllnim në fund me atë gol të bukur nga Kai. Jemi në Wembley, kjo është thjesht magjike”, u shpreh Arteta.

The post Arsenal “fluturon” në finalen e Carabao Cup, “thyen” sërish Chelsea-n, Arteta: Është magjike, jemi në Wembley (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Pagat e gjyqtarëve/ Rama: S’ka ligj e Kushtetutë që ua jep këtë të drejtë, arritën në pikën që të sulmojnë publikisht qeverinë

By: V K
4 February 2026 at 08:54

Në një lidhje live në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama, thotë se gjyqtarët kërkojnë n37 milionë euro plus nga buxheti i shtetit për t’i rritur pagat vetes.

Kreu i qeverisë tha se nuk ka as ligj e kushtetutë, që ua jep atyre këtë të drejtë.

Rama thekson se me qëndrimet publike që ka mbajtur, nuk ka përmendur asnjë emër, por ka reaguar ndaj kësaj kërkese që sipas tij nuk është e drejtë.

Gjithashtu, kryeministri përmendi shembuj konkret, teksa tha se vetëm për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë kërkojnë një rritje mujore page nga 3360 euro në 5300 euro, ndërsa për të Apelit nga 3480 euro në 5500 euro.

Kryeministri tha se ajo që e bën edhe më serioze çështjen është fakti se gjyqtarët në Shqipëri marrin më shumë pagë sesa vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi dhe krahasohen me ato që ka Greqia.

“Unë e kam provuar linçimin, është diçka krejt tjetër nuk ka lidhje fare me një qëndrim publik ku nuk është as përmendur njeri me emër dhe as është fyer njeri, por është ngritur një problem i madh serioz. Ju kërkoni 37 mln euro plus nga buxheti i shtetit për t’i rritur vetes tuaj pagat. Shqiptarët duhet të dinë se ju kërkoni që për gjyqtarin e shkallës së parë paga të shkojë nga 3360 euro në 5300 euro, për të apelit nga 3480 euro që është sot, në 5500 euro. Ju kërkoni që paga në gjykatën e lartë të shkojë 5800 euro dhe të Prokurorëve të SPAK, të cilët i veçoj se nuk i është bashkuar kësaj përpjekje absurde dhe respekte, për ta çuar pagën e vet 9800 euro.

3 mijë euro doni t’i rrisni vetes në muaj me një vendim gjykate. Çfarë kërkoni? Ajo që e bën edhe më serioze këtë situatë, është se pagat tuaja, janë pagat më të larta goxha më të larta se në rajon, se në RMV, Mal të Zi dhe janë të barabarta me një vend të BE si Greqia. Sot ju i keni pagat sa në Greqi, dhe doni ti rrisni me nga 3 mijë euro në muaj, në emër të çfarë në emër të ligjit e kushtetutës? E pavërtetë, nuk ka ligj e kushtetutë që iu jep juve këtë të drejtë”, tha Rama.

Sipas Ramës, “ju me këtë tentativë në GJK doni të jeni ligji”.

Po ashtu, shtoi ai, Shoqata e Gjyqtarëve arriti në pikën që të sulmonte publikisht qeverinë dhe kryeministrin.

“Si arrini deri në pikën që të sulmoni publikisht qeverinë, kreun e këshillit të ministrave, mediave de t’i akuzoni të gjithë për histeri. Për çfarë histerie e keni fjalën? 37 mln euro plus që kërkoni nga buxheti janë para që duhet të hiqen nga diku tjetër”, shtoi kryeministri.

The post Pagat e gjyqtarëve/ Rama: S’ka ligj e Kushtetutë që ua jep këtë të drejtë, arritën në pikën që të sulmojnë publikisht qeverinë appeared first on Albeu.com.

Tragjedi në ishullin grek/ Përplaset anija me emigrantë, humbin jetën 15 prej tyre

By: V K
4 February 2026 at 08:10

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në brigjet e ishullit grek të Kios, ku një anije me emigrantë u përplas me një mjet të Rojës Bregdetare Helenike, duke shkaktuar vdekjen e 15 personave.

Numri i viktimave nga përplasja e një mjeti lundrues që transportonte emigrantë me një anije patrulluese të Rojës Bregdetare greke, ka shkuar deri më tani në 15 persona.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës, rreth orës 21:00, në zonën detare Myrsinidio, në ishullin e Kiosit.

Si pasojë e përplasjes së fortë, dhjetëra persona mbetën të plagosur, ndërsa vijon ende operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e personave të mundshëm të zhdukur.

Sipas informacioneve të deritanishme, në Spitalin e Përgjithshëm të Kiosit janë transportuar gjithsej 26 të plagosur me autoambulanca të shërbimit emergjent.

Prej tyre, 24 janë shtetas të huaj dhe dy janë efektivë të Rojës Bregdetare. Rreth mesnatës, një grua e plagosur ndërroi jetë në spital, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 15.

Deri më tani janë nxjerrë të pajetë 11 burra dhe katër gra. Pak pas mesnatës ka nisur transportimi i trupave të pajetë të 14 prej viktimave me autoambulanca drejt spitalit të Kiosit.

Sipas të njëjtave burime, deri tani nuk është konstatuar asnjë vdekje nga mbytja në det.

The post Tragjedi në ishullin grek/ Përplaset anija me emigrantë, humbin jetën 15 prej tyre appeared first on Albeu.com.

Eurostat: Shqipëria pësoi rënien më të madhe të rinisë në Europë vitin e kaluar

By: V K
4 February 2026 at 08:05

Të dhënat e Eurostat mbi ecurinë e popullsisë së moshës 15-29 vjeç në Europë tregojnë një tablo shqetësuese për Shqipërinë, e cila renditet e para për tkurrjen më të lartë demografike të kësaj grup-moshe.

Në janar të vitit 2025 Shqipëria kishte 405,832 të rinj të grup-moshës 15-29 vjeç me tkurrje 18,300 brenda një viti, duke pësuar një rënie prej -4.32%.

Shpejtësia e zbrazjes së vendit tonë nga rinia është katër herë më e lartë se ajo e Serbisë, e cila pason me një rënie prej -1.03%.

Ndërsa vende si Sllovakia, Austria dhe Turqia regjistrojnë tkurrje minimale nën 1%, Shqipëria po përballet me një hemorragji demografike që tejkalon çdo mesatare rajonale.

Kjo diferencë bëhet akoma më i fortë kur krahasohemi me vendet që po shënojnë rritje të konsiderueshme të popullsisë së re.

Për shembull, ndërkohë që Shqipëria humbet kapitalin e saj njerëzor, vende si Spanja (+2.76%), Bullgaria (+1.98%) dhe Rumania (+1.97%) po shohin një zgjerim të grup-moshës 15-29 vjeç, çka tregon një riorientim të rinisë drejt tregjeve të punës apo sistemeve të tyre arsimore.

Teksa shtete si Zvicra, Islanda dhe vendet e Bashkimit Europian po stabilizojnë ose po rrisin numrin e të rinjve të tyre, Shqipëria po thellon më tej rënien, duke treguar se nevoja për politika inkurajuese për të mbajtur rininë në vend është më urgjente se kurrë.

Tkurrja e të rinjve është specifikë alarmante shqiptare, jo ballkanike, që po e lë vendin pa forcë punëtore aktive dhe pa energji inovative.

Rënia me rreth 18,333 të rinjsh brenda një viti, do të thotë se Shqipëria po humbet pothuajse një qytet të tërë të përbërë vetëm nga studentë dhe profesionistë të rinj çdo vit.

Ndërkohë që Gjermania dhe Italia, dy destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, po shënojnë rritje të popullsisë së tyre të re (përkatësisht me 0.50% dhe 0.72%), pasi kapitali njerëzor që humbet Shqipëria po shërben si “karburant” për ekonomitë e vendeve të Bashkimit Europian.

Ndërsa vendet e zhvilluara po arrijnë të thithin të rinj dhe të rrisin bazën e tyre demografike, Shqipëria po tkurret me ritme që vështirësojnë çdo plan afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm.

Nëse ky trend i vitit 2025 nuk frenohet, presioni mbi sistemin e pensioneve dhe mbi bizneset vendase, që tashmë vuajnë për staf, do të shkojë drejt pikës së kolapsit, duke e bërë Shqipërinë vendin me plakjen më të shpejtë në Europë.

The post Eurostat: Shqipëria pësoi rënien më të madhe të rinisë në Europë vitin e kaluar appeared first on Albeu.com.

54.5% e shqiptarëve nuk përballojnë 1000 euro shpenzim të papritur, niveli më i lartë në rajon

By: V K
4 February 2026 at 07:42

Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare, nuk janë në gjendje të përballojnë një shpenzim emergjent që kërkon kursime 1000 euro.

Sipas të dhënave nga anketa Security Meter 2025 e Anketa e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RÇ), Shqipëria kishte përqindjen më të lartë të familjeve që nuk përballojnë një emergjencë.

Shqipëria raporton shkallën më të lartë të pasigurisë financiare në Rajon në vitin 2025, me 54.5% e të anketuarve që deklarojnë se nuk mund ta mbulonin një shpenzim të tillë në mënyrë të pavarur, një rritje e lehtë nga 53.3% në 2024.

Ngjashëm, Maqedonia e Veriut tregon një nivel të lartë, me pothuajse gjysmën (48.1%) të popullsisë të paaftë për të menaxhuar një kosto të tillë emergjente në vitin 2025.

Në të kundërt, Kosova spikat me nivele relativisht më të larta të përballimit të emergjencave, ku 50.1% e të anketuarve ranë dakord se mund ta mbulonin shpenzimin, një përmirësim i dukshëm nga 38.2% në vitin 2024.

Bosnja dhe Mali i Zi, shfaqen përmirësime në 2025 me rreth një të tretën e popullsisë që bien dakord se mund ta menaxhonin koston në vitin 2025.

Serbia paraqet një trend me shqetësues. Në vitin 2025, vetëm 25.2% e të anketuarve thanë se mund ta përballonin një shpenzim prej 1,000 euro, një rënie e ndjeshme nga 35.0% në vitin 2024.

Për më tepër, Serbia kishte një përqindje të lartë të të anketuarve që u përgjigjën “vështirë të thuhet” në vitin 2025, me 38.7%, duke treguar pasiguri në rritje ose mungesë qartësie mbi financat e familjes.

Të dhënat e vitit 2025 zbulojnë se vetëm një e treta (33.1%) e të anketuarve në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndihen të sigurte se familja e tyre mund të menaxhojë një shpenzim të papritur prej 1,000 euro pa marrë hua ose pa u mbështetur tek të tjerët.

Kjo shënon një rënie të lehtë nga 36.7% që ishte në vitin 2024, çka sugjeron një përkeqësim të perceptimit mbi qëndrueshmërinë financiare.

Të dhënat tregojnë se, situata është përkeqësuar në shumë vende të Ballkanit Perëndimor midis viteve 2024 dhe 2025, duke reflektuar brishtësinë ekonomike të vazhdueshme dhe presionet që mund të nxisin emigrimin ose të kufizojnë mirëqenien në rajon./Monitor

The post 54.5% e shqiptarëve nuk përballojnë 1000 euro shpenzim të papritur, niveli më i lartë në rajon appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor 4 Shkurt 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
4 February 2026 at 07:32

Sot, 4 Shkurt 2026, dollari amerikan, blihet me 81.5 lekë dhe shitet me 82.5 lekë.

Euro, blihet me 96.3 lekë dhe shitet 97 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 104.7 lekë, ndërsa në shitje me 105.8 lekë.

Dollari kanadez,, sot në blerje këmbehet me 59.5 lekë, ndërsa në shitje me 60.7 lekë

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor 4 Shkurt 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 4 Shkurt 2026/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu

By: V K
4 February 2026 at 07:24

Këtë të mërkurë vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet fillimisht me kthjellime e alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura.

Duke filluar prej orëve të mesditës reshje shiu, me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Pas orëve të pasdites reshjet e shiut të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar në të gjithë territorin.

Në orët e vona të mbrëmjes në zonën e Alpeve, Verilindje-Lindje-Juglindje në lartësitë mbi 900-1000 metër reshje dëbore me intensitet të ulët e lokalisht mesatar.

Era me drejtim Juglindje-Verilindje me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 25m/s

The post Parashikimi i motit 4 Shkurt 2026/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu appeared first on Albeu.com.

Horoskopi 4 Shkurt 2026, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

By: M C
3 February 2026 at 23:48

Dashi

Bëni mirë që ti shtyni për një moment tjetër gjërat më të rëndësishme, pasi nervozizmi do të dominojë gjatë ditës. Venusi do të ndikojë në dashuri pozitivisht dhe do të mund të keni diçka të bukur. Në punë, mos kërkoni të pamundurën, por mundohuni që të kënaqeni me çka keni.

Demi

Lini pas shpine gjithë ata që nuk ju duan dhe që nuk ju marrin në konsideratë siç dëshironi. Marsi do të ketë ndikim negativ, por komunikimi në këtë moment do të jetë më i rëndësishëm se kurrë. Në punë duhet të sqaroni çdo gjë që nuk shkon.

Binjakët

Duhet të qëndroni pozitiv dhe të tregoheni të kujdesshëm me nervozizmin. Duhet ta shfrytëzoni këtë periudhë për të bërë njohje të reja. Në punë, këshillohet që të ruani qetësinë.

Gaforrja

E mërkura do të mbyllet me një lodhje ekstreme. Në dashuri gjërat do të ecin mirë dhe do të ketë rikuperim. Ndërsa në punë duhet të rrini të qetë dhe të mundoheni që të mos acaroheni, gjë e cila do të jetë e vështirë në këto momente.

Luani

Ju pret një ditë pozitive, por mundohuni që të mos lodheni shumë. Në dashuri keni mundësi që të kapërceni një krizë, pasi emocionet e reja do të dominojnë. Në punë keni nevojë për ndryshim.

Virgjëresha

Dashuria do të jetë mjaft e komplikuar, thuajse trysnuese. Duhet durim për të kaluar vështirësitë. Ndikimi i kundërt i Venusit nuk do ua bëjë aspak të lehtë ditën. Përmirësime priten në sferën profesionale.

Peshorja

Gjatë kësaj dite duhet të sforcoheni në mënyrë që të bëni që të funksionojnë gjërat në dashuri. Nëse ka pasur probleme, duhet ti zgjidhni. Me financat duhet të bëni kujdes.

Akrepi

Hëna do të ketë ndikim pozitiv në dashuri. Keni nevojë për organizim, në mënyrë që të shijoni çdo moment. Në punë, nëse keni pasur probleme apo debate, ka ardhur momenti për ti kapërcyer.

Shigjetari

Në dashuri mund të ketë probleme dhe debate, ku zgjidhja e tyre do të varet vetëm nga partneri/ja. Në punë, Saturni do të plotësojë dëshirën për ndryshim.

Bricjapi

Gjatë kësaj dite do të ndiheni në ankth dhe nervoz. Shqetësimet nuk do të mungojnë. Ndikimi i kundërt i Hënës do të krijojë disa shqetësime, shkruan noa.al. Në punë, keni dëshirë për ndryshim.

Ujori

Dashuria do të jetë mjaft e favorizuar, ku edhe zemrat e vetmuara do të kenë mundësi të njohin dikë. Duhet bërë kujdes veçse me luhatjet e humorit. Në punë mundohuni që të ruani qetësinë, por irritimi gjatë kësaj dite është thuajse i pashmangshëm.

Peshqit

Hëna do të ketë ndikim të favorshëm, por kjo gjë nuk mjafton, pasi në dashuri do të ketë sërish probleme. Nëse jeni vetëm do të merrni përgjigje pozitive, por do të ketë shumë gjëra mbi të cilat duhet të reflektoni. Marrja e një vendimi, nuk do të jetë aq e lehtë sa e kishit menduar.

The post Horoskopi 4 Shkurt 2026, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj appeared first on Albeu.com.

Iu afrua aeroplanmbajtësit amerikan, SHBA-ja rrëzon një dron iranian

By: M C
3 February 2026 at 23:40

Ushtria amerikane e ka rrëzuar një dron iranian që “në mënyrë agresive” po i afrohej aeroplanmbajtësit USS Abraham Lincoln në Detin Arabik, tha ushtria amerikane përmes një njoftimi më 3 shkurt.

Droni iranian Shahed-139 po fluturonte drejt aeroplanmbajtësit “me qëllim të paqartë” dhe u rrëzua nga një avion luftarak amerikan F-35, u tha në njoftim.

“Një avion luftarak F-35C nga aeroplanmbajtësi Abraham Lincoln e rrëzoi dronin iranian në vetëmbrojtje, me qëllim mbrojtjen e aeroplanmbajtësit dhe personelit në bord”, tha kapiteni i Marinës amerikane, Tim Hawkins, zëdhënës në Komandën Qendrore të ushtrisë amerikane.

Ai shtoi se asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk është lënduar gjatë incidentit dhe asnjë pajisje e ushtrisë nuk ka pësuar dëme.

Incidenti ndodhi në kohën kur diplomatët po përpiqen të organizojnë bisedime bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së dhe mes paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, se luftanijet amerikane janë nisur drejt Iranit dhe se “gjëra të këqija” mund të ndodhin nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Ushtria amerikane ka dislokuar në afërsi të brigjeve të Iranit një grup sulmues detar, të udhëhequr nga aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln.

Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një veprimi ushtarak ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj shtypjes brutale të protestave antiqeveritare që shpërthyen në fund të dhjetorit në mbarë Iranin./REL

The post Iu afrua aeroplanmbajtësit amerikan, SHBA-ja rrëzon një dron iranian appeared first on Albeu.com.

Merrnin rryshfet e shkelin rregullat e qarkullimit/ Policia e Shtetit pezullon 5 efektivë, mes tyre edhe efektivi që iu përgjigj me armë autorëve gjatë atentatit në Rrilë të Lezhës

By: M C
3 February 2026 at 23:13

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra 5 punonjës policie. Blutë sqarojnë, se dy prej këtyre efektivëve, të cilët punonin në Fier, janë pezulluar nga detyra pas qarkullimit të një video, ku njëri prej tyre dukej se po merrte ryshfet nga një drejtues automjeti, për të shmangur gjobën.

Gjithashtu edhe ndaj dy efektivëve të sipërpërmendur ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë për këtë rast. Ndërkohë Policia e Shtetit ka pezulluar edhe tre efektivë të tjerë, punonjës në Komisariatet e Lezhës, Matit e Krujës, mes tyre edhe Besart Kovaçi. Ky i fundit është i përfshrië në në atentatin në berberhane të dielën në Lezhë, i cili qëlloi 10 herë me armë zjarri.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, ku duken dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, njëri prej të cilëve dyshohet se ka marrë ryshfet nga drejtuesi i automjetit për të shmangur masën administrative, ju informojmë se:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektor Sh. Ç. dhe inspektor I. L., me detyrë trupë shërbimi trafiku urban/interurban në Seksionin e Trafikut Urban/Interurban, në Sektorin e Policisë Rrugore, në DVP Fier, për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 121, pika 1, germa “m”, e Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë imazhin e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Pezullimi disiplinor u bë pasi, duke qenë në shërbim, kanë kryer veprime në shkelje të procedurave standarde të punës gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti, si dhe dyshohet për kryerje të veprimeve korruptive. Ndaj këtyre punonjësve ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë.

Gjithashtu, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale janë pezulluar nga detyra edhe tre punonjës policie, konkretisht:

– Inspektor B. K., i cili më datë 02.02.2026 është ndaluar me urdhër të Prokurorit, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrilë të Lezhës më datë 01.02.2026.

– Inspektor E. P., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mat, pasi dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike.

– Inspektor E. B., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, pasi më datë 02.02.2026 është arrestuar nga AMP, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

The post Merrnin rryshfet e shkelin rregullat e qarkullimit/ Policia e Shtetit pezullon 5 efektivë, mes tyre edhe efektivi që iu përgjigj me armë autorëve gjatë atentatit në Rrilë të Lezhës appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 3 February 2026Albeu

Shoqata e Gjyqtarëve reagon ndaj deklaratave të Ramës për pagat: Po ushtrohet presion dhe linçim publik ndaj GJK! Nuk kërkojmë rritje page, por zbatim të Kushtetutës

By: M C
3 February 2026 at 22:48

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj asaj që e cilëson si një fushatë publike spekulative dhe populiste të ndërmarrë nga Kryeministri dhe e amplifikuar nga mediat, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ndodhet në fazën përfundimtare të vendimmarrjes për çështjen e statusit financiar të magjistratëve.

Në një deklaratë të gjatë publike, shoqata thekson se kjo klimë synon linçimin e gjyqtarëve dhe ushtrimin e presionit të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese, duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Sipas shoqatës, nuk është detyrë e saj të argumentojë më tej kërkesat kushtetuese, pasi ato ndodhen tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, por është e domosdoshme të ndalet keqinformimi i opinionit publik dhe presioni politik ndaj gjyqtarëve.

Shoqata rikujton se prej vitit 2016 e në vijim, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ kanë ndërhyrë në mënyrë të përsëritur në statusin financiar të magjistratëve, duke devijuar nga standardet e parashikuara fillimisht në reformën në drejtësi dhe nga neni 138 i Kushtetutës, i cili sanksionon se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen.

Në deklaratë renditen disa raste konkrete, ku sipas shoqatës, qeveria dhe Kuvendi kanë vepruar me “keqbesim”, duke ndryshuar ligje, dispozita tranzitore dhe referenca pagash, të cilat janë shfuqizuar në disa raste nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Shoqata thekson se iniciativat e saj nuk kanë si qëllim rritjen e pagave, por mbrojtjen e statusit kushtetues, pavarësisë dhe dinjitetit të magjistratëve, duke e cilësuar si spekulative dhe të pavërtetë narrativën se bëhet fjalë për privilegje financiare.

Shoqata paralajmëron se sulmet publike ndaj gjyqësorit dhe paralajmërimet për ndërhyrje të reja edhe pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një rrezik serioz për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe për demokracinë.

Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve nënvizon se veprimet e saj nuk janë destabilizuese, por përkundrazi kontribuojnë në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në mbrojtjen e parimeve kushtetuese nga çdo ndërhyrje politike.

DEKLARATË E SHOQATËS KOMBËTARE TË GJYQTARËVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve e Republikës së Shqipërisë e ka ndjekur me keqardhje dhe shqetësim fushatën e spekulimeve publike të ndërmarrë nga kreu i Këshillit të Ministrave dhe gjithashtu edhe zhvillimin mediatik të saj, që kulmoi mbrëmjen e kaluar. E gjithë kjo tymnajë populiste është krijuar dhe shpërndarë me qëllim linçimin e gjyqtarëve dhe shoqatave të tyre lidhur me një proces gjyqësor kushtetues, i cili ndodhet në fazën e vendimmarrjes përfundimtare në Gjykatën Kushtetuese.

Ndaj e vlerësojmë të nevojshme, jo të argumentojmë drejtësinë kushtetuese të pretendimeve të parashtruara në dy kërkesat e paraqitura, pasi artikulimi juridik dhe parashtrimi i tyre në gjykatën e ligjeve tashmë është një fazë e mbyllur procesi, por të mos lejojmë keqinformimin e publikut mbi qëllimet e këtyre iniciativave gjyqësore. Në respekt të parimeve të shtetit të së drejtës dhe standardeve të përbotshme demokratike dhe qytetare që Republika jonë aspiron, ne nuk mund t’i lejojmë vetes që të ushtrojmë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, t’i intimidojmë gjyqtarët, t’i kërcënojmë apo t’u prishim atyre qetësinë e meshës, që duhet të ketë faza e mbrame e procesit, ajo vendimmarrëse. Tashmë ka vetëm një zë legjitim që duhet të dëgjohet dhe se ai zë i takon vetëm artikulimit të vendimit nga Gjykatës Kushtetuese.

Por ne nuk mund të heshtim përballë përbaltjes kryeministrore, publike, mediatike, tërësisht histerike, që synon të ndezë kundërshtitë në opinionin publik për një vendimmarrje dhe proces kushtetues që duhet të zhvillohet në sallën e gjykimit. Në gjithë këtë fushatë qeveritare dhe të shumëzuar mediatikisht, të nxitur dita-ditës për të krijuar furinë populiste kundër një procesi gjyqësor kushtetues, duhet që të përmenden disa fakte historike, të cilat neglizhohen për t’u cituar, qëllimisht nga disa dhe nga padijenia e mirëkuptueshme e të tjerëve.

Së pari, projektligji për statusin e magjistratëve, i hartuar nga ekspertët kombëtarë dhe ndërkombëtarë të mandatuar nga Komisoni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, parashikonte në vitin 2016 se statusi financiar i pagës së magjistratëve do të ishte gati një e treta në vlerë absolute më e madhe nga çfarë u vendos nxitimthi dhe pa debat publik për t’u bërë ligj nga Kuvendi në nëntorin e vitit 2026. Shpejtësia e miratimit të ligjeve në Kuvend dhe shmangia e debatit mbi këtë propozim, të gjithëpranuar në vitet e hartimit të paketës ligjore të reformës, bëri që cedimi i parë në këtë drejtim nga standardet e drejtësisë së re të ndodhte me miratimin e ndryshuar nga varianti fillestar i ligjit për statusin e magjistratëve. Ky ishte keqbesimi i parë i treguar në stafetën e atyre që vetëm mësojnë si të vijojnë dhe jo të ndalen.

Së dyti, sikur të mos mjaftonte ky cedim, në ligjin e nëntorit të vitit 2016 u parashikua se efektet financiare të pagave të magjistratëve do të nisnin nga data 01.01.2019. Kështu për dy vite dhe dy muaj reforma e re vendosi që magjistratët të paguhen me reformat e vjetra. Ky moment ishte keqbesimi i dytë në rradhë.

Së treti, stafeta iu pasua keqbesimit të tretë, pasi në momentin e fundit në Kuvend u ndryshua dispozita tranzitore e ligjit, duke u parashikuar se magjistratët që nuk kishin kaluar vetingun, në datën e shumë-dhe-mezipritur, 01.01.2019, do të vijonin të merrnin pagën e vjetër, atë të përcaktuar në vitin 2008, duke u zbatuar sakaq ligji i ri vetëm tek magjistratët që kishin kaluar vetingun. Kanë qenë pikërisht dy shoqatat e gjyqtarëve që i janë drejtuar në atë kohë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e këtij cedimi të tretë në sinqeritetin e vullnetit të shtetarëve shqiptarë, pasi një trajtim i tillë ligjor cenonte standardet e përbotshme të drejtësisë dhe barazisë së shtetasve para ligjit. Falë ndërhyrjes shfuqizuese të Gjykatës Kushtetuese në atë kohë kjo padrejtësi e Kuvendit u ndreq dhe se statusi i magjistratit nuk u cenua.

Së katërti, para se të vinte data 01.01.2019, Këshilli i Ministrave me vendim dhe me keqbesim tregoi mungesën e katërt të sinqeritetit dhe vullnetit në këtë element të reformës në sistemin e drejtësisë. Paga e magjistratëve, prej ekspertëve të mandatuar vendas dhe ndërkombëtar dhe të miratuar nga shumica e kualifikuar e Kuvendit, ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që paga referuese të lidhej pazgjidhshmërisht me një kategori të caktuar funksionari të lartë të nëpunësisë civile në Kryeministri, duke patur parasysh mbrojtjen e statusit, pavarësisë dhe dinjitetit të magjistratit në këtë standard ekonomik progresiv, jo vetëm në momentin e miratimit të ligjit, por në çdo ligj që do të miratohej në të ardhmen, sipas vizionit të nenit 138 të Kushtetutës. Mungesa e katërt e sinqeritetit të vullnetit nga njëra anë dhe nga ana tjetër e keqbesimit të rradhës prej Këshillit të Ministrave solli që, nën udhëzimet e Ministrisë së Financave, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe më tej çdo gjykatë dhe prokurori në vend të merrte për bazë një referencë page më të ulët për ndërtimin e statusit financiar të magjistratit, duke qenë se tashmë kategoria e nëpunësisë në Këshillin e Ministrave, që kishte referuar ligji për statusin e magjistratit, ishte suprimuar qëllimisht dhe me keqbesim nga ekzekutivi.

Së pesti, për të ndrequr këtë pakushtetutshmëri, që i shkaktohej ligjit organik nga një akt nënligjor normativ, tashmë të evidentuar dhe të denoncuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në vitin 2020, Kuvendi legalizoi pakushtetutshmërinë e vendimit të Këshillit të Ministrave, që para datës 01.01.2019 kishte suprimuar pikërisht pozicionin administrativ të nëpunësisë në Kryeministri vetëm e vetëm që të cenohej dhe të mos gëzohej statusi financiar i magjistratëve, duke i zbritur ato fiktivisht një kategori më poshtë në pagën referuese. Kjo ishte mungesa e pestë në rradhë e sinqeritetit dhe e vullnetit për zbatimin e këtij elementi të reformës në sistemin e drejtësisë. Pikërisht ky ligj është kontestuar nga shoqata e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe se në vitin 2022 kjo e fundit e shfuqizoi atë, duke argumentuar ndër të tjera se statusi financiar i magjistratëve nuk mund të reduktohej, se Kuvendi ishte i lirë të kompozonte pagën referuese por se kjo liri, sipas nenit 138 të Kushtetutës, kushtëzohej në çdo rast nga mospërkeqësimi cilësisht dhe materialisht i statusit financiar të tyre.

Së gjashti, si kundërvenie e kësaj qëndrese dhe emancipimi të pushtetit gjyqësor dhe shoqërisë civile të gjyqtarëve, Këshilli i Ministrave vendosi sërisht të ndërhyjë në statusin financiar të magjistratëve, duke e ulur cilësisht dhe materialisht atë por duke e fshehur këtë ulje nën keqbesimin e një formule që siguron vetëm vlerën absolute të pagës referuese por jo standardin e nenit 138 të Kushtetutës dhe standardin jurisprudencial të Gjykatës Kushtetuese. Të keqardhur nga kjo mungesë e gjashtë e sinqeritetit dhe nga ky kebesim i rradhës mbi zbatimin e një ndër elementeve më të rëndësishëm të reformës në sistemin e drejtësisë nga ana e Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit, të indinjuar nga kjo sjellje dhe nëpërkëmbje e tyre mbi paprekshmërinë e dinjitetit të magjistratëve, shoqatat e gjyqtarëve kanë aktivizuar për të tretën herë radhazi juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, tashmë për të vendosur nëse ligji i vitit 2023 pajtohet apo jo me jurisprudencën e saj dhe me nenin 138 të Kushtetutës, i cili në ligjëratë të drejtë urdhëron se: “Paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve nuk mund të ulen”.

Pikërisht kjo është historia e vazhdueshme dhe recidivizmit të ndërhyrjeve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ në statusin magjistratëve dhe në pavarësinë e pushtetit gjyqësor, në mënyrë të papajtueshme me Kushtetutën. Këto ndërhyrje antikushtetuese kanë nisur nga viti 2016, për ta vijuar në vitin 2019, në vitin 2021 dhe më tej në vitin 2023. Ndërkohë në ligjërimin e djeshëm të kreut të ekzekutivit u paralajmërua publikisht dhe kërcënueshëm se, edhe pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, do të gjendet një zgjidhje e tjetër dhe alternative e stilit të sulmit të rradhës, që i bie të jetë keqbesimi i shtatë në rradhë, megjithëse deri më tani vetëm i premtuar.

Përmes këtij reagimi kërkojmë që të përcjellim publikisht se të gjitha iniciativat civile dhe kushtetuese të shoqatave të gjyqtarëve nuk kanë si qëllim “rritjen e pagës”, një term ky i zgjedhur qëllimisht, i gënjeshtërt dhe spekulant, vetëm e vetëm për t’i kundërvënë procesit gjyqësor kushtetues populizmin, si armë e pafuqisë juridike dhe e fuqisë së përbaltjes. Gjithë këto iniciativa kushtetuese dhe civile të shoqatave të gjyqtarëve nuk janë ndërmarrë ndër vite për të përcjellë në publik debatin e gënjeshtët se cili profesion është më i rëndësishëm dhe se cili duhet të paguhet më shumë. Në këtë histori kundërshtimesh kushtetuese, tashmë prej 10 vitesh, nuk është pushteti gjyqësor që po kërkon t’i imponohet pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ. Ky është spekulim. E vërteta është se janë këto të fundit që kërkojnë të çbëjnë nenin 138 të Kushtetutës dhe bashkë me të edhe qëllimet kushtetuese se pse një normë e tillë është sanksionuar nga viti 1998. Ky është një qëllim keqdashës i fushatës publike të nisur për ta shndërruar procesin gjyqësor kushtetues në gjyq popullor.

Vlerësojmë se sjellja e shoqatave të gjyqtarëve, ndër vite, në këtë drejtim nuk duhet të perceptohen si destabilizuese për vendin, as nga pikëpamja sociale, ligjore dhe as nga pikëpamja financiare.

Përkundrazi, përpjekjet për t’i paraqitur ato në këtë mënyrë përbëjnë një tjetër qasje spekulative. E gjithë kjo sipërmarrje civile e shoqatave të gjyqtarëve përballë këtyre iniciativave qeveritare dhe legjislative, haptazi apo fshehtazi antikushtetuese, duhet të vlerësohet se vetëm kontribuon në forcimin e parimeve të shtetit të së drejtës, demokracisë, pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe gjithashtu edhe emancipimit të magjistratëve. Kjo sjellje duhet të reflektojë në publik vetëm ndjenjën e vendosmërisë qytetare për të mos lejuar nëpërkëmbjen nga asnjë pushtet.

The post Shoqata e Gjyqtarëve reagon ndaj deklaratave të Ramës për pagat: Po ushtrohet presion dhe linçim publik ndaj GJK! Nuk kërkojmë rritje page, por zbatim të Kushtetutës appeared first on Albeu.com.

Produksioni “largon” nga shtëpia Rogertin, Stenaldo i përgjigjet: Jam njeri me karakter por nëse ofendon sërish nuk do bëj sehir

By: M C
3 February 2026 at 22:23

Një debat i ashpër ka ndodhur pak orë para fillimit të Prime-t të së martës, ku Rogerti iu drejtua Stenalds me fjalë ofenduese duke i thënë se atë e ka dënuar Zoti, referuar verbërisë së tij.

Në prime u cek sërish kjo pjesë, për të cilën Stenaldo reagoi duke thënë se gjendja e tij shëndetësore nuk ëhstë bërë pengesë për të as në jetë, as në lojën e Big Brotherit.

I prekur nga fjalët e Rogertit, Stenaldo shtoi më tej se ai kurrë në jetën e tij nuk ka ofenduar njeri sa i përket besimit, ngjyrës, gjinisë apo diferencave fizike.

Gjithashtu Stenaldo paralajmëroi se do ta vijojë këtë lojë me Rogertin dhe nuk do të heshtë në asnjë moment nëse ky i fundit e ofendon sërish.

Reagimi i Stenaldos në prime: Unë kam ardhur në këtë shtëpi me një merak të madh, njohja e ambienteve të shtëpisë. Në asnjë rast nuk e kam lejuar veten time që të ndihem i penguar për shkak të mungesës time të shikimit. Jam gjendur i gatshëm për të gjitha nevojat që ka shtëpia. Pa diskutim që Big Brother është lojë nervash. Megjithatë në asnjë rast timin nuk kam prekur një njeri në besim, ngjyrë lëkure, gjini, në diferenca fizike. Jam një njeri që karakterin e kam me merak shumë. Kam luftuar sa kam mundur. Kam punuar në Shqipëri nga dy-tre punë. Ama brenda kësaj shtëpie, nëse dikush mendon se unë nuk mund të luaj më pisët seç kanë luar, e kanë gabim. Nëse Rogerti mbetet në këtë shtëpi, ai dhe unë do luftojmë në çdo sekondë. Unë të rri të bëj sehir dhe të shoh Rogertin që të bëjë hapa përpara, s’e lejoj kurrë.

Për këtë rast, Vëllai i Madh mori një vendim për Rogertin, i cili u dërgua në atë që quhet dhoma e reflektimit, aty ku do t’i komunikohet më vonë vendimi përfundimtar.

The post Produksioni “largon” nga shtëpia Rogertin, Stenaldo i përgjigjet: Jam njeri me karakter por nëse ofendon sërish nuk do bëj sehir appeared first on Albeu.com.

Klodiana Lala: Mosmarrja e vendimit, GJK po i jep mundësi Ballukut të prishë provat dhe intimidojë dëshmitarët

By: M C
3 February 2026 at 22:20

Gazetarja Klodiana Lala analizoi sot në “Studio24” vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar dilemat dhe pasojat e mundshme të vendimit për hetimin penal që lidhet me abuzime me fonde milionëshe.

Lala u shpreh se çështja nuk ka shkuar në Komisionin e Venecias dhe theksoi rëndësinë që procesi të mos zvarritet, për shkak se Balluku ka mundësinë të ndikojë, si mbi vartësit ashtu edhe mbi ish-vartësit.

Gazetarja shtoi se pezullimi nga ushtrimi i funksioneve është vlerësuar nga prokurorët si një masë e arsyetueshme, por sipas saj, “mazhoranca ngriti një barrikadë”, duke krijuar dyshime për intimidim të vartësve dhe ish-vartësve.

Klodiana Lala: Jemi në kushte që vendimi i Gjykatës së Posaçme nuk ka ndjekur një rrugë normale. Interesi i lartë publik, funksioni i Ballukut, fondet që menaxhon, ministria me fondin më të madh. Është në mes një hetim penal dhe bëhet fjalë për miliona euro që është abuzuar. A po i jep mundësin Gjykata Kushtetuese të prishë prova dhe të intimidojë dëshmitarë.

Por siç e thashë, zoti Rama ‘kur ndjek lagështirë tek pjesa e vet do përdorë të gjitha armët për të fituar kohë. Dhe një nga opsionet gjatë kësaj kohe prokurorët nuk arrijnë dot të marrin celularin e zonjës Balluku, të kryejnë kontrolle në banesë për shkak të imunitetit. Por pezullimi nga ushtrimi i funksioneve është vlerësuar nga prokurorët si një masë e arsyetueshme, por në momentin që mazhoranca ngriti një barrikadë, në momentin që flasim ka dyshime që ka intimiduar vartës dhe ish-vartës.

The post Klodiana Lala: Mosmarrja e vendimit, GJK po i jep mundësi Ballukut të prishë provat dhe intimidojë dëshmitarët appeared first on Albeu.com.

VIDEO/ Muçi nuk ndalet, vjen goli dhe asisti i radhës me Trabzonsporin

By: admin
3 February 2026 at 22:03

Ernest Muçi vazhdon të shkëlqejë në Turqi me fanellën e Trabzonsporit. Sulmuesi shqiptar ka shënuar golin e radhës për skuadrën turke në sfidën kundër Fethiyespor, e vlefshme për Kupën e Turqisë.

Muçi ka shënuar golin e parë dhe ka bërë një asist në suksesin 3-0 të Trabzonsporit në këtë takim. Ky është goli i tretë që 24-vjeçari shqiptar shënon në Kupën e Turqisë.

Sulmuesi po kalon një moment të artë në karrierë, pasi ka shënuar edhe 8 gola në 16 ndeshje që ka luajtur në kampionat me skuadrën e Trabzonsporit.

Goli i Ernest Muçit: (VIDEO)

Asisti i Ernest Muçit: (VIDEO)

The post VIDEO/ Muçi nuk ndalet, vjen goli dhe asisti i radhës me Trabzonsporin appeared first on Albeu.com.

Tare: Mateta? Negociatat dështuan për shkak të një problemi fizik

By: admin
3 February 2026 at 22:00

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, foli për Dazn pak para fillimit të ndeshjes kundër Bolonjës, duke shpjeguar arsyet që i shtynë kuqezinjtë të mos vazhdonin me blerjen e Mateta-s.

“Marrëveshja me Mateta-n kishte të bënte me të ardhmen, jo me të tashmen. Ndërsa negocionim, pamë se kishte një shans për ta çuar përpara dhe u përpoqëm ta bënim këtë. Pastaj, gjatë vizitave mjekësore, zbuluam problemin fizik të lojtarit dhe vendosëm të mos vazhdonim. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.

The post Tare: Mateta? Negociatat dështuan për shkak të një problemi fizik appeared first on Albeu.com.

❌
❌