Normal view

Fadromat çajnë zonën e mbrojtur, Ministria i sheh si “punime brenda ligjit”

7 May 2026 at 16:17

Fadroma dhe makineri të rënda të ngarkuara me zhavorr kanë shënjuar disa rrugë në Peizazhin e Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë. Në terren nuk ka asnjë tabelë informuese apo logo të kompanive ndërtuese, përveç një autoboti të kompanisë Kastrati që sipas punëtorëve furnizon makineritë e rënda.

Të pyetur nga Citizens.al, punonjësit e pranishëm nuk pranuan të tregojnë kush i ka kontraktuar, ndërsa u shprehën se janë duke kryer punime provizore, rrethim të zonës “për të mbrojtur njerëzit që të mos hyjnë”.

“Kjo është një pronë private”, u shpreh një nga punonjësit me jelek pune fosforeshent, por pa logo. Pyetjes nëse këto punime janë për ndërtimin e një resorti, një prej punonjësve iu përgjigj me nënqeshje se po, por tanimë nuk jemi në këtë fazë.

Punimet në Peizazhin e Mbrojtur Pishë-Poro-Nartë/Citizens.al

Të pranishëm në këtë zonë ishin edhe aktivistë të organizatës mjedisore PPNEA si dhe përfaqësues dhe aktivistë të organizatës ndërkombëtare “BirdLife Europe and Central Asia”.

“Kamionët vazhdojnë operojnë me ritme të jashtëzakonshme dhe për ne ky është një shqetësim i madh, pasi kjo është pikërisht zona që është targetuar dhe reklamuar nga Jared Kushner këtu e dy vite të shkuara tashmë, si pjesë e një mega resorti që do të ndërtojë në të gjithë vijën bregdetare të Zvërnecit dhe të Pishë-Poros”, u shpreh për Citizens.al Aleksandër Trajçe nga PPNEA.

Sipas Trajçes, në një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, veprime të tilla pa transparencë janë të paimagjinueshme.

“Sulmi i vazhdueshëm që i është bërë zonës duke filluar që me ndërtimin ilegal të aeroportit të Vlorës që filloi që në vitin 2021 dhe ja ku jemi sot në mes të ditës, ku praktikisht planet për resortet famëkeqe po fillojnë të konkretizohen në terren”, deklaroi Trajce.

Aktivistët shpalosën edhe një banderolë me mesazhin “Larg duart nga Narta”.

Banderola e shpalosur nga aktivistët mjedisorë/Citizens.al

Ariel Brunner, drejtues i organizatës ndërkombëtare “Birdlife Europe and Central Asia” tha për Citizens.al se po vëzhgojnë çfarë po ndodh në këtë zonë të mbrojtur të Deltës së Vjosës.

“Më duhet të them që jam i shokuar duke parë se çfarë po ndodh këtu. Po shohim një numër të madh buldozerësh që po hapin rrugë, me sa duket pa asnjë leje. Këtu nuk shohim asnjë tabelë që të tregojë kush janë këta njerëz dhe çfarë po bëjnë”, u shpreh Brunner.

Sipas tij, është kollaj të hamendësosh se bëhet fjalë për resortet luksoze turistike që janë planifikuar.

“Ajo që po shohim këtu është qartësisht e paligjshme sipas ligjit shqiptar dhe gjithashtu plotësisht e papajtueshme me legjislacionin e BE-së që Shqipëria pritet të zbatojë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh Ariel Brunner.

Ndërsa i bëri thirrje qeverisë shqiptare që të ndërhyjë dhe ti japë fund kësaj situate.

“Trashëgimia e popullit shqiptar dhe, në një kuptim më të gjerë, edhe e popujve europianë, që po shkatërrohet para syve tanë pa asnjë lloj ligjshmërie, qeverisjeje apo logjike”, deklaroi Brunner.

Përfaqësuesit e organizatave patën një takim edhe me ministrin e mjedisit, ku i kërkuan të veprojë mbi situatën, ndërsa kanë kërkuar edhe një takim me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Sipas Aleksandër Trajces, kjo që po ndodh është vrull për të shkatërruar sa më shumë deri në mbylljen e negociatave për kapitullin e 27 (kapitulli i mjedisit për integrimin në BE).

“Mesazhi që investitorët kanë marrë me procesin e negociatave është që deri në fund të 2027, ju tashmë duhet të vazhdoni të ndërtoni, të operoni, të shkatërroni, pasi me mbylljen e kapitullit, këto gjëra nuk mund të ndodhin më”, deklaroi Trajçe.

Për Brunner, këto që po ndodhin nuk janë në përputhje me mbylljne e kapitullit 27.

“Shkatërrimi aktiv i këtyre zonave, në vend që të mbrohen, është një shkelje kaq flagrante saqë nuk e shoh si Komisioni Europian mund ta pranojë këtë”, deklaroi Areil Brunner për Citizens.al.

Ministri i Mjedisit: Pishë-Poro-Nartë kategori e pestë, lejohen aktivitetet turistike

Vija bregdetare e Pishë-Poro-Nartë/Citizens.al

Në një konferencë për shtyp, Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj i quajti ndërhyrjet në peizazhin e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë brenda parametrave ligjorë.

“Nuk është duke u zhvilluar asnjë degradim i zonës së mbrojtur Pishë-Poro-nartë. Zona është peizazh i mbrojtur kategoria V sipas legjislacionit të zonave të mbrojtura”, u shpreh ministri Japupaj.

Sipas ministrit Jaupaj ky lloj aktiviteti në bazë të ligjit për ndikimin në mjedis nuk ka nevojë për atë që quhet standarde, vendim të ndikimit në mjedis.

“Nga ana tjetër subjektet përkatëse kanë bërë të gjitha njoftimet pranë agjencisë rajonale të zonave të mbrojtura ku bëhet monitorimi i përditshëm i aktivitetet të survejimit gjeologjik dhe ju siguroj që nga raportet e fundit që kanë ardhur nga agjencia e zonave të mbrojtura, mund ta them me gjuhë popullore që nuk është prerë asnjë pemë”, deklaroi Jaupaj.

Ministri e quajti konfuzion dashakeqës lidhjen e zonës së Pishë-Poro-Nartës me zonën e mbrojtur të lumit të Vjosës.

“Lumi Vjosa është Park Kombëtar kategoria II, ndërsa Pishë-Poro-Nartë është Peizazh i Mbrojtur kategoria V, ku kategoria V është në fakt edhe kategoria më e ulët e mbrojtjes së zonave të mbrojtura, ku normalisht një pjesë e mirë e investimeve sa i takon edhe investimeve infrastrukturore në turizëm janë të lejuara nga legjislacioni i zonave të mbrojtura”, u shpreh ministri Jaupaj duke justifikuar punimet në këtë zonë.

Sipas ministrit punimet aty janë me leje nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

“Është bërë vetëm rrethimi i një prone private për të bërë survejime gjeologjike”, deklaroi ministri Jaupaj. Deri më tani nuk ka asnjë leje të zbardhur për këto punime nga KKTU-ja dhe AZHT-ja.

Çfarë përfaqëson zona Pishë-Poro-Nartë

Makineritë në brendësi të Pishë-Poro-Nartë/Citizens.al

Zona Pishë-Poro-Nartë ndodhet në veri të Vlorës dhe është pjesë e kompleksit ligatinor të Nartës, pranë deltës së Vjosës. Ajo ka statusin “Peizazh i Mbrojtur”, që lejon vetëm ndërhyrje të kufizuara dhe kërkon procedura të rrepta ligjore dhe konsultim publik.

Zona është një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në Shqipëri, me rreth 200–300 specie të regjistruara, përfshirë shpendë migratorë me rëndësi ndërkombëtare. Megjithatë, ajo ka qenë prej vitesh nën presion zhvillimi, përfshirë projektin e debatueshëm të Aeroportit të Vlorës dhe plane të tjera turistike në zonat përreth.

Së fundmi, janë ngritur shqetësime edhe për projekte të tjera të mëdha në bregdet dhe ligatina, ndërsa organizatat mjedisore kanë reaguar ndaj ndryshimeve ligjore që prekin zonat e mbrojtura dhe rolit të “investitorëve strategjikë”.

Lexo gjithashtu:

The post Fadromat çajnë zonën e mbrojtur, Ministria i sheh si “punime brenda ligjit” appeared first on Citizens.al.

Kantier ndërtimi në Pishë-Poro-Nartë, organizatat denoncojnë punimet pa leje

1 May 2026 at 16:39

Punime të dyshuara brenda zonës së mbrojtur Pishë Poro-Nartë kanë ngritur alarmin për një tjetër përplasje mes zhvillimit, ligjit dhe përpjekjeve për të ruajtur ato pak zona me rëndësi mjedisore në Shqipëri.

Pamje të publikuara të enjten nga Shoqata Ornitologjike Shqiptare (AOS) tregojnë për mjete të rënda dhe ndërhyrje në terren në një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në vendin tonë.

Deri më tani nuk ka pasur reagime nga institucionet dhe nuk ka një konfirmim publik për leje ndërtimi apo dokumentacion mjedisor për këto punime. Në terren, aktiviteti duket i organizuar dhe i vazhdueshëm, ndërsa dyshimet lidhen me projekte të mëdha turistike të përfolura prej kohësh në zonë.

“Po hapin një kantier në zonë të mbrojtur!”

Në një lidhje telefonike për Citizens.al, drejtuesi i AOS, Taulant Bino, tha se kishte qenë vetë në zonë në momentin kur u evidentua aktiviteti.

Sipas tij, dhjetëra kamionë hynin dhe dilnin përmes një rruge të sapo rehabilituar, ndërsa në terren ishin të pranishëm ekskavatorë dhe shumë punonjës.

“Komunikova me një nga punonjësit aty duke i thënë se isha për vëzhgim shpendësh dhe ata më thanë se kishin nisur hapjen e një kantieri,” u shpreh Bino.

Ai shtoi se punonjësit nuk mbanin shenja identifikuese, ndërsa mjetet kishin shënime në italisht, pa elementë që i lidhnin drejtpërdrejt me një kompani të caktuar.

Sipas AOS, ndërhyrjet mund të lidhen me projektet e përfolura zhvillimore në zonën e Zvërnecit, të cilat prej vitit 2024 kanë përmendur si investitor të interesuar dhëndrin e Presidentit Amerikan, Jared Kushner.

Në këtë kontekst është përmendur edhe Kastrati Group si një nga kompanitë që mund të ketë rol ose si nënkontraktor ose si partner zhvillues, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar.

Citizens.al kontaktoi përfaqësuesit për komunikimin me median të kësaj kompanie, të cilët deklaruan se nuk mund të jepnin një përgjigje konkrete pasi “momentalisht shumica e stafit janë ditë pushimi,” duke lënë si mundësi për një reagim për të hënën.

Mbi ngjarjen reagoi edhe Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), e cila i bëri thirrje autoriteteve ligjzbatuese të ndalojnë “këtë dhunim të pakthyeshëm të zonës së mbrojtur”.

“I kërkojmë qeverisë të ndalojë planet e papublikuara dhe të bëjë transparencë mbi atë që po ndodh në deltën e lumit Vjosa!” citohet në qëndrimin e organizatës.

Në përmbyllje, PPNEA theksoi se, edhe pse qeveria ndryshoi ligjin për Zonat e Mbrojtura për të lejuar ndërtimin e resorteve me 5 yje, edhe ky ligj po shkelet pasi rastet tregojnë se nuk po ndiqet asnjë procedurë.

Çfarë përfaqëson zona Pishë-Poro-Nartë

Zona e denoncuar ndodhet në veri të Vlorës dhe është pjesë e kompleksit ligatinor të Nartës që kufizohet më tej nga delta e Vjosës.

Ajo gëzon statusin “Peizazh i Mbrojtur”, që lejon vetëm aktivitete të kufizuara dhe kërkon procedura të rrepta për çdo ndërhyrje, përfshirë vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe konsultimin publik.

Pishë-Poro-Nartë konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme për shpendët në Shqipëri, ku janë regjistruar rreth 200-300 specie, përfshirë shpendë migratorë me rëndësi ndërkombëtare.

Por kjo zonë ka qenë prej vitesh nën presion të vazhdueshëm zhvillimi.

Një nga projektet më të debatueshme ka qenë dhe mbetet Aeroporti i Vlorës, ndërtimi i të cilit ka nisur pikërisht pa leje të zbardhur ndërtimi në vitin 2021, duke u kundërshtuar nga organizata mjedisore për shkak të ndikimit në habitatet e shpendëve.

Së fundmi, SPAK ka marrë të pandehur tre anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për këtë projekt, nën dyshimin për paracaktim të fituesit të koncesionit.

Paralelisht, investime të tjera të përfolura, si resorti turistik në ishullin e Sazanit i lidhur me Kushner, apo dhe ideja për zhvillimin e zonës ligatinore të Zvërnecit me të njëjtin propozim, kanë ngritur shqetësime të reja mbi ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura.

Citizens.al ka raportuar vazhdimisht për këtë çështje duke vënë në pah edhe ndryshimin që pati ligji për portet turistike, i cili tashmë u jep të drejtë “investitorëve strategjikë” të privatizojnë edhe të detin.

Reagimi deri më sot ka qenë i vakët, përgjithësisht nga organizatat mjedisore dhe aktivistë individual. “SOS: Po grabitemi!” ishte një instalacion në rërë që u realizua me këtë qëllim nga artistë si formë ndërgjegjësimi ndaj këtyre “planeve strategjike,”.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka informacion zyrtar nëse aktivitetet e evidentuara në terren janë të pajisura me leje ndërtimi apo dokumentacion mjedisor.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse ndërhyrjet lidhen me ndonjë nga projektet e njohura apo përfaqësojnë një zhvillim të ri në fazë paraprake.

Në mungesë transparence dhe reagimi institucional, rasti ngre pikëpyetje mbi respektimin e statusit të zonës së mbrojtur dhe procedurave ligjore për zhvillimet në territore me rëndësi të lartë ekologjike.

Lexoni gjithashtu:

The post Kantier ndërtimi në Pishë-Poro-Nartë, organizatat denoncojnë punimet pa leje appeared first on Citizens.al.

“Ligj me porosi” edhe për Jared Kushner?

8 April 2026 at 12:33

Rasti i projektit të Jared Kushner për ishullin e Sazanit po konsolidohet gjithmonë e më shumë si precedent i qartë për mënyrën sesi qeveria rishkruan ligjet dhe procedurat në shërbim të një investitori privat.

Deklaratat e fundit të deputetes socialiste të Vlorës, Zamira Sinaj, në Komisionin Parlamentar për Turizmin e bëjnë këtë realitet të pamohueshëm.

Ajo pranoi hapur se ndryshimet ligjore të propozuara prej saj, më 6 shkurt, në ligjin për portet turistike ishin në fakt një lloj “ligji me porosi” që favorizojnë investimin e Kushnerit. Sipas saj, nëse ky ligj nuk ndryshohej ashtu siç e kishte propozuar, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump do të tërhiqej nga Sazani.

Në të njëjtën kohë, Sinaj tha se qeveria po shqyrton shtyrjen për herë të shtatë të ligjit për investimet strategjike – një instrument që në vitin 2015 u tha se do të ishte i përkohshëm, por që dhjetë vite më pas po rezulton të jetë një mekanizëm i përhershëm favorizimi.

Këto dy zhvillime, dhe fakti i bërë më herët publik nga Citizens.al se negociatat për Sazanin duhej të ishin përmbyllur më 13 nëntor 2025 dhe kanë vijuar përtej çdo afati formal, pa transparencë dhe pa konkurrencë, tregojnë për një politikë favorizuese për Jared Kushner, por edhe betonizuesit e tjerë të mëdhenj të bregdetit.

Nga mungesa e garës te eliminimi i saj me ligj

Që pasi Kushner e prezantoi publikisht projektin pranverën e vitit 2024, propozimi i tij është karakterizuar nga mungesa e transparencës dhe konkurrencës. Për ishullin nuk u hap asnjë thirrje ndërkombëtare dhe nuk pati asnjë garë alternative.

Por zhvillimi i fundit shënon përthellim të mëtejshëm.

Propozimi i Sinajt – ish-dekane e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Ismail Qemali, Vlorë – synon që, në rastet kur një investim ka status “strategjik”, portet turistike që janë pjesë e tij të mos kalojnë më në procedura konkurruese, apo koncesioni, por të ndërtohen dhe operohen drejtpërdrejt nga investitori.

Pra investitori strategjik të marrë automatikisht të drejtën dhe pronësinë e porteve dhe madje kushtet e kontratave për to të mos përcaktohen më me ligj, por me vendime qeverie (VKM).

Në thelb, kemi një zhvendosje nga mungesa e konkurrencës në praktikë te eliminimi i konkurrencës me ligj.

Relacioni shpjegues i projektligjit të Sinajt e bën të qartë natyrën e këtij ndryshimi.

Së pari, ajo pranon se ky propozim nuk synon përafrim me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Me këtë nënkuptohet se synon shmangien e standardeve dhe procedurave ligjore që garantojnë konkurrencën dhe menaxhimin transparent të aseteve publike.

Së dyti, ish-dekania e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Vlorës thotë në relacion se ndryshimet e propozuara nuk sjellin asnjë të ardhur shtesë për buxhetin e shtetit.

Nga procedurat sesi e parashikon ligji aktual, dhënia e porteve përfshin tarifa, koncesione ose ndarje fitimi me formula ortakërie, dhënie me qira apo përdorim të përkohshëm. Këtu, këto mekanizma zhduken dhe praktikisht portet falen.

Së treti, vetë relacioni e pranon që synimi është krijimi i një “trajtimi të veçantë” për investitorin. Pra, kemi një model ku hiqet konkurrenca, hiqet përfitimi për shtetin dhe legjitimohet privatizimi me trajtim preferencial.

Në praktikë, këto ndryshime i japin investitorëve jo vetëm tokën dhe plazhin, por tashmë edhe detin.

Ku mendohet se përfiton Kushner?

Përmes ndryshimit të kërkuar “privatët strategjik” marrin automatikisht edhe detin. Në rastin e propozimit të Kushnerit, ai do të përfitojë portin e vetëm që ka Sazani, atë në Gjirin e Shënkollës, i cili ka mbajtur rëndësi ushtarake.

Pamje nga porti ushtarak në Gjirin e Shënkollës, Sazan/Citizens.al

Nëse projekti do të shtrihet edhe në Zvërnec, sipas ideve të bëra publike më herët (edhe pse zyrtarisht nuk ka asnjë aplikim dhe status për të) ndryshimet ligjore të propozuara do t’i mundësonin Kushnerit ndërtimin e një porti të dytë, duke krijuar një linjë kontrolli mbi aksesin detar në veri të Gjirit të Vlorës.

Kjo përkthehet në kontroll mbi infrastrukturën turistike portuale, aksesin në vijën bregdetare dhe në praktikë, privatizim të hapësirës detare.

Kjo është një praktikë e qartë e kapjes së procedurave. Nuk bëhet më fjalë për interpretime të favorshme të ligjeve ekzistues, por për rishkrime të shoqëruara me zgjatjen e ligjit për investimet strategjike.

Ky ligj u prezantua si instrument i përkohshëm në vitin 2015. Por në praktikë, gjatë kësaj dekade ai është përdorur për të krijuar një regjim të qëndrueshëm “investitorësh të përzgjedhur” kryesisht nga afërsia me qeverinë.

Rasti i Sazanit nuk është i izoluar, por tregon edhe një herë marrëdhëniet selektive të shtetit shqiptar me investitorët, me procedura që anashkalohen, ligje që tjetërsohen dhe asete që privatizohen pa garë, transparencë dhe konsensus publik.

Lexoni gjithashtu:

The post “Ligj me porosi” edhe për Jared Kushner? appeared first on Citizens.al.

Një ishull tërësisht privat: Përmasat reale të projektit në Sazan

3 March 2026 at 16:48

Kryeministri Edi Rama po negocion Sazanin, një pasuri të Shqipërisë, përmes një qasjeje arbitrare të mbështetur kryesisht në marrëdhënie personale për hir të pushtetit, duke anashkaluar standardet ligjore dhe institucionale.

Që prej vitit 2024, kur Jared Kushner – dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump – shpalli interesin për ta kthyer ishullin në një resort luksoz privat, narrativa publike për Sazanin është mbushur me premtime për zhvillim ekonomik, investime elitare dhe rritje të imazhit të vendit.

Por pas dy vitesh, bilanci është ky: Kushner ka fituar marketing falas për portofolin e tij ndërkombëtar imobiliar. Rama ka fituar simpati dhe afërsi me familjen Trump, duke forcuar pozitat politike në planin e brendshëm. Ndërsa shqiptarët dhe vetë shteti shqiptar nuk kanë fituar asgjë konkrete.

Përkundrazi. Është shënuar një tjetër precedent i rrezikshëm ku një njësi territoriale e vendit po ofrohet për zhvillim në mungesë gare, transparence dhe pa garanci të qarta ligjore dhe ekonomike.

Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se negociatat po zhvillohen formalisht në institucione dhe janë shtyrë pa afat që prej 13 nëntorit 2025. Zyrtarisht, nuk ka plan për Zvërnecin, ndërsa planet tregojnë se i gjithë ishulli i Sazanit do të privatizohet – në kontrast me narrativën fillestare se do të prekej “vetëm 8% e sipërfaqes”.

Në fakt, 45.6 hektarë (8%) nga 570 hektarë tokë janë sipërfaqja që do zihet nga ndërtimi, ndërsa projekti tregon se Sazani kthehet në ishull privat.

Përmasat reale të projektit të propozuar

Deri më tani, publiku është njohur me vetëm tre imazhe të publikuara nga Jared Kushner më 15 mars 2024 në platformën “X”: vila të shpërndara në shpatet e Sazanit dhe një vizion ndërtimesh masive mbi zonën ligatinore të Zvërnecit. Ato kanë qarkulluar thuajse në të gjitha raportimet që flasin për projekt-propozimin.

Por harta e përmbledhjes fazore të projektit, të cilën Citizens.al e disponon, tregon një realitet të ndryshëm për fatin e ishullit.

Fazat e ndërtimeve sipas fazave në ishullin e Sazanit/Citizens.al

Sipas dokumentacionit të analizuar, Sazani është propozuar të ndahet në tre rajone të përgjithshme, të organizuara sipas fazave të zhvillimit me rreth 448,000 m² ndërtime për afërsisht 970 njësi rezidenciale/hotelerie. Ishulli konceptohet si një tërësi e integruar, ku i gjithë rrjeti i rrugëve dhe i qarkullimit do të jetë në funksion të ndërtimeve.

Me fazën e parë privatizohet zemra e ishullit: Porti dhe zona qendrore – pikërisht nyja funksionale të Sazanit ku aktualisht janë dhe godinat e vjetra të ish-reparteve ushtarake, dhe është e vetmja pikë hyrëse për në ishull.

Lexo: Nga vizitor në investitor strategjik, si e siguroi Sazanin Jared Kushner

Në zonën “Marina Area” parashikohen 1,000 m² ambiente shërbimi (amenities) dhe 18,000 m² hapësira shërbimesh. Rreth saj, në “North Valley” parashikohen 39,000 m² ndërtim me 56 vila dhe 11 apartamente (condo).

“South Valley” shton 22,000 m² me 144 vila hoteliere. Ndërsa në “Central Ridge” parashikohen 63,000 m² me 56 vila dhe 26 “condo”. “West Valley” përfshin 8,000 m² me 25 vila hoteliere dhe “West Estates” 5,000 m² me 8 rezidenca private.

Kjo fazë e parë nuk duket si fazë pilotimi, pasi vendos themelet e një infrastrukture të plotë rezidenciale dhe hoteliere që e shndërron qendrën e ishullit në një kompleks të mbyllur funksionalisht.

Faza e dytë përhapet te shpatet dhe skajet bregdetare. Zhvillimi zgjerohet në skajet veri-jug dhe në kodrat e ishullit me hapësira më të mëdha imobiliare që duket se ofrohen si rezidenca.

“North Point” përfshin 30,000 m² me 35 vila. “North Ridge Estate” shton 35,000 m² me 35 “estates”. “West Estates” parashikon 23,000 m² me 20 “estates”. “South Ridge Estates” 14,000 m² me 13 “estates”. “South Point” 18,000 m² me 16 vila.

Kjo fazë prek pikërisht zonat panoramike dhe shpatet me vlerën më të lartë të peizazhit. Nga një perspektivë zhvillimi, këto duket se janë segmentet “Premium” të projektit. Nga një perspektivë publike, ato janë pjesët që deri më sot kanë qenë hapësirë e lirë natyrore dhe të paprekura.

Projekti vijon me një fazë të tretë të lënë si mundësi zgjerimi në vijim. Ky është dhe aspekti më domethënës, pasi është zona e etiketuar si “Potential Future Phase” dhe përqendrohet me një zhvillim më masiv në në perëndim të zonës portuale.

Ajo parashikon 172,000 m² zhvillim me 525 njësi (që nënkupton apartamente).

Kjo shifër e vetme ndryshon përmasën e diskutimit. Nëse realizohet, faza e tretë do ta çojë ishullin drejt një densiteti ndërtimi që praktikisht e përmbyll të gjithë hapësirën e disponueshme për projekte të tjera.

Në terma planifikimi territorial, kjo nënkupton se Sazani propozohet si një zhvillim ekskluziv dhe i vetëm, pa hapësirë për iniciativa të tjera publike apo private jashtë këtij projekti.

Kështu, narrativa fillestare e “8% të sipërfaqes” që kishte krijuar perceptimin e një ndërhyrjeje të kufizuar është tjetër gjë kur qaset kjo hartë e propozuar. Projekti nuk është i izoluar në një cep të ishullit, por shtrihet në qendër, në kreshta dhe në skajet bregdetare.

Edhe nëse raporti i ndërtimit mbi sipërfaqen totale mbetet formal, dinamika e zhvillimit tregon se ishulli do të funksionojë si një kompleks i vetëm privat.

Kontrasti i ndërtimeve të propozuara dhe relievit që ka Sazani/Citizens.al

Me këtë plan, Sazani nuk është thjesht një resort. Ai është një territor i projektuar për një përdorim ekskluziv, të integruar dhe të centralizuar nën një operator të vetëm.

Dhe kjo presupozohet ta zhvendosë debatin nga “sa përqind ndërtohet” te pyetja se “çfarë mbetet realisht publike”?

Grupi negociator ekziston vetëm si “formalitet”

Citizens.al ka mësuar se grupi negociator që ka diskutuar dhe firmosur dokumente për Sazanin nga 13 janari deri më 27 tetor 2025 është mbledhur gjithsej 10 herë.

Grupi prej nëntë anëtarësh përbëhej nga:

  • Elira Kokona, drejtuese e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH);
  • Ermal Nufi (sot ministër i Mbrojtjes), atëherë përfaqësues i Kabinetit të Zëvendëskryeministrisë;
  • Sofjan Jaupaj (sot ministër i Mjedisit), atëherë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit;
  • Ami Kozeli (sot drejtor i ARRSH), atëherë zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
  • Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
  • Eldi Çondi, drejtor kabineti në Ministrinë e Financave;
  • Aleks Marku, sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes;
  • Alban Binaj, administrator i Albanian Seasports Development (ASD);
  • Fiona Beqiri, drejtuese projektesh nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Ky grup u ngrit si strukturë teknike pas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike në fund të vitit 2024, i cili i dha statusin e investitorit strategjik propozimit të Kushnerit.

Në teori, ky është mekanizmi standard: Shteti krijon një trup negociues dhe përmes tij diskuton kushtet me investitorin. Por në praktikë, dokumentet tregojnë tjetër gjë.

Lista e mbledhjeve përfshin prezantime, plane veprimi, diskutime mbi një memorandum mirëkuptimi dhe – në fund – diskutime për shtyrjen e afatit të negociatave.

Nuk ka të dhëna të qarta të botuara për takime të përbashkëta intensive me investitorin. Nuk ka procesverbale që dokumentojnë negociata konkrete mbi territorin, të drejtat e përdorimit apo detyrimet ekonomike.

Sipas AIDA-s, investitori është përfaqësuar “në rrugë zyrtare” nga Asher Abehsera si administrator. Por nuk sqarohet se cilin subjekt juridik ka përfaqësuar ai konkretisht, teksa nuk janë publikuar dokumentet e autorizimeve.

Kryeministri Rama dhe Ivanka Trump gjatë takimit në Vlorë, janar 2026/Citizens.al

Kjo lë të hapur mundësinë që negociatat të jenë zhvilluar kryesisht përmes shkresave apo ndërmjetësimeve të tjera informale, me gjasë edhe të një përfaqësuesi, apo bashkëpunëtori lokal, që mund të ketë parakontrata për t’u angazhuar si nënkontraktor në zhvillimin e projektit.

Ndërkohë, jashtë institucioneve, raportimet mediatike tregojnë një angazhim shumë më intensiv: vizita, dreka, darka dhe pritje të nivelit të lartë, ku projekti është diskutuar me praninë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama.

Lexo: Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

Në këtë dualitet, grupi teknik duket më shumë si një artificë procedurale sa për të përmbushur një detyrim ligjor, teksa vendimmarrja e vërtetë duket se është në varësi të qejfit dhe ecurisë së marrëdhënieve personale të Kryeministrit me familjarët e Trumpit.

Negociata pa afat dhe pa shpjegim

Negociatat për zhvillimin e Sazanit duhet të përfundonin më 13 nëntor 2025, por kjo datë nuk u respektua dhe u shty pa afat. AIDA pranoi për Citizens.al se shtyrja është bërë “me dakordësi të palëve”, por nuk dha arsye konkrete dhe asnjë datë përfundimtare të re, pavarësisht këmbënguljes së Citizens.

Në negociatat për investime strategjike, shtyrjet zakonisht lidhen me pengesa reale si statusi juridik i tokës, konfliktet e pronësisë, kushtet gjeologjike, mosdakordësitë financiare etj. Por asnjë prej këtyre arsyeve nuk është përmendur.

Ndërkohë, dihet se ishulli nuk ka infrastrukturë bazë – mungojnë uji dhe energjia elektrike – elemente thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm.

AIDA deklaron se detajet do të bëhen publike vetëm kur marrëveshja të përfundojë. Me fjalë të tjera, qytetarët do të informohen pasi Rama të ketë shërbyer darkën e radhës dhe vendimi të jetë praktikisht i pakthyeshëm.

Zyrtarisht, AIDA deklaron se projekti përfshin vetëm Sazanin dhe nuk ka asnjë aplikim për Zvërnecin. Megjithatë, gjatë janarit, delegacioni i lidhur me Ivanka Trump vizitoi edhe atë zonë dhe zhvilloi një takim me arkitektë dhe zyrtarë të lartë.

Lexo: “Shteti si agjent imobiliar”, nga Sazani te Zyber Hallulli

Pse një zonë që “nuk është pjesë e projektit” përfshihet në itinerarin e pritjeve atëherë? Ose Zvërneci përdoret për të zgjeruar narrativën e zhvillimit dhe për të forcuar jehonën e portofolit të Jared Kushner – pra si marketing, – ose ekziston një plan paralel që nuk është formalizuar ende.

Në të dy rastet, komunikimi publik nuk përputhet me dokumentet zyrtare dhe ata që humbin janë po qytetarët shqiptarë, institucionet dhe sundimi i ligjit.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) pranoi për Citizens.al se përfaqësuesit e saj kanë qenë të pranishëm në aktivitetet e zhvilluara gjatë vizitës së Ivanka Trump në Vlorë. Por kjo agjenci theksoi se roli i saj ka qenë “orientues institucional” se “nuk ka qenë organizatore” dhe as “nuk di kush e ka organizuar aktivitetin”.

Pamje nga ishulli i Sazanit/Citizens.al

Kjo krijon një situatë paradoksale. Një institucion shtetëror merr pjesë në një aktivitet që lidhet me një investim strategjik në territor, por nuk ka informacion bazë për organizatorin apo strukturën e tij.

Në praktikë, kjo sugjeron një model abuziv dhe tejet arbitrar vendimmarrjeje ku takimet private kanë praninë e shtetit, por jo përgjegjësinë administrative të tij.

Diplomacia e investimeve dhe “Shtëpia Trump”

Historia e Sazanit shkon përtej një projekti turistik. Ajo prek mënyrën se si Shqipëria – një vend kandidat për Bashkimin Evropian – administron pasuritë publike dhe ndërton marrëdhënie me aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë.

Një nga standardet themelore të BE-së është konkurrenca e hapur dhe transparenca në menaxhimin e pronës publike. Projekti i Sazanit nuk është rezultat i një gare ndërkombëtare, por i një negocimi të drejtpërdrejtë.

Në raste të tjera me oferta të pakërkuara, është hapur të paktën një garë formale. Me Sazanin, pas dy vitesh, ende negociohet pa përfundim.

Në një rajon ku mbështetja ndërkombëtare shihet si garanci sigurie politike, investimet mund të marrin edhe dimension diplomatik. Por kjo ngre një pyetje thelbësore: A po përdoret zhvillimi ekonomik si instrument për afërsi politike? Nëse po, me çfarë çmimi?

Sepse debati nuk është më vetëm për një resort. Është për mënyrën se si një shtet i vogël negocion me aktorë të mëdhenj: Përmes ndjekjes së ligjit, procedurave të hapura dhe konkurruese, apo përmes marrëdhënieve të privilegjuara që premtojnë jo vetëm kapital, por edhe afërsi me fuqinë e “Shtëpisë Trump”.

Në fund kush do ta gëzojë këtë afërsi politike dhe sa do të zgjasë ajo, do ta gëzojë shteti shqiptar apo kryeministri aktual.

Lexoni gjithashtu:

The post Një ishull tërësisht privat: Përmasat reale të projektit në Sazan appeared first on Citizens.al.

Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

22 January 2026 at 17:44

Ardhja e Ivanka Trump dhe bashkëshortit Jared Kushner në Vlorë të mërkurën, shoqëruar me pritje protokollare dhe një darkë private me kryeministrin Edi Rama, u paraqit publikisht si një vizitë e jashtëzakonshme.

Por, në thelb, vizita e Trump dhe Kushner – të cilët prej vitit 2023 e kanë vizituar shpesh Shqipërinë – ekspozon një model të konsoliduar të vendimmarrjeve të qeverisë Rama: përqendrim të pasurive publike në pak duar, të lidhura me pushtetin politik dhe financiar, tashmë edhe ndërkombëtar, përmes negociatash direkte, pa transparencë, pa garë dhe pa llogaridhënie.

Ky model nuk është i panjohur as në profilin publik të vetë Jared Kushner. Në SHBA dhe Lindjen e Mesme, ai është përballur me kritika të vazhdueshme për ndërtimin e karrierës së tij si sipërmarrës duke përfituar nga pozicioni politik i vjehrrit, Donald Trump, veçanërisht për marrëveshje të mëdha investimi që u realizuan pas përfundimit të mandatit presidencial. 

Kritikët kanë ngritur pikëpyetje mbi konfliktet e mundshme të interesit dhe mungesën e ndarjes mes rolit publik dhe përfitimit privat, një debat që sot gjen jehonë edhe në Shqipëri.

Sazani e Zvërneci si “plaçka për t’u falur”

Projekti i propozuar nga Kushner për ndërtimin e resorteve luksoze në Sazan dhe Zvërnec po përparon përmes një formule që shmang parimet bazë të konkurrencës, aq shumë të kërkuara dhe lavdëruara nga BE për integrimin.

Erdhi si propozim i pakërkuar. Vijoi pa diskutim publik dhe pa tender të hapur ndërkombëtar. Askush nuk di të thotë: A është oferta e Kushnerit më e mira e mundshme dhe a po shihet mundësia që të lejohen investitorë të tjerë në Sazan?

Prej janarit 2025, kur mori statusin e investitorit strategjik, qeveria po negocion drejtpërdrejt me kompaninë “Affinity Partners” (zotëruese e “Atlantic Incubation Partners LLC”) të Kushnerit, e cila pritet të jetë ortake, në kuota shumice, me ndërmarrjen qeveritare “Albanian State Development & Real Estate” (ASDRE), e cila u krijua në qershor.

Grupi negociator përbëhet nga përfaqësues të administratës së Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e vetmja ende në detyrë pas ndryshimeve qeveritare të zgjedhjeve të fundit, ministrisë së Financave, Mjedisit dhe Turizmit. 

Paralelisht grupi është përbërë edhe nga përfaqësues të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), dhe Korporatës së Investimeve Shqiptare (AIC). Kjo e fundit e ka përfshirë në hartën e projekteve që synon të zhvillojë.

Pikërisht AIC kontraktoi në shkurt 2025 për rreth 300 mijë euro zyrat ligjore “Tonucci & Partners” dhe “Nexia Consulting” për të forcuar “pozitën e shtetit shqiptar në këtë investim” përmes një “ekspertize ligjore, financiare, teknike dhe mjedisore”.

Nga kjo qasje, kuptohet se qeveria ia dha statusin e investitorit Kushnerit, pa qenë e sigurt për pozitën e saj në propozimin e pakërkuar. Pra, pa e ditur saktë impaktin financiar dhe mjedisor.

Pikërisht për impaktin mjedisor Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) dhe organizata të tjera mjedisore kanë apeluar disa herë shqetësimin se propozimi i Kushnerit prek zona të mbrojtura, veçanërisht Zvërnecin. 

Në një reagim të mërkurën PPNEA theksoi se “rreth 14 kilometra vijë të egër bregdetare që është zonë e mbrojtur, […] planifikohet të shndërrohet në rruge asfalti, drita të forta dhe pallate luksoze, të cilat nuk kanë vend për natyrën e egër dhe komunitetet”.

Ky zhvillim po ndodh teksa Komisioni Evropian i ka vënë kusht Shqipërisë për integrimin mbylljen e kapitullit të mjedisit me ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura, i cili i pati hapur rrugë investimeve të tilla në parqet natyrore.

Sidoqoftë, vlen të thuhet se për rastin konkret BE ka qendruar e heshtur, pak a shumë si në rastin e Aeroportit të Vlorës, që pritet të ndikojë tejmase në rrjetin e zonave të mbrojtura Vjosë-Nartë.

Citizens.al iu drejtuar të gjitha strukturave të grupi negociator për të marrë informacion për takimet, pozitën aktuale të bisedimeve dhe nëse ka pasur interes nga sipërmarrës të tjerë, veçanërisht kompani shqiptare.

Deri në momentin e botimit të këtij shkrimi, vetëm AIDA dhe AIC dhanë përgjigje duke u kufizuar te theksimi se Affinity Partners mbetet e interesuar ta vijojë projektin dhe se ASDRE nuk po shqyrton asnjë projekt-propozim tjetër në Sazan*.

Nga e gjithë kjo tablo duket qartë se qeveria po e trajton Sazanin dhe Zvërnecin thjeshtë si plaçka për t’u falur, dhe jo si pasuri publike të parikuperueshme që nevojiten të menaxhohen me rregulla.

Zyrtarisht theksi për rastin e Kushnerit vihet te statusi “investitor strategjik”, një etiketë që në praktikë ka shërbyer si çelës për të anashkaluar procedurat standarde, parlamentin, debatin publik mbi kostot, përfitimet dhe rreziqet.

Modeli që përsëritet

Sazani dhe Zvërneci nuk qëndrojnë vetëm. Qeveria Rama ka vepruar ngjashëm duke trajtuar si plaçkë edhe Portin e Durrësit, Portin e Vlorës dhe zonën e mbrojtur përreth Aeroportit të Vlorës.

Porti i Durrësit iu dha sipërmarrësit nga Emiratet, Mohamed Ali Alabbar. Në rastin e tij u bë me ligj të posaçëm, procedurë të përshpejtuar në Kuvend dhe partneritet të paracaktuar në darkën e famshme të qeverisë në restorantin e Nusret Gökçe (njohur si Salt Bae) në Dubai (2021). 

Kështu, projekti “Durrës Yachts & Marina” me grupin e Emirateve “Eagle Hills” pati zero debat publik dhe zero konkurrencë. Formula e ktheu Kuvendin në “noter” të një marrëveshjeje të negociuar dhe dakordësuar larg institucioneve dhe vëmendjes publike.

Për Portin e Vlorës, raportimet kanë treguar se qeveria përdori një kombinim të ligjit të investimeve strategjike, formulën “Shqipëria 1 euro” dhe VKM të posaçme, duke lënë pa sqaruar mënyrën sesi u shmang dhe minimizua pjesëmarrja reale e shtetit në projektin e “Marina di Valona”.

Ngjashëm zero debat publik, zero konkurrencë.

Në rastin e Aeroportit të Vlorës, qeveria tregoi se kur do dhe ka vullnet, mund të ndjekë dhe aplikojë procedurat konkurruese të një gare me tender ndërkombëtar pas një ofertë të pakërkuar. 

Sigurisht, tjetër gjë se kjo procedurë ishte formale – fillimisht aeroporti iu premtua konsorciumit turk Cengiz-Kalyon-Kolin Constr. më pas me procedura të dyshimta iu dha ortakërisë “Mabetex-2A Group” të Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit.

Rastet tregojnë qartë sesi qeveria nuk e mat interesin publik me garë dhe kushte të qarta, por me negocime dhe vendime që merren nëpër tavolina jashtë institucioneve. Për më tepër nga investimet në fjalë qeveria merr përsipër detyrimet për të siguruar infrastrukturën mbështetëse.

Në këtë kuptim Sazani e Zvërneci – historikisht të paurbanizuara, pa furnizimin me ujë dhe energji elektrike – janë thjesht plaçkat e radhës, pasi në rastin e tyre nuk po ndiqet as formalisht procedura e një tenderi apo konkursi ndërkombëtar

Nga renderët 3D te “negociimi” me arkitektët e qeverisë

Për Sazanin dhe Zvërnecin jo vetëm që nuk po duket të ketë garë, por tani duket se vetë projekti arkitektonik po riformatohet, me takime të raportuara mes Ivanka Trump, përfaqësuesve të qeverisë dhe “50-60 arkitektë” që nuk dihet se nga dolën dhe u shfaqën në Vlorë.

Foto e rrjedhur në media nga resorti ku u prit Ivanka Trump, 21 janar 2026.

Mes tyre, nga disa foto që qarkulluan në rrjet, spikati arkitekti japonez Kengo Kuma, i njohur ndërkombëtarisht për stilin modernist. Kuma ishte i ftuar në Shqipëri për festivalin e arkitekturës “Bread and Heart” dhe është projektues i Parkut të Vizitorëve në Butrint.

Nga fotot, duket të ketë qenë e pranishme edhe Adelajda Roka, drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit te Territorit (AZHT), e cila nuk është pjesë e grupit negociator. 

Nga kjo dhe prezenca e Kumës, mund të kuptojmë se grupi i arkitektëve në fjalë mund të jetë organizuar nga AZHT.

Prej tetorit 2025, AZHT dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) kanë riorganizuar festivalin “Bread and Heart” në një fondacion. Citizens.al ka kërkuar qartësi për objektivin, arsyet dhe mënyrën e këtij tranzicioni.

Por dukshëm, ky riorganizim që ka bërë bashkë arkitektët e preferuar të qeverisë, po merr rol domethënës. Takimi me arkitektët u raportua se kishte në fokus projektet në Sazan e Zvërnec. Kjo nënkupton se tanimë diskutimet kanë kaluar te “si do të bëhet” projekti, jo më thjesht “a do të bëhet”.

Nëse propozimi fillestar i vitit 2024 ishte një “vizion” (render 3D), takimet me arkitektë nënkuptojnë se tani po negociohet përmbajtja e investimit: volumet, ndërhyrjet, infrastruktura, fazat si edhe lehtësitë fiskale.

Por nëse projekti “po rikonceptohet” gjatë negociimit, atëherë justifikimi për “ofertë të pakërkuar” bie, sepse nuk kemi më një ofertë të përcaktuar që vetëm vlerësohet dhe trajtohet, por realisht kemi një bashkë-projektim pa transparencë.

Qeveria shqiptare, edhe pas kërkesave të përsëritura për transparencë, ende nuk ka zbardhur një sërë detajesh: Çfarë do të ndërtohet realisht në në Sazan dhe Zvërnec? Çfarë po ofron realisht qeveria shqiptare: truallin, infrastrukturën, trajtim preferencial apo ekskluzivitet? Çfarë kanë premtuar investitorët dhe e në fund, çfarë përfitojnë qytetarët Shqiptarë?

*Artikulli u përditësua me përgjigjen nga AIC për Sazanin.

The post Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë appeared first on Citizens.al.

Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz

27 June 2025 at 15:32

Qeveria ka hapur kompaninë, e cila pritet të bëjë marrëveshje me Jared Kushner për të zhvilluar resort në Sazan. Projekti parashikon ta shndërrojë ishullin nga një ish-bazë ushtarake me site të mbrojtura në resort privat luksoz.

Korporata e Investimeve Shqiptare, (KIS) regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) kompaninë “Albanian State Development & Real Estate” (ASDRE). Ajo ka kapital 50 milionë lekë (rreth 500 mijë euro) dhe administor Julian Adilin, drejtor ligjor pranë KIS.

Ekstrakti tregon se ASDRE u themelua më 9 qershor, pra rreth 2 javë e gjysmë më parë.

ASDRE thuhet se do të planifikojë dhe zbatojë projekte ndërtimi në pronësi ose administrim shtetëror. Kjo lë të kuptohet se mund të menaxhojë dhe projekte dhe prona të tjera.

Qëllimi i saj thuhet të jetë menaxhimi dhe transparenca në përdorimin e pasurive publike.

Gjithashtu, si qëllim i ASDRE, ka dhe përfaqësimin e shtetit në partneritete strategjike. Këtu përmendet konkretisht resorti turistik “Ishulli i Sazanit”.

Këtë projekt e ka paraqitur si ofertë të pakërkuar “Affinity Partners” e përfaqësuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.

Në janar Kushner mori statusin “investitor strategjik”. Ai ka thënë se ideja i lindi pas një vizite turistike në Shqipëri gjatë vitit 2021.

Kushner e vizitoi Shqipërinë edhe në vitin 2023, ku u shoqërua personalisht edhe nga Kryeministri Rama. Pesë muaj më vonë, në dhjetor 2023, paraqiti zyrtarisht kërkesën për zhvillimin e Sazanit.

Por projekti u bë me dije vetëm në vitin 2024 kur Kushner foli për mediat amerikane.

Njësoj si atëherë, zhvillimi i radhës ndodh pas një vizite turistike të dhëndrit të Trump-it. Kjo nënkupton se vizitat e tij janë “vizita pune”.

Një fotografi e çiftit Kushner me Sazanin në sfond u botua të enjten nga kuzhinieri Aldo Mehmeti në Instagram.

Faksemile e postimit të kuzhinierit Aldo Mehmeti, i cili priti familjen Kushner këtë javë në Vlorë.

Resorti në Sazan do të zërë 8% të sipërfaqes së ishullit – 45 hektarë nga 562 e totalit. Investimi thuhet të jetë prej rreth 1.4 miliardë eurosh dhe zotohet të punësojë rreth 1 mijë persona gjatë ndërtimit dhe funksionimit.

Kritika për transparencën dhe ndikimin mjedisor

Projekti i Kushnerit ka shkaktuar reagime për mungesën e transparencës dhe rrezikun ndaj mjedisit. Fillimisht në vitin 2024, institucionet dhanë qëndrime kontradiktore për statusin juridik të Sazanit.

Ministria e Mbrojtjes e konsideroi pjesë të planit të vendosjes së Forcave të Armatosura. Ndërsa Ministria e Turizmit deklaroi se nuk kishte kërkesë për zhvillim të zonës.

Aktivistët mjedisorë theksuan se zona është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Ky park përfshin specie të rralla detare dhe është zonë e mbrojtur që nga viti 2010.

Por, qeveria ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke lejuar zhvillime në këto territore. Në të njëjtën kohë, KKT mori kompetenca të zgjeruara si Këshill Kombëtar i Territorit dhe Ujit.

Parlamenti shtyu gjithashtu ligjin për investimet strategjike deri në vitin 2026. Të gjitha këto veprime ngrenë shqetësime për llogaridhënie dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.

Kushner ka deklaruar për mediat ndërkombëtare se nuk ka përfituar trajtim preferencial apo ekstraligjor. Megjithatë qasja e qeverisë shqiptare mbetet jotransparente, çka lë të kuptohet për të kundërtën.

Prej janarit, kur Kushneri mori statusin e investitorit, parashikohej që të zhvilloheshin negociata për mënyrën e investimit. Do të ishte me partneritet publik-privat, koncesion, apo mekanizëm tjetër.

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), i tha Citizens.al se “aktualisht palët janë në proces negocimi”. Deklarata u bë më 25 qershor, një ditë para se KIS të regjistronte ASDRE-n.

Nga ana tjetër institucionet nuk kanë bërë transparencë për propozimin e Kushner në Zvërnec.

Citizens.al iu drejtua për informacion edhe agjencive të planifikimit dhe zhvillimit të territorit (AZHT, AKPT) për propozimin, ku kërkoi të dinte nëse ka pasur aplikime për leje zhvillimi për zonën e Sazanit dhe Zvërnecit. Por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pati përgjigje.

Lexo gjithashtu:

The post Kushner dhe Sazani: Qeveria krijon kompani për zhvillimin e resortit luksoz appeared first on Citizens.al.

Kushner, Rama, Vuçiç: Trekëndësh interesash në kurriz të publikes

17 May 2025 at 14:00

Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump njëherësh ish-këshilltar i tij në Shtëpinë e Bardhë, u shfaq (me videocall) sot në Tiranë si investitor strategjik, i cili me projektet që ka marrë përsipër në Shqipëri dhe Serbi po e prezanton veten si “shpëtimtari” që po ndërlidh një rajon – që ka dalluar për konflikte – drejt një të ardhme të begatë.

Por prezantimi i tij nuk tha gjë për transparencën, konkurrencën, trashëgiminë kulturore dhe çështjet e mjedisit, pika këto të mbrojtura dhe promovuara fort nga Bashkimi Evropian.

Në samitin e “Future Investment Initiative (FII) Institute” të quajtur “FII Priority Europe Tirana 2025” – një platformë globale që synon promovimin e dialogut ndërkombëtar mbi investimet dhe zhvillimin ekonomik – Kushner nuk u paraqit fizikisht sikurse pritej, por foli përmes një thirrjeje videofonike.

Ai u shfaq si themeluesi dhe drejtori i Affinity Partners, e cila në Shqipëri ka marrë statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e dy komplekseve turistike me qindra vila dhe hotele në Zvërnec dhe Sazan.

Kushner foli për horizontin e investimeve “në një Shqipëri të bashkuar me një treg në rritje si Ballkani”. Prezantimi si folës në Tiranë vjen rreth një vit pasi projektet e tij në Serbi dhe Shqipëri kanë ngjallur shqetësime.

Projekti $500 milionësh për të ndërtuar tre kulla 30 katëshe në truallin e ish-Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes – bombarduar nga NATO në vitin 1999 – është vënë në pikëpyetje këtë javë pasi rezultoi se dy godinave iu hoq statusi si monumente kulture përmes një ekspertize të falsifikuar.

Administrata e Presidentit Vucic e ka justifikuar “marrëveshjen Kushner” me idenë e rritjes së investimeve të huaja dhe se qeveria do të përfitojë 22.5% të të ardhurave nga projekti, ndërsa dhëndri i Trump do të përfshijë në ndërtimin e “Trump Hotel” një memorial për viktimat e bombardimeve të NATO-s dhe një muze kushtuar historisë së ish-ministrisë.

Ilustrim, projekti i Kushnerit në Beograd/Kushner,X.

Por, aty ku disa shohin investime, të tjerë shohin përfitime mbi traumat kolektive dhe trashëgiminë historike. Përballë kritikave nga opozita dhe opinioni publik serb se “po jepet truall për influencë politike”, qeveria serbe është mbrojtur duke thënë se trualli “nuk është shitur, por dhënë në përdorim për 99 vjet”.

Godinat, të cilat mbartin vlerë arkitektonike të stilit modernist, janë përfshinë në listën e organizatës Europa Nostra mes 7 ndërtesave historike më të rrezikuara në Evropë.

Rasti kujton qasjen që u ndoq me Teatrin Kombëtar në Shqipëri, i cili gjithashtu qe përfshirë në listën e Europa Nostra. Ndërtesës iu hoq statusi monument kulture, dhe pas dy vitesh protesta, me një akt-ekspertimi të kontestuar – pa oponencë teknike – mbrëmjen e 14 majit 2020, Këshilli Bashkiak i Tiranës votëbesoi me email shembjen e tij.

Në këtë kontekst, ajo që po ndodh në Beograd me projektet e Kushner, dhe e shkuara aspak pozitive me procedurat e ndjekura për projektet e mëdha të infrastrukturës dhe investimeve publike në Shqipëri, vjen si paralajmërim i asaj që po i afrohet brigjeve të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit:

Dy resorte gjigande me të paktën 10 mijë dhoma, të cilat do të ndërtohen pavarësisht shkeljeve të mundshme në procedura dhe ligje.

Në janar, Citizens.al shpjegoi se si Kushner siguroi të drejtën për të zhvilluar Sazanin nëpërmjet një procesi që ngjan më shumë si manovër politike për të fituar përkrahjen e familjes dhe Presidentit amerikan, Donald Trump, sesa garë transparente për zhvillimin e turizmit.

Nga një “vizitor” i ftuar nga autoritetet shqiptare, brenda pak muajve Kushner u shndërrua në “investitor strategjik”, ndërkohë që legjislacioni për zonat e mbrojtura ndryshoi me urgjencë për të lejuar ndërtimet në territore të ndjeshme ekologjikisht siç është zona e Zvërnecit dhe Sazanit.

Pjesëmarrja e Kushner si folës kryesor në forumin e investimeve këtë fundjavë në Shqipëri konfirmon se projektet e tij kanë mbështetje politike të nivelit të lartë në Shqipëri dhe Serbi.

Ai zbuloi se nisma për të investuar në Sazan dhe Zvërnec i erdhi pasi takoi Ramën në një vizitë turistike në vitin 2021 dhe mori dijeni për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, e cila ishte një incentivë për projektin e madh turistik jo shumë larg tij.

Ishulli i Sazanit përmban monumente natyrore si “Barriera koralore e grykës së Djallit” dhe “Faleza e Sazanit”, të cilat janë të mbrojtura me ligj. Ndërtimi në këtë zonë ngre pikëpyetje mbi ruajtjen e pasurisë natyrore dhe ndikimin në ekosistemet lokale.

Projekti i Jared Kushner per Zvernecin/Kushner,X.

“Zona është 60 milje larg nga Italia, 60 milje larg nga Korfuzi dhe një aeroport po ndërtohet jo shumë larg, kështu që është një mundësi fantastike investimi,” tha Kushner, sipas së cilit mjedisi në zonë do të ruhet. Megjithatë ai nuk tregoi aspekte konkrete se si do ta bënte këtë.

Por a është kjo ajo që i duhet Shqipërisë, një vendi që pret të integrohet në BE?

Çështja nuk është vetëm për luksin që pretendon të sjellë Kushner, i cili tregoi se familjarisht do të ketë një rezidencë në zonën ku po investon në Shqipëri. Është për precedentët që po konfirmohen: Zhvillimi i zonave të mbrojtura pa konsultim publik, në mungesë të plotë transparence në procesin e përzgjedhjes së investitorëve, dhe lidhjet e dyshimta mes interesave të politikës dhe kapitalit ndërkombëtar.

Për Shqipërinë, rasti i Sazanit dhe Zvërnecit nuk është thjesht çështje turistike, por një provë për integritetin e institucioneve të saj përballë rasteve që përsëriten: Aeroporti i Vlorës, Marina e Vlorës, Marina e Durrësit dhe në horizont Divjaka apo zonat e mbrojtura në male të kërcënuara nga e ashtuquajtura “Paketa e Maleve”.

Prej vitit 2024 kur Kushner bëri publik projektet, pak ose aspak është bërë me dije nga autoritetet shqiptare. Prej janarit 2025 kur u mësua se Kushner mori statusin 10-vjeçar të investitorit strategjik nuk dihet gjë për vijimin e procedurave të mëtejshme.

Palët do të duhet të vendosnin për mënyrën se si do t’i jepen Kushnerit mbi 45 hektarë truall dhe formulën e partneritetit publik-privat, – me gjasë do të zbatohet formula që i dha rreth 80 hektarë të Portit të Durrësit projektit me plot dritë-hije “Durrës Yacht & Marina” të Mohamed Alabbar ku Autoriteti Portual Durrës mbajti 33% të aksioneve – por nga qeveria dhe Korporata e Investimeve nuk ka transparencë nëse është arritur ndonjë marrëveshje dhe nëse po, cila është ajo.

Në regjistrat e qeverisë është dhe shembulli i keq i “Marina di Valona”, ku sipërmarrësit Geront Çela iu dha statusi i investitorit strategjik dhe mundësia për të privatizuar 5.75 hektarë të portit të Vlorës përmes ligjit kontrovers “Shqipëria 1 euro”.

Nëse historia e këtyre projekteve përsëritet – dhe gjasat janë që të ndodhë – atëherë kjo nuk është më rastësi, por një strategji që kërkon të zhbëjë përfundimisht kufijtë mes privatit dhe publikes, fitimit dhe përgjegjësisë, kufij shumë larg “begatisë” që Kushner prezantoi në platformën “FII Priority Europe Tirana 2025”, kufij të një praktike korruptive ndikimi për influenca dhe pushtet.

Lexoni gjithashtu:

The post Kushner, Rama, Vuçiç: Trekëndësh interesash në kurriz të publikes appeared first on Citizens.al.

❌