Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e aksidenteve dhe sigurisë në rrugë.
Vetëm gjatë javës së shkuar janë gjobitur 4, 744 për drejtuesit që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, mes tyre, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, shpejtësia mbi normat e lejuara, parakalim i gabuar etj.
32 shoferë janë arrestuar ose do të hetohen në gjendje të lirë.
Ndërkohë në kuadër të këtij operacioni janë bllokuar 53 automjete.
Njoftimi i policisë:
Gjatë javës që kaloi dhe gjatë kësaj fundjave, shërbimet e Policisë Rrugore, me rastin e afrimit të festave të fundvitit dhe shtimit të fluksit të lëvizjes, kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet në të gjitha akset dhe pikat lidhëse të kryeqytetit, me objektivat madhorë, parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë në rrugë.
Si rezultat i pranisë shtesë dhe përdorimit të pajisjeve logjistike bashkëkohore, janë konstatuar shkelje rrugore të rrezikshme, për të cilat janë vënë masat administrative si më poshtë:
Qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara – 1838 masa;
Përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit – 1207 masa;
Mosvendosje e rripit të sigurimit – 722 masa;
Mosvendosje e kaskës mbrojtëse – 653 masa;
Mosrespektim i radhës së qarkullimit – 250 masa;
Parakalim i gabuar – 74 masa.
Më tej, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor:
janë arrestuar/proceduar penalisht 32 shtetas;
janë bllokuar 53 automjete.
Policia Rrugore apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit, si një kontribut i përbashkët dhe tejet i rëndësishëm për garantimin e sigurisë rrugore dhe për mbrojtjen e jetës./e.t
Teksa nuk na ndajnë shumë orë nga protesta e opozitës, duket se autoritetet qeverisëse po ndërmarrin masa për të ruajtur zbukurimet e festave të fundvitit.
Siç shihet nga pamjet, punonjës të Bashkisë së Tiranës, kanë zhvendosur pemën e vitit të ri, bashkë me zbukurime të vendosur para Kryeministrisë, në mënyrë të tillë që të shmanget ndonjë dëmtim i mundshëm nëse ndodh ndonjë incident.
Protesta e opozitës pritet të nisë në orën 18:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit./e.t
Një fëmijë 8-vjeçar është sulmuar nga qen endacakë në shëtitoren “Taulantia” në Durrës.
Fëmija ndodhej me familjarët kur u rrethua nga qentë dhe u kafshua, duke përjetuar momente paniku. Ai mori ndihmë mjekësore, ndërsa familjarët kanë bërë denoncim, pasi ndjehen të pashpresë se situata do të ndryshojë pa ndërhyrë Bashkia.
Prania e përhershme e qenve endacakë në rrugët e qytetit është kthyer në shqetësim për banorët që kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Durrësit për garantimin e shëndetit dhe sigurisë publike./e.t
Nga Eduard Dervishaj (Federata e Futbollit të Mbretërisë së Spanjës, kryetar i komitetit organizator të Kupës së Botës 2030)
Fillimisht ishte radioja. Televizorët në Shqipëri pothuajse nuk ekzistonin dhe transmetimi i drejtpërdrejtë i ndeshjeve ishte një luks i rrallë, jo vetëm në vendin tonë. Radioja mbeti për vite me radhë i vetmi mjet që u mundësonte shqiptarëve, në çdo skaj të vendit, të emocionoheshin, të gëzoheshin dhe të përjetonin sportin e veçanërisht futbollin.
Roli i radios në masivizimin e futbollit në Shqipëri ka qenë i jashtëzakonshëm. Dhe ky rol nuk do të ishte i tillë pa disa zëra të veçantë, të cilët arritën të shndërronin fjalën në ndjesi dhe ndeshjen në rrëfim.
Eduard Dervishaj (Federata e Futbollit të Mbretërisë së Spanjës, kryetar i komitetit organizator të Kupës së Botës 2030)
Kujtoj një radio të vogël të markës “Figaro”. Përmes saj, bashkë me motrën time, ndiqnim rezultatet e Dinamos dhe të Flamurtarit. Të dielave në mbrëmje uleshim pranë radios për të dëgjuar rubrikën sportive e cila kishte një magji të veçantë. Një mbrëmje pranvere më është gdhendur në kujtesë: po ktheheshim nga një shëtitje me prindërit, pranë shtëpisë, duke vrapuar pas xixëllonjave, dhe kishim harruar se ishte ora e rubrikës sportive. Nga një dritare e hapur, valët e radios përhapnin marshin e bukur të Fizkulturistëve, vepër e kompozitorit të shquar Prenk Jakova, muzika që hapte çdo transmetim sportiv. Pamë njëri-tjetrin në sy dhe, pa folur, u kuptuam. Ia mbathëm vrapit për të qenë sa më shpejt pranë radios.
Pas marshit, vinte zëri i radiokronistit. Një zë i kthjellët, i ngrohtë, ftesë e parefuzueshme. I pangatërrueshëm. Ishte zëri i Ismet Bellovës. Ai na e sillte ndeshjen brenda mureve të shtëpisë dhe na krijonte ndjesinë se nuk po e dëgjonim por po e jetonim.
Kujtoj veten të zhytur në kolltuk, me kokën pranë radios, ndërsa zëri i tij përhapej në dhomë:
“Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa është mbushur plot e përplot… mijëra sportdashës kanë zënë vend në tribunat e tyre…”
Dhe më pas, me të njëjtën elegancë rrëfimi: “Është një ditë e bukur; dielli shkëlqen mbi tapetin e blertë… Të dyja skuadrat kanë dalë në fushë me këto formacione… ‘17 Nëntori’ ka zgjedhur portën në drejtim të shtëpive të kryeqytetit… Partizani në drejtim të kodrave të Liqenit Artificial të Tiranës…”
Në atë çast, imagjinata ime merrte udhë. Derbi i kryeqytetit shfaqej para syve të mi mbi një tapet të gjelbër, më i bukur se kurrë. Nuk e di pse, por pas atij komenti Tirana më dukej edhe më madhështore. I përpirë nga ndeshja, ndihesha sikur isha në stadium dhe as nuk e dëgjoja mamanë që më kujtonte detyrat e shkollës.
Me zërin e tij, Bellova u dha ndeshjeve të futbollit dimensionin që ato meritonin. Pak profesionistë kanë ditur ta kthejnë futbollin në rrëfim. Me një stil të veçantë, ku bashkoheshin pasioni, dija dhe respekti për gjuhën, ai nuk transmetonte thjesht ndeshjen, ai e tregonte atë. Ritmi ishte i saktë, fjala e matur, boshti gjithmonë ndeshja. Ai shmangte përroin e fjalëve të tepërta që shpërqendrojnë dëgjuesin.
Në transmetimet e tij nuk kishte vend për huazime të panevojshme. Bellova ishte mjeshtër i shqipes së bukur, i frazës së pastër dhe i artikulimit të qartë.
Ai nuk ishte vetëm radiokronist dhe gazetar; ishte edhe mbrojtës dhe pasurues i gjuhës shqipe.
Këtë rrugë e kishte nisur shumë herët, vetëm 16 vjeç, kur Anton Mazreku, një nga figurat më të ndritura të sportit shqiptar, i dha mundësinë të ulej për pak minuta përpara mikrofonit. Që nga ajo ditë e largët e vitit 1950, për rreth 65 vite, ai nuk u nda kurrë nga radioja dhe nga i njëjti pasion. Mund të thuhet pa hezitim se zëri i tij ka shoqëruar dy breza sportdashësish. Një jetë e tërë kushtuar mikrofonit. Një rast i rrallë në historinë e futbollit shqiptar.
Ismet Bellova nuk ishte vetëm gazetar dhe radiokronist. Ai ishte sportist, mësues i respektuar i edukimit fizik, i nderuar me titullin “Mësues i Popullit”, drejtues institucionesh sportive, autor librash dhe i shumë shkrimeve, reportazheve e analizave në shtypin sportiv.
Dje, zëri i futbollit shqiptar u shua. Por jehona e tij do të jetojë gjatë në kujtesën e atyre që patën fatin ta dëgjonin. Largimi i kësaj embleme të mikrofonit sportiv është një lajm i trishtë, por trashëgimia që ai la pas është frymëzuese dhe e paharrueshme. Detyra jonë është ta kujtojmë. Dhe ta nderojmë.
Lamtumire Profesor!
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë, në lidhje me një protestë të paralajmëruar për mbrëmjen e së hënës, më 22 dhjetor 2025, në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, protesta pritet të nisë në orën 18:00 dhe do të zhvillohet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza, pranë godinës së Kryeministrisë. Protestuesit pritet të mblidhen në këtë zonë, ndërsa autoritetet parashikojnë prani të shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit.
Policia e Shtetit ka paralajmëruar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime edhe në zona të tjera të Tiranës, duke shkaktuar vonesa dhe vështirësi në lëvizje. Për këtë arsye, personeli i Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë zonën e protestës.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve amerikanë të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e forcave të rendit për informacionet më të fundit. Në njoftim theksohet se, edhe pse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet të hënën, më 22 dhjetor 2025, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar policore, bllokime rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit. Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personeli i Ambasadës së SHBA është këshilluar të shmangë protestën. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve vendore të rendit për informacionet më të fundit.
Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Udhëzimi ynë i vazhdueshëm është të shmangen zonat e protestave. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale si prioritet. Forconi masat tuaja të sigurisë duke zbatuar zakonet e mëposhtme:
Veprime për t’u ndërmarrë:
Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin këtë ngjarje
Të jeni të vetëdijshëm për rrethinën tuaj
Të kufizoni shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit ose kufjeve në ambiente publike
Të ndiqni mediat lokale
Të keni gjithmonë një plan emergjence ose strategji daljeje
Të mbani një profil të ulët.”, sqarohet në njoftim./e.t
Konfiskohen me kërkesë të Prokurorisë Vlorë mbi 2 milionë euro pasuri të shtetasit R.Z., i dënuar për penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’. Shtetasit në fjalë, i cili u dënua me 7 vite burg, i janë sekuestruar disa pasuri, apartament, truall, tokë arë, makinë dhe disa pasuri ‘njësi’.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u konfiskuan mbi 2 milionë euro pasuri të shtetasit R.Z. i akuzuar dhe deklaruar fajtor për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 1922, të vitit 2019, u pranua kërkesa e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë, duke vendosur:
– Deklarimin fajtor të të pandehurit R. Z për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, të parashikuar nga neni 287 pikat (a), (b), (c) i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 7 vite burgim;
Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale ulë 1/3 (një të tretën) e masës së dënimit, duke e dënuar përfundimisht të pandehurin R.Z me 4 vjet e 8 muaj;
Konfiskimin e pasurive si më poshtë:
– Pasuri e paluajtshme, e llojit “Njësi”, me nr.54/9-19, me siperfaqe totale prej 70m2, vol.31, fq.87, zona kadastrale 8605, ndodhur në Vlorë, në pronësi të shtetasit R.Z.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Njësi”, me nr.54/9-18, me sipërfaqe totale prej 50m2, VOL.31, fq.86, zona kadastrale me nr.8605, ndodhur në Vlorë, në pronësi të shtetasit R.Z;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Apartament”, me nr.pasurie 49/41 + 1-1, vol.31, faqe 180, me sipërfaqe prej 159m2, ndodhur në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, në pronësi të shtetasit V.Z.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Tokë arë”, me nr.pasurie 105/13, vol.2, fq.19, me sipërfaqe prej 5000m2, zona kadastrale me nr.2838, në bashkëpronësi të shtetasve S.Z, L.Z, E.Z, R.Z, V.Z etj;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Truall”, me nr.pasurie 49/41-T, me sipërfaqe prej 105m2, vol.34, fq. 117, zona kadastrale me nr.8605, ndodhur në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Apartament”, me nr.pasurie 49+41+1-2, me sipërfaqe prej 171m2, vol.31, fq. 191, zona kadastrale nr.8605, lagjja “Kushtrimi”, Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M.;
– Pasuri e paluajtshme e llojit “Bodrum”, me nr.pasurie 49-41-B, sipërfaqe prej 181m2, vol.31, faqe 179, zona kadastrale me nr.8605, lagjja “Kushtrimi”, Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M.;
– Pasuri e paluajtshme “shtesë 4-kate”, ndërtuar mbi bazën e lejes së ndërtimit me nr.2/446 datë 28/09/2011, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M.; dhe
– Automjet i markës BMW, GM730D, në pronësi të shtetasit R.Z./e.t
Pa viza drejt 29 vendeve anëtare të zonës Schengen, kryesisht shtete anëtare të BE-së… Ky lajm kishte ardhur me paralajmërimin se liberalizimi i vizave mund të përkeqësojë trendin e migrimit nga Kosova.
Dhe, gjatë vitit të parë, më 2024, kishte ndodhur pikërisht kjo, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të BE-së, Eurostat.
Trendi, megjithatë, ndryshoi në vitin e dytë të mundësisë së udhëtimit pa viza.
Edhe pse janari i këtij viti shënoi numrin më të lartë të kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian për një fillimvit, trendi ra dukshëm në muajt pasues.
Në disa muaj, ky numër ishte madje më i ulët se në vitet para liberalizimit të vizave.
Në parim, liberalizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 29 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe assesi për punë apo përfitime të tjera.
Në Kosovë kishte shqetësime se shumë të rinj mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të tentuar të gjejnë punë apo për të kërkuar azil.
Edhe pse në të kaluarën kishte një numër dukshëm më të madh të burrave që kërkuan azil në BE, ky dallim pothuajse u zhduk në dy vjetët e fundit.
Këtë vit, përpos rënies së përgjithshme të numrit të azilkërkuesve, vërehet një rënie drastike edhe e numrit të azilkërkuesve nën 14 vjeç.
Ky është një lajm i mirë për kosovarët, pasi që trendi i aplikimeve më të mëdha për azil rrezikon edhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave.
Bashkimi Evropian ka në dorë të ashtuquajturin Mekanizëm të pezullimit të vizave.
Me këtë mekanizëm, një vendi joanëtar të BE-së, si Kosova, mund t’i pezullohet përkohësisht përjashtimi nga vizat, nëse bën keqpërdorime, apo ka rritje të konsiderueshme të migrimit të parregullt.
Për më tepër, këtë muaj, Këshilli i Bashkimit Evropian e përfshiu Kosovën në listën e vende të sigurta të origjinës, në përpjekje për ta përshpejtuar kthimin e migrantëve, duke e bërë më të vështirë për qytetarët nga këto vende të kërkojnë azil në BE./ Marrë nga REL/kb
Drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, një inspektor, si dhe efektivë të rendit në Vlorë, janë përfshirë në një incident. Shkak ka qenë një aksion i përbashkët i Policisë Bashkiake dhe IMT-së për lirimin e hapësirave publike.
Forcat e IMT dhe Policisë Bashkiake janë dhunuar nga katër persona për të mos lejuar lirimin e hapëisrës publike, raporton A2 CNN.
Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Vlorës, ku pas konstatimit të një sherri, efektivët e qarkullimit rrugor ndërhynë për ta shuar atë. Gjatë ndërhyrjes, një nga efektivët është goditur me grushte nga disa persona, duke qenë i detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër për të shpërndarë personat.
Më pas janë njoftuar forcat “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar personat e përfshirë në sherr./kb
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat këtë të hënë, vetëm pak orë përpara protestës kombëtare që pritet të zhvillohet pasditen e sotme përpara godinës së Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij, Berisha ftoi qytetarët t’i bashkohen, por jo vetëm. Edhe liderët e partive të tjera opozitare.
“Këto pak orë që na ndajnë nga protesta që inauguron fillimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të Edi Ramës dhe narkoshtetit të tij, ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, të dalin në sheshin e betejës. Të vijnë në Tiranë. Të bindim çdo shqiptare dhe shqiptar se një mision i madh na pret. Se ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi. Shansi i përmbysjes njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkisin miliarda kombet e tyre, ia mbathin si armiq në vende të tjera. 22 dhjetori është një ditë e shënuar. Është një ditë që fton çdo shqiptar. Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndjehen opozitarë, pavarësisht nga dallimet që kemi, të bashkohemi sot, për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe botës se nuk ka forcë që na ndalon dhe na pengon pa përmbysur regjimin më armiqësor, më të keq që shqiptarët kanë njohur në histori.
Unë kam besim të madh se Tirana po zien, se Shqipëria po zien dhe se protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe. Do të shënojë kthesën drejt fitores të çdo qytetari të këtij vendi për dinjitetin e tij, për familjen e tij, për të ardhmen, por edhe për vendin dhe kombin e tij.”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët lidhur me skenarin e protestës së sotme, kryedemokrati nuk dha detaje por tha se protesta e sotme duhet të shihet si një proces deri në rrëzimin e kryeministrit Rama.
“Së pari, do sqaroj, ky është një proces inaugural, në kuptimin e asaj që ne zbresim në fushë pasi kemi bërë çdo detyrë, pasi kemi faktuar çdo gjë, të betuar që do vazhdojmë luftën tonë gjer në përmbysjen e regjimit. Kjo është. Ne e filluam këtë me foltoren para kryeministrisë. Jo të paktë ishin ata që e përqeshën atë. Gabuan. Ajo kishte një mesazh, se ai shesh do jetë sheshi i lirisë. Vazhduam në parlament, pasi opozitës iu mor çdo hapësirë kushtetuese.Zbresim në shesh pasi Edi Rama përdori Gjykatën Kushtetuese, organin më të lartë, për të firmosur licencën e vjedhjeve të tij dhe qeveritarëve të tij pa u shqetësuar. Dolëm në shesh pasi Edi Rama bllokoi tentativën e fundit të prokurorëve për heqjen e imunitetit. Pra, këtë protestë do ta merrni si një proces, i cili ndalet, edhe njëherë, proces që do jetë një ansambël i tërë, dhe ndalet vetëm me rrëzimin e Edi Ramës ose shuarjen e opozitës.”, tha Berisha.
Partia Demokratike zhvillon sot, më 22 dhjetor, protestën shumë të paralajmëruar kombëtare, përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme, të zhvilluara në formën e një “foltoreje“.
Protesta e sotme vjen pas deklaratave të forta të kreut të PD-së, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi se kjo do të jetë vetëm fillimi i një rezistencemë të gjerë për rrëzimin e qeverisë Rama. Në një komunikim me mbështetësit e tij, Berisha nuk përjashtoi as nisma të tjera paralele, përfshirë akte ekstreme të ngujimit apo edhe qëndrimin e deputetëve në Parlament./kb
Tereza ishte 19 vjeç, kur shkoi si novice (fillestare) në Indi, ku u përball me mjerimin, urinë dhe sëmundjen. Ajo jetoi si murgeshë dhe mësuese në Kalkuta, në urdhërin katolik Loreto, i cili i kushtohej arsimit dhe punës misionare në Indi. Kalkuta ishte e mbipopulluar, shërbimet shtetërore ishin të mbingarkuara dhe sistemi shëndetësor pothuajse inekzistent. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Britania e Madhe, pas rreth 200 vjetësh sundimi kolonial, India përballej me sfida të mëdha. Në vend kishte trazira, mijëra njerëz humbën jetën në incidente të dhunshme.
Në këtë kaos na çon filmi “Tereza – Një jetë mes dritës dhe hijes”, pa zbukurime estetike, në një qytet me zhurma, ngushtësi dhe dyndje njerëzish. Tereza, e lindur në vitin 1910 si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkupin e sotëm, shfaqet aty si një grua, që misionin e saj e kërkon mes rrënojave dhe vështirësive. Gjatë një udhëtimi me tren ajo duhet të ketë përjetuar “vokacionin e saj”: jo për të jetuar më vetëm për Zotin, por në mes të më varfërve ndër të varfërit.
Një grua që rebelohet kundër kishës së saj
Filmi tregon Terezën (të luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme nga Noomi Rapace) jo si një figurë të mbinatyrshme të dritës, por si një grua që përplaset me kishën e saj. Sepse projekti i saj ishte revolucionar: të linte manastirin, të themelonte urdhërin e saj, të zhvendosej në mes të lagjeve të varfëra, të ndihmonte njerëzit e sëmurë dhe ata që po vdisnin – si një murgeshë urdhëri jashtë urdhërit. Kisha e frenoi, sepse dëshira e Terezës nënkuptonte largim nga traditat e vjetra dhe mosbindje. Por ajo mbeti kokëfortë. Vetëm në vitin 1948 Vatikani u dorëzua dhe në vitin 1950 ajo themeloi më në fund urdhërin global të “Misionareve të Bamirësisë”.
I pasur nga ana vizuale, por i kursyer nga ana gjuhësore, i shoqëruar nga kitarat elektrike, filmi tregon lagjet e varfëra të Kalkutës me njerëz të vrarë nga varfëria dhe sëmundjet, botën ideale të shkollës së vajzave, ku nxënëset veshin fustane rozë dhe dhomat spartane të murgeshave në muret e manastirit, ku Tereza drejtonte me autoritet si nënë superiore.
Vanitet apo bamirësi?
Filmi i qaset Terezës në mënyrë kritike, por me respekt, kështu që disa polemika lihen më tepër të nënkuptohen. Në një skenë të qetë ajo pyet veten, nëse angazhimi i saj vjen vërtet nga bamirësia e pastër apo vaniteti, një moment që e lë shkurtimisht mënjanë mitin dhe tregon një Terezë, që pyet veten. Më vonë ajo diskuton me priftin, që drejton manastirin, në lidhje me abortin. Ai i kujton asaj që të mos i gjykojë gratë, por të marrë parasysh arsyet, që i shtyjnë gratë të ndërmarrin këtë hap. Dhe befas lind pyetja: nëse të kuptuarit e tjetrit lejon edhe kundërshtimin ndaj institucionit të kishës, që dënon abortin.
Ana e errët e mitit
Megjithë adhurimin imazhi i Terezës së vërtetë, e shenjtëruar nga Papa Françesku në vitin 2016, ishte plasaritur shumë kohë më parë. Që në të gjallë të saj ajo qe një figurë e diskutueshme. Organizatat e të drejtave të njeriut e akuzonin për mungesën e qetësuesve dhe higjienës në strehimoret e saj dhe se ato ishin më shumë si bujtina sesa spitale. Se ajo merrte qindra miliona dollarë donacione nga burime ndonjëherë të dyshimta, por standardet mjekësore të objekteve të saj ishin të mjera.
Gazetari britanik Christopher Hitchens shprehej: “Ajo donte varfërinë, jo të varfërit”. U pajtua me «vuajtjen si dhuratë nga Zoti» dhe nuk bëri asgjë për t’i dhënë fund vuajtjes. Ajo e barazoi mjerimin e të varfërve me vuajtjen e Krishtit; asaj i atribuohet të ketë thënë: “Është një gjë e bukur të shohësh të varfërit, që pranojnë fatin e tyre dhe ta vuajnë atë si Krishti”.
Tereza qe e ashpër në çështjen e abortit. Në fjalimin e saj në marrjen e çmimit Nobel (1979) ajo e përshkroi abortin si “vrasje” dhe “shkatërruesin më të madh të paqes”. Si rezultat ajo u bë një udhëheqëse morale e lëvizjeve konservatore dhe në të njëjtën kohë objektiv i kritikës feministe, që e akuzoi atë se ia nënshtronte të drejtat e grave idealit të gatishmërisë për të bërë sakrifica.
Megjithatë për regjisoren e filmit, Teona Strugar Mitevska, Tereza kishte tipare feministe: “Ajo ia dha vetes lirinë, për të qenë ajo që ishte, për të arritur qëllimin e saj. Kjo e bën atë për mendimin tim një figurë jashtëzakonisht feministe”, u shpreh Mitevska në një intervistë për revistën kinematografike filmdienst.
Sa feministe ishte Tereza?
Si një grua, që fitoi autoritet në një kishë patriarkale, themeloi një vepër të saj dhe u dëgjua në mbarë botën, Tereza me siguri mund të lexohet si një figurë e fortë femërore. Ajo kundërshtoi direktivat, u largua nga manastiri, drejtoi mijëra murgesha – një formë fuqie për të vepruar, e cila nuk ishte e vetëkuptueshme. Në të njëjtën kohë ajo përfaqësoi një imazh të gruas, që fokusohej te amësia, sakrifica dhe bindja. Puna e saj i dedikohej atyre që vuanin, jo ndryshimit të strukturave. Feministe në kuptimin emancipues vështirë se ishte, por në kuptimin e prezencës dhe lidershipit femëror absolutisht që po.
Në vitet e saj të fundit vuajti nga dyshime të rënda. Letrat dhe shënimet në ditarin e saj, që u botuan në vitin 2007, përmbajnë shumë vetmi dhe pyetjen e përsëritur, nëse Zoti ekziston. Gruaja, që personifikonte shpresën në mbarë botën, shkruante se brenda saj ishte “ftohtësi akulli” dhe se qielli nuk do të thoshte më asgjë për të: “Më duket si një vend bosh”. Ndoshta është kjo ajo që e bën figurën e saj kaq njerëzore.
Përse filmi vjen në kohën e duhur
Debatet për abortin, varfëria, konfliktet fetare, autoriteti femëror në kishë, shumë gjëra janë jashtëzakonisht aktuale. Filmi konfrontohet me pyetjen: A mund të jetë një grua e shenjtë, dhe në të njëjtën kohë politikisht problematike? Ajo tregon Terezën si një personazh me kufizime. Ndoshta këtu qëndron rëndësia e saj sot: jo si një figurë e shenjtë e ndriçuar, por si një figurë që ngre pikëpyetje. Pra ky film, i cili nuk shpjegon asgjë, por vetëm vëzhgon, është ndoshta një arsye e mirë për të folur për Terezën në një mënyrë të re./KM
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e shtunë, në orët e paradites, në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, ku një fëmijë 8-vjeçar është sulmuar nga një kope qensh endacakë, të cilët gjenden në mënyrë të përhershme në këtë zonë dhe në rrugët e qytetit.
Fëmija ndodhej në shëtitore së bashku me familjarët, kur është rrethuar dhe kafshuar nga qentë, duke përjetuar momente paniku. Ai ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa familjarët kanë bërë denoncim pranë autoriteteve, shkruan A2 CNN.
Ngjarja ka tronditur qytetarët dhe ka rikthyer në vëmendje problematikën serioze dhe të përsëritur të qenve endacakë, të cilët shihen çdo ditë në shëtitore, rrugë, lagje dhe pranë institucioneve publike, duke përbërë rrezik të vazhdueshëm për fëmijët dhe kalimtarët.
Të shqetësuar dhe të indinjuar, qytetarët apelojnë për ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Durrësit, duke kërkuar masa konkrete dhe të menjëhershme për garantimin e sigurisë publike./kb
Studime të ndryshme mbi gjumin dhe mirëqenien tregojnë se njerëzit që flenë pa rroba kanë tendencë të përjetojnë nivele më të ulëta stresi dhe një cilësi më të mirë jete. Ekspertët e shëndetit theksojnë se gjumi cilësor është një nga faktorët më të rëndësishëm për balancën mendore dhe fizike, veçanërisht pas ditëve të gjata dhe të ngarkuara.
Fjetja pa rroba ndihmon trupin të rregullojë më mirë temperaturën gjatë natës. Kur trupi nuk mbinxehët, ciklet e gjumit thellohen dhe zgjimi gjatë natës zvogëlohet. Si rezultat, individët ndihen më të pushuar dhe më të qetë në mëngjes, gjë që ndikon drejtpërdrejt në uljen e stresit të përditshëm.
Sipas një ankete të realizuar nga Cotton USA, çiftet që flenë pa rroba raportojnë një ndjenjë më të lartë rehatie dhe afërsie emocionale. Kontakti lëkurë me lëkurë nxit çlirimin e oksitocinës, e njohur si “hormoni i qetësisë”, i cili ndihmon në krijimin e ndjenjës së sigurisë dhe relaksimit. Në të njëjtën kohë, oksitocina ndihmon në uljen e kortizolit, hormonit të stresit.
Specialistët theksojnë se fjetja pa rroba nuk është e domosdoshme për të gjithë, por për ata që ndihen rehat me këtë zakon, përfitimet mund të jenë të dukshme. Një ambient i pastër, çarçafë të rehatshëm dhe rutina e rregullt e gjumit mbeten faktorë po aq të rëndësishëm.
Në fund, sekreti i një jete më të qetë qëndron te gjumi i mirë dhe për disa njerëz, kjo fillon duke fjetur pa rroba./KM
Aktori amerikan James Ransone, i njohur për rolin e tij ikonë si Ziggy Sobotka në serialin e HBO-s The Wire, ka vdekur në moshën 46-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut të Los Angelesit, e cila regjistroi vdekjen e tij si vetëvrasje, duke ndodhur të premten e 19 dhjetorit në Los Angeles. Ransone u gjet i pajetë dhe autoritetet nuk kanë konstatuar ndonjë akt kriminal në lidhje me ngjarjen.
James Ransone u bë i njohur për audiencën e gjerë me portretizimin e Chester “Ziggy” Sobotka, një punëtor porti me probleme, në sezonin e dytë të The Wire në vitin 2003,një nga serialet më të vlerësuara dramatike në historinë e televizionit. Përtej këtij roli, ai pati një karrierë të pasur me paraqitje të shumta në televizion dhe film. Në ekran ai shfaqej edhe në seritë Generation Kill, Treme, Bosch dhe Poker Face, si dhe në filma si Sinister, Tangerine, It: Chapter Two dhe The Black Phone së fundmi.
Gjatë viteve të fundit, Ransone ishte bërë zë i dukshëm në debatet mbi shëndetin mendor dhe shërimin nga trauma, duke folur hapur për përvojat e tij personale me abuzimin seksual në fëmijëri dhe varësitë e mëvonshme, për të cilat pati folur në mënyrë të sinqertë në media.
Lajmi i vdekjes së tij ka shkaktuar një valë reagimesh në mediat sociale dhe mes kolegëve, të cilët e kujtojnë si një aktor të jashtëzakonshëm dhe si një njeri që u përpoq të ndihmonte të tjerët përmes historive të tij personale. Ai la pas bashkëshorten Jamie McPhee dhe dy fëmijë. Pas humbjes tragjike, bashkëshortja ka nisur një fushatë mbledhjeje fondesh në mbështetje të Aleancës Kombëtare për Sëmundjet Mendore (NAMI), duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe ndihmës për çështjet e shëndetit mendor./ KM
Këtë të hënë, më 22 dhjetor, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po zhvillohet seanca e radhës për dosjen “Partizani“, ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre personave të tjerë të akuzuar për të njëjtën çështje.
Sipas mediave, në seancën që po zhvillohet në GJKKO, ka nisur mbrojtja e Berishës, i cili përfaqësohet nga dy avokatët, Klodiana Gjyzari dhe Genc Gjokutaj.
Këta të fundit, pretendojnë se nuk ekzistojnë faktet penale që e ngarkojnë kryetarin e Partisë Demokratike me akuzën e korrupsionit pasiv.
“SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cënuar pluralizmin në Shqipëri,” thotë Klodiana Gjyzari./kb
Demokracia amerikane mbetet funksionale, por po përballet me tensione serioze institucionale. Kështu shprehet gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Samuel Alito, në një intervistë për Corriere della Sera, teksa analizon gjendjen e sistemit kushtetues amerikan në prag të 250-vjetorit të pavarësisë së SHBA-së.
“Institucionet funksionojnë, por është shumë e vështirë të miratohen ligje në Kongres. Kjo i shtyn presidentët të zgjerojnë kompetencat e tyre deri në kufi, ndonjëherë edhe përtej tij, ndërsa gjykatat përfshihen gjithnjë e më shpesh në përplasje me pushtetin ekzekutiv”, deklaron Alito.
Gjykata e Lartë aktualisht ka një supermazhorancë konservatore 6 me 3, e cila ka rishikuar precedentë të rëndësishëm ligjorë mbi abortin, të drejtën për armë, politikat e barazisë racore (affirmative action) dhe lirinë fetare. Sipas sondazheve, rreth gjysma e amerikanëve kanë një opinion negativ për institucionin më të lartë gjyqësor të vendit.
Në një kontekst ku Kongresi shihet si i paralizuar dhe presidentët përdorin gjithnjë e më shumë urdhra ekzekutivë, Alito thekson rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit mes tre pushteteve.
I pyetur për vendimin historik Dobbs, që rrëzoi Roe v. Wade dhe ia riktheu vendimmarrjen mbi abortin shteteve dhe Kongresit, Alito thotë se kritikat ndërkombëtare janë shpesh të pabazuara.
“Në shumë vende evropiane, përfshirë Britaninë dhe Francën, ligjet për abortin miratohen nga parlamentet. Pikërisht këtë parashikon edhe vendimi Dobbs”, shprehet ai, duke pranuar se çështja mbetet thellësisht përçarëse në shoqërinë amerikane.
Alito mohon se bindjet fetare të gjyqtarëve ndikojnë në vendimet e Gjykatës, edhe pse sot gjashtë nga nëntë anëtarët e saj janë katolikë. “Vendimet merren mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit, jo të fesë”, thekson ai.
Gjyqtari amerikan paralajmëron se polarizimi politik ka dobësuar rolin e Kongresit, duke i lënë më shumë hapësirë pushtetit ekzekutiv. Kjo ka sjellë një rritje të ndjeshme të çështjeve urgjente që përfundojnë në Gjykatën e Lartë, përfshirë vendime mbi rishpërndarjen elektorale dhe përdorimin e Gardës Kombëtare.
Duke komentuar vendimin për imunitetin presidencial, Alito thotë se ai nuk përbën kërcënim për Kushtetutën. “Imuniteti nuk vlen vetëm për një president, por për të gjithë. Demokracia funksionon vetëm nëse humbësi i zgjedhjeve e pranon rezultatin dhe dorëzon pushtetin”, shprehet ai.
Alito pranon se Gjykata e Lartë po përballet me një krizë besimi, por paralajmëron se delegjitimimi i saj nga politika dhe media dëmton vetë shtetin e së drejtës./kb
Dy vëllezërit Ndriçim e Fatri Iseberi, janë vetëdorëzuar në polici pas konfliktit të djeshëm në Kukës ku mbetën të plagosur Amarildo Cena e Sadik Kapica.
Njoftimi i policisë:
Policia e Kukësit ka vijuar veprimet hetimore dhe kontrollet për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme dhe për kapjen e 2 autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim.
Si rezultat i kontrolleve të Policisë dhe nga pamundësia për t’u larguar, 2 vëllezërit e shpallur në kërkim për këtë ngjarje, janë vetëdorëzuar.
Në vijim të veprimeve procedurale, pas komunikimit me prokurorin e gatshëm, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasin N. I., 38 vjeç, dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për vëllanë e tij, shtetasin F. I., 39 vjeç, banues në Kodër Lumë.
Këta dy shtetas janë konfliktuar fizikisht me shtetasin S. K., 65 vjeç, për motive të dobëta, dje, në vendin e quajtur “Dëshmorët”. Gjatë konfliktit, shtetasi N. I. e ka goditur me qytën e pistoletës shtetasin S. K., si dhe ka plagosur rëndë nga pakujdesia, shtetasin A. C., 36 vjeç, i cili nuk ishte i përfshirë në konflikt.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit e dyshuar përdorur në ngjarje.
Materialet procedurale shtesë iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës./K.M
Policia e Tiranës ka njoftuar planin e masave, për protestën që pritet të zhvillohet ditën e sotme, para Kryeministrisë.
Kështu, përmes një njoftimi për mediat, bëhet me dije se për të garantuar rendin publik, të drejtat e qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës, janë marrë masa që përfshijnë kufizime të lëvizjes dhe parkimit në disa bulevarde dhe rrugë kryesore të kryeqytetit, si “Dëshmorët e Kombit”.
Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.
Kufizime të lëvizjes në disa akse/segmente rrugore:
-Nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative./kb
Zhvillimi i inteligjencës artificiale (IA) po ndryshon rrënjësisht mënyrën se si punojmë dhe jetojmë. Automatizimi i proceseve, analizimi i të dhënave dhe përdorimi i algoritmeve inteligjente po bëhen pjesë e përditshme e shumë industrive.
Ndërsa disa profesione rrezikojnë të zëvendësohen nga teknologjia, ekspertët theksojnë se IA krijon edhe mundësi të reja punësimi. Profesione të lidhura me programimin, analizën e të dhënave dhe menaxhimin e sistemeve inteligjente janë gjithnjë e më të kërkuara.
Sfida kryesore mbetet përshtatja e fuqisë punëtore me këto ndryshime. Investimi në arsim dhe trajnime teknologjike është thelbësor për të siguruar një tranzicion të suksesshëm drejt së ardhmes digjitale./KM
Odhise Paskali u lind Përmet më 22 dhjetor të vitit 1903. Cilësohet si themeluesi i skulpturës shqiptare dhe një nga personalitetet më të rëndësishme të artit shqiptar.
Nga Leonard Veizi
Ai ishte artisti që bëri historinë shqiptare të fliste përmes gurit dhe bronzit. I lindur në Përmet në vitin 1903, e kapërceu kufirin e thjeshtë të artit për t’u bërë gdhendësi i identitetit kombëtar. Me një aftësi gjeniale për të nxjerrë ‘dritën’ nga minerali i heshtur, Paskali i ktheu ëndrrat dhe gojëdhënat e popullit të tij në monumente të pavdekshme. Ai vërtetoi se arti është mjeti i vetëm që mposht vdekjen, duke e shndërruar historinë tonë në një formë plastike e të lavdishme…
…Odhise Paskali përfaqëson një prej personaliteteve më rrezatuese të kulturës sonë kombëtare, duke u gdhendur në kujtesën historike si pionieri i parë i skulpturës realiste dhe monumentale në Shqipëri. Me një gjenialitet që kapërcente kufijtë e thjeshtë të artit, ai u bë skalitësi i madh i memories sonë kolektive, duke i shndërruar ngjarjet epike dhe figurat më emblematike të vendit në dëshmi të paluajtshme prej guri, mermeri dhe bronzi. Vepra e tij nuk është thjesht një pasqyrim estetik i realitetit, por një simfoni formash që u jep jetë idealeve madhore, duke i kthyer ato në monumente që flasin me gjuhën e përjetësisë. Si i pari mjeshtër që solli frymën e monumentales në hapësirat tona publike, Paskali arriti të krijonte një pasqyrë ku shqiptarët gjetën dinjitetin e tyre, duke e bërë artin një urë lidhëse mes historisë së lavdishme dhe ndërgjegjes së gjallë të kombit.
Nga Shqipëria në Torino
Pasioni i tij për të bukurën nuk mbeti thjesht një instinkt djaloshar. Në vitin 1919, Odhiseja mori rrugën drejt Italisë, vendit ku mermeri kishte mësuar të fliste shekuj më parë. Por, ndryshe nga shumë artistë që mjaftoheshin me teknikën e daltës, Paskali kërkoi diçka më të thellë: mendimin.
Në vitin 1923, pasi kreu Liceun, ai nuk zgjodhi thjesht një akademi arti, por u regjistrua në Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Torino. Ky ishte momenti kur lindi “Skulptori-Filozof”. Në vitin 1927, ai mbrojti diplomën në fushën e Historisë së Artit, duke u armatosur me një dije enciklopedike që do ta bënte atë jo vetëm një krijues formash, por një kritik arti dhe estetik të shquar.
Publicistika dhe filozofia
Përpara se daltë e tij të njihej botërisht, ishte penda e tij ajo që bëri emër. Hapat e parë të karrierës së tij ishin në fushën e publicistikës, ku ai u shqua për mendimin e thellë estetik. Ai besonte se arti nuk duhet të jetë vetëm i bukur, por duhet të ketë një mision social dhe kombëtar. Kjo qasje filozofike bëri që çdo vepër e tij e mëvonshme të mos ishte thjesht një objekt dekorativ, por një mesazh i gdhendur.
600 vepra në bronz dhe gur
Me mbi 600 vepra në karrierën e tij, Odhise Paskali krijoi një panteon të vërtetë të historisë shqiptare. Ai nuk gdhendi vetëm njerëz, ai gdhendi simbole:
-Monumenti i Skënderbeut (Tiranë, 1968): E realizuar me bashkautorë, kjo vepër mbetet pika e rëndimit të kryeqytetit, imazhi zyrtar i heroit që mbron lirinë mbi kalin e tij të hovshëm.
-“Partizani Fitimtar” (Mauthausen, Austri): Një kryevepër që dëshmon forcën e shpirtit shqiptar në një nga vendet më tragjike të Europës, duke treguar se dinjiteti mund të triumfojë edhe mbi vdekjen.
-“Naum Veqilharxhi” (Korçë): Një homazh për dijen dhe gjuhën, ku bronzi merr butësinë e një shpirti iluminist.
-“I Urituri”: Një vepër tronditëse që tregon dhimbjen njerëzore në formën e saj më të zhveshur, duke dëshmuar se Paskali nuk njihte vetëm lavdinë, por edhe vuajtjen e thellë të njeriut.
Trashëgimia e “Skulptorit të Popullit”
Odhise Paskali mbetet “Babai” që i dha skulpturës shqiptare pavarësinë dhe identitetin e saj. Ai na mësoi se si ta shohim historinë tonë jo si një libër të pluhurosur, por si një prani të gjallë në sheshet tona.
Sot, ai nuk kujtohet vetëm si një mjeshtër i formës, por si njeriu që besoi se arti është rruga e vetme ku një popull mund të gjejë pavdekësinë. Ai nuk i dha Shqipërisë thjesht statuja; ai i dha asaj shikimin, atë shikim krenar që shkon përtej kohës, mu si sytë e veprave të tij që vështrojnë të ardhmen.