Shqipëria humb 2-1 ndaj Polonisë, shuhet ëndrra për Botërorin 2026
TIRANË, 26 mars /ATSH/ Shqipëria u mund sot 2-1 nga Polonia në gjysmëfinalen e play-off-it për Kupën e Botës 2026 në stadiumin “PGE Narodowy”, duke mbyllur ëndrrën për një pjesëmarrje historike në finalet e Botërorit në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Ky rezultat i heq kuqezinjve shansin për të marrë një vend historik në finalet e Botërorit.
Golat e ndeshjes erdhën nga Arbër Hoxha në minutën e 42-të për Shqipërinë, Lewandowski në minutën e 63-të për Poloninë, dhe Zielinski në minutën e 74-t, që vulosi fitoren e vendasve.
Trajneri Sylvinho e nisi takimin me Strakoshën në portë, ndërsa mbrojtja përbëhej nga Mitaj, Gjimshiti, Ajeti dhe Hysaj. Në mesfushë aktivizoheshin Asllani, Shehu, Laçi dhe Bajrami, ndërsa në sulm luanin Hoxha dhe Uzuni. Nga ana tjetër, Polonia e drejtuar nga Jan Urban, aktivizoi Grabaran në portë, me Kiwior, Bednarek dhe Kedziora në mbrojtje, Skoras, Zielinski, Szymański dhe Cash në mesfushë, dhe Kaminski, Lewandowski dhe Rogza në sulm. Ndeshja u gjykua nga arbitri anglez Anthony Taylor.
Polonia e nisi sfidën me rrezikshmëri, por Shqipëria mbrojti me kujdes. Në minutën e 2, një aksion nga e djathta u ndal nga ndërhyrja e saktë e Juljan Shehut, ndërsa në minutën e 5, Lewandowski iu afrua golit, por goditja e tij devijohet dhe Polonia fiton këndore. Në minutën e 8, Bednarek provon me kokë, por Hysaj largon mbi vijën fatale, duke ruajtur portën e Strakoshës të paprekur.
Në minutën e 17-të Shqipëria bëri një zëvendësim të detyruar, pasi Ajeti u dëmtua dhe vendin e tij e zuri Ismajli. Në minutën e 27, Laçi rrëmben një top pranë zonës dhe provon me një gjuajtje të fortë, por topi përfundon në duart e portierit polak.
Momenti vendimtar i pjesës së parë erdhi në minutën e 42-të, kur Arbër Hoxha përfitoi nga një gafë në prapavijën polake dhe shënoi, duke dhënë avantazhin 0-1 për Shqipërinë. Pjesa e parë përfundoi me kuqezinjtë në epërsi.
Në minutën e 49-të, Zielinski provon një gjuajtje të rrezikshme, por topi kalon ngjitur me shtyllën, duke shkaktuar drithërima në portën shqiptare. Në minutën e 53-të, Hoxha shpërdoron një mundësi të artë pas një kundërsulmi të shpejtë, ndërsa një minutë më pas, Bajrami humb një rast të pastër shënimi, pasi gjuan mbi portë, pas pasimit të marrë nga Hysaj.
Polonia reagoi me Lewandowskin, dhe në minutën e 63-të barazon shifrat 1-1 pas një goditjeje këndi, ku sulmuesi e dërgon topin me kokë në rrjetë.
Shqipëria bën dy zëvendësime në minutën e 67-të, largohen Hoxha dhe Nedim Bajrami, ndërsa në fushë futen Broja dhe Stavro Pilo. Në minutën e 72-të, një tjetër mundësi e artë për kuqezinjtë shpërdorohet, pasi Broja asiston për Pilo, por tentativa e tij ndalet nga portieri polak.
Në minutën e 74-t, Polonia kalon në avantazh me një supergol të Zielinskit, duke tronditur Kombëtaren shqiptare dhe duke vulosur fitoren 2-1 të vendasve.
Shqipëria përkundër rasteve të shumta të krijuara dhe mbështetjes së zjarrtë të mbi 3 mijë tifozëve në stadium, nuk arriti të ruajë avantazhin dhe humbi shansin për të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026.
Kjo humbje lë një shije të hidhur për lojtarët dhe tifozët shqiptarë, por mbetet një kapitull historik për Kombëtaren kuqezi, e cila për herë të parë arriti në gjysmëfinale të play-off-it të Botërorit.
/gj.m/r.e/a.f/
The post Shqipëria humb 2-1 ndaj Polonisë, shuhet ëndrra për Botërorin 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.