Normal view

Received — 18 March 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJKKO kalon për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi

18 March 2026 at 12:10

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kaloi sot për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi dhe tre të pandehurve të tjerë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar në vitin 2025 hetimet për dosjen CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit.

Meta dhe Kryemadhi janë hetuar nga SPAK për tri vepra penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike”.

Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.

Mbrojtja kishte kërkuar pushimin e çështjes ose në alternativë rikthimin e saj për hetim të mëtejshëm.

Ish-presidenti ndodhet në burg që prej tetorit 2024, për dosjen CEZ/DIA dhe lobimin në SHBA.

/m.m/j.p/

The post GJKKO kalon për gjykim dosjen Meta-Kryemadhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 28 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Matteo Salvini në qendër të debateve në rrjetet sociale pas deklaratës për Ermal Metën

28 February 2026 at 08:22

ROMË, 28 shkurt /ATSH/- Ministri italian i Infrastrukturës dhe lideri i “Lega”, Matteo Salvini, ka nxitur një valë debatesh në rrjetet sociale, pas një deklarate për këngëtarin me origjinë shqiptare Ermal Meta, sipas “La Repubblica”.

Në një reagim publik, Salvini shkroi:”I bëj komplimentet e mia Ermal Metës për përdorimin e tij të përsosur të gjuhës italiane. Në Itali jetojnë dhe punojnë miliona gra dhe burra të lindur në një vend të huaj dhe të integruar plotësisht në shoqërinë tonë; për mua ata janë të çmuar dhe të mirëpritur”.

Deklarata, që synonte të ishte një kompliment për artistin, u interpretua nga shumë përdorues të rrjeteve sociale si një “gaf”, duke qenë se Meta jeton në Itali prej rreth 30 vitesh.

Këngëtari u transferua në Bari me nënën dhe motrën e tij – kur ishte vetëm 13 vjeç dhe prej atëherë ka ndërtuar karrierën e tij në skenën muzikore italiane.

Sipas komenteve në rrjetet sociale, theksohej se “përdorimi perfekt i gjuhës italiane” për një artist që kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës në Itali tingëllonte i panevojshëm dhe paternalist.

Ermal Meta, një nga emrat më të njohur të muzikës italiane në vitet e fundit, nuk ka reaguar drejtpërdrejt ndaj deklaratës, ndërsa debati mbi integrimin dhe gjuhën vijon të mbetet temë e ndjeshme në diskursin politik italian. //a.i/

The post Matteo Salvini në qendër të debateve në rrjetet sociale pas deklaratës për Ermal Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 February 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SANREMO 2026 – Ermal Meta me një këngë për fëmijët e Gazës

9 February 2026 at 21:39

ROMË, 9 shkurt /ATSH/ – I magjepsur nga shikimi i një vajze të vogël nga Gaza dhe i frymëzuar nga një ninullë për vajzën e tij, Ermal Meta kthehet në Sanremo me “Stella stellina”, kënga e vetme në buqetën e larmishme të Sanremos 2026 që trajton temën e luftës, sipas editorialedomani.it, që i referohet ANSA-s.

Kënga tregon historinë e një vajze të vogël të vrarë në një bombardim në Rripin e Gazës.

Kjo është paraqitja e shtatë e multiinstrumentalistit në teatrin ”Ariston”.

Por, është debutimi i tij si baba.

“Kthimi pas pesë vitesh është shumë emocional. Kënga që po sjell rrit peshën time emocionale. Mendoj se Sanremo im i parë si baba ndryshon diçka. Sikur të kisha një shkallë më të madhe përgjegjësie”, tha këngëtari gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e albumit të tij të ri “Funzioni Vitali”.

Fjala “Gaza” mungon në tekstin e këngës së Sanremos.

Por, ka referenca të shumta për popullin palestinez.

”Kënga është për një vajzë të vogël nga Gaza. Një vajzë e vogël pa emër që i përket një populli pa zë”, shpjegon Ermali.

Kënga u bë menjëherë. Vetëm në 15 minuta.

“Vajzës sime të vogël i pëlqen shumë muzika. Isha pranë saj, duke luajtur kitarë. Shpesh shpik vjersha për fëmijë. Disa orë më parë, kisha parë një video në Instagram me disa imazhe të fuqishme. Vështrimi i një vajze të vogël nga Gaza më goditi vërtet, më fiksoi. Pasi vajza ime ra në gjumë, shkrova këngën. Ende kisha shikimin e asaj vajze të vogël në sy”, thotë ai.

”Është koha të flasim edhe për fëmijët e të tjerëve, duhet të zgjerojmë pak horizontet tona”, thotë artisti 44-vjeçar.

”Një histori që përqafon jo vetëm popullin palestinez, por mund të degëzohet dhe të tregojë tragjedi të tjera në mbarë botën… Detyra e një këngëtari dhe kompozitori është të shprehë atë që ndjen pa e filtruar atë. Kur e nxjerr veten atje, jam gati të bëj gjithçka për të mbrojtur atë në të cilën besoj”, përgjigjet ai.

Para festivalit, 30 emrat e mëdhenj do të priten, së bashku me Carlo Conti dhe Laura Pausini, në pallatin ”Quirinale” nga presidenti italian, Sergio Mattarella.

”Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që e takoj, sepse vitet e fundit ai ka qenë një figurë qendrore në imazhin e Italisë jashtë vendit. Ai i ka dhënë Italisë një dinjitet dhe një shtyllë kurrizore që figurat e tjera politike nuk kanë arritur ta ofrojnë”, thotë Ermali./ a.jor.

The post SANREMO 2026 – Ermal Meta me një këngë për fëmijët e Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE paralajmëron Meta-n se duhet të hapë WhatsApp-in për chatbot-et rivalë të inteligjencës artificiale

9 February 2026 at 11:54

BRUKSEL, 9 shkurt /ATSH/- Ekzekutivi i BE-së i bëri thirrje sot Meta-s t’u japë akses chatbot-eve rivale në WhatsApp, pasi një hetim antitrust zbuloi se gjigandi amerikan kishte shkelur rregullat e konkurrencës së bllokut, sipas “New Straits Times”.

Komisioni Evropian tha se një ndryshim në kushtet e Meta-s, i kishte ndaluar asistentët e inteligjencës artificiale të palëve të treta të lidheshin me klientët përmes platformës së mesazheve që nga janari.

Shefja e BE-së për Konkurrencën, Teresa Ribera, tha se BE-ja po shqyrtonte vendosjen e shpejtë të masave të përkohshme ndaj Meta-s, për të ruajtur aksesin e konkurrentëve në WhatsApp ndërsa hetimi është në vazhdim, dhe për të shmangur dëmtimin e pakthyeshëm të konkurrencës në Evropë nga politika e re e Meta-s.

Ekzekutivi i BE-së, i cili është përgjegjës për politikën e konkurrencës, i dërgoi Meta-s një paralajmërim të njohur si një “deklaratë kundërshtimesh”, një hap formal në hetimet antitrust.

“Meta” tani ka një shans për t’u përgjigjur dhe për të mbrojtur veten. Hapi i sotëm nuk paragjykon rezultatin e hetimit”, tha komisioni.

Gjigandi i teknologjisë hodhi poshtë gjetjet paraprake të komisionit.

“Faktet janë se nuk ka arsye që BE të ndërhyjë”, tha një zëdhënës i Meta-s.

“Ka shumë opsione të IA-së dhe njerëzit mund t’i përdorin ato nga app stores, sistemet operative, pajisjet, faqet e internetit dhe partneritetet e industrisë. Logjika e komisionit supozon gabimisht se WhatsApp Business API është një kanal kyç shpërndarjeje për këto chatbot-e”, tha zëdhënësi.

I hapur në dhjetor, hetimi i BE-së shënon përpjekjen e fundit nga blloku 27-vendesh për të frenuar Big Tech, shumë prej të cilëve janë të vendosura në SHBA, përballë kundërshtimit të fortë nga qeveria e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Hetimi mbulon Zonën Ekonomike Evropiane (EEA), të përbërë nga 27 shtetet e bllokut, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia – me përjashtim të Italisë, e cila hapi një hetim të veçantë ndaj Meta-s në korrik. //a.i/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

The post BRUKSEL – BE paralajmëron Meta-n se duhet të hapë WhatsApp-in për chatbot-et rivalë të inteligjencës artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ermal Meta me këngën “Stella stellina” në Sanremo 2026

15 January 2026 at 13:29

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Kantautori shqiptar Ermal Meta do të jetë një nga pjesëmarrësit në festivalin e sivjetshëm të Sanremo-s.

Në një videomesazh të publikuar nga organizatorët e festivalit, Ermali tregon se kënga që do të këndojë titullohet “Stella stellina”.

“Është një këngë që flet për qëndresë dhe shpresë dhe flet për një vogëlushe. Për të menduar se është kënga e duhur, me nxiti mënyra se si u ndjeva kur e shkrova, sepse në fund të fundit, ajo skenë shpërfaq të gjitha emocionet që lidhen me këngën, veçanërisht kur janë te vërteta, madje edhe kur djegin”, rrëfen kantautori.

Ermal Meta ka konkurruar disa herë në Festivalin e Sanremo-s, duke marrë vlerësime nga kritika dhe publiku. Ai fitoi në vitin 2018, së bashku me Fabrizio Moro me këngën “Non mi avete fatto niente”, u rendit i treti në vitin 2017 me “Vietato morire” dhe i treti në vitin 2021 me “Un milione di cose da dirti”. Ermal Meta gjithashtu konkurroi në Kategorinë e të Rinjve në vitin 2016, me “Odio le favole”.

Ermal Meta përfaqësoi Italinë së bashku me Fabrizio Moro-n edhe në Eurovizionin e vitit 2018, në Lisbonë, ku u klasifikuan të pestët. /j.p/

The post Ermal Meta me këngën “Stella stellina” në Sanremo 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Avokati Cakrani: Ilir Meta, zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme

14 January 2026 at 13:18

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Mbrojtësit ligjorë të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, deklaruan sot në një konferencë për mediet, se Meta po mbahet në paraburgim, duke tejkaluar çdo standard ligjor, kushtetues dhe human.

Avokati Kujtim Cakrani theksoi se hetimet ndaj Metës kanë përfunduar më 4 gusht 2025, ndërsa që prej 28 gushtit 2025 çështja ndodhet në seancë paraprake.

“Kjo do të thotë që një seancë e tillë ligjërisht duhet të përfundojë brenda një muaji dhe pastaj çështja ose duhet të pushohet, ose të kthehet në hetim ose duhet të kalojë në gjykim themeli”, sqaroi ai.

Sipas avokatit, kanë kaluar mbi katër muaj e gjysmë pa nisur shqyrtimi paraprak, duke e cilësuar këtë si shkelje të rëndë të Kodit të Procedurës Penale dhe të Kushtetutës.

“Kjo e ka rënduar pozitën e kësaj drejtësie që është kthyer në një drejtësi inkuzitore”, tha ai.

Cakrani theksoi se kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, por përsëri gjyqtarja Irena Gjoka, e cila sipas tij është e “shantazhueshme”, nuk e pranoi kërkesën dhe e ka rrëzuar.

Avokati shtoi se ndaj Metës ka pasur sulme të vazhdueshme politike dhe personale.

“Ai është tashmë në izolim total, izolim i paprecedentë. Presidentit të Partisë së Lirisë, numrit dy të opozitës, nuk i jepet mundësia të komunikojë me qytetarët, kolegët, bashkëpunëtorët e ata që duhet të komunikojë”, tha ai.

Sa i përket pasurisë së Ilir Metës, Cakrani mohoi akuzat për përfitime të paligjshme, duke deklaruar se analizat financiare të kryera nga mbrojtja tregojnë se Meta nuk ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme.

Cakrani tha se nga viti 1995 deri në vitin 2023, të ardhurat e Metës nga funksionet publike kanë qenë rreth 87.5 milionë lekë, ndërsa shpenzimet e deklaruara janë ndjeshëm më të ulëta, duke pretenduar se kursimet e tij kanë qenë të justifikuara dhe të ligjshme.

“Pasuria e Metës, është zero, qoftë e luajtshme, qoftë e paluajtshme, sepse ka punuar me dinjitet, ka punuar me pastërti. Prokuroria e ka nisur analizën në vitin 2002, thua se Meta para 2002-shit nuk ka ekzistuar. Ne kemi bërë analizën financiare, të ardhurat dhe shpenzimet normale prej 1995-2023. Në 1995 ne disponojmë dokumentacionin  e vënë në dispozicion nga Kuvendi. Kjo është arsyeja pse e kemi nisur në 1995. Meta aktivitetin politik e ka nisur në 1992″, tha Cakrani.

“Prej 1995 deri në 2023, të gjitha të ardhurat e Metës nga puna si deputet, si ministër, si zv.kryeministër, si kryeministër, si kryetar kuvendi dhe në fund president i Republikës, kanë qenë 87,385,031 lekë. Ndërkohë që shpenzimet e tij, janë në shumën 39,448,575 lekë. Meta ka në bilancin e tij 530, 146 lekë. I ka pasur këto kursime. Nuk i ka më edhe këto kursime sepse ka pasur shpenzime”, vijoi avokati.

“Akuza e prokurorisë është se Meta paska fituar 200 mijë euro nuk e di ku e ka shpikur organi i procedurës këtë, për të fshehur veprimet arbitrare që ka bërë. Shpenzimet dhe të ardhurat janë tashmë publike dhe ne prandaj e kemi thënë gjithmonë: nuk ka as pasuri të luajtshme dhe as të paluajtshme Meta”, tha Cakrani.

/m.q/j.p/

The post Avokati Cakrani: Ilir Meta, zero pasuri të luajtshme apo të paluajtshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Meta” mbyll 540,000 llogari pas ndalimit të medieve sociale në Australi

12 January 2026 at 15:04

SIDNEJ, 12 janar /ATSH-DPA/- “Meta” ka çaktivizuar më shumë se gjysmë milioni llogari në Australi – si rezultat i ndalimit të medieve sociale për personat nën 16 vjeç, njoftoi sot kompania.

“Meta” tha se midis 4 dhe 11 dhjetorit kishte mbyllur 544,052 llogari që besonte se mbaheshin nga përdorues nën moshën 16 vjeç.

Kjo përfshinte 330,639 llogari në “Instagram”, 173,497 në “Facebook” dhe 39,916 në “Threads”.

Sipas ligjit të ri, i cili hyri në fuqi më 10 dhjetor, personave nën 16 vjeç nuk u lejohet më të kenë llogaritë e tyre në 10 platforma kryesore të mediave sociale, duke përfshirë “TikTok”, “Snapchat”, “Reddit” dhe “YouTube”.

Kompanive të prekura iu dha një vit kohë për të futur masa për verifikimin e moshës, dhe shkeljet do të rezultojnë në gjoba të rënda deri në 49,5 milionë dollarë australianë (33 milionë dollarë amerikanë).

“Meta” është e përkushtuar të përmbushë detyrimet e saj të pajtueshmërisë dhe po ndërmerr hapat e nevojshëm për të qënë në përputhje me ligjin”, tha kompania.

“Meta” i kërkoi qeverisë australiane të angazhohej në mënyrë konstruktive me industrinë, për të gjetur një mënyrë më të mirë përpara, siç është nxitja e të industrisë për të rritur standardin në ofrimin e përvojave të sigurta, që ruajnë privatësinë dhe që janë të përshtatshme për moshën në internet, në vend të ndalimeve të përgjithshme.

“Kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar mbrojtje të qëndrueshme në të gjithë industrinë për të rinjtë, pavarësisht se cilat aplikacione përdorin, dhe për të shmangur efektin e paparashikueshëm të aplikacioneve të reja në të cilat adoleshentët do të migrojnë për të anashkaluar ligjin e ndalimit të mediave sociale”, tha “Meta”. //a.i/

The post “Meta” mbyll 540,000 llogari pas ndalimit të medieve sociale në Australi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 January 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) rrëzoi sot kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për lirimin nga qelia.

Meta kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë në një masë më të lehtë, me argumentimin se nuk përbën rrezik për prishjen e provave, intimidimin e dëshmitarëve apo të largohet nga vendi. Por gjyqtari Erion Çela vendosi të lërë në fuqi masën “arrest me burg”.

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani tha se nuk kishte asnjë bazë ligjore për rrëzimin e kërkesës.

“Mbeti gjykatë e kapur peng, mbeti gjyqtare-notere e prokurorisë. Ne do vazhdojmë betejën tonë, do kërkojmë zëvendësimin. Do e kërkojmë atë pasi jemi në të drejtën tonë procedurale. Nuk mund të mbahet në paraburgim një president për shkaqe që nuk varen nga ai. Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata.

“Mendova se vit i ri dhe gjykata do kishte reflektuar, me gjithë problematikat që ka shfaqur vitin e kaluar dhe menduam që ta niste vitin mbarë duke i dhënë një të drejtë procedurale, ligjore, që presidenti të vazhdonte hetimin ose gjykimin në një masë tjetër sigurimi që ne ia lamë në dëshirën e gjykatës”, tha ai.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka  përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në tre raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/r.e/a.f/

The post GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 December 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“21 Janari”, Ilir Meta dëshmon në SPAK

18 December 2025 at 14:43

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u mor sot në pyetje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me hetimet që po kryhen për dosjen e 21 janarit.

Meta u shoqërua në SPAK nga forcat e policisë dhe mor në pyetje për rreth 2 orë e 30 minuta, si person që ka dijeni në lidhje me çështjen. Pas dëshmisë së dhënë u largua nga ambientet e SPAK drejt paraburgimit.

Dëshmia e Metës erdhi pas kërkesës së tij që të pyetej në lidhje me 21 janarin, dosje që po hetohet prokurori Alfred Shehu.

Protesta e 21 Janarit, ku 4 protestues para Kryeministrisë, ndodhi pas publikimit të një video mes zëevdnëskryeministrit Ilir Meta dhe Dritan Priftit, në të cilën flitej për një aferë korruptive.

Në lidhje me hetimet për 21 janarin janë marrë në pyetje më herët edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Bamir Topi si dhe ish-ministri i Brendshëm asokohe, Lulzim Basha.

Në 21 janar të vitit 2011 gjatë protestës që u zhvillua përpara Kryeministrisë u vranë katër qytetarë: Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedaj.

Në 14 nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut doli në përfundimin se 21 Janari ishte krim shtetëror dhe duhej të hetohej si i tillë nga drejtësia shqiptare.

Në korrik 2024, Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin.

Hetimet për 21 Janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, që prej më shumë se një dekadë kërkojnë drejtësi për vrasjen e djalit të tyre, ndërkohë që është e vetmja vrasje pa autor në atë ngjarje.

/m.q/j.p/

The post “21 Janari”, Ilir Meta dëshmon në SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

AUSTRALI – Meta heq llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç

30 November 2025 at 16:55

SIDNEJ, 30 nēntor /ATSH-ANSA/- Kompania Meta ka filluar të paralajmërojë qindra mijëra adoleshentë australianë: në ditët në vijim, llogaritë në Instagram, Facebook dhe Threads që u përkasin përdoruesve nën 16 vjeç do të hiqen, përpara ndalimit zyrtar, të planifikuar për 10 dhjetor.

Që nga 4 dhjetori, platforma ka filluar të mbyllë profilet e të miturve nën 16 vjeç dhe të bllokojë regjistrimet e reja, në një garë me kohën që përfshin të paktën 350 milionë përdorues të Instagram dhe 150 milionë përdorues të Facebook.

Paralajmërimet po vijnë nëpërmjet email-it, SMS-ve dhe njoftimeve brenda aplikacionit, me një mesazh të qartë: “Për shkak të rregulloreve australiane, përdoruesit kanë dy javë kohë për të kopjuar ose fshirë datën e tyre””.

Meta po i inkurajon të miturit të ruajnë postimet dhe bisedat dhe të lënë një informacion kontakti për të riaktivizuar një llogari pasi të mbushin 16 vjeç.  /os/

The post AUSTRALI – Meta heq llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 November 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Apeli i GJKKO lë në fuqi masën arrest me burg për Ilir Metën

14 November 2025 at 10:07

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la sot në fuqi masën “arrest me burg” ndaj presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar më 22 tetor të vitit të kaluar.

Apeli i GJKKO, me trupë gjykuese monokratike të kryesuar nga gjyqtarja Saida Dollani, la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për mosshuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Apeli i GJKKO lë në fuqi masën arrest me burg për Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEKNOLOGJI – Meta u jep prindërve më shumë kontroll mbi ndërveprimet e adoleshentëve me IA-në

18 October 2025 at 19:02

LONDËR, 18 tetor /ATSH/- Meta po shton kontrolle prindërore për ndërveprimet e fëmijëve me chatbot-ët e inteligjencës artificiale (IA), duke përfshirë mundësinë për të fikur plotësisht bisedat individuale me personazhe të IA-së, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm, sipas “Euronews”

Megjithatë, prindërit nuk do të jenë në gjendje të çaktivizojnë asistentin e IA-së të Metës, i cili, sipas kompanisë, “do të mbetet i disponueshëm për të ofruar informacion të dobishëm dhe mundësi edukative, me mbrojtje të përshtatura për moshën e adoleshentëve.”

Prindërit që nuk duan të fiknin të gjitha bisedat me të gjithë chatbot-ët do të kenë gjithashtu mundësi të bllokojnë vetëm disa prej tyre.

Meta njoftoi sot se prindërit do të mund të marrin “përmbledhje” mbi atë se për çfarë fëmijët e tyre po bisedojnë me personazhet e IA-së ,megjithëse ata nuk do të kenë qasje në përmbajtjen e plotë të bisedave.

Këto ndryshime vijnë ndërsa gjiganti i mediave sociale përballet me kritika të vazhdueshme për dëmet që platformat e tij mund t’u shkaktojnë fëmijëve.

Chatbot-ët me IA janë gjithashtu nën vëzhgim për mënyrën si ndërveprojnë me fëmijët, pasi disa padi pretendojnë se këto ndërveprime kanë çuar disa të rinj drejt vetëvrasjes.

Megjithatë, më shumë se 70 për qind e adoleshentëve kanë përdorur shokë virtualë të bazuar në IA dhe gjysma i përdorin rregullisht, sipas një studimi të fundit nga organizata jofitimprurëse “Common Sense Media”, e cila promovon përdorimin e arsyeshëm të ekraneve dhe mediave dixhitale.

Meta njoftoi se llogaritë e adoleshentëve në Instagram do të kufizohen automatikisht në përmbajtje të nivelit ”PG-13” dhe nuk do të mund të ndryshojnë këto cilësime pa lejen e prindërve.

Kjo do të thotë se fëmijët që përdorin llogari për adoleshentë do të shohin foto dhe video në Instagram të ngjashme me ato që do të shihnin në një film me vlerësim “PG-13” — pa seks, drogë apo skena të rrezikshme.

Meta tha se këto kufizime “PG-13” do të zbatohen gjithashtu edhe për bisedat me IA-në. /A.Ab./

 

The post TEKNOLOGJI – Meta u jep prindërve më shumë kontroll mbi ndërveprimet e adoleshentëve me IA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 1 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

MADRID – Më shumë se 80 media spanjolle padisin Meta-n

1 October 2025 at 14:55

MADRID, 1 tetor /ATSH-AFP/ – Më shumë se 80 media spanjolle po padisin kompaninë Meta, pronaren e Facebook dhe Instagram, për rreth 550 milionë euro për dëmet e shkaktuara nga modeli i saj i reklamimit.

Ky gjyq i shumëpritur filloi sot në mëngjes në Madrid.

Seanca dëgjimore filloi në orën 10:00, në një gjykatë administrative në kryeqytetin spanjoll dhe pritet të zgjasë deri të enjten.

Shoqata e Medias së Lajmeve (AMI), shoqata kryesore e industrisë mediatike në Spanjë, ngriti një padi në dhjetor 2023 kundër Meta Ireland, ku gjiganti amerikan i teknologjisë ka selinë evropiane.

Ajo kërkon 551 milionë euro për konkurrencë të padrejtë në shitjen e reklamave digjitale.

“Ajo që është në rrezik këtu është mbijetesa e medias së lajmeve e kërcënuar nga sjellja grabitqare e një platforme si Meta, e cila vepron pa respektuar kuadrin tonë legjislativ”, theksoi Irene Lanzaco, drejtoresha ekzekutive e shoqatës para se të fillonte seanca dëgjimore.

“Ajo që bëri Meta ishte kryerja e profilizimit masiv të sjelljes së të gjithë përdoruesve të internetit dhe duke u bazuar në këtë profilizim masiv, pa i informuar ata ose pa marrë pëlqimin e tyre, grupi dyshohet se shiti reklama të segmentuara, duke gjeneruar kështu fitime të mëdha nga një veprim i paligjshëm nga një perspektivë rregullatore”, këmbënguli ajo.

AMI akuzon Metën për shkelje të rregulloreve evropiane të mbrojtjes së të dhënave midis majit 2018 dhe korrikut 2023, duke përdorur të dhënat e përdoruesve të internetit pa pëlqimin e tyre për të krijuar profile individuale të reklamave.

Përveç AMI, stacionet radiotelevizive spanjolle ngritën një padi tjetër kundër Meta-s për të njëjtat arsye, duke kërkuar 160 milionë euro dëmshpërblim.

Në Francë, afërsisht 200 grupe mediatike franceze, përfshirë gazetat dhe kanalet kryesore televizive, ngritën një padi të ngjashme kundër Meta-s, prillin e kaluar./   /os/

The post MADRID – Më shumë se 80 media spanjolle padisin Meta-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJKKO rrëzon ankimimin, lë në arrest me burg Ilir Metën

19 September 2025 at 17:44

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi arrestin me burg për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili kishte kërkuar revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Vendimi u mor sot nga Apeli i GJKKO me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka.

Sipas njoftimit për mediet të GJKKO-së, kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda pesë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/e.i/j.p/

The post GJKKO rrëzon ankimimin, lë në arrest me burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Apeli i GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën

8 September 2025 at 11:54

TIRANË, 8 shtator /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi arrestin me burg për presidentin e Partisë së Lirisë Ilir Meta, i cili kishte ankimuar vendimin duke kërkuar lirimin nga qelia.

Vendimi u mor sot nga Apeli i GJKKO me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Igerta Hysi.

Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

Në një prononcim për mediet avokati Kujtim Cakrani tha se do të vazhdojë me kërkesën për zëvendësimin e masës.

Ai ngriti akuza edhe ndaj gjyqtarëve që sipas tij nuk u ngritën në lartësinë e detyrës së tyre.

“Këta janë gjyqtarë të varur nga opinioni publik”, tha Cakrani.

“Meta nuk është thjesht një ish-president. Është kryetari i Partisë së Lirisë, është numri dy i opozitës dhe do ketë grupin parlamentar në Kuvend”, shtoi ai.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka  përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen ndaj Ilir Metës.

Sipas SPAK, Meta akuzohet “për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë” në 3 raste, dy prej të cilave të kryera në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

/m.q/j.p/

The post Apeli i GJKKO lë në arrest me burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 27 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Blushi: Zero prova kundër Metës, gjykata palë me SPAK-un

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi tha sot se presidenti i PL-së Ilir Meta prej 10 muajsh po mbahet në burg pa asnjë fakt penal.

Duke e konsideruar izolimin e Metës si “politik”, Blushi tha edhe gjykata është bërë palë me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, prej 10 muajsh, ndodhet në burg jo për shkak të ligjit, por të politizimit ekstrem të SPAK-ut dhe shantazhit institucional që Prokuroria e Posaçme ushtron mbi gjykatat speciale, përmes përgjimit permanent të gjyqtarëve dhe familjarëve, duke cenuar në mënyrë flagrante pavarësinë e tyre në vendimmarrje”, u shpreh Blushi.

Sipas Blushit, gjatë kohës që Meta është mbajtur i burgosur “nuk është zbuluar dhe paraqitur asnjë provë reale ligjore që të vërtetojë ndonjë veprim të paligjshëm të Meta”.

Deputeti i zgjedhur i PL-së nënvizoi se “alibia e “dëshmitarëve të paqëndrueshëm” kundër Ilir Metës nuk provon gjë tjetër veçse ata janë pengje të SPAK-ut”.

“Ilir Meta, pa pushtet ekzekutiv, pa asnjë instrument presioni dhe pa mandat deputeti nuk ka asnjë fuqi intimiduese ndaj kërrkujt. Ndaj gjykata për rastin e Metës duhet të argumentonte për çfarë dëshmitarësh bëhet fjalë”, tha Blushi.

Blushi shtoi se “nuk ka asnjë dëshmitar, që të jetë i PL, jo se jo, që e fajëson Ilir Metën apo që e bën përgjegjës në raport me ligjin”.

“Presioni ndaj gjyqtarit nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga SPAK, afërmendsh që do prodhojë bërjen palë të tij me SPAK në këtë proces, duke riprodhuar po afërmendsh të njëjtën alibi për “provat e gjalla të paqëndrueshme”, që më pas kthehet në “argument” ligjor për të mbajtur Ilir Metën në paraburgim politik”, tha Blushi.

Blushi u shpreh se gjykata duhet të garantojë një proces të rregullt ligjor midis palëve dhe SPAK është palë në këtë.

Sipas Blushit “i gjithë procesi karakterizohet nga manipulimi, selektiviteti, mungesë transparence, paligjshmëria dhe politizimi”.

Më 13 gusht Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj Ilir Metës, duke e lënë në fuqi “arrestin në burg”.

SPAK i ka komunikuar zyrtarisht Ilir Metës mbylljen e hetimeve dhe kalimin e dosjes në gjykatë.

Meta akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për çështjet që kanë të bëjnë me dosjen e lobimit të LSI në SHBA dhe aferën CEZ-DIA.

Ai u arrestua më 21 tetor 2024 dhe që prej atij momenti qëndron në paraburgim me masë “arresti në burg”.

/m.q/j.p/

The post Blushi: Zero prova kundër Metës, gjykata palë me SPAK-un appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Ndarja nga jeta e kryeinspektor Gazmen Metës, Manja: Punonjës i devotshëm, mik i çmuar për kolegët

12 August 2025 at 18:21

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryeinspektor Gazmen Nazmi Metës.

“Sot, Policia e Burgjeve ka një Kryeinspektor më pak… Si pasojë e një arresti kardiak, u nda nga jeta një punonjës i devotshëm, korrekt dhe një mik i çmuar për kolegët: Kryeinspektor Gazmen Nazmi Meta, i cili këtë gradë e mori me meritë vetëm dje”, theksoi Manja.

“Që nga viti 2014, Gazmeni shërbeu për 11 vite me përkushtim pranë IEVP “Ali Demi” si punonjës i rolit bazë, duke u bërë shembull i ndershmërisë, korrektësisë dhe dashurisë për detyrën”, u shpreh ministri i Drejtësisë.

Ministri Manja nënvizoi se, bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël të Gazmenit do të jenë gjithmonë nën kujdesin dhe mbështetjen e institucionit.

“Në këto çaste të rënda për familjen dhe kolegët e tij, si Ministër i Drejtësisë siguroj se bashkëshortja dhe dy fëmijët e vegjël të Gazmenit do të jenë gjithmonë nën kujdesin dhe mbështetjen e institucionit tonë. U prehsh në paqe, Gazmen! Mirënjohje e përjetshme për shërbimin dhe kontributin tënd për sistemin e burgjeve në Shqipëri”, shkroi Manja në një postim në rrjetet sociale.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Ndarja nga jeta e kryeinspektor Gazmen Metës, Manja: Punonjës i devotshëm, mik i çmuar për kolegët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 4 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SPAK i komunikon akuzat Metës, avokati: Nuk ka fakt penal

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka komunikuar sot akuzat ish-presidentit Ilir Meta sa i përket dosjes CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.

Meta akuzohet nga SPAK për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Avokati i presidentit të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani tha në një prononcim për mediet se nga hetimet nuk kishte asgjë të re. Sipas Cakranit, ata kërkuan të dinë se kush i ka bërë pagesat për lobimin në SHBA, teksa shtoi se nga ana e SPAK nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këtë.

“Edhe pas 6 vitesh hetime për sa i përket CEZ-DIA-s nuk ka asgjë të re edhe për sa i përket lobimit nuk ka asgjë të re. Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe i ka kërkuar organit të prokurorisë se për se nuk kanë bërë hetime të thelluara se kush i ka bërë pagesat për lobimin. Prokuroria nuk ka asnjë informacion se kush i ka bërë këto pagesa. Meta ka shpjeguar me detaje 3 akuzat. Ne duam të dimë kush i ka bërë pagesat dhe kush i ka marrë faturat e këtyre pagesave”, tha Cakrani.

Avokati theksoi se “nuk ka asnjë provë konkrete ku të vërtetohet se mbi zotin Meta rëndojnë këto akuza. Nuk ka fakt penal”.

Cakrani shtoi se “tek çështja CEZ-DIA që ka prej 2018 nën hetim gjithë ajo farë akuze që është ndërtuar është përmbledhur vetëm në 30 faqe”.

“Ish-presidenti, ish-kryeministri, ish-kryetari i Kuvendit ka 0 korrupsion dhe 0 pasuri të vendosur nga korrupsioni, sepse na i ka vërtetuar organi i procedurës me 122 fashikuj që ai disponon”, tha Cakrani.

Cakrani tha se nuk do të kërkojnë gjykim të shkurtuar por gjykim normal.

Meta ndodhet në burg prej tetorit të vitit të shkuar.

Më herët, po për të njëjtën dosje penale, iu komunikua mbyllja e hetimeve ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi si dhe nënës së saj Fatime Kryemadhit.

Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsion pasiv.

/m.q/j.p/

The post SPAK i komunikon akuzat Metës, avokati: Nuk ka fakt penal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga SPAK për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK për t’u njohur me akuzat. Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi tha se “do të shkojmë në gjykatë të fillojmë procedurat. Nuk merremi me portalet e komentet në Facebook. Mendoj që është një proces që duhet durim, s’kemi ç’të bëjmë”.

E pandehur në lidhje me këtë dosje është marrë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Sipas Kryemadhit nëna e saj akuzohet nga SPAK për pastrim parash.

“E kanë quajtur pastruese, sepse mamaja ime më ka ndihmuar mua për të pastruar veprën penale. Ajo e ka blerë shtëpinë e vet, por pretendohet se e ka blerë me paratë që i kam dhënë unë”, tha Kryemadhi.

Ajo theksoi se gjatë kohës që është marrë në pyetje nuk u është përgjigjur prokurorëve të SPAK-ut.

“Shtatë herë më kanë pyetur dhe nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj me ta, do flas në gjykatë. Nuk ka më kuptim. Që në momentin merresh e akuzuar, është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do bëjmë lojën tonë. Unë e shikoj veten time tabelë qitjeje dhe një lloj shpagimi që ka të bëjë me çështjen e inceneratorëve”, tha Kryemadhi.

Sipas deputetes, ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta nuk ka lidhje aspak me kartën bankare apo shpenzimet në Amerikë.

“Ilir Meta nuk ka qenë, ç’lidhje ka Meta me shpenzimet? Që të marrësh një kartë bankare duhet të vendosësh emrin. Ilir Meta nuk ka qenë në Amerikë, le të verifikohet a ka qenë dhe a ka shpenzuar aty ku është përdorur karta. Meta nuk ka pasur asnjë dijeni për shpenzimet e mia, asnjë qindarkë nuk ka ardhur nga Meta”, tha Kryemadhi.

Nga ana tjetër, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale tha për shkak të mungesës së avokatit të tij nuk u paraqit në SPAK, teksa shtoi se mezi pret gjykimin që të çmontojë sipas tij “këtë proces farsë të urdhëruar nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste”.

Sipas Metës ka “zero fakte penale, zero prova penale dhe zero pasuri të paligjshme” në procesin ndaj tij.

Pritet që SPAK t’i komunikojë akuzat Ilir Metës ditën e hënë.

Të pandehur në këtë dosje janë edhe Ema Çoku, e cila akuzohet për pastrim parash dhe Piro Xhixho, për korrupsioni pasiv.

Me mbylljen e hetimeve, SPAK pritet të formalizojë akuzat dhe të çojë dosjen në Gjykatën e Posaçme për shqyrtim gjyqësor.

/m.q/r.e/

The post SPAK mbyll hetimet për Metën dhe Kryemadhin, e pandehur edhe Fatime Kryemadhi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 July 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të butë sigurie.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Igerta Hysi, e cila la në fuqi vendimin e GJKKO-së për të mos ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati Kujtim Cakrani. Pas vendimit, Cakrani u shpreh se “gjykata nuk po jep drejtësi”.

“Këta nuk janë gjyqtarë, por rrogëtarë. Më vjen keq për këtë. Gjykata nuk arriti të ngrihej sot në lartësinë e duhur për të marrë një vendim ndryshe nga ai i shkallës së parë”, tha Cakrani.

Meta ndodhet në paraburgim në Tiranë që prej 21 tetorit 2024, pasi akuzohet nga SPAK për veprat penale të korrupsionit pasiv, falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Kreu i PL-së po hetohet për aferën CEZ/DIA, gjatë kohës kur bashkëqeveriste forca e tij LSI me Partinë Demokratike, si dhe për lobingjet në Uashington.

/m.m/j.p/

The post Apeli i GJKKO lë në burg Ilir Metën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌