Normal view

Received — 13 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEL AVIV – Netanyahu: Nuk do të marr pjesë në samitin e paqes në Egjipt

13 October 2025 at 13:10

TEL AVIV, 13 tetor /ATSH-DPA/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk do të udhëtojë në samitin e paqes në Egjipt, deklaroi zyra e tij.

Netanyahu falënderoi presidentin e SHBA-së Donald Trump për ftesën në Egjipt, por nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në udhëtim për shkak të kufizimeve kohore përpara festës hebraike të Simchat Torah.

Trump do të bashkë-kryesojë samitin në Sharm el-Sheikh, së bashku me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sissi, i cili do të mbledhë rreth 20 liderë botërorë për të diskutuar procesin e paqes në Gaza.

Zyra presidenciale egjiptiane njoftoi të hënën se Netanyahu dhe presidenti palestinez Mahmoud Abbas do të marrin pjesë në takimin në vendpushimin egjiptian në Detin e Kuq.

Abasi udhëheq si Autoritetin Kombëtar Palestinez (PA) ashtu edhe lëvizjen Fatah me bazë në Gaza, një rivale e Hamasit.

Hamasi e dëboi Fatah nga Rripi i Gazës në një konflikt të përgjakshëm në vitin 2007.

Që atëherë, Abbasi ka qeverisur në mënyrë efektive vetëm Bregun Perëndimor. Izraeli deri më tani ka refuzuar qeverinë e Autoritetit Palestinez në Rripin e Gazës.  /os/

The post TEL AVIV – Netanyahu: Nuk do të marr pjesë në samitin e paqes në Egjipt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Trump mbërrin në Izrael përpara samitit të Egjiptit për Gazën

13 October 2025 at 09:59

TEL AVIV, 13 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në Izrael për t’u takuar me familjet e pengjeve dhe për t’iu drejtuar anëtarëve të Knesset (parlamenti izraelit) përpara se të udhëtonte për në Egjipt për një samit mbi Gazën.

Trump u prit në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Ai zbarkoi në Izrael menjëherë pasi shtatë të burgosur të liruar nga militantët e Hamasit të cilët iu dorëzuan ushtrisë izraelite nëpërmjet Kryqit të Kuq.

Hamasi deklaroi se ‘’të 20 pengjet e gjalla që mbaheshin ende në Gaza do të lirohen sot në këmbim të më shumë se 1 900 të burgosurve palestinezë që mbaheshin nga Izraeli’’.

Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One gjatë fluturimit, Trump deklaroi se lufta midis Izraelit dhe Hamasit “ka mbaruar”.

Trump dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi do të bashkë-kryesojnë një takim në Sharm el-Sheikh.

Eventi synon të konsolidojë armëpushimin e brishtë që Trump ndihmoi të ndërmjetësonte dhe të promovojë paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Lindjen e Mesme.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer dhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.   /os/

 

The post TEL AVIV – Trump mbërrin në Izrael përpara samitit të Egjiptit për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 October 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

IZRAEL – Netanyahu nominon presidentin Trump për Çmimin Nobel për Paqen

9 October 2025 at 17:02

JERUSALEM, 9 tetor /ATSH-AFP-AA/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi sot se presidenti amerikan, Donald Trump e meritonte Çmimin Nobel për Paqen, disa orë pasi ky i fundit njoftoi një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve dhe të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit.

“Jepini Çmimin Nobel për Paqen Donald Trumpit, ai e meriton!”, shkruhej në llogarinë zyrtare në X të Zyrës së Kryeministrit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi sot se Izraeli dhe grupi palestinez Hamas kanë nënshkruar fazën e parë të një marrëveshjeje të propozuar nga SHBA-ja për Gazën.

“Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të planit tonë të paqes. Kjo do të thotë që të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do të tërheq trupat e tij në një vijë të rënë dakord si hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përjetshme”, tha Trump.

Ai theksoi se të gjitha palët do “të trajtohen në mënyrë të drejtë”.

Presidenti amerikan e përshkroi momentin si një “ditë të madhe” për botën arabe dhe myslimane, Izraelin, vendet përreth dhe SHBA-në./ a.jor.

The post IZRAEL – Netanyahu nominon presidentin Trump për Çmimin Nobel për Paqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 30 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEL AVIV – Netanyahu: Ushtria izraelite e pranishme në pjesën më të madhe të Gazës

30 September 2025 at 13:31

TEL AVIV, 30 shtator /ATSH-AFP/ – Ushtria izraelite do të qëndrojë në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës, deklaroi kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu nga Uashingtoni.

“Ne do t’i rimarrim të gjithë pengjet tona, të gjallë e shëndoshë e mirë, ndërsa Tsahal (ushtria izraelite) do të mbetet në pjesën më të madhe të Rripit të Gazës”, deklaroi Netanyahu, pasi mbështeti publikisht një plan paqeje te presidentit të SHBA-së Donald Trump.

Plani i Trump parashikon vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi në Rripin e Gazës, ndërkohë që ushtria izraelite tërhiqet.

“Na është thënë se ju duhet të pranoni kushtet e Hamasit, ushtria izraelite duhet të tërhiqet, dhe Hamasi mund të forcohet, të kontrollojë Rripin e Gazës… Jo, jo, kjo nuk do të ndodhë”, shtoi ai në videon e postuar në llogarinë e tij në Telegram./ /f.k/  /os/ a.jor.

The post TEL AVIV – Netanyahu: Ushtria izraelite e pranishme në pjesën më të madhe të Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Netanyahu: AP nuk mund të ketë rol në të ardhmen e Gazës pa një transformim radikal

29 September 2025 at 22:55

UASHINGTON, 29 shtator /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se Autoriteti Palestinez (AP) nuk mund të kishte një rol në qeverisjen e ardhshme të Gazës – pa një transformim “radikal”, sipas CNN.

“E vlerësoj qëndrimin tuaj të vendosur se Autoriteti Palestinez nuk mund të ketë asnjë rol në Gaza – pa kaluar në një transformim radikal dhe të vërtetë”, i tha Netanyahu presidentit të SHBA-së Donald Trump gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk do t’ju vijë si surprizë që shumica dërrmuese e izraelitëve nuk kanë besim se “leopardi” i AP-së mund të ndryshojë njollat ​​e tij”, tha Netanyahu.

“Por, në vend që të prisni për këtë transformim të mrekullueshëm, plani juaj ofron një rrugë praktike dhe realiste për Gazën në vitet e ardhshme, në të cilat Gaza nuk do të drejtohet – as nga Hamasi dhe as nga Autoriteti Palestinez – por nga ata që janë të përkushtuar për një paqe të vërtetë me Izraelin”, shtoi ai.

Plani i paqes i propozuar nga SHBA-ja, kërkon një organ të përkohshem për të qeverisur Gazën, ndërsa Autoriteti Palestinez përfundon “programin e reformave.

“Ndërsa rindërtimi i Gazës përparon dhe kur programi i reformës së AP-së të zbatohet me besnikëri, kushtet më në fund mund të jenë arritur – për një rrugë të besueshme drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë palestineze, të cilën ne e njohim si aspiratë të popullit palestinez”, tha ai.

Plani 20-pikësh përjashton përfshirjen e Hamasit në qeverisjen e ardhshme të Gazës. //a.i/

The post SHBA – Netanyahu: AP nuk mund të ketë rol në të ardhmen e Gazës pa një transformim radikal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Netanyahu: Izraeli mbështet planin e Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza

29 September 2025 at 21:44

UASHINGTON, 29 shtator /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se mbështet planin e presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, duke e quajtur atë një “hap të rëndësishëm” drejt përfundimit të luftës dhe arritjes së paqes në Lindjen e Mesme, sipas CNN.

“Unë besoj se sot po bëjmë një hap hap të rëndësishëm drejt përfundimit të luftës në Gaza dhe përgatitjes së terrenit për avancimin e paqes në Lindjen e Mesme, mendoj përtej Lindjes së Mesme”, tha Netanyahu.

“Unë mbështes planin tuaj për t’i dhënë fund luftës në Gaza, i cili arrin qëllimet tona të luftës. Ky plan, do t’i kthejë Izraelit të gjithë pengjet tona, do të shkatërrojë pajisjet ushtarake të Hamasit dhe sundimin e tij politik dhe do të sigurojë që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, shtoi ai.

Më herët, Trump hapi konferencën e përbashkët për shtyp duke falënderuar kryeministrin Netanyahu për vendimin per t’u pajtuar me planin për paqe në Gaza, duke paralajmëruar gjithashtu se ishte e mundur që Hamasi të refuzonte marrëveshjen.

“Mendoj se duhet ta kuptojmë se po u japim të gjithëve një shans që kjo të bëhet në mënyrë paqësore – diçka që do të arrijë të gjitha objektivat tona të luftës – pa gjakderdhje të mëtejshme”, shtoi Netanyahu.

“Por nëse Hamasi e refuzon planin e presidentit Trump, ose nëse supozohet se e pranon atë, dhe pastaj bën gjithçka për ta kundërshtuar atë, atëherë Izraeli do ta përfundojë “punën” vetë”, tha ai. //a.i/

The post SHBA – Netanyahu: Izraeli mbështet planin e Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Netanyahu i kërkon falje Katarit për sulmin në Doha

29 September 2025 at 19:57

UASHINGTON, 29 shtator /ATSH/- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i kërkoi falje sot homologut të tij nga Katari për sulmin e Izraelit në Doha – gjatë një telefonate nga Shtëpia e Bardhë, sipas “Reuters”.

Biseda telefonike me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, erdhi ndërsa Netanyahu u takua me presidentin e SHBA-së, Donald Trump sot në Uashington.

Një ekip teknik i Katarit ndodhet gjithashtu në Shtëpinë e Bardhë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gjate bisedës me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani – i kërkoi falje për sulmin ajror të fundit të Izraelit – që synonte zyrtarët e Hamasit në Doha.

Netanyahu shprehu keqardhje për sulmin ajror të 9 shtatorit – që shkeli sovranitetin e Katarit dhe për vrasjen e një roje sigurie të Katarit.

Vendimi i Izraelit për të kërkuar falje për sulmin – ishte një kusht thelbësor i Katarit për të vazhduar rolin e tij si ndërmjetës në negociatat e armëpushimit në Gaza.

Netanyahu mbërriti sot në Shtëpinë e Bardhë për bisedime me Trump, të cilat pritet të fokusohen kryesisht në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

Trump ka mirëpritur progresin drejt një marrëveshjeje për armëpushim dhe shkëmbim pengjesh – që nga takimi javën e kaluar me udhëheqësit e vendeve myslimane në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Trump njoftoi një plan me 21 pika – për t’i dhënë fund luftës – gjatë takimit të së martës së kaluar. //a.i/

 

The post SHBA – Netanyahu i kërkon falje Katarit për sulmin në Doha appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

OKB – Netanyahu: Një shtet palestinez vetëvrasje kombëtare për Izraelin

26 September 2025 at 16:36

NJU JORK, 26 shtator /ATSH-AFP/ – Krijimi i një shteti palestinez do të ishte vetëvrasje kombëtare për Izraelin, deklaroi sot kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu duke kritikuar valën e fundit të njohjeve nga vendet perëndimore.

“Ja një mesazh tjetër për udhëheqësit perëndimorë: Izraeli nuk do t’ju lejojë të na impononi një shtet terrorist”, theksoi ai.

”Ne nuk do të kryejmë vetëvrasje kombëtare sepse juve iu mungon guximi për t’u përballur me median armiqësore dhe turmat antisemite që qajnë për gjakun e Izraelit”, deklaroi ai.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu hodhi poshtë akuzat për “gjenocid” në Gaza, duke këmbëngulur se po ushqen popullsinë e territorit palestinez dhe duke akuzuar shumë vende se i janë “dorëzuar” Hamasit.

“Merrni akuzat e rreme për gjenocid. Izraeli akuzohet se po synon civilët, por asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës”, pohoi ai, duke theksuar se Izraeli po merrte masa për të shmangur viktimat civile dhe për të siguruar që nuk po e vdiste popullsinë nga uria.

“Hamasi po përdor civilët si mburoja njerëzore dhe si mbështetëse për luftën e tij të neveritshme propagandistike kundër Izraelit, një propagandë që mediat evropiane e gëlltisin të gjithën”, shtoi ai duke denoncuar gjithashtu faktin se shumë vende i janë “dorëzuar” Hamasit duke njohur shtetin e Palestinës./  a.jor.

The post OKB – Netanyahu: Një shtet palestinez vetëvrasje kombëtare për Izraelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OKB – Dhjetëra diplomatë largohen nga AP, ndërsa Netanyahu fillon fjalimin

26 September 2025 at 16:02

NJU JORK, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Dhjetëra diplomatë dolën nga salla e OKB-së, në fillim të fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ata u larguan në radhë të gjata në shenjë proteste, ndërsa seanca filloi në Nju Jork rreth orës 13:00 GMT, sot në mëngjes.

Salla ishte pak e mbushur edhe para protestës.

Netanyahu priti në podium me një shprehje stoike gjatë demonstrimit dhe mori duartrokitje demonstrative të herëpashershme, kryesisht nga delegacioni i Izraelit.

Pati edhe ndërhyrje të mëtejshme, ndërsa ai filloi të fliste.

Për shkak të fushatës agresive ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, një numër gjithnjë e në rritje i aleatëve perëndimorë po distancohen nga qeveria izraelite.

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja kohët e fundit e njohën Palestinën si shtet.

Netanyahu i ka akuzuar ata për shpërblimin e sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit që ndodhi pothuajse dy vjet më parë./  a.jor.

The post OKB – Dhjetëra diplomatë largohen nga AP, ndërsa Netanyahu fillon fjalimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Netanyahu i adresohet sot Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

26 September 2025 at 10:11

NJU JORK, 26 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t’i adresohet sot Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork – disa ditë pasi disa vende perëndimore njohën shtetin palestinez.

Netanyahu ka kritikuar vendimin e Francës, Britanisë së Madhe dhe disa vendeve të tjera për njohjen e shtetit të Palestinës, duke e etiketuar atë si një shpërblim për organizatën islamiste Hamas pas sulmeve të 7 tetorit.

Udhëheqësi izraelit do të mbaje sot një fjalim në ditën e katërt të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së së bashku me përfaqësues nga Kina, Britania e Madhe dhe vende të tjera.

Seanca është planifikuar të vazhdojë deri të hënën, me një pushim të dielën.

Një total prej rreth 150 krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe përfaqësues të tjerë kombëtarë, pritet të mbajnë fjalime në këtë ngjarje.

Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës, financat e tensionuara të OKB-së dhe roli global i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë tema kryesore, debati i këtij viti është dominuar nga konflikti në Gaza mes ofensivës së Izraelit në Qytetin e Gazës.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas dënoi dje sjelljen e Izraelit në territorin bregdetar duke e konsideruar një gjenocid – në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme, i cili u zhvillua nëpërmjet një lidhjeje me video pasi iu refuzua viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë, Abbas tha se një shtet palestinez mund të bashkëjetojë në paqe me Izraelin pa përfshirjen e Hamasit – një shenjë se një zgjidhje me dy shtete mbetet qëllimi i tij, pavarësisht kundërshtimit nga qeveria e Netanyahut. //a.i.

The post NJU JORK – Netanyahu i adresohet sot Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

LUBJANË – Sllovenia shpall Netanyahun ”persona non grata”

25 September 2025 at 16:10

LUBJANË, 25 shtator /ATSH-AFP/ – Qeveria sllovene njoftoi sot se kishte vendosur unanimisht të ndalonte hyrjen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në territorin e saj, duke kujtuar se kundër tij po zhvillohen procedura për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Me këtë hap, Sllovenia konfirmon angazhimin e saj ndaj së drejtës ndërkombëtare, vlerave universale të të drejtave të njeriut dhe një politike të jashtme parimore dhe konsistente”, tha qeveria në një deklaratë të shkurtër./  a.jor.

The post LUBJANË – Sllovenia shpall Netanyahun ”persona non grata” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 21 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEL AVIV – Netanyahu: Një shtet palestinez do të rrezikonte ekzistencën e Izraelit

21 September 2025 at 18:00

TEL AVIV, 21 shtator /ATSH-AFP-DPA/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pohoi sot se nuk do të ketë shtet palestinez, në një video drejtuar udhëheqësve perëndimorë që e kanë njohur më parë atë.

“Kam një mesazh të qartë për udhëheqësit që njohin një shtet palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit: ju po ofroni një shpërblim të madh për terrorizmin”, tha Netanyahu në këtë video të publikuar nga zyra e tij.

“Kam një mesazh tjetër për ju: kjo nuk do të ndodhë. Asnjë shtet palestinez nuk do të shfaqet në perëndim të lumit Jordan”, shtoi ai.

Netanyahu theksoi se krijimi i një shteti palestinez do të rrezikonte ekzistencën e Izraelit dhe premtoi të luftonte thirrjet për njohjen e këtij shteti para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

“Ne duhet (…) të luftojmë në OKB dhe në të gjitha frontet e tjera kundër propagandës së rreme kundër nesh dhe kundër thirrjeve për krijimin e një shteti palestinez që do të rrezikonte ekzistencën tonë dhe do të përbënte një shpërblim absurd për terrorizmin”, deklaroi kryeministri izraelit para një mbledhjeje të kabinetit.

“Bashkësia ndërkombëtare do të na dëgjojë për këtë në ditët në vijim”, shtoi ai.

Kryeministri Keir Starmer njoftoi se Mbretëria e Bashkuar tani njeh zyrtarisht një shtet palestinez, sipas BBC.

“Sot, për të ringjallur shpresën për paqe dhe një zgjidhje me dy shtete, unë deklaroj qartë – si kryeministër i këtij vendi të madh – se Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës”, tha ai në një deklaratë video.

Më parë, Kanadaja u bë vendi i parë i G7-s, që bëri këtë veprim, e ndjekur nga afër nga Australia.

Zëvendësuesi i Starmer, David Lammy, më parë e mbrojti këtë veprim – duke i thënë BBC-së “tani është koha për të mbrojtur një zgjidhje me dy shtete”.

”Australia e ka njohur zyrtarisht Palestinën si shtet sovran”, tha sot kryeministri australian, Anthony Albanese, duke iu bashkuar Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë në marrjen e këtij vendimi historik.

“Australia njeh aspiratat legjitime dhe të hershme të popullit të Palestinës për një shtet të vetin”, tha Albanese në një deklaratë të përbashkët me ministren e Jashtme, Penny Wong.

“Akti i sotëm i njohjes pasqyron angazhimin e hershëm të Australisë për një zgjidhje me dy shtete, e cila ka qenë gjithmonë e vetmja rrugë për paqe dhe siguri të qëndrueshme për popullin izraelit dhe atë palestinez”, shtoi ai.

Deklarata vuri në dukje se Autoriteti Palestinez ka njohur të drejtën e Izraelit për të ekzistuar dhe deklaroi se “organizata terroriste Hamas nuk duhet të ketë asnjë rol në Palestinë”./ a.jor.

The post TEL AVIV – Netanyahu: Një shtet palestinez do të rrezikonte ekzistencën e Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli përballet me “izolim” ndërkombëtar në rritje për shkak të luftës në Gazë

15 September 2025 at 22:48

TEL AVIV, 15 shtator /ATSH-DPA/- Me zemërimin global në rritje për shkak të luftës gati 2-vjeçare në Gazë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi sot se Izraeli po përballet me një “lloj izolimi” që mund të zgjasë me vite dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të qëndrojë më vete, sipas CNN.

Duke folur në një konferencë të Ministrisë së Financave, Netanyahu tha se ekonomia e Izraelit do të duhet të përshtatet me “karakteristikat autarkike” – duke u bërë më e vetëmjaftueshme dhe më pak e varur nga tregtia e jashtme.

“Është një fjalë që e urrej”, tha Netanyahu, duke shtuar se ishte ai që kishte sjellë një “revolucion të tregut të lirë në Izrael”.

“Një nga industritë kryesore që përballet me izolimin është tregtia e armëve, e cila mund ta detyrojë Izraelin të shmangë varësinë nga importet e armëve të huaja”, tha ai.

“Do të na duhet të zhvillojmë industrinë tonë të armëve – do të jemi Athina dhe super Sparta së bashku. Nuk kemi zgjidhje tjetër, të paktën për vitet e ardhshme kur do të na duhet të merremi me izolimin”, tha Netanyahu.

Deklarata e Netanyahut shënon “një pranim të rrallë” të kritikave masive ndërkombëtare me të cilin përballet Izraeli – ndërsa përshkallëzon luftën e tij në Gazë.

Ai ka refuzuar të ndryshojë kursin, pavarësisht paralajmërimeve nga Kombet e Bashkuara dhe vendet e tjera – sipas të cilave një sulm i afërt ndaj Qytetit të Gazës do të çonte në më shumë vdekje dhe shkatërrime, dhe mes akuzave në rritje se Izraeli po kryen gjenocid në enklavë, të cilën Izraeli e ka mohuar fuqimisht.

Izraeli tani përballet me embargo të pjesshme ose të plota armësh nga Franca, Holanda, BM-ja, Spanja, Italia dhe vende të tjera për shkak të luftës në Gazë.

Megjithatë, shumica e importeve të armëve të saj vijnë nga SHBA-ja, të cilat nuk kanë vendosur kufizime të tilla – dhe i kanë paralajmëruar vendet e tjera të mos e bëjnë këtë. //a.i/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

The post TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli përballet me “izolim” ndërkombëtar në rritje për shkak të luftës në Gazë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEL AVIV – Netanyahu: Kritikat ndaj sulmit izraelit në Katar tregojnë hipokrizi

15 September 2025 at 18:50

TEL AVIV, 15 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë sot kritikat ndërkombëtare për sulmin e Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit, në Katar.

“Është e drejta e çdo vendi, sipas ligjit ndërkombëtar të mbrohet përtej kufijve të tij kundër atyre që do të vrisnin qytetarët e tyre”, tha sot Netanyahu gjatë vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Dënimi ndërkombëtar i sulmit tzraelit tregoi cinizëm dhe hipokrizi të jashtëzakonshme”, tha ai.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Rubio, kryeministri Netanyahu tha se shtetet nuk duhet t’u ofronin një strehë të sigurt terroristëve dhe se askush nuk e kishte dënuar SHBA-në për veprimet e saj kundër al-Qaeda në Afganistan dhe Pakistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Izraeli goditi një zonë banimi në kryeqytetin e Katarit të martën e kaluar, duke synuar udhëheqësit e Hamasit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e dënoi sulmin në një deklaratë të rrallë të përbashkët, ndërsa ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe thanë se sulmi kishte shkelur sovranitetin e Katarit.

Katari po ndërmjetëson përkrah SHBA-së dhe Egjiptit në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi tha se delegacioni negociues i organizatës i kishte mbijetuar sulmit.

Sipas Netanyahut, ende nuk ka gjetje përfundimtare mbi rezultatin e sulmit në Doha.

Rubio theksoi marrëdhëniet e ngushta të vendit të tij me Katarin, ku SHBA-ja ka bazën më të madhe ushtarake në Lindjen e Mesme.

“Pavarësisht ngjarjeve, fokusi do të jetë në punën me Katarin për të siguruar lirimin e pengjeve të rrëmbyera nga Izraeli dhe të mbajtura nga Hamasi”, tha Rubio.

“Nuk do të ketë paqe në rajon me Hamasin”, tha ai. /a.i/

The post TEL AVIV – Netanyahu: Kritikat ndaj sulmit izraelit në Katar tregojnë hipokrizi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 September 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

IZRAEL – Netanyahu: Nuk do të ketë një shtet palestinez

11 September 2025 at 20:41

TEL AVIV, 11 shtator /ATSH-AFP/ – Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pohoi sot se nuk do të ketë shtet palestinez, gjatë një ceremonie nënshkrimi për një projekt të madh vendbanimesh në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Ne do ta mbajmë premtimin tonë: nuk do të ketë shtet palestinez, ky vend na përket neve”, tha Netanyahu në Maale Adumim, një vendbanim izraelit në lindje të Jerusalemit.

“Ne do ta ruajmë trashëgiminë tonë, tokën tonë dhe sigurinë tonë (…) Do ta dyfishojmë popullsinë e qytetit”, vazhdoi ai.

Muajin e kaluar, Izraeli miratoi një projekt kyç për të ndërtuar 3 400 njësi banimi në Bregun Perëndimor, i cili u denoncua nga OKB-ja dhe disa udhëheqës të huaj sepse do ta ndante territorin palestinez në dy pjesë, duke kompromentuar çdo vazhdimësi territoriale të një shteti të mundshëm palestinez.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, një figurë e ekstremit të djathtë, kishte bërë thirrje për përshpejtimin e zbatimit të këtij projekti, të njohur si E1, dhe për aneksimin e Bregut Perëndimor, në përgjigje të njoftimeve nga disa vende për qëllimin e tyre për të njohur një shtet të Palestinës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e dënoi me forcë këtë vendim, me Autoritetin Palestinez që e denoncoi atë si një fazë të re në “aneksimin progresiv të Bregut Perëndimor”.

Kolonizimi i Bregut Perëndimor, i cili kufizohet me Jordaninë, ka vazhduar nën çdo qeveri izraelite, si të majtë ashtu edhe të djathtë, që nga viti 1967.

Vendet perëndimore si Franca, Australia dhe Kanadaja njoftuan qëllimin e tyre për të njohur një shtet të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fund të shtatorit.

Londra ka lënë të kuptohet se do të bëjë të njëjtën gjë nëse Izraeli nuk merr një sërë angazhimesh, duke përfshirë një armëpushim në Rripin e Gazës.

Në muajt e fundit, disa ministra izraelitë të ekstremit të djathtë kanë bërë thirrje hapur për aneksimin e Bregut Perëndimor./  a.jor.

The post IZRAEL – Netanyahu: Nuk do të ketë një shtet palestinez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Netanyahu i bën thirrje Katarit të dëbojë udhëheqësit e Hamasit pas sulmit në Doha

11 September 2025 at 09:30

TEL AVIV, 11 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka bërë thirrje Katarit të dëbojë përfaqësuesit e grupit militant palestinez Hamas, një ditë pasi shënjestroi udhëheqjen e organizatës islamike në Doha.

Netanyahu tha se sulmet u kryen kundër planifikuesve të masakrave të 7 tetorit 2023 në Izrael, të cilat shkaktuan luftën në Gaza.

“Unë i them Katarit dhe të gjitha kombeve që strehojnë terroristë, ose i dëboni ose i sillni para drejtësisë”, tha Netanyahu.

“Sepse nëse nuk e bëni, ne do ta bëjmë”, shtoi ai.

Kryeministri Netanyahu akuzoi Katarin se u ka ofruar udhëheqësve të Hamasit një strehë të sigurt, financim dhe vila luksoze.

Ministria e Jashtme e Katarit dënoi deklaratat “e pamatura” të Netanyahut.

Ministria e Jashtme në Doha i quajti deklaratat e Netanyahut kërcënime të qarta për shkelje të sovranitetit shtetëror dhe i përshkroi ato si një përpjekje të turpshme për të justifikuar sulmin frikacak të Izraelit në kryeqytetin e Katarit të martën.

Ushtria izraelite vrau gjashtë persona në sulme të papritura në një zonë banimi të martën, në Doha – duke e zemëruar Katarin dhe duke shkaktuar një kritikë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Midis viktimave ishte djali i Khalil al-Hayya, figura më me ndikim e lëvizjes islamiste jashtë vendit, dhe shefi i shtabit të tij.

“Al-Hayya, i cili kryeson delegacionin e Hamasit në bisedimet për armëpushim, mbijetoi”, tha grupi.

Sulmi u dënua ndërkombëtarisht nga shtetet arabe, Kina dhe udhëheqësit evropianë.

Izraeli kërkon lirimin e të gjithë pengjeve dhe çarmatimin e Hamasit.

Katari, së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në, ka vepruar si ndërmjetës midis Izraelit dhe Hamasit në konfliktin e Gazës për gati dy vjet. Negociatat për një armëpushim kanë ngecur për muaj të tërë. //a.i/

The post TEL AVIV – Netanyahu i bën thirrje Katarit të dëbojë udhëheqësit e Hamasit pas sulmit në Doha appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 29 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BUENOS AIRES – Avokatët kërkojnë arrestimin e Netanyahut nëse viziton Argjentinën

29 August 2025 at 20:29

TEL AVIV, 29 gusht /ATSH-ANSA/ – Një grup avokatësh argjentinas dhe palestinezë i kanë kërkuar sistemit federal të drejtësisë në Buenos Aires të arrestojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu pas mbërritjes së tij në vend, nëse konfirmohet vizita e tij te aleati i tij Javier Milei, e paralajmëruar për në shtator.

Padia, e bashkëautorizuar nga avokatët Rodolfo Yanzón dhe Raji Sourani, bazohet në një ankesë të paraqitur nga familjet e viktimave dhe të mbijetuarve të një sulmi ndaj një karvani humanitar në Rafah, në jug të Gazës, i cili më 23 mars rezultoi në vdekjen e 15 personave, përfshirë punonjës të Gjysmëhënës së Kuqe.

Sipas avokatëve, masakra përbën një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas Statutit të Romës – i cili themeloi Gjykatën Ndërkombëtare Penale – dhe Kushtetutës Argjentinase.

Prandaj, ata kërkojnë që Netanyahu të arrestohet dhe t’i dorëzohet GJPN-së ose, si alternativë, të gjykohet në Argjentinë.

Organizatat lokale, përfshirë Abuelas de Plaza de Mayo, kanë shprehur tashmë kundërshtim të fortë ndaj vizitës së mundshme të udhëheqësit izraelit. /os/

The post BUENOS AIRES – Avokatët kërkojnë arrestimin e Netanyahut nëse viziton Argjentinën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

AUSTRALI – Albanese i përgjigjet Netanyahu-t: Nuk jam “i dobët”

20 August 2025 at 16:59

MELBURN, 20 gusht /ATSH/ – Kryeministri australian Anthony Albanese i hodhi sot poshtë akuzat e homologut të tij izraelit Benjamin Netanyahu se ai ishte një “politikan i dobët që e ka tradhtuar Izraelin” duke njohur një shtet palestinez, sipas “AP”-së.

Akuza  publike e Netanyahut erdhi pas një njoftimi të 11 gushtit nga kryeministri Albanese se njohja e qeverisë së tij për një shtet palestinez do të formalizohej në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator. Njoftimi u pasua nga anulime të vizave australiane dhe izraelite.

“Historia do ta kujtojë Albanese për atë që është: një politikan i dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë e Australisë”, tha dje Netanyahu në mediet sociale.

“Unë i trajtoj udhëheqësit e vendeve të tjera me respekt. Unë angazhohem me ta në një mënyrë diplomatike”, u përgjigj ashpër kryministri Albanese

“Nuk i marr këto gjëra personalisht”, tha ai. “Gjithnjë e më shumë ka shqetësim global, po shqetësim global, sepse njerëzit duan të shohin fundin e ciklit të dhunës që kemi parë për një kohë shumë të gjatë. Kjo është ajo që australianët duan gjithashtu të shohin”.

Ministri australian i Punëve të Brendshme, Tony Burke, e ndezi më tej zemërimin e Izraelit duke anuluar vizën e ligjvënëses së ekstremit të djathtë izraelite, Simcha Rothman, një anëtare e koalicionit të Netanyahut, e cila planifikoi një turne fjalimesh në Australi.

Rothman është anëtar i partisë së Sionizmit Fetar, e cila mbështet vazhdimin e luftës, zhvendosjen masive të palestinezëve përmes asaj që e përshkruan si migrim vullnetar dhe rivendosjen e vendbanimeve hebraike në Gaza.

Burke akuzoi sot Netanyahun për “sulm” kundër Australisë ashtu siç kishte bërë kundër Britanisë, Kanadasë, Francës, Irlandës, Norvegjisë dhe Spanjës për njohjen e një shteti palestinez. Burke mohoi se kryeministri Albanese ishte “i dobët”.

“Forca nuk matet me sa njerëz mund të hedhësh në erë ose sa fëmijë mund të lësh të uritur”, tha Burke për “Australian Broadcasting Corp”.

Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar u hakmor të hënën për trajtimin  ndaj Rothman duke revokuar vizat e përfaqësuesve australianë në Autoritetin Palestinez. Saar gjithashtu i tha ambasadës izraelite në Australi që të “shqyrtojë me kujdes” çdo aplikim zyrtar për vizë nga Australia në Izrael.

Australia është një vend gjithnjë e më shumëkulturor ku më shumë se gjysma e popullsisë ka lindur jashtë shtetit ose ka të paktën një prind të huaj.

Ekziston një shqetësim i përhapur në komunitet për luftën Izrael-Hamas, i treguar nga dhjetëra mijëra demonstrues pro-palestinezë që marshuan mbi Urën e Portit të Sidneit në fillim të këtij muaji. /Ad.Ab./

The post AUSTRALI – Albanese i përgjigjet Netanyahu-t: Nuk jam “i dobët” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

IZRAEL – Netanyahu kritikon Macron për “nxitje të antisemitizmit”

19 August 2025 at 20:01

JERUZALEM, 19 gusht /ATSH-AFP/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i dërgoi sot një letër presidentit francez Emmanuel Macron, duke e akuzuar se me vendimin për të njohur shtetin palestinez po nxit antisemitizmin.

Fundin e muajit të kaluar, Macron deklaroi se Franca do të njihte zyrtarisht një shtet palestinez gjatë një takimi në OKB në shtator, duke marrë menjëherë kundërshtim nga Izraeli.

Në letër, Netanyahu shkroi se antisemitizmi është “rritur” në Francë pas njoftimit dhe e akuzoi Macronin se “hedh benzinë mbi këtë zjarr antisemitik” dhe se vendimi i tij shpërblen Hamasin, duke vështirësuar lirimin e pengjeve dhe duke inkurajuar urrejtjen ndaj hebrenjve francezë.

Ai e ftoi Macronin të veprojë kundër antisemitizmit dhe të zëvendësojë “dobësinë me vendosmëri” deri më 23 shtator, festa e Vitit të Ri Hebre.

Sipas një vlerësimi, të paktën 145 nga 193  shtetet anëtare të OKB-së e kanë njohur ose planifikojnë të njohin shtetin palestinez, përfshirë Australinë, Britaninë e Madhe dhe Kanadanë.

Australia njoftoi këtë muaj se do të njohë Palestinën në shtator. Netanyahu sulmoi edhe kryeministrin australian Anthony Albanese, duke e quajtur “politikan të dobët që tradhtoi Izraelin dhe braktisi hebrenjtë australianë”.

Kriza diplomatike mes dy vendeve u përshkallëzua pasi Australia anuloi vizën e politikanit izraelit të djathtë ekstreme Simcha Rothman, ndërsa në kundërpërgjigje ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, u hoqi vizat përfaqësuesve australianë pranë Autoritetit Palestinez. /Ad.Ab./

 

The post IZRAEL – Netanyahu kritikon Macron për “nxitje të antisemitizmit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 8 August 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

TEL AVIV – Netanyahu kritikon Gjermaninë për ndalimin e armëve ndaj Izraelit

8 August 2025 at 20:53

TEL AVIV, 8 gusht  /ATSH-DPA/  Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka akuzuar Gjermaninë se po “shpërblen” Hamasin me vendimin e saj për të ndaluar eksportin e armëve drejt Izraelit, të cilat mund të përdoreshin në luftën 22-mujore në Rripin e Gazës.

Zyra e tij njoftoi se ai e shprehu zhgënjimin në një bisedë sot me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Sipas deklaratës, në vend që të mbështesë luftën e drejtë të Izraelit kundër Hamasit, i cili kreu sulmin më të rëndë ndaj hebrenjve që nga Holokausti , Gjermania po shpërblen terrorizmin e Hamasit me një embargo armësh ndaj Izraelit”,  thuhet në njoftim.

Netanyahu i ka thënë Merz se qëllimi i Izraelit nuk është marrja nën kontroll e Rripit të Gazës, por çlirimi i tij nga Hamasi.

Vendimi i Merz, që përbën një ndryshim të madh në politikën e jashtme gjermane, u mor disa orë pasi Këshilli i Sigurisë i Izraelit ra dakord për një ofensivë të re ushtarake për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës. /Ad.Ab./

 

The post TEL AVIV – Netanyahu kritikon Gjermaninë për ndalimin e armëve ndaj Izraelit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌