STUDIM – “Këlyshët” 14 000-vjeçarë të gjetur në Siberi ishin ujqër që kishin ngrënë rinocerontë leshatorë
LONDËR, 26 qershor /ATSH/- Hulumtimet e reja kanë treguar se, pas kryerjes së testeve gjenetike, “këlyshët” e epokës së akullnajave që u gjetën duke u shkrirë – në Siberinë Veriore në fakt ishin këlyshë ujku – jo qen të zbutur, siç mendohej më parë, sipas “New York Post”.
Studimi, i botuar në revistën “Quaternary Research”, zbuloi se dy këlyshët kishin ngordhur diku midis 14 100 dhe 15 000 vjet më parë.
“Këlyshët Tumat”, ende të mbuluar me gëzof dhe të ruajtur natyrshëm në akull për mijëra vjet, kishin gjithashtu gjurmë të vaktit të tyre të fundit ende në stomakun e tyre, të cilat përfshinin mish nga një rinoceront leshator dhe pendë nga një zog i vogël i quajtur bishtlëkundës.
Anne Kathrine Runge, një arkeologe në Universitetin e Jorkut në Britaninë e Madhe dhe ekipi i saj analizuan të dhënat gjenetike nga përmbajtja e zorrëve, si dhe nënshkrimet kimike në kocka, dhëmbë dhe indet e buta.
Ekspertët tani besojnë se kafshët ishin këlyshë ujku dymuajsh, që besohet të jenë motra.
“Është e pabesueshme të gjesh dy motra nga kjo epokë – të ruajtura kaq mirë. Tani mund të tregojmë për historinë e tyre, deri në vaktin e fundit që kanë ngrënë”, tha autorja kryesore e studimit, Anne Kathrine Wiborg Runge dhe arkeologe në Universitetin e Jorkut në Britaninë e Madhe.
“Këto kafshë – të cilat më herët mendohej se ishin qen të zbutur – janë me siguri ujqër. Ato na kanë ndihmuar të zbulojmë më shumë për mjedisin në atë kohë, si jetonin këto kafshë dhe sa të ngjashëm janë ujqërit e më shumë se 14 000 viteve më parë me ujqërit e ditëve të sotme”, tha ajo.
Trupat e kafshëve të mumifikuara u gjetën në vitet 2011 dhe 2015 – së bashku me kocka mamuthi – që me sa duket ishin prerë dhe djegur nga njerëzit, duke sugjeruar që ujqërit mund të kenë qenë qen shumë të hershëm të zbutur – që kërkonin ushqim nga njerëzit – prandaj mishi i rinocerontit leshator ndodhej në stomakun e tyre.
“Megjithatë, nuk ka asnjë tregues që këlyshët e merrnin ushqimin e tyre direkt nga njerëzit ose edhe duke kërkuar nëpër vendet e therrjes së mamuthëve nga njerëzit”, thanë studiuesit.
Mbetet gjithashtu një mister se si mund të kenë ngordhur këlyshët e ujkut.
“Asnjëri nuk tregoi shenja sulmi ose lëndimi, gjë që sugjeron se ata mund të kenë ngordhur papritur kur strofulla nëntokësore është shembur, ndoshta e shkaktuar nga një rrëshqitje dheu, që mund t’i ketë bllokuar ata brenda”, thuhet në studim.
“Sot, këlyshet e ujkut janë më të mëdha – dhe është e mundur që “Këlyshët Tumat” të kenë pasur vëllezër e motra që i kanë shpëtuar fatit të tyre”, tha në deklaratë bashkautori i studimit Nathan Wales, dhe një specialist i ADN-së së lashtë në Universitetin e Jorkut.
“Mund të ketë edhe më shumë këlyshë të fshehur në ngricën e përhershme”, shtoi ai.
Testi i ADN-së tregoi se me shumë gjasa – ata i përkisnin një popullate ujqërish që tani është zhdukur dhe nuk kanë lidhje me qentë e sotëm.
Qentë dhe ujqërit janë të lidhur ngushtë, megjithëse sipas “Live Science”, ata kanë ndryshuar gjenetikisht diku midis 20 000 dhe 40 000 vite më parë.
Njerëzit kanë zbutur qen të egër rreth 15 000 vjet më parë, por nuk ka qenë kurrë e qartë se kur është shfaqur qeni më i vjetër i zbutur.
Një mundësi përfshinte qenin Bonn-Oberkassel, të gjetur në Gjermani në një varrim njerëzor të datuar 14 200 vjet më parë – dhe për shkak se “Këlyshët Tumat” ishin më të vjetër se ata, u supozua se ata ishin ndër qentë më të vjetër të zbutur.
Hulumtimi tregon se sa e vështirë është për ekspertët të vërtetojnë – se kur u bënë qentë pjesë e shoqërisë njerëzore. //a.i/
The post STUDIM – “Këlyshët” 14 000-vjeçarë të gjetur në Siberi ishin ujqër që kishin ngrënë rinocerontë leshatorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.