TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj u shpreh sot gjatë prezantimit të modulit AI të zhvilluar brenda platformës së integrimit evropian dhe anëtarësimit në ambientet e Kryeministrisë ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, se tashmë po ndodh një revolucion inteligjent brenda atij dixhital.
Sot, sipas Karçanajt, moduli i inteligjencës artificiale, i zhvilluar në bashkëpunim me OpenAI dhe Microsoft, përkthen çdo akt të BE-së brenda disa minutash. “Me saktësi maksimale, mbi 97%! Dhe jo vetëm kaq: ai e krahason automatikisht me legjislacionin shqiptar, nxjerr mospërputhjet, krijon tabela krahasuese dhe-në fund-gjeneron tabelën e përputhshmërisë me një klikim të vetëm”, tha ajo.
Drejtuesja e AKSHI-t tha se ky realitet quhet Platforma e Integrimit Evropian dhe Anëtarësimi që vjen si një sistem elektronik nuk është thjesht një risi teknologjike, por një revolucion i vërtetë në mënyrën se si e menaxhojmë procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Sepse le ta themi hapur: dikur, çdo raport, çdo shkresë, çdo dokument i kërkuar nga Komisioni Evropian ishte një udhëtim në një labirint pa fund. Email-e të panumërta, dokumente Word që qarkullonin sa andej këndej, excel-e që duheshin bashkuar, njerëz që harronin të hidhnin të dhënat…Rrëmujë totale! Dhe në fund, gjithçka përmblidhej me mund e djersë, me punë manuale, me vonesa, me gabime njerëzore”, shtoi ajo.
“E di që shumë prej jush e kanë provuar në vetë të parë: keni kaluar javë, muaj, ndoshta edhe vite duke përkthyer ligje e rregullore të BE-së, duke analizuar se ku përputhen dhe ku nuk përputhen me legjislacionin shqiptar. Një punë që ka marrë kohë të pafundme dhe ka kërkuar burime të panumërta njerëzore, financiare, energji… Epo kjo epokë mori fund”, theksoi Karçanaj.
Sipas saj, sot mjafton të ngarkosh raportin në platformë dhe sistemi bën të gjithë punën vetë, gjeneron dokumentin final, kujton afatet, sinjalizon nëse diçka mungon, dhe na ndihmon të monitorojmë çdo detyrim që kemi marrë përsipër.
“E gjitha në kohë reale, me transparencë të plotë, pa vonesa, pa stres. Ky është ndryshimi. Ky është përparimi. Ky është moment, kur ne nuk ecim më me hapin e vjetër të burokracisë, por me ritmin e teknologjisë më të avancuar që ekziston”, vijoi ajo.
“Më lejoni ta them troç: ky sistem nuk është thjesht një vegël teknike. Nuk është thjesht një aplikacion. Është një provë e qartë se Shqipëria jo vetëm që është gati për Evropën, por është e aftë të jetë lider i inovacionit administrativ në rajon”, u shpreh Karçanaj.
“Sepse në fund të ditës, çfarë duam ne? Ne duam një administratë që nuk humbet kohë me letra dhe procedura të kota, por që fokusohet aty ku ka vërtet rëndësi: në analizë, në vendimmarrje, në zgjidhje konkrete”, theksoi Karçanaj në fjalën e saj.
Drejtuesja e AKSHI-t tha se kjo mundësi do të shfrytëzohet si një hapësirë për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së.
“Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Ky vend nuk ka më luksin të ecë me hapa të vegjël. Koha për të pritur ka mbaruar. Koha për të vepruar është tani”, përfundoi ajo. /j.p/
The post Karçanaj: Moduli i inteligjencës artificiale përkthen çdo akt të BE-së brenda disa minutash, dikur merrte kohë të pafundme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.