Normal view

Received today — 27 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Projektligj i ri për forcimin e kontrollit dhe identifikimin tatimor me BE-në

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Një projektligj i ri për bashkëpunimin administrativ në fushën e tatimeve dhe shkëmbimin e informacionit tatimor synon të forcojë bashkëpunimin e Shqipërisë me administratat tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të krijojë mekanizma më efikasë për identifikimin e aktiviteteve ekonomike me karakter ndërkufitar.

Projektligji, i hedhur për konsultim publik, përafron kuadrin shqiptar me Direktivën e Këshillit 2011/16/BE, të njohur si DAC 1, të ndryshuar së fundi nga Direktiva e Këshillit (BE) 2025/872.

Në fokus të nismës është shkëmbimi i informacionit tatimor, përfshirë edhe shkëmbimin automatik të të dhënave që disponohen nga administrata shqiptare për persona me rezidencë tatimore në një shtet tjetër anëtar të BE-së.

Informacioni që mund të shkëmbehet përfshin të ardhurat nga punësimi, shpërblimet nga pjesëmarrja në bordet drejtuese, disa produkte të sigurimit të jetës, pensionet, pronësinë dhe të ardhurat nga pasuritë e paluajtshme, honoraret dhe dividendët që nuk lidhen me një llogari kujdestarie.

Sipas projektligjit, shkëmbimi automatik duhet të realizohet të paktën një herë në vit dhe jo më vonë se gjashtë muaj pas përfundimit të vitit tatimor gjatë të cilit informacioni është bërë i disponueshëm.

Regjimi i ri gjithsesi, do të prodhojë efekte nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Një tjetër element i nismës lidhet me forcimin e identifikimit tatimor. Për periudhat tatimore që nisin më 1 janar 2030, komunikimi i numrit të identifikimit tatimor (TIN), të lëshuar nga shteti i rezidencës, do të kërkohet, kur të jetë e mundur, për kategori të caktuara të ardhurash.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ketë përgjegjësi edhe për kontrollin e cilësisë dhe validimin e TIN-it në informacionin që shkëmbehet me administratat tatimore të vendeve të tjera.

Projektligji parashikon gjithashtu shkëmbimin e informacionit me kërkesë dhe spontan. Në rastin e një kërkese nga një administratë tatimore e një shteti anëtar, informacioni me rëndësi të parashikueshme për administrimin e tatimeve duhet të sigurohet, në parim, brenda tre muajve, ndërsa në rrethana të caktuara afati mund të shkojë deri në gjashtë muaj.

Bashkëpunimi do të shtrihet edhe në rastet kur administrata tatimore shqiptare ka të dhëna që mund të jenë të rëndësishme për një tjetër shtet, veçanërisht kur ekziston rreziku i humbjes së të ardhurave tatimore ose përdorimit të strukturave ndërkufitare për shmangie të detyrimeve fiskale.

Nisma ligjore parashikon edhe mundësinë e zhvillimit të kontrolleve të njëkohshme dhe auditimeve të përbashkëta ndërmjet administratës shqiptare dhe autoriteteve tatimore të vendeve të BE-së.

Në kuadër të këtyre procedurave, nëpunës të autorizuar të një shteti tjetër anëtar mund të marrin pjesë në hetime administrative në Shqipëri, përfshirë edhe përmes mjeteve elektronike të komunikimit. Kur auditimi zhvillohet në territorin shqiptar, nëpunësit e huaj do të veprojnë në prani dhe nën drejtimin e strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Sipas relacionit, projektligji synon në këtë mënyrë të krijojë një kuadër më të integruar të bashkëpunimit tatimor ndërkombëtar, duke rritur aftësinë e administratave për të gjurmuar informacionin financiar dhe ekonomik që lidhet me më shumë se një juridiksion tatimor.

/e.xh/r.e/

The post Projektligj i ri për forcimin e kontrollit dhe identifikimin tatimor me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e Maleve nis zbatimin, Demo: 200 aplikime të miratuara nga bashkitë

 

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ “Paketa e Maleve po nis të japë rezultatet e para konkrete dhe ky është vetëm fillimi”, deklaroi ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, në një videomesazh drejtuar qytetarëve dhe bashkëkombasve në diasporë.

Sipas tij, Paketa e Maleve tashmë është përqafuar nga qytetarë që “dashurinë që kanë për vendlindjen e tyre, për tokën e të parëve, po e kthejnë në mundësi zhvillimi për ekonominë lokale dhe atë familjare”, teksa bëri të ditur se “sot ne kemi edhe dallëndyshet e para të suksesit”.

Demo tha se bashkitë po e shohin Paketën e Maleve “si një mundësi zhvillimi ekonomik rural dhe si një instrument që s’e kanë pasur kurrë më parë për të adresuar nevojat e qytetarëve dhe krijuar ekonomi lokale”.

“Tani, 52 bashki kanë miratuar mbi 460 zona prioritare, kemi rreth 1 900 aplikime në platformën paketaemaleve.gov.al”, bëri të ditur ministri.

“Rreth 200 aplikime janë miratuar tashmë nga këshillat bashkiakë, ndërsa kemi edhe rastet e para konkrete të suksesit dhe lejet e para të zhvillimit për të vazhduar investimin”, shtoi Demo.

Sipas tij, “procesi po kalon nga interesi, tek aplikimi dhe tashmë tek investimi real në territor”.

Duke iu drejtuar qytetarëve që mund të jenë skeptikë për këtë mekanizëm, Demo nënvizoi se “Paketa e Maleve është një instrument në dorën e bashkive si incentivë për zhvillim ekonomik rural”.

“Jo vetëm që nuk prek pronën private, por adreson shpesh dhe kalvarin e atyre qytetarëve të cilët duan të investojnë në tokat e të parëve apo atyre që kanë mbi 10 vjet që e posedojnë”, u shpreh ai.

Demo sqaroi se Paketa e Maleve zbatohet mbi pasuri shtetërore, përmes një procesi të plotë verifikimi, me 45 ditë afishim publik dhe me garanci që çdo pretendim pronësie i dokumentuar të trajtohet përpara se procedura të vijojë.

“Qëllimi është i qartë: të zgjidhim problematika të mbartura prej vitesh dhe t’i kthejmë ato në mundësi të reja për investim, punësim dhe zhvillim lokal”, deklaroi ministri, teksa nënvizoi se, dhe rezultatet e para po tregojnë se kjo po bëhet realitet.

/e.xh/r.e/

The post Paketa e Maleve nis zbatimin, Demo: 200 aplikime të miratuara nga bashkitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet dollari me 0,14 lekë, euroja humb lehtë terren

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten dollari amerikan vijoi të forcojë pozitat në raport me lekun, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa euroja shënoi rënie të lehtë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan këmbehet me 79,23 lekë ose 0,14 lekë më shumë ndërsa euroja zbriti me 0,02 lekë, duke u kuotuar në vlerën e 92,25 lekëve.
Paundi britanik këmbehet me 107,55 lekë, ose 0,19 lekë më pak se ditën e mërkurë dhe franga zvicerane zbriti me 0,07 lekë duke u këmbyer sot me 98,34 lekë.
Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 79.23 +0.14
Euro EUR 92.25 -0.02
Poundi Britanik GBP 107.55 -0.19
Franga Zvicerane CHF 98.34 -0.07
Jeni Japonez (100) JPY 49.70 -0.05
Dollari Australian AUD 56.86 +0.10
Dollari Kanadez CAD 57.07 +0.03
Korona Suedeze SEK 8.31 -0.03
Korona Norvegjeze NOK 8.47 0.00
Korona Daneze DKK 12.34 0.00
SDR SDR 108.73 +0.19
Ari (OZ 1) XAU 363133.27 -2,122.54
Argjendi (OZ 1) XAG 5405.86 -11.60
Juani Kinez (onshore) CNY 11.79 +0.02
Juani Kinez (offshore) CNH 11.79 +0.02
Lira Turke TRY 1.65 +0.01

/e.xh/r.e/

The post Forcohet dollari me 0,14 lekë, euroja humb lehtë terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Liqeneve, AKKSHI: Shkenca dhe inovacioni, me rëndësi për mbrojtjen e ekosistemeve ujore

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Dita Botërore e Liqeneve, që shënohet më 27 gusht, vë në fokus rëndësinë e kërkimit shkencor dhe inovacionit në mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të liqeneve.

Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) theksoi se liqenet duhet të shihen jo vetëm si pasuri natyrore dhe peizazhe për t’u admiruar, por edhe si laboratorë natyrorë për kërkimin shkencor dhe zhvillimin e zgjidhjeve inovative.

Sipas AKKSHI-t, monitorimi i cilësisë së ujit, vlerësimi i biodiversitetit, identifikimi i ndotjes dhe analizimi i ndikimit të ndryshimeve klimatike kërkojnë përdorimin e teknologjive dhe zgjidhjeve të reja.

Në këtë drejtim, inovacioni mundëson monitorim më të shpejtë dhe të saktë të cilësisë së ujit, sisteme inteligjente për zbulimin dhe parandalimin e ndotjes, teknologji të reja për trajtimin dhe rehabilitimin e ujërave, si dhe sisteme digjitale për mbledhjen, ruajtjen dhe analizimin e të dhënave.

“Shkenca na ndihmon t’i kuptojmë liqenet. Inovacioni na ndihmon në menaxhimin efektiv të tyre”, nënvizon AKKSHI, teksa evidenton rëndësinë e ndërthurjes së kërkimit shkencor me teknologjinë për ruajtjen e ekosistemeve ujore.

/e.xh/

The post Dita Botërore e Liqeneve, AKKSHI: Shkenca dhe inovacioni, me rëndësi për mbrojtjen e ekosistemeve ujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AIDA: Mbi 29 mijë kompani me kapital të huaj në Shqipëri, 66% janë aktive

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) informon se 29 339 kompani me kapital 100% të huaj ose të përbashkët janë regjistruar në Shqipëri deri në korrik 2026, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).

Nga totali i kompanive të regjistruara, 19 370 janë aktive, ose rreth 66%, duke ruajtur nivele të ngjashme me një vit më parë, kur kompanitë aktive përbënin 65% të totalit. Pjesa tjetër, rreth 34%, kanë status joaktiv, përfshirë subjektet pasive, të çregjistruara, të falimentuara, të pezulluara ose në likuidim e procedurë falimenti.

Sipas shpërndarjes gjeografike, Tirana vijon të jetë qarku me përqendrimin më të madh të kompanive aktive me kapital të huaj ose të përbashkët. Në kryeqytet operojnë 12 814 kompani, ose 66,2% e totalit. Pas Tiranës renditen Durrësi me 13,4% dhe Vlora me 7,8%.

Për sa i përket origjinës së kapitalit, kompanitë me kapital italian kanë praninë më të lartë në Shqipëri, të ndjekura nga kompanitë me origjinë nga Kosova, Turqia, Greqia dhe SHBA-ja.

Kompanitë me kapital të huaj ose të përbashkët janë të pranishme në një gamë të gjerë aktivitetesh ekonomike. Shërbimet zënë peshën më të madhe, me 41,1% të totalit, të ndjekura nga tregtia me shumicë dhe pakicë me 26%.

Ndër sektorët e tjerë me prezencë të konsiderueshme janë industria përpunuese me 9,6%, informacioni dhe komunikacioni me 8,8% dhe ndërtimi me 7,6%.

Të dhënat janë publikuar nga AIDA bazuar në informacionin e QKB-së, duke ofruar një panoramë të pranisë dhe shpërndarjes së kompanive me kapital të huaj dhe të përbashkët në ekonominë shqiptare.

/e.xh/r.e/

The post AIDA: Mbi 29 mijë kompani me kapital të huaj në Shqipëri, 66% janë aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kadastra përfundon legalizimin e 112 banesave në Lushnjë

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përfunduar procesin e legalizimit për 112 banesa në njësitë administrative Kolonjë dhe Bubullimë (bashkia Lushnjë).

Sipas njoftimit të Kadastrës, të gjithë aplikuesit që kanë plotësuar dokumentacionin dhe kanë qenë të pranishëm gjatë procesit të matjeve në terren janë pajisur me vendimin e legalizimit.

Në kuadër të vijimit të procesit, ASHK ka publikuar në faqen zyrtare listat emërore të banorëve që duhet të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për përfundimin e legalizimit, si edhe listën e personave që nuk janë gjetur në banesë gjatë verifikimeve në terren.

Kadastra u bën thirrje qytetarëve që e kanë emrin në këto lista të paraqesin një kërkesë pranë Drejtorisë Vendore të Kadastrës Lushnjë, duke lënë edhe një numër kontakti.

“Bashkëpunimi është i rëndësishëm që procesi të mos mbetet pezull dhe legalizimi i banesës të mund të përmbyllet”, thekson ASHK.

/e.xh/r.e/

The post Kadastra përfundon legalizimin e 112 banesave në Lushnjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi: Autostrada Kashar–Rrogozhinë nis ndërtimin brenda këtij viti, pjesë e Korridorit Blu

TIRANË, 27 gusht /ATSH/ Projekti i autostradës Kashar-Rrogozhinë nis fazën e ndërtimit brenda këtij viti, ndërsa Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka miratuar projektin e zbatimit, duke i hapur rrugë procesit të shpronësimeve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se pas diskutimeve për mënyrën e lidhjes së aksit Kashar-Rrogozhinë me bajpasin e Tiranës, tashmë janë përmbyllur detajet e projektit dhe se autostrada nis ndërtimin brenda këtij viti.

“ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit që ka ardhur në ministri ditën e sotme dhe do të nisë menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda këtij viti”, u shpreh Karakaçi në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale.

“Kashar-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vazhdimi i aksit Thumanë-Kashar. Me një gjatësi prej 33,5 kilometrash, kjo do të jetë autostradë e kategorisë A dhe do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë veri–jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë–Durrës”, deklaroi ministri.

Karakaçi theksoi se projekti është pjesë e një pakete më të gjerë investimesh strategjike në infrastrukturën rrugore, që synon përmirësimin e lidhjeve kombëtare dhe integrimin e vendit me rrjetin europian të transportit.

“Ky është një projekt i rëndësishëm që, së bashku me kantierët që kemi hapur, si Bypass-i i Tiranës, Bypass-i i Elbasanit, Elbasan–Rrogozhinë, Elbasan–Qafë Thanë dhe autostrada Milot–Balldren, do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit dhe do ta çojë një hap më tej lidhjen e Shqipërisë me rrjetin europian të transportit”, theksoi Karakaçi.

Autostrada Kashar–Rrogozhinë konsiderohet një nga segmentet e rëndësishme të Korridorit Blu, duke synuar forcimin e lidhjes veri–jug dhe përmirësimin e aksesit të Shqipërisë në korridoret europiane të transportit.

/e.xh/r.e/

The post Karakaçi: Autostrada Kashar–Rrogozhinë nis ndërtimin brenda këtij viti, pjesë e Korridorit Blu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received yesterday — 26 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Prodhimi në serra arrin rekord në vitin 2025, rritje 25,4% në gjashtë vjet

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Prodhimi bujqësor në serra në Shqipëri ka arritur nivelin më të lartë historik në vitin 2025, duke vijuar rritjen e pandërprerë të regjistruar gjatë gjashtë viteve të fundit, sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Të dhënat zyrtare publikuar sot nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA) tregojnë se prodhimi në serra u rrit nga 147 mijë tonë në vitin 2019 në 185 mijë tonë në vitin 2025, duke shënuar një rritje prej 37 589 tonësh, ose 25,4% në periudhën 2019–2025.

Ecuria ka qenë pozitive çdo vit. Në vitin 2020 prodhimi arriti në 157 mijë tonë, në vitin 2021 në 163 mijë tonë, ndërsa në vitin 2022 u ngjit në 170 mijë tonë, ose rreth 23 mijë tonë më shumë krahasuar me vitin 2019.

Rritja vijoi edhe në vitet pasuese, duke arritur në 177 mijë tonë në vitin 2023, 182 mijë tonë në vitin 2024 dhe 185 mijë tonë në vitin 2025, niveli më i lartë i regjistruar për këtë sektor.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zgjerimi i sipërfaqeve me serra ka ndikuar në rritjen e prodhimit, duke mundësuar kultivim më pak të varur nga kushtet atmosferike dhe zgjatjen e sezonit të prodhimit gjatë vitit.

Serrat përbëjnë një komponent të rëndësishëm të bujqësisë, pasi krijojnë kushte për prodhim më të qëndrueshëm, rrisin furnizimin me produkte bujqësore në periudha më të gjata të vitit dhe mbështesin zhvillimin e aktivitetit bujqësor.

Rritja e vazhdueshme e prodhimit gjatë viteve 2019–2025 pasqyron zgjerimin dhe modernizimin e këtij segmenti të bujqësisë në vend.

Në këtë drejtim, investimet dhe politikat e mbështetjes së bujqësisë kanë synuar rritjen e kapaciteteve prodhuese, modernizimin e fermave dhe forcimin e aktivitetit bujqësor në serra. Sipas MBZHR mbështetja përmes Skemës Kombëtare për sektorin ka kontribuar në zgjerimin e aktivitetit dhe në rritjen e investimeve në bujqësi.

Rritja e prodhimit në serra shihet gjithashtu në kontekstin e orientimit të bujqësisë drejt teknologjive më të avancuara dhe prodhimit më të qëndrueshëm.

/e.xh/j.p/r.e/

The post Prodhimi në serra arrin rekord në vitin 2025, rritje 25,4% në gjashtë vjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 90 mijë individë u lidhën me internetin publik falas në 61 bashki

TIRANË, 26 gusht /ATSH/  Mbi 90 500 individë janë lidhur deri tani me internetin publik falas në 61 bashki të vendit, përmes nismës WiFi4WB, bëri të ditur ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.

Nisma WiFi4WB është pjesë e programit EU4Digital, bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane dhe zbatohet nga GIZ.

Sipas ministrit Demo, ofrimi i internetit publik falas synon të rrisë aksesin në lidhjen digjitale për qytetarët dhe vizitorët, duke u mundësuar atyre përdorimin e informacionit, shërbimeve digjitale, komunikimit dhe burimeve për të mësuar.

Shtrirja e shërbimit në 61 bashki synon të forcojë infrastrukturën e lidhjes digjitale dhe të krijojë më shumë mundësi për komunitetet lokale.

Nisma WiFi4WB është pjesë e përpjekjeve për rritjen e aksesit publik në internet dhe përfshirjen digjitale në nivel vendor.

/e.xh/j.p/

The post Mbi 90 mijë individë u lidhën me internetin publik falas në 61 bashki appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eksportet e energjisë elektrike u rritën me 55,4% në tremujorin e dytë

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Prodhimi vendas i energjisë elektrike u rrit me 34,4% në tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërsa eksportet shënuan rritje të fortë dhe importet ranë, sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT.

Prodhimi neto vendas arriti në 2,361 GWh, nga 1,757 GWh në tremujorin e dytë të vitit 2025. Rritja u mbështet kryesisht nga hidrocentralet, ndërsa prodhimi nga burimet e tjera të rinovueshme shënoi gjithashtu rritje.

Eksportet bruto të energjisë elektrike arritën në 991 GWh, nga 638 GWh një vit më parë, duke u rritur me 55,4%. Në të kundërt, importet bruto ranë me 21,5%, në 569 GWh, nga 725 GWh në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Si rezultat, shkëmbimi i energjisë elektrike, i llogaritur si diferenca mes eksporteve dhe importeve bruto, rezultoi pozitiv me 422 GWh.

Hidrocentralet publike prodhuan 1,011 GWh, ose 43,6% më shumë se një vit më parë, ndërsa hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 903 GWh, me rritje 18%. Prodhimi nga prodhuesit e tjerë arriti në 448 GWh, duke u rritur me 55,6%.

Në të njëjtën periudhë, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët u rrit me 6,2%, në 1,619 GWh. Konsumi i familjarëve u rrit me 5,6%, ndërsa ai i konsumatorëve jo familjarë me 6,9%.

INSTAT bën të ditur se,  pesha e humbjeve ndaj energjisë elektrike në dispozicion zbriti në 16,5%, nga 17,3% në tremujorin e dytë të vitit 2025.

/e.xh/j.p/

The post Eksportet e energjisë elektrike u rritën me 55,4% në tremujorin e dytë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i ri akademik nis më 5 tetor, Kumbaro: Universitetet me hapësira të reja dhe moderne

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Viti i ri akademik 2026–2027 në institucionet e arsimit të lartë do të nisë më 5 tetor deri më 24 shtator 2027, ndërsa universitetet po vijojnë përgatitjet për rikthimin e studentëve në auditore dhe laboratorë.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se në disa universitete viti i ri akademik do të nisë edhe me hapësira të reja dhe të modernizuara për mësimdhënie dhe kërkim shkencor.

Sipas saj, investimet në mjediset universitare synojnë krijimin e kushteve më të mira për studentët dhe pedagogët, duke mbështetur procesin e studimit, punën kërkimore dhe zhvillimin e kapaciteteve universitare.

Investimet përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës dhe hapësirave universitare, me synim krijimin e një mjedisi më funksional për zhvillimin akademik dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.

/e.xh./j.p/

The post Viti i ri akademik nis më 5 tetor, Kumbaro: Universitetet me hapësira të reja dhe moderne appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisma “BRIDGE2EU”, Ibrahimaj: Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, mundësi financimi nga BE

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Brain Nest Institute, ka lançuar nismën BRIDGE2EU – Nga Potenciali Lokal drejt Mundësive Evropiane, e cila synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) shqiptare në orientimin dhe aksesin ndaj mundësive evropiane të financimit dhe zhvillimit.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se, programi është ndërtuar mbi nevojat konkrete të bizneseve, duke i ndihmuar ato të identifikojnë mundësitë e financimit dhe instrumentet evropiane që lidhen me objektivat e tyre të zhvillimit.

Në kuadër të nismës do të zhvillohen 4 workshope, ku NVM-të pjesëmarrëse do të njihen me programet dhe instrumentet e financimit të BE-së, Single Market Programme, mundësitë e cascade funding dhe instrumentet financiare për bizneset.

Programi përfshin gjithashtu informacion mbi mundësitë në inovacion, digjitalizim dhe tranzicionin e gjelbër, si dhe orientim për kërkimin dhe aplikimin në thirrjet e BE-së dhe identifikimin e partnerëve të përshtatshëm.

Një tjetër komponent i BRIDGE2EU është mbështetja për përgatitjen e një Concept Note për një projekt konkret të biznesit.

Ibrahimaj u bëri thirrje NVM-ve të interesuara të plotësojnë formularin e regjistrimit dhe identifikimit të nevojave. Afati i aplikimit është 6 shtator 2026.

Nisma synon të krijojë një urë më të drejtpërdrejtë mes potencialit të bizneseve shqiptare dhe mundësive të financimit dhe zhvillimit që ofrohen në nivel evropian.

 

/e.xh/j.p/

The post Nisma “BRIDGE2EU”, Ibrahimaj: Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, mundësi financimi nga BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontrolli teknik i mjeteve, Tirana kryeson me 90 287 testime në 7 muaj

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Tirana vijon të kryesojë për numrin e kontrolleve teknike të mjeteve në rang kombëtar, me 90 287 testime të kryera gjatë periudhës janar–korrik 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), kontrollet e kryera në Tiranë përbëjnë 36,3% të totalit kombëtar.

Pas Tiranës renditet Durrësi me 34 691 mjete të kontrolluara, ndërsa Fieri ka regjistruar 22 214 kontrolle dhe Elbasani 15 962.

Në Shkodër janë kryer 15 318 kontrolle teknike, në Laç 12 453, në Vlorë 12 079 dhe në Berat 11 911.

Ndërkohë, në Korçë janë kontrolluar 11 546 mjete, në Dibër 6 842, në Sarandë 5 663, në Gjirokastër 4 911 dhe në Kukës 4 859 mjete.

Të dhënat e DPSHTRR-së pasqyrojnë shpërndarjen e kontrolleve teknike të kryera në qendrat e kontrollit teknik në të gjithë vendin gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026.

/e.xh/j.p/

The post Kontrolli teknik i mjeteve, Tirana kryeson me 90 287 testime në 7 muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Anijet shqiptare nën monitorim të ri mjedisor, detyrim për matjen e emetimeve të gazeve serrë

TIRANË, 26 gusht /ATSH/  Operatorët e transportit detar në Shqipëri do të përballen me kërkesa të reja për dokumentimin dhe kontrollin e emetimeve të gazeve serrë, në një hap që synon modernizimin e rregullave mjedisore dhe përafrimin e tyre me praktikat e Bashkimit Europian.

Projektvendimi i hedhur për konsultim publik parashikon ngritjen e një sistemi të posaçëm për matjen, raportimin dhe verifikimin e emetimeve nga anijet, duke vendosur kërkesa të standardizuara për kompanitë që operojnë në transportin detar.

Në fokus do të jenë CO₂, metani dhe protoksidi i azotit, ndërsa operatorët do të duhet të dokumentojnë konsumin e karburantit dhe të dhëna të tjera që lidhen me lundrimin dhe aktivitetin e anijeve.

Sistemi i ri nuk do të mbështetet vetëm në deklarimet e kompanive. Informacioni i mbledhur do të kontrollohet nga verifikues të pavarur të akredituar, duke synuar rritjen e saktësisë dhe besueshmërisë së të dhënave.

Rregullat do të prekin kryesisht anijet e transportit tregtar të mallrave dhe pasagjerëve që kryejnë udhëtime drejt, nga ose ndërmjet porteve shqiptare. Në varësi të kategorisë së anijes, kërkesat do të shtrihen edhe te disa mjete detare me tonazh më të ulët.

Për secilën anije do të duhet të përcaktohet paraprakisht mënyra se si do të mblidhen dhe përpunohen të dhënat. Planet e monitorimit do të përfshijnë burimet e emetimeve, llojet e karburantit, mënyrat e matjes së konsumit dhe procedurat për administrimin e informacionit.

Raportimi do të kryhet në baza vjetore. Operatorët do të duhet të paraqesin raportin e emetimeve të vitit të kaluar deri më 31 mars, pasi dokumenti të jetë verifikuar.

Përveç konsumit të karburantit dhe sasisë së emetimeve, sistemi do të mundësojë mbledhjen e të dhënave për distancën e përshkuar, kohën e kaluar në det, ngarkesën e transportuar dhe efikasitetin energjetik të anijeve.

Në këtë proces, Drejtoria e Përgjithshme Detare do të ketë rol qendror në zbatimin dhe miratimin e planeve të monitorimit, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të ndjekë zbatimin e kërkesave mjedisore. Verifikuesit do të akreditohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit.

Sipas relacionit shpjegues, masa nuk pritet të krijojë shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit, ndërsa kostot kryesore të zbatimit do të përballohen nga operatorët privatë, përfshirë shpenzimet për ekspertizë teknike dhe verifikimin e të dhënave.

Nisma synon gjithashtu të krijojë një bazë të qëndrueshme statistikore për sektorin detar, duke i dhënë institucioneve mundësi të vlerësojnë më saktë ndikimin e transportit detar në klimë dhe të hartojnë politika për uljen e emetimeve.

Përafrimi me kuadrin europian pritet të sjellë një standard të ri transparence për transportin detar shqiptar, ku performanca mjedisore e anijeve do të matet, kontrollohet dhe raportohet në mënyrë të unifikuar.

/e.xh/j.p/

The post Anijet shqiptare nën monitorim të ri mjedisor, detyrim për matjen e emetimeve të gazeve serrë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimet me aplikacion të ri, qytetarët mund të denoncojnë në mënyrë anonime evazionin fiskal

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Administrata Tatimore prezantoi aplikacionin e ri për denoncimin e shkeljeve tatimore dhe evazionit fiskal, një instrument që synon të lehtësojë raportimin e rasteve të dyshuara të informalitetit nga qytetarët.

Aplikacioni, i disponueshëm në Apple Store dhe Google Play, u mundëson qytetarëve të raportojnë shpejt dhe në mënyrë të sigurt raste të dyshuara të shkeljeve tatimore.

Sipas Administratës Tatimore, një nga veçoritë e aplikacionit është mundësia e raportimit në mënyrë anonime, duke garantuar konfidencialitetin e qytetarëve që denoncojnë rastet e dyshuara.

Ky aplikacion synon të forcojë bashkëpunimin mes administratës tatimore dhe qytetarëve në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, si dhe të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe respektimit të detyrimeve tatimore.

/e.xh/j.p/

The post Tatimet me aplikacion të ri, qytetarët mund të denoncojnë në mënyrë anonime evazionin fiskal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 25 August 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kredia për individë dhe biznese vijon rritjen, Tirana dominon financimin për banesa

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Kredia për individët dhe bizneset vijoi të rritet gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa kushtet e financimit mbetën përgjithësisht të favorshme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit qershor kredia për individët u rrit me 17,1% në terma vjetorë, e mbështetur kryesisht nga kredia në lekë, e cila u zgjerua me 20,2%, ndërsa kredia në valutë u rrit me 5,5%.

Tirana vijon të jetë qendra kryesore e financimit për familjet, veçanërisht për blerjen e banesave. Rreth 56,8% e kredisë konsumatore përqendrohet në kryeqytet, ndërsa pesha e Tiranës në kredinë hipotekore arrin rreth 75%, duke treguar përqendrimin e lartë të tregut të financimit të banesave në kryeqytet.

Në të njëjtën kohë, kredia për bizneset u rrit me 11,6% në terma vjetorë në gjashtëmujorin e parë të vitit. Tregtia vijon të jetë sektori me kontributin më të madh në këtë rritje, duke dhënë 6,1 pikë përqindje, ndërsa kredia për këtë sektor përbën 46,2% të portofolit të kredisë për bizneset. Industria renditet pas saj, e ndjekur nga ndërtimi, i cili zë 21,7% të portofolit, dhe shërbimet me 16,1%. Bujqësia vijon të ketë peshën më të ulët, me 1,3% të kredisë për bizneset.

Normat e interesit kanë mbetur përgjithësisht të qëndrueshme, ndërsa orientimi drejt financimit në lekë vijon të forcohet. BSH bën të ditur se, rritja e kreditimit për individët dhe bizneset tregon një zgjerim të financimit bankar të ekonomisë, megjithëse të dhënat evidentojnë një përqendrim të fortë të kredisë për banesa në Tiranë.

/e.xh/j.p/r.e/

The post Kredia për individë dhe biznese vijon rritjen, Tirana dominon financimin për banesa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSHZH hap tenderin 2,97 milionë euro për sistemin e transportit publik elektrik dhe inteligjent në Berat

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin për ngritjen e sistemit të integruar të transportit publik elektrik dhe inteligjent në Berat, me fond limit prej rreth 2,97 milionë euro.

Projekti synon modernizimin e transportit urban në qytet, përmes zëvendësimit të autobusëve me naftë me mjete elektrike, ndërtimit të stacioneve të reja, infrastrukturës së karikimit dhe sistemeve inteligjente për menaxhimin e flotës.

Faza e parë e projektit, e konceptuar si pilot, parashikon vendosjen në shërbim të 7 autobusëve elektrikë në dy linja. Katër autobusë standardë 12-metërsh do të shërbejnë në linjën L1, Kombinat-Uznovë, ndërsa tre minibusë 6-metërsh do të përdoren në linjën turistike L6, që lidh zonën e Kalasë me Goricën.

Në kuadër të kësaj faze parashikohet edhe ndërtimi i 19 stacioneve të pritjes, si dhe instalimi i infrastrukturës së karikimit dhe sistemeve inteligjente të transportit.

Linja Kombinat-Uznovë do të jetë rreth 8 kilometra e gjatë dhe do të ketë 12 stacione, me një frekuencë prej 10 minutash gjatë orareve të pikut. Sipas analizës së transportit publik të bashkisë Berat, linja pritet të mbulojë rreth 18 mijë banorë.

Projekti është pjesë e një plani më të gjerë për transformimin e transportit publik në Berat deri në vitin 2030, i cili parashikon 6 linja, 18 autobusë elektrikë dhe 65 stacione pritjeje, me synim mbulimin e rreth 95% të popullsisë urbane.

Kontrata për tenderin aktual do të ketë një afat zbatimi prej 9 muajsh, ndërsa ofertat do të pranohen deri më 25 shtator 2026.

/e.xh/j.p/r.e/

The post FSHZH hap tenderin 2,97 milionë euro për sistemin e transportit publik elektrik dhe inteligjent në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Financave: Të ardhurat buxhetore 484,6 miliardë lekë gjatë 7-mujorit, rriten 11,8%

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Të ardhurat e buxhetit të shtetit arritën në rreth 484,6 miliardë lekë gjatë periudhës janar-korrik 2026, duke shënuar një rritje prej 11,8% ose rreth 51,1 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ministria e Financave bëri të ditur se të ardhurat totale u realizuan në masën 100% të planit të shtatëmujorit.

Sipas të dhënave paraprake të performancës fiskale, të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat arritën në 307,9 miliardë lekë, me rritje 7,3% krahasuar me janar-korrikun 2025.

Kontribut të rëndësishëm në rritjen e të ardhurave kanë dhënë të ardhurat nga TVSH-ja neto në vend, të cilat arritën në 49 miliardë lekë, në rritje me 25,1% në terma vjetorë.

Ndërkohë, të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale u rritën me 17,3%, duke arritur në 56,6 miliardë lekë. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin u realizuan në 34,6 miliardë lekë, ndërsa taksat nacionale arritën në 25,6 miliardë lekë.

Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, arritën në 117,6 miliardë lekë, 13,4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në anën tjetër, të ardhurat e mbledhura nga administrata doganore u realizuan në 142 miliardë lekë, me një rritje prej 3,8% krahasuar me shtatëmujorin e vitit të kaluar. Brenda këtij zëri, të ardhurat nga TVSH-ja në import arritën në 94,4 miliardë lekë, ndërsa ato nga akciza në 40,5 miliardë lekë.

Sa i përket shpenzimeve, ato arritën në 433,2 miliardë lekë, me një realizim në masën 98,2% të planit të periudhës dhe rritje prej 7,8% krahasuar me janar-korrikun 2025.

Shpenzimet kapitale u realizuan në 49,1 miliardë lekë, ose 10,1% më shumë se një vit më parë, ndërsa shpenzimet korente arritën në rreth 384,1 miliardë lekë, me rritje 7,5%.

Sipas Ministrisë së Financave, performanca paraprake e treguesve fiskalë për shtatëmujorin reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve publike gjatë vitit 2026.

/e.xh/j.p/

The post Ministria e Financave: Të ardhurat buxhetore 484,6 miliardë lekë gjatë 7-mujorit, rriten 11,8% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

INSTAT: Mbi 7 milionë vizitorë të huaj hyn në Shqipëri në 7 muaj, 2 milionë vetëm në korrik

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Shqipëria vijon të shënojë rritje të fluksit të të huajve, me gati 2 milionë hyrje të regjistruara vetëm gjatë muajit korrik 2026.

Sipas të dhënave të INSTAT, në korrik në territorin shqiptar hynë 1 955 099 shtetas të huaj, në rritje me 7,1% krahasuar me korrikun e vitit 2025, kur u regjistruan 1 825 490 hyrje.

Rritja e flukseve konfirmohet edhe nga shifrat për shtatë muajt e parë të vitit. Nga janari deri në korrik 2026, në Shqipëri janë regjistruar 7 014 168 hyrje të shtetasve të huaj, ose 6, 5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Evropa vijon të jetë burimi kryesor i vizitorëve të huaj. Në korrik u regjistruan 1 833 396 hyrje nga vendet evropiane, ndërsa pjesën më të madhe e përbëjnë vizitorët nga Evropa Jugore, me 1 178 557 hyrje.

Pas saj renditet Evropa Qendrore/Lindore me 231 450 hyrje, Evropa Perëndimore me 224 975 dhe Evropa Veriore me 132 728 hyrje.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një zgjerim të tregjeve turistike. Në korrik u regjistruan 67 928 hyrje nga Amerika, 16 723 nga Azia Lindore dhe Paqësori, 9 041 nga Afrika dhe 6 487 nga Azia e Jugut.

Sipas INSTAT, 99% e hyrjeve të shtetasve të huaj gjatë korrikut ishin për qëllime personale, tregues që u rrit me 7,3% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025. Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale shënuan rënie me 8,9%.

Në total, gjatë korrikut në Shqipëri hynë 2 826 615 shtetas shqiptarë dhe të huaj, 6,1% më shumë se një vit më parë. Rritja e numrit të vizitorëve të huaj vijon të jetë një nga treguesit kryesorë të ecurisë së sezonit turistik 2026.

/e.xh/j.p/

The post INSTAT: Mbi 7 milionë vizitorë të huaj hyn në Shqipëri në 7 muaj, 2 milionë vetëm në korrik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare nxit zgjerimin e prodhimit, Forest Lake investon në shegë dhe agrume në Konispol

TIRANË, 25 gusht /ATSH/ Mbështetja nga Skema Kombëtare po nxit fermerët dhe sipërmarrjet bujqësore të zgjerojnë sipërfaqet e kultivuara dhe të investojnë në mekanizimin e bujqësisë.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) solli shembullin e kompanisë Forest Lake në Konispol, e cila është e specializuar në prodhimin e shegëve dhe agrumeve.

Kompania disponon mbi 70 hektarë me shegë dhe 12 hektarë me agrume. Prodhimi i saj furnizon tregun vendas, ndërsa pjesa më e madhe orientohet drejt eksportit.

Përfaqësuesi i Forest Lake, Shpëtim Shehu, tha se aktiviteti me shegët nisi në vitin 2016 me një sipërfaqe prej 10 hektarësh, ndërsa tashmë kompania synon të zgjerojë më tej prodhimin përmes investimeve të reja.

“Kam filluar me mbjelljen e shegëve në vitin 2016, me 10 hektarë. Kam aplikuar te AZHBR-ja për mbjellje të reja dhe mekanizim bujqësor dhe kemi lidhur kontratën”, u shpreh Shehu.

Në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, Forest Lake ka lidhur kontratë për mbjellje të reja dhe mekanizimin e aktivitetit bujqësor.

Sipas AZHBR-së, këto investime synojnë zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara, rritjen e sasisë së prodhimit dhe përmirësimin e rendimentit, duke i dhënë një shtysë të mëtejshme zhvillimit të agrobiznesit në zonën e Konispolit.

Mbështetja përmes skemave kombëtare synon të nxisë investimet në bujqësi, modernizimin e fermave dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese, me qëllim forcimin e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare dhe orientimin e tyre drejt tregjeve të huaja.

/e.xh/j.p/

The post Skema Kombëtare nxit zgjerimin e prodhimit, Forest Lake investon në shegë dhe agrume në Konispol appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌