TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga zgjerimi i rrugës së Ksamilit.
Sipas vendimit, pronarët e pasurive të paluajtshme kompensohen me një vlerë të përgjithshme prej 4 741 122 lekësh.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi edhe vendimin për shpronësimin për interes publik të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i urës së fshatit Metoq”, Bashkia Sarandë.
Pronari i pasurisë së paluajtshme do të kompensohet në vlerë të përgjithshme prej 49 256 lekësh.
TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit informoi sot se vijon intensivisht zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.
Sipas Policisë, krahas kontrolleve dhe verifikimeve, janë organizuar takime me pronarë, administratorë subjektesh në Ksamil, aktivitetet e të cilave gjenerojnë zhurmë nga muzika.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë këtyre ditëve, sipas hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren, të cilët kanë testuar me matës të zhurmës, disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonën turistike të Ksamilit në Sarandë.
Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.
Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë kryer kontrolle dhe për respektimin e orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë, në ambiente të hapura dhe në qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Policia e Sarandës mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët, vizitorët dhe pushuesit.
TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri sot të ditur se punimet për shëtitoren e re të Ksamilit po shkojnë drejt përfundimit, ndërsa ka ndarë edhe një video nga ecuria e investimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë e cilësoi projektin si një transformim të rëndësishëm të hapësirës publike, në funksion të banorëve dhe vizitorëve që zgjedhin jugun e Shqipërisë.
“Drejt përfundimit shëtitorja e re e Ksamilit. Një hapësirë publike e transformuar për banorët dhe për çdo vizitor që zgjedh jugun e Shqipërisë”, shkruan Rama.
Shëtitorja e Ksamilit është pjesë e projektit madhor për përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe turistike në bregdetin e jugut. Ajo synon të lidhë zonat kryesore, të ofrojë hapësira pedonale për vizitorët dhe të riorganizojë aksesin përgjatë vijës bregdetare, duke ndjekur standardet më të mira të bregdeteve mesdhetare.
Ksamili konsiderohet një nga ikonat e turizmit shqiptar dhe një nga pikat më të fotografuara të Rivierës Shqiptare. Veçantia e tij qëndron në kombinimin e peizazhit natyror me trashëgiminë kulturore, duke ofruar një eksperiencë që shkon përtej turizmit tradicional të plazhit.
TIRANË, 13 korrik/ATSH/ Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare u erdhën në ndihmë 9 turistëve të huaj, në dy raste të ndryshme në Himarë dhe Ksamil, duke shmangur pasoja për jetën e tyre.
Reagimi i menjëhershëm dhe profesional i shërbimeve të Policisë Kufitare bëri të mundur shpëtimin e 9 turistëve të huaj, në dy raste të ndryshme të ndodhura gjatë ditës së sotme, në Himarë dhe Ksamil.
Në Himarë, pas njoftimit të marrë nga një shtetase spanjolle se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A. G., kishte mbetur në vështirësi në det, në zonën e Filikurit, pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Brenda një kohe të shkurtër u bë i mundur lokalizimi i tij, nxjerrja nga uji dhe transportimi në mënyrë të sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, duke shmangur pasoja për jetën.
Në Ksamil, rreth orës 12:45, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë 8 turistëve brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi mjeti i tyre lundrues, tip skaf plastik, rrezikonte të fundosej në zonën prapa vendit të quajtur “Tre Ishujt”.
Falë ndërhyrjes së shpejtë me gomone dhe jet ski, të gjithë turistët u shpëtuan, ndërsa mjeti lundrues u rimorkua në mënyrë të sigurt drejt plazhit “Puerto Rico”, në Ksamil.
Të dyja ndërhyrjet u përmbyllën me sukses, pa pasoja për jetën apo shëndetin e turistëve, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për profesionalizmin, gatishmërinë dhe reagimin në kohë të shërbimeve të Policisë Kufitare.
Policia Kufitare apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e mjeteve të sigurisë, si dhe shmangien e lundrimit në zona që paraqesin rrezik.
TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga plazhet publike në Ksamil, ku shfaqen hapësira të organizuara për qytetarët dhe vizitorët vendas e të huaj.
Në pamjet e publikuara, evidentohen zona të dedikuara për pushuesit, të sistemuara nga Bashkia e Sarandës, që synojnë ofrimin e një eksperience më të rregullt dhe të aksesueshme gjatë sezonit turistik.
“Plazhet publike në Ksamil. Hapësira të organizuara nga Bashkia Sarandë në dispozicion të qytetarëve dhe vizitorëve për një eksperiencë”, shkroi Rama.
Hapësirat publike të organizuara synojnë rritjen e cilësisë së shërbimit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare gjatë sezonit veror.
Plazhet e Ksamil në Sarandë, vijojnë të mbeten ndër destinacionet më të frekuentuara në jug të vendit, duke tërhequr çdo vit një numër të lartë vizitorësh për shkak të ujërave të kristalta dhe natyrës piktoreske.
TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi inspektoi sot punimet për zgjerimin e rrugës së Ksamilit, një projekt që konsiderohet me rëndësi të veçantë në prag dhe gjatë sezonit turistik.
Gjatë inspektimit, Karakaçi u shpreh se projekti parashikon zgjerimin e rrugës deri në hyrje të Ksamilit, ndërsa faza e dytë përfshin ndërtimin e bajpasit pranë Urës së Butrintit, me synim lehtësimin e qarkullimit në një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit.
Sipas ministrit, segmenti i parë është tashmë i aksesueshëm për qarkullimin, ndërsa projekti përfshin edhe ndërtimin e një korsie të dedikuar për biçikletat. Ai theksoi se gjatë zbatimit të punimeve i është kushtuar vëmendje edhe aspektit mjedisor.
Karakaçi bëri të ditur se, pavarësisht sezonit veror, grupet e mirëmbajtjes po punojnë për të garantuar qarkullim sa më normal dhe të sigurt për pushuesit dhe banorët e zonës.
Objektivi, sipas tij, është që sezoni i gushtit ta gjejë segmentin e përfunduar.
TIRANË, 20 qershor /ATSH/ Dy turistë ukrainas janë shpëtuar sot në zonën e Ksamilit, pasi rrezikuan të mbyteshin në det për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe erërave të forta.
Sipas Policisë Kufitare, ndërhyrja është realizuar nga shërbimet e Njësisë Speciale Delta, të cilat ndodheshin me shërbim në mbështetje të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.
Gjatë patrullimit në det, efektivët konstatuan një mjet lundrues tip skaf të marrë me qira nga turistët, i cili po rrezikonte të fundosej si pasojë e motit të keq dhe dallgëve të forta. Në bord ndodheshin dy shtetas ukrainas.
Policia ndërhyri menjëherë, duke bërë të mundur shpëtimin e dy turistëve, të cilët u nxorën të sigurt në breg dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, po vijon puna për nxjerrjen e mjetit lundrues nga uji.
Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare të vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Ksamili gjatë viteve të fundit është shndërruar nga një qytezë e vogël bregdetare, në një nga destinacionet turistike më të njohura jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën.
Ujërat e kristalta, ishujt karakteristikë, afërsia me Parkun Kombëtar të Butrintit dhe pozicioni strategjik pranë Sarandës dhe Korfuzit kanë bërë që Ksamili të jetë një nga vendet më të promovuara në tregjet ndërkombëtare të turizmit.
Sezoni turistik i këtij viti ka nisur më herët se vitet e kaluara.
Vizitorët e huaj kanë filluar të frekuentojnë Ksamilin që në muajt prill dhe maj, duke krijuar një zgjatje të sezonit tradicional veror dhe duke gjeneruar aktivitet ekonomik për bizneset turistike shumë përpara periudhës së pikut.
Sipas operatorëve lokalë, rezervimet në strukturat akomoduese kanë qenë të konsiderueshme që në fillim të vitit, veçanërisht nga tregjet e Evropës Veriore, Evropës Qendrore dhe Ballkanit.
Irena Vjeri, përgjegjëse pranë Drejtorisë së Projekteve dhe Turizmit në bashkinë e Sarandës, tha sot për ATSH-në se “treguesit e deritanishëm tregojnë një sezon me fluks të lartë turistësh dhe me interes në rritje nga tregjet ndërkombëtare. Vizitorët po zgjedhin jo vetëm muajt korrik dhe gusht, por gjithnjë e më shumë periudhat maj-qershor dhe shtator-tetor”.
Sipas saj, ndër faktorët që kanë ndikuar pozitivisht këtë sezon janë përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe urbane, rritja e numrit të strukturave akomoduese dhe cilësisë së shërbimeve, promovimi ndërkombëtar i Rivierës Shqiptare, kërkesat në rritje për destinacione autentike mesdhetare, si dhe lehtësimi i aksesit nga Korfuzi dhe aeroportet rajonale.
“Një element i rëndësishëm është edhe projekti i bajpasit të Ksamilit dhe ndërhyrjet urbane, që po ndryshojnë mënyrën e qarkullimit dhe përjetimit të destinacionit, duke reduktuar ngarkesën e trafikut gjatë sezonit”, theksoi Vjeri.
Ksamili konsiderohet një nga ikonat e turizmit shqiptar dhe një nga pikat më të fotografuara të Rivierës Shqiptare. Veçantia e tij qëndron në kombinimin e peizazhit natyror me trashëgiminë kulturore, duke ofruar një eksperiencë që shkon përtej turizmit tradicional të plazhit.
TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Me nisjen e sezonit turistik veror, qendra shëndetësore në Ksamil, që njëherësh funksionon edhe si qendër shëndetësore verore “Ksamil i Ri”, është në shërbim jovetëm të banorëve të zonës 24 orë në 7 ditë të javës, por edhe të pushuesve vendas dhe të huaj, duke garantuar shërbim të shpejtë dhe profesional.
Qendra Shëndetësore Ksamil është pjesë e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Sarandë (NJVKSH Sarandë) e cila mbulon territorin e bashkisë Sarandë dhe bashkisë Konispol.
OSHKSH bën me dije për ATSH-në, se gjatë sezonit turistik, për shkak të fluksit të lartë të pushuesve, në mënyrë të përkohshme shtohen 3 mjekë dhe 6 infermierë, të cilët ofrojnë shërbim në këtë qendër kryesore, që shërben edhe si qendër verore.
Në këtë njësi funksionojnë gjithsej 9 qendra shëndetësore me 60 pika ambulatore, që mbulojnë një popullatë prej 27.511 banorësh. Prej tyre, 8 janë qendra bazike dhe 1 është Qendra Socio–Shëndetësore Sarandë, e cila ofron shërbime të integruara, përfshirë edhe shërbime psikosociale.
Kjo qendër shëndetësore ofron shërbimet bazë të kujdesit shëndetësor parësor, përfshirë konsultorin e gruas dhe të fëmijës, kujdesin për të sëmurët kronikë, shërbimin për të moshuarit, shërbimin në banesë, planifikimin familjar dhe edukimin shëndetësor. Këto shërbime sigurojnë mbulim të vazhdueshëm dhe cilësor për popullsinë rezidente dhe sezonale të zonës.
Ksamili, një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në jug të vendit, mirëpret çdo vit mijëra vizitorë. Përballë këtij fluksi të shtuar, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) kanë marrë masat e nevojshme për të siguruar mbulim të plotë me shërbime mjekësore, duke vënë në dispozicion personel të kualifikuar dhe infrastrukturën e nevojshme për përballimin e rasteve që kërkojnë asistencë shëndetësore.
Qendra Shëndetësore Ksamil, njëherësh QSHV “Ksamil i Ri” mbulon një popullsi prej 2,731 banorësh rezidentë, ndërsa gjatë sezonit veror përballet me një fluks të konsiderueshëm pushuesish vendas e të huaj.
Funksionimi i qendrës dhe shtimi i stafit gjatë sezonit turistik kanë rezultuar thelbësorë për sigurimin e aksesit të menjëhershëm në kujdes shëndetësor dhe për përballimin e rritjes së fluksit të vizitorëve, duke kontribuar në rritjen e sigurisë dhe cilësisë së shërbimit në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit.
Këtë vit do të ofrohet shërbim shëndetësor në 36 Qendra Shëndetësore Verore në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug dhe të gjitha qendrat janë të pajisura me barna dhe pajisjet mjekësore të nevojshme jetëshpëtuese.
TIRANË, 15 qershor /ATSH/ Një 22-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e përplasjes me skafin e Policisë Kufitare në Ksamil, teksa po lundronte në det.
Policia njoftoi se, rreth orës 18:30, në Ksamil, shtetasi A. K., rreth 22 vjeç, banues në Ksamil, duke lundruar në det me një mjet lundrues tip jet ski (motor uji), dyshohet se, si pasojë e lundrimit me shpejtësi, është përplasur me skafin e Policisë Kufitare, i cili ishte i stacionuar (i ndaluar) rreth 400 metra larg bregut, në monitorim të hapësirës detare.
Sipas policisë, si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i mjetit lundrues, i cili u nxor menjëherë nga deti nga punonjësit e Policisë dhe drejtues të tjerë të mjeteve lundruese që ndodheshin në zonë, dhe u transportua me urgjencë në spital, por, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën.
Policia bëri me dije se menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Nisja e sezonit turistik veror në Ksamil ka sjellë edhe shtimin e turistëve vendas dhe të huaj që po shijojnë ujërat e kristalta dhe motin e favorshëm të qershorit.
Përmirësimi i infrastrukturës turistike premton për më tepër pushues këtë sezon turistik në Ksamil.
Ndërkohë autoritetet vendore dhe institucionet përgjegjëse kanë marrë masa për garantimin e hapësirave publike në plazhe, duke siguruar zona të dedikuara për pushuesit pa pagesë, sipas planit të menaxhimit të sezonit turistik.
Këto hapësira synojnë të ofrojnë akses të lirë për qytetarët dhe turistët, krahas zonave të administruara nga subjektet private.
Po ashtu, janë forcuar masat për sigurinë ujore përgjatë vijës bregdetare. Në plazhet e frekuentuara janë vendosur vrojtues plazhi, sinjalistika informuese dhe pajisje të ndihmës së shpejtë, ndërsa strukturat përgjegjëse monitorojnë respektimin e rregullave të lundrimit për mjetet detare, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit veror.
Ksamili vijon të mbetet një nga destinacionet kryesore të turizmit bregdetar në Shqipëri, duke nxitur interesin në rritje të turistëve për rivierën shqiptare.
TIRANË, 19 prill/ATSH-Maela Marini/ Plazhet me ujë kristal dhe rërë të bardhë po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj, të cilët po e zgjedhin Ksamilin edhe gjatë pranverës.
I konsideruar një nga perlat e rivierës shqiptare, Ksamili vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj të cilët vlerësojnë natyrën, ushqimin, mikpritjen dhe premtojnë se do të rikthehen sërish.
ATSH bëri një vëzhgim në plazhet e Ksamilit ku sezoni turistik duket se ka nisur më herët këtë vit, ndërsa turistët e huaj shijojnë temperaturat e buta pranverore dhe ujërat e Jonit.
Prania e tyre duke nisur nga fillimi i muajit prill ka sjellë një tjetër ritëm edhe për bizneset buzë detit.
Restorantet dhe baret kanë nisur përgatitjet intensive për sezonin veror, duke sistemuar ambientet dhe duke u përshtatur me kërkesën që po rritet gradualisht. Strukturat akomoduese raportojnë rezervime të hershme, një tregues i qartë se interesi për këtë zonë është në rritje.
Ky fluks i hershëm turistësh konfirmon një trend të ri për turizmin shqiptar, zgjatjen e sezonit përtej muajve tradicionalë të verës.
Një familje britanike me dy fëmijë të mitur kanë zgjedhur qetësinë që ofron kjo periudhë e vitit, larg fluksit të verës, për të shijuar Ksamilin.
Edhe pse kanë mbërritur vetëm një ditë më parë në Ksamil, Genevieve (46 vjeç) nga Mbretëria e Bashkuar tregon se eksperienca e tyre është përtej pritshmërive.
“Unë jam nga Britania e Madhe. Kemi një ditë këtu. Është absolutisht bukur. Jam me fëmijët, njëri gjashtë vjeç dhe tjetri tre vjeç, dhe bashkëshortin. Është shumë bukur këtu, fantastike”, u shpreh ajo.
Edhe për turistët nga Europa Veriore dhe Amerika Latine, Ksamili mbetet një destinacion befasues që do ta zgjidhnin sërish.
Kristina (30 vjeçe), Vaida (26 vjeçe) dhe Zydre (56 vjeçe) nga Lituania theksuan se do të rikthehen në Shqipëri për të eksploruar më tej veriun dhe jugun e vendit.
“Do rrimë këtu për katër ditë. Po qëndrojmë në Sarandë dhe kemi ardhur të vizitojmë Ksamilin. Moti është i mrekullueshëm, mahnitës. Do kthehemi sërish për të eksploruar veriun dhe më shumë për jugun”, thanë ato.
Dy të rinj nga Brazili, Guilherme dhe João shprehen se Shqipëria u ka lënë shumë mbresa.
“Ne jemi këtu prej tri ditësh dhe jemi nga Brazili. Deri tani na ka pëlqyer shumë. E mrekullueshme. Isha në Kroaci dy vjet më parë, por tani preferoj Shqipërinë dhe jo Kroacinë. Po, është e mrekullueshme. Do të rikthehemi në verë”, u shprehën ata.
Një tjetër grup që tërheq vëmendjen janë tre turistë nga Galicia e Spanjës, Olalla (33 vjeç), Hadrian (38 vjeç) dhe Dani (38 vjeç), të cilët janë studentë arti.
Ata e nisën vizitën e tyre në Shqipëri nga Tirana, ndërsa do të qëndrojnë këtu për 2 muaj për të eksploruar më tej kulturën, traditën dhe destinacionet autentike që ruajnë “rrënjët” e vendit, siç shprehen ata.
“Do të qëndrojmë këtu për një apo dy muaj. Na pëlqen peizazhi, gjërat tradicionale dhe do përpiqemi të gjejmë vende interesante. Do të rikthehemi, sigurisht që po, dhe duam të rrimë sa më shumë që të mundemi”, u shpreh Olalla.
Ata u shprehën se këtu ndihen si në shtëpi pasi Shqipëria ka shumë elementë të ngjashëm me Galician.
“Ndihemi si në shtëpi. Galicia nuk është si pjesa tjetër e Spanjës, ndodhet në veri dhe e rrethuar me gjelbërim dhe karakteri është pak ndryshe. Dhe ne po kuptojmë se kemi karakter të ngjashëm me ju shqiptarët. Shumë këndshëm”, u shprehën ata.
Ndërkohë dy turiste nga Belgjika, Aina Maria (45 vjeç) dhe Justina (17 vjeç) shprehen të mahnitura nga ajo që kanë gjetur në Ksamil.
Fillimisht kishin planifikuar një qëndrim të shkurtër, por tashmë po mendojnë ta zgjasin qëndrimin e tyre në Shqipëri.
“Jemi nga Belgjika, kemi një javë këtu në Shqipëri. Do të kthehemi në Belgjikë e do flasim për ju. Na pëlqen shumë këtu, njerëzit janë shumë të dashur. Deti shumë i pastër dhe i bukur. Duam të rrimë tre ose katër ditë më shumë, ndoshta shtatë ditë më shumë. Ushqimi është i shkëlqyer. Nuk kam hasur njerëz kaq shumë miqësore dhe mikpritës. Ejani në Shqipëri. Ksamili është parajsë”, u shprehën ato.
Ndërsa Lisa (70 vjeçe) nga Franca tha se ndodhet në Shqipëri prej dy javësh dhe deri tani ka vizituar Tiranën, Gjirokastrën dhe Beratin. Në Ksamil ajo vlerësoi veçanërisht detin.
Me klimën e butë, çmimet konkurruese dhe natyrën që mbetet ndër më të bukurat në rajon, Ksamili po konsolidohet si destinacion që tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit.
Në këtë mënyrë, jugu i Shqipërisë po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, ndërsa turistët që e vizitojnë kthehen në ambasadorët më të mirë për promovimin e potencialit turistik.
TIRANË, 7 prill /ATSH/ Ksamili, ndër destinacionet më të kërkuara turistike në jug të vendit ka njohur vitet e fundit flukse të larta vizitorësh që kanë nxitur edhe plotësimin e infrastrukturës së shërbimeve.
Një ndër investimet më të rëndësishme në këtë drejtim është edhe rruga e re, që përfshin trotuaret panoramike dhe korsitë e biçikletave, që shtrihen nga Ksamili deri te kryqëzimi për plazhin e Pulëbardhës.
Fotoreporteri i ATSH-së, Andrin Hoxha ishte në kantierin e këtij investimi duke sjellë galerinë e fotove që tregojnë punimet dhe përfundimin e disa pjesëve të rrugës që do të lehtësojë aksesin në Ksamil.
Investimi pritet të përfundojë para fillimit të sezonit turistik duke garantuar lehtësim të trafikut dhe akses më të sigurt e më të organizuar për vizitorët dhe komunitetin lokal.
I cilësuar shpesh si “Maldivet e Europës” për shkak të plazheve me rërë të bardhë dhe ujit të kristaltë, Ksamili tërheq çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.
Rritja e cilësisë së shërbimeve dhe investimet në infrastrukturë kombinuar me bukurinë natyrore, plazhet dhe pasuritë kulturore e bëjnë Ksamilin një potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe promovimin ndërkombëtar të turizmit.
I shtrirë midis qytetit të Sarandës dhe Parkut Kombëtar të Butrintit, një zonë me rëndësi historike dhe kulturore, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Ksamili mbetet ndër zgjedhjet kryesore veçanërisht për turistët e huaj, duke ofruar një paketë të plotë turistike që ndërthur natyrën, historinë dhe relaksin.
TIRANË, 3 prill /ATSH/ Në kantierin e ndërtimit të Rrugës së Ksamilit, në Sarandë, punimet po vijojnë me ritme të mira, duke sjellë përmirësime të dukshme në infrastrukturën rrugore të zonës.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, drejt përfundimit është segmenti hyrës për në fshatin turistik të Ksamilit, duke përfshirë trotuaret panoramike dhe korsitë e biçikletave, që shtrihen nga qyteti deri te kryqëzimi për plazhin e Pulëbardhës.
Ky projekt synon të ofrojë lidhshmëri më të mirë për banorët dhe turistët, të përmirësojë sigurinë në trafikun rrugor dhe të rrisë atraktivitetin turistik të zonës, duke krijuar një ambient më funksional dhe të aksesueshëm për vizitorët dhe komunitetin lokal.
Ksamil është një nga zonat më të njohura dhe të vizituara turistike në Rivierën Shqiptare, e vendosur pranë qytetit të Sarandës. E njohur për plazhet e saj me rërë të bardhë, ujërat kristal të kaltër dhe ishujt e vegjël përpara bregdetit, Ksamil tërheq çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.
Zona njihet edhe për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, ku infrastruktura, si rrugët, trotuaret panoramike dhe korsitë e biçikletave, po përmirësohet për të lehtësuar lëvizjen e turistëve dhe për të rritur aksesin në atraksionet natyrore. Ksamil është gjithashtu pikënisje për eksplorimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, një zonë me rëndësi historike dhe kulturore, e cila është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Investimet në infrastrukturë kombinuar me bukurinë natyrore, plazhet dhe pasuritë kulturore e bëjnë Ksamilin një zonë të rëndësishme turistike për Shqipërinë, me potencial të madh për zhvillim ekonomik dhe promovim ndërkombëtar.
TIRANË, 31 mars /ATSH/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi sot punimet për ndërtimin e rrugës së Ksamilit, duke vlerësuar ritmin e avancuar të punimeve dhe respektimin e parametrave të sigurisë rrugore.
Segmenti hyrës për fshatin turistik është tashmë drejt përfundimit, duke mundësuar qarkullim më të sigurt dhe më të shpejtë për vizitorët dhe banorët e zonës.
Gjatë inspektimit, Kozeli theksoi rëndësinë e përfundimit të punimeve para nisjes së sezonit të ri turistik, për të lehtësuar trafikun dhe për të përmirësuar infrastrukturën rrugore drejt një nga destinacionet më të vizituara të vendit.
Në kuadër të këtij projekti, punimet përfshijnë edhe shtrimin e trotuareve panoramike dhe korsive për biçikleta, nga qyteti deri tek kryqëzimi për në plazhin e Pulëbardhës, duke krijuar mundësi për qarkullim të sigurt për këmbësorët dhe përdoruesit e biçikletave.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, përmes përmirësimit të infrastrukturës rrugore, synohet të rritet siguria, të reduktohet koha e udhëtimit dhe të mbështetet zhvillimi turistik i zonës, që konsiderohet një destinacion kryesor për pushuesit vendas dhe të huaj.
Drejtori Kozeli u shpreh se ARRSh do të vazhdojë të monitorojë nga afër çdo fazë të projektit, për të garantuar përfundimin e punimeve brenda afateve të parashikuara dhe për të siguruar standarde të larta të sigurisë rrugore dhe cilësisë së infrastrukturës.
Ky projekt është pjesë e planit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për përmirësimin e infrastrukturës turistike dhe rrugore në të gjithë vendin, me fokus në destinacionet strategjike dhe zonat me fluks të lartë vizitorësh.
TIRANË, 15 shtator /ATSH/ Nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “5 Dëshmorët” në Ksamil e nisën këtë vit të ri shkollor në ambiente të reja, të rikonstruktuara dhe fusha sportive moderne.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë 9-vjeçare, që tashmë ofron kushte dhe standarde bashkëkohore.
Rama u shpreh se shkolla “5 Dëshmorët” në Ksamil në këtë vit të ri shkollor ka rilindur me kushte dhe standarde bashkëkohore për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e saj, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe bashkisë Sarandë.
Investimet në infrastrukturën arsimore mbeten prioritet i qeverisë për të garantuar kushte më të mira për nxënësit dhe mësuesit.
Në të gjithë vendin, janë hapur këtë vit 30 shkolla të reja ose të rehabilituara, ndërsa 40 të tjera janë aktualisht në proces ndërtimi apo rikonstruksioni.
TIRANË, 10 shtator /ATSH/ – Nëse jeni duke kërkuar vendin e përsosur për të notuar në ujërat e kristalta ose thjesht për të ëndërruar nën një qiell blu, ka disa plazhe në botë ku secili prej nesh dëshiron ti vizitojë të paktën një herë në jetë, shkruan faqja e njohur rangetravel.com.
Kjo faqe përfshin edhe Plazhin e Pasqyrave në Ksamil duke e vlerësuar për ”reflektimet vezulluese që dielli hedh mbi detin Jon”.
Kjo faqe rendit edhe disa nga plazhet e tjera mahnitëse dhe ato më pak të njohura në botë:
Plazhi i Pasqyrave – Ksamil
Destinacioni më i popullarizuar i plazhit?
Sipas të dhënave të kërkimit, të analizuara nga kompania ”Planet Cruise”, është Ksamili, në Shqipëri, ku i ashtuquajturi ”Mirror Beach” ose ”Plazhi i Pasqyrave” renditet ndër më të mirët për reflektimet vezulluese që dielli hedh mbi detin Jon.
Plazhi Whitehaven – Australi
Një zgjedhje kryesore për udhëtarët si dhe zgjedhje e ”Lonely Planet” si nga më të mirët në botë.
Plazhi Elafonissi – Greqi
Rëra rozë, ujërat bruz dhe shtigjet e ecjes janë ndër arsyet pse ky plazh quhet “Karaibet e Mesdheut” dhe u emërua plazhi më i mirë në botë nga udhëtarët e ”TripAdvisor” këtë vit.
Plazhi Coopers Beach – SHBA
Ndërtesa historike dhe plazhi në Long Island, renditet si plazhi më i mirë në Shtetet e Bashkuara. Shtatori është muaji ideal për ta vizituar, me më pak turma njerëzish dhe ujëra më të ngrohta.
Plazhi Cala Goloritze – Itali
Falë përpjekjeve të jashtëzakonshme për ruajtjen e natyrës gjatë 30 viteve të fundit, Cala Goloritze ka mbetur mahnitëse dhe ishull i virgjër, duke fituar vendin e parë në listën e 50 plazheve më të bukura në botë./ /os/
TIRANË, 9 shtator /ATSH-AA/ – Destinacioni i njohur turistik i Ksamilit në jug të Shqipërisë vazhdon të jetë një vend i preferuar për turistët e huaj dhe vendas, shkruan sot Fatjon Cuka për agjencinë turke të lajmeve, Anadolu Agency (AA).
Ksamili si njësi administrative është pjesë e Bashkisë së Sarandës, që gjithashtu shquhet për vijën bregdetare që tërheq shumë turistë, sidomos gjatë stinës së verës.
Një nga destinacionet turistike më të njohura në Ballkan, Ksamili me ujërat e kristalta të Jonit, bukuritë natyrore dhe ishujt e vegjël i magjeps vizitorët.
Për periudhën janar-gusht 2025, Shqipëria ka mirëpritur rreth 9 milionë vizitorë të huaj, rreth 500 mijë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Autoritetet shqiptare gjithashtu kanë synimin që “Ksamili 2030” të jetë model mesdhetar në çdo aspekt, shkruan AA./ /os/
TIRANË, 5 shtator /ATSH/ Në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë ushtruar kontrolle në Ksamil, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative.
Pas kontrollit në territor, në rrugën “Riviera”, Ksamil, u konstatua ndërtimi i dy objekteve me konstruksion blloqe betoni, të papërfunduara, në tokë publike, pa leje nga organet kompetente.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. P., 36 vjeç, R. M., 34 vjeç, M. M., 47 vjeç, dhe A. A., 19 vjeç, banues në Sarandë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P., 42 vjeç, banues në Ksamil, i dyshuar si personi që kishte punësuar shtetasit e lartpërmendur, për të ndërtuar pa leje në tokë publike.
TIRANE, 13 gusht/ATSH/ Pas një denoncimi të bërë për një automjet që qarkullonte me shpejtësi dhe në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë kryen menjëherë verifikimet dhe identifikuan automjetin.
Nga veprimet e kryera rezultoi se automjeti tip “Audi”, në pronësi të një subjekti privat, kishte kryer parakalim në një kthesë me fushëpamje të kufizuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Dhërmi–Himarë.
Për këto shkelje, u vendos masa administrative 52 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.
Në një rast tjetër, pas një denoncimi se një automjet taksi kishte kryer parakalim të gabuar, duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor, shërbimet e Policisë Rrugore Sarandë bënë menjëherë të mundur identifikimin e drejtuesit të tij, i cili nga verifikimet e kryera rezultoi se kishte kryer parakalim të gabuar, duke hyrë në sens të kundërt, në aksin rrugor Sarandë–Ksamil.
Për këto shkelje, u vendos masa administrative 40 000 lekë në zbatim të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim garantimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës, veçanërisht në zonat turistike ku lëvizshmëria është e lartë gjatë sezonit veror.