Normal view

Received today — 26 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita e 57-të e protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Qytetarët janë mbledhur pasditen e së dielës në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të zhvilluar protestën e radhës kundër qeverisë.

Tubimi i sotëm është dita e 57-të e protestës së qytetarëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama dhe klasës politike aktuale.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit pritet të nisin marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të mbahen edhe fjalimet e rastit.

Protesta po zhvillohet nën monitorimin e strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë marrë masat për menaxhimin e qarkullimit dhe garantimin e rendit publik gjatë zhvillimit të tubimit.

Gjatë tubimit, pjesëmarrësit mbajtën fjalime dhe shprehën qëndrimet e tyre lidhur me situatën politike në vend, ndërsa adresuan thirrje ndaj qeverisë, Policisë së Shtetit dhe institucioneve.

Në fjalët e tyre, protestuesit deklaruan se do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim, ndërsa u shprehën edhe kundër ndryshimeve të mundshme në kuadër të reformës territoriale, duke kërkuar ruajtjen e bashkive si Konispoli dhe Delvina.

“Rama priste që me rritjen e temperaturave kjo protestë të binte, por kjo është vera e vetmisë së madhe. Ai nuk do ta mbyllë dot verën sepse Revolucioni i Flamingove do të rrëzojë Ramën dhe qeverinë e tij. 57 ditë rezistencë për të bërë të mundur atë që ky kryeministër nuk e bëri për 13 vite sepse është i pabesë”, tha një aktivist.

“Ne ta japim besën që s’do të ikim prej sheshit derisa të të largojmë ty! Ne e mbajmë besën se s’jemi politikanë si puna jote! Jemi shqiptarë që e kemi studiuar historinë tonë! Nuk do të dorëzohemi pa na futur në burg të gjithëve”, tha një protestues.

Ndërkohë pati thirrje edhe për Policinë e Shtetit, pas përplasjeve të disa ditëve më parë në protestën te Kuvendi.

“I bëj thirrje policisë të mos instrumentalizohet se ne jemi këtu edhe për ta, për fëmijët e tyre”, thirri Edison Lika.

Një tjetër protestuese kundërshtoi idenë e shkrirjes së bashkive për reformën e re territoriale.

Si mund të fshihet Konispoli, si mund të fshihet historia e Çamërisë. Delvina? Qeveria nuk po ndjek interesat e popullit, sepse është bërë arrogante, nuk dëgjon. Hiqni duart nga Konispoli, Delvina dhe Shqipëria. Nuk mund të zbehet roli historik i Delvinës në shtetformim”, tha ajo.

Pas përfundimit të fjalimeve para godinës së Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit.

 

/e.xh/

The post Dita e 57-të e protestës kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zjarri në pyllin e Sodës, Lamallari: Orë të vështira, po ndjekim çdo çast situatën

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur të vënë nën kontroll flakët që përfshinë pasditen e sotme Pyllin e Sodës në Vlorë, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës dhe parandalimin e riaktivizimit të vatrave.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bëri të ditur përmes një reagimi në rrjetet sociale se situata po ndiqet në çdo moment në koordinim me të gjitha strukturat e angazhuara në operacion.

“Orë të vështira në Vlorë për shkak të vatrave të zjarrit në Pyllin e Sodës dhe në disa zona të tjera. Ndjekim në çdo çast situatën në koordinim me të gjitha strukturat në terren që po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve”, u shpreh Lamallari.

Ai falënderoi punonjësit e zjarrfikësve, strukturat lokale dhe banorët vendas për angazhimin dhe përballimin e situatës.

“Falënderoj çdo punonjës që po përballet me këtë situatë të vështirë me profesionalizëm dhe përkushtim. Mirënjohje gjithashtu strukturave lokale dhe banorëve vendas për angazhimin. Prioriteti ynë mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, e banesave dhe e pasurisë natyrore”, deklaroi ministri.

Lamallari theksoi se strukturat do të vijojnë të qëndrojnë në terren deri në normalizimin e plotë të situatës.

/e.xh/

The post Zjarri në pyllin e Sodës, Lamallari: Orë të vështira, po ndjekim çdo çast situatën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE mbështet industrinë e drurit me financim deri në 100 mijë euro

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Bashkimi Evropian në Shqipëri ka prezantuar një skemë të re mbështetjeje për kompanitë shqiptare të përpunimit të drurit, me synim nxitjen e investimeve në zgjidhje inovative të ekonomisë qarkulluese.

Përmes skemës Wood2Value, ndërmarrjet e këtij sektori do të kenë mundësi të investojnë në teknologji dhe procese që reduktojnë mbetjet, përmirësojnë përdorimin e burimeve dhe rrisin konkurrueshmërinë.

Zyra e BE-së në Tiranë bëri të ditur se, kompanitë e përzgjedhura mund të përfitojnë bashkëfinancim deri në 50% të kostove të pranueshme të investimit, me një kontribut maksimal prej 100 mijë eurosh për projekt.

Skema, e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania, synon të promovojë ekonominë qarkulluese në industrinë e përpunimit të drurit dhe përdorimin më efikas të lëndës së parë.

Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian ka hapur thirrjen për aplikime, ndërsa kompanitë e interesuara mund të dorëzojnë projektet e tyre deri më 14 gusht 2026.

/e.xh/a.f/

The post BE mbështet industrinë e drurit me financim deri në 100 mijë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 20 mijë aplikime kualifikohen për masat 5–9 të Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar në faqen zyrtar etë saj, listat e aplikimeve të kualifikuara për masat mbështetëse 5-9, në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, pas përfundimit të fazës së aplikimit dhe kontrollit fillestar administrativ.

Sipas njoftimit të AZHBR-së, janë kualifikuar 20 636 aplikime në pesë masa mbështetëse që synojnë zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme, rritjen e standardeve të prodhimit dhe mbështetjen e sektorit të peshkimit.

Për Masën 5, “Mbështetje për luftimin biologjik në sera dhe tunele plastike”, janë kualifikuar 362 aplikime.

Për Masën 6, “Mbështetje për fermat organike dhe në kalim”, janë kualifikuar 201 aplikime.

Për Masën 7, “Mbështetje për certifikimin GlobalG.A.P.”, janë kualifikuar 16 aplikime.

Numrin më të madh të aplikimeve e ka Masa 8, “Pagesë për sipërfaqe të mbjellë”, ku janë kualifikuar 20 042 aplikime.

Ndërsa për Masën 9, “Mbështetje për ripopullimin e peshkimit në ujërat e brendshme”, janë kualifikuar 15 aplikime.

AZHBR bën të ditur se për masat 5, 6, 7 dhe 9, aplikantët e përfshirë në listat e publikuara duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar brenda 20 ditëve kalendarike nga data e publikimit të listave në faqen zyrtare të agjencisë.

Sa i përket Masës 8, dokumentacioni është ngarkuar elektronikisht gjatë aplikimit. Aplikantët për të cilët do të konstatohen mangësi gjatë kontrollit administrativ do të njoftohen individualisht dhe do të kenë 10 ditë kalendarike për plotësimin e dokumentacionit.

Pas përfundimit të verifikimeve administrative, AZHBR do të publikojë listën përfundimtare të përfituesve dhe vlerën përkatëse të mbështetjes financiare për Masën 8.

Agjencia thekson se mosplotësimi i kritereve të përfitueshmërisë dhe i dokumentacionit brenda afateve të përcaktuara përbën kriter skualifikimi.

Pak ditë më parë Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, publikoi listat e aplikimeve të kualifikuara edhe për masat mbështetëse në blegtori dhe bletari, në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2026, ku janë kualifikuar 21 mijë blegtorë e bletarë.

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 është instrumenti kryesor financiar i qeverisë për mbështetjen e sektorit bujqësor dhe zhvillimin rural. Për vitin 2026, fondi i vënë në dispozicion arrin në 5.2 miliardë lekë, ndërsa skema përfshin 12 masa mbështetëse, të ndara në 9 masa me pagesa direkte dhe 3 masa investimesh.

Aplikimet për fermerët u hapën më 25 maj 2026 dhe u mbyllën më 6 korrik 2026, pasi afati fillestar i parashikuar deri më 26 qershor u shty për t’u dhënë më shumë kohë aplikantëve.

Në përfundim të procesit, në të gjithë vendin u regjistruan 42 728 aplikime nga fermerë dhe subjekte bujqësore, duke reflektuar interesin e lartë për përfitimin nga masat mbështetëse.

Skema Kombëtare 2026 synon të rrisë konkurrueshmërinë e bujqësisë shqiptare, të mbështesë zhvillimin e blegtorisë, prodhimin organik, certifikimin e produkteve, peshkimin dhe investimet në ferma, duke kontribuar njëkohësisht në përafrimin e sektorit me standardet e Bashkimit Evropian.

 

/e.xh/a.f/

The post Mbi 20 mijë aplikime kualifikohen për masat 5–9 të Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama u përgjigjet kritikëve për “Bulevardin e Flamingove”: “Besa” jonë s’ka lidhje me ta

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se reagimet për dorëheqjen e tij vijnë nga persona me të cilët nuk ka një kontratë politike, ndërsa theksoi se marrëveshja e tij është me 800 mijë shqiptarë që e kanë votuar.

Në një postim në rrjetin social X, Rama u shpreh se ata janë ana e errët e protestës, ndërsa theksoi se fjala e tij për Bulevardin e Flamingove u drejtohej shqiptarëve që e kanë votuar.

“Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari ‘Besën’ sepse ‘Besa’ jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë”, tha Rama.

Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:

Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes whatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete* sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment:

Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh.

Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!

Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove.

Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve.

Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari ‘Besën’ sepse ‘Besa’ jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë.

Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike.

/m.m/

The post Rama u përgjigjet kritikëve për “Bulevardin e Flamingove”: “Besa” jonë s’ka lidhje me ta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Paketa e Maleve”, Bardhi: Në e-Albania ofrohet qartë mundësia për të aplikuar si “shtetas i huaj”

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot lidhur me “Paketën e Maleve”, ndërsa u shpreh se platforma zyrtare e-Albania e ofron qartë mundësinë për të aplikuar si “shtetas i huaj”.

“As Diella e vet nuk e beson më Edi Ramën. Me një klikim në e-Albania, ministrja e tij virtuale i rrëzon kryeministrit mashtrimin se shtetasit e huaj nuk mund të bëhen pjesë e Paketës së Maleve”, tha Bardhi.

Bashi publikoi një video ku pasqyroi një dialog me ChatGPT, të cilin sipas tij, “Rama përpiqet ta përdorë si mjet mashtrimi dhe propagande për ligjin e tij klientelist”.

“As Diella, as ChatGPT nuk e mbështesin mashtrimin e tij. Besoj, as Claude, të cilin Rama e përdor çdo ditë. Mjafton t’i pyesësh pa ua diktuar përgjigjen ose të bësh vetëm një klikim në e-Albania dhe propaganda e tij bajate bëhet leckë. Kur edhe Diella të përgënjeshtron, nuk ka më inteligjencë artificiale që e shpëton nga refreni, i cili e ndjek kudo: “Rama, jep dorëheqjen!”, tha Bardhi.

/m.m/a.f/

The post “Paketa e Maleve”, Bardhi: Në e-Albania ofrohet qartë mundësia për të aplikuar si “shtetas i huaj” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Shqipëria ka zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme rrjetin e zonave të mbrojtura

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shqipëria ka zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme rrjetin e zonave të mbrojtura duke bërë që afro një e katërta e territorit të vendit të jetë pjesë e sistemit kombëtar të mbrojtjes së natyrës.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau sot një video informuese e cila paraqet në mënyrë të përmbledhur ecurinë e politikave mjedisore gjatë periudhës 2013–2026.

Koçiu solli në vëmendje ndryshimet në kuadrin ligjor për mbrojtjen e mjedisit, forcimin e administrimit të zonave të mbrojtura, si dhe iniciativat e ndërmarra për rritjen e ndërgjegjësimit publik, ruajtjen e biodiversitetit dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.

Rrjeti kombëtar i zonave të mbrojtura përfshin 12 parqe kombëtare, 28 parqe dhe rezervate natyrore, 11 peizazhe të mbrojtura dhe 724 monumente natyre. Mes zonave që kanë marrë status të veçantë përmenden Alpet e Shqipërisë, Syri i Kaltër, Porto Palermo dhe lugina e Vjosës.

Një nga ndërhyrjet kryesore ishte shpallja e Vjosës Park Kombëtar. Zona e mbrojtur përfshin rreth 480 kilometra rrjedhë lumore, së bashku me degët Drino, Bënçë dhe Shushicë. Për mbrojtjen e ekosistemit u anuluan më shumë se 40 kontrata të trashëguara për ndërtimin e hidrocentraleve.

Nisma për Vjosën u realizua në bashkëpunim me organizata dhe partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Unionin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota.

Parku kombëtar i Vjosës dhe liqeni i Shkodrës hyjnë po ashtu në listën trashëgimtare botërore të UNESCO në një program simbol të këtij vizioni të bashkëjetesës, “Njeriu dhe biosfera”.

Një tjetër masë e rëndësishme ishte vendosja e moratoriumit të gjuetisë, pas një periudhe të gjatë shfrytëzimi të pakontrolluar të faunës së egër. Si rezultat i kësaj nisme popullata e shpendëve u rrit me 40 për qind gjatë dy viteve të para të zbatimit të moratoriumit. Masa dhjetëvjeçare synoi të ndalte rënien kritike të numrit të specieve në pyje dhe laguna.

Gjatë vitit 2025, zonat e mbrojtura regjistruan 5,8 milionë vizitorë. Më shumë se 200 subjekte të certifikuara të agroturizmit dhe ekoturizmit, së bashku me mbi 1.100 udhërrëfyes turistikë, ushtrojnë aktivitet në këtë sektor. Aktivitete si raftingu, kajaku, ecja malore dhe sportet e tjera në natyrë kanë krijuar mundësi të reja ekonomike për komunitetet lokale.

Në fokus të politikave mjedisore ka qenë edhe mbrojtja e pyjeve. Moratoriumi dhjetëvjeçar i prerjeve synoi të frenonte degradimin e fondit pyjor dhe të krijonte kushtet për ripërtëritjen e tij. Gjatë dekadës së fundit janë mbjellë mbi pesë milionë pemë, ndërsa ndërhyrje rehabilituese janë kryer edhe në Parkun Kombëtar të Lurës.

/m.m/

The post Koçiu: Shqipëria ka zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme rrjetin e zonave të mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

CNN: SHBA ndal përkohësisht sulmet ndaj Iranit, Vance dhe gjenerali Caine paralajmërojnë për rreziqet

26 July 2026 at 11:00

UASHINGTON, 26 korrik /ATSH/- Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka vendosur të pezullojë përkohësisht fushatën e bombardimeve ndaj Iranit, ndërsa brenda Shtëpisë së Bardhë janë ngritur shqetësime për pasojat e një zgjerimi të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sipas një raportimi të CNN, duke cituar burime amerikane të njohura me diskutimet në administratë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dhe kreu i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, gjenerali Dan Caine, kanë paralajmëruar presidentit Trump për rreziqet e një përshkallëzimi të mëtejshëm ushtarak ndaj Iranit.

Një nga shqetësimet kryesore lidhej me rezervat amerikane të municioneve të mbrojtjes ajrore. 

Gjenerali Caine i ka bërë të ditur Trumpit se ushtria amerikane kishte kapacitetet për të vijuar operacionet e urdhëruara, por një fushatë e zgjatur mund të ushtronte presion të madh mbi arsenalin ushtarak dhe kapacitetet mbrojtëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përveç çështjes së rezervave ushtarake, zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësime edhe për rrezikun që konflikti mund të zgjerohej në rajon, duke përfshirë pasoja më të gjera për sigurinë në Lindjen e Mesme dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Pezullimi i sulmeve nuk është cilësuar si një armëpushim zyrtar. 

Sipas raportimeve, administrata amerikane po vlerëson mundësinë e rikthimit në negociata me Teheranin, ndërsa Trump ka paralajmëruar se operacionet ushtarake mund të rifillojnë nëse nuk arrihet një marrëveshje. //a.i/

The post CNN: SHBA ndal përkohësisht sulmet ndaj Iranit, Vance dhe gjenerali Caine paralajmërojnë për rreziqet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Merz dënon sulmin në Paradën e Krenarisë në Berlin

26 July 2026 at 14:30

BERLIN, 26 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman, Friedrich Merz, reagoi pas sulmit vdekjeprurës gjatë Paradës së Krenarisë ose Ditës së Christopher Street (CSD), në Berlin, duke e cilësuar ngjarjen si një “sulm ndaj shoqërisë”.

“Çfarë krimi i tmerrshëm në Berlin”, shkroi sot Merz në platformën X, vetëm pak orë pasi një automjet u përplas me turmën pranë aktivitetit në parkun Tiergarten, duke lënë një të vdekur dhe 16 të plagosur.

“Qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota festuan në mënyrë paqësore në Ditën e Christopher Street. Ata donin që ne ta trajtonim njëri-tjetrin me mirësi dhe tolerancë”, shkroi kancelari.

“Ne jemi një shoqëri e hapur dhe që e do lirinë – dhe këtë do ta ruajmë e do ta mbrojmë. Ky akt do të hetohet dhe autorët do të përballen me ndëshkimin më të ashpër”, shtoi ai.

Merz shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, uroi shërim të shpejtë për të plagosurit dhe falënderoi ekipet e emergjencës për reagimin e tyre.

Një zëdhënës i qeverisë bëri të ditur se kancelari është në kontakt të ngushtë me ministrin e Brendshëm, Alexander Dobrindt, dhe po informohet vazhdimisht nga autoritetet e sigurisë për zhvillimet.

“Ky sulm frikacak dhe i neveritshëm ndaj njerëzve që po festonin në mënyrë paqësore më ka tronditur thellësisht”, deklaroi Dobrindt.

“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe me të gjithë ata që u bënë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje”, shtoi ai. //a.i/

The post GJERMANI – Merz dënon sulmin në Paradën e Krenarisë në Berlin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hap i ri në luftën kundër kancerit të pankreasit: Pilula e re rrit jetëgjatësinë e pacientëve

26 July 2026 at 10:00

TIRANË, 26 korrik /ATSH/- Një pilulë e re kundër kancerit të pankreasit pothuajse mund të dyfishojë mbijetesën e pacientëve me sëmundje metastatike.

Një trajtim i ri eksperimental në formën e një pilule ditore, ka sjellë rezultate premtuese për pacientët me një nga format më agresive të kancerit.

Ilaçi “daraxonrasib” ka treguar se mund të zgjasë ndjeshëm jetën e pacientëve me kancer të pankreasit, duke pothuajse dyfishuar kohën mesatare të mbijetesës krahasuar me kimioterapinë standarde.

Rezultatet vijnë nga studimi klinik ndërkombëtar, i publikuar në revistën prestigjioze shkencore “New England Journal of Medicine”. 

Studimi u drejtua nga onkologë ndërkombëtarë, përfshirë Eileen M. O’Reilly, dhe përfshiu 500 pacientë me adenokarcinomë duktale metastatike të pankreasit (mPDAC), të cilët kishin marrë më parë trajtime kundër sëmundjes.

Studimi u zhvillua në disa qendra kërkimore dhe spitale në vende të ndryshme të botës. 

Pacientët u ndanë në mënyrë rastësore në dy grupe: 248 prej tyre morën “daraxonrasib”, ndërsa 252 pacientë u trajtuan me kimioterapi sipas zgjedhjes së mjekëve.

Rezultatet kryesore të studimit

Pacientët që morën “daraxonrasib” patën një mbijetesë mesatare prej: 13,2 muajsh me “daraxonrasib” dhe 6,7 muajsh me kimioterapi.

Kjo do të thotë se ilaçi pothuajse dyfishoi kohën mesatare të mbijetesës në krahasim me trajtimin standard.

Rreziku i vdekjes ishte gjithashtu dukshëm më i ulët te grupi që mori ilaçin e ri.

Ilaçi tregoi përfitime edhe në kontrollin e përparimit të sëmundjes

Pacientët që morën “daraxonrasib” jetuan mesatarisht 7,2 muaj pa përkeqësim të kancerit, ndërsa ata që morën kimioterapi rreth 3,6 muaj.

Si funksionon “daraxonrasib”?

Kanceri i pankreasit është veçanërisht i vështirë për t’u trajtuar sepse në më shumë se 90% të rasteve, përfshin ndryshime gjenetike në rrugën RAS, veçanërisht mutacionet e gjenit KRAS. 

Për dekada, këto mutacione konsideroheshin ndër objektivat më të vështira për krijimin e ilaçeve kundër kancerit.

“Daraxonrasib” është një inhibitor oral multiselektiv, që synon proteinat RAS në formën e tyre aktive, të cilat luajnë një rol kyç në rritjen dhe mbijetesën e qelizave kancerogjene.

Duke bllokuar këtë mekanizëm, ilaçi synon të ngadalësojë rritjen e tumorit.

Kush e krijoi ilaçin?

Studimi u mbështet financiarisht nga kompania bioteknologjike “Revolution Medicines”, e cila krijoi “daraxonrasib”. 

Ilaçi është ende në procesin e vlerësimit rregullator dhe nuk konsiderohet ende një kurë për kancerin e pankreasit.

Rëndësia e zbulimit

Ekspertët e konsiderojnë këtë rezultat, një hap të rëndësishëm përpara në trajtimin e kancerit të pankreasit, një sëmundje ku përparimi terapeutik ka qenë shumë i kufizuar për shumë vite. 

Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten të dhëna afatgjata për të kuptuar më mirë efektet e ilaçit dhe kohëzgjatjen e përfitimit te pacientët. //a.i/

The post Hap i ri në luftën kundër kancerit të pankreasit: Pilula e re rrit jetëgjatësinë e pacientëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Për herë të parë në një spital publik, ndërhyrje e avancuar koronare nga mjekët e Spitalit Memorial Fier

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Një ndërhyrje e avancuar koronare është realizuar me sukses në Spitalin Rajonal Memorial Fier, duke shënuar aplikimin për herë të parë në një spital publik në Shqipëri të procedurës koronare perkutane me qasje retrograde dhe teknikën “reverse CART”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri të ditur se ndërhyrja u krye te një pacient 72-vjeçar, i diagnostikuar me sëmundje komplekse të arterieve koronare dhe me risk shumë të lartë.

Ndërhyrja u realizua nga dr. Amarildo Voci, në bashkëpunim me ekipin e hemodinamikës të Spitalit Rajonal Memorial Fier, të përbërë nga dr. Ndriçim Kallashi, dr. Marsjon Qordja, dr. Briand Shehu dhe infermieri Ermir Tajari.

Procedura PCI synon hapjen e arterieve koronare të bllokuara ose të ngushtuara, me qëllim rikthimin e qarkullimit normal të gjakut në zemër. Qasja retrograde dhe teknika “reverse CART” përdoren në raste veçanërisht komplekse, kur trajtimi përmes metodave të zakonshme paraqet vështirësi.


/a.f/

The post Për herë të parë në një spital publik, ndërhyrje e avancuar koronare nga mjekët e Spitalit Memorial Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Washington Post”: Humbja e nuhatjes mund të sinjalizojë probleme me kujtesën në të ardhmen

26 July 2026 at 09:00

TIRANË, 26 korrik /ATSH/- Të ndalesh për të nuhatur aromën e trëndafilave nuk është vetëm një këshillë e mirë për jetën. Sipas studimeve shkencore, kjo mund të jetë edhe një mënyrë për të mbështetur shëndetin e trurit, sipas “Washington Post”.

Ekspertët besojnë se humbja e nuhatjes mund të shërbejë si një tregues i hershëm i rënies së funksioneve të trurit, duke sinjalizuar probleme të aftësive njohëse, vite përpara se të shfaqen simptomat e dukshme të sëmundjeve si Alzheimeri ose Parkinsoni.

Për këtë arsye, studiuesit po punojnë që testet e nuhatjes të bëhen pjesë më e zakonshme e kontrollit shëndetësor, me synimin për të përshpejtuar diagnostikimin e hershëm.

“Kur dikush ka një nuhatje shumë të dobët, kjo mund të jetë një sinjal paralajmërues, se në të ardhmen mund të shfaqen probleme me kujtesën ose funksionet njohëse”, shpjegon David E. Vance, psikolog dhe profesor në Universitetin e Alabamës në Birmingham (UAB).

Për më tepër, disa studime paraprake sugjerojnë se stërvitja e nuhatjes – ekspozimi i përsëritur ndaj aromave të ndryshme – mund të përmirësojë jo vetëm aftësinë për të nuhatur, por edhe funksionet njohëse të trurit, madje edhe te njerëzit që kanë nuhatje normale.

Studiuesit kanë vërejtur shenja të rritjes së neuroplasticitetit, aftësisë së trurit për t’u riorganizuar dhe për të krijuar lidhje të reja nervore.

Megjithatë, nevojiten studime të tjera për të kuptuar saktësisht se si përmirësimi i nuhatjes ndikon në përmirësimin e kujtesës dhe proceseve të të menduarit.

Studimi bazohet në një rishikim sistematik të 18 hulumtimeve, të udhëhequr nga David E. Vance dhe kolegët e tij nga Universiteti i Alabamës në Birmingham, SHBA, në bashkëpunim me studiues nga institucione të tjera amerikane, përfshirë Universiteti Johns Hopkins.

Studimi u botua në revistën shkencore “Neuropsychology Review”.

Gjithashtu, studimet e udhëhequra nga Instituti Kombëtar për Plakjen (NIA),në SHBA kanë zbuluar se personat me nuhatje më të mirë, kanë një ngadalësim të humbjes së vëllimit të trurit dhe një rënie më të ngadaltë të kujtesës, vëmendjes dhe shpejtësisë së përpunimit të informacionit.

Në të kundërt, përkeqësimi i nuhatjes lidhet me një rrezik më të lartë për zhvillimin e dëmtimit të lehtë njohës dhe demencës. //a.i/

The post “Washington Post”: Humbja e nuhatjes mund të sinjalizojë probleme me kujtesën në të ardhmen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Turisti per Caso”: Ksamili, destinacioni shqiptar që po kryeson listat turistike të Evropës për verën 2026

26 July 2026 at 08:05

TIRANË, 26 korrik /ATSH/- Nga plazhet me ujëra të kristalta të Shqipërisë deri te udhëtimet rrugore mes burimeve termale të Islandës, ja cilat janë 15 destinacionet më të mira për verën 2026, shkruan media italiane “Turisti per Caso”.

Nga vendet më të njohura turistike, te zbulimet e reja dhe destinacione përrallore, Evropa ofron këtë verë 15 vende ideale për çdo lloj turisti.

Në këtë listë përfshihen destinacione për turistët që kërkojnë aventura dhe emocione pranë natyrës, për ata që duan të pushojnë larg zhurmës së përditshme, si dhe për vizitorët që dëshirojnë të shijojnë diellin, detin dhe atmosferën e pushimeve.

Nga plazhet e bukura te qytetet historike dhe peizazhet natyrore mbresëlënëse, këto vende ofrojnë përvoja të ndryshme që mund t’u përshtaten dëshirave të çdo vizitori. 

Mbetet vetëm të zgjidhet destinacioni që përputhet më mirë me stilin e pushimeve tuaja.

Deti, temperaturat e larta, natyra, por edhe një klimë më e freskët, eksplorimi i qyteteve apo dëshira për të përjetuar peizazhe malore: lista e 15 destinacioneve kryesore të verës 2026 në Evropë, përfshin si vende tashmë të njohura gjerësisht nga turistët, ashtu edhe destinacione më të veçanta që u përgjigjen kërkesave dhe preferencave specifike të vizitorëve.

Udhëtimi nëpër këto destinacione të preferuara nis nga Shqipëria dhe vijon përmes disa prej pikave më të rëndësishme të Kontinentit të Vjetër, deri në Islandë. 

Për shumë njerëz, këto vende përfaqësojnë pushime ëndrrash që duhen përjetuar të paktën një herë në jetë, ndërsa për të tjerë janë zgjedhje të sigurta – kur kërkojnë një kombinim ideal mes qetësisë, bukurisë natyrore dhe aventurës.

Ksamil – Shqipëri

Adhuruesit e detit nuk mund të mos e vendosin Ksamilin në krye të listës së destinacioneve të tyre të preferuara, si një ndër zgjedhjet kryesore për pushime në vitin 2026 në Evropë. 

Ujërat e kristalta, plazhet mahnitëse, peizazhet mbresëlënëse dhe ekuilibri perfekt, mes gjallërisë turistike dhe dëshirës për relaks, e bëjnë këtë vend një destinacion gjithnjë e më tërheqës.

Ksamili ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë ndër vite, duke fituar gjithnjë e më shumë popullaritet dhe duke u shpallur një nga destinacionet më të kërkuara për turistët edhe gjatë vitit 2026.  

Media italiane “Turisti per Caso” ka renditur 15 destinacionet kryesore të verës 2026 në Evropë:

Ksamil – Shqipëri

Istria – Kroaci

Piran – Slloveni

Naksos – Greqi

Gdansk – Poloni

Sandhammaren – Suedi

Madeira – Portugali

Kotor – Mali i Zi

Taormina – Itali

Barcelona – Spanjë

Antibes – Francë

Gozo – Maltë

Budapest – Hungari

Talin – Estoni

Ring Road – Islandë  //a.i/

The post “Turisti per Caso”: Ksamili, destinacioni shqiptar që po kryeson listat turistike të Evropës për verën 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 26.7.2026

PEKIN (Kinë) – Vizitë e presidentit sllovak, Peter Pellegrini.

PALMA DE MAJORKA (Spanjë) – Demonstratë antiturizëm në Majorka.

BEJRUT (Liban) – Vizitë e Volker Turk, Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

RIO DE ZHANEIRO (Brazil) – Konferenca e 26-të Ndërkombëtare e SIDA-s.

PINAR DEL RÍO (Kubë) – Festimi i Ditës Kombëtare të Rebelimit.

BRAZILIA (Brazil) – Presidenti i Koresë së Jugut Lee Jae-myung takohet me presidentin brazilian, Lula da Silva./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 26.7.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i kthjellët me vranësira lokale

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e premte do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin, prej orëve mesditës vranësira të pakta hera – herës deri mesatare kryesisht përgjatë relieveve malore. Në orët e vona të mbrëmjes vranësita mesatare deri të dendura kryesisht në zonën e veri- veriperëndimit.

Vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët por nuk do të mungojnë dhe shtrëngatat afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Era parashikohet të fryjë me drejtim kryesor juglindje – jugperëndim me shpejtësi 8m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimore dhe zonave luginore era pritet të fitojë shpejtësi deri 17m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-4 ballë.

The post Mot i kthjellët me vranësira lokale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Një i vdekur dhe 16 të plagosur pasi një furgon u përplas me turmën në Paradën e Krenarisë në Berlin

Berlin, 26 korrik /ATSH/ Një person humbi jetën dhe të paktën 16 të tjerë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike, pasi një furgon u përplas me turmën gjatë festimeve të paradës së komunitetit LGBTQ+, Christopher Street Day (CSD), në Berlin. 

Sipas policisë gjermane, incidenti ndodhi pranë parkut Tiergarten, afër itinerarit të paradës, një nga aktivitetet më të mëdha të këtij lloji në Evropë. Pas ngjarjes, autoritetet ndërprenë menjëherë paradën dhe koncertin e planifikuar, ndërsa u bënë thirrje pjesëmarrësve të largoheshin nga zona. 

Policia njoftoi se drejtuesi i automjetit u largua nga vendngjarja dhe vijojnë kërkimet për kapjen e tij. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin e ngjarjes dhe nëse bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm. 

Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e dënoi incidentin, duke e cilësuar atë si një sulm ndaj një shoqërie të lirë dhe tolerante, ndërsa shprehu solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre. 

The post Një i vdekur dhe 16 të plagosur pasi një furgon u përplas me turmën në Paradën e Krenarisë në Berlin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received yesterday — 25 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta e 56-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Protesta kundër projektit të planifikuar në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 56-të.

Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më tej përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe largimin e Qeverisë.

Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, rishikimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që e cilësuan kastë e vjetër politike.

Një i moshuar, pjesëmarrës në protestë u shpreh se “kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë”.

“Nuk ka zbatuar të drejtat e njeriut. E kanë shkelur që me tokat. Në pushtetin lokal kërkon të drejtë nuk zbatohet, çfarë dreq qeverie është kjo kur nuk zbaton të drejtat themelore të njeriut”, tha ai.

Një tjetër i ri, pohoi nga protesta së “Shqipëria është e korruptuar me banda”, ndërsa u ndal te takimi i Kryeministrit Rama pak ditë më parë në Theth, ku tha se “vetëm 20 persona ishin të pranishëm”.

“Rama në mbledhje kishte 20 veta dhe nuk ishte në Theth, ishte thjesht propagandë. Shqipëria është e korruptuar me banda. 6 çuna i kanë futur në byrektore dhe i kanë rrahur. Mua nuk më kanë prekur se kam nënshtetësi britanike”, tha ai.

Në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë, organizatorët dhe pjesëmarrësit ritheksuan kërkesat e tyre për krijimin e një qeverie tranzitore, ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese, si dhe shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Në përfundim, pjesëmarrësit vijuan marshimin në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Protesta e 56-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë, foto: Florian Abazaj
1 nga 19

 

The post Protesta e 56-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zona e Lumit të Shalës do të lidhet me Tropojën, gati kantieri i aksit rrugor

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kantieri për ndërtimin e rrugës Shalë–Tropojë, një nga investimet e rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit, është gati në pritje të nisjes së punimeve për aksin që shënon hap të rëndësishëm për lidhjen e zonës së Dukagjinit me Kurorën e Alpeve Shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri, duke e cilësuar projektin si një investim strategjik që do të lidhë Shalën me Tropojën përmes Qafës së Ndërmajës.

Ky investim do të krijojë një korridor të ri lidhës mes zonave alpine, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe vizitorëve, si edhe duke rritur potencialin për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Realizimi i këtij projekti pritet të rrisë aksesueshmërinë në një prej destinacioneve më të veçanta të turizmit malor në vend, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe në promovimin e Alpeve Shqiptare si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

/e.i/j.p/

The post Zona e Lumit të Shalës do të lidhet me Tropojën, gati kantieri i aksit rrugor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi: Projekti Milot-Balldren përfshin tunel, ura dhe mirëmbajtje 35-vjeçare

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, reagoi sot ndaj atyre që i cilësoi si dezinformata lidhur me koston e projektit të autostradës Milot–Balldren, duke theksuar se vlerësimi i një vepre të tillë nuk mund të bëhet vetëm mbi bazën e gjatësisë së saj.

Në një deklaratë, Karakaçi tha se krahasimet që mbështeten vetëm te kostoja për kilometër janë të pasakta, pasi çdo projekt infrastrukture ndryshon në varësi të karakteristikave të terrenit, kushteve gjeologjike dhe veprave inxhinierike që përfshin.

Ministri sqaroi se vlera totale prej 364,7 milionë eurosh i referohet kontratës koncesionare 35-vjeçare, e cila përfshin projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen rutinë dhe periodike, sistemin elektronik të monitorimit dhe tarifimit, si dhe riveshjen e autostradës gjatë periudhës së kontratës.

Sipas tij, kostoja e ndërtimit të vetë autostradës është 182 milionë euro.

Karakaçi bëri të ditur se projekti përfshin një tunel me dy tuba prej 850 metrash, një urë 620 metra mbi lumin Mat, një urë 223 metra mbi lumin Drin, pesë nyje në disnivel, rreth 9,5 kilometra rrugë dytësore, si dhe sistemet elektronike të monitorimit dhe tarifimit.

Ai theksoi se aksi kalon në një zonë aluvionale pranë bregdetit Adriatik, çka kërkon punime shtesë për stabilizimin e terrenit, drenazhimin dhe masa të tjera inxhinierike.

Ministri e cilësoi autostradën Milot–Balldren një projekt me rëndësi strategjike, pjesë të rrjetit evropian të transportit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe më tej me rrjetin TEN-T, duke shtuar se qeveria mbetet e angazhuar për realizimin e saj sa më shpejt./ /gj.m/ a.jor.

The post Karakaçi: Projekti Milot-Balldren përfshin tunel, ura dhe mirëmbajtje 35-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Prioritet lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita ka një paketë masash për përballimin e rritjes së çmimeve, rritjen e pagave dhe mbështetjen e sektorit të turizmit.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se rritja e kostos së jetesës lidhet, sipas tij, me politikat ekonomike të qeverisë, ndërsa prezantoi tre masa që PD synon të ndërmarrë.

Sipas Berishës, këto masa janë vendosja e minimumit jetik në nivelin 200 euro për çdo qytetar, heqja e TVSH-së ose ulja e saj në 6% për produktet ushqimore, si dhe dyfishimi i pagave dhe pensioneve përmes një politike agresive të rritjes së tyre.

Duke folur për sektorin e turizmit, kreu i PD-së deklaroi se ky sektor është goditur, sipas tij, nga zhvillimet ekonomike dhe largimi i fuqisë punëtore, ndërsa paraqiti tre hapa që, sipas tij, do të ndihmonin në rimëkëmbjen e tij.

Berisha tha se prioritet do të ishte lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi, rishikimi i sistemit të taksave për hotelet dhe krijimi i një skeme mbështetëse për punonjësit sezonalë gjatë gjithë vitit, me bashkëkontributin e shtetit.

Kreu i PD-së u ndal edhe te çështja e TVSH-së për ushqimet, duke deklaruar se heqja e kësaj takse është e domosdoshme për të ulur barrën e shpenzimeve për qytetarët./ /gj.m/ a.jor.

The post Berisha: Prioritet lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌