Normal view

Received today — 28 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FRANCË – Mijëra turistë evakuohen nga resorti bregdetar, Lacanau për shkak të zjarreve

28 July 2026 at 13:49

LACANAU, 28 korrik /ATSH-DPA/- Mijëra turistë po evakuohen nga bregdeti francez i Atlantikut për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret pyjore, në resortin e njohur turistik Lacanau.

Prefektura e Bordosë urdhëroi sot në mëngjes, evakuimin e kampeve turistike dhe fshatrave të pushimit në zonat Lacanau dhe Oqeanin Lacanau.

Pushuesve iu kërkua të merrnin me vete të gjitha bagazhet dhe të ndiqnin me përpikëri udhëzimet e shërbimeve të emergjencës.

Rreth 4 mijë persona janë prekur nga masa e evakuimit. Autoritetet bënë të ditur se, për momentin, qyteti i Lacanau-së dhe banorët e tij nuk janë të përfshirë në evakuim.

Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një evakuim parandalues, i ndërmarrë për shkak të mundësisë së përkeqësimit të kushteve të motit.

Me afrimin e një tjetër vale të të nxehtit, temperaturat pritet të rriten dhe lagështia e ajrit të ulet.

Shërbimet zjarrfikëse shpjeguan se nxehtësia dhe era, po vështirësojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve, megjithëse flakët nuk janë përhapur më tej që prej fundjavës.

Mijëra efektivë të emergjencave, vijojnë të jenë të angazhuar në luftën kundër vatrave të mbetura të zjarrit. //a.i/

The post FRANCË – Mijëra turistë evakuohen nga resorti bregdetar, Lacanau për shkak të zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj pret ministrin kroat Grlić-Radman: Forcim i partneritetit strategjik

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj priti në një takim ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić-Radman, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore midis dy vendeve, si edhe forcimin e partneritetit strategjik.

Gjatë takimit u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e Kroacisë për integrimin evropian të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, energjisë, infrastrukturës dhe turizmit.

Kreu i Shtetit falënderoi Kroacinë për avokatinë e vazhdueshme që i bën Shqipërisë dhe procesit integrues të saj në të gjitha tryezat ndërkombëtare dhe mori edhe një herë sigurinë dhe gatishmërinë e plotë të Kroacisë për të vijuar me mbështetjen në çdo aspekt të këtij procesi.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për qëndrimin e Kroacisë në mbështetje të Kosovës dhe vlerësoi se bashkëpunimi ynë mbetet i rëndësishëm për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

1 nga 3

/k.s/j.p/

The post Begaj pret ministrin kroat Grlić-Radman: Forcim i partneritetit strategjik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Ruajtjes së Natyrës, apel për mbrojtjen e biodiversitetit

28 July 2026 at 13:40


TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Dita Botërore e Ruajtjes së Natyrës kremtohet çdo 28 korrik duke kujtuar se, themeli për një shoqëri të shëndetshme është një mjedis i shëndetshëm.

Pamjet mbresëlënëse nga Butrinti ku shfaqet një ndërthurje e jashtëzakonshme habitatesh: nga lagunat e qeta dhe pyjet e dendura mesdhetare, deri te ligatinat e pasura dhe ekosistemet ujore që mbrojnë me dhjetëra specie të rralla janë “ftesa” për t’iu bashkuar ruajtjes së natyrës.

Dita Botërore e Ruajtjes së Natyrës synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së burimeve natyrore, siç është edhe Parku Kombëtar i Butrintit, ruajtja e të cilit nuk është vetëm një detyrë ekologjike, por pjesë e pashmangshme e mbrojtjes së vetë peizazhit tonë kulturor e historik. Natyra që rrethon monumentet antike të Butrintit, formon një ekuilibër të brishtë, i cili kërkon vëmendje, përkushtim dhe kujdes të vazhdueshëm çdo ditë të vitit.

Kjo ditë ndërkombëtare kujton se mbrojtja e burimeve natyrore dhe ruajtja e biodiversitetit janë thelbësore për të garantuar të ardhmen e një siti si Butrinti.

OKB thotë se, burimet natyrore të planetit tonë, aktualisht, përdoren nga gati 8 miliardë njerëz që popullojnë Tokën, me këtë numër që pritet të kalojë 9 miliardë deri në vitin 2037. Kjo do të thotë që të gjithë ne po përdorim burimet natyrore të tokës çdo ditë, duke i përdorur ato me një ritëm të shpejtë. Shumë njerëz janë të shqetësuar se ato do të shterohen, duke shkaktuar shqetësim për edukimin e vetes rreth rëndësisë së ruajtjes së burimeve tona natyrore. /j.p/

The post Dita Botërore e Ruajtjes së Natyrës, apel për mbrojtjen e biodiversitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 39 mijë individë kanë përfituar rimbursimin e DIVA-s, janë disbursuar 597.8 milionë lekë

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se Administrata Tatimore ka avancuar me procesin e rimbursimit të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), ndërsa deri tani kanë përfituar 39 965 individë.

Në një konferencë për shtyp, Malaj u shpreh se Administrata Tatimore ka identifikuar gjithsej 41 195 individë që plotësojnë kushtet për rimbursim.

“Për sa i përket rimbursimit të DIVA-s, në total nga ana e Administratës Tatimore janë identifikuar 41 195 individë të cilët kanë kaluar tashmë për rimbursim. Nga këta, janë rimbursuar 39 965 individë, me një vlerë totale prej 597.8 milionë lekë”, tha Malaj.

Sipas ministrit, përfitues janë individët që kanë rezultuar me tatim të mbipaguar, si edhe familjet me një ose dy fëmijë nën moshën 18 vjeç.

Ai bëri të ditur se Administrata Tatimore po vijon punën për përfundimin e rimbursimeve edhe për familjet me më shumë se dy fëmijë.

“Personat që janë rimbursuar janë individë të cilët kanë mbipaguar tatim apo familjet të cilat kanë fëmijë në moshën 18 vjeç. Administrata Tatimore është duke punuar për rimbursimin e individëve me më shumë se dy fëmijë”, theksoi Malaj.

Ministri nënvizoi se fondi i parashikuar për procesin e rimbursimit të DIVA-s është 1,5 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro.

/e.xh/j.p/

The post Mbi 39 mijë individë kanë përfituar rimbursimin e DIVA-s, janë disbursuar 597.8 milionë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Deputetet socialiste: T’i kërkohet falje publike këshilltares së lënduar në Kuvend, hetim penal ndaj Shehajt

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Gratë dhe vajzat deputete të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dënuan me forcë incidentin e ndodhur në Kuvend, ku sipas tyre deputeti Agron Shehaj mori me forcë një dokument të klasifikuar dhe u largua nga ambientet e institucionit, ndërsa një këshilltare e Kuvendit, gjatë përpjekjes për ta ndaluar, u rrëzua dhe mbeti e lënduar.

Në deklaratën e tyre, deputetet socialiste shprehen se punonjësja e administratës ndodhet e shtruar në spital dhe theksojnë se Shehaj nuk u ndal për t’i dhënë ndihmë.

Sipas deklaratës, në përpjekje për ta ndaluar dhe për të kryer detyrën e saj, një këshilltare e Kuvendit, një grua në vendin e saj të punës e ndoqi pas, u rrëzua nga shkallët, mbeti e lënduar dhe sot ndodhet e shtruar në spital.

“Deputeti Shehaj as nuk u ndal, as nuk u kthye, as nuk i dha ndihmë. E la përtokë dhe iku”, thuhet në deklaratë ku theksohet se ky është momenti më i rëndë i kësaj ngjarjeje.

“Sepse bëhet fjalë për një grua, një punonjëse të administratës së Kuvendit, e cila po zbatonte ligjin dhe po kryente me korrektësi detyrën për të cilën ishte ngarkuar”, nënvizoi deklarata.

“Puna e administratës së Kuvendit, kryesisht e mbajtur mbi shpatullat e grave nuk është “pengesë” për politikanët populistë. Këto gra janë kolonat që mbajnë institucionin. Kush ngre dorë ose përdor forcën ndaj tyre, ngre dorë ndaj Kuvendit të Shqipërisë. Një deputet që lë një grua përtokë dhe nuk kthehet, i detyrohet asaj publikisht një falje. Pa kushte. Pa “por”. Pa spote në televizion”, vijon deklarata.

Sipas deputeteve të PS-së, dëmtimi i saj nuk do të kalojë si një “detaj” në kronikën e ditës.

“Kërkojmë falje publike ndaj këshilltares. Kërkojmë masë disiplinore dhe hetim penal, siç ka nisur tashmë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Dhe, mbi të gjitha, kërkojmë që në Kuvendin e Shqipërisë të mos ketë kurrë më një burrë që ecën përpara duke lënë një grua përtokë”, shkruajnë deputetet e PS-së.

/m.q/j.p/

The post Deputetet socialiste: T’i kërkohet falje publike këshilltares së lënduar në Kuvend, hetim penal ndaj Shehajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJEOGRAFI – Humbja e akullit në Antarktidë brenda pesë dekadash ngre alarmin e rritjes së nivelit të deteve

NJU JORK, 28 korrik /ATSH-AA/ – Sipas një studimi ndërkombëtar, shpejtësia me të cilën Antarktida po humbet akullin sot mund t’u ofrojë qeverive një bazë të besueshme për planifikimin ndaj rritjes së nivelit të detit deri në mesin e këtij shekulli.

Studimi, i publikuar muajin e kaluar në revistën Nature, sugjeron se tre deri në pesë dekadat e ardhshme përfaqësojnë një periudhë kritike, gjatë së cilës shkencëtarët mund të bëjnë parashikime relativisht të sigurta, para se sjellja e Shtresës së Akullit të Antarktidës të bëhet shumë më e vështirë për t’u parashikuar.

Studimi u drejtua nga Felicity McCormack nga programi Securing Antarctica’s Environmental Future (SAEF) i Universitetit Monash dhe përfshiu studiues nga Dartmouth College, Universiteti i Lirë i Brukselit dhe Instituti i Teknologjisë në Xhorxhia.

Ekipi analizoi parashikimet nga modelet e shtresës së akullit të Antarktidës të përdorura në Raportin e Gjashtë të Vlerësimit të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), për të përcaktuar se sa saktësisht humbja e tanishme e akullit mund të parashikojë rritjen e ardhshme të nivelit të detit.

Studiuesit zbuluan se ritmi aktual i humbjes së akullit në Antarktidë mbetet një tregues i fortë i kontributit të kontinentit në rritjen globale të nivelit të detit, pavarësisht skenarit të emetimeve ose modelit të përdorur.

Sipas studimit, ky zbulim i bën parashikimet afatshkurtra mjaftueshëm të besueshme për të mbështetur planifikimin bregdetar dhe masat e përshtatjes ndaj klimës deri rreth vitit 2055.

Megjithatë, besueshmëria bie më vonë gjatë këtij shekulli, pasi proceset e reagimit klimatik, përfshirë tërheqjen e shtresave detare të akullit, fillojnë të përshpejtojnë humbjen e akullit dhe të rrisin pasigurinë.

Studiuesit thanë se përmirësimi i vëzhgimeve satelitore dhe i modeleve të shtresave të akullit gjatë dekadave të ardhshme do të jetë thelbësor për të zvogëluar pasiguritë afatgjata.   /os/

The post GJEOGRAFI – Humbja e akullit në Antarktidë brenda pesë dekadash ngre alarmin e rritjes së nivelit të deteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SPORT – Zidane, zyrtarisht trajneri i ri i Francës: Sfida e madhe pas epokës Deschamps

28 July 2026 at 13:27

PARIS, 28 korrik /ATSH-DPA/- Siç pritej, Zinedine Zidane është emëruar trajner i kombëtares franceze të futbollit për meshkuj, duke pasuar Didier Deschamps, njoftoi sot Federata Franceze e Futbollit (FFF).

Presidenti i FFF-së, Philippe Diallo, e cilësoi Zidane një legjendë të futbollit francez, gjatë një konference për shtyp dhe bëri të ditur se ai ka firmosur një kontratë deri në vitin 2030.

Zidane, 54 vjeç, ka fituar Kupën e Botës 1998 dhe Kampionatin Evropian 2000 si lojtar i kombëtares franceze, ekip i cili në atë kohë, drejtohej nga kapiteni Didier Deschamps.

Përvoja e tij si trajner është vetëm te klubi spanjoll “Real Madrid”, ku ka drejtuar ekipin në dy periudha, në vitet 2016-2018 dhe 2019-2021.

Gjatë këtyre viteve ai fitoi tre herë Ligën e Kampionëve dhe dy tituj të kampionatit spanjoll (La Liga).

“E kam thënë shumë herë, nuk ka asgjë më të madhe se kombëtarja franceze. Prandaj është një kënaqësi dhe një nder i madh të bëhem trajner i kësaj skuadre. Por, është gjithashtu një përgjegjësi e madhe”, tha Zidane në një deklaratë.

Ish-lojtari, tre herë i shpallur “Futbollisti më i mirë në Botë”, prej kohësh ishte kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Francës pas largimit të Deschamps, i cili u tërhoq pas 14 vitesh në krye të kombëtares.

Deschamps fitoi Kupën e Botës si trajner në vitin 2018, e çoi Francën në finalen e Botërorit 2022, ndërsa në turneun e fundit ekipi francez u rendit i katërti.

Ndeshjet e para të Zidane, si trajner i Francës, do të jenë katër sfida në Ligën e Kombeve kundër Turqisë, Italisë dhe Belgjikës (dy herë), nga 25 shtatori deri më 5 tetor. //a.i/

The post SPORT – Zidane, zyrtarisht trajneri i ri i Francës: Sfida e madhe pas epokës Deschamps appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Ekonomia u rrit me 3,7% në tremujorin e parë, synojmë 4% në fund të vitit

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Ekonomia shqiptare vijon të ndjekë një trajektore të qëndrueshme rritjeje dhe konsolidimi gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa treguesit fiskalë dhe makroekonomikë konfirmojnë ecurinë pozitive të saj.

Kështu deklaroi të hënën ministri i Financave, Petrit Malaj, në konferencën e përbashkët për shtyp me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, ku u prezantuan rezultatet e administrimit fiskal për gjashtëmujorin e parë të vitit.

Malaj u shpreh se gjatë kësaj periudhe janë shënuar rritje si të të ardhurave, ashtu edhe të shpenzimeve buxhetore, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa ekonomia ka vijuar të mbështetet nga rritja e punësimit dhe aktivitetit të ndërmarrjeve.

“Ekonomia shqiptare në tremujorin e parë të vitit 2026 u rrit me 3.7%, një ritëm më i lartë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e Bashkimit Evropian”, tha ministri.

Sipas Malajt, pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit mbeten pozitive.

“Deri në fund të vitit 2026 parashikojmë që rritja ekonomike të arrijë në 4%, ku kontributin kryesor do ta japin sektori i shërbimeve, si dhe investimet private dhe publike”, deklaroi ai.

Ministri theksoi se qeveria synon që Prodhimi i Brendshëm Bruto të arrijë në rreth 29 miliardë euro deri në fund të vitit 2026, ndërsa objektivi i mandatit është që ekonomia shqiptare të arrijë një PBB prej 35 miliardë eurosh.

Sipas tij, këta tregues pasqyrojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe krijojnë bazë për vijimin e politikave që mbështesin rritjen ekonomike, investimet dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Malaj bëri të ditur se investimet e huaja direkte u rritën me 11.8% në tremujorin e parë të vitit 2026, ose me 404 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa investitorët kryesorë janë Austria, Italia, Holanda, Turqia dhe Kosova.

Ai theksoi se kreditimi i ekonomisë është zgjeruar me mbi 1 miliard euro gjatë pesëmujorit të parë të vitit, duke e çuar stokun e kredive në nivelin rekord prej 10.2 miliardë eurosh në fund të muajit maj.

Sipas Malajt, xhiroja e deklaruar nga bizneset u rrit me 7% në gjashtëmujorin e parë të vitit, ose me 1.3 miliardë euro, ndërsa në fund të qershorit numri i bizneseve të regjistruara pranë Administratës Tatimore arriti në 148 270, me një rritje prej mbi 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /j.p/

Konferencë e përbashkët për mediet Malaj-Binaj-Beja
1 nga 10

 

 

The post Malaj: Ekonomia u rrit me 3,7% në tremujorin e parë, synojmë 4% në fund të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Karakaçi inspekton punimet e bajpasit të Tiranës: Nyje strategjike për lidhjen e korridoreve kombëtare

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Bajpasi i Tiranës është një tjetër projekt i rëndësishëm infrastrukturor për të cilin ka nisur puna në terren në dy fazat e para. Kjo vepër ka një gjatësi prej 21 kilometrash dhe projekti parashikon ndërtimin e një rruge të kategorisë A, (rrugë ndërurbane kryesore).

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli inspektuan ecurinë e punimeve për këtë vepër, ku deri më tani janë realizuar mbi 30% e punimeve fizike.

Ministri Karakaçi e vlerësoi bypass-in e Tiranës si një projekt strategjik pasi bën të mundur lidhjen mes autostradës Milot – Thumanë – Kashar me vazhdimin e autostradës Kashar-Lekaj, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, si dhe lidhjen e autostradës Durrës -Tiranë me autostradës Tiranë -Elbasan, pjesë e Korridorit VIII, duke e anashkaluar qytetin e Tiranës.

“Në fakt është ndër kantieret më strategjik që ne kemi, sepse bën ndërlidhjen ndërmjet korridorit Adriatiko-Jonian, Thumanë-Kashar dhe pastaj vazhdimin e Kashar-Lekaj, autostradës vijuese dhe po ashtu ndërlidhjen ndërmjet Tiranë-Durrës dhe autostradës së Elbasanit, duke bërë dhe shmangien e hyrjes në qytetin e Tiranës”, tha Karakaçi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi më tej se projekti do të adresojë edhe shqetësimet dhe kërkesat e komunitetit të zonës teksa janë parashikuar dhe ndërtimi i rrugëve lokale për të bërë të mundur aksesin e banorëve dhe bizneseve në të dy anët e këtij segmenti rrugor.

Nga ana e tij, drejtori ARRSH tha se deri më tani punimet kanë pasur një ecuri pozitive, duke pasur si synim përfundimin e tyre edhe para afatit të parashikuar në kontratë. “Ecuria është mjaft pozitive. Këtu në këtë kontratë janë përfshirë disa vepra të ndryshme arti, kemi tombino, kanal kulluese, mure mbajtëse, të cilat janë prej betoni, por edhe me fasadë gabioni, ndërkohë që ka dhe një urë, me gjatësi 53 metra linearë, me tre hapësira dritë”, bëri të ditur Kozeli.

Në të dyja fazat e këtij kantierit po punohet paralelisht për ndërtimin e trupit të rrugës si dhe veprat e artit.

/e.xh/j.p/

The post Karakaçi inspekton punimet e bajpasit të Tiranës: Nyje strategjike për lidhjen e korridoreve kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Binaj: 2 400 aplikime nga fermerët për rimbursimin e TVSH, pagesat nisin në gusht

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, deklaroi se skema e  rimbursimit 10% të TVSH-së për fermerët po zhvillohet normalisht, ndërsa numri i aplikimeve pritet të rritet falë fushatës së informimit dhe trajnimeve që administrata tatimore po zhvillon në të gjithë vendin.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja lidhur me rezultatet e 6-mujorit të parë të vitit, Binaj tha se “procesi ka qenë normal. Në sistem kemi rreth 100 mijë fermerë, por vetëm 10 mijë kanë qenë aktivë me autofatura. Nga vlerësimi ynë aktual, potenciali i rimbursimit është rreth 15 milionë euro. Pak a shumë i njëjti ka qenë edhe parashikimi i bërë në buxhet, çka tregon se planifikimi ka qenë i saktë”.

Sipas Binajt, administrata tatimore po punon me intensitet për të informuar fermerët dhe për t’i orientuar në procesin e aplikimit.

“Jemi duke organizuar trajnime në shumë qarqe të vendit. Filluam në Lushnjë, pasi numri i aplikimeve në Lushnjë dhe Fier ishte shumë i lartë, rreth 1.500. Sot jemi në Shkodër, më pas do të vijojmë në Berat, Korçë dhe qarqe të tjera, për të dëgjuar problematikat e fermerëve dhe për t’i informuar për mënyrën e aplikimit”, tha ai.

Binaj theksoi se procedura është e thjeshtë dhe kryhet tërësisht në mënyrë elektronike.

“Aplikimi është shumë i thjeshtë. Mund të bëhet nga telefoni apo tableti, pa pasur nevojë për dokumente në letër. Fermeri zgjedh faturën dhe ajo kalon menjëherë në sistemin tonë. Problemet që kemi hasur deri tani kanë qenë të vogla dhe lidhen kryesisht me informimin”, tha ai.

Ai sqaroi se në disa raste janë konstatuar edhe probleme teknike që lidhen me përditësimin e kodeve të aktivitetit ekonomik të grumbulluesve.

“Shpesh grumbulluesit kanë disa objekte veprimtarie dhe në sistem mund të rezultojnë, për shembull, si ndërtues, ndërkohë që realisht janë grumbullues. Mund të kenë qenë ndërtues vite më parë. Prandaj duhen bërë përditësime të kodeve, në mënyrë që sistemi t’i identifikojë si grumbullues dhe faturat t’u shfaqen fermerëve”, shpjegoi ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve bëri të ditur se deri tani kanë aplikuar rreth 2.400 fermerë, ndërsa vlera e kërkesave për rimbursim ka arritur në rreth 5.9 milionë euro.

“Nga fillimi i muajit gusht do të nisin pagesat e drejtpërdrejta në llogaritë bankare që fermerët kanë deklaruar në sistemin tonë”, tha Binaj.

/k.s/j.p/

The post Binaj: 2 400 aplikime nga fermerët për rimbursimin e TVSH, pagesat nisin në gusht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirohen hapësira publike në plazhin e Golemit, sekuestrohen 116 çadra dhe 232 shezlongë

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Policia e Kavajës në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, vijoi kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa lejen përkatëse nga subjekte të ndryshme, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlongëve.

Sipas policisë, gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Golemit, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej, 116 çadra dhe 232 shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. B., 54 vjeç, D. K., 38 vjeç dhe F. D., 24 vjeç, të tre banues në Kavajë.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.

/m.q/j.p/

The post Lirohen hapësira publike në plazhin e Golemit, sekuestrohen 116 çadra dhe 232 shezlongë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reforma Zgjedhore, ekspertizë ndërkombëtare për forcimin e masave kundër keqpërdorimit të burimeve administrative në zgjedhje

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore zhvilloi sot një tryezë teknike mbi parandalimin dhe reagimin ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative në proceset zgjedhore, ku u diskutua nevoja për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, theksoi se çështja e përdorimit të burimeve njerëzore dhe shtetërore gjatë fushatave zgjedhore mbetet një nga temat më të debatueshme. Sipas tij, Shqipëria ka miratuar masa legjislative të rëndësishme, veçanërisht pas reformës zgjedhore të vitit 2020, e cila vendosi standarde të reja për kufizimin e aktiviteteve publike që mund të ndikojnë në fushata dhe i dha një rol më të madh Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shoqërisë civile në monitorimin e tyre. Megjithatë, Gjiknuri vlerësoi se ka ende hapësirë për përmirësime.

“Ka një rëndësi të veçantë pasi flet për një nga temat e cila përgjithësisht ka qenë debatueshme për sa i përket rolit të burimeve njerëzore dhe shtetit dhe ndikimit të tyre në fushatat zgjedhore. Shqipëria ka marrë disa masa legjislative, për mendimin tim ka bërë kufizime të tilla që pak shtete në Evropë i kanë për sa i përket ndalimit të aktiviteteve publike që potencialisht mund të ndikojnë në fushata zgjedhore. Reforma e vitit 2020 solli disa standard të reja për s ai përket kufizimeve dhe i dha një rol të caktuar KQZ-së dhe shoqërisë civile për të monitoruar aktivitete publike dhe si ato mund të kenë efekt në fushatat zgjedhore. Këtu mund të ketë vend për t’u përmirësuar. Dihet kudo ajo që quhet avantazhi i partisë në pushtet, pavarësisht se edhe në vendin më demokratik të botës kjo gjë merret e mirëqenë, megjithatë është e rëndësishëm që ne të kufizojmë deri në maksimum përdorimin e burimeve njerëzore për efekte elektorale”, tha ai.

Ai bëri thirrje që reforma të mbështetet në ekspertizën ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, me synimin që Komisioni i Reformës Zgjedhore të paraqesë një paketë të re ligjore brenda këtij viti, përpara afatit të përcaktuar në muajin nëntor.

“Të dëgjojmë ekspertizën ndërkombëtare, t’i lëmë debatet e zakonshme. Të reflektojmë mbi atë që do të thonë sa u përket praktikave më të mira dhe pastaj natyrshëm në Komisionin e Reformës Zgjedhor do të kemi mundësin që të shohim alternativat më të mira. Të vijmë me një paketë ligjore brenda këtij viti, sepse e kemi vendosur për të shtyrë afatin deri në nëntor”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, e cilësoi keqpërdorimin e burimeve administrative si një nga problemet më të mëdha që cenon procesin zgjedhor në Shqipëri. Ai tha se përdorimi i shtetit në favor të partisë në pushtet prish barazinë në garë.

Sipas Bylykbashit, asnjë sistem zgjedhor nuk mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme nëse institucionet shtetërore angazhohen në mbështetje të një force politike. Ai theksoi se komisioni duhet të arrijë një zgjidhje efektive dhe funksionale për këtë fenomen, duke e konsideruar atë si një nga objektivat kryesorë të reformës zgjedhore.

“Kjo është një pjesë thelbësore e punës së komisionit për të arritur në konkluzion dhe më pas ato konkluzione t’i kthejmë në zgjedhje legjislative. Çështja që kemi sot në trajtim është një nga çështjet më të mëdha dhe më shkatërruese të procesit zgjedhor sot në Shqipëri. Dikush mund të thotë se kjo ka ekzistuar gjithmonë, por dimensioni me të cilin ne përballemi është i tillë që nuk lë vend dhe hapësirë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Asnjë sistem zgjedhor nuk përballon dot shtetin kur futet në krah të njërit prej garuesve dhe shpartallon çdo lloj standardi zgjedhor. Nëse nuk do të ketë një zgjidhje dhe ajo zgjidhje të jetë efikase dhe funksionale ky komision i reformës nuk do të përmbushë një nga çështjet kryesore që ka dhe Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje”, tha ai.

Tryezë teknike e komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, foto: Andrin Hoxha
1 nga 14

/m.q/j.p/

The post Reforma Zgjedhore, ekspertizë ndërkombëtare për forcimin e masave kundër keqpërdorimit të burimeve administrative në zgjedhje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRLANDË – Takim Merz-Martin: Buxheti i BE-së, zgjerimi dhe siguria fokusi i bisedimeve

28 July 2026 at 11:28

DUBLIN, 28 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz do të zhvillojë sot bisedime me kryeministrin irlandez, Micheál Martin gjatë vizitës së tij në Dublin.

Kryeministri irlandez do të shfrytëzojë takimin me kancelarin gjerman, për të shprehur solidaritetin e Irlandës për viktimat e sulmit gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin.

Takimi zhvillohet në kohën kur Irlanda mban presidencën gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Martin tha se diskutimet do të përqendrohen në disa nga sfidat më të mëdha, me të cilat përballet BE-ja, përfshirë përplasjet mes vendeve anëtare, për madhësinë e buxhetit afatgjatë të Unionit.

Gjermania është një nga vendet që kërkon një marrëveshje më të kufizuar financiare, ndryshe nga plani i propozuar për shpenzime prej 2 trilionë eurosh.

“Negociatat për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së, duhet të përfundojnë sa më shpejt me një marrëveshje. Do të dëgjoj me kujdes qëndrimin e kancelarit gjerman dhe do të diskutojmë se si mund të arrijmë kompromiset e nevojshme”, tha Martin përpara takimit me Merz.

Bisedimet do të përfshijnë gjithashtu rritjen e konkurrueshmërisë së Evropës, përmes thjeshtimit të rregullave, forcimit të tregut të përbashkët evropian, zgjerimit të marrëdhënieve tregtare, uljes së kostove të energjisë dhe përgatitjes për tranzicionin klimatik e digjital.

Një tjetër temë, do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian, i cili është një nga prioritetet e presidencës irlandeze. //a.i/

 

The post IRLANDË – Takim Merz-Martin: Buxheti i BE-së, zgjerimi dhe siguria fokusi i bisedimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Ukraina u bë më e fortë gjatë luftës por jo mjaftueshëm për të ndaluar Putinin

KIEV, 28 korrik /ATSH-AA/ – Presidenti Volodymyr Zelensky tha sot se Ukraina është bërë më e fortë gjatë më shumë se katër viteve të luftës me Rusinë, por ende i mungon forca ushtarake e nevojshme për të ndaluar presidentin rus Vladimir Putin.

Në një intervistë për “Sky News”, Zelensky tha se Ukraina ka zgjeruar prodhimin e saj të armëve vendase, duke përfshirë dronët dhe raketat dhe ka nisur sulme me rreze të gjatë brenda Rusisë për të rritur presionin ndaj Moskës.

“Ne u bëmë aq të fortë sa jemi tani, por jo aq sa ta ndalojmë Putinin”, tha ai.

Zelenskyy tha se fushata e goditjes së thellë të Ukrainës synon të sjellë pasojat e luftës në Rusi.

“Ajo që ne përpiqemi të bëjmë (është) ta bëjmë këtë sfidë edhe për rusët, përndryshe ata nuk do të ndjejnë se lufta është kudo, jo vetëm në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ne filluam operacionet tona të goditjes së thellë, vetëm për t’u përgjigjur”, tha presidenti ukrainas.

Ai theksoi se aftësia në rritje e Ukrainës për goditje me rreze të gjatë ka ndërprerë furnizimin me karburant dhe logjistikën ruse, duke rritur presionin mbi Kremlinin.   /os/

The post KIEV – Zelensky: Ukraina u bë më e fortë gjatë luftës por jo mjaftueshëm për të ndaluar Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Opera “Skënderbeu” e Antonio Vivaldit, homazh evropian për heroin shqiptar

28 July 2026 at 11:18

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Fundi i korrikut të vitit 1718 do të shënonte vënien në skenë të operës “Scanderbeg” të kompozitorit të mirënjohur, Antonio Vivaldi.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujon se, opera kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u vu në skenë me rastin e hapjes së teatrit të Firences “Teatro di via della Pergola”. Ky institucion i rëndësishëm vepronte prej vitit 1657 me emrin “Teatro dell Academia degli Immobili”, dhe karakterizohej nga një frymë inovatore sidomos për propozimet që vinin nga Venediku, si vatra e krijimtarisë operistike italiane nga fillimi i shekullit XVII. Opera “Skënderbeu” hyn në listën e veprave të luajtura rrallë të Antonio Vivaldit dhe autori i libretit ishte Antonio Salvi da Lucignano. Partiturat e operës nuk janë ruajtur plotësisht, janë vetëm katër arie dhe dy recitative, të cilat sot ruhen në Bibliotekën Kombëtare në Torino. Autografi i Vivaldit gjendet në vëllimin e dytë të koleksionit të përmendur, i cili përbëhet prej gjashtë kapitujve plotësisht të ruajtur të muzikës.

Nga kronikat e kohës mësohet se kjo vepër është vënë në skenë rreth 18 herë rresht, në krye të çdo tri ditëve. Studiuesit thonë se shkaku më i rëndësishëm i suksesit të operas “Skënderbeu”, vetëm në një sezon, duhet kërkuar te situata politike e asaj kohe. Pas betejave të shumta me fitore, në Venedik, por dhe në shtetet e tjera të vogla italiane u bë interesante figura e Skënderbeut. Por tregimi për princin shqiptar, ashtu sikurse bëhej aktual në shumë momente të krizës dhe frikës së Evropës para ekspasionit otoman, po aq shpejt bëhej jointeresant kur kalonte rreziku. Ky duhet të ketë qenë shkaku kryesor pse opera “Skënderbeu” u shfaq vetëm në një sezon.

Opera “Skënderbeu” zë një vend të rëndësishëm në veprimtarinë artistike të Vivaldit sepse, falë shfaqjes së kësaj vepre, Vivaldi i zgjeroi kufijtë e famës së tij në botën e operës evropiane.

Në këtë vepër të Vivaldit, protagonisti nuk i përket mitologjisë, por një të kaluare shumë të afërt për atë periudhë. Skënderbeu ishte një figurë shumë e shquar në kujtesën italiane dhe atë evropiane, përveçse një personalitet i rëndësishëm politik, është udhëheqësi i vetëm, i cili asnjëherë nuk ka pësuar ndonjë humbje nga osmanët. /j.p/

The post Opera “Skënderbeu” e Antonio Vivaldit, homazh evropian për heroin shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump përballet me Gjykatën e Lartë, kërkon të rikthejë kufizimet për votimin me postë

28 July 2026 at 11:02

UASHINGTON, 28 korrik /ATSH-DPA/- Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të SHBA-së, të lejojë administratën e tij të zbatojë një urdhër ekzekutiv, që shtrëngon rregullat për votimin me postë dhe krijon lista federale për verifikimin e të drejtës së votuesve, vetëm pak muaj para zgjedhjeve të mesmandatit.

Departamenti amerikan i Drejtësisë paraqiti dje një kërkesë urgjente, për të pezulluar vendimin e një gjykate më të ulët, e cila kishte bllokuar mbledhjen e të dhënave për votuesit dhe zbatimin e rregullave të reja, për votimin me postë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Një gjykatë federale apeli kishte lënë në fuqi këtë vendim, duke argumentuar se Trump kishte tejkaluar kompetencat e tij.

Sipas Kushtetutës amerikane dhe ligjeve federale, organizimi dhe administrimi i zgjedhjeve është përgjegjësi e shteteve amerikane, dhe jo e presidentit.

Gjykata tha se presidenti nuk mund t’i vendosë këto ndryshime, vetëm me urdhër ekzekutiv, pa një autorizim të qartë nga Kongresi amerikan.

Palët që e kundërshtojnë urdhrin – kryesisht shtete të drejtuara nga demokratët dhe Distrikti i Kolumbias – kanë afat deri më 3 gusht për t’iu përgjigjur kërkesës së administratës Trump.

Çfarë parashikon urdhri i Trump?

Urdhri ekzekutiv, i firmosur në mars, u kërkonte autoriteteve amerikane të imigracionit dhe të sigurimeve shoqërore, të krijonin lista me shtetasit amerikanë, që jetojnë në secilin shtet.

Ai synonte gjithashtu, që Shërbimi Postar Amerikan t’u dërgonte dokumentet për votim me postë vetëm personave të regjistruar si votues; vendosjen e rregullave më të rrepta për regjistrimin e votuesve si dhe kërkimin e dokumenteve që vërtetojnë identitetin dhe shtetësinë amerikane.

Sipas organizatës jopartiake Konferenca Kombëtare e Legjislaturave të Shteteve, aktualisht votuesit në 36 nga 50 shtetet amerikane, duhet të paraqesin një formë identifikimi gjatë votimit.

Trump argumenton se ndryshimet, do t’i bëjnë zgjedhjet më të drejta dhe do të pengojnë votimin, nga persona që nuk janë shtetas amerikanë.

Kundërshtarët e tij thonë se rastet e votimit, nga persona pa të drejtë vote, janë shumë të rralla dhe paralajmërojnë se rregullat e reja, mund të pengojnë votues të ligjshëm që nuk kanë dokumente të gatshme, si pasaportë ose certifikatë lindjeje.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, vetëm rreth gjysma e qytetarëve amerikanë kanë pasaportë.

Në zgjedhjet e nëntorit do të zgjidhen të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe rreth një e treta e Senatit amerikan. //a.i/

The post SHBA – Trump përballet me Gjykatën e Lartë, kërkon të rikthejë kufizimet për votimin me postë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Izraeli dhe Libani drejt një raundi të ri bisedimesh për paqe në Romë

28 July 2026 at 10:52

UASHINGTON, 28 korrik /ATSH-DPA/- Një raund i ri i bisedimeve të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit do të zhvillohet në Romë në fillim të gushtit, njoftoi sot Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

“Negociatorët do të takohen në kryeqytetin italian më 4 gusht për bisedime të udhëhequra nga SHBA-ja, të cilat do të zgjasin dy ditë”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Sipas tij, përfaqësuesit do të përqendrohen te zbatimi i plotë i marrëveshjes kuadër, të arritur mes dy vendeve.

Në fund të qershorit, Izraeli dhe Libani ranë dakord për një marrëveshje kuadër, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, e cila synon të hapë rrugën drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.

Marrëveshja parashikon krijimin e të ashtuquajturave zonave pilot, ku do të realizohet tërheqja e forcave izraelite dhe do të vendoset ushtria libaneze.

Zëdhënësi amerikan tha se bisedimet në Romë, do të përqendrohen në, zgjerimin e procesit të zonave pilot; zgjidhjen e çështjeve të mbetura për kufirin si dhe hartimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe dhe siguri.

Qeveritë e Libanit dhe Izraelit kanë nisur për herë të parë, pas disa dekadash, bisedime të drejtpërdrejta politike, me qëllim forcimin e armëpushimit në konfliktin me grupin militant islamik Hezbollah.

Megjithatë, Hezbollahu nuk merr pjesë në këto negociata. Qeveria libaneze nuk është palë në konfliktin mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Gjithashtu, Izraeli dhe Libani nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike mes tyre. //a.i/

The post FOKUS – Izraeli dhe Libani drejt një raundi të ri bisedimesh për paqe në Romë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria dhe Moldavia thellojnë bashkëpunimin për modernizimin e sistemeve doganore

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Administratat Doganore të Shqipërisë dhe Moldavisë po forcojnë bashkëpunimin në drejtim të modernizimit të sistemeve doganore, harmonizimit me standardet e Bashkimit Europian dhe lehtësimit të procedurave tregtare.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, priti drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Doganor të Republikës së Moldavisë, Radu Vrabie, në kuadër të Takimit të Parë të Nivelit të Lartë Shqipëri–Moldavi, të organizuar me mbështetjen e UNCTAD përmes Programit ASYCUDA.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi shkëmbimin e përvojave dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit, me fokus modernizimin e sistemeve doganore dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.

Në qendër të diskutimeve ishin edhe projektet strategjike, si ASY5, Sistemi i Ri i Kompjuterizuar i Tranzitit (NCTS Faza 6 – Opt-in), platformat për tregtinë elektronike (E-Commerce), si dhe nisma të tjera që synojnë lehtësimin e tregtisë, rritjen e efikasitetit të procedurave doganore dhe përmirësimin e shërbimeve për biznesin.

Sipas Administratës Doganore, programi i vizitës do të vijojë me vizita pune në Degën Doganore Durrës dhe në Degën Doganore Kakavijë, ku delegacioni moldav do të njihet nga afër me praktikat, zhvillimet dhe zgjidhjet e zbatuara nga Administrata Doganore Shqiptare në procesin e modernizimit të saj.

1 nga 3

/e.xh/j.p/

The post Shqipëria dhe Moldavia thellojnë bashkëpunimin për modernizimin e sistemeve doganore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mori dokumentin sekret të marrëveshjes me SHBA, Shehaj përjashtohet 60 ditë nga Kuvendi

TIRANË, 28 korrik /ATSH/ Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën shqyrtoi sot kërkesën e 13 deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste për marrje mase disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj.

Sipas medieve, sekretariati i Etikës vendosi përjashtimin me 60 ditë të deputetit Shehaj nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare, pasi mori pa autorizim nga ambientet e Kuvendit, marrëveshjen konfidenciale të huasë me SHBA-në dhe u largua me vrap.

Sipas socialistëve, dokumenti në fjalë përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pasi deputetët të kishin nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit.

Sekretariati i Etikës shqyrtoi vetëm pjesën për përjashtimin, ndërsa sa i takon referimit pranë organeve të Prokurorisë, në rastin në fjalë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk është në kompetencat e këtij organi. Sipas sekretariatit të Etikës, referimin në SPAK mund ta bëjë vetë PS.

/m.q/j.p/

The post Mori dokumentin sekret të marrëveshjes me SHBA, Shehaj përjashtohet 60 ditë nga Kuvendi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Cilat janë tetë universitetet me arkitekturën bashkëkohore më të bukur në botë?

ROMË, 28 korrik /ATSH/ – Zakonisht, njerëzit mendojnë se zgjedhja e një universiteti varet vetëm nga prestigji i tij akademik, por kjo nuk është gjithmonë rasti.

Disa njerëz, të paktën për një moment, ëndërrojnë të studiojnë në një vend që është mahnitës në arkitekturën dhe mjedisin e tij, shkruan siviaggia.it.

Në vitin 2026, Prix Versailles, një çmim prestigjioz ndërkombëtar për arkitekturën bashkëkohore, përzgjodhi tetë universitetet më të bukura në botë, duke nderuar ndërtesat që ripërcaktojnë vetë konceptin e një kampusi.

Nga bibliotekat e transformuara në kryevepra dizajni te qendrat kërkimore të zhytura në gjelbërim dhe hapësirat e projektuara për të nxitur bashkëpunimin, qëndrueshmërinë dhe mirëqenien, këto projekte demonstrojnë se si arkitektura mund të bëhet një pjesë integrale e përvojës universitare sot.

Ja strukturat që fituan njohje ndërkombëtare në vitin 2026, vende të mbushura me kulturë që mund të jenë një ndalesë interesante në një udhëtim në zonën përreth.

UNSW Sydney (Australia)

Qendra e Përkthimit Shëndetësor në UNSW Sydney është frymëzuar nga dunat bregdetare australiane, me një fasadë të projektuar për të zvogëluar ndjeshëm rrezatimin diellor, duke lejuar dritën natyrore të hyjë në brendësi.

Kompleksi integron kërkimin, mësimdhënien, praktikën klinike dhe industrinë në një ndërtesë të vetme, duke u bërë një pikë referimi për mjekësinë e së ardhmes.

Vëmendje e madhe i është kushtuar gjithashtu kulturës aborigjene, e pranishme në peizazh dhe zonat e përbashkëta përmes specieve bimore vendase dhe referencave ndaj traditës lokale.

Universiteti i Kembrixhit (MB)

Qendra Ray Dolby është qendra më e madhe britanike e fizikës. Ajo strehon 173 laboratorë, dhoma të pastra dhe hapësira të teknologjisë së lartë të projektuara për të siguruar kontrollin maksimal të dridhjeve, lagështisë dhe temperaturës.

Arkitektura thekson bashkëpunimin, me atriume të mëdha, zona të përbashkëta dhe shtigje të hapura që inkurajojnë ndërveprimin midis studentëve, studiuesve dhe vizitorëve, duke e bërë shkencën të arritshme për publikun e gjerë.

Universiteti i Oksfordit (MB)

Qendra Stephen A. Schwarzman për Shkencat Humane bashkon të gjitha disiplinat kryesore të shkencave humane të Universitetit të Oksfordit nën një çati për herë të parë.

Në qendër të ndërtesës është një atrium imponues i kurorëzuar nga një kupolë dramatike, ndërsa hapësirat përfshijnë gjithashtu një sallë koncertesh, një teatër, një kinema dhe zona ekspozitash të hapura për publikun. Ky projekt kombinon traditën arkitekturore dhe inovacionin kulturor, duke u bërë zemra rrahëse e shkencave humane.

Universiteti i Amsterdamit (Holandë)

Biblioteka e re Universitare është rezultat i rindërtimit të një kompleksi historik spitalor. Zemra e projektit është një atrium i madh i mbuluar nga një strukturë e frymëzuar nga venat e një gjetheje, duke maksimizuar dritën natyrore dhe duke përmirësuar komoditetin klimatik. Shkallët e famshme “Pema e Urtësisë” dhe një fasadë e zbukuruar me një poezi të përkthyer në 24 gjuhë e transformojnë bibliotekën në një simbol të përfshirjes dhe dijes.

Universiteti i Arkansasit (SHBA)

Qendra Anthony Timberlands është shumë më tepër sesa një ndërtesë universitare: është një laborator i gjallë i dedikuar arkitekturës dhe dizajnit. E bërë pothuajse tërësisht nga druri i fortë, ajo u lejon studentëve të vëzhgojnë drejtpërdrejt teknikat inovative të ndërtimit, falë një strukture plotësisht të ekspozuar, laboratorëve të mëdhenj dhe një hapësire të madhe të hapur të dedikuar për eksperimentim.

Kolegji Claremont McKenna (SHBA)

Qendra e Shkencave Robert Day, e projektuar nga studioja BIG e Bjarke Ingels, bashkon shkencën kompjuterike, shkencën e të dhënave dhe shkencat e jetës në një ndërtesë të vetme.

Atriumi qendror, i krijuar duke rrotulluar vëllimet e ndryshme të strukturës, krijon lidhje vizuale midis laboratorëve dhe nxit dialogun midis disiplinave tradicionalisht të ndara. Kjo arkitekturë është projektuar për të stimuluar bashkëpunimin dhe inovacionin.

Universiteti i Harvardit (SHBA)

Shtëpia në pemë David Rubenstein rishpik qendrën tradicionale të konferencave universitare, duke e transformuar atë në një hapësirë ​​të zhytur në natyrë.

E projektuar nga arkitektja Jeanne Gang, ajo kombinon dru të fortë dhe beton me emetim të ulët, duke ofruar tarraca panoramike, hapësira të bollshme takimi dhe zgjidhje të qëndrueshme që forcojnë marrëdhënien midis arkitekturës, mjedisit dhe komunitetit akademik.

Qendra Studentore Bloomberg është ndërtesa e parë në kampus e dedikuar tërësisht jetës studentore.

E organizuar si një fshat i vogël me pavione druri, ajo strehon mbi 200 shoqata, hapësira arti, teatro, dhoma muzike, laboratorë dhe zona ngrënieje.

Universiteti Johns Hopkins (Shtetet e Bashkuara)

Qendra Studentore Bloomberg është ndërtesa e parë në kampus e dedikuar tërësisht jetës studentore. E organizuar si një fshat i vogël me pavione druri, ajo strehon mbi 200 shoqata, hapësira arti, teatro, dhoma muzike, laboratorë dhe zona ngrënieje.

E mundësuar nga mbi një mijë panele fotovoltaike, ajo përfaqëson një model të një kampusi të qëndrueshëm ku socializimi, kreativiteti dhe mirëqenia bëhen pjesë integrale e arsimit universitar.   /os/

The post FOKUS – Cilat janë tetë universitetet me arkitekturën bashkëkohore më të bukur në botë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌