Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Starmer dhe Trump bien dakord për të garantuar të ardhmen e bazës ushtarake Chagos

3 February 2026 at 22:59

LONDËR, 3 shkurt /ATSH-DPA/- Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump ranë dakord të vazhdojnë të punojnë ngushtë për të garantuar funksionimin e ardhshëm të bazës ushtarake britanike-amerikane në Ishujt Chagos, tha sot “Downing Street”.

Ky është diskutimi i parë midis dy udhëheqësve në lidhje me marrëveshjen e dorëzimit të Ishujve Chagos në Britaninë e Madhe – që nga sulmi i jashtëzakonshëm i presidentit të SHBA-së ndaj marrëveshjes muajin e kaluar.

“Duke iu referuar Diego Garcias dhe marrëveshjes që Britania e Madhe ka siguruar për të ruajtur kontrollin e bazës ushtarake SHBA-BM për të mbrojtur sigurinë kombëtare, udhëheqësit e njohën rëndësinë e saj strategjike”, tha Zyra e Starmer në një deklaratë.

“Udhëheqësit ranë dakord të vazhdojnë të punojnë ngushtë për të garantuar funksionimin e ardhshëm të bazës dhe do të flasin përsëri së shpejti”, thuhet në deklaratë.

Sipas marrëveshjes, me vlerë 35 miliardë paund (48 miliardë dollarë) gjatë shekullit të ardhshëm, Britania e Madhe do t’ia heqë sovranitetin e Territorit Britanik të Oqeanit Indian Mauritiusit, por do ta japë me qira objektin në ishullin Diego Garcia.

Trump në janar e kritikoi ashpër marrëveshjen, duke e quajtur atë një “akt të budallallëkut të madh”, një “akt të dobësisë totale”, duke pretenduar se vendi i bazës ushtarake jetësore po jepej “pa asnjë arsye”.

Kritika e tij erdhi ndërsa tensionet transatlantike u ndezën për shkak të ambicieve të tij për të marrë kontrollin e Groenlandës, me Starmerin që e akuzoi atë në atë kohë se i bëri deklaratat me “qëllimin për të ushtruar presion” mbi Britaninë e Madhe – për të shmangur kundërshtimet e saj ndaj kërkesave të tij mbi ishullin Arktik.

Legjislacioni për ratifikimin e marrëveshjes është në fazat e tij përfundimtare në parlament. Gjatë telefonatës së parë midis Starmer dhe Trump më 24 janar, çështja Chagos nuk u përmend.

Javën e kaluar, kryeministri Starmer këmbënguli se presidenti republikan fillimisht e kishte mbështetur marrëveshjen “në terma shumë të qartë” pas nënshkrimit nga agjencitë e inteligjencës amerikane.

Ai vuri në dukje shprehjet publike të mbështetjes nga presidenti amerikan dhe ekipi i tij i lartë, të cilët e vlerësuan marrëveshjen si një “arritje monumentale”, duke siguruar të ardhmen afatgjatë të bazës së përbashkët në Diego Garcia, ishulli më i madh i Arkipelagut Chagos. //a.i/

 

 

 

The post FOKUS – Starmer dhe Trump bien dakord për të garantuar të ardhmen e bazës ushtarake Chagos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani thërret ambasadorët e BE-së për shkak të përcaktimit si organizatë “terroriste” të IRGC-së

3 February 2026 at 22:54

TEHERAN, 3 janar /ATSH-AA/ – Irani thirri ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të martën për të protestuar kundër përcaktimit të Trupës së Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) si një organizatë “terroriste”.

Në një deklaratë të martën, Ministria e Jashtme tha se ky veprim erdhi në përgjigje të një “rezolute anti-Iran” të miratuar nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian kundër IRGC-së.

Sipas deklaratës, një “protestë e fortë” kundër këtyre “veprimeve provokuese” iu përcoll zyrtarisht ambasadorëve.

“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës Islamike të Iranit u përcaktua qartë, duke dënuar fuqimisht vendimet e pajustifikuara dhe të papërgjegjshme të Këshillit të Ministrave të BE-së”, thuhet në deklaratë.

Zhvillimi erdhi një ditë pasi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tha se do të merret një vendim në lidhje me “kundërmasat” kundër asaj që ai e përshkroi si “veprime të paligjshme, të pajustifikuara dhe të gabuara” të BE-së që synojnë IRGC-në.

Duke folur në një konferencë javore për shtyp në Teheran të hënën, Baghaei tha se një sërë masash janë në agjendën e ministrisë, me opsione të ndryshme të përgatitura dhe të paraqitura organeve vendimmarrëse në përgjigje të përcaktimit të fundit të IRGC-së nga BE.

Tensionet janë përshkallëzuar midis Iranit dhe disa vendeve evropiane pas protestave të fundit antiqeveritare brenda Iranit, me udhëheqësit evropianë që dënojnë atë që ata e përshkruajnë si një shtypje ndaj protestuesve.

Të enjten, BE-ja e caktoi IRGC-në si një organizatë “terroriste”, një veprim që u dënua ashpër nga udhëheqja civile dhe ushtarake e Iranit.   /os/

The post TEHERAN – Irani thërret ambasadorët e BE-së për shkak të përcaktimit si organizatë “terroriste” të IRGC-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali takim në Uashington me kongresmenë: Angazhimi amerikan, thelbësor për ruajtjen e stabilitetit në rajon

3 February 2026 at 22:52

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi një takim në Uashington me kongresmenin Ritchie Torres, bashkëkryetar i “Albanian Caucus” dhe mbështetës i komunitetit shqiptaro-amerikan, si dhe me kongresmenin William R. Keating, anëtar i lartë i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit, ministrja Spiropali i falënderoi kongresmenët për vëmendjen e posaçme që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se angazhimi i vazhdueshëm amerikan në rajon mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe për zhvillimin demokratik.

Spiropali nënvizoi se angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-ve në rajon, ku Shqipëria vijon të luajë një rol konstruktiv për stabilitetin, vijon të jetë thelbësor për zhvillimin demokratik.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali takim në Uashington me kongresmenë: Angazhimi amerikan, thelbësor për ruajtjen e stabilitetit në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Raportohen disa të vdekur pas sulmit rus në Zaporizhia

3 February 2026 at 22:49

KIEV, 3 shkurt /ATSH-DPA/- Të paktën dy civilë u vranë në një sulm me dron rus në qytetin jugor ukrainas të Zaporizhias, njoftoi sot guvernatori Ivan Fedorov, në Telegram.

“Dy persona kanë vdekur dhe tetë të tjerë janë plagosur”, tha ai.

Forcat Ajrore Ukrainase regjistruan sot pasdite dy sulme me dron dhe bomba të leshuara drejt Zaporizhias.

Sulmi ndodhi përpara se përfaqësuesit nga Ukraina dhe Rusia të diskutonin mënyrat për t’i dhënë fund luftës në Abu Dabi të planifikuara për nesër, me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Sulmet ukrainase me raketa shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e madh kufitar të Belgorodit, sipas raporteve të medias. “Dy nënstacione u goditën”, thanë raportet.

Guvernatori Vyacheslav Gladkov përmendi në Telegram se objektet e infrastrukturës ishin dëmtuar.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus në shkallë të plotë për gati katër vjet. //a.i/

The post UKRAINË – Raportohen disa të vdekur pas sulmit rus në Zaporizhia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Youth Frost Fest”, gara dhe argëtim në pistën e skive në Dardhë

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Pista e skive në Dardhë u kthye sot në një arenë energjie dhe pasioni për sportet dimërore, në kuadër të “Youth Frost Fest”.
Rreth 120 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme sollën një atmosferë fantastike, si pjesë e Javës Evropiane të Sportit Dimëror.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo duke iu referuar aktivitetit u shpreh se Korça vazhdon të dëshmojë se sporti është frymë dhe vizion për të rinjtë.
Ky aktivitet, i organizuar në kuadër të mbajtjes nga Korça të titullit “Kryeqyteti Europian i Sportit”  ka në qendër aktivitete që nxisin sportin, përfshirjen e të rinjve dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Nxënësit zhvilluan gara të ndryshme të ndara sipas grupmoshave dhe gjatësisë së pistave, ku për fituesit u ndanë edhe çmime simbolike.
Aktiviteti organizohet nga Qendra Sportive Korçë, në bashkëpunim me bashkinë Korçë, në kuadër të projektit Erasmus Plus – European Week of Winter Sport, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian.
/k.s/j.p/

The post “Youth Frost Fest”, gara dhe argëtim në pistën e skive në Dardhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqata e Gjyqtarëve: Presioni publik ndaj Kushtetueses cenon pavarësinë e drejtësisë

3 February 2026 at 22:34

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar sot ndaj asaj që e cilëson si një fushatë publike spekulative dhe populiste, të ndërmarrë nga Kryeministri dhe të amplifikuar nga media, në një moment kur Gjykata Kushtetuese ndodhet në fazën përfundimtare të shqyrtimit të çështjes së statusit financiar të magjistratëve.

Në një deklaratë të gjatë publike, shoqata vlerëson se kjo klimë synon linçimin e gjyqtarëve dhe ushtrimin e presionit të drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Kushtetuese, duke cenuar parimet e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Shoqata thekson se nuk është në kompetencën e saj të argumentojë më tej kërkesat kushtetuese, pasi ato ndodhen tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, por e konsideron të domosdoshme ndaljen e keqinformimit të opinionit publik dhe të presionit politik ndaj gjyqtarëve.

Sipas shoqatës, që prej vitit 2016, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ kanë ndërhyrë në mënyrë të përsëritur në statusin financiar të magjistratëve, duke devijuar nga standardet e parashikuara fillimisht në reformën në drejtësi dhe nga neni 138 i Kushtetutës, i cili parashikon se paga dhe përfitimet e gjyqtarëve nuk mund të ulen.

Në deklaratë renditen disa raste konkrete, ku qeveria dhe Kuvendi, sipas shoqatës, kanë vepruar në kundërshtim me frymën e reformës dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, përmes ndryshimeve ligjore, dispozitave tranzitore dhe referencave të pagave, disa prej të cilave janë shfuqizuar nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Shoqata thekson se iniciativat e saj nuk kanë si qëllim rritjen e pagave, por mbrojtjen e statusit kushtetues, pavarësisë dhe dinjitetit të magjistratëve, duke e cilësuar si të pavërtetë dhe spekulative narrativën se bëhet fjalë për privilegje financiare.

Në përfundim, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve paralajmëron se sulmet publike ndaj gjyqësorit dhe paralajmërimet për ndërhyrje të reja edhe pas vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese përbëjnë një rrezik serioz për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe për funksionimin e demokracisë, duke nënvizuar se veprimet e saj synojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e parimeve kushtetuese nga çdo ndërhyrje politike.

/gj.m/j.p/

The post Shoqata e Gjyqtarëve: Presioni publik ndaj Kushtetueses cenon pavarësinë e drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PS tërheq nga rendi i ditës së seancës plenare ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale

3 February 2026 at 22:16

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kuvendi miratoi sot pr/ligjet në rendin e ditës, teksa me kërkesë të mazhorancës u tërhoq nga rendi i ditës shqyrtimi i projektvendimit për ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale.

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kërkoi mosshqyrtimin e projektvendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, në këtë seancë.

Ndërsa nënkryetari i PD, Luçiano Boçi tha se kërkesa e PD ka qenë e qartë, jo që të mos shqyrtohet, por tërheqja e këtij vendimi.

“Tërheqja tregon vullnet, nëse doni ta lini situatën as mish as peshk, atëherë doni ta bëni lojë. S’e keni ndarë mendjen, ndajeni ju mendjen”, tha ai.

Më pas Kuvendi miratoi me 76 vota pro projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope””.

Gjithashtu u miratua me 77 vota projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, të ndryshuar.

Në seancën e sotme u miratua me 77 vota pro edhe pr/ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027”.

Gjithashtu u miratua me 77 vota pro Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për  programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri -Kosovë, 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr. 12/2024”.

Kuvendi miratoi me 77 vota pro edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1 të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së  Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr. 9/2024”.

Deputetët miratuan me 76 vota pro edhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë,  Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet  Evropiane, dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021 – 2027, ratifikuar me ligjin nr.71/2024”.

Sot u miratua edhe me 77 vota pro edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.

Kuvendi miratoi me 76 vota pro edhe projektligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”.

Po ashtu sot u miratua me 78 vota pro edhe  Projektvendim “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.

/gj.m/j.p/

The post PS tërheq nga rendi i ditës së seancës plenare ndryshimet në Komisionin e Reformës Territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LIBI – Vritet djali i Gadafit, Saif al-Islam

3 February 2026 at 22:14

TRIPOLI, 3 shkurt /ATSH-ANSA/ – Disa media libiane kanë njoftuar vdekjen e Saif al-Islam Gaddafit, njërit prej djemve të Muammar Gaddafit.

Kanali televiziv Libia al-Ahrar deklaroi se “personalitete të afërta” me Saif al-Islam Gaddafin njoftuan vdekjen e tij “pa zbuluar rrethanat”.

Agjencia zyrtare libiane e lajmeve citoi këshilltarin e tij, Abdullah Othman, i cili nuk specifikoi nëse ishte një “vdekje natyrale apo vrasje”.

Sipas Al Arabiya,  Saif Gaddafi u vra gjatë përleshjeve midis milicive në Zintan.

Saif al-Islam, i konsideruar prej kohësh si një pasardhës i mundshëm i diktatorit, kërkohej nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime kundër njerëzimit.   /os/

The post LIBI – Vritet djali i Gadafit, Saif al-Islam appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UASHINGTON – SHBA-ja rrëzon dronin iranian që po fluturonte drejt aeroplanmbajtëses

3 February 2026 at 20:38

UASHINGTON, 3 shkurt /ATSH/- Forcat amerikane kanë rrëzuar një dron iranian “Shahed-139” që iu afrua “agresivisht” aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” në Detin Arabik, njoftoi sot Komanda Qendrore e SHBA-së, sipas BBC.

Sipas zëdhënësit të komandës, kapitenit Tim Hawkins, droni vazhdoi të afrohej drejt anijes pavarësisht masave të ndërmarra nga forcat amerikane për të de-eskaluar situatën.

Aaeroplanmbajtësja “USS Abraham Lincoln” ndodhej rreth 500 milje detare (rreth 800 km) larg bregut jugor të Iranit në momentin e incidentit.

“Nuk pati humbje jete ose dëme materiale në anije”, sipas njoftimit.

Droni u rrëzua nga një avion luftarak F-35C i dislokuar në Lincoln. Ky incident ndodhi vetëm disa orë pasi forcat iraniane kërcënuan një anije tregtare me flamur dhe ekuipazh amerikan, “Stena Imperative”, e cila po kalonte në ngushticën e Hormuzit.

Sipas njoftimit të SHBA-se, dy anije iraniane dhe një dron “Mohajer” iu afruan me shpejtësi aeroplanmbajtëses dhe kërcënuan të pushtonin dhe të sekuestronin tanker-in.

“USS McFaul”, shkatërruesja e raketave, dhe mbështetja ajrore nga Forcat Ajrore amerikane siguruan largimin e “Stena Imperative”, e cila tani po lundron e sigurt.

Ngjarjet ndodhin në një periudhë të tensionuar midis SHBA-së dhe Iranit, që u rrit pas protestave të mëdha në Iran që nisën në fund të dhjetorit, kundër krizës ekonomike dhe qeverisjes së regjimit.
Presidenti Donald Trump kishte premtuar në janar se do të shpëtonte iranianët nga shtypja e dhunshme e protestave, duke transformuar më pas këtë qasje në një fushatë presioni për të detyruar Iranin të negociojë mbi programin bërthamor.

Incidenti u regjistrua vetëm disa orë pasi presidenti iranian urdhëroi ministrin e Jashtëm të ndiqte negociata të drejta dhe të barabarta me SHBA-të, një nga sinjalet e para të Teheranit që tregon gatishmëri për negociata, pas dështimit të bisedimeve gjatë verës së kaluar.

Turqia ka luajtur një rol në ndërmjetësimin e bisedimeve, ndërkohë që i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, është në një vizitë rajonale.

Megjithatë, një zyrtar turk tha se vendi dhe data e takimeve mbeten të pasigurta, duke theksuar gatishmërinë e Ankarasë për të mbështetur procesin e negociatave.

Analistët paralajmërojnë se përplasjet e tilla në ujërat ndërkombëtare mund të rrisin tensionet dhe të komplikojnë më tej marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Iranit, veçanërisht në një periudhë kur presioni diplomatik për marrëveshje bërthamore është në rritje. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA-ja rrëzon dronin iranian që po fluturonte drejt aeroplanmbajtëses appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Tom Cruise lë Londrën për arsye sigurie

3 February 2026 at 20:37

LONDËR, 3 shkurt /ATSH-AA/ – Ylli i Hollivudit, Tom Cruise, thuhet se është larguar nga rezidenca e tij luksoze në Londër, mes shqetësimeve në rritje për sigurinë në zonë.

“Daily Express” raportoi të hënën se aktori 63-vjeçar vendosi të largohet nga periferia e Knightsbridge pas një grabitjeje të dhunshme gjatë ditës në Butikun Bucherer Rolex aty pranë.

Gjatë incidentit, thuhet se një bandë motoçiklistësh mbërriti dhe përdori hanxharë për të zmbrapsur stafin e sigurisë, ndërsa thyenin me çekiçë dhe mjete të specializuara xhamat e përforcuar. Rreth 20 orë luksoze u vodhën në një bastisje që zgjati vetëm tre minuta para se të dyshuarit të iknin.

Burimet e cituara nga “Daily Express” thanë se incidenti përforcoi bindjen e Cruise se lagjja ka “pësuar rënie” vitet e fundit.

Raportimet theksojnë se stafi u pa më vonë duke larguar kuti nga prona pas largimit të tij të papritur.

Knightsbridge dhe Belgravia aty pranë janë përballur me probleme të vazhdueshme me krimet të lidhura me motoçikleta. Të dhënat e Policisë Metropolitane tregojnë se 295 krime u regjistruan në Knightsbridge dhe Belgravia në nëntor të vitit 2025.   /os/

The post KINEMA – Tom Cruise lë Londrën për arsye sigurie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Edhe Spanja shqyrton ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç

3 February 2026 at 20:05

MADRID, 3 shkurt /ATSH-DPA/ – Spanja po planifikon ndalimin e medieve sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke ndjekur shembullin e Australisë.

“Spanja tani po i vë fjalët e saj në veprim”, tha sot kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez në Samitin Botëror të Qeverive, në Dubai.

Masat do të ndalojnë aksesin në media sociale për të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeç, do t’i japin fund pandëshkueshmërisë për drejtuesit e platformave sociale që nuk i përmbahen urdhrave të fshirjes dhe do të krijojnë një sistem për gjurmimin e komenteve të urrejtjes.

Sánchez nuk e saktësoi se si do të arrihej kjo. Kryeministri i krahasoi mediet sociale me një shtet të dështuar në të cilin ligjet shpërfilleshin dhe krimet toleroheshin.

Masat janë prezantuar tashmë në parlamentin spanjoll nga qeveria e pakicës së Sánchez mbi kufizimet e moshës, të cilat mbështeten gjithashtu në parim nga partia më e madhe e opozitës, Partia Popullore konservatore (PP). Megjithatë, shumë detaje janë ende të paqarta.

Nëse masat e planifikuara rrezikojnë gjithashtu fitimet e kompanive të mëdha të teknologjisë amerikane, Spanja mund të nxisë zemërimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump

Sánchez theksoi se do të ndiqet politika “zero tolerance” ndaj çdo forme të shtrëngimit të jashtëm.

Në Australi, personave nën moshën 16 vjeç u është ndaluar së fundmi të kenë llogaritë e tyre në mediat sociale në shumë platforma kryesore.

Në Britaninë e Madhe, Dhoma e Lordëve votoi gjithashtu në favor të ndalimit të mediave sociale për personat nën 16 vjeç javën e kaluar, i cili tani duhet të miratohet nga Dhoma e Komuneve.

Në Danimarkë, qeveria ra dakord së bashku me opozitën, për të ndaluar medieve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç. Vendimi, gjithashtu po diskutohet në Gjermani. //a.i/

The post Edhe Spanja shqyrton ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, takim me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan

3 February 2026 at 19:53

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua në Uashington me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, veteranin e ushtrisë amerikane Brian Mast.

Spiropali nënvizoi se Kongresmeni Mast është aktivisht i angazhuar për avancimin e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri.

Ministrja u ndal te bashkëpunimi në fushën e sigurisë si aleatë në NATO, në misione të përbashkëta ushtarake nga Afganistani në Irak, si dhe angazhimi i përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Është pikërisht ky lloj bashkëpunimi që sipas ministres, e bën aleancën mes dy vendeve edhe më të fortë.

Më herët, Spiropali u takua me Charles McLaughlin, Asistent Special i Presidentit Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC), me fokus potencialin e thellimit të partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe veçanërisht te roli i ri i Shqipërisë si Anëtare Themeluese e Bordit të Paqes.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali, takim me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Shohim shenja përparimi për fundin e luftës Rusi-Ukrainë

3 February 2026 at 19:44

UASHINGTON, 3 shkurt /ATSH-AA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se administrata e tij po sheh shenja të hershme përparimi në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërkohë që njëkohësisht angazhohet në diplomaci me Iranin dhe në të gjithë Lindjen e Mesme.

Duke folur nga Zyra Ovale, Trump u pyet në lidhje me bisedimet e ardhshme që përfshijnë të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, i cili është planifikuar të takohet me Ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, të premten.

“Kemi Iranin, kemi Rusinë, Ukrainën dhe kemi Lindjen e Mesme. Kemi shumë gjëra që po ndodhin”, tha Trump, duke shtuar se shumë nga konfliktet i paraprinë kthimit të tij në detyrë.

– “Urrejtje e jashtëzakonshme midis Zelensky dhe Putin”

Duke u ndalur te Ukraina, Trump tha se ishte optimizën të kujdesshëm. “Mendoj se po shkojmë shumë mirë me Ukrainën dhe Rusinë. Për herë të parë, po e them këtë”, tha ai, duke sugjeruar se “ndoshta” mund të ketë “disa lajme të mira”.

Presidenti theksoi atë që e përshkroi si shkallën e viktimave, duke e quajtur konfliktin të pakuptimtë. “Po humbasim – 25.000 njerëz në muaj po vriten në atë luftë”, tha Trump, duke theksuar numrin e viktimave pavarësisht ndikimit indirekt të luftës në SHBA.

Trump kritikoi përsëri trajtimin e ndihmës për Ukrainën nga ish-Presidenti Joe Biden, duke pretenduar se administrata e mëparshme shpenzoi “350 miliardë dollarë”.

Ai tha se qasja e tij kërkon që aleatët të mbajnë mbi supe një pjesë më të madhe të barrës financiare, duke argumentuar se vendet evropiane po i paguajnë SHBA-së për armë përmes marrëveshjeve të NATO-s. “Ne dërgojmë raketa atje. Ata na paguajnë plotësisht. Nuk na kushton as 10 cent”, tha ai.

Pavarësisht se theksoi kostot, Trump tha se qëllimi i tij kryesor ishte humanitar. “Ajo që dua vërtet të bëj është t’i shpëtoj ata njerëz nga vdekja”, deklaroi ai.

Trump pranoi se progresi ka qenë më i ngadaltë se sa pritej, duke përmendur armiqësinë e thellë midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Ekziston një urrejtje e jashtëzakonshme midis Zelenskyy dhe Putin”, tha ai, duke e quajtur atë një pengesë kryesore për një zgjidhje më të shpejtë.   /os/

The post SHBA – Trump: Shohim shenja përparimi për fundin e luftës Rusi-Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLINALE – Pamela Anderson dhe Channing Tatum do të jenë pjesë e Festivalit të Filmit

3 February 2026 at 22:33

BERLIN, 3 shkurt /ATSH-DPA/- Pamela Anderson, Channing Tatum dhe Sandra Hüller pritet të marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin të këtij viti, njoftuan sot organizatorët, vetëm disa ditë para fillimit të evenimentit.

Sean Baker, i cili fitoi çmimin “Oscar” për Filmin më të Mirë në vitin 2025, “Anora”, do të mbajë një fjalim lavdërues për fituesen e “Ariut të Artë”, Michelle Yeoh si protagonoste në “Everything Everywhere All at Once”.

Juliette Binoche, Isabelle Huppert dhe Callum Turner, të cilët mund të shihen së bashku me Anderson në filmin “Rosebush Pruning”, gjithashtu do të marrin pjesë.

Muzikantja britanike Charli xcx, e cila po prezanton filmin “The Moment”, një satirë për biznesin e muzikës, është konfirmuar tashmë në listën e të ftuarve të “Berlinales”.

Aktorja Amanda Seyfried, shkrimtarja Siri Hustvedt – për të cilën është bërë një film dokumentar – dhe aktori Ethan Hawke gjithashtu pritet të marrin pjesë.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit fillon më 12 shkurt. Regjisori Wim Wenders – i njohur për klasikët si “Paris, Texas” dhe “Wings of Desire” – është kryetari i Jurisë Ndërkombëtare të këtij viti. //a.i/

The post BERLINALE – Pamela Anderson dhe Channing Tatum do të jenë pjesë e Festivalit të Filmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sistemi i ri i hyrje-daljeve në Shengen, Koçiu diskuton me përfaqësues të KE

3 February 2026 at 19:23

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, zhvilloi një takim të përbashkët online me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe kolegët nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus mbi zbatimin e sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES) në hapësirën Schengen.

Sistemi EES synon të përshpejtojë procedurat në pikat kufitare, të reduktojë pritjet dhe të rrisë sigurinë përmes digjitalizimit të të dhënave.

Ministrja Koçiu theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me partnerët evropianë për të garantuar standarde që i shërbejnë qytetarëve dhe një lëvizjeje më të sigurt drejt vendeve të BE-së.

Sistemi i hyrjes/daljes (EES) i BE-së është një mjet digjital regjistrimi për vizitorët në Evropë.

Ai zëvendëson vulat e pasaportave me gjurmë gishtash dhe foto të fytyrës, falë një serie skanerësh të instaluar në aeroporte, porte dhe stacione hekurudhore në të gjithë kontinentin.

Qëllimi është të regjistrohen të gjitha hyrjet dhe daljet e shtetasve jo BE që udhëtojnë për një qëndrim të shkurtër (90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore), duke u lejuar autoriteteve të gjurmojnë automatikisht tejkalimet e afateve dhe refuzimet e hyrjes.

/gj.m/j.p/

The post Sistemi i ri i hyrje-daljeve në Shengen, Koçiu diskuton me përfaqësues të KE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shehaj: Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë

3 February 2026 at 19:19

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi sot në Kuvend se Gjykata Kushtetuese ndodhet përballë një momenti historik lidhur me shqyrtimin e çështjes për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Në fjalën e tij, Shehaj theksoi se për herë të dytë Gjykata Kushtetuese ka shtyrë marrjen e vendimit, duke nënvizuar se kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e drejtësisë.

Ai deklaroi se rasti përbën një provë të drejtpërdrejtë për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ushtrim presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Sipas meje, Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. Ky është një moment historik për vendin”, tha Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia kritikoi gjithashtu mazhorancën për sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë dhe përpjekjet për të zhvendosur vëmendjen publike drejt debatit mbi pagat e gjyqtarëve.

“Problemi real nuk janë pagat e gjyqtarëve, por fakti që qeveria po përballet me një drejtësi që po vepron”, deklaroi ai.

Në përfundim, Shehaj theksoi se, sipas tij, qytetarët shqiptarë mbështesin SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë dhe kërkojnë që zyrtarët e akuzuar të përballen me ligjin pa ndikime politike.

/gj.m/j.p/

The post Shehaj: Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Bloomberg”: BE dhe SHBA drejt nënshkrimit të memorandumit për partneritet strategjik mbi mineralet

3 February 2026 at 19:11

BRUKSEL, 3 shkurt /ATSH/- Bashkimi Evropian do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hartuar një “Udhërrëfyes të Partneritetit Strategjik” brenda tre muajsh, duke u përqendruar në bashkëpunimin mbi mineralet e rëndësishme, sipas “Bloomberg”.

Partneriteti synon të gjejë mënyra për të siguruar mineralet e rëndësishme, të cilat janë të nevojshme për shumicën e teknologjive moderne, pa u mbështetur te Kina.

Iniciativa evropiane vjen në një kohë kur administrata Trump pritet të njoftojë nisma të reja për marrëveshje ndërkombëtare në këtë fushë brenda javës.

Memorandumi sugjeron që BE-ja dhe SHBA-ja të eksplorojnë projekte të përbashkëta mbi mineralet e rëndësishme dhe mekanizmat e mbështetjes së çmimeve.

Ai gjithashtu rekomandon mënyra për të mbrojtur të dy tregjet nga një furnizim i tepërt me minerale të huaja dhe forma të tjera të manipulimit të tregut.

Ndërkohë, propozimi thotë se të dy palët duhet të ndërtojnë zinxhirë të sigurt furnizimi midis njëra-tjetrës.

Marrëdhëniet SHBA-BE kanë qenë të tensionuara në javët e fundit, pas deklaratave të presidentit Donald Trump se ai po shqyrton blerjen e Groenlandës, një territor i Danimarkës, një shtet anëtar i BE-së.

Iniciativa e BE-së përkon me përgatitjet e SHBA-së për të mbledhur ministrat e Jashtëm dhe zyrtarët e lartë nga vendet aleate – në një përpjekje për të arritur marrëveshje të ngjashme që synojnë uljen e varësisë nga mineralet e rëndësishme kineze.

Komisioni Evropian e ka përshkruar procesin si jetik për të diversifikuar furnizimet larg çdo vendi të vetëm, ​​pa dhënë detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedimeve.

Çështja është bërë një përparësi kryesore për Uashingtonin që kur Pekini vendosi kufizime në eksportin e të ashtuquajturave metale të rralla vitin e kaluar.

Edhe pse këto masa u pezulluan në tetor, pas një marrëveshjeje midis Trump dhe presidentit Kinez Xi Jinping, autoritetet amerikane thonë se janë të vendosura të përshpejtojnë ndërtimin e alternativave.

Në këtë kontekst, SHBA-ja po nxit një mekanizëm çmimesh që do të mbronte kompanitë perëndimore që nxjerrin dhe përpunojnë metale të rralla nga konkurrenca e eksporteve të lira kineze, të cilat mund të dëmtojnë prodhimin dhe përpunimin e mineraleve në Perëndim. //a.i/

 

The post “Bloomberg”: BE dhe SHBA drejt nënshkrimit të memorandumit për partneritet strategjik mbi mineralet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEDIATRI – Fëmijët që hanë vetëm zhvillojnë të folurit më herët se të tjerët

3 February 2026 at 18:59

ROMË, 3 shkurt /ATSH-ANSA/ – Sipas studiuesve italianë të Universiteteve Tor Vergata dhe Sapienza fëmijët që hanë vetëm zhvillojnë aftësitë e tyre të komunikimit të parët, me një numër më të madh vokalizimesh dhe gjestesh që në moshën një vjeçare.

Studimi  përfshinte gati 200 fëmijë.

Të ngrënit në mënyrë të pavarur përfaqëson një nga fazat më të rëndësishme të zhvillimit në rritjen e çdo fëmije dhe është një aftësi që përgjithësisht fitohet deri në vitin e dytë e gjysmë të jetës.

“Koha e vakteve nuk është vetëm një mundësi për të kënaqur nevojën për ushqim por është një kontekst në të cilin aktivizohen procese të shumta zhvillimore, që përfshijnë zhvillimin motorik, konjitiv dhe socio-emocional të një fëmije”,  thekson Giulia Pecora, autore e studimit.

Rezultatet e studimit tregojnë se inkurajimi i të ushqyerit të pavarur ka gjithashtu efekte pozitive në zhvillimin e gjuhës.

“Fëmijët që mësojnë të hanë në mënyrë të pavarur herët kanë më shumë mundësi për të manipuluar ushqimin dhe për të përsosur aftësitë e tyre motorike përmes lëvizjeve të duarve, dhe kjo ndikon gjithashtu në aftësinë e tyre për të komunikuar përmes gjesteve, gjë që është thelbësore në këtë moshë”, thesojnë autorët e studimit.   /os/

The post PEDIATRI – Fëmijët që hanë vetëm zhvillojnë të folurit më herët se të tjerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PZAP miraton ankesën e Listës Serbe për vendimin e KQZ-së

3 February 2026 at 18:59

PRISHTINË, 3 shkurt/ATSH/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos përfshirë listën e kandidatëve të këtij subjekti në shpalljen e rezultateve për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.

PZAP tha se vendimi i 31 janarit i KQZ-së është “i pajustifikuar” dhe në kundërshtim “me dispozitat ligjore”.

Sipas vendimit, PZAP tha se shpallja e rezultatit përfundimtar bëhet pas përfundimit të numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet politike dhe duhet t’i përfshijë të gjitha subjektet zgjedhore “pa përjashtim”.

“Çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar, në rrethana të tilla, nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor. Andaj ky vendim është në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe po ashtu ne kundërshtim me standardet e Komisionit te Venecias”, u tha në vendimin e PZAP-së të publikuar më 3 shkurt.

Për këtë vendim mund të dërgohet ankesë në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve. Po ashtu, përveç vendimit për Listën Serbe, PZAP-i shqyrtoi edhe gjashtë ankesa të tjera, të cilat i refuzoi duke i cilësuar si të pabazuara.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dorëzoi ankesë në PZAP më 2 shkurt, duke e vlerësuar vendimin si të “paligjshëm, antiserb dhe diskriminues”.

Kjo parti e vlerësoi vendimin e PZAP-së si “fitore të së drejtës, ligjit dhe parimeve demokratike”, si dhe tha se është një konfirmim i vullnetit zgjedhor të qytetarëve që i dhanë mbështetje këtij subjekti.

“Presim që institucionet kompetente të veprojnë në përputhje me vendimin e marrë dhe të mundësojnë zbatimin e tij të plotë dhe pa pengesa”, u tha në njoftim.

Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Tre anëtarë të KQZ-së votuan për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.

Gjatë mbledhjes, vetë kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e cilësoi si “të pakuptimtë” mosmiratimin e përbërjes së Listës Serbe nga anëtarët e Komisionit, duke argumentuar se kishte kaluar afati për ankesa pasi votat veçse janë rinumëruar dhe, sipas ligjeve, nuk parashihen ankesa për një proces të tillë.

Vendimi i KQZ-së u kritikua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë i tha Radios Evropa e Lirë se vendimi i KQZ-së është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.

“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.

Ndërkaq, Bashkimi Evropian shprehu “shqetësim serioz” për dështimin e KQZ-së që të miratojë rezultatet përfundimtare për Listën Serbe.

“BE-ja përsërit thirrjen e saj për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgim të Zgjedhjeve, dhe u bën thirrje të gjitha partive të punojnë së bashku, në përputhje me Kushtetutën”, tha zëdhënësi i BE-së në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se është e rëndësishme që të gjithë kandidatët e zgjedhur të jenë në gjendje t’i marrin mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që ka fituar zgjedhjet e dhjetorit, edhe më herët kishte tentuar që ta pengonte Listën Serbe që të merrte pjesë në zgjedhje. Por, PZAP-i vazhdimisht ka rrëzuar vendimet e KQZ-së.

Në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende janë të rezervuara për komunitetin serb. Lista Serbe në zgjedhjet e dhjetorit fitoi nëntë, ndërsa një e siguroi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

LVV-ja këmkëmbëngul në qëndrimin e saj se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e Beogradit”.

Si një nga arsyet përse nuk dëshiron bashkëpunim me të, përmend faktin se ajo nuk është distancuar kurrë nga ish-nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Partia e Kurtit shprehet e hapur për bashkëpunim me Rashiqin dhe këmbëngul që pozitat në Qeverinë apo Kuvendin e Kosovës, të cilat me Kushtetutë u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb, t’i jepen pikërisht partisë së tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi javën e kaluar se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, mund të emërohet vetëm nga partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti, që në këtë rast është Lista Serbe.

Vetëm pas përfundimit të afatit për ankesa në Gjykatën Supreme, KQZ-ja mund të certifikojë rezultatin e zgjedhjeve, proces që hap rrugën për formimin e institucioneve të reja të Kosovës. /rel/

The post PZAP miraton ankesën e Listës Serbe për vendimin e KQZ-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi në Uashington, takim me kongresmenin amerikan Keith Self

3 February 2026 at 18:34

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u takua sot në Uashington me kongresmenin amerikan Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Europën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Gjatë takimit në Kongresin Amerikan, u vlerësua mbështetja e palëkundur e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë dhe u theksua forca e Partneritetit Strategjik Shqipëri–SHBA, si një shtyllë kyçe e marrëdhënieve dypalëshe.

Peleshi dhe Self diskutuan gjithashtu mbi angazhimin amerikan për reformat demokratike, si dhe kontributin e përbashkët për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë, duke i cilësuar këto elemente thelbësore për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Në takim morën pjesë edhe deputetët e Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Ilir Pendavinji si dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe deputeti i PD, Belind Këlliçi.

/gj.m/j.p/

The post Peleshi në Uashington, takim me kongresmenin amerikan Keith Self appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌