Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Liria ka Emër” merr leje zyrtare për marshim në 17 shkurt

26 January 2026 at 17:56

PRISHTINË, 23 janar /ATSh/ Platforma qytetare “Liria ka Emër” njofton opinionin publik se ka siguruar lejen zyrtare nga Komuna e Prishtinës për shfrytëzimin e hapësirës publike, me qëllim të organizimit të marshit qytetar me moton “Drejtësi, jo politikë!”.

Marshi do të mbahet më 17 shkurt, duke filluar nga ora 14:00′, në hapësirën publike të miratuar nga autoritetet komunale, në përputhje të plotë me kërkesën e paraqitur nga organizatorët dhe me legjislacionin në fuqi.

Sipas dokumentit zyrtar të lëshuar nga Komuna, leja është dhënë për përdorimin e hapësirës publike në orarin e kërkuar, duke garantuar kështu mbarëvajtjen e aktivitetit qytetar në mënyrë paqësore dhe të rregullt.

Platforma “Liria ka Emër”, nëpërmjet një njoftimi u bën thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës që t’i bashkohen këtij marshimi paqësor, si shprehje e kërkesës për drejtësi të paanshme për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vite.

Ky marsh është një thirrje qytetare për respektimin e parimeve të drejtësisë, dinjitetit njerëzor dhe për ndarjen e qartë të drejtësisë nga politika.

/KosovaPress/

The post “Liria ka Emër” merr leje zyrtare për marshim në 17 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KPA rikthen në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj

26 January 2026 at 17:50

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) riktheu në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj, i cili ishte shkarkuar nga Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) më 7 tetor 2024.

Vendimi u shpall sot nga trupi i gjykues i KPA i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Sokol Çomo relator, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, me shumicë votash, vendosi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe konfirmimin në detyrë të prokurorit Xhemal Saliaj.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

Saliaj u shkarkua pasi sipas KPK-së u konkludua se nuk arriti nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë dhe se në vlerësimin tërësor kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia.

/m.q/a.f/

The post KPA rikthen në detyrë prokurorin e Vlorës, Xhemal Saliaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundojnë restaurimet në Urën e Niçës në Pogradec

26 January 2026 at 17:47

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kanë përfunduar restaurimet në Urën e Niçës në Pogradec, një monument kulture me rëndësi të veçantë historike dhe kulturore, i cili deri para ndërhyrjes ishte pjesë e listës së objekteve më të rrezikuara për shkak të degradimit të avancuar strukturor.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamje nga ura e restauruar, teksa bëri të ditur se ndërhyrja garantoi stabilitetin e saj afatgjatë.

“Ndërhyrja restauruese e vitit 2025 e shpëtoi monumentin nga rrënimi, duke garantuar stabilitetin e tij dhe ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore”, u shpreh ministri Gonxhja.

Sipas ministrit, restaurimi u fokusua në konsolidimin strukturor të urës, restaurimin e elementëve karakteristikë arkitektonikë dhe përdorimin e materialeve tradicionale, në përputhje me standardet e ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

E vendosur në fshatin Niçë, në bashkinë Pogradec, Ura e Niçës gëzon një ndjeshmëri të veçantë në komunitetin vendas, pasi konsiderohet pjesë e identitetit kulturor të zonës dhe një dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë historike lokale.

Përfundimi i restaurimit i jep monumentit një rol të ri jo vetëm në ruajtjen e vlerave kulturore, por edhe në promovimin e turizmit kulturor në rajonin e Pogradecit, duke e kthyer Urën e Niçës në një aset të rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

/e.xh/a.f/

The post Përfundojnë restaurimet në Urën e Niçës në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KANADA – Carney: Kërcënimet e Trumpit thjesht taktika negociuese

26 January 2026 at 17:40

OTAVA, 26 janar /ATSH-AFP/ – Kryeministri kanadez, Mark Carney minimizoi sot  kërcënimet e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore 100% duke theksuar se ato ishin kryesisht pjesë e një strategjie për negociata tregtare.

”Shpejt do të hyjmë në negociata ose në rishikim të marrëveshjes sonë me Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën (ACEUM)”, kujtoi Mark Carney.

”Presidenti është një negociator me përvojë (…) Mendoj se disa nga këto komente dhe qëndrime duhet të kuptohen në këtë kontekst më të gjerë”, theksoi ai.

Presidenti amerikan kërcënoi të shtunën se do të vendoste tarifa doganore 100% mbi importet kanadeze në SHBA në rast të një marrëveshjeje tregtare midis Kanadasë dhe Kinës, pas njoftimit të Mark Carney për një marrëveshje paraprake në Pekin në mes të janarit./  /Ad.Ab./

The post KANADA – Carney: Kërcënimet e Trumpit thjesht taktika negociuese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Izraeli merr edhe trupin e fundit të pengut

26 January 2026 at 17:01

GAZA/TEL AVIV, 26 janar /ATSH-DPA/ – Izraeli ka identifikuar dhe marrë nga Rripi i Gazës edhe eshtrat e pengut të fundit, njoftoi sot ushtria izraelite.

Ky zhvillim përmbush një kusht kyç për kalimin në fazën e dytë të planit të paqes për Gazën, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe i nënshkruar në tetor.

”Përfaqësues të ushtrisë kanë njoftuar familjen e pengut të ndjerë, rreshterit të klasit të parë Ran Gvili, se i afërmi i tyre është identifikuar dhe do të kthehet për t’u varrosur”, thuhet në një postim të ushtrisë në Telegram.

Sipas njoftimit, Gvili ”ra në luftime në mëngjesin e 7 tetorit 2023 dhe trupi i tij u rrëmbye dhe u dërgua në Rripin e Gazës”.

”Me këtë, të gjithë pengjet janë kthyer nga Rripi i Gazës në shtetin e Izraelit”, thuhet më tej në deklaratën e ushtrisë.

Më herët këtë muaj, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff deklaroi se plani i paqes po hynte në fazën e dytë.

Objektivat kryesore të fazës së dytë janë çarmatimi i grupit ekstremist palestinez Hamas, krijimi i një qeverie teknokrate dhe nisja e rindërtimit të Gazës, pasi territori bregdetar palestinez pësoi shkatërrime të mëdha gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GAZA – Izraeli merr edhe trupin e fundit të pengut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Libri “Brenga e Prokurorit” i Ahmet Prençit botohet në italisht

26 January 2026 at 16:29

TIRANË, 26 janar /ATSh/ Libri i shkrimtarit Ahmet Prençi me titull “Brenga e Prokurorit” është botuar edhe italisht, me titull “Dentro la note di Martin Guri”. Njoftimi u bë nga shtëpia botuese “Rubbettino” në Itali dhe promovimi i librit do të bëhet më 3 shkurt në librarinë “Feltrinelli” në Kozenca (Cosenza).

Në njoftimin e shtëpisë botuese konfirmohet data e promovimit zyrtar me shënimin: “Në një kryeqytet të mbytur nga dimri dhe korrupsioni, ministri publik Martin Guri është gati të jetojë pasditen e fundit “normale” të ekzistencës së tij. Një takim i papritur me një grua enigmatike dhe magnetike shpërthen një të vërtetë të varrosur prej tridhjetë vjetësh, ndërsa në tavolinën e saj grumbullohen letrat e një bosi të fuqishëm të krimit të organizuar. Që nga ai moment, çdo siguri shkatërrohet.

Midis kërcënimeve, kujtimeve flakëruese dhe një dashurie absolute që rrezikon të shembet, Martini detyrohet të zgjedhë: t’i bindet ligjit ose të shpëtojë veten. Konflikti i tij bëhet ai i një shoqërie të tërë, ku kufiri midis drejtësisë dhe hakmarrjes është aq i hollë sa një frymëmarrje”.

Më tej, shkruan shtëpia botuese, “me librin “Brenda natës së Martin Gurit”, Ahmet Prençi nënshkruan një roman psikologjik dhe politik me intensitet të madh. Vizionar, i tensionuar, thellësisht njerëzor, stili i tij e ka bërë atë një nga autorët më të vlerësuar të vendit të tij, të arritshëm për traditën më të mirë të noir-it evropian dhe amerikanojugor. Një libër që gërmon në kujtesë, vë në pikëpyetje pushtetin dhe ekspozon brishtësinë e së vërtetës”.

Edhe autori Ahmet Prençi kërkon që këtë sukses ta ndajë me miq dhe të njohur, të cilët i fton të jenë të pranishëm në promovimin e librit.

/m.q/r.e/a.f/

The post Libri “Brenga e Prokurorit” i Ahmet Prençit botohet në italisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Qeveria nuk do të ndërhyjë në një bojkot të mundshëm të Kupës së Botës nga kombëtarja gjermane

26 January 2026 at 16:20

BERLIN, 26 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane nuk do të përfshihet në një debat rreth një bojkoti të mundshëm të Kupës së Botës në futboll, që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, tha ministrja e Shtetit për Sportin, Christiane Schenderlein.

“Vendimet për pjesëmarrjen ose bojkotimin e ngjarjeve të mëdha sportive janë përgjegjësi e vetme e shoqatave përkatëse sportive, jo e politikanëve”, tha Schenderlein në një deklaratë qeveritare të hënën.

Ajo tha se vlerësimi varet nga federatat përkatëse, duke emëruar Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) dhe organin botëror qeverisës FIFA.

“Qeveria federale do ta pranojë këtë vlerësim”, tha ajo.

Një zëdhënës i qeverisë tha të hënën se nëse ekipi kombëtar gjerman ishte i përfshirë, nuk i takon qeverisë të vendosë për pjesëmarrjen e ekipit në gara.

Ka pasur konsiderata për bojkot në Gjermani dhe disa vende të tjera evropiane në lidhje me politikën e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump në lidhje me Groenlandën dhe në frontin e brendshëm, me një të shtënë të dytë fatale në fundjavë nga oficerët e imigracionit amerikanë.

Eksperti i politikës së jashtme të demokratëve, Jurgen Hardt, kishte ngritur së fundmi çështjen e bojkotit nëse SHBA-të do të aneksonin Groenlandën.

Trump tha javën e kaluar se SHBA-të nuk do të përdornin forcë ushtarake.

Të shtënat në Minneapolis të shtunën nxitën komentet e zëdhënësit të hënën, pasi gazetarët e ngritën çështjen.

Zëvendëspresidenti i DFB-së dhe kryetari i ”St Pauli”, Oke Gottlich, bëri thirrje për të paktën një debat mbi bojkotin javën e kaluar, duke i thënë gazetës ”Hamburger Morgenpost” se ”për mua koha ka ardhur patjetër”./  a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Qeveria nuk do të ndërhyjë në një bojkot të mundshëm të Kupës së Botës nga kombëtarja gjermane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore

26 January 2026 at 16:03

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, organizata rinore digjitale “RinOn” dhe ambasada e Izraelit në Tiranë organizuan një event  për të sjellë në kujtesë strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rejvi Dervishi, themeluesi i RinOn, u shpreh se është përgjegjësia jonë e përbashkët që të kujtojmë dhe të reflektojmë mbi tragjedinë që preu përdhunshëm fillin e jetës së gjashtë milionë të pafajshmëve, të cilëve iu rrëmbye e drejta e jetës.

Të rinjtë u bënë pjesë e një aktiviteti për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit në Piramidën e Tiranës, duke kujtuar si Shqipëria u bë strehë për qindra hebrenj, që gjetën mbrojtje dhe sigurisë në shtëpitë e shqiptarëve.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm anëtarë të trupit diplomatik izraelit, kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, drejtori i Arkivave Shtetërore Vendore në DPA, Lorenc Agalliu etj.

Zëvendësambasadori Gal Rudich tha se Shqipëria mbetet shembull që dëshmon se gjithçka mund të kishte qenë ndryshe.

“Ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës, hebrenjtë e Shqipërisë u shpëtuan nga përndjekja dhe u mbajtën të sigurt gjatë luftës. Populli shqiptar zgjodhi të shpëtonte jetë të pafajshme duke rrezikuar jetën e tyre. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë”, tha Rudich.

Ndërsa pedagogia dhe deputetja e PS-së, Luarasi kujtoi se holokausti nisi me barcaleta raciste, teori komploti dhe ligje diskriminuese që një pjesë e shoqërisë i pranoi si normale. “Indiferenca është gjithmonë një oksigjen për krime të tilla”, tha Luarasi.

Lidhur me tematikën e Holokaustit, DPA-ja ka prezantuar më herët ekspozita dokumentare dhe fotografike mbi përpjekjet e përbashkëta të shtetit shqiptar, të diplomatëve dhe të autoriteteve fetare, për mbrojtjen e komunitetit hebre nga terrori antisemit.

1 nga 5

/r.e/

The post Shqipëria, strehë për qindra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Wadephul: Duhet një ndërhyrje më e ashpër ndaj “flotës hije” ruse

26 January 2026 at 15:57

BERLIN, 26 janar /ATSH – ANSA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul bën thirrje për veprime më të ashpra kundër “flotës në hije” të Rusisë, të cilën Moska po e përdor për të anashkaluar sanksionet kundër shitjeve të naftës.

‘’Ligji ndërkombëtar detar duhet të ndryshohet urgjentisht’’, sipas ministrit të Jashtëm gjerman Merz.

“Është e pamundur që duart tona të jenë të lidhura përgjithmonë”, deklaroi politikani i CDU-së, duke theksuar nevojën për “efektivitet shumë më të madh në luftën kundër kësaj flote në hije”.

‘’Anijet dhe kapitenët e tyre tashmë i nënshtrohen sanksioneve evropiane por tani nevojiten diskutime të thella midis partnerëve të Detit Baltik. Për më tepër, duhet të jetë e mundur të ndërmerren veprime edhe kundër anijeve, statusi i flamurit të të cilave është i paqartë’’, shtoi ai.

“Tani duhet të përdorim të gjitha mundësitë e ofruara nga ligji detar për të ndaluar anije të tilla”, tha Wadephul, duke theksuar gjithashtu se flota në hije kërcënon ekologjinë e bregdetit të Detit Baltik.

Anijet shpesh janë në gjendje teknike katastrofike dhe kanë ekuipazhe të trajnuara dobët, tha ai. Nëse një nga këto tankerë të mëdhenj do të fundosej, kjo mund të jetë një “katastrofë ekologjike” me një ndikim të rëndë në sektorin e turizmit të Gjermanisë.   /os/

 

The post BERLIN – Wadephul: Duhet një ndërhyrje më e ashpër ndaj “flotës hije” ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AUSTRALI – Nxehtësia ekstreme rrit mundësinë e zjarreve të reja

26 January 2026 at 15:47

SIDNEJ, 26 janar /ATSH-DPA/- Disa pjesë të mëdha të Australisë janë prekur nga nxehtësia ekstreme me temperatura që i afrohen 50 gradë Celsius.

Zjarret në shkurre shkaktuan sot evakuime në juglindje të vendit.

Shtetet e Australisë Jugore, Victoria, Uellsi i Ri Jugor dhe Queensland janë prekur kryesisht më rëndë.

Sipas raportimeve të medieve australiane, bëhet fjalë për një nga episodet më të nxehta të motit ndër vite, dhe janë lëshuar paralajmërime për rreziqe të mundshme për popullsinë dhe shërbimet e emergjencës.

Ditët e fundit janë regjistruar temperatura mbi 40 gradë në disa vende.

Temperaturat prej rreth 49 gradë Celcius priten të arrijnë nesër në disa vende, në Victoria.

Temperaturat pritet gjithashtu të rriten në rreth 45 gradë Celcius në qytetin e Melburnit – ku aktualisht po zhvillohet turneu i tenisit “Australian Open”.

Kjo do të ishte pothuajse e barabartë me rekordin e mëparshëm prej 46,6 gradësh, i cili u vendos në shkurt të vitit 2009.

Temperaturat në disa pjesë të shtetit të Australisë Jugore ka të ngjarë të rriten në më shumë se 49 gradë Celcius.

Qyteti i Adelaides parashikohet të arrijë 46 gradë Celcius.

Një valë e zgjatur e nxehtësisë është e pazakontë edhe sipas standardeve australiane.

Disa zjarre në shkurre u intensifikuan në Victoria. Zjarret e pakontrolluara u përhapën në Otway Ranges në jugperëndim të Melburnit. //a.i/

The post AUSTRALI – Nxehtësia ekstreme rrit mundësinë e zjarreve të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mospërputhje votash, nis hetimi në Drenas

26 January 2026 at 15:36

PRISHTINË, 26 janar/ATSH/ Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e informatave lidhur me procesin e rinumërimit të votave në komunën e Drenasit.

Sipas njoftimit, Prokuroria, duke përcjellë në vazhdimësi procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të këtij procesi në Drenas.

Në këtë drejtim, prokurori i shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës me qëllim të grumbullimit të informatave, evidentimit të shkeljeve të mundshme nga personat përgjegjës, si dhe sigurimit të provave që lidhen me këtë çështje.

Po ashtu, bëhet e ditur se prokurori i shtetit është duke përcjellë nga afër edhe procesin e rinumërimit në komunat e tjera që bien në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Pas përfundimit të këtij procesi, do të analizohen të gjitha rrethanat dhe do të shqyrtohet mundësia e lëshimit të autorizimeve shtesë për grumbullim informatash.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative në Republikën e Kosovës, veçanërisht në rastet që lidhen me mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë. /Kosovapress/

The post Mospërputhje votash, nis hetimi në Drenas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BELGJIKË – Nis greva pesë ditorëshe e punonjësve të hekurudhave

26 January 2026 at 15:27

BRUKSEL, 26 janar /ATSH-AA/ – Punonjësit e kompanisë kombëtare hekurudhore SNCB në Belgjikë kanë hyrë në grevë pesëditore.

Të thirrur nga sindikata të ndryshme në të gjithë Belgjikën, punonjësit e hekurudhave do të mbajnë grevë deri në shërbimin e fundit të trenit më 30 janar në protestë kundër ndryshimeve të planifikuara në strukturën dhe statusin e punonjësve të SNCB.

Ndikimi i grevës u ndje qartë në ditën e parë të punës të javës, me anulime të shumta trenash në të gjithë vendin. SNCB këshilloi pasagjerët që përdorin hekurudhën të kontrollojnë statusin e shërbimeve të trenave dhe rrugëve alternative në faqen e tyre zyrtare të internetit.

Shkalla e ndërprerjeve të shërbimit të trenave ndryshon çdo ditë në varësi të fushës së përgjegjësisë së personelit që merr pjesë në grevë. Ndërprerja e shërbimeve të trenave, të përdorura gjerësisht si për udhëtime ndërqytetas ashtu edhe brendaqytetas, ndikon negativisht në jetën e punës në Belgjikë.

Qeveria federale po punon për një projektligj që synon të kursejë 675 milionë euro duke modernizuar kompaninë hekurudhore. Projektligji përfshin eliminimin e statusit të shërbimit publik të punonjësve të hekurudhave dhe përfundimin e pozicioneve të përhershme.

Për më tepër, ndryshimet e planifikuara në sistemin e menaxhimit të kompanisë hekurudhore synojnë të lejojnë marrjen e vendimeve pa miratimin e sindikatës.  /os/

The post BELGJIKË – Nis greva pesë ditorëshe e punonjësve të hekurudhave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në Jeruzalem: Shqipëria e palëkundur kundër antisemitizmit, mbështesim planin e paqes Trump për Gazën

26 January 2026 at 15:25

TIRANË, 26 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot Shqipëria vazhdon të mbështesë të gjitha përpjekjet, përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajë rolin e saj brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, në kuadër të vizitës së punës që po zhvillon në Jeruzalem, kryeministri Rama solli në vëmendje se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis dy popujve.

“Kjo miqësi e farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.

“Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese”, tha Rama.

Rama siguroi se vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë.

“Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera”, shtoi ai.

Kryeministri u ndal edhe te vizita e djeshme në Nova Site, të cilën e cilësoi “thellësisht trazuese”.

“Megjithatë, pata një ndjenjë lehtësimi moral kundrejt shpirtrave të atij vendi të dhimbshëm, duke e ditur që kurrë nuk i lamë në baltë, qëndruam krahë pengjeve dhe familjeve të tyre dhe kundër kasapëve neonazistë të Hamasit, veprimet e të cilëve kanë sjellë vuajtje të padurueshme, jo vetëm për izraelitët, por prej një kohe shumë të gjatë, edhe për motrat e vëllezërit tanë palestinezë, të dehumanizuar nga Hamasi deri në pikën e katandisjes në instrumente lufte, kthyer në një infrastrukturë mbrojtjeje prej mishi e gjaku, mish për zjarrin e terrorit. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e barbarive”, tha Rama.

Po ashtu, Rama theksoi se “Shqipëria është e nderuar që bëhet pjesë e Bordit të Paqes, themeluar nga presidenti Trump dhe e shoh këtë ftesë jo vetëm si një njohje, por edhe përgjegjësi morale”. /j.p/

The post Rama në Jeruzalem: Shqipëria e palëkundur kundër antisemitizmit, mbështesim planin e paqes Trump për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Netanyahu: Shqipëria vend i mrekullueshëm për t’u vizituar, hapim Dhomën e Tregtisë në Jeruzalem

26 January 2026 at 15:23

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Jeruzalem, Izrael me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u takua sot me Kryeministrin Benjamin Netanyahu, me të cilin zhvilloi një takim kokë më kokë, që u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se bota dhe njerëzimi duhet të dijë faktin që Shqipëria, ishte i vetmi vend evropian që gjatë Holokaustit strehoi një popullsi hebreje brenda shoqërisë së saj.

Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Netanyahu tha se “Kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre,  mik i madh i shtetit hebre dhe mund të them një mik i madh i imi”.

“Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta, njerëzit nuk e dinë, bota duhet ta dijë që Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë që u rrit dhe nuk u mpak. U rrit sepse myslimanët shqiptarë në frymën e moderimit, tolerancës, në frymën e dinjitetit njerëzor mbrojtën qindra hebrenj që jetonin në Shqipëri dhe po kështu mikpritën shumë të tjerë”, tha Netanyahu.

“Ky është shpirti që ju përfaqësoni, kjo është ajo histori, që bota duhet ta njohë. Kjo është histori që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, rolin moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore”, tha Kryeministri izraelit.

Sipas Netanyhut, kjo është fryma që Shqipëria vazhdon ta ushqejë edhe sot.

“Ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju zmbrapsin, ju qëndruat krah Izraelit kur u sulmuam nga barbarët. Busulla juaj morale nuk u lëkund dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënjon si udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe atyre segmenteve të njerëzimit që duan që e vërteta të mbrohet dhe të mbrohen vlerat morale që bashkëndajmë”, theksoi ai.

Kryeministri izraelit, deklaroi se mes dy vendeve po ndërtohen marrëdhënie të shkëlqyera.

“Numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%, ndoshta një mijë përqind dhe së shpejti do të bëhen shumë më tepër. Mund t’ju them gjithë izraelitëve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm kështu që shkoni atje. Kemi kompani me investues izraelit, të cilët dinë që ka një mundësi të madhe ekonomike në Shqipëri, ka një orientim drejt tregut të lirë dhe që ka gjëra që mund të zhvillohen së bashku me shqiptarët”, tha Netanyahu.

Kryeministri i Izraelit theksoi se ditën e nesërme, në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama do të çelet Dhoma e Tregtisë në Jeruzalem, diçka që sipas Netanyhut do të çojë përpara lidhjet ekonomike mes dy vendeve.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri izraelit tha se ka një mirëkuptim të përbashkët që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore.

“Njohim që ka një themel afërsie e vëllazërimi mes dy popujve tanë dhe një bazë vëllazërimi mes të dyve ne”, përfundoi Netanyahu.

/e.i/

The post Netanyahu: Shqipëria vend i mrekullueshëm për t’u vizituar, hapim Dhomën e Tregtisë në Jeruzalem appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu për ATSH: Rritje e angazhimit në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s

26 January 2026 at 15:19

TIRANË, 26 janar /ATSH-Gjergji Mima/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se Shqipëria do të vijojë rritjen e angazhimit të saj në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.

I pyetur nga ATSH lidhur me situatën politike dhe nëse Shqipëria ka në plan të rrisë praninë e trupave në misionet paqeruajtëse të NATO-s, Vengu tha se angazhimi ndërkombëtar i vendit ka ardhur vazhdimisht në rritje.

“Angazhimi ndërkombëtar në të gjitha misionet, qoftë të NATO-s, BE-së apo Kombeve të Bashkuara, ka ardhur në rritje dhe do të vazhdojmë ta rrisim. Kjo lidhet edhe me vlerësimin e NATO-s për misionin në KFOR, ku kërkohen forca shtesë. Si një prej kontribuuesve kryesorë në KFOR, edhe Shqipëria do të shtojë forca, këtë vit konkretisht me komponentin ajror, ndërkohë që tradicionalisht kemi qenë të angazhuar me komponentin tokësor”, u shpreh Vengu.

Ministri theksoi se veprimi i forcave shqiptare realizohet gjithmonë në partneritet me vende shumë herë më të fuqishme, brenda strukturave të të cilave operojnë forcat tona, element që, sipas tij, duhet marrë parasysh.

Po ashtu, Vengu nënvizoi se Shqipëria dislokon forca në ato misione ku mund të sjellë një vlerë të shtuar.

“Forca e Armatosur ka një specialitet specifik, siç është komponenti EOD në Letoni, pasi Shqipëria ka kapacitete të konsoliduara në demontimin, çminimin dhe eliminimin e rrezikut nga mjetet plasëse në fushëbetejë. Këtë kapacitet do të vazhdojmë ta ofrojmë për aleancën”, tha ai.

Sa i përket rreziqeve biologjike dhe kimike, ministri bëri të ditur se po ndërtohen kapacitete të reja për përballimin e tyre, të cilat do t’i japin Shqipërisë mundësinë të kontribuojë edhe në misione të tjera të NATO-s.

Vengu vuri në dukje se misionet ndërkombëtare janë gjithashtu një teatër i rëndësishëm stërvitor për Forcat e Armatosura.

“Ato janë një instrument diplomatik për vendin, në procesin e linjëzimit me BE-në dhe NATO-n, por njëkohësisht janë edhe mundësi konkrete për rekrutët, ekspertët dhe oficerët tanë që të stërviten në kushte reale, shpeshherë me një shkallë të caktuar rrezikshmërie”, tha ai.

Sipas ministrit, angazhimi në misione sjell një përfitim të dyfishtë, ndaj synimi është që rotacionet të bëhen më të shpeshta, në mënyrë që një numër sa më i madh personeli aktiv të ketë mundësi të ekspozohet, të specializohet dhe të stërvitet në kushte reale operacionale. /j.p/

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu në konferencë për shtyp , foto: Andrin Hoxha
1 nga 7

The post Vengu për ATSH: Rritje e angazhimit në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Katastrofë në Siçili, mbi 500 të evakuuar nga rrëshqitjet masive të dheut

26 January 2026 at 15:15

ROMË, 26 janar /ATSH-ANSA/- Autoritetet kanë lëshuar një alarm të ri për rrezik hidrogjeologjik në Siçili.

Pas dëmeve të shumta të shkaktuara nga cikloni “Harry”, i cili shkatërroi bregdetin jonian të ishullit, alarmi është vendosur në Niscemi – një qytet me afërsisht 25 000 banorë në provincën e Caltanissettas, Siçili.

Qyteti u prek nga rrëshqitje të dheut që filluan dje rreth orës 13:00, duke shkaktuar çarje në asfalt, duke bërë që disa banorë të largoheshin.

Rrëshqitjet e dheut thuhet se u përkeqësuan nga shiu i rrëmbyeshëm në Niscemi.

Si masë paraprake, autoritetet e Mbrojtjes Civile kanë urdhëruar evakuimin e afërsisht 500 banorëve në zonat “në rrezik”.

Zona e prekur është midis lagjes “Sante Croci”, rrethit Belvedere dhe zonës që arrin deri në përroin “Benefizio” dhe rrethin “Pirillo”.

Kryetari i bashkisë së Niscemit, Massimiliano Conti, ka urdhëruar mbylljen e shkollave për nesër dhe ka aktivizuar Qendrën e Operacioneve Komunale.

Qyteti aktualisht është i arritshëm vetëm në një drejtim, ndërsa niveli i rrëshqitjeve të dheut ka arritur në 25 metra.

Me urdhër të shefit rajonal të Mbrojtjes Civile, Salvo Cocina, qindra shtretër kampingu po transferohen nga Palermo në sallën sportive “Pio La Torre” për të ngritur strehimore për të evakuuarit. //a.i/

 

The post ITALI – Katastrofë në Siçili, mbi 500 të evakuuar nga rrëshqitjet masive të dheut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu për ATSH: Shqipëria do të marrë sistemin italian të raportimit të emergjencave “112”

26 January 2026 at 15:14

TIRANË, 26 janar /ATSH-Gjergji Mima/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se Shqipëria do të marrë sistemin italian të raportimit të emergjencave “112”, si pjesë e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian dhe në kuadër të bashkëpunimit me Italinë.

I pyetur nga ATSH lidhur me masat konkrete që po ndërmerren për të shmangur situatat e përmbytjeve dhe zjarreve, Vengu u shpreh se kjo nismë është pjesë e marrëveshjeve të nënshkruara gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, si dhe e marrëveshjes mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë dhe asaj të Italisë.

“Ne do të marrim sistemin italian për numrin e emergjencave 112. Ky është një detyrim që buron edhe nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Duhet të kemi një numër kombëtar dhe një numër evropian të vetëm, 112, i cili lidhet me një sallë operative ku bashkëveprojnë të gjitha institucionet ligjzbatuese dhe strukturat që menaxhojnë fatkeqësitë natyrore”, tha Vengu.

Sipas ministrit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) disponon tashmë instrumentin financiar për realizimin e këtij projekti, falë mbështetjes së palës italiane.

Vengu theksoi se vitet e fundit Shqipëria është përballur me përmbytje më intensive dhe reshje më të përqendruara në zona të caktuara, ndërkohë që zjarret nuk janë më një problematikë sezonale, por një rrezik i përhershëm. “Këtu ndikojnë ndryshimet klimatike, por edhe dinamika urbane dhe rurale, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim”, u shpreh ai.

Ministri nënvizoi se, ndër vite është krijuar një varësi e theksuar ndaj reagimit të Forcave të Armatosura, ndërsa strategjia e re, e reflektuar edhe në buxhetin e vitit 2026, synon tre drejtime kryesore.

“Së pari, forcimin e kapaciteteve të bashkive përmes investimeve në infrastrukturën parandaluese. Ai solli si shembull ndërhyrjet në infrastrukturën e pritave në Shkodër dhe në kanalet e ujërave të larta në Vlorë, të cilat, sipas tij, kanë ndihmuar në përballimin e reshjeve të fundit. Në këtë kuadër, buxheti për infrastrukturën parandaluese të bashkive është rritur dhe pritet që javën e ardhshme të hapet thirrja për aplikime pranë AKMC-së për ndërtimin e urave, pritave lumore, riparimin e digave dhe kanaleve kulluese, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Së dyti, strategjia e re synon krijimin e një zinxhiri më të fortë reagimi përmes ngritjes së një niveli të ndërmjetëm me qendra rajonale emergjence, më pranë zonave të rrezikut.

Vengu bëri të ditur se do të ndërtohet një bazë në Bushat për zonën veriperëndimore dhe një tjetër në Kranë të Finiqit, për të mbuluar pellgun e Delvinës, Finiqin, Konispolin dhe një pjesë të Gjirokastrës. “Këto baza do të kenë kapacitete për furnizimin e mjeteve ajrore, për të rritur efikasitetin e ndërhyrjeve”, tha Vengu.

Së treti, ministri theksoi rëndësinë e parandalimit përmes inovacionit, duke përmendur përdorimin e imazheve satelitore, dronëve termikë dhe sistemeve të avancuara teknologjike nga AKMC, të cilat kanë rezultuar efektive në operacionet në terren. Sipas tij, investimet në këtë drejtim do të vijojnë. /j.p/

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, konferencë për shtyp foto: Andrin Hoxha
1 nga 9

The post Vengu për ATSH: Shqipëria do të marrë sistemin italian të raportimit të emergjencave “112” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit

26 January 2026 at 14:11

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2005, caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.

Kjo datë u zgjodh pasi përkon me përvjetorin e çlirimit të Kampit të Përqendrimit dhe Vdekjes, Auschwitz Birkenau, më 27 janar 1945.

Mbi një milion njerëz u vranë vetëm në këtë kompleks të madh, shumica prej tyre hebrenj. Duke shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm, UNESCO po organizon një sërë ngjarjesh që kujtojnë rëndësinë e vazhdueshme të mësimdhënies dhe të mësuarit rreth Holokaustit, në nivel global.

Kjo ditë ndërkombëtare është një kujtesë globale për rreziqet e urrejtjes, fanatizmit dhe antisemitizmit. Dita është një thirrje për të kujtuar, reflektuar dhe ndërmarrë veprime për të siguruar që mizori të tilla të mos ndodhin më kurrë. Kjo ditë kremtohet me ngjarje dhe aktivitete përkujtimore në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe zyrat e Kombeve të Bashkuara në të gjithë botën.

Kombet e Bashkuara u krijuan në përgjigje të tmerreve të Luftës së Dytë Botërore dhe Holokaustit.

Holokausti ka pasur një ndikim të thellë në Ligjin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut, duke rezultuar në miratimin e dokumenteve themelore nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948: Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit. /j.p/

The post Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla takim me blegtorët: Mbështetje, shoqëruar me standarde të panegociueshme të sigurisë ushqimore

26 January 2026 at 14:01

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një takim me blegtorët prodhues të qumështit dhe mishit, për të dëgjuar sfidat e tyre dhe për t’i reflektuar në hartimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2026.

Ministri Salla theksoi se sektori i blegtorisë do të ketë një fokus të veçantë, me subvencione dhe mbështetje financiare të orientuara sipas nevojave reale të prodhuesve dhe brenda mundësive buxhetore. Ai shtoi se mbështetja do të zbatohet me rregulla të qarta dhe të zbatueshme.

“Mbështetja e blegtorëve do të shoqërohet me standarde të panegociueshme të sigurisë dhe cilësisë ushqimore. Formalizimi dhe forcimi i sektorit duhet të ecë krah për krah me rritjen e besimit të konsumatorit dhe konkurrueshmërisë së produkteve ‘Made in Albania’ në treg”, u shpreh ministri.

Takimi shërbeu si një platformë për të dëgjuar nevojat e prodhuesve dhe për të hartuar masa konkrete që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të blegtorisë në vend.

The post Salla takim me blegtorët: Mbështetje, shoqëruar me standarde të panegociueshme të sigurisë ushqimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Për Pashalimanin i qëndrojmë marrëveshjes me Turqinë që prej vitit 1992 

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri  Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se nuk ka asnjë ndryshim të marrëveshjes me Turqinë për bazën e Pashalimanit.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me bazën e Pashalimanit dhe deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Turqisë, Yaşar Güler, Vengu theksoi se “ne kemi një marrëveshje prej vitit 1992 e ratifikuar, e rinovuar sërish në 1998 që parashikon pjesëmarrje të forcave detare turke të stacionuara me rotacion në Pashaliman”.

“Është e dobishme për forcat detare t’i qëndrojmë kësaj marrëveshje, nuk ka asnjë ndryshim sa i përket kësaj marrëveshje ndaj me të drejtë edhe homologu turk ka dhënë përgjigjen që ka dhënë sa i përket qëndrimit të forcave me rotacion në Pashaliman”.

Vengu u shpreh se marrëveshja midis kompanisë shtetërore “Kajo” me kompaninë italiane të prodhimit të anijeve “Fincantieri” ka të bëjë me veprimtarinë e prodhimit në Pashaliman.

“Ne po krijojmë një kompani të përbashkët ku shteti shqiptar do të ketë 49% të pronësisë të bashkëpronësisë dhe pala italiane do të jetë mazhoritare me përgjegjësi  përkatëse sa i takon investimeve në infrastrukturë, që mbeten prona jonë dhe linjës së prodhimit dhe të rinovimit sepse kemi nevojë për linjë mirëmbajtje të flotës sonë”, informoi Vengu.

“Pra, janë dy çështje të ndryshme nga njëra anë bashkëpunimi operacional dhe ushtarak stërvitor me Turqinë prej vitesh dhe nga ana tjetër veprimtaria prodhuese”, sqaroi Vengu.

/k.s/j.p/

 

The post Vengu: Për Pashalimanin i qëndrojmë marrëveshjes me Turqinë që prej vitit 1992  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌