Normal view

Kryeministri i Katarit nuk refuzoi t’i shtrëngojë dorën zv.presidentit amerikan

23 June 2026 at 17:01

Pretendimi: Kjo video tregon ministrin e Jashtëm të Katarit që injoron zëvendëspresidentin e ShBA, JD Vance

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Një video e përhapur gjerësisht në rrjete sociale, po qarkullon edhe në ato shqipfolëse me pretendimin se tregon Ministrin e Jashtëm të Katarit që refuzon shtrëngimin e dorës me zv.presidentin e ShBA JD Vance.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet janë reale. Ato nuk tregojnë ministrin e Jashtëm, por Kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Video e mësipërme, regjistruar gjatë një takimi katërpalësh që përfshinte Shtetet e Bashkuara, Iranin, Pakistanin dhe Katarin në resortin Bürgenstock pranë Liqenit të Lucernës në Zvicër, u bë virale në fundjavë, me pretendimin se kryeministri i Katarit e shpërfilli Vance për të përshëndetur kryeministrin e Pakistanit, Shehbaz Sharif.

Megjithatë, menjëherë pas këtij viraliteti, kryeministri i Katarit sqaroi situatën.

Al Thani tha më 22 qershor se këto raportet ishin të pabaza, duke argumentuar se ata kishin kaluar orë të tëra së bashku gjatë negociatave dhe kishin ruajtur një partneritet të fortë gjatë gjithë procesit.

“Unë në fakt kisha kaluar disa orë me zv. presidentin [Vance] vetëm disa sekonda përpara se të hyja në sallë dhe nuk e kisha takuar kryeministrin e Pakistanit fare që kur kishte ardhur, kështuqë doja ta përshëndesja,” tha ai për Al Jazeera.

Po atë ditë, ai postoi në platformën X një foto të tij, Vance, dhe Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Trump, me përshkrimin: “nga Lucerne, vazhdojnë përpjekjet dhe puna e përbashkët.”

The post Kryeministri i Katarit nuk refuzoi t’i shtrëngojë dorën zv.presidentit amerikan appeared first on Faktoje.al.

Pesë kërkesat e protestës

23 June 2026 at 16:50

Protesta e ditës së 23-të në Tiranë solli për herë të parë pesë kërkesa nga grupi organizator, duke përfshirë dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike tranzitore.

Organizatorët kërkuan gjithashtu ndryshime kushtetuese, si dhe shfuqizimin e disa ligjeve të kontestuara për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore dhe investimet strategjike.

Deklarata mbyllet me thirrjen për një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e hartuar pas konsultimeve të gjera me intelektuale dhe ekspertë teknikë

“Në emër të grupit koordinues të protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit, si gjithë bashkëkombasit tanë, qofshin ata të pranishëm fizikisht apo ata që na mbështesin me zemër dhe me mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimi i saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin e zonave të mbrojtura, anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimi i Paktit të Maleve, si dhe shfuqizimi i statusit të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës”, thuhet në deklaratën për shtyp të përgatitur nga grupi organizator.

Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre. Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve”, thuhet në deklaratën e grupit organizator

The post Pesë kërkesat e protestës appeared first on Faktoje.al.

Nga Shtëpia e Fëmijës drejt familjes dhe komunitetit

23 June 2026 at 16:00

Emi Kalaja

Historitë emocionuese të familjeve shkodrane që kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për të pritur fëmijët jetimë dhe sfidat e bashkive për reforma në shërbimet sociale

Shërbimet sociale mbeten fusha më problematike e qeverisjes vendore në Shqipëri. Ky sektor ekspozon pabarazinë territoriale dhe kapacitetet e dobëta institucionale, ndërsa bashkitë vazhdojnë të reagojnë më shumë ndaj emergjencave sesa të ndërtojnë politika afatgjata sociale. Sipas raportit të “Sistemit të Matjes së Performancës të Bashkive”, në vitin 2024 më pak se 40% të kërkesave për strehim social mbuloheshin nga bashkitë, ndërsa shërbimet për personat me aftësi të kufizuar ishin në nivele të ulëta. 

Këto janë sfida reale edhe për bashkinë Shkodër, në një kohë kur rritja e nevojave sociale kërkon më shumë investime, më shumë profesionistë dhe një qasje të re ndaj kujdesit social. Në grafikun kombëtar për numrin e përfituesve të ndihmës ekonomike për 1000 familje, Shkodra renditet ndër bashkitë me nivel të konsiderueshëm të përfituesve, çka tregon se nevojat sociale mbeten të larta dhe kërkojnë më shumë sesa vetëm ndihmë financiare. 

Një tjetër problematikë e hasur në nivel vendor është mungesa e stafit profesionist dhe kapaciteteve teknike të bashkive. Për këtë arsye, bashkitë që arrijnë të ndërtojnë bashkëpunim institucional, tërheqin fonde dhe zhvillojnë struktura sociale funksionale konsiderohen si modelet me performancën më të mirë.

Në këtë drejtim, Shkodra po synon të kalojë nga modeli i menaxhimit emergjent tek ai i planifikimit social afatgjatë, në përputhje me standardet europiane të mbrojtjes së fëmijëve dhe familjes. Pikërisht mbi këtë realitet po ndërtohet sot procesi i deinstitucionalizimit të shtëpive të fëmijës 0-5 vjeç dhe 6-18 vjeç.

Shkodra, modeli i ri për fëmijët jetimë

Prej afro dy vitesh Shtëpija e Fëmijës të mitur në Shkodër nuk ka akomoduar në ambjentet e saj raste të reja fëmijësh. Kjo si rezultat i pilotimit të një procesi të ri për trajtimin e fëmijëve jetimë në familje kujdestare pa lidhje gjaku. Në Shqipëri, kjo qasje po promovohet tashmë si pjesë e reformës kombëtare të kujdesit social dhe standardeve të Bashkimit Europian.

Anxhela Radovani, drejtuese e Shtëpisë së Fëmijës 0-5 vjeç në Shkodër.

“Deinstitucionalizimi (DEI) është një proces që vendi ynë e ka ndërmarrë si kusht për integrimin në Bashkimin Evropian, por njëkohësisht një proces për të cilin prej vitesh kemi lobuar dhe punuar”, shprehet Anxhela Radovani, drejtuese e Shtëpisë së Fëmijës 0-5 vjeç në Shkodër.

Radovani thekson se deri më tani shërbimi social ka funksionuar kryesisht në situata emergjente dhe jo mbi një sistem të mirëfilltë parandalues dhe mbështetës për familjen. Për këtë arsye, procesi i deinstitucionalizimit synon të ndërtojë një model të ri, ku fokusi të mos jetë vetëm reagimi ndaj rasteve, por parandalimi i institucionalizimit dhe mbështetja e hershme e fëmijëve dhe familjeve në komunitet.

“Është detyrë e pushtetit vendor të ngrejë Shërbimet Mbështetëse për Fëmijë dhe Familje (SHMFF) brenda institucionit rezidencial, me qëllim ofrimin e shërbimeve alternative, fuqizimin e familjeve dhe parandalimin e institucionalizimit”, shprehet ajo.

Për këtë arsye është kërkuar edhe Fondi Social, me synim mbulimin e kostove të këtij transformimi, shtimin e figurave të reja profesionale dhe plotësimin e shërbimeve që aktualisht mungojnë.

Sipas drejtueses së institucionit, Shkodra është një hap përpara në këtë proces si në ndalimin gradual të pranimeve të reja, ashtu edhe në zhvillimin e modeleve alternative të kujdesit. Një tjetër element që po afron transformimin e institucionit është edhe numri i lartë i proceseve të birësimit.

“Kemi shumë procese birësimi, gjë që automatikisht do të ulë numrin e fëmijëve në institucion dhe e afron më shumë institucionin me transformimin”, shton ajo.

Në këtë kuadër, Shkodra po shihet si një nga bashkitë ku ky tranzicion po provohet konkretisht në terren.

Drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë Shkodër, Edita Shoshi, thotë se Shkodra ka qenë ndër bashkitë e para që ka përqafuar modelin e deinstitucionalizimit të kujdesit për fëmijët, duke e konsideruar atë jo vetëm një reformë sociale, por një detyrim moral ndaj fëmijëve.

Sipas saj, filozofia e këtij procesi bazohet në parimin se çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në një familje dhe se institucionet nuk mund të zëvendësojnë sigurinë emocionale, dashurinë dhe mbështetjen që ofron mjedisi familjar.

“Shkodra ka qenë bashkia e parë në Shqipëri që ka zbatuar kujdestarinë familjare me familje pa lidhje biologjike me fëmijën. Që nga viti 2015 kemi realizuar disa raste të suksesshme, të cilat kanë treguar se alternativat familjare funksionojnë dhe janë në interesin më të mirë të fëmijës. Një nga rastet më domethënëse ishte ai i një fëmije që u vendos fillimisht në një familje kujdestare, ndërsa paralelisht u punua me familjen biologjike për krijimin e kushteve të nevojshme për ribashkim. Përmes mbështetjes me strehim, trajnime profesionale, ndihmë ekonomike dhe shërbime sociale, familja arriti të fuqizohej dhe fëmija u rikthye pranë saj në kushte të sigurta dhe të qëndrueshme”, shprehet Shoshi.

 Edita Shoshi , drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë Shkodër.

Ajo thekson se një moment i rëndësishëm në këtë proces ka qenë marrëveshja e bashkëpunimit mes Bashkisë Shkodër dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e mbështetur nga UNICEF dhe partnerë të tjerë, e cila synon transformimin gradual të modelit tradicional institucional drejt shërbimeve alternative të bazuara në familje dhe komunitet.

Kujdesi në familjet birësuese

“Nuk ka asnjë institucion që ta zëvendësojë dashurinë e familjes.” Kështu e nis rrëfimin e saj një grua shkodrane, e cila prej tetë vitesh ka në kujdestari një djalë që e mori kur ishte vetëm tre vjeç e gjysmë. 

Ajo e kujton me detaje ditën kur fëmija hyri për herë të parë në shtëpinë e tyre. Ishte fund korriku i vitit 2018. Jashtë binte shi, ndërsa brenda një familje po përpiqej të fitonte besimin e një fëmije që nuk e kuptonte ende se jeta e tij po ndryshonte përgjithmonë.

“Ishte i trembur dhe i ndrojtur. Nuk më afrohej fare mua. Vetëm burrit tim i besonte pak. Kur filloi të errësohej, kërkonte të kthehej në ‘shtëpinë e tij’. Kur i thoshim se kjo ishte tashmë shtëpia e tij, ai përgjigjej: ‘Jo, shtëpia ime është ajo e madhja me shumë fëmijë’.”

Ditët e para nuk ishin të lehta. Netët edhe më pak. Fëmija nuk ndihej pjesë e familjes së re dhe iu desh kohë të krijonte siguri. Vetëm për t’iu afruar nënës kujdestare u deshën rreth tre muaj. Ajo pranon me sinqeritet se dashuria nuk lindi menjëherë.

“Nëse më pyesni a e desha që ditën e parë, do të gënjeja po të thosha po. Më dhimbsej shpirti për të. Qaja me të kur vuante. Por dashuria erdhi ngadalë, ditë pas dite, dhe u bë jashtëzakonisht e fortë.”

Sot, pas tetë vitesh, ai është djali i shtëpisë.

“Është shpirti i shpirtit tim. E ndjej thellë në zemër. Nuk ka gjë në botë që na ndan. Kur e shoh të lumtur, të sigurt dhe të qeshur, zemra më mbushet me gëzim.”

Pak kohë më parë, familja vizitoi prindërit biologjikë të djalit. Ajo që pa e tronditi.

“Ishin në një varfëri të skajshme. Kur dëgjova të thoshin se kishin dy ditë pa futur gjë në gojë, diçka m’u këput në shpirt. Atëherë kuptova edhe më shumë sa me fat jam që e mora këtë fëmijë dhe sa e rëndësishme ishte që ai të kishte një familje.”

Djali tashmë ka përfunduar klasën e pestë me rezultate shumë të mira. Ndjek kursin e anglishtes dhe fizarmonikës, ndërsa arti është pasioni i tij.

Por ka momente që ende e prekin thellë nënën kujdestare. Sa herë familja shpenzon për shkollimin apo nevojat e tij, ai i thotë:

“Mami, po harxhon shumë lekë për mua. Do t’i kthej kur të rritem.”

Përgjigjja e saj është gjithmonë e njëjtë:

“Asgjë nuk më ke borxh. Vetëm bëhu djalë i mirë, punëtor, i mençur dhe i matur. Kaq më mjafton.”

Për të, përvoja e kujdestarisë familjare është prova më e fortë se asnjë institucion nuk mund të zëvendësojë ngrohtësinë e një familjeje.

Ajo kujton edhe një vizitë në Shtëpinë e Fëmijës, ku një vajzë e vogël, pasi mori dhuratën e saj, u shtri në krevat dhe nisi të qante: “Më gjeni një mami. Dua një mami.”

Një fjali që, sipas saj, thotë gjithçka. Mesazhi i saj për familjet që hezitojnë të hapin derën për një fëmijë pa përkujdesje prindërore është i thjeshtë:

“Merreni, rriteni, edukojeni, jepini dashuri dhe ngrohtësi. Nuk është e nevojshme t’i lini pasuri. Nëse i jepni arsim, përkujdesje dhe dashuri, i keni falur botën. Mos prisni gjatë për t’i gëzuar zemrën një fëmije. Nga përvoja ime, në fund do të merrni shumë më tepër dashuri sesa do të jepni.”

A mund të funksionojë ky model ?

Drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë Shkodër, Edita Shoshi thekson se po aq i rëndësishëm sa largimi i fëmijëve nga institucionet është edhe parandalimi i ndarjes së tyre nga familjet. “Ne investojmë shumë në ndërhyrjet e hershme dhe në mbështetjen e familjeve në nevojë. Veçanërisht për familjet në situata vulnerabël, përfshirë komunitetin rom, ofrohen shërbime që lidhen me arsimin, punësimin, strehimin dhe përfshirjen sociale. Synimi është që asnjë fëmijë të mos përfundojë në kujdes institucional për shkak të varfërisë apo përjashtimit social”, thekson drejtoresha.

Ajo nënvizon se, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së fëmijëve, largimi i një fëmije nga familja konsiderohet gjithmonë masa e fundit.

“Deinstitucionalizimi nuk matet me numrin e institucioneve që mbyllen, por me numrin e fëmijëve që arrijnë të rriten në një familje, të ndihen të mbrojtur dhe të kenë mundësi për një të ardhme më të mirë. Ky është standardi që duam të ndërtojmë në Shkodër dhe që mund të përqafohet në të gjitha bashkitë”, përfundon Edita Shoshi.

Nga rrëfimet e nënave kujdestare, tek vizioni i institucioneve vendore, historia e Shkodrës dëshmon se transformimi social nuk është thjesht një reformë, por një udhëtim i mbushur me zemër dhe shpresë. Çdo fëmijë që gjen një shtëpi, çdo familje që fuqizohet, është një dëshmi e gjallë se dashuria dhe kujdesi mund të ndryshojnë fatin e një jete.  Ky proces nuk matet me statistika, por me buzëqeshjet e fëmijëve që ndihen të sigurt, me zemrat e prindërve që hapin dyert e tyre, dhe me komunitetet që mësojnë të jenë më të ndjeshme e më të bashkuara. Shkodra po tregon se e ardhmja e kujdesit social është tek familja, tek solidariteti dhe tek besimi se çdo fëmijë meriton një vend ku të ndjehet i dashur. 

The post Nga Shtëpia e Fëmijës drejt familjes dhe komunitetit appeared first on Faktoje.al.

Helmi i bletës po testohet kundër kancerit, por kjo nuk po fshihet

23 June 2026 at 15:43

Pretendimi: Helmi i bletës vret 100% të qelizave të kancerit të gjirit, por kjo është mbajtur e fshehtë nga kompanitë farmaceutike për të përfituar

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se helmi i bletës vret 100% të qelizave të kancerit të gjirit, por kjo është mbajtur e fshehtë nga kompanitë farmaceutike për të përfituar.

Është e vërtetë se një studim nga Instituti i Kërkimeve Mjekësore Harry Perkins në Australinë Perëndimore gjeti se helmi i bletëve shkatërron qelizat agresive të kancerit të gjirit në një mjedis laboratorik. Studime të tjera kanë arritur në përfundime të ngjashme në lidhje me efektin e helmit të bletëve në kancerin e gjirit dhe të qelizës kancerogjene të pankreasit.

Megjithatë, ndryshe nga ç’pretendon postimi, ky zbulim nuk u mbajt i fshehtë nga kompanitë farmaceutike. Ai vijon të jetë publik dhe mund të aksesohet falas. Në kohën e publikimit të tij në vitin 2020, gjetjet u raportuan në mediat kryesore ndërkombëtare

Gjetjet e studimit botuar në median britanike BBC në 2020

Shkencëtarët testuan helmin nga mbi 300 bletë dhe grerëza. Një përqendrim i helmit u gjet se vriste qelizat kancerogjene brenda një ore, me dëm minimal për qelizat e tjera. Por toksiciteti u rrit për nivele të tjera të dozave. Studiuesit zbuluan gjithashtu se përbërja e melittinës më vete ishte efektive në ndërprerjen e rritjes së qelizave kancerogjene.

Megjithatë, melittina nuk sulmon vetëm qelizat kancerogjene. Ajo gjithashtu mund të dëmtojë qelizat e shëndetshme në trup. 

Shkencëtari kryesor i Australisë Perëndimore, profesor Peter Klinken, e përshkroi hulumtimin si “jashtëzakonisht emocionues.”

Por studiuesit paralajmërojnë se nevojitet më shumë punë për të parë nëse helmi mund të funksionojë në shkallë të gjerë si një ilaç për luftimin e kancerit.

“Është ende shumë herët”, tha Prof. i Asociuar Alex Swarbrick, nga Instituti i Kërkimeve Mjekësore Garvan në Sydney. “Shumë komponime mund të vrasin një qelizë të kancerit të gjirit në një pjatë ose në një mi. Por ka një rrugë të gjatë për të bërë nga këto zbulime deri në diçka që mund të ndryshojë praktikën klinike”, tha ai për BBC.

Studiuesit e kanë testuar helmin e bletës në mjedise laboratorike dhe te kafshët. Ende nuk janë kryer prova klinike te njerëzit në shkallë të gjerë për trajtimin e kancerit të gjirit. Para se të përdorin ndonjë trajtim te njerëzit, studiuesit duhet të kryejnë faza të shumëfishta testimi, duke përfshirë provat e sigurisë dhe provat për të vlerësuar efektivitetin e tij. Gjetjet laboratorike mund të mos përkthehen në ilaçe të suksesshme për njerëzit.

Një rishikim i vitit 2023 theksoi se shumica e studimeve mbi helmin e bletës deri më tani kanë qenë paraklinike, që do të thotë se ato janë testuar vetëm në laborator ose në modele shtazore. Asnjë provë te njerëzit nuk ka vërtetuar ende efektivitetin e tij në trajtimin e kancerit të gjirit.

Një studim i vitit 2016 theksoi sfidat e përdorimit të helmit të bletës në mjediset klinike për shkak të citotoksicitetit të tij jo-specifik, që do të thotë se mund të dëmtojë si qelizat e shëndetshme ashtu edhe ato kancerogjene.

The post Helmi i bletës po testohet kundër kancerit, por kjo nuk po fshihet appeared first on Faktoje.al.

Nga protesta shqiptare tek narrativat e mediave amerikane 

23 June 2026 at 13:57

Nga Barbara Halla 

Kur mijëra qytetarë dolën në rrugët e Tiranës për të protestuar fillimisht kundër një ndërtimi në Zvërnec, (nga një kompani e lidhur me Jared Kushner) në një zonë të njohur prej kohësh si një nga hapësirat më të ndjeshme mjedisore të Mesdheut, dhe më pas e zgjeruan kundërshtimin ndaj problemeve të brendshme të vendit, pak kush do ta kishte menduar se kjo histori, pasi kaloi Atlantikun, do të merrte një tjetër dimension

Protesta 24 ditore që po konkludon me kërkesa që kanë lidhje me qeverisjen dhe klasën politike në vend, në mediat amerikane u shndërruan në një kapitull të ri të debatit amerikan mbi Donald Trump dhe dhëndrrin e tij Jared Kushner, si dhe ndikimin e familjes Trump në biznes dhe politikat ndërkombëtare. 

Nga njëra anë, se si media amerikane e ka trajtuar çështjen tregon më shumë për debatet që dominojnë Shtetet e Bashkuara sesa për çfarë po ndodh në terren në Shqipëri.

Një nga karakteristikat më të dukshme të mbulimit mediatik ka qenë trajtimi i protestave në Shqipëri me fokus tek figurat Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Edhe kur raportimet trajtonin çështje si biodiversiteti i Nartës, statusi i zonave të mbrojtura apo procedurat administrative të qeverisë shqiptare, titujt pothuajse gjithmonë vendosnin emrin e Kushner në qendër, domosdoshmërisht për ta lidhur atë me çfarë po ndodh në SHBA. 

Për mediat amerikane pra, historia shqiptare nuk ishte thjesht një debat mbi ruajtjen e mjedisit apo turizmin vendor, por një shembull i asaj që kritikët e Trump e konsiderojnë bashkim të interesave private me ndikimin politik.

Raportimet e Reuters, të ripublikuara gjerësisht në media ndërkombëtare, e përshkruanin protestën si reagim ndaj një resorti luksoz të lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar si shqetësimet mjedisore ashtu edhe mungesën e transparencës rreth projektit. Protestuesit paraqiteshin si kundërshtarë të një modeli zhvillimi ku investitorë të fuqishëm gëzojnë akses të privilegjuar tek qeveritë. 

Revista Vanity Fair e vendosi protestën brenda një narrative më të gjerë mbi pabarazinë, korrupsionin dhe ndikimin e elitave ekonomike. Në artikullin e saj, projekti përshkruhet si simbol i një sistemi ku interesat e qytetarëve të zakonshëm bien ndesh me interesat e aktorëve të fuqishëm financiarë dhe politikë.

Kjo qasje nuk është rastësore. Që prej mandatit të parë të Trump, Jared Kushner është kthyer në një figurë simbolike në debatin amerikan mbi nepotizmin dhe marrëdhëniet mes biznesit dhe politikës. Për këtë arsye, çdo investim i tij jashtë vendit ka potencialin të interpretohet jo vetëm si një projekt ekonomik e një figure të biznesit, por mbi të gjitha si pjesë e një problemi madhor në sistemin politik të SHBA-së (dhe atij global). 

Një aspekt tjetër interesant është mënyra se si disa media amerikane e paraqitën protestën si pjesë të rezistencës globale kundër elitave politike dhe ekonomike. 

Në një artikull të New York Times, gazetari Andrew Higgins vë në dukje  se si demonstruesit shqiptarë përshkruheshin si njerëz që po fitonin simpati nga amerikanë që i shihnin si “luftëtarë të guximshëm” kundër Trump, Izraelit dhe lakmisë së “1 për qindëshit,” pra të elitave globale. Ky formulim është domethënës sepse e vendos protestën shqiptare brenda gjuhës politike të lëvizjeve progresiste amerikane si Occupy Wall Street apo protestat kundër miliarderëve dhe korporatave të mëdha. Në këtë kuadër, Shqipëria bëhet pothuajse një skenë e largët ku projektohen konfliktet amerikane.

Megjithatë, Higgins ka dhënë edhe kritikën e tij, duke folur sesi media amerikane ose dhe perëndimore e kanë reduktuar një konflikt shqiptar në një histori rreth Trump-it dhe Kushner. 

Në diskutime publike dhe analiza të ndryshme është vënë re se fokusi mbi emrin e Kushner shpesh ka lënë në hije elementë të tjerë po aq të rëndësishëm: konfliktet e pronësisë në zonën e Zvërnecit, mosmarrëveshjet ligjore mbi tokën, mënyrën se si qeveria i kaloi vendimet apo ndryshoi ligjet, akuzat për klientelizëm dhe pakënaqësinë më të gjerë ndaj klasës politike shqiptare.

Në fakt, ndërsa për publikun amerikan emri Kushner është elementi më i njohur i historisë, për shumë protestues shqiptarë ai përfaqëson vetëm një pjesë të problemit. Kjo është arsyeja pse një pjesë e mediave më të kujdesshme kanë shmangur interpretimin e protestës si anti-amerikane, edhe përse në protesta ekzistojnë pankarta që bëjnë thirrje kundër shitjes së Shqipërisë. 

NPR, PBS dhe media të tjera kanë vërejtur se protestuesit nuk po kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara si aleat strategjik, por mënyrën se si lidhjet politike dhe ekonomike mund të përdoren për të siguruar projekte të privilegjuara. Edhe në protestat më të mëdha janë dëgjuar slogane kundër korrupsionit, shitjes së pasurive publike dhe elitave politike vendase, jo kundër Amerikës si shtet.

Kjo ka krijuar një tension interesant në narrativën amerikane. Nga njëra anë, Shqipëria vazhdon të konsiderohet një nga vendet më pro-amerikane në botë. Nga ana tjetër, raportimet kanë evidentuar një ndjenjë zhgënjimi ndaj faktit që figura të lidhura me establishmentin amerikan po shihen si përfituese të një procesi të diskutueshëm. Pikërisht ky kontrast e ka bërë historinë tërheqëse për publikun amerikan. Nuk kemi të bëjmë me një protestë klasike kundër SHBA-ve, por me një protestë që përdor vlerat që vetë Amerika pretendon të mbrojë (si transparenca, demokracia dhe sundimin e ligjit) 

Në javët e fundit, ndërsa protestat janë zgjeruar dhe janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër korrupsionit dhe elitave politike, mbulimi ndërkombëtar ka filluar të ndryshojë ton. Mediat botërore kanë vërejtur se lëvizja po largohet gradualisht nga fokusi ekskluziv mbi resortin dhe po shndërrohet në një shprehje më të gjerë të pakënaqësisë ndaj sistemit politik shqiptar. Në fund, mënyra se si media amerikane e ka paraqitur këtë histori zbulon një fenomen të njohur: ngjarjet ndërkombëtare shpesh interpretohen përmes lenteve të debateve të brendshme amerikane. 

Protesta që në Shqipëri nisi si debat mbi territorin, mjedisin dhe transparencën, në Shtetet e Bashkuara u lexua si një histori mbi Trump, oligarkinë moderne, privilegjin politik dhe pushtetin e elitave globale.

Për të kuptuar plotësisht atë që po ndodh në jug të Shqipërisë, duhet parë përtej emrave të Trump dhe Kushner. Sepse ndërsa për mediat amerikane ata serviren si protagonistët kryesorë të historisë, për shumë shqiptarë ata janë vetëm fytyra më e dukshme e një problemi që në Shqipëri i ka rrënjët shumë më të thella.

The post Nga protesta shqiptare tek narrativat e mediave amerikane  appeared first on Faktoje.al.

Menaxhimi i mbetjeve në Vlorë, bashkia përballë testit të sezonit turistik

23 June 2026 at 10:30

Alma Sulaj

Menaxhimi i ri nga ndërmarrja publike e krijuar nga bashkia ka sjellë përmirësim në shërbimin e pastrimit, megjithatë, prova e vërtetë nis me dyfishimin e banorëve në muajt e verës. Ekspertët rekomandojnë një mentalitet të ri në planifikim dhe fokusin në një ekonomi qarkulluese.

Foto: Pamje panoramike e Vlorës

Vlora është një qytet që jeton mes dy realiteteve: bukurisë së detit dhe sfidave të përditshme urbane. Në stinën e verës, kur shtohen mbi 300 mijë banorë dhe turistë, mbi dy herë më shumë se banorët që jetojnë gjatë dimrit, shërbimet e bashkisë gjenden përballë sprovave të vështira. Një prej këtyre shërbimeve është dhe pastrimi I qytetit.

Për të përmirësuar situatat kaotike të verave të kaluara, në dhjetor 2024 Këshilli Bashkiak Vlorë vendosi krijimin e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, duke ia hequr këtë shërbim kontraktorëve privatë. Menaxhimi i ri publik ka ndihmuar që qyteti të jetë më i pastër, të paktën në muajt e dimrit. Në disa zona të qytetit, pastrimi behet edhe tre herë në dite dhe vihet re përmirësim. Megjithatë, mjafton të largohesh nga qendra për të kuptuar se përmirësimi nuk është i njëjtë në çdo lagje e periferi. Pyetja që shtrohet në këto ditë të para të qershorit mbetet e njëjta: A do të jetë qyteti i pastër edhe në kulmin e fluksit turistik ?

Foto: Qendër grumbullimi në Rrugën Dush Strati

Planifikimi mbi rezidentët apo turistët ?

Mes përmirësimit të dukshëm dhe problematikave të përditshme, Vlora lëkundet në dy realitete urbane. Raporti i Performancës së bashkisë Vlorë 2025 tregon një rënie të ndjeshme të numrit të popullatës  së mbuluar me shërbimin e menaxhimit të mbetjeve, nga mbi 205 mijë banorë në vitin 2022 në rreth 135 mijë banorë në vitet 2023–2024.

Nga ana tjetër, Plani Vendor i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve paraqet shifra të tjera, duke projektuar rreth 140 mijë banorë për të njëjtën periudhë.

Sipas Aulona Veizit, ish-nënkryetare e Bashkisë Vlorë, mospërputhja mund të lidhet me përdorimin e burimeve të ndryshme statistikore. Regjistri Civil përfshin edhe emigrantët që figurojnë të regjistruar në Vlorë, ndërsa Censusi pasqyron popullsinë rezidente. Për një bashki turistike si Vlora, asnjëra prej këtyre shifrave nuk mjafton e vetme për të planifikuar këtë  shërbimin. Për këtë arsye, ekspertët rekomandojnë përdorimin e treguesve korrigjues që kombinojnë të dhënat e Censusit me ato të Regjistrit Civil, duke krijuar një bazë reale për planifikimin e shërbimit. ( formula: Census + (Regjistri Civil Census) x 30%).

Pavarësisht metodologjisë së aplikuar, rekomandohet që sistemi i menaxhimit të mbetjeve duhet të planifikojë edhe rritjen e numrit të popullsisë gjatë verës, e cila në rastin e Vlorës përllogatitet se është dy herë më e lartë se popullsia rezidente.

Foto: Ish-nënkryetare e Bashkisë, Aulona Veizi

Tabela: Parashikimi i popullsisë për Bashkinë Vlorë, 2022–2028

Problematikat në terren

Banorët japin opinione  të ndryshme për cilësinë e shërbimit. Në lagjen “24 Maji”, qytetarët ankohen për mungesë pastrimi, pluhur dhe numër të pamjaftueshëm kontenierësh. Ndërsa ata në  lagjet “Rilindja” dhe “Centrale”, pranojnë se mbetjet largohen rregullisht dy deri tre herë në ditë dhe se shërbimi është përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme. Njëri prej tyre, Bashkim Dine, banues në rrugën “Zenel Murra”, thotë se përveç largimit të mbetjeve, rruga pastrohet edhe me autofshesë. “Për larjen e asfaltit as nuk bëhet fjalë”, shprehet ai.

Foto: Punëtorët e bashkisë duke pastruar

Një problem tjetër lidhet me bizneset që gjenerojnë sasi të mëdha mbetjesh. Administratorë supermarketesh, magazinash dhe aktivitetesh të tjera tregtare tregojnë se paguajnë tarifën e pastrimit, por shpesh detyrohen të paguajnë edhe shërbime private për largimin e kartonëve, ambalazheve apo pastrimin e hapësirave të tyre.

Florent Rushiti, pronar  i rrjetit “Marketi Im” dhe i dy magazinave shumice në Vlorë, thotë se paguan rreth 100 mijë lekë në vit për pastrimin për një nga bizneset në ish-zonën industriale pranë Plazhit të Vjetër dhe nuk merr asnjë shërbim nga bashkia. Nga ana tjetër, Bashkia argumenton se shërbimet shtesë realizohen sipas kërkesave dhe kuadrit ligjor në fuqi. Kjo tregon se modeli aktual nuk arrin të mbulojë me shërbim subjektet që prodhojnë volume më të larta mbetjesh.

Foto: Qendër grumbullimi pranë bizneseve private, Rruga “Hasan Kushta”

Mbetjet urbane voluminoze dhe ato inerte mbeten ndër problematikat më komplekse të qytetit, sidomos në një territor me ritëm të lartë ndërtimi dhe zhvillimi turistik.Qytetet e Vlorës dhe Orikumit si dhe fshati Radhimë janë përfshirë përgjatë dekadës së fundit nga një bum ndërtimi, i cili ka krijuar mbingarkesë të infrastrukturës dhe probleme në menaxhimin e mbetjeve të ngurta.

Foto: Hedhje inertesh pranë Kishës Katolike, lagjja “28 Nëntori”

Ritmi shumë i lartë i aktiviteteve të ndërtimit  ka shtuar ndjeshëm praninë  e tyre, në hapësira publike dhe pranë pikave të grumbullimit. Bashkia  nuk ka një shifër të përafërt  të sasisë së mbetjeve inerte, të ndërtimit dhe prishjes, sasia e tyre luhatet dhe është e vështirë të përcaktohet në ditë, pasi varet nga volumi i lejeve të ndërtimit dhe dinamika e punimeve private. Ajo që dihet është se këto mbetje transportohen në vendgrumbullimin e inerteve që ndodhet në zonën e Jallisë në Nartë. Ky vendgrumbullim me sipërfaqe 12.6 ha ndodhet ne Zonën B të Peizazhit të Mbrojtur Vjosë–Nartë.

Menaxhimi i ri publik përmirësim në qytet

Ndërmarrja e Shërbimeve Publike, e krijuar në 13 dhjetor 2024, me vendim të Këshillit Bashkiak, ka ndikuar që të ketë një organizim më të mirë të punës dhe shtim të punonjësve në terren.

Të dhënat zyrtare të bashkisë, konfirmojnë se nga 158 punonjës në vitin 2024, kjo ndërmarrje ka aktualisht 306 punonjës pastrimi, të cilët operojnë 38 mjete teknike për realizimin e shërbimit. Per vitin 2026 te ardhurat e pergjithshme te Bashkise Vlore, nga te gjitha burimet e financimit jane parashikuar  te jene 4.536 440 mije leke ( 4.54 miliardë lekë, ose afërsisht 44 milionë euro), ku shërbimi i pastrimit dhe gjelbërimit përthith rreth 17.23% të tij,ose afërsisht 782 milionë lekë (rreth 7.5 milionë euro), duke u renditur ndër zërat më të rëndësishëm të shpenzimeve vendore.Çdo familje paguan 53.3 lekë në muaj ( për pastrim-gjelberim- ndricim 275 e takse banese 258) , ndërsa bizneset, mbi 7 mijë të tilla në Vlorë, paguajnë sipas kategorisë, sipërfaqes dhe xhiros vjetore.

Plani i Menaxhimit të bashkisë flet për rreth 600 pika grumbullimi me afro 795 kontenierë në të gjitha Njësitë Administrative dhe rekomandon shtimin e rreth 300 kontenierëve të rinj për të përballuar zgjerimin urban dhe sezonin turistik.

Pa patur një të dhënë analitike për floten nga kjo bashki, Aulona Vezi drejtuese e  projektit për Menaxhim të Integruar të Mbetjeve, Rajoni Vlorë, rekomandon nevojën për një rritje të mjeteve dhe kontenierëve për shërbim të standardizuar:  1115 kosha 1.1m3,  1114 kosha 50l, 100 kontenierëve depo për mbetje të riciklueshme, 24 mjete për pastrim (kamiona kompaktor, fadromë, kamion vetë-shkarkues, makina fshesë).

Kjo e dhënë është hartuar duke ju referuar këtij projeksioni:

Projeksioni i Gjenerimit te Mbetjeve, Bashkia Vlorë

(Përllogaritja merr parasysh sasinë e mbetjeve më të lartë në verë, për shkak të turizmit dhe më e ulët në dimër krahasuar me sasinë e parashikuar të mbetjeve)

Vera, prova e madhe për menaxhimin e ri

Sipas të dhënave të turizmit, Vlora rritet në këto muaj me 300 mijë banorë në muaj si pjesë e turistëve, por edhe vlonjatëve që nuk janë rezidentë. Nga një përllogaritje, duke u bazuar tek sasia e mbetjeve të përcaktuar në Planin e Menaxhimit Vendor, që mbetjet janë 1.1 kg në ditë për frymë, do të thotë se përgjatë një muaji, me 31 ditë, mbetjet shtohen 10.230 tonë, dmth 20,83 % e sasisë vjetore. Kjo përkthehet në më shumë mbetje, më shumë nevojë për kontenierë, më shumë mjete transporti dhe më shumë personel në terren. Një sistem i projektuar vetëm për popullsinë rezidente rrezikon të mos përballojë ngarkesën e sezonit turistik.
Sipas ish-nënkryetares së bashkisë, Aulona Veizi, sfidat me të cilat përballet qyteti gjatë verës kërkojnë forcimin e mekanizmave për menaxhimin e mbetjeve nga subjektet me prodhim të lartë, restorantet, hotelet, supermarketet dhe aktivitetet sezonale turistike. Sygjerimet, sipas saj, fokusohen tek aplikimi i kontratave të diferencuara sipas volumit të mbetjeve; tarifa sipas parimit “ndotësi paguan”; sisteme të dedikuara për kartonin dhe ambalazhet, por edhe detyrimi për ndarje në burim për subjektet me volum të lartë.

Foto: Aktivisti Niko Dumani

Niko Dumani nga Qendra e Nismave Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit rekomandon krijimin e pikave të posaçme për mbetjet urbane voluminoze dhe ato inerte, pika të cilat duhet të jenë të aksesueshme nga qytetarët dhe subjektet private. Paralelisht, thotë Dumani, duhet të forcohet kontrolli ndaj subjekteve ndërtimore dhe individëve që i hedhin në mënyrë rastësore këto mbetje përmes monitorimit në terren dhe aplikimit të gjobave administrative.

Rekomandimet të mëtejshme kryesore janë:

  • Riorganizimi i orareve sipas fluksit sezonal.
  • Ndarja e detyrueshme në burim për subjektet me volum të lartë.
  • Krijimi i sistemeve të dedikuara për kartonin dhe ambalazhet.
  • Ngritja e pikave të posaçme për mbetjet inerte dhe voluminoze.
  • Nxitja e riciklimit dhe ripërdorimit sipas modeleve pilote në bashkinë Shkodër dhe Shëngjin.

Analiza e dokumenteve dhe vëzhgimi në terren tregojnë se Vlora ka bërë hapa përpara, por nuk ka strukturuar ende një sistem modern të menaxhimit të mbetjeve. Ajo funksionon si një sistem në tranzicion: pa ndarje në burim, riciklim efektiv dhe sisteme të qarta për bizneset e mëdha. Në këto kushte qyteti rrezikon që verës t’i mbetet vetëm imazhi i bukur i bregdetit, dhe jo ai  i pastërtisë.

The post Menaxhimi i mbetjeve në Vlorë, bashkia përballë testit të sezonit turistik appeared first on Faktoje.al.

I ricikluar paralajmërimi sensacionalist i sulmeve iraniane në Shqipëri

22 June 2026 at 16:49

Pretendimi: Irani paralajmëroi se do të shënjestrojë kampin MEK në Manëz, ku jeton opozita iraniane

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————————–

Në fund të Qershorit 2026, ndërsa protestat masive kundër qeverisë mbeten në qendër të diskursit publik shqiptar prej 3 javësh, në rrjetet sociale po qarkullon pretendimi alarmant se Irani mund të sulmojë papritur Shqipërinë, ndërsa lexuesit ftohen të mësojnë më shumë duke klikuar në lidhjen në komente.

Megjithatë, shqiptarët nuk duhet të alarmohen ende.

Artikulli që referohet në komente është riciklim i një artikulli të botuar në Mars 2026, kur peizazhi mediatik shqiptar u përfshi nga paniku i përfshirjes së vendit tonë në zonën e rrezikuar nga raketat hakmarrëse të Iranit.

Siç Faktoje shpjegoi në atë kohë, e gjithë kjo fushatë paniku e kishte zanafillën në një artikull të vetëm të botuar më 2 mars në portalin periferik azer Caliber.az, me titullin “IRGC e Iranit mund të sulmojë bazën e Muxhahedinëve në Shqipëri”. 

Artikulli azer citonte një deklarata që pretendohej se ishte botuar nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në një kanal Telegrami të quajtur @sepah_pasdaran.

Autori i artikullit, Khagan Isayev, pyetur nga Faktoje mbi burimet ku e bazonte këtë pretendim, konfirmoi se postimi i cituar përmendte vërtet Shqipërinë. Megjithatë, ai konfirmoi gjithashtu se, pasi e kishte rikontrolluar, rezultonte se deklarata e cituar në artikull “duket se është fshirë për një arsye që nuk e dimë.” Fatkeqësisht, ai pranoi se nuk kishte bërë ndonjë screenshot të deklaratës përpara se ajo të fshihej. Zoti Isayev pranoi gjithashtu se “ne iu referuam vetëm këtij burimi kur publikuam, jo ​​ndonjë burimi tjetër.”

Vetë burimi, kanali i Telegramit, mban emrin Sepah Pasdaran, një emër alternativ për IRGC, dhe logon e Gardës Revolucionare, por në përshkrimin e kanalit deklarohet: “Kjo është personale dhe përditësohet nga mbështetësit”

Kanali është përshkruar nga BBC në 2025 si një ndër disa “kanale jozyrtare të lidhura me IRGC” “duket se drejtohen nga mbështetës dhe administratorë të lidhur me IRGC, të cilët ndajnë lajme dhe propagandë rreth Gardës.”

Në fakt, në gusht 2025, agjensia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i (IRGC) njoftoi se kishte hapur llogari zyrtare në mediat sociale për herë të parë.

Deklarata renditi llogaritë zyrtare në Telegram (@sepahneësir403) dhe Tëitter, si dhe në platformat vendase iraniane. Ç’është më domethënëse për rastin tonë, ajo konfirmoi se asnjë nga kanalet e tjera të mediave sociale me titullin ‘Sepah’ ose tituj të ngjashëm nuk janë media zyrtare të IRGC dhe nuk mund të citohen për të pasqyruar qëndrimet e Gardës.

Kanali zyrtar i IRGC në Telegram, @sepahneësir403

Sipas BBC, “disa media ndërkombëtare dhe vendase i kanë cituar gabimisht këto [kanale Telegrami jo-zyrtare me emra që përmbajnë ‘Sepah’] si “zyrtare” në disa raste në të kaluarën. Shumë besonin se Korpusi kishte mbajtur qëllimisht një re paqartësie rreth komunikimeve dhe propagandës së tij”

Pra, kanali i Telegramit që citohet si “shërbimi për shtyp” i IRGC nga artikuli azer në fakt është një kanal jo-zyrtar.

Ç’është më domethënëse, 3 muaj pas pretendimeve të Marsit 2026 për sulm të mundshëm iranian ndaj Shqipërisë, fatmirësisht, asnjë sulm i tillë nuk ka ndodhur. Gjasat që ai të ndodhë tani, pas nënshkrimit më 17 qershor të një memorandumi që synon përfundimin e luftës mes ShBA dhe Iran, janë edhe më të ulëta.

The post I ricikluar paralajmërimi sensacionalist i sulmeve iraniane në Shqipëri appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo foto e sulmit të maskave ndaj flamurit izraelit në Tiranë

22 June 2026 at 15:16

Pretendimi: Ky imazh tregon heqjen e flamurit izraelit nga ambasada e Izraelit në Tiranë më 20 qershor 2026 

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————————-

Një imazh që po qarkullon në media dhe rrjetet sociale shqipfolëse pas protestave masive në Tiranë më 20 qershor pretendohet se tregon disa persona të maskuar duke hequr flamurin izraelit nga ambasada e Izraelit.

Megjithëse flamuri izraelit u hoq vërtet gjatë protestës së 20 qershorit, imazhi i mësipërm nuk pasqyron këtë ngjarje. Ai, në fakt, nuk pasqyron asnjë ngjarje të vërtetë, sepse është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Origjina e manipuluar e imazhit konfirmohet nga mjeti zyrtar i verifikimit i OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.

SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.

Pamjet reale tregojnë se ishte një protestuese grua, e cila e hoqi flamurin izraelit pasi u ngjit në murin rrethues të muzeut “Shtëpia e Gjetheve”, në afërsi të hyrjes së kullës “Forever green”, ku është vendosur ambasada e Izraelit.

Pamjet reale të heqjes së flamurit nga ambasada izraelite 

Siç mund të konstatohet nga shumë filmime të pjesëmarrësve të marshimit, heqja e flamurit izraelit në hyrjen e kullës, ishte diçka më sporadike sesa një organizim i mirëfilltë i një grupi të maskuar dhe shkelja e një territori ambasade.

The post E gjeneruar kjo foto e sulmit të maskave ndaj flamurit izraelit në Tiranë appeared first on Faktoje.al.

Librazhdi i pasur me pyje, por në pamundësi për t’u kujdesur për to

22 June 2026 at 15:00

Fatbardha Nergjoni

Në një kohë kur ndryshimet klimatike, zjarret në pyje dhe presioni mbi burimet natyrore po shtohen, mënyra sesi bashkitë menaxhojnë territorin dhe mjedisin është kthyer në një çështje, që prek jo vetëm komunitetet lokale, por edhe interesin publik kombëtar. Për një bashki si Librazhdi, që administron sipërfaqe të mëdha pyjore dhe promovohet si destinacion i turizmit natyror, sfida bëhet edhe më e madhe.

Bedri Rrenga është nga ata të rinj që ka vendosur të qëndrojë në vendlindje në Dardhë të Librazhdit. Ai është i bindur se menaxhimi i pyjeve nuk mund të bëhet pa banorët. “Jemi më mirë tani që nuk ka firma që menaxhojnë privatisht dhe dëmtojnë pyjet, por sigurisht që kontrolli i territorit nuk është ai që duhet të ishte. Ne si banorë jemi shumë të gatshëm të kontribuojmë pasi mali është pasuria jonë e përbashkët që na ndihmon për kullota, për dru për ngrohje, për rritjen e bletëve por edhe për turizëm”, shprehet ai.

Ashtu si Bedriu, edhe banorët e tjerë në Dardhë mendojnë se shteti duhet të jetë më prezent, por jo duke përjashtuar banorët nga bashkëpunimi.

Territor i madh, kapacitete të vogla

Bashkia Librazhd administron mbi 37 mijë hektarë pyje dhe kullota, një sipërfaqe me rëndësi të veçantë ekologjike dhe ekonomike, jo vetëm për komunitetin lokal, por edhe për zhvillimin e turizmit natyror në nivel kombëtar. Megjithatë, vetëm rreth 20% e kësaj sipërfaqeje rezulton e pajisur me plane mbarështimi, dokumente të domosdoshme për menaxhimin e qëndrueshëm të fondit pyjor. Ky plan i hartuar nga bashkia Librazhd i ka dhënë peshë në vlerësimin e performancës duke bërë që kjo bashki të përfitojë fondin e vënë në dispozicion nga ministria e Financave, si pjesë e instrumentit financiar incentivues që shpërndan fonde shtesë për bashkitë, bazuar në vlerësimin e performancës së tyre. Ky vlerësim gjithashtu ka bërë që bashkia Librazhd të vazhdojë të hartojë plane për mbarështimin e pyjeve pavarësisht kufizimeve financiare.

Aleksandër Brazhda, inxhinier pyjesh pranë Drejtorisë së Pyjeve të bashkisë Librazhd nëpërmjet një përgjigje me shkrim thekson se pavarësisht specifikave të territorit dhe llojeve të bimësisë, puna vazhdon. “Për vitin 2026 bashkia Librazhd ka planifikuar të hartojë plan mbarështrimi edhe për ekonomi të tjera pyjore në mënyrë që të rritet sipërfaqja e inventarizuar. Planifikimi për plane mbarështrimi është bërë në vlera që përballohen nga buxheti i bashkisë pasi për disa ekonomi pyjore kostoja e tyre është shumë e lartë për hartimin e tyre”.

Kapacitetet njerëzore mbeten minimale krahasuar me territorin në administrim. Sipas të dhënave të Bashkisë Librazhd, menaxhimi dhe mbrojtja e pyjeve realizohet nga 3 punonjës të sektorit të pyjeve dhe kullotave, 6 punonjës të mbrojtjes së pyjeve dhe një inspektor mjedisi, ndërsa logjistika kufizohet në një automjet terreni malor dhe disa pajisje bazike. Vetë institucioni pranon se bazuar në sipërfaqen pyjore dhe kërkesat ligjore, numri i stafit duhet të ishte më i madh, por kufizimet financiare të një bashkie të vogël e bëjnë rritjen e numrit me buxhet të pavarur, të parealizueshëm.

Situatë e njëjtë është edhe në menaxhimin e zjarreve dhe prerjeve të paligjshme, ku Bashkia Librazhd deklaron investime parandaluese si hapja e korridoreve mbrojtëse dhe rezervuarëve ujore në kullota, por ku sfidat e terrenit malor dhe mungesa e kapaciteteve mbeten të mëdha.

Aktualisht kemi një mjet për territorin malor dhe 16 zjarrfikës” thotë Elona Koçi, Drejtuese e Drejtorisë së Funksioneve të Patransferueshme.

Në vitin 2024 sipas një përgjigjeje me shkrim nga Sektori i Mbrojtjes së Pyjeve dhe Kullotave, janë përfshirë nga zjarri 9,302 hektarë pyje duke sjellë dëme të konsiderueshme në sipërfaqe pyjore. “Ky numër zjarrfikësish dhe mjetesh është i pamjaftueshëm për të përballuar situata të jashtëzakonshme që mund të ndodhin edhe me ndryshimet klimaterike”, thotë Elona Koçi, që ka në varësi edhe strukturat e mbrojtes nga zjarri dhe inspektimit të pyjeve”.

Ajo thekson se raporti i performancës shërben për një analizë reale të situatës, sfidave dhe objektivave që synojnë të realizohen në vazhdim.

Bashkia Librazhd ka në strategjinë e saj mbrojtjen e pyjeve si një traditë e hershme e këtij territori të lidhur me pyjet dhe kullotat. “Ne jemi të predispozuar të mbrojmë pyjet dhe kullotat në bashkëpunim me komunitetin ndaj duam të bëjmë maksimumin që të menaxhohen në mënyrë të drejtë dhe të ruhen pasi nuk janë vetëm pasuri e Librazhdit, por e të gjithëve”, thotë Mariglen Disha, kryetar i bashkisë Librazhd. Raportet e performacës sipas tij, orientojnë planet dhe ndërhyrjet dhe nxisin punonjësit të kryejnë detyrat funksionale duke arritur qëllimin final për sa më pak pasoja në pyje, mjedis më të mirë dhe turizëm të qëndrueshëm.

Mariglen Disha, kryetar i bashkisë Librazhd

Ne jemi të predispozuar të mbrojmë pyjet dhe kullotat në bashkëpunim me komunitetin ndaj duam të bëjmë maksimumin që të menaxhohen në mënyrë të drejtë dhe të ruhen pasi nuk janë vetëm pasuri e Librazhdit, por e të gjithëve“- Mariglen Disha, kryetar i bashkisë Librazhd

Çfarë roli ka monitorimi i performancës?

Raporti i performancës së bashkive merr vlerë pikërisht në raste si ky. Ai nuk shërben vetëm për të identifikuar arritjet dhe problematikat, por edhe për të evidentuar nevojat strukturore që kërkojnë ndërhyrje më të gjerë institucionale.

Në rastin e Librazhdit, raporti ndihmon për të bërë të dukshme një problem që shpesh mbetet i fshehur në statistikat administrative: bashkitë me territor të madh pyjor dhe kapacitete të kufizuara po përballen me një disproporcion të madh mes detyrave dhe burimeve në dispozicion.

Në aspektin e menaxhimit të pyjeve dhe zjarreve, monitorimi i performancës mund të shërbejë si një mekanizëm paralajmërues, duke evidentuar boshllëqet në kapacitete, instrument planifikimi, për orientimin e investimeve dhe prioriteteve, mjet llogaridhënieje, për të kuptuar nëse shërbimet publike funksionojnë realisht. Po ashtu mund të shërbejë edhe si një argument për financim shtesë, sidomos për bashkitë që administrojnë pasuri natyrore strategjike.

Një pasuri që nuk i përket vetëm Librazhdit

Debati për performancën e bashkive në menaxhimin e pyjeve nuk mund të reduktohet vetëm në eficiencën administrative lokale. Pyjet e Librazhdit janë pjesë e një ekosistemi më të gjerë, me ndikim në biodiversitet, klimë, burime ujore dhe zhvillimin e turizmit natyror. Dëmtimi i tyre nga zjarret apo menaxhimi i dobët nuk prek vetëm një bashki, por pasoja që ndihen shumë më gjerë.

Ahmet Mehmeti, inxhinier pyjesh thotë se pyjet dhe kullotat janë të një rëndësie të veçantë për mjedisin dhe ekonominë e vendasve. “Banorët mund të jenë mbrojtësit më të mirë të një territori ndaj duhet bashkëpunuar shumë me komunitetin. Ata e kanë traditë ruajtjen e kullotave dhe të pyllit se i shërben vetë atyre për ekonominë familjare, por edhe i shërben turizmit lokal për prodhimet blektorale natyrale që kërkohen më shumë në kohët e sotme”. Mehmeti thekson se kalimi i pyjeve në menaxhimin e bashkive është pozitiv, por duhet të shoqërohej edhe me mbështetjen e bashkive për krijimin e infrastrukturës së nevojshme.

Ndërkohë eksperti i pushtetit vendor Agron Haxhimali thotë se bashki specifike si rasti i Librazhdit duhet të kenë trajtim specifik.

Bashki si Librazhdi, Puka apo Tropoja, që administrojnë sipërfaqe të mëdha pyjore dhe mbajnë një përgjegjësi me rëndësi kombëtare për biodiversitetin, klimën dhe zhvillimin rural, duhet të kenë trajtim të veçantë”– Agron Haxhimali

Ai pranon se sektori i pyjeve vuan më shumë sa i përket vlerësimit të performancës. “70 % e bashkive e kanë nivelin e performancës së përgjithshme në menaxhimin e pyjeve të dobët përsa i përket planeve, por edhe financave dhe përfitimeve ekonomike. Pyjet nuk janë vetëm aset lokal, por pasuri kombëtare dhe europiane, ndaj duan mbështetje serioze sistemike”, thekson Haxhimali.

Raporti i performancës duket se ka shërbyer si një instrument për të evidentuar situatën reale dhe për të nxitur një orientim dhe planifikim më të mirë në vazhdim nga vetë institucioni vendor. Edhe nëse nuk mund të sigurojë vetë të gjitha  fondet dhe infrastrukturën në mbrojtje të aseteve natyrore që administron, bashkia Librazhd është në rrugën e duhur për të identifikuar nevojat, planifikuar paraprakisht ndërhyrjet dhe orientuar kërkesat nga qeverisja qëndrore apo projekte të tjera ndërkombëtare.

The post Librazhdi i pasur me pyje, por në pamundësi për t’u kujdesur për to appeared first on Faktoje.al.

Bashkia Sarandë, asete të pa inventarizuara që prej vitit 1999

22 June 2026 at 11:09

Uesli Didani 

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar problematika serioze në administrimin financiar dhe menaxhimin e pasurive publike në Bashkinë Sarandë për vitin 2024, duke ngritur shqetësime të forta mbi transparencën, kontrollin institucional dhe mënyrën e administrimit të aseteve publike. 

Sipas raportit të KLSH, një nga problematikat më shqetësuese lidhet me ekzistencën e aktiveve të trashëguara të pa inventarizuara që prej vitit 1999.

Në bilancin financiar të Bashkisë Sarandë figuron një vlerë prej 1,761,146 lekësh në kategorinë “Ndërtesa dhe Konstruksione”, pa një identifikim të qartë mbi natyrën reale të këtyre aseteve. 

Audituesit theksojnë se kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në saktësinë e pasqyrave financiare dhe në besueshmërinë e informacionit kontabël të institucionit.

Një tjetër çështje e rëndë e evidentuar nga auditimi lidhet me regjistrimin në kontabilitet të një vlere prej 29,568,137 lekësh me përshkrimin “rikonstruksion”, pa dokumentacion të detajuar dhe pa analizë konkrete mbi punimet apo projektet që përfaqëson kjo shumë. 

Sipas KLSH, mungesa e analizës së këtyre fondeve e bën të pamundur verifikimin e përdorimit real të parave publike.

Në raport evidentohet gjithashtu se mbi 5,133 hektarë pyje dhe kullota të transferuara në pronësi të bashkisë nuk janë pasqyruar në bilancin financiar të vitit 2024. 

Auditimi thekson se për shumë prona mungojnë certifikatat e pronësisë, nuk është kryer inventarizimi fizik dhe nuk ekziston një regjistër i plotë i aseteve, duke krijuar një situatë që sipas ekspertëve rrit ndjeshëm rrezikun për humbje të pasurisë publike, konflikte pronësie apo abuzime administrative.

Për të kuptuar më qartë rëndësinë e këtyre gjetjeve, iu drejtuam një eksperti të pavarur të financave publike, i cili pranoi të komentonte raportin me kushtin që identiteti i tij të mos bëhej publik. 

Sipas tij, problematikat e evidentuara nga KLSH nuk mund të konsiderohen thjesht mangësi teknike apo burokratike.

“Nga këndvështrimi i financave publike, këto janë probleme serioze që tregojnë dobësi të thella në sistemin e kontrollit të brendshëm dhe në administrimin e aseteve publike. Kur një bashki nuk ka inventar të saktë të pasurive, nuk di me saktësi çfarë zotëron dhe nuk justifikon qartë përdorimin e fondeve publike, krijohet një problem i madh transparence dhe llogaridhënieje”, u shpreh eksperti.

Ai theksoi se fakti që asete publike figurojnë të paidentifikuara prej më shumë se dy dekadash tregon mungesë të vazhdueshme kontrolli institucional ndër vite.

“Në standardet normale të administrimit publik, çdo aset duhet të jetë i inventarizuar, i regjistruar dhe i verifikueshëm fizikisht. Nëse kjo mungon për 20 apo 25 vite, atëherë kemi të bëjmë me një dobësi serioze administrative”, deklaroi ai.

Lidhur me fondin prej rreth 29.5 milionë lekësh të regjistruar si “rikonstruksion” pa analizë të detajuar, eksperti tha se kjo dobëson gjurmueshmërinë financiare të investimeve publike.

“Çdo shpenzim publik duhet të ketë dokumentacion të plotë teknik dhe financiar. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se ku janë investuar fondet, çfarë punimesh janë kryer dhe cili ka qenë rezultati konkret i investimit”, theksoi ai.

Eksperti ngriti shqetësim edhe për mos pasqyrimin në bilanc të mbi 5 mijë hektarëve prona publike.

“Kjo është një çështje shumë sensitive, sepse prona publike duhet të jetë e mbrojtur juridikisht dhe financiarisht. Nëse prona nuk është e regjistruar dhe e inventarizuar, ekziston rreziku i humbjes së kontrollit mbi të apo i konflikteve të ardhshme”, deklaroi ai.

Sipas specialistit të financave publike, raporti i KLSH nuk provon automatikisht ekzistencën e korrupsionit, por tregon qartë mungesë të mekanizmave efektivë të kontrollit financiar dhe nevojën për reforma të menjëhershme administrative.

Faktoje iu drejtua zyrtarisht Bashkisë Sarandë më datë 2 maj 2026 me një kërkesë për informacion, duke kërkuar sqarime mbi masat konkrete të marra pas rekomandimeve të KLSH dhe mbi gjendjen aktuale të administrimit të pasurive publike.

Në kërkesën dërguar bashkisë u kërkua informacion nëse është ngritur dhe është gjithashtu funksional një regjistër i plotë analitik për të gjitha asetet e Bashkisë Sarandë, në përputhje me standardet ligjore në fuqi. 

Gjithashtu u kërkua të dihej se çfarë hapash konkrete janë ndërmarrë për pajisjen me certifikata pronësie të pasurive të paluajtshme dhe sa prej tyre janë regjistruar realisht deri më sot.

Gjithashtu nëse është kryer inventarizimi fizik i aseteve pas rekomandimeve të KLSH dhe nëse bashkia disponon një raport të përditësuar mbi gjendjen reale të tyre. Një tjetër pyetje kishte të bënte me pasqyrimin në bilanc të sipërfaqeve prej mbi 5,133 hektarësh të transferuara në pronësi të bashkisë dhe progresin konkret të realizuar në këtë drejtim.

Në kërkesën për informacion u kërkua gjithashtu të sqarohej statusi aktual i 13 certifikatave të pronësisë të përfituara gjatë vitit 2024 dhe nëse ato janë regjistruar në sistemin kontabël të bashkisë. Po ashtu, kërkuam informacion nëse Bashkia Sarandë disponon një plan veprimi të detajuar për zbatimin e rekomandimeve të KLSH dhe nëse ky plan është i aksesueshëm për publikun.

Një tjetër pyetje kishte të bënte me përqindjen e rekomandimeve të KLSH që konsiderohen të zbatuara deri më sot dhe cilat prej tyre mbeten ende problematike. 

Gjithashtu u kërkua informacion nëse janë marrë masa administrative apo disiplinore ndaj personave përgjegjës për shkeljet e evidentuara në auditim.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre javë nga dërgimi i kërkesës zyrtare, Bashkia Sarandë nuk ka kthyer asnjë përgjigje për pyetjet e adresuara.

The post Bashkia Sarandë, asete të pa inventarizuara që prej vitit 1999 appeared first on Faktoje.al.

Pse të moshuarit janë më të rrezikuar nga dezinformimi?

22 June 2026 at 09:55

E ftuar: Prof. Asoc. Dr. Majlinda Keta Gazetare: Esmeralda Topi

Në një kohë kur informacioni online është bërë pjesë e pandashme e jetës sonë të përditshme, ndikimi i dezinformimit nuk kufizohet vetëm tek një fushë, por prek shoqërinë në mënyra të ndryshme. Nga shëndeti te marrëdhëniet sociale dhe mirëqenia psikologjike. Në këtë episod, e zgjerojmë diskutimin për të kuptuar ndikimin social dhe psikologjik të dezinformimit tek të moshuarit. Së bashku me pedagogen Majlinda Keta, flasim për mënyrën se si gjenerata e artë po përfshihet gjithnjë e më shumë në botën digjitale, pse të moshuarit janë më të cenueshëm ndaj lajmeve të rreme dhe mashtrimeve online, si ndikon dezinformimi në mirëqenien e tyre emocionale dhe çfarë mund të bëjnë familja, komuniteti dhe institucionet për t’i mbrojtur. Një bisedë e rëndësishme për edukimin mediatik, përfshirjen digjitale dhe sfidat që sjell epoka e informacionit për moshën e tretë.

The post Pse të moshuarit janë më të rrezikuar nga dezinformimi? appeared first on Faktoje.al.

Leja për ndërtimin e rezortit në Zvërnec nuk u tërhoq pas protestave të fundit

19 June 2026 at 17:13

Pretendimi: Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” është tërhequr zyrtarisht nga aplikimi për lejen e ndërtimit të resortit turistik që ishte parashikuar në Zvërnec pas protestave në Tiranë

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Ndërsa protestat kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peisazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë hyjnë në ditën e 20-të, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se kompania “Zvërnec South Adriatic Development” është tërhequr zyrtarisht nga aplikimi për lejen e ndërtimit të resortit turistik që ishte parashikuar në Zvërnec pas protestave në Tiranë.

Megjithëse postimi i mësipërm i referohet MCN TV, nga një kërkim në faqen zyrtare të televizionit nuk rezulton i dokumentuar ndonjë lajm i tillë.

Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, kompania zhvilluese është tërhequr vërtet nga leja e ndërtimit.

Mgjithatë, kjo ka ndodhur që në mars 2025, më shumë se një vit përpara nisjes së protestave qytetare në qershor 2026.

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZhT) konfirmoi se zhvilluesi kishte depozituar një aplikim për leje ndërtimi dhe Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) kishte marrë një vendim, më 28 janar 2025, për miratimin me kusht të lejes për një projekt në Zvërnec.

Sipas AZhT, kjo vendimmarrje për leje ndërtimi nuk është zbardhur dhe për pasojë nuk është më në fuqi, sepse kompania është tërhequr nga aplikimi më 27 mars 2025.

“Në lidhje me këtë aplikim, KKTU me Vendimin Nr. 39 datë 28.01.2025 ka miratuar me kusht Lejen e Ndërtimit (…) vendimmarrje e cila nuk është zbardhur si dhe nuk është më në fuqi, pasi subjekti zhvillues ka depozituar deklaratë noteriale, nëpërmjet së cilës është tërhequr aplikimi i sipërcituar. Ju bëjmë me dije se subjekti është tërhequr nga aplikimi më datë 27.03.2025,” deklaroi AZhT për Faktoje.

Vlen të përmendet edhe se, sipas ligjit, leja e zhvillimit duhet të miratohet përpara dhënies së lejes së ndërtimit. Megjithatë, deri në botimin e këtij shkrimi kjo leje nuk është zbardhur dhe nuk gjendet e publikuar online.

The post Leja për ndërtimin e rezortit në Zvërnec nuk u tërhoq pas protestave të fundit appeared first on Faktoje.al.

Shëndeti nuk blihet online

19 June 2026 at 15:31

Kur flasim për varësinë nga telefoni dhe rrjetet sociale, zakonisht mendojmë për të rinjtë. Por edhe të moshuarit po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë online, duke u ekspozuar ndaj një fluksi informacioni që jo gjithmonë është i besueshëm. Në këtë episod të podcastit “Pa Rrena”, bisedojmë me doktor Skënder Brataj për mashtrimet online që lidhen me shëndetin, reklamat e rreme për ilaçe dhe “kura mrekullibërëse”, përdorimin e emrave të mjekëve për të mashtruar qytetarët, si dhe rreziqet që këto praktika paraqesin për shëndetin publik. Doktor Brataj ndan raste konkrete të denoncuara nga qytetarët, shpjegon pse të moshuarit janë më të cenueshëm ndaj këtyre mashtrimeve dhe jep këshilla praktike se si të dallojmë informacionin e besueshëm nga ai mashtrues.

The post Shëndeti nuk blihet online appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht rreziqeve, nuk jemi gjenerata e fundit që sheh xixëllonja

19 June 2026 at 13:59

Pretendimi: Ne do jemi gjenerata e fundit që do të shohë xixëllonja në natyrë

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Me ardhjen e verës, është rikthyer në mediat sociale shqipfolëse pretendimi se ne do të jemi gjenerata e fundit që do të shohë xixëllonja në netët e nxehta. Këto pretendime janë shpërndarë dhe me parë dhe hedhur poshtë nga Faktoje. Megjithëse shkencëtarët kanë dokumentuar rënie të disa llojeve të xixëllonjave dhe kanë paralajmëruar për kërcënime serioze ndaj habitateve të tyre, pretendimi se brezi i sotëm do të jetë i fundit që do t’i shohë ato nuk mbështetet nga provat shkencore.

Pretendimi duket se buron nga keqinterpretimi i një artikulli të botuar nga National Geographic në prill 2025. Artikulli diskuton shqetësimet e shkencëtarëve për rënien e disa popullatave të xixëllonjave, por nuk thotë askund se ato do të zhduken plotësisht gjatë gjeneratës së ardhshme. Përkundrazi, artikulli nënvizon se shumë pyetje mbeten pa përgjigje dhe se përpjekjet për ruajtjen e tyre vazhdojnë.

Siç e kemi shpjeguar dhe më parë, ekspertët theksojnë se situata është më komplekse. Clyde Sorenson, profesor i entomologjisë në North Carolina State University, ka deklaruar se nuk ka arsye të besohet se njerëzit e sotëm do të jenë brezi i fundit që do të shohë xixëllonja. Sipas tij, ndërsa disa specie përballen me presione të konsiderueshme nga aktiviteti njerëzor dhe ndryshimet klimatike, specie të tjera janë përshtatur me mjediset urbane dhe vazhdojnë të mbijetojnë.

Aktualisht njihen më shumë se dymijë specie xixëllonjash në botë, të shpërndara në të gjitha kontinentet përveç Antarktidës. Ajo që shqetëson studiuesit nuk është zhdukja e menjëhershme e të gjitha xixëllonjave, por humbja graduale e diversitetit të tyre biologjik. Speciet që varen nga habitate të veçanta mund të jenë veçanërisht të rrezikuara nga urbanizimi, pesticidet, ndotja nga drita dhe ndryshimet klimatike.

The post Pavarësisht rreziqeve, nuk jemi gjenerata e fundit që sheh xixëllonja appeared first on Faktoje.al.

Ish-presidenti Obama nuk është arrestuar nga agjentët e FBI-së

19 June 2026 at 13:57

Pretendimi: Agjentët e FBI-së kanë arrestuar ish-presidentin Barack Obama 

Verdikti: E pavërtetë, foto Gjeneruar me AI

Barbara Halla

Një postim që po qarkullon në mediat sociale shqiptare pretendon se ish-presidenti amerikan Barack Obama është arrestuar. Ky postim është i shoqëruar nga një imazh ku Obama shfaqet në pranga, i rrethuar nga agjentë të FBI-së. Në fakt, ish-presidenti nuk është arrestuar dhe nuk ka asnjë provë apo njoftim zyrtar nga autoritetet amerikane që të mbështesë këtë pretendim. Dhe për më tepër, imazhi që shoqëron postimin është i gjeneruar përmes inteligjencës artificiale.

Nuk ka asnjë provë që Obama të jetë arrestuar në kohët e fundit, edhe pëse lajme të tilla (po ashtu të shoqëruara nga imazhe të manipuluara ose të gjeneruara me AI) qarkullojnë prej kohësh në mediat sociale. Postimi në Facebook është bërë me datë 14 maj, por në faqen Instagram të ish-Presidentit ka disa postime qe e tregojnë duke udhëtuar apo duke promovuar qëndren e re presidenciale Obama Presidential Center që do të hapet me 19 qershor.  

Verifikime të shumta të publikuara gjatë vitit 2026 kanë arritur në të njëjtin përfundim: nuk ka asnjë provë të besueshme që Barack Obama është arrestuar. Mediat dhe organizatat e verifikimit të fakteve kanë konstatuar se pretendimet bazohen në video dhe fotografi të manipuluara, përfshirë materiale të krijuara me inteligjencë artificiale, dhe jo në ngjarje reale. Raportimet gjithashtu theksojnë se nuk ekziston asnjë dokument gjyqësor, deklaratë e Departamentit amerikan të Drejtësisë apo konfirmim nga forcat e rendit që të mbështesë historinë e arrestimit të tij.

Në fakt, imazhi dhe lajmi i rremë janë marrë dhe përkthyer nga një faqe në anglisht, e cila shpërndan shpesh imazhe dhe postime të krijuar me inteligjencë artificiale kundër atyre që i konsideron si armiq të presidentit Trump. Komentet në këtë faqe tregojnë se shumë prej lexuesve e dinë se Obama nuk është arrestuar, megjithëse disa prej tyre shprehin dëshirën që një gjë e tillë të ndodhë.

Për me tëper, postimi i përkthyer nga anglishtja përdor terma si “Kabalës së Shtetit të Thellë”, “Epoka e re” dhe “elitat globale”, të cilat lidhen ngushtë me teorinë konspirative QAnon. Siç e ka shpjeguar Faktoje më parë, kjo teori konspiracioni pretendon pa prova se një grup i fshehtë politikanësh, figurash publike dhe elitash globale kontrollon në mënyrë sekrete qeveritë dhe institucionet, ndërsa një operacion i madh do të çojë në arrestime masive dhe “zgjimin e madh” të publikut. Studiuesit që kanë analizuar lëvizjen QAnon e përshkruajnë atë si një teori konspirative të bazuar në pretendime të paverifikuara dhe narrativa që janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale.

The post Ish-presidenti Obama nuk është arrestuar nga agjentët e FBI-së appeared first on Faktoje.al.

I gjeneruar ky vogëlush që vajton babain e vrarë në detyrë

19 June 2026 at 13:55

Pretendimi: Kjo video tregon një vogëlush që ka humbur babain ushtarak që qan mbi arkivolin e tij

Verdikti: Gjeneruar me AI

Barbara Halla

Në Instagram po qarkullon një video e një ceremonie ushtarake, ku një djalë i vogël nderon para arkivolit të babait të tij, të mbuluar me flamurin amerikan. Fëmija thërret “Babi” teksa qan mbi flamurin, përpara se një grua, që mund të jetë nëna, përpiqet ta ngushëllojë. Pavarësisht të gjithë këtij skenari prekës, kjo video nuk është e vërtetë. Ajo është gjeneruar përmes inteligjencës artificiale. 

Origjina e kësaj videoje është vënë në dukje nga faqja e verifikimit të fakteve PolitiFact. Sipas Hany Farid, ekspert i zbulimit të krimeve digjitale në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, gjatësia prej vetëm 10 sekondash është karakteristike për shumë video të krijuara me AI. Ai evidentoi gjithashtu anomali vizuale, si momentet kur dora e fëmijës duket se zhduket brenda flamurit dhe arkivolit. Këto anomali nuk duken në videon e shpërdnarë në Instagram në shqip, ku videoj është shkurtuar. 

Edhe studiues Laboratori i Sigurisë dhe Inteligjencës Artificiale në Universitetin Northwestern identifikoi shenja të tjera, përfshirë fytyra të paqarta të ushtarëve në sfond dhe deformime të duarve e fytyrave.

Analizat e kryera me Hive Moderation treguan se videoja dhe versione të tjera të ngjashme kishin mbi 95 për qind probabilitet të ishin gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Një tjetër tregues është burimi i videos. Videoja ka nisur të qarkullojë në mediat amerikane rreth 15 marsit, kur SHBA-ja kishte filluar të sulmonte Iranin, duke çuar në vdekjen e 13 ushtarëve amerikanë. Videoja mblodhi rreth 1.1 milion shikime brenda 24 orëve për shkak të përmbajtjes emocionale, por edhe mbështetjes nëpërmjet propagandës iraniane.

Në fakt, videoja ka qarkulluar në të gjitha mediat sociale, shpesh e shpërndarë nga faqet që që publikojnë rregullisht përmbajtje të krijuar me AI dhe madje e përshkruajnë materialin e tyre si fiktiv. Për më tepër, raportimet mediatike tregojnë se asnjë nga ushtarakët amerikanë, trupat e të cilëve janë kthyer deri tani në SHBA, nuk ka lënë pas një fëmijë në moshën që paraqitet në video.

The post I gjeneruar ky vogëlush që vajton babain e vrarë në detyrë appeared first on Faktoje.al.

Maratonomakët e protestës

19 June 2026 at 13:51

Maratonomakët e protestës

Nga Jona Cenameri
Foto: Jona Cenameri

Kur në një nga ditët e vetshpallur si “revolucioni i flamingove”  protesta mori rrugën drejt Rinasit, për shumëkënd pyetja ishte: kush i çoi protestuesit atje? Për studenten shqiptare që jeton në Francë dhe u kthye posaçërisht për t’iu bashkuar protestave në Tiranë, pyetja është më e thellë: çfarë i bëri qindra të rinj të ecnin për orë të tëra, në mes të natës, pa e ndier lodhjen?

“Unë kam ardhur nga Franca për këtë protestë dhe kam prerë një biletë vetëm vajtje.
Deri sa të arrihet diçka, unë do të jem këtu”

“Unë kam ardhur nga Franca për këtë protestë dhe kam prerë një biletë vetëm vajtje. Deri sa të arrihet diçka, unë do të jem këtu”, thotë ajo.

Prej 31 majit, protesta që nisi nga kundërshtimi për ndërhyrjet në Pishë Poro-Nartë dhe shqetësimi për zonat e mbrojtura, është zgjeruar në një pakënaqësi më të madhe qytetare. 

Në shesh flitet për natyrën, por edhe për ligje, institucione, korrupsion, largimin e të rinjve dhe mungesën e besimit se vendi mund të ndryshojë përmes rrugëve të zakonshme politike.

Për studenten në Francë, protesta nuk është më një ngjarje e përditshme në orën 19:00. Është kthyer në një gjendje që vazhdon edhe pasi turma shpërndahet.

“Kthehem në shtëpi pas protestës dhe s’më zë gjumi deri në orët e para të mëngjesit nga euforia: çfarë duhet të bëj, çfarë mund të bëj? Dhe ditën tjetër zgjohem e gatshme”, tregon ajo.

Ajo e përshkruan si një “korrent kolektiv” energjinë që i ka kapur protestuesit. Një ndjesi që, sipas saj, i bën njerëzit të mos ndiejnë orët, as lodhjen, as rrugën. Kjo, thotë ajo, shpjegon edhe natën e gjatë drejt Rinasit.

Sipas rrëfimit të saj, ideja fillestare ishte që marshimi të shkonte deri pranë mbikalimit të Rinasit dhe më pas të kthehej. Por në një moment, turma mori një tjetër ritëm. Disa donin të ndalonin, disa të vazhdonin. Mes protestuesve kishte gra, prindër, fëmijë 10 vjeҫar dhe shumë të rinj.

“U ulëm në tokë. Kishte gra, fëmijë, prindër dhe shumë djem të rinj. Pastaj nga pas erdhi një grup që thoshte ‘ecim, ecim”, kujton ajo.

Aty, thotë studentja, nisi tensioni. Jo domosdoshmërisht si dëshirë për dhunë, por si një përzierje adrenaline, lodhjeje dhe revolte. Disa vajza dolën përpara për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përplasjen me policinë.

“U vendosëm ne gocat përpara që të menaxhonim situatën. Ne s’kishim në plan të përplaseshim fizikisht me policinë”, thotë ajo.

Në rrëfimin e saj, shumica e protestuesve kërkonin ta ruanin protestën paqësore.

 
WhatsApp Image 2026-06-18 at 1.10.33 PM
WhatsApp Image 2026-06-18 at 1.27.12 PM
WhatsApp Image 2026-06-18 at 1.07.35 PM
WhatsApp Image 2026-06-18 at 1.11.34 PM
WhatsApp Image 2026-06-18 at 1.08.12 PM

Ajo thotë se në fund të çdo mbrëmjeje ka të rinj që duan “të bëjnë diçka”, sepse “nuk duan ta mbyllin natën pa një veprim konkret”

 Ajo thotë se në fund të çdo mbrëmjeje ka të rinj që duan “të bëjnë diçka”, sepse “nuk duan ta mbyllin natën pa një veprim konkret”. Por shton se pikërisht aty ka nisur edhe një përpjekje e brendshme për ta mbajtur protestën larg dhunës.

“Ka djem të rinj që në fund të protestës kanë urgjencë të bëjnë diçka. Nuk duan ta lënë protestën pa bërë asgjë, por kjo frymë që kemi është e mrekullueshme”, shprehet ajo.

Një tjetër e re nga Tirana e mat atë natë me 36 mijë hapa. Ajo thotë se vajtja u bë në këmbë, ndërsa kthimi me makina, taksi apo nga protestues të tjerë që u organizuan për t’i marrë. 

Në pikën ku kishte mbërritur grupi i saj, sipas saj ishin disa qindra. 

Për disa nga protestuesit, ecja drejt Rinasit nuk ishte thjesht devijim i itinerarit. Ishte një mënyrë për të treguar se revolta nuk ishte më simbolike.

“Ne thjesht duam të tregojmë që jemi të revoltuar dhe revolta jonë bën që ne të ecim shumë”, thotë një tjetër vajzë, e cila ishte gjithashtu pjesë e marshimit.

Qëllimi

Kjo fjali e zhvendos ngjarjen nga kronika e bllokimit të rrugës te psikologjia e protestës. Të rinjtë nuk e përshkruajnë ecjen si aventurë, por si nevojë për ta bërë të dukshme pakënaqësinë. Për ta, kilometrat janë një lloj gjuhe politike.

Megjithatë, nata e Rinasit solli edhe kosto. Bllokimi i autostradës Tiranë-Durrës dhe më pas i rrugës drejt aeroportit krijoi trafik dhe pakënaqësi te qytetarët e bllokuar.

Policia e Tiranës njoftoi procedimin penal në gjendje të lirë të 19 protestuesve.
Sipas policisë, ata kishin organizuar dhe nxitur bllokimin e rrugës në drejtim
të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”

Ky zhvillim e ktheu marshimin e së dielës në një pikë debati brenda dhe jashtë protestës. Disa e panë si gabim. Disa si provokim. Disa si tradhёti. Disa si shenjë të mungesës së koordinimit. Studentja në Francë thotë se nuk i njeh emrat që janë përmendur në media dhe se është përpjekur të mos përfshihet në debatet për përçarje apo interesa politike.

“Unë s’njoh njeri, këta emrat që përmenden, jo po përçarje, jo po kështu, jam munduar t’i shmang. Nuk i kam hyrë këtyre muhabetëve. Kam qenë nga ata njerëzit që e hёngra, siç mund të thuhet”, thotë ajo.

Pa ndalim

Por, pavarësisht polemikave, protesta nuk u ndal. Të rinjtë u rikthyen sërish në shesh. Për disa prej tyre, kjo është prova se lëvizja nuk mbahet vetëm nga organizimi, por nga një ndjesi e përbashkët se diçka duhet ndryshuar.

Angjelo, një tjetër protestues, thotë se kjo lëvizje u ka kthyer të rinjve një shpresë që e kishin humbur.

“Ne e kishim bërë valixhen gati. Në trurin tonë e kishim projektuar që do iknim jashtë shtetit për të punuar. Është pikërisht kjo protestë që po na mban me shpresë se ky vend mund të rregullohet”, thotë ai.

Soana, një tjetër e re në protestë, e sheh forcën e lëvizjes te vazhdimësia.

“Më mban ideja se ndryshimi nuk ndodh vetvetiu. Ajo që kërkon një konsistencë të gjatë ka edhe pasoja afatgjata”, shprehet ajo.

Për studenten në Francë, fundi i natës në Rinas ishte lehtësim, sepse nuk pati përplasje. Por nuk ishte fundi i rrugës.

Ajo thotë se po lexon, po informohet, po mëson për ligje, institucione të pavarura, referendum dhe mënyra konkrete për ta kthyer revoltën në rezultat

Ajo thotë se po lexon, po informohet, po mëson për ligje, institucione të pavarura, referendum dhe mënyra konkrete për ta kthyer revoltën në rezultat. Këtë po bëjnë nga pak të gjithë protestuesit këto ditë.

“Për mua pika kyçe është fuqizimi i ligjeve dhe institucioneve të pavarura”, thotë ajo.

Nata e Rinasit mbetet një episod i debatueshëm: për policinë, objekt hetimi; për qytetarët e bllokuar, shqetësim; për protestuesit, një përzierje lodhjeje, revolte dhe besimi se sakrifica fizike mund të kthehet në mesazh politik.

Por për studenten që erdhi nga Franca me biletë vetëm vajtjeje, ajo natë nuk matet vetëm me kilometra. Matet me pyetjen që, sipas saj, shumë të rinj po ia bëjnë vetes pas çdo proteste:

“Çfarë mund të bëj tjetër?”

The post Maratonomakët e protestës appeared first on Faktoje.al.

E gjeneruar kjo foto e ministrit izraelit që përqesh aktivistët pro-palestinezë

19 June 2026 at 13:43

Pretendimi: Kjo foto dëshmon fyerjet që bëri ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir ndaj aktivistëve pro-palestinezë

Verdikti: Gjeneruar me AI

Barbara Halla

Në mediat sociale shqiptare po qarkullon një imazh që pretendohet se tregon ministrin e Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir duke u nxjerrë gjuhën dhe tallur me disa aktivistë pro-palestinezë të arrestuar në fund të majit 2026. Politikani i ekstremit të djathtë u vendos në qendër të kritikave pasi publikoi pamjet e aktivistëve, mes të cilëve edhe një shqiptar, të ndaluar në det në afërsi të Gazës ndërsa detyroheshin dhunshëm të gjunjëzoheshin nga ushtarakët izraelitë. 

Pavarësisht sjelljes jonormale për të një ministër, pamja që pretendohet në këtë postim duket të jetë gjeneruar përmes inteligjencës artificiale. 

Së pari, asnjë media e njohur apo burim i besueshëm informativ nuk ka publikuar ndonjë fotografi të tillë. Kërkimet tregojnë se imazhi qarkullon kryesisht në llogari të ndryshme të mediave sociale, pa një burim të qartë origjine dhe pa asnjë konfirmim nga organizata mediatike profesionale. Por edhe në media sociale, kjo foto është akuzuar si produkt i inteligjencës artificiale. Për këtë arsye, burimi i fotografisë mbetet i paqartë dhe autenticiteti i saj nuk mund të verifikohet.

Për më tepër, vetë imazhi paraqet shenja të dukshme që është gjeneruar me inteligjencë artificiale. Fotografia ka një stil të theksuar karikatural dhe nuk ngjan me një fotografi reale, pavarësisht se postimi në Facebook e paraqet atë si një pamje autentike. Elementet vizuale kanë një pamje tepër të përpunuar që është karakteristike për shumë imazhe të krijuara me mjete AI.

Një nga detajet më të dukshme gjendet te dora e figurës së ministrit izraelit. Dora duket qartësisht si një ilustrim ose vizatim dhe nuk përputhet me pjesët e tjera të imazhit, të cilat janë paraqitur në një stil disi më realist. Ky mospërputhje vizuale është një tregues i zakonshëm i imazheve të gjeneruara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale.

Njëkohësisht, disa detaje të tjera, si lidhja me litar e aktivistëve në foto apo edhe veshja e rreckosur e tyre, janë prova të mëtejshme se skena në këtë imazh nuk ka lidhje me situatën reale.

Flotilja e Lirisë është një nismë ndërkombëtare e aktivistëve pro-palestinezë në të gjithë botën që organizon udhëtime detare me qëllim tërheqjen e vëmendjes ndaj situatës humanitare në Gaza dhe sfidimin simbolik të bllokadës izraelite. Për shkak të profilit të lartë publik të kësaj lëvizjeje, ajo është shpesh subjekt i dezinformatave dhe përmbajtjeve të manipuluara që qarkullojnë në internet. 

The post E gjeneruar kjo foto e ministrit izraelit që përqesh aktivistët pro-palestinezë appeared first on Faktoje.al.

Asnjë bazë për antenat sekrete që kontrollojnë motin në Ballkan

19 June 2026 at 13:41

Pretendimi: Në Ballkan janë vendosur antena të kontrollit të motit që janë përgjegjëse për ndryshimet klimatike 

Verdikti: E pavërtetë

Barbara Halla

Në rrjetet sociale në gjuhën shqipe po qarkullojnë pretendime se një rrjet antenash, radarësh dhe kullash komunikimi në Ballkan përdoret për të kontrolluar motin, për të shkaktuar përmbytje, thatësira ose valë të të nxehtit. Këto pretendime lidhen shpesh me të ashtuquajturin projektin HAARP dhe me instalime të ndryshme teknologjike në Serbi, Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe Shqipëri. Megjithatë, nuk ekzistojnë prova shkencore që mbështesin teorinë se këto struktura janë në gjendje të manipulojnë kushtet atmosferike në shkallë rajonale. 

Projekti HAARP, i cili shpesh përmendet në teori konspiracioni, është një program kërkimor i krijuar për studimin e vetive të jonosferës, shtresës së sipërme të atmosferës së Tokës. Shkencëtarët kanë sqaruar vazhdimisht se fuqia e transmetuesve të tillë është shumë e ulët për të ndikuar në sisteme meteorologjike si ciklonet, reshjet apo temperaturat. Faktoje vetë i ka hedhur shpesh poshtë teoritë e konspiracionit si dhe narrativat mashtruese që kanë të bëjnë më HAARP, duke shpjeguar se “puna studimore që kryen HAARP nuk ka asnjë lidhje me kontrollin e motit.

I njëjti postim është qarkulluar fjalë për fjalë nga llogari që shpërndajnë teori të tjera konspiracioni (si ajo sipas të cilës toka është e sheshtë). Pretendimet për stacione sekrete në Barajevë të Serbisë, datojnë nga viti 2012. Në atë kohë, fshatarët e këtij komuniteti pranë Beogradit u kapluan nga paniku pas konspiracionit se një antenë misterioze dhe sekrete fshihej mes tyre. Në realitet, antena “e padukshme” ishte thjesht një legjendë urbane. 

Thashetheme të ngjashme qarkullojnë prej kohësh edhe për antenat në malin Petrova Gorë të Kroacisë apo ish-radarët ushtarakë të Bosnjës janë bazuar kryesisht në fotografi të infrastrukturës ekzistuese dhe në spekulime të shpërndara në internet. 

Asnjë institucion shkencor apo meteorologjik nuk ka paraqitur prova që këto objekte përdoren për kontroll klimatik. Ndryshimet e papritura të motit në Ballkan shpjegohen nga faktorë natyrorë, përfshirë pozicionin gjeografik të rajonit dhe ndikimin e masave të ndryshme ajrore nga Mesdheu, Europa Qendrore dhe Deti i Zi.

Po ashtu, pretendimet se radarët Doppler ose kullat e telefonisë celulare 5G “djegin” lagështinë në atmosferë apo shpërndajnë retë nuk mbështeten nga asnjë studim shkencor. Radarët meteorologjikë përdoren për të vëzhguar reshjet dhe stuhitë, ndërsa rrjetet celulare transmetojnë sinjale komunikimi me fuqi shumë të kufizuar. Edhe teoria e lidhjes mes këtyre antenave dhe të ashtuquajturave “chemtrails” është hedhur poshtë nga komuniteti shkencor, i cili i identifikon vijat e bardha pas avionëve si gjurmë kondensimi të avullit të ujit në lartësi të mëdha.

The post Asnjë bazë për antenat sekrete që kontrollojnë motin në Ballkan appeared first on Faktoje.al.

Arbitrazhi në Hagë nuk njohu juridiksionin rus mbi Krime

19 June 2026 at 10:35

Pretendimi: Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë njohu juridiksionin rus mbi Krimenë dhe Detin e Azovit

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Vendimi i një gjykatë ndërkombëtare në Hagë lidhur me Krimenë dhe Detin e Azovit po interpretohet në media dhe rrjete sociale si njohje e juridiksionit rus mbi këto rajone.

Pretendimet pasojnë një vendim të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit që gjeti se Rusia kishte shkelur disa detyrime të ligjit detar gjatë ndërtimit të urës së Ngushticës së Kerçit që lidh Rusinë kontinentale dhe Krimenë, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës se Moska po kërkonte në mënyrë të paligjshme kontroll ekskluziv mbi ngushticën për arsye procedurale.

Vendimi përfundimtar i gjykatës, botuar më 15 qershor, rrjedh nga një çështje e ngritur nga Ukraina sipas Konventës së OKB të vitit 1982 mbi Ligjin e Detit, lidhur me të drejtat e shtetit në Ngushticën e Kerçit, Detin e Azovit dhe ujërat përreth Krimesë.

Gjykata refuzoi shumicën e pretendimeve ukrainase dhe nuk urdhëroi masa që do t’i kërkonin Rusisë të hiqte dorë nga kontrolli mbi zonat detare përreth Krimesë, Ngushticës së Kerçit dhe Detit Azov. Ky rrëzim i pretendimit ukrainas, ka shërbyer për narrativën ruse për ta interpretuar si një njohje të aneksimit të Krimesë prej saj.

Megjithatë, vendimi i gjykatës nuk e ndryshon statusin ligjor ndërkombëtar të Krimesë sepse gjykata nuk vendosi për sovranitetin mbi gadishullin, duke u kufizuar vetëm në fushëveprimin e Konventës së OKB mbi të Drejtat e Detit.

Çështja kishte të bënte me të drejtat detare në Detin e Zi, Detin Azov dhe Ngushticën e Kerçit, si lundrimi, peshkimi, resurset e shtratit të detit, detyrimet mjedisore. Kujt i përket Krimea nuk ishte nën diskutim.

Një panel arbitrazhi i ngritur sipas konventës së Ligjit të Detit nuk ka autoritet për të vendosur për çështje të sovranitetit tokësor. Vetë Rusia argumentoi që në fillim se Ukraina po përpiqej ta fuste fshehurazi çështjen e Krimesë në një forum detar, dhe në vitin 2020 gjykata e pranoi pjesërisht këtë kundërshtim, duke i kërkuar Kievit të paraqiste përsëri pretendimet e saj pa pjesët që vareshin nga një vendim mbi sovranitetin. 

Shumë nga pretendimet e Ukrainës u rrëzuan pikërisht sepse gjykata e trajtoi Detin e Azovit dhe Ngushticën e Kerçit si ujëra të brendshme të të dy shteteve, Rusisë dhe Ukrainës.

Sipas ligjit ndërkombëtar, Krimea njihet gjerësisht si pjesë e Ukrainës. Rusia e aneksoi gadishullin në vitin 2014, një veprim që mbetet gjerësisht i panjohur ndërkombëtarisht, dhe Ukraina vazhdon ta konsiderojë Krimenë si territor të pushtuar.

The post Arbitrazhi në Hagë nuk njohu juridiksionin rus mbi Krime appeared first on Faktoje.al.

❌