Nga Afrovita Hysaj Procesi i votimit në qytetin e Vlorës nuk pati asnjë surprizë, duke reflektuar edhe ecurinë e gjithë fushatës në këtë qark.
Një proces që nisi qetë e përfundoi po njësoj. Fushatë pa sulme mes dy partive të mëdha, pa akuza e pa tone të larta. Fushatë në të cilën partitë nuk patën asnjë deklaratë kundër njëra tjetrës
Votimi
Votimi nisi prej orës 7.00 të mëngjesit, me vonesa në disa qendra për shkak të mos prezantimit apo votimit të disa anëtarëve të komisionit, njëjtë si vonesat në procesin e votimit në institucionin e paraburgimit, ku votimi nisi me 3 orë vonesë.
4471/2 nisi me vonesë pasi dy komisionerë u larguan për arsye familjare. Në një prej qendrave të votimit në rajonin 5, qendra 4450 pati konstatim të shpërndarjes së fletëpalosjeve për një kandidat të Partisë Socialiste. U kërkua largimi i tyre, por nuk pati pezullim.
Finiq, në fshatin Kardhikaq dhe Gravë, për shkak të mungesës së materialeve zgjedhore votimi nisi me 4 orë vonesë.
Në Sarandë gjithashtu pati vonesa në disa qendra edhe për shkak të funksionimit të kamerave monitoruese.
Megjithatë në një panoramë të përgjithshme asnjë prej rasteve nuk ka sjellë anomali për vijimin e procesit.
E qetë përtej asaj që njihet, edhe reagimi i partive opozitare.
Partia Demokratike dega Vlorë, edhe pse nuk pret të marrë më shumë mandate në Vlorë sesa lista e mbyllur, duket se iu dorëzua qytetarisë për procesin zgjedhor.
Nga kampi rozë shqetësim ishte pjesëmarrja.
Në përqindje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, Vlora shfaqet gati në të njëjtat shifra, por shifra e këtij viti ka bashkë edhe votën e diasporës që tregon se vota e votuesve brenda territorit ka ardhur në rënie.
Çfarë pritet?
Partia Socialiste kërkon të mbajë 8 mandate, edhe pse është artikuluar në disa raste një mandat i 9.
Partia Demokratike kërkon të qëndrojë në 4 mandate, edhe pse partitë e vogla i kanë rrezikuar elektorat.
Megjithëse parashikimet dhe pritshmëritë, këto zgjedhje ishin më të ftohta jo vetëm për qytetarët, por edhe për kandidatët vetë.
Ndërkohë, me sy më kritik pritet të shihet procesi i numërimit të votave jo më shumë për subjektet, sesa për vetë kandidatët.
Skenari i njohur i “fluturimit elektoral” u rikthye këtë prag zgjedhjesh me zbritjen e avionit të parë testues në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Por “aleanca fantastike” me Aeroportin e Mynihut, e trumbetuar që në nisje të punimeve, përfundoi përpara se aeroporti të fillonte operimin. Sot, Mynihu nuk është më pjesë e projektit dhe, siç konfirmon vetë aeroporti për Faktoje.al, kontrata nuk do të rinovohet.
Esmeralda Topi
Një javë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 një avion i linjës ‘Air Albania’ zbriti në Kukës për të inaguruaraeroportin ndërkombëtar ‘ZAYED – Flatrat e Veriut’. Katër vite më vonë, një skenar i ngjashëm u përsërit në Vlorë. Pista e aeroportit të ri ndërkombëtar u inagurua me fluturimin e parë certifikues tre ditë përpara zgjedhjeve.
‘ Vlora do të jetë një aeroport ndërkombëtar për të gjithë vitin, jo thjesht një aeroport turistik ,tha kryeministri Edi Rama.
Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike, e sheh përurimin e aeroportit të Vlorës si një tjetër rast të përdorimit të projekteve publike për përfitime elektorale.
“Në Shqipëri po ndërtohet një aeroport i ri dhe natyrisht, përurimi ndodh para zgjedhjeve,” thotë ai me ironi, duke shtuar se ndonëse vetë aeroporti mund të jetë një lajm pozitiv, mënyra si po promovohet e kthen atë në një shembull tipik të spekulimit dhe keqpërdorimit elektoral.
Aeroporti i Vlorës ndodhet në fshatin Akërni, pranë lagunës piktoreske të Nartës. Puna për ndërtimin e tij nisi më 28 nëntor 2021.
“Sot jemi këtu me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë”,deklaronte Rama gjatë ceremonisë inaguruese të punimeve.
Mirëpo sot, Rama nuk e përmendi këtë aleancë që deri para pak muajsh e çmonte aq shumë.
Fakt
Ndryshe nga sa deklaronte kryeministri, aleanca ‘fantastike’ për të ardhmen e aeroportit me aeroportin e Mynihut, përfundoi përpara se ky aeroport të niste operimin. Në një reagim të posaçëm për Faktoje.al Munich International Airport thekson se nuk ka negociata të mëtejshme për rolin e tyre si këshillues në aeroportin e Vlorës.
Kontrata 2 vjeçare midis Munich Airport International (MAI) – një degë e Flughafen München GmbH – dhe Aeroportit të Vlorës është përmbushur plotësisht në fund të muajit prill.
“Nuk ka plane që MAI apo Flughafen München GmbH të operojnë Aeroportin e Vlorës dhe, siç u përmend më herët, kontrata aktuale e konsulencës përfundon në fund të prillit 2025”, pohoi për Faktoje.al Robert Ëilhelm, koordinator për marrëdhëniet me mediat pranë Flughafen München GmbH.
“MAI nuk ka pasur asnjë ndikim apo fuqi vendimmarrëse në lidhje me planifikimin dhe përzgjedhjen e vendndodhjes së aeroportit të ri”, sqaron më tej Ëilhelm.
Prej fillimit, organizatat mjedisore vendase dhe ato ndërkombëtare e kundërshtuan projektin. Sipas aktivistëve mjedisorë, aeroporti rrezikon vazhdimësinë e specieve në peizazhin e mbrojtur, por edhe sigurinë e fluturimeve potenciale. Këto paralajmërime ranë në vesh të shurdhër në Shqipëri, por jo në Gjermani.
Më 23 tetor 2024, pranë Bashkisë së Mynihut u dorëzua një peticion i firmosur nga rreth 500 gjermanë, aktivistë dhe ekspertë mjedisorë, që kërkonin ndërprerjen e bashkëpunimit të Aeroportit të Mynihut me ndërtimin e aeroportit të Vlorës në Shqipëri. Disa muaj më vonë, aerporti i Mynihut u tërhoq nga projekti.
Mynihu si ‘mjet’ propagandistik
Aleksandër Trajçe, drejtuesi ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), ngre shqetësimin se përfshirja e pretenduar e aeroportit të Mynihut në projektin e aeroportit të Vlorës ka shërbyer që në fillim si një mjet propagandistik, për të krijuar iluzionin e një partneriteti të fuqishëm ndërkombëtar dhe për të fshehur mungesën e transparencës si dhe ndikimin real negativ në mjedis.
“Tani që kontrata me Mynihun ka përfunduar dhe nuk po rinovohet, kjo “aleancë” nuk po përmendet më nga qeveria duke treguar qartë se nuk ka pasur asnjë qëndrueshmëri apo vullnet afatgjatë në këtë bashkëpunim dhe se gjithçka ishte stisur për të justifikuar një projekt kryekëput jo-transparent dhe shkatërrimtar për mjedisin”, argumenton ai.
Sipas Trajçes, projekti i aeroportit nuk përfaqëson një vizion të qëndrueshëm për zhvillimin e vendit, por një ndërhyrje shkatërruese që rrezikon të zhdukë një nga ekosistemet më të rëndësishme të Mesdheut – deltën e Vjosës.
“Ky nuk është një vend bosh që pret betonin,” – thekson ai – “por një thesar natyror me vlera të jashtëzakonshme që duhet mbrojtur për të ardhmen tonë të përbashkët.”
Përfundim
Deklarata e kryeministrit Edi Rama për një “aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit të Vlorës” me Aeroportin e Mynihut rezulton e pavërtetë. Bashkëpunimi me Munich Airport International ishte i kufizuar në një kontratë dyvjeçare konsulence, pa ndikim vendimmarrës apo përfshirje në operim, dhe përfundoi përpara se aeroporti të niste funksionimin.
Si një gjysh i shqetësuar për zhdukjen e nipit, me inicialet V. S., u ul para një kompjuteri në fillim të nëntorit 2024 dhe përmes email-it njoftoi ambasadën e Ukrainës me seli në Tiranë për atë që më pas do të ishte çelësi i një zbulimi të pazakontë në fushën e krimit të organizuar. I moshuari S. informoi se nipi i tij po mbahej pa dëshirë dhe po detyrohej të punonte forcërisht në Shqipëri. Adresa me sa dinte ai ishte qyteti i Vlorës. Por nipi i tij, një i ri i talentuar në fushën e informatikës identifikuar më pas me inicialet Z. M., ishte vetëm njëri mes shumë të tjerëve si ai, që mbasi u punësuan në mënyrë mafioze në Varshavë, u trafikuan drejt Shqipërisë ku dhe punuan nën terrorin e dhunës.
Ajo që duhet të bënin si IT, ishte punësimi përmes dark-webeve të njerëzve të panjohur që mbasi josheshin pranonin oferta për të kryer krime, ndër kryesoret transporti i ngarkesave me drogë në shtete të ndryshme të Evropës. Secili prej tyre do të paguhej me monedha virtuale. Hetimet e deritanishme tregojnë se trafikantët, që mbajtën me dhunë 19 ukrainas në qytetin e Vlorës, dyshohet se janë pjesë e një organizate ndërkombëtare, që nga të dhënat paraprake të autoriteteve shqiptare ka të dhëna se ka strukturën e organizatës “Khimprom”. Emri i organizatës u pohua për Faktoje nga dy burime të pavarura nga njëra tjetra, që të dyja pjesë e skuadrave hetimore të ngritura prej 11 nëntorit 2024
Çfarë u gjet?
Gjatë intervistës për Faktoje, Elidon Çela, aktualisht drejtor i policisë së Qarkut të Vlorës tregohet mjaft i rezervuar për veprimet hetimore të kryera paraprakisht nga policia lokale.
Ndërkohë, prokuroria e këtij qyteti, e gjendur para fakteve të forta shpalli mos-kompetencën dhe ia kaloi për veprime të mëtejshme SPAK-ut.
Procedimi u regjistrua në Tiranë në datë 23 janar 2025 dhe mban numrin 18 për veprat “Trafikim i personave të rritur” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, grup i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale.
“Menjëherë pas informacionit të marrë u aktivizuan strukturat e antitrafikut dhe hetimit të krimeve, së pari për të disponuar të dhënat se në cilat lagje qëndronin qytetarët ukrainas dhe më tej konstatuam dy objekte, të dyja të kontrolluara ku dhe u gjetën të rinjtë e trafikuar”, pohoi shkurtimisht Çela për Faktoje.
Në fakt, në komunikatën zyrtare të policisë në atë kohë njoftohej se, “personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane”.
Veç sekuestrimit të 18 PC , dhe pasaportave të udhëtimit, ajo që i bindi hetuesit se kishin përpara një çështje të madhe ishin dëshmitë e të rinjve të trafikuar, të cilëve gjatë qëndrimit gati një mujor në Shqipëri u ishin marrë edhe pasaportat me qëllim që të mos arratiseshin. Shtëpia nga provat e deritanishme rezulton se ishte marrë prej një muaji përmes Airbnb.
Dëshmia
Ne foto: Ukrainasit e trafikuar
Ajo ishte një godinë një katëshe në lagjen “Demokracia”, gjendur pranë një shkolle jo publike. Në procesverbal shkruhet: “Godina një katëshe me porta, dhe dritare të mbyllura , të jep përshtypjen e një banese të pabanueshme. Nga ana e policisë u kontaktua me pronarin e banesës dhe bashkë me të shërbimet kanë shkuar tek objekti. Fillimisht derën e ka hapur shtetasi me inicialet M.P., i cili u ka thënë se në banesë gjendej me familjen. Për të verifikuar informacionin shërbimet e policisë u futën në banesë, ku në sallonin e kësaj banese u gjetën 6 shtetas të tjerë me shtetësi ukrainase, të cilët para tyre mbanin një kompjuter portativ dhe ishin duke shkruar në aplikacione të ndryshme”.
Mes tyre policia gjeti edhe nipin e denoncuesit me inicialet Z. M.
Si një i ri me shtetësi ukrainase, por i lindur në Krakov të Polonisë ai kishte ambicie vetëm punën e zyrës. Ndaj, siç rrëfehet për policinë ai, nisi kërkimet në fushën ku ndihej më i fortë, atë të IT.
“Pashë një njoftim në aplikacionin Telegram, ku flitej për punësim. Komunikova në Telegram me një person me emrin Fresko dhe më informoi për intervistë në qytetin e Varshavës, Poloni. Do të kryeja testin e poligrafit”.
Në Varshavë testi për gjurmimin e gënjeshtrës u krye sipas një adrese të cilin i riu ua ka vendosur në dispozicion autoriteteve të drejtësisë shqiptare.
“Më lajmëruan pas dy ditësh se e kisha kaluar testin e poligrafit dhe se isha pranuar në punë. Më pas jam trajnuar për tre ditë. Erdhi njëri nga kryesorët quhej Y. dhe më tha që do shkoja në Shqipëri me punë pasi kishte kushte të mira pune. Biletat mi preu personi me emrin M., por që njihej si “e premtja“.
Në aeroportin e Rinasit u prit nga i njëjti person me të cilinudhëtoi drejt Vlorës e së bashku me ta edhe dy ukrainas të tjerë që kishin qenë në të njëjtën linjë fluturimi. “Në fillim vajtëm në një shtëpi tjetër, por aty nuk kishte vend pasi kishte edhe shumë të tjerë. Na dërguan në një shtëpi tjetër që ishte bosh vetëm për ne”, shprehet i riu me inicialet Z.M. Ditët në vazhdim i riu pa se si shtëpia u mbush edhe me ukrainas të tjerë në të njëjtën moshë me të. “Personi me nofkën “Kika” na mori pasaportat dhe na tha se nëse nuk do zbatonim rregullat e tyre do përfundonim si disa persona që i kishin regjistruar në video. Aty shfaqeshin pamje ku disa persona dhunonin në mënyrë të frikshme duke ju thyer edhe gjymtyrët, kurse në një video tjetër dukeshin duke i djegur shtëpinë”.
Duke u bindur, të rinjtë ndoqën udhëzimet e trafikantëve dhe anëtarëve të grupit, dhe dërgonin linqe interneti nga programe me robotë, ku përmes dark-webeve seleksiononin personat që u bëheshin oferta për të transportuar drogë. “Kur këta persona pranonin ofertën, – thotë i riu, – i rekrutonim dhe pastaj ia kalonim personit me nofkën “Kika” që ia kalonte personit me nofkën Mustangu”. Ajo që rrëfejnë edhe specialistët e tjerë të IT është një skemë e mirëfilltë kriminale e krimit të organizuar. Për çdo rekrutim paguheshin 25 dollarë ndërsa u ishte premtuar se paga e tyre do të ishte e përjavshme prej 250 dollarësh
Prokuroria e Posaçme shkruan në fashikull se “nga kqyrja e faqeve të ndryshme dhe adresave të hapura në kompjuterat portativë nga drejtoria e Krimeve Kibernetike u konstatuan se në to kishte komunikime që tregonin mënyrën e rekrutimit të shtetasve në shtetet e Evropës me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike”
Nga fashikuj që posedon Faktoje rrëfimet e ukrainasve që e gjetën punën përmes Telegram, tregojnë identitete trafikantësh të cilët ende janë nën hetim nga SPAK.
Aktualisht Shqipëria i ka strehuar specialistët e IT në një qendër shtetërore, ndërkohë që në hetime është angazhuar edhe gjyqtarja e çështjes, që për të siguruar provat me kërkesë të SPAK, po dëgjon dëshmitë e secilit prej të trafikuarve, të cilët po ballafaqojnë identitetet e shtetasve që i kanë dhunuar dhe të huajve të tjerë që ju morën pasaportat
Shtetasi me inicialet K.G., 24 vjeç është nga Bjellorusia dhe është njëri prej atyre shtetasve që u gjet në një banesë të dytë të përshtatur nga organizata kriminale e huaj për të njëjtin qëllim. Ai tha në gjykatën e posaçme të njëjtën skemë, por me ndryshimin e vetëm ku si trajner kishte pasur një person me pseudonimin “Veterineri”
“Kur nisa punën çdo gjë dukej e çuditshme dhe mbaj mend që bëra një gabim gjatë procesit. Kika më ka rrahur dhe një tjetër me nofkën “Veterineri” filmoi dhe këtë video e dërgoi tek të mëdhenjtë për tu treguar se më ndëshkuan për gabimin që bëra. Na kanë treguar video ku për gabimet thyheshin gishtat dhe i kërcënonin se do i hiqnin qafe. Ne kishim një grup në chat ku pjesëtarë ishim edhe ne edhe eprorët ku dhe merrnim kërcënime dhe presion të vazhdueshëm. Kam parë një video ku dikujt i urinonin në gojë dhe ky grup ishte krijuar enkas që në të punonim më shumë dhe të bënim kujdes që këto ngjarje mos të na ndodhte edhe neve”, rrëfehet 24 vjeçari.
Me një listë konkrete të dyshuarish, SPAK beson se, nga të dhënat që disponon, në Shqipëri organizata “Khimprom”, me qendër në Rusi përfaqësohej nga shtetasi me inicialet N.K. me nofkën “Kika”
“Organizata kriminale ku personat e mësipërm bënin pjesë quhet “Khimprom”, me qendër në Rusi e cila është një organizatë shumë e fuqishme kriminale që merret me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe ka përhapje të madhe në shumë vende“, detajohet në një nga këto shkresa të vëna në dispozicion të Faktojes.
Është kjo arsyeja se përse përballë këtij karteli SPAK ka vendosur me sigurimin e provës dhe marrjen e dëshmisë të ukrainasve të trafikuar, të cilët sipas dyshimeve përballë kartelit mund të jenë objekt i kanosjes. Deri në publikimin e këtij lajmi SPAK nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar.
Khimprom
Por kush është organizata Khimprom që dyshohet se fshihet pas trafikimit të ukrainasve bazuar në të dhënat që disponon SPAK? Pavarësisht emrit origjinal për një grup të organizuar kriminal, kjo organizatë nuk merret vetëm me zhvillimin, prodhimin dhe shitjen e drogës, por gjithashtu operon një rrjet të gjerë qendrash telefonike (call center). Nuk dihet me saktësi se kur u shfaq “Khimprom”, por hapat e parë u hodhën në qytetin rus të Sterlitamakut, jo më vonë se në vitin 2012.
Aty, tre të rinj gjetën një mënyrë për të përfituar nga një boshllëk në legjislacion dhe nisën shitjen masive të përzierjeve sintetike, të njohura si “spice”. Ndërsa shteti i ngadaltë ndalonte njërën prej tyre, ata ndryshonin përbërjen kimike të drogës dhe e rikthenin atë në treg. Të tre të rinjtë studionin në degën lokale të Universitetit Shtetëror të Teknologjisë së Naftës në Ufa.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme ruse, deri në vitin 2017, xhiroja vjetore e “Khimprom” tejkalonte dy miliardë rubla, dhe në strukturën e tij ishin të përfshirë të paktën një mijë persona. Informacionet e deritashme tregojnë se, “Khimprom” kishte mbrojtje të fortë, nuk rrezikonte dhe nuk sillte drogë sintetike nga Kina; ato prodhoheshin në laboratorët e tyre brenda Rusisë.
Në të paktën 12 rajone të vendit u hapën qendra logjistike për produktet e gatshme. Përpos përpjekjeve të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për të bllokuar burimet në internet, “Khimprom” shiste hapur drogë në faqen e tij me të njëjtin emër. Qendrat e thirrjeve më tej u organizuan në Ukrainë. Rekrutimi bëhej përmes njoftimeve në gazetë, në televizion ose në fletushkat në metro, ku ofrohej punë si korrier me një pagë të mirë nga 6 deri në 8 mijë dollarë në muaj. Vetëm gjatë intervistës për punë, njerëzit mësonin se puna përfshinte udhëtime në Rusi. Ndër ata që përgjigjeshin ndaj njoftimeve, zhvillohej një proces përzgjedhjeje ku njerëzit ndaheshin sipas detyrave te posaçme si punëtorë magazinash, prodhues droge, punonjës të qendrës së thirrjeve. Çdo person i nënshtrohej një testi me poligraf (detektor gënjeshtrash).
Më pas, pasonte një muaj “praktikë” në Ukrainë, varësisht nga drejtimi i punës. Shumë punonjës merrnin pasaporta të falsifikuara ruse.
Falë përdorimit të mesazherëve anonimë, kriptovalutave dhe metodave të konspiracionit, blerësit ose punonjësit e zakonshëm të kësaj organizate nuk mund të jepnin informacione për hierarkinë më të lartë të organizatës në rast arrestimi — ata thjesht nuk kishin kontakt me ta.
Por forcat e sigurisë ruse që në fillim ishin të bindura se drejtuesit e vërtetë të sindikatës ndodheshin në Ukrainë. Kjo pasoi disa aksione të
Shërbimit Federal për Kontrollin e Narkotikëve nga Ukraina, aksione që datojnë nga viti 2016. Sipas të dhënave, në Ukrainë, organizata në fjalë mundi të funksiononte pa pengesa deri në vitin 2019 me zyrat e tij në qendër të Kievit.
Në mars 2019, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme, kreu një operacion të posaçëm për arrestimin e drejtuesve të organizatës. Megjithatë, një prej tyre arriti të largohej nga Ukraina. Fillimisht qëndroi në Amerikën Latine, Panama, më pas në Miami dhe u vendos përfundimisht në Meksikë.
Pse Vlora?
Aksioni i gjerë i policisë në bashkëpunim me SPAK ndodhi në Vlorë. Më herët, Faktoje ka raportuar se si hyrjet e shtetasve rusë në Shqipëri që raportoheshin për turizëm, po sillnin edhe një fenomen të errët që lidhej me veprimtari të dyshimta të disa shtetasve rusë duke vënë në alarm shërbimet inteligjente dhe ato të anti-terrorit. Ndërkohë, me nisjen e agresionit në Ukrainë, Shqipëria, duke iu bashkuar shteteve që morën masa shtrënguese ndaj Rusisë, ka raportuar sanksione të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve të caktuar. Paralelisht me fenomenin janë raportuar gjithashtu rritje e numrit të shtetasve rusë me leje qëndrimi në Shqipëri, ndërsa vërehet një interes i shtuar investimi në fushën e pasurive të patundshme në bregdet, veçanërisht në Vlorë.
Të arrestuarit (me iniciale) për të cilët është njoftuar zyrtarisht se janë pjesë e hetimit
Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi të mërkurën, 12 shkurt, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Vlorë, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie.
Pjesë e monitorimit për vitin 2024 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Dibra, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.
Monitorimi bazohet në dy elementë kryesorë: niveli i transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushja e premtimeve elektorale. Nisur nga ky monitorim, transparenca për Bashkinë Fier, matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 68.75% duke u renditur e shtata mes 10 bashkive të monitoruara.
Analiza ka treguar se nga 40 premtime elektorale të verifikuara për këto 10 bashki, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 14 janë përmbushur pjesërisht, ndërsa 21 premtime nuk janë realizuar. Kjo do të thotë se 52% e premtimeve të monitoruara kanë mbetur të pambajtura.
Në rastin e Bashkisë Vlorë, niveli i transparencës për këtë periudhë i Bashkisë së Vlorës ka arritur nivelin 75%.
Gjatë diskutimit me antarët e këshillit bashkiak u theksua disa herë se njoftimet per mbledhjet e këshillit dhe komisioneve, edhe pse janë publikuar në faqet e rrjeteve sociale të Bashkisë së Vlorës, ka munguar publikimi në faqen ëeb që është detyrim ligjor, ndaj dhe ky indicator i transparencës është konsideruar i papërmbushur.
Ndërkohë, nga 4 premtime të monitoruara në dy vitet e fundit, 2 premtime janë kategorizuar si të pambajtura dhe 2 të tjerë pjesërisht të mbajtura.
Ndërtimi i terminalit interurban të autobusave dhe kijimi i qendrave ditore për moshën e tretë në secalin rajon të qytetit si dhe ngrotja e një mense sociale bashkiake për shtresat në nevojë janë premtimet e kryebashkiakut Ermal Dredha të cilat kanë rezultuar të papërmbushura deri tani.
Sa i përket premtimit për rikualifikimin e tregjeve të qytetit dhe shtimit të koshave dhe atij për hapsirave të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve urbane, janë konsideruar si pjesërisht të mbajtura.
Prapavijë
Gjatë pesë viteve të fundit, bashkitë në Shqipëri kanë bërë hapa përpara në rritjen e transparencës, duke publikuar programet dhe duke ndarë më shumë informacion me qytetarët. Megjithatë, puna çalon kur bëhet fjalë për mbajtjen e premtimeve të kryebashkiakëve pas fushatave elektorale.
Premtimet janë monitoruar duke përdorur një metodologji që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik dhe vëzhgimet në terren. Disa nga indikatorët kryesorë të transparencës janë: programi i transparencës, konsultimi publik dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.
Për periudhën 2019-2024, qendra Faktoje ka verifikuar 135 premtime të bëra nga kryebashkiakët nga veriu në jug të vendit. Analiza tregon se 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.
***
Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit, kandidati socialist për Bashkinë Vlorë, Ermal Dredha përfshiu në programin e tij edhe ndërtimin e terminalit të autobusëve ndërqytetas. Por verifikimet e Faktoje.al tregojnë se terminali interurban ende nuk ka nisur të ndërtohet. Bashkia thotë se ka përfunduar vetëm projektimin dhe se akoma nuk ka siguruar fondet për ndërtimin e tij.
Vjolanda Peca
Më 10 Maj, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kandidati socialist për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha, premtoi ndërtimin e një terminali të ri për autobusët ndërqytetas, i cili do të lehtësonte aksesin për vizitorët nga brenda dhe jashtë vendit. Ky angazhim ishte pjesë e prioriteteve të tij për zhvillimin e turizmit, një pikë kyçe në programin e tij elektoral.
“Fillimisht ne duhet të kapim hartën e gjithë Vlorës. Bashkia do të ndërtojë një ndërmarrje brenda bashkisë që të plotësojë të gjithë kërkesat e komunitetit të Vlorës. Duhet të kemi terminal auobusësh që Vlorës i mungon.” u shpreh Dredha në një intervistë 10 ditë përpara zgjedhjeve vendore.
Për të dytin vit radhazi, Faktoje vendosi ta verfikojë këtë premtim të rëndësishëm për Vlorën si qytet, por dhe për zhvillimin e turizmit. Faktoje.al vendosi të shkojë në Vlorë më 20 shtator, 16 muaj pas premtimit për të parë nëse kanë nisur punimet për ndërtimin e terminalit interurban.
Vendqëndrimi i autobusëve në Vlorë, shtator 2024
Aktualisht, për autobusët ndërqytetas, nuk ka një terminal, por vetëm një vendqëndrim, në anë të rrugës, ku ato parkojnë në pritje të pasagjerëve me destinacion, qytete të ndryshme të vendit.
“Vlorës i duhet një terminal i tillë, duhet të ishte bërë më kohë. Vijnë turistë, nuk dinë ku të shkojnë, në diell në vapë presin jashtë”- na thotë Bujari, 57 vjeç.
Problematika bëhet dhe me e ndjeshme gjatë ditëve më rreshje kur shume qytetarë janë të detyruar të qëndrojnë jashtë dhe të mos kenë një ambient për të pritur.
‘Po ç’të bëjmë! Unë vij në Vlorë nga Fieri se kam motrën sëmurë, një herë në dy javë. Po të kishtim një vend që të fusnim kokën kur bie shi të paktën…” na tregon Lumturia, 46 vjeç.
Sipas INSTAT, në vitin 2023 Vlora renditet si destinacioni i dytë më i preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri dhe gjatë këtij vijt trasporti rrugor më shërbim urban ka patur një rritje dhe zë thuajse 40% të lëvizjes.
Grafiku nga INSTAT
Faktoje iu drejtua më një kërkesë për informacion bashkisë së Vlorës për që deri ne momentin e publikimit të shkrimit ende nuk ka një përgjigje për këtë pike.
Pjesë nga kërksesa për informarcion dërguar bashkisë Vlorë
Sipas Merita Mema specialiste e transportit në bashkinë e Vlorës, janë 45-50 autobusë interurbanë që kryejnë shërbimin e transportit të pasagjerëve nga Vlora për në qytetet tjera.
“Bashkia e Vlorës ka bërë detyrën e projektimit dhe ka kërkuar fonde për zbatimin dhe ndërtimin e një terminali”– u shpreh nëpërmjet një telefonate për Faktoje.al znj.Mema, duke shtuar më tej që është propozuar që, terminali interurban të ndërtohet afër tregut të shumicës, përballë KSHA-së.
Nga ana tjetër, sipas saj, përsa i përket shërbimit të transportit të brendshëm, ishin në funksion 13 autobusë që lëviznin nëpër qytet.
Nisur nga verifikimet në terren, premtimi elektoral i kryebashkiakut të Vlorës Ermal Dredha për ndërtimin e një terminali interurban do t’a konsiderojmë ende të pambajtur.
*Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha bëri një premtim për pastrimin e qytetit.
Një verifikim i kryer nga Faktoje.al, ka treguar se ky premtim nuk është realizuar plotësisht dhe se shtimi i kontenierëve është vetëm një pjesë e punës së kryer për pastrimin e qytetit.
VJOLANDA PECA
Çështjen e një qyteti të pastër, shqetësim i ngritur nga vetë banorët, kryetari aktual i Bashkisë, e kishte renditur si përparësi të programit të tij elektoral.
Dredha premtoi, një qytet në të cilin “do të shtohen kosha, hapësira të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve apo krijimin e fushatave sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese mbi pastërtinë e qytetit”.
Faktoje iu drejtua Bashkisë Vlorë me një kërkesë për informacion lidhur më këtë premtim. Sipas Bashkisë, në qytet “janë shtuar 150 kontenierë të rinj me kapacitet 1100 litra dhe janë zhvilluar aktivitete ndërgjegjësuese në shkolla”.
Faktoje më 20 shtator 2024, ishte në qytetin e Vlorës për të verifikuar premtimin e bërë në maj të 2023, nga kryebashkiaku socialist
Përgjatë rrugëve viheshin re kontenierët e rinj të shtuar, të cilët ishin ngjyrë jeshile, të ndryshëm nga kontenierët e vegjël metalik ngjyrë gri, të trashëguar.
Kontenierët e rinj në qytetin e VlorësKontenierët e vjetër në qytetin e Vlorës
Edhe banorët, me të cilët kontaktuam, pohuan se krahasimisht me vitin e kaluar qyteti ishte më i pastër.
Vendgrumbullimi i mbetjeve
Shqetësim për qytetarët, mbetej megjithatë, vendgrumbullimi i mbetjeve dhe lënia pezull e punimeve të landfillit të Sherishtës.
Kryebashkiaku vlonjat kishte premtuar shtimin e hapësirave të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve, por në Vlorë është ende vetëm një vendgrumbullim, në fushë të hapur, pranë një zone të banuar, në lagjen 24 Maji, njohur si ish-Fusha e Aviacionit.
Vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit të Vlorës
Pirgje me plehra, të shpërndara kudo, edhe jashtë territoreve të saj, ishte panorama mbytëse që të ofron vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit.
Landfilli i Sherishtës
Në tetor të 2023 zoti Dredha sëbashku me kryeministrin Edi Rama, diskutuan për landfillin e Sherishtës dhe dhe faktin që ai duhet të vihet në punë sa më shpejt.
Landfilli i Sherishtës, 20.09.2024
“Zgjidhja afatgjatë është të vendoset funksion të plotë landfilli që është ndërtuar në Sherishtë.”, deklaroi një vit më parë kryebashkiaku Dredha.
Disa muaj më vonë, gjatë një vizite në Vlorë edhe kryeministri Edi Rama iu rikthye vënies në punë të landfillit. Rama kërkoi që landfilli të ishte gati pranverën e këtij viti.
“Duhet ta mbyllim përpara sezonit”,tha kryeministri Rama.
Por verifikimet në terren tregojnë të kundërtën. “Punimet në landfillin e Sherishtës kanë përfunduar në fazën 97-98%, dhe nuk po mbyllet për shkak të pagesës së disa makinerive”, u shpreh gjatë një komunikimi telefonik me Faktoje.al, Dorian Xhelili drejtor i Shërbimeve Publike në Bashki, duke shtuar se sipas tij “problemi është drejt zgjidhjes”.
Përfundim
Premtimin elektoral të kryebashkiakut socialist Ermal Dredha për pastrimin e qytetit, pas verifikimit të kryer në terren në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës dhe informacionit zyrtar, do ta kategorizojmë deri tani pjesërisht të mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Edhe këtë sezon veror autoritetet paralajmëruan dënime të ashpra ndaj shkelësve që cënojnë sigurinë e pushuesve në bregdet. Verifikimet e Faktoje tregojnë se pavarësisht disa gjobave, perimetri i sigurisë në disa plazhe shkelet, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Afrovita Hysaj
Në hyrje të sezonit veror, ish ministri i Brendshëm Taulant Balla, paralajmëroi ndëshkime të ashpra për të gjithë shkelësit e perimetrit të sigurisë në bregdet.
‘Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare janë në çdo moment në krye të detyrës për të ofruar ndihmë. Operatorët turistikë, duhet të kuptojnë që nuk mund të dalin në lundrim të pacertifikuar dhe se në çdo rast masat ndëshkimore do të jenë të ashpra dhe mjetet detare do të bllokohen sipas ligjit. Nuk mund të rrezikohet kurrësesi nga papërgjegjshmëria jeta e pushuesve’, deklaroi më 1 maj Balla, teksa përshëndeste Policinë Kufitare dhe Rojen Bregdetare për shpëtimin e 11 turistëve në det, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt.
Verifikim
Në mbyllje të muajit gusht, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim lidhur me sigurinë e pushuesve në disa plazhe. Në Vlorë, vendqendrimi i mjeteve lundruese ndodhet pranë kalatës së portit të mallrave, ndaj dhe plazhi në këtë zonë është i ndaluar.
Por, në plazhe të tjera si ai i Karaburunit apo Sazanit, destinacione të shumicës së mjeteve lundruese nga Vlora, nuk kanë vendqendrime të përcaktuara. Në këto plazhe mjetet lundruese gjendet pranë pushuesveqë lahen në det, duke përbërë rrezik.
E njëjta panoramë të shfaqet në plazhet e Radhimës, më tej Dhërmiut dhe një pjesë të mirë të rivierës- kryesisht plazhet e mbyllura.
Pamjet më poshtë janë xhiruar në Porto Palermo, në zonën ku njihet si vendqëndrim i mjeteve lundruese, por që njëkohësisht ka leje edhe për përdorim plazhi. Kështu, pushuesit në këtë plazh duhet të notojnë pranë mjeteve lundruese, duke rrezikuar jetën.
Nga vëzhgimet në terren, krahas mungesës së vendqendrimeve për këto mjete, një tjetër problematikë lidhet me zbatimin e korridoreve për daljen e mjeteve lundruese.
Ndëshkime për shkelësit
E gjithë vija bregdetare Vlorë – Sarandë, kontrollohet nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin që dispozicion 18 mjete lundruese Jet Ski të Njësisë Policore Detare dhe 6 mjete lundruese B.P.
Nga fillimi I vitit e deri në fund të korrikit janë kontrolluar dhe verifikuar 4791 mjete lundruese, nga të cilat 133 mjete lundruese janë bllokuar dhe gjobitur- për tu liruar pas shlyerjes së gjobave.
Policia e Kufirit ka vendosur 133 masa administrative, por nuk jep asnjë informacion mbi numrin apo personat e proceduar penalisht për shkelje të ligjit detar.
Edhe drejtoria vendore te Policisë Vlorë, në komunikatat e bëra publike për periudhën Janar- korrik tregon dhjetra raste të personave të cilët abuzojnë jo vetëm duke shkelur kufirin e lundrimit me mjete lundruese por duke rrezikuar edhe jetën e pushuesve. Mirëpo, në Prokurori nuk janë referuar të gjithë rastet.
Kullat e vrojtimit bosh
Në mungesë janë dhe vëzhguesit bregdetar, veçanërisht në plazhet publike. Ndërsa në plazhet private, zbulohet praktika e regjistrimit fiktiv (kryesisht vetë pronarët) në rolin e vëzhguesve, por kullat e vrojtimit mbeten bosh.
‘Roje nuk kam parë fare, asnjëherë nuk e kemi parë.’- thotë një pushuese në Vlorë
Referuar të dhënave nga Policia, gjatë këtij sezoni ka pasur 6 viktima në plazhe- shtetas që janë mbytur apo kanë humbur jetën për shkak të problemeve kardiake.
Leneda Halili, trajnuese e vrojtuesvë të plazheve thotë se Vlora edhe këtë vit është përballur me mungesa të theksuara të vrojtuesve.
‘Interesi nga të rinjtë e qytetit të Vlorës për të ushtruar profesionin sezonal të vrojtuesit të plazhit mbetet i ulët. Janë rreth 35 persona të cilët deri më tani janë trajnuar për të ushtruar rolin e vrojtuesit të plazhit.’
Më tej ajo shton se për këtë arsye, bizneset gjejnë zgjidhje fictive.
‘Në Vlorë vazhdon tendenca që për vrojtues plazhi trajnohen pronarët e bizneseve, subjekteve private vetëm për të plotësuar dokumentacionet e shfrytëzimit të hapësirës publike si plazh.’ – thotë Halili.
‘Shumica e vrojtuesve të trajnuar janë për punësim jashtë vendit, sepse në vendet e Bashkimit Europian ata paguhen shumë më tepër, pra marin Certifikatën dhe ikin jashtë’- argumenton ajo.
Edhe pse është një detyrim ligjor, bregdeti i Jugut në pjesën më të madhe të plazheve ka mungesë të kufizueseve të notit.
‘Nuk ka shirita, mirë do të ishte të kishte.’ – thotë një pushues në Vlorë.
Mungesa e kufizuesve të notit në det vihet re brenda në qytet por edhe në periferi të Vlorës. Verifikimet tregojnë se vetëm 40% e plazheve e respektojnë këtë detyrim.
Përfundim
Nisur nga verifikimet e kryera, deklaratën e ish ministrit të brendshëm Taulant Balla, mbi perimetrin e sigurisë në plazhe do ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë.