Normal view

Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026″/ Presidenti Begaj në Itali, pritet nga Mattarella dhe Meloni

21 August 2026 at 22:23

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, në mbështetje të ekipit të sportistëve shqiptarë, me ftesë të Presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.

Kreu i Shtetit u prit nga Presidenti italian Sergio Mattarella dhe Kryeministrja Giorgia Meloni.

Më pas, Presidenti Begaj ndoqi nga tribuna ceremoninë e hapjes së këtij eventi të rëndësishëm sportiv.

Shqipëria përfaqësohet në “Taranto 2026” me 71 sportistë në 17 disiplina, mes tyre sportistë me rezultate të rëndësishme në arenën europiane dhe ndërkombëtare.

“Taranto 2026” merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare do të njohë mikpritjen e shqiptarëve me Kosovën flamurmbajtëse.

Alaskë/ Rrëzohet një avion civil pranë një stacioni radarësh, humbin jetën të 8 persona

21 August 2026 at 22:15

Një tragjedi ndodhi  në Alaskën perëndimore, kur një avion civil me qira u rrëzua pranë një stacioni të izoluar radarësh, duke shkaktuar vdekjen e të tetë personave që ndodheshin në bord.

Aksidenti ndodhi në aeroportin e stacionit të radarit me rreze të gjatë Cape Newenham, rreth 725 kilometra në perëndim të Anchorage.

Sipas Forcave të Armatosura amerikane, avioni ishte një “mjet ajror civil nën kontratë shërbimi” dhe transportonte gjithsej tetë persona. Kreu i zyrës së Alaskës për Bordin Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB), Clint Johnson, tha se në bord ndodheshin dy pilotë dhe gjashtë pasagjerë.

Avioni ishte nisur nga Anchorage dhe, sipas të dhënave paraprake, u rrëzua herët pasditen e së enjtes, gjatë procedurës së afrimit drejt destinacionit.

Komandanti i Komandës së Alaskës, i rajonit të Alaskës të Komandës së Mbrojtjes Hapësinore të Amerikës së Veriut (NORAD) dhe i Forcës së 11-të Ajrore, gjeneralmajori Robert Davis, shprehu dhimbjen e tij për humbjen.

“Ky është një humbje shkatërruese për familjen tonë ushtarake dhe komunitetet të cilave u shërbejmë”, tha ai në një deklaratë.

SHBA vendos sanksione të reja ndaj Kubës

21 August 2026 at 21:58

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një tjetër paketë sanksionesh ndaj zyrtarëve dhe kompanive kubaneze, sipas një njoftimi të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Në paketën e fundit të sanksioneve ekonomike janë përfshirë nëntë kompani shtetërore të sektorëve të minierave, metalurgjisë dhe ndërtimit, si edhe Ministria e Ndërtimit dhe disa zyrtarë të lidhur me një institut ndërkombëtar me bazë në Kubë.

Në një deklaratë, Rubio tha se personat dhe institucionet e shënjestruara nga sanksionet janë pjesë e asaj që ai e përshkroi si arsyen e ekzistencës së regjimit për të eksportuar marksizmin, pakënaqësinë racore dhe dhunën komuniste në mbarë botën.

“Sanksionet e shpallura e bëjnë të qartë se administrata Trump nuk do të tolerojë përpjekjet e regjimit kuban për të financuar represionin e tij apo për të vazhduar fushatën e tij shumëvjeçare të aktiviteteve subversive kundër Shteteve të Bashkuara”, vijoi ai.

Zyrtarë të lartë kubanë në sektorët e energjisë, financave dhe mbrojtjes i nënshtrohen tashmë sanksioneve amerikane.

Sanksionet amerikane, së bashku me një bllokadë efektive të importeve të naftës, kanë përkeqësuar mungesat ekzistuese në Kubë, veçanërisht të karburantit, ilaçeve dhe ushqimeve.

Administrata Trump ka ndërmarrë masa edhe ndaj sektorit të turizmit të Kubës, i cili është një burim i rëndësishëm të ardhurash për qeverinë kubaneze. Këto masa kanë kontribuar në uljen e numrit të vizitorëve në ishull.

Tetë vatra zjarri mbeten aktive në vend, nuk ka rrezik për banesat

21 August 2026 at 21:37

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 21:00 janë regjistruar 26 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll.

Për përballimin e situatës vijon angazhimi i koordinuar i strukturave vendore dhe qendrore, të mbështetura nga 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Gojan–Gjegjan, Pukë, vijon puna intensive për shuarjen dhe izolimin e vatrave në një terren të vështirë. Janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse me 29 efektivë MZSH, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 50 forca bashkiake, 50 vullnetarë dhe 40 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 1 automjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë të FA-së. Forcat dhe mjetet janë pozicionuar në pikat me rrezik për ndërhyrje të menjëhershme. Falë ndërhyrjes janë shpëtuar 2 banesa të banuara, ndërsa janë marrë masa edhe për evakuimin e disa banorëve.

Në Shtanë, Mirditë, vijon angazhimi për mbrojtjen e zonës së banuar me 40 forca bashkiake, të mbështetura nga 30 efektivë të FA-së, 2 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Policia e Shtetit ka evakuuar banorët e rrezikuar, ndërsa në zonë është dislokuar edhe një ambulancë.

Në Dukat, Vlorë, është përforcuar ndjeshëm angazhimi. Në terren operojnë 2 automjete zjarrfikëse me 9 efektivë, 8 punonjës të pyjores, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 100 efektivë të FA-së, ndërsa nga ajri operacioni është mbështetur nga 2 avionë Air Tractor.
Pavarësisht shtrirjes së vatrës në drejtim të malit, nuk rrezikohen banesa.

Në Dajt, Tiranë, vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura me 30 efektivë të FA-së, 13 efektivë MZSH, 9 forca të AZM-së dhe 1 helikopter të FA-së. Një pjesë e vatrave janë izoluar plotësisht dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Bërshi, Klos, janë angazhuar 5 efektivë zjarrfikës, 10 forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA-së. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.

Ndërkohë, ndërhyrjet e deritanishme kanë sjellë përmirësim në disa zona: Farka është nën kontroll, ndërsa Mal Miloti, Lufaj, Kalivaç dhe mali i Çikës mbahen nën mbikëqyrje. Në Mal Milot zjarri është shuar pas ndërhyrjes së strukturave vendore dhe FA-së.

Vrasja e portugezit, 6 në burg e 5 të lirë/ Gjykata e Sarandës lë në qeli autorin e dyshuar, çiftin turk dhe tre kamerierë

21 August 2026 at 21:28

Gjykata e Sarandës ka caktuar masën “arrest me burg” për Sokrat Vatën, autorin e dyshuar të vrasjes së turistit portugez Luis Miguel Varela Mendez, në Ksamil.

Në qeli do të qëndrojnë edhe çifti turk Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu, që e morën në makinë 29-vjeçarin pas krimit.

Viktima, 20 vjeç, humbi jetën si pasojë e disa goditjeve me thikë në pjesën e kraharorit dhe në shpinë.

Pas 10 orësh seancë, gjyqtari Shkëlzen Licaj vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg”, me afat 45 ditë, edhe për Ildi Cekanin, Ervis Buncin dhe Serxhi Selimin, kamarierët e lokalit “Principote”.

Ndërkohë, janë liruar me masën “Detyrim paraqitjeje” efektivi i Policisë së Shtetit Moisid Matushaj, efektivi i Burgut të Fierit Lucjano Seferi dhe efektivi i Policisë Bashkiake të Gjirokastrës Romeo Shehu, të cilët punonin si truproja, si dhe kamarieri Murat Zhabina dhe truproja Kristi Koshi.

Sipas policisë, në orën 05:15 të së martës, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, Sokrat Vata dyshohet se e ka goditur me thikë disa herë turistin portugez.

Po në të njëjtën kohë, edhe David Gjana, 29 vjeç, tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte viktimën.

Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.

Pas krimit, Vata u kap në fshatin Levan të Fierit, në bagazhin e fshehur të një automjeti që drejtohej nga 31-vjeçarja turke, ndërsa pasagjer ishte partneri i saj.

Sipas hetuesve, edhe katër kamarierët e lokalit “Principote”, Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani dhe Murat Zhabina, goditën me grushte 20-vjeçarin.

Gjatë konfliktit, në lokalin “Principote”, katër punonjësit e sigurisë nuk ndërhynë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, si dhe, pas ngjarjes, nuk njoftuan autoritetet e Policisë së Shtetit.

Në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit ishte edhe pronari, shtetasi Bekim Bulica, i cili, pas ngjarjes, u largua duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse. Ai është në kërkim nga policia për ngjarjen./abcnews.al

Operacion antidrogë në Korçë/ Kontrolle në disa banesa, arrestohet një person

21 August 2026 at 20:36

Një operacion antidrogë është zhvilluar në Korçë mbrëmjen e së premtes.

Sipas informacioneve, një operacion po zhvillohet nga policia e juglindjes për goditjen e personave të përfshirë në shitjen e narkotikëve. Deri më tani, mësohet se në pranga ka rënë një person.

Gjatë kontrollit në mjet dhe në banesë, këtij të fundit i janë gjetur doza kokaine, shuma lekësh, armë të ftohta e fishekë.

Operacioni është ende në zhvillim, ndërsa mësohet se po kryhen edhe kontrolle banesash për të dyshuar të tjerë./abcnews.al

FIFA “masakron” Argjentinën/ Vendimet për dhunë në finalen e Botërorit, e pëson “i forti” Paredes

21 August 2026 at 20:15

Një muaj pas finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës dhe dhunës që pasoi ati, FIFA ka vendosur sanksione të rrepta ndaj lojtarëve të skuadrës “Albiceleste”.

Lojtari argjentinas Leandro Pareres është pezulluar për dhjetë ndeshje dhe është gjobitur me 90,000 dollarë për sjellje të dhunshme. Mesfushori u përfshi në një përplasje të ashpër me Gavin dhe disa lojtarë të tjerëgjatë festimeve të skuadrës spanjolle, incident që çoi në përjashtimin e tij nga loja.

Një tjetër argjentinas, Nahuel Molina, u dënua me pezullim për shtatë ndeshje dhe gjobë 90,000 dollarë pasi goditi Rodri ndërsa kapiteni i spanjoll po vraponte drejt shokëve të skuadrës.

Thiago Almada u pezullua për një ndeshje dhe u gjobit me 30,000 dollarë sepse mbajti Gavi ndërsa Paredes e godiste atë.

Një dënim edhe për Roberto Ayala, i cili është pjesë e stafit teknik të Argjentinës, i cili u dënua pezulla për tre ndeshje dhe mori një gjobë 30,000 dollarë për shkak se goditi me grusht Dani Olmo.

Spanjolli i vetëm i penalizuar nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FIFA ishte Gavi. Ai u pezullua një ndeshje dhe duhet të paguajë një gjobë prej 30,000 dollarësh.

Këto sanksione duhet të shlyhen gjatë ndeshjeve të ekipeve përkatëse kombëtare. Me këtë vendim, FIFA mbyll procedurat disiplinore të hapura pas finales të “Botërorit 2026”, duke I dhënë fund një prej momenteve më të diskutueshëm të turneuit./abcnews.al

“Shqipëria, thesari i fshehur i Ballkanit”/ Forbes: Ofron histori, natyrë dhe mikpritje per turistët

21 August 2026 at 19:30

Eksploroni Shqipërinë, një thesar i fshehur në Ballkan. Kjo është këshilla që media prestigjioze ‘Forbes’ i jep udhëtarëve.

Vizitorët që shkelin në brigjet e saj do të gjejnë një vend që kënaq shumë interesa. Historia, kultura dhe natyra bashkohen së bashku. E po ashtu edhe kuzhina, e rrënjosur në autenticitet, do të tërheqë adhuruesit e ushqimit. Për të apasionuarit e historisë, shkruan Forbes, Shqipëria ofron vende të shumta të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si dhe fshatra të mbështjellë me trashëgimi shekullore.

Përtej bregdetit të veçantë, me pamje piktoreske dhe ujëra kristalore, turistët mund të gjejnë edhe shumë më tepër, si Alpet shqiptare me maja madhështore, pyje të gjera, livadhe mahnitëse alpine dhe lumenj.

Veçohet Valbona, e cila konsiderohet si kartolina e Alpeve Shqiptare…”.

Forbes e cilëson shumë të veçantë edhe kuzhinën shqiptare, e cila në jug përqendrohet te vaji i ullirit, perimet dhe prodhimet e detit, ndërsa në veri shërbehen bulmet, bukë misri, turshi dhe gatime të gatuara ngadalë.

Sipas Forbes, vizitorët mund të eksplorojnë, ndër të tjera, qytetet pjesë e UNESCO-s, si Berati apo Gjirokastra, por edhe qytetin e rrethuar me mure të Elbasanit, i njohur për fortesën-kështjellë të shekullit XV; Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë; ose të shëtisin në Pazarin e Vjetër të Krujës, ku shiten gjithçka, nga veshjet tradicionale deri te bizhuteritë e filigranit./abcnews.al

Aksident në autostradën Lushnje-Fier/ Makina përplaset me furgonin, disa të plagosur

21 August 2026 at 19:03

Një aksident ka ndodhur në vendin e quajtur “Pushimi i Shoferit” në autostradën Lushnje-Fier.

Një automjet tip Volkswagen është përplasur me një furgon që transportonte udhëtarë drejt jugut.

Furgoni për të shmangur përplasjen me makinën, ka devijuar dhe është përplasur me barrierat anësore të autostradës. Nga përplasja e fortë janë lënduar disa udhëtarë të furgonit por vetëm dy prej tyre janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Policia ndodhet në vendngjarje për dokumentimin dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

“Hashim Thaçi, burrë shteti i Kosovës/ Martin Leka: 16 shtatori në Hagë do bashkojë të gjithë shqiptarët

21 August 2026 at 18:39

Analisti Martin Leka thotë se Hashim Thaçi është burrë shteti i Kosovës.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Leka u shpreh se 16 shtatori në Hagë, dita kur do jepet vendimi për Thaçin dhe komandantët e tjerë të UÇK, do bëjë bashkë të gjithë shqiptarët.

“Hashim Thaçi ka qenë burrë shteti i Kosovës, nuk mund të tjetërsohet nga asnjë lloj opozite. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, Thaçi ka institucionalizuar aleanca me NATO, BE dhe SHBA, duke sakrifikuar pushtet, për të bërë shtet. Nuk është e lehtë të bindësh një elektorat që ka dalë nga një luftë. Nuk ka qenë e lehtë edhe për një luftëtar si Thaçi, të krijonte bisedime, të ulej në tryezë me serbët. Thaçi ka qenë i dënuar me vdekje nga serbët. Hashim Thaçi mbetet një burrë shteti.

Çështja e 16 shtatorit, ku do të jepet vendimi përfundimtar, është ditë e shënuar. Unë besoj se 16 shtatori i Hagës do të bashkojë të gjithë shqiptarët. Duke besuar në dhënien e pafajësisë zyrtarisht për komandantët e UÇK-së. Nuk mund të mohohet fakti që ai është instrument politik që mund të anashkalohet. Albin Kurti qeveris i qetë që kur Thaçi dhe luftëarët e tjerë ndodhen në Hagë. Unë mendoj se ai i trembet edhe sot rolit dhe mendimit politik të Hashim Thaçit nga Haga”, theksoi ai./abcnews.al

Mickoski në Pustec, pa himnin shqiptar/ Leka: Provokim nga qarqe naconaliste, por nuk ka ndikim

21 August 2026 at 18:36

Në Pustec, protokolli shtetëror i Shqipërisë shkelet me të dyja këmbët. Në një aktivitet festiv folklorik të minoritetit maqedonas, me praninë e vetë kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, u këndua vetëm himni maqedonas, ndërsa himni shqiptar nuk u këndua, ndonëse Pusteci ndodhet në Republikën e Shqipërisë.

Analisti Martin leka thotë se ky është një provokim nga qarqe të errëta dhe nacionaliste, por nuk ka ndikim.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Leka u shpreh se jo gjithmonë duhet krijuar kushte për bashki, për disa pakica.

“Ne duhet të kuptojmë, politika jonë, që jo gjithmonë duhet të krijojmë kushte për disa pakica, kanë qenë, janë, do të jenë pjesë integrale e Republikës së Shqipërisë. Për komunitetin maqedonas, ne kemi bërë atyre nderin e jetës, duke u dhënë bashki. Ta kthesh me këtë monedhë, është për t’u mbajtur shënim. Mendoj që është një provokim nga qarqe të errëta dhe nacionaliste. Nuk ka ndikim, aq është fundi dhe kulmi i asaj që ata mund të bëjnë ndaj Shqipërisë”, theksoi ai./abcnews.al

Zjarret, ministri Nufi nga Mirdita: Situata e vështirë, por flakët nën kontroll. Është evituar rreziku për banesat

21 August 2026 at 18:29

Zjarret vijojnë të mbajnë nën alarm Mirditën, ku situata mbetet e vështirë për shkak të terrenit dhe vatrave të zjarrit.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi nga zona se flakët janë nën kontroll dhe se është evituar rreziku për banesat, ndërsa në terren janë angazhuar strukturat vendore dhe emergjencat civile.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për evidentimin e rasteve nga Policia e Shtetit, me qëllim nxjerrjen para drejtësisë të zjarrvënësve.

Ministri Ermal Nufi: Kemi të bëjmë me një situatë të vështirë në një terren të vështirë, por fatmirësisht flakët janë nën kontroll, janë evituar rreziqet e banesave. Janë të angazhuara të gjitha strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile. U bënë disa ditë që përballeni me situatë zjarresh dhe do të duhet që strukturat e Policisë së Shtetit të evidentojnë rastet për të nxjerrë para drejtësisë zjarrvënësit./abcnews.al

Zjarret/ Kryebashkiaku i Mirditës: Kemi evakuuar banorë. Dom Gjergj Meta: Shqetësues fakti që flakët shkaktohen nga dora e njeriut

21 August 2026 at 18:16

Zjarret vijojnë të jenë problematike në Mirditë, ku situata paraqitet e vështirë për shkak të terrenit dhe përhapjes së flakëve.

Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi, bëri me dije se është dashur edhe evakuimi i banorëve, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve dhe e helikopterëve ka bërë të mundur shmangien e dëmeve në banesa.

Ndërkohë, Dom Gjergj Meta e cilësoi situatën shqetësuese, duke ngritur dyshime se zjarret janë shkaktuar nga dora e njeriut.

Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi: Kjo është situata më e vështirë me zjarret gjatë kësaj periudhe, ku është dashur edhe evakuim banorësh. Fatmirësisht, ndërhyrjet e zjarrfikësve dhe të dy helikopterëve kanë bërë të mundur që të mos ketë dëme në banesa. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur disa zjarre dhe duket se zjarret janë të qëllimshme.

Dom Gjergj Meta: Situata është shqetësuese dhe duket se janë krijuar nga dora e njeriut. Ai apelon për përgjegjshmëri më të lartë, pasi me zjarrvënie të qëllimshme rrezikohen njerëz, prona dhe vetë zjarrvënësit./abcnews.al

Zjarret, 8 vatra aktive/ Katër banesa të djegura në Pukë, evakuohen banorët e rrezikuar në Mirditë

21 August 2026 at 18:08

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 17:00 janë regjistruar 24 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive, 4 nën mbikëqyrje dhe 1 nën kontroll.

Për përballimin e situatës janë angazhuar në nivel kombëtar të paktën 369 forca të strukturave vendore dhe rajonale, të mbështetura nga 270 efektivë të Forcave të Armatosura. Në total, angazhimi arrin në të paktën 639 forca, ndërsa FA mbështesin operacionet edhe me 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Në Gojan–Gjegjan–Tërbun, Pukë, vijon një angazhim i përforcuar me 255 forca dhe 11 mjete zjarrfikëse. Konkretisht, janë angazhuar 50 efektivë MZSH nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra, 14 punonjës të Shërbimit Pyjor, 68 punonjës të shërbimeve vendore, 70 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 53 efektivë të FA-së. Operacioni mbështetet nga 2 helikopterë të FA-së. Situata paraqitet e përmirësuar në sipërfaqet pyjore të Gojanit, në lagjen Meshursh, Gojan i Vogël dhe Gjegjan, ndërsa zjarri vijon të jetë aktiv në drejtim të Gojanit të Vogël dhe zonës së Prozhemit. Situata paraqitet më e rënduar në lagjen Pepaj, Gojan i Madh, ku vatra është afruar pranë banesave. Deri tani raportohen 4 banesa të pabanuara të djegura, ndërsa një banesë e banuar që ishte në rrezik është shpëtuar. Për mbrojtjen e banesave janë dislokuar 5 mjete zjarrfikëse dhe 30 forca ushtarake, ndërsa aktualisht vijon ndërhyrja nga ajri me 1 helikopter.

Në Shtanë, Mirditë, është angazhuar kapaciteti njerëzor dhe logjistik i bashkisë, ndërsa ndërhyrja mbështetet nga 2 helikopterë dhe 2 mjete zjarrfikëse të FA-së. Për shkak të përhapjes së zjarrit dhe rrezikut për banesat, Policia e Shtetit ka kryer evakuimin e banorëve të rrezikuar, ndërsa në zonë është dislokuar edhe një ambulancë.

Në Dukat, Vlorë, vijon operacioni me 2 automjete zjarrfikëse dhe 9 efektivë MZSH, 8 punonjës të pyjores, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 40 efektivë të FA-së. Ndërhyrja nga toka mbështetet nga ajri me 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore. Pavarësisht se vatra ka marrë shtrirje të konsiderueshme në drejtim të malit, aktualisht nuk rrezikohen banesa.

Në Dajt, Tiranë, vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura me 30 efektivë të FA-së, 13 efektivë MZSH, 9 forca të AZM-së dhe 1 helikopter të FA-së. Një pjesë e vatrave janë izoluar plotësisht dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, në Mal Milot, Kurbin, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së 7 efektivëve të MZSH Kurbin, 12 forcave policore, 35 forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të FA-së, me mjete zjarrfikëse dhe mbështetje nga ajri me 1 helikopter të FA-së. Zona tashmë mbahet nën mbikëqyrje.

Turqia lëshoi urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij/ Reagon Netanyahu: Erdogan është diktator antisemit

21 August 2026 at 17:51

Zyra e Benjamin Netanyahu lëshoi ​​një deklaratë të ashpër duke kritikuar ashpër Turqinë dhe presidentin e saj, Rexhep Tajip Erdogan, mes tensioneve në rritje midis dy vendeve për shkak të një sulmi izraelit në Siri dhe lëshimit të një urdhër-arresti nga Turqia sot për kryeministrin izraelit.

Erdogan “tani kërkon të zgjerojë agresionin e tij kundër Izraelit në Siri. Izraeli nuk do ta tolerojë këtë”, thotë Zyra e Kryeministrit në një deklaratë, në përplasjen e fundit midis vendeve pas sulmit të Izraelit në një bazë ajrore siriane për shkak të shqetësimeve izraelite në lidhje me vendosjen e mundshme të trupave turke atje.

Kryeministri ripërsërit akuzat e mëparshme të Izraelit kundër Erdoganit, duke e quajtur atë “një diktator antisemit që ka masakruar kurdët, strehon terroristët e Hamasit, pushton gjysmën e Qipros dhe burgos një numër rekord gazetarësh dhe politikanësh që e kundërshtojnë atë”.

Deklarata vjen disa orë pasi Turqia lëshoi ​​një urdhër arresti ndërkombëtar për Netanyahun, si pjesë e një hetimi mbi kapjen nga Izraeli të një flotilje aktivistësh që shkonte drejt Gazës, shkruan The Times of Israel.

“Përpjekja patetike e Erdoganit për të frikësuar udhëheqësit dhe ushtarët e Izraelit, e vetmja demokraci e vërtetë në Lindjen e Mesme, nuk do të çojë askund”, shtohet në deklaratë.

Në një deklaratë të veçantë në gjuhën hebraike, PMO pohon se “Izraeli do të vazhdojë të veprojë me forcë kundër përpjekjeve të Turqisë për të destabilizuar rajonin dhe kundër çdo kërcënimi për sigurinë e tij”.

Marrëdhëniet turko-izraelite, dikur të ngushta, janë shembur pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023 dhe luftës që pasoi në Gaza./abcnews.al

Presidenti i Iranit: Është koha t’i japim fund luftës me SHBA

21 August 2026 at 17:32

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian deklaroi se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës disamujore me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se Irani ndodhet në një pozitë të favorshme.

“Është më mirë që ta përfundojmë luftën tani, pasi jemi në një pozicion pushteti dhe dinjiteti”, tha Pezeshkian.

Ai pretendoi gjithashtu se “e gjithë bota e pranon fitoren tonë” dhe akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë sulmuar shkolla, spitale dhe infrastrukturën iraniane, duke shkelur, sipas tij, rregullat ndërkombëtare.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Iranit e ka akuzuar Uashingtonin për “terrorizëm ekonomik”, pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan zgjerimin e sanksioneve me synimin për të rritur presionin ndaj Teheranit.

Uashingtoni u ka bërë thirrje edhe qeverive të tjera, përfshirë Kinën, që t’i bashkohen përpjekjeve për të izoluar më tej ekonominë iraniane.

Irani ka qenë prej vitesh nën sanksione të gjera perëndimore, por ka zhvilluar mekanizma për t’i anashkaluar pjesërisht ato. Teherani ka zgjeruar prodhimin vendas, ka përdorur rrjete informale të tregtisë ndërkufitare, ka siguruar mallra të kufizuara përmes vendeve të treta dhe ka shfrytëzuar një flotë në hije për transportin e naftës.

Mirditë, aktivizohen dy vatra të reja zjarri/ Flakët drejt banesave, evakuohen katër familje

21 August 2026 at 17:14

Dy vatra të reja zjarri janë shfaqur pasdite në zonat e Tënës dhe Kodër Rrëshenit ne Bashkinë Mirditë. Flakët u përhapen me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe bimësisë së dendur.

Zjarri është afruar pranë banesave, duke bërë të nevojshme evakuimin e katër familjeve deri tani. Autoritetet po e monitorojnë situatën dhe nuk përjashtohet mundësia e largimit edhe të banorëve të tjerë, nëse flakët vijojnë të afrohen.

Në terren janë forcat zjarrfikëse, strukturat e emergjencave dhe forca të tjera të angazhuara në operacion. Ndërkohë, ka nisur edhe ndërhyrja nga ajri, me synim frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbajtjen nën kontroll të vatrave më problematike.

Puna vijon në terren, ndërsa situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme për të garantuar sigurinë e banorëve./abcnews.al

❌