Normal view

Rama, një udhëtar që preku folenë e grerëzave

4 February 2026 at 23:13

Nga Frrok Çupi

Kryeministri duhej të ishte fshatar i ardhur nga ku ta dish. Siç i kemi pasur dy a tre kryeministra gjatë tre dekadave të fundit dhe të gjithë kryeministrat në periudhën e diktaturës. Enveri nuk quhet kryeministër, ishte më shumë.

Po të ishte Edi Rama një fshatar nga Çorrush apo nga Vicitoli, me siguri nuk do të kishim rënë në këtë rrezik me foletë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Fëmijëve të fshatit, përfshi edhe mua, prindërit u jepnin mësime me rreziqe, çdo mbrëmje. Iu thonin të ruheshin nga shkëmbi, nga hardhuca, nga lumi, nga gjarpri…

Me grerëzat ishte tregimi më i shpeshtë.

“Kur shihni një fole grerëzash në degën e manit, mos e ngacmoni!”

-Do të shikoni një si top i vogël ngjitur në degë. Do të shikoni sikur fle, sikur nuk ka pasur jetë që në fillim; asgjë as hyn as del. Kësaj ruhuni!- porosisnin prindërit.

Foleja e grerëzave është më dinake se foleja e dhelprës dhe se gjarpri . Grerëzat ‘flenë’ gjithë jetën, por edhe asnjëherë nuk flenë. Po e preke (ç’mu kujtua fraza e Berishës ‘po preke gjënë më të vogël, kam snajper në dorë’)… Por po preke në folenë e grerëzave, atëherë ke prekur rrezikun. Dhjetëra grerëza të nxjerrin sytë.

Këtë po përjeton Edi Rama që preku folenë e gjykatësve dhe të prokurorëve. Nuk e dinte përrallën e fshatit, ky është fati i keq. Kryeministrat nga fshati e kanë grirë vendin, me çfarë kishte ky vend. Këtë e kanë arritur duke u bërë miq me grerëzat.

Çfarë bëri Edi Rama, si kryeministër?

Qysh para disa vitesh trokiti në folenë e tyre të pistë dhe iu kërkoi që të pastrohej shtëpia e Drejtësisë. Aty kishte bashkëpunëtorë krimi, vetë kriminelë, vrasës të të drejtës, trafikantë njerëzish, trafikantë e mafiozë të çdo lloji. Më të shumtët njerëz që shisnin e blinin të drejtat njerëzore dhe pasuroheshin për vete.

E gjitha kjo është. Se ata janë të pareformueshëm. O zhvendoset krimi nga foleja, o të riparosh folenë e të lësh krimin brenda- kjo nuk bën. Po ku ta dinte Rama, që nuk kishte idenë e përrallës në fshat.

Ndërsa populli, në shumicë e ka vuajtur prej 30 vjetësh padrejtësinë që i kanë bërë prokurorët dhe gjykatësit.

Reforma që preku rrezikun e bëri këtë duke menduar se foleja ishte një gjë e brishtë thuajse e vdekur. Por kjo ishte vetëm dukja. Brenda folesë, ku hahen miliona të drejta njerëzore, aty ka tension shumë të madh. Aty secili nga gjyqtarët e prokurorët, si grerëza, mbrojnë copën e tyre. Copa është e majme. Njerëzit më të korruptuar të shoqërisë janë këta të Drejtësisë.

Gabimi i dytë i Reformës, që kësaj here nuk erdhi nga fshati, ishte se e goditi folenë e grerëzave. Saliu dhe Iliri qeshën kur e panë, sepse të dy e kishin mësuar në fshat që ‘mos i sulmo, bëhu me ta!’.

Sapo u sulmua foleja e drejtësisë së plepave dhe e korruptuar, atëherë grerëzat u bënë bashkë, të gjithë në sulm kolektiv. Sot kemi dy shoqata gjyqtarësh që kanë vënë përpara Parlamentin dhe Qeverinë e po u kërkojnë haraç gjithë pushtetin. Ose do t’u nxjerrin sytë.

Nuk është aq e thjeshtë puna se “duam rroga sa presidenti i Amerikës”. Jo. Duan gjithë pushtetin; duan gjithë të drejtën njerëzore që ta grinë në folenë e tyre; duan të mos ketë më përralla si Kuvend, Zgjedhje, Qeveri, Ushtri, Siguri.

“Njerëz, këto mbajini për vete- thërrasin grerëzat- Ne duam folenë tonë në degën e manit”.

Koha e fisit të çartun

5 January 2026 at 15:49

Nga Frrok Çupi

A janë të çartun këta që në këto kohë moderne po tentojnë të ngrehin fisin kundër të gjithëve?

Këto kohë, më së shumti po flasim në dialektin geg, edhe kur është edhe kur nuk është nevoja. ‘Çartun’, për shembull, është fjalë që nuk kuptohet në krahinat e Toskërisë, madje as në Shqipërinë e mesme gege.

Ka kuptimin e ‘jashtë kohe’, ose edhe ‘të pa arsyeshmes’. Trimi i çartun është njeriu pa produkt, si fishekzjarrë. A është i çartun vetë fisi, domethënë a është i kapitulluar?

Nuk kam kaluar këto ditë pranë atij pisllëkut që kanë bërë disa trima fisnorë në bulevardin më të madh të Evropës Lindore, ‘Dëshmorët e Kombit’. Por më bën përshtypje lidhja: Njëri është i dikujt, tjetri i dikujt tjetër…, me fise gjenetike ose politike. Dëgjova njërën prej tyre. Mbiemrin e kishte ‘Haklaj’, s’e mbaj mend emrin. Thërriste n’kupë të qiellit se ‘pa rrëzuar Edi Ramën nuk ka liri!’. Mirë kjo, por nga vjen? Çfarë po kërkon si pjesë?

Mbiemri, domethënë fisi, më krijoji asosacione të ngatërruara. Haklaj shfaqet herë kështu e herë ashtu. Haklaj është në Tropojë, një fis i fortë në Kërrnajë. Në një reportazh të prurë nga një dëshmitar nga kulla e famshme Haklaj, shkruhet:

“Dritat janë shuar përgjithmonë dhe kjo e bën akoma më të trishtë atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve të demokracisë me burrat e derës historike!”.

Nga ky fis, që nga maji i vitit 1997, janë vrarë 14 burra, pesë prej të cilëve vëllezër, djem të Muharremit. I kanë djegur kullën dhe u kanë dhunuar varret e të vdekurve. Babai i madh ka marrë rrugën e jeton në Nord të Evropës. Edhe i biri, më i madhi, që mbeti gjallë. E bija, që mbiquhet edhe Shotë, po të njëjtën rrugë ka bërë.

Për tragjedinë e fisit të Haklaj, fillim e fund, është drejtuar gishti nga Sali Berisha. Vetë Saliu e kreu tragjedinë e treguar po për shkak të fisit. Kur mori pushtetin politik, tentoi të marrë edhe pushtetin Fisnor. Por fisi i tij në Tropojë nuk ngrinte peshë. Atëherë i hyri fisit Haklaj dhe e rrënoi.

“Kulla e fisit Haklaj nuk ka dritë”, shkruan reportazhi. Megjithatë dikush, Haklaj, thotë se ka dalë prej asaj kulle e po dëshmohet ‘e çartun’ në bulevardin e Tiranës.

Kulla është ndarë në disa fise. Disa prej tyre janë me Berishën, edhe pse i rrënoi. Një tjetër herë deputet me Berishën, e herë kundër. Një tjetër vjen në bulevard në krah të Lapaj. Vetë Lapaj ka fiisn e vet diku në Jug; gjithë fisin e kishte bërë kandidat për deputet. Një fis të dytë ka vjehrrin, i cili lidhet fillimisht me fisin ‘e Plepave’ ku u rrënua Drejtësia dhe fitoi korrupsioni gjakatar. Herën e fundit mund të hajë prapë fisin Haklaj.

Po t’i shikosh të gjithë në ata dhjetë vetë që zënë bulevardin, të gjithë janë dy a tre fise. Edhe në Partinë e Berishës nga merr lëng pisllëku në bulevard, është me fise. Fisi i Kukësit, fisi i Kosovës, fisi i Hasit, fisi i Brrakës, fisi i Lirisë.

Ideja dhe frymëzimi në politikën e tyre vjen nga fisi; asgjë nga jeta sot, as nga parimet e demokracisë. Shqipëria po ankorohet në Bashkimin Evropian, këta janë me fisin. Brenda fisit, dikush me socialistët, dikush me saliistët, dikush me Llapën. Ku të dalë diçka.

Vetë bulevardi i madh, më i madhi në Europën Lindore, është një urrejtje e tyre. Prandaj edhe e pushtojnë sepse e duan për fisin e tyre. Fiset kur zënë një plaçkë të lavdërueshme, e hanë për vete.

Fisi në Shqipëri dhe në Ballkan është vetë thelbi dhe zemra e Mafies. Xhavier Raufer, një studiues i njohur i Mafies në Ballkan, shkruan se në Shqipëri mafia është një shoqëri sekrete brenda fisit ose familjes. Anëtarët bashkohen me një gangster nga kooptimi familjar. Familja vdes, por ‘familja” vazhdon gjatë.

Ja kështu po e shoh. Një gjë nuk di: Vallë ç’anë do të mbajë Shota e Haklajt që është betuar, në një sens tjetër, për fisin?

Këta me kokrrën e ullirit dolën para pasqyrës

18 December 2025 at 14:21

Deputetet e PD që në mëngjes morën armët e gjahut dhe dolën për kësmet. Kur u afruan sallës së Parlamentit, aty iu ndez gjaku. U erdhi ndërmend ‘Gjahu i Malësorëve’, i Kristoforidhit. Ngjarja është e fillimit të shekullit të kaluar.

Gjahtarët i ngjiten Tomorrit. Nis gjuetia:

“Ty, ty,ty! Ty, ty, ty! (bie trumbet’ e bririt). Ha, ha, ha! (ndërsejnë qentë). Kam kum, kam kum, kam kum! (lehin qentë). Taf tuf! Taf tuf! Taf tuf! (kërcasin pushkët). -Prite, or ti! -Prite! Taf tuf! Qit! Qëllo! Mos e lësho!”.

Deputetët, pas 125 vjet e gjetën veten në të njëjtën pozitë. Po gjuajnë për pushtet. Nisi t’u ndrisë fytyra. E morën qeverinë. Turli prej tyre i vunë ndenjëset në ndenjëset e ministrave dhe u ndjenë njerëz pylli të përkëdhelur.

Edhe një herë tjetër, shumë më fuqishëm, e kishin ndjerë veten në 14 shtator 1998. E morën pushtetin. Pushtuan selinë e qeverisë. Edhe ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Drejtësisë. Morën tanket e Gardës dhe sulmuan ambasadën amerikane.  Harruan arkivolin në shkallët e selisë së qeverisë. Pushtuan selinë e Televizionit Shqiptar. Dhanë lajmin se ‘e morën qeverinë’.

Sot e morën prapë. Disa preje tyre u ulën në ndenjëset e ministrave. Disa të tjerë nuk kuptonin a do të ishin të gjithë ministra apo jo. Dhe rrinin e vështronin. Muli me shokë tërhiqte si kau në parmendë. Me sy andej nga ndenjëset, por s’i dihet cilën ndenjëse kërkonte secili. Bosi i tyre kënaqej me veset e vjetra dhe përkëdhelte dërrasën e foltores. ‘Ah moj virane, të të kisha edhe një herë!?’. Një orë të tërë i foli foltores duke e përkëdhelur si në një ëndërr gjuetie. Të tjerët me zjarre dhe ‘Ham, hum. Ham, hum’.

Në fund, kur e panë veten ‘lakuriq’ u mbërthyen palltosh dhe u zhdukën nga fusha e gjuetisë. PD është një lukuni dhe nuk i dihet në cilin drejtim e merr ana për në gjueti.

Ikën shpejt. Dikush, ndoshta bosi, u bëri me sinjalin e bririt ‘Ty ty! Ikni sa më shpejt”.

Ishte vonë. E kishin ngrënë kokrrën e ullirit. Kishin dalë para pasqyrës. Socialistët, që Arbnori i quante ‘specialistë’, i kishin joshur si pula në kokra misri  për pushtet dhe vjedhje!, dhe i vunë para pasqyrës. Socialistët bënë punën e tyre në sallën e Parlamentit.

Ndërsa këta i treguan botës se ja cilët janë, një lukuni pa tru, pa ligj, pa politikë. Vetëm epshe për ndenjëse. Sikur të mos e kishin ngrënë ullirin, vallë si do të bindej Europa qytetare se ka edhe këtë lloj parlamentarë

I nxorën bojën edhe Drejtësisë Speciale. Drejtësia speciale ka qindra pasqyra si këto, por asnjë herë nuk i ka hetuar as gjykuar. Tani nuk ka më nevojë që SPAK të gjykojë krimin e këtyre; gjykon qytetaria e vendit dhe vetë institucionet e Europës.

Në atë moment kryeministri u ndodh vetëm 100 metra distancë ajrore. Ai bënte gati valixhet për një udhëtim në Europë. Sapo u kthye nga Brukseli, sot në Hagë. Udhëtimi sot ka të bëjë me një gjueti tjetër: Të shihen sy më sy me heronjtë e Çlirimtares së Kosovës, Thaçi e tre të tjerë. Dhe më në fund të bëhet gati kthimi i tyre në atdhe.

Dabëllhanja e Parlamentit paska qenë vetëm një ‘kokërr ulliri’ për PD.

Të paktën na i kurseni dabëllhanet e festave me këta “heronjtë” e rremë

10 December 2025 at 11:08

Nga Frrok Çupi

Dje, në 8 dhjetor, u bë prapë një dabëllhane e shëmtuar kushtuar ditës së Rinisë. Edhe legjislativi shqiptar ka votuar një ligj që e shpall ditën e 8 dhjetorit, për çdo vit, si ditë feste e pushimi. Duket sikur askush në këtë vend nuk pushon as për një kafe dhe duhej një sebep për të mos punuar.

Po çfarë është ndërtesa e Legjislativit tonë ku u shpall festa? Meqë ra fjala.

Në radhë të parë kjo është ndërtesa ku rinia e 8 dhjetorit fitoi dy beteja të mëdha. Beteja e parë, e ditës së pushimit.

Një betejë tjetër, para kësaj, regjistrohet sa herë ‘të bijtë’ e asaj rinie revolucionare vijnë me ura zjarri dhe duan ta djegin Parlamentin e qytetin.

Po vërtet, çfarë është gjithë kjo dabëllhane me rininë 1990?

Disa prej këtyre të rinjve mezi presin të mblidhen në 8 dhjetor, thuajse si në mbrëmjet e maturës. Disa prej tyre mungojnë, disa janë bërë gjyshër, disa kanë harruar çfarë ka ndodhur atë ditë dhe të tjerë ndihen në faj pse e bënë atë që bënë.

Këta ishin të gjithë banorë në qytetin e Studentëve, që i bie se ishin të gjithë të ardhur në Tiranë sa për shkollë e ktheu pas. Kjo ardhje periferike në ‘revolucionin e rinisë’ e bënte të nesërmen e vendit edhe më të shtrembër, të rrezikshme dhe fshatare. Revolucionet fshatare ia kanë bërë të zezën çdo vendi ku kanë ndodhur.

Po që ishin të gjithë ‘bij të Partisë’, sepse të gjithë kishin biografi të mirë mjaftueshëm sa për të studiuar në universitet. Me këtë rast këta po shkelnin mbi nderin që u kishte bërë partia (sipas logjikës së kohës). Por më e dhimbshme se po shkelnin mbi kujdesin dhe investimin e prindërve që i faleshin partisë pse u kishte marrë fëmijët në shkollë. Ata të shkretë mburreshin nëpër fshat se ishin ‘dikushi’.

Kur plasi bomba në Tiranë, në 8 dhjetor, një ditë pas- në datë 9 dhjetor- ja si sot, prindërit e tyre u mblodhën në qytetin e Studentëve dhe i kapën ‘për zhelesh’ fëmijët e tyre direkt për në shtëpi. Kap ça të gjesh!, se jo të gjithë u dolën përpara prindërve.

Ja kaq. Diktatura komuniste ra, sepse ra si kudo. Kur ra diktatura, studentët nuk ishin më në qarkullim. Forca të tmerrshme që prisnin zjarrin e rinisë, këta kapën urët e flakëve dhe dogjën vendin. E dogjën, e shëmtuan, e varfëruan, vranë njerëz më shumë se në Luftën e Dytë, vranë pa ligj, grabitën pasurinë e popullit, shëmtuan edhe fjalën ‘liri’. Në vend të socializmit u ngrit shoqëria e kaosit dhe e dhunës.

Prej 45 vjet nuk po dalim nga ajo baltë e nga ajo e shpifësirë që u krijua.

A e bënë vetë të rinjtë? Të rinjtë e revolucionit as e njohin njëri tjetrin; sot nuk mund të dëshmojnë për ata që u kapën në krime. Por më së shumti, të rinjtë e dhjetorit u terën si vesa e mëngjesit. Shumica, vetë nuk bënë asnjë krim.

Por a do të thotë kjo se nuk morën peshën e kryqit mbi vete?!

Disa prej tyre sot dalin para kamerave me kuptimin “Na shikoni, ne jemi heronjtë”. Këtë të drejtë e kanë vetëm një herë në vit. Shefi i tyre mafioz që e dhunoi vendin, ai nuk i do më. Bën me sy e bën me vetull sa mbaron festa: “Mu zhdukni tani!’.

Po vallë a prapë t’u thuash ‘të pafajshëm’, aq më keq ‘viktima’?!

Jo, ata janë kthyer në njerëz të turmës dhe turma është turbinë e së keqes. Nga rini- në turmë, kjo është fatkeqësi, sikur nuk shkon. Dakord, bosi i të keqes 35 vjeçare është dikush tjetër. Por këta i bëjnë fresk dhe i shkojnë pas atij ‘dushmanit’, siç e thërrasin në Vlorë. E bëjnë këtë si njerëz hiç, si koti, si ‘askush’. Por e liga e askush-it është po aq e keqe sa e liga e prijësit shkatërrimtar.

Atëherë çfarë duhet bërë?

Të paktën të bëhet një resume! Të bëhen pyetje, në radhë të parë secili pyetje vetes. Dhe në fund të ‘gjyqit’ të vendoset se ‘boll me kaq festat për atë vepër të tmerrshme ndaj vendit’. Ndryshe nuk shërohet koha.

Dhe, e dyta çfarë duhet bërë:

Ta lënë mënjanë kurorën e heroizmit dhe të kuptojnë turpin që ndodhi me ‘veprën‘ e tyre këto tre dekada. Ajo sjellje nuk i solli asgjë të mirë vendit. Të paktën t’i kursejnë njerëzit edhe nga dabëllhanet e festave.

Me siguri, Rama do t’i kthejë faqen tjetër Drejtësisë

21 November 2025 at 14:54

Frrok Çupi

As që pritet tjetër gjë. E sigurt se Edi Rama nuk do të sillet si Drejtësia. Edhe kësaj here do t’i manifestojë parimësi, pavarësisht goditjes që i dhanë. Të vjen ndërmend sjellja e disa të urtëve përballë dëmeve që u kanë bërë në familje, tek thonë: ‘Ia lë në dorë Zotit!’’ .

Lordi i Edi Ramës, përballë absurdit, formulën kryesore ka ‘kthe faqen tjetër!’.  Dhe shiko përpara.

Gjithnjë kryeministri ka deklaruar se ‘Drejtësia ka punën e vet, ne tonën. Nuk ndërhyjmë, pranojmë vendimet e Drejtësisë’.

Por kësaj here, më shumë se kurrë, kryeministri i Shqipërisë ‘nga faqja tjetër’ ka një objektiv shumë të lartë. Ka bërë gati gjithçka që Shqipërinë ta ankorojë në Bashkimin Europian, që është ëndrra më e vjetër dhe më e lartë për kombin. Sot BE ka samitin e vet në Tiranë. Para qëllimit të madh kombëtar, Edi Rama me siguri që do të bëjë sikur nuk ndodhi gjë në ‘familjen e tij’. Ndryshe do të kacafytej me prokurorë e gjykatës që sot janë e nesër nuk janë, duke lënë në anë të rrugës qëllimin për në Bashkimin Europian, i cili është fat i përjetshëm.

Me sa duket nuk ka ndërmend, as kësaj here, që t’u japë shkas skeptikëve apo edhe nihilistë nëpër botë që duan të mbajnë si flamur të shkuarën e errët politike e juridike të vendit. Sikur një fjalë, sado të vërtetë, të thotë Edi Rama për padrejtësitë e Drejtësisë, ata andej dhe disa këtu do t’i suleshin: ‘Ja që ndërhyn në Drejtësi’.

Po të ishte në qeverinë belge apo holandeze, sigurisht që kryeministri  do të thoshte të vërtetat hapur për ndërhyrjet e Prokurorit dhe Gjykatësit në qeverisjen e vendit dhe në besimin e sovranit popull. Por jemi këtu, ku sapo tentohet të ngrihet një drejtësi normale. Kryetari i qeverisë është ‘i detyruar’ që të zbusë ose të durojë përbindëshin që rriti vetë’.

Nuk ke ç’i bën, ai tjetri përballë që është agresiv sepse është i dobët, ai do të cingërojë duke thënë ‘Ja, qeveria më preku!’.

Edhe këtë herë do të ndodhë që Edi Rama të kalojë nëpër ngushticat që i kanë krijuar vendimet e padrejta të Drejtësisë, për të çuar mesazhin në Bruksel.

Drejtësia e Re, kësaj here e goditi në krahun e djathtë të tij, në kokën e zëvendës kryeministres. ‘Balluku, pezullohet nga detyra1…’. Ky ishte urdhri. Më parë e kishte goditur te personalitete të tjerë politik të qeverisjes , duke mbërritur deri te kryetari i Bashkisë së kryeqytetit… Drejtësia ka vendosur të bëjë punët e kryeministrit, duke shkarkuar zëvendëskryeministren. Precedenti hap rrugë që të hënën të shkarkojë ministrat. Nga mesi i javës, sipas ‘të drejtës së precedentit’ gjykatësi dhe prokurori do të shkarkojnë presidentin e Republikës. Ndërsa një javë më vonë do të bëjnë sikur Shqipëria nuk ka as popull. ‘E shkarkuam’.

Disa vëzhgues po e quajnë një grusht shteti nga Drejtësia. Të tjerë kanë frikë se po nxiten atavizmat e një Shqipërie të prapambetur kur nuk e kishte mendjen nga Evropa por nga Lindja e Mesme. Të tjerë po flasin për defektet në ndërtimin e ‘Drejtësisë së Re’ si një kullë e vjetër me tunele të nëndheshme që marrin e japin me paratë e vjedhura nga zyrtarët e lartë gjatë këtyre 30 vjetëve.

Ligjvënësi nuk ia preu kanalet e pista ligj zbatuesit.

Sado të skajshme që duken, të gjitha paradigmat kanë baza reale. Përderisa Prokurori shkarkon nga detyra të zgjedhurit dhe të votuarit nga populli. Belinda Balluku, zëvendëskryeministre, është e votuar dy herë: E para nga vetë sovrani për në altarin e mbajtësit të sovranitetit. E dyta, votuar për nënkryetare e qeverisë nga Parlamenti- si mbajtës i sovranitetit.

Megjithatë, Edi Rama, sigurisht do të kalojë nëpër ngushticë pa i lënë ‘të drejtë’ prokurorit që të hedhë edhe baltë, pas gurëve.

Ku janë varret e artistëve?!

23 September 2025 at 16:18

Nga Frrok Çupi

Dje shkoi edhe një aktor dhe regjisor tjetër i madh shqiptar, Enver Petrovci. Ende nuk i ka ardhur ora e varrimit; por se ku do të jetë varri, kjo është edhe një çështje.
Kur Dhimitër Anagnosti, para disa ditësh, la fjalë që ta varrosin në Vuno, mu bë para syve edhe më artist se sa kishte qenë një jetë të tërë. Vunoi është vendi për t’u varrosur, thashë ndër dhëmbë. Anagnosti e ka edhe vendlindje. Por edhe sikur të mos e kishte, Anagnosti do të zgjidhte atë fshat të qetë, të heshtur në mrekullinë e tij, mbi det dhe mbi çdo maskarallëk që krijon njeriu i gjallë.
Do ta zgjidhte Vunon sepse kështu ishte edhe karakteri i tij: Larg banalitetit, afër më të bukurës e më të heshturës që kishte krijuar zoti.

Por ku janë varret e artistëve të tjerë?
Viti 2025 më është dukur si viti që, më shumë se asnjë tjetër, na shkuli lisat e pyllit tonë të botës shpirtërore, na mori artistë të mëdhenj. I fundit ishte Enver Petrovci. Pak para tij, Robert Redford, aktor dhe regjisor i madh. Në momente shumë të vështira ndodhet Bruce Willis. Na ikën artistë të muzikës Garth Hudson, Roberta Flack, Sly Stone, Marianne Faithfull, Rick Derringer, dhe Rick Davies; aktori Terence Stamp dhe kauntautori Arthur Hamilton.

Një pyll i tërë lisash të mëdhenj në jetën tonë, pavarësisht në cilin kontinent. Prandaj më bëhet sikur viti 2025 na dha një kolpo të fuqishme. Edhe disa nga artistët tanë si Anagnosti apo Petrovci, lisa të tillë janë; paçka se jemi një vend i vogël dhe të sapo dalë nga izolimi.

Përveç ‘Idiotit’ të famshëm, për të cilin ishte aktor dhe regjisor, Enveri luajti në filma që i dhanë të drejtën çdo idioti ta ‘varroste’ Enverin për së gjalli. Luajti në “Top je bio vreo”, “The War Is Over”, “Anatema”, “Black Flowers”, “Gorski vijenac”, “Bolji zivot 2”. Një pjesë në gjuhë serbo- kroatisht. Edhe kishte studiuar e ishte formuar si aktor në Beograd; kjo aq më keq. E quajtën tradhtar, e quajtën se ka lavdëruar Milloshevicin, e quajtën antishqiptar. Ky, po, ishte varri që po i bënin gati Enver Petrovcit. Por edhe varri fizik do të ishte një tokë e humbur, ndoshta në një fshehtësi të varrezave në Prishtinë, ku veç gruas dhe djalit, askush tjetër nuk do ta vizitonte. Bekim Fehmiu, një aktor i madh shqiptar, i studiuar në Beograd, i formuar si aktor po në këtë kryeqytet, një ditë u lodh nga ‘varri’ i hapur nga nacionalistët idiotë, dhe ia dha vetes. Amaneti i tij ishte të mos kishte varr; hiri u hodh në urën e Prizrenit dhe shkoi në det. Me këtë urrejtje e shikojnë idiotët edhe Robert De Niron, që e quajnë ‘shqiptar tradhtar’ pse ka ‘ka origjinë shqiptare’, por për zemër ka Beogradin dhe nobelistin Ivo Andric.

Artistëve, po nuk ua bëre ‘varrin’ qysh në të gjallë, marrëdhënia me ta merr kthesa të papritura. Siç mori më Eseninin, mbi varrin e të cilit pas 100 vjetësh hidhen çdo ditë lule të freskëta dhe i kanë ngritur një monument të bardhë. Por nuk është ky lloj varri për të cilin kanë nevojë artistët. Është Panteoni i tyre në të gjallë ku shkojnë jetën pa sulme, pa baltë, pa shpifje, pa sharje. Duhet shtresëzuar dhe sistemuar shoqëria në artistë, të tjerë dhe idiotë…

Enver Petrovci ishte një artist i dimensioneve të tilla që të krijon përqasje pa fund.

Njerëz të idhnuem me atdheun

11 August 2025 at 20:43

Nga Frrok Çupi

Do të ishte më e thjeshtë sikur të kisha përdorur fjalën “hidhëruar” sipas versionit normativ të gjuhës, në vend të gegnishtes “idhnuem”. Mirëpo fjala ‘hidhëruar’ nuk do të kishte prodhuar kuptimin real. “ Të hidhëruar’ me atdheun njerëzit mund të jenë edhe kur u vjen ‘ hidhët’, dmth., u vjen keq për gjëra që nuk shkojnë mirë. Kjo është komplet e kundërta me gjendjen e këtyre njerëzve në qasje me vendin e tyre. Këta janë ‘ të idhnuem’.

Fëmijët e përdorin këtë emocion kur humbin lojën me shokun, ose kur shoku u merr topin, ose kur dikush u bën një gjë të keqe.

Në rastin tonë, kur ‘ të idhnuem me atdheun’, janë së pari ish burra shteti si presidentë republike e kryeministra e ministra…, atëherë kemi të bëjmë me akte të tmerrshme krimi, jo thjesht ‘idhnim’. Kemi të bëmë me aktet e përdorimit të çdo mjeti dhune dhe mashtrimi dhe shpifjeje kundër të vërtetës dhe realitetit. Pse? Vetëm pse populli u mori topin, domethënë pushtetin; ata janë gati ta fusin në zjarr. Madje shuma zjarre që po u vihen maleve, fushave, pyjeve, bregut të detit e buzë qyteteve…, jam i sigurt se i vë dora e këtyre ‘udhëheqësve’ kriminalë.

Kur ‘ të idhnuemit’ si akt ka ndodhur në stinën e dimrit, në mes të ngricave e borës, atëherë këta kanë marrë skuadrat e tritolit dhe të pushkatimit e kanë shembur shtyllat e linjave elektrike. Këtu kemi qenë dhe i kemi parë pa pikën e fuqisë që t’ i çojmë në ‘hapsane’. Edhe kjo fjalë mund të zëvendësohej me fjalën ‘qeli’, por ja që tingëlloka më bukur në të folmen e vjetër… Errësira dhe i ftohti ka mbuluar jetën e viktimave të këtyre.

Ç’të keqe u ka bërë atdheu këtyre njerëzve?

Mirë se të korruptuarve kriminalë u ka prerë duart që të mos vjedhin më pasurinë publike. Kjo tashmë dihet çfarë po ndodh me Drejtësinë e re. Mirë se familjarëve të të korruptuarve u ka treguar vendin dhe sekuestruar pasurinë e grabitur…Këta përbindësha paskan të drejtë të idhnohen dhe t’i venë flakën atdheut, madje mundësisht të djegin edhe ndonjë duzinë njerëz.

Kur nuk kanë mundësinë për urët e zjarrit, atëherë këta përdorin fjalët. Fjalë të ndyra, fjalë të egra, fjalë shpifëse, fjalë të zeza kundër vendit. Ish presidenti i vendit, që po numëron ditët deri në seancën tjetër në Gjykatën Speciale, nxjerr nga sirtarët pamje nga Shqipëria kur ky ishte në krye. “ Ja si është turizmi!, thotë. Ja si është Shqipëria”. Në fakt atë Shqipëri që ndoti ai, nuk mund ta gjejmë as në arkiva; arkivat u dogjën po prej tij. Një gazetë e përditshme, e vetmja e pavarur, u dogj e tëra, me gjithë kompjuterë dhe njerëz, po prej tij.

Gazetarët që kanë mbetur nga djegia, disa i janë bashkuar atij me shpresë se ‘të vrarët dje mund të vrasin dikë sot’, disa i janë bashkuar Irfanit dhe disa kanë marrë një kamera e dalin nëpër Shqipëri: “ Turizmi sivjet ka falimentuar, thonë sa kanë në kokë.- Ky vend nuk mund të ketë turizëm elitar… Nuk ka dyqane ndërkombëtare, nuk vlen ky vend!”

Të tjerë, kur del gënjeshtra me turizmin, kthehen te birra. “ Dy vetë pinë një birrë!’, thanë këto ditë. Turpi më i madh i asaj që është quajtur gazetari prej shekujsh. Po në qoftë se një shishe verë e pinë pesë vetë, kushedi çfarë tragjedie për Shqipërinë e këtyre. Po nëse nën një çadër rrinë tre vetë, a qenka bërë nami në Shqipëri!?. Budallenj që nuk e fshehin dot budallallëkun.

Kur përmendet Europa si aleate e Shqipërisë, këta tërbojnë. Kur Europa thotë se Shqipëria ka bërë hapa të shpejtë ‘ drejt nesh’, këta tërbojnë. Kur Drejtësia ia çon zjarrin te këmbët krimit, këta duan të digjen më parë. Kur bota mahnitet me Shqipërinë që ka ndryshuar dhe është bërë si shoqet perëndimore, këta duan të gjuajnë botën me gurë. Kur populli po është i qetë e në punë, këta i thonë ‘ejani në ferr ku ishim bashkë”.

Çudi e madhe! Ka opozitë kudo, ka media të egra dhe media acide edhe gjetkë, ka shpirtra të këqij dhe psikopatë, ka njerëz që nuk e duan përparimin…, por si këta nuk mendohet. Urtësia hyjnore thotë se “ai që nuk do vendin e tij, familjen e tij, atë që ka afër, ai është i pafe”. Po për vete, këta a mund të mendojnë pakëz?!. Sepse me shpirt të hidhët, me vrer në tru dhe flutura në stomak, këta nuk jetojnë dot të qetë. Këta sëmuren nga ‘të idhnuemit’ ndaj Atdheut dhe ‘vdesin më shpejt’, thotë Frojdi.

Një bidon bosh peshon më shumë se një ligj

31 July 2025 at 15:36

Nga Frrok Çupi

Përditë ju ka ndodhur, dhe përditë keni ikur me frikë. Pse bëjmë sikur ‘haj mo’? Ju ka ndodhur që vini rrotull e rrotull dhe nuk mund të parkoni makinën. Në vendet për parkim të lirë janë vënë bidonë bosh; të gjithë i bien rrotull pallatit por bidonin nuk e prekin.

Edhe policët vijnë vërdallë, por bidonin e mitizojnë.

Në makinat e zeza e të rënda që i vijnë vërdallë bidonit, me siguri brenda tyre ka edhe armë ose drogë. Të zotët e makinave që ulin kokën para bidonit bosh, mbahen për trima. Dhe janë aq trima saqë qëllojnë me armë mbi njerëz; ose janë aq trima sa hyjnë në tregun e tmerrshëm të drogës dhe të përleshen me bandat.

Por jo të prekin bidonin bosh, që është e drejta e ligjshme. Bidoni është i vërtetë, siç mund të jetë një karrige me tre këmbë, ose një thes me inerte, ose një biçikletë që zë hapësirën sa për një makinë…, por në këtë rast po e marrim si balancë me ligjin. Bidoni është gjëja më bosh e gjithë çështjes me ligjin. Anti- ligji respektohet më shumë se ligji.

Kjo është tragjedia.

Çfarë po ndodh tani?

Sapo ka nxjerrë kokën ideja ose drafti për një Kod të ri Penal. Menjëherë u ngritën të gjithë ( më duket se të gjithë) kundër. Drafti thonë se është ‘i shëmtuar’. Po, sigurisht, mund të jetë. Por a na duhet Kodi, sepse ky nuk është ende ‘kod’? A na duhet të kemi ligj, apo të kemi ‘bidon’?, kjo është çështja. Këta nuk duan ligjin, ky është thelbi. Disa vijnë me mendimin se ‘sot bidonin ti, nesër unë’. Domethënë siç ecën për disa dekada pas viteve ’90: ‘Sot e marr këstin te Sudja unë, nesër e merr ti! Bëjmë si bëjmë mes nesh!’. Thonë se atëherë ‘pinim birra gjithë ditën së bashku’. Ose njëri mbjell kanabis e tjetri e tregton; në fund të fundit balancohen. Sot e zë rrugën njëri, nesër e zë tjetri…, në lagjen time ku ndodhen dy rrugë të ngushta paralele, njërën e kanë kthyer në parkim, sepse ‘mjafton njëra rrugë, ç’i do të dyja’. Në ‘Theth’ thonë se ‘do të qeverisen me Kanunin e Lekës’. Sipas Kanunit janë ‘zgjidhur’ hasmëritë: ‘Sot të vras unë, nesër më vret ti!’, me radhë. Hasmit janë njëri këtu, tjetri në Dubai. Të korruptuarit e mëdhenj të vendit nuk paraqiten para Drejtësisë. Ose edhe kur paraqiten, marrin me vete turma njerëzish si mburojë. Këta të mburojës mishtore nuk nënshkruajnë deklaratën se ‘këtë të zezë po ia bëjmë shumicës’. Secili nga zyrtarët e lartë mund të shesë e blejë interesat e vendit, siç ka ndodhur vite të shkuar, por nuk ka ligj. Nuk ka ligj për hapjen e çështjeve të ‘vjetra’ ku janë vrarë qindra e disa mijëra shqiptarë; ku është kryer krimi shtetëror, ku është kryer korrupsion i madh. Prokurori i Përgjithshëm tha se ‘me këtë Kod të ri’ mund të rihapen çështjet e vjetra penale.

Shumica tjetër e ‘njerëzve të ligjit’ thonë se ‘ishim mirë me kodin e vjetër’. Si me bidonin bosh; bidoni mbytet në pluhur por një parking do ta gjesh në rrugë edhe pas një jave. Kodi i vjetër u kthye jo në mur të lartë, por në një ‘gardh me njëmijë vrima’, nga ku kaluan dinozaurët që shkaktuan luftën civile 1997, grusht shteti në vitin 1998, dhunën mbi zgjedhje dhe opozitë- 1996; thyerjen e embargos së OKB për armë dhe naftë; skemat mashtruese piramidale; vrasjet në oborrin e kryeministrisë; djegien e 26 njerëzve në Gërdec; përdorimin e qeverisë si leckë ku fshiheshin b… e familjes së kryeministrisë me 19 kulla… Nëpër këtë gardh ka hyrë e dal fajtori i madh pa u paraqitur asnjë ditë para Drejtësisë.

Me atë kod, pa ligje, e keqja, krimi e korrupsioni i kanë hipur në kokë qytetarisë së vendit.

A vlen më shumë ‘bidoni bosh;’ se sa ligji? Edhe kur ligji është më i fortë, vlen mijëra herë më shumë se vetëgjyqësia. Ku ka ligj, aty ka pafajësi për njeriun. Pse bëjnë sikur tremben të zotët e bidonëve?

Krimbi i Ullirit dhe Robinson Kruzo

3 June 2025 at 12:27

Nga Frrok Çupi

Se çfarë do të ndodhte sikur në drurin e ullirit me të cilin do të krijohet mobilja, të fshihet një krimb. Flutura e vogël do ta hajë pak nga pak derën e garderobës, dhe do ta lërë çiftin pa gjumë disa vjet. Është aq nervozuese ajo gërr-gërr-gërr! E njëjta gjë do të ndodhte me muret e pallatit, edhe sikur 200 metra të jetë. Një masë inerte, baltë a një gjë tjetër, të lihet brenda gjigandit, ai një ditë do të anohej për nga balta.

Kështu do të ndodhë edhe me gjyqin që do të kryesojë gjykatësja Elsa Ulliri ndaj korrupsionit të Berisha &Co.

Gjithë përralla që kemi përpara nis me grupfjalëshin: ‘Se çfarë do të ndodhë?’.

Është e pamundur të mos ndodhë gjë.

Që të mos ndodhë gjëja e keqe, duhet që menjëherë gjykatësja Ulliri të japë dorëheqjen. Rruga pas kësaj është tjetër gjë. Zonjën Ulliri, një gjykatëse e re dhe sigurisht e zonja përderisa është përzgjedhur për në Gjykatë Speciale, që dje kur u hodh shorti i gjyqit të Sali Berishës, e kanë të gjithë në bisedë.

Shkaku i parë i bisedës, që në fakt quhet dyshim ndaj Drejtësisë dhe jo një bisedë dosido, është ky: Gjyqtarja Ulliri është njeri i afërt me deputeten e Berishës, Andia Ulliri, dmth., afër me Berishën. Mirëpo vetëm lidhja e afërt mes Elsa e Andia, nuk është i vetmi shkak pse Elsa duhet të lëshojë armët e të marrë punë tjetër.

Se çfarë do të ndodhte sipas ligjit të procedurës penale?

Po dëgjoj plot njerëz që marrin mbarë e mbrapsht paragrafet, herë 15, herë 16, herë 17. Disa kanë qasje të çuditshme me ligjin; mundësisht e duan që ligji të ketë thënë ‘Elsa, kushërira e Andia, të japë dorëheqjen”. Por nuk lexohet kështu ligji. Ligji është doktrinë, është moral, është kod sjelljeje, jo thjesht shkronjë. Mund të mos jetë fiks që të thotë ‘më mirë shko Elsa!’, por e gjithë fryma ta kërkon këtë. Është njësoj si vjedhja e kalit të bardhë. Fshati ‘Iks’ ishte ngritur më këmbë pse dikush kishte vjedhur kalin. Por një dhëndër i ri u pikas tek po vinte drejt fshatit, hipur mbi kalë të bardhë. ‘Jo, bir,- i tha dikush- zgjidh rrugë tjetër, jo nëpër fshatin Iks’. Djaloshi u krenua dhe i tha se s’mund ta ndalonte. “Nuk të ndaloj, bir, i tha- por në Iks kanë vjedhur mbrëmë kalin e bardhë. E ti mbi kalë të bardhë, kush ta beson!?..

Ligji mund të mos e ndalojë fjalë për fjalë, por Elsa nuk duhet të kalojë nëpër fshatin Iks. Si të thuash nëpër fshatin Nikël. Duhet të japë dorëheqjen.

Se çfarë ndodh pastaj?

O humb o fiton në gjyq Berisha dhe kompania e tij e korruptuar, s’ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që goditet besimi ndaj Drejtësisë. Ky besim me zor po rritet si bebe përballë barbarisë ligjore që ka kryer Sali Berisha. Tani vjen Elsa e thotë ‘do ta mbaj unë kalin e bardhë!’. Nonsens!. Në fund të fundit ky është ligji, dmth., është kuptimi, e drejta e mendjes njerëzore, arsyetimi, morali, përbashkimi…, që të mos kalosh me kalë të bardhë kur një kalë i bardhë është vjedhur në shehër.

Se çfarë ndodh sikur Elsa të ndjekë rrugën e Niklës për në provincën e SPAK? Këtu nisin ‘odise’ të tjera. E para ku u shkon mendja njerëzve është nami i keq i Niklës si fshat me plot krime. Jo se Elsa ka të bëjë, jo, fare. Por për habinë e njerëzve aty ku kishte më shumë krim, aty paska edhe më shumë gjykatës e ligjvënës të shkëlqyer. Pak si paradoks, por i bukur.

Se çfarë ka ndodhur aty?

Aty ka ndodhur krimi i parë kundër një biznesmeni, viti 1995. Abaz Ulliri, gjyshi i vajzave tani në piedestal, është vrarë në kushte misterioze. As sot e kësaj dite nuk është ‘zbardhur’, siç thonë gazetarët e kronikës. A do ta zbardhë mbesa? A do të kthehet kjo në një ‘Giovanni Falcone’- gjykatësi që u vra vetëm 3 vjet para Ullirit? Po e bëri këtë, mbesa do të trazojë Niklën dhe ndoshta Tiranën. Po s’e bëri do t’i thonë ‘po ti nuk e gjykove kohën e Berishës për gjyshin tënd, tani gjykon Berishën?’

Punë e ngatërruar.

Se çfarë ka ndodhur atëherë? Nuk ka ndodhur vetëm vrasja, por edhe afrimi shumë i madh i Berishës me familjen Ulliri. Në ato vite dëgjonim vetëm lajme se ‘Berisha në familjen Ulliri të Niklës’, e përsëritej. Siç edhe në familjen e Azem Hajdarit, e ca të tjerëve. Lidhjet e Berishës me viktimat gjithnjë kanë një prapaskenë. A duhet vallë tani që ‘prapaskenat’ ta gjykojnë të korruptuarin Berisha&Co.

Atëherë Elsa, në vend që të shërbejë keq për Drejtësinë, ka rastin të shërbejë mirë për Drejtësinë. Se në fund të fundit nuk jemi të vetëm në një ishull ku nuk ka gjykatës tjetër, psh., si Robinson Kruzo.

A do të jetë Edi Rama një Ataturk?

9 May 2025 at 15:39

Nga Frrok Çupi

Sëkëlldinë e parë në lidhje me pyetjen që lidh Edi Ramën e Shqipërisë me Qemal Ataturk në Turqi, e ndiejnë ata që e marrin për ‘anapolla’. Sikur këta po e bëjnë Edi Ramën mbret të pashpallur dhe Shqipërinë si Turqinë. Siç u ngatërruan para disa vjetësh me Orhan Pamuk, Nobelist, në Stamboll. Një avokat, pak i pa kultivuar, e paditi shkrimtarin se ‘kishte fyer Ataturkun’. Bëhej fjalë për një fiction me titullin ‘Netët e Murtajës’. Por ai s’e kishte fare fjalën për Ataturkun. Edhe këtu, nxitimi se ‘mos na e bëjnë Ramën mbret’ i përplas shumë njerëz me vetveten.

Siç ka ndodhur aq shpesh në Stambollin e Ataturkut. Turqia kishte nevojë jetike që të ndahej nga e shkuara e mbytur në baltën e kohës, dhe të modernizohej. Duhej elementi më fillestar. Gruaja e Ataturk, që nuk e quante vetëm grua, ishte e para turke që hoqi shaminë e kokës. ‘Çdo gjë që shohim në botë është puna krijuese e grave’, thoshte Ataturk…Nga modernizimi i njeriut të vetëm, deri te reformat kushtetuese.

Ne vijmë nga një periudhë e tmerrshme prapambetjeje dhe gjakmarrjeje. Ligjet e kanuneve u risollën nga qeveria post- komuniste si ‘zgjidhje sulltanate’ me qëllimin: ‘Vrisni veten, por më lini të zhytem’. Këta vinin nga dy epoka të ndërthurura, Feudalizëm dhe Komunizëm dhe zgjodhën më të keqen e të dyjave.

Siç ishin reformat Ataturk që ndoqën periudhën e Tanzimatit.

Mbrëmë në një program televiziv në Tiranë, por edhe nëpër bisedat e llojit të tyre, nga këta po luftojnë kundër Edi Ramës pse paska moton se ‘Shqipëria bëhet anëtare e BE vetëm Edin dhe PS’. Nuk e di pse i dalin përpara si shkëmbinj të vërtetës! Ky nuk është lavdërim, dmth që ‘vetëm me Edin…’, kjo është shumë e thjeshtë. Ata që e kishin vendin në duar e degdisen diku në Lindjen e Mesme dhe kthyen në një ‘tortë 500 metra katrorë’ mu në shesh që e rrëmbenin ‘zulutë’ me kova. ‘Inshallah’ ka humbur ajo video se nuk kemi ku dalim para botës.

Me Edi Ramën Shqipëria ka mbërritur deri në portat e mëdha të kështjellës Europiane. Sikur të kthehet ky, atëherë aty bëhet baltë ‘arnaut’ dhe shansi humb përjetë. Siç nuk do të dukej shansi i Turqisë si Republikë e re, pa një shtet kombëtar, laik dhe modern, me plot ndryshime politike, ligjore, fetare, kulturore, sociale dhe ekonomike, të hartuara dhe të zbatuara nga prijësi i Revolucionit.

Në Tiranë, duket se dy trokitje moderne po u gjëmojnë ende në veshë atyre që nuk e duan Republikën si Republikë moderne: Shteti Bektashi dhe Reforma në Drejtësi! Ndërsa me Turizmin si gjënë që njihej vetëm në zakonet parapolitike si ‘bujrum në konak’, thuajse po pajtohen. 11 milionë turistë në vit dhe një ekonomi e trefishuar në qeverisjen e Edi Ramës. Ne duhet, në të gjitha rrethanat, thoshte Ataturk- t’i japim rëndësinë më të lartë ekonomisë kombëtare. Shteti i Ataturk e filloi modernizimin me Reformën e Drejtësisë, modernizimin e Kushtetutës.

Kur e pyetën se ‘a vetëm ti e bën Turqinë moderne?’, Ataturk u përgjigj:

“Janë dy Mustafa Qemalë. Njëri, Mustafa Qemali prej mishi dhe gjaku, i cili tani qëndron para jush dhe i cili do të ndërrojë jetë. Tjetri jeni ju, të gjithë ju këtu që do të shkoni në skajet më të largëta të tokës sonë për të përhapur idealet që duhet të mbrohen me jetën tuaj nëse është e nevojshme. Unë mbështes ëndrrat e kombit dhe puna e jetës sime është t’i bëj ato realitet”.

Kur Edi Rama tha përsëri dje në mesnatë në një televizion se ‘vetëm me Edin dhe PS’ Shqipëria hynë në Bashkimin Europian, ata rreth tij u ngritën pupthi si avokati mendjepaktë në Stamboll kundër Nobelistit se ‘na fyeve flamurin’. Edhe Edi Rama iu tha qartë: ‘ Më ngadalë, po them ‘Unë dhe Partia Socialiste’, dmth ‘të gjithë ju’, ajo shumicë qytetare që është lëshuar shesheve dhe parqeve drejt pikës së fundit të rrugës për në BE. Domethënë për në Qytetërimin e vetëm modern.

Pak a shumë si në epokën kur modernizohej Turqia dhe lëvizte kryeqytetin nga Stambolli në Ankara.

Njëshi, send i kotë!

10 April 2025 at 13:30

Nga Frrok Çupi

Vladimir Majakovski, gjeorgjiani i famshëm, poet e artist, dramaturg e aktor…, këto fjalë i shkroi para një shekulli, aty nga 1917. Po vinte Lenini. Poeti shkroi se kur je i vetëm, je asgjë. ‘Njëshi zero e fyll/ Njëshi send i kotë…’.

Instinkti ‘revolucionar’, jo kultura- me siguri, e çoi një Lëvizje politike revolucionarë të Tiranës drejt instinktit të ‘Njëshit’. Fillimisht e nxiti numri ‘1’ që doli nga shorti i zgjedhjeve. Që në atë moment, kryetari i kësaj partie, ngriti dy gishtat, shpartalloi shpatullat, i dha hapit një dimension si në pushtimin e selisë së PD në 8 janar 2022, dhe thërriti: ‘Jemi 1’.
E zhvilloi më tej e tha se ‘Fati na dha të drejtë të jemi 1’.

-Sepse jemi Njësha!- u tha gazetarëve në zyrën e ndërtuar nga Enver Hoxha dhe të pushtuar me zjarr e me hekur nga Sali Berisha.

Ky ishte Njëshi i fillesës. E di ai se numri është një gjë bosh, por merr e jep me ‘luftëtarët’ e tij të marrë. Ata nuk dinë asgjë nga çfarë ka në kokë lideri. Në kërkim të përforcimit të numrit ‘1’, i erdhi rasti të gjente edhe dy ‘Njësha’ të tjerë. Data 11. Mori vendim, krejt i vetëm, Njësh:

-Në ditën 11 të prillit hapim fushatën elektorale të partisë sonë revolucionare!, deklaroi.

Në 11 Maj mbahen zgjedhjet e përgjithshme në vend. Shansi i ’11 Prillit’, për Sali Berishën është ‘fake’. Erdhi rasti që diktatorit t’i bënte një homazh, të paktën. Por prapë edhe ai nuk ndodhet mbi tokë. Në 11 Prill 1985 ka vdekur Enver Hoxha, një datë që shumica absolute e popullit nuk e kujton. Por Sali Berisha e ktheu në kujtesë, madje i dha edhe vlerat e një manifestimi politik në shoqërinë pluraliste.

Prapë një kotësi, si ‘Njëshi send i kotë’

Kryetari Partisë ‘1’ është i vetmi që ka mbetur i gjallë, që e ka të lidhur ekzistencën sa me jetën edhe me vdekjen e Enver Hoxhës. Sa ishte në jetë diktatori, Saliu gjente çaste romantike të diktatorit dhe shkëmbente lëvdata, ‘lëvdue qoftë i madhi zot!’. Një meshë në kohë bosh e të ndaluar. Edhe kjo njësh e ‘send i kotë’. Ditën që Enveri shkoi n’at jetë, Saliu u dend në lot: Ku do të gjente një punë si ajo, një shërbim ndaj një kolosi si Enveri.

Ishte data 11.

Ja ku jemi në ‘Njësh- llëkun’ si një send i kotë:

Partia numër 1, shpalli se do të bëjë Shqipërinë ‘Njësh, Madhështore’. Kurrkush nuk mori vesh çfarë do të thotë, dhe fjala madhështore mbeti vetëm. Filluan ta thërrasin ‘Saliu madhështori’. Madhështorja do të bëhej nga një Njësh. Njëshi i parë u soll nga Amerika: ‘La Civita është Njësh!’, tha Berisha. Njëshi do të ndërtonte Shqipërinë me ushtarë zero. Por që atë ditë, një muaj e ca, La Civita ka humbur, bosh, send i kotë.

Pastaj Partia- 1, shpalli programin konservator:

Dinjitetin:

Sa tha këtë fjalë, aty u shfaqen pisllëqet e zgjedhjeve dhe ham- hamet brenda Partisë. Pa pikë dinjiteti. Nisën vjedhjet e shoqi- shoqit, dolën vilat, pazaret, vrasjet. U kujtua edhe kryetari i parë, me arkivolin e tij thyen dyert e selisë së qeverisë. Po ku përdoret i vdekuri i çekiç, ky është dinjitet?!

Familjen!, thanë

Po ç’familje? Një baba, kryetar i partisë 1, i ka shtyrë fëmijët që të sulen si ‘këlyshë’ dhe të vjedhin. Vidh djali, vidh vajza, vidh dhëndëri, vidh gruaja. Babai vidh por edhe vrit. Familja është non- grata në Amerikë dhe në Angli. Kjo është ‘njësh e send i kotë’.

Atdheun e kemi Njësh:

Sapo e tha, edhe në dhè të huaj i doli përpara Beleri. Një anëtar i lëvizjeve terroriste anti- shqiptare greke, i dënuar për vrasjen e ushtarakëve shqiptarë dhe për përdhosje të nderit të atdheut të shqiptarëve. Kombi! Pastaj i doli zonja Bakojanis me të cilin kishin lënë një fjalë. ‘Ku ma ke detin që më fale, Sali?”. Aty shfaqen skenat kur Saliu me të tijtë dogji fabrika, uzina, shkolla institucione… Mbeti zero, as Njësh. Për Atdheun dhe kombin lidhi besë e naftë me kasapin e shqiptarëve, Milloshevic.. Atdheu i doli send i kotë.

Zotin!, thanë:

Zoti u shfaq nga lart një natë të turbullt, pak më lart se kati i tetë i pallatit dhe tundi gishtin: ‘Mos ma ndot emrin se ta rroposa katin tënd!’.

Njëshi si fiksim.

Pse thjesht madhështore?!

12 March 2025 at 15:48

Nga Frrok Çupi

Diçka më shumë!? Jo?

Mund të mos e quanin ‘madhështore’, por me një etiketë tjetër; nëse donin të ishin afër me origjinalin. Origjinali është nga fjala ‘Great!’ e gjuhës angleze. Presidenti Donald Trump, ka dy mandate që fjalën ‘Great e ka vënë në ballë të fushatës; madje jo vetëm të fushatës, por në gjithë fushën  qeverisëse. Kjo është ‘Make America Great Again’. ‘Dhe këta duan ta kopjojnë sloganin për tu servilosur te Trump.

Këta pse nuk e morën ‘coppy paste’ prej vetë presidentit ‘të adhuruar’?

Ja ta shikojmë si do të tingëllonte:

‘Make Albania Great Again!’. Por në vend të fjalëve në anglisht, këta e përkthejnë në gjuhen e vendit, duke e bërë vetëm ‘Shqipëria madhështore”. Duket se kanë frikë nga dy fjalë të vetme, nga ‘Great’- E madhe”, dhe ‘Again- Përsëri’.

Si ta bëjnë Shqipërinë ‘madhështore përsëri!’?. Këta në jetën e tyre nuk bënë asgjë të mirë, e jomë madhështore.  Cilës epokë i referohen me ‘përsëri’? Vitit 1997 kur vetë këta i vunë flakën vendit dhe shkatërruan gjithçka. Shqipëria u vu në shtetrrethim, për të parën herë pas pushtimit Nazist. Në qytet nuk dilje dot për të blerë bukën…, e ku kishte dyqan të hapur! Në Tiranë vërtiteshin natën dy makina blina të vetëm në rrugët e qytetit të vdekur. Ca sy që hapnin pak perdet për të gjetur shpresë te makinat blinde. Në Vlorë pritej bombardimi i urave dhe asfiksimi i njerëzve nga shteti. Në Gjirokastër e Sarandë po ashtu. Në Kuçovë ishin djegur policët të gjallë. Agjentura e presidentit vrau dhe dogji tre shikas në Vlorë me qëllim që të digjte dokumentet dëshmi që mbanin ata. Në Bulqizë e në Has ishin rekrutuar ushtarët e parë vullnetarë që do të luftonin kundër popullsisë së Jugut për të shpëtuar pushtetin e presidentit. Lista e të dënuarve me vdekje nga stafi i presidentit ishte e gjatë; kopja e fundit u dogj në Ministrinë e Mbrojtjes. Plani ishte që në lumin Shkumbin të vihej kufiri; ata të Jugut nuk do të ishin më shqiptarë të të gjithë Shqipërisë.

A kjo, vallë, të quhej madhështore ‘përsëri Shqipërinë e vitit 1997’?

Apo të quajnë ‘përsëri madhështore’  Shqipërinë e tankeve në oborrin e Partisë si në filmin me ‘Plakun Mere’ që mbante topin në plevicë?. Kjo ka ndodhur dy herë, një me plevicën në fshatin Arapi i Poshtëm në Luftën e Dytë, e një herë tjetër me plakun e PD, 1998. Tani nuk mund të thonë Shqipërinë ‘madhështore përsëri’. Si, si atëherë?

As ‘përsëri’ si në vitin 2012, kur gatuan një tortë  prej 550 metra katrorë dhe ndollën gjithë të uriturit në sheshin e Tiranës dhe i mori bota si turp shqiptar. ‘Përsëri’ atë Shqipëri madhështore?… Apo baltën, apo krupën, apo vrasjet, apo vjedhjet, apo poshtërsitë e tyre sheshit?… Këtë të quajnë ‘përsëri madhështore’? Edhe zogjtë e malit do të iknin larg.

Prandaj nuk e kopjuan titullin e Trumpit fiks siç është: ‘Të madhe Përsëri….”. Se çne përsëri? Por edhe fjalën ‘Të madhe’ këta nuk e thonë dot. Jo vetëm pse nuk e duan Shqipërinë e madhe, por e luftojnë. E luftuan gjatë kohës së Rambujesë, gjatë kohës kur bëhej Kosova, gjatë kohës kur shitën detin për Greqinë, kur vranë ushtarakët ne kufi bashkë me Belerin, kur bëjnë thirrje histerike në mediat e botës se ‘Shqipëria nuk duhet t’ia afrohet Bashkimit Evropian’. Këta janë armiq të egër të mirësisë së vendit tonë.

Edhe në adaptimin e një slogani aq të largët, këta dështuan. Nuk e thonë dot siç e thotë ai Amerikani: ‘Abania Great Again’. Por i vijnë rrotull si skutha: ‘Shqipëri madhështore!’. Çfarë është kjo? Asgjë. Fjala boshe ‘madhështore’, e pamatshme dhe rapsodike, tregon veç mashtrim. E konsumuar në epokën e diktaturës kur buçiste që në mëngjes fjala ‘madhështore’ edhe për ‘raftin me pasqyrë’, e pavërtetë si shpifje e këtyre.

Më në fund, slogani ‘Shqipëri madhështore’ ka një hendek të madh që mund t’i fundosë autorët. Është kopjuar nga slogani i Donald Trump, por ai me këtë koncept ‘madhështor’ nuk kupton asgjë. Ka për ta kaluar pa u marrë vesh; kjo është njëra. Por edhe po e mori vesh Amerikani, do të kërkojë: ”Ku është gjetja ime ‘Great Again’?’. Ai do të tërbojë. Këta e kanë bërë veç si servilizëm të thellë ndaj tij, por ai do t’u fryjë.

As këtyre s’u plasi për ‘Shqipëri madhështore’, por ai atje mund të lëvizë vetëm një gisht kundër këtyre që shëmtojnë edhe sloganin amerikan.

Alibia Veliaj: O jemi në dy kopje, o s’jemi!

17 February 2025 at 13:48

Nga Frrok Çupi

Pse e krijoji këtë alibi monstër prokurori i SPAK, Ols Dado? Prokurori, që në faqen e parë të akuzës, përcaktoi identitetin ligjor të viktimës së tij. Identiteti i Erion Veliaj është vulosur si ‘i dënuar’.

Domethënë Erion Veliaj është dënuar nga gjykata e shkallës së parë të?…. ( Kjo nuk gjendet). ‘I dënuar për krimin?… ( As ky nuk ekziston). I dënuar në gjykata jashtë vendit, apo kur ishte në adoleshencë?… (Edhe kjo zero)… Asgjë tjetër nuk gjendet, veçse ‘i dënuar’.

Çfarë prezumohet se ndodh pas kësaj?

Pas kësaj çështja Erion Veliaj dërgohet në gjykatë ku do të gjykohet.., për çfarë? Ekspertët e  hetimit dhe të gjykimit, në një zë janë edhe kundërshtarë politik, po thonë se në  dosjen prej qindra faqesh nuk ka asnjë provë fajësie, asnjë argument ligjor, asnjë të vërtetë të provuar se zoti Veliaj ka kryer korrupsion. Megjithatë ndaj tij do të nisin pyetjet:

Emri?…

Ditëlindja?…

Arsimi?…

Gjendja gjyqësore?: “I dënuar!’

-Jo! jam i padënuar.

Këtu ndërpritet seanca gjyqësore. Alibia është shpallur botërisht si ‘prova përcaktuese për çështjen përfundimtare të fajësisë ose pafajësisë’. Alibia ‘i dënuar’ e prokurorit bie dhe menjëherë klienti gjyqësor lihet i lirë…;  dhe çfarë pastaj?

Nëse prokuroria  ka vërtetë indicie se një qytetar me emrin Erion Veliaj ka kryer korrupsion, atëherë që në këtë moment SPAK dhe BKH vihen në kërkim të personit ‘Erion Veliaj… i dënuar’, sipas Dados. SPAK bëri përpjekjen e parë shkresore duke e kërkuar në evidencat ligjore, por Policia e Shtetit tha ‘nuk ekziston i dënuari Erion Veliaj’. Ky i dosjes së prokurorit Dado nuk është ai.

Dado si prokuror, e krijoji qëllimshëm alibinë monstër ndaj Veliajt. Por çfarë e tërhoqi në mëkatin e madh ligjor?

I pari instinkti, jo prova:

Dado punoi me instinkt dhe jo me prova ligjore. Instinkti i thotë se ‘do të të bëj atë që nuk ta bën njeri!’, bazuar mbi motive të ulëta. Motivi i parë, hakmarrja se kryetari i Bashkisë, Veliaj, është faktikisht dëshmitar se si Dado ndërton pallate pa i deklaruar, në shkelje të ligjit duke qenë prokuror i SPAK. E dyta se Dado si prokuror kërkonte privilegje jashtëgjyqësore, por nuk i mori. Atëherë  nisi instinkti t’i punojë kundër ‘dhënësit’ të munguar.

E dyta, lufta me çdo mjet:

Prokurori ka në dorë vetëm mjete ligjore. Mjetet ligjore nuk garantojnë ‘sukses’ për Ols Dadon. Atëherë nis vizatime, njësoj si në një nga dhomat e Psikiatrikut. Vizatohet gruaja e Erion Veliajt si një depo e ‘Gabit’ ku ka grumbulluar mijëra fustane. Bulshit!. Të vjen rëndë se si njerëz të etur për ‘sa më shumë’, vizatojnë veten te tjetri; Olsi do të donte jo vetëm fustane, por pallate ose privilegje të tjerë. Kreu edhe vizatimin e babait të Ajolës, bir i një shkrimtari të madh në shqip. Atë e vizatoi sikur nuk kishte qenë kurrë në shtëpinë e tij, por shtëpinë ia kishte okupuar dhëndri ende pa u bërë dhëndër (Erion Veliaj) me lodrat e fëmijës në formë takesh. Një përzierje fobish dhe obsesionesh alias Berisha që quajti të vrarët e tij të 21 janarit si ‘të vrarë me çadra me helm’.

E treta, ‘histeria e mbrojtjes’, sipas Frojd.

Pacientja më e re e Frojd, vajza D., kërkonte të shpëtonte nga makthi. Ajo kishte lexuar në gazetë se ‘disa persona ishin burgosur pse ishin kapur në larje parash’. Vajza e lidhi veten paralel me ata autorë krimi. Iu bë se çdo letër ishte kartëmonedhë e ‘pastruar’. Atëherë nisi të grisë çdo gazetë, libër, revistë, pecetë…, për të shpëtuar. Ols Dado ka bërë të njëjtën gjë, veçse në kundra sens: Ky mbledh letra, letra pa fund për të krijuar makthin ‘Veliaj’ në një dosje prej 400 faqe. Edhe kundërshtarët po thonë se është një dosje bosh nga provat’. Dëshira e frikshme e tij e ka bërë që Erion Veliajn ta vulosë si ‘i dënuar’, ende pa u bërë gjyqi. Si pacientja e Frojdit.

Dëshmitarët që e panë gjithë skenën deri më sot nuk e shikojnë Erion Veliaj në alibinë ‘i dënuar’. Atëherë bie. Ose të gjithë ne jemi në dy kopje: Njëra i dënuar, tjetra- i padënuar; njëra negro, tjetra bjond.

SPAK e ka vendin në kazermë, jo në politikë

13 February 2025 at 16:07

Nga Frrok Çupi,

SPAK po tenton të marrë në dorë votën qytetare

Çfarë do të jetë SPAK: Parti politike, OSBE, Juntë, apo ‘deus ex machina’ që zbret nga qielli dhe na rregullon kurrizin të gjithëve?

Them, çfarë do të jetë që sot e pastaj, përveçse Prokurori e Posaçme nën kontrollin e ligjit?

Sot shefi i SPAK, Dumani, u shfaq për mediat në zyrën e Komisonerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe shpalosi planin ‘që të ketë prani aktive në terren për të monitoruar nga afër situatën tre muaj para zgjedhjeve dhe deri në përfundim të procesit të numërimit. Për këtë qëllim, do të krijohen mekanizma të dedikuar për të garantuar raportime të menjëhershme dhe ndërhyrje të shpejta në rastet kur evidentohen shkelje’.

Kështu thuhet në njoftim.

Merret vesh se SPAK lë zyrën e vet në rrugën ‘Don Bosko, dhe vjen pranë selisë së PS për të zënë edhe vendin e KQZ. Më e qartë është kjo: SPAK po krijon një ‘Task- Forcë’ për të kontrolluar zgjedhjet. Sapo ka pastruar terrenin nga një kundërshtar i fortë politik në Bashkinë e Tiranës, dhe është betuar se ‘do t’u shkrijmë’, SPAK ngre çadrën e vet në betejën për marrjen e pushtetit.

Plani është shumë i rrezikshëm për thyerjen e Kushtetutës, për paqen, qytetarinë dhe lirinë e votës.

Rreziku i parë, Task- Forca:

Pse u dashka sot kjo krijesë misterioze? Sipas fjalorit, Task- Force është ‘një forcë e armatosur e organizuar për një operacion special’. Çfarë ka ndodhur në vendin tonë që Prokuroria e Posaçme të heqë veladonin dhe të hyjë në luftë me çdo armë për të zotëruar mekanizmin e parë të demokracisë- votën? Shqiptarët nuk dinë asgjë se ‘paska ndodhur një gjëmë’. SPAK po tenton t’i dëshmojë Botës se ‘Shqipëria nuk ka zgjedhje të lira’, prandaj duhet një Juntë (SPAK) që t’i vihet në krye popullit ‘ i cili nuk di të votojë’.

Rreziku i dytë i Task- Forcë:

SPAK ka hyrë në betejë për të korrigjuar historinë. Historia është se shpartallimi i votës dhe përgjakja e opozitës ka ndodhur në maj 1996, nën duart e Sali Berishës. Që atëherë është bërë një luftë civile ku janë vrarë mijëra qytetarë (po nën duart e Sali Berishës); që atëherë është kryer një grusht shteti (nga Saliu përsëri); që atëherë kryesuesja e OSBA/ ODIHR e ka braktisur procesin e  Tiranës duke deklaruar se ‘nën Berishë nuk mund të ketë zgjedhje të lira’; që atëherë iu desh përpjekje titanike këtij populli, qeverisur nga PS, për t’u ngritur si qytetare dhe afruar kaq shumë me Europën. SPAK, me këtë ‘Task’ i bën me sy Berishës dhe i jep ‘besën me ty’; njëkohësisht fshin historinë më të re me qëllim që ta shkruajë vetë SPAK. A për këtë e deshëm këtë krijesë, a?

Rreziku i tretë, rreziku i shtypjes së tjetrit:

Ja skema më e thjeshtë: Këta militantët e SPAK, çfarë do të jenë? Policë? Policë të SPAK me uniformë tjetër? Vullnetarë si brigadat e kuqe? Civilë me një vijë të rruar në kokë?…Çfarë? Sipas njoftimit në media dhënë nga Dumani, këta do të jenë shumë, do të mbulojnë gjithë Shqipërinë. Po çfarë do të bëjnë përveç detyrës që kanë të tjerët? Të tjerët janë ata të KQZ, sipas ligjit; komisionerët, sipas ligjit? Monitoruesit e regjistruar sipas ligjit? Pjesëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri, po sipas ligjit?

Këta të SPAK çfarë janë? Do të mbivendosen mbi të gjithë të tjerët? Apo do të venë vulën në mënyrë klandestine mbi votimet?

Rreziku i katërt: Ku do të instalohen këta ‘policë të frikshëm’?

Në fillim, të them pse duhen frikësuar votuesit ditën e zgjedhjeve? Prani të tilla e bëjnë ditën të zezë; po pse vallë? Nëse instalohen afër qendrës së votimit do të duken si ‘qen roje’ të dikujt që nuk dihet ende. Ose do të urdhërojnë dikë që të votojnë për ‘X forcë’. Ose SPAK po bën ushtrimore se si do të kthehet në Parti Politike.

Përfundimisht, ç’punë ka SPAK me ndërhyrjen në votimet?

SPAK ka një vend tjetër. E pyeta mikun tim Niazi Jaho, profesori im, jurist i shquar, bashkëpunëtor i Instituteve të Drejtësisë në Europë…

“Po, më tha profesori. SPAK ka një vend atë ditë, e ka vendin në zyrën e vet. Të mbyllet në zyrë dhe të bëjë punën e tij. Puna e SPAK është që të hetojë menjëherë çdo indicie për krim elektoral; menjëherë nëse ndodh. Kaq”.

SPAK e ka vendin në kazermë, jo në politikë./abcnews.al

Rreziku që vjen nga burgu i Erion Veliaj

11 February 2025 at 15:59

Nga Frrok Çupi,

Gjithmonë në këtë botë ekziston një fije e hollë mes të mirë dhe të keqes. Kjo, shumë herë, hollohet aq shumë, por kurrë nuk është këputur, e mira reziston. Njerëzimi, bash për këtë arsye, jeton dhe përpiqet për ‘fijen’. Këtu, në Shqipëri, sa herë e kemi pasur jetën të varur në atë fije dhe kemi qenë duke rënë në greminat e mos ekzistencës.

Kur nuk u këput ajo fije edhe në luftën e marsit të vitit 1997, them se nuk ka për t’u këputur kurrë më. Po binim e do të mbyteshim në lumenjtë e  gjakut që një njeri- Sali Berisha, kishte derdhur. U deshën vetëm dy njerëz të thjeshtë, Ardian Elezi dhe Agron Dajçi që ta mbanin fijen të pa këputur përballë rrezikut. Të dy ishin aviatorë të aviacionit ushtarak shtetëror dhe të dy u urdhëruan nga shteti që të ngarkonin armët kimike dhe të qëllonin mbi popullin e Vlorës, me shpresën se poshtë avionit do të vdisnin të gjithë si milingonat. Armët i ngarkuan, por i dorëzuan në shtetin fqinj.

A nuk ishte kjo fija e fundit?!

Me burgun e Erion Veliajt po provokohet kjo fije, fija mes të mirës dhe të keqes. Të shikojmë a do të ketë ‘pilotë lufte’ që ta shpëtojnë edhe kësaj here?

E shikon që sapo bën prekjen e të keqes, të vijnë të gjalla krimet e asaj lufte! Asnjë prej tyre nuk është dënuar deri më sot. Rreziku që vjen pas burgimit të Veliajt është ky: Do të lulëzojë e keqja që e zhyti vendin tonë në skëterrën më të rëndë të historisë, ndërsa të gjithë të tjerët do të dënohen. Drejtësia po refuzon t’i gjykojë, aq më pak t’i dënojë. Sali Berisha dhe të tijtë nuk dënohen, kjo është beteja e Drejtësisë. Këtu e mbyllim kapakun se do të kemi ndonjëherë Drejtësi, në daç paguaj SPAK, në daç shpreso te Reforma. Këtu këputet fija jonë dhe forcohet fija e të keqes.

Çfarë bëri Reforma? Më duket se ‘fëmijët’ kanë ndërtuar një lodër që po shpërthen si minë për të drejtën e çdo qelize në vend. Naivët e maxhorancës politike u ngopën me fjalët ‘pavarësi’ dhe ‘paanësi’. Atëherë gjykatës e prokurorë thanë: ‘ Ok, tani ejani te lali, t’ua tregojmë pavarësinë!’.

Ata, të pa varurit, bënë siç dinë vetë: Pranga kujtdo që tenton të bëjë të mira për vendin; pas pak kohe mund t’u vënë prangat të katër aeroporteve të vendit. Në anën e naivëve, ku rri populli, rrëmbyen privilegjet dhe lavdinë, ndërsa në anën e ‘katalanit’ marrin përfitime monetare dhe kamxhik. Mazokizmi ka bërë fole. E keqja e pathyeshme e drejtësisë buron nga ‘plepat’ që do të thotë zhytje e drejtësisë në krim. Qeveria ka frikë të flasë një fjalë me ‘krijesën e vet’ që është Reforma. Ministria e Drejtësisë bën ‘budallain’ dhe merret veç me burgjet.

Drejtësia e ‘reformuar’ është një këlysh që fle te këmbët e Berishës. As nuhatja për para nuk i zgjoi prokurorët, që të ngriheshin, të sekuestrojnë kontratën mes Berishës dhe lobistit LaCivita, ku fshihen dhjetëra miliona dollarë. Këto janë paratë e popullit, por Drejtësia ngop të keqen kundër të mirës.

Po, edhe gruaja e Erion Veliajt akuzohet për një milionë euro të bëra ‘tym’ në dyqanet e modës. Vetë Erioni po përflitet për tre a gjashtë a gjashtëmbëdhjetën vila. Në rregull, mund të jenë të vërteta. Por pse u dashkan mbyllur në burg pa gjykuar asgjë?! Madje edhe pasi të gjykohen e të dalin të korruptuar, Drejtësia nuk i heq fëmijës një nënë të re dhe Tiranës kryetarin që e ndërtoi kryeqytetin, pastroi menderet dhe pisllëqet e  lëna nga bota e të keqes. A nuk mund të prisni që të mos asfiksoni kryeqytetin, o njerëz të pa drejtë?!

Apo që të na asfiksoni të gjithëve në një qytet që vetëm ju dhe Saliu e projektoni? Do të këputet fija dhe do të na mbysë e keqja, siç e kanë nisur këta.

Erioni do të paguajë, padyshim! Askush nuk po kërkon tjetër gjë. Por deri më sot nuk e shohim çfarë; sot në mëngjes unë pashë punëtorë të pastrimit që grindeshin mes tyre njësoj si gjyqtarë e prokurorë: Ata që e donin qytetin dhe ata që i hidhnin plehra… Erioni do të paguajë, ka plot kohë, nuk ka mbërritur as në gjysmën e jetës. Ndërsa Berisha që hapi varre e mbolli dhimbje pa fund në këtë vend, nuk ka më kohë; ai po kërkon një qoshe ku të bëjë pi-pi-në e fundit mbi mermerin e varreve. Ai po ikën pa paguar çfarë shkatërroi 30 vjet. Kur do të paguajë?

Vallë, ç’është kjo pyetje?. Drejtësia nuk e shikon të keqen. Atëherë pse pyet, vallë? Le të këputet fija!, thonë mjeshtrit./abcnews.al

Presidenti po jeton në 12 metra

31 January 2025 at 12:32

Frrok Çupi

Paska dhënë një intervistë nga qelia dhe duket se ka tronditur shumëkënd. Të mahnitur mbetën sidomos disa gazetarë të sapo ardhur në redaksi…, dhe disa pak të tjerë të shtirur rreth Partisë. ‘Presidenti Meta jeton në 12 metra katror!’. Ky ishte lajmi.

Në atë sipërfaqe, pa dyshim, kanë kaluar jetën qindra të tjerë që nga ‘koha e Italisë’ kur u ndërtua burgu; qindra të tjerë janë sot fqinjë të Metës.

Por emocionin e shkakton lajmi se ‘Meta jeton në 12 metra’.

Nuk ka asnjë çudi, edhe pse duket si akt mazokist i të vegjëlve që ndodhen jashtë qelisë. Ky është vetëm një aspekt fluid i fenomenit që ka nisur të endet si pëlhurë edhe në vendin tonë.

Fenomeni është ky:

Mafia shqiptare ka nisur të bëjë historinë. ‘Ka nisur të bëjë’ historinë, them se vetëm tani po bën gjurmë, po lë shenja, po shkakton vragë.., këto shenja do të ngurosen për shekuj. Sa kohë e gjatë do të kalojë, por qelia numër 5 e burgut 313 në Tiranë, do të muroset me emrin ‘qelia e Presidentit Meta’.

Po ndodhin surprizat që në botë kanë nisur të ndodhin para ca shekujsh e deri më sot.

Fryma e re e ndëshkimit të të pandëshkueshmëve, të cilët tashmë po i shikojmë tek përpëliten në ‘tavën’ e Drejtësisë; kjo frymë kaq e mirëpritur, do të instalojë edhe gjurmët e para të Mafias. Vila e Metës në Lalëz, edhe pasi të përdoret si burg për azmatikët, zor se do të quhet më ‘vila e 9 maceve’, por ‘vila e Metës’. Edhe vila e Berishës, po ashtu. A mos vallë kur të thërritet ‘Rruga e mafies Berisha’, në vend që të quhet ‘Mustafa Matohiti’, njerëzit do të ndiejnë keqardhje apo ndonjë pikë kënaqësie estetike? Nuk i dihet, varet cilët do të mbeten të lidhur me atë ‘vragë’ rruge.

Veçse një gjë është e vërtetë: Këta emra që do të jenë gjurmë fillestare të Mafies gdhendur në mure, këta do të ngjallin kureshtjen njerëzore.

Ka dy arsye, ashtu si edhe në botë, pse do të ngjallin kureshtjen:

E para, se do të kthehen në atraksione dhe në ‘tripe kulturorë’. Edhe urrejtësit më të mëdhenj të mafiozëve të caktuar, pa asnjë hezitim do të ftojnë turistët: ‘Ejani, shikoni vilat e Lalëzit, këto janë të dy presidentëve në njëherë e një kohë’.

Edhe pse shumë qenie të vogla mafioze do të tentojnë t’u ngjajnë paraardhësve si të pasur. Ata mbahen në mendje, jo filozofët as humanistët. Pse vallë në Itali kujtohet më kollaj emri ‘Ndragheta’ se sa Falcone…, ose Aldo Moro?.

E dyta, emri ‘Mustafa Matohiti’ do të shuhet nga rruga; jo pse vetë djaloshi partizan i Luftës së Dytë, po të ishte gjallë do të gërditej nga banori mafioz që ka shtëpinë aty… Por sepse vetë Mafia është në një luftë të egër me idhujt e tjerë, sidomos me vlerat e lirisë së popujve.

Ja pse deri më sot nuk ka mbetur asnjë gjurmë ‘mafioze’ nga koha e Enver Hoxhës, edhe pse ishte diktator, edhe pse ka shumë njerëz që e mallkojnë edhe sot e kësaj dite. Por nuk kishte mafie. Madje edhe fëmijët e tyre, ditën e fundit, mbetën pa strehë. (Meqë ra fjala, sa vila kanë nëpër botë këta fëmijët e mafiozëve që tani po lënë puplat?)

Prandaj ka vlerë, edhe pse duket në detaj, ai emocioni gazetarëve kur intervistuan Metën: ‘Uau, presidenti në 12 metra!’. Mahniten. Mahniten sepse është fillimi i muzealizimit të Mafies në vendin tonë. Ashtu siç vizitohen me ‘veneracion’ vilat e El Chapo Gusman, Toto Rinos, Al Capones, Pablo Escobar…

Kur e vizitova Alkatrazin në San Francisco, ca vite më parë, nuk mund t’i besoja pamjes në portretet e miqve të mi. Bëheshim disa gazetarë nga Europa. Ishte edhe ftohtë e motit, por më acar vinte nga historia e shkëmbit Yerba Buena, që tani i gjithë 20 hektar ishull quhet Albatraz. Aty ishte burgosur Al Capone, një nga gangsterët mafiozë më të egër të të gjithë kohërave. Vijnë aty mijëra vizitorë përmes Golden Gate Bridge. Ndërsa kujtimi i frikshëm i mafiozit, ‘zot i shkëmbit’, ka mbetur i përjetshëm nën ato llamarina të vjetra…

Ne këtu, sapo e kemi nisur ‘Mafia Trip’.

 

Mot i keq, apo bukuri e zorshme?!

15 January 2025 at 13:30

Nga Frrok Çupi

Nga njëra bisedë në tjetrën e nga njëra medie në tjetrën, dëgjoj ‘Mot i keq…, mot i keq’.

Këto ditë ishte vërtet dimër me borë e me acar. Mot i keq(!). Kë fyejmë kështu, zotin që na e solli, veten që s’e duam apo prapë veten tonë që nuk jemi të zot’t ta shijojmë  atë bukuri pa shoqe?. Duhet hequr nga fjalori ‘moti i keq’. Unë për vete bëra sa munda kudo ku mund të vija dorë në korrigjimin e fjalëve ‘mot i keq’.

Veç pse është mot i freskët dhe e pasur me oksigjen, plus adrenalinë.

Si nuk e pyesim një herë veten: Vallë njerëzit jetojnë më mirë në zonat e ngrohta të botës apo në veriun  e ftohtë?! A janë më të lumtur atje apo atje? Sillni parasysh kontinente dhe rajone, Afrika apo Lindja e Mesme…

Mandej një pyetje shumë më e afërt: Pse vallë Donald Trump, ‘president i botës’,  siç po e quajnë, ia ka ngulur syrin Groenlandës në veri të Globit, e akullt, e bardhë, e ftohtë…

A thua për të jetuar keq e më keq e do njeriu Veriun e ftohtë?

Ose pyesim: Pse vallë fëmijët mezi presin të bjerë borë? Apo pse nuk janë bërë akoma dembelë?

Sigurisht, veriu i ftohtë nuk të sjell vetvetiu lumturinë. Madje kërkon më shumë energji.

Jo vetëm se hapësira është e ftohtë dhe për këtë arsye është edhe ‘plot lumturi’, por pse njeriu atje i bën pyetje vetes, mandej jo vetëm pyetje. Njeriu atje, që ndoshta nuk e ka zgjedhur, ka mësuar prej mësimeve të vetë natyrës ku banon.

Aty ka borë, aty ka akull, aty ka stuhi… Prandaj aty njeriu ngre shtëpi të forta, të ngrohta, me dritare të hapëta në maksimum, me oborre të gjëra, me veshje të shëndetshme, me madhështinë e sporteve e të gjuetisë.

Kjo është jeta e njeriut; këtë ka zgjedhur të bëjë përballë natyrës dhe jo të zgjedhë natyrën ‘e lehtë’. Njeriu përballë natyrës së fortë, apo ‘të zorshme’, bëhet i fortë dhe i gëzohet cilësisë.

Për ne që jetojmë në këtë zonë ‘të bekuar nga zoti’, Shqipëria apo gjithë Mesdheu, studiues të klimës dhe të mënyrë së jetesës kanë thënë se ‘këto janë domosdoshmërisht të banuara nga këta popuj’.

Pse nga këta njerëz, domosdoshmërisht si edhe ne?

Sepse e kemi bërë pyetjen ndryshe nga ata të ‘Groenlandës’. Ne i kemi thënë natyrës: ‘A je kaq e butë dhe kaq e lehtë? Atëherë edhe unë- njeriu do të të jetoj lehtësisht’. Njeriu, jo vetëm në fushat, por edhe në malet tona, e ndërton shtëpinë pa sistem ngrohjeje, oborrin e shtëpisë e zë dimri pa drutë e zjarrit, tubacionet e ujit ose janë aq të hollë saqë rrjedhin pikë- pikë, ose gjithë historinë e ujit ia besojnë një burimi ca kilometra larg. E pastaj njeriu- natyrisht do ta quajë dimrin me borë një ‘mot i keq’. Atëherë do të marrë një dorë plaçka e do të strehohet në një vrimë diku në qytet. Menjëherë pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur u zhvlerësua ‘leja e banimit’, mijëra njerëz u zhvendosën nga zonat malore dhe u ngulën rrotull Tiranës ose Durrësit, në më të shumtën e rasteve në zona ku veshja më e rëndësishme u bënë çizmet e gjata për baltën e zonës së ‘lehtë’.

Pak nga pak njerëzit e ulin sqimën për jetën.

Njeriu është mësuar të mos e përballojë ‘bukurinë e zorshme’ atje ku jetojnë tradicionalisht njerëz të fortë, lordë dhe tolstojanë. Nuk po them aq lart!, por të paktën mos e quajmë ‘mot i keq’.

Bukuria përgjatë gjithë kohëve ka qenë ‘e zorshme’. /abcnews.al

Pse Sali Berisha u vjen rrotull burgjeve?

11 January 2025 at 14:19

Nga Frrok Çupi

Të thuash se e bën për t’i dhënë vetes gajrete epike, kjo edhe mund të merret si e mirëqenë..

Epike? Po ja, si në një luftë të një shekulli e gjysmë më herët, kur ‘heroi’ idolatronte me zërat e natës, me flamuj apo me varre. Si për shembull, Jakup Ferri, ose më saktë kali i Jakup Ferrit… Jakup Ferri (1832 – 4 dhjetor 1879) ishte një luftëtar dhe lider shqiptar i Lidhjes së Prizrenit që luftoi në Plavë e Guci dhe u vra në përpjekje me ushtrinë e Malit të Zi. Kali çfarë bëri? Legjenda trillon sikur kali e ngriti mbi jele kufomën e të zot’t dhe nisi t’i vinte rrotull varrezës së fshatit. Sot e kësaj dite ka mbetur jehona e veprës së kalit në këngën ‘Jakup Ferri mor ku je!…’. Shtëpia e Saliut ndodhet vetëm një mal larg varrezave të Jakup Ferrit… Nuk ka dyshim se folklori ndikon në rrugëtimin që ka nisur Berisha rrotull burgjeve.

Të thuash se ka një asosacion mes varrezave atëherë me burgjet sot, padyshim që ka.

Sot nuk janë në modë këngët e varrit, sot janë në modë heroizmat e burgjeve; me ‘burgje politike’ dhe me ‘diktaturë’ tentojnë t’i mashtrojnë njerëzit ‘atavistë’. Saliu u ngrit në mëngjes para dy ditësh dhe iu drejtua burgut të Fierit. ( Në një imazh si kali i Jakup Ferrit). Nuk i interesonte aspak nëse aty brenda do të ishte Salijanji apo çfarëdo Sali- Ane tjetër. Nuk e vërejtët një moment kur ky urdhëron Mulin të mbajë distancë dhe Saliu mori pamje pikëlluese, si hije pak e shtrembër dhe i kërrusur. Kjo ishte pjesa epike, por edhe motiv prej varrimi. Një herë më parë,  ka qenë 8 Janari 2022, Saliu i ka ‘varrosur’ të tijtë: Salianj, Dumë, Bardh, Bashë, Gjek, Gjuk, Vuk…, të gjithë pinjollët e tij politik. 8 Janar është dita e kobshme e sulmit me çdo armë për të vrarë në selinë e PD këdo që ishte aty. Tani Saliu, këta i di të vdekur dhe iu shkon t’i verifikojë në burgje. Çdonjëri prej tyre ka të hapura çështje për në burg.

Pse u vjen rrotull burgjeve Sali Berisha? Për të kuptuar se ku do të jetë familja e tij nesër?…

Të thuash se është penduar për çfarë ka bërë me gjithë familje, kjo nuk ndodh. Të thuash se familja e mori në qafë!, as kjo nuk mund të jetë. Por që po e kupton se krimi i tij është edhe krim familjar edhe shtetëror, kjo nuk ka dyshim. Familja dhe qeveria e Berishës janë konsideruar si një ‘grup i organizuar kriminal’. Britania e Madhe, që e kishte quajtur ‘gangster’ në vitin 1997,  sapo e ka quajtur kryesues të krimit të organizuar. Tani janë ngushtuar kohët. E bija, Argita, pardje doli nga dyert e hetuesisë së SPAK duke turfulluar, tamam si i ati. Domethënë se e ka afër dënimin. Burri i saj ndodhet nën arrest e pritet vendimi gjyqësor. Babai i saj, po i pandehur. I vëllai shumë afër dënimit të ashpër, aq të ashpër sa dënohet dikush që vret 26 vetë duke i djegur të gjallë… Saliu hyn e del në derën e Gjykatës Speciale Kundër Krimit edhe për të ngulitur në kujtesë ku do të jenë familja dhe ai vetë nesër ‘sa pa gdhirë’.

Të thuash se u shkon rrotull burgjeve edhe për arsye lirike e jo vetëm epike!…., si ta kuptosh këtë.

Në burgun e Fierit, sigurisht mund të gjenden detaje lirizmi; por ku tjetër, vallë. Se, mirë, mund të thuhet se te Salijanji i burgut të Fierit ka shkuar për ‘të fituar Gridën!’. Për ta fituar si anë mediatike, domethënë, si monitoruese televizive. Po për këtë pse Saliu do t’i shtrinte dorën Salijanjit; Grida e ka dorën vetë të shtrirë…. Atëherë, i bie që lirizmi i Berishës manifestohet, thuajse në mënyrë histerike, kur i vijnë ca militantë në derë e gjykatës sa herë thërritet ky për të bërë apelin para gavetës:

-I pandehuri Sali Ramë Berisha!

– Këtu!

Ilir Meta mbeti jetim

7 January 2025 at 15:54

Frrok Çupi

Andej nga përtej lagjes së Brrakës  sot nisi të përhapej lajmi që në mëngjes se ‘një i burgosur është paraqitur në sportelin e  takimeve, por askush nuk i erdhi’.

Kurrë nuk ka ndodhur kjo më parë. Vetë Ilir Meta, ish president i Republikës, tani banor i burgut 313, e mohoi lajmin duke shkruar se ‘nuk është e vërtetë, nuk kam dalë ende, do të dal në ora 10.00 ‘

As në ora 10.00 nuk u duk njeri te porta.

Megjithëse tani Ilir Meta nuk ka as portë. Nuk quhen porta hyrja dhe dalja e tunelit. Djaloshi nga Skrapari tani ruhet si hipopotami në Afrikë, kafsha e egër që sulmon edhe luanët. Kur ishte mbi tunel, Ilir Meta pat deklaruar se ‘i bie të fortit’, bash si hipopotami. Sot, për shkak të rreziqeve që paraqet, u detyrua të bëjë rrugën në tunel nga burgu për në SPAK.

Por prapë nuk mund të thuash se ka një derë. Ndryshe dikush do ta kishte parë, aq më tepër pse qindra sy ishin shqyer drejt tij. Vetë sytë e Saliut, në radhë të parë. Dje Saliu u shfaq në SPAK bashkë me nja njëzet militantë shqyes. Budallenjtë nuk kuptuan se shefi i tyre nuk kishte mendje politike as mendje për ta, ai po hulumtonte ku ndodhet tuneli.

Sigurisht as te Meta nuk kishte pikë mendjeje. Ish presidenti ka të vetmin avantazh që e provoi tunelin para Sali Berishës.

As Monika, gruaja e pathyeshme, nuk pyeti nëse ka apo nuk ka Metë.

Gjithë dita sot, një ditë si tavan plumbi ku varej shiu pa shi, dha sinjalet e ‘të burgosurit jetim’.

Djali pa askënd. Gjithçka pa një gjë: Shiu pa shi; Saliu pa interes politik por vetëm tunelik; burgu pa derë; tuneli pa dalje; Monika pa burrë dhe Iliri pa grua…, pa babë e pa nënë.

Më parë i kishte thënë vetes se gjithë jetën do të pinte dy nëna.

Ishte një kohë e begatë kur vërtet ‘pinte’ dy nëna:

Sa Monikën aq edhe Fatimen. Jo me ndonjë të keq pezhorativ, por vërtet. Presidenti dilte nga zyra- një godinë me dy nëna, fillimisht Rusia e pastaj Kina. Me makina të rënda i drejtohej dy shtëpive, fillimisht në Bllok e pastaj në Kodra e Diellit nga iu ngulit edhe asosacioni ‘Kodra e Kuqe e Vojos’. Edhe po nuk ishte Monika, me patjetër ndodhej Fatimja si zonjë madhe e shtëpisë që i mëkonte Ilirit edhe qumësht blete.

Deri te nënat fizike kishte bërë rrugë të gjatë bashkë me dy nënat virtuale. Që djalosh mjekër padirsur mori në dorë politikë në dy parti: Njëra PS dhe tjetra PD. Mes tyre që atëherë ndërtoi një tunel virtual: Nga PS merrte e çonte informacione fshehur për Berishën. Derisa burgosën Fatos Nanon dhe morën pushtetin në vitin 2005.

Sot nuk kishte asnjërën nga të dyja.

As popullin e 2 Marsit nuk  e ka më; as shqiponjën me dy krerë që valëviste nëpër duar mes bulevardit. Popullin e PD ia kishte huajtur Saliu, ndërsa titullin ‘2 marsi’ i Kuvendit të Lezhës ia kishte gjetur vetë si sinjal se Lezhën po e gllabëronte bashkë me Monikën. Tani u ndanë me gjithsej.

Asnjë sorrë nuk u duk andej nga gryka e tunelit.

As dronët në Malin me Gropa nuk u ulën. Të paktën të ishin ata, edhe aq larg, mjafton që ‘dëshmori i Amerikës’ të thërriste për therrorizëm.

As vetë Partia e Lirisë nuk u duk gjëkundi. Të paktën njëri ose njëra prej tyre të kishte dalë për trenin ‘në grykën e tunelit’. Por nuk ishte tren, ishte vetëm një i burgosur që tani nuk u duhet më. Vetëm një tip, me mbiemrin Blush, vërtitet rreth lëmit ku digjen shanse dhe mjekra.

I burgosuri ka mbetur vetëm.

Për të qarë me llahinga.

Dy vizitorë të përhershëm në SPAK do të kthehen shpesh në skenën e krimit: Monika e Saliu. Saliu nuk vjen për Metën, nuk vjen as për politikë; Saliu vjen për të parë tunelin nga ku hyn e del Meta.

Domethënë Saliu nesër.

Një zgjidhje për Jozin, Tanin e Tutin që nuk duan dënimin e Berishës

5 January 2025 at 10:52

Nga Frrok Çupi

Jozi u shfaq dje në publik, menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, më e mbushur se kurrë. ‘Dje kemi qenë dëshmitarë të një tjetër vendimi politik nga sistemi i drejtësisë: detyrimi për paraqitje ndaj Sali Berishës, liderit të opozitës’, ligjëroi Jozi.

Sipas saj asnjë petale nuk duhet ta prekë Sali Berishën, as pse ky ka kryer dhjetëra krime të rënda ndaj jetës së njeriut dhe ndaj interesave të vendit, që mund të paketohen që nga ‘korrupsion dhe sulme kundër drejtësisë’, te krime kundër njerëzimit dhe lojë e rrezikshme shtetërore në dëm të interesave të vendit.

Në rregull, le të mos e ngasin!

Edhe deri më sot kështu ka ndodhur. Sali Berisha (shpesh edhe Jozi së bashku me të) e kanë shaluar popullin shqiptar dhe tani po i vijnë rrotull që t’ i hipin prapë në qafë. Ligji e ka thërritur në apel Berishën, deri tani të paktën për korrupsionin e klubit Partizani, pas pak për 21 Janarin ku kreu krim shtetëror me katër të vrarë, vjedhjet në CEZ/DIA, vrasjen makabre të 26 njerëzve në Gërdec, etj. Pardje nuk ndodhi asgjë e madhe. Gjykatësi Engert Pëllumbi vendosi që Berisha, i pandehur për krimin e korrupsionit, të paraqitet në Prokurori dy herë në muaj. Mund edhe ta kishte mbyllur ne qeli…, por zgjodhi ta martojë me atë që i kishin propozuar në fillim: Detyrim paraqitjeje.

Jozi kërceu, ‘ do të bahet qameti me më dënu Salinë’.

Po cila është Jozi? Ky është emri i shkurtër; ndërsa i gjati është Jozefina Topalli. Kur ishte kryetare e Kuvendit, diplomatët e huaj në Tiranë e thërrisnin “Jozepina”, ndoshta për asosacion me Josephine de Beauharnais, gruaja e parë e Imperatorit Bonapart i Parë. Në fakt ata talleshin. Jozefina ka deklaruar edhe në ekrane televizive se për Berishën ‘duhet me ju dhanë plumb ballit’ kundërshtarëve. Kjo deri te kjo zgjidhje vjen.

Po Tani cili është?

Tritan Shehu paralajmëroi dje se ‘ këta do të na dënojnë liderin…’, por për të mos lejuar ndëshkimin e Berishës “çohuni në këmbë të përmbysim regjimin”. Në fakt, Tritani e gjeti zgjidhjen se si shpëtohet Berisha dhe çdo shkelës ligji, i madh ose i vogël, nga dënimi para Drejtësisë.

Por ta rimarrim më vonë zgjidhjen exelente të Tritanit, që mund të jetë edhe zgjidhja e vetme.

Po cili është Tritan Shehu?

Ka vite që mbahet me zor nëpër degët e kalbura të PD, por prapë është deputet në Gjirokastër ku nuk e do njeri. Më parë ka qenë shuma i fuqishëm rreth Berishës. Ka arritur deri postin e lartë të Drejtorit të madh të Firmës ‘Shqiponja’, ku u mblodhën paratë e mijëra tonë naftë ilegale që kalonin çdo ditë nga Shqipëria për të Milloshevici, kur bota e kishte izoluar ‘kasapin e Ballkanit’. Se ku shkuan ato para që peshoheshin me tone, këtë e dinë xhepat e Tritanit dhe Saliut.

Në këtë krim të përbashkët janë ende të lidhur Saliu dhe Tritani.

Ndërsa ‘Tuti’  është një emër që përfaqëson këdo që i vihet kundër Drejtësisë për hir të Saliut; këta Tuti janë disa si personazhe në filma. Unë kam njohur burra në Tiranë me këtë emër, por le ta marrim edhe si ‘ Tutti’- të gjithë ata…

Po pse zgjidhja e Tritanit është exellente dhe e vetme?

Ai thotë se duhet ‘rrëzuar regjimi” që të shpëtojë Saliu.

Po, është e vërtetë: Veç po të rrëzohet regjimi i qeverisjes me ligje, dmth demokracia, atëherë as Saliun as Salinjtë nuk i kap dot njeri.

Si rrëzohet ky regjim? Rrëzohet siç Berisha (edhe Tritani në Lushnjë), rrëzuan shtetin në vitin 1997. Nga marsi 97 shteti shqiptar nuk kishte zyra policie, nuk kishte ushtri shqiptare, nuk kishte prokurori, nuk kishte gjykata, nuk kishte ligje… Kjo ka vazhduar gjatë sepse Saliu e rrënoi shtetin që në rrënjë…

Po të kthehet kjo zgjidhje, dmth., rrëzimi i regjimit të ligjit, atëherë Berisha mund të ngrejë trekëmbësh në mes të Tiranës për kundërshtarët, por jo për vete.

Edhe një zgjidhje tjetër, po sipas Tritanit: ‘Të rrëzohet regjimi’.

Kjo do të nënkuptonte edhe kthimin e ‘ regjimit të bedelëve’, sipas ligjeve të Otomanisë. Kjo do të thotë që dikush të dalë si bedel dhe të bëjë burgun për Sali Berishën. Kjo është më e thjeshta, por edhe më e mira, sipas Tritanit. Rrethe rrotull në PD, me siguri ka plot nga ata që mund të dalin bedel e të ndëshkohen për Berishën. Paguhen bedelët, madje fort mirë. Këta të Saliut kanë edhe shumë para, pasuri të paligjshme pa fund. Në vend që të paguajnë mijëra njerëz siç po bëjnë, avokatë e media, shtete e lobues…, këta më mirë të paguajnë disa bedelë që bëjnë burgun e Berishës.

Rrugë tjetër nuk ka.

Nuk ka asnjë mundësi tjetër. Krimin e kryer do ta paguajë o Berisha o Bedeli. Sepse krimet e kryera duhen paguar. Nuk ka krim që e mbulon toka, aq më shuma që populli i ka para syve. Duhen paguar pronat e vjedhura, njerëzit e vrarë para selisë së qeverisë, njerëzit e djegur në furrat e familjes Berisha, duhen paguar edhe krime të tjera monstruoze që me sa duket po presin në sirtarët e Drejtësisë.

Krimet janë sheshit dhe po presin të shpaguhen me ligj. Ndryshe nuk ka asnjë mënyrë tjetër: O të rrëzojnë shtetin siç e kanë bërë, o të sjellin otomaninë me regjimin e bedelëve.

❌