Normal view

“Është shkelur ligji ndërkombëtar”/ Minxhozi për luftën në Iran: Faktor, dosja Epstein dhe korrupsioni i Netanyahut

By: Rovena
5 March 2026 at 20:31

Analisti Skënder Minxhozi tha se përplasja mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po zhvillohet në kundërshtim me parimet e ligjit ndërkombëtar dhe rrezikon të ketë pasoja të gjera politike dhe ekonomike. I ftuar në emisionin “Real Story”, ai komentoi zhvillimet e fundit të konfliktit, i cili sot shënon ditën e gjashtë nga sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, ku sipas raportimeve u vra edhe lideri suprem iranian, Ali Khamenei.

Minxhozi theksoi se eliminimi i kreut të një shteti përbën një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe se një reagim nga ana e Iranit është i pritshëm, duke pasur parasysh edhe arsenalin e madh të raketave balistike që zotëron vendi. Sipas tij, deklaratat e SHBA-së se lufta mund të zgjasë vetëm 3–4 javë lidhen edhe me kapacitetet e kufizuara prodhuese të armëve, ndërsa paralelisht konflikti po shkakton pasoja ekonomike, duke reflektuar në rritjen e çmimit të karburanteve dhe të mallrave të konsumit.

Analisti shtoi se efektet e krizës po ndihen edhe në Shqipëri, ku sipas tij tashmë kanë nisur rritjet e çmimeve të naftës, çka pritet të përkthehet në shtrenjtim të përgjithshëm të produkteve. Në analizën e tij, Minxhozi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi motivet e përshkallëzimit të konfliktit, duke kujtuar se në qershor ishte planifikuar një takim mes SHBA-së dhe Iranit në Katar, ndërsa ndërhyrja e Izraelit e ka përshkallëzuar situatën. Sipas tij, në sfond mund të ndikojnë edhe presione politike të brendshme në Izrael, përfshirë çështje që lidhen me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

“Në këto momente që ne flasim, doktrina ka qenë ajo e ligjit ndërkombëtare dhe ligji ndërkombëtar është shkelur haptazi. Nuk mund të vrasësh kreun e një shteti dhe ai shteti të ngrejë duart, kur ka një stok armësh balistike që është një ndër më të mëdhatë në botë. Ky është një problem, sepse na çon te deklaratat e SHBA që kjo luftë do zgjasë 3-4 javë. SHBA dhe Izraeli kërkojnë që të mbarojë shpejt. Amerika ka një kapacitet prodhues prej jo më shumë se 500 të tilla në vit, dhe të mendosh që të këto i kërkojnë të gjithë.

Është në lojë koha dhe gjithashtu kriza që po prodhon kjo kohë që po kalon dhe që pasqyrohet tek rritja e bursës së karburantit dhe që prodhon një rritje të të gjitha mallrave të konsumueshme. Në Tiranë kanë filluar ta rrisin në çmimin e naftës, dhe përkthehet në rritje masive në të gjitha mallrat që ne konsumojmë. Pse kjo luftë?! Izraelitët kanë disa halle, sepse nuk shpjegohet që në qershor SHBA dhe Irani kishin lënë takim në Katar, Izraeli shkon dhe godet. Sa më shumë i afrohen një rekordi, aq më shumë ashpërsohet reagimi i Izraelit. E futën botën në një qorrsokas. Dosjet Epstein dhe korrupsioni i Benjamin Netanyahut janë faktorë për këtë që ne po kalojmë sot”, tha Minxhozi.

Telefonata që bindi Trump për të sulmuar Iranin/ Netanyahu i tha presidentit se Ali Khamenei do takohej me ekipin e tij

4 March 2026 at 16:50

Të hënën e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i telefonoi Presidentit amerikan, Donald Trump duke i treguar se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei dhe këshilltarët e tij kryesorë do takoheshin në një vend në Teheran të shtunën në mëngjes.

“Ata të gjithë mund të vriten në një sulm të vetëm ajror shkatërrues”, i tha Netanyahu Trumpit dhe ekipit të tij, sipas tre burimeve të informuara mbi diskutimin, shkruan Anxios.

Telefonata e 23 shkurtit, e mbajtur nga Dhoma e Situatave e Shtëpisë së Bardhë dhe e pa raportuar deri më tani. ishte një moment vendimtar që vuri në lëvizje luftën e Iranit.

Ajatollah Ali Khamenei dhe rrethi i tij i ngushtë ishin objektiva që as Trump dhe as Netanyahu nuk donin t’i humbisnin.

Trump ishte tashmë i prirur drejt sulmit ndaj Iranit përpara se të mësonte informacionin e ri rreth Khameneit. Ajo që ai nuk kishte vendosur ishte se kur, derisa Netanyahu telefonoi.

Telefonata e 23 shkurtit ishte pjesë e muajve të tërë koordinimi intensiv midis dy udhëheqësve, të cilët u takuan dy herë dhe folën në telefon 15 herë në dy muajt që çuan në luftë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë.

Deri të enjten , CIA kishte “konfirmuar plotësisht se këta njerëz do të ishin të gjithë së bashku dhe ne duhej ta shfrytëzonim këtë”, tha një burim.

Po atë ditë, të dërguarit e Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, telefonuan nga Gjeneva pas orësh bisedimesh me zyrtarët iranianë dhe dhanë një vendim të prerë: negociatat nuk po çonin askund.

“Nëse vendosni të bëni diplomaci, ne do të shtyjmë dhe do të luftojmë për të arritur një marrëveshje. Por këta njerëz na treguan se nuk ishin të gatshëm të bënin marrëveshjen me të cilën ju do të jeni të kënaqur”, tha një zyrtar amerikan.

Trump tani ishte i bindur për dy gjëra: inteligjenca ishte e fortë dhe diplomacia kishte vdekur. Të premten në orën 3:38 pasdite, ai dha urdhrin përfundimtar.

Njëmbëdhjetë orë më vonë, bombat ranë mbi Teheranin, Khamenei u vra dhe lufta kishte filluar./abcnews.al

Netanyahu paralajmëron: Do të intensifikojmë sulmet edhe në Liban

3 March 2026 at 21:36

Izraeli do të shtojë sulmet ndaj Hezbollahut dhe Iranit, thotë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu gjatë një vizite në bazën ajrore Palmachim, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir.

“Hezbollahu bëri një gabim shumë të madh kur na sulmoi”, thotë Netanyahu në lidhje me sulmet me raketa të Hezbollahut ndaj veriut të Izraelit ditët e fundit, shkruan times of israel.

“Ne tashmë jemi përgjigjur me forcë dhe do të përgjigjemi me edhe më shumë forcë dhe masa shtesë”, shtoi ai.

Hezbollahu po e tërheq Libanin në një luftë, thotë ai, “vetëm për shkak të vdekjes së atij vrasësi masiv me të cilin ata nuk kanë lidhje”, duke iu referuar Udhëheqësit Suprem të vrarë të Iranit, Ali Khamenei. Irani është mbështetësi kryesor i Hezbollahut.

“Ata duhet të kujdesen për veten e tyre dhe do të bënin mirë ta bënin këtë sa më shpejt. Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme për mbrojtjen tonë”, thotë kryeministri izraelit.

Netanyahu gjithashtu premton se Izraeli do të “vazhdojë të godasë Iranin me forcë. Pilotët tanë janë mbi qiellin e Iranit dhe Teheranit, si dhe mbi qiellin e Libanit”.

Irani sulmon me raketa zyrën e Netanyahut, reagon Izraeli

By: Rovena
2 March 2026 at 16:59

Garda Revolucionare e Iranit ka deklaruar se sulmet e tyre të fundit me raketa kanë synuar zyrën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe selinë e komandantit të forcave ajrore izraelite.

“Zyra e kryeministrit kriminel të regjimit sionist dhe selia e komandantit të forcave ajrore të regjimit u shënjestruan”, thuhet në një deklaratë të Gardës, të transmetuar nga agjencia e lajmeve Fars.

Raportohet se në sulm u përdorën raketa Kheibar, shkruan Times of Israel.

Ndërkohë, pala izraelite bën të ditur se nuk ka viktima apo të plagosur nga sulmet e raportuara.

Ndryshe, një seri shpërthimesh të reja u dëgjuan mbi Jerusalem të hënën, raportuan gazetarët e AFP-së, pasi ushtria izraelite tha se kishte zbuluar raketa të reja të lëshuara nga Irani.

“Pak kohë më parë, IDF identifikoi raketa të lëshuara nga Irani drejt territorit të Izraelit. Sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur kërcënimin”, tha ushtria në një deklaratë.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kritikoi ashpër “sulmet e pamatura dhe pa dallim nga Irani dhe aleatët e tij kundër territoreve sovrane në të gjithë rajonin”, pasi sulmet goditën një bazë ajrore britanike në Qipro dhe një strukturë nafte saudite.

“Duhet të punojmë shumë për të ulur tensionet dhe për të ndaluar përhapjen e konfliktit”, u tha von der Leyen gazetarëve në Bruksel, duke paralajmëruar se “stabiliteti i rajonit është me rëndësi të madhe”.

Izraeli dhe SHBA-të kanë goditur objektiva në të gjithë Iranin që nga e shtuna. Lufta që filloi me vrasjen e Khameneit ka përfshirë rajonin, me shpërthime që kanë pasuar në Dubai, Bahrein, Irak dhe vende tjera të Lindjes së Mesme.

Netanyahu paralajmëron intensifikim të sulmeve ndaj Iranit në ditët në vijim

1 March 2026 at 20:03

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se sulmet ndaj Iranit do të intensifikohen në ditët në vijim, transmeton “CNN”.

Në një sulm të koordinuar të Izraelit dhe SHBA-së, u vra të shtunën lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei dhe disa zyrtarë tjerë të lartë iranianë. Irani nisi sulme hakmarrëse ndaj Izraelit e po ashtu goditi disa baza amerikane në Lindjen e Mesme.

“Forcat tona aktualisht po godasin zemrën e Teheranit me një intensitet në rritje, që do të vazhdon të rritet më tej në ditët në vijim”, ka thënë Netanyahu në një video të postuar nga kompleksi i Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit në Tel Aviv.

Ai e ka pranuar se do të jenë “ditë të dhimbshme”, duke iu referuar goditjeve iraniane ndaj Izraelit në Tel Aviv dhe Bet Shemesh në 24 orët e fundit, ku kanë humbur jetën të paktën 10 persona

Netanyahu konfirmon sulmet e përbashkëta SHBA–Izrael ndaj Iranit: Po eliminojmë kërcënimin ekzistencial

By: Rovena
28 February 2026 at 09:32

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një operacion të përbashkët ushtarak kundër Iranit, me synimin, sipas tij,  për të eliminuar “kërcënimin ekzistencial” që paraqet regjimi iranian.

Në një deklaratë publike, Netanyahu falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump, për atë që e cilësoi si “udhëheqje historike”.

Ai akuzoi regjimin iranian se prej 47 vitesh ka bërë thirrje për “vdekje për Izraelin” dhe “vdekje për Amerikën”, duke shtuar se Teherani ka derdhur gjak izraelit, ka vrarë qytetarë amerikanë dhe ka ushtruar dhunë ndaj popullit të vet.

Sipas kryeministrit izraelit, regjimi iranian nuk duhet të pajiset me armë bërthamore, pasi sipas tij, kjo do t’i jepte mundësinë të kërcënojë mbarë njerëzimin.

Netanyahu deklaroi se veprimi i përbashkët synon të krijojë kushte që, sipas tij, populli iranian të marrë në dorë fatin e vet. Ai u bëri thirrje grupeve të ndryshme etnike në Iran – përfshirë persët, kurdët, azerët, baluçët dhe ahvazët – që të “hedhin tej zgjedhën e tiranisë” dhe të sjellin një Iran të lirë dhe paqësor.

Duke iu drejtuar qytetarëve izraelitë, Netanyahu u kërkoi atyre të ndjekin udhëzimet e Komandës së Frontit të Brendshëm. Ai paralajmëroi se në ditët në vijim, në kuadër të operacionit të quajtur “Ulërima e Luanit”, do të kërkohet qëndrueshmëri dhe forcë nga popullsia.

“Në bashkim do të qëndrojmë, në bashkim do të luftojmë dhe në bashkim do të sigurojmë përjetësinë e Izraelit”, përfundoi ai.

Çfarë është aleanca “gjashtëkëndëshe” e planifikuar e Netanyahut dhe a mund të funksionojë?

By: Rovena
27 February 2026 at 07:36

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përshkruar planet për të formuar një bllok të ri rajonal dhe e ka përkufizuar Lindjen e Mesme si të ndarë në boshte “radikale” sunite dhe shiite.

Duke folur të dielën, Netanyahu përshkroi një “gjashtëkëndësh aleancash” të propozuar, i cili, sipas tij, do të përfshijë Izraelin, Indinë, Greqinë dhe Qipron, së bashku me shtete të tjera arabe, afrikane dhe aziatike të paemërtuara.

Ai tha se së bashku, ata do të bashkohen për t’u përballur kolektivisht me atë që ai e quajti kundërshtarë “radikalë”.

“Në vizionin që shoh para meje, ne do të krijojmë një sistem të tërë, në thelb një ‘gjashtëkëndësh’ aleancash rreth ose brenda Lindjes së Mesme”, ka thënë Netanyahu, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

“Qëllimi këtu është të krijohet një bosht kombesh që shohin ballë për ballë realitetin, sfidat dhe qëllimet kundër boshteve radikale, si boshtin radikal shiit, të cilin e kemi goditur shumë fort, ashtu edhe boshtin radikal sunit në zhvillim”.

Megjithatë, asnjë qeveri nuk e ka mbështetur publikisht këtë plan – ose formulimin e tij sektar.

Dy nga tre vendet që Netanyahu përmendi – Greqia dhe Qiproja – janë anëtarë të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila ka një urdhër arresti për Netanyahun për krime lufte në Gaza, dhe do të ishte e detyruar ligjërisht ta arrestonte atë nëse ai shkel atje.

Andreas Krieg, profesor i asociuar i studimeve të sigurisë në King’s College London, i tha Al Jazeera se kryeministri izraelit “mund ta ekzagjerojë” idenë e tij, përcjell Telegrafi.

“Komponenti ‘pa emër arab/afrikan/aziatik’ mund të ekzistojë në formën e koordinimit ad hoc të sigurisë dhe diplomacisë transaksionale, por jo domosdoshmërisht në një mënyrë që i ngjan një pakti ose traktati në stilin e NATO-s. Nuk është një aleancë”, ka thënë ai.

Çfarë nënkupton Netanyahu me ‘boshtet radikale’?

Netanyahu po kërkon të përsërisë atë që ai e përshkruan si “fitoret” e tij kundër “boshtit shiit” – i njohur edhe si “boshti i rezistencës” – një rrjet joformal, i përqendruar në Iran, i grupeve aleate që kundërshtojnë ndikimin izraelit dhe perëndimor në Lindjen e Mesme.

Në thelbin e tij qëndron Irani, i cili mbështet Hezbollahun në Liban – i konsideruar prej kohësh si aktori më i fuqishëm jo-shtetëror i rajonit i lidhur me Teheranin përpara se Izraeli të vriste pjesën më të madhe të udhëheqjes së tij në vitin 2024.

Në Irak, Teherani mban lidhje me grupe të ndryshme të armatosura shiite, duke përfshirë fraksione brenda Forcave të Mobilizimit Popullor dhe grupe të tilla si Kataib Hezbollah.

Kohët e fundit, në Jemen, Houth-ët, një lëvizje shiite zaidi, janë rritur në rëndësi, me Teheranin që ofron mbështetje materiale, trajnime dhe armë.

A ka të drejtë Netanyahu edhe për një “bosht sunit” në zhvillim?

Sipas shkrimit të Al Jazeera, “jo tamam” pasi Izraeli sulmoi të paktën gjashtë vende në rajon në vitin 2025, duke përfshirë Palestinën, Iranin, Libanin, Sirinë dhe Jemenin, dhe kreu sulme të lidhura me Gazën në ujërat ndërkombëtare në Tunizi dhe Greqi.

Ai gjithashtu ka kërcënuar Egjiptin, Turqinë, Arabinë Saudite, Irakun dhe Jordaninë.

Në vend që të formojnë një “bosht sunit” të unifikuar – siç i përshkruan Netanyahu – disa shtete me shumicë sunite në rajon janë koordinuar diplomatikisht në përgjigje të armiqësisë rajonale të Izraelit.

Epstein mund të ketë punuar për Izraelin?!/ Reagon Netanyahu

By: Rovena
6 February 2026 at 22:35

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përdorur vëmendjen e ripërtërirë ndaj dosjeve Epstein për të sulmuar paraardhësin e tij Ehud Barak, duke deklaruar se Jeffrey Epstein “nuk ka punuar për Izraelin”.

E përditshmja The Jerusalem Post raportoi se lidhjet e ish-kryeministrit Barak me Epstein morën vëmendje të gjerë mediatike pasi të dy u takuan disa herë në vitet 2015 dhe 2016, vite pas dënimit të parë penal të Epsteinit.

Fotografi të qarkulluara në atë kohë tregonin Barakun duke hyrë në rezidencën e Epsteinit në Manhattan, New York.

Në komentin e tij të parë publik mbi dokumentet e Epsteinit, Netanyahu tha se “marrëdhënia e pazakontë dhe e ngushtë e Epsteinit me Ehud Barakun nuk sugjeron se Epsteini ka punuar për Izraelin, ajo provon të kundërtën”.

“I mbërthyer pas humbjes së tij zgjedhore nga më shumë se dy dekada më parë, Baraku prej vitesh ka tentuar në mënyrë obsesive të minojë demokracinë izraelite duke bashkëpunuar me të majtën radikale anti-sioniste në përpjekje të dështuara për të rrëzuar qeverinë izraelite të zgjedhur”, tha Netanyahu, duke iu referuar administratës së tij.

Netanyahu akuzoi Barakun se është angazhuar “në aktivitete publike dhe prapa skenave për të minuar qeverinë e Izraelit, përfshirë nxitjen e lëvizjeve masive të protestës, shkaktimin e trazirave dhe ushqimin e narrativave të rreme mediatike”. Ndryshe, Baraku prej vitesh ka qenë një kritik i zëshëm i Netanyahut dhe ka bërë thirrje të përsëritura për largimin e qeverisë.

Netanyahu: Nuk do të lejojmë krijimin e një shteti palestinez!

27 January 2026 at 21:02

“Izraeli nuk do të lejojë krijimin e një shteti palestinez”, kështu ka deklaruar kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu,  duke u shprehu i bindur se vendi i tij do të ruajë kontrollin e sigurisë nga lumi Jordan deri në Mesdhe.

“Dëgjoj njerëz që thonë se unë do të miratoj krijimin e një shteti palestinez në Gaza. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë. Por sot dhe nesër, ne nuk do ta lejojmë këtë. Izraeli, tha ai, do të ketë kontrollin e sigurisë mbi një zonë “nga Jordani në Detin (Mesdhe)”, domethënë në territorin e tij dhe në të gjitha territoret e pushtuara palestineze”, u shpreh ai.

Në Gaza, Izraeli tani po përqendrohet në dy misione, “çarmatimin e Hamasit dhe demilitarizimin” e enklavës, pasi u gjet trupi i pengjeve të fundit që u rrëmbyen më 7 tetor 2023.

/abcnews.al/

Fjalimi historik i kryeministrit Rama në parlamentin e Izraelit: Shqipëria, strehë që mbrojti hebrenjtë

By: Rovena
26 January 2026 at 16:26

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në Knesset, një fjalim historik në Parlamentin e Izraelit.  Kryeministri theksoi se Shqipëria ishte ajo që mbrojti hebrenjtë.  Gjatë fjalimit të tij në Knesset, ai e përdori historinë e mbrojtjes së hebrenjve nga Shqipëria gjatë Luftës së Dytë botërore, si një shembull për t’u ndjekur.

“Nga të pafundmet tunele që Hamasi ndërtoi pas 7 tetorit ku izraelitët u torturuan dhe u kthyen në replika të shekullit 21, do të qëndrojnë si dëshmi e paqes mes dy shteteve të ardhshme. Do të qëndrojnë si tunele të kujtesës dhe të shërimit. Humbja e jetëve palestineze u konvertuan në sistemin e mendjeve më të ligat. Ku tullat ishin trupa njerëzit, do të qëndrojnë si qirinj të trupave të harruar. Për të mos krijuar asnjë paralelizëm të shkatërrimit industrial hebre dhe vuajtjeve të regjimit tonë komunist, ju siguroj se shqiptarët dhe Shqipëria ju vlerësojnë për kurajon.

Familje që kërkonin strehë në vendin tonë, kur u Evropa u kthye sërish në një nga impulset e saj më të rënda dhe më të thella, në vitet ’30. Shqipëria dokumentohet si një vend strehë për hebrenjtë. Realiteti fetar në Shqipëri, ku feja nuk vendos besimin civil. Shqipëria shkoi as sa njohu Shabatin si të drejtë të komunitetit hebre. Gjatë Holokaustit, kërkoi një listë të hebrenjve kreu i vendit tonë i tha se mund të merrni varkat, por jo hebrenjtë”, tha Rama.

Netanyahu dhe Trump do të takohen në Florida për të diskutuar fazën e dytë të armëpushimit në Gaza

By: Rovena
29 December 2025 at 13:19

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet me Donald Trump në Florida të hënën, me presidentin e SHBA-së që po shtyn për të kaluar në fazën tjetër të planit të brishtë të armëpushimit në Gaza.

Takimi vendimtar në resortin luksoz Mar-a-Lago të Trump vjen ndërsa disa zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë frikë se si Izraeli ashtu edhe Hamasi po ecin ngadalë në fazën e dytë të armëpushimit të tyre.

Trump, i cili tha se Netanyahu kishte kërkuar bisedimet, thuhet se është i etur të njoftojë – që në janar – një qeveri teknokratike palestineze për Gazën dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.

Zëdhënësja e qeverisë izraelite Shosh Bedrosian tha se Netanyahu do të diskutojë fazën e dytë, e cila përfshin sigurimin që “Hamasi të çarmatoset, Gaza të çmilitarizohet”.

Por Netanyahu do të përpiqet gjithashtu ta zhvendosë fokusin te Irani gjatë takimit të tij të pestë në Shtetet e Bashkuara me Trump këtë vit, mes raporteve se ai do të shtyjë për më shumë sulme amerikane ndaj programit bërthamor të Teheranit.

Netanyahu do të ngrinte gjithashtu çështjen e “rrezikut që Irani paraqet jo vetëm për rajonin e Lindjes së Mesme, por edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Bedrosian përpara se të fluturonte me kryeministrin izraelit.

Vizita e Netanyahut kulmon disa ditë të tensionuara diplomacie ndërkombëtare në Palm Beach, ku Trump priti homologun ukrainas Volodymyr Zelensky të dielën për bisedime mbi përfundimin e pushtimit rus.

Armëpushimi në Gaza në tetor është një nga arritjet kryesore të vitit të parë të Trump në pushtet, por administrata e tij dhe ndërmjetësit rajonalë duan të ruajnë vrullin.

Koha e takimit të Netanyahut është “shumë domethënëse”, vlerëson Gershon Baskin, bashkëkryetari i komisionit të ndërtimit të paqes Aleanca për Dy Shtete, i cili ka marrë pjesë në negociata të fshehta me Hamasin.

“Faza e dytë duhet të fillojë”, i tha ai AFP-së, duke shtuar se “mendoj se amerikanët e kuptojnë se është vonë sepse Hamasi ka pasur shumë kohë për të rivendosur praninë e tij”.

Izraeli njohu Somalilandin si shtet, Somalia dhe Unioni Afrikan reagojnë ashpër

By: Rovena
27 December 2025 at 22:47

Një “tërmet” diplomatik ka përfshirë Afrikën këtë të premte, pasi Izraeli u bë vendi i parë në botë që njohu zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur dhe sovran.

Ky vendim ka ngjallur zemërim të madh në Somali, e cila e konsideron këtë rajon si pjesë të saj.
Somalilandi deklaroi pavarësinë nga Somalia në vitin 1991, por për dekada me radhë nuk ka arritur të marrë njohje ndërkombëtare.
Vendimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, u prit me festime në rrugët e kryeqytetit të Somalilandin, Hargeisa, ku qytetarët dolën me flamuj në duar.

Reagimet ndërkombëtare: Pse kundërshtohet njohja?

Lëvizja e Izraelit është dënuar nga shumë faktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Somalia e quajti vendimin një “sulm të qëllimshëm” mbi sovranitetin e saj dhe një kërcënim për paqen në rajon.

Unioni Afrikan (AU) paralajmëroi se kjo vendos një “precedent të rrezikshëm” për kufijtë në të gjithë kontinentin afrikan.

Turqia dhe Egjipti, aleatë të ngushtë të Somalisë, e cilësuan lëvizjen si ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të një shteti tjetër.

Autoriteti Palestinez, akuzoi Izraelin se kjo njohje mund të lidhet me plane për zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Gaza drejt këtij rajoni.

Pozicioni i SHBA-ve dhe Donald Trump

I pyetur nga mediat nëse SHBA-të do të ndiqnin shembullin e Izraelit, Donald Trump u përgjigj shkurt: “Jo”. Ai shtoi me ironi: “A e di njeri me të vërtetë se çfarë është Somalilandi?”.

Ekspertët besojnë se pas këtij vendimi qëndrojnë interesat strategjike.

Izraeli ka nevojë për aleatë në këtë rajon për të luftuar kërcënimet nga rebelët Houthi në Jemen.

Somalilandi ka një pozicion kyç në Gjirin e Adenit dhe zotëron ushtrinë, monedhën dhe pasaportat e veta, pavarësisht mungesës së njohjes deri më sot.

Çfarë pritet të ndodhë?

Kjo njohje mund të nxjerrë Somalilandin nga izolimi diplomatik dhe t’i hapë rrugën investimeve të huaja, por nga ana tjetër rrezikon të nxisë një konflikt të ri në Afrikë.

Somalia ka deklaruar se do të mbrojë integritetin e saj territorial me çdo kusht.

Media amerikane: Ekipi i Trump i “frustruar” me Benjamin Netanyahu nga frika se po minon procesin e paqes

27 December 2025 at 10:17

Tensionet po rriten mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe këshilltarëve kryesorë të presidentit amerikan Donald Trump, me ekipin amerikan që po bëhet “gjithnjë e më i frustruar” nga përpjekjet e Netanyahu për të minuar procesin e paqes, raportoi të premten Axios.

Sipas lajmit, rrethi i brendshëm i presidentit amerikan, duke përfshirë nënpresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, dhëndrin e Trumpit Jared Kushner, të dërguarin për paqe Steve Witkoff dhe shefen e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, është bërë thellësisht i irrituar, duke besuar se Netanyahu po e “zvarrit” marrëveshjen dhe po ndërmerr hapa për të minuar armëpushimin në Gaza.

Megjithatë, një zyrtar izraelit ka thënë se Rubio është më afër qëndrimit të Netanyahu sesa atij të Witkoff dhe Kushner. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Netanyahu në thelb e ka “humbur” mbështetjen e ekipit kryesor të Trump, edhe pse vetë presidenti, ndërsa dëshiron që marrëveshja të ecë “më shpejt”, mbetet i vetmi mbështetës kyç.

Raportohet se Netanyahu ka shprehur skepticizëm të veçantë ndaj propozimeve të paraqitura nga Witkoff dhe Kushner, veçanërisht ndaj koncepteve të tyre për çmilitarizimin e Gazës, një komponent thelbësor i planit shumëfazësh.

I vetëdijshëm për mospajtimet me stafin amerikan, qasja e Netanyahut për takimin e së hënës në Mar-a-Lago është t’i drejtohet drejtpërdrejt Trumpit, me shpresën për ta bindur atë të adoptojë pikëpamjen e tij më të ashpër, ka thënë një zyrtar i lartë izraelit për median.

Faza e parë e marrëveshjes, e cila hyri në fuqi më 10 tetor, përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të pengjeve palestinezë.

Izraeli nuk i ka përmbushur plotësisht detyrimet sipas fazës së parë të marrëveshjes, veçanërisht ndalimin e armiqësive, pasi forcat izraelite kanë vazhduar të ndërmarrin sulme, të cilat kanë vrarë të paktën 411 palestinezë dhe kanë plagosur 1.118 që nga armëpushimi.

Faza e dytë përfshin formimin e një komiteti të përkohshëm teknokrat për të administruar Gazën, nisjen e përpjekjeve të rindërtimit, krijimin e një këshilli paqeje, krijimin e një force ndërkombëtare, tërheqjen e mëtejshme të trupave izraelite nga territori dhe çarmatosjen e Hamas.

OKB-ja vlerëson koston e rindërtimit të Gazës në rreth 70 miliardë dollarë si rezultat i luftës izraelite, e cila ka vrarë pothuajse 71.000 palestinezë dhe ka plagosur mbi 171.000 që nga tetori 2023.

Pas sulmit në Australi, Netanyahu u kërkon qeverive perëndimore të luftojnë antisemitizmin

16 December 2025 at 22:06

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kërkuar të martën që qeveritë perëndimore “të bëjnë atë që është e nevojshme për të luftuar antisemitizmin”, pas sulmit të ndodhur të dielën që kishte për shënjestër një festë hebraike në plazhin Bondi të Sidneit.

“Ata duhet t’i kushtojnë vëmendje paralajmërimeve tona. Unë kërkoj që të veprojnë – tani”, ka thënë Netanyahu në një videodeklaratë.

Komisioneri i policisë federale të Australisë ka konfirmuar se sulmi që ka lënë 15 persona të vdekur në plazhin Bondi të Sidneit ishte terrorist dhe i frymëzuar nga grupi i Shtetit Islamik.

Autoritetet i kanë identifikuar të dyshuarit si babë dhe bir. Babai u vra dhe djali është shtruar në spital.

Sulmi i së dielës ka çuar në thirrje për ligje më të rrepta për armët. Kryeministri australian, Anthony Albanese ka njoftuar plane për të shtrënguar qasjen në armët e zjarrit.

“Gjermania do mbrojë sigurinë e Izraelit”/ Kancelari Merz nga Jeruzalemi bëri thirrje për paqe

7 December 2025 at 17:14

Fridrih Merz shprehu mbështetjen e tij për Izraelin gjatë vizitës së parë në vend si kancelar i Gjermanisë.

Merz u takua me presidentin Isaac Herzog dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu, teksa vizitoi gjithashtu muzeun e Holokaustit.

Kancelari gjerman shprehu mbështetjen ndaj Izraelit dhe tha se Berlini do të mbrojë gjithnjë ekzistencën dhe sigurinë e shtetit izraelit.

Megjithatë, Merz pranoi se sjellja e Izraelit gjatë luftës në Gaza kishte paraqitur një dilemë për vendin e tij.

“Gjermania do të mbrojë gjithmonë ekzistencën dhe sigurinë e Izraelit. Kjo është pjesë e thelbit të pandryshueshëm të marrëdhënies sonë. Megjithatë, gjatë kësaj lufte të gjatë, veprimet e qeverisë izraelite na kanë vënë edhe para një dileme të caktuar. Izraeli duhet të matet edhe kundrejt ligjit ndërkombëtar në veprimet e tij ushtarake”, tha Merz.

Kancelari gjithashtu mbështeti një zgjidhje me dy shtete, që sipas tij ofron perspektivën më të mirë për të ardhmen e rajonit.

Merz bëri thirrje për më shumë ndihmë humanitare që të hyjë në Rripin e Gazës dhe që luftëtarët e Hamasit të dorëzojnë armët e tyre.

Por Netanyahu nga ana tjetër, nuk e përjashtoi si temë diskutimi aneksimin e Bregut Perëndimor, një hap të cilin Gjermania ka kërkuar të mos ndërmerret.

Dhuna nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve ka ardhur në rritje muajt e fundit, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë një plan për aneksimin e Bregut Perëndimor. Një lëvizje e tillë është kundërshtuar edhe nga vetë aleatët e izraelit, të cilët theksojnë se kjo do të rrezikonte armëpushimin.

Netanyahu paralajmëron negociata të vështira për fazën e dytë të armëpushimit në Gaza

7 December 2025 at 15:04

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar të dielën se pret që së shpejti të kalojë në fazën e dytë të armëpushimit në Gazë, por ka paralajmëruar se negociatat do të jenë “po aq të vështira” sa faza e parë.

“Ne e përfunduam pjesën e parë, siç e dini, dhe pastaj shumë shpejt presim të kalojmë në fazën e dytë, e cila është më e vështirë, ose po aq e vështirë”, ka deklaruar ai pas një takimi me kancelarin gjerman, Friedrich Merz.

Sipas fazës së parë të planit të paqes prej 20 pikash të presidentit të SHBA-së Donald Trump, luftimet u ndalën dhe dhjetëra pengje të mbajtura në Gazë u shkëmbyen me qindra palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Izraeli dërgoi një delegacion javën e kaluar në Egjipt për bisedime mbi kthimin e eshtrave të pengut të fundit.

Faza e dytë përfshin vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie në Gazë, formimin e një qeverie të re teknokratike për territorin, çarmatosjen e Hamasit dhe një tërheqje përfundimtare të forcave izraelite.

Netanyahu ka theksuar gjithashtu rëndësinë e zbatimit të një faze të tretë.
“Kjo është për të deradikalizuar Gazën, diçka që edhe njerëzit besonin se ishte e pamundur”, ka thënë ai.

“U bë në Gjermani, u bë në Japoni, u bë në shtetet e Gjirit, mund të bëhet edhe në Gazë, por sigurisht që Hamasi duhet të shpërbëhet”, ka shtuar ai.

Netanyahu pritet të takohet me Tumpi në Shtëpinë e Bardhë në fund të muajit.

“Ne duhet të sigurohemi që të arrijmë të njëjtat rezultate në fazën e dytë dhe kjo është diçka që mezi pres ta diskutoj me presidentin Trump”, është shprehur Netanyahu.

Izraeli: Takimi Trump-Netanyahu mund të zhvillohet në Mar-a-Lago

3 December 2025 at 16:19

Takimi i radhës i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu me presidentin e SHBA-së, Donald Trump i planifikuar në fund të dhjetorit, do të zhvillohet në Mar-A-Lago, vendpushimin e Trump, në Palm Beach në Florida, sipas një burimi diplomatik izraelit, sipas “Times of Israel”.

“Asgjë nuk është finalizuar, por amerikanët po e shqyrtojnë edhe këtë mundësi”, tha burimi diplomatik.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump pritet të takohen në fund të dhjetorit.

Datat e sakta nuk janë konfirmuar ende, ndërsa bëhet me dije se takimi mund të zhvillohet në vendpushimin e presidentit amerikan, Mar-a-Lago.

Kjo do të jetë vizita e pestë e kryeministrit, Netanyahu në SHBA që kur Trump mori detyrën në janar.

Kërkesa e Netanyahut për falje rrit tensionet në Izrael

2 December 2025 at 16:20

Kërkesa e Benjamin Netanjahut për falje me qëllim “promovimin e pajtimit” në Izrael ka shkaktuar debat të madh, ndërsa gjyqi i gjatë për korrupsion i kryeministrit vazhdon të përçajë shoqërinë izraelite.

Lajmi bëri bujë papritur në Izrael (30.11.2025): Kryeministri Benjamin Netanyahu i ka kërkuar Presidentit Isaac Herzog ta amnistojë paraprakisht, duke i dhënë fund gjyqit të tij për korrupsion. Do të ishte një veprim shumë i diskutueshëm, pothuajse i paprecedent, pasi faljet presidenciale zakonisht jepen vetëm pas një vendimi.

Yedioth Ahronoth, një nga gazetat kryesore të përditshme të Izraelit, publikoi një artikull të hënën me titullin “Dilema e Faljes”, ndërsa gazeta e përditshme e krahut të djathtë Israel Hayom pranoi se “kërkesa është e pazakontë dhe bart pasoja serioze”.

Në një video-deklaratë televizive, Netanjahu tha se ishte në interesin e tij personal të provonte pafajësinë e tij në gjykatë, por sipas tij është edhe në interesin kombëtar të shkurtonte gjyqin. Ai pretendon se procesi “po na përçan”.

“Realitetet e sigurisë, realitetet politike dhe interesi kombëtar, kërkojnë ndryshe”, tha Netanjahu. “Procesi po na përçan, po nxit mosmarrëveshje të hidhura dhe përçarje”. Netanjahu argumentoi se “përfundimi i menjëhershëm i gjyqit do të ndihmonte në uljen e tensioneve dhe në promovimin e pajtimit për të cilin vendi ynë ka kaq shumë nevojë”.

Trump mbështet kërkesën për falje

Komentatorët izraelitë vunë re se kërkesa erdhi menjëherë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump i shkroi Presidentit Herzog më 12 nëntor, duke kërkuar një falje të plotë për Netanjahun. Trump, një mbështetës i hershëm i Netanyahut, gjithashtu bëri thirrje për një falje në tetor gjatë një fjalimi në Knesset, Parlamentin e Izraelit.

Netanjahu është i vetmi Kryeministër izraelit në detyrë që përballet me gjyq, duke u përballur me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tre raste të ndara. Ai akuzohet për pranimin e dhuratave në këmbim të favoreve politike, si dhe për kërkimin e mbulimit dhe favoreve nga mediat, nga një kompani telekomunikacioni dhe botuesi izraelit Yedioth Ahronoth.

Netanyahu i ka mohuar të gjitha akuzat, duke e quajtur vazhdimisht gjyqin pesëvjeçar një “gjueti shtrigash” nga media, policia dhe nga gjyqësori kundër tij dhe familjes së tij.

Kritikët e tij e kanë akuzuar prej kohësh atë për zgjatjen e luftës në Gaza si dhe konflikteve të tjera, me qëllim që të mbtetet koalicioni i tij qeverisës në pushtet dhe të shmangë problemet ligjore.

Gjykimi kundër tij është zvarritur për shkak të vonesave që lidhen me pandeminë COVID-19 dhe mocione të shumta nga avokatët e tij për të shtyrë seancën dëgjimore për arsye diplomatike dhe sigurie që lidhen me konfliktet në Gaza, Liban dhe Iran.

Kryeministri përballet me zgjedhje të tjera në vjeshtën e vitit 2026, por analistët politikë spekulojnë se zgjedhjet mund të jenë më herët, varësisht se si do të zhvillohet situata.

“Netanjahu nuk po kërkon falje”, shkroi Ben Kaspit, një kolumnist për të përditshmen Maariv. “Ai dëshiron një rrugë të tërthortë. Një përjashtim nga barazia para ligjit.”

Nadav Eyal, një komentator për Yedioth Ahronoth, tha se kërkesa për falje ishte një fitore për Netanyahun pavarësisht rezultatit. Nëse Herzog, një ish-rival politik, e refuzon kërkesën e tij, Netanyahu, do të “shfrytëzonte rolin e tij si viktimë deri në zgjedhjet e ardhshme”./DW/

Netanyahu kërkon falje/ Dorëzon  kërkesë tre presidenti Herzog, ndërsa përballet me akuzat për korrupsion

By: Rovena
30 November 2025 at 13:35

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paraqitur një kërkesë zyrtare për falje te presidenti Isaac Herzog.

Netanyahu po përballet me akuzat për korrupsion dhe është i vetmi kryeministër në detyrë në historinë e vendit në detyrë që del në gjyq.

Në një deklaratë ai tha se çështja e ka ndarë vendin dhe një falje do të ndihmonte të rivendoste unitetin kombëtar.

Netanyahu tha gjithashtu se kërkesa për t’u paraqitur në gjykatë tri herë në javë është një shpërqendrim që ia vështirëson atij udhëheqjen e vendit.

Zyra e Presidentit Isaac Herzog tha se kërkesa është e jashtëzakonshme dhe mbart implikime të rëndësishme.

Presidenti do e shqyrtojë kërkesën pas konsultimit me autoritetet përkatëse në departamentet ligjore.

Si kreu i shtetit izraelit, Herzog ka fuqinë për të dhënë falje, megjithëse shumë argumentojnë se kjo nuk mund të bëhet para një dënimi. Kërkesa e Netanyahu vjen pasi Donald Trump i dërgoi një letër presidentit izraelit duke i kërkuar që ta falte kryeministrin. Presidenti amerikan e cilësoi Netanyahun një lider të jashtëzakonshëm që udhëhoqi vendin në kohë lufte.

Të njëjtën kërkesë Trump e bëri edhe në fjalimin e tij para parlamentit izraelit. Gjyqi i Netanyahu, filloi në vitin 2020, nuk ka përfunduar ende. Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat, të cilat përfshijnë ryshfet dhe mashtrim.

Kryeministri izraelit akuzohet për tre raste, duke përfshirë marrjen e qindra mijëra dollarëve dhurata nga biznesmenë./abcnews.al

Vizita e parë zyrtare/ Kancelari gjerman Friedrich Merz udhëton drejt Izraelit, në dhjetor

By: Rovena
28 November 2025 at 16:12

Kancelari gjerman Friedrich Merz do të udhëtojë për në Izrael më 6 dhe 7 dhjetor për vizitën e tij të parë zyrtare që nga marrja e detyrës.

Merz është planifikuar të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu më 7 dhjetor për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe, armëpushimin në Gaza dhe çështje të tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, ai do të vizitojë memorialin Yad Vashem dhe do të zhvillojë bisedime me përfaqësues lokal nga shoqëria. Ndryshe, Gjermania ka qenë prej kohësh një nga mbështetëset më të forta të Izraelit, por gjithashtu ka kritikuar qeverinë e Netanyahut për strategjinë e saj në luftën shkatërruese të Gazës.

Këtë muaj, qeveria gjermane vendosi të rifillojë shitjet e armëve për Izraelin, të cilat ishin pezulluar që nga gushti për shkak të luftës. Por tha se vendimi i nënshtrohet respektimit të armëpushimit dhe ofrimit në shkallë të gjerë të ndihmës humanitare./abcnews.al

❌