Normal view

“Paqe” në derbin e Milanos/ Milan i pathyer prej tij, i merr barazimin në Kupe

3 April 2025 at 12:38

E paska kaq të vështirë sa nuk bëhet. Interi nuk ditka të fitojë këtë sezon në derbin qytetës, dhe Milani mori një tjetër rezultat pozitiv.

Gjithsesi, barazimi në Kupën e Italisë nuk është aq I tmerrshëm për zikaltërit, të cilët do të luajnë gjysmëfinalen e dytë në prani të tifozëve të tyre, dhe kanë ende shpresë për finalen.

Gjithsesi, nuk ka fitore deri tani ndaj kuqezinjve, pasi rezultatet janë dy barazime e dy humbje, në dy sfida në Serinë A, një në Superkupën e Italisë, dhe tani në Kupë.

Kristian Asllani këtë herë nuk ishte as në stol, për shkak pezullimi, siç do të ndodhë edhe mesjavën e ardhshme në Champions ndaj Bajernit, ndërsa epërsia territoriale dhe e gjuajtjeve, nuk I bëri shumë punë ekipit të trajnerit Simone Inzagi.

Milani kaloi I pari në epërsi në nisje të pjesës së dytë, në 47’, kur realizoi sulmuesi anglez, Tami Abraham.

Përpjekjet e kampionëve dhanë rezultat në 67’ kur realizoi mesfushori Hakan Çalhanoglu.

“Derbi I pafundëm, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Milan-Inter 1-1, vendoset gjithçka në 23 prill! Godet sërish Abraham, Çalhanoglu përgjigjet!”

“Është turku, – titullon “Il Korriere delo Sport”, me foton e Çalhanoglusë, – Çalha i përgjigjet Abrahamit! Finalistja e dytë përcaktohet në 23 prill!”

Interi mbetet me shpresë për të fituar çdo trofe këtë sezon, pra edhe titullin në Serinë A, ku kryeson, edhe Kupën e Italisë, por ndoshta edhe Championsin, që është ëndrra e madhe.

Asllani duhet të “fitojë” Inter/ Mesfushori kuqezi, me një këmbë jashtë zikaltërve

26 March 2025 at 12:36

Nuk mjafton që ke thyer rekordin personal.

Në një klub dhe në një skuadër si Interi ndoshta vlen pak që Kristian Asllani ka luajtur 1136 minuta këtë sezon, 70 minutë më shumë sesa sezonin e kaluar, kur duhen ende dy muaj deri në përfundim.

Mesfushori I kombëtares shqiptare, siç pohojnë edhe mediat italiane, është në udhëkryqin e vërtetë dhe më të rëndësishëm të karrierës, pasi deri në verë do të përcaktohet e ardhmja e tij.

A do të jetë 23-vjeçari sërish lojtar I një klubi të madh, apo do të kthehet në nivelet mesatare apo të ulëta të futbollit italian, si në kohën kur vishte fanelën e Empolit?

Asllani, edhe pse shpesh herë ka luajtur mirë, nuk ka mundur të kthehet në alternativë kryesore për lombardët.

Statusi si lojtar stoli vazhdon që nga koha kur titullar në mesfushë ishte Marcelo Brozoviç, ndërsa tani pengesa për shqiptarin është ai që cilësohet si “vëllai I tij I madh”, Hakan Çalhanoglu.

Natyrisht, pengesa kryesore për Kristianin nuk mund të jenë rivalët brenda ekipit, por vetvetja.

Shpesh, mediat italiane e kanë kritikuar për paraqitjet e tij, duke theksuar si pikën më të dobët besimin e paktë në forcat e tij, dhe mungesën e iniciativës.

Tashmë, mbeten edhe dy muaj për të bindur trajnerin Simone Inzagi.

Është e sigurt se Asllani nuk do të luajë në 2 prill, në derbin ndaj Milanit në Kupën e Italisë, dhe as në çerekfinalen e parë të Championsit ndaj Bajernit në “Alianc Arenë” në 8 të po atij muaji.

Kjo, sepse është I pezulluar.

Gjithsesi, një sezon tepër I ngjeshur do të kërkojë që Inzagi të shfrytëzojë të gjithë lojtarët.

Çalhanoglu ka qenë edhe I dëmtuar dhe vështirë të përballojë 6 ndeshje në vetëm 17 ditë, që do të thotë një ndeshje në më pak se tri ditë.

Ky mund të jetë shansi I mesfushorit kuqezi, që ndoshta do të luajë kundër Udinezes, Parmës apo Kaljarit.

Natyrisht, 23-vjeçari ka admirues në Serinë A, siç mund të jetë Bolonja, pasi Interi ka në plan transferime të rëndësishme me klubin, në radhë të parë për sulmuesin Santiago Kastro.

Bayern dhe Inter nuk zhgënjejnë/ Dy skuadrat do përballen në çerekfinalet e Champions League

12 March 2025 at 12:41

Bajern Mynih dhe Inter do të përballen mes tyre në çerekfinalet e Champions League. Dy skuadrat konfirmuan këtë përballje të madhe, duke fituar sfidat e tyre të kthimit në fazën e 1/8 të turneut.
Bavarezët kaluan 2-0 aktin e dytë të derbit gjerman kundër Bajer Leverkusen, ndërsa kishin fituar 3-0 ndeshjen e parë në shtëpinë e tyre.

Me gol dhe asist, Herri Kein ishte protagonist absolut. Pas pjesës së parë të mbyllur pa gola, sulmuesi anglez kaloi në epërsi Bajern në minutën e 52-të.
Më pas në të 71-ën, shërbeu pasimin e fundit për Alfonso Devis, që vulosi fitoren dhe kualifikimin e rekordmenëve gjermanë në çerekfinalet e Champions League, ku I pret Inter.
Edhe zikaltërit shpërblyen të gjitha parashikimet, ndërsa pas suksesit 2-0 në transfertë për ndeshjen e parë, fituan 2-1 kundër Fejnord edhe në sfidën e kthimit të luajtur në “San Siro”.

Markus Turam në minutën e tetë shënoi golin e epërsisë për të zotët e shtëpisë. Një 11 metërsh në fusnin e pjesës së parë i goditur saktë nga Moder ktheu në lojë holandezët, por shpresat e tyre u shuan përfundimisht pas pushimit. Po me penalltiCalhanoglu në minutën e 51-të vendosi fatin e sfidës dhe kualifikimin e Inter mes tetë më të mirëve të Europës.
Kristjan Asllani luajti me shumë se gjysmë ore në këtë sfidë, duke zëvendësuar pikërisht Calhanoglu në minutën e 61-të duke bërë një paraqitje mesatare.

Nuk zhgënjen as Barcelona, që I bashkohet favoritëve të tjerë në çerekfinalet e Champions. Kryesuesit e La Liga mundën në shtëpi 3-1 Benfika, ndërsa ndeshjen e parë në transfertë e kishin fituar 1-0. Gjithçka e lehtë për të besuarit e Hansi Flik që e vranë garën që në pjesën e parë.

Rafinja në minutën e 11-të shënoi golin e epërsisë për vendasit. Portugezët kthyen shpejt ekulibrat në rezultat me Otamendi pas vetëm dy minutash lojë. Por përpara pushimit, në fillim Lamin Jamal dhe më pas sërish Rafinja mbyllën përpara kohe ndeshjen dhe kualifikimin e Barcelonës në çerekfinalet e Champions League./abcnews.al

Asllani feston me Inter/ Klubi uron yllin kuqezi për ditëlindje

10 March 2025 at 12:37

Do të donte një dhuratë me të vërtetë të madhe. Kristian Asllani shpreson shumë që Interi të ketë besim tek ai dhe ta mbajë në skuadër edhe sezonin e ardhshëm e madje edhe shumë vjet të tjera, ndërsa për momentin duhet të kënaqet me një urim.

Klubi zikaltër ia uroi ditëlindjen futbollistit të tij, sepse pikërisht këtë të diel të 9 marsit, mesfushori mbushi 23 vjeç. Mesazhi u bë edhe në faqen zyrtare të Interit në rrjet, por edhe në jutjub dhe në rrjetet sociale.

Është një koincidencë e vërtetë, sepse pikërisht në 9 mars, edhe klubi I madh italian kishte ditëlindjen dhe mbushi 117 vjeç. Pavarësisht se është vënë shpesh në diskutim, sërish Asllani ka qenë një pjesë integrale e skuadrës së trajnerit Simone Inzagi.

I dashur nga shokët e skuadrë dhe nga tifozët ai shpesh e ka detyruar teknikun që ta marrë në konsideratë dhe këtë sezon I ka kaluar tashmë 1 000 minutat në fushë.

Thuajse një rekord në klub.

Në total, me fanelën zikaltër, mesfushori 23-vjeçar ka luajtur 85 ndeshje në pak më shumë se dy sezone e gjysmë, duke shënuar 2 gola e shërbyer 4 asistë.

Gjithsej, ka qenë në fushë për diçka më pak se 2 000 minuta dhe shpreson të vazhdojë me ritëm sa më të lartë. Shansi është që këtë martë, kur Fejënordi të luajë në “San Siro” ndeshjen e dytë të të tetave të finaleve të Championsit.

Interi është favorit pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë, kur Asllani ishte titullar.

Inter “çmendet” përsëri/ Zikaltërit fitojnë me përmbysje në elitën italiane

9 March 2025 at 13:30

Nuk ia vlen t’ia përsërisim epitetin.

Tifozëve të Interit ndoshta nuk u pëlqen kur dëgjojnë se skuadra e tyre cilësohet si “e çmendura” e Italisë, sepse kjo nënkupton se çmendura e çon në disfata, por këtë herë kuptimi është tjetër.

Një Inter me shpatulla pas murit dhe I vënë sërish në diskutim ia doli të merrte një fitore të madhe dhe shpëtimtare.

Edhe pse rivali përballë nuk ishte kushedi se çfarë I madh, sërish është për brohoritje kur kalon nga 0-2 në 3-2.

E tillë përballja e javës së 28-të të Serisë A në “San Siro”, me Monzën që arriti epërsi të madhe.

Në stolin mik ishte një ish-milanist si Alesandro Nesta, për të cilin ky ishte si një derbi, dhe lojtarët e tij bënë gjithçka që ta kënaqnin.

Birindeli dhe Keita Balde shënuan në pjesën e parë.

Kampionët reaguan dhe goli nga Arnautoviç i dha shpresë sepse në pushim u shkua 1-2.

Në të dytën, Çalhanoglu shkëlqeu me golin në 64’, dhe përmbysja e fitorja u siguruan nga autogoli I minutës së 77-të nga Qiriakopulos.

Për fat të keq, Kristian Asllani mbeti në stol këtë herë për vendasit.

“Frika të çon në plus 4”, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Interi përmbys ndaj Monzës, “thriller” në “San Siro”, nga 0-2 në 3-2!”

Kuptimplotë titulli nga “Il Korriere delo Sport”: Interminabile! Inzagi përmbys Nestën dhe fluturon! Simone vuan ndaj Monzës, por ia del me autogol!”

Sinkron Inzagi

“Duhej të mbeteshim të kthjellët, dhe lojtarët ia dolën. E dinim se pjesa e dytë do të ishte tepër e gjatë për ne, por e dinim edhe që Monza do të ishte e lodhur, pasi shpenzoi shumë në pjesën e parë. Thjesht duhej të mos e humbisnin toruan dhe ju e patë se çfarë pjese të dytë bënë djemtë. Ishin të shkëlqyer”.

Interi kryeson Serinë A me 61 pikë, dhe ndonëse Napoli, Atalanta e Juventus nuk janë larg, shanset për të mbrojtur titullin e fituar vjet janë rritur./abcnews.al

Inter feston, Milan në “ferr”/ Zikaltërit mundën 1-0 Genoa, Lautaro shënoi golin e vetëm

23 February 2025 at 12:50

Inter kthehet te fitorja në Serinë A dhe bindshëm në misionin për mbrojten e titullit kampion.

Skuadra zikaltër mundi 1-0 Genoa për të kthyer sërish entuziazmin, që I kishte munguar në javët e fundit.

Gjithsesi, asgjë nuk ishte e lehtë për të besuarit e Simone Inzaghi, që shënuan golin e vetëm dhe të fitores vetëm në minutën e 78-të.

Lautaro Martinez mori edhe një herë rolin e liderit, duke I dhuruar Inter një sukses të rëndësishëm në objektivin për të mbajtur në shtëpi trofeun më të madh të futbollit italian.

Krejt e ndryshme është atmosfera në gjysmën tjetër të Milanos, ku populli kuqezi ka jetuar një tjetër dështim.

Milan plotësoi javën zhgënjyese me një tjetër humbje, pas eliminimit nga Champions League.

Skuadra e drejtuar nga Sergio Conceicao u mund 2-1 në transfertën kundër Torinos.

Një gafë e portierit Menjo I dha epërsinë e shpejtë vendasve, ndërsa në llogaritë e milanistëve mungon edhe një 11-metërsh I gabuar ngaPulisic në pjesën e parë.

{Pas pushimit, miqë arritën të barazoin shifrat me Rejnders, por shpresat për një rezultat pozitiv zgjatën shumë pak.

Torino shënoi golin e dytë dhe të fitores me Ginetis, duke vulosur dështimin e Milan, që largohet më shumë nga gara për një vend në Champiosn sezonin e ardhshëm./abcnews.al

“Lufta” e penalltive/ Konflikt i madh Lookman-Gasperini tek Atalanta

20 February 2025 at 11:55

Futbolli ndonjëherë bën armiq edhe vëllezërit. Një lojë me kaq emocione mund të ketë shpërthime të jashtëzakonshme dhe kështu ndodhi pasi Ademola Lokman humbi penalltinë në ndeshjen e Atalantës ndaj Bryzhit në Champions.

Edhe pse jo gabim vendimtar, sërish ndikoi në eliminimin e italianëve, dhe nuk u prit aspak mirë nga trajneri Gasperini.

Tekniku i bergamaskëve ndoshta shkoi pak larg në komentin e tij pas ndeshjes, duke thënë se Lokman është një ngha gjuajtësit më të këqinj të penalltive që ai ka parë ndonjëherë, dhe se 11-metërshin duhej ta kishin ekzekutuar ose De Ketelerë ose Retegi.

Sulmuesi nigerian, njëri nga lojtarët më të mirë të Atalantës, nuk e kafshoi aspak gjuhën, por akuzoi publikisht Gasperinin.

Lokman shkruajti në profilin e tij në rrjetet sociale se jo vetëm që komentet e trajnerit e kanë vrarë, por sidomos e kanë ofenduar.

Sipas tij, tekniku ka treguar mungesë respekti.

Nuk dihet se sa dëm mund t’i bëjë ekipit një konflikt I tillë, por e vërteta është që sulmuesi ka një mesatare jo aq negative të 11-metërshave.

Në karrierë, Lokman ka gjuajtur vetëm 6 penallti, nga të cilat pesë për Atalantën dhe një për Fulhamin në Premier Ligën angleze.

Ai ka humbur të parën, pikërisht atë për skuadrën angleze, ndërsa I kishte realizuar të 4 gjuajtjet e tjera në Itali.

Njëzeteshtatëvjeçari kishte realizuar radhazi ndaj Napolit, Interit, Salernitanës dhe pikërisht këtë sezon kundër Komos.

Ndoshta, gjatë stërvitjeve tek Atalanta nuk ka qenë bindës, por katër realizime dhe dy dështime nuk e bëjnë ndër penalltistët më të këqinj në histori.

Për më tepër, nuk duhet harruar se Ademola Lokman shënoi 3 gola në finalen që Atalanta e fitoi 3-0 ndaj Leverkusenit në Ligën e Europës, trofeu I vetëm në historinë e klubit./abcnews.al

Inter “sheh” kreun/ Zikaltërit synojnë fitoren me Juven për parakalim

16 February 2025 at 16:21

Le të jemi të qarë, nuk është si dikur.

Një Juventus-Inter jo më kot cilësohet Derbi I Italisë, ashtu si edhe një Juventus-Milan, dhe kjo sepse këto skuadra kanë bërë duel për titujt në Serinë A.

Këtë herë, sfida në stadiumin “Alianc” të Torinos, do të luhet për dy objektiva të ndryshme.

Vendasit duan të hyjnë në zonën Champions, duke qenë pranë, ndërsa zikaltërit synon të mbrojnë “skudeton” e fituar vjet.

Në garë me Napolin por edhe me Atalantën, Interi duket në pozita të mira, edhe pse të fitosh në Torino është një mision tepër, tepër i vështirë.

Jo më kot, lombardët kanë vetëm 1 fitore në 10 vitet e fundit në Piemont, e plot 7 humbje.

“Marrje mendsh për titullin”, – shkruan “La Gazeta delo Sport”, – Juve-Inter vlen si ari! Ka shpresë pas ndalesës së tretë të Napolit!”

“Në duart e Motës, – është titulli I “Il Korriere delo Sportit”, – Juve-Inter vendos kreun! Napoli, frenimi i tretë, Lautaro për parakalimin!”

Juventusi ka disa probleme me dëmtimet pasi mungojnë Milik, Bremer, Kabal, Kalulu dhe Daglas Luiz, ndërsa Interi është thuajse 100 për qind i plotë.

Napoli kryeson renditjen e Serisë A me 56 pikë, ndaj 54 të Interit, ndërsa Atalanta ka mbetur më prapa me 51.

Juventusi ndërkaq është 3 pikë prapa Lacios, që mban vendin e katërt./abcnews.al

Reijnders “gënjen” Milan, zikaltërit barazojnë 1-1 në shtesë

2 February 2025 at 23:21

Nuk kishte fitues në derbin e Milanos. Milan dhe Inter u ndanë në barazimin 1-1, ndërsa rezultati u vendos në mënyrë dramatike vetëm në kohën shtesë.

Milan kaloi në epërsi me Reijnders në limitet e pjesës së parë. Goli I mesfushorit holandez ndezi festën e tifozëve kuqezi, ndërsa mbajti gjallë shpresat e tyre për një tjetër fitore në këtë sezon nda rivalëve të përjetshëm deri në fundin e kohës së rregullt.

Por të gjitha këto u rrëzuan në minutën e tretë shtesë, kur DeVrij shënoi golin e barazimit dhe atë që vulosi derbin e tretë sezonal, pas atij në fazën e parë dhe atij në finalen e Superkupës.

Me këtë barazim, Inter mbetet në vendin e dytë të renditjes, ndërsa Milan vazhdon të shohë larg objektivin për një vend në Champions.

Asllani “sheh” rekordin/ Mesfushori kuqezi ka luajtur plot 800 minuta këtë vit

28 January 2025 at 12:37

Fatkeqësia e dikujt është shansi për dikë tjetër. Kështu thotë një proverb suedez, dhe Kristian Asllani ka përfituar maksimalisht nga dëmtimi I yllit kryesor të mesfushës së Interit, Hakan Çalhanoglu.

Futbollisti I kombëtares së Shqipërisë, që luajti titullar në 3 nga 4 ndeshjet e fundit të zikaltërve, ka arritur cakun simbolik të 800 minutave këtë sezon.

Kjo në 20 ndeshje, që do të thotë 40 minuta për çdo sfidë. Natyrisht, ka pasur duele kur trajneri Simone Inzagi nuk e ka preferuar duke e lënë gjatë gjithë kohës në stol.

Sidoqoftë, ky nivel është më I mirë sesa ai I edicionit të kaluar, kur Asllani luajti mesatarisht 34.4 minuta për ndeshje, dhe në total 1066 minuta.

Që tani, ai ka arritur kontributin e vjetshëm, me një gol e dy asistë, me ndryshimin që rrjetën e ka realizuar në Kupën e Italisë, ndërsa sezonin e shkuar në Serinë A.

Mesfushori 22-vjeçar ka shanse të mira që të jetë titullar të mërkurën në sfidën e Championsit në “San Siro” ndaj Monakos franceze, pasi Çalhanoglu nuk mund të jetë as në stol.

Kjo do të thotë se mundësia ekziston për të luajtur një rol të rëndësishëm edhe në derbin kundër Milanit në kampionat, të dielën e ardhshme në stadiumin “San Siro”./abcnews.al

“Derbi” shqiptar në Champions/ Qazim Laçi dhe Kristjan Asllani sfidohen në Pragë

22 January 2025 at 12:48

Është ende në elitën e Europës. Qazim Laçi vlerësohet si njëri nga lojtarët më të fortë të Spartës së Pragës, dhe mbrëmjen e sotme do të ketë një duel të veçantë. Mesfushori I kombëtares shqiptare pritet të jetë përballë shokut të tij të repartit kuqezi, Kristian Asllanit, ndërsa kampionia e Çekisë pret Interin në fushën e saj.

Skuadra çeke shpreson në një rezultat pozitiv, dhe në një surprizë ndaj italianëve që konsiderohen favoritë. Laçi besohet se do të jetë titullar, dhe kush mund ta tregojë këtë më mirë sesa fakti që ai doli në konferencë për shtyp në krah të trajnerit danez, Lars Fris. Shqiptari u pyet padyshim për duelin me patriotin e tij.

“Sinqerisht nuk kam folur me Asllanin. Është një shok I kombëtares, këtë herë por do të jemi kundërshtarë për 90 minuta. Nuk mendoj se ndaj Interit është ndeshje pa shpresë për ne. Në Itali jam tifoz me Milanin, prandaj kjo sfidë më motivon edhe më shumë. Interi ka një nga mesfushat më të forta, dhe do na duhet diçka më tepër për të konkurruar me ta. Sipas mendimit tim, Interi është një nga skuadrat më të mira në Europë madje prej disa vitesh. Iu afrua shumë fitores së Championsit”.

Tek Sparta nuk do të jetë Indrit Tuci, sulmuesi kuqezi, por padyshim që që nga minuta e parë pritet ylli ofensiv i Kosovës, Abion Rrahmani, i cili ka shënuar më herët në Champions, në sfidën kundër Fejënordit.

Po Interi? Tek zikaltërit, Asllani jepet sërish titullar, dhe kjo do të ishte ndeshja e tretë radhazi që nga fillimi. Kampionia e Italisë do të ketë mungesa si Bisek, Çalhanoglu, Korrea, por edhe Açerbi.
Në sulm pritet të jetë sërish Lautaro Martinez, edhe pse trajneri Simone Inzagi do të synojë të realizojë një rotacion për të mos lodhur yjet kryesorë./abcnews.al

Revanshi i Asllanit/ Lojtari kuqezi luan mirë, pas gabimeve në Superkupë

13 January 2025 at 12:40

Çdo çudi mbahet mend vetëm tri ditë. U desh vetëm pak më shumë kohë që Kristian Asllani të kalonte nga “ferri” në “parajsë” tek Interi, ndërsa trajneri Simone Inzagi tregoi se beson ende tek ai.

Pas kritikave të ashpra dhe komenteve se do të largohet nga zikaltërit, pas humbjes së Superkupës me përmbysje kundër Milanit, erdhi ndeshja e Serisë A në fushën e Venecias, ku mesfushori kuqezi ishte i rëndësishëm.

Krijoi golin e vetëm, shënuar nga Darman, që I dha zikaltërve fitoren, luajti titullar dhe ishte në fushë 63 minuta.

Vetëm tre lojtarë të Interit morën vlerësime më të larta se ai, Darmian, Bastoni dhe Barela.

Jo më kot, nota e tij ishte më e lartë sesa mesatarja zikaltër, 7.08.

E përditshmja “La Republika” e veçon që në titull: Notat e Venecia-Interit: Oristanio nuk ka ndikim! Asllani, I përpiktë!

Një reagim në krahasim me atë që ndodhi në finalen e Superkupës, dhe shqiptari flet I kënaqur për kamerën e klubit.

“Fitore e rëndësishme pas asaj që ndodhi pak ditë më parë. Duhej të reagonim. Ishte vendimtare të merrnim tre pikët për të vazhduar udhëtimin tonë, ndaj jemi të kënaqur. Duhet të vazhdojmë të punojmë. Jam i kënaqur me paraqitjen. Përpiqem të shfrytëzoj deri në fund atë që më jepet. Ndoshta, kur e nis nga fillimi ke më shumë kohë në dispozicion. Mund të gabosh më shumë, por edhe të rritesh më shumë. Gjithsesi, jam I kënaqur. Ne duhet të luajmë mirë pavarësisht se kush është në fushë. Unë ndihem mirë me të gjithë. Ia kemi dalë edhe me mungesa, kemi luajtur pak a shumë të gjithë kohët e fundit”.

Spekullimet kanë qenë të shumta për një transferim të mundshëm të tij, dhe gjithçka mund të ndodhë deri në fund të janarit, por të paktën minutazhi I tij në Serinë A është në rritje.

Në 6 ndeshjet e fundit, Asllani ka mbetur vetëm një herë në stol pa aktivizim, ndërsa ka luajtur mesatarisht 35 minuta për çdo sfidë.

Mos ndoshta Interi po e hedh në fushë për t’i rritur vlerën në treg?

Këtë gjë bëri edhe Çelsi vjet me Brojën, ndonëse krahasimet jo gjithmonë qendrojnë./abcnews.al

Superkupa e Italisë/ Milan bën përmbysjen e madhe, triumfon në finale ndaj Interit

6 January 2025 at 22:11

Milani ka fituar Superkupën e Italisë.

Të hënën në mbrëmje, Milani e mposhti 3:2 Interin në finalen dramatike të Superkupës së Italisë.
Milan bëri rikthim të jashtëzakonshëm duke fituar në fund Superkupën.

Lautaro Martinez realizoi për 1:0 në të mirë të Interit në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Mehdi Taremi i dyfishoi shifrat në minutën e 47-të.

Por Milani më pas i shënoi tre golat për fitoren e madhe ndaj Interit.

Theo Hernandez në minutën e 52-të e ngushtoi rezultatin në 2:1.

Në minutën e 80-të, Christian Pulishiq i barazoi shifrat në 2:2.

Goli i tretë e që ishte edhe i fitores për Milanin e shënoi Tammy Abraham në minutën e 93-të.

Kristjan Asllani tek Interi luajti nga pjesa e dytë.

Milani tashmë ka të fituar tetë trofe të Superkupës së Italisë.

Edhe Interi ka tetë trofe të Superkupës së Italisë

Asllani, trofe dhe ‘divorc’/ Shqiptari pritet si rezervë në finalen e Superkupës

6 January 2025 at 12:35

E ardhmja duket e paqartë.

Kristjan Asllani mund të fitojë sot trofeun e pestë në karrierë tek Interi, por ndoshta edhe mund të marrë lajme për një divorc të mundshëm.

Mesfushori I kombëtares shqiptare, pavarësisht se është kthyer shtyllë dhe titullar I padiskutueshëm te kuqezinjtë, nuk po arrin ta ndryshojë fatin e tij në skuadrën zikaltër.

Ylli 22-vjeçar është si gjithmonë zgjedhje e dytë e trajnerit Simone Inzagi, që pritet edhe sot të luajë me gardën e vjetër në finalen e Superkupës së Italisë ndaj Milanit.

Sipas mediave italiane, Bolonja është e interesuar për 22-vjeçarin madje që tani në janar.

Në stadiumin e Riadit, në orën 20:00 do të luhet derbi I radhës I Madoninës, një përsëritje e finales së Superkupës në 2023 në të njëjtin impiant, që zikaltërit e fituan 3-0.

Duke u kthyer tek Asllani, mesfushori shqiptar ka thuajse të njëjtin nivel aktivizimi këtë sezon, si edhe vjet.

Në total, këtë edicion ka 436 minuta në 13 ndeshje, 33.5 minuta për ndeshje.

Vjet Kristiani pati 996 minuta në total në 31 ndeshje, 32.1 minuta për ndeshje.

Problemi më I madh për 22-vjeçarin këtë sezon është se është preferuar më pak në Serinë A, ndonëse dy herë ka qenë titullar.

Inzagi e ka aktivizuar vetëm 9 herë nga 18 javë kampionat, pra vetëm në gjysmën.

Po ashtu, ka rënie kontributi I tij në Champions, pasi sezonin e kaluar ishte në fushë në të 6 ndeshjet e grupeve, madje dy herë titullar dhe me 202 minuta gjithsej.

Këtë vit, Asllani ka luajtur në vetëm tri nga 6 përballjet, dhe me shumë pak minuta, vetëm 63 minuta në total./abcnews.al

Asllani është e ardhmja/ Calhanoglu lavde për shqiptarin e ri: Kristian, pasardhësi im me fanellën “zikaltër”

28 December 2024 at 17:56

Nuk është pak t’ia thotë ai që cilësohet si “vëllai i madh”.

Hakan Çalhanoglu beson se Kristian Asllani është në rrugë të mbarë për t’u bërë një yll tek Interi, ndonëse ende nuk po luan aq shumë sa duhet.

Në një intervistë integrale dhe ekskluzive për të përditshmen italiane “Il Corriere dello Sport”, mesfushori turk, pasi shpreh dëshirën që të fitojë Championsin në Milano, i përgjigjet një pyetjeje edhe për Asllanin.

Tridhjetvjeçari, që përsërit se shqiptarin e konsideron vëlla të vogël, thotë se ai mund ta bëjë shumë mirë rolin e tij në ekip.

Turku pohon se po e ndihmon shumë 22-vjeçarin me origjinë nga Elbasani, dhe thotë se Kristiani ia dëgjon fjalën.

Këshilla e Çalhës për Asllanin është që të përmirësohet në disa aspekte të lojë, dhe besohet se kjo ka të bëjë me pjekurinë dhe personalitetin për të marrë më shumë përsipër, dhe për të përballuar siç duhet presionin e madh që ekziston në një klub si Interi.

Gjithsesi, për të mesfushori kuqezi e ka cilësinë e duhur për të pasur sukses në “San Siro”.

Çalhanoglu thotë se Asllani po përmirësohet ndjeshëm dhe parashikon se ai do të jetë mjaft i rëndësishëm për skuadrën zikaltër pas largimit të tij. /abcnews.al

Për “pazar” në Serie A, PSG kërkon “bomberin” e Inter

25 December 2024 at 22:56

Vetëm një sezon, në “Meazza” i mjaftoi për të treguar vlerat e tij.

“Bomberi” francez, Marcus Thuram mund të jetë i sakrifikuari i radhës, në merkaton e “Zikaltërve”, të Inter, me “gjigantët” e Paris Saint-Germain, që janë duke kërkuar vazhdimisht informacion për 26-vjeçarin, të cilin në “Parc des Princes” e shohin si zëvendësues perfekt të Kylian Mbappe.

Sipas raportimeve më të fundit të mediave, në Francë e Itali, pavarësisht se në krye të listës, së PSG është Victor Osimhen , edhe francezi po fiton gjithnjë e më shumë terren, mirëpo “Zikaltërit” nuk pranojnë më pak se 80 milionë euro për kartonin e tij dhe së dyti nuk është në listën e të larguarve të Inter.

Ndërkaq, kujtojmë se Thuram zbarkoi në Milano, falë këmbënguljes së vazhdueshme, të Drejtorit Sportiv, Pierro Ausilio, i cili siguroi shërbimet e francezi, me parametra zero, nga gjermanët e Borussia Monchengladbach, e që atëherë 27-vjeçari është kthyer në një pikë referim në sulmin e Simone Inzaghi, duke shënuar plot 25 gola e asistuar 19 të tjerë, në 61 paraqitje me “Zikaltërit”. /i.m /abcnews.al

Shansi i jetës për Asllanin/ “Ylli kuqezi” luajti në Kupë vetëm se u dëmtua Barella, ndaj Udinese shqiptari realizoi nga goditja e këndit

24 December 2024 at 18:16

Kur hyri në fushë, padyshim që ishte I emocionuar dhe I tensionuar.

Kristian Asllani e ndjen çdo ditë sesa përgjegjësi e rëndë është që të luash për Interin, një nga tre gjigandët e Italisë, ndërsa në ndeshjen më të veçantë të karrierës, ai pati një fat, të cilin e meritoi.

Mesfushori I kombëtares shqiptare hyri vetëm në momentet e fundit në formacion për sfidën e Kupës së Italisë kundër Udinezes në “San Siro”, dhe kjo sepse lojtari tjetër I mesfushës, Nikolo Barela, pati dëmtim.

Krejt normale, sepse në futboll dhe në jetë duket edhe fati që të arrish suksesin.

Asllani e shfrytëzoi plotësisht shansin e tij duke shënuar golin më të bukur të karrierës, direkt nga goditja e këndit.

Po flasim për një futbollist që ka vetëm 25 rrjeta deri tani si profesionist.

Kristiani u barazua me legjendën e mëparshme zikaltër, Alvaro Rekoba, dhe trajneri Simone Inzagi u shpreh shumë I kënaqur për të, por edhe për të tjerët.

“Nuk kisha asnjë dyshim për lojtarët që hodha në fushë. Ndoshta, njerëzit mendonin se mund të zëvendësoja 8 apo 9, dhe jo vetëm katër. Nuk doja ta ndryshoja shumë ekipin. Gjithsesi, të gjithë ata që luajtën e meritonin, dhe për një trajner kjo që pashë këtë herë ishte një sinjal shumë I bukur”.

Paraqitja e Asllanit vërtet ishte shumë e mirë, dhe jo më kot meritoi notën e lartë 7.6, fare pranë atij që u shpall si Lojtari I ndeshjes, Marko Arnautoviç. Në të ardhmen, përveç fatit do t’i duhet që ta bindë edhe më shumë Inzagin që ta cilësojë të barabartë me të tillë si Çalhanoglu apo Barela. /abcnews.al

Asllani arrin legjendat/ Shqiptari bashkohet me “yjet” që kanë shënuar nga kornia, përpara tij tek Inter këtë e bëri Alvaro Recoba

21 December 2024 at 16:36

Përpara e tij e bëri një nga idhujt e tifozëve zikaltër.

Alvaro Rekoba, uruguajani tepër I talentuar, shënoi nga goditja e këndit në ndeshjen e tij të fundi për Interin, në sfidën ndaj Empolit në “San Siro”, ndërsa ekipi fitoi titullin në 2007.

Kristian Asllani përsëriti pikërisht të njëjtën gjë, e ndoshta asnjë legjendë tjetër zikaltër nuk ia ka dalë për të realizuar një rrjetë kaq të veçantë.

Atë që quhet “goli olimpik”.

Mesfushori I kombëtares shqiptare është bashkuar me disa nga “perënditë” e futbollit pas mrekullisë që bëri në “San Siro” në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Udinezes, fituar 2-0.

Anglezi I famshëm Dejvid Bekam ia ka dalë shumë vite më parë, ndërsa luante tek Los Anxhelos Galaksi, në Ligën Profesioniste Amerikane.

Në një njëjtin kampionat, në “Tokën e Premtuar”, këtë veprim klasi e bëri edhe sulmuesi I shkëlyer francez, Tieri Henri.

Ish-ylli I Arsenalit, Juventusit dhe Barcelonës, realizoi me fanelën e Red Bullit të Nju Jorkut.

Ndër emrat më të vonshëm, është gjermani elegant Toni Kros.

Mesfushori shënoi direkt nga këndi në emër të Realit në 2020, në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës kundër Valencias.

Pikërisht këto ditë, në të njëjtën kohë me Asllanin, ia doli edhe koreanojugori Heung-Min Son, për Totenhemin kundër Mançester Junajtidit në Kupën e Ligës së Anglisë.

Në Gjermani e ka bërë dy vjet më parë një emër aspak I njohur si Çima Okoroxhi në ndeshjen e kategorisë së dytë, Zandhauzen-Hanover.

Natyrisht, nuk mund të mungonin legjenda të tilla si Roberto Karlos apo Ronaldinjo, pasi Brazili s’ka sesi të mos ketë futbollistë të aftë për të shënuar nga goditja e këndit.

Gjithsesi, ai që cilësohet më I miri yll I epokës, e ndoshta I të gjitha kohëve, Lionel Mesi, nuk ka mundur të shënojë një gol të tillë, edhe pse ka realizuar thuajse në të gjitha mënyrat e tjera të mundshme. /abcnews.al

Coppa Italia/ Udinese nuk ia del në “Meazza”, “magjia” e Asllanit çon Inter në çerekfinale

19 December 2024 at 22:46

Ishte padyshim një “perlë” e vërtetë.

Kristjan Asllani është kthyer me shumë klas në formacionin titullar të “Zikaltërve”, me “yllin” e Kombëtares “Kuqezi” që realizoi një gol “të magjishëm” më fitoren 2-0 që skuadra e tij arriti ndaj “Bardhezinjve” të Udinese, në fazën e 1/16-ve të Coppa Italia.

“Arkitekti” i mesfushës arriti të gjente rrugën e rrjetës nga goditja e këndit, duke realizuar kështu një gol shumë të rrallë në fundin e pjesës së parë, ndërsa vetëm pak minuta para Asllanit rrugën e rrjetës e kishte gjetur “bomberi” austriak Marko Arnautovic.

Falë këtij rezultati, siç theksuam edhe më sipër Inter kalon në çerekfinalet e Kupës së Italisë ku përballë do të keë “Shqiponjat” e Lazio. /i.m /abcnews.al

Skriniar “tradhëton” Inter, “ylli” sllovak pranë rikthimit në Serie A

15 December 2024 at 23:43

Vetëm dy sezone më parë ishte kapiteni i “Zikaltërve” të Inter dhe tashmë është shumë pranë tranferimit te rivalët e tyre të përbetuar.

“Shtatlarti” sllovak, Milan Skriniar është shumë pranë kalimin te Juventus, me 29-vjeçarin e prapavijës që shihet si zënvedësuesi perfekt i Bremer të dëmtuar, te “Bardhezinjtë”, me brazilianin që ka humbur të gjithë sezonin futbollistik, për shkak të një dëmtimi goxha të rëndë në ligamentin e gjurit të majtë.

Sipas raportimeve më të fundit të mediave franceze, futbollisti sllovak tashmë ka rënë dakord për transferimin dhe tashmë “Zonja e Vjetër” duhet të arrijnë marrëveshje me “gjigantët” e PSG, të cilët zotërojnë kartonin e mbrojtësit. .

Nga specialistët e merkatos, Skriniar, i cili ka zhvilluar vetëm 5 sfida këtë sezon, vlerësohet në 20 milionë euro, shifër kjo e përballueshme nga “rekordmenët” e Apenineve. /i.m /abcnews.al

❌