Normal view

Çifti Meta rri aty ku është/ Avokati Beqiri: Janë të përfshirë në krim e korrupsion, dosja është e kopsitur

19 November 2024 at 18:58

TIRANË- Apeli i GJKKO, këtë të martë, vendosi të lërë në fuqi masat e sigurisë për çiftin Meta.

Avokati i njohur, Idajet Beqiri në një lidhje live me “Tirana Live” në ABC News u shpreh se masat e sigurisë nga shkalla e parë është bazuar totalisht në ligj dhe Apeli nuk kishte si të merrte vendim për zbutjen e tyre.

Ai shtoi se dosjet hetimore për dyshen Meta-Kryemadhi janë kopsitur dhe është faktuar tashmë me prova se janë të përfshirë në krim dhe korrupsion. Sipas avokatit, Metën dhe Kryemadhin e presin edhe dosje të tjera.

“Kriteret ligjore ishin të plota, që të merrej ajo masë sigurie si për Metën dhe për Kryemadhin. I dëgjova deklaratat e të dyve, nuk kanë çfarë thonë, por do mundohen ta zvogëlojnë përgjegjësinë penale. Ata janë zhytur shumë keq në krim, në korrupsion. Dosjet janë të kopsitura mirë nga pikëpamjet ligjore. Dosje të tjera më të rënda e presin Metën dhe Kryemadhin”, tha ai.

Ai u ndal dhe tek kërkesa që ka bërë Berisha në Kushtetuese për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar në ngarkim të tij nga GJKKO.

Sipas avokati, Gjykata Kushtetuese nuk ka se si të shpallë antikushtetuese, për aq kohë sa SPAK e njeh shumë mirë procedurën ligjore kur aplikon një masë sigurie, të cilën ish-kryeministri Berisha refuzoi ta zbatonte.

“Kjo është një kërkesë e radhës që kanë bërë për të justifikuar shkeljen e rëndë që bëri Berisha, një rast i paprecedent. Kur të kërkohet të respektosh një masë sigurimi ti duhet ta respektosh atë. Nuk duhet ta bëjë një ish-president apo ish-kryeministër. Kjo është një kërkesë formale, për tu justifikuar, s’ke çfarë i bën Kushtetuesja dhe Strasburgu kësaj çështjeje”, tha ai/abcnews.al

Shehi refuzon Berishën/ Koalicion? Kreu i LZHK: Nuk mjafton Berisha për të mundur Ramën

15 November 2024 at 15:16

Me Ilir Metën në arrest me burg e vetë në izolim, Sali Berisha pret krah hapur bashkëpunëtorë të rinj për zgjedhjet e ardhshme, në betejën e radhës kundër Edi Ramës, që kërkon mandat të 4-të qeverisës.

“Ne jemi të hapur për koalicion dhe bashkëpunim me çdo forcë politike që konsideron narko-dikaturën të keqen më të madhe të këtij vendi”, tha Berisha.

Ftesa e Berishës ka marrë sërish refuzim nga Dashamir Shehi, një politikan i vjetër që nuk e sheh të plotësuar betejën kundër Ramës, me në krah Berishën.

“Ne nuk mendojmë që meqë ben Berisha një ftesë, të turremi të gjithë pas ftesës se Berishës. Ne mendojmë që nuk mjafton Berisha për të mundur Edi Ramën, se është aty prej 30 vitesh”, u shpreh Shehi.

Berishën e refuzoi dhe ftesën Shehi ua përcolli të gjitha partive të reja, të vogla për tu bërë bashkë kundër dy mëdhenjve.

“Ne po luftojmë për të bërë një grup tjetër politik, të hymë me një listë të përbashkët, të hapur, përball atyre që e kanë të mbyllur”, shtoi Shehi.

Refuzim që duket i hidhur për Berishën, që pas ftesës bën dhe sulmin.

“Çdo forcë ka të drejtë të përzgjedh aleancat. Por PD është forcë kryesore opozitare dhe besoj se shqiptarët do të dallojnë mes opozitës së vërtetë dhe atyre që në një mënyrë apo në një tjetër përpiqen ti bëjnë freskë Ramës”, theksoi Berisha.

/abcnews.al/

Pasuritë e fshehura të Ilir Metës/ Romeo Kara: Partia e tij, financim të paligjshëm nga kompani offshore

12 November 2024 at 23:43

Avokati Romeo Kara thotë se Partia e Lirisë, e Ilir Metës, ka marrë financim të paligjshëm nga kompani offshore, në kohën kur kjo forcë politike quhej Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Kara u shpreh se Meta po flet si një person i cili tashmë ndodhet nën akuzë.

Etleva Delia: Jam ndalur te kontratat që Meta kishte në SHBA për çështjet e lobimit, diferencat nuk ishin deklaruar në KQZ. Gati tre herë më pak, 463 mijë dollarë, në KQZ ishte raportuar tre herë më pak. Kishte para të padeklaruara.

Romeo Kara: Unë mendoj që në politikbërje dhe shtetbërje, hap i rëndësishëm është transparenca dhe formalizimi. Aktorët që duhet të luajnë këtë kartë, janë në partitë e tyre. Ne jemi zhytur në offshore, por po investojmë edhe partitë në offshore. Edhe kjo parti e ka mbaruar rrugën e saj ligjore, ka financim të paligjshëm. Është organizim politik i paligjshëm. Unë kam dëgjuar atë dhe ish gruan e tij, ka thënë, nuk është kjo policia. E rëndësishme është që ai po flet si një person në akuzë. Këshilltari i tij ka dalë kundër dhe ka vërtetuar pretendimet e mia, kallëzimin tim. Atij ia ka fajin vetja. Meta i frikësohet edhe jetës së vet./abcnews.al

“Kanë marrë fund, këtë e dinë mirë”, Flogert Muça: Meta me paranoja, ushtarët vazhdojnë t’i bien me radhë

8 November 2024 at 23:59

TIRANË- Gazetari Flogert Muça i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News analizoi zhvillimet në kapin opozitar. Ai tha se përfaqësuesit dhe aktorët e tjerë janë bërë qesharakë dhe nuk mund të merren seriozisht.

Fillimisht ai komentoi protestën e çdo të premteje të një grupi njerëzish, që mblidhen para Bashkisë së Tiranës.

Ky tubim minimalist tha ai e ka një të mirë pasi nuk bllokojnë rrugët siç bën Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka përmes aksionit, që demokratët e quajnë si “mosbindje civile”

“Këta janë komedi, sepse në momentin që ti del në një pro për muaj të tërë dhe disa që të ndjekin disa operatorë mediash, që kanë punën e tyre, kjo është qesharake. Meritojnë njëfarë mëshire, sepse shkojnë atje dhe protestojë dhe nuk bllokojnë rrugën me “Rang Rover” si Flamur Noka.  Sa më shumë dalin aty, aq më shumë nder i bëjnë Ramës, Braktisja e Berishës nuk ka një braktisje të mosbindjes civile, ata do e vazhdojnë mosbindjen civile, por kanë nevojë për pak pushim. Lodhen nga protesta, mund t’ia kenë kërkuar disa ditë pushime, ata janë kanë dhënë”, tha ai.

Më tej, Muça  u ndal edhe tek ish-presidenti Ilir Meta, i cili vazhdon të mbahet në burg për akuzën e korrupsionit dhe fshehje të pasurisë. Ai tha se Meta është “në paranojë” dhe këtë e dëshmojnë sulmet që ka adresuar publikisht ndaj Monika Kryemadhit, nënës së fëmijëve të tij.

“Ilir Meta është në paranojë. Mos e merrni seriozisht Ilir Metën, i ka mbushur mendjen vetes se ia ka bërë gjëmën Monika, dhe ai e di se po t’i tregojë Monika horllëqet e familjes në SPAK, ata e dinë se kanë marrë fund. Një individ, që hedhë poshtë familjen e tij, situata është e rëndë.  Ilir Meta e di që ushtarët e tij po bien një nga një”, tha ai.

Sa i takon rikthimit të shpresës për demokratët se ardhja e Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë  mund t’ia heqë non grata Sali Berishës, gazetari tha se kjo nuk ka asnjë gjasë të ndodhë, duke shtuar se ish-kryeministrit do t’i bjerë dhe alibia e fundit që ka ngritur për këtë.

“Do t’i bjerë dhe kauza e fundit, që me fitoren e Trump fitojë dhe unë. Me këto mend që është nisur, mund të dalë dhe partie e tretë koalicioni Meta-Berisha.”, tha ai./abcnews.al                                                                                                                     

 

“Arrestimet rritën besueshmërinë te SPAK”, gazetari: Figura që shiheshin si të paprekshëm janë prapa hekurave

4 November 2024 at 23:49

Gazetari Ermal Qori ka komentuar zhvillimet e fundit të SPAK, duke u ndalur tek arrestimi i Ilir Metës.

Gjatë intervistës në “Ora e Fundit” në ABC News, gazetari Qori u shpreh figura që shiheshin si të paprekshëm janë ndaluar, por edhe janë çuar pas hekurave.  Kjo sipas tij ka rritur edhe besueshmërinë te SPAK.

“Jep një impakt besueshmërie të lartë në publik. Socialistët duket që i kanë qëndruar parimit të tyre në fillim “nuk komentojmë veprimet e drejtësisë”. Ata ja kanë lënë detyrën drejtësisë dhe drejtësia po vijon. Në publik ka krijuar besueshmëri, pasi janë figura që nuk janë menduar ndonjëherë që policia t’i ndalojë apo t’i çojë prapa hekurave”, tha më tej ai.

/abcnews.al/

“Berisha proteston për hallin e vetë, jo për shkodranët”, gazetari: Bashkë me Metën janë të akuzuar dhe duan liri

2 November 2024 at 23:57

Mbështetës të opozitës dhe qytetarë të Shkodrës dolën këtë te shtunë në një marshim, te thirrur nga drejtues të PD, pas atentatit me tre viktima që ndodhi disa ditë më parë në lagjen Dobraç.

Lidhur me këtë marshim, gazetari Fatos Mahmutaj ka thënë në “Ora e Fundit” se Sali Berisha proteston për hallet e veta dhe jo për shkodranët.

Ai ka deklaruar se Berisha dhe Meta janë të barabartë me eksponentët e krimit që qëlluan mbi trupat e viktimave dhe të dy hanë nën akuzë.

“Berisha proteston për hallin e vetë, nuk proteston fare për qytetarët e Shkodrës. Duhet të biem dakord që rasti i Shkodrës është rasti ekstrem i krimit në Shqipëri. Pra, krimi i tejkaluar të gjitha limitet në Shqipëri dhe unë personalisht do të isha i mendimit për të protestuar kundër krimit.

Qytetarët e Shkodrës e shohin që Berisha ka hallin e vetë, nuk ka hallin e qytetarëve. Nuk ka hallin e funksionimit të rendit publik në Shkodër, funksionon a jo. Halli i Berishës është lirimi i Berishës, lirimi i Ilir Metës, këto janë halle personale. Atëherë nuk mund ta udhëheqin kauzën personat që janë të inkriminuar.

Pra, imagjino sikur Berisha dhe Meta të ishin ata që qëlluan mbi ata njerëz. Ata janë të akuzuar dhe kanë hallin e tyre, jo të shqiptarëve, të shkodranëve”, tha Mahmutaj./abcnews.al

Protestë para Bashkisë/ Mbështetës të Berishës e Metës kërkojnë lirimin e tyre

31 October 2024 at 16:29

Lirinë e Sali Berishës, Ilir Metës, por edhe Ervin Salianjit mbështetësit e opozitës i kërkuan këtë të enjte përpara godinës së bashkisë së Tiranës.

Një grup i vogël mbështetësish zhvilluan protestën e radhës, ndërsa këtë herë iu bashkuan deputetët e përjashtuar nga seancat plenare.

Sulmet u drejtuan tek policia dhe drejtësia e re që ka izoluar dy liderët.

“3 viktima dje në Shkodër, a e patë se këtë polici? Ku ishin këta efektivë të policisë? Janë thjesht një eskortë ordinere e krimit të organizuar. Po çfarë ndodh, kush është standardi I kësaj drejtësie po aq kriminale sa drejtësia e Enver Hoxhës, po shumë herë më qesharake se ajo. Nuk është koha vetëm për rezistencë, është koha për aksion, për aksion, sepse tashmë është në duart tona për të bërë drejtësi, sepse populli nuk ka asnjë alternativë tjetër”, tha Tedi Blushi.

Motra e vëllezër, shikoj sot këtu edhe gardhin policor që vazhdon e kryen më së mirë funksionin e pushtetarëve. Shoni merruni me atë që ndërtojnë kulla në mes të Tiranës, ikni e meruni me ato që i marin jetën të rinjve, ikni e meruni me bandat të cilët në çdo qytet kanë vendosur sundimin e tyre“, tha Dorian Teliti.

Pas godinës së bashkisë, deputetët dhe mbeshtetësit e opozitës iu drejtuan Parlamentit.

Disa gra përsëritën thirrjen për lirimin e Sali Berishës.

Në protestë foli edhe djali i Fari Balliut./abcnews.al

“Të pendohen, ndryshe s’ka paqe për ta”, Gjikondi: Meta dhe Kryemadhi t’i kthejnë atë që i kanë marrë Shqipërisë

25 October 2024 at 18:54

TIRANË- “Hetimi pasuror për Ilir Metën vazhdon dhe nuk ka përfunduar ende”. Kështu u shpreh analistja dhe juristja e njohur Brizida Gjikondi në studione  “Tirana Live”, me gazetaren Elisa Gjerani.

Ajo theksoi se ish-presidenti Ilir Meta ashtu dhe Monika Kryemadhit duhet t’i kthejnë mbrapsht gjithçka që i kanë marrë Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë dhe të pendohen për veprimtaritë e tyre të paligjshme.

Sipas Gjikondit nëse ata nuk “pendohen” do vazhdojnë të përpëliten në dyert e gjykatave dhe izolimeve.

“Hetimi pasuror për Ilir Metën vazhdon dhe nuk ka përfunduar ende. Ka të drejtë të mos jetë i qetë. Unë u bëj thirrje të pendohen, vetëm kaq u ka mbetur. Nuk mund të ndotin më ambientin e Shqipërisë, por duhet të kthejnë sytë nga vetja. Po të pendohen dhe po të kthejnë atë që i kanë marrë këtij vendi, ata do të gjejnë paqe. Do të kontribuojnë për t’i dhënë një mësim të madh. Të pendohen, t’i kthejnë të gjitha, kjo do t’u sillte paqen.”, tha ajo./abcnews.al

 

 

“Arrestimi i Metës, mesazh pozitiv për të shtyrë përpara procesin e integrimit europian”, eksperti: Pse Serbia dhe Kosova nuk janë gati për në BE

25 October 2024 at 13:40

Eksperti për çështjet e BE, Gerti Xhaxhiu ka deklaruar në “News Line” se arrestimi i ish-presidentit Ilir Meta është një mesazh pozitiv për të shtyrë përpara procesin e integrimit europian.

“Në fakt duket sikur nuk ka një lidhje me njëra-tjetrën. Duket sikur integrimi europian do të vazhdojë, po gjyqësori do të bëjë punën e tij. Në fakt, trajektorja e integrimit të shumë vendeve tregon që ka një lidhje të fortë mes sistemit të drejtësisë dhe procesit të integrimit. Rasti i Kroacisë, Sllovenia, vende që i kemi dhe afër. Pra, ka një korelacion të drejtpërdrejtë. Sigurisht që një vend kandidat siç është Shqipëria tregon përpjekje të hekurta në raport me vënien para drejtësisë të zyrtarëve publikë që kanë konsumuar pushtet, tregon një lloj përgjegjësie të veçantë. Ky është një mesazh pozitiv për Brukselin për të shtyrë përpara procesin dhe për të përmbushur disa nga kriteret etj. Integrimi në BE është dhe statistik dhe një prej shifrave që raportohet rregullisht, është vënia e zyrtarëve përpara drejtësisë. Janë rrugë të ndara, por në thelb  ato punojnë për njëra-tjetrën”.

Ai është ndalur dhe te Serbia dhe Kosova, duke theksuar arsyet pse këto dy shtete nuk janë gati për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

“Serbia ka rreth 10-12 vjet që ka nisur negociatat, kjo tregon që gjërat nuk kanë shkuar fort mirë në aspektin e negociatave. Entuziastët e kohës e parashikonin integrimin në vitin 2020, por jemi tani këtu dhe nuk ka ndodhur. Është situata me Moskën, me Kosovën, janë kushte që Serbia duhet t’i pastroj, t’i sqaroj përpara integrimit. Ndërkohë, dhe Kosova ka ndjekur një retorikë të caktuar, sigurisht që ka pasur ulje, ngritjet dhe strukturat administrative nuk janë gati për shkak të brishtësisë së shtetit të Kosovës, sigurisht dhe politika aktuale atje nuk ka qene fort ndihmuese dhe me atë çfarë Brukseli ka kërkuar”.

Sa i përket hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë, nga presidentja e KE, Ursula von Der Leyn, Xhaxhiu u shpreh:

“Hapja e Kolegjit në Tiranë është një mesazh i qartë që ka një pol të tretë të Europës në këtë kontinent, poli i parë në Bruzhd që është dhe selia kryesore, i dyti në Natolin të Polonisë dhe i treti në Tiranë. Mendoj që ka një mesazh të fshehtë dhe një simbolik që ky pol i tretë në Ballkan do të jetë pararendës i integrimit të Shqipërisë dhe më pas i gjithë Ballkanit në Bashkimin Europian”./abcnews.al

“’313’ ka të arrestuar nga krimi i organizuar”, gazetari: Ja çfarë i kërkuan Metës përpara se të shkonte në qeli

24 October 2024 at 21:26

Gazetari Trashëgim Sokolaj ka deklaruar në emisionin “360 Gradë” se Ilir Metës përpara se të shkonte në qelinë e 313, i është dhënë një letër e bardhë, dhe i është kërkuar të shënojë emrat e personave me të cilët ka problematika.

Ai theksoi se “313” ka disa prej të arrestuarve të SPAK, të cilët vijnë nga grupet kriminale të krimit të organizuar dhe që në kohën që Meta ka pasur një postë zyrtar mund të ketë prekur interesat e tyre dhe kjo mund të rrezikonte jetën e tij tani.

“Informacionet janë që zoti Metaj dhe mbas ndalimit nga policia, ka vazhduar atë lloj sjellje si në momentet e pamjeve të arrestimit që janë bërë tashmë publike dhe që kanë bërë xhiron e rrjetit. Të njëjtën karakter sjelljeje e ka vijuar dhe në sallën e gjyqit gjatë përballjes me prokurorët në Gjykatën e Posaçme.

313 ka disa prej të arrestuarve të SPAK, grupet kriminale të krimit të organizuar. Në fakt ambienti e ajrimit është një ambient që aksesohet në momentet që hapen dyert e qelive, aksesohet nga të gjithë të dënuarit, pra me një dalje që është një fushë e rrethuar me gardhe, ku mund të komunikojnë dhe secili repart ka orarin e vetë. Parimisht me kategorinë e personave që qendrojnë në repartin ku është ai do të ketë kontakt. Ekziston dhe rreziku, sepse Meta duke qene me detyra të ndryshme si president, ministër, ka prekur shumë interesa dhe me deklaratat e tij ka përmendur emra bandash, kriminelësh që sipas tij, janë të lidhur me kundërshtarët e tij.

Fillimisht zoti Meta, që ditën e parë që ka shkuar në 313, i është dhënë një letër e bardhë, dhe i është thënë shëno emrat e personave me të cilët ke problematika këtu dhe i është dhënë lista, është ky, ky apo ky? A ke problematika me këta? Këtë e bën administrata e burgut për të siguruar mbarëvajtjen”, u shpreh gazetari./abcnews.al

“E di se akuzat i ka shumë të rënda”, Minxhozi: Meta po përpiqet ta bëjë historinë e tij sa më të vështirë

24 October 2024 at 20:41

Analisti i njohur Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story”, tha se gjendja emotive aktuale nuk është se i është shkaktuar pas arrestimit, por sjellje të tilla ka treguar herë pas here edhe kur ishte në liri.

Ai kujtoi veprimet e Metës, i cili u ngiste nëpër male duke përcjellë mesazhe të ndryshme. Këto sjellje shtoi ai kanë një qëllim, ku “Meta po përpiqet ta bëjë historinë e tij sa më të vështire nga pikëpamja e menaxhimit të institucioneve”.

“Unë nuk mendoj se Meta është në një gjendje të rënduar të tillë emotive dhe shëndetësore, që e tejkalojnë kthjelltësinë dhe kapacitetin e tij të kalkulimit. Mendoj se Ilir meta edhe këtë gjendje të rënduar emotive, që nuk e  ka thjesht pas momentit.. pas arrestit, por e ka shfaqur në forma të tjera natyrisht më të buta edhe kur ka qenë në liri dhe luftonte në distancë me “DumDumanin” dhe SPAK. Luftonte duke shkuar dhe duke u ngjitur majat e maleve, duke flirtuar me rrezikun, duke u hedhur në disa lloj pellgjesh, duke hipur në kuadratet e hekurave me Tiranën në sfond.  Mendoj se këtë strategjie të riskut po themi dhe të shfaqjes publike të tijën, në situata risku e ka pasur për ta mbajtur gjallë historinë e tij më së pari, për të treguar forcë që unë mundem të përballem me situata sfiduese dhe tani që është pas hekurave, mendoj se ka të gjithë interesin….dhe ai e di që akuzat I ka shumë të rënda. Ai e di dhe reagimin e opinionit publik në distancë që nuk është e mirë. Jam I bindur që Meta po kërkon të mbajë gjallë një histori, e cila është jo vetëm politike, e bazuar në akuza korruptive, por edhe një histori njerëzore, e cila duke riskuar të duket si jashtë vetes të mbajë gjallë një histori dhe të mbajë në qendër të vëmendjes dhe mundësisht t’ua bëjë jetën më të vështirë edhe gjykatësve që e marrin në sallë dhe që u bërtet, edhe kur shan prokurorët, edhe atyre që e mbajnë të izoluar në burg.  Meta po përpiqet ta bëjë historinë e tij sa më të vështire nga pikëpamja e menaxhimit të institucioneve.”, tha ai.

“Ruajtja në burg e Metës shumë e rëndësishme”, eksperti: Gjatë karrierës, ka atakuar shumë grupe kriminale që mund t’i ketë në burg

24 October 2024 at 20:29

Eksperti i Sigurisë Fatjon Softa ka deklaruar në emisionin “Real Story” se ruajtja në burg e ish-presidentit Ilir Meta është shumë e rëndësishme. Kjo sepse sipas tij, gjatë karrierës së Metës, qoftë si president apo drejtues politik, ka atakuar shumë grupe kriminale, shumë persona, të cilët mund t’i ketë në këto ambiente burgu.

Softa theksoi se siguria nuk është vetëm të qendrojë brenda në qeli, sepse në një moment do të ketë kontakte me persona të tjerë.

Ruajtja si element sigurie e zotit Meta është shumë i rëndësishëm. Sepse gjatë karrierës së tij, qoftë si president apo drejtues politik, ka atakuar shumë grupe kriminale, shumë persona, të cilët janë ose jo në këto ambiente burgu. Kështu që dhe nga kjo anë, elementët e sigurisë, jo vetëm të zotit Meta, por dhe të gjithë atyre personave që kanë mbajtur statuse publike patjetër që duhet të ketë një element sigurie.

Siguria nuk është vetëm e fute brenda në qeli dhe të rri dhe të jetë aty, sepse do të ketë kontakte me persona. Për shembull, nuk mund të rri në një dhomë me persona që mund të kenë precedentë dhe mund të kenë probleme. E dyta, edhe nga pikëpamja e trajtimit të tij, sigurisht që është në kompetencën e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve që vendi, hapësira se ku do të jetë për sa i përket sigurisë së tij. Vërtetë kanë kamera, por survejim nuk mund të bësh gjithë kohën se nuk është ‘Big Brother’”, tha Softa./abcnews.al

Meta në burg/ Indrit Sefa: Procesi nuk pritet të zgjatet, hetimet e thelluara janë zhvilluar! Veprat penale, të rënda

24 October 2024 at 18:36

Juristi Indrit Sefa në “Tirana Live” në ABC News komentoi arrestimin e Ilir Metës. Gjatë intervistës në studio ai u shpreh se procesi ndaj ish-Presidentit nuk pritet të zgjatet pasi hetimet janë të thelluara dhe janë zhvilluar

“Mendoj që procedura është e njëjtë për të gjithë dhe është prokuroria ajo që vlerëson. Dhe nuk besoj se në rastin e zotit meta hetimet do të mbyllen më shpejt. Pasi hetime janë bërë, janë administruar shumë prova dhe pritet edhe disa letër porosi që nuk kanë ardhur akoma nga organe që ka bashkëpunim SPAK. Mendoj që Prokuroria ka arritur në konkluzionin që ka elementë të veprës penale…”, tha ai.

Më tej nënvizoi se Meta rrezikon disa vite burg për shkak të veprave të rënda.

“Mendoj që janë provat për të kuptuar që jemi në kushtet për të caktuar një masë sigurimi nga ana e avokatit. Vepra penale për të cilën akuzohet zoti Meta, dhe në përfundim gjykata do të dalë në një dënim të vetëm”, tha ai.

Sa i përket situatës së opozitës, theksoi se opozita sot është në situatën më të keqe që ka qenë ndonjëherë dhe se nuk ka në prioritet interesat e qytetarëve, por është vetëm interesi i ish-kryeministrit Sali Berisha.

/abcnews.al/

Dokumenti/ Vendimi i Gjykatës për Ilir Metën, Kryemadhin e dy të pandehurit e tjerë

23 October 2024 at 18:38

Këtë të mërkurë në orën 09:30 nisi seanca për Ilir Metën e cila përfundoi rreth orës 18:00.

GJKKO vendosi të lërë në fuqi “arrestin me burg” për Ilir Metën. Ndërsa për Monika Kryemadhin u vendos masa “detyrim paraqitje”. Ish-Presidenti i Republikës është dërguar në “Burgun 313”.

ABC News ka siguruar dokumentin, në të cilin jepet edhe vendimi Gjykatës për Ilir Metën, Kryemadhin e dy të pandehurit e tjerë.

Dokumenti;

Arrestimi i Ilir Metës/ Rama: Drejtësia flet vetë

23 October 2024 at 16:32

Kryeministri Edi Rama dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von Der Leyn kanë zhvilluar një konferencë të përbashkët. Gjatë kësaj konference kryeministri u pyet lidhur me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta.

Kryeministri Rama nënvizoi se këto janë çështje që i përkasin drejtësisë dhe për këtë do të flasë drejtësia vetë.

“Ju e dini përgjigjen dhe unë asnjëherë nuk bëj komente të politikë së brendshme në gjuhë të huaj, apo në prani të miqve të huaj, por edhe për faktin se që kur e kemi nisur reformën në drejtësi as unë dhe as forca politike që udhëheq nuk bën komente për çështje që i takojnë drejtësisë”, tha Rama.

Ish-Presidenti i Republikës dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u arrestua të hënën me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

SPAK-u e shpalli person në hetim nën dyshimet për korrupsion pasiv, mosdeklarim dhe fshehje pasurie si dhe pastrim të parave Ilir Metën, si edhe vendosi masën për detyrim paraqitjeje për Monika Kryemadhin, si edhe arrest në shtëpi për Pirro Xhixhon dhe detyrim paraqitjeje për Ema Çokun.

/abcnews.al/

Meta përleshet me Dumanin… dhe me Monën

23 October 2024 at 12:24

Fjalë fyese ka përdorur Ilir Meta në sallën e gjyqit, i cili sot është gjendur përballë kreut të SPAK, Altin Dumani në seancën gjyqësore në GJKKO.

“O Dumduman, do të kap për veshi! O dum duman o këlysh i Sorrosit” mësohet t’i jetë drejtuar Meta, Dumanit në sallën e gjyqit në GJKKO, ku do të njihet me masën e sigurisë.

Gazetari Ermal Vija tha për ABC News, se seanca me dyer të mbyllura ka nisur me relatimin e prokurorit Arben Kraja, i cili ka komunikuar akuzat për të pandehurit, ndërsa është hasur në kundërshtimet e Metës, i cilës i është referuar me termin ‘mashtrues’. Por pavarësisht fjalorit fyes të Metës ndaj kreut të SPAK, ky i fundit ka ruajtur qetësinë, duke mos iu përgjigjur kreut të Partisë së Lirisë. Tre prokurorë, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi, firmosën arrestimin e kreut të PL, i cili u ekzekutua mesditën e kësaj të hëne, 21 tetor.

ABC News mëson se retorikës së ashpër në sallë e gjyqit në GJKKO, nuk i ka shpëtuar as bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, me të cilën ndodhet në proces divorci. Ata janë ‘bashkuar’ sot në sallën e gjyqit në gjykatë, ku njëri nga burgu e tjetra nga shtëpia mbërritën në Gjykatën e Posaçme për seancën e konfirmimit të masave të sigurisë. “Dumdumania” mësohet t’i jetë drejtuar  Meta, Kryemadhit në sallë e gjyqit.

Akuza e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë janë veprat penale qeëme urdhër të Prokurorisë së Posaçme çuan në pranga ish-presidentin Ilir Meta. Ndaj Metës është caktuar masa e arrestit në burg, ndërsa prej disa vitesh është hetuar për dosjen CEZ DIA dhe për burimin e parave për lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Partisë Levizja Socialiste për Integrim.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e detyrimit për të paraqitur edhe për Monika Kryemadhin. Edhe për këtë të fundit SPAK ka dyshime se është përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.  Përveç Metës e Kryemadhit, gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak edhe për Pirro Xhixhon dhe hetim në gjendje të lirë për Ema Çokun. Hetimet janë kryer fillimisht nga prokurori Sotir Kllapi bazuar në një kallëzim se Meta dhe bashkëshortja e tij nuk kanë deklaruar burimin e të ardhurave për disa ndërhyrje estetike në një klinikë private jashtë Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë edhe për burimin e parave për lobimin prej 700 mijë dollarësh në Amerikë të partisë lëvizja socialiste për Integrim.

Ndërsa dosja tjetër që lidhet me hetimet për CEZ-DIA është ndjekur nga drejtuesi i SPAK Altin Dumani dhe prokurori Arben Kraja. Të dyja këto hetime janë bashkuar në një dosje te vetme, që çuan në pranga Metën dhe vunë në akuzë edhe Kryemadhin dhe 2 personat e tjerë. Meta është kallëzuar në SPAK edhe për dosjen CEZ-DIA.

“Meta, i përfshirë në afera të shumta”, Ibsen Elezi: Bilanc tepër negativ, mbetet simbol i politikanit të korruptuar

22 October 2024 at 18:39

TIRANË- Ish-kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ibsen Elezi, i ftuar në “Tirana Live” u ndal tek arrestimi i ish-kreut të shtetit, Ilir Meta dhe vendosjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitje” për Monika Kryemadhin, të cilët akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale; korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Ai theksoi se në daljen e saj publike, Kryemadhi përdori disa argumente, të cilat nuk kishin asnjë bazë përballë akuzave, që ka ngritur drejtësia.

“Monika Kryemadhi pati argumente të pabaza për t’u mbrojtur nga akuzat”, tha ai.

Ai theksoi se Ilir Meta që prej viti 1999 ka kryer detyra të larta shtetërorë, por bilanci i tij ka qenë negativ. Sipas Elezit, Meta është simboli i politikanit të korruptuar, të paktën në sytë e qytetarëve.

“Figura e Metës është një figurë politike që nga viti 1999 ka pasur detyra të larta shtetërore. Shumatorja politike e zotit të Metës rezulton shumë negative. Ky bilanc negativ vjen sepse Meta është i përfshirë në afera të shumta dhe është një simbol i politikanit të korruptuar, të pakën në sy të njerëzve. Kanë përdorur pushtetin për t’u pasuruar në mënyrë të frikshme”, tha ai.

Gjatë diskutimit më gazetaren Elisa Gjerani, Elezi komentoi edhe kampin opozitar. Ish-kandidati për kryetarin e PD-së tha se opozita është e paorganizuar përballë mazhorancës socialiste.

Ai theksoi se aksionet politike të ndërmarra nga opozita nuk prodhojnë zgjerim në elektorat, por një qasje e tillë, mund të prodhojë efekt të kundërt.

“Partia e Lirisë është një parti klienteliste. Kjo PD ka në themel Sali Berishën, dhe ato që janë aty nuk funksionojnë ndryshe pa të. E ka humbur qëllimin e saj, në luftë për mbijetesë. Misionin e tyre e kanë tradhtuar me ndryshimet të Kodit Zgjedhor me 1/3 e listës zgjedhore të mbyllur. Nuk jam kundër aksioneve politike që diskreditojnë pushtetin dhe i japin pikë opozitës. Këto aksione nuk i japin zgjerim elektoral, për të mos thënë se japin efektin e kundërt. PD ka prekur fundin në këto momente. Nuk kanë sens logjik për këtë rrugë që po ndjekin”, tha ai./ abcnews.al

Dosja hetimore/ Argumentet e SPAK që ‘shpëtuan’ Kryemadhin nga arresti

22 October 2024 at 15:30

Ndonëse ndaj saj rëndojnë gjithashtu vepra të rënda penale, si “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”  në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”, SPAK vlerësoi masën e sigurisë me detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin, ndërsa rendit në dosjen hetimore argumentet e tij.

“Në lidhje me personin nën hetim Monika Kryemadhi, Gjykata vlerëson se në caktimin e masës së sigurimit personal ndaj saj duhen mbajtur në konsiderate këto kritere/rrethana: gjendjen ekonomike, shoqërore e familjare e saj, gjendjen shëndetësore të saj (gjatë hetimit ka rezultuar e dokumentuar se i është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale dhe trajtimeve të ndryshme mjekësore), rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale për të cilat dyshohet duke u nisur nga masa e dënimit që parashikon secila prej tyre, mënyra e kryerjes se secilës prej tyre, rrezikshmërinë shoqërore të autorit, faktin që personi nën hetim po hetohet për katër vepra penale të ndodhura në kohë të ndryshme, faktin që personi nën hetim dyshohet se është recidivist specifik në veprën penale të “Korrupsionit”, si dhe përbërjen e gjendjes së saj familjare.

Gjykata vlerëson se të gjitha këto rrethana, e bëjnë të domosdoshme dhe në përputhje me nevojën e sigurimit caktimin ndaj personit në hetim Monika Kryemadhi të masës se sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur ne policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale.

Në vlerësimin e gjykatës kjo masë sigurimi personal është masa më e përshtatshme në raport me rëndësinë e fakteve të kryera nga personi nën hetim Monika Kryemadhi, si dhe masën e dënimit që parashikohet nga neni 260 i K.Penal, (katër deri në dymbëdhjetë vjet burgim), me masën e dënimit të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal (nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet burgim), me masën e dënimit të parashikuar nga neni 257/a/2 i K. Penal (deri në tre vite burgim në maksimum) si dhe faktin që secili episod konsiderohet si vepër më vete. Masa e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur ne policinë gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale për personin nen hetim Monika Kryemadhi, ishte e përshtatshme ne raport me rëndësinë e faktit
Gjithashtu, Gjykata referuar nenit 248 të K.Pr.Penale, jo më vonë se 5 ditë nga zbatimi i kësaj mase sigurimi do të zhvillojë seancën e marrjes në pyetje të këtij personi ndaj të cilit është dhënë masa e sigurimit, për të verifikuar ekzistencën e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurimit./abcnews.al

“Ilir ‘shefi i madhi’, “Mona përfitime me mijëra euro e karta krediti/ SPAK: Si përfituan Meta-Kryemadhi me fibrat optike

22 October 2024 at 15:20

“Bazuar në të dhënat e pasqyruara sa mësipër, sipas organit të akuzës Monika Kryemadhi ka përfituar të ardhura nga aktiviteti i kompanisë UNIFI Holldings dega Shqipëri, si dhe ka përfituar pagesa për të mira materiale nga Adrian Shatku” kështu thuhet në dosjen hetimore që ABC News disponon  lidhur me hetimet e ciftit Meta -Kryemadhi.

Pjese nga dosja hetimore: 

Nga të gjitha bisedat e zhvilluara midis Monika Kryemadhit dhe Adrian Shatkut, organi i akuzës ka arritur ne konkluzionin se këta dy persona flasin si bashkepuntore dhe ortake të:

Adriani dhe Monika flasin në numrin shumës duke u shprehur “ne”, “pjesën tonë?”, marrim letrën dhe tua përplasim”, “t’ia heqim licensën” etj.

Bazuar në të dhënat e pasqyruara sa mësipër, sipas organit të akuzës Monika Kryemadhi ka përfituar të ardhura nga aktiviteti i kompanisë UNIFI Holldings dega Shqipëri, si dhe ka përfituar pagesa për të mira materiale nga Adrian Shatku. Përfitimet konsistojne në pagesa per udhëtimet dhe akomodimin e Monika Kryemadhit në Amerikë dhe Angli, pagesa për blerje në dyqanet Maccapani në vlerën 12,000 USD, pagesën në shumën 3200 Euro për shpenzime arsimi për B.Metaj, etj. Gjithashtu Monika Kryemachi ka perfituar një kartë krediti Amerikan Expres nr. 3743 2311******* e cila është lëshuar nga kompania American Expres, llogaria bankare nga e cila është rimbushur karta nuk është identifikuar ende nga autoritetet giygesore te Britanise së Madhe. Nga të dhenat e bisedave dhe email-eve ishte vërtetuar se Monika Kryemadhi ka përfituar edhe nga aktiviteti ekonomik i kompanise UNIFI Holdings Inc, Dega Shqipëri, dhe në të paktën dy raste është përfituese e dy shumave prej 34,638 Euro. Monika Kryemadhi se bashku me Ilir Metën kanë perdorur pushtetin e tyre politik per të mbajtur nen kontroll dhe për të urdhëruar Kryetarin e AKEP, shtetasin Piro Xhixho që të krijojë të gjitha kushtet me qëllim qe kompania UNIFI Holldings Dega Shgiperi të lidhë kontratë interkoneksioni, si dhe të përfitojë sa me shumë minuta për tranzitim.

Nga bisedat e zhvilluara midis Monika Kryemadhit dhe Piro Xhixhos rezulton se ky i fundit ka vendosur autoritetin e tij si kryetar i këshillit drejtues te AKEP, plotësisht në funksion të interesave ekonomike dhe politike të llir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke e shkelur detyrimin ligjor që përcakton se “AKBP është person juridik, publik i cili drejtohet nga Keshilli Drajtues që është i pavarur në marrjen e vendimeve dhe funksionon në baze të rregullores së brendshme, të miratuar ngu ai vetë, Këshilli Drejtues perbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, me propozimin e Keshillit të Ministrave”. Ne mesazhet e tij drejtuar Monika Kryemadhit, Piro Xhixho i drejtohet kesaj të fundit me emrin “Mona” ndërsa kur behet fjalë për Ilir Metën, i drejtohet me emrin “shefi” dhe “i madhi”.

Piro Xhixho i raporton Monika Kryemadhit pär çdo takim qe ai ka bërë me Samir Manën, sipas rekomandimit te saj, dhe i merr leje a duhet ta takojë këtë person kur Samiri kërkon takim, i shkruan për mesazhet që i dergojnë grupet e interesit. Piro Xhixho gjithashtu e informon Monikën për telefonatat që i bën “sheft”, lidhur me emërimet dhe lävizjet e stafit që siç shprehet per një punonjëse “nuk e kemi qef”./abcnews.al

“Metajt, korrupsion familjar”, ABC News zotëron dosjen: Iliri u investua te Ismailaj

22 October 2024 at 15:17

Dosja voluminoze e prokurorisë së posaçme  nxjerr si si çifti çifti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë përdorur pushtetin për të ndërhyrë në lidhjen e kontratave shtetërore dhe në këmbim përfitimin e shumave të mëdha monetare. Në dosjen hetimore që abc neës e disponon evidentohet nga njëra ana bashkëpunimi I ngushtë mes Ilir Metës dhe Kastriot Ismailajt për lidhjen e marëveshjes mes Kopmanisë Cez dhe asaj DIA që drejtohej nga Ismailaj, për mbledhjen e borxheve të pa shlyera. Në këmbim të kësaj Meta që në atë kohë mbante postin e ministrit të energjitikës dhe Infrastrukturës kë përfituara në kohë të ndryshme shumë monetare nga Ismailaj.

“llir Metaj, ka favorizuar dhe mbështetur shtetasin Kastriot Ismailaj të krijonte kontaktet me perfaqësuesit e CEZ-Pragë dhe për më tepër, të krijonte besueshmëri para tyre si njeri i besuar i qeverise shqptare, rrjedhimisht duke qënë kështu njeriu i favorizuar për të marrë kontratën për mbledhjen e borxheve nëpëmjet DIA-s, sikurse rezultoi më pas. Këtë favorizim të shtetasit Kastriot Ismailaj rezulton se shtetasi Ilir Metaj e ka kryer kundrejt kërkimit apo marrjes së një perfitimi të parregullt prej shtetasit Kastriot Ismailaj”.

Në dosje thuhet i Ilir Meta, i ka sugjeruar CEZ në Çeki qe te zgjidhte si kontraktor per mbledhjen e borxheve pikerisht shtetasin Kastriot Ismailaj. Gjatë kësaj periudhe që pritej të lidhej edhe marëveshja mes Çez dhe Dia janë identifikuar të paktën 115 telefonate mes Ilir Metës e Kastriot Ismailiajn që provojnë lidhjen e tyre, ndryshe nga sa ka deklaruar Meta që nuk ka njohje me Ismailajn. Po kështu spak ka administruar një intervistë të bashkëshortes së Kastriot Ismailajt Vojsava Ismailaj që ka treguar se Meta ka marrë dhe kërkuar shumë monetare Ismalijat.

“Ilir Meta kishte fushatën elektorale dhe erdhi te Kastrioti 300.000 (treqind mije) Euro. Kastrioti ia dha. Ai me paturpesine e tij dhe pangopësinë erdhi dhe kërkoi prapë para. Kastrioti nuk i dha, i tha që kuotën time te partia e kam paguar”.

Në dosje zbardhet edhe roli i Monika Kryemadhit që ka ndikuar për lidhjen e një kontrate iterkonjeskioni mes kompanisë së Ardian Shatkut dhe një kompanie celulare. Në këmbim Kryemadhi ka siguruar disa pagesa nga Shatku, përfshi bileta udhëtimi, blerje në një butik në San Marino si dhe pagesa për shkollimin e fëmijëve në Angli.

“Monika Kryemadhi, perveç ndikimit që ka ushtruar tek administaratorii  kompanisë celulare për lidhjen e kontrates, ka patur interes të informohet edhe për fitimin bruto që kompania e Ardian Shatkut realizon për çdo muaj”.

Pas lidhjes së kontratës së interkonjeskionit ku në atë kohë është vënë në dijeni edhe Ilir Meta rezulton se Krymadhi ka përfituar rreth 70 mijë euro si pjesë e fitimit të kompanisë.

“Nga këqyrja që iu bë llogarisë bankare të Monika Kryemadhit, rezulton se në datën 25 Shtator 2014, Monika ka bërë blerje ne dyqanin Ferreti Boutique, në vlerën 3.000 Euro. Monika Kryemadhi ka bërë blerje në dyanin Maçapani, por karta perseri nuk është pranuar. Lidhur me refuzimin e kartes AMEX Black, Adriani i është përgjigjur se kompania ka menduar se është vjedhur dhe duhet ta provojë sërish”./abcnews.al

❌