Normal view

Ku po shkon protesta? Beqiri: U kap nga agjentuarat e huaja dhe Saliu! Balliu: Berisha e ka kthyer PD në pronë private

22 August 2026 at 23:34

Avokati Idajet Beqiri thotë se protesta në bulevard u kap nga agjenturat e huaja dhe Sali Berisha.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se Berisha ka bërë propagandë armiqësore kundër Shqipërisë.

Ndërsa ish anëtarja e PD, Alesia Balliu deklaroi se Berisha e ka kthyer partinë në pronë private.

Idajet Beqiri: Sa më shumë ditë kaluan nga fillimi i protestës, u kthjellua se kush e organizoi, çfarë qëllimesh kishin, kush futi hundët në të dhe kush po e drejton sot atë. Ajo ishte një protestë, që nuk ishte e natyrshme, erdhi si rrufe në qiell të pastër, nuk ishte organizim shqiptar, ishte organizim i huaj, i vendeve jo mike të Shqipërisë. Nuk donin që të vinte në Shqipëri një investim i madh. Ato nuk duan që Shqipëria të futet në BE. Sali Berisha me flakë, molotovë, mori inkursione në Greqi nga Mitsotakis, shkoi atje me Fredi Belerin duke lobuar që Shqipëria të mos futet në BE sepse nuk ka plotësuar kushtet. Ai ka bërë propagandë armiqësore kundër Shqipërisë. Kjo doli qartë gjatë kohës që filloi protesta. Një ndikim patoi Irani me xhihadistët që ka në Kosovë, RMV, por ka edhe në Shqipëri. U bë propagandë sikur Sazanin do e merrnin izraelitët.

Alesia Balliu: Sot zgjedhjet në Shqipëri po pengohen, sepse Berisha po pengon qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Shqiptarët sot nuk kanë të drejtë të zgjiedhin, po mbahet një parti peng, një parti me dhunë. Të gjithë shqiptarët e dinë se Sali Berisha nuk bëhet më kryeministër. rrezikohet demokracia, rrezikohet vota. Në këtë situatë, shqiptarët dalin në protestë. Dalin për hallet e tyre, por edhe për të rrëzuar sistemin. Ramën do e përzënë shqiptarët me votë, por duhet kundërshtar real përballë tij./abcnews.al

Rrëzohet bllokimi i vizave në SHBA/ DASH bllokoi shtetasit e 75 vendeve, përfshirë nga Shqipëria, Kosova e RMV

22 August 2026 at 23:04

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar vendimin e qeverisë amerikane për bllokimin e vizave për shtetasit e 75 shteteve, mes tyre Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga organizata për të drejtat e emigrantëve së bashku me aplikantë për viza imigruese dhe shtetas amerikanë që sponsorizonin familjarë nga vendet e prekura.

Politika ishte vendosur nga Departamenti Amerikan i Shtetit në janar 2026 dhe parashikonte ndalimin e lëshimit të vizave emigruese për shtetasit e vendeve të përfshira në listë. Sipas administratës amerikane, aplikantët nga këto vende konsideroheshin me rrezik të lartë për t’u bërë barrë financiare për shtetin amerikan.

Presidenti i Shba, donald Trump e kishte justifikuar masën me argumentin se emigrantët nga këto shtete mund të ktheheshin në një barrë ekonomike për Shtetet e Bashkuara.

Por gjykata e ka cilësuar politikën në kundërshtim me ligjin, duke vlerësuar se qeveria kishte tejkaluar kompetencat e saj. Sipas vendimit, aplikimet për viza nuk mund të refuzohen vetëm për shkak të shtetësisë apo vendit të origjinës.

Gjykata ka urdhëruar gjithashtu që çdo refuzim i bërë vetëm mbi bazën e kësaj politike të shfuqizohet dhe aplikimet të shqyrtohen sërish rast pas rasti, duke marrë në konsideratë kriteret individuale të çdo aplikanti./abcnews.al

Kontroll në parcelat me drogë në Pukë/ Policia qëllon në ajër, i armatosuri arrin të arratiset

22 August 2026 at 22:31

Një person i armatosur ka mundur t’u shpëtojë shërbimeve të Policisë gjatë një kontrolli në një parcelë ku dyshohej se ishin kultivuar bimë narkotike, në fshatin Kodërbojë të Pukës.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, gjatë kontrollit të parcelës, efektivët kanë konstatuar një person të armatosur. Ky i fundit, sapo ka vënë re punonjësit e Policisë, është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar.

Në përpjekje për ta ndaluar, një prej punonjësve të Policisë ka qëlluar me armë zjarri në ajër, si të shtëna paralajmëruese. Megjithatë, personi i armatosur, duke përfituar nga terreni, ka arritur të largohet.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Komisariatit të Policisë Pukë dhe Forcave Kombëtare të Sigurisë vijojnë kontrollet në zonë, me qëllim kapjen e personit të armatosur./abcnews.al

Irani: Jemi gati për një luftë të zgjatur, prodhimi i armëve u trefishua

22 August 2026 at 22:18

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Iranit, Reza Talaei-Nik, deklaroi se Irani është i përgatitur për një luftë të zgjatur me SHBA dhe Izraelin, teksa theksoi se prodhimi i armëve nga Teherani është trefishuar gjatë luftës së fundit 40 ditore.

“Irani është më i përgatitur se kundërshtarët e tij për një luftë të zgjatur, veçanërisht duke pasur parasysh se prodhimi i armëve dhe municioneve ka vazhduar pa ndërprerje gjatë konflikteve të fundit”, tha Reza Talaei-Nik.

Ai shtoi se “Irani vazhdon të modernizojë armët strategjike, duke përfshirë raketat balistike dhe ato lundruese”, dhe se “prodhimi i disa armëve dhe municioneve strategjike është më shumë se trefishuar gjatë luftës së fundit 40-ditore”.

I cituar nga agjencia e lajmeve Tasnim, Talaei-Nik deklaroi se “armiku përballet me kufizime shumë më të mëdha në një luftë të gjatë dhe shteruese, ndërsa Republika Islamike e Iranit ka kohë që përgatitet për kushte të tilla”.

Melania Trump thyen heshtjen pas javësh mungesë në daljet publike

22 August 2026 at 21:43

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, u rikthye në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, ku njoftoi një donacion prej 2 milionë dollarësh për zgjerimin e programit të saj për bursat në 26 universitete.

Në fjalimin e saj, Melania Trump iu përgjigj indirekt edhe kritikave lidhur me mungesën e saj nga aktivitetet publike.

“Dëgjova se ju kisha munguar. Ja ku jam”, tha Zonja e Parë, pasi doli nga Zyra Ovale krah për krah me bashkëshortin e saj, presidentin Donald Trump.

Dalja e saj erdhi pas një sërë artikujsh në mediat amerikane që ngrinin pyetjen: “Ku është Melania?”.

Ajo ishte parë për herë të fundit në publik më 19 korrik, gjatë finales së Kupës së Botës 2026.

Melania njoftoi se nisma e saj “Fostering the Future” do të zgjerojë rrjetin kombëtar falë një donacioni prej 2 milionë dollarësh nga IndyCar dhe Fox Corporation.

Fondet do të përdoren për bursa në Universitetin e Indianës dhe Universitetin Purdue.

“Investimi më i madh që Amerika mund të bëjë nuk është në teknologji, infrastrukturë apo tregjet e kapitalit. Është te fëmijët tanë”, deklaroi ajo.

“Avantazhi më i madh konkurrues i Amerikës mbetet te vetë njerëzit e saj. Udhëheqësit e së nesërmes janë sot në bankat e shkollës, përfshirë edhe ata që rriten në kujdesin e familjeve kujdestare. Aftësitë e tyre nuk janë më pak të jashtëzakonshme”, shtoi Zonja e Parë.

Melania Trump është përballur me kritika në median amerikane për numrin relativisht të kufizuar të daljeve publike.

Sipas USA Today, Këshilltari i saj i lartë, Marc Beckman, kundërshtoi idenë se mungesa e daljeve publike nënkupton mungesë pune.

“Kjo Zonjë e Parë është e përqendruar te rezultatet. Ajo nuk është e përqendruar te imazhi”, tha Beckman.

Ai përmendi miratimin në maj nga Dhoma e Përfaqësuesve të ligjit “Fostering the Future Act” dhe përpjekjet e Melania Trump për ta çuar atë për votim edhe në Senat.

Putin: Sulmet ruse në rritje ndaj Ukrainës kanë rezultuar efektive

22 August 2026 at 21:21

Vladimir Putin i ka përshkruar sulmet gjithnjë e më vdekjeprurëse të Rusisë ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase si “efektive”, ndërsa pretendon se sulmet reciproke brenda Rusisë kanë prodhuar të kundërtën e rezultatit të synuar.

Vërejtjet e tij u shfaqën në një transkript të botuar në faqen e internetit të Kremlinit të një interviste me Pavel Zarubin, një gazetar të shquar rus me qasje pothuajse ekskluzive dhe të rregullt me ​​Putinin.

I pyetur në lidhje me rezultatet e sulmeve të fundit të rënda të Rusisë në të gjithë Ukrainën, Putin tha: “Sigurisht, ato janë efektive; këto sulme janë në kohën e duhur dhe, padyshim, kjo i ndihmon ushtarët tanë, heronjtë tanë në front për të përmbushur misionet luftarake me të cilat përballen”.

“Pse? Sepse pengon mundësinë e dorëzimit të pajisjeve dhe municioneve dhe të rotacionit të personelit në vijën e angazhimit.”

Sulmet ndaj Kievit dhe qyteteve të tjera janë rritur ndjeshëm në shkallë gjatë muajve të fundit. Të paktën 17 persona u vranë në Kiev dhe dhjetëra të tjerë u plagosën pas një sulmi veçanërisht në shkallë të gjerë këtë javë.

Putin tha se intensifikimi i sulmeve të Moskës ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rritjes së sulmeve me raketa dhe dronë nga Ukraina ndaj asaj që ai e quajti “objektet dhe logjistika civile” të Rusisë – një referencë e dukshme për sulmet e vazhdueshme të Kievit ndaj rafinerive dhe depove të naftës.

“U deklarua publikisht një qëllim për të shkatërruar sektorë të tërë të ekonomisë së vendit tonë, për të minuar unitetin e popullit tonë dhe për të dobësuar kohezionin e shoqërisë ruse”, tha Putin.

Edhe pse presidenti rus pranoi se sulme të tilla “padyshim shkaktojnë dëme ekonomike në vendin tonë dhe çojnë në humbje”, ai argumentoi se “rezultati përfundimtar doli të ishte pikërisht e kundërta e asaj që armiku kishte pritur”./abcnews.al

Irani ndryshon doktrinën ushtarake: Nga mbrojtëse në sulmuese, shpërblime për kapjen e trupave amerikane

22 August 2026 at 21:03

Ushtria iraniane ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në doktrinën e saj ushtarake, duke kaluar gradualisht nga një qasje mbrojtëse në një strategji më sulmuese, pas mësimeve të nxjerra nga konfliktet e fundit.

Gjeneral brigade Mohammad Akraminia, zëdhënës i ushtrisë iraniane, deklaroi për agjencinë shtetërore IRNA se ky ndryshim është zhvilluar gjatë asaj që ai i cilësoi si luftërat 12-ditore dhe 40-ditore.

Sipas tij, ndryshimi është reflektuar në reagime më të shpejta dhe më të gjera ndaj sulmeve, si dhe në përdorimin e operacioneve parandaluese.

Akraminia bëri gjithashtu një deklaratë të fortë lidhur me një ndërhyrje të mundshme tokësore amerikane në Iran. Ai tha se ushtria ka hartuar një plan që parashikon shpërblime për vrasjen ose kapjen e trupave amerikane që do të hynin në territorin iranian.

Sipas planit, pjesëtarët e forcave të armatosura apo civilët që posedojnë ligjërisht armë gjuetie do të përfitonin 5 miliardë tomanë, rreth 26 mijë dollarë, për vrasjen ose kapjen e një ushtari amerikan. Shpërblimi, sipas tij, do të dyfishohej në 10 miliardë tomanë, rreth 53 mijë dollarë, nëse veprimi do të kryhej nga një grua.

Zëdhënësi iranian shtoi se ushtria do të blinte gjithashtu armën e përdorur për dyfishin e vlerës së saj dhe do ta ekspozonte në një muze ushtarak së bashku me emrin e pronarit. Personit do t’i sigurohej edhe një armë e ngjashme zëvendësuese.

Piratët rrëmbejnë një cisternë të lidhur me Iranin

22 August 2026 at 20:35

Një cisternë nafte, e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara nën akuza se transporton produkte të naftës iraniane, është rrëmbyer afër brigjeve të Jemenit dhe është nisur drejt Somalisë. Kjo ngjarje është treguesi i fundit i rishfaqjes së piratëve në Somali.

Gjashtë individë të armatosur hipën në kuvertën e Sibu 1, anijes me flamur të Eritresë, më 20 gusht, tha monitoruesi britanik i sigurisë detare, Operacionet Tregtare Detare (UKMTO).

Uashingtoni vendosi sanksione ndaj cisternës në dhjetor, duke thënë se ajo i përkiste të ashtuquajturës flotë në hije, e cila përdoret për të shmangur kufizimet ndaj eksporteve iraniane të naftës.

Sipas të dhënave të Byrosë Ndërkombëtare Detare dhe raporteve të UKMTO-së, Sibu 1 është të paktën anija e 13-të e sulmuar këtë vit në brigjet e Somalisë ose në Gjirin e Adenit. Kjo shifër paraqet rritje krahasuar me vitin paraprak, kur ishin regjistruar gjithsej pesë sulme.

Pirateria somaleze, e cila shkaktoi qindra sulme nga viti 2008 deri më 2014, përpara se të vihej kryesisht nën kontroll pas një reagimi ndërkombëtar detar, është rishfaqur ndërsa burimet e sigurisë po angazhohen gjithnjë e më shumë në zona të tjera.

Shirat e rrëmbyeshëm godasin Spanjën, 7 të plagosur dhe 300 të evakuuar

22 August 2026 at 20:06

Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje të shumta në verilindje të Spanjës, duke lënë të paktën shtatë persona të plagosur dhe duke detyruar autoritetet të evakuojnë rreth 300 persona.

Ngjarja më e rëndë u regjistrua në portin e Roda de Berà, rreth 75 kilometra në jugperëndim të Barcelonës, ku shembja e një muri plagosi tre persona. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike, ndërsa një tjetër në gjendje të rëndë.

Katër persona të tjerë janë dërguar në spital pas incidenteve të lidhura me motin e keq. Dy prej tyre u plagosën lehtë nga shembja e një muri në një kamping në Roda de Berà.

Për shkak të situatës, rreth 300 persona u evakuuan nga një kamping, ndërsa rreth 100 prej tyre u strehuan në një qendër sportive të bashkisë.

Reshjet e dendura prekën veçanërisht zonat e El Vendrell, Roda de Berà, Creixell dhe Torredembarra, ku në disa pika u regjistruan mbi 200 litra shi për metër katror brenda pak orësh.

Rama mbledh qeverinë në Pogradec/ Artur Nura: Do ketë ndryshime në kabinet, përfliten 6 ministra

22 August 2026 at 19:35

Në nisje të sezonit të ri politik, kryeministri Edi Rama pritet të mbledhë ministrat e kabinetit të tij në një takim dyditor në Pogradec, më 23 dhe 24 gusht.

Gazetari dhe analisti Artur Nura thotë se mund të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar, ku përfliten 6 ministra.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Nura u shpreh se Rama duhet të plotësojë kërkesat e drejta të protestuesve në shesh.

“Përderisa ka ndryshuar strategji, duhet të ndërrojë edhe disa pjesë të kabinetit. Kjo është qasje e mirëmenduar e qeverisë shqiptare. Sipas mendimit tim, do ketë ndryshme. Përflitet deri në 6 ministra do jenë në lëvizje. Deri dje kishim në rrugë PD, që nuk kishte alternativa. Sot, sheshi duhet konsideruar. Duhet të përballen me kërkesat e drejta të sheshit. Sheshi është modest, por shqetësimet e njerëzve janë në kafene, në zyra. Atyre duhet t’u jepet përgjigje. Edhe kryeministri e ka pranuar, edhe në administratë ka problematika. Këto duhen konvertuar në zgjidhje politike. Sipas mendimi tim, do kemi kabinet të rinovuar, me fytyra të reja”, theksoi ai./abcnews.al

Rambo sfidon Kurtin: Thaçi president! Nura: Zgjedhja formale e tij do sillte stabilitet në Kosovë. Haga e ka humbur moralin politik

22 August 2026 at 19:24

Hashim Thaçi për president. Ky është propozimi i ish-kreut të Aleancës, Ramush Haradinaj, ndërsa Albin Kurti vazhdon ta mbajë Kosovën në krizë prej një viti e gjysmë, me zgjedhje të njëpasnjëshme, por pa institucionet kryesore të shtetit.

Gazetari dhe analisti Artur Nura thotë se zgjedhja formale e Thaçit president, do t’i hiqte Gjykatës së Hagës edhe moralin politik, teksa do të kishte stabilitet politik në Kosovë.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Nura u shpreh se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti duhet të kuptojë se nuk mund t’i ketë të gjitha pushtetet dhe po e zgjat krizën institucionale.

“Unë besoj se sugjerimi i zotit Haradinaj, është edhe komerdare për t’i shpëtuar moralin Albin Kurtit. Mund të konvertohet edhe në vota. I kujton zotit Kurtit që Kosova është kundër procesit të padrejtë që po i bëhet komandantëve të UÇK. Po bëhet proces politik. Do i hiqte moralin politik kësaj gjykate. Do i kujtonte, ne iu ndërtuam, ne iu heqim të drejtën për të ndëshkuar një luftë të drejtë çlirimtare. Le t’u humbi edhe morali politik kësaj gjykate. Zgjedhja formale e Thaçit si president i Kosovës, do ndërtonte stabilitet politik në Kosovë. Do i kujtonte zotit Kurtit që nuk mund të mbahen të gjitha pushtetet. Do jepte një model, Kurti do dilte më i moralshëm, do i jepte të drejtë UÇK. Këto do i jepnin dimension të ri stabilitetit politik të Kosovës. Kurtit i është mbushur mendja që i meriton të gjitha pushtetet. Këtu ka marrëveshje të paqartë me LDK”, theksoi ai./abcnewsal

Vendimi për shqiptarët e trafikuar/ Autoritetet britanike nuk mund të deportojnë automatikisht meshkujt

22 August 2026 at 19:12

Meshkujt shqiptarë që kanë qenë viktima të trafikimit në Britani nuk mund të deportohen automatikisht në Shqipëri. Ky është vendimi i fundit i drejtësisë britanike, e cila ka udhëzuar autoritetet që, përpara kthimit të tyre, të vlerësojnë nëse ekziston rrezik real për jetën dhe sigurinë e tyre.

Gjykata ka përcaktuar se autoritetet britanike nuk mund të mbështeten vetëm në argumentin se Shqipëria është një vend i sigurt, por duhet të shqyrtojnë rrethanat konkrete të çdo personi.

Në fokus është rreziku që viktimat, pas kthimit në Shqipëri, të përballen me kërcënime, dhunë apo ritrafikim.

Autoritetet duhet të vlerësojnë gjithashtu nëse personi mund të mbrohet nga institucionet shqiptare, nëse ka mundësi strehimi dhe nëse mund të jetojë i sigurt, pa rënë sërish në duart e trafikantëve.

Vendimi prek veçanërisht djemtë dhe burrat e rinj shqiptarë të shfrytëzuar në Britani për aktivitete kriminale, përfshirë shpërndarjen e drogës dhe kultivimin e kanabisit.

Megjithatë, vendimi nuk nënkupton ndalimin automatik të deportimit për çdo shqiptar që ka qenë viktimë trafikimi.

Në Britani, rastet e viktimave të mundshme shqyrtohen përmes Mekanizmit Kombëtar të Referimit, ku vlerësohen historia e personit, mënyra e shfrytëzimit dhe provat që mbështesin pretendimin e tij.

Tashmë, me udhëzimet e reja të drejtësisë britanike, çdo rast duhet të shqyrtohet individualisht dhe deportimi mund të kundërshtohet kur ekziston rrezik real për sigurinë e viktimës pas kthimit në Shqipëri./abcnews.al

“Shpëtoni Sazanin”, por nuk shkuan në ishull/ Aktivistët e Gazës zbulojnë misionin: Me revolucionin në Tiranë!

22 August 2026 at 19:08

Një grup aktivistësh në mbështetje të Gazës, që kishin njoftuar ardhjen në Shqipëri për të vizituar Sazanin, në një mision për mbrojtjen e ishullit, e zbuluan shpejt qëllimin e tyre të vërtetë.

Menjëherë pas mbërritjes në portin e Vlorës, grupi u prit nga zyrtarë të turizmit, zëvendësministrja Marinela Prifti dhe drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Jola Hysaj, të cilët ishin informuar përmes rrjeteve sociale për ardhjen e tyre.

Hysaj rrëfen, duke zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje, se u kishin ofruar anëtarëve të grupit informacion të plotë mbi Sazanin, por shpejt misionarët e vetëquajtur për mbrojtjen e ishullit refuzuan ta vizitonin dhe zbuluan destinacionin e tyre të vërtetë, revolucionin e flamingove në Tiranë.

“Nuk deshën as të ndiqnin paraqitjen e informacionit të përgatitur për ta, por gjithsesi morën dokumentin informues që u vumë në dispozicion dhe njoftuan: “Po shkojmë t’i bashkohemi Revolucionit në Tiranë”. Natyrisht, kjo është e drejta e tyre. Por atëherë le ta quajmë këtë mision me emrin e vet të vërtetë. Nëse kalon detin duke deklaruar se dëshiron të shpëtosh një ishull dhe, pasi mbërrin, refuzon madje ta vizitosh atë, nuk ke ardhur për të njohur realitetin: ke ardhur për të vënë në skenë një përfundim të shkruar përpara se të niseshe.”

Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit e ka cilësuar të pavend edhe krahasimin e Sazanit me Gazën nga mysafirët.

“U ofruam gjithashtu t’i shoqëronim për të vizituar Sazanin, ishullin për të cilin kishin dhënë tashmë një verdikt shumë të rëndë, duke arritur deri aty sa ta krahasonin me Gazën. Ky krahasim nuk është i guximshëm. Është grotesk, injorant dhe thellësisht fyes, në radhë të parë ndaj vetë qytetarëve të Gazës.

Në Gazë, një popullsi e tërë ka jetuar për vite ferrin e Hamasit dhe më pas ferrin e luftës. Në Sazan nuk ka asnjë luftë, asnjë familje nuk është nën bomba, asnjë fëmijë nuk vrapon për t’u shpëtuar rrënojave, asnjë shtëpi nuk është shkatërruar dhe asnjë flamingo nuk pret të çlirohet nga një mision ndërkombëtar me helmeta të kuqe, të gjelbra apo të çfarëdo ngjyre tjetër.”

Ajo kundërshton edhe pretendimin se Sazani është në rrezik apo se ishulli po shitet.

“Nuk ekziston asnjë marrëveshje me palën private. Nuk ekziston ende asnjë projekt arkitektonik i përcaktuar apo i paraqitur. Nuk është shitur as edhe një metër katror i ishullit. Sazani nuk është nxjerrë kurrë në shitje. Nuk është në shitje sot dhe nuk do të jetë as nesër.”

Kryeministri Edi Rama, i cili ka shpërndarë videon e Hysajt, ka ironizuar misionin e Global Sumud Flotilla.

“Ehhhhh… këta revolucionarët e rrenave i ikin të vërtetës si djalli temjanit, po ndërkohë çoroditën dynjanë me marrëzitë e tyre. Një kompliment Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrisë së Kulturës e Turizmit për ‘pritën’ e bukur që u bënë çlirimtarëve të Sazanit.”

Macron: Do të dërgojmë raketa interceptuese në Ukrainë

22 August 2026 at 18:29

Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Franca do t’i dërgojë Kievit raketa të reja interceptuese pas një sulmi të madh rus në një qendër tregtare në Krivyi Rih në Ukrainën qendrore.

Autoritetet ukrainase thanë se Rusia nisi dy valë sulmesh me dronë në qytet të premten, duke vrarë të paktën 16 persona dhe duke plagosur 130 të tjerë, përfshirë 23 fëmijë.

Sulmi në qytetin e lindjes së Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka shkaktuar dënim nga figura të rëndësishme në të gjithë Evropën, me Kaja Kallas, diplomaten më të lartë të BE-së, e cila e quajti atë “terror me qëllim”.

Macron tha se kishte folur me Zelenskyn pas “sulmit të dyfishtë” gjatë ditës në Kryvyi Rih dhe se ai kishte shprehur “tmerrin” dhe “shqetësimin e thellë” për incidentin.

“Është thelbësore t’i sigurohen Ukrainës të gjitha mjetet e nevojshme për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore dhe për të penguar këtë agresion”, deklaroi ai, duke shtuar se e kishte informuar Zelenskyn për “mbështetjen në rritje të Parisit, përfshirë vendosjen e raketave interceptuese”.

“Ne gjithashtu duhet të vazhdojmë të rrisim presionin mbi Rusinë për sa kohë që ajo zgjedh të refuzojë të ndalojë luftimet dhe të bëjë paqe”, shtoi ai.

Zelensky njoftoi se dyshja kishin folur për gati dy orë, për nevojat e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, financimin dhe komunikimet me Uashingtonin, ndër të tjera.

“Ne ramë dakord të përshpejtojmë dorëzimin e pajisjeve dhe raketave më të fundit franceze. Faleminderit që konfirmuat gatishmërinë tuaj për të dhënë licenca për prodhimin e raketave”, tha ai.

Zjarret, 4 vatra aktive/ Përmirësohet situata në Pukë, shuhet zjarri në Dukat

22 August 2026 at 18:03

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 17:00, situata e zjarreve paraqitet në përmirësim, me disa nga vatrat kryesore të izoluara ose të shuara.

Gjatë ditës janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 4 mbeten aktive dhe 6 janë nën mbikëqyrje.

Në operacione janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

* Gojan–Gjegjan, Pukë – Situata ka shënuar përmirësim të ndjeshëm. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar dhe vijon kontrolli i vijës së zjarrit për të parandaluar riaktivizimet. Gjatë ditës janë angazhuar forca të MZSH Pukë, Fushë-Arrëz dhe Kamëz, shërbimi pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë/banorë dhe 40 efektivë të FA-së, të mbështetur nga mjete zjarrfikëse, ekskavator dhe 2 helikopterë të FA-së.

* Prozhem, Pukë – Vatra vijon aktive në sipërfaqe pyjore. Në terren janë angazhuar MZSH, Shërbimi Pyjor dhe banorë të zonës. Intensiteti ndikohet nga era, por aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

* Shtanë–Tenë, Mirditë – Vijon operacioni me forcat vendore dhe FA. Nuk ka rrezik për banesat.

* Mali i Dajtit – Vijon ndërhyrja me 25 efektivë MZSH, 5 forca ADZM dhe 30 efektivë të FA-së, me mbështetje nga 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë, zjarri në Dukat është shuar plotësisht, ndërsa vatrat e tjera vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje nga strukturat në terren.

Ukraina dhe Gjermania diskutojnë prodhimin dhe investimet e përbashkëta në mbrojtje

22 August 2026 at 17:45

Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka pritur sot homologun e tij gjerman dhe tha se vizita e tij vjen në një “moment të rëndësishëm”.

Andrii Sybiha tha se e informoi Johann Wadephul mbi situatën në fushën e betejës dhe pasojat e sulmeve të fundit të Rusisë.

“Ne diskutuam përpjekjet e vazhdueshme për paqe dhe hapat e nevojshëm për të çuar përpara një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme të mbështetur nga garanci të besueshme sigurie”, tha ai. 

“Ndërsa diplomacia vazhdon, Rusia vazhdon terrorin e saj me raketa dhe dronë. Ky realitet duhet të formësojë vendimet tona.”

Putin paralajmëron: Ukraina ka hapur ‘kutinë e Pandorës’ me sulmet e fundit

22 August 2026 at 17:21

Presidenti rus, Vladimir Putin i është përgjigjur sulmit të fundit të Ukrainës, për të cilin Volodymyr Zelenskyy tha se do ta “privonte makinën e luftës së Putinit nga miliona njerëz”.

Ukraina goditi një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Rusi, rreth 1,000 km larg vijës së frontit.

Putin tha se sulmet e Ukrainës ndaj objektivave ekonomikë kanë hapur “kutinë e Pandorës”, në komentet e cituara nga agjencia e lajmeve Tass.

Rusia e kishte përdorur më parë të njëjtin term në përgjigje të raporteve se SHBA-të po përgatiteshin të autorizonin një transferim armësh nga Turqia në Ukrainë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, paralajmëroi kundër këtij veprimi, duke thënë se Uashingtoni dhe Ankaraja kishin vendosur të hapnin një tjetër “kuti të Pandorës”./abcnews.al

Moti i keq godet Poloninë, stuhi të fuqishme dhe përmbytje në disa zona

22 August 2026 at 17:00

Stuhi, reshje të dendura shiu dhe erëra të forta kanë përfshirë disa pjesë të Polonisë, duke shkaktuar përmbytje, rrëzime pemësh, dëmtime dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Shërbimi Shtetëror i Zjarrfikësve ka kryer më shumë se 4 mijë ndërhyrje që nga mesnata, kryesisht për largimin e pemëve të rrëzuara, sigurimin e çative të dëmtuara dhe pompimin e ujit nga rrugët, bodrumet dhe ndërtesat e përmbytura.

Autoritetet thanë se deri tani nuk janë raportuar persona të lënduar.

Situata është veçanërisht e vështirë në disa rajone, ku rreth 19,400 familje kanë mbetur pa energji elektrike.

Në disa zona reshjet kanë arritur deri në 90 milimetra, ndërsa lumi Łyna ka kaluar nivelin paralajmërues.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të tregojnë kujdes, veçanërisht të shmangin hapësirat e hapura dhe qëndrimin pranë pemëve gjatë erërave të forta.

Për shkak të motit të keq, disa parqe dhe atraksione në Varshavë, përfshirë Kopshtin Zoologjik të Varshavës, janë mbyllur përkohësisht. Ndërkohë, meteorologët kanë paralajmëruar se stuhitë dhe erërat e forta do të vazhdojnë edhe gjatë së shtunës.

❌