Normal view

Miti i mërgimtarit si daja nga Amerika

14 August 2026 at 14:16

Nga Frrok Çupi

Daja i kishte torturuar një jetë të tërë me arratisjen në Amerikë. Megjithatë, ishin ç’ishin nga soj e sorollopi, mbanin një vesh nga Zëri i Amerikës dhe një sy nga Oqeani. Kishin dëgjuar se vendi atje përtej kishte shumë mall e pasuri; daja kur të vinte një ditë, do të vinte i ngarkuar me të mira.

Dhe prisnin, derisa një ditë…

Ngjarja reale është treguar në dasma e në morte. Duke kaluar dorë më dorë, është kthyer në një si legjendë. Legjenda ka krijuar mitin e mërgimtarit. Sot në Kosovë, por jo në Shqipëri- fatmirësisht, miti i mërgimtarit bën ligjin. Kemi, të paktën tre ditët e fundit, që Kosova e pavarur por e mbetur pa shtet, po pret mërgimtarët që të zgjidhin krizën politike që ka kapluar vendin. Mërgimtarët janë ku e ku më të rëndësishëm se deputetët.

Mërgimtarët po hyjnë në sallën e Parlamentit dhe po flasin e vendosin ‘si me ia ba’. Një nga mërgimtarët ankohej sot në një video se ‘a po shikoni, nuk po më lënë të hyj në parlament’. Ndërkohë një si roje i përgjërohej “hajde, ndonjë gabim, ju keni vendin tuaj në ulëse’.

Kriza e Kosovës politike ka marrë ‘shalët’ teksa pritet ta zgjidhin mërgimtarët. Demokracia nuk është më, sistemi është kthyer në para- politikë diku në Mesjetë. Qytetarët votuan për Kuvendin, votuan si votuan. Por qeverinë, parlamentin dhe presidentin i presin t’i kenë ashtu siç votuan. Del se vota nuk paska vlerë para mërgimtarëve.

Ky është një kompleks gjigand i inferioritetit. Kosova po kthehet te ‘daja’ që vjen nga Amerika, ose te lëmosha e dikujt që rreket me gjithë mundimet për ca euro diku në Perëndim.

Shpesh herë është bërë pyetja ‘ku e kanë forcën mbi popullore e mbi – parlamentare mërgimtarët e Kosovës’?.

Ka shkaqet e veta edhe kjo.

E para se emigrantët kosovarë shkelën shpejt në shtetet e Perëndimit. Atje gjetën mirë. Në Kosovë u pritën mirë sepse edhe sollën ‘mirë’ euro. Sado që Kosova rënkonte nga një qeverisje represive e Millosheviçit, mërgimtarët ishin një shpëtim. Kjo i bëri ata të pushtetshëm në ajrin e vendlindjes.

Pas periudhës kur Ibrahim Rugova shpalli pavarësinë dhe ‘qeverinë në ekzil’ të Kosovës, mërgimtarët u thërritën të kontribuojnë me euro për qeverinë e Kosovës. Tre për qind e pagës së çdo mërgimtari duhej të shkonte në dobi të qeverisës paralele të Kosovës. U ba!

Shumë financa, shumë kontribut, por asnjë shkollë nuk u ndërtua në Kosovë. Qindra herë më shumë shkolla kishte ngritur atje shkrimtari shkodran Ernest Koliqi. Sidoqoftë. Mërgata u kthye në ‘faltore’ për qytetarët e Kosovës. Kënga si vaje dhe elegjia për mërgimin, i ka bërë edhe më të pushtetshëm.

Edhe në Luftën e Kosovës ‘mërgimtarët e lajthitur’ erdhën në Kosovë, ndërsa të tjerët qëndruan në Perëndim. Shumë prej tyre i pengonte fakti që Lufta ishte ‘amerikane’; dhe nuk po e dojshin fort.

Me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit, mërgata është thuajse e tëra në mbështetje të tij. Kësaj here, edhe pse Kurti e la Kosovën pa shtet për të katërtën herë, ata kanë lënë Perëndimin dhe kanë mbërritur në Parlament në mbështetje të tij.

Arsyeja është nuhatja politike, si mërgata edhe Kurti janë të majtë ekstremë. Në vitet 90- 91 kur emigrantët nga Shqipëria u përhapen në Perëndim, emigrantët kosovarë u dëshmuan të hidhët: “Pse e latë Shqipninë e Enver Hoxhës?!”.

Sidoqoftë…

A mund të zgjidhet kriza nga Mërgata?! ‘Mërgata’ është edhe fjalë shëmtuar, shkruante Seneka- filozofi i Romës së Lashtë. Zgjidhja e krizës politike nga mërgata nuk mund të ndodhë. Kosova, e nxjerrë nga binarët e ligjit, nuk mund të bëhet nga ‘ përtej detit’. Kosova ka kapërcyer kushtetutën dhe ligjin, s’mund të shërohet nga faktorë jashtë politik.

Historia e ‘dajës’ solli humor në Shqipëri aty nga vitet 90, jo më vonë. Një zyrtar i demokracisë kishte thërritur miting në qytet dhe thoshte se ‘tani do të kemi bollëk, mos punoni se sjellim nga jashtë!’. Fëmijë e të rritur thërrisnin dritare më dritare: “Paska ardhur daja nga Amerika’.

Policia- herë si zot, herë si mallkim

6 August 2026 at 12:54

Nga Frrok Çupi

Këto ditë, për shembull, Policia ka marrë hijen e zotit. Policia, por edhe Ushtria, forca civile, aktivistë, patronazhistë, qytetarë të preokupuar. Të gjithë që mund të ndihmojnë njeriun.

Sepse këto ditë bota jonë nuk pushtohet nga pushteti i brutales, por nga pushteti i kënaqësive turbulluese. Jemi në stinë pushimesh, stinë deti, stinë mali, shpellash, ujëvarash, thepisje, aventurash, çmendurie…

Aty ku aventura teprohet dhe rrezikohet njeriu, aty ndjehet një dorë ‘e kafshuar’ mijëra herë më parë. Kafshuar dhe mallkuar!

Shfaqja:

Vetëm para dy ditësh, në Malin e Çikës, tre turistë gjermanë, në moshë 18 vjeç, i hyjnë rrezikut më këmbë dhe rreziku u tregua i pamëshirshëm. Mëshira rronte në duar të njerëzve të Sigurisë. Nëpër linjat mes nesh, mbi qiejt tanë, ngado ku fluturojnë sinjalet që këtu deri në Berlin, u trondit ajri se ‘a mund të shpëtohen të rinjtë’. Gjermania falënderoi forcat shqiptare të Sigurisë, veçanërisht ‘ ekipet e Shpëtimit Alpin dhe Speleologët”, citoi ambasadori në emër të qeverisë gjermane.

Një ditë më parë, alarmi i ‘rrezikut të jetës’ kishte tundur Karaburunin. Dy të rinj po kaq të rinj sa tetëmbëdhjetëvjeçarët, humbën orientimin në gadishullin e Karaburunit. Po humbnin jetën ende pa filluar.

Në bjeshkët e Veriut lëshohen përditë alarme ‘ SOS’. Në ujërat e deteve tanë kënaqësia e stinës vë në rrezik jetë njerëzish. Zjarret që tentojnë të përpijnë jetën e njeriut e të tokës; kush përleshet me ta!

Kjo është stina e Policisë dhe Ushtrisë si zot. Stina e kënaqësisë së pafre të disave, është stina e sakrificës së dikujt.

Megjithatë, vetëm pak lajme të vogla, asgjë më shumë lexojmë në media. Lajmi i mirë nuk është lajm!, thotë teoria e të pavërtetës. As kur bie minatori në Bulqizë, nuk ka lajm sa një blogere në bulevard.

A ia njohim vetes të të keqen dhe vlerën? Nganjëherë nuk e kemi mendjen, ose mendjen e dëbojmë në një vend tjetër.

Ku e dinim se kishim Shpëtim Alpin apo Speleologjik?!, bie fjala.

Kush vjen nga shpellat (!) i dimë, sipas një ironie të përhapur, por kush shpëtohet nga shpellat- kjo ishte larg dijeve. Turma vulgare përhap ankesa vetëm për fatkeqësitë, për ato që ekzistojnë dhe për të tjera që as në ëndërr nuk janë.

Ka mes nesh forca të lavdërueshme që nuk na lënë ta shpërdorojmë jetën, edhe në momentin që ikën mendja. Ky është ‘ Zoti”.

Sa rrallë na shkon mendja te forcat shpëtimtare! Veçse thuren intriga për ‘fatkeqësinë’ që nuk ekziston. Vala e mashtrimit, e desinfomimit, e gënjeshtrës, e intrigës, këto janë fuqi e vetme e njeriut të dobët. Nuk ka spedeolog që i shpëton njerëzit e dobët nga humnera e vetvetes. As Policia dhe Ushtria. Ata janë kapluar nga kënaqësia e të mashtruarit, nga kënaqësia e ‘viktimës’, nga kapja me punët e kota, nga mohimi. Dikush e ka mendjen te fitimi, dikush te pushteti, dikush te vera, dikush shijon në ekstazë dembelizmin.

Këta jetojnë vetëm një pjesë të vogël të jetës. Sepse nuk e shikojnë të vërtetën, as vlerën. Hahen me bishtin e tyre që nga studio publike deri në bulevard.

Policia, as ushtria, as NATO, as Evropa, nuk mund të dallohen me këta sy. Ato ‘nuk ekzistojnë’.

Derisa të vijë nevoja për Speleologjinë, por atëherë ke mbetur në ‘shpellë’.

Qeveria sterile dhe prifti mëkatar

27 July 2026 at 20:31

Nga Frrok Çupi

Prifti u shfaq sot në lajme, ndërsa ideja për ‘qeveri të pastër steril’ ka shumë kohë që ndodhet përballë lajmeve.

Qysh atëherë kur u formulua kjo ‘ide’, bota e zgjuar ka dyshuar te e vërteta. Ngjarjet e fundit në qeverisjen e vendit dhe ata përballë qeverisjes, po dëshmojnë se çfarë kthese të rrezikshme merr ‘ideja e sterilitetit’ kur aplikohet nga njerëz të sforcuar.

Rreziku i parë:

Zyrtarët e lartë të shtetit, iniciativën e kryeministrit për një marrëveshje bese me të qeverisurit, e kanë kuptuar kështu: ‘le t’i bëjë ai, ne këtu jemi po u deshëm, por nuk duam të gabojmë’.

Që ditën e ‘besës’, shumica e zyrtarëve kanë mbyllur telefonat, ose nuk i kanë mbyllur por nuk u përgjigjen as familjarëve, bëjnë sikur bëjnë takime në bazë por mbajnë një buzëqeshje të ngrirë me cilindo njësoj dhe nuk takojnë askënd po të mos jenë të shoqëruar me disa ‘dëshmitarë’. Frika nga ‘besa’ nuk ka vend sepse ‘besa’ nuk është ligj; por mbase edhe nuk e kuptojnë. Besa është një sistem vlerash që ka lidhje me punët ‘e rënda’ që nuk i mban dot ligji. Por nuk është ligj. Ligji nënkupton SPAK  për veprat e kryera. Ndërsa kërkesa e Edi Ramës është lidhja e një marrëveshjeje, dmth., Besë, për veprat që do të kryhen. Për shembull, besa- besë për të mos u kthyer nga BE ku po shkojmë. Etj.

Ata që nuk bëjnë asgjë, ata ndjehen më të sigurt.

Rreziku i dytë:

Humbja e lëngut njerëzor.

Çfarë është kjo? Një shembull: Para ca kohe u ndjeva keq në prani të vajzës së një kolegu gazetar. Ishte bashkë me të atin. Dikush i vuri në dorë dymijë lekë. Më shumë i ndriti fytyra të atit se vsjzës. Babai, një nga gazetarët më të mirë që kam njohur, ka humbur shumë gjëra në jetë, përveç të bijës. Madje edhe nënën e saj. Punën e ka humbur me kohë.

U  ndjeva keq, çfarë jemi kështu, vallë!? Kur nuk ke çfarë bën, mërmërit me vete. U mendova dhe më shkoi në mendje se një nga krerët më të lartë të shtetit ka influencë në qytetin e gazetarit.

-Jam filani. Të telefonoj për fatin e një gazetari, i them. Bëni diçka, ju lutem në atë zonë ku jeni.

I madhi më dëgjoi dhe u soll ‘smoothly’.

-Po, mirë, e njoh- tha. Po, do bëjmë diçka!

Këta kur flasin për vete, gjithnjë flasin në numrin shumës: ‘do bëjmë diçka’.

Pa e mbyllur ende telefonin, zyrtari shumë i lartë pëshpëriti:

-Po ja mo, se edhe pi ai nga një çikë!- tha për gazetarin dhe me kaq mbeti.

Ehu!, sa kohë ka kaluar, dhe… asgjë.

Më mbeti merak t’i thoja: ‘Po, pi, e di;  prandaj po ju drejtohem, sepse ai edhe pi edhe ha!’.

Shumica e zyrtarëve kështu janë.

Desha të them se e mbajnë veten për ‘të pastër steril’. Ndërkohë humbin sensin njerëzor, çdo pikë lëngu që e bën human, çdo pikë ‘fytyre’.

Tani, pas ‘Besës’ dhe shtrëngimit që u ka bërë Edi Rama: ‘O punoni, punoni dhe me ndershmëri, o lëreni farë!’, këta me siguri as telefonin nuk ta hapin. Isha me fat që fola atëherë kur gazetari mëkatonte sepse ‘pinte dhe hante’.

Por një gjë tjetër është po kaq e sigurt: Kush shpallet steril, është më i pisti i botës.

Rreziku i tretë është rreziku i çakallit ose i priftit:

Cilit çakall?…

Çakallit që krahasohet me ujkun. Thonë se dikush thërriste ‘ujku!, ujku!’, por çakalli bënte kërdinë. Të vjen deputeti që ka blerë vilë 2.9 milionë euro dhe e ka shitur 15 milionë, ky të përmbys Kuvendin dhe ligjin. Të merr marrëveshjen me Amerikën për mbrojtjen, dhe zhduket. Diku e shet shumë shtrenjtë. Ku është steriliteti?

Po prifti, cili është?

Priftërinjtë po dëshmojnë kudo se janë ‘çakej’.

‘Mos e vër priftin mes teje dhe zotit, se do të humbësh edhe Zotin!’, thotë Martin Luther.

Ky ‘prifti’ ynë deklaron se është i ndershëm. Mirëpo që nga Puka ka këshilluar një njeri, italian, se si të fshehë krimin. Italiani Pecorelli ka ‘zhdukur’ veten për të mos u zbuluar mëkatet. Atëherë prifti ‘steril’ i ka ofruar mjetet. Ka hapur diku një varr, ( vetëm prifti mund ta kryejë blasfeminë); ka marrë eshtrat, ia ka dhuruar Picorelit, ky i ka futur në makinë, ka djegur makinën dhe është shpallur ‘i vdekur’. Të dhënat, saktë, i sillte sot gazetarja Anila Hoxha.

Por dua të them se në këtë klimë ‘ndershmërie’ deri sterile, mëkatarët po mëshirohen, ndërsa të tjerë kërcënohen.

Nëse fryma e tanishme për të bërë punë të mëdha ‘pa kryer as më të voglin korrupsion e pisllëk’, është alternuar ‘për të qenë sterilë’, atëherë kemi humbur orientimin.

Pisllëku nuk hidhet poshtë duke hedhur njeriun.

Kaq njerëz i gjen te ashensori

7 July 2026 at 13:44

Nga Frrok Çupi

Dua të them se e keqja në vendin tonë nuk zgjat shumë. As bëhet e madhe. As stuhitë që sajon zoti për gjithë rruzullin, nuk bëjnë efekt në vendin tonë. U bekuam qëkur u lindëm këtu.

Dua të them se edhe e keqja e fundit që iu kanos vendit, nuk zgjati shumë. Ata që e nisën ‘protestën’ me rropamë topash, ngelën në mes të diellit të bulevardit. Aq sa gjen në drekë te dera e ashensorit. Ka arsye:

Zori i njerëzve para mashtrimit

Disa e ‘hëngrën’ Shqipërinë e re dhe bënë gati jahtet, charterat, ëndrrat për të fluturuar. Tani iu vjen zor pse ‘e hëngrën’ përrallen. Më në zor pashë një reportere televizioni. Kishte gjithë ekipin, kameran, operatorin, shoferin…, para monumentit të Gjergj Kastriotit. Ngriti zërin dhe vetes i dha pamje ‘Shote’.

“Po vijnë ata, ata fitimtarët, lumenjtë e protestuesve! Ndodhemi në sheshin Skënderbe. Ditë e madhe. Ja erdhi… Lumenj njerëzish…”

U panë vetëm aq njerëz sa një fis për darkë.

Vajza i bënte me dorë operatorit që të filmonte nga poshtë; ashtu do të dukeshin ‘lumenj’. Pa zgjidhje edhe kjo. Dhjetë, pastaj dymbëdhjetë vetë, por zhurmë shumë.

Reporterja u detyrua t’i kërkojë redaksisë ‘mbylljen e kamerave’. Nuk bëhet me kaq pak njerëz.

Dëshpërimi pasi zbulohet veza e thyer:

Deri ditën 36 lidershipi i ri i Shqipërisë së re nuk po shfaqej. Magjia u bë sa bota, ‘ata do të vijnë që andej!’. ‘Jo andej, por nga ana tjetër’. ‘Andej nga na kanë këshilluar, more tuhaf’. Nisi grindja mes veti.

Po nga do të vijnë? Kur u thye veza, panë zogjtë të gjallë. Dëshpërim. Një nga komentuesit e shumtë të ngjarjes, shkroi sot:

“E imagjinoni dot një Kolë me qeleshe nga Kukësi, do të zhvillojë më shumë Shqipërinë’.

Kola, i ziu, një derdimen që s’e mbante shtëpia brenda, punën që i dhanë po bënte. Madje deklaroi se ishte në konflikt me të gjithë në familje. Pas së shoqes, i fliste edhe vjehrri:

‘Ktheu në shtëpi të kalamajt, o djalë!’, i thoshte.

Edhe ata që bënë si të fortë e me mjekra, ‘lanë lesht’ në bulevard. Kur u thye veza, askush nuk mund t’u besojë këtyre. Janë sa injorantë, sa të ngrefos, sa mburravecë, sa të kotë. Pjesa më e ulët e ‘kazanit’ popull.

Pritet të vijnë kosovarët, por ata nuk kanë det:

Gabimi i këtyre pse e bënë protestën në kulmin e verës. Ose në këtë stinë të mos vinin kosovarët e ‘luftës kundër atdheut amë’. Ata nuk i rezistuan tundimit të detit. Edhe osmanët, në kohën e tyre, nuk i rezistuan shumë gjërave në tokën shqiptare.

Kosovarët vijnë si ‘diasporë’, por i tradhton gjuha sapo hapin gojën. Zbresin në bulevard për luftë, por në vend të mullah Albinit preferojnë Agia Sarandën. Po të kishin qenë të ngopur me det, kosovarë e maqedonas, kismet edhe mund të kishte fituar revolucioni i flamengove.

Sot nuk është dita kur mund të vrasin Edi Ramën.

Sot e nesër më mirë të fshihet fare ai grupi para selisë së qeverisë. Ta bëjnë pushim për të qenë gati pasnesër. Sot Edi Rama është nisur për në Turqi, në Samitin e NATO-s. Pasnesër mund të jetë në Tiranë, dhe këta ta qëllojnë për vdekje. Por tani u ka hyrë një frikë:

“ Turqia po luan me ne! Kishim shpresë te Stambolli. Por qenka me Ramën. Ndoshta ndodh më e keqja, që Turqia i thotë një fjalë edhe Teheranit e nuk na e vërshëllejnë më”.

Kështu funksionon mendja e tyre sa një thërime. I zë paniku i ‘vdekjes’, me të cilën nisën protestën. Më vjen në mend një ngjarje e viti 1991, kur u shfaqën ‘trimat dhe heronjt’ pas shiut të diktaturës. Më vjen një ‘i burgosur’. Ishim në redaksinë e RD. Ata në PD e kishin quajtur ‘hero’, nga Fushë Kruja.

-Po pse je hero!?, e pyes.

-Kam dashur të vras Enver Hoxhën.

-!!??

-Po, po! Më thanë se Enveri po shkonte në Shkodër. Mora sëpatën dhe u fsheha poshtë Urës së Zezë.

-??!!

-Po, po! Kur do të kalonte Enveri mbi urë, unë do ta vrisja me sëpatë që nga poshtë urës…

Ngjarja është e vërtetë. Atëherë ishte e ndaluar të kishte budallenj, diktatura e proletariatit nuk i lejonte. Tani dalin bulevardit.

Vjen një ditë që nuk i ndjek njeri. Kanë ngelur vetëm sa për një ashensor. Pas dy ditësh do të jenë përsëri ‘foltore e PD’ dhe i vetëm trim në luftë, Lapaj.

Edi Rama, ditëlindjen siç e meriton

5 July 2026 at 14:44

Nga Frrok Çupi

Si u bë kështu, që brenda pak orëve të ditës së lindjes së Edi Ramës, kryeministër, të kthehet gjithë ajo çfarë ai meritoi në vitet e tij!?

Ca thonë ashtu, ca kështu, rreth shansit.

Është më shumë një ‘Messiah’ se sa një dhuratë, të marrësh në jetë fiks atë që meriton. Mund të kesh shans, por edhe mund të të ikë jeta flurudhë; dhe ti e shikon kontributin tënd, ditën e fundit, tek e merr lumi. Ose mund të marrësh pjesërisht atë që meriton.

Në jetën e njeriut, sidomos njeriut të dukshëm mbi rrafshin e masave, ajo që meriton vjen më shumë si dhuratë nga armiqtë se nga miqtë. Miqtë aty janë, të kanë aty e i ke pranë, rrallë kujtohen për çfarë je. Armiqtë që të vëzhgojnë çdo sekondë, këta ta shpërblejnë një ditë.

N ditëlindjen e tij të gjashtëdhjetedytë, Edi Rama u ndodh përballë armiqve. Këta i bënë gati tortën me helm, gotën e verës me gjuhë gjarpri, urimin ‘100 vjet në burg’, një shtatore enkas për ta rrëzuar. Mbi këto, nja katër mijë njerëz, njerëz ashtu e ashtu, por me nga dy këmbë, në bulevard.

Kjo ishte skena. S’ka gjë pse kishte helm, kokë gjarpri, idiotë si njerëz, urrejtje vuuu!, problemi ishte te armiqtë.

Kush në këtë vend të vogël ka pasur shansin që të ketë në ditëlindje armiqtë e mëdhenj të qytetërimit Perëndimor, armiqtë e shtetit të Amerikës dhe shteteve të Europës? Këta ia bënë këtë dhuratë, me në krye Iranin. Ditën që Irani varroste liderin e vet shpirtëror, Ajetollah Khamenei, i vrarë nga Donald Trump katër muaj më parë, atë ditë nuk harron të nisë dergatën e vet edhe në ditëlindjen e Edi Ramës. Të dërguarit, terroristë, po të ishin pak të mençur, do ta fshihnin dhuratën për një ditë tjetër. Mirëpo sa antishqiptarë e mizorë, të dërguarit e hapën dhuratën pikërisht në këtë ditë që merrte peshë të madhe në favor të Edi Ramës.

Në historinë e botës mbetet e shënuar:

“ Lideri më i madh i Iranit të Persisë u varros ditën kur lindi Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.

Dërgata e Iranit kishte ditë që bënte ‘ sikur’. Fillimisht nxori një fishek për të vrarë Edi Ramën. Shqiptarëve, në këto raste, iu kujtohet një lojë si tragjedi greke, kur babai i fut në pajë fishekun të bijës ditën e dasmës. Edhe ky një zakon islamik ndoshta nga Irani, që interferoi në Veri të vendit, edhe brenda katolikëve.

Do të ishte atentati më i bujshëm i armiqve kundër liderëve shqiptarë. Mirëpo u kthye në dhuratë për Edi Ramën, ditën e lindjes. Një shtet Islamik, burim i terrorizmit, ka në agjendë vrasjen e Edi Ramës dhe të Donald Trump, njëkohësisht. Agjendën e ka të shpallur.

Edi Rama vihet në radhën e njerëzve të zgjedhur përballë armikut të madh të botës s përparuar. Irani po planifikon sulme në Amerikë, sulme në Evropë, përfshi Shqipërinë. Me Shqipërinë i doli ‘ huq’ në ditën 4 korrik, kur është ditëlindja e Edi Ramës dhe 250 vjetori i Pavarësisë s Shteteve të Bashkuara.

Edi Rama e festoi ditëlindjen nën sulmin e ‘vllazënve’.

Nga lindja e mësynë vllaznit tetovarë, por me ide dhe armë xhihadiste. Nga Veriu e mësynë ‘bashkënazistët’ e Albin Kurtit. Të dy palët mbajnë flamur shqiptar dhe bëjnë sikur flasin shqip. Skenografisë s Ramës do t’ i interesonte në imazh pikërisht kjo dhuratë: Xhihadistë, ex-nazistë dhe Vetëvendosës, mbuluar me flamur shqiptar, që sulmojnë për vdekje kryeministrin e Shqipërisë.

Pesha e gjithë skenografisë rëndon në arsyen pse sulmohet kryeministri shqiptar nga ex-nazistë, Vetëvendosës, Kurtistë që kanë izoluar Kosovën dhe xhihadistë të Tetovës? Arsye madhore: Xhihadizmi dhe kurtistët do të japin jetën në luftë kundër Shqipërisë sepse kjo po afrohet me Evropën. Vetëm pse Shqipëria po i del duarsh xhihadizmit, kjo është arsye pse po luftojnë në bulevardin e Tiranës. Dhe për të eliminuar Edi Ramën.

Një shënim i merituar për ditëlindjen e Edi Ramës.

Rama i mirëpriti ‘ vllaznit’, iu tha të shkonin në plazhe gjatë ditës e të vinin prapë në bulevard, të luftonin prapë, me qëllim që ta dimë cili është cili. Cili të rrijë në shtëpi të vet, edhe cili tjetër në shtëpi të tjetrit.

Për ditëlindje, prapë me dhurata.

Ku mbiu kjo urrejtje e shëmtuar?

3 July 2026 at 13:29

Nga Frrok Çupi

Këta që para ca ditësh, ruanin flamengot, janë kthyer jo në barinj, por në hiena. Duan të hanë njeriun, gurin, këmbën e policit, makinën, deputetin… cilindo që i vjen se bën pak kërcitje.

Urrejtje e shëmtuar.

Urrejtja është ‘gia’ e shëmtuar, por kjo pse është kaq më e shëmtuar?

Ndoshta ngaqë lindi në një terren të papërshtatshëm, jo në terren urrejtjeje. Madje lindi mbi boshllëk. Mashtruan veten mbi flamengot dhe mbi mashtrimin ndërtuan urrejtje larg flamengove. Madje edhe larg Vlorës, larg Shqipërisë, deri në kontinentin tjetër.

Mbi keqinformimin ngrihet urrejtje më e madhe se mbi viktimën reale. Kësaj po i ruhet bota e qytetëruar. Keqinformimi është vala e re e armës bërthamore mbi botë. Ne e pësuam, si vend i vogël, sepse u rritëm, u zmadhuam, u bëmë dikush në krah të Amerikës dhe Europës.

Vallë si mbiu kjo valë në Tiranë?

Si në një ‘plaza de toros’ toreadorësh.

Nëse ‘barinjtë e flamengove’ nuk do të ishin vendosur nga Zvërneci në bulevardin e madh të Tiranës, ndoshta nuk do të kishte shpërthyer kjo urrejtje e shëmtuar. Ka një arsye. Arsyeja është se në vendin ku u përqendruan, në oborrin e selisë së qeverisë, aty ndodhen katër varre. Katër protestues i ka vrarë qeveria e shefit të ‘barinjve’ të flamengove. Aty u ndezën gjakrat. Kam nisur të vesoj mbi vakëfet që turbullojnë trurin e njerëzve. U ndjenë frikë kur shkelën mbi varret e kolegëve të tyre protestues, o pësuan ‘shok’, dhe u ndjenë vetë viktima, o u ndjenë si autorë krimi në vendin e krimit. Kjo e nxiti gjithë atë urrejtje të shëmtuar që po shikojmë.

Ose lindi nga histeria e mbrojtjes.

Që ka shumë histeri mes tyre, duket e ndihet deri afër mesnatës. Por është histeri e mbrojtjes, sipas vetë Sigmund Frojd. Njerëzit e dhunës janë të shpërblyer nga dikush; por kanë frikë se do të zbulohen. Kanë frikë edhe pse një pjesë e tyre janë nga ata që kanë futur duart në xhepat e tjetrit. Janë edhe grup i korruptuar keqas, për shkak se po paguhen si mercenarë në dëm të interesave të vendit dhe se shkelin çdo ditë disa ligje të shtetit. Personazhi i Frojdit sa herë dëgjonte në televizion se u kapën disa para të falsifikuara, tërbohej dhe griste çdo letër që gjente përpara. Edhe letrat i dukeshin para të falsifikuara.

Në ngasje për urrejtje i futi ideologjia dhe propaganda?

Ideologjia që erdhi nga republika Islamike dhe ideologjia e vjetër e urrejtjes naziste antisemintiste, preku edhe vendin tonë. Por preku fillimisht njerëzit më të dobët, ose me ‘sëmundje mushkërish’. Rusia priste rastin për investimin që kishte bërë.

Ideologjia:

Prej kohësh vendi mbante dhjetëra celula terroriste të Al Qaeda

Fondacioni iranian Saadi Shirazi dhe Firdeusi, dhe botimet ‘Perla’, kishin dekada që ishin instaluar në vendin tonë, deri në universitetet e Tiranës. Nga universiteti vijnë disa ‘studentë’ dhe ‘pedagogë’ të grumbullimit të precipituar në dhunë dhe urrejtje.

Nga Kosova, qeveria atje, ka angazhuar tipa që kanë lidhje me islamizmin politik të praktikuar nga vetë Kurti. Kërcënimi që u bëjnë mediave dhe televizioneve ka arsye ‘fshehjen mes turmave’.

Urrejtja e tyre buron nga ndjenja e frikës dhe përvoja e dhimbshme:

Një bari malësor, shumë i kuruar, ka marrë tufën e dhive dhe e solli në bulevard. Policia e lejoji duke shkelur ligjet. Ai kishte një përvojë të dhimbshme me dhitë në mal. Donte të ndërtonte fermë si ‘pasanikët’ e tjerë, por nuk ia doli dot. O dhitë, o kostumin popullor të kuruar ashtu. Nuk ishte për atë punë, prandaj edhe i tha mendja ‘dhitë në bulevard’. U shkarkua nga përgjegjësia.

Edhe një ‘gjyshe’ nga Londra që ishte burgosur për ‘abuzim mbi fëmijët’ erdhi në turmën e urrejtjes dhe bënte si e mirë duke synuar fëmijë. Një trafikant droge i shpallur në Europë, erdhi të fshihej nga frika, dhe dëshmoi urrejtje.

Frika i shtyu më shumë drejt urrejtjes. Janë sulur kundër Edi Ramës, kryeministër, po për shkak të frikës. Ata kanë frikë shtetin dhe shtetin e shikojnë të projektuar te Edi Rama. Dy ‘Goxhaj’ kanë premtuar para ‘ditës së ferrit’ se do ta vrasin Edi Ramën. Njëri e kishte caktuar datën 2 korrik, me mënyrën siç është vrarë Gadafi i Libisë. Tjetri nuk ka caktuar datë, sepse s’mund të caktojë ndonjë gjë. Ka qenë ushtar në UÇK, thotë, por nuk është e vërtetë. Megjithatë i projektohet në sy çasti duke vrarë njerëz.

Frika e bën të urrejë njerëzit që e rrethojnë.

Kjo urrejtje e shëmtuar erdhi në një ‘kohë të mirë’, në kohën kur shteti dhe njeriu i këtij vendi mund ta kontrollojnë.

Rreth protestës vjen fantazma e Atdheut

26 June 2026 at 15:16

Nga Frrok Çupi

Vini re! Teksa në margjinat e protestës së Tiranës ngrihet dhe ulet emri ‘Shqipëri’, jashtë saj vjen rrotull sinonimi ‘Atdhe’. Si dy ushtri ballë përballë.

Ka një sajesë të fshehur psikologjike. Ndërsa ‘Shqipërinë’ e përdorin si një emër plaçke më të përdorshme, te ‘atdheu’ nuk u shkon krahu. Shqipërinë e bëjnë ‘të re’, domethënë e hedhin përtokë të tërën dhe e ngrenë nga fillimi (!). Domethënë ne, gjithë të tjerët, le ta mbajmë ‘me shëndet’ atdheun, ndërsa Shqipëria nuk do të ekzistojë më! Sipas tyre dhe programit të tyre.

Shqipërinë e lakojnë si u do qejfi, një vend ku nuk duhet të ketë investime (!), ku flamengot flasin me gjuhë terrori (!), ku ‘Shqipëria është nënë e atyre që e caktojnë këta, për shembull nënë edhe për kosovarë e maqedonas, edhe pse nuk e kanë atdhe (!). Ata thjesht mund ta ‘ndreqin’ kur bijtë e bijat e natyrshme e prishin Shqipërinë. Shqipërisë kanë të drejtë t’i venë në qafë revolucionin me dhunë, madje edhe gjyqe në bulevard, vrasjen e qeverisë dhe të Parlamentit, ngritjen më këmbë të çdo njeriu që po pi një kafe: ‘ngrehu se na pret revolucioni’ Islamik si në Teheran.

Atdheun tonë Shqipëri po e godasin, po e fyejnë, po e ndotin dhe po e dobësojnë në gjymtyrët e saj, aq brutalisht sa të mos e kishin atdhe. Paska vërtet njerëz që punojnë kundër atdheut të tyre. E kam dëgjuar e lexuar mijëra herë, por kaq qartë s’e kisha besuar kurrë. Ja ku qenka e gjitha.

A kemi shpëtim? ( Pyetja është ironike, sepse as që vjen në pyetje). Vetëm 1. 2 për qind e popullsisë së Shqipërisë, ditën më të mirë të sulmit, dolën në bulevard. Këta duhet të fitojnë përballë 98. 8 për qind të banorëve të atdheut. Nuk është vetëm numri ai muri që i del përballë të keqes shkatërrimtare. Është vlera përballë, mbi të gjitha, para të cilës nuk mund ta mundin atdheun.

A ka zgjim për 26 ditë?

Askush nuk fle, për të thënë të drejtën. As minuesit, as ruajtësit e atdheut. Pse dukej sikur pemët e bulevardit po flinin, teksa të infiltruarit nga Irani, nga kanale të tjera që punojnë kundër atdheut tonë, vepronin? Po jetojmë në momente kur shteti po ndërton rrjetë të re mbrojtëse. Protesta bëri mirë, sepse shteti po bënte një sy gjumë ‘ndaj atdheut’, që në vitet ’90 kur u shemb vlera e fjalës ‘atdhe’, ‘mbrojtje’, ‘punë’, ‘ligj’. Regjimi komunist i rrëzuar në vitet 1990, e mbrojti atdheun, ndërsa post- komunizmi u përgjunj. Merita nuk është e komunizmit, disfata është e ‘demokracisë’.

Çfarë po presin gjykatat?

Trupat gjyqësore presin leksionin e dytë. Leksioni i të drejtës nuk jepet në Bulevard. Në bulevard, në sallën e kinemasë dhe në amfiteatër janë dhënë shfaqje ndryshe të tragjedive. Shqipëria e të Drejtës do të sjellë në realitet pagesën e ‘terrorit’ mbi pronën private, mbi të drejtën ligjore të individit që u dëmtua nga ‘revolucioni’. Duhen paguar e kthyer të gjitha. E vetmja që nuk kthehet është trauma e fëmijëve që u sollën si dekor në protestë. Dhuna ndaj tyre mund të jetë një rrezik tjetër nesër.

Çfarë bëjnë aleatët?

Evropa po shtron rrugën për ta mirëpritur shpejt atdheun tonë, Shqipëri. Atëherë nuk do të ketë më dallim mes emrit ‘atdhe’, dhe emrit ‘Shqipëri’. Do ta duan njësoj. Të mundurit s’kanë më zë. Kësaj here sulmuan sepse nuk e dinin ku po shkonin.

Shtetet e Bashkuara është vetë ‘viktimë’ e tyre bashkë me Shqipërinë. Atdheu ynë u sulmua për ‘hesap’ të Shteteve të Bashkuara. Për shkak të misionit të përbashkët të Perëndimit. Sulmuesit mbi ne u bashkuan me armiqtë e Shteteve të Bashkua, që janë edhe armiqtë tanë. Dy ditë më parë, presidenti i Trump, vendosi të zgjasë me një vit emergjencën kombëtare që lidhet me Ballkanin Perëndimor. ‘Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare të SHBA’, thotë dokumenti i Shtëpisë së Bardhë.

Këta që e nisën sulmin kundër atdheut tonë, ndoshta janë të verbër.

Protesta flet geg

17 June 2026 at 12:12

Nga Frrok Çupi

Nisi greqisht. Amfiteatri ku nisi Loja u mor si kopje e Teatrit Dionis në Athinën e Lashtë. Dionisi, perëndi e Diellit, personifikim i kënaqësisë, i verës dhe teatrit, u kopjua në Zvërnec të Vlorës. Gjithçka perfekt për një teatër grek. Disa banorë që flasin greqishten e tyre, fshatra me emra nga greqishtja si Panaya, Narta. Aty prodhohet vera më e mirë në Shqipëri, gjuhet peshk. Kodrat rreth e rrotull dhe deti përballë, e gjitha një amfiteatër.

U panë se erdhën edhe disa autobusë me njerëz grek si spektatorë të tragjedisë’.

Këtu nisi loja, mu në ‘Dionisin’ e Vlorës.

Që në fillim nuk e besova se do të rezistonte shumë loja në këtë Teatër. Kisha në sy pamjet e mars- qershor 1997, kur që nga Mifoli deri në sheshin e Flamurit, e gjithë kjo zonë, ishte ngritur më këmbë për të mos pranuar okupimin as shantazhin e ‘dushmanit’.

Pas dy ditë ‘tragjedia e Dionisit’ u davarit. Nuk dukej më as hija më e vogël e konfliktit. Banorët kërkuan që të vazhdojë investimet në pronën e tyre.

“Duam investime, nuk duam pisllëk!”

Pelikanët u shfaqen po aq të lumtur sa më parë.

Ku është problemi?, do të thoshte një aktiviste xanxare vite më parë.

Pa konflikt nuk vlen as Narta, as Panaya, as Zvërneci. Nuk vlen për ata që e nisën lojën. Madje as vetë Dionisi nuk vlen për ta. Ra gjuha greke. Zogjtë e konfliktit u arratisen për në veri. Shtegtojnë drejt veriut të ngarkuar me urrejtje pse nuk i mbajti Jugu. Me aq shumë urrejtje sa edhe zonjën Marta Kos, komisionere (dmth., ministre) e BE, e quajtën ‘Narta Kos’. Gozhda u ngeli te Narta e Jugut, jo te Marta e Sllovenisë.

Tani protesta flet në dialektin geg.

Edhe qeleshet e protestuesve janë nga një zonjë në pjesën geg.

Edhe fonetika e gjuhës është kosovare dhe malësi e Shkodrës.

Shpejtësia dhe ngadalësia e mendimit shprehen sipas të folmes nga Lezha deri në Prishtinë.

Protesta e ka gjetur shtratin e vet, jo vetëm gjuhësor. Po kërkon shtratin territorial. Provat e para janë dhënë në teatrin tragjik të deformimit të të vërtetës. Gjithë protesta është ndërtuar mbi dëshirën e keqe, mbi desinformimin dhe ëndrrën për ta bërë pis siç ishte.

Para disa muajsh në Theth disa ‘aktorë’ i dolën përpara shtetit që të mos e lejonin të zbatonte ligjin e investimeve dhe të pronave. Thanë se ‘Thethi është yni’ ( si Shqipëria e shqiptarëve!) dhe se njohin bajraktarët si pushtet. Thanë edhe se ‘do ta ndajnë Thethin’ nga trungu.

Pas Thethit iu sulën resortit në Rrjoll, bregdet në Velipojë të Shkodrës. Një resort nga më të bukurit në rajon. Herën e fundit sulmuan dhe kryen aktin terrorist të shkatërrimit të pronës së tjetrit. Më parë kishin sulmuar ‘me thikë në gojë’ për të marrë ‘shinikun e gjobës’. Një prijës i tyre, vuri kravatë dhe këmishë të bardhë dhe u shfaq në një si tribunë:

“Vllazën!- tha. Po e ndajmë Veriun nga të tjerët. Qysh sot po marrim hidrocentralet”.

Në kisha, priftërinjtë po bëjnë thirrje për konflikt.

Përçarja dhe konflikti mes krahinave të vendit është vërtitur këtyre anëve si një fantazmë në historinë tonë. Më e fundit ishte mobilizimi nga shteti i militantëve të Veriut për të sulmuar Jugun. Lufta civile e vitit 1997. Grushti i shtetit 1998. Krahina Autonome e Mirditës 1921.

Ç’zogj do të gjejnë, vallë, në veri të vendit?

As në Zvërnec nuk ishte puna te flamengot. Nuk u plasi as për investimet, as për mjedisin, as për dialektet dhe gjuhën shqipe. Këta protestues përgjithësisht janë të pa shkollë, njerëz të palumtur. Kërkojnë më shumë lëvizje se sa qartësi apo zgjidhje.

Duke u shtyrë për në Veri dominohen nga dialekti geg. Duke u dominuar nga njëri dialekt, mund të bëhen rrezik më i madh për vendin.

Njerëzit duhet të jenë vigjilent.

Në bulevard ndalohen të tjerët dhe qentë

13 June 2026 at 13:35

Nga Frrok Çupi

Në bulevardin e madh të Tiranës po ngjizet një lëvizje me shenja dalluese neo- naziste. Që nesër të mos jetë vonë.
Në hartën e botës deri më sot ishim një nga të rrallët që nuk kishim ‘njollë’ të nazistëve të rinj. Që në Luftën e Dytë, Shqipëria mbajti krahun e duhur të forcave të ndritura antinaziste.
Le të shikojmë pas një viti a më shumë, kur në atlasin e gjurmëve neo- naziste, mund të jetë Tirana.
Në vend të kryqit të thyer, për publikun, shfaqet figura e flamengos. Një zog që fluturon shkurt, po ngarkohet me barrën e rëndë simbolike të një neverie botërore shekullore kundër nazizmit.
Edhe lëvizja e re Tiranës deri tani e ka rrugën të shkurtër. Nga bulevardi po në bulevard. Përtej bulevardit ka njerëz, atje ende nuk mund të penetrojnë.
Ndërsa brenda bulevardit zbatojnë me zjarr e hekur tiparet e tyre.
Tipari i linçimit të tjetrit:
Dje, pasdite, një djalosh tiranas me qen, bëri rrugën e zakonshme mes përmes parqeve të Tiranës. Ata, që po zaptonin bulevardin, e pikasën se nuk ishte i tyre. Dhanë shenja nga cepi më cep se ‘dikush ka hyrë’. Ca vetulla u ngrysën dhe dhanë shenjë për vigjilencë. Ca mjekra u drejtuan për nga djali me qen. Atëherë shpërtheu. Dikush thërriti “Ja çifuti!’. Djali nga Tirana, veshur me ‘të shkurtër’ u bëri një shenjë me duar mes shalëve. Ata e ndoqën, e ndoqën si gjarprin që i kishte kafshuar. Do ta kishin eliminuar. Por ndjenë frikë nga qeni ‘pitbull’.
Tipari antisemitik:
Kjo shtyllë ulëritëse u ngrit që në ditën e dytë të formësimit të tyre. Ata, ende nuk janë formësuar si ‘program’, si ‘ide’, si ‘afat’; por urrejtjen, sidomos urrejtjen kundër hebrenjve e kanë në hundë, në buzë, në nerv, në djersë. Fjala e parë që thanë kundër ‘armikut me qen në qytetin e tij’, ishte sharja ‘çifut’. Herë të tjera kanë lëshuar thirrje të gjata ‘pro Palestinë!’, ‘kundër Izrael’. Fjalën Izrael e thërrasin më rrallë, vetëm atëherë kur thonë se ‘po vjen Izraeli të na pushtojë’. Herë të tjera thonë ‘çifut’. Kjo është një fjalë shumë fyese për izraelitët, e bustuar fuqishëm nga regjimi hitlerian. Nazizmi, brenda 3 vjetësh, 1941-45, vrau 6 milionë izraelitë, ose dy të tretat e gjithë popullsisë Hebreje. Këta e kanë ‘bukën e përditshme’ urrejtjen ndaj hebrenjve. Njëri nga drejtuesit e Lëvizjes, i quajtur ‘avokati’, tha publikisht se ‘këta i quaj çifutë, por nuk na lejojnë tu themi kështu e do t’i quaj ‘çufo’”. E tha në intervistë me një media kosovare.
Paformësimi, ose anarkia mashtruese:
Edhe disa nga ata që të nxjerrin sytë për ‘lëvizjen’, edhe ata nuk mund të thonë se ‘çfarë janë këta?’. A janë naivë, a janë për të bllokuar punët e investimet në Shqipëri, a janë ngjyrë flamengo por zog tjetër, a janë blu, të kuq, të verdhë. Askush nuk di. Janë pa formë. Vallë nuk guxojnë të thonë se ‘çfarë janë’, apo as vetë nuk e dinë dhe mund të bëhen çfarëdo lloj acidi.
Historiani Marenglen Kasmi dje sillte një pamje të tyre tek i sodiste në turmë diku në Rruga e Durrësit. ‘Dikush mbante portretin e Che Gue Varrës, dikush Adolf Hitlerin, poshtë fotos së Hitlerit ‘ishte shkruar një mesazh vulgar ndaj izraelitëve’.
Autori i quan ‘panair i kotësive’, gjë që është pamja më reale nga jashtë.
Çfarë kanë përbrenda? Vallë presin ngucje nga jashtë, fuqi të tjera antisemitiste, apo nga ‘Versaja’ e Adolfit? Deri më tani, në mënyrë instinktive, luftojnë cilindo që nuk është si këta, cilindo që flet mirë për vendin, cilindo që nuk u vjen për fije.
Cilët janë ndryshe prej këtyre?
Pyetja zbulon një tipar tjetër të ‘Lëvizjes’. Njeriun ndryshe, i cili ndodhet kudo, fatmirësisht; këta e linçojnë. Organizatat e para ‘pa formë’ janë elementët e parë të kaosit. Në kaos, vendi ynë ka qenë disa herë pas vitit 1992. Kthimi te ajo pikë mund t’i kthejë naziskinët në kryqëzata. Kërkojnë vdekjen e kryeministrit, vdekjen e projekteve, të investimeve. Njëri prej tyre dje u duartrokit pse deklasoi se ‘Edi Ramën do ta varim këtu!’. Pardje kanë shqyer flamurin simbol të komunitetit LGBT. Pastaj mund të ndodhë me njerëzit ezmerë. Pastaj me shqiptarët që dinë të flasin mirë gjuhen shqipe.
Vëmendje: Po formësohet një lëvizje neo- naziste. Që nesër të mos jetë vonë.

Çfarë pritej e çfarë erdhi… në Bulevard!?

8 June 2026 at 15:14

Nga Frrok Çupi

Ka një histori atje dhe kjo që po ndodh në Tiranë.

Ngjarja e treguar nis nga Teherani. Janar i vitit 1979. Bie Shah Pehlavi. Ngrihet sistemi i Ajetollah, me Ruhollah Khomeini. Nis regjimi i dhunës, i përgjimit, i frikës. Gazetarë perëndimorë që gjuanin për lajme kishin mbetur ‘pa asgjë’. Vjen mesnata në një qoshe lagjeje. Dikush lëshonte zë; ishte gjë e rrallë të fliste dikush. Ulur në një cep banese përsëriste pa pushim:

‘Çfarë prisja e çfarë më erdhi!?’.

Dukej si herezi, veçanërisht në atë moment censure. Askush nga policia e dhunës nuk mund të vepronte, për shkak të gazetarëve.

-Çfarë prisje?, e pyeti një gazetar.

Çfarë të erdhi?!, e pyeste tjetri.

Bënte ftohtë, mesnatë, dimër në Iran. Më në fund ai foli:

-Prisja të më vdiste nëna dhe babai të martohej. Qari edhe për mua! Por jo…

-Po pastaj? Çfarë ndodhi?, pyetën nxitimthi.

-Më vdiq babai dhe nëna u martua. Merreni me mend ç’më gjeti…, tha dhe nuk foli më

Ja kështu me historitë nga Irani. Historitë e Iranit janë ngatërruar rrezikshëm në jetën tonë dhe tani po duken edhe në Bulevardin e Tiranës. Tjetër gjë pritej. Pritej lëvizja qytetare, lëvizja pro- atdheut, pro- Aleancave të Perëndimit, pro arsimimit dhe kulturimit…

Por ja çfarë ndodhi.

Fillimisht ndodhi mbarimi. Për dy ditë u kuptua se këta që dolën në ‘protestë’ dolën kundër zhvillimit tonë. Pastaj dolën për t’i thënë botës se ‘shqiptarët nuk janë me Perëndimin’. ‘US go home!’. Pastaj dolën për ta kthyer kohën aty ku ishte në kohën kur ishim shumë shumë keq.

Që ditën e parë, populli i Shqipërisë, këto i bëri Zero. Investimet do të kryhen pa dyshim. BE po e pret Shqipërinë shpejt. SHBA nuk ikën, veçse më e pranishme. Ra ‘kauza’ e ‘teheranit’. Askush nuk kupton pse ata theken në diellin e orës gjashtë p.m.

Çfarë premtuan? Duket se premtuan më pak se babai i lypsarit të Teheranit në rrëzë të banesës. Edhe këta- banalitet, seksizëm dhe krim premtojnë. Popullit i premtuan tre shkronja: ‘TQR’. Ia drejtuan kryeministrit, por populli nuk ka nevojë për këtë.

Këta herë shfaqen si grupe huligane, herë si seksistë, herë si majtistë ekstremë, herë si rrugaçë thuajse ekstremë. Gjithçka gjen në atë mishmash Bulevardi. Që nga jakobinët e vonuar ( kërkojnë vdekje, vdekje, vdekje), deri te hipitë, pelegrinë urjahipë, mashtrues race. Vajza që manifestohen të vetë ndjera me diploma nga jashtë deri meshkuj të parealizuar që thërrasin në ndihmë mjekrat.

Mbi të gjitha ‘The West, go home!’. Vijnë nga anë e anës dhe tentojnë të mbajnë në kurriz Rruzullin. Shqipërinë duan ta vendosin aty ku duan këta. Por jo në Perëndim. Sa shumë ka ndodhur, edhe me haxhiqamilistët, që e kanë urryer Perëndimin për vdekje, por jo kaq. Këta kanë arrogancën që i vijnë njeriut që jeton këtu dhe i thonë ‘ti nuk di, e dimë ne çfarë do të jesh ti’. S’kisha parë në Tiranë kaq shumë gra me burka. As meshkuj me mjekra ajetollahësh. Antisemitistë të prishur. Edhe vetëm një murgeshë katolikë që u shfaq, as ajo s’e zuri në gojë emrin Romë, as Itali, as Vatikan.

Thërritën për liri, por u shfaqën si frikë dhe njerëz të palirë. Shfaqen haptazi tentativën për vrasje ndaj kryeministrit. Pastaj pozitën e prokurorit para kryeministrit dhe ish kryeministrit. ‘Burg!, burg!, burg!’.

Rrëmbyen fëmijët me vete, si dikur shqiptarët në gjak me njëri tjetrin në Europë, që kapnin dy gra dhe hynin në mes për tu mbrojtur sipas kanunit. Këta janë përdorues fëmijësh. Herë- herë edhe i humbin fëmijët, por ‘le të rrojë revolucioni’. Fëmijët dëgjojnë fjalor rruge, fjalor ‘gjaku’, ‘thike’, ‘mjerë ti’, ‘ta bëfsha!’, ‘TQR’, dhe pastaj vishen me edukatën e prindërve ose huamarrësve sa për në bulevard. Të pa lirë para perversitetit. Kanë bërë thirrje për shitje femrash. Në ballë të turmës qëndronte parulla: ‘Shite Zeqinenë dhe blej…’. Zeqineja është deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Jo në mes të janarit iranian, por në mes të verës tiranase, këta kërkojnë kurban. Kurbani për ta është jeta e vendit, arritjet e vetme historike kaq të mëdha në jetën e vendit. Këta duan të bëjnë kurban jetën e njeriut që jeton këtu. Me arrogancën më prej djalli që ka njohur historia. Ta bëjnë përshesh!, kaq është. Pas ‘përsheshit’ nuk gjen më asnjë prej këtyre këtej rrotull.

Këta janë zogj të frymëzuar nga ligësia që u kanoset popujve. Nuk janë të parët në Tiranë. Modeli i tyre, Antifa, ka bezdisur vende më të zhvilluara.

Në Teheran, ku ndodhi ngjarja e janarit, ka bërë vragë kjo e keqe.

Pse protesta greke në Tiranë duket naive?!

2 June 2026 at 16:03

Nga Frrok Çupi

Aq naive dhe e trullosur u shfaq, saqë iu deshën disa ditë që të gjente portën e saj. Në Vlorë, protesta nuk hyri. Nuk hyri as nga tuneli i Llogorasë. Aty mendoi se do të numërohej si në historinë e lashtë kur ushtarët dolën nga barku i Kalit. As nga deti nuk erdhi. Deti do t’i dëshmonte si natë edhe ditë.

As nga Ura e Mifolit, nga ku pat udhëtuar rrugës me baltë, Ismail Qemali, themelues i Pavarësisë së Shqipërisë.
Autobusët grek, dje, që mbanin në barqe ushtarë pa numër, kishin shkruar në ballë “Athinë- Vlorë’, por u zbrazën në Tiranë.

Grekët të vijnë andej nga s’e pret, sepse janë jo ata që janë, pat thënë vetë poeti i lashtë romak, Virgjili, diku gjysmë shekulli para Krishtit.

‘I kam frikë grekët edhe kur sjellin dhurata’, shkroi duke aluduar për Kalin e Trojës.

Edhe para selisë së Këshillit të Evropës, në pranverën e vitit 2003, u përsërit e njëjta skenë, veçse me humor. E kam përjetuar atë skenë. Greqia sapo kishte marrë kryesimin e BE. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Papandreou, vendosi në oborr statujën e Maratonomakut, dhuratë nga Greqia. ‘Të kemi frikë edhe kur grekët na sjellin dhurata!’, tha dikush në mikrofonin e mitingut. Të gjithë qeshën.

Para se të shkelnin në Bulevardin më të madh të Ballkanit, herë me emrin Musolin e herë me emrin ‘Dëshmorët e Kombit’ të Tiranës, arkitektët e Kalit që nga Athina kishin ngjizur protestën e Tiranës. Protesta duket si një pushtim civil. ‘Pushtuesi’ anëtar i NATO-s do të sundonte një anëtar tjetër të NATO-s që është Shqipëria. Shqipëria, këto vite, ka ecur shumë përpara. Është zbukuruar, është kthyer në vend turistik, është në prag të pranimit në BE, i ka qëndisur qytetet dhe traditën e vet…

Ky quhet krim i Shqipërisë, përparimi. Ata vijnë që të zhdukin krimin. Krimi ka ndodhur në Vlorë, por ‘Kali’ nuk hyri në Vlorë. Duhet marrë Troja (Tirona, thonë se ka një tingull linguistik dhe historik nga Troja). Ka dy ditë që Protesta Greke mbush sheshin e Tiranës që ka ndërtuar Musolini në vitet kur pushtonte Greqinë. Protesta bëhet për Vlorën, por endet në Tiranë. Protesta mbushet si specat dhe sponsorizohet nga Greqia, por quhet shqiptare. Një nga kriminalistët tha se aty ndodhen edhe agjentë rus. Ndoshta ka edhe iranianë, si ata që erdhën në Vlorë në vitin 1997.

Protestë shqiptare? Jo.

Gjithçka është ‘alias’. Alias krim është vepra që po ngrihet në Vlorë, por është një nga veprat më të mëdha në Mesdhe. Investimi është mbi 4 miliardë euro. Po ta lejonte Greqia këtë ‘krim’ atëherë për nesër nuk është e sigurt se do të jetë ‘kapedane’ e turizmit. Vijnë aerobusët, që në fakt sjellin lëndën më inerte të protestës. Më parë janë bërë përllogaritjet me dinakërinë sipas Virgjilit.

Gjithçka është përllogaritur si në një skenë naive. Shiko skenën naive:
Në ballin e autobusëve shkruhet Athinë- Vlorë, dhjetëra autobusë. As s’e fshehin fare se po vijmë ‘tu vëmë në shtrungë’ vendin fqinj. Naivitet?
Në tabelën tjetër shkruhet: “Jo resortit të Zvërnecit!’. Hapur ‘jo’. Po cili je ti që i cakton punët shtetit tjetër? Budallallëk?

Ish- kryeministri grek Tsipras, djaloshi që e mbyti në borxhe Greqinë e tij aty pas viteve 2008, kërcënon që nga Athina. Një euro deputet i studiuar në Qipro si hidraulik, thërret në Parlamentin Evropian. Në mes të turmës greke në Tiranë ngrihet një parullë e madhe ‘Rroftë Çamëria!’. Kinse për të gënjyer ‘fëmijët’ sikur protesta nuk është greke.

Flet ministria e jashtme, ish kryeministri, gazetat…, por nuk flet kryeministri. Të gjithë kërcënojnë për mbylljen e investimit, por e lënë punën deri në zgrip, me naivitet. Përdorin ‘ushtarët’ që sjellin me autobusët- kuaj dhe disa shqiptarë në Tiranë.

Pse ky naivitet?
Grekët nuk janë të sigurt. Aspak të sigurt. Pasigurinë e tyre duan ta kthejnë në vlerë.

E para nuk janë të sigurt se mund të ndezin zjarrin e konfliktit në Tiranë. Vetëm Shqipëria ndodhet jashtë konfliktit në këtë rajon; vetë Greqia ka njëmijë vjet gëc- mëce me Turqinë.

E dyta, nuk janë të sigurt se kanë ndonjë të drejtë kur thonë se ‘në Zvërnec ka grekë homogjenë’. Me këtë arsyetim, nesër do të quajnë edhe Kukësin ‘grek homogjen’. Shumë prej tyre flasin greqisht; greqishten që duhet për vjeljen e qershive.

Por që të hyjnë në Vlorë e të kërkojnë ‘Greqi’ nuk janë aspak të sigurt.

E përdredhin naivitetin si një strategji për shkak të presidentit Donald Trump. Investimi i madh për Shqipërinë kryhet në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner dhe Ivanka, dhëndër e bijë e Trump. Grekët me ‘naivitet të madh’ i bëjnë shantazh presidentit të Amerikës.

“Do të na e kalosh në Greqi investimin, apo të sjellim autobusë në Tiranë?”. Ose të paktën të flasë presidenti amerikan me presidentin e Turqisë, që ky të mos i sulmojë. Ose t’i sulmojë lehtë!

Gjithë ky naivitet mban barrë të mëdha. Dhe bulevardi i Tiranës çfarë mban kjo tokë, protestë greke!

2 Prill, si mbetën të kënaqur vrasësit dhe të vrarët!?

2 April 2026 at 16:46

Nga Frrok Çupi

Ka qenë një mëngjes si sot, 1991. Binte shi, por jo kaq ftohtë. Telefoni i kryeredaktorit të gazetës RD kishte dy herë që binte. Nga ana tjetër erdhi lajmi se ‘janë vrarë dy vetë në Shkodër’.

-Perjaku jam, tha tjetri.- U vranë në demonstratë! Zëri i vibronte. Ishte një nga aktivistët më aktivë të PD në Shkodër. Nuk e di pse atë ditë tha vetëm mbiemrin.

Ç’të bëja? Zyrat e reja të PD në Rrugën e Kavajës nuk kishin ende telefon. Mbërrita. Hapa me nxitim zyrën e kryesisë.

-Më thonë se në Shkodër janë vrarë dy vetë! Dini gjë?

Azemi ishte bërë gati për t’u nisur për në Shkodër. Mbrëmë ishte kthyer në orë të vona. As të tjerët nuk treguan ndonjë alarm në fytyrat e tyre.

U ktheva në rrugën Fortuzi, ku ndodhej redaksia.

Ajo ka qenë dita kur u shfaq Partia Demokratike e Vërtetë. Atë ditë u vranë katër të rinj në Shkodër. Mes tyre më i miri i Studentëve të Dhjetorit, Arben Broci. Një student i vërtetë, edhe ky. As hamall, as rrugaç, as mbajtës thikash në xhepa, as dallavere. Mund të kishte krijuar një profil njerëzor për PD-në. U vra.

Kështu ishte ajo ditë, ditë që lindi heronj dhe anti- heronj. Dita që kënaqi të vrarët dhe vrasësit.

Arben Broci nuk ishte nga modeli i vjetër që kënaqej me zhurmat e Partisë, as me frymën revolucionare se ‘jap jetën për Partinë’. Në 2 prill e thërritën për ta vrarë. Në 1 prill kishte marrë njoftimin se PD ka fituar në Shkodër dhe i kishte dhënë të drejtën vetes ta shijonte po aq butë sa ishte. E kërkuan dhe e gjetën në kalanë e Shkodrës, ku kishte shkuar për një shëtitje a një kafe. E sollën nxitimthi dhe e vranë. Ndërsa Luljetën, të ëmën dhe familjen e tij u përpoqën ta bëjnë ‘të kënaqur’. I shkonin në shtëpi udhëheqësit, bënin poza, bënin premtime, parulla. Ajo e mpakur nga dhimbja, në një apartament të vogël në hyrje të Shkodrës.

Çudia qëndronte në faktin pse PD në Shkodër do të digjte vendin dhe të vriste njerëz kinse në demonstratë në ditën kur vetë PD fitoi mbi 70 për qind. Duhej të ishte ditë feste, jo ditë morti.

Me sa duket ishte gjenetike për PD. Këtu duhej të krijohej profili i saj i vërtetë. U vranë katër djem të rinj në demonstratën e PD. U dogj një pjesë e qytetit.

Çfarë mbeti? Sot e kësaj dite vetëm pak shkodranë kanë mbetur me mendjen e vjetër se PD ishte anti-komuniste dhe demokratike. Ata me mendje të fiksuar janë të kënaqur me veten, por edhe njerëzit me sy në ballë janë të kënaqur, nga ana tjetër.

Të pakënaqur mbetën familjarët e të vrarëve, por edhe të kënaqur mbetën. Sepse morën ndonjë post ose u lavdëruan nëpër mbledhje si ‘familje dëshmorësh’. I pakënaqur u duk se mbeti edhe Pjetër Arbnori si kryetar i PD në Shkodër, por tekefundit s’kishte arsye. E bënë ‘të madh’ në PD, edhe pse në 2 prill nuk e pyeti njeri. Pjetri ishte i butë, nuk ishte për dhunë; prandaj e shmangën pastaj.

Në Shkodër mbërriti Azem Hajdari paraditen e 2 prillit. Edhe ai ishte i kënaqur. Në qytet ishte përhapur një njoftim, ngjitur nëpër shtylla, se kur kishte qenë ushtar Azemi ishte shpallur i paaftë mendërisht për të mbajtur armë. Me këtë zjarr në Shkodër digjej çdo dëshmi.

Profesor Jup Kastrati, gjuhëtar dhe albanolog i madh i kombit, u trondit shumë, por në fund mbeti i kënaqur. Pa militantët që po i vinin zjarrin Bibliotekës së Madhe, dhe vrapoi në Polici. Dilaver Papare angazhoi forca dhe Biblioteka shpëtoi. Qazim Gjoni, gjukatës i PD e shpalli vepër kriminale aktin e shpëtimit t Bibliotekës

Ali Spahia, që mori ekskluzivitetin për trajtimin e të vrarëve, mbeti i kënaqur. Mjeku që ishte dënuar për punë të pista në komunizëm, tani po rehabilitohej. Partisë i interesonte që asnjëri nga të katër të mos mbijetonte, dhe Aliu ia doli. Më vonë mbeti i kënaqur vetë i biri që sot është deputet, pa Aliu nuk i mbijetoi provës së pas krimit të madh të Shkodrës. Bijtë e të gjithë bijtë e atyre që u vranë në PD, u tërhoqën nga Berisha si rreth i tij i ngushtë. Janë të kënaqur.

Dy gazetarë jugosllavë që ndodheshin në Shkodër deri në momentin e vrasjes, shkuan të kënaqur. Njëri prej tyre njihej si agjent i UDB, por strehohej në Gjykatë.

I vetmi që u shpall Hero, ishte Gramoz Ruçi, komunist. Ai kishte qenë ministër. E arrestuan dhe e sollën në gjyq. Hapen edhe ekranin e televizionit duke menduar se ‘do t’i hapnin gropën’ Gramoz Ruçit. Në fakt aty komunisti shkëlqeu me fakte dhe prova se 4 dëshmorët e PD ishin vrarë nga brenda vetes. Megjithëse nuk u dëshmua kurrë si ‘i kënaqur’.

Vetëm një datë në radhën e datave ka mbetur si ‘Emoji i kënaqur’ në kalendarin tonë. Është 31 marsi i vitit 1991. Zgjedhjet e para pluraliste. Zgjedhjet e fundit që u mbajtën të drejta e të ndershme. PD nuk e arriti kurrë standardin e komunizmit.

Rama, një udhëtar që preku folenë e grerëzave

4 February 2026 at 23:13

Nga Frrok Çupi

Kryeministri duhej të ishte fshatar i ardhur nga ku ta dish. Siç i kemi pasur dy a tre kryeministra gjatë tre dekadave të fundit dhe të gjithë kryeministrat në periudhën e diktaturës. Enveri nuk quhet kryeministër, ishte më shumë.

Po të ishte Edi Rama një fshatar nga Çorrush apo nga Vicitoli, me siguri nuk do të kishim rënë në këtë rrezik me foletë e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Fëmijëve të fshatit, përfshi edhe mua, prindërit u jepnin mësime me rreziqe, çdo mbrëmje. Iu thonin të ruheshin nga shkëmbi, nga hardhuca, nga lumi, nga gjarpri…

Me grerëzat ishte tregimi më i shpeshtë.

“Kur shihni një fole grerëzash në degën e manit, mos e ngacmoni!”

-Do të shikoni një si top i vogël ngjitur në degë. Do të shikoni sikur fle, sikur nuk ka pasur jetë që në fillim; asgjë as hyn as del. Kësaj ruhuni!- porosisnin prindërit.

Foleja e grerëzave është më dinake se foleja e dhelprës dhe se gjarpri . Grerëzat ‘flenë’ gjithë jetën, por edhe asnjëherë nuk flenë. Po e preke (ç’mu kujtua fraza e Berishës ‘po preke gjënë më të vogël, kam snajper në dorë’)… Por po preke në folenë e grerëzave, atëherë ke prekur rrezikun. Dhjetëra grerëza të nxjerrin sytë.

Këtë po përjeton Edi Rama që preku folenë e gjykatësve dhe të prokurorëve. Nuk e dinte përrallën e fshatit, ky është fati i keq. Kryeministrat nga fshati e kanë grirë vendin, me çfarë kishte ky vend. Këtë e kanë arritur duke u bërë miq me grerëzat.

Çfarë bëri Edi Rama, si kryeministër?

Qysh para disa vitesh trokiti në folenë e tyre të pistë dhe iu kërkoi që të pastrohej shtëpia e Drejtësisë. Aty kishte bashkëpunëtorë krimi, vetë kriminelë, vrasës të të drejtës, trafikantë njerëzish, trafikantë e mafiozë të çdo lloji. Më të shumtët njerëz që shisnin e blinin të drejtat njerëzore dhe pasuroheshin për vete.

E gjitha kjo është. Se ata janë të pareformueshëm. O zhvendoset krimi nga foleja, o të riparosh folenë e të lësh krimin brenda- kjo nuk bën. Po ku ta dinte Rama, që nuk kishte idenë e përrallës në fshat.

Ndërsa populli, në shumicë e ka vuajtur prej 30 vjetësh padrejtësinë që i kanë bërë prokurorët dhe gjykatësit.

Reforma që preku rrezikun e bëri këtë duke menduar se foleja ishte një gjë e brishtë thuajse e vdekur. Por kjo ishte vetëm dukja. Brenda folesë, ku hahen miliona të drejta njerëzore, aty ka tension shumë të madh. Aty secili nga gjyqtarët e prokurorët, si grerëza, mbrojnë copën e tyre. Copa është e majme. Njerëzit më të korruptuar të shoqërisë janë këta të Drejtësisë.

Gabimi i dytë i Reformës, që kësaj here nuk erdhi nga fshati, ishte se e goditi folenë e grerëzave. Saliu dhe Iliri qeshën kur e panë, sepse të dy e kishin mësuar në fshat që ‘mos i sulmo, bëhu me ta!’.

Sapo u sulmua foleja e drejtësisë së plepave dhe e korruptuar, atëherë grerëzat u bënë bashkë, të gjithë në sulm kolektiv. Sot kemi dy shoqata gjyqtarësh që kanë vënë përpara Parlamentin dhe Qeverinë e po u kërkojnë haraç gjithë pushtetin. Ose do t’u nxjerrin sytë.

Nuk është aq e thjeshtë puna se “duam rroga sa presidenti i Amerikës”. Jo. Duan gjithë pushtetin; duan gjithë të drejtën njerëzore që ta grinë në folenë e tyre; duan të mos ketë më përralla si Kuvend, Zgjedhje, Qeveri, Ushtri, Siguri.

“Njerëz, këto mbajini për vete- thërrasin grerëzat- Ne duam folenë tonë në degën e manit”.

Koha e fisit të çartun

5 January 2026 at 15:49

Nga Frrok Çupi

A janë të çartun këta që në këto kohë moderne po tentojnë të ngrehin fisin kundër të gjithëve?

Këto kohë, më së shumti po flasim në dialektin geg, edhe kur është edhe kur nuk është nevoja. ‘Çartun’, për shembull, është fjalë që nuk kuptohet në krahinat e Toskërisë, madje as në Shqipërinë e mesme gege.

Ka kuptimin e ‘jashtë kohe’, ose edhe ‘të pa arsyeshmes’. Trimi i çartun është njeriu pa produkt, si fishekzjarrë. A është i çartun vetë fisi, domethënë a është i kapitulluar?

Nuk kam kaluar këto ditë pranë atij pisllëkut që kanë bërë disa trima fisnorë në bulevardin më të madh të Evropës Lindore, ‘Dëshmorët e Kombit’. Por më bën përshtypje lidhja: Njëri është i dikujt, tjetri i dikujt tjetër…, me fise gjenetike ose politike. Dëgjova njërën prej tyre. Mbiemrin e kishte ‘Haklaj’, s’e mbaj mend emrin. Thërriste n’kupë të qiellit se ‘pa rrëzuar Edi Ramën nuk ka liri!’. Mirë kjo, por nga vjen? Çfarë po kërkon si pjesë?

Mbiemri, domethënë fisi, më krijoji asosacione të ngatërruara. Haklaj shfaqet herë kështu e herë ashtu. Haklaj është në Tropojë, një fis i fortë në Kërrnajë. Në një reportazh të prurë nga një dëshmitar nga kulla e famshme Haklaj, shkruhet:

“Dritat janë shuar përgjithmonë dhe kjo e bën akoma më të trishtë atë që ka ndodhur gjatë këtyre viteve të demokracisë me burrat e derës historike!”.

Nga ky fis, që nga maji i vitit 1997, janë vrarë 14 burra, pesë prej të cilëve vëllezër, djem të Muharremit. I kanë djegur kullën dhe u kanë dhunuar varret e të vdekurve. Babai i madh ka marrë rrugën e jeton në Nord të Evropës. Edhe i biri, më i madhi, që mbeti gjallë. E bija, që mbiquhet edhe Shotë, po të njëjtën rrugë ka bërë.

Për tragjedinë e fisit të Haklaj, fillim e fund, është drejtuar gishti nga Sali Berisha. Vetë Saliu e kreu tragjedinë e treguar po për shkak të fisit. Kur mori pushtetin politik, tentoi të marrë edhe pushtetin Fisnor. Por fisi i tij në Tropojë nuk ngrinte peshë. Atëherë i hyri fisit Haklaj dhe e rrënoi.

“Kulla e fisit Haklaj nuk ka dritë”, shkruan reportazhi. Megjithatë dikush, Haklaj, thotë se ka dalë prej asaj kulle e po dëshmohet ‘e çartun’ në bulevardin e Tiranës.

Kulla është ndarë në disa fise. Disa prej tyre janë me Berishën, edhe pse i rrënoi. Një tjetër herë deputet me Berishën, e herë kundër. Një tjetër vjen në bulevard në krah të Lapaj. Vetë Lapaj ka fiisn e vet diku në Jug; gjithë fisin e kishte bërë kandidat për deputet. Një fis të dytë ka vjehrrin, i cili lidhet fillimisht me fisin ‘e Plepave’ ku u rrënua Drejtësia dhe fitoi korrupsioni gjakatar. Herën e fundit mund të hajë prapë fisin Haklaj.

Po t’i shikosh të gjithë në ata dhjetë vetë që zënë bulevardin, të gjithë janë dy a tre fise. Edhe në Partinë e Berishës nga merr lëng pisllëku në bulevard, është me fise. Fisi i Kukësit, fisi i Kosovës, fisi i Hasit, fisi i Brrakës, fisi i Lirisë.

Ideja dhe frymëzimi në politikën e tyre vjen nga fisi; asgjë nga jeta sot, as nga parimet e demokracisë. Shqipëria po ankorohet në Bashkimin Evropian, këta janë me fisin. Brenda fisit, dikush me socialistët, dikush me saliistët, dikush me Llapën. Ku të dalë diçka.

Vetë bulevardi i madh, më i madhi në Europën Lindore, është një urrejtje e tyre. Prandaj edhe e pushtojnë sepse e duan për fisin e tyre. Fiset kur zënë një plaçkë të lavdërueshme, e hanë për vete.

Fisi në Shqipëri dhe në Ballkan është vetë thelbi dhe zemra e Mafies. Xhavier Raufer, një studiues i njohur i Mafies në Ballkan, shkruan se në Shqipëri mafia është një shoqëri sekrete brenda fisit ose familjes. Anëtarët bashkohen me një gangster nga kooptimi familjar. Familja vdes, por ‘familja” vazhdon gjatë.

Ja kështu po e shoh. Një gjë nuk di: Vallë ç’anë do të mbajë Shota e Haklajt që është betuar, në një sens tjetër, për fisin?

Këta me kokrrën e ullirit dolën para pasqyrës

18 December 2025 at 14:21

Deputetet e PD që në mëngjes morën armët e gjahut dhe dolën për kësmet. Kur u afruan sallës së Parlamentit, aty iu ndez gjaku. U erdhi ndërmend ‘Gjahu i Malësorëve’, i Kristoforidhit. Ngjarja është e fillimit të shekullit të kaluar.

Gjahtarët i ngjiten Tomorrit. Nis gjuetia:

“Ty, ty,ty! Ty, ty, ty! (bie trumbet’ e bririt). Ha, ha, ha! (ndërsejnë qentë). Kam kum, kam kum, kam kum! (lehin qentë). Taf tuf! Taf tuf! Taf tuf! (kërcasin pushkët). -Prite, or ti! -Prite! Taf tuf! Qit! Qëllo! Mos e lësho!”.

Deputetët, pas 125 vjet e gjetën veten në të njëjtën pozitë. Po gjuajnë për pushtet. Nisi t’u ndrisë fytyra. E morën qeverinë. Turli prej tyre i vunë ndenjëset në ndenjëset e ministrave dhe u ndjenë njerëz pylli të përkëdhelur.

Edhe një herë tjetër, shumë më fuqishëm, e kishin ndjerë veten në 14 shtator 1998. E morën pushtetin. Pushtuan selinë e qeverisë. Edhe ministrinë e Brendshme dhe ministrinë e Drejtësisë. Morën tanket e Gardës dhe sulmuan ambasadën amerikane.  Harruan arkivolin në shkallët e selisë së qeverisë. Pushtuan selinë e Televizionit Shqiptar. Dhanë lajmin se ‘e morën qeverinë’.

Sot e morën prapë. Disa preje tyre u ulën në ndenjëset e ministrave. Disa të tjerë nuk kuptonin a do të ishin të gjithë ministra apo jo. Dhe rrinin e vështronin. Muli me shokë tërhiqte si kau në parmendë. Me sy andej nga ndenjëset, por s’i dihet cilën ndenjëse kërkonte secili. Bosi i tyre kënaqej me veset e vjetra dhe përkëdhelte dërrasën e foltores. ‘Ah moj virane, të të kisha edhe një herë!?’. Një orë të tërë i foli foltores duke e përkëdhelur si në një ëndërr gjuetie. Të tjerët me zjarre dhe ‘Ham, hum. Ham, hum’.

Në fund, kur e panë veten ‘lakuriq’ u mbërthyen palltosh dhe u zhdukën nga fusha e gjuetisë. PD është një lukuni dhe nuk i dihet në cilin drejtim e merr ana për në gjueti.

Ikën shpejt. Dikush, ndoshta bosi, u bëri me sinjalin e bririt ‘Ty ty! Ikni sa më shpejt”.

Ishte vonë. E kishin ngrënë kokrrën e ullirit. Kishin dalë para pasqyrës. Socialistët, që Arbnori i quante ‘specialistë’, i kishin joshur si pula në kokra misri  për pushtet dhe vjedhje!, dhe i vunë para pasqyrës. Socialistët bënë punën e tyre në sallën e Parlamentit.

Ndërsa këta i treguan botës se ja cilët janë, një lukuni pa tru, pa ligj, pa politikë. Vetëm epshe për ndenjëse. Sikur të mos e kishin ngrënë ullirin, vallë si do të bindej Europa qytetare se ka edhe këtë lloj parlamentarë

I nxorën bojën edhe Drejtësisë Speciale. Drejtësia speciale ka qindra pasqyra si këto, por asnjë herë nuk i ka hetuar as gjykuar. Tani nuk ka më nevojë që SPAK të gjykojë krimin e këtyre; gjykon qytetaria e vendit dhe vetë institucionet e Europës.

Në atë moment kryeministri u ndodh vetëm 100 metra distancë ajrore. Ai bënte gati valixhet për një udhëtim në Europë. Sapo u kthye nga Brukseli, sot në Hagë. Udhëtimi sot ka të bëjë me një gjueti tjetër: Të shihen sy më sy me heronjtë e Çlirimtares së Kosovës, Thaçi e tre të tjerë. Dhe më në fund të bëhet gati kthimi i tyre në atdhe.

Dabëllhanja e Parlamentit paska qenë vetëm një ‘kokërr ulliri’ për PD.

Të paktën na i kurseni dabëllhanet e festave me këta “heronjtë” e rremë

10 December 2025 at 11:08

Nga Frrok Çupi

Dje, në 8 dhjetor, u bë prapë një dabëllhane e shëmtuar kushtuar ditës së Rinisë. Edhe legjislativi shqiptar ka votuar një ligj që e shpall ditën e 8 dhjetorit, për çdo vit, si ditë feste e pushimi. Duket sikur askush në këtë vend nuk pushon as për një kafe dhe duhej një sebep për të mos punuar.

Po çfarë është ndërtesa e Legjislativit tonë ku u shpall festa? Meqë ra fjala.

Në radhë të parë kjo është ndërtesa ku rinia e 8 dhjetorit fitoi dy beteja të mëdha. Beteja e parë, e ditës së pushimit.

Një betejë tjetër, para kësaj, regjistrohet sa herë ‘të bijtë’ e asaj rinie revolucionare vijnë me ura zjarri dhe duan ta djegin Parlamentin e qytetin.

Po vërtet, çfarë është gjithë kjo dabëllhane me rininë 1990?

Disa prej këtyre të rinjve mezi presin të mblidhen në 8 dhjetor, thuajse si në mbrëmjet e maturës. Disa prej tyre mungojnë, disa janë bërë gjyshër, disa kanë harruar çfarë ka ndodhur atë ditë dhe të tjerë ndihen në faj pse e bënë atë që bënë.

Këta ishin të gjithë banorë në qytetin e Studentëve, që i bie se ishin të gjithë të ardhur në Tiranë sa për shkollë e ktheu pas. Kjo ardhje periferike në ‘revolucionin e rinisë’ e bënte të nesërmen e vendit edhe më të shtrembër, të rrezikshme dhe fshatare. Revolucionet fshatare ia kanë bërë të zezën çdo vendi ku kanë ndodhur.

Po që ishin të gjithë ‘bij të Partisë’, sepse të gjithë kishin biografi të mirë mjaftueshëm sa për të studiuar në universitet. Me këtë rast këta po shkelnin mbi nderin që u kishte bërë partia (sipas logjikës së kohës). Por më e dhimbshme se po shkelnin mbi kujdesin dhe investimin e prindërve që i faleshin partisë pse u kishte marrë fëmijët në shkollë. Ata të shkretë mburreshin nëpër fshat se ishin ‘dikushi’.

Kur plasi bomba në Tiranë, në 8 dhjetor, një ditë pas- në datë 9 dhjetor- ja si sot, prindërit e tyre u mblodhën në qytetin e Studentëve dhe i kapën ‘për zhelesh’ fëmijët e tyre direkt për në shtëpi. Kap ça të gjesh!, se jo të gjithë u dolën përpara prindërve.

Ja kaq. Diktatura komuniste ra, sepse ra si kudo. Kur ra diktatura, studentët nuk ishin më në qarkullim. Forca të tmerrshme që prisnin zjarrin e rinisë, këta kapën urët e flakëve dhe dogjën vendin. E dogjën, e shëmtuan, e varfëruan, vranë njerëz më shumë se në Luftën e Dytë, vranë pa ligj, grabitën pasurinë e popullit, shëmtuan edhe fjalën ‘liri’. Në vend të socializmit u ngrit shoqëria e kaosit dhe e dhunës.

Prej 45 vjet nuk po dalim nga ajo baltë e nga ajo e shpifësirë që u krijua.

A e bënë vetë të rinjtë? Të rinjtë e revolucionit as e njohin njëri tjetrin; sot nuk mund të dëshmojnë për ata që u kapën në krime. Por më së shumti, të rinjtë e dhjetorit u terën si vesa e mëngjesit. Shumica, vetë nuk bënë asnjë krim.

Por a do të thotë kjo se nuk morën peshën e kryqit mbi vete?!

Disa prej tyre sot dalin para kamerave me kuptimin “Na shikoni, ne jemi heronjtë”. Këtë të drejtë e kanë vetëm një herë në vit. Shefi i tyre mafioz që e dhunoi vendin, ai nuk i do më. Bën me sy e bën me vetull sa mbaron festa: “Mu zhdukni tani!’.

Po vallë a prapë t’u thuash ‘të pafajshëm’, aq më keq ‘viktima’?!

Jo, ata janë kthyer në njerëz të turmës dhe turma është turbinë e së keqes. Nga rini- në turmë, kjo është fatkeqësi, sikur nuk shkon. Dakord, bosi i të keqes 35 vjeçare është dikush tjetër. Por këta i bëjnë fresk dhe i shkojnë pas atij ‘dushmanit’, siç e thërrasin në Vlorë. E bëjnë këtë si njerëz hiç, si koti, si ‘askush’. Por e liga e askush-it është po aq e keqe sa e liga e prijësit shkatërrimtar.

Atëherë çfarë duhet bërë?

Të paktën të bëhet një resume! Të bëhen pyetje, në radhë të parë secili pyetje vetes. Dhe në fund të ‘gjyqit’ të vendoset se ‘boll me kaq festat për atë vepër të tmerrshme ndaj vendit’. Ndryshe nuk shërohet koha.

Dhe, e dyta çfarë duhet bërë:

Ta lënë mënjanë kurorën e heroizmit dhe të kuptojnë turpin që ndodhi me ‘veprën‘ e tyre këto tre dekada. Ajo sjellje nuk i solli asgjë të mirë vendit. Të paktën t’i kursejnë njerëzit edhe nga dabëllhanet e festave.

Me siguri, Rama do t’i kthejë faqen tjetër Drejtësisë

21 November 2025 at 14:54

Frrok Çupi

As që pritet tjetër gjë. E sigurt se Edi Rama nuk do të sillet si Drejtësia. Edhe kësaj here do t’i manifestojë parimësi, pavarësisht goditjes që i dhanë. Të vjen ndërmend sjellja e disa të urtëve përballë dëmeve që u kanë bërë në familje, tek thonë: ‘Ia lë në dorë Zotit!’’ .

Lordi i Edi Ramës, përballë absurdit, formulën kryesore ka ‘kthe faqen tjetër!’.  Dhe shiko përpara.

Gjithnjë kryeministri ka deklaruar se ‘Drejtësia ka punën e vet, ne tonën. Nuk ndërhyjmë, pranojmë vendimet e Drejtësisë’.

Por kësaj here, më shumë se kurrë, kryeministri i Shqipërisë ‘nga faqja tjetër’ ka një objektiv shumë të lartë. Ka bërë gati gjithçka që Shqipërinë ta ankorojë në Bashkimin Europian, që është ëndrra më e vjetër dhe më e lartë për kombin. Sot BE ka samitin e vet në Tiranë. Para qëllimit të madh kombëtar, Edi Rama me siguri që do të bëjë sikur nuk ndodhi gjë në ‘familjen e tij’. Ndryshe do të kacafytej me prokurorë e gjykatës që sot janë e nesër nuk janë, duke lënë në anë të rrugës qëllimin për në Bashkimin Europian, i cili është fat i përjetshëm.

Me sa duket nuk ka ndërmend, as kësaj here, që t’u japë shkas skeptikëve apo edhe nihilistë nëpër botë që duan të mbajnë si flamur të shkuarën e errët politike e juridike të vendit. Sikur një fjalë, sado të vërtetë, të thotë Edi Rama për padrejtësitë e Drejtësisë, ata andej dhe disa këtu do t’i suleshin: ‘Ja që ndërhyn në Drejtësi’.

Po të ishte në qeverinë belge apo holandeze, sigurisht që kryeministri  do të thoshte të vërtetat hapur për ndërhyrjet e Prokurorit dhe Gjykatësit në qeverisjen e vendit dhe në besimin e sovranit popull. Por jemi këtu, ku sapo tentohet të ngrihet një drejtësi normale. Kryetari i qeverisë është ‘i detyruar’ që të zbusë ose të durojë përbindëshin që rriti vetë’.

Nuk ke ç’i bën, ai tjetri përballë që është agresiv sepse është i dobët, ai do të cingërojë duke thënë ‘Ja, qeveria më preku!’.

Edhe këtë herë do të ndodhë që Edi Rama të kalojë nëpër ngushticat që i kanë krijuar vendimet e padrejta të Drejtësisë, për të çuar mesazhin në Bruksel.

Drejtësia e Re, kësaj here e goditi në krahun e djathtë të tij, në kokën e zëvendës kryeministres. ‘Balluku, pezullohet nga detyra1…’. Ky ishte urdhri. Më parë e kishte goditur te personalitete të tjerë politik të qeverisjes , duke mbërritur deri te kryetari i Bashkisë së kryeqytetit… Drejtësia ka vendosur të bëjë punët e kryeministrit, duke shkarkuar zëvendëskryeministren. Precedenti hap rrugë që të hënën të shkarkojë ministrat. Nga mesi i javës, sipas ‘të drejtës së precedentit’ gjykatësi dhe prokurori do të shkarkojnë presidentin e Republikës. Ndërsa një javë më vonë do të bëjnë sikur Shqipëria nuk ka as popull. ‘E shkarkuam’.

Disa vëzhgues po e quajnë një grusht shteti nga Drejtësia. Të tjerë kanë frikë se po nxiten atavizmat e një Shqipërie të prapambetur kur nuk e kishte mendjen nga Evropa por nga Lindja e Mesme. Të tjerë po flasin për defektet në ndërtimin e ‘Drejtësisë së Re’ si një kullë e vjetër me tunele të nëndheshme që marrin e japin me paratë e vjedhura nga zyrtarët e lartë gjatë këtyre 30 vjetëve.

Ligjvënësi nuk ia preu kanalet e pista ligj zbatuesit.

Sado të skajshme që duken, të gjitha paradigmat kanë baza reale. Përderisa Prokurori shkarkon nga detyra të zgjedhurit dhe të votuarit nga populli. Belinda Balluku, zëvendëskryeministre, është e votuar dy herë: E para nga vetë sovrani për në altarin e mbajtësit të sovranitetit. E dyta, votuar për nënkryetare e qeverisë nga Parlamenti- si mbajtës i sovranitetit.

Megjithatë, Edi Rama, sigurisht do të kalojë nëpër ngushticë pa i lënë ‘të drejtë’ prokurorit që të hedhë edhe baltë, pas gurëve.

Ku janë varret e artistëve?!

23 September 2025 at 16:18

Nga Frrok Çupi

Dje shkoi edhe një aktor dhe regjisor tjetër i madh shqiptar, Enver Petrovci. Ende nuk i ka ardhur ora e varrimit; por se ku do të jetë varri, kjo është edhe një çështje.
Kur Dhimitër Anagnosti, para disa ditësh, la fjalë që ta varrosin në Vuno, mu bë para syve edhe më artist se sa kishte qenë një jetë të tërë. Vunoi është vendi për t’u varrosur, thashë ndër dhëmbë. Anagnosti e ka edhe vendlindje. Por edhe sikur të mos e kishte, Anagnosti do të zgjidhte atë fshat të qetë, të heshtur në mrekullinë e tij, mbi det dhe mbi çdo maskarallëk që krijon njeriu i gjallë.
Do ta zgjidhte Vunon sepse kështu ishte edhe karakteri i tij: Larg banalitetit, afër më të bukurës e më të heshturës që kishte krijuar zoti.

Por ku janë varret e artistëve të tjerë?
Viti 2025 më është dukur si viti që, më shumë se asnjë tjetër, na shkuli lisat e pyllit tonë të botës shpirtërore, na mori artistë të mëdhenj. I fundit ishte Enver Petrovci. Pak para tij, Robert Redford, aktor dhe regjisor i madh. Në momente shumë të vështira ndodhet Bruce Willis. Na ikën artistë të muzikës Garth Hudson, Roberta Flack, Sly Stone, Marianne Faithfull, Rick Derringer, dhe Rick Davies; aktori Terence Stamp dhe kauntautori Arthur Hamilton.

Një pyll i tërë lisash të mëdhenj në jetën tonë, pavarësisht në cilin kontinent. Prandaj më bëhet sikur viti 2025 na dha një kolpo të fuqishme. Edhe disa nga artistët tanë si Anagnosti apo Petrovci, lisa të tillë janë; paçka se jemi një vend i vogël dhe të sapo dalë nga izolimi.

Përveç ‘Idiotit’ të famshëm, për të cilin ishte aktor dhe regjisor, Enveri luajti në filma që i dhanë të drejtën çdo idioti ta ‘varroste’ Enverin për së gjalli. Luajti në “Top je bio vreo”, “The War Is Over”, “Anatema”, “Black Flowers”, “Gorski vijenac”, “Bolji zivot 2”. Një pjesë në gjuhë serbo- kroatisht. Edhe kishte studiuar e ishte formuar si aktor në Beograd; kjo aq më keq. E quajtën tradhtar, e quajtën se ka lavdëruar Milloshevicin, e quajtën antishqiptar. Ky, po, ishte varri që po i bënin gati Enver Petrovcit. Por edhe varri fizik do të ishte një tokë e humbur, ndoshta në një fshehtësi të varrezave në Prishtinë, ku veç gruas dhe djalit, askush tjetër nuk do ta vizitonte. Bekim Fehmiu, një aktor i madh shqiptar, i studiuar në Beograd, i formuar si aktor po në këtë kryeqytet, një ditë u lodh nga ‘varri’ i hapur nga nacionalistët idiotë, dhe ia dha vetes. Amaneti i tij ishte të mos kishte varr; hiri u hodh në urën e Prizrenit dhe shkoi në det. Me këtë urrejtje e shikojnë idiotët edhe Robert De Niron, që e quajnë ‘shqiptar tradhtar’ pse ka ‘ka origjinë shqiptare’, por për zemër ka Beogradin dhe nobelistin Ivo Andric.

Artistëve, po nuk ua bëre ‘varrin’ qysh në të gjallë, marrëdhënia me ta merr kthesa të papritura. Siç mori më Eseninin, mbi varrin e të cilit pas 100 vjetësh hidhen çdo ditë lule të freskëta dhe i kanë ngritur një monument të bardhë. Por nuk është ky lloj varri për të cilin kanë nevojë artistët. Është Panteoni i tyre në të gjallë ku shkojnë jetën pa sulme, pa baltë, pa shpifje, pa sharje. Duhet shtresëzuar dhe sistemuar shoqëria në artistë, të tjerë dhe idiotë…

Enver Petrovci ishte një artist i dimensioneve të tilla që të krijon përqasje pa fund.

Njerëz të idhnuem me atdheun

11 August 2025 at 20:43

Nga Frrok Çupi

Do të ishte më e thjeshtë sikur të kisha përdorur fjalën “hidhëruar” sipas versionit normativ të gjuhës, në vend të gegnishtes “idhnuem”. Mirëpo fjala ‘hidhëruar’ nuk do të kishte prodhuar kuptimin real. “ Të hidhëruar’ me atdheun njerëzit mund të jenë edhe kur u vjen ‘ hidhët’, dmth., u vjen keq për gjëra që nuk shkojnë mirë. Kjo është komplet e kundërta me gjendjen e këtyre njerëzve në qasje me vendin e tyre. Këta janë ‘ të idhnuem’.

Fëmijët e përdorin këtë emocion kur humbin lojën me shokun, ose kur shoku u merr topin, ose kur dikush u bën një gjë të keqe.

Në rastin tonë, kur ‘ të idhnuem me atdheun’, janë së pari ish burra shteti si presidentë republike e kryeministra e ministra…, atëherë kemi të bëjmë me akte të tmerrshme krimi, jo thjesht ‘idhnim’. Kemi të bëmë me aktet e përdorimit të çdo mjeti dhune dhe mashtrimi dhe shpifjeje kundër të vërtetës dhe realitetit. Pse? Vetëm pse populli u mori topin, domethënë pushtetin; ata janë gati ta fusin në zjarr. Madje shuma zjarre që po u vihen maleve, fushave, pyjeve, bregut të detit e buzë qyteteve…, jam i sigurt se i vë dora e këtyre ‘udhëheqësve’ kriminalë.

Kur ‘ të idhnuemit’ si akt ka ndodhur në stinën e dimrit, në mes të ngricave e borës, atëherë këta kanë marrë skuadrat e tritolit dhe të pushkatimit e kanë shembur shtyllat e linjave elektrike. Këtu kemi qenë dhe i kemi parë pa pikën e fuqisë që t’ i çojmë në ‘hapsane’. Edhe kjo fjalë mund të zëvendësohej me fjalën ‘qeli’, por ja që tingëlloka më bukur në të folmen e vjetër… Errësira dhe i ftohti ka mbuluar jetën e viktimave të këtyre.

Ç’të keqe u ka bërë atdheu këtyre njerëzve?

Mirë se të korruptuarve kriminalë u ka prerë duart që të mos vjedhin më pasurinë publike. Kjo tashmë dihet çfarë po ndodh me Drejtësinë e re. Mirë se familjarëve të të korruptuarve u ka treguar vendin dhe sekuestruar pasurinë e grabitur…Këta përbindësha paskan të drejtë të idhnohen dhe t’i venë flakën atdheut, madje mundësisht të djegin edhe ndonjë duzinë njerëz.

Kur nuk kanë mundësinë për urët e zjarrit, atëherë këta përdorin fjalët. Fjalë të ndyra, fjalë të egra, fjalë shpifëse, fjalë të zeza kundër vendit. Ish presidenti i vendit, që po numëron ditët deri në seancën tjetër në Gjykatën Speciale, nxjerr nga sirtarët pamje nga Shqipëria kur ky ishte në krye. “ Ja si është turizmi!, thotë. Ja si është Shqipëria”. Në fakt atë Shqipëri që ndoti ai, nuk mund ta gjejmë as në arkiva; arkivat u dogjën po prej tij. Një gazetë e përditshme, e vetmja e pavarur, u dogj e tëra, me gjithë kompjuterë dhe njerëz, po prej tij.

Gazetarët që kanë mbetur nga djegia, disa i janë bashkuar atij me shpresë se ‘të vrarët dje mund të vrasin dikë sot’, disa i janë bashkuar Irfanit dhe disa kanë marrë një kamera e dalin nëpër Shqipëri: “ Turizmi sivjet ka falimentuar, thonë sa kanë në kokë.- Ky vend nuk mund të ketë turizëm elitar… Nuk ka dyqane ndërkombëtare, nuk vlen ky vend!”

Të tjerë, kur del gënjeshtra me turizmin, kthehen te birra. “ Dy vetë pinë një birrë!’, thanë këto ditë. Turpi më i madh i asaj që është quajtur gazetari prej shekujsh. Po në qoftë se një shishe verë e pinë pesë vetë, kushedi çfarë tragjedie për Shqipërinë e këtyre. Po nëse nën një çadër rrinë tre vetë, a qenka bërë nami në Shqipëri!?. Budallenj që nuk e fshehin dot budallallëkun.

Kur përmendet Europa si aleate e Shqipërisë, këta tërbojnë. Kur Europa thotë se Shqipëria ka bërë hapa të shpejtë ‘ drejt nesh’, këta tërbojnë. Kur Drejtësia ia çon zjarrin te këmbët krimit, këta duan të digjen më parë. Kur bota mahnitet me Shqipërinë që ka ndryshuar dhe është bërë si shoqet perëndimore, këta duan të gjuajnë botën me gurë. Kur populli po është i qetë e në punë, këta i thonë ‘ejani në ferr ku ishim bashkë”.

Çudi e madhe! Ka opozitë kudo, ka media të egra dhe media acide edhe gjetkë, ka shpirtra të këqij dhe psikopatë, ka njerëz që nuk e duan përparimin…, por si këta nuk mendohet. Urtësia hyjnore thotë se “ai që nuk do vendin e tij, familjen e tij, atë që ka afër, ai është i pafe”. Po për vete, këta a mund të mendojnë pakëz?!. Sepse me shpirt të hidhët, me vrer në tru dhe flutura në stomak, këta nuk jetojnë dot të qetë. Këta sëmuren nga ‘të idhnuemit’ ndaj Atdheut dhe ‘vdesin më shpejt’, thotë Frojdi.

Një bidon bosh peshon më shumë se një ligj

31 July 2025 at 15:36

Nga Frrok Çupi

Përditë ju ka ndodhur, dhe përditë keni ikur me frikë. Pse bëjmë sikur ‘haj mo’? Ju ka ndodhur që vini rrotull e rrotull dhe nuk mund të parkoni makinën. Në vendet për parkim të lirë janë vënë bidonë bosh; të gjithë i bien rrotull pallatit por bidonin nuk e prekin.

Edhe policët vijnë vërdallë, por bidonin e mitizojnë.

Në makinat e zeza e të rënda që i vijnë vërdallë bidonit, me siguri brenda tyre ka edhe armë ose drogë. Të zotët e makinave që ulin kokën para bidonit bosh, mbahen për trima. Dhe janë aq trima saqë qëllojnë me armë mbi njerëz; ose janë aq trima sa hyjnë në tregun e tmerrshëm të drogës dhe të përleshen me bandat.

Por jo të prekin bidonin bosh, që është e drejta e ligjshme. Bidoni është i vërtetë, siç mund të jetë një karrige me tre këmbë, ose një thes me inerte, ose një biçikletë që zë hapësirën sa për një makinë…, por në këtë rast po e marrim si balancë me ligjin. Bidoni është gjëja më bosh e gjithë çështjes me ligjin. Anti- ligji respektohet më shumë se ligji.

Kjo është tragjedia.

Çfarë po ndodh tani?

Sapo ka nxjerrë kokën ideja ose drafti për një Kod të ri Penal. Menjëherë u ngritën të gjithë ( më duket se të gjithë) kundër. Drafti thonë se është ‘i shëmtuar’. Po, sigurisht, mund të jetë. Por a na duhet Kodi, sepse ky nuk është ende ‘kod’? A na duhet të kemi ligj, apo të kemi ‘bidon’?, kjo është çështja. Këta nuk duan ligjin, ky është thelbi. Disa vijnë me mendimin se ‘sot bidonin ti, nesër unë’. Domethënë siç ecën për disa dekada pas viteve ’90: ‘Sot e marr këstin te Sudja unë, nesër e merr ti! Bëjmë si bëjmë mes nesh!’. Thonë se atëherë ‘pinim birra gjithë ditën së bashku’. Ose njëri mbjell kanabis e tjetri e tregton; në fund të fundit balancohen. Sot e zë rrugën njëri, nesër e zë tjetri…, në lagjen time ku ndodhen dy rrugë të ngushta paralele, njërën e kanë kthyer në parkim, sepse ‘mjafton njëra rrugë, ç’i do të dyja’. Në ‘Theth’ thonë se ‘do të qeverisen me Kanunin e Lekës’. Sipas Kanunit janë ‘zgjidhur’ hasmëritë: ‘Sot të vras unë, nesër më vret ti!’, me radhë. Hasmit janë njëri këtu, tjetri në Dubai. Të korruptuarit e mëdhenj të vendit nuk paraqiten para Drejtësisë. Ose edhe kur paraqiten, marrin me vete turma njerëzish si mburojë. Këta të mburojës mishtore nuk nënshkruajnë deklaratën se ‘këtë të zezë po ia bëjmë shumicës’. Secili nga zyrtarët e lartë mund të shesë e blejë interesat e vendit, siç ka ndodhur vite të shkuar, por nuk ka ligj. Nuk ka ligj për hapjen e çështjeve të ‘vjetra’ ku janë vrarë qindra e disa mijëra shqiptarë; ku është kryer krimi shtetëror, ku është kryer korrupsion i madh. Prokurori i Përgjithshëm tha se ‘me këtë Kod të ri’ mund të rihapen çështjet e vjetra penale.

Shumica tjetër e ‘njerëzve të ligjit’ thonë se ‘ishim mirë me kodin e vjetër’. Si me bidonin bosh; bidoni mbytet në pluhur por një parking do ta gjesh në rrugë edhe pas një jave. Kodi i vjetër u kthye jo në mur të lartë, por në një ‘gardh me njëmijë vrima’, nga ku kaluan dinozaurët që shkaktuan luftën civile 1997, grusht shteti në vitin 1998, dhunën mbi zgjedhje dhe opozitë- 1996; thyerjen e embargos së OKB për armë dhe naftë; skemat mashtruese piramidale; vrasjet në oborrin e kryeministrisë; djegien e 26 njerëzve në Gërdec; përdorimin e qeverisë si leckë ku fshiheshin b… e familjes së kryeministrisë me 19 kulla… Nëpër këtë gardh ka hyrë e dal fajtori i madh pa u paraqitur asnjë ditë para Drejtësisë.

Me atë kod, pa ligje, e keqja, krimi e korrupsioni i kanë hipur në kokë qytetarisë së vendit.

A vlen më shumë ‘bidoni bosh;’ se sa ligji? Edhe kur ligji është më i fortë, vlen mijëra herë më shumë se vetëgjyqësia. Ku ka ligj, aty ka pafajësi për njeriun. Pse bëjnë sikur tremben të zotët e bidonëve?

❌