Normal view

SPAK shuan “flamingot”: Asnjë hetim për Kushner

24 July 2026 at 23:02

Mes zhurmës së protestave, postimeve dhe përpjekjeve për ta shtyrë narrativën në qendër të algoritmit, SPAK i përgjigjet thjeshtë mediave ndërkombëtare, nuk ka hetim për dhëndrin e Trump.

A mund të konfirmojë SPAK nëse po heton një projekt zhvillimi të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e Presidentit Donald Trump?- është pyetja e drejtuar nga media amerikane Fox News për SPAK.

Struktura e Posaçme Antikorrupsion në një përgjigje zyrtare sqaron se SPAK nuk ka asnjë hetim të hapur në lidhje me ndonjë projekt që përfshin Jared Kushner.

Megjithatë prokuroria thotë se ka nisur një hetim i cili ka të bëjë me çështje që nuk lidhen me Kushner dhe se detaje të mëtejshme nuk mund të bëhen të ditura për shkak të sekretit hetimor.

Përgjatë muajit qershor SPAK i është përgjigjur interesit të NYT London”, CNN London, Anadolu Agency, MSNBC, CNN, CBS News London, The Times e të tjera duke i kthyer diskutimet nga zhurma politike te faktet procedurale./abcnews.al

Fox News: Si u fabrikua protesta kundër Kushner/ Konfirmon tezën e qeverisë shqiptare për futjen e elementëve të huaj

22 June 2026 at 13:10

Gjigand mediatik amerikan, Fox News, njohur si një nga mediat pro dhe afër Presidentit të SHBA, Donald Tramp ka publikuar një artikull për mënyrën se si u fabrikua protesta kundër projektit te Kushner ne Zvernec e Sazan, nëpërmjet dezinformimit dhe sajesave të shpërndara kryesisht në rrjetet sociale.

Duke cituar një burim ‘familjar’ me projektin, Fox News thtoë se informacionet kundër projektit janë të sajesa apo falsifikime nga jashtë Shqipërisë.

“Një burim i njohur me situatën me projektin e resortit luksoz i tha Fox News Digital se disa nga informacionet që qarkullojnë në internet rreth projektit janë të sajuara dhe të falsifikuara, dhe se disa dezinformata kanë dalë nga jashtë vendit”, citon burimi.

Fox News konfirmon pretendimet e kryeministrit Edi Rama i cili prej javësh ka ngritur shqetësimin se Shqipëria për shkak të investimit të Kushner, është kthyer në qendrën globale të një lufte hibride, kryesisht nga Irani apo dhe vende të tjera.

Media amerikane pyeti zyrën kryeministrore për situatën, ndërsa në emër të Edi Ramës iu atribua një përgjigje shteruese mbi sulmet që po i bëhen këtij projekti.

“Të gjitha palëve dhe individëve të huaj të interesuar, të cilët kanë përhapur të gjitha llojet e dezinformatave dhe kanë nisur të gjitha llojet e sulmeve të pabaza në të gjithë globin kundër një projekti shumë ambicioz me potencialin për t’u bërë një model tjetër për mënyrën se si mund të ndërtohen destinacionet turistike të gjeneratës së ardhshme”, shprehej Rama.

Fox News i është drejtuar edhe kompanisë nga Katari që po drejton projektet për investimet në Sazan dhe Zvërnec.

Drejtuesi i kompanisë Sazan Real Estate Development LLC i tha medias amerikane se projekti ka për qëllim një destinacion të klasit botëror, mes ruajtjes së natyrës dhe një ekonomie afatgjatë.

Ai premton se investimi do të bëjë Shqipërinë krenare.

“Për katër vjet, ne kemi punuar drejt krijimit të një destinacioni të klasit botëror në bregdetin shqiptar një destinacion i rrënjosur në dizajn të menduar mirë, kujdes mjedisor dhe mundësi ekonomike afatgjata. Qëllimi ynë është i thjeshtë: të festojmë bukurinë natyrore të Shqipërisë, të krijojmë vende pune dhe të ndërtojmë diçka për të cilën brezat e ardhshëm mund të jenë krenarë. E ardhmja e projektit në fund të fundit do të përcaktohet nga Shqipëria dhe populli shqiptar”, thotë ai.

Sa i përket protestave në bulevard, Fox Neës shkruan se protestat e nisura kundër investimit në Zvërnec e Sazan, tashmë kanë marrë një tjetër rrjedhë, kundër kastës politike, duke kërkuar jo vetëm dorëheqjen e Edi Ramës, por dhe të liderit të opozitës, Sali Berishës./abcnews.al

Rama për “Associated Press”: S’ka projekt për Zvërnecin! Ja si erdhi propozimi i Kushner për të investuar në Shqipëri

10 June 2026 at 10:18

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zotohet të vazhdojë me investimin e lidhur me dhëndrin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Jared Kushner, pavarësisht protestave.

Në një intervistë për Associated Press, Rama i hodhi poshtë kundërshtimet mjedisore si rezultat i dezinformimit dhe tha se zhvillimi po e kthente Shqipërinë nga një vend dikur të injoruar nga investitorët në një vend “ku kapitali i madh dëshiron të vijë dhe investitorët e mëdhenj duan të vijnë”.

Në artikullin e Associated Press shkruhet se Qeveria shqiptare thotë se zhvillimi do të ishte transformues për ish-kombin komunist, ndërsa kërkon të hyjë në tregun e turizmit të nivelit të lartë dhe shtyn përpara anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Por mijëra demonstrues janë bashkuar në protestat e përditshme jashtë zyrës së Ramës në kryeqytet, Tiranë kundër projektit të planifikuar që përfshin hotele, apartamente, vila dhe një marinë për jahte, vijon artikulli.

Kryeministri tha se një vlerësim formal i ndikimit në mjedis nuk ka filluar, edhe pse puna ka filluar për të pastruar tokën brenda një rezervati natyror.

I pyetur nëse mund të tërhiqet nga projekti, Rama refuzoi, duke shtuar: “Tërhiquni nga çfarë?”

Prokuroria e Posacme në Shqipëri ka hapur një hetim në lidhje me projektin. Qeveria thotë se toka është në pronësi private, por kanë dalë pretendime rivale mbi privatizimin e saj.

“Vendi juaj është absolutisht mahnitës”

Rama tha se propozimi i Kushnerit filloi rastësisht. Ai kujtoi një darkë në jug të Shqipërisë me Kushnerin, gruan e tij, Ivanka Trump, dhe miqtë që kishin ndaluar në portin e Durrësit për të furnizuar me karburant anijen e tyre gjatë rrugës për në Mal të Zi.

Muaje më vonë, Kushner iu afrua atij në një takim të liderëve botërorë dhe drejtuesve të biznesit në Davos të Zvicrës, dhe shprehu interes për të investuar në Shqipëri, tha Rama.

“Vendi juaj është absolutisht mahnitës dhe ne do të donim të kërkonim një shans për të investuar,” kujtoi Rama t’i kishte thënë Kushner.

Një firmë investimi e lidhur me Kushnerin i është dhënë statusi i investitorit special nga autoritetet shqiptare.

Projekti luksoz ka dy komponentë: një zhvillim bregdetar në zonën e Lagunës së Nartës, e cila është një rezervat i jetës së egër, dhe një vendpushim më të vogël në ishullin e pabanuar të Sazanit, një bazë ushtarake e epokës komuniste.

‘Ky është ende një proces planifikimi’

Puna ka filluar tashmë për të pastruar tokën brenda një rezervati natyror të përdorur nga zogjtë shtegtarë, duke i bërë grupet mjedisore të paralajmërojnë për shkatërrimin e habitateve të ruajtura prej kohësh. Shqipëria ka 450 kilometra (280 milje) bregdet që mbeti kryesisht i pazhvilluar gjatë dekadave të sundimit të ashpër komunist.

Rama tha se një vlerësim formal i ndikimit në mjedis nuk ka filluar sepse plani për zhvillimin nuk është finalizuar. Ai tha se arkitektët dhe specialistët ndërkombëtarë të mjedisit ende po e formësojnë propozimin.

“Kur bëhet fjalë për mjedisin, ende nuk ka asnjë projekt, ende nuk ka asnjë vlerësim të ndikimit në mjedis, sepse ky është ende një proces planifikimi”, tha ai.

Ai argumentoi se Shqipëria ka një rekord të fortë ruajtjeje, duke treguar ndalimet e gjuetisë dhe prerjes së pemëve që ai tha se ndihmuan popullatat e flamingove të rikuperohen.

“Ne kemi dokumentacion fantastik se si jeta e egër në Shqipëri u rikthye falë moratoriumit 10-vjeçar të gjuetisë”, tha Rama.

Që nga fundi i majit, ekskavatorë dhe makineri të tjera të rënda kanë hyrë në zonën e planifikuar të zhvillimit, duke hapur rrugë hyrjeje, duke gërmuar në rërë, duke pastruar tokën midis pishave dhe duke instaluar gardhe.

Rama thotë se kritikat janë plot me “gjysmë të vërteta”.

Kryeministri sugjeroi se disa nga reagimet negative ndaj projektit po amplifikoheshin nga ndërhyrjet e jashtme, duke përmendur atë që ai e përshkroi si një fushatë kibernetike iraniane afatgjatë kundër Shqipërisë.

Shqipëria e ka akuzuar prej kohësh Iranin se mbështet hakerat që sulmojnë infrastrukturën kibernetike të vendit, pasi Shqipëria strehoi anëtarë të një grupi opozitar iranian. Teherani i ka mohuar akuzat.

“Ka shumë manipulime. Ka shumë gjysmë të vërteta që bëhen gënjeshtra gjithnjë e më të mëdha çdo orë”, tha ai.

Ai theksoi se nuk po akuzonte protestues individualë se veprojnë si agjentë të huaj.

Trump anulon takimin/ Presidenti i SHBA: Witkoff dhe Kushner nuk kanë pse udhëtojnë kot

By: Rovena
25 April 2026 at 19:32

Donald Trump anuloi dërgimin e Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Pakistan për bisedime me Iranin.

Ky vendim erdhi pasi delegacioni u largua nga Islamabadi pasi zhvilloi takime me zyrtarët pakistanezë.

Presidenti amerikan tha se dy negociatorët nuk do të bëjnë një udhëtim 18 orësh për që qëndruar ulur pa folur për asgjë.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara i kanë të gjitha kartat, ndërsa Irani mund të telefonojë kur të dojë.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u largua nga Pakistani pa pritur zyrtarët amerikanë.

Araghchi u takua me kryeministrin, shefin e ushtrisë dhe zyrtarë të tjerë për çështje që përfshijnë vijat e kuqe të Iranit në negociata.

Megjithatë disa media ndërkombëtare raportojnë se zyrtarët pakistanezë presin që Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, të kthehet në Islamabad të dielën ose të hënën.

Ai është aktualisht po vijon udhëtimin e tij në Oman dhe më pas ndalesa tjetër është Rusia.

Teherani I ka kërkuar presidentit amerikan të ndalojë bllokadën e porteve iraniane, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur.

Zyrtarët iranianë mbeten thellësisht skeptikë dhe thonë se nuk u besojnë Shteteve të Bashkuara, duke theksuar gatishmërinë ushtarake.

Disa mbështetës të vijës së ashpër thonë se programi bërthamor i Iranit nuk është i hapur për diskutim, pavarësisht se Presidenti Trump përmend pasurimin bërthamor si një nga arsyet kryesore për sulmin ndaj Iranit.

“Paqja, qëllimi i madh i Bordit”/ Kushner: Jemi këtu për të ndihmuar njerëzit e Gazës

By: Rovena
19 February 2026 at 16:57

Jared Kushner, një nga negociatorët kryesorë të Bordit të Paqes për Gazën, deklaroi se e ardhmja mund të ndryshojë përmes vendimeve të duhura dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ai theksoi se janë siguruar 7 miliardë dollarë fonde me mbështetjen e Donald Trump për të ndihmuar qytetarët e Gazës dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës, duke vënë theksin te paqja dhe solidariteti global.

“Nuk mund të ndryshojmë të shkuarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen nëse bëjmë gjënë e duhur. Ajo që shohim sot është një shembull i vogël për punën që u bë. Shumë njerëz ishin vullnetarë, nuk ë bënë për përfitime personale, por e bënë për fëmijët e tyre që të shohin paqen.

Njerëz nga e gjithë bota janë këtu për t’u bashkuar në një qëllim të përbashkët që është paqja. Mendimet e tua, Trump, në fillim ishin shumë radikale. Ju falënderoj të gjithëve ju, që mendoni se e ardhmja është e sigurt dhe bashkëpunoni në solidaritet. Bota mund të jetë e mirë në çdo moment. Ne kemi siguruar me mbështetjen e Trump 7 miliard dollarë fonde. Jemi këtu për të ndihmuar njerëzit e Gazës, t’u japim prioritet, t’i japim mundësin njerëzve të jetojnë më mirë”, tha Kushner.

/abcnews.al

Jared Kushner zbulon planin për Gazën/ Neziri: Herët për të folur. Krisafi: Gjithçka varet nga Hamasi

By: Rovena
22 January 2026 at 22:03

Jared Kushner ka zbuluar një plan të ri për Gazën, i cili sipas analistëve përfaqëson një rikthim të idesë së ashtuquajtur “Riviera e Gazës”, por me shumë pikëpyetje mbi zbatueshmërinë e tij.

I ftuar në emisionin “Ëar Report” në ABC Neës, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi theksoi se suksesi i planit varet nga gatishmëria e Hamasit për t’u çarmatosur, një proces që mbetet tepër i vështirë dhe me rrezik për përshkallëzim konflikti.

Ndërkohë, kolonel Sami Neziri vuri në dukje se çarmatimi i Hamasit, tërheqja e Izraelit dhe financimi janë pikat më të dobëta të planit, duke e konsideruar ende herët për të folur për zbatimin e tij konkret.

Ledion Krisafi: Ky është rikthim për planin e Rivierës së Gazës, por gjithçka varet se sa i gatshëm është Hamasi të heqë dorë, nëse nuk heq dorë kjo do të jetë shumë e vështirë për t’u bërë dhe rrezikon që të ketë një luftë për çarmatosje. Hamasi jo vetëm që nuk është çarmatosur, por ka filluar të marrë më shumë terren. Ajo që bie në sy është fakti që nuk është i përfshirë pala palestineze në plan, kërkohet vetëm që të merren disa territore falas për ngritur hotele dhe kazino luksoze.

Sami Neziri: Pika më e dobët është çarmatosja e Hamasit dhe tërheqja e Izraelit, një problem tjetër është financimi. Është shume herët për të folur, do të ketë një rishikim të planit.

Kushner zbulon projektin e ri/ Gaza, deri në 2035 qendër rajonale zhvillimi

By: Rovena
22 January 2026 at 18:14

Dhëndri i presidentit amerikan Jared Kushner, një nga figurat me te rëndësishme për paqen në Gaza, dha detaje në Davos se si do të duket enklava në të ardhmen.

Ai prezantoi një “masterplan” për të ardhmen e enklavës, duke e demonstruar idenë edhe me harta dhe foto.

“Ekziston një masterplan. Ne do ta zbatojmë atë me faza në Lindjen e mesme. Qytete si këto, për dy-tre milionë njerëz, ndërtohen për tre vjet”, tha Kushner.

Synimi i planit është që enklava të shndërrohet në një qendër ekonomike rajonale deri në vitin 2035.

Iniciativa përcakton objektiva ambicioze për dekadën e ardhshme. Ajo synon të rrisë prodhimin e brendshëm bruto te Gazës në më shumë se 10 miliardë dollarë dhe të rrisë të ardhurat mesatare vjetore të familjeve në mbi 13,000 dollarë.

Plani është strukturuar rreth një afati kohor zhvillimi me gjashtë faza që fillon në jug dhe përparon drejt veriut. Faza i përqendrohet në Rafah dhe Khan Yunis. Faza II përfshin zgjerimin e Khan Younis dhe zhvillimin rreth rajonit. Faza III synon zhvillimin në kampet qendrore të refugjatëve, ndërsa Faza finale përqendrohet në qytetin e Gazës. Kjo parashikon rindërtimin e qytetit dhe infrastrukturës urbane. përqendrohet në rindërtimin e Qytetit të Gazës. Më pas plani synon rindërtimin ekonomik dhe më vonë atë social të territorit të shkatërruar nga lufta.

Propozimi për infrastrukturën përfshin një port dhe aeroport të ri, një kalim trepalësh në Rafah, një linjë hekurudhore mallrash me një korridor logjistik prapavijë dhe një rrjet unazore dhe rrugësh kryesore për të lidhur qendrat urbane të Gazës.

Bordi i Paqes vlerëson se do të nevojiten më shumë se 25 miliardë dollarë për të zhvilluar shërbime moderne publike dhe shërbime publike.

Ky Bord do të mbikëqyrë gjithë procesin, ndërsa qeverisjen e përditshme të enklavës do e drejtojë Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës.

 

VIDEO/ Pas takimit në Vlorë, Jared Kushner dhe Ivanka Trump vizitojnë zonën e Akernisë

21 January 2026 at 12:21

Pas takimit të zhvilluar në një nga hotelet e qytetit të Vlorës, dhëndri dhe vajza e presidentit të SHBA-së, Jared Kushner dhe Ivanka Trump, janë ndalur në zonën e hidrovorit në Akerni.

Një territor i njohur për potencialin e tij të lartë në zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve strategjike.

Të shoqëruar nga arkitektë të njohur dhe nën masa të rrepta sigurie, me praninë e forcave të shumta të policisë, Trump dhe Kushner kanë inspektuar nga afër vijën bregdetare dhe hapësirat përreth hidrovorit në Akerni.

Vizita është përqendruar në vlerësimin e terrenit, infrastrukturës ekzistuese dhe mundësive që kjo zonë ofron për projekte të ardhshme zhvillimore.

Zona e Akernisë, e konsideruar prej kohësh si një nga pikat me potencial të madh për investime të rëndësishme turistike, ofron kushte natyrore të favorshme dhe një pozicion strategjik, çka e bën atë tërheqëse për projekte afatgjata në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik.

Vizita e tyre ka ngjallur interes dhe vëmendje të madhe, duke përforcuar idenë se kjo zonë mund të shndërrohet në një pikë kyçe për investime të ardhshme

Jared Kushner në Vlorë/ Dhëndri i Trump, takime në Shqipëri për investimet

21 January 2026 at 10:27

Jared Kushner, dhëndri i Presidenti të SHBA, Donald Trump ka mbërritur këtë mëngjes në qytetin e Vlorës.

Pritet që dhëndri i presidentit Trump të zhvillojë disa takime private në Vlorë me arkitektë mbi projektet dhe investimet në qytetin bregdetar.

Mbërritja e Kushner është shoqëruar me masa të forta sigurie nga policia e Vlorës, sic duket edhe në pamjet e siguruara nga ABC News.

WSJ: Kushner heq dorë nga investimi në Serbi

By: Rovena
16 December 2025 at 08:38

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga projekti për ndërtimin e një hoteli në Beograd, raportoi gazeta Wall Street Journal më 15 dhjetor.

Projekti ishte parashikuar në vendin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte planifikuar të ndërtonte aty një hotel luksoz.

Lajmi erdhi në ditën kur Prokuroria Publike për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Sellakoviç, për shkelje gjatë heqjes së statusit të pronësisë së objekteve kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, në qendër të Beogradit.

Sellakoviç akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

“Për shkak se projektet e mëdha duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit, ne tërhiqemi nga aplikimi ynë dhe këtë herë qëndrojmë mënjanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë private investuese të Kushnerit, “Affinity Partners”, sipas Wall Street Journal.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua kompanisë “Affinity Partners” për konfirmim dhe koment dhe është në pritje të përgjigjes.

REL-i kontaktoi edhe Presidencën e Serbisë, por ende pa përgjigje.

Prokuroria për Krim të Organizuar po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd. Sipas akuzave të mëparshme nga Zyra e Prokurorit, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiq, pranoi falsifikimin e dokumenteve.

Bazuar në atë dokumentacion, Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga Sellakoviq nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, i është dorëzuar një iniciativë për miratimin e vendimit për heqjen e statusit të pronësisë kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Sellakoviç u mor në pyetje më 4 dhjetor dhe, pasi dha dëshminë e tij, ai nuk foli për procedurat, por bëri akuza dhe fyerje kundër Prokurorisë për Krimin e Organizuar.

Pa ofruar ndonjë provë, ai e akuzoi atë se vepron sipas urdhrave të disa qendrave të pushtetit, të cilat nuk i emëroi, por tha se synojnë rrëzimin e Qeverisë në Serbi dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Më 11 dhjetor, Vuçç tha se, në rast se ngrihet aktakuzë për rastin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm, ai do t’i falë të gjithë ata që “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrime”.

“Nuk do t’ua jap mundësinë t’i ndjekin penalisht ata që nuk kanë faj. Unë jam fajtori. Unë jam ai që dëshiroja modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që dëshiroja të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiç.

Më 7 nëntor, Kuvendi i Serbisë miratoi një ligj të veçantë që i hoqi ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm statusin e pasurisë kulturore, duke i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi luksoz.

Ky projekt nxiti kundërshtime nga demonstrues antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët që kërkojnë ruajtjen dhe restaurimin e ndërtesës së shekullit 20.

Kushner, përndryshe, ka plane për një projekt edhe në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.

Projekti parashikon shndërrimin e Ishullit të Sazanit – të mbushur me bunkerë dhe tunele të braktisura nga epoka komuniste – në një vendpushim luksoz.

Projekti prej 45 hektarësh, i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike më 30 dhjetor 2024, vlen 1.4 miliard euro dhe pritet të krijojë rreth 1.000 vende pune në Shqipëri.

Megjithatë, nuk ka ende informacione publike nëse kontratat janë nënshkruar, nëse lejet mjedisore janë lëshuar, nëse studimet e fizibilitetit kanë përfunduar apo planet e ndërtimit janë miratuar.

Kushner dhe Netanyahu diskutojnë planin e SHBA për Gazën

11 November 2025 at 07:36

Ndërmjetësi amerikan Jared Kushner është takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të diskutuar armëpushimin e mbështetur nga SHBA-ja në Gaza, sipas “The Times of Israel”.

Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes, u takua sot me Netanyahun në Jerusalem, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të stabilizuar armëpushimin.

Takimi vjen një muaj pasi Uashingtoni dhe fuqitë rajonale e nxitën Izraelin të binte dakord për një armëpushim.

“Armëpushimi ka ndaluar pjesërisht dy vjet bombardimesh izraelite, të cilat shkatërruan pjesën më të madhe të Gazës dhe vranë më shumë se 69,000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë”, sipas autoriteteve palestineze.

“Bisedimet u përqendruan në disa nga elementët më të diskutueshëm të planit 20-pikësh të Trump për t’i dhënë fund luftës 2-vjeçare të Izraelit në territorin palestinez”, sipas zëdhënëses së qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian.

“Zyrtarët diskutuan planet për çarmatimin e Hamasit, vendosjen e forcave ndërkombëtare të sigurisë dhe krijimin e një qeverie teknokratike në territor që përjashton Hamasin”, tha ajo.

Hamasi ka këmbëngulur vazhdimisht se heqja dorë nga armët e tij është një vijë e kuqe.

Duke iu drejtuar parlamentit të Izraelit, Knesset, Netanyahu premtoi se Gaza do të çmilitarizohej, qoftë në mënyrën e lehtë apo të vështirë, në atë që ishte një kërcënim i fshehur për të përshkallëzuar luftën.

Jared Kushner dhe projekti i Sazanit/ Ekspertët në “Sheshi i Dollarit”: Projekt ‘magnet’, Shqipëria tani po synon turizmin elitar

23 May 2025 at 21:17

SHQIPËRI- Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump pak ditë më parë foli përmes një videomesazhi për resortin që do të ndërtojë në Ishullin e Sazanit në Shqipëri.

Gjatë fjalës  së tij, në forumin e investimeve që u mbajt Tiranë, Kushner tha se janë angazhuar inxhinierët më të mirë në Europë për të ruajtur mjedisin.

Marinela Jazoj, nga Shoqata e Investitorëve të huaj në Shqipëri u shpreh se vendit tonë i duhen më shumë investitorë të huaj, pasi projektet që ato sjellin krahas kapitalit financiar sjellin dhe një tjetër kulturë pune.

“Kur dëgjoj për investime të tilla apo interesa të tillë më gëzon zemra, sepse jam rritur ne Sazanin përballë. Deri më sot kemi parë Sazanin një ishull me Gjelbërim dhe asgjë tjetër dhe duke punuar  me komunitetin e huaj të biznesit, me investitorë të huaj, unë me 100% do isha gjithmonë për investitor të huaj, që të zhvillonin vendi tonë dhe duke qenë se standardi dhe kapitali qoftë financiar dhe qoftë njerëzor janë të një niveli tjetër.

Kur flasim për një investitor të përmasave të tilla nuk besoj  se do kishte ndonjë vend, i cili nuk do ishte i entuziazmuar. Ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, që është në fund të vet është një nga elementët kryesor. mendoj se vendi ynë”, theksoi ai.

Reinaldo Pipiria, drejtor i kompanisë Narea, tha se investimi i dhëndrit të Trump përçon mesazhin se Shqipëria është vend i sigurt dhe me mundësi për të zhvilluar turizmin elitar.

“Përfitimet për shkak të Kushner në Shqipëri mendoj se kanë filluar të jenë. Promovimi i Kushner është promovim  për Shqipërinë. në një moment kur kemi një investim amerikan, patjetër që është një sinjal dhe një angazhim dhe stabilitet politik dhe ekonomik në vend. Sikur asgjë tjetër të mos ndodhi. vetëm ky investim, është mjaftueshëm për garancinë se këtu do ketë stabiliteti ekonomik dhe politik për shkak se ka një lloj…Ekonomia politike funksionon kështu, ka një nuhatje që aty ku janë investimet e Amerikës janë zona të sigurta.

Në një moment që kemi këto lloj investimesh, Shqipëria automatikisht e ka ngritur veten në një tjetër pjacë, nuk është më Shqipëria e pallateve të Golemit, por po flasim për një turizëm elitar që sjell kapitale të freskëta në Shqipëri”, tha ai.

Menaxher i Horwath HTL, Majlind Lazimi, e cilësoi projektin e Jared Kushner si projekt magnet për sektorin e turizmit në vendin tonë.

“Ky është një projekt  tipi projekt magnet.  Kjo ia rrit vizibilitetin e Shqipërisë si destinacioni turistik. Kushner me fondin e investimeve që ka, ka dhe aksionerë nga Lindja e Mese, një nga to është dhe Fondi Saudit. Kështu që unë besoj  është një moment ndodhsha i fundit për Shqipërinë për të rivitalizuar Sazanin si një rajon ekomomik.  Ka pasur disa tentativa që në kohën e Nanos, edhe Berisha ka tentuar në fakt. Projekt i rëndësishëm”. tha ai.

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Endrit Yzeiraj në një intervistë në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News theksoi se projekti për Sazanin do të  ndikojë në rritjen e turistëve.

“Ajo që Shqipëria ka nevojë që të zhvillojë është përmirësimi i ofertës turistike në mënyrë që të tërheqë të pasur, turistë që vijnë dhe shpenzojnë më shumë në vend.

Jo vetëm ata turistë që vijnë për të eksploruar vendin me çantë në kurriz, që patjetër mbetet një nga turistët e rëndësishme që vizitojnë zonat malore dhe duhet në fakt që të vijnë dhe ta vizitojnë vendin dhe të jenë të mikpritur në vend, por kemi nevojën për të thithur turistë që shpenzojnë më shumë, ku duhet që të jetë dhe qëllimi, për këtë arsye unë mendoj që do të jetë dhe një sërë investitorësh të mëdhenj dhe të rëndësishëm në Shqipëri në fushën e turizmit.

Por, siç e përmenda Shqipëria synon që të jetë më shumë se kaq.

Turizmi është një portë hyrëse në një vend, ajo çka ne shpresojmë dhe duam të zhvillojmë është aftësia e investitorë për të investuar në fusha të tjera kur e kanë njohur Shqipërinë.

Pra shpresojmë që turizmi të jetë mënyra se si individë të ndryshëm vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë fillimisht për t’u argëtuar, por që më pas kuptojnë se nuk është një vend vetëm për të pushuar 2-3, por dhe për investuar”, tha ai./abcnews.al

“Shqipëria, vend thesar”/ Jared Kushner: Projekti në Sazan spektakolar, do zhvillojë edhe Mesdheun

17 May 2025 at 16:25

CEO i Affinity Partners, Jared Kushner, njëherësh dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump e ka cilësuar Shqipërinë, një vend thesar.

Gjatë fjalës së tij në forumin ndërkombëtar ekonomik për të ardhmen e Europës. Kushner u ndal edhe te projekti i Sazanit.

Sipas tij, ky projekt është spektakolar dhe do të zhvillojë edhe Mesdheun.

“Do sjellë rritje ekonomike, kam marrë reagime shumë të mira nga Shqipëria. Mendoj se është një vend thesar. Ne kemi marrë inxhinerët më të mirë në Europë, për të na ndihmuar, do të sigurohemi që do ta mbrojmë vërtet mjedisin. Teksa shohim projektin, është shumë e rëndësishme të kuptosh sesi e kemi kapur mjedisin natyror dhe e kemi përqafuar atë. Sa i përket lokacionit dhe vendndoshes, ky projekt është 60 milje nga Italia, 6 milje nga Korfuzi. Do jetë 10 minuta larg me makinë nga pikat e Shqipërisë, e zhvillon shumë edhe Mesdheun”, theksoi Kushner./abcnews.al

“Trump zgjoi Europën”/ Rama: Kushner e kam mik, partneriteti për Sazanin po diskutohet

10 April 2025 at 18:35

Rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Edi Rama e cilëson të mirë për të gjithë. Në një intervistë për median amerikane “Bloomberg”, kryeministri tha se qëndrimi i presidentit amerikan ndaj Bashkimit Europian është një mundësi për këtë të fundit për të rizbuluar fuqinë e tij.

“Kur Trump thotë se Zoti e shpëtoi për ta bërë Amerikën sërish të madhe, ai tregon vetëm gjysmën e historisë. Gjysma tjetër është që Ai e shpëtoi Trump-in gjithashtu për ta zgjuar Europën dhe për ta detyruar të reagojë”, shprehet Rama.

Rama u ndal edhe tek investimi që dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, do të bëjë në ishullin e Sazanit. Kreu i qeverisë tha se miratimi i projektit nuk u bë për të fituar pikë në Uashington dhe se marrëveshja nuk është përfundimtare.

“Nuk është se ia dhamë ishullin dhe mbaroi – është një partneritet. Mund të ecë më shpejt, mund të ecë më ngadalë, por varet nga dakordësia mes palëve. Ata kanë mbështetjen tonë të plotë, por duhet të biem dakord. Është një privilegj të flas me Kushner-in dhe do të isha shumë i lumtur ta quaja mik. Nuk e di nëse ai më quan mik, por unë e quaj mik”, shtoi Rama.

Media amerikane flet edhe për ambicien e Ramës për mandatin e katërt qeverisës, i cili siç shkruan ajo, do të ketë përballë në këto zgjedhje kreun e Partisë demokratike, -ish presidenti dhe ish kryeministri- i shpallur non grata nga SHBA-të për korrupsion dhe minim të demokracisë.

/abcnews.al/

❌