Normal view

Mbi 5.500 viktima një muaj pas tërmeteve në Venezuelë, dëmet arrijnë mbi 19 miliardë dollarë

26 July 2026 at 21:42

Një muaj pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën, numri zyrtar i viktimave ka arritur në 5.546, ndërsa 16.740 persona kanë mbetur të plagosur.

Dy tërmetet me magnitudë 7,2 dhe 7,5 goditën veriun e vendit natën e 24 qershorit, vetëm 39 sekonda larg njëri-tjetrit, në një fenomen të rrallë të njohur si “dublet sizmik”. Sipas autoriteteve, kjo është një nga fatkeqësitë natyrore më të rënda që ka përjetuar Venezuela në më shumë se një shekull.

Bilanci i përditësuar u publikua nga presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, i cili tha se numri i viktimave mund të rritet më tej, pasi vijon pastrimi i rrënojave.

Autoritetet nuk kanë përditësuar numrin zyrtar të personave të zhdukur që prej 25 qershorit, kur raportuan 157 persona të humbur. Ndërkohë, një nismë qytetare ka regjistruar rreth 29.500 raportime për persona, vendndodhja e të cilëve mbetet e panjohur, duke nxitur debat për mospërputhjen mes të dhënave zyrtare dhe raportimeve të qytetarëve.

Sipas vlerësimit të Bankës Botërore, dëmet fizike nga tërmetet arrijnë në rreth 19,6 miliardë dollarë. Prej tyre, rreth 9,3 miliardë dollarë janë dëme në banesa, 5,2 miliardë dollarë në infrastrukturën publike dhe afro 5 miliardë dollarë në ndërtesa tregtare dhe industriale.

Nga fatkeqësia kanë mbetur pa banesë 17.907 familje. Mbi 23.000 persona vazhdojnë të strehohen në 107 qendra të përkohshme në Karakas.

Ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po përfundojnë, autoritetet kanë kaluar në fazën e pastrimit të rrënojave dhe të rindërtimit. Sipas tyre, rikthimi i plotë në normalitet dhe rindërtimi i zonave të prekura pritet të zgjasë me muaj, ndërsa në disa raste edhe me vite.

Krimi i trefishtë në Roskovec/ Momenti kur RENEA negocion me 35 vjeçarin Nertil Buzi

26 July 2026 at 21:26

ABC News ka siguruar  pamje ekskluzive nga momenti kur forcat speciale RENEA rrethojnë automjetin e Nertil Buzit, pas pengmarrjes së 24-vjeçares Rozalinda Plaku në fshatin Vidhisht, Roskovec. Në vendngjarje ishin të pranishëm edhe prokurorët e Prokurorisë së Fierit, të cilët ndoqën nga afër operacionin.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të negociatorëve për t’i dhënë fund situatës pa pasoja të tjera, Nertil Buzi refuzoi të dorëzohej. Pas një operacioni të gjatë dhe delikat, 24-vjeçarja Rozalinda Plaku u lirua e padëmtuar dhe u dërgua në një zonë të sigurt. Negociatat e punonjësve të policisë me 35-vjeçarin vijuan edhe për disa orë me radhë, derisa ky i fundit i dha fund jetës brenda makinës.

Ngjarja e rëndë nisi që në orët e para të mëngjesit të së premtes, në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku Nertil (Refit) Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij dhe qëlloi me armë zjarri ndaj prindërve të saj. Si pasojë e të shtënave humbën jetën dy prindërit e 24-vjeçares, ndërsa më pas autori e mori peng të renë dhe u largua me automjet.

Për disa orë, dhjetëra forca policie, efektivë të RENEA-s dhe negociatorë zhvilluan një operacion të gjerë për lokalizimin dhe izolimin e autorit, duke bërë çdo përpjekje për ta zgjidhur situatën pa rrezikuar jetën e pengut. Pas lirimit të Rozalinda Plakut, operacioni mori fund me gjetjen e pajetë të 35-vjeçarit brenda automjetit.

Vatër zjarri në kodrat e Peshtanit, zjarrfikësit në vendngjarje

26 July 2026 at 20:09

Nje vater zjarri është shfaqur në kodrat e Peshtanit. Zjarrfikësit e Fierit po punojne per shuarjen e flakëve. Era e fortë favorizon përhapjen e flakëve. Dy vjet më parë ne këtë zonë u dogjën qindra ha. Zona është me pyllësi të dendur

Sulmi në “Paradën e Krenarisë” në Berlin/ Policia vret autorin e dyshuar

26 July 2026 at 19:46

I dyshuari për sulmin në aktivitetin e “Paradës së Krenarisë” në Berlin është qëlluar për vdekje nga policia gjermane, raportojnë mediat vendase.

Sipas transmetuesit rajonal Rundfunk Berlin-Brandenburg (RBB), personi i identifikuar si Abdul Ballout, 21 vjeç, u vra gjatë një operacioni policor në një kompleks kopshtesh në zonën Spandau të Berlinit.

Policia kishte nisur një operacion të gjerë kërkimi pas sulmit, me përfshirjen e qindra efektivëve.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të mbrëmjes së kaluar, gjatë një aktiviteti të komunitetit Pride në kryeqytetin gjerman.

Autoritetet gjermane më herët kishin deklaruar se Ballout, i lindur në Gjermani dhe me prejardhje libaneze, ishte i lidhur me atë që policia e përshkroi si “skena islamiste” në Berlin.

Hetimet për të zbardhur motivin e sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes po vazhdojnë. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të analizave të provave të mbledhura.

/ abcnews.al /

“Qytetarët kanë humbur besimin edhe te partitë e vogla”, Rada: Në protestë, elektorati gri

26 July 2026 at 19:40

Gazetari Ardit Rada ka komentuar pakënaqësinë qytetare dhe raportin e njerëzve me partitë politike, duke u shprehur se një pjesë e madhe e qytetarëve kanë humbur shpresën te partitë e mëdha, por edhe te ato të vogla.

Sipas Radës, këta qytetarë nuk po gjejnë një lidership që t’i organizojë në një forcë të re elektorale, ndërsa një pjesë e tyre zgjedhin të mos votojnë.

Sipas gazetarit, problemi qëndron te mungesa e një përfaqësimi të ri politik që të mund të kanalizojë këtë pakënaqësi qytetare.

“Në protestë, qytetarët atje e kanë humbur shpresën nga partitë e mëdha, por dhe të vogla, dhe nuk gjejnë dot një lidership për t’u organizuar në parti elektorale. Janë qytetarë që nuk votojnë, janë 20-23 për qind. Ka një qytet më i madhi i jugut, ku kryetarja është zgjedhur me 17 për qind të votave. Pakënaqësia popullore reflektohet në pjesëmarrjen në zgjedhje. Nuk e vendosim dot gishtin pse nuk keni përfaqësi.”

Protesta/ Gazetari Sadikaj: Ka fije të vogla apo të mëdha politike që nuk arrijnë të përfaqësojnë njerëz

26 July 2026 at 19:31

Gazetari Patrik Sadikaj ka komentuar zhvillimet e protestës, duke u shprehur se në fillim u krijua përshtypja e një momenti real thyerjeje, por sipas tij, situata më pas u devijua drejt elementeve dytësore.

Sipas gazetarit, pakënaqësitë reale lidhen edhe me çështje ekonomike, si rritja e çmimeve të karburanteve, kostot në bregdet dhe vështirësitë e përditshme të qytetarëve.

Ai vlerësoi se protesta, përtej zemërimit qytetar, mbart edhe elementë politikë që nuk arrijnë të krijojnë një përfaqësim të gjerë dhe se disa aktorë politikë po përpiqen të udhëheqin një lëvizje që nuk e kanë ndërtuar vetë.

“Në këndvështrimin e parë, u duk sikur kishte vërtet një thyerje, por më pas Rama e tërhoqi me lojën e tij, duke u marrë me gjëra të vogla të protestës, duke goditur elemente të caktuara. Në atë shesh nuk dalin njerëzit më të ndritur; më duket zbrazje e delirit të madhështisë. Thyerje mendoj se është dhe në aspektin ekonomik, rritja e çmimeve të karburanteve, çmimet në bregdet, frytet e përvitshme. Po të ishte një qasje e drejtë e protestës për këto problematika, votuesit thonë: ne të votuam, po e duam naftën kaq.

Kjo protestë, përveç pretekstit të zëmërimit, ka fije të vogla apo të mëdha politike që nuk arrijnë të përfaqësojnë njerëz, dhe i hipin një kali që nuk e shalojnë vetë.”

Zjarr në Pyllin e Sodës/ Flakët përfshijnë sipërfaqe të konsiderueshme pyjore

26 July 2026 at 16:39

Një zjarr ka përfshirë pasditen e kësaj të diele pyllin e Sodës, pranë rrugës që të çon drejt plazhit të Zvërnecit, në Vlorë.
Flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe, të favorizuara nga era e fortë, duke krijuar një situatë problematike në zonë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për vënien e flakëve nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e tyre në sipërfaqe të tjera.

Rama: “Besa” kundër keqkuptimeve/ “Dorëheqja ime nuk negociohet me ju, kam kontratë me 800 mijë shqiptarë”

26 July 2026 at 13:35

Kryeministri Edi Rama reagoi këtë të diel mbi shumë mesazhe që ai thotë sa ka marrë këto ditë, pas së premtes kur ai shpalli “Besën”, reflektimin mbi protestën gati dy mujore në bulevard. Prej atyre qëiI kanë shkuar, ai thotë se janë dhe personazhe të protestës që mbajnë fjalime poshtë zyrës së tij, dhe qartësoi se për kë e pati reflektimin.

“Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh.  Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!”

Në vijim, kryeministri thotë se reflektimet janë për atë pjesë të protestuesve që kanë shprehur shqetësime e problematika të tyre, jo asaj pjese që këkron largimin e tij.

“Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve. Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë”

Kontrata ime me shqiptarët, shton Rama, nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata, po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike, e mbyll reagimin kryeministri./abcnews.al

Rama: Dënojmë sulmin në Berlin. Kryeministri: Nuk mund të ketë tolerancë për urrejtje, dhunë apo ekstremizëm në asnjë formë

26 July 2026 at 13:28

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Paradën e Krenarisë në Berlin, ku një furgon u fut në turmë duke lënë 1 viktimë dhe 16 të plagosur.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se Shqipëria shpreh solidaritetin më të sinqertë me Gjermaninë dhe popullin gjerman.

Sipas kreut të qeverisë, Nuk mund të ketë asnjë tolerancë për urrejtjen, dhunën apo ekstremizmin, në çfarëdolloj forme që ato shfaqen.

“Jam thellësisht i tronditur nga lajmi tragjik që vjen nga Berlini. Në emër të Qeverisë së Shqipërisë, shpreh solidaritetin tonë më të sinqertë me Gjermaninë dhe popullin gjerman. Nuk mund të ketë asnjë tolerancë për urrejtjen, dhunën apo ekstremizmin, në çfarëdolloj forme që ato shfaqen. Ato kërcënojnë jo vetëm sigurinë e qytetarëve tanë, por edhe vetë vlerat mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona. Duhet të qëndrojmë të bashkuar kundër tyre, me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim. Në këto çaste të vështira jam me familjen e viktimës dhe u uroj shërim të plotë e sa më të shpejtë të gjithë të plagosurve. Shqipëria qëndron pranë Gjermanisë”, shkruan Rama.

 

I am deeply saddened by the tragic news coming from Berlin.

On behalf of the Government of Albania, I extend our heartfelt solidarity to Germany and the German people.

There can be no tolerance for hatred, violence, or extremism in any form. They threaten not only the safety of…

— Edi Rama (@ediramaal) July 26, 2026

Plagosja e të riut me armë në Kurbin/ Zbardhet ngjarja, shpallet në kërkim një 47-vjeçar

26 July 2026 at 13:17

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Gjorm të Kurbinit, ku mbeti i plagosur në këmbë me armë zjarri 22-vjeçari Veron Pasha.

Në kërkim është shpallur 47-vjeçari Klodjan Ndoj, i dyshuar si autori i ngjarjes, i cili pas plagosjes u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë, nën kërcënimin e armës, edhe automjetin e 22-vjeçarit.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja.

Punohet intensivisht për kapjen e autorit dhe gjetjen e automjetit të 22-vjeçarit.

Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Ndoj akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./abcnews.al

Hedh ko kampionin dhe humb/ Mbyllet në dy raunde aventura e guximshme e boksierit tonë

26 July 2026 at 13:01

Nuk dihet se cilit prej tyre i rrihte zemra më shumë.

Kristian Prenga ishte në ringun e Xhedas në Arabinë Saudite, për ndeshjen ku e ku më të madhe të karrierës së tij si boksier profesionist.

Gjithsesi, edhe gjigandi që kishte përballë, Entoni Xhoshua, dy herë më parë kampion i botës, ndodhej në buzë të greminës.

Një humbje prej britanikut tjetër, Dybua, dhe një aksident i tmerrshëm automobilistik në dhjetor, ku humbën jetën dy miq të tij, kishin shkaktuar tronditje të tmerrshme.

Një humbje ndaj Prengës me shumë mundësi do të thoshte fund i karrierës pa të drejtë apelimi.

Edhe drama në Arenë ishte e denjë për sfidën, që dukej e krijuar nga skenari I ndonjë filmi.

Boksieri shqiptar prodhoi raundin e parë më të mrekullueshëm të gjithë jetës së tij sportive, duke e hedhur nokdaun ish-kampionin e dyfishtë të botës.

Dy herë arbitri numëroi për Xhoshuan, ndërsa në tribunë ishte edhe kampioni i botës i peshave të rënda, Oleksandr Usik, mik i tij, që ishte i shqetësuar.

Gjithsesi, anglezi e mori veten në pushim dhe u kthye ai i vërteti.

Diferenca në klas dihej që ishte e madhe, pavarësisht zemrës së madhe të Prengës.

Siç ndodh në këtë kategori të boksit profesionist, mjafton një kombinim grushtash, një ulje vëmendjeje për një fraksion sekondi, që të marrë fund gjithçka.

Xhoshua fitoi me nokaut në 27 sekonda përpara se të mbyllej raundi I dytë.

Më pas, ai tha se mbijetua nga kujtimi I dy shokëve të vdekur në aksident, ndërsa në radhë është sfida e madhe ndaj patriotit të tij, Tajson Fjuri, edhe ai ish-kampion I botës.

Kontrata është nënshkruar dhe shpresohet që lufta të mbahet, edhe pse ka qenë iluzive që nga viti 2016./abcnews.al

Dy zjarre në Vlorë/ Flakë në një biznes dhe në një kabinë elektrike, nuk ka të lënduar

26 July 2026 at 12:20

Dy vatra zjarri kanë ndodhur pothuajse në të njëjtën kohë në qytetin e Vlorës, duke detyruar forcat zjarrfikëse të ndajnë ekipet për të ndërhyrë paralelisht në të dyja ngjarjet.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri i parë ka rënë në një “fast food”, ku dyshohet se flakët janë shkaktuar nga shpërthimi i një bombole gazi.

Si pasojë e zjarrit, u krijua një tym i dendur dhe u shkaktuan dëme materiale në ambientet e biznesit. Ndërhyrja e shpejtë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke vënë situatën nën kontroll.

Ndërkohë, një vatër e dytë zjarri përfshiu një kabinë elektrike pranë shkollës “Ali Demi”, ku flakët u përhapën me shpejtësi. Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë, duke stakuar linjën elektrike dhe neutralizuar zjarrin, i cili mund të rrezikonte edhe banorët e pallatit aty pranë.

Fatmirësisht, nga të dyja ngjarjet nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme materiale./abcnews.al

Turistët “pushtojnë” Tiranën/ Vizitorë nga Evropa në kryeqytetin shqiptar për pushimet verore

26 July 2026 at 12:13

Çdo ditë, vizitorë nga vende të ndryshme të botës zgjedhin të eksplorojnë kryeqytetin shqiptar, ku kryesojnë turistë nga vendet evropiane, të tërhequr nga historia, kultura dhe atmosfera e tij unike.

Ndalesat më të frekuentuara në qytet mbeten Sheshi Skënderbej, Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Sahatit, Mali i Dajtit, si edhe shumë atraksione të tjera që vazhdojnë të zgjojnë interesin e turistëve të huaj.

“Jam nga Tajlanda, por, jetoj në Zvicër. Këtu më duket shumë bukur. Kam qenë edhe në Maqedoninë e Veriut. Është pothuajse e ngjashme. Tirana nuk është aq e shpërndarë. Qyteti është lehtë për tu vizituar, kështu që mund të ecësh ngadalë në këmbë për ta përshkruar rreth e përqark. Më pëlqen edhe peizazhi malor, mali i Dajtit. Shumë i bukur. Këtu njerëzit janë shumë miqësorë, të ngrohtë. Ndalen e na përshëndesin, edhe pse unë nuk dijë shqip, vetëm dy fjalë kam mësuar; faleminderit, dhe të dua….”

“Ne vijmë nga Holanda. Këtu është vërtet shumë bukur. Shumë bukur.  Njerëz miqësorë, ushqim i mirë, i përballueshëm për ne. Po, është vërtet një përvojë shumë e mirë deri më tani. Ne nuk kemi vizituar vetëm Tiranën, ishim në Durrës, Berat dhe tani do të shkojmë edhe në Krujë. Sheshi “Skëndërbej” është gjëja e parë që pamë, është mahnitëse. Vërtetë shumë mbreslënës.”

“Ne vijmë nga Franca. Është hera jonë e parë që vijmë në Tiranë. Mbërritëm dje, dhe nuk kemi vizituar shumë vende. Kaq sa kemi parë, është një vend i bukur.”

“Unë vij nga Estonia, sëbashku me motrën time. Kemi rreth 20 minuta që mbërritëm këtu, dhe nuk kemi parë asgjë ende. Por, Sheshi “Skëndërbej” është shumë i bukur.”

Përtej atraksioneve, ajo që mbetet më gjatë në kujtesën e vizitorëve është atmosfera mikërpitëse shqiptare dhe energjia që e karakterizon qytetin.

“Unë vij nga Zvicra. Tirana më duket shumë e bukur, më pëlqen shumë përzierja e ndërtesave të vjetra kulturore dhe arkitekturës së re shumë të bukur. Ushqimi është shumë i mirë dhe njerëzit janë vërtetë shumë të sjellshëm dhe mikpritës. Për Shqipërinë kam dëgjuar shumë, pasi në Zvicër aty ku unë jetoj  ka shumë shqiptarë, dhe të gjithë ma kanë sugjeruar që ta vizitoja një ditë.”/abcnews.al

Furgoni përplasi turmën në Paradën e Krenarisë në Berlin/ Merz: Sulm ndaj shoqërisë sonë

26 July 2026 at 11:41

Kancelari gjerman ka folur për sulmin, duke thënë se incidenti ishte një “akt i neveritshëm”.

Friedrich Merz shkroi në X: “Qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota po festonin në mënyrë paqësore në Ditën e Rrugës Christopher. Ata donin që ne të sillemi me njëri-tjetrin me mirësi dhe tolerancë. Ky është një sulm ndaj shoqërisë sonë”.

Merz tha se Gjermania ishte “mendjehapur dhe liridashëse” dhe do të “vazhdonte të mbështeste dhe mbronte këto vlera”.

Ai tha se do të kishte një hetim dhe ndjekje penale “me forcë të plotë”, duke shtuar se mendimet e tij ishin me ata që u prekën.

Dëgjuam gjithashtu nga ministri i brendshëm, Alexander Dobrindt, i cili tha se ishte i tronditur nga “ky sulm frikacak dhe i neveritshëm ndaj njerëzve që festonin në mënyrë paqësore”.

Tabloidi gjerman Bild raportoi se Dobrindt po kthehet gjithashtu në Berlin sot për të shqyrtuar situatën.

Pogradec/ Po riparonte një defekt, humb jetën elektriçisti 60-vjeçar (EMRI)

26 July 2026 at 11:22

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pogradec, ku një elektriçist ka humbur jetën.

Sipas informacioneve paraprake, ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike 60-vjeçari Agim Beqiri.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zërvaskë. Dyshohet se 60-vjeçari po riparonte një linjë elektrike, ku kishte një defekt, dhe fatkeqësisht ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të bërë zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Aksident në aksin Fier-Levan/ Përplasen tre automjete, vetëm dëme materiale

26 July 2026 at 10:54

Një aksident rrugor ndodhi në aksin e vjetër Fier–Levan, në vendin e njohur si Çezma e Levanit, ku tre automjete janë përplasur në një aksident zinxhir.

Përplasja ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, si edhe po punojnë për normalizimin e qarkullimit rrugor./abcnews.al

Europa në luftë me flakët, 300 mijë të evakuuar në Francë dhe Spanjë/ Viktima e parë shënohet në Valencia

26 July 2026 at 10:03

Zjarrfikësit po përpiqen të shuajnë zjarret në jugperëndim të Francës, ndërsa erërat e forta i shtyjnë flakët drejt qytetit të Bordeaux, me një zyrtar që thotë se “janë larg kontrollit të zjarrit”.

Më shumë se 300,000 mijë njerëz në Francë dhe Spanjë kanë ikur nga zjarret që kanë shpërthyer prej ditësh, pasi erërat dhe temperaturat e larta pengojnë përpjekjet për t’i kontrolluar ato, shkruan BBC.

Në Spanjë, ku është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, një ndryshim i kushteve të motit i ka ndihmuar zjarrfikësit jashtë Madridit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez pranoi se do të ketë “kohë të ndërlikuara përpara”. Ndërkohë, autoritetet në València konfirmuan vdekjen e një burri në një zjarr.

Burri, që besohet të jetë rreth të 70-ave, u gjet i vdekur në makinën e tij nga zjarrfikësit ndërsa po shuanin një zjarr në përroin Salt de l’Aigua në Manises, sipas raportimeve të mediave lokale.

Në Francë, 55,000 të tjerë u urdhëruan të evakuoheshin vonë të shtunën, duke e çuar totalin në rreth 250,000 njerëz në rajonet jugperëndimore të Gironde dhe Landes.

Franca ka mobilizuar ushtrinë e saj për të ndihmuar në reagim dhe përforcime shtesë nga ushtria janë dërguar për të ndihmuar zjarrfikësit duke pastruar shkurret dhe duke krijuar zona kundër zjarrit.

Presidenti Emmanuel Macron tha se Franca do të “rindërtohej” dhe qeveria e tij do të “qëndronte aty për aq kohë sa të ishte e nevojshme”./abcnews.al

Trump urdhëron ushtrinë amerikane të pezullojë sulmet ndaj Iranit

26 July 2026 at 08:44

New York Times dhe Axios raportojnë se presidenti amerikan ka vendosur të lërë mënjanë planet për të sulmuar Iranin, pas 13 ditësh sulmesh radhazi.

The Times, duke cituar zyrtarë të administratës Trump, tha se vendimi i presidentit erdhi mes shqetësimit se përshkallëzimi i luftës mund të “shteronte në mënyrë të rrezikshme rezervat tashmë të reduktuara të Pentagonit të interceptorëve antiraketë Patriot dhe municioneve të tjera të mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme”.

Ai tha se vendimi pasoi një takim midis Trump, këshilltarëve të tij kryesorë dhe anëtarëve të lartë të kabinetit të tij të premten, transmeton Telegrafi.

Axios, duke cituar dy burime anonime me njohuri për vendimin, tha se ishte e paqartë nëse urdhri i Trump për të ndaluar sulmet ishte një rast i vetëm apo nëse qetësia do të vazhdonte.

Ai tha se vendimi i Trump “pasqyron si gatishmërinë e tij për të ofruar më shumë hapësirë për diplomacinë ashtu edhe një njohje se – përveç një kthimi në operacionet e mëdha luftarake – niveli aktual i sulmeve amerikane ka arritur limitin e efektivitetit të tij”.

Ai citoi burimet të kenë thënë se ushtria amerikane po përgatiste plane për një rikthim të mundshëm në operacionet e mëdha luftarake.

Aksident në aksin Vlorë-Llogara/ Furgoni del nga rruga, një viktimë dhe 4 të plagosur (EMRAT)

26 July 2026 at 08:19

Një aksident ka ndodhur në aksin rrugor Vlorë–Llogara, pranë fshatit Fushë Dukat.

Një furgon që transportonte punëtorë, të cilët dyshohet se ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit, ka dalë nga rruga. Sipas dyshimeve paraprake, shkak mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit, ose ndonje arest kardiak.

Pas humbjes së kontrollit, furgoni përfundoi në një kanal anës rrugës.

Si pasojë e aksidentit, një person humbi jetën. Për shkak të deformimit të mjetit, zjarrfikësit ndërhynë për të prerë pjesë te sediljeve, pasi të plagosurit kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave të furgonit, i cili kishte përfunduar pjesërisht i përmbysur në kanal.

Të plagosurit u transportuan me ambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.

Të plagosurit janë: Saimir Haka 22 vjeç, Qazim Haka 44 vjeç, Sako Rexha rreth 22 vjeç ndërsa viktima Ilir Haka 52 vjeç.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë matjet dhe veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet e plota të aksidentit./abcnews.al

Presidenti i Kazakistanit ia thotë në sy Putinit: Ndalini luftimet në Ukrainë

26 July 2026 at 07:59

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, i ka kërkuar drejtpërdrejt homologut të tij rus, Vladimir Putin, ndalimin e luftimeve në Ukrainë dhe ka propozuar një “ngrirje” të konfliktit, teksa të dy liderët ndodheshin përballë njëri-tjetrit gjatë një takimi zyrtar.

Deklarata e Tokayev u bë gjatë hapjes së një samiti për bashkëpunimin mes Rusisë dhe Kazakistanit në qytetin siberian të Omskut dhe u transmetua drejtpërdrejt në televizionin rus. Fakti që ai i shprehu këto qëndrime në prani të Putinit është konsideruar i pazakontë, pasi Kazakistani është një aleat i Moskës, edhe pse nuk ka mbështetur publikisht pushtimin rus të Ukrainës.

“Cila është rruga për të dalë nga kjo situatë? Askush nuk e di, sepse ka qëndrime nga të dyja palët. Por, nga njëra anë, në këtë moment ekziston kjo mundësi për të ngrirë të gjitha këto. Është e trishtueshme, të rinjtë po vdesin… E gjithë kjo duhet të ndalet”, tha Tokayev, duke iu drejtuar Putinit.

Presidenti kazakistanez tha se shkaqet e luftës “nuk janë plotësisht të kuptueshme për shumë njerëz, përfshirë edhe ne”, duke e krahasuar situatën në Ukrainë me konfliktet e tjera në rajon.

Tokayev propozoi gjithashtu rikthimin te bisedimet e Stambollit të vitit 2022 dhe më pas avancimin drejt një marrëveshjeje paqeje.

Nga ana e tij, Vladimir Putin nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj propozimit, por tha se do ta informonte homologun kazak për zhvillimet e luftës gjatë takimit të tyre.

❌