Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 8 February 2026Abc News

Një vendim pa vendim i Kushtetueses/ Artur Nura: Ka dhënë një vendim gjysmak, nuk e kreu detyrën që ia ngarkon Kushtetuta

7 February 2026 at 23:39

TIRANË– Gjykata Kushtetuese rrezoi të premten padinë e kryeministrit Edi Rama, i cili u ankua për tejkalim kompetencash nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

GJKKO vendosi në muajin nëntor 2025 pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pas 3 javësh shqyrtim, gjyqtarët votuan katër pro dhe 4 kundër, duke mos arritur të marrin një vendim shumice, e duke rikthyer masa e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren.

Analisti Artur Nura, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News tha se kryeministri Edi Rama duhet ta vijojë “betejën” e tij politike me institucionet e drejtësisë dhe pse jo vendimin e së premtes dhënë nga Gjykata Kushtetues ta çojë edhe në Strasburg.

Sipas tij, në një sistem demokratik çdo institucion duhet të ketë kufijtë e vetë dhe duhet të ushtrojë aktivitetin e vet ligjor brenda kompetencave, pa cenuar pavarësinë e pushteteve të tjera.

Gjatë bisedimit për “Ora e Fundit”, Nura theksoi se Gjykata Kushtetuese  dha një vendim gjysmak ndaj padisë së Ramës dhe nuk e kreu siç duhet detyrën, që ia ka ngarkuar vetë Kushtetuta e Republikës.

“Besoj se Rama duhet t’i qëndrojë qasjes së tij politike. Mund ta referojë çështjen edhe në Strasburg, që të ndahet njëherë e mirë ‘shapi nga sheqeri’. Ka kufij për çdo pushtet. Kjo është demokracia.

Iku koha kur një person vendoste për të gjitha shkallët e drejtësisë. Sot duhen ndarë kompetencat e pushteteve në mënyrë demokratike dhe asnjëri nuk duhet të ndërhyjë në kompetencat e institucioneve.

Nëse ti nuk respekton vullnetin e sovranit, Rama duhet ta vazhdojë betejën politike në raport me institucionet e drejtësisë. Parimisht, presioni që bën Berisha në mënyrë permanente ndaj drejtësisë dhe ndaj emrave të këtyre institucioneve nuk përbën lajm, por është i zakonshëm.

Gjykata Kushtetuese, sipas mendimit tim, si gazetar dhe jo si jurist, them që ka dhënë një vendim gjysmak, që nuk e çoi vendimin deri në fund për detyrën që i ka dhënë Kushtetuta”, tha ndër të tjera gazetari Nura./abcnews.al

Tension dhe dhunë në Milano/ Përplasje mes protestuesve anti-olimpiadë dhe Policisë

7 February 2026 at 23:16

Auoritetet italiane dyshojnë për akte sabotimi ndaj rrjetit hekurudhor në veri të Italisë, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të lëvizjes në këtë rajon, ndërsa mijëra njerëz gjenden aty me nisjen e Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina.

Policia raportoi tre incidente të ndara që përfshinin dëmtime të linjave hekurudhore, për të cilat hetuesit besojnë se janë të lidhura me Lojërat. Sipas raineës, hetuesit nuk kanë përjashtuar as pistën e terrorizmit.

Një zjarr dëmtoi infrastrukturën hekurudhore mes Bolonjës dhe Venecias, duke shkaktuar vonesa deri në dy orë e gjysmë. Më vonë policia gjeti kabllo të prera dhe një pajisje shpërthyese në zona të afërta.

Ministria e Transportit në Itali i quajti incidentet një akt “sabotimi serioz”, duke thënë se ato pasqyronin vandalizmin gjatë Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 2024.

Policia njoftoi se një mekanizmi ndërrimi të shinave iu vu në zjarr pranë Pesaros, në bregdetin Adriatik.

Karabinierët zbuluan kabllo elektrike të prera pranë Bolonjës, së bashku me një pajisje shpërthyese të improvizuar të lënë pranë një shine.

Stacioni hekurudhor i Bolonjës është një nyje kryesore transporti, që lidh qytetet në veri dhe jug, si dhe linjat nga lindja në perëndim.

Ndahet nga jeta vokalisti i “3 Doors Down”/ Brad Arnold, 47 vjeç, vuante nga një sëmundje e rëndë

7 February 2026 at 23:07

Ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare Brad Arnold, këngëtari dhe themeluesi i grupit 3 Doors Down. Ishte grupi muzikor që ndau lajmin, ndërsa shpjegoi se artisti ndërroi jetë pas një beteje të guximshme me kancerin.

“Së bashku me bashkëshorten e tij të dashur Jennifer dhe familjen pranë tij, ai u nda nga jeta në paqe, i rrethuar nga njerëzit që e donin,” thuhej në deklaratën e grupit. “Muzika e tij jehon shumë përtej skenës, duke krijuar momente të lidhjes mes njerëzve, gëzimit, besimit dhe përvoja të përbashkëta që do të jetojnë gjatë, edhe pasi dritat e skenës janë fikur.”

Arnold kishte njoftuar në maj të vitit 2025, përmes një videoje, se ishte diagnostikuar me kancer të veshkave në fazën e katërt.

Për shkak të sëmundjes, grupi “3 Doors Down” u detyrua të anulonte turneun e tij veror. Pavarësisht diagnozës së rëndë, këngëtari ishte shprehur se nuk kishte frikë.

I lindur në Mississippi të Shteteve të Bashkuara, Brad Arnold themeloi grupin “3 Doors Down” në vitin 1996 së bashku me kitaristin Matt Roberts dhe basistin Todd Harrell. Roberts ndërroi jetë në vitin 2016 nga një mbidozë e dyshuar droge, ndërsa Harrell u largua nga grupi pas disa akuzave për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe një akuze për vrasje nga pakujdesia në trafik.

Vetë Arnold kishte folur hapur për betejën e tij me alkoolin, duke treguar se nuk kishte pirë përgjatë dekadës së fundit. Në një intervistë të janarit të vitit 2025, artisti kishte deklaruar se vitet pa alkool kishin qenë “vitet më të mira” të jetës së tij.

Hiti më i madh i grupit ishte kënga “Kryptonite”, e publikuar në vitin 2000, e cila u nominua për çmimin Grammy. Ajo ishte shkruar nga Arnold kur ishte vetëm 15 vjeç, gjatë orës së matematikës, sipas deklaratës së grupit. Një tjetër hit i grupit është edhe “Here Without You”.

​Senatorja amerikane kërkon rivendosjen e sanksioneve ndaj Dodik

7 February 2026 at 22:52

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen (D-NH), anëtare e lartë e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ka reaguar në lidhje me vendimin e administratës Trump për të hequr sanksionet ndaj udhëheqësit të Republika Srpska Milorad Dodik.

Me anë të një deklarate, ajo ka bërë thirrje për rivendosjen e sanksioneve ndaj Dodik.

“Administrata Trump duhet të turpërohet nga vendimi i saj për të hequr udhëheqësin e Republika Srpska Milorad Dodik nga sanksionet e SHBA-së tetorin e kaluar”, tha Shaheen.

“Dodik ka përdorur retorikë separatiste dhe ka minuar integritetin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, gjë që bie ndesh me justifikimin e Administratës për të hequr Dodik dhe miqtë e tij nga lista në fund të vitit të kaluar”, shtoi ajo.

“Vizita e Dodik në Uashington e ka bërë shumë të qartë se ai nuk është i interesuar të vendosë interesat e të gjithë boshnjakëve përpara interesave të tij politike”, vazhdon deklarata e senatores.

“Administrata Trump duhet të veprojë shpejt për të rivendosur sanksionet ndaj Dodik sipas sanksioneve të detyrueshme që unë sigurova në Aktin më të fundit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare.”

Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj Dodikut në vitin 2017, për shkak të veprimeve që u konsideruan si kërcënim për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe si shkelje e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.

Kujtojmë se më 29 tetor 2025, Ministria e Financave dhe Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (OFAC) mori vendim për të hequr sanksionet për Milorad Dodik dhe shumë persona të tjerë nga entiteti Republika Srpska.

Pentagoni i jep fund lidhjeve akademike me Universitetin e Harvardit

7 February 2026 at 22:13

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes po i shkëput lidhjet e tij akademike me Universitetin e Harvardit, me Sekretarin Pete Hegseth që akuzon universitetin më të vjetër amerikan se është një qendër e “aktivizmit të urrejtjes ndaj Amerikës”.

Hegseth njoftoi se Pentagoni do t’i jepte fund trajnimit ushtarak të nivelit pasuniversitar, bursave dhe programeve të certifikimit me institucionin e Ivy League.

“Harvardi është bërë një fabrikë për ideologji të zgjuar dhe një terren pjellor për radikalët antiamerikanë që nuk përputhet me fokusin e departamentit”, tha ai.

Për muaj të tërë, administrata Trump ka kërcënuar të shkurtojë fondet dhe të marrë masa të tjera kundër Harvardit, duke pretenduar se është “i zgjuar” dhe antisemit.

Javën e kaluar, presidenti Donald Trump njoftoi se do të kërkojë 1 miliard dollarë dëmshpërblim nga Harvardi, pasi akuzoi universitetin se “ka dhënë shumë budallallëqe”.

Ndryshe, Pentagoni do t’i japë fund marrëdhënies së tij akademike me shkollën në vjeshtë, duke i dhënë çdo personeli ushtarak që aktualisht ndjek mësimet kohë për të përfunduar studimet e tij.

Përveç kritikave për mësimdhënien në universitet, Hegseth tha se Pentagoni po e ndërpret gjithashtu Harvardin sepse disa nga programet e tij kërkimore kanë bashkëpunuar me Partinë Komuniste Kineze.

Sipas New York Times, midis viteve 2010 dhe 2025, Harvardi mori 560 milionë dollarë në dhurata dhe kontrata nga fondacione kineze, donatorë privatë dhe entitete qeveritare.

Hegseth akuzoi gjithashtu universitetin për inkurajimin e një “mjedisi në kampus që festonte Hamasin” dhe “lejonte sulme ndaj hebrenjve”.

Administrata Trump e ka kritikuar vazhdimisht Harvardin për mënyrën se si i ka trajtuar protestat pro-palestineze, të cilat ndodhën në shumë kampuse universitare në muajt pas sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.

Gurët e shtëpisë time/ Italiani nga Mirdita: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut

7 February 2026 at 21:48

Jemi në Orosh, në zemër të Mirditës. Kjo është kisha e Shën Lledrit apo e Shën Aleksandrit. Gjin Prenga na tregon se kisha u ndërtua nga Abat Doçi, por u dogj në 1967. Mirdita ka qenë bastion i katolicizmit në Shqipëri, ndërkohë që Republika e Mirditës pati një marrëveshje vasaliteti ndaj sulltanit osman. Padre Michele Leovino ka ardhur nga Bari në Mirditë dhe shërben në kishën e Oroshit.

Shqipja, gjuhë e veçantë, na thotë ai, duke shtuar: “Gjuha shqipe më tingëllon shumë mirë”. Padre Michele Leovino thotë se duhet promovuar Abacia, sepse është “mishërimi i fesë në jetën e popullit”. “Zemra jonë është këtu në Orosh, ky vend të vlerësohet, duhet gjithmonë bashkim dhe bashkëpunim”, na thotë ai. Ndërkohë, Gjin Prenga ka provuar emigracionin në Greqi, ku u detyrua të ndërronte edhe emrin, por u rikthye.

“Dua të vdes këtu në Orosh”, na thotë Gjini. Padre Michele Leovino ka mësuar ndërkohë atë që është krenari për shqiptarët. “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Fshati u dogj dy herë, në kohën e osmanëve dhe të Zogut. Mirditorët morën pjesë dhe vendosën fatin e luftës së Krimesë, duke u bërë pjesë e aleancës franko-turke. Diktatura ishte shumë e ashpër me Oroshin. Babai i Gjinit u shkollua në Itali; kur u kthye, i kërkuan të bëhej agjent i Sigurimit, por nuk pranoi dhe u persekutua. Oroshi është pjesë e 100 fshatrave turistike. Këtu, kisha dhe kapidani kanë qenë autoritetet e padiskutueshme.

Në Orosh është edhe Nanë Mara, e cila na tregon kohët e vështira të komunizmit. “Tash jemi mirë, veç nuk kemi takat me hanger”, na thotë. Na tregon edhe për djalin që shkoi në emigracion në Itali. “I thashë djalit, mos shko, mos shko”, na thotë, duke treguar sa e lumtur ishte kur ai u kthye.

I biri, Marjan Gega, na tregon ushqimet e mrekullueshme të bujtinës, përpunimin e mishit të derrit dhe produktet tradicionale. Këtu sheh një piano të vjetër, çifteli, sharki dhe kitarë. Marjani është rikthyer pas 24 vjetësh. “Paketa e maleve” është ëndrra e tij.

“Falënderoj personalisht zotin Kryeministër, është njeri me vizion”, na thotë, duke shtuar: “mbaroi punë me detin, tani është kthyer te malet”. E bukura Lugina e Fanit të shoqëron kudo në Mirditë, një nga mrekullitë e veriut që pret të rizbulohet.

Yesterday — 7 February 2026Abc News

Mjeshtëri në dru/ Ali Shalla, marangozi mbi tre dekada mes punishtes dhe zanatit

7 February 2026 at 20:38

Në fshatin Mirakë të Librazhdit, ndihet aroma e drurit të freskët dhe trokitja ritmike e daltës.

Aty, prej më shumë se tre dekadash, qëndron zdrukthtaria e mjeshtrit Ali Shalla, një emër i njohur për të gjithë zonën, një zanatçi i përkushtuar që e ka ndërtuar jetën mbi mjeshtërinë e drurit.

I lindur në vitin 1948, në një familje punëtore në Mirakë, Ali Shalla e nisi udhën e jetës ashtu si shumë të tjerë të brezit të tij: me punë të palodhur dhe me dëshirën për të mësuar një zanat që do ta çonte përpara.

Rruga e tij profesionale filloi në ndërmarrjen e sharrave në Librazhd. Aty ai jo vetëm u njoh me teknikat e drurit, por edhe fitoi mjeshtërinë e pare. Pas disa vitesh në ndërmarrje, Ali Shalla u transferua në repartin ushtarak të Divizionit Librazhd, ku punoi përsëri si marangoz.

Ishte koha kur zanati kërkonte jo vetëm aftësi, por edhe disiplinë dhe përkushtim, cilësi që e shoqëruan Aliun gjatë gjithë karrierës së tij.

Viti 1990 solli ndryshime të mëdha në jetën e shumë njerëzve, dhe Aliu vendosi ta shfrytëzojë këtë periudhë për të nisur diçka të vetën. Ai ngriti zdrukthtarinë private në fshatin Mirakë.

Brenda pak vitesh, dyert e vogla të punishtes u bënë të njohura në të gjithë zonën, dhe Aliu u kthye në adresë të parë për këdo që kërkonte punime druri të cilësisë së lartë.

Në këtë udhëtim nuk ishte vetëm. Djali i tij, Bujari, u bë bashkëpunëtori i pandashëm, duke e kthyer zdrukthtarinë në një traditë familjare. Së bashku, ata përpunuan porosi nga fshatrat e Librazhdit e deri në zona të tjera të Shqipërisë.

Nga mobiliet e punuara me dorë, tek dyert, dritaret, çardakët dhe çdo strukturë që kërkonte mjeshtëri druri,  gjithçka mbante vulën e punës së tyre të pastër dhe të besueshme.

Ai mbetet një nga mjeshtrit e vjetër të Librazhdit, simbol i punës së ndershme të profesionit të marangozit.

Portreti i artistit shumëdimensional/ Karriera e gjatë e Ruzhdi Kerajt në pikturë, muzikë dhe letërsi

7 February 2026 at 20:33

Ruzhdi Keraj është një nga ata artistë që nuk e vendos dot brenda një kornize të vetme. Piktor, kompozitor, këngëtar dhe shkrimtar, ai ka ndërtuar një rrugëtim të gjatë në art, duke lënë gjurmë në shumë fusha të krijimtarisë.

“Unë nuk shkruaj si shkrimtar, nuk shkruaj si poet, nuk kompozoj si kompozitor, nuk pikturoj si piktor…”

Kjo mënyrë e të shprehurit e përkufizon më së miri Ruzhdi Kerajn: një artist shumëdimensional, për të cilin arti nuk është profesion, por domosdoshmëri.

“Vendos veten, emocionet e mia. Nuk është të fitoj simpati. Unë shprehem, shpalos veten dhe emocionet e mia”

Ruzhdiun e gjen çdo ditë në kafen e tij të preferuar, në krah të bashkëshortes së tij, Mjaftore Keraj, një mësuese e njohur në Kurbin. Të dy flasin me pasion për artin, për jetën dhe për rrugëtimin e përbashkët që nis që nga rinia.

“Ky është libri i 13-të. Jam autor i 13 librave. Nuk jam ndonjë autor i famshëm, por shkruaj për pasionin tim”

Jeta e tij artistike lidhet ngushtë me qytete dhe institucione që kanë shënuar formimin e tij.

“Në Rubik kam ndenjur 30 vjet. Në Laç erdha kur isha student. Kam marrë pjesë në shumë ansamble, kam qëndruar në krah të shumë personaliteteve. Në Laç gjeta një ambient që e njihja dhe filluam të bënim shumë aktivitete”

Teatri, ansamblet, Pallati i Kulturës, vende ku arti merrte jetë përmes bashkëpunimit dhe përkushtimit.

“Takimet për teatrin, për ansamblin… tek Pallati i Kulturës kemi bërë shumë evente. Bashkëpunimet kanë qenë shumë të mira. Drejtori i fundit i Pallatit të Kulturës kam qenë unë, derisa ika në Radio Tirana”

Një tjetër kapitull i rëndësishëm i jetës së tij profesionale ishte Radio Tirana, aty ku u përball me arkivën e pasur të muzikës shqiptare.

“Në Radio Tirana kam punuar si përgjegjës arkive. Kam sistemuar të gjitha punimet e kompozitorëve. Ka qenë një punë e bukur”

Piktura, ashtu si muzika dhe letërsia, mbetet një tjetër gjuhë e tij e shprehjes.

“Jam marrë edhe me pikturë. Ishte një mjedis i bukur, kam qëndruar krah shumë piktorëve. Unë jam piktor, por nuk quhem dot piktor. Çdo profesion kërkon shkollim, për mua është nevojë. Unë s’rri dot pa pikturuar, pa shkruar, pa u ulur te pianoja”

Dashuria për muzikën nis herët, që në fëmijëri, dhe e shoqëron gjatë gjithë jetës.

“Kam filluar të shkruaj muzikë që në fillore. Bëra Institutin e Arteve, mora pjesë në festivale, në një periudhë kur festivali nuk transmetohej në televizion. Kam marrë pjesë në koncerte të mëdha dhe kam fituar çmimin e parë me një këngë që u bë hit asokohe”

Në këtë rrugëtim, një mbështetje e fortë ka qenë gjithmonë bashkëshortja e tij.

“Po ta shikosh titullin e librit ‘Të kam në lot’, është titull intrigues. Loti është hidhërim, është gëzim, optimizëm, entuziazëm, është gjithçka. Lidhet me brendësinë e gjendjes shpirtërore të njeriut.

Për Mjaftoren, Ruzhdi Keraj mbetet i njëjtë në çdo formë arti që prek.

“Ruzhdiu është vetvetja si në këngë, në poezi, ashtu edhe në pikturë. Ai imiton botën e tij dhe shprehet. Libri nis me prezantimin e tij, pastaj me poezi që të kthejnë te vendlindja. Çdo poezi është një nën-temë më vete”, tha Mjaftore Keraj, mësuese.

Një artist që nuk i shmanget ndryshimeve, por i sheh ato me syrin kritik të krijuesit.

“Është e vështirë të ballafaqohesh me disa ndryshime. Jo se Ruzhdiu s’e pranon të renë, por shprehet kritik ndaj asaj që nuk përshtatet”, tha ajo.

I nderuar me titullin “Nderi i Kurbinit” dhe me shumë vlerësime të tjera, Ruzhdi Keraj vazhdon të krijojë, sepse për të arti nuk është zgjedhje, por mënyrë jetese.

Aksident në Vlorë/ Motori elektrik përplaset me një automjet, lëndohet i riu

7 February 2026 at 20:27

VLORË- Një aksident është regjistruar pak momente më parë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku një motor elektrik është përplasur me një automjet.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motorit elektrik ka mbetur i plagosur dhe është transportuar menjëherë me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit./abcnews.al

Kulla, shtëpia e malësorit/ Në Arrën të Kukësit, arkitektura e tyre ruhet ende si vlerë etnokulturore

7 February 2026 at 20:20

Për malësorët, kulla ishte më shumë se një shtëpi. Ishte strehë e shpirtit, derë e hapur për mikun, betim i besës dhe simbol i qëndresës ndër breza. Në çdo gur të vendosur lexohet historia e një populli, ndërsa arkitektura e kullës mbetet një pasuri e rrallë e etnokulturës sonë.

Arrëni, fshati më i largët i Kukësit, mbetet edhe më i veçanti, aty ku kullat ngrihen si rojtarë të kujtesës.

Edhe pse koha ka lënë gjurmët e saj dhe disa prej tyre janë braktisur, kullat ende flasin. Qëndrojnë të heshtura, por madhështore, duke ruajtur hijeshinë e dikurshme dhe krenarinë e ndërtimit.

Muret e trasha prej guri, qoshet e skalitura me mjeshtëri, janë shenja dalluese që i japin kullës karakter dhe identitet. Misin Doci është një prej banorëve të Arrënit, që rrëfen historinë e dy kullave të familjes së tij, të ngritura në një kohë kur Shqipëria ishte mbretëri.

Janë ndërtuar vetëm me gurë, rërë dhe gëlqere. Me vështirësitë e mëdha të transportit, Misini tregon se gurët janë marrë nga vetë kjo zonë.

Kulla të tilla ndërtoheshin nga vetë të zotët e shtëpisë. Kullat nuk shërbenin vetëm për familjen.

Misini tregon se miqtë nuk mungonin kurrë. Çdo natë kishte derë të hapur, dhe nga këto kulla familja e tyre u rrit deri në 400 anëtarë. Sot, Misini po i rikthen jetë kullës. Djali i tij ka ardhur nga Franca, për të investuar në rijetëzimin e saj.

Edhe pse Arrëni është braktisur, për këtë banor fshati mbetet i jetueshëm. Për këtë arsye, edhe djemtë kanë zgjedhur të kthehen, për të kaluar një pjesë të vitit këtu.

Kullat u ndërtuan të larta për t’u përballur me ashpërsinë e motit, me dimra të gjatë dhe dëborë që dikur mbulonte gjithçka, deri mbi dy metra.

Sot Misini është në pension dhe prej dhjetë vitesh qëndron në Arrën gjatë verës. Merret me çdo punë, ndërsa në duar mban gurët e oxhakut.

Ai thotë se punimi i gurit kërkon durim dhe kujdes, për ta rikthyer kullën ashtu siç ka qenë dikur. Ky fshat dikur numëronte rreth 700 familje, ndërsa sot vetëm rreth 60 prej tyre vazhdojnë të jetojnë këtu.

Qyteti “i fshehur” i Malçanit/ Në brendësi të tokës së Jonit, një pasuri arkeologjike pak e njohur

7 February 2026 at 20:11

Në brendësi të tokës së bregdetit të Jonit, larg syrit të zakonshëm të vizitorëve dhe pak i përmendur në literaturën bashkëkohore, ndodhet një qytet antik me vlera të jashtëzakonshme historike dhe arkeologjike. Bëhet fjalë për qytetin antik të vendosur në zonën e Malçanit, në bashkinë Finiq, i njohur deri më sot thjesht si “qyteti antik i Malçanit”.

Sipas arkeologut Halil Shabani, prej vitesh ekzistojnë mendime dhe hipoteza nga arkeologë dhe historianë që ky vendbanim i lashtë mund të identifikohet me qytetin antik Helikranon, i përmendur në burimet e lashtësisë.

Në literaturën antike, Helikranoni përmendet si një qytet i vendosur në tokat e brendshme, por me lidhje të drejtpërdrejta me ngjarje madhore të kohës. Një nga këto është ardhja në ndihmë e ushtrisë së Etolëve, në periudhën kur qyteti u sulmua nga mbretëresha e Taulantëve, Teuta, me komandant ushtrie Skerdilajdin. Pikërisht këto të dhëna e bëjnë Malçanin një pikë kyçe për studimin e historisë së Epirit.

Nga banorët e zonës, ky vend njihet më tepër si një kala, por sipas specialistëve, e vërteta është se kemi të bëjmë me një qytet antik të mirëfilltë, i ndërtuar pa akropol, i ngjashëm në tipologji me qytetin antik të Çukës së Ajtoit në Konispol.

Nga zbulimet arkeologjike është përcaktuar se qyteti ka lulëzuar kryesisht në shekullin e tretë para Krishtit.

Struktura urbane e qytetit tregon një organizim të avancuar për kohën, me banesa të ndërtuara në dy sisteme taracimi, çka dëshmon për shfrytëzim të zgjuar të terrenit malor.

Për banorët e Malçanit, ky vend mbetet i njohur si “kalaja në malin e Shën Ilisë”, “kalaja e mbretit” apo edhe “kalaja e mbretit Pirro të Epirit”, duke e lidhur në mënyrë simbolike me figurën e njohur historike. Sipas gojëdhënave, banorët e qytetit furnizoheshin me ujë nga një burim që ndodhej 3–4 kilometra larg, nëpërmjet një tubacioni prej qeramike një tjetër dëshmi e nivelit të lartë teknik për kohën.

Qyteti mbrohej nga një mur i fuqishëm rrethues, i ndërtuar për t’u përballur me sulme të mundshme nga armiqtë dhe pushtuesit. Në kujtesën popullore ka mbërritur edhe historia e rënies së qytetit: thuhet se ushtria pushtuese, pasi e kishte rrethuar për një kohë të gjatë, përdori një kalë të etur për ujë për të zbuluar vendin ku kalonte tubacioni i furnizimit. Me ndërprerjen e ujit, qyteti u detyrua të dorëzohej. Koha e saktë e kësaj ngjarjeje mbetet ende e panjohur.

Qyteti antik i Malçanit mbetet sot një pasuri e madhe historike dhe kulturore, ende e pazbuluar plotësisht, që pret vëmendje më të madhe shkencore dhe institucionale, për t’i dhënë vendin që meriton në hartën e trashëgimisë së lashtë të jugut të Shqipërisë./abcnews.al

Greqi, arrestohen 313 persona në një bastisje në Universitetin e Selanikut

7 February 2026 at 19:46

Autoritetet në Greqi arrestuan sot 313 persona në një bastisje në kampusin universitar të qytetit të dytë më të madh të vendit, Selanikut, pasi Policia e Trazirave u sulmua nga turma njerëzish që hodhën më shumë se 100 koktejë molotovë.

Policia greke tha se grupe njerëzish të veshur me kapuçë dolën sot nga kampusi i “Universitetit Aristoteli” të Selanikut në orët para të mëngjesit për të sulmuar një skuadër policie të trazirave.

Njësia zakonisht vendoset në një distancë të caktuar nga kampusi për të garantuar sigurinë – pas festave të natës që zhvillohen në ambientet e universitetit.

Sulme të tilla kundër Policisë së Trazirave pranë kampusit universitar nuk janë të rralla, por kjo është hera e parë që kaq shumë njerëz arrestohen pas një përplasjeje të tillë – gjatë së cilës u përdor një numër jashtëzakonisht i lartë bombash zjarri.

Policia e Trazirave përdori gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese për të zmbrapsur sulmuesit.

“Një oficer u dërgua në një spital ushtarak për shkak të djegieve në fytyrë dhe këmbë, ndërsa një civil 21-vjeçar u trajtua për probleme me frymëmarrjen”, tha policia.

Universiteti tha në një deklaratë se sulmet ishin kryer nga “ekstremistë” jashtë kampusit, në bashkëpunim me disa individë brenda territorit të universitetit.

Ata thanë se një hetim ishte duke u zhvilluar – për të përcaktuar nëse ndonjë student ka marrë pjesë.

Gjithashtu, sipas deklaratës nuk ishte dhënë leje për të organizuar ndonjë festë në territorin e universitetit./abcnews.al

Xhudistja Distria Krasniqi triumfon në Paris, fiton medaljen e artë në “Grand Slam”

7 February 2026 at 19:17

Distria Krasniqi vazhdon të shkëlqejë në arenën ndërkombëtare të xhudos, duke i sjellë Kosovës një tjetër sukses të madh. Xhudistja kosovare fitoi medaljen e artë në Grand Slam e Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë, pasi mposhti në finale spanjollen Ariane Toro Soler me Ippon për më pak se 10 sekonda.

Krasniqi e nisi garën nga raundi i dytë, ku dominoi ndaj francezes Alicia Marques, për të vazhduar me fitore të vështirë ndaj brazilianes Larissa Pimenta në çerekfinale.

Në gjysmëfinale triumfoi ndaj Amandine Buchard, ndërsa në finale vulosi suksesin e saj të nëntë në Grand Slam e Parisit, duke konfirmuar edhe një herë statusin e saj si një nga xhudistet më të mira në botë.

Mbrojtja e të miturve/ Spanja prezanton masat për të frenuar abuzimet në rrjetet sociale

7 February 2026 at 18:35

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka njoftuar masa të reja për rregullimin e platformave të rrjeteve sociale dhe forcimin e mbrojtjes së të miturve, duke theksuar se hapësirat digjitale kanë lehtësuar veprimtari kriminale, dezinformim dhe përmbajtje të dëmshme.

Në një video mesazh të shpërndarë mbrëmë vonë në platformën amerikane të rrjeteve sociale X, Sanchez tha se zhvillimet e fundit shënojnë një moment të paprecedentë për demokracinë e Spanjës.

“Këtë javë ka ndodhur diçka e paprecedentë në historinë e demokracive tona. Një oligark teknologjik ka depërtuar në telefonat e miliona qytetarëve spanjoll për t’u thënë se çfarë të mendojnë. Ky është një shembull serioz i abuzimeve të ndërhyrjes që ne po përpiqemi të luftojmë”, tha Sanchez.

Ai i përshkroi rrjetet sociale si “një lloj Perëndimi i Egër në një shtet të dështuar”, duke shtuar se aplikacione si ky ofrojnë strehë për mijëra kanale të përkushtuara ndaj aktiviteteve kriminale që përfshijnë pornografi dhe dhunë.

Sanchez gjithashtu theksoi keqpërdorimin e inteligjencës artificiale.

“Kemi parë se si inteligjenca artificiale po përdoret nga këto aplikacione për të krijuar imazhe të rreme nudo, madje edhe të të miturve, si na përgjojnë, si na vjedhin të dhënat dhe si platformat përfitojnë duke amplifikuar urrejtjen dhe dezinformimin”, tha ai.

Sipas kryeministrit spanjoll, qeveria ka nisur pesë masa “për të mbrojtur të miturit dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në mjediset digjitale”.

Këto përfshijnë bashkëpunimin me Prokurorinë Publike për hetimin e krimeve në rrjetet sociale, ndjekjen penale të manipulimit të algoritmeve që përdorin të dhëna personale pa pëlqim dhe ngritjen e akuzave penale ndaj kompanive që refuzojnë të heqin përmbajtje të paligjshme.

Hapa të tjerë përfshijnë krijimin e “bazës së parë të të dhënave për urrejtjen dhe polarizimin” dhe kufizimin e qasjes në platformat për personat nën moshën 16-vjeç.

“Ne e dimë se kjo elitë teknologjike ka më shumë para dhe madje më shumë pushtet se shumë shtete, por vendosmëria jonë është më e fortë se xhepat e tyre. Prandaj do të ecim përpara pavarësisht kërcënimeve të tyre”, tha Sanchez.

SHBA akuzon Kinën për testime sekrete të bombës bërthamore

7 February 2026 at 17:56

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka akuzuar Kinën se ka kryer në fshehtësi të paktën një test bërthamor që prodhoi shpërthim gjatë viteve të fundit, edhe pse Kina zyrtarisht ka moratorium për testet e tilla.

Këto akuza u bënë gjatë një fjalimi të Thomas DiNanno, nënsekretar i Shtetit për kontrollin e armëve, në një konferencë për çarmatimin në Gjenevë.

Ai tha se Kina ka përdorur teknika për të fshehur shenjat e shpërthimeve bërthamore, duke maskuar aktivitetet për të shmangur zbulimin e tyre nga monitorimi ndërkombëtar, shkruan washingtonpost.

Sipas tij, një test i tillë u krye më 22 qershor 2020. Kina është nënshkruese e Traktatit të Ndërprerjes së testeve bërthamore, por nuk e ka ratifikuar atë, ashtu si SHBA-ja.

Autoritetet kineze i hodhën poshtë këto akuza, duke thënë se SHBA po paraqet një narrativë të shtrembëruar dhe se akuzat janë të pavërteta.

Raportohet gjithashtu se Kina është duke zgjeruar arsenalin e saj bërthamor, duke ndërtuar fusha të reja me silo për raketa dhe teknologji të avancuara ushtarake.

Francë, nis hetimi kundër ish-ministrit të kulturës për dosjen “Epstein”

7 February 2026 at 17:24

Zyra e Prokurorit Financiar Kombëtar Francez tha të shtunën se kishte hapur një hetim ndaj ish-ministrit të Kulturës Jack Lang dhe vajzës së tij, Caroline Lang nën dyshimin për ‘mashtrim të rënduar tatimor dhe pastrim parash’, një veprim i lidhur me të ndjerin e dënuar për abuzim seksual Jeffrey Epstein.

Po rritet presioni mbi Lang për të dhënë dorëheqjen si president i Institutit të Botës Arabe në Paris, pasi dosjet e publikuara javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tregojnë se Epstein dhe Lang korrespondonin me ndërprerje midis vitit 2012 dhe vdekjes së financierit nga vetëvrasja në burg në vitin 2019.

Mediat franceze, përfshirë Le Monde, Le Figaro dhe Mediapart, thanë se hetimi paraprak ishte hapur pasi dokumentet amerikane zbuluan vite të tëra korrespondence dhe lidhjesh financiare midis Lang dhe Epstein.

Zyra konfirmoi hetimin, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Jack Lang është thirrur të paraqitet të dielën në Ministrinë e Jashtme, e cila mbikëqyr Institutin e Botës Arabe, një institucion kulturor dhe kërkimor që promovon të kuptuarit e botës arabe.

❌
❌