Kur firmosi kontratën ishte thjesht një ish-lojtar i shquar, dhe një brazilian.
Silvinjo, apo sipas emrit të plotë Silvio Mendesh Kampos Zhunior, u prezantua si trajneri i ri i kombëtares në janar 2023 nga presidenti I Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili i dha një diçiturë të veçantë.
Ky ka luajtur me Zotin, tha atëherë Duka, pra me Mesin.
Braziliani, që nuk ishte aq I ri kur erdhi në Tiranë rreth 48 vjeç, shpejt tregoi se vlente shumë më tepër sesa thjesht meqë kishte luajtur me Perëndinë.
Edhe pse ndër trajnerët më të kritikuar kuqezinj, shpesh i emocionuar, skematik, me të njëjtat fjalë në konferenca dhe me njollën e teknikut që e përgatit shumë mirë, por nuk di ta lexojë ndeshjen, ai sot është ndoshta më I suksesshi që është ulur në stolin e Shqipërisë.
Ashtu si De Biazi, arriti finalet e Kampionatit Europian në 2024, ndërsa një hap më tej se italiani i shquar, u kualifikua për në plej ofin e Kupës së Botës.
Pas këtij triumfi të madh, sigluar në nëntor, iu garantua rinovimi i kontratës, edhe pse vetëm për 6 muaj.
Çfarë ndodhi?
Vështirë të ta thotë kush sepse dyert dhe gojët në Federatë janë mbyllur si kasaforta.
Ndoshta, vetë trajneri ka dashur të jetë i lirë në verë për ndonjë aventurë më të mirë, ose ndoshta Federata dhe presidenti I saj, Duka, kanë dashur të presin për të parë nëse përfaqësuesja do të arrijë të shkojë në Botëror verën e ardhshme.
Gjithsesi, Silvinjo ka hyrë në histori.
U bë trajneri i parë që arriti pesë fitore radhazi me Shqipërinë, që nga ajo në Gjibraltar 1-0, për të vazhduar me Letoninë, Serbinë, Jordaninë dhe Andorrën, kur edhe u kualifikuam për në plej of.
Po ashtu, është i pari teknik me 8 ndeshje radhazi pa humbje, gjë që e ka bërë dy herë, nga qershori deri në nëntor 2023, dhe tani, nga marsi deri në nëntor 2025.
I njohur si njeri i profesionit shumë konservator, që bën minimumin e ndryshimeve në formacion, apo edhe në zgjedhjet e tij në grumbullim, deri tani gjithçka I ka shkuar mbarë.
Mund të themi se në rreth 3 vjet në stol, ne kemi parë dy Silvinjo, atë të eliminatoreve të Kampionarit Europian, dhe pastaj të fazës finale në Gjermani në 2024, kur kuqezinjtë ishin më sulmues me 23 gola në 16 ndeshje, dhe më mbrojtës në eliminatoret e Botërorit, kur në gjashtë ndeshje duke përjashtuar Anglinë, pësoi vetëm një gol, atë në Letoni.
Bilanci I tij është I shkëlqyer për një ekip si Shqipëria: 32 ndeshje, 15 fitore, 7 barazime, 10 humbje dhe golat 38-27. De Biazi ka më shumë ndeshje, 52, por bilancin lehtësisht negativ.
Silvinjo ka nënshkruar rinovimin dhe kjo mund të cilësohet firmë për historinë, pra për kualifikimin për herë të parë në finalet e një Kupe të Botës.