Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 February 2026Gazeta Si

Heineken do të shkurtojë 6 mijë vende pune: Njerëzit po pinë më pak birrë

11 February 2026 at 14:23

Nga Gazeta ‘Si’- Heineken do të shkurtojë deri në 6.000 vende pune në mbarë botën gjatë dy viteve të ardhshme – rreth 7% të fuqisë së saj punëtore – teksa prodhuesi holandez i birrës po përballet me rënie të kërkesës për birrë.

Kompania, e cila prodhon markat Heineken, Amstel dhe Tiger, tha se shkurtimet do të prekin si pozicionet në prodhim ashtu edhe ato administrative (“white-collar”) në kuadër të fuqisë së saj globale prej rreth 87.000 punonjësish, për shkak të “kushteve sfiduese të tregut”.

Kjo vjen në një kohë kur prodhuesi i dytë më i madh i birrës në botë për nga vlera e tregut ka ulur parashikimet për rritjen e fitimit në vitin 2026.

“Ne e bëjmë këtë për të forcuar operacionet tona dhe për të qenë në gjendje të investojmë në rritje,” u tha gazetarëve drejtori financiar i kompanisë, Harold van den Broek, pasi Heineken publikoi rezultatet vjetore.

Ai shtoi se disa vende pune do të humbasin në Europë, por edhe në tregje të tjera, duke theksuar se një pjesë e shkurtimit vjen nga masa të shpallura më herët që prekin rrjetin e furnizimit të Heineken-it, selinë qendrore dhe ndarjet rajonale të biznesit.

Shkurtimet e vendeve të punës vijnë vetëm një muaj pas dorëheqjes së papritur të drejtorit ekzekutiv, Dolf van den Brink, në janar, pas gjashtë vitesh në krye të kompanisë.

Van den Brink, i cili do të largohet në maj, kishte qenë nën presion për të rritur ritmet e rritjes dhe produktivitetit të Heineken-it me më pak burime, pasi investitorët e kishin akuzuar kompaninë se ishte bërë më pak efikase.

Heineken tha se shkurtimet synojnë “përshpejtimin e produktivitetit në shkallë të gjerë për të çliruar kursime të konsiderueshme”.

Kompania ka parashikuar një rritje më të ngadaltë të fitimit këtë vit, mes 2% dhe 6%, krahasuar me rritjen 4%–8% që kishte parashikuar për vitin 2025.

Kjo ndodh ndërsa Heineken raportoi një rënie prej 1.2% të volumit total të birrës vitin e kaluar krahasuar me 2024, në një periudhë kur kompania dhe rivalët e saj po luftojnë me rënien e shitjeve të birrës, veçanërisht në Europë dhe Amerikën e Veriut.

Ngushtimi i buxheteve familjare ka luajtur rol, ndërsa disa konsumatorë po pinë më pak alkool për arsye shëndetësore. Të tjerë kanë ulur konsumin pas ndryshimeve në dietë dhe stil jete, sidomos duke përdorur barna për humbje peshe si Mounjaro dhe Wegovy.

Aksionet e Heineken-it u rritën deri në 4% në bursën e Amsterdamit, duke arritur nivelin më të lartë në më shumë se gjashtë muaj.

“Investitorët e Heineken-it e kanë mirëpritur udhëzimin për shkurtimet e vendeve të punës, duke e shtyrë çmimin e aksioneve lart, pasi u bë e qartë se kompania do të ulë më tej kostot,” tha Russ Mould, drejtor investimesh në brokerin AJ Bell.

“Kushdo që do të bëhet CEO i ri i Heineken-it do të hyjë në detyrë pasi shumë vendime të vështira tashmë janë marrë. Nuk ka ende informacion se kush do ta zëvendësojë Dolf van den Brink kur ai të largohet në maj, por presioni për të gjetur shpejt një drejtues të ri është i madh – dhe dikë që mund t’i japë frymë të re gjigantit të birrës.”// The Guardian

The post Heineken do të shkurtojë 6 mijë vende pune: Njerëzit po pinë më pak birrë appeared first on Gazeta Si.

Meloni paralajmëron ndryshime urgjente për Europën: Nuk ka më kohë!

11 February 2026 at 13:59

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka nënvizuar urgjencën e veprimeve të shpejta për të përballuar sfidat strategjike të Bashkimit Europian.

Në një letër të dërguar së bashku me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, tek të gjithë shtetet anëtare, Meloni kërkon një “kronoprogram” të qartë me afate të vendosura dhe një sërë reformash që të realizohen ose të planifikohen brenda këtij viti.

Sipas burimeve të qeverisë italiane, bashkëpunimi mes Romës dhe Berlinit duket i fortë, sidomos në çështje si tregu i përbashkët, reduktimi i burokracisë dhe lehtësimi i barrëve ligjore për bizneset.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka një qasje më investuese, por të gjitha palët e përshpejtojnë ritmin për të mos humbur mundësitë strategjike.

Meloni ka theksuar se nuk ka më kohë për pozicione ideologjike dhe se duhet vepruar menjëherë për të përballuar konkurrencën e Kinës dhe SHBA-ve, sidomos në sektorë si inteligjenca artificiale dhe mbrojtja.

Në një letër të përbashkët me Berlinit, përfshihet edhe krijimi i një kornize të përbashkët ligjore europiane për investitorët dhe startup-et, duke e kthyer tregun e përbashkët në një hapësirë juridike të integruar dhe jo thjesht të rregulluar nga ligjet kombëtare.

Burimet italiane theksojnë se, në pritje të samitit të ardhshëm, shumica e vendimeve do të merren me bashkëpunim të përforcuar, duke kaluar kufijtë e votimit unanim kur është e nevojshme, për të mos mbetur të bllokuar.

Meloni dhe Berlini synojnë të nxjerrin vendime konkrete që mund të forcojnë konkurrencën e BE-së në arenën globale.

The post Meloni paralajmëron ndryshime urgjente për Europën: Nuk ka më kohë! appeared first on Gazeta Si.

Bitcoin nuk ia del të rikuperohet, bie në 66 mijë dollarë

11 February 2026 at 13:40

Bitcoin ka prekur nivelin e 66 mijë dollarëve këtë të mërkurë,, me një rënie prej rreth 3% në pak orë.

Ether, ra me 3.5% në 1.9 mijë dollarë.

Rëniet janë ndikuar nga një rritje e papritur e indekseve aziatike, që kaluan homologët amerikanë e europianë.

Dollari nga ana tjetër vazhdoi trendin rënës të disa ditëve.

Pritshmëritë për ulje të normave të interesit në SHBA nuk po i japin shtysë monedhave digjitale, ku tregtimi i ngadaltë reflekton humorin e zymtë që ka mbërthyer sektorin që nga muaji tetor. Ndërkohë që investitorët e mëdhenj të Bitcoin-it kanë filluar të blejnë sërish, dështimi i monedhës për të tërhequr blerës më të gjerë e vendos atë në rrezik për rënie të mëtejshme.

“Shpejtimi i rënies së çmimit drejt 60,000 dollarë pa rritje të volumit të tregtimit tregon kërkesën e ulët dhe mungesën e bindjes së blerësve në nivelet ndërmjetëse,” shkroi analisti i Kaiko-s, Laurens Fraussen, në një shënim. “Kjo krijon një brishtësi ndaj rënieve të mëtejshme edhe nën presion modest shitjeje.”/Bloomberg

The post Bitcoin nuk ia del të rikuperohet, bie në 66 mijë dollarë appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Asnjë polic nuk është lënduar! Ishte vetëm skenar, tek ‘Trauma’ nuk kishte njeri

11 February 2026 at 13:34

Nga Gazeta ‘Si’– Kreu i Partisë Demokrate Sali Berisha, i ka cilësuar si skenar të mirëorganizuar nga Policia e Shtetit përplasjet gjatë tubimit të djeshëm mes protestuesve dhe efektivëve, ku sipas tij, këta të fundit i kanë hedhur vetë njëri-tjetrit gaz lotsjellës, për t’i futur në ambulancë si të asfiksuar.

Në një konferencë për mediat, Berisha deklaroi se te Spitali i Traumës, ku ai tha se ka qenë edhe vetë, nuk ka pasur asnjë efektiv të lënduar.

“Unë kam qenë vetë te Trauma, këta njoftonin se 7 policë janë të Trauma, asnjë i vetëm nuk ishte. Personeli më njoftoi se aty ishin dërguar 5 policë pa asnjë problem, nuk kishin asnjë lloj shqetësimi. Ishin larguar siç kishin ardhur. E gjitha ishte skenarë.

Meqenëse aty nuk doli që nuk kishte asnjë dhe unë i denoncova menjëherë, dhanë komunikatën tjetër që kanë shkuar në dy spitale.

Gënjeshtër. Asnjë polic nuk është gërvishtur, kur janë qëlluar me plumb në ballë protestuesit paqësorë.

Të gjitha këto dëshmojnë se është populli opozitar ai që do përmbysë këtë narkodiktaturë dhe se 20 shkurti, shqiptarët mezi po presin si orën e tyre, si ditën e tyre”, tha ai ndërsa publikoi edhe disa foto dhe video të deputetëve dhe protestuesve të lënduar nga efektivët.

The post Berisha: Asnjë polic nuk është lënduar! Ishte vetëm skenar, tek ‘Trauma’ nuk kishte njeri appeared first on Gazeta Si.

Parfumet që do të flirtojnë për ju!

11 February 2026 at 13:21

“Cosmopolitan” ka bërë një listë me aromat që do të flirtojnë për ju.

Të forta dhe pikante, këto parfume do t’ju bëjnë të dukeni më tërheqëse dhe seksi tek të tjerët. Ndoshta jo idealë për ditët e punës, por për mbrëmjet po.  

Yves Saint Laurent Libre Berry Crush Eau de Parfum, 180$

Gjithçka qëndron te emri. Një aromë e denjë për t’u përdorur gjatë daljes me simpatinë tuaj, Libre Berry CruAroma pasqyron krejtësisht fushatën: ndjenjë e pjekur, por ende e lojëshme dhe e lehtë, ndërsa nuancat florale duken moderne dhe të freskëta.

 
Miu Miu Miutine Eau de Parfum, 108$

Aroma pasqyron krejtësisht atë ç’ka përfaqëson: ndjesia e maturisë, por ende në gjendje për lojëra dhe e lehtë, ndërsa nuancat florale duken moderne dhe të freskëta.

Sol De Janeiro Cheirosa 40 Jelly Perfume Balm 26$

Një aromë e kombinimit të jasminit, vaniljes dhe qelibarit të zi që është seksi, por pa e tepruar.

BYREDO Alto Astral Eau de Parfum, 230$

Përzierja perfekte e ëmbël, e freskët dhe drunore.

Valentino Donna Born In Roma for Women, 110$

Donna Born in Roma është e ëmbël dhe flirtuese në një mënyrë shumë natyrale, gjë që e bën të këndshme për t’u përdorur jashtë. Sheqer, pikante dhe gjithçka e bukur, kjo është receta për një parfum të suksesshëm.

LoveShackFancy, Secret Crush 125$

Vanilja shton një pasuri kremoze, ndërsa druri dhe myshku ndihmojnë në balancimin e ëmbëlsisë.

INITIO PARFUMS PRIVÉS – Power Self , 430$

Nëse ju pëlqen një aromë e ëmbël dhe florale, që gjithashtu ndjehet elegante dhe seksi, bëni vetes një nder dhe vendoseni këtë parfum në koleksionin tuaj.

Creed Queen of Silk, 430$

Kombinimi i bajames dhe orizit është vërtetë parajsë. Duket sikur po ecni përmes një reje prej sheqeri në një pastiçeri franceze.

CYKLAR Perfume Oil Roll-On, 24$

Ky nuk është myshku juaj i zakonshëm, është i guximshëm, sensual dhe pa komplekse, thjesht seksi.

The post Parfumet që do të flirtojnë për ju! appeared first on Gazeta Si.

Një hap tjetër prapa, SHBA i dorëzon dy baza të NATO-s aleatëve europianë

11 February 2026 at 13:14

Gazeta Si – Një tjetër hap prapa për amerikanët në NATO. Dhe, rrjedhimisht, një hap përpara për europianët.

Më 6 shkurt, Komiteti Ushtarak, i përbërë nga përfaqësues të 32 shteteve anëtare, miratoi vendimin për të rishpërndarë detyrat midis tre qendrave operative, “Komandave të Forcave të Përbashkëta”, të cilat raportojnë drejtpërdrejt te Grynkewich.

Komanda e Napolit do t’i kalojë Italisë, ndërsa ajo e Norfolkut në Virxhinia, do të drejtohet nga Mbretëria e Bashkuar.

Komanda e tretë, me bazë në Brunssum të Holandës, do të bashkëdrejtohet nga një gjeneral polak dhe homologu i tij gjerman, Ingo Gerhartz.

Komanda Supreme Ushtarake e Aleancës mbetet në duart e Shteteve të Bashkuara, konkretisht të Gjeneralit Alexus Grynkewich, i cili mbikëqyr çdo operacion nga selia e tij në Mons të Belgjikës.

Ndryshimet do të bëhen gradualisht gjatë viteve, thuhet në sajtin e NATO-s. Nuk ka rregulla të përcaktuara për kohëzgjatjen e mandatit në këto nivele, por zakonisht komandantët qëndrojnë dy deri në tre vjet. Në Napoli, admirali amerikan George Ëikoff ka marrë detyrën më 19 nëntor 2025, ndaj kalimi i komandës te një oficer italian pritet të marrë kohë.

Ministria italiane e Mbrojtjes, e drejtuar nga Guido Crosetto, e sheh këtë si një njohje për rolin strategjik të krahut jugor të Aleancës. Edhe Londra ka reaguar në të njëjtën linjë. Britanikët do të drejtojnë bazën e Norfolkut me detyrën për të garantuar sigurinë e rrugëve transatlantike dhe mbrojtjen e Groenlandës.

Në Brunssum, Gjermania dhe Polonia do të ndajnë përgjegjësinë për krahun lindor. Polonia konsiderohet një nga vendet më të vendosura në mbështetje të rezistencës ukrainase përballë agresionit të Vladimir Putinit.

Presidenti i Komitetit Ushtarak, admirali Giuseppe Cavo Dragone, e quajti zhvillimin “një moment historik” në një postim në platformën X. Sipas tij, aleatët europianë, përfshirë anëtarët e rinj, do të marrin një rol më të fortë në drejtimin ushtarak të Aleancës, ndërsa SHBA-ja mbetet e angazhuar fuqishëm në Nato.

Uashingtoni do të vazhdojë të mbajë kontrollin e tre komandave taktike: “Allied Maritime Command” në Northëood pranë Londrës, “Air Command” në Ramstein të Gjermanisë dhe “Land Command” në Izmir të Turqisë. Këto struktura ofrojnë analizat për selinë qendrore në Mons në rast krizash apo emergjencash.

Pas këtij riorganizimi qëndron edhe një linjë politike e kahershme amerikane. Që nga koha e Barack Obamës, SHBA-ja ka kërkuar më shumë ndarje kostosh nga aleatët.

President Donald Trump ka shkuar më tej, duke kërkuar jo vetëm ndarjen e shpenzimeve, por edhe të përgjegjësive në komandë, sidomos në zonat ku sipas Uashingtonit nuk ka kërcënime të menjëhershme dhe për këtë mund t’i besohet partnerëve më të ngushtë, britanikëve.

Mesdheu është vazhdimisht nën vëzhgimin e Flotës së 6-të amerikane, ndaj koordinimi i NATO-s mund t’i lihet Italisë.

Sa i përket Lindjes dhe Ukrainës, kjo lëvizje përputhet me linjën e Trump: le t’i menaxhojnë europianët.

Marrë nga: “Corriere della Sera”

The post Një hap tjetër prapa, SHBA i dorëzon dy baza të NATO-s aleatëve europianë appeared first on Gazeta Si.

Berisha: Rama kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve!

11 February 2026 at 13:09

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se protesta e 10 shkurtit sipas tij do të shënohet në analet e historisë si përpjekje e shqiptarëve për të rikthyer demokracinë dhe dinjitetin.

Sipas tij, protestuesit i zbardhën faqen Shqipërisë dhe rikthyen besimin në fitoren e tyre mbi atë që Berisha e konsideron si narkoshtet.

“Shqipëria është tjetër sot, nuk është më kurrë ajo e një dite më parë. Dhe kjo është merita e madhe e njerëzve të sakrificës, e njerëzve të idealeve, e njerëzve të gatshëm të përballen për të mbrojtur vlerat më të çmuara të njeriut.

Protesta e djeshme bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt. Se Edi Rama është një kufomë politike e pakallur. Se regjimi i tij kundërmon në Shqipëri dhe në Europë dhe duhet hedhur sa më pare”, tha ai.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama pasi sipas tij kishte përgatitur një skenar gjakderdhje, prandaj edhe në krye të policisë kishte vendosur Sokol Bizhgën, që Berisha e konsideron një kriminel.

Berisha tha se janë katër protestues të plagosur, tre prej tyre të qëlluar në kokë, me qëllim sipas tij eliminimin fizik të tyre.

“Të tmerruar nga urtia dhe qëndrueshmëria e protestuesve, Edi Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes.

Kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve paqësorë në shesh. Për këtë qëllim ai kishte vënë në komandë, në krye të banditëve me uniformë, kriminelin famëzi Sokol Bizhga, njeriun që dorëzoi tek bandat oficerin e policisë Gjergj Mehmeti që ndodhej në makinë me të.

Rama urdhëroi snajperët të qëllojnë katër protestues, të cilët në mënyrë absolute nuk po kryenin asnjë veprim ndaj policëve të rendit. Jo.

Ilir Tufi, protestues i vazhdueshëm në protestat tona, po filmonte, në një kohë kur e godasin snajperët në ballë. Goditja me plumba gome në kokë provohet në të shumtën e rasteve vdekjeprurëse.

Tjetër, Luan Lleshi i goditur edhe ai pa asnjë motiv. Demë Dollapi, i goditur edhe ai në kokë. Me plagë. Dhe një zonjë”, tha Berisha.

Më tej, Berisha deklaroi se është e paimagjinueshme, që deputetët e parlamentit “të ndiqen dhe rrihen nga policia”.

“Dhunës nuk i shpëtuan as deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Jeni dëshmitar që u dhunua Bledjon Nallbati, që nuk po kryente asnjë veprim tjetër, përveç se po ndihmonte një fëmijë, që po arrestohej. Është hakmarrje primitive e Ramës ndaj një deputeti guximtar. Sulmi fizik ndaj deputetëve opozitarë tregon se Rama kërkon përballje civile”, u shpreh Berisha.

The post Berisha: Rama kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve! appeared first on Gazeta Si.

Si stërviten skiatorët për Lojërat Olimpike Dimërore kur nuk ka borë (video)

11 February 2026 at 12:51

Gazeta Si – Midis stinëve, sportistët e dimrit mund të kalojnë muaj pa ski ose snowboard. Në verë, jo të gjithë mund ta përballojnë të udhëtojnë në hemisferën tjetër për borë të freskët; moti nuk është gjithmonë ideal për stërvitje dhe përqendrimi në përgatitjen fizike nuk është i mjaftueshëm.

Kjo është arsyeja pse me kalimin e kohës janë miratuar zgjidhje krijuese: në Australi, për shembull, skiatorët dhe snowboarderët olimpikë të stilit të lirë, stërviten në një strukturë të ndërtuar posaçërisht në Brisbane me disa rampa pranë një pishine, në mënyrë që pasi të kryejnë akrobacitë e tyre ajrore, të përfundojnë në ujë, në vend që të jenë në borë.

Sezoni i sporteve dimërore është përqendruar afërsisht midis nëntorit dhe marsit dhe koha e pushimeve për ata që i praktikojnë ato, është zakonisht midis fundit të prillit dhe majit.

Prandaj, parasezoni është një periudhë “shumë e gjatë”, shpjegon Matteo Artina, profesor universitar i shkencës sportive dhe trajner i shumë sportistëve.

Fillimisht, fokusi është kryesisht në forcimin fizik, thotë ai, por duke filluar nga qershori, duhet të fillojë puna teknike, e cila ndryshon në varësi të specialitetit.

Akulli i përdorur për garat e curlingut është relativisht i lehtë për t’u gjetur (mund të bëhet në ambiente të specializuara), ndërsa bora natyrale është më e rrallë.

@nycrhi

Some video from the Ski Jump training center in Lake Placid, where the US winter Olympic team does cool stuff all day. My apologies for calling these "Baby skiers" because they are far more skilled than I could have ever imagined being and definitely are doing cool things.

♬ original sound – Rhiannon – hobby baker & more

Prandaj, skiatorët e skive në terren të hapur, biatlonistët dhe sportistët e kombinuar nordikë, shpesh përdorin ski me rul gjatë verës, të cilat janë ski të posaçme mbi rrota që imitojnë lëvizjet e skive në terren të hapur në asfalt.

Ski me rul është një sport më vete, me ngjarjet dhe rregullat e veta, por është gjithashtu shumë i dobishëm për skiatorët e skive në terren të hapur që duhet të vazhdojnë stërvitjen (në biatlon, skijimi në terren të hapur kombinohet me qitje dhe me kombinimin nordik, me kërcim me ski).

Përveç skijimit me patina, ekzistojnë pista vrapimi të projektuara posaçërisht për përdorim në ambiente të mbyllura: ndër të tjera, ato përdoren nga skiatori norvegjez i skive në terren të hapur, Johannes Høsflot Klæbo, 29 vjeç, i cili ka fituar pesë medalje ari olimpike, dhe italiania, Dorothea Wierer, fituese e medaljes së argjendtë në biatlonin ekipor në Milano Cortina.

Skiatorët e skive në terren të hapur ndonjëherë stërviten në tunele artificiale, si ai në Torsby, në Suedinë jugore, i cili është mbi një kilometër i gjatë dhe disa metra i gjerë.

Ka ambiente të ngjashme për skijim të mbyllur në Peer, Belgjikë, ku stërvitet skiatorja alpine, sllovake Rebeka Jancova. Edhe pse ekziston skijimi në bar, është shumë e vështirë të përsëriten lëvizje të caktuara.

Për entuziastët e stilit të lirë dhe kërcimit me ski, ka ambiente me rampa me madhësi të ndryshme, ku zbritet në një sipërfaqe të bërë nga shtresa të dendura plastike, të cilat imitojnë – sa më afër të jetë e mundur – reagimin e borës ndaj skive.

Njëra është Parku Banger, i vendosur në Austri, më pak se tre orë larg Livignos, ku aktualisht po zhvillohen garat olimpike të skijimit dhe snowboardingut në stil të lirë.

Shumë snowboardistë bëjnë edhe skateboard, surf ose zbritje në grep gjatë verës. Në fund të fundit, përpara se të bëhej një sport olimpik, snowboarding ishte një kundërkulturë dhe disiplinat e tjera me të cilat vazhdon të jetë i lidhur ngushtë mund të ofrojnë frymëzim për truke të reja në dëborë.

Përtej zgjidhjeve të hartuara për të përmbushur nevojat teknike, sportistët e disiplinave dimërore bëjnë edhe të ashtuquajturën “stërvitje të thatë”, që do të thotë thjesht pa borë, siç janë vrapimi i lirë, vrapimi me shkop ose palestra.

Disa preferojnë çiklizmin, sepse ka më pak ndikim në kyçet e këmbëve, ndërsa të tjerë preferojnë vrapimin në mal ose në pistë.

Megjithatë, vështirë se dikush shijon kampet e skijimit në akullnaja: moti shpesh nuk është më i miri dhe mund të përfundohet duke qëndruar atje për disa ditë, ku mund bëhet ski vetëm për disa orë.

The post Si stërviten skiatorët për Lojërat Olimpike Dimërore kur nuk ka borë (video) appeared first on Gazeta Si.

Qyteti i harruar italian…

11 February 2026 at 12:50

Njëherë e përbuzur si një utopi postmoderne e dështuar, qyteti sicilian i Gibellinës po përgatitet për një program njëvjeçar me ekspozita, performanca dhe rezidenca artistike. Por a mundet arti të ringjallë një vend dikur të konceptuar si një utopi?

Italia ka shpallur Gibellinën si Kryeqytetin e saj të parë të Artit Bashkëkohor, duke nisur një program njëvjeçar me ekspozita, performanca dhe rezidenca artistike, i cili synon të transformojë ndërtesat dhe hapësirat publike që kanë qenë të heshtura për një kohë të gjatë. Për udhëtarët, kjo ofron një mundësi të rrallë për të përjetuar një vend në mes të transformimit , pjesërisht muze në natyrë, pjesërisht eksperiment kulturor në veprim, pikërisht në një moment kur qyteti po nis një rilindje urbane.



The post Qyteti i harruar italian… appeared first on Gazeta Si.

‘Diella’ padit në Gjykatë qeverinë dhe AKSHI-n!

11 February 2026 at 12:30

Nga Gazeta ‘SI’- Aktorja Anila Bisha, që ka shërbyer si imazh dhe zë i avatarit të ministres Diella, ka hedhur në gjyq qeverinë dhe AKSHI-n.

Në një padi në Gjykatën Administrative të Tiranës, Bisha kërkon që imazhi i saj të mos shfrytëzohet më për këtë funksion, të paktën deri sa të zgjidhet ligjërisht.

Bisha, me anë të një kontrate me AKSHI-n një vit më parë, ka pranuar të jetë fytyra dhe zëri i Diellës, por asaj asistente në e-Albania dhe jo asaj ministre të prokurimeve.

Në një deklaratë për mediat, vjeshtën e vitit të shkuar, pak pasi Rama prezantoi ministren e parë virtuale, Bisha tha se kontrata është deri në dhjetor.

Në emisionin “Opinion”, aktorja tha se nuk është paguar për “pozicionin” në kabinetin qeveritar”.

Diella, ministre e prokurimeve

Blendi Fevziu: Sa lekë more, do të të pyesin shqiptarët?

Anila Bisha: Po ta dija që do të ishte Diella kaq e famshme, kam marrë shumë pak, por kam marrë për Diellën e e-Albanias.

Blendi Fevziu: Ti nuk ke marrë për Diellën ministre?

Anila Bisha: Akoma. Por besoj se… Eksperienca me AKSHI-n ka qenë e shkëlqyer, kemi pasur dakordësi dhe gjithçka ka qenë korrekte.

Ndonëse nuk është e qartë arsyeja pse “Diella” shkoi në dyert e gjykatës, por gjasat janë që të lidhet me kohëzgjatjen dhe shtrirjen e përdorimit të imazhit, përtej kontratës.

Ngjarja vjen si një paradoks, ndërsa qeveria tenton të krijojë një ministër dhe një institucion tërësisht digjital, dhe nga ana tjetër përballet me ngërçin e të drejtave të autorit.

Diella u prezantua si ministre më 11 shtator 2025, si pjesë e kabinetit të qeverisë së katërt të Ramës. Opozita dhe ekspertët vendas e kundërshtuan dekretin e presidentit për të njohur Diellën si minsitre, duke theksuar se është anti-kushtetuese dhe e paditën në Gjykatën Kushtetuese.

Atëkohë, emërimi i Diellës, bëri xhiron e botës, shoqëruar dhe me shumë kritika nga ekspertët ndërkombëtarë, por edhe tallje.

Për herë të parë u bë e njohur në janarin e shkuar, kur u prezantua si asistente virtuale në platformën e-albania, si krijim i AKSHI-t dhe një kompanie private.

Diella, asistente e-Albania

The post ‘Diella’ padit në Gjykatë qeverinë dhe AKSHI-n! appeared first on Gazeta Si.

Rama: Skemë financiare për familjet që kujdesen për fëmijët jetimë!

11 February 2026 at 12:16

Nga Gazeta ‘Si’- Në eventin ku u prezantuan 14 shërbime të reja sociale për fëmijët dhe nënat në nevojë, kryeministri Edi Rama tha se sipas tij ka pasur një transformim rrënjësor të sistemit të mbështetjes dhe shërbimeve sociale.

Pasi u ndal te një “mal borxhesh” që sipas tij gjeti qeveria e të cilat duhet t’i shlyente ai tha se po bëhen të gjitha përpjekjet për të krijuar mundësi për të nxitur rastet e familjeve kujdestare, me financimin e shtetit.

“Nisëm, me një borxh dhjetëra miliona euro të akumuluar me familjet e personave me aftësi ndryshe dhe familjeve në nevojë.

U deshën reforma dhe masa këmbëngulëse. Shlyem borxhin dhe ndërtuam qasje të re bazuar në një vizion, duhej një punë e madhe e disa njerëzve të pasionuar dhe të përkushtuar që i falënderoj për punën e bërë.

Kemi gjetur mënyrën për t’i përfshirë dhe për të kërkuar më shumë familje, që janë të gatshme që të marrin pjesë në këtë kujdesje sociale, të kujdesen për fëmijë që kanë nevojë për këtë sistem. Por duhen ndjekur mekanizmat edhe me pushtetin vendor, që të përcillet sensi i kësaj qasje dhe të bëjnë punën e vet për familjet që i bashkohen kësaj qasje. Buxheti është gjithmonë e domethënës.

 Është rritur 6 herë nga momenti kur e nisëm këtë, 16% më i lartë, por buxheti nuk i thotë dhe as i zgjidh dot të gjitha. Ndaj këtë proces duhet ta thellojmë dhe të rrisim cilësinë e jetës nën strehët e i kujdesit shoqëror”, vijoi ai.

Rama shtoi se edhe kjo nismë i shërben procesit të integrimit të vendit drejt BE, pasi fusha e kujdesit social një zë të veçantë edhe në vendet e Unionit.

“Kjo edhe për faktin e fazave të integrimit evropian, për rritjen e nivelit të cilësisë në çdo sektor, për ato momente që prekin edhe efektet e integrimit në BE dhe BE është i unifikuar në aspektin e përpjekjes sociale, me rrjetin e avancuar të mbështetjes nga shteti, sektori publik, familjeve dhe individëve që janë më vulnerabël”, u shpreh kryeministri.

The post Rama: Skemë financiare për familjet që kujdesen për fëmijët jetimë! appeared first on Gazeta Si.

A kështu do të përfundojë bota?!

11 February 2026 at 11:58

Duket se të rinjtë, djem dhe vajza, po lodhen gjithnjë e më shumë nga njëri-tjetri. Në botën fizike, ata kalojnë më pak kohë së bashku. Në botën digjitale, përpjekjet e tyre për të krijuar lidhje në aplikacionet e takimeve shpesh mbeten në “fazën e bisedës”, për shkak të frikës nga lëndimi apo refuzimi. Dhe në botën politike, duket se po lëvizin drejt drejtimeve krejtësisht të ndryshme. Nga SHBA-ja në Gjermani, nga Koreja e Jugut në Tunizi, kanë hapur hendek ideologjik midis vajzave të reja (më liberale) dhe djemve të rinj (më konservatorë).

Imagjinoni një skenë; të dashurit dhe të dashurat virtualë, të krijuar nga inteligjenca artificiale. Është e vështirë të imagjinohet terren më i përshtatshëm për shfaqjen e chatbot-eve që jetojnë në ekranin tuaj, që nuk lëndojnë apo refuzojnë dhe mund të dizajnohen për të pasqyruar dëshirat tuaja dhe për të mbështetur vlerat tuaja.

Prandaj nuk është befasuese që marrëdhëniet romantike me AI po fillojnë të përhapen. Ndërkohë që ne analizojmë të dhënat për punësimin dhe produktivitetin për të kuptuar nëse AI po rimodelon ekonominë, është e mundur që një rimodelim po ndodh edhe në sferën sociale.

Në vitet e fundit, janë shfaqur shumë platforma për shoqëri me AI, si Replika dhe Character.ai. Një sondazh tek të rriturit amerikanë tregoi se 19% kishin biseduar me një sistem AI që synonte të imitojë një partner romantik, me përqindje më të larta tek të rinjtë (31% tek djemtë dhe 23 % tek vajzat).

Megjithatë, ndërsa të rinjtë amerikanë duket se janë përdoruesit më të etur, kjo nuk është e vërtetë kudo. Në një artikull të titulluar “Pse Amerika krijon të dashura AI dhe Kina krijon të dashur AI”, Zilan Qian, një studiuese në Oxford China Policy Lab, shpjegon se platforma kryesore kineze për shoqëri me AI zakonisht paraqesin karaktere mashkullore në faqet e tyre kryesore. Publiku i synuar nuk janë djemtë të vetmuar në bodrumet e prindërve, thotë ajo, por gratë e arsimuara që jetojnë në qytete, në moshën 25–35 vjeç.

Në Kinë, hendeku midis djemve dhe vajzave ka edhe një komponent gjeografik. Që nga viti 2009, vajzat kanë tejkaluar djemtë në programe universitare dhe pasuniversitare. Si pasojë, ato kanë qenë më të prira të lëvizin në qytete për të gjetur punë, ndërsa djemtë kanë mbetur më shpesh në shtëpi. “Ky grup grash urbane ka qenë target i shumë produkteve,” tha Qian. “E quajnë ekonomia e vetmisë.” Për më tepër, sipas saj, kemi “ngritjen e feminzmit në Kinë, vëmendjen më të madhe të mediave mbi dhunën në familje… dhe diskriminimin e fortë gjinor në vendet e punës. Sipas meje, të gjitha këto i bëjnë gratë të duan të provojnë të paktën një të dashur AI.”

Sa serioze janë këto marrëdhënie është e vështirë të thuhet. Qian thotë se ka shumë postime nga gratë në rrjetet sociale për të dashurit e tyre virtualë, por mund të jetë vetëm një mënyrë për të fituar ndjekës ose vëmendje. Nga ana tjetër, disa mund të duan të fshehin thellësinë e lidhjes së tyre nga frika e gjykimit shoqëror.

Ka arsye të forta për të shqetësuar marrëdhëniet njerëzore me modelet AI. Më e dukshmja: këto janë kompani komerciale që duan të gjenerojnë fitim, gjë që mund të krijojë nxitje për manipulim emocional, duke i bërë përdoruesit të kalojnë më shumë kohë dhe para me shoqëruesit virtualë. Sipas një blogu të publikuar nga Ada Lovelace Institute, një tipar i zakonshëm i abonimeve premium tek shoqëruesit AI është ruajtja e bisedave të mëparshme, me fjalë të tjera, përdoruesit duhet të paguajnë një “tarifë të përsëritur për të mos u harruar nga shoqëruesi i tyre”.

Një rrezik edhe më i madh, sipas meje, është ndikimi i mundshëm mbi marrëdhëniet mes njerëzve. Aplikacionet e takimeve tashmë i kanë mësuar njerëzit të shikojnë partnerin si një produkt online: tundimi është gjithmonë për të vazhduar kërkimin për një “partner më të përsosur”. Kush do të pranojë një njeri të papërsosur kur është mësuar me një chatbot gjithmonë vëmendshëm, që nuk lë çorape në shtëpi?

Në dhjetor, rregullatori kibernetik i Kinës lëshoi rregulla paraprake për të forcuar mbikëqyrjen e AI-ve që simulojnë personalitete njerëzore, duke kërkuar nga ofruesit të paralajmërojnë për përdorim të tepërt dhe të ndërhyjnë në rast të shenjave të varësisë. Qian mendon se qeveria kineze ka një sy të shqetësuar mbi rënien tashmë dramatike të lindjeve. Mund të ketë të drejtë.

Së fundi, kemi dëgjuar shumë nga drejtuesit e teknologjisë për mënyrën se si shpikja e tyre mund të bëhet e vetëdijshme dhe të na shkatërrojë të gjithëve. Por çfarë nëse ndodh diçka tjetër? Ndoshta kështu përfundon bota: jo me një shpërthim, por me një pëshpëritje nga i dashuri juaj AI.

Shkruar nga Sarah O’Connor, reportere e “Financial Times”

The post A kështu do të përfundojë bota?! appeared first on Gazeta Si.

Studimi: Obeziteti lidhet me më shumë shtrime në spital dhe vdekje nga infeksionet

11 February 2026 at 11:55

Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit që jetojnë me obezitet kanë 70 për qind rrezik më të lartë të preken nga raste të rënda të sëmundjeve infektive.

Probabilitetet për t’u shtruar në spital ose për të vdekur nga një sëmundje infektive siç janë gripi, COVID-19, pneumonia dhe gastroenteriti rriten tek njerëzit me obezitet, sipas një studimi të ri të botuar në The Lancet.

“Ndërsa normat e obezitetit pritet të rriten në nivel global, ashtu do të rritet edhe numri i vdekjeve dhe shtrimeve në spital nga sëmundjet infektive të lidhura me obezitetin”, tha autorja e studimit, Solja Nyberg nga Universiteti i Helsinkit.

Ajo shtoi se, për të zvogëluar rrezikun e infeksioneve të rënda, si dhe probleme të tjera shëndetësore të lidhura me obezitetin, nevojiten urgjentisht politika që mbështesin stilet e jetesës së shëndetshme dhe humbjen e peshës, duke përfshirë aksesin në ushqim të përballueshëm dhe të shëndetshëm dhe mundësitë për aktivitet fizik.

Studimi analizoi të dhëna nga mbi 67,000 të rritur në Finlandë dhe mbi 470,000 të rritur në të dhënat e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar për të parë marrëdhënien midis obezitetit dhe sëmundjeve të rënda infektive.

Studiuesit matën indeksin e masës trupore (BMI) të pjesëmarrësve në fillim të studimit dhe i klasifikuan ata në tre grupe të ndryshme: peshë e shëndetshme, mbipeshë dhe obezë.

Pjesëmarrësit u ndoqën për një mesatare prej 13 deri në 14 vjetësh.

Studimi zbuloi se njerëzit me obezitet kishin një rrezik 70 për qind më të lartë të shtrimit në spital ose vdekjes nga çdo sëmundje infektive krahasuar me njerëzit me një peshë të shëndetshme.

Hulumtuesit panë se rreziku rritej vazhdimisht ndërsa pesha e trupit rritej.

Çfarë do të thotë kjo në shkallë globale?

Duke aplikuar raportet e rrezikut në rezultate në të dhënat globale mbi shkallët e obezitetit dhe vdekjet nga infeksionet, studiuesit vlerësuan se 9 deri në 11 për qind e vdekjeve të lidhura me infeksionet në mbarë botën mund të parandalohen potencialisht duke eliminuar obezitetin.

Obeziteti në Europë

Shkalla e obezitetit po rritet në të gjithë Europën.

Rreth 17 për qind e të rriturve europianë janë obezë dhe 51 për qind mbipeshë në përgjithësi, sipas të dhënave të BE-së, në atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka quajtur një “epidemi obeziteti”.

OBSH-ja e Europës synonte të ndalonte rritjen e obezitetit tek të rriturit në nivelet e vitit 2010 deri në vitin 2025, por asnjë vend europian nuk e arriti këtë, me norma që janë rritur me 138 për qind që nga viti 1975.

Objektivat më të reja në Planin e Veprimit për Sëmundjet Jo-Transmetuese 2022-2030 përfshijnë një rënie relative prej 30 për qind të BMI-së mesatare deri në vitin 2030, duke përfshirë ndalimin e obezitetit tek fëmijët.

The post Studimi: Obeziteti lidhet me më shumë shtrime në spital dhe vdekje nga infeksionet appeared first on Gazeta Si.

Tenderi i ujësjellësit, ish-kryebashkiaku i Memaliajt merret i pandehur nga SPAK

11 February 2026 at 11:28

Gazeta Si – SPAK ka përfunduar hetimet dhe dërgoi për gjykim çështjen ndaj ish-kryetarit socialist të Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, si dhe tre zyrtarëve të tjerë, të akuzuar për “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Me të njëjtën akuzë, përballen edhe ish-nënkryetarja, Edmonda Harizi, ish-drejtori i Shërbimeve Publike, Feta Hoxha dhe administratori i një subjekti privat, Bersant Ylli.

Hetimet nisën pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në tetor 2024 dhe kanë në fokus procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal” për disa fshatra dhe qytetin e Memaliajt, me fond mbi 493 milionë lekë.

Sipas organit të akuzës, ish-zyrtarët në bashkëpunim kanë krijuar avantazhe të padrejta për operatorë të caktuar ekonomikë, duke shpallur fitues një bashkim kompanish që paraqiste mangësi në dokumentacion, veçanërisht në kapacitetin teknik.

Gjithashtu, është lejuar nënkontraktimi i një shoqërie që ndodhej në konflikt interesi, pasi kishte dhuruar projektin dhe hartuar specifikimet teknike.

The post Tenderi i ujësjellësit, ish-kryebashkiaku i Memaliajt merret i pandehur nga SPAK appeared first on Gazeta Si.

Një në dy persona që përballet me verbëri nga katarakti nuk ka akses në ndërhyrjen kirurgjikale

11 February 2026 at 11:23

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u bën thirrje vendeve të përshpejtojnë përpjekjet për të siguruar që miliona njerëz që jetojnë me katarakt të kenë akses në një ndërhyrje të thjeshtë kirurgjikale për rikthimin e shikimit, një nga ndërhyrjet më efektive dhe të përballueshme për të parandaluar verbërinë e shmangshme.

Një studim i ri i botuar sot në The Lancet Global Health thekson shkallën e sfidës: pothuajse gjysma e të gjithë njerëzve në të gjithë botën që përballen me verbëri të lidhur me kataraktin ende kanë nevojë për akses në kirurgji.

Katarakti- mjegullimi i syve që shkakton shikim të turbullt dhe mund të çojë në verbëri prek më shumë se 94 milionë njerëz në nivel global. Kirurgjia e kataraktit, një procedurë e thjeshtë 15-minutëshe është një nga procedurat mjekësore më efektive nga ana e kostos, duke siguruar rikthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm të shikimit.

Gjatë dy dekadave të fundit, mbulimi global i kirurgjisë së kataraktit është rritur me rreth 15%, edhe pse popullsia në plakje dhe rastet në rritje të kataraktit kanë rritur kërkesën e përgjithshme. Modelimi më i fundit parashikon që mbulimi për kirurgjinë e kataraktit të rritet me rreth 8.4% për këtë dekadë. Megjithatë, progresi duhet të përshpejtohet ndjeshëm për të përmbushur objektivin e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë për një rritje prej 30% deri në vitin 2030.

“Kirurgjia e kataraktit është një nga mjetet më të fuqishme që kemi për të rikthyer shikimin dhe për të transformuar jetën”, thotë Devora Kestel, Drejtoreshë e Departamentit të Sëmundjeve Jo-Transmetuese dhe Shëndetit Mendor të OBSH-së.

Studimi, i cili analizoi raportet nga 68 vlerësime vendesh për vitin 2023 dhe 2024 tregon se Rajoni Afrikan përballet me hendekun më të madh, me tre në katër persona që kanë nevojë për kirurgji të kataraktit që mbeten të patrajtuar. Gratë preken në mënyrë disproporcionale në të gjitha rajonet, duke përjetuar vazhdimisht akses më të ulët në kujdes sesa burrat.

Përveç kësaj, ndërsa mosha është faktori kryesor i rrezikut për kataraktin, faktorë të tjerë që kontribuojnë, siç janë ekspozimi i zgjatur ndaj rrezeve UV, përdorimi i duhanit dhe diabeti, mund ta përshpejtojnë zhvillimin e tij.

The post Një në dy persona që përballet me verbëri nga katarakti nuk ka akses në ndërhyrjen kirurgjikale appeared first on Gazeta Si.

Presidenti i Kolumbisë, denoncon: I shpëtova një atentati mbi helikopter!

11 February 2026 at 11:23

Gazeta Si – Presidenti kolumbian, Gustavo Petro denoncoi një komplot për vrasjen e tij, duke njoftuar në një konferencë për shtyp se do të ndryshonte vendbanim në ditët në vijim: “Duhet të pranoj se do të zhvendosem pas dy ditësh, duke u përpjekur të shmang vrasjen time”.

Petro më pas njoftoi se i kishte shpëtuar një atentati një ditë më parë, ndërsa udhëtonte me helikopter. Gjatë një mbledhjeje të kabinetit të transmetuar drejtpërdrejt, Petro shpjegoi se mjeti me të cilin po udhëtonte, nuk mundi të ulej sipas planit në departamentin e Kordobës, në bregdetin e Karaibeve të Kolumbisë, sepse siguria e tij “kishte frikë” se do të qëllohej.

“Kjo është arsyeja pse nuk munda të shkoja atje mbrëmë; nuk munda të ulesha aty ku duhej. Ata nuk i ndezën dritat. Dhe as nuk u ula në mëngjes, sepse kisha frikë se do të qëllonin helikopterin, i cili kishte edhe fëmijët e mi në bord”, komentoi ai.

Mjeti më pas devijoi drejtimin drejt detit të hapur për afërsisht katër orë para se të arrinte në një destinacion tjetër. “Nuk arrita aty ku duhej të shkoja, por arrita atje”.

Konferenca për shtyp u mbajt pas zhdukjes së senatores indigjene, Aida Quilcué, e cila, sipas informacioneve të disponueshme, ishte rrëmbyer nga grupe të armatosura lokale.

Ky incident duhet ta ketë frikësuar Petron: nuk është hera e parë që presidenti kolumbian, në detyrë që nga viti 2022, ka pretenduar se rrjetet e armatosura të lidhura me trafikun e drogës planifikojnë ta vrasin atë.

Për më tepër, rrëmbimi i senatores ndodhi në një rajon të prekur nga konflikti i armatosur dhe kultivimi i bimës së kokës, aktualisht i kontrolluar nga disidentët e FARC-ut (grupi gueril i çmobilizuar zyrtarisht pas marrëveshjes së paqes të vitit 2016).

Petro lëshoi ​​një paralajmërim të drejtpërdrejtë për grupet e armatosura përgjegjëse, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të parlamentares dhe duke deklaruar se rrëmbimi përbën kalimin e një “vije të kuqe”.

The post Presidenti i Kolumbisë, denoncon: I shpëtova një atentati mbi helikopter! appeared first on Gazeta Si.

Qëndrimi i Ramës, Bardhi: Protestat nuk i ndal as gazi lotsjellës as dhuna policore

11 February 2026 at 11:13

Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e opozitës, duke e akuzuar atë për qasje autoritare dhe përdorim dhune për të mbajtur pushtetin.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi deklaroi se Rama sipas tij foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë, ndërsa shtoi se reagimi i forcave të policisë gjatë protestës reflektoi, sipas tij, frikën dhe panikun për humbjen e pushtetit.

“Qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku. Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit. Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset. Është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin”, shprehet Bardhi.

Ai theksoi se vendosmëria e qytetarëve dhe e opozitës nuk mund të shuhet përmes forcës dhe dhunës, teksa paralajmëroi vijimin e protestave.

“Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotsjellës, as me shkopinj gome. Protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin. Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron”, theksoi kreu i grupit parlamentar demokrat.

The post Qëndrimi i Ramës, Bardhi: Protestat nuk i ndal as gazi lotsjellës as dhuna policore appeared first on Gazeta Si.

Bizneset e Dhomës Amerikane të shqetësuara për problemet në e-Albania, kërkohen masa urgjente

11 February 2026 at 10:54

Nga Gazeta ‘SI’ – Bizneset anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham) janë shprehur të shqetësuara për problemet e vazhdueshme në platformën shtetërore e-Albania, duke ngritur alarmin për ndikimin e drejtpërdrejtë që ndërprerjet dhe vonesat kanë në aktivitetin e tyre të përditshëm.

Bizneser raportojnë se marrin shërbim të kufizuar në orare të ngarkuara dhe performancë të paparashikueshme, çka ka ndikuar në pamundësinë për të përmbushur detyrimet rregullatore, për t’u shërbyer klientëve dhe për të garantuar vijimësinë normale të operacioneve.

Në disa raste, ndërprerjet kanë detyruar kompanitë të shtyjnë transaksione, të vonojnë pagesa, apo të riorganizojnë burimet njerëzore për të përballuar situatat e krijuara. Kjo, sipas një deklaratë publike nga AmCham, sjell kosto shtesë financiare, rrit pasigurinë operacionale dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet me klientët dhe partnerët. Për bizneset që operojnë në sektorë të rregulluar, vonesat në aksesimin e shërbimeve digjitale mund të përkthehen edhe në rrezik për penalitete apo humbje kontratash.

AmCham thekson se sistemet digjitale qeveritare administrojnë të dhëna shumë sensitive dhe, në mungesë të auditimeve të rregullta, standardeve të forta sigurie dhe përditësimeve të vazhdueshme sipas praktikave ndërkombëtare, ekzistojnë rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë kombëtare.

Dhoma shpreh shqetësim edhe për proceset e prokurimit publik në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), duke theksuar se çdo mangësi në konkurrencën e ndershme dhe në vlerësimin teknik të ofertave mund të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë dhe sigurinë e sistemeve që mbajnë të dhëna kritike shtetërore dhe private.

Për këtë arsye, Dhoma i bën thirrje Qeverisë të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e pandërprerë, të qëndrueshëm dhe të besueshëm të e-Albania-s, veçanërisht për shërbimet që janë thelbësore për aktivitetin e biznesit dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore.

Ndër propozimet konkrete të AmCham janë: auditime periodike dhe të pavarura të IT-së dhe sigurisë kibernetike sipas standardeve ndërkombëtare; forcimi i mekanizmave të autorizimit dhe kontrollit të aksesit në përputhje me Direktivën NIS2 të BE-së; vendosja e standardeve minimale të disponueshmërisë dhe vazhdimësisë së shërbimit (SLA), përfshirë rikuperimin nga fatkeqësitë; përmirësimi i procedurave të prokurimit në sektorin TIK mbi bazë merite dhe kritere teknike; si dhe krijimi i mekanizmave të detyrueshëm për njoftimin në kohë reale të incidenteve dhe ndërprerjeve.

Në përfundim, AmCham shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet shqiptare, duke ofruar ekspertizë teknike dhe praktika më të mira ndërkombëtare, me qëllim rritjen e besueshmërisë së sistemeve digjitale, mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe forcimin e sigurisë ekonomike të vendit.

The post Bizneset e Dhomës Amerikane të shqetësuara për problemet në e-Albania, kërkohen masa urgjente appeared first on Gazeta Si.

Parlamenti Europian miraton përshpejtimin e deportimit të emigrantëve që u refuzohet azili

11 February 2026 at 10:48

Parlamenti Europian ka miratuar ndryshimet në rregulloren e procedurës së azilit të Bashkimit Europian (BE), të cilat do të mundësojnë përpunimin më të shpejtë të kërkesave për azil dhe kështu deportimin e emigrantëve, kërkesat e të cilëve refuzohen.

Sipas një deklarate nga Parlamenti Europian, legjislatura e BE-së miratoi me 408 vota pro, 184 kundër dhe 60 abstenime krijimin e një liste të vendeve të sigurta të origjinës.

Gjithashtu, anëtarët e Parlamentit Europian (EPE) miratuan me 396 vota pro, 226 kundër dhe 30 abstenime një marrëveshje mbi zbatimin e konceptit të vendit të tretë të sigurt.

Lista e re në të gjithë BE-në e vendeve të sigurta të origjinës do të përshpejtojë përpunimin e kërkesave për azil për shtetasit e këtyre vendeve: Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.

Komisioni Europian do të monitorojë situatën në vendet e listuara dhe ato kandidate dhe do të përgjigjet nëse rrethanat ndryshojnë. Ai mund të vendosë përkohësisht që një vend është i pasigurt, ose të propozojë heqjen e tij përgjithmonë nga lista e lartpërmendur.

Gjithashtu, shtetet anëtare të BE-së do të kenë mundësinë të caktojnë vende të tjera të sigurta të origjinës në nivel kombëtar.

The post Parlamenti Europian miraton përshpejtimin e deportimit të emigrantëve që u refuzohet azili appeared first on Gazeta Si.

Garancia sovrane për fermerët, Sejko: Që të jetë efektive, të koordinohen institucionet

11 February 2026 at 10:47

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e aksesit në financim për sektorin e bujqësisë dhe ndërmarrjet e vogla ishte fokusi një takimi midis qeverisë dhe sektorit bankar.

Në një takim me ministrin e Financave, Petrit Malaj, ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko nënvizoi se Skema e Garancisë Sovrane është konceptuar si një instrument plotësues, që kontribuon në përmirësimin e transmetimit të kreditimit drejt ekonomisë reale, duke ruajtur njëkohësisht parimet e menaxhimit të kujdesshëm të rrezikut dhe stabilitetin financiar.

Guvernatori evidentoi gjithashtu disa vëzhgime mbi zbatimin e Skemës, duke vlerësuar progresin e arritur deri tani, si dhe duke theksuar nevojën për adresimin e disa çështjeve operacionale, me qëllim rritjen e efektivitetit dhe përthithjes së saj. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet autoriteteve publike, sektorit bankar dhe institucioneve të tjera të përfshira, për të siguruar që Skema të vijojë të jetë në linjë me objektivat strategjikë të politikave financiare dhe të kontribuojë në një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të kreditimit.

Ministri Malaj theksoi se bujqësia mbetet prioritet strategjik, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit në tregun e përbashkët evropian, që kërkon rritje të produktivitetit dhe të vlerës së shtuar në zinxhirin prodhues. Sipas tij, Skema e Garancisë Sovrane shërben si një instrument për përshpejtimin e investimeve në sektor, ndërsa mbështetja do të vijojë edhe përmes skemës kombëtare të bujqësisë, paketës fiskale dhe rifillimit të IPARD III.

Nga ana e tij, ministri Salla bëri të ditur se pas një periudhe informimi dhe njohjeje me instrumentin, është shënuar rritje e interesit dhe e aplikimeve nga fermerët dhe bizneset agropërpunuese. Sipas tij, kjo tregon si nevojën për financim, ashtu edhe besimin në potencialin zhvillimor të sektorit.

Drejtuesit e sektorit bankar konfirmuan se, pas një periudhe njohjeje për sipërmarrësit dhe për bankat, muajt e fundit kanë treguar një gjallërim të skemës. Për më tepër, sipas të dhënave të brendshme, bankat konfirmojnë se, aktualisht, janë në proces vlerësimi një sërë aplikimesh.

Nga ana e sektorit bankar u ofruan disa opinione mbi ndërhyrje të ndryshme që mund të ndërmerren në të ardhmen, me synim rritjen e efikasitetit të përdorimit të skemave.

The post Garancia sovrane për fermerët, Sejko: Që të jetë efektive, të koordinohen institucionet appeared first on Gazeta Si.

❌
❌