Normal view

Loja e rrezikshme e rivalitetit global për inteligjencën artificiale

29 July 2025 at 09:39

Nga: Julian Gewirtz / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë një bisede telefonike me Donald Trumpin, disa ditë para inaugurimit të tij në vitin 2025, Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI-së, i tha presidentit të porsazgjedhur të ShBA-së se gjatë mandatit të tij do të arrijnë inteligjencën e përgjithshme artificiale [IPA/AGI] në nivel njerëzor. Altman e ka paraqitur këtë arritje si pjesë të një gare ekzistenciale për inteligjencën artificiale [IA/AI] midis ShBA-së dhe Kinës.

Dëshira për të fituar këtë garë shpjegon shumëçka nga veprimet e qeverisë amerikane – që nga kontrollet e eksportit ndaj Kinës të administratës Biden, te projekti gjigant i qendrës së të dhënave Stargate me vlerë prej 500 miliardë dollarësh, e deri te plani i veprimit të cilin Trumpi e publikoi javën e kaluar për të përshpejtuar zhvillimin e IA-së.

Të dy vendet po investojnë fuqishëm në këtë teknologji. Por, të paktën, në pamje të jashtme, duket se kanë qëllime të ndryshme. Përderisa udhëheqësit amerikanë e kanë prioritet zhvillimin e modeleve më inteligjente të mundshme, politikanët kinezë janë më të përqendruar në zbatimin e gjerë të IA-së.

Duke përdorur zhargonin e Luginës së Silikonit [Silicon Valley], Partia Komuniste Kineze [PKK] duket shumë më pak e “fiksuar pas IPA-së” sesa homologët e tyre amerikanë. Megjithëse laboratorët kryesorë kinezë, si DeepSeek, Zhipu dhe Stepfun shprehin ambicien për të arritur inteligjencën artificiale në nivel të aftësive njerëzore, zyrtarët më të lartë të qeverisë kineze pothuajse nuk e përmendin IPA-në.

Së pari, qeveria kineze nuk ka një term zyrtar që përmbledh saktësisht atë që Altman dhe të tjerët kuptojnë me IPA-n. Termi që përdoret në Kinë është tongyong rengong zhineng, përkthimi i saktë i të cilit është “inteligjencë artificiale me qëllim të përgjithshëm”. Kjo sugjeron një sistem të aplikuar në shumë fusha, jo domosdoshmërisht në inteligjencën në nivel njerëzor.

Gjithashtu, qeveria kineze nuk po ndërmerr hapa të dukshëm për të ndërtuar infrastrukturën fizike të nevojshme për IPA. Ka qenë e ngadaltë në ndërtimin e “superklasterëve” të çipave kompjuterikë që po ndërtohen nga kompanitë amerikane të teknologjisë së lartë.

Në vend të kësaj, Xi Jinping ka theksuar rëndësinë e aplikimit praktik të IA-së. Ai ka deklaruar vazhdimisht se sektori i IA-së në Kinë duhet të jetë “i orientuar fuqishëm drejt aplikimeve”. Nga robotika industriale deri te produktet si Manus, një agjent i avancuar i IA-së, kjo tashmë po bëhet realitet.

Megjithatë, Xi ka përqafuar haptazi qëllimin për të “arritur dhe tejkaluar” ShBA-në në shkencë dhe teknologji, përfshirë edhe IA-në. Atëherë, pse jo edhe me IPA-në?

Një shpjegim është se kontrollet amerikane të eksportit e kanë penguar seriozisht aftësinë e Kinës për të siguruar fuqinë e nevojshme llogaritëse për modelet e ardhshme të IA-së. Një tjetër mundësi është se zyrtarët kinezë mund ta shohin IPA-në si një koncept abstrakt dhe jo të afërt, duke preferuar të përqendrohen në qëllime më të prekshme. Nëse Lugina e Silikonit gabon dhe inteligjenca artificiale në nivel njerëzor mbetet ende e paarritshme, atëherë përqendrimi i Kinës në aplikime do të duket largpamës.

Megjithatë, ekziston një shpjegim i tretë, më shqetësues, për qasjen e Kinës: PKK-ja, e njohur për fshehtësinë e saj të përhershme, mund të jetë duke fshehur interesin e saj për IPA-n. Kjo nuk do të ishte një dukuri e re: Kina ka ndërmarrë ndërtimin më të madh të armëve bërthamore që nga Lufta e Ftohtë, por nuk e pranon publikisht përmasën e këtij zgjerimi. PKK-ja mund të ketë frikë nga një reagim më i ashpër i politikës amerikane nëse do ta shpallte haptazi interesin e saj për IPA-n.

Kjo do të thotë se, edhe nëse ShBA-ja dhe Kina duken sikur po zhvillojnë gara të ndryshme në fushën e IA-së, konkurrenca e drejtpërdrejt mbetet e ashpër. Qoftë nëse Xi dyshon te IPA, ndjehet i kufizuar, apo fsheh synimet e veta, ekziston një rrezik i madh nga të dyja palët për një “befasi teknologjike” – kur një rival fiton papritur një aftësi teknologjike, kjo mund të rrisë rrezikun e konfliktit.

Nëse afati i Altmanit është i saktë dhe ShBA-ja arrin shpejt IPA-në në nivel njerëzor, duke e befasuar Pekinin, atëherë Kina mund të frikësohet nga një humbje e pakthyeshme strategjike. Ajo mund të veprojë për ta rikuperuar këtë epërsi përmes një sërë mjetesh pushteti – duke përfshirë operacione të ofensivës kibernetike, shtrëngim ekonomik, presion diplomatik apo madje edhe forcë ushtarake.

Përndryshe, nëse udhëheqësit e Kinës po fshehin përpjekjet e tyre për IPA-në, atëherë ShBA-ja mund të përballet me një tronditje të pakëndshme dhe të ndërmarrë veprime për të rivendosur ekuilibrin.

Këta skenarë nxjerrin në pah një të vërtetë thelbësore strategjike: veçmas, si përshkallëzimi i rivalitetit ShBA-Kinë ashtu edhe shpërthimi i risive në API janë ngjarje që ndryshojnë botën. Por, së bashku, njëkohshmëria dhe ndërthurja e tyre krijojnë një rrezik të paprecedentë.

Përballë kësaj situate, politikanët anembanë botës janë të papërgatitur për të menaxhuar këto zhvillime të kombinuara strategjike dhe teknologjike. Shumë prej tyre e kanë të vështirë të qëndrojnë të përditësuar me zhvillimet në IA, e lëre më të përgatiten për pasojat e risive gjeopolitike. Por, që tani ata duhet të fillojnë me përgatitjet, për të zbutur këto rreziqe. Vitet që do vijnë do të jenë shumë më të rrezikshme sesa e kuptojnë shumica e investitorëve dhe vendimmarrësve të kësaj teknologjie. /Telegrafi/

The post Loja e rrezikshme e rivalitetit global për inteligjencën artificiale appeared first on Telegrafi.

Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale

18 July 2025 at 08:57

Nga: Robert Shrimsley / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë një dite të fundit të lirë për ministrat e kabinetit, Peter Kyle, sekretari për Shkencë dhe Teknologji [i Mbretërisë së Bashkuar], mbajti një prezantim mbi inteligjencën artificiale [IA], ku përfshiu edhe shembullin e një kompanie të njohur të shërbimeve financiare, që kishte pushuar mijëra punonjës nga puna – edhe pse të ardhurat e saj po rriteshin ndjeshëm.

Paralajmërimi i tij ishte se kjo prirje do të përsëritet gjerësisht. Edhe pse kursimet e tilla dhe rritja e produktivitetit do të mirëpriteshin në shërbimet publike, ndikimi i IA-së, në tregun e punës, po tërheq vëmendjen në nivelet më të larta të qeverisë. Morgan McSweeney, strategu dhe shefi i stafit të kryeministrit, foli me entuziazëm për librin Republika teknologjike [The Technological Republic] – një vepër me ton egoist, por me vlera, nga drejtori ekzekutiv dhe këshilltari ligjor i Palantir-it. Libri argumenton se IA-ja duhet të lidhet me nevojat kombëtare, duke shprehur shqetësimin se shumë nga pionierët e industrisë udhëhiqen më shumë nga interesat personale teknologjike dhe financiare, sesa nga ato shoqërore.

Figurat e larta në qeveri e krahasojnë ndikimin e mundshëm të IA-së me revolucionin e parë industrial. Megjithatë, ka shumë të panjohura për ta pranuar pa rezerva këtë paralelizëm. Vlerësimet për ndikimin e IA-së në punësim, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, dhe rrallë janë optimiste. Një sondazh i fundit tregoi se pozicionet e shpallura për të diplomuarit, në Mbretërinë e Bashkuar, ishin 33 për qind më pak krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse ndikonin edhe faktorë të tjerë.

Përballë kësaj pasigurie, shpesh është më e thjeshtë të përqendrohesh te problemet e menjëhershme, si p.sh. ta vendosësh Mbretërinë e Bashkuar në anën e duhur të revolucionit të IA-së. Ministrat flasin për përparimet në shëndetësi, mbrojtje dhe arsim, si dhe për ekspertizën e kërkimit shkencor dhe të universiteteve britanike. Kyle po shqyrton gjithashtu si mund të shfrytëzohet pasuria e të dhënave, nga shërbimet publike, për të siguruar që përfitimet të mbeten në Britani.

Megjithatë, ia vlen të merret parasysh analogjia me revolucionin industrial, edhe nëse është e papërsosur. Gjatë disa dekadave, shoqëria u transformua rrënjësisht duke çuar në krijimin e një klase industriale punëtore; në një sërë reformash sociale, industriale dhe arsimore; në zgjerimin e së drejtës së votës për popullsinë e rritur; dhe, në zëvendësimin e liberalëve me një forcë të re – laburistët. Ndoshta më me rëndësi, u formua një klasë e mesme që po rritej e që u bë shtylla kurrizore e demokracisë liberale dhe kapitalizmit.

Nuk është e nevojshme ta pranosh plotësisht këtë krahasim, për të kuptuar ndikimin e thellë që do të ketë këtë herë mbi politikën demokratike. Filizat e parë të populizmit mund të gjurmohen që në zhvendosjen nga industria e rëndë, duke çuar në rënien e qyteteve dhe komuniteteve dikur krenare për prodhimin industrial. Kjo gjithashtu e ka përshpejtuar ndryshimin e laburistëve nga roli tradicional si partia e klasës së sindikalizuar punëtore.

Të gjithë mund të shohin se një tronditje po afrohet, por dimë shumë pak për natyrën e saj. Një studim qeveritar i vitit 2023 identifikoi punët më të ekspozuara ndaj IA-së. Tani është duke u zhvilluar një analizë e re e gjerë brenda të gjitha departamenteve qeveritare.

Një rënie e qëndrueshme e punësimit në profesionet fitimprurëse mund të ketë pasoja të gjera politike. Duke hartuar profesionet në rrezik, sipas zonave elektorale, anketuesi James Kanagasooriam vëren se ndikimet më të mëdha do të ndihen në zonat e pasura jugore. Kjo perspektivë – ku punonjësit me kostum janë në rrezik, ndërsa vendet për punë fizike janë më të sigurta – përmbys ndikimet e mëparshme të revolucioneve industriale dhe mund të krijojë një klasë të re humbësve ekonomikë.

Pasojat mund të përfshijnë përqendrime më ekstreme të pasurisë, më pak vende pune me paga të mira dhe ndryshime në madhësinë dhe strukturën e bazës tatimore. Studentët mund të shmangin marrjen e borxheve të mëdha për diplomat që ofrojnë të ardhura të ulëta. Ideja e një brezi të tradhtuar do të përhapet gjithnjë e më shumë. Çfarë mund të kërkojnë votuesit në terma mbrojtjeje – dhe si do të financohet ajo?

Në versionin më dramatik të parashikimeve, ky ndryshim mund të zvogëlojë klasën e mesme që ka ofruar stabilitet politik, duke zgjeruar grupin e njerëzve me pasuri dhe ndjesi përkatësie ndaj shoqërisë, e të cilët ndihen të përfaqësuar nga sistemi dhe establishmenti. Si do ta riorientonte ky ndryshim demografik politikën partiake?

Mjafton të shikosh rritjen aktuale të partive populiste, për të parë se si ndryshon politika kur zhduket kënaqësia e përbashkët – dhe kjo ndodhi para ardhjes së IA-së. E djathta tradicionale tashmë është përçarë, dhe e majta po pëson erozion. Konservatorët nuk janë më partia e të kënaqurve, dhe partia Reform UK e Nigel Farageit përqafon politikat e majta ekonomike. Ekziston një grup që po kërkon zgjidhje alternative dhe po humb besimin te shteti. Tani, imagjinoni që vetë votuesit e establishmentit – ata që nuk janë mësuar të humbasin – të kalojnë në rreshtin e të pakënaqurve.

Laburistët kanë vendosur të jenë entuziastë për IA-në, gjë që ndoshta është vendim i mençur, pasi ludizmi [lëvizja e dikurshme kundër teknologjisë] rrallë funksionon. Por, ata duhet gjithashtu të ofrojnë përgjigje për mënyrën se si të mbrojnë elektoratin nga ky tranzicion teknologjik dhe më tej.

Sfida nuk kufizohet vetëm te punët. Përparimet në të dhëna, analizë imazhesh dhe mbikëqyrje do t’i vënë udhëheqësit gjithnjë e më shumë përballë kompromiseve midis lirive civile dhe rendit publik. Dhe, teknologjia po depërton në vetë demokracinë – jo vetëm përmes përmbajtjes së rreme. Një sondazh i brendshëm i Laburistëve zbuloi se një në katër votues kishte përdorur ChatGPT-në për informacion gjatë zgjedhjeve të fundit.

Mund të ndodhë që alarmi të jetë i tepruar, dhe se IA-ja do të krijojë vende të reja pune teksa zhduk të tjerat – megjithatë, ritmi i ndryshimit është vetë thelbi i sfidës.

Por, ndryshimet e mëdha gjithmonë reflektohen në politikë. Po sikur revolta e ardhshme të vijë nga vetë establishmenti liberal? Kur fitimtarët, mbi të cilët mbështeten strukturat e shoqërisë dhe demokracisë, bëhen humbës, atëherë siguritë e vjetra mund të zhduken shumë shpejt. /Telegrafi/

The post Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale appeared first on Telegrafi.

Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore

16 July 2025 at 10:48

Nga: Lanre Bakare / The Guardian (titulli: An AI-generated band got 1m plays on Spotify. Now music insiders say listeners should be warned)
Përkthimi: Telegrafi.com

Ata u bënë viralë, duke pasur, brenda pak javësh, më shumë se një milion dëgjime në Spotify, por më vonë doli në pah se grupi i ri, The Velvet Sundown, ishte i krijuar nga inteligjenca artificiale [IA] – që nga muzika e tyre, imazhet promovuese deri te historia e tyre fiktive.

Ky episod ka nxitur një debat rreth autenticitetit, me ekspertë të industrisë muzikore që thonë se platformat e transmetimit, si Spotify, duhet të jenë ligjërisht të detyruara të etiketojnë muzikën e krijuar nga artistët e gjeneruar nga IA-ja, në mënyrë që dëgjuesit të marrin vendime të informuara mbi atë që po dëgjojnë.

Fillimisht, “grupi” i përshkruar si “një projekt sintetik muzikor i udhëhequr nga drejtimi krijues njerëzor”, mohoi se ishte një krijim i IA-së dhe publikoi dy albume në qershor, me titujt Floating On Echoes dhe Dust And Silence, me një tingull të ngjashëm me folk-kantrin e trupës Crosby, Stills, Nash & Young.

Situata u bë më e ndërlikuar kur një person që e përshkroi veten si një “anëtar ndihmës”, u tha gazetarëve se The Velvet Sundown kishin përdorur platformën gjenerative të IA-së, Suno, për krijimin e këngëve të tyre dhe se projekti ishte një “mashtrim artistik”.

Kanalet zyrtare të grupit, në rrjetet sociale, e mohuan këtë dhe deklaruan se identiteti i grupit është “thyer”, përpara se të lëshonin një deklaratë që konfirmonte se grupi ishte një krijim i IA-së dhe se ishte “as plotësisht njeri; as plotësisht makinë”, por se ekzistonte “diku në mes”.

Disa persona i thanë Guardian-it se situata aktuale, ku platformat e transmetimit, përfshirë Spotify-n, nuk kanë asnjë detyrim ligjor për të identifikuar muzikën e krijuar nga IA-ja, lë dëgjuesit të pavetëdijshëm për origjinën e këngëve që dëgjojnë.

Roberto Neri, drejtori ekzekutiv i Ivors Academy, ka thënë: “Grupet e krijuara nga IA-ja, si Velvet Sundown, të cilat arrijnë audienca të mëdha pa përfshirë krijues njerëzorë, ngrenë shqetësime serioze për transparencën, autorësinë dhe pëlqimin”.

Neri shtoi se, nëse “përdoret në mënyrë etike”, IA-ja ka potencialin të përmirësojë krijimtarinë muzikore, por theksoi se organizata që ai përfaqëson brengoset për ato që ai i quajti “çështje thellësisht shqetësuese” në lidhje me përdorimin e IA-së në muzikë.

Sophie Jones, drejtuese e strategjisë në Shoqatën Britanike të Industrisë Fonografike (BPI), mbështeti thirrjet për etiketim të qartë. “Ne besojmë se IA-ja duhet të përdoret për të mbështetur krijimtarinë njerëzore, jo për ta zëvendësuar atë”, tha Jones.

“Për këtë arsye, ne po i bëjmë thirrje qeverisë britanike të mbrojë të drejtën e autorit dhe të vendosë detyrime të reja për transparencë ndaj kompanive të IA-së, në mënyrë që të drejtat muzikore të mund të licencohen dhe zbatohen, si dhe të kërkohet etiketimi i qartë i përmbajtjes tërësisht të krijuar nga IA-ja”.

Liz Pelly, autore e librit Mood Machine: The Rise of Spotify and the Costs of the Perfect Playlist, tha se artistët e pavarur mund të shfrytëzohen nga personat që qëndrojnë prapa pas grupeve muzikore të krijuara me IA, të cilët mund të prodhojnë këngë të trajnuara me muzikën e tyre.

Ajo përmendi rastin e vitit 2023 kur një këngë u ngarkua në TikTok, Spotify dhe YouTube, duke përdorur zëra të gjeneruar nga IA-ja që pretendonin të ishin The Weeknd dhe Drake. Universal Music Group deklaroi se kënga ishte “përmbajtje keqpërdoruese e krijuar me IA gjeneruese” dhe u hoq pak pasi ishte publikuar.

Nuk dihet me siguri se me çfarë muzike janë trajnuar albumet e Velvet Sundown dhe kritikët thonë se kjo mungesë transparence mund të nënkuptojë se artistët e pavarur po humbasin të drejtën për kompensim.

Pelly tha: “Duhet të sigurohemi që nuk janë vetëm yjet e muzikës pop ata që mbrohen – të gjithë artistët duhet të kenë mundësinë të dinë nëse vepra e tyre është shfrytëzuar në këtë mënyrë”.

Për disa, shfaqja e grupit Velvet Sundown shihet si hapi logjik i radhës teksa muzika dhe IA-ja po kombinohen, ndërkohë që legjislacioni po përpiqet të ecën në hap me këtë ekosistem muzikor që po ndryshon me shpejtësi.

Jones tha: “Rritja e grupeve dhe muzikës së gjeneruar nga IA-ja, që futet në treg, tregon se kompanitë teknologjike kanë trajnuar modelet e tyre duke përdorur vepra krijuese – në shumicën e rasteve pa autorizim apo pagesë për krijuesit dhe mbajtësit e të drejtave – me qëllim që të konkurrojnë drejtpërdrejt me artin njerëzor”.

Neri shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka një mundësi për të udhëhequr botën në adoptimin etik të IA-së në muzikë, por theksoi se nevojitet një kuadër i fortë ligjor që “garanton pëlqimin dhe shpërblimin e drejtë për krijuesit, si dhe një etiketim të qartë për dëgjuesit”.

“Pa këto masa mbrojtëse, IA-ja rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime të transmetimit dixhital, ku teknologjia përfiton dhe krijuesit muzikorë lihen pas dore”, shtoi ai.

Aurélien Hérault, drejtori i inovacionit në shërbimin e transmetimit muzikor Deezer, tha se kompania përdor softuer zbulues që identifikon dhe etiketon këngët e krijuara nga IA-ja.

Ai tha: “Për momentin, mendoj se platformat duhet të jenë transparente dhe të përpiqen të informojnë përdoruesit. Për një periudhë kohe, në atë që unë e quaj ‘natyralizimi i IA-së’, ne duhet të njoftojmë qartë përdoruesit se kur është përdorur apo nuk është përdorur IA-ja”.

Hérault nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen do të hiqet etiketimi i muzikës së krijuar nga IA-ja, nëse kjo muzikë bëhet më e popullarizuar dhe muzikantët fillojnë ta përdorin si një “instrument” tjetër.

Deezer i tha së fundmi gazetës Guardian se deri në shtatë nga dhjetë dëgjime të muzikës së gjeneruar nga IA-ja, në platformën e tyre, janë mashtruese.

Aktualisht, Spotify nuk e etiketon muzikën si të gjeneruar nga IA-ja dhe është kritikuar më parë për përfshirjen në disa lista dëgjimi të muzikës së realizuar nga “artistë fantazmë” – projekte fiktive që prodhojnë muzikë nga copëzat.

Një zëdhënës i kompanisë tha se Spotify nuk i jep përparësi muzikës së krijuar nga IA. “E gjithë muzika në Spotify, përfshirë atë të gjeneruar nga IA-ja, krijohet, zotërohet dhe ngarkohet nga palë të treta të licencuara”. /Telegrafi/

 

The post Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore appeared first on Telegrafi.

Eminem-i, IA-ja dhe unë: Pse artistët kanë nevojë për ligje të reja në epokën digjitale?

3 July 2025 at 10:34

Nga: Alexander Hurst / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në 74 833 fjalët e një libri që po shkruaj, ka gjashtë fjalë të cilat, kur bashkohen në një sekuencë të caktuar prej 12 fjalësh, unë nuk mund t’i përdor. Është një varg i vetëm nga kënga Bloodbuzz Ohio nga grupi The National, i cili thotë: Unë ende kam borxh për paratë, për paratë që i kam borxh.

Libri im është një kujtesë personale për ndikimin psikologjik të asaj që unë e quaj “kapitalizëm i dëshpërimit”, sidomos te brezi i milenialëve, dhe se si kjo i ka shtyrë dhjetëra miliona njerëz të përpiqen të dalin nga pasiguria financiare duke u përfshirë në veprimtari me rrezik të lartë financiar. Historia tregohet përmes përvojës sime personale, teksa për 11 muaj radhazi i shndërrova disa mijëra dollarë në më shumë se 1.2 milion, dhe pastaj për 18 muaj të tjerë ndoqa humbjet derisa përfundova me zero. Në fakt, më keq se zero sepse në fund ia kisha borxh  qeverisë amerikane pothuajse 100 mijë dollarë taksa për fitimet “fantazmë” që nuk ekzistonin më.

Ja ku do të përshtatej në mënyrë të përsosur ai varg nga grupi The National, si një epigraf – por, vetëm në teori. Botuesi më informoi se tekstet e këngëve janë subjekt i një zbatimi famëkeq të rreptë të së drejtës së autorit dhe çmimi për të blerë të drejtat është shpesh astronomik. Pra, as mos e çoni ndër mend të citoni Eminem-in për të treguar se si kënga Lose Yourself depërtoi në psikikën e një brezi, kur ai tha: Ke vetëm një shans, mos e humb shansin për të dështuar, kjo mundësi vjen një herë në jetë.  

Por, sikur të isha një kompani e inteligjensës artificiale [IA] me një model të madh gjuhësor (LLM), gjithçka do të ishte ndryshe. Do të mund të grumbulloja pa problem gjithë diskografinë e grupit The National dhe të Eminem-it, dhe tekstet e çdo kënge tjetër të shkruar. Pastaj, kur një përdorues do të kërkonte diçka si: “Shkruaj një tekst rep në stilin e Eminem-it për humbjen e parave, duke u frymëzuar nga Bloodbuzz Ohio i grupit The National”, programi im i lidhjes së fjalëve – me qindra miliona klientë që paguajnë dhe një kapital tregu që vlen dhjetëra nëse jo qindra miliarda dollarë – do të mund të përgjigjej:

Unë ende kam borxh për paratë, për paratë që i kam borxh
Por, unë nxjerr ar nga fyti kur pluskoj,
Prandaj, shko thuaj bankës se mund të marrë çfarë të dojë
Unë tashmë shpirtin e lash në mikrofon.

Dhe, kjo, sipas vendimeve të muajit të kaluar nga gjykatat amerikane, është në njëfarë mënyre “përdorim i drejtë” [fair use] dhe çuditërisht nuk përbën shkelje të së drejtës së autorit – edhe pse nuk i është paguar asnjë qindarkë askujt në këtë proces.

Unë nuk jam as jurist i të drejtës së autorit, as gjyqtar. Jam i sigurt se të dy ata kanë përgjigje të detajuara dhe teknike – si për shembull se ka një kuadër të ndryshëm ligjor për përdorimin e drejtë në trajnimin e IA-së kundrejt riprodhimit të drejtpërdrejtë. Por, le të lëmë mënjanë për një çast të gjitha këto çështje teknike. A po respektohet me të vërtetë fryma e ligjit për të drejtën e autorit – ai ligj që më ndalon mua të citoj një varg të vetëm 12 fjalësh nga grupi The National në një libër, por i lejon ChatGPT-së ta riprodhojë fjalë për fjalë si pjesë e një “këngë” të re të gjeneruar në çast të vetëm?

Apo është thjesht fjala për pushtet? A do të thotë kjo që Eight Mile Style, kompania diskografike e Eminem-it mund të më shkatërrojë mua për ta cituar në një libër, vetëm sepse unë jam i vogël në krahasim me të, ndërsa Meta mund ta përmbytë Eight Mile Style-n që është po aq i vogël në krahasim me të, me ekipe avokatësh dhe me vite të tëra vonesash?

(Duhet të theksoj se Eight Mile Style ka paditur vetë Meta-n për shkelje të së drejtës së autorit, duke pretenduar se ky është “një tjetër rast i një kompanie me vlerë prej trilion dollarësh (me ‘T’) që shfrytëzon përfitimet krijuese të artistëve muzikorë për përfitime të turpshme monetare të drejtuesve dhe aksionarëve të saj, pa licencë dhe pa respekt për të drejtat e zotëruesve të pronës intelektuale”. Fort mirë! Shpresoj të fitojnë.)

E paramendoj që një ekspert i së drejtës së autorit do të më thoshte se ajo që bën ChatGPT është e ngjashme me dikë që shkruan me dorë disa vargje nga The National apo të Eminem-it, në një fletore personale; se nëse ndonjëherë do ta incizoja dhe shisja këtë këngë të krijuar nga AI-ja, që citon drejtpërdrejt prej tyre, atëherë do të isha fajtor për shkelje të materialit të mbrojtur. Por, kur bëhet fjalë për modelet e mëdha gjuhësore, vetë përmbajtja e prodhuar është produkti.

LLM-të nuk “mendojnë” për atë që prodhojnë. Ato nuk mësojnë, nuk transformojnë dhe nuk janë krijuese në asnjë kuptim të vërtetë të fjalës. Ato identifikojnë marrëdhëniet komplekse (dhe shumë pak kuptojnë) midis fjalëve dhe grupeve të fjalëve, brenda sasive të mëdha të tekstit, bazuar në të dhënat masive të trajnimit (ose, për mua personalisht, ajo që duket si një vjedhje me shumicë e pothuajse gjithë historisë së krijimtarisë letrare dhe artistike të njerëzimit) për të gjeneruar përgjigje që janë mjaftueshëm të mira për të na mashtruar duke menduar se një lloj ndërgjegjeje ka qenë e përfshirë aty.

Ky nuk është një shpërthim emocional për faktin që nuk mund të përdor një varg kënge në librin tim të ardhshëm. Nëse ky është standardi ligjor, atëherë ai është standardi (për shembull, doktrina e përdorimit të drejtë për median e lajmeve është ndryshe). Por, le të jetë të paktën i njëjti standard për të gjithë.

Ka dallim midis asaj që është ligj dhe asaj se si ligji duhet të jetë. A janë vendimet që sapo janë marrë për shkrimtarët në rastet kundër Meta-s dhe Anthropic-ut – një tjetër akter i madh në industrinë e IA-së – në të mirë të krijimtarisë njerëzore? Apo po rrëshqasim drejt një bote ku jo vetëm që kapitali sundon, por edhe ku “inteligjencat” e rreme dhe fitimprurëse përballen me më pak kufizime, sesa vetë njerëzit, mbi mënyrën se si përdorin materialin njerëzor?

Vazhdojmë të dëgjojmë nga themeluesit dhe ekspertët e IA-së se sa revolucionare janë produktet e tyre. Për mënyrën se si IA-ja dhe agjentët e saj do të trazojnë çdo gjë në mënyrë të pakthyeshme. Atëherë ndoshta IA-ja duhet të trazojë edhe ligjin. Nëse ligji po prodhon situata që janë teknikisht të sakta, por të padrejta, të padëshiruara dhe që kërcënojnë vetë ekzistencën e shkrimtarëve, muzikantëve dhe artistëve – profesione jetësore të cilat, në shumicën e rasteve, nuk kanë ndjekur kurrë ndonjë logjikë ekonomike – atëherë ne duhet ta ndryshojmë ligjin. /Telegrafi/

The post Eminem-i, IA-ja dhe unë: Pse artistët kanë nevojë për ligje të reja në epokën digjitale? appeared first on Telegrafi.

Sa vlen mbështetja buxhetore për Mira Muratin?

30 May 2025 at 10:58

Fatos Çoçoli

Më 29 prill 2025, me një akt normativ të pashoq, qeveria [e Shqipërisë] miratoi financimin me një miliard lekë, ose 10 milionë dollarë, të një kompanie të re ndërkombëtare në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale, me themeluese shkencëtaren e talentuar shqiptare me famë botërore, Mira Murati.

Në shtator të vitit të kaluar, Mira la papritur punën e saj si drejtoreshë e teknologjisë në gjigandin e inteligjencës artificiale, “OpenAI” – që ofron shërbimet e “ChatGPT”-së, shërbimet të cilat sot, në një fazë më të avancuar të tyre, ofrohen kundrejt pagesës. Më 18 shkurt 2025, shqiptarja njoftoi se është bërë drejtore ekzekutive e një korporate të re për përfitim publik, të quajtur “Laboratori i makinave që mendojnë” (në anglisht, Thinking Machines Lab). Sipas mediave, ajo ka arritur të mbledhë rreth dy miliardë dollarë, si fond fillestar për startapin (nismë inovative) e saj.

Zonja Murati tha se misioni i saj është të zhvillojë inteligjencën artificiale të nivelit të lartë, me synimin për ta bërë atë të dobishme dhe të arritshme për të gjithë qytetarët. Mira beson se ekziston një hendek serioz midis inteligjencës artificiale që përparon me shpejtësi dhe kuptimit të publikut për teknologjinë e re që mbart kjo inteligjencë. Sipas saj, edhe shkencëtarët e sofistikuar nuk kanë një kuptim të qartë të aftësive dhe kufizimeve të inteligjencës artificiale. Nisma e saj e re “Thinking Machines Lab” planifikon ta mbushë këtë boshllëk, duke ndërtuar qasjen e qytetarëve të thjeshtë që nga fillimi, në mënyrë që kjo teknologji dhe produktet e saj të mos ngelen të pakuptuara dhe të largëta për qytetarët.

Ajo premton ta ndajë punën e saj me të gjithë, duke publikuar falas shënime teknike, punime dhe kod aktual. Sipas relacionit që shoqëron këtë akt normativ në faqen në internet të Kuvendit të Shqipërisë, dhënia e 10 milionë dollarëve financim argumentohet me rëndësinë strategjike të futjes së Shqipërisë në botën e teknologjisë së inteligjencës artificiale, me leverdi financiare në të ardhmen për vendin. Futja e Shqipërisë në sipërmarrjen e re të shkencëtares Mira Murati, pa dyshim premton të tërheqë investitorë ndërkombëtarë edhe në Shqipëri, si dhe ta pozicionojë vendin tonë si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale. Përbën një investim në të ardhmen e afërt për të gjithë ne.

Financimi pritet të miratohet nga Kuvendi, në rinisje të punimeve të tij, të ndërprera për shkak të zgjedhjeve të 11 majit. Investimi do të bëhet nëpërmjet Korporatës së Investimeve dhe parashikohet që efekti financiar të mbulohet nga rritja në të njëjtën masë prej një miliard lekësh e të ardhurave jotatimore në zërin “Të ardhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara”, sidomos ndaj krimit të organizuar, që vijnë nga aktiviteti i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). “Thinking Machines Lab” është tashmë shndërruar në një kompani kërkimore dhe produktesh për inteligjencën artificiale, me synimin për t’i bërë sistemet e Inteligjencës Artificiale më të kuptueshme dhe të përdorshme për njerëzit. Nisma e Muratit ka tërhequr një ekip mbresëlënës studiuesish dhe shkencëtarësh, shumë prej të cilëve kanë aktivitet të mëparshëm në gjigandin “OpenAI” në CV-të e veta. Ata përfshijnë, ndër të tjerë, edhe ish-zëvendëspresidentin e kërkimit shkencor tek “OpenAI”, i cili tani është drejtor teknologjik në “Thinking Machines Lab”.

Shkencëtari kryesor i laboratorit do të jetë John Schulman, një shpikës kyç i “ChatGPT”-së, i cili u largua nga kompania “OpenAI” verën e kaluar. Shkencëtarë të tjerë po ashtu shumë cilësorë vijnë edhe nga konkurrentë, si kompanitë “Google” dhe “Mistral AI”. Ekipi i ri i zonjës Murati u zhvendos në një zyrë në San Francisko në fund të vitit të kaluar dhe tashmë ka filluar punën në një numër projektesh. Mira tregon se produktet e kompanisë së saj “Thinking Machines Lab” nuk do të jenë imitime të “ChatGPT” ose “Claude”, por modele të inteligjencës artificiale, që optimizojnë bashkëpunimin midis njerëzve, sidomos qytetarëve të thjeshtë dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale.

Kontributi financiar i buxhetit të shtetit të shqiptarëve të Shqipërisë, për një shqiptare të talentuar që përfaqëson të sotmen dhe të ardhmen e teknologjisë që po ndryshon botën, edhe pse modest, do ta shlyejë veten në shumëfisha në të ardhmen. Për këtë duhet të jemi të ndërgjegjësuar të gjithë. E ardhmja për fëmijët tanë edhe në Shqipëri, i takon përdorimit masiv dhe me zgjuarsi të inteligjencës artificiale në çdo fushë të ekonomisë dhe jetës.

 

 

The post Sa vlen mbështetja buxhetore për Mira Muratin? appeared first on Telegrafi.

Modelet gjenerative të IA-së janë të afta në artin e broçkullave

23 May 2025 at 13:32

Modelet e mëdha gjuhësore nuk shqetësohen për të vërtetën, sepse nuk kanë asnjë koncept për të – dhe pikërisht këtu qëndron rreziku.

Nga: John Thornhill /  The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Sipas filozofit Harry Frankfurt, gënjeshtrat nuk janë armiku më i madh i së vërtetës. Broçkullat janë edhe më të këqija.

Siç e shpjegoi ai në eseun e tij klasik Për broçkulla [On Bullshit, 1986], një gënjeshtar dhe një njeri që thotë të vërtetën janë duke luajtur të njëjtën lojë, por në anë të kundërta. Secili reagon ndaj fakteve sipas mënyrës si i kupton ato dhe ose e pranon ose e refuzon autoritetin e së vërtetës. Por, ai që flet broçkulla injoron krejtësisht këto kërkesa. “Ai nuk e refuzon autoritetin e së vërtetës, siç bën gënjeshtari, dhe nuk i kundërvihet asaj. Ai thjesht nuk i kushton asnjë vëmendje. Për këtë arsye, broçkullat janë armiku më i madh i së vërtetës sesa gënjeshtrat”. Një person i tillë dëshiron të bindë të tjerët, pavarësisht nga faktet.

Fatkeqësisht, Frankfurti vdiq në vitin 2023, vetëm disa muaj pas lëshimit të ChatGPT-së. Por, leximi i esesë së tij në epokën e inteligjencës gjenerative artificiale [IA] ngjall një ndjesi të njohur, por shqetësuese. Në disa aspekte, eseja e Frankfurtit përshkruan saktësisht produktin e modeleve të mëdha gjuhësore [LMM] me inteligjencë artificiale. Ato nuk shqetësohen për të vërtetën, sepse nuk kanë asnjë koncept për të. Ato funksionojnë mbi bazën e korrelacioneve statistikore, jo përmes vëzhgimeve empirike.

“Forca e tyre më e madhe, por edhe rreziku më i madh, është aftësia për të tingëlluar autoritare për pothuajse çdo temë, pavarësisht nga saktësia faktike. Me fjalë të tjera, superfuqia e tyre është aftësia mbinjerëzore për të treguar broçkulla”, kanë shkruar Carl Bergstrom dhe Jevin West. Dy profesorët nga Universiteti i Uashingtonit ofrojnë një kurs në internet – Orakujt modernë apo makinat e broçkullave? [Modern-Day Oracles or Bullshit Machines?] – që analizon këto modele. Të tjerë i kanë quajtur produktet e këtyre makinave “botçkulla” [botshit].

Një nga tiparet më të njohura dhe shqetësuese, por ndonjëherë edhe kreative të LLM-ve, është “halucinimi” i fakteve – ose thjesht shpikja e tyre. Disa studiues argumentojnë se kjo është një veçori e brendshme e modeleve të probabilitetit, jo defekt që mund të rregullohet. Por, kompanitë e IA-së po përpiqen ta zgjidhin këtë problem duke përmirësuar cilësinë e të dhënave, duke i përshtatur më mirë modelet dhe duke ndërtuar sisteme verifikimi dhe kontrolli faktesh.

Megjithatë, duket se kanë ende rrugë për të bërë, duke marrë parasysh se një avokat i kompanisë Anthropic i tha një gjykate në Kaliforni, këtë muaj, se firma e tyre ligjore kishte dorëzuar pa dashje një citim të gabuar, të halucinuar nga Claude – modeli i IA-së i kompanisë. Siç paralajmëron edhe çetboti i Google-it: “Gemini mund të bëjë gabime, përfshirë ato në lidhje me njerëzit, ndaj verifikoni dy herë”. Kjo nuk e ndaloi Google-in që këtë javë të prezantonte një “modalitet të IA-së” në të gjitha shërbimet e saj kryesore në ShBA.

Mënyrat me të cilat këto kompani po përpiqen të përmirësojnë modelet e tyre, përfshirë mësimin përforcues nga reagimet dhe informatat e njerëzve, paraqesin rrezik për futjen e paragjykimeve, shtrembërimeve dhe gjykimeve të pavetëdijshme të vlerave. Siç ka treguar Financial Times, çetbotët e IA-së nga OpenAI, Anthropic, Google, Meta, xAI dhe DeepSeek përshkruajnë cilësitë e drejtorëve të tyre ekzekutivë dhe të rivalëve në mënyra shumë të ndryshme. Grok-u i Elon Muskut gjithashtu ka promovuar meme për “gjenocidin e bardhë” në Afrikën e Jugut, në përgjigje të shtytjeve krejtësisht të palidhura. xAI tha se e kishte rregulluar problemin, për të cilin fajin e kishte një “modifikim i paautorizuar”.

Këto modele krijojnë një kategori të re, edhe më të rrezikshme për dëm të mundshëm – ose “të folurit e pakujdesshëm”, thonë Sandra Wachter, Brent Mittelstadt dhe Chris Russell, në një punim të Institutit të Internetit në Oksford. Sipas tyre, të folurit pakujdesshëm mund të shkaktojë dëme të pakapshme, afatgjata dhe kumulative. Është si një “broçkull e padukshme” që e bën shoqërinë më të pamend, thotë Wachter.

Të paktën me një politikan apo një shitës, ne zakonisht mund të kuptojmë motivimin e tyre. Por, çetbotët nuk kanë qëllim dhe ata janë të përshtatur për besueshmëri dhe angazhim, jo për saktësi. Ata do të shpikin fakte pa asnjë qëllim. Ata mund ta ndotin bazën e njohurive të njerëzimit në mënyra të paimagjinueshme.

Pyetja interesante është nëse modelet e IA-së mund të projektohen për një nivel më të lartë të vërtetësisë. A do të ketë kërkesë nga tregu për to? Apo zhvilluesit e modeleve duhet të detyrohen të përmbushin standarde më të larta të së vërtetës, siç për shembull ndodh me reklamuesit, avokatët dhe mjekët? Wachter sugjeron se zhvillimi i modeleve më të vërteta do të kërkonte kohë, para dhe burime – pikërisht gjërat për të cilat versionet aktuale janë krijuar për të kursyer. “Është si të duash që një makinë të jetë aeroplan. Mund ta hedhësh makinën nga shkëmbi, por nuk do të sfidojë gravitetin”, thotë ajo.

Megjithatë, modelet gjenerative të AI-së mund të jenë ende të dobishme dhe me vlerë. Shumë karriera fitimprurëse – dhe politike – janë ndërtuar mbi broçkulla. Nëse përdoren në mënyrë të përshtatshme, IA-ja gjenerative mund të shfrytëzohet për një mori rastesh përdorimi në biznes. Por, është mashtruese dhe e rrezikshme të ngatërrosh këto modele me makina të së vërtetës. /Telegrafi/

 

The post Modelet gjenerative të IA-së janë të afta në artin e broçkullave appeared first on Telegrafi.

Çfarë mund të bëjnë punëtorët nëse shkarkohen nga Inteligjenca Artificiale?

15 April 2025 at 10:36

Nga: Sarah O’Connor / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Një ditë, në muajin e kaluar, një burrë me mjekër të bardhë të rregulluar qëndronte në trotuarin përpara selisë qendrore të Uber-it në Londër. Ai mbante një dosje transparente plastike që përmbante një grumbull letrash, email-esh të printuara dhe një hartë të vizatuar me dorë e të shënuar me kujdes.

Ghulam Qadir u “çaktivizua” nga Uber-i në vitin 2018 pas asaj që ai e përshkroi si një keqkuptim lidhur me një pasagjere që pagoi me para në dorë kur aplikacioni e kishte anuluar udhëtimin e saj. Ai përpiqej t’i shpjegonte Uber-it se çfarë kishte ndodhur (prandaj është harta), por tha se askush nuk e dëgjoi. Madje, në rast u përfshi edhe deputeti që përfaqësonte atë. Të drejtohesh te deputeti yt, duket se është bërë një version i shoferëve të Uber-it për të shtypur vazhdimisht butonin zero gjatë një telefonate për shërbim ndaj klientit, kur thjesht do të flasësh me një njeri. Qadiri mendonte se kjo ishte absurde. “Parlamenti duhet të merret me çështje e botës dhe jo me problemet e mia personale”, tha ai.

Lexo po ashtu nga Sarah O’Connor:
Të mos i nënvlerësojmë njerëzit si “humbës të IA-së”
Konceptet e reja të Perëndimit për “punën e mirë”
Pse shtetet po shtyhen në tërheqjen e punëtorëve migrantë?
Të rinjtë po e vuajnë recesionin social

Ai ndodhej te zyra e Uber-it për të dorëzuar një peticion me 10 mijë nënshkrime nga shoferët dhe përkrahësit e tyre, i organizuar nga platforma për të drejtat e punëtorëve, Organise, për të protestuar kundër asaj që ata e quajnë “shkarkime të automatizuara” dhe “çaktivizime të padrejta”.

Uber-i, nga ana e vet, tha se politikat e tij janë përmirësuar shumë gjatë 12 deri në 18 muajt e fundit dhe se çdo shofer tashmë ka të drejtë të kërkojë që rasti i tij të shqyrtohet nga një panel ekspertësh. “Ne punojmë vazhdimisht për të siguruar që qasja jonë të jetë transparente dhe e drejtë”, tha një zëdhënës. Por, peticioni është një tregues i tensionit të nënvlerësuar në qasjen e qeverisë britanike ndaj së ardhmes.

Nga njëra anë, kryeministri ka premtuar të heqë pengesat burokratike për të futur Inteligjencën Artificiale [IA] “në venat” e ekonomisë britanike, i bindur se ajo do të nxisë produktivitetin dhe për rrjedhojë edhe rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, qeveria ka premtuar gjithashtu ta punën më të drejtë dhe më të sigurt për punëtorët me paga të ulëta.

Sigurisht, këto qëllime nuk janë domosdo të papajtueshme.

Është në interesin e punëtorëve të bëhen më produktivë, me kusht që ata të përfitojnë një hise nga fitimet që vijnë nga rritja e produktivitetit. Dhe, shumë punonjës tashmë po zgjedhin të përdorin mjete të IA-së gjenerative (madje, nganjëherë edhe pa dijeninë e punëdhënësve), sepse e shohin vlerën që kanë këto mjete në shkurtimin e kohës për detyra të caktuara, si për shembull për të shkruar email-e.

Por, një ndër përdorimet gjithnjë e më të zakonshme të IA-së dhe mjeteve të tjera algoritmike është marrja e vendimeve me peshë për punëtorët – që nga rekrutimi deri te menaxhimi i performancës. Një sondazh i OECD-së i kryer vitin e kaluar, me më shumë se gjashtë mijë menaxherë të nivelit të mesëm në Francë, Gjermani, Itali, Japoni, Spanjë dhe ShBA, tregoi se përdorimi i mjeteve të menaxhimit algoritmik, fillimisht të bëra të njohura nga kompani të tezgave [gig company – sistem në të cilin pozicionet e përkohshme janë të zakonshme dhe organizatat punësojnë punëtorë të pavarur për angazhime afatshkurtra] si Uber-i, është tashmë i përhapur gjerësisht.

Norma e përdorimit varionte nga 90 për qind në ShBA deri në 40 për qind në Japoni. Megjithatë, edhe vetë menaxherët dukeshin disi të shqetësuar për këto mjete. Gjashtë nga dhjetë thanë se teknologjia përmirësonte cilësinë e vendimmarrjes së tyre, por gati dy të tretët kishin të paktën një shqetësim. Shqetësimi më i përmendur ishte mungesa e përgjegjësisë së qartë në rast të një vendimi të gabuar, ndjekur nga paaftësia për të kuptuar logjikën e vendimeve të algoritmit dhe mbrojtjen e pamjaftueshme të shëndetit fizik dhe mendor të punëtorëve.

Në Mbretërinë e Bashkuar, këto tensione shfaqen qartë në projektligjin për të dhënat (Use & Access / Përdorimi dhe qasja), i cili po shqyrtohet aktualisht në Parlament. Sindikatat janë të shqetësuara se një dispozitë në këtë ligj mund të dobësojë mbrojtjen ligjore lidhur me përdorimin e vendimmarrjes së automatizuar. Ligji do të kalonte nga një ndalim i përgjithshëm me disa përjashtime, në një supozim të përgjithshëm për të lejuar, bashkë me disa masa mbrojtëse – si për shembull e drejta e individit për të kundërshtuar një vendim që prek atë, për të marrë një shpjegim se si është marrë vendimi dhe për të kërkuar ndërhyrjen e një njeriu.

Për Adam Cantwell-Cornin, zyrtar politik në TUC [Trades Union Congress], në organizatën ombrellë për sindikatat, problemi është se këto masa mbrojtëse do ta vendosnin barrën mbi individin dhe zakonisht do të hynin në fuqi vetëm pas ndodhjes së një ngjarjeje. “Le të themi që një punëtor merr një vendim për shkarkim, vlerësim performance, rekrutim apo çfarëdo qoftë – së pari duhet ta kuptosh që një vendim i tillë është marrë … më pas duhet të kalosh disa pengesa ligjore dhe burokratike për të kërkuar informacion dhe për ta kundërshtuar atë”, tha ai. “Edhe në mjediset ku ka aktivitet të fortë dhe aktiv të sindikatave, kjo është shumë e vështirë. Në vendet e punës me pasiguri të lartë, kjo bëhet pothuajse e pazbatueshme”.

Mbrojtjet aktuale ndaj vendimeve të automatizuara janë tashmë dobët të zbatueshme. Por, parimi pas ndryshimit ligjor mbetet i rëndësishëm. Mantra pro-teknologjike e Luginës së Silikonit [Silicon Valley], “vepro shpejt dhe shkatërro gjëra”, nuk funksionon aq mirë nëse “gjërat” që mund të shkatërrohen janë në fakt njerëz – duke qëndruar në trotuar, me një grumbull email-esh të printuara në duar. Sidomos nëse je një qeveri që ka premtuar se do të jetë në anën e tyre. /Telegrafi/

The post Çfarë mund të bëjnë punëtorët nëse shkarkohen nga Inteligjenca Artificiale? appeared first on Telegrafi.

Gara për IA-në i jep Uashingtonit një arsye tjetër për të qenë i ashpër ndaj TikTok-ut

3 April 2025 at 12:51

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Në fillim të këtij viti, presidenti Donald Trump deklaroi se “forcimi i dominimit global të Amerikës në fushën e inteligjencës artificiale [IA]”, ishte qëllim qendror i presidencës së tij. Marrëveshja që ai do të arrijë për të ardhmen e TikTok-ut në tregun amerikan, do të jetë një provë e hershme e asaj se çfarë nënkupton në praktikë “dominimi në IA”. Kjo sepse ByteDance – kompania zotëruese e TikTok-ut – është biznesi kryesor i IA-së në Kinë.

Përdorimi i zgjuar i algoritmeve rekomanduese të IA-së nga ByteDance, fuqizon shpërndarjen e videove të shkurtra të TikTok-ut që shkaktojnë varësi, si dhe reklamave efektive. Por, ekspertiza e saj shkon përtej kësaj. Ajo ka bërë gjithashtu punë mbresëlënëse në nënfusha të tjera të IA-së, përfshirë modelet e mëdha gjuhësore me cilësi të lartë dhe modelet për robotikë.

Lexo po ashtu nga Chris Miller:
Lufta globale e çipave mund të kthehet në luftë të “reve”
Çfarë na mëson për politikën, smartfoni më “kinez”
Teksa makinat kineze po shpejtojnë në tregjet globale, tensionet veçse do të shtohen

ByteDance është po aq qendrore për ekosistemin e IA-së në Kinë sa janë OpenAI apo Meta për atë amerikan. Në rrethet e IA-së, ByteDance ka prestigjin – dhe kapitalin – për të joshur drejtues të lartë nga Google. Ish-punonjësit e kompanisë kanë themeluar një mori startapesh, që nga tregtia ndërkombëtare elektronike deri te IA-ja për kërkime biomjekësore.

Edhe pse startapi DeepSeek ka tërhequr më shumë vëmendje këtë vit, ByteDance mbetet biznesi më i suksesshëm i IA-së në Kinë. Të ardhurat e kompanisë private iu afruan atyre të Meta-s në vitin 2023, duke arritur 40 miliardë dollarë fitime – para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit (metrika e saj e preferuar për përfitim) – nga 25 miliardë sa ishin në një vit më herët. Ndërkohë që pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga njësitë e saj në Kinë, 16 miliardë dollarë erdhën nga shitjet e TikTok-ut për përdoruesit amerikanë.

Përfitimet e ByteDance-it i kanë mundësuar kompanisë të investojë shuma të mëdha për të blerë çipa për IA-në. Vitin e kaluar, ajo bleu afro aq çipa të IA-së nga Nvidia sa edhe Meta – ndonëse varianti i përdorur ishte H20, më cilësi më të ultë, për shkak të ndalimeve të eksportit nga ShBA-ja. Këtë vit, kompania planifikon të shpenzojë 5.5 miliardë dollarë për blerjen e çipave të IA-së nga Huawei dhe kompani të tjera kineze, duke ndihmuar në financimin e zhvillimit të industrisë vendase të çipave për IA-në në Kinë. Dhe, nuk ndalet vetëm te blerja e çipave – raportimet thonë se ajo po eksploron edhe infrastrukturat e tjera teknologjike, si kabllot nënujore.

Ndërkohë që Pekini shtyn përpara përhapjen ndërkombëtare të modeleve të tij të IA-së, prania globale e ByteDance-it është një aset unik.

Trumpi, i cili më parë kishte mbështetur ndalimin e TikTok-ut, por më pas ndryshoi mendje pasi ia atribuoi aplikacionit ndihmën për të arritur te votuesit e rinj, tani po përballet me një vendim që do të ndikojë në garën për IA. Ai ka caktuar si afat datën 5 prill, për të gjetur një blerës jo-kinez për TikTok-un, përndryshe aplikacioni do të ndalohet për arsye të sigurisë kombëtare.

Natyrisht, ndërprerja e qasjes së TikTok-ut në ShBA nuk do ta fundosë ByteDance-in, duke qenë se biznesi i saj me bazë në Kinë është shumë fitimprurës. Por, tregu amerikan është tejet i madh dhe kjo është arsyeja pse ByteDance ka luftuar fort për të qëndruar aty.

Shtëpia e Bardhë ka zhvendosur balancën e diskutimit në ShBA larg rreziqeve të IA-së, duke përqafuar në vend të kësaj përparimin e shpejtë. Ajo ka vënë në prioritet ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe ka thjeshtuar rregulloret që lidhen me sigurimin e energjisë që u nevojiten atyre. Departamenti i Tregtisë ka ashpërsuar rregullat që qeverisin transferimin e teknologjisë së çipave drejt Kinës. Ndërkohë, “Politika e investimeve për Amerikën së pari” e Trumpit, kërkon kufizime më të forta për investitorët që duan të hedhin para në teknologjinë kineze të IA-së.

Këto veprime janë pjesë e një strategjie që synon të mbajë ShBA-në sa më përpara në garën me Kinën për IA-në. Ato gjithashtu u kanë dhënë mbështetje të re mbështetësve të linjës së ashpër ndaj Kinës në Uashington – për të goditur TikTok-un. Kongresi votoi fillimisht për të detyruar një shitje të plotë të TikTok-ut, për shkak të shqetësimeve se të dhënat e përdoruesve amerikanë mund të përdoreshin nga Kina. TikTok-u është kritikuar gjithashtu për ndjekjen e vendndodhjes së gazetarëve dhe për inkurajimin e përdoruesve që t’u dërgojnë mesazhe anëtarëve të Kongresit në lidhje me legjislacionin që ByteDance kundërshtonte.

Gara për IA-në ofron një arsye shtesë për të qenë i ashpër ndaj TikTok-ut. ByteDance luan një rol qendror në financimin e ekosistemit të IA-së në Kinë, në sigurimin e kapaciteteve të llogaritjes për IA-në dhe në ndërtimin e pranisë globale të Kinës në këtë fushë. Administrata Trump ka shprehur qëndrime të ashpra për kufizimin e investimeve amerikane në teknologjitë e vendeve kundërshtare, por TikTok-u derdh çdo ditë të holla në ekosistemin kinez të AI-së. /Telegrafi/

 

 

The post Gara për IA-në i jep Uashingtonit një arsye tjetër për të qenë i ashpër ndaj TikTok-ut appeared first on Telegrafi.

Stili anime dhe disa mësime mbi kufijtë e inteligjencës artificiale

1 April 2025 at 15:35

Nga: Stephen Bush / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Një hap tjetër përpara në aftësitë e ChatGPT-së, në mënyrë të pashmangshme është i shoqëruar nga një valë e njerëzve që përdorin këto kapacitete për të prodhuar imitacione të punëve të artistëve të mëdhenj. Artisti më i fundit që ka qenë në qendër të komenteve mediatike dhe promovimit të vetë OpenAI-së – aq sa Sam Altman ka ndryshuar edhe avatarin e tij në platformën X – është Hayao Miyazaki, bashkëthemelues i Studio Ghibli. Rrjetet sociale janë të mbushura me imazhe që pretendojnë se janë në të njëjtin stil me veprat e Miyazakit.

Qëllimisht e përdora fjalën “pretendojnë”, sepse shumica e asaj që prodhohet “duket” si punë e Studio Ghibli-t, në të njëjtën mënyrë siç “dukem” unë si Will Smith. Ngjyra dhe forma (në një përafrim mesatar) mund të jenë në rregull. Por, mjafton një vështrim i kujdesshëm dhe i përkushtuar dhe bëhet e qartë se dy gjërat nuk ngjajnë aspak. Personazhet nuk bëjnë kontakt me sy me njëri-tjetrin. Modelimet e dritës dhe hijes, apo përshkrimet e detajuara mungojnë pothuajse plotësisht.

Imazhet gjenerative mund të shndërrojnë diçka të vështirë për ta kuptuar në diçka të prekshme dhe të dukshme. Por, ato gjithashtu na tregojnë rreziqet për të cilat duhet të jemi vigjilentë, veçanërisht te vetja jonë.

Një video e fundit në YouTube që “rikrijonte” Kryezotin e unazave [Lord of the Rings] të regjisorit Peter Jackson, me stil të supozuar të Miyazakit, ishte një shembull tipik. Mjafton të ndalesh për një moment gjatë Djalit dhe çafkës [The Boy and the Heron] dhe do të shohësh shprehje fytyre të vizatuara me përkujdesje për secilin nga papagallët ogurzinj. Shiko pamjet e orkëve në trailerin e gjeneruar nga inteligjenca artificiale [IA] dhe të gjithë janë identikë.

Nuk po them që inteligjenca gjenerative artificiale nuk mund të përdoret për të bërë art. Nëse dikush merr kohën dhe kujdesin për të rafinuar çdo imazh, duke përdorur komandat gjenerative me po atë finesë me të cilën përdor një penel apo një maus, atëherë kjo mund të bëhet një formë arti – edhe pse tingëllon si një proces që të shteron shpirtërisht. Por, të prodhosh diçka që ka aq pak lidhje me artin e Miyazakit sa kam unë me Will Smithin, nuk është art – dhe është dëshpëruese dhe shqetësuese që kaq shumë njerëz mendojnë se është.

Është dëshpëruese sepse dikush që sheh një kopje të dobët dhe nuk arrin të vlerësojë bukurinë e origjinalit, nuk po përjeton plotësisht jetën. Nëse mendon se të pëlqen Studio Ghibli, por lejon që cilësia e artit t’i shpëtojë vëmendjes, i mohon vetes kënaqësinë e plotë që ofron puna e kësaj studioje. Dhe, është shqetësuese, sepse përdorimet më emocionuese të IA-së në vendin e punës dhe në politikat publike kanë të bëjnë me transformimin e detyrave që kërkojnë shumë orë në detyra që kryhen më shpejt – por, që gjithsesi kërkojnë gjykim të rëndësishëm njerëzor.

Këto përparime kanë potencialin të rrisin ndjeshëm produktivitetin dhe mirëqenien. Ato janë veçanërisht të rëndësishme për shtetin. Në arsim, për shembull, zëvendësimi i procesit të vlerësimit dhe punëve administrative – një konsum i madh i burimit më të rëndësishëm dhe të vlefshëm në një klasë, që është koha dhe energjia e mësuesit – është një fushë që qeveria britanike po shqyrton. Ndërkohë, në shëndetësi, një projekt pilot i kompanisë Palantir ka liruar tashmë orë të tëra të stafit mjekësor duke e transformuar detyruat që më parë u merrnin orë të tëra mjekëve, në detyra të përfunduara në kohë shumë më të shkurtër.

Megjithatë, për t’u mbrojtur nga gabimet, duhet të kujtojmë se IA-ja nuk është një forcë magjike që na ofron përgjigje të sigurta, por një mjet jashtëzakonisht efektiv që duhet përdorur me maturi. Tashmë ka dëshmi të mira që tregojnë se shumë prej nesh nuk e bëjmë këtë – dhe se përdorimi i shpeshtë i çetbotëve në fakt i bën njerëzit më të vetmuar dhe më të varur ndaj tyre. Kërkimet gjithashtu tregojnë se programuesit më të dobët fillestarë nuk përmirësohen në programim, por bëhen më të vetëkënaqur me paaftësinë e tyre për shkak të përdorimit të IA-së gjenerative.

Nuk është i ri problemi i mbështetjes së tepruar te makina – qoftë ajo diçka kompjuterike, si softueri i gabuar që dënoi padrejtësisht punonjësit e Postës Britanike për mashtrim, apo një algoritëm si udhëzim për dënimet penale. Nuk është e re prirja jonë për t’i kthyer pajisjet që na e bëjnë jetën më të lehtë në objekte që i ngarkojmë me autoritet të pajustifikuar. Ajo që është e re është se përkrah potencialit transformues të IA-së, për të përmirësuar jetën tonë, ekziston edhe rreziku që të ketë ndikim katastrofik nëse përdoret në mënyrë të verbër dhe të pamenduar.

Ajo që sjell ngritja e IA-së, në mënyrë ironike, është një rikujtim i një të vërtete të vjetër: se kurrikula më e rëndësishme dhe më rezistente ndaj kohës është ajo që na jep dije dhe kuptim, jo vetëm aftësi – dhe se të japësh kuptim, do të thotë të nxisësh njerëzit të shikojnë gjërat më thellë, qoftë ky një detaj në një trotuar të animuar apo një propozim që ka shkruar një makinë “e zgjuar”. /Telegrafi/

The post Stili anime dhe disa mësime mbi kufijtë e inteligjencës artificiale appeared first on Telegrafi.

Studentët e “Kadri Zekës” në Gjilan zhvillojnë sistemin digjital për vetëvlerësimin e nxënësve

19 February 2025 at 09:46

Studentët e vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan kanë realizuar një projekt për modernizimin dhe automatizimin e proceseve arsimore.

Projekti i quajtur “Listë Kontrolli” është një sistem digjital i krijuar për të përmirësuar procesin e vetëvlerësimit të nxënësve të shkollave fillore dhe për të mundësuar një lidhje më të ngushtë mes nxënësve, mësuesve dhe prindërve.

Studentët kanë punuar për të digjitalizuar një sistem të cilin aktualisht e përdor një shkollë  fillore në komunën e Gjilanit në formatin fizik, derisa ky sistem i vetëvlerësimit u mundëson nxënësve të vlerësojnë progresin e tyre në çdo lëndë dhe të krijojnë mundësi për përmirësim të vazhdueshëm.

“Nëpërmjet këtij sistemi, nxënësit mund të identifikojnë pikat e forta dhe ato të dobëta në procesin e të nxënit, duke u ofruar mundësi për zhvillim personal dhe përmirësim të mëtejshëm. Përveç kësaj, mësuesit shqyrtojnë dhe miratojnë vlerësimet e nxënësve dhe ndajnë progresin me prindërit. Administrata menaxhon të dhënat për çdo përdorues, duke mundësuar funksionimin efikas të sistemit për të siguruar që ai të përshtatet me nevojat e individëve që e përdorin”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, ky projekt është realizuar nga studentët Ubejd Morina, Maldon Misini, Andi Latifi, Ermal Rexhepi dhe Erjon Sylaj, nën udhëheqjen e Prof. Ass. Dr. Aferdita Ibrahimi. /Telegrafi/

The post Studentët e “Kadri Zekës” në Gjilan zhvillojnë sistemin digjital për vetëvlerësimin e nxënësve appeared first on Telegrafi.

Shkrimet e reja kanë nevojë për mbrojtje nga IA-ja

11 February 2025 at 13:45

Nga: Steven McKenzie / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Shkrimtarët dhe botuesit skocezë po shqyrtojnë mënyrat inovativet për të përballuar sfidat që hasin nga inteligjenca artificiale [IA].

Makari [bardi, poeti kombëtar] i Skocisë, Peter Mackay, ka thënë se kishte “shqetësime të mëdha” për këtë teknologji, veçanërisht në lidhje me krijimin e letërsisë dhe librave të rinj.

IA-ja përfshin mjetet e dizajnuara për kërkim, si dhe të tjera që mund të sugjerojnë struktura fjalish, tipare të personazheve, opsione dialogu dhe narracion.

Mackay tha se në idetë për të mbrojtur më mirë shkrimet e reja, përfshihen udhëzuesit e ngjashëm me paketimet ushqimore – për veprat e shkruara nga kompjuterët dhe logo të veçanta për kopertinat e librave pa ndërhyrje të IA-së.

Poeti i gjuhës gaelike, Mackay, i lindur në Luis, në dhjetor u emërua poeti kombëtar i Skocisë. Makarët e parë ishin poetë ose bardë mesjetarë, shpesh të lidhur me oborrin mbretëror dhe pritej që të krijonin vepra për ngjarje të rëndësishme.

Në dy dekadat e fundit, qytetet skoceze kanë emëruar makarët e tyre dhe në vitin 2004 u emërua poeti i parë kombëtar.

Mackay është i etur për të inkurajuar shkrimet e reja. Por, ai thekson: “Kam shqetësime të mëdha për IA-në në lidhje me krijimin e letërsisë dhe librave të rinj, pjesërisht sepse, si shkrimtar, kjo mund të jetë katastrofike për ata që sapo hyjnë në këtë profesion. Është shumë e vështirë të jetosh si shkrimtar, në secilin rast, dhe nëse duhet të konkurroni me njohurinë e përmbledhur të çdo libri të shkruar më parë, të kondensuar në një formë të konglomerati, kjo është jashtëzakonisht e vështirë për t’u përballuar.”

Vitin e kaluar, Mackay ka marrë pjesë në një punëtori për shkrimtarë, botues dhe akademikë, ku IA-ja ishte temë diskutimi. Pjesëmarrësit shqyrtuan mënyrat për të bërë të qartë që një tekst nuk ishte i gjeneruar nga kompjuteri.

Mackay thotë: “Një nga gjërat që u diskutua ishte një shenjë në stilin e certifikimit të autoritetit Harris Tweed Orb ose Kitemark, për të treguar se një vepër është 100 për qind pa IA ose 100 për qind e prodhuar në mënyrë organike”.

Logoja Harris Tweed Orb qepet në veshje dhe sende të tjera që përdorin tekstil, për të treguar se thurja është endur me dorë dhe është përfunduar nga banorët e Ishujve Perëndimorë, si dhe është bërë nga lesh i lyer dhe i tjerrë në këta ishuj. Kitemark-u i Institucionit Britanik të Standardeve është përdorur si markë tregtare për produktet e prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar për më shumë se 120 vjet.

Mackay shprehet se, si alternativë, librat e krijuar me IA mund të përfshijnë një përmbledhje të burimeve të stilit dhe strukturës së fjalive të tyre, të ngjashme me mënyrën se si aditivët listohen në kutitë e drithërave. “Mund të tregojë diçka si: 1% Vladimir Nabokov, 2% Gertrude Stein”, tha ai.

Mackay është një nga anëtarët e jurisë për çmimin Highland Book Prize për këtë vit dhe beson se ky konkurs dhe çmimet e tjera letrare mund të luajnë një rol në mbrojtjen e shkrimeve pa ndikim nga IA-ja.

“Mendoj se një nga gjërat që bëjnë çmimet letrare është të çmojnë veçantinë, diversitetin, stilin dallues – gjërat që IA-ja nuk i bën për momentin”, tha ai. “Është pikërisht kthesa e papritur e një fraze, më shumë sesa kthesa e pritshme, dhe do të shpresoja që çmimet letrare do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Ato ofrojnë një tregues për zërat e rinj, interesantë dhe të veçantë”.

Ai shtoi: “Kam frikë nga dita kur një çmim letrar do të fitohet nga diçka që rezulton të jetë e gjeneruar nga IA-ja. Çfarë do të ndodhë me ata që kanë kaluar orë të tëra duke shkruar, të vetëm, dhe më pas duhet të konkurrojnë me poezi, tregime të shkurtra dhe romane të krijuara nga kompjuteri”? /Telegrafi/

The post Shkrimet e reja kanë nevojë për mbrojtje nga IA-ja appeared first on Telegrafi.

DeepSeek – një alarm për Perëndimin: Përsëritja e momentit të Sputnikut

31 January 2025 at 12:47

Nga: Larry Elliott / The Guardian (titulli origjinal: The west is already losing the AI arms race)
Përkthimi: Telegrafi.com

Për një herë të vetme, Donald Trump nuk ishte fajtor për hiperbolizim. Shfaqja e një çetboti kinez me buxhet të vogël, i quajtur DeepSeek – si rival i ChatGPT-së – është me të vërtetë një alarm zgjimi. Një alarm zgjimi për gjigantët e teknologjisë në ShBA. Një alarm zgjimi për Uoll-Stritin [Wall Street]. Një alarm zgjimi për çdo vend të zhvilluar që dëshiron të hyjë në garën e inteligjencës artificiale.

E gjithë kjo mbetet e vërtetë edhe nëse rezulton se DeepSeek-u nuk është aq i fuqishëm sa pretendohet. Por, nëse është një produkt i vërtetë dhe cilësor, atëherë kinezët kanë krijuar një premium-inteligjencë artificiale, e cila është e qasshme falas ose me një kosto minimale. Kjo  është diçka e jashtëzakonshme. Në vitin 1957, ShBA-ja u trondit kur Bashkimi Sovjetik u bë vendi i parë që lëshoi një satelit artificial. Po aq e befasuar është edhe tani me ardhjen e DeepSeek-ut. Ky është me të vërtetë një moment Sputniku.

Sigurisht, ka nga ata që dyshojnë në aftësinë e një startupi kinez për të arritur, me një buxhet të kufizuar, atë që kompanitë amerikane të teknologjisë kanë shpenzuar miliarda dollarë për ta realizuar. Këto dyshime mund të jenë të drejta, por ato nuk e ndryshojnë tablonë e madhe: është real kërcënimi i Kinës ndaj dominimit teknologjik perëndimor. Gara për të fituar në fushën e inteligjencës artificiale do të jetë po aq e ashpër – ndoshta edhe më shumë – sesa gara hapësinore e viteve 1950-‘60. Kina ka një peshë më të madhe ekonomike sesa pati ndonjëherë Bashkimi Sovjetik.

Në fazat e hershme të zhvillimit të saj të shpejtë ekonomik, Kina shihej si një vend ku kompanitë amerikane dhe evropiane mund të transferonin prodhimin. Kostoja e punës ishte e ulët dhe zhvendosja e prodhimit jashtë vendit premtonte fitime më të larta. Ideja ishte që të gjitha aspektet e avancuara – dizajni i produkteve, kërkimi dhe zhvillimi – të kryheshin në Perëndim, ndërsa në Guangdong të bëhej vetëm montimi. Sistemi marksist-leninist i Kinës supozohej të pengonte krijimtarinë e nevojshme për ide dhe produkte të reja.

Kjo pikëpamje ka rezultuar vetëm si vetëkënaqësi. Në vitin 2023, Kina regjistroi më shumë patenta se gjithë pjesa tjetër e botës së bashku. Universitetet kineze diplomojnë mesatarisht mbi gjashtë mijë doktorantë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) në muaj – më shumë se dyfishi i ShBA-së. Siç tregon DeepSeek, Kina ka një numër në rritje të mendjeve të ndritura që janë krejtësisht të afta të mendojnë jashtë kornizave kur u jepet mundësia, siç është rasti me zhvillimin e inteligjencës artificiale, baterive me jone litiumi dhe automjeteve elektrike.

ShBA-ja është e vetëdijshme për kërcënimin ndaj hegjemonisë së saj, ndërsa përpjekjet për të frenuar fuqinë ekonomike të Kinës janë çështje dypartiake në Uashington. U mbajtën tarifat mbi importet kineze të vendosura nga Trumpi gjatë mandatit të tij të parë – dhe madje u shtuan – nga Joe Biden kur mori detyrën. Një javë para se të largohej nga zyra, Bideni vendosi kufizime të reja mbi eksportin e çipave kompjuterikë të zhvilluar nga ShBA-ja, për të penguar vendet si Kina që të kenë qasje në teknologjinë e avancuar. Ligji i Biden për Reduktimin e Inflacionit ofroi subvencione për të nxitur prodhimin e produkteve miqësore me mjedisin brenda ShBA-së.

Në disa sektorë, mund të jetë tepër vonë. Kina është tashmë eksportuesi më i madh i automjeteve elektrike, duke nxitur tarifa mbrojtëse nga ShBA-ja dhe BE-ja. Bateritë me jone litiumi të prodhuara nga fabrikat kineze kushtojnë me vetëm me një të shtatën për kWh krahasuar me 10 vjet më parë. Nuk duhej të ishte befasi për ShBA-në dhe vendet e tjera perëndimore që një ndarje globale e punës, ku Kina kryente vetëm punën e rëndë me kosto të ulët, do të kishte interes të kufizuar për vetë kinezët. Në vend të kësaj, Kina ka ndjekur një strategji të qëllimshme për të vazhduar prodhimin e këpucëve, lodrave dhe televizorëve, ndërkohë që hyn edhe në sektorët e teknologjisë së lartë.

Kjo strategji mund të ketë kufizimet e veta. Ka një argument se modeli ekonomik i Kinës do të bëhet përfundimisht i papërputhshëm me modelin e saj politik dhe se kërkesat për demokraci do ta detyrojnë Partinë Komuniste të bëhet më pak represive. Gjithashtu, Kina nuk është e lirë nga problemet ekonomike. Shumë nga kompanitë e saj shtetërore operojnë me humbje. Flluska e tregut të pasurive të patundshme është plasaritur plotësisht.

Megjithatë, është e qartë se beteja për dominimin e inteligjencës artificiale po intensifikohet. Trumpi mendon se konkurrenca kineze nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe për sektorin e teknologjisë në ShBA, dhe ai ka të drejtë. Vlera e aksioneve të kompanive teknologjike në Uall-Strit ra pas lajmit për DeepSeek-un, sepse ngriti dyshime nëse investimi masiv në kompanitë amerikane kishte qenë i justifikuar, por disponueshmëria e modeleve më të lira do të përshpejtojë përdorimin e inteligjencës artificiale. Edhe pse kjo vjen me rreziqe – për privatësinë, sigurinë dhe vendet e punës – ka edhe përfitime të mundshme.

Keir Starmer thotë se dëshiron që Britania të bëhet një “superfuqi e inteligjencës artificiale”, dhe arritja e këtij qëllimi duhet të bëhet më e lehtë ndërsa kostot e zhvillimit po bien. Por, fjalët janë të lira. Sektori i teknologjisë së lartë në Kinë nuk është shfaqur në mënyrë magjike, dhe nuk është rastësi që vendi ka dominuar tregun e automjeteve të lira elektrike. Ashtu si vendet e tjera të Azisë Lindore para saj, Kina ka pasur një vizion strategjik për industritë në të cilat dëshironte të konkurronte, ka investuar fuqishëm për t’i zhvilluar, i ka mbrojtur në fazat e tyre fillestare dhe ka pritur me durim rezultatet. Nuk ka pasur besim të verbër në forcat e tregut dhe as një refuzim për të mbështetur fituesit. Kontrasti me Britaninë nuk mund të jetë më i madh. /Telegrafi/

 

The post DeepSeek – një alarm për Perëndimin: Përsëritja e momentit të Sputnikut appeared first on Telegrafi.

Perëndimi duhet të shqetësohet: “DeepSeek” lë të kuptohet se Kina ka zotëruar artin e kaizen-it

30 January 2025 at 12:01

Koncepti japonez i përmirësimit të vazhdueshëm industrial, ndihmon në shpjegimin e suksesit teknologjik të Pekinit.

Nga: Leo Lewis / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë kulmit të garës hapësinore, Amerika shpenzoi miliona dollarë nga taksapaguesit për të zhvilluar një stilolaps që do të funksiononte në gjendje pa gravitet. Përballë të njëjtit problem, rusët përdorën … një laps.

Kjo, në fakt, është një përrallë e trilluar. Të dyja palët fillimisht provuan lapsat dhe në fund përdorën Stilolapsin Hapësinor [Space Pen], një produkt i zhvilluar krejtësisht nga sektori privat. Por, miti rikthehet shpesh si një parabolë industriale, gjeopolitike dhe ideologjike, sepse përmbledh frikën që i përshkon të gjitha këto fusha: se kompania, pozita apo modeli ekonomik i kundërt mund të jetë më i strukturuar për të punuar në mënyrë më të zgjuar dhe më të lirë.

A u rikthye këtë javë memja e Stilolapsit Hapësinor, ndërsa investitorët dhe qeveritë u mahnitën nga modeli – i supozuar me kosto të ulët – i Kinës i inteligjencës artificiale [IA], DeepSeek, duke u pyetur nëse kontrollet e eksportit të ShBA-së kishin rezultuar në të kundërtën e synuar dhe duke humbur besimin te miliardat e investuara në qasjen më të shtrenjtë amerikane ndaj të njëjtit problem? Natyrisht që po.

Por, termi më shqetësues i momentit duhet të jetë kaizen-i – koncepti japonez i “përmirësimit të vazhdueshëm”, i cili dikur ngjalli frikë në zemrat e korporatave amerikane dhe që tani Kina, në një mënyrë ose tjetër, duket se e ka zotëruar në heshtje – pjesërisht duke punësuar mjeshtër japonezë të kaizen-it, të cilët ishin nënvlerësuar në ekonominë e tyre.

Kaizen-i u bë pjesë e vërtetë e leksikut të biznesit ndërkombëtar në vitet ’80 të shekullit XX, kur kompanitë amerikane dhe evropiane kishin nevojë të kuptonin pse kompanitë japoneze po i mundnin – si në çmim ashtu edhe në cilësi – në industritë si automobilizmi, elektronika e konsumit dhe gjysmëpërçuesit. Të dyja palët e identifikonin dallimin si një përmirësim të durueshëm dhe thellësisht japonez të produktit dhe procesit.

Efektet praktike të kaizen-it ishin të jashtëzakonshme: ato ishin një nga arsyet kryesore pse ekonomia e Japonisë u bë një superfuqi në vitet 1970-‘80 dhe pse shumë nga kompanitë e saj mbeten ende konkurrente globale në një gamë të gjerë sektorësh prodhimi.

Por, është ndoshta edhe më i jashtëzakonshëm evolucioni i kaizen-it gjatë dekadave të gjata të stagnimit ekonomik të Japonisë, pas shpërthimit të flluskës financiare. Pasi u shua epoka e tepricave financiare, kaizen-i u bë një superfuqi mbijetese: një mekanizëm i njëkohshëm për të rritur cilësinë dhe për të ulur kostot në kohë të vështira. Deflacioni dhe paaftësia e prodhuesve japonezë për të siguruar fuqi çmimesh në tregun e tyre vendor, e shndërruan uljen e kostove në një art të vërtetë.

Prodhuesit kinezë, të përqendruar prej kohësh në kosto dhe teknologji, e kanë vëzhguar me kujdes gjithë këtë proces dhe kanë gjetur mënyra për ta bërë kaizen-in pjesë të tyre. DeepSeek mund të përfaqësojë një përparim të madh në softuer, por është një arritje e bazuar mbi themelet e një sektori të pajisjeve harduerike që po ecën përpara në mënyrë të pamëshirshme dhe të vazhdueshme.

Shumë vetë do të argumentojnë se përvetësimi i teknologjisë nga Kina ka qenë, në rastin më të mirë, oportunist dhe, në rastin më të keq, i pandershëm. Kur nuk fajësohen vjedhja e hapur apo detyrimi (gjë që ndodh shpesh), kompanitë e huaja kanë humbur teknologjitë kyçe për shkak të marrëveshjeve të dobëta të transferimit ose optimizmit të tepruar mbi aftësinë për të mbrojtur pronësinë intelektuale. Por, kjo nuk shpjegon më gjithçka.

Në arritjet më të fundit dhe më të dukshme industriale të Kinës – prodhimi i makinave elektrike me kosto të ulët dhe cilësi konkurruese, elektronika e konsumit, makineritë industriale, trenat me shpejtësi të lartë dhe robotët – një version i kaizen-it është tashmë në veprim. Dhe, ka arsye për të dyshuar se versioni kinez mund të funksionojë për një periudhë më të shpejtë, më trazuese dhe me rezultate më të dukshme sesa origjinali japonez.

Së pari, Kina ka burimet njerëzore dhe talentin për të aplikuar kaizen-in në një shkallë shumë më të madhe sesa Japonia ka arritur ndonjëherë. Përmirësimet graduale funksionojnë më mirë kur ka shumë prej tyre.

Së dyti, kjo po ndodh në një epokë ku konsumatorët janë shumë më të shpejtë për të identifikuar dhe komunikuar kur një produkt nuk është saktësisht ashtu siç do të donin.

Por, së treti, Kina mund të jetë në gjendje të paguajë për shpejtësinë. Përveçse kanë vëzhguar drejtpërdrejt kaizen-in në veprim në operacionet e prodhimit japonez, kompanitë kineze, sipas agjentëve të rekrutimit në Tokio, kanë zbuluar se mund të tërheqin si konsulentë inxhinierë japonezë të specializuar në gjysmëpërçues, hekurudha dhe robotikë. Kjo nuk është diçka e re, thonë agjentët, por tani po përshpejtohet ndjeshëm.

Korporatat japoneze kanë prirjen t’i nxjerrin relativisht herët në pension punonjësit shumë të kualifikuar, të cilët nuk i kanë paguar veçanërisht mirë gjatë viteve të deflacionit dhe nuk kanë arritur të krijojnë ndjenjën e besnikërisë që mund të kishin shpresuar. Një inxhinier i tillë mund të paguhet mirë nga një kompani kineze dhe, pa zbuluar drejtpërdrejt sekrete industriale, vlera e tij mbetet e jashtëzakonshme: kaizen-i është në thelb një proces eksperimentimi dhe gabimi, dhe një inxhinier me përvojë mund të ofrojë një këshillë të paçmueshme për atë që është provuar dhe nuk ka funksionuar.

Një këshillë e tillë si: harroni lapsin, ishte i pavlefshëm.

 

 

 

The post Perëndimi duhet të shqetësohet: “DeepSeek” lë të kuptohet se Kina ka zotëruar artin e kaizen-it appeared first on Telegrafi.

Nëse inteligjenca artificiale ta merr punën në vitin 2025, së shpejti do të punësohesh përsëri

1 January 2025 at 12:23

Pas një viti gabimesh nga inteligjenca artificiale [IA], është e qartë që revolucioni i robotëve nuk është aq i përsosur sa pretendohej.

Nga: Andrew Orlowski / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Kanë kaluar dy vjet që nga lançimi i ChatGPT-3-shit dhe kemi mësuar shumë gjëra gjatë kësaj kohe.

Tani dimë, për shembull, se Hillary Clinton ishte gruaja e parë presidente e Shteteve të Bashkuara, duke korrigjuar kështu një padrejtësi historike. Inteligjenca gjeneruese artificiale na ka ofruar receta për makarona që përfshijnë benzinën si përbërës dhe na ka këshilluar që, për shëndetin tonë, të kujtohemi të hamë çdo ditë nga një guralec.

E preferuara ime është kjo: astronautët “kanë takuar mace në Hënë, kanë luajtur me to dhe janë kujdesur për to” – sipas Google-it. Mesa duket, për këtë fliste Neil Armstrong kur përmendi se “hapi i vogël” ishte ai i një maceje. Sa të paditur që ishim që nuk e vumë re atë që, duke u kthyer prapa në kujtesë, ishte një sugjerim mjaft i qartë nga NASA për pushtimin hapësinor nga macet.

Historia, siç na doli, është plot me befasi të tjera. Vikingët pushtues të Evropës mesjetare dhe, po ashtu, ushtria naziste në Luftën e Dytë Botërore, kishin politika mbresëlënëse të diversitetit, pasi shumë anëtarë ishin me origjinë afrikano-amerikane ose indianë amerikanë – sipas Google-it.

Inteligjenca artificiale është përpjekur të përmirësojë standardet arsimore. Ajo insiston që fjala “luleshtrydhe” [strawberry] ka dy shkronja “r” dhe mos lejoni që dikush t’ju thotë ndryshe.

Nganjëherë më pyesin për librin tim të vitit 2013, The Goolag: How Google’s Empire Is Changing the World, të cilin ChatGPT-ja e përfshin në përmbledhjet e karrierës sime dhe e përshkruan si një “vepër të shquar”. Më vjen keq t’ju informoj që një libër i tillë nuk ekziston, as diçka e ngjashme – as nga unë, as nga dikush tjetër. Është një nga shumë veprat që më atribuohen gabimisht.

Tani Apple ka hyrë në lojë duke sjellë Apple IntelligenceiPhone-t e saj. Nuk mund të bëhet më keq, apo jo? Është Apple. Fatkeqësisht, tashmë na ka thënë se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është arrestuar për krime lufte (gabim) dhe se atentatori i dyshuar i një ekzekutivi të shquar të industrisë së shëndetësisë amerikane kreu vetëvrasje në qeli (gabim). Të dyja historitë iu atribuuan BBC-së, e cila nuk ishte aspak e lumtur.

Google u detyrua të kërkojë falje pasi çatboti i tij krijoi një nazist me ngjyrë dhe një viking si indigjen amerikan.

Megjithatë, amerikanët fatlumë së shpejti do të jenë në gjendje të telefonojnë një numër falas (është 1-800-CHATGPT) dhe të dëgjojnë leximin e përmbajtjes së kësaj cilësie.

Disa njerëz paguajnë shumë për t’u fyer në telefon – kabinat telefonike publike të Londrës dikur ishin të mbushura me broshura që promovonin shërbime të tilla – kështu që ndoshta kjo nuk është risi. Por, është një kujtesë e qartë se parashikimet statistikore që qëndrojnë pas Modeleve të Mëdha Gjuhësore (LLM) shpesh çojnë në rezultate të tmerrshme, të quajtura “halucinacione”.

Për këtë, unë nuk i fajësoj tërësisht kompanitë e inteligjencës artificiale. Të ekzagjerojnë dhe të shesin më shumë një teknologji, është thjesht ajo që bëjnë sot. Ato nuk marrin më shumë përgjegjësi për pasojat sesa akrepi në fabul, i cili kërkoi të kalonte lumin mbi një bretkosë, premtoi të mos e pickonte, por gjithsesi e bëri këtë, duke i fundosur që të dy.

Por, ndryshe nga fabula, akrepat e Luginës së Silikonit [Silicon Valley] gjithmonë duket se arrijnë në anën tjetër, ku thjesht fillojnë gjithçka nga e para. Nëse ka një problem, mund të jeni të sigurt se nuk do të jenë aty për të ndihmuar në pastrimin e rrëmujës.

Po aq përgjegjësi bie mbi ne që insistojmë të përdorim teknologjinë atje ku nuk është e përshtatshme. Arsyeja ka humbur.

Për shembull, Tony Blair po na nxit të shpenzojmë miliarda për IA-në për të përmirësuar efikasitetin e Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë [NHS] – duke automatizuar, në vend që të zëvendësojmë shtresat e shumta të burokracisë.

Dominic Cummings tani kënaqet me fantazi të çmendura për ekipe çatbotësh që zëvendësojnë votuesit e vërtetë që sot marrin pjesë në grupet e fokusit. Ai madje paramendon që këto halucinacione të ushqehen drejtpërdrejt në një IA tjetër për të prodhuar material fushate. Cummings ka kaluar aq shumë kohë në shoqërinë e shitësve të vajit të gjarprit [ilaç i rremë] të Luginës së Silikonit, saqë duket se mendon që të gjithë të tjerët janë budallenj.

Kur inteligjenca artificiale përdoret me arsye, ajo mund të jetë vërtet shumë e dobishme. Mësimi makinerik është dëshmuar si një mjet i vlefshëm në analizën e të dhënave, duke gjetur modele në masa të mëdha të të dhënave. Atje ku gabimet janë të parëndësishme, si në shumë aplikime të përpunimit të sinjalit dhe imazheve, IA-ja është zbatuar mirë. Asistentët kërkimorë të teksteve nuk janë ende gati, por pritet të përmirësohen.

Pesë rastet kur IA-ja degjeneroi:
ChatGPT flet “spanglish”
1. Në shkurt, ChatGPT i OpenAI-së u duk sikur degjeneroi, duke dhënë përgjigje të pakuptimta për pyetje, duke u rikthyer te listimet e pafundme dhe duke folur në “spanglish”.
Bing-u i Microsoft-it doli jashtë kontrollit
2. Përpjekja e hershme e Microsoft-it për të shtuar një çatbot në motorin e tij të kërkimit Bing, përfundoi keq. Përdoruesit arritën ta “thyejnë” botin, që filloi të quante veten Sidni [Sidney], duke deklaruar dashurinë e tij të përjetshme për një gazetar nga i cili madje kërkoi që të shkurorëzohej.
Çatboti racist i Meta-s
3. Në vitin 2022, Meta lëshoi një çatbot të quajtur BlenderBot, i projektuar për të pasur biseda të natyrshme, por ai doli jashtë kontrollit, duke shpërndarë teori konspirative raciste, si për shembull atë se hebrenjtë “kontrollojnë ekonominë”.
Lambda e Google-it bëhet “i ndërgjegjshëm”
4. Një çatbot i brendshëm i ndërtuar nga Google shkaktoi turp pasi një inxhinier publikoi pretendimet se boti ishte bërë i vetëdijshëm. Inxhinieri më vonë u pushua nga puna.
“Will Smithi që ha spageta”
5. Një video virale dëshmoi se sa të dobëta ishin disa gjenerime të hershme të videos nga IA-ja. Një klip i njohur nga viti 2023, i krijuar me një mjet të quajtur ModelScope, shfaqte një version të Will Smithit që hante spageta – ndërsa fytyra e tij kishte shtrembërime të çuditshme.

Problemi për industrinë e teknologjisë është se nuk mund të krijosh një flluskë të madhe në tregun e aksioneve ose të bësh që klasa politike të varët nga çdo fjalë e jotja, nëse ti promovon një program softuerik që është “në të vërtetë ndonjëherë mjaft i dobishëm”. Nuk është sa duhet revolucionar, dhe kjo ka qenë mënyra e vetme që ata njohin për të shitur produktet e veta.

Besueshmëria jonë është vënë në pikëpyetje prej dekadash. Në vitet ’60 të shekullit XX, një shkencëtar kompjuterik i quajtur Joseph Weizenbaum, zhvilloi dy programe shumë të suksesshme për biseda, ELIZA dhe DOCTOR, dhe reagimi i përdoruesve e habiti. Njerëzit flisnin për orë të tëra, duke zbuluar sekretet e tyre para softuerit. Ishte reagimi i tyre tepër i besueshëm, jo teknologjia, që e shndërroi Weizenbaumin nga një mbështetës i inteligjencës artificiale në një skeptik të teknologjisë.

Simon Willison, një zhvillues britanik shumë i ndjekur në Luginën e Silikonit, na kujton se “LLM-të janë mjete të dobishme për të menduar, por mjete të tmerrshme për të deleguar marrjen e vendimeve. Çdo herë që dikush ia bart autoritetin aktual vendimmarrës një gjeneruesi të paqartë të numrave të rastësishëm, fjala është për një recetë për katastrofë”.

Mjaft njerëz nuk po u kushtojnë vëmendje ekspertëve. Në fillim të vitit 2024, Instituti i besueshëm për Kërkime të Politikave Publike (IPPR), publikoi një raport që krijoi një titull të parashikueshëm për Guardian-in: “’Apokalipsi’ i IA-së mund të eliminojë tetë milionë vende pune në Mbretërinë e Bashkuar, thotë raporti”. Vitin e kaluar, banka “Goldman Sachs” tha se 300 milionë vende pune – në mbarë botën – mund të zhduken.

Por, në të vërtetë, dhe siç kemi parë, do të duhej të ishe i çmendur për t’ia lënë një sistemi të IA-së të marrë një vendim përfundimtar. Nëse IA-ja ta merr punën këtë vit, ndoshta do të punësohesh sërish shumë shpejt kur shefi yt e kupton gabimin që ka bërë. Nëse edhe shefi yt është zëvendësuar nga një IA, ai ose ajo do të punësohet i pari.

Dikur ishim më të kujdesshëm. Një prezantim i jashtëzakonshëm u zbulua së fundmi, i krijuar në IBM në fund të viteve ’70 të shekullit XX. Ishte një grup rregullash që zhvilluesit e softuerëve duhet të ndiqnin. “Një kompjuter nuk mund të mbahet kurrë përgjegjës. Prandaj, një kompjuter nuk duhet të marrë kurrë një vendim menaxherial”, ishte njëra nga këshillat. Udhëzime të tjera ishin po aq të theksuara: “MANDATI PA PËRGJEGJËSI ËSHTË FORMË ELEGANTE E VETËVRASJES”, ishte një tjetër udhëzim.

Është një mesazh nga një epokë tjetër, nga një gjeneratë më pak cinike, por më e përgjegjshme teknologësh – një gjeneratë që ishte më e shqetësuar për mirëqenien njerëzore sesa për t’u pasuruar shpejt. /Telegrafi/

The post Nëse inteligjenca artificiale ta merr punën në vitin 2025, së shpejti do të punësohesh përsëri appeared first on Telegrafi.

❌