Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 24 January 2026Telegrafi

Shtetasi i Shqipërisë vet-plagoset në Prishtinë

24 January 2026 at 12:45


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një shtetas i Shqipërisë është vet-plagosur në Prishtinë.

Rasti ka ndodhur të premten në ora 23:00 në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë.

“Raportohet se është vet-plagosur me armë zjarri i dyshuari mashkull shqiptar shtetas i Shqipërisë. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ku kanë konfiskuar një arme zjarri pistoletë me një karikator pa fishek”, thuhet në raport.

Lidhur me rastin janë intervistuar edhe dy të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/

Biznesmeni çek bëhet personi më i pasur në botë në industrinë e mbrojtjes

24 January 2026 at 12:43


Një furnizues i mjeteve të blinduara dhe municioneve për Ukrainën është bërë personi më i pasur në botë në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Pasuria e magnatit Michal Strnad arrin vlerën e 37 miliardë dollarëve pas ofertës publike të aksioneve në bursën holandeze.

Michal Strnad, 33 vjeç, pronar i kompanisë së armatimit me qendër në Pragë, Czechoslovak Group AS, ka parë pasurinë e tij të rritet në rreth 37 miliardë dollarë, që përbën afërsisht 10 për qind të ekonomisë së Çekisë, pas debutimit të aksioneve të kompanisë në bursën e Amsterdamit.

Aksionet e kompanisë u rritën rreth 28 për qind në mëngjesin e ditës kur u tregtuan për herë të parë në bursë, duke pothuajse dyfishuar pasurinë e Strnad brenda një nate.

Përmes ofertës publike fillestare (IPO), kompania dhe Strnad ngritën rreth 3.3 miliardë euro, duke shitur aksione me çmim prej 25 eurosh secili.

Strnad trashëgoi kompaninë nga babai i tij pas një transferimi pronësie në vitin 2018. Sot ai renditet ndër personat më të pasur nën moshën 40 vjeç sipas Bloomberg Billionaires Index, me një pasuri të vlerësuar prej 36.9 miliardë dollarësh.

Czechoslovak Group është një nga prodhuesit kryesorë të armatimeve dhe pajisjeve mbrojtëse në Evropë dhe ka fituar kontrata të shumta ndërkombëtare.

IPO-ja e fundit konsiderohet një sukses i madh, duke rritur interesin për aksionet e kompanisë dhe duke e vendosur Strnad ndër miliarderët që po rriten më shpejt në botë.

Analistët e tregut e shohin këtë lëvizje si një tregues të fortë të besimit të investitorëve në sektorin e mbrojtjes dhe në strategjinë e zgjerimit të Czechoslovak Group në tregjet globale. /Telegrafi/

Tragjedi te klubi i Tiranës, vdes tragjikisht vajza e vogël e mesfushorit të tyre

24 January 2026 at 12:41


Klubi shqiptar i futbollit, Tirana, është zgjuar sot (e shtunë) me një lajm tragjik, pasi lojtari i tyre, Freddy Alvarez, ka humbur vajzën gjatë orëve të para të mëngjesit.

Mesfushori 30-vjeçar nga Costa Rica ka humbur tragjikisht vajzën e tij gjatë ditës së sotme dhe njoftimi pa ardhur nga faqja zyrtare e klubit Tirana.

“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin se vajza e lojtarit tonë, Freddy Alvarez, ka ndërruar jetë tragjikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm në Tiranë”.

“I gjithë klubi ynë është i tronditur dhe në zi, duke qëndruar pranë Freddyt dhe familjes së tij në këtë moment të rëndë”.

“Ngushëllimet tona më të sinqerta janë me familjen Alvarez. U prehtë në paqe”, thuhet në njoftimin e parë të klubit tiranas.


Më vonë, faqja zyrtare e klubit kryeqytetas ka njoftuar se ndeshje e sotme (e shtunë) ndaj Flamurtarit është shtyrë.

“Në shenjë respekti dhe solidariteti për humbjen e madhe të familjes Alvarez, është vendosur që ndeshja e planifikuar ndaj ekipit të Flamurtarit të shtyhet për ditën e nesërme, në orën 13:30, në stadiumin “Selman Stërmasi””, thuhet në njoftim.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, vdekja e vajzës ka ardhur në spital pasi është dërguar në gjendje kritika pas rrëzimit të saj nga krevati dykatësh (marinar). /Telegrafi/

Mjegull në akset rrugore Tetovë-Kodra e Diellit dhe Kumanovë-Kriva Pallankë

24 January 2026 at 12:40


Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, ndonjëherë në rrugë me lagështi, njoftojnë shërbimet kompetente.

Të gjitha rrugët shtetërore janë të kalueshme dhe të sigurta për trafik, ndërsa ekipet e NP "Rruga e Maqedonisë" janë pajisur plotësisht dhe janë vazhdimisht në terren, ku pastrohet bora dhe kryhet mirëmbajtja e rrugëve.

Në koordinim me NP për Rrugët Shtetërore dhe Ministrinë e Transportit, po kryhen aktivitete të koordinuara me qëllim sigurimin e trafikut të pandërprerë dhe të sigurt në periudhën e ardhshme.

Autoritetet u bëjnë apel shoferëve të ngasin me kujdes dhe ndërgjegje, të përdorin pajisjet dimërore, të respektojnë sinjalistikën e trafikut dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Vëmendje e veçantë rekomandohet për shkak të dukshmërisë së zvogëluar në disa rrugë.

Gjendja më kritike është rruga Tetovë - Kodra e Diellit, ku dukshmëria është e reduktuar në vetëm 30 deri në 40 metra për shkak të mjegullës. Dukshmëria është zvogëluar nga 50 në 100 metra në rrugën Dellçevë - Pehçevë, nga 100 në 150 metra në rrugën Kumanovë - Kriva Pallankë, si dhe në qafat malore Gjavato dhe Presekë, ndërsa në qafën e Pletvarit është deri në 50 metra.

Institucionet kompetente rekomandojnë që shoferët të kontrollojnë rregullisht gjendjen e rrugëve përmes qendrave zyrtare të informacionit, me qëllim që të planifikojnë udhëtimet e tyre në kohë dhe në mënyrë të sigurt.

109 të arrestuarve që dyshohen për manipulim të votave pritet t’u caktohet masa e sigurisë

24 January 2026 at 12:34


Sot, më 24 janar pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 109 të arrestuarve, të cilët dyshohen për manipulim me vota në Komunën e Prizrenit në zgjedhjet parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor.

Në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se seanca nis në ora 14:00.

“Gjykata Themelore në Prizren, njofton mediat se me datë sot me datë 24.01.2026, në Gjykatën Themelore në Prizren, nga ora 14:00, janë caktuar seancat dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, për rastin në të cilin me datë 23.01.2026, janë ndaluar 109 persona lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu ka njoftuar të premten se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Kryeziu gjatë konferencës për media ka thënë se të gjithë ata që kanë manipuluar me votat do të dalin para drejtësisë, ndërsa u tha se bëhet fjalë për mijëra vota të manipuluara dhe të falsifikuara. /Telegrafi/

Ndërsa bisedimet trepalëshe nisin në Abu Dhabi, sulmet ruse vazhdojnë në Ukrainë

24 January 2026 at 12:15


Ndërsa në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, kanë nisur për herë të parë që nga fillimi i luftës bisedimet trepalëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ukrainës dhe Rusisë, forcat ruse kanë vazhduar me sulmet e tyre vdekjeprurëse në territorin ukrainas.

Në kryeqytet, Kiev një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar, tre prej të cilëve janë shtruar në spital, sipas raportimeve të kryetarit të qytetit, Vitali Klitschko.

Mbeturinat e dronëve kanë rënë në disa qarqe, duke shkaktuar zjarre në një kooperativë garazhesh dhe një parking me një kamion karburanti, si dhe dëmtime në ndërtesa banimi, një zyrë dhe një shtëpi private. Dritaret e ndërtesave të apartamenteve dhe një objekti mjekësor janë thyer.

😡Cold and destruction: Russia launches massive strike on Ukraine

📍 Kyiv
1 dead, 4 injured (3 hospitalized), reports Mayor Vitali Klitschko.
Drone debris fell in several districts: fires at a garage cooperative and a parking lot with a fuel truck; damage to residential… pic.twitter.com/6eZ8O4WVfy
— NEXTA (@nexta_tv) January 24, 2026

Klitschko bëri me dije se rreth 6000 shtëpi në Kiev janë pa ngrohje, shumica prej tyre pas rikyçjes të dyfishtë të sistemit të ngrohjes pas sulmeve të 9 dhe 20 janarit. Ai shtoi se ka edhe probleme me furnizimin me ujë në bregun e majtë dhe pjesërisht në bregun e djathtë të qytetit.

Në qytetin lindor, Khrakiv 19 persona janë të lënduar, përfshirë edhe një fëmijë. Dëmtime kanë pësuar ndërtesa banimi, një konvikt, një ndërmarrje, spitali i lindjes dhe një spital i përgjithshëm. Mbi 130 shpëtimtarë janë angazhuar në evakuimin e banorëve nga ndërtesat që kanë marrë flakë.

Në qarqet Brovari dhe Boryspil, katër persona janë të lënduar dhe janë dëmtuar disa shtëpi private dhe automjete.

Sulmet e vazhdueshme theksojnë tensionin e lartë ndërkohë që diplomacia përpiqet të gjejë rrugë për një zgjidhje paqësore, ndërsa bisedimet trepalëshe në Abu Dhabi janë parë si një hap i rëndësishëm drejt dialogut ndërkombëtar. /Telegrafi/

Rënie e fasadave dhe kulmeve, intervenohet në lagjen Dardania dhe në zona tjera

24 January 2026 at 12:08


Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit thotë se ka intervenuar për largimin e rrezikut në ndërtesat e banimit, si pasojë e rënies së pjesëve të fasadave dhe kulmeve, fillimisht në lagjen Dardania, por edhe në zona të tjera të qytetit.

Në njoftim thuhet se ekipet e tyre në bashkëpunim me shërbimet përkatëse, janë duke realizuar intervenime teknike të specializuara, me qëllim parandalimin e rrezikut për kalimtarët dhe banorët.

“Angazhimi ynë është i vazhdueshëm dhe i përqendruar në identifikimin e rreziqeve, largimin e elementeve të pasigurta nga objektet, dhe rritjen e sigurisë në hapësirat publike.

Siguria e qytetarëve mbetet prioritet absolut i Kryeqytetit. Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca do të vazhdojë me monitorim aktiv dhe reagim të shpejtë në çdo rast ku paraqitet rrezik potencial”, thuhet në njoftim.

Tutje ftohen qytetarët që çdo shqetësim apo rrezik të mundshëm ta raportojnë përmes numrave emergjentë: 0800 122 44 ose 0800 122 33.

Ndryshe, komuna ka paralajmëruar se gjatë të dielës priten erëra të forta dhe u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes. /Telegrafi/







Volkswagen po e ndryshon emrin e SUV‑it elektrik ID.4

24 January 2026 at 12:00


Në Volkswagen thonë se përdorimi i emrave të njohur të modeleve me prefiksin ID. synon të forcojë lidhjen emocionale me modelet elektrike.

VW ID.4 nga ridizajnimi do të quhet ID. Tiguan. Thashethemet kanë qarkulluar tashmë prej kohësh, dhe tani sindikata punëtorëve IG Metall Emden e ka konfirmuar publikisht ndërrimin e emrit.

Ridizajnimi i ID.4, pra ID. Tiguan, do të prezantohet më vonë këtë vit. Sipas sindikatës IG Metall, prodhimi i ID. Tiguan në fabrikën e Emdenit do të vazhdojë deri në fund të vitit 2031.

Fillimisht, ID.4 prodhohej vetëm në fabrikën e Volkswagen Group në Zwickau, e cila u përshtat krejtësisht për prodhimin e veturave elektrike mbi platformën MEB. Më vonë u hap një linjë prodhimi shtesë për ID.4 në Emden, ku fillimisht punonte bashkë me modelet me motor me djegie të brendshme si Passat dhe Arteon. Arteon është ndërkohë ndalur, ndërsa Passat është zhvendosur në Bratislavë.

Kjo krijoi hapësirë për prodhimin e ID.7 elektrik në Emden. Ekzistojnë edhe zëra për ndryshimin e emrit të këtij modeli në ID. Passat – por as VW dhe as IG Metall nuk e kanë konfirmuar këtë.

Në të ardhmen, ID. Tiguan do të prodhohet vetëm në Emden. Prodhimi i ID.4 në Zwickau po ndalet gradualisht, dhe ajo fabrikë do të mbajë prodhimin e Audi Q4 e‑tron, Cupra Born dhe VW ID.3.

Volkswagen thotë se përdorimi i emrave të njohur me prefiksin ID. ka për qëllim ta rrisë apelin emocional të modeleve elektrike dhe ta afrojë më tepër me linjën tradicionale të marka - diçka që modelet e deritanishme ID.3 dhe ID.4 nuk e kishin arritur plotësisht. Ideja e parë me këtë koncept ishte ID. Polo. /Telegrafi/

Shpërndante kokainë dhe organizonte lojëra fati në lokal, arrestohet pronari në Bulgarec - në hetim një polic dhe dhjetëra persona tjerë

24 January 2026 at 11:59


Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka finalizuar operacioni policor të koduar “Organizatori”, ndërkaq është vënë në pranga pronari i një lokali që organizonte lojëra fati dhe shpërndante lëndë narkotike të llojit kokainë, në lokal.

Policia njofton se janë proceduar penalisht 14 shtetas për moskallëzim krimi, 3 të tjerë për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Po ashtu penalisht është proceduar edhe një punonjës policie dhe ndaj tij Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor.

“Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, të kryera në zbatim të planit të posaçëm të masave ‘Për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e organizimit të lotarive sportive online’, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, me mbështetjen e Forcave Operacionale ‘Shqiponjat’, Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë DVP Korçë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Korçë–Elbasan, finalizuan operacionin e koduar ‘Organizatori’.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi A. R., 57 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin’, ‘Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara’ dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në lokalin e tij, në fshatin Bulgarec, Korçë, ku u konstatua se 57-vjeçari kishte përshtatur ambientin për kryerjen e veprimtarisë së lojërave të fatit dhe për shitje e përdorim droge.

Ndërkohë, në banak u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë dhe, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën faqe aktive për baste sportive.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë në këtë ambient, disa shtetas tentuan të fshihnin provat dhe, në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasit: R. K., banues në Korçë; F. A., banues në fshatin Vinçan, Korçë; H. M., banues në fshatin Vloçisht, Maliq.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” për 14 shtetas të tjerë, të cilët, edhe pse kishin dijeni për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme, nuk e kallëzuan tek organet policore.

Për shkak se ishte prezent në këtë ambient dhe nuk ka kryer detyrimet që rrjedhin nga ushtrimi i detyrës, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” për shtetasin D. L., me detyrë punonjës policie pranë PKK Kapshticë.

Njëkohësisht, ndaj tij filloi edhe hetimi disiplinor.

Në përfundim të operacionit, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 14 doza me lëndë të dyshuar kokainë, një sasi monetare në lekë, euro, paund dhe lira turke, një automjet, 8 celularë, letra bixhozi dhe çipsa që shërbejnë për ushtrimin e lojërave të fatit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/

Nesër në Tetovë dhe Kumanovë do të testohet sistemi "Safe City", MPB jep detaje

24 January 2026 at 11:58


Ministria e Punëve të Brendshme i ka njoftuar qytetarët se në kuadër të projektit „Qyteti i Sigurt“, nesër, më 25 janar, do të zbatohen aktivitete për testimin, kalibrimin dhe verifikimin e pajisjeve të vendosura (kamerave) për mbikëqyrje të komunikacionit në zonën e qyteteve të Kumanovës dhe Tetovës, informon Telegrafi Maqedoni.

Siç thuhet në njoftim aktivitetet do të realizohen në intervalin kohor nga ora 08:00 deri në 20:00, me ç’rast në secilin lokacion me kamerë të vendosur procedura do të kryhet një herë dhe do të zgjasë pak, përafërsisht nga 15 deri në 30 minuta.

Gjatë zbatimit të aktiviteteve në lokacionin konkret, komunikacioni përkohësisht nuk do të lejohet derisa zgjat procedura, pas së cilës do të vazhdojë të zhvillohet normalisht.U bëjmë thirrje qytetarëve dhe gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë kufizimet e përkohshme, si dhe të tregojnë mirëkuptim, durim dhe bashkëpunim me qëllim të realizimit të papenguar dhe të sigurt të aktiviteteve të planifikuara.

Kujtojmë se zbatimi aktiv i sistemit "Qyteti i Sigurt" do të fillojë prej më 1 shkurt, pasi dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ligji u miratua me 81 vota pro. /Telegrafi/

Platforma e Paqes për Ballkanin, presidenti turk Erdogan takoi ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor

24 January 2026 at 11:50


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit diskutuan të premten marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale në një takim të mbajtur në Stamboll.

Në njoftimin e publikuar nga Presidenca turke në platformën X bëhet e ditur se në takim morën pjesë ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, si dhe zëvendësministrja e Jashtme e Serbisë, Nevena Jovanoviq, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.

Duke shprehur kënaqësinë për mbajtjen e takimit të dytë të Platformës së Paqes në Ballkan në Stamboll, Erdogan falënderoi përfaqësuesit e vendeve për kontributet e tyre.

Erdogan theksoi rëndësinë e trajtimit të çështjeve si siguria kufitare, energjia, teknologjia dhe transporti.

Ndryshe, në ditë më parë ministrja Donika Gërvalla bëri të ditur se me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan po qëndron në Stamboll në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin. /Telegrafi/

Chelsea rivalizon Interin për yllin e Real Madridit

24 January 2026 at 11:45


Real Madridi përballet me javë vendimtare në planifikimin e skuadrës, me një emër në veçanti në tavolinë. E ardhmja e afërt e Franco Mastantuonos po gjeneron debate të brendshme, ndërsa një propozim nga Anglia mund të ndryshojë planet fillestare të klubit.

Argjentinasi i ri, i cili u transferua nga Real Madridi verën e kaluar pas një investimi të rëndësishëm, nuk ka pasur ndikimin e pritur në fillim të këtij kapitulli të ri. Përshtatja e tij me ritmin evropian po përparon gradualisht dhe ata në Valdebebas po analizojnë me qetësi hapin e tij të radhës.

Në këtë kontekst, del në pah interesi i Chelseat, të cilët e shohin një huazim deri në fund të sezonit si një mënyrë ideale për ta zhvilluar lojtarin pa humbur kontrollin mbi progresin e tij.

Ideja e një transferimi të përkohshëm nuk po përjashtohet te Real Madridi. Klubi beson se një huazim i planifikuar mirë mund të përshpejtojë zhvillimin konkurrues të lojtarit.

Mastantuono mbërriti nga River Plate për 45 milionë euro, një shifër që pasqyron pritjet e mëdha që i janë vënë talentit të tij. Megjithatë, kërkesat e menjëhershme të Real Madridit po pengojnë procesin e tij të adaptimit.

Stafi i trajnerëve e kupton se ai ka nevojë për kohë të vazhdueshme loje dhe një kontekst ku mund të marrë përgjegjësi pa presionin e vazhdueshëm të rezultatit.

Chelsea vazhdon të kërkojë në treg lojtarë të rinj premtues që mund të përshtaten menjëherë me taktikat e ekipit. Në Stamford Bridge, ata besojnë Mastantuono mund të kontribuojë me kreativitet, dinamizëm dhe vrapime sulmuese nga mesfusha.

Prania e Liam Rosenior ka qenë çelësi i këtij interesi. Trajneri e vlerëson profilin e tij dhe beson se ai mund të bëhet një pjesë e rëndësishme brenda strukturës së tij sulmuese.

Chelsea beson se një huazim është opsioni më realist. Ata nuk po shqyrtojnë një transferim të përhershëm, por po kërkojnë të ofrojnë një mjedis tërheqës konkurrues, ashtu sikurse italianët e Interit që e duan deri në fund të sezonit. /Telegrafi/

Thaçi: Ali Ahmeti duhet të dorëhiqet nga politika, shpresë për BDI-në në qeveri më nuk ka

24 January 2026 at 11:37


Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka bërë homazhe tek varri i Arbën Xhaferit, duke e kujtuar ish-liderin e partisë në ditëlindjen e 78-të, informon Telegrafi Maqedoni.

Thaçi tha se Xhaferi ka lënë gjurmë të pashlyeshm në politikën në Maqedoni dhe më gjërë dhe se politika e tij është udhërrëfyes se nga duhet të ecin shqiptarët.

Thaçi poashtu komentoi dhe ftesën e Ali Ahmetit për bashkimin e partive shqiptare në Aleancën Kombëtare për Integrim.

“Jam i shokuar me prostitucionin politik të Ali Ahmetit, ai po i laritet Hristijan Mickoskit që ta merr në qeveri. Ahmeti është kanceri i politikës shqiptare në Maqedoni, tashmë edhe me Ziadinin dhe Taravarin. Kjo piskamë, kjo dhelpër që i digjet bishti e që e ka emrin Ali Ahmeti duhet të dorëhiqet nga politika”, tha Thaçi.

Ai deklaroi se shpresë për BDI-në më nuk ka, pavarësisht dëshirës së Ali Ahmetit për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

‘Nuk ka zgjedhje. Aliu gënjen. Askush nuk i ka premtuar asgjë, ai mendon që do të këtë shpresë për BDI-në por më shpresë nuk ka”, deklaroi Thaçi. /Telegrafi/

Zjarri më i madh në historinë e Novi Pazarit - digjen fabrika, gurore dhe depo

24 January 2026 at 11:30


Zjarrfikësit në Novi Pazar që nga mesnata e djeshme po përballen me zjarrin më të madh, sipas tyre, në historinë e këtij qyteti.

Sipas raportimeve të mediave lokale, zjarri dje rreth orës 2 të mëngjesit përfshiu fabrikën EMA-TEX, guroren Musiq, si dhe disa magazina dhe depo materiale, duke shkaktuar një dramë të vërtetë në zonën industriale të qytetit.

Tymi i dendur dhe flakët e larta ishin të dukshme nga pothuajse çdo pjesë e Novit Pazarit, shkruan klix.ba.

Sipas informacionit të fundit, zjarrfikësit pas një beteje disa-orëshe kanë arritur ta vendosin zjarrin nën kontroll, por situata mbetet serioze.

Sipas komandantit të Njësisë së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Novi Pazar, bëhet fjalë për zjarrin më të madh që ka përfshirë ndonjëherë qytetin.

“Kjo është, pa dyshim, ndërhyrja më e vështirë në Novi Pazar deri më tani. Situata mbetet serioze, por zjarri nuk ka më fuqinë e përhapjes së pakontrolluar”, tha komandanti i zjarrfikësve, duke theksuar përpjekjen dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjitha ekipeve në terren.

Në shuarjen e zjarrit, përveç forcave vendase, po marrin pjesë edhe ekipe zjarrfikëse nga disa qytete të tjera, të cilat iu përgjigjën thirrjes për ndihmë dhe mbërritën në Novi Pazar gjatë natës dhe mëngjesit.

Sipas informacionit në dispozicion, nuk ka viktima, çka konsiderohet sukses i madh i operacionit në këtë moment. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha dhe, sipas vlerësimeve të para jozyrtare, shkojnë në miliona, ndërsa shtrirja e saktë do të përcaktohet pas përfundimit të ndërhyrjes dhe inspektimit.

Banorëve u këshillohet kujdes, shmangia e zonës së përfshirë nga zjarri dhe ndjekja e informacionit zyrtar. Shërbimet përgjegjëse do të qëndrojnë në terren deri sa zjarri të fiket plotësisht dhe situata të shpallet e sigurt. /Telegrafi/



Rinumërohen 1,423 nga 2,557 vendvotime

24 January 2026 at 11:26


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 24 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar mbi 55% apo 1,423 nga 2,557 vendvotime.

“Në platformën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë në Prizren, Petrit Kryeziu të premten ka thënë se janë ndaluar 109 të dyshuar nën dyshimin për manipulim të votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Sipas tij, gjithsej 121 persona janë ftuar për intervistim, prej të cilëve disa nuk janë paraqitur, ndërsa një pjesë janë konstatuar si të pafajshëm.

Ai shtoi se veprimet janë ndërmarrë ndaj personave të identifikuar, ku shumica prej tyre janë komisionerë.

Edhe pas 'ndarjes' nga Dolce, Alba qanë sërish për Limin: Kam frikë ta humb

24 January 2026 at 11:25


Alba ka shprehur hapur ndjenjat e saj dhe frikën për humbjen e Limit, duke treguar anën më emocionale të saj pas spektaklit “Prime” në Big Brother VIP Kosova.

Gjatë një bisede të qetë me Arditin, banorja u shpreh se ndihet e pasigurt dhe e lënduar nga mundësia që Limi të zgjedhë dikë tjetër, duke pranuar se kjo situatë po e rëndon emocionalisht. Fjalët e saj reflektuan dhimbjen dhe pasiguritë që po përjeton brenda shtëpisë.

“Në rast se zgjedh dikë tjetër dhe jo mua, prej tani e di peshën e asaj po ndodhi, realisht brenda vetes time kam frikë ta humb”, u shpreh Alba, duke treguar qartë se sa e ndjeshme është për këtë raport.

- YouTube youtu.be

Këto deklarata kanë ngjallur reagime të shumta te publiku, i cili po ndjek me vëmendje zhvillimet mes Albes dhe Limit. Shumë ndjekës e kanë parë këtë moment si një shprehje të sinqertë të ndjenjave të saj, ndërsa të tjerë presin të shohin se si do të reagojë Limi dhe çfarë drejtimi do të marrë marrëdhënia e tyre në ditët në vijim.

Mbetet të shihet nëse ky rrëfim emocional do të ndikojë në vendimet e ardhshme të Limit dhe në dinamikën e lojës brenda shtëpisë së Big Brother VIP Kosova. /Telegrafi/

Përdorte ChatGPT për taktika dhe vendime, drejtuesit e klubit shkarkuan trajnerin pasi po i rrëzonte nga kategoria

24 January 2026 at 11:25


Ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Sochit, Andrei Orlov, ka zbuluar se si ish-trajneri kryesor i klubit, Robert Moreno, e përdori ChatGPT në punën e tij dhe në çdo vendim rreth ekipit dhe ndeshjeve.

Moreno udhëhoqi ekipin rus nga dhjetori i vitit 2023 deri në shtator 2025 dhe drejtuesit e klubit vendosen ta shkarkojnë pasi një fillimi të dobët të sezonit dhe vetëm 1 pikë në 7 ndeshjet e para pas rikthimit në ligën superiore.

Aktualisht, nën udhëheqjen e Igor Osinkin, Sochi zë vendin e fundit, të 16-të, në renditjen e kampionatit rus me nëntë pikë dhe Orlov tashmë e ka akuzuar Morenon rreth punës së tij duke e cilësuar si një trajner që nuk pranonte mendimet e të tjerëve.

"Moreno nuk i respektonte fare asistentët dhe lojtarët e tij - njerëzit e ndienin këtë. Asistentët ishin vetëm ekzekutorë, ata kurrë nuk mund ta mbronin pozicionin e tyre", ka thënë fillimisht Orlov për championat.com.

Ai gjithashtu theksoi pa-efektshmërinë e Morenos sepse, pavarësisht rezultateve të dobëta, qasja ndaj lojës nuk ndryshoi.

"Gjatë krizës, Moreno tregoi se ishte një tifoz i ChatGPT", shtoi ai, ku si shembull përmendi përgatitjet për ndeshjen jashtë fushe në Khabarovsk.

"Roberti tha: 'I kam zgjidhur të gjitha. I kam futur të gjithë parametrat e ndeshjes jashtë fushe në ChatGPT. Duhet të fluturojmë ditën e ndeshjes. Në Sochi, do të stërvitemi një orë më parë dhe dy ditë para nisjes, do të fillojmë stërvitjen në orën shtatë të mëngjesit'", tha ai.

Pasi Orlov e shqyrtoi prezantimin, ai e kuptoi se plani do t'i mbante lojtarët zgjuar për 28 orë.

"Unë thashë, 'Robert, kjo është shumë mirë, por kur do të flenë djemtë?' Moreno futi parametrat e rinj, prezantimi u përditësua. Në fund, ne vazhduam me orarin që kishte hartuar ChatGPT".

Përzgjedhja e lojtarëve bazuar në analizën e inteligjencës artificiale

Inteligjenca artificiale u përdor gjithashtu në përzgjedhjen e lojtarëve. Verën e kaluar, klubi rus po kërkonte një sulmues dhe përzgjedhja përfshinte Vladimir Pisarski, Pavel Meljosin dhe Artur Susenacev.

"Moreno futi të dhënat e Pisarski, Meljosin dhe Susenacev nga Ëyscout në ChatGPT. Sipas GPT, Susenacev ishte më i miri", tha Orlov.

Kur u pyet nëse një qasje e tillë i dukej absurde, Orlov shpjegoi se përdorimi i mjeteve shtesë në vetvete nuk ishte problematik.

"Një mjet shtesë - pse jo? Por për Morenon, ChatGPT në një moment u bë një nga kryesoret", përfundoi Orlov.

Andrei Orlov

Ndryshe, Moreno është një ish-trajner i Spanjës dhe gjithashtu ka drejtuar Monacon. Si trajner, ai u rrit përmes akademisë së Barcelonës dhe punoi si asistent në ekipin e parë. Ai gjithashtu punoi si asistent te Celta Vigo dhe Roma, dhe si trajner kryesor te Granada.

Moreno në të kaluarën është lidhur edhe me stolin e Kombëtares së Kosovës, teksa te asnjëra prej këtyre skuadra nuk ka pasur deri tani ndonjë sukses të veçantë. /Telegrafi/

​KQZ: Rinumërimi përmbyllet javën e ardhshme, pastaj rezultatet përfundimtare

24 January 2026 at 11:22


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar se procesi i rinumërimit të plotë të të gjitha vendvotimeve, 2,557 sosh, planifikohet të përmbyllet gjatë javës së ardhshme.

Përfundimi i këtij procesi, të nisur më 13 janar, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, do t’i hapte rrugën KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të përmbyllet gjatë javës në vazhdim”, tha Elezi.

Më tej, ai ka shpjeguar se pavarësisht se procesi i rinumërimit i heq dilemat lidhur me rezultatet dhe mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, megjithatë, kjo është një e drejtë e subjekteve politike dhe kandidatëve, andaj KQZ do të presë paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të përmbyllë të gjithë procesin zgjedhor.

“Pas përfundimit të rinumërimit, KQZ do të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ashtu siç parashihet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike dhe kandidatët do të mund të parashtrojnë ankesat e tyre në PZAP dhe, eventualisht, procesi mund të vazhdojë deri në Gjykatën Supreme. Natyrisht, procesi i rinumërimit i heq dilemat sa i përket rezultateve dhe kjo mund të zvogëlojë nevojën për ankesa, por KQZ duhet të presë afatin për paraqitjen dhe shqyrtimin e tyre para se të procedojë me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve dhe njëkohësisht me përmbylljen e procesit zgjedhor”, ka shtuar ai.

Javën e ardhshme, më 28 janar, bëhen një muaj nga dita e zgjedhjeve kur qytetarët e Republikës së Kosovës votuan në zgjedhje të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Shpallja e rezultateve ishte planifikuar të bëhej deri më 19 janar, megjithatë, KQZ vendosi për rinumërim pas një verifikimi të kryer në 33 vendvotime, ku rezultoi se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyronin saktë votat në fletëvotime.

Sipas KQZ-së, meqenëse kemi të bëjmë me një proces që përfshin të gjitha vendvotimet, rezultati që do të vlejë në shpalljen e rezultateve përfundimtare do të jetë ai që do të dalë nga procesi i rinumërimit dhe jo nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit. /kp/

LSDM sot do të mbajë Kongresin e partisë

24 January 2026 at 11:10


Lidhja Social Demokratike sot do ta mbajë Kongresin e 31-të në Shkup në hotelin Aleksandar Pallas.

Sipas informacioneve nga LSDM-ja, Kongresi do të ketë një pjesë të hapur dhe një pjesë pune.

Në fillim, do të ketë një pjesë të hapur të Kongresit, pas së cilës do të pasojë edhe fjalimi i kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe. Pas kësaj do të vijojë një pjesë pune e Kongresit.

Kujtojmë se ditë më parë Filipçe theksoi se kritikat aktuale ndaj tij dhe partisë vijnë nga, siç tha ai, “individë që janë shantazhuar ose blerë”, duke shtuar se anëtarët dhe mbështetësit e vërtetë të LSDM-së i njohin këto përpjekje për të dobësuar opozitën. Ai tha se nuk ka ndërmend të largohet nga detyra sepse, siç theksoi, qëllimi i tij kryesor është të vazhdojë luftën për “shërimin e shoqërisë, zhdukjen e korrupsionit dhe kthimin e vendit në rrugën evropiane”.

Filipçe theksoi se LSDM mbetet një parti plotësisht e bashkuar, me një grup parlamentar të sinkronizuar dhe kompakt dhe se procesi i konsolidimit të brendshëm në organizatat komunale është duke vijuar.
Nga ana tjetër, ish-kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, i bëri thirrje Filipçes që të japë dorëheqje, ndërsa me kritikë të hapur doli edhe Jovan Despotovski, duke vlerësuar se udhëheqësia aktuale e LSDM është e vetmja përgjegjëse për pakënaqësinë midis anëtarëve të partisë.

Aksident i rrallë në Aeroportin e Detroitit - shoferi hyn me veturë në terminal, gjashtë të lënduar

24 January 2026 at 10:59


Një shofer është në paraburgim pasi përplasi një automjet në një terminal në Aeroportin e Detroit.

Aksidenti ndodhi në Terminalin McNamara pranë sporteleve të “check” të Delta Air Lines.

Autoriteti i Aeroporteve të Qarkut Wayne raportoi se automjeti hyri përmes një hyrjeje dhe goditi një sportel bilete.

Shoferi u mor në paraburgim, ndërsa gjashtë persona u trajtuan në vend nga zjarrfikësit, tha autoriteti i aeroportit.

— (@)

Shkaku i aksidentit nuk dihet. Emri i shoferit nuk u bë publik menjëherë. Nuk ishte e qartë nëse kishte pasagjerë në automjet.

Delta Air Lines tha në një deklaratë për CBS News se nuk kishte raportime për të lënduar dhe nuk pati ndikim në operacionet e aeroportit.

Tre punonjës u kontrolluan nga personeli i emergjencës pas kontaktit me rrënojat, tha kompania ajrore.

Një ekuipazh i CBS News Detroit kapën pamje të automjetit të aksidentuar brenda ndërtesës. Rrethanat e incidentit nuk ishin të qarta. /Telegrafi/

❌
❌