Sot po mbahen punimet e Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të vendosur lidhur me udhëheqjen e partisë pas rezultateve jo të mira në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Para delegatëve të partisë, në fjalë rasti e mbajti kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
E fotoreporteri i Telegrafit, Ridvan Slivova ju sjell fotografi nga punimet e Kuvendit të LDK-së. /Telegrafi/
Raportimet nga Italia pretendojnë se Milani po afron drejt një marrëveshjeje të plotë me Crystal Palace për sulmuesin qendror Jean-Philippe Mateta, por “Rossonerët” ende kanë dy pengesa për t’i kapërcyer para se të mirëpresin francezin në “San Siro”.
Sipas raporteve të së premtes, Milani ka arritur një marrëveshje me Matetan, i cili po shtyn për t’u bashkuar me skuadrën e Massimiliano Allegri që në janar.
Përditësimet nga Gazzetta dello Sport të shtunën në mëngjes tregojnë se Mateta është gati të firmosë një kontratë deri në vitin 2030, me pagë rreth 3.5 milionë euro në sezon.
Sipas përditësimit të së shtunës, Milani po pret të kuptojë nëse do të jetë e mundur të finalizojë marrëveshjen me Crystal Palace në janar.
Nëse arrihet të mbyllet marrëveshja para mbylljes së afatit, Milani është i gatshëm të paguajë një shifër prej 35 milionë eurosh, përfshirë bonuse, e cila do të bjerë në 30 milionë euro, përfshirë bonuse, nëse ata detyrohen të presin deri në afatin e verës.
Për të realizuar transferimin në janar, Crystal Palace do të duhet së pari të gjejë një zëvendësues, pasi Oliver Glasner nuk do të kënaqet vetëm me një huazim për sulmuesin e Aston Villës, Evann Guessand.
Së dyti, Milani duhet të formalizojë edhe shitjen e Christopher Nkunku, i cili pritet të “sakrifikohet” për t’i hapur vendin ardhjes së Matetas.
Milani preferon ta shesë Nkunku në mënyrë të përhershme, por Gazzetta dello Sport raporton se ata mund të tundohen edhe nga një ofertë huazimi me obligim blerjeje të kushtëzuar./Telegrafi/
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski komentoi paralajmërimet për “non paper” nga eurokomisionerja Mart Kos, në lidhje me statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE, ku parashihet edhe anëtarësim pa të drejtë vote.
Ai tha se qëndrimi i qeverisë është që duhet të punojmë dhe të bëjmë gjithçka që duhet, që ta realizojmë qëllimin tonë të dytë strategjik , anëtarësimin e plotë në BE.
"Nuk do të jetë lehtë, sepse qeveria e kaluar bëri komplikim të atillë me procesin eurintegrues, duke i dorëzuar të gjitha pozitat që ishin arritur paraprakisht në dekadat e fundit", tha Mickoski.
Ai tha se njëherë do ta shikojë non paperin.
“Ta shohim njëherë atë non paper. Ka liderë nga rajoni që këtë e kërkojnë, të jemi të sinqertë…nga ana e BE-së. Ta shohim atë no paper. Shumë herë kemi dëgjuar deri tani për “gradual integration”, respektivisht integrim në etapa, dhe “safe guards”, të tipit mekanizma mbrojtës, ja të themi Polonia 20 vjet nuk mundi të shfrytëzojë fonde strukturore për bujqësinë, për herët ë parë filloi t’i shfrytëzojë në vitin 2024. Fillimisht ta shohim konceptin, pastaj to ta themi qëndrimin tonë”, deklaroi Mickoski.
Policia e Kosovës për rajonin e Pejës ka bërë të dotir se ka arrestuar dy të dyshuar për grabitjen në një këmbimore në Pejë.
Rasti kishte ndodhur më 28.01.2026, rreth orës 15:45 në rrugën “Eliot Engel” në Pejë.
Policia njoftoi se menjëherë i është përgjigjur rastit dhe me të arritur në vendngjarje, ka kuptuar nga viktima e cila ka qenë në orarin e punës se dy persona të maskuar kanë hyrë në lokal dhe nën kërcënimin e thikës kanë arritur t’i marrin nga viktima 1 mijë euro.
Në njoftim tutje thuhet se pas një pune intensive të hetuesve të sektorit rajonal për hetime, në bashkëpunim me njësitet e Stacionit Policor në Istog, më 30.01.2026, rreth orës 23:00, nga zyrtarët policor të Stacionit Policor në Istog janë lokalizuar dhe arrestuar në bjeshkët e Istogut, dy persona të dyshuar për këtë rast.
Pas intervistimit nga hetuesit e sektorit rajonal për hetime, dy të dyshuarit, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Të njëjtit dyshohen edhe për një grabitje tjetër e cila ka ndodhur më 21.12.2025 në rrugën “Bekim Berisha” në Pejë. /Telegrafi/
Elon Musk ka reaguar pas publikimit të një grupi të ri dokumentesh që lidhen me Jeffrey Epstein.
Email-et e zbuluara tregojnë se Musk kishte një korrespondencë të kufizuar me pedofilin e ndjerë, duke përfshirë diskutime për një vizitë të mundshme në ishullin e Epsteinit dhe një drekë të planifikuar në shkurt të vitit 2013.
Miliarderi i teknologjisë theksoi në rrjetet sociale se ai ka refuzuar ftesa për të vizituar ishullin e Epsteinit dhe për të udhëtuar me aeroplanin e njohur si “Lolita Express”.
Ai shtoi se një pjesë e email-eve mund të interpretohet gabim dhe të përdoret për të dëmtuar imazhin e tij publik.
“Kam pasur shumë pak korrespondencë me Epsteinin, por është e qartë se disa email-e mund të interpretohen gabim”, shkroi Musk.
“Më shqetëson më pak kjo, por më shqetëson fakti që të përpiqemi të ndjekim penalisht ata që kanë kryer vepra të rënda me Epsteinin, veçanërisht kur bëhet fjalë për shfrytëzim të rëndë të vajzave të mitura”, shtoi ai.
Publikimi i këtyre dokumenteve ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe ka nxitur debat mbi lidhjet e mundshme të figurave të njohura me Epstein. /Telegrafi/
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, ndodhej për një vizitë dyditore në Tiranë në maj të vitit 2012, ku në agjendë kishte takime të rëndësishme me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto.
Por, teksa ishte i angazhuar me politikën e ditës në Tiranë, i kishte rënë në sy edhe një detaj tjetër: vajzat e jashtëzakonshme shqiptare.
Këtë, ia përcolli edhe Jeffrey Epstein një ditë më vonë përmes një emaili, duke e njoftuar se ai kishte qenë në vendin tonë.
Sipas arkivave të kohës, Jagland u takua me kryeministrin Berisha, të cilin e uroi për marrjen e kryesimit të radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, raporton topchannel.
Tirana në atë periudhë po vlonte nga debati për zgjedhjen e presidentit, kur Bamir Topi ishte në muajin e fundit të mandatit dhe Sali Berisha nuk i kishte votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e ri të shtetit në tre raundet e para.
Në konferencën për shtyp të 24 majit 2012, Jagland, i cili kishte qenë më parë edhe kryeministër i Norvegjisë, bëri thirrje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Një ditë më vonë, mbresat e tij për vendin tonë kishin mbetur te “vajzat e jashtëzakonshme të Tiranës”.
Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, përfaqësues të subjekteve politike, të komunës së Prishtinës, veteranë e familjarë kanë bërë homazhe pranë përmendores së heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, në përvjetorin e rënies së tij dhe bashkëluftëtarëve Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, përfaqësues të tjerë institucionalë, kryetari i AAK-së, familjarë e veteran, dhe vendosën lule të freskëta dhe theksuan rëndësinë e sakrificës së tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Presidentja Vjosa Osmani e cilësoi 31 janarin si një nga ditët më me peshë dhe më frymëzuese në historinë e Republikës së Kosovës. Ajo theksoi se rënia e tre heronjve i dha kumtin lirisë dhe frymëzoi një popull të tërë të luftojë kundër mohimit shekullor.
“Në këtë ditë ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, që të tre heronj të Republikës së Kosovës, duke dhënë kështu kumtin e lirisë dhe duke inspiruar një popull të tërë që të luftojë për lirinë që na ishte mohuar me shekuj. Natyrisht që kjo sakrificë e tyre ka vënë themelet e forta të Republikës së Kosovës, themele në këto që edhe sot qëndron shteti ynë sovran, i pavarur, i cili u ndërtua me gjak, i cili u ndërtua me mund dhe me shumë sakrificë e ndër to, ndër sakrificat më të rëndësishme që vërtet i dhanë peshë lirisë sonë dhe i japin dritë rrugës sonë përpara, ishte edhe sakrifica e Zahir Pajazitit me shokë, të cilët i kujtojmë sot“, tha ajo, raporton KP.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, pasi kujtoi se homazhet u bënë bashkë me presidenten, nënkryetaren e kuvendit, kolegë nga qeveria, aktivistë dhe ish-luftëtarë, e përshkroi Zahir Pajazitin si një luftëtar të paepur dhe një guerilas me aksione tejet të suksesshme.
Sipas tij, forcat serbe i vranë më 31 janar 1997, sepse ishin të tmerruara nga veprimtaria e tyre.
“Aq shumë ishin tmerruar forcat armike të Serbisë nga Zahir Pajaziti, saqë vetëm kurthi, pusia, prita mund t'ju jepte shans forcave okupatore që ta eliminonin Zahir Pajazitin. Rënia e tyre i dha një hov të jashtëzakonshëm edhe vetëbesimit popullor, por gjithashtu edhe shtimit të radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ashtu qysh nuk mund ta mësojmë e kuptojmë historinë tonë më të re pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjashëm nuk mund ta kuptojmë e mësojmë edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës pa figurën e jashtëzakonshme të komandantit Zahir Pajaziti. Në çdo janar ne i përkujtojmë ata, i kujtojmë ata në mënyrë që t'ia kujtojmë e përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për shtetin që kemi dhe lirinë që gëzojmë, por në të njëjtën kohë edhe për të shprehur zotimin tonë për përgjegjësitë më të larta shtetërore që kemi, se do të vazhdojmë rrugës së dëshmorëve dhe martirëve të kombit, gjaku i të cilëve është në themelet e Republikës së Kosovës. “, tha ai.
Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i cilësoi tre heronjtë si figura themeltare të rezistencës së armatosur dhe të UÇK-së. Ajo theksoi se Zahir Pajaziti ishte një nga ideatorët dhe organizatorët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Aktorja kanadeze-amerikane Catherine O'Hara, e njohur më së miri për rolin e saj në filmin "Home Alone", ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare. Agjencia e saj tha se ajo vdiq pas një sëmundjeje të shkurtër, por detajet nuk u bënë të ditura. Aktorja kishte folur më parë për diagnozën e saj.
Konkretisht, asaj iu diagnostikua situs inversus, një gjendje e rrallë kongjenitale në të cilën organet në gjoks dhe bark janë në pozicione shëmbëlltyre pasqyre në krahasim me anatominë normale.
Klinika e Clevelandit deklaron se një në 10,000 njerëz ka situs inversus, dhe kjo gjendje është më e zakonshme tek burrat.
Foto: Getty Images
O'Hara rrallë fliste për gjendjen e saj, por në një intervistë tha se iu desh të testohej për tuberkuloz kur djali i saj ishte në kopësht. Gjatë testeve paraprake, ajo bëri një radiografi të kraharorit, e cila zbuloi situs inversus.
"Jam një e çuditshme! E dua mjekësinë perëndimore, thjesht nuk dua të jem pjesë e saj", tha ajo, duke shtuar se donte ta injoronte diagnozën e saj dhe nuk donte ta mbante mend emrin e saj.
"Njerëzit do të mendojnë se jam injorante ngaqë nuk e di këtë, por disi nuk dua ta di sepse nuk e dija më parë", tha ajo.
Tek njerëzit me situs inversus, atriumi i majtë i zemrës dhe mushkëria e majtë janë në anën e djathtë të trupit. Mëlçia është në të majtë në vend të së djathtës, dhe stomaku dhe shpretka janë në anën e djathtë të trupit në vend të së majtës. /Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku para se të hynte në mbledhjen partisë, saktësisht në Kuvendin e punës së LDK-së tha se do të dëshironte që kjo ditë të shënohet me maturitet politik, me diskutime dhe debate të hapura.
Abdixhiku thekoi se le të jetë kjo një standard i mirë, i mbarë jo vetëm për LDK-në, por edhe për partitë tjera.
“I siguroj të gjithë anëtarësinë e LDK-së se nga kjo ditë do të dalim edhe më të unifikuar, më të fortë, edhe më të gatshëm për të ardhmen e mirë që na pret përpara”, tha ai.
Abdixhiku tha se me debat, me diskutime dhe në fund me shumicë votash e përcaktojnë faktin politik.
Ai tutje tha Kuvendi është organi më i lartë i partisë dhe ka të drejtë të vendos çdo gjë.
“Kuvendi vendos për të ardhmen politike të LDK-së dhe të secilit”, tha ai, kur u pyet për kandidaturën e Avdullah Hotit.
Ndërkaq, lidhur me kritikat për mos qartësim të agjendës, Abdixhiku tha se ky është niveli më i lartë demokratik dhe mund të gjejnë kritika për gjëra të parëndësishme. /Telegrafi/
Mesfushori shqiptar Kristjan Asllani e kompletoi mbrëmë (e premte) transferimin te gjiganti turk Besiktas.
Asllani u transferua në elitën e futbollit turk në formë huazimi nga Interi, pas një aventure jo aq të mirë me Torinon.
Te Besiktasi, Asllani e ka gjetur edhe yllin kosovar Milot Rashica me të cilin ndau disa momente së bashku gjatë seancës së tij të parë stërvitore.
Aty ra në sy edhe komunikimi i Rashicës me një zyrtar të Besiktasit, me këtë të fundit që e pyeti yllin vushtrrias se a e njeh Asllanin.
“E njeh? E ke shok?”, ishte pyetja e zyrtarit të Besiktasit, teksa nuk vonoi përgjigja e Rashicës i cili i tha “Jo, e kam vëlla”.
Vlen të theksohet se Besiktasi mban gjithashtu opsionin për blerjen përfundimtare të kartonit të Asllanit, në rast se ky i fundit bën paraqitje të mira në Turqi./Telegrafi/
Izraeli ka kryer sot sulme ajrore në Rripin e Gazës.
Sipas burimeve mjekësore që kanë folur për Al Jazeera, të paktën 28 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite jashtë zonave të tyre të vendosura sipas marrëveshjes së armëpushimit të 10 tetorit.
Në këtë numër viktimash përfshihen 18 persona që u vranë brenda qytetit të Gazës, thanë ata.
Mahmoud Basal, zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Palestineze në Gaza, i ka thënë Al Jazeeras se shumica e atyre që u vranë në sulmet izraelite sot janë fëmijë.
Ai tha se forcat izraelite përdorën raketa, të cilat kanë shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe zjarre të mëdha në zonat e goditura.
Basal shtoi se deri tani shtatë persona janë nxjerrë nga selia e policisë, e cila u bombardua nga forcat izraelite në lagjen Sheikh Radwan të qytetit të Gazës.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë palestineze ka njoftuar se që nga fillimi i luftës me Izraelin më 7 tetor 2023, numri i përgjithshëm i të vrarëve në Gaza ka arritur në 71,769 ndërsa 171,483 persona të plagosur. /Telegrafi/
Anëtari i Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka theksuar se brenda partisë duhet të refuzohet qasja e qëndrimeve "bllanko" të degëve, duke nënvizuar se vendimmarrja u takon delegatëve individualisht.
Sipas Selmanajt, dega e LDK-së në Prizren ka rreth 16 delegatë dhe secili prej tyre ka bindjen e vet personale për të vlerësuar se cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekë LDK-ja.
“Ne i kemi vlerësuar bashkë, por vendimi mbetet individual dhe unë e respektoj maksimalisht qëndrimin e secilit delegat”, ka deklaruar Selmanaj.
Ai u shpreh i bindur se LDK-ja edhe në momentet e saj më delikate, ka ditur të gjejë mekanizma të brendshëm për rregullim dhe reflektim të drejtë, veçanërisht në situatat kur është përballur me sfida në zgjedhjen e kryetarit të partisë.
“Gjithmonë LDK-ja e ka zgjedhur situatën më të mirë”, tha ai, duke shtuar se aktualisht mungesa e një agjende të qartë nuk është shenjë e mirë.
Sipas Selmanajt, deri mbrëmë duhej të ishte e qartë nëse do të votohej për votëbesim apo do të shqyrtohej dorëheqja.
Ai theksoi se shqyrtimi i dorëheqjes do të ishte antistatutor nëse hyn në një cikël të tillë, pasi statuti i LDK-së nuk e parasheh këtë procedurë, duke ritheksuar besimin e tij në demokracinë e brendshme të partisë.
Selmanaj kujtoi se LDK-ja ka vendosur standard në Kosovë që pas rezultateve të dobëta zgjedhore të ketë proces vlerësimi të brendshëm.
“Nuk jemi të kënaqur me këto rezultate. Nëse nuk kemi arritur ta transmetojmë idenë e mirë të LDK-së te qytetarët, atëherë faji nuk është i tyre, por i vetë LDK-së”, u shpreh ai.
Duke folur për udhëheqjen e partisë, Selmanaj vlerësoi lart të kaluarën dhe trashëgiminë politike të Avdullah Hotit, duke e cilësuar atë si një vlerë të madhe për LDK-në, por theksoi se kjo nuk përjashton kandidaturat e tjera.
“Kjo është e mira e LDK-së, të ketë debate dhe kundërshti”, tha Selmanaj, duke përfunduar se partisë i nevojitet një dinamikë pak më ndryshe në të ardhmen. /Telegrafi/
Mercedes‑Benz ka prezantuar S‑Klasën e redizajnuar, ku interieri ka kaluar transformimin më të madh teknologjik deri tani.
Kabina tradicionale me dru është zëvendësuar nga një qendër moderne me tre ekrane të mëdhenj dhe plastika “piano”, duke e kthyer makinën në një laborator të vërtetë digjital.
Sistemi i avancuar MBUX tani integron ChatGPT‑4o dhe Microsoft Bing, duke mundësuar asistencë virtuale dhe funksione të zgjeruara lidhjeje.
Edhe pasagjerët e ulëseve të pasme kanë përfituar: ekranet 13,1‑inch, telekomanda dhe kamerat e përmirësuara lejojnë përdorimin për takime online dhe argëtim interaktiv.
Nën kapotë, modeli S 580 4MATIC me motor V8 është përmirësuar, duke ofruar performancë të fuqishme dhe efikasitet të optimizuar.
Me këtë version, Mercedes S‑Klasa kombinon luksin klasik me teknologjinë më të fundit, duke e bërë çdo udhëtim një eksperiencë të avancuar. /Telegrafi/
Manchester United raportohet se ndjehet i detyruar të shesë një lojtar të papritur te Barcelona.
Në javët e fundit, që nga zëvendësimi i Ruben Amorimit me Michael Carrick, United ka shfaqur një ngritje të formës.
“Djajtë e Kuq” kanë mposhtur rivalët Manchester City dhe Arsenal në dy ndeshjet e fundit të Ligës Premier.
Të dielën, ata do të synojnë fitoren e tretë radhazi në përballjen me Fulham në Old Trafford.
Së fundmi, një raport nga mediumi spanjoll Fichajes ka lidhur një lojtar befasues të United me një kalim të mundshëm në La Liga, te Barcelona.
Thuhet se trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, është një admirues i madh i mbrojtësit të United, Lisandro Martinez.
Raporti përmend se Barcelona e sheh Martinezin, 28 vjeç, si një “përshtatje perfekte”, për shkak të agresivitetit të tij dhe aftësisë për të “prerë” linjat me pasimet e tij.
Për më tepër, besohet se stili i lojës së Martinezit i përshtatet mirë linjës së lartë mbrojtëse që preferon Flick.
Fichajes raporton se Barcelona është “e gatshme” të bëjë një ofertë gjatë verës, me një shifër rreth 30 milionë euro.
Kjo shumë duket e ulët, pasi Martinez do të mbetet pa kontratë në verën e 2027, dhe United raportohet se është “në presion të madh” për të vendosur ose t’i ofrojë argjentinasit një kontratë të re, ose ta shesë.
Për pasojë, raporti thekson se United “gati se ndjehet e detyruar” të diskutojë një transferim të mundshëm me Barcelonën për shkak të situatës së kontratës./Telegrafi/
LSDM paraqiti Ligjin për Rritjen e Pagës Minimale në 600 Euro, duke vlerësuar se është një masë realiste dhe e nevojshme për të mbrojtur standardin e jetesës së punëtorëve, në përputhje me kërkesat e qarta të sindikatave dhe kushtet aktuale ekonomike në vend.
Partia thekson se ligji është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj përkeqësimit dramatik të standardit të jetesës në një vit e gjysmë të kaluar, një periudhë në të cilën inflacioni, rritja e çmimeve të ushqimit, energjisë elektrike, ngrohjes dhe shërbimeve bazë kanë ulur seriozisht fuqinë blerëse, veçanërisht tek qytetarët që jetojnë me pagën minimale.
Sipas LSDM, për mijëra familje paga minimale është burimi i vetëm ose dominues i të ardhurave, prandaj shteti është i detyruar të sigurojë fonde për rritjen e saj në 600 Euro.
"Nuk mund të ketë para për tendera kriminalë, dhe mund të pretendohet se nuk ka fonde për punëtorët", reagon LSDM, duke përmendur një sërë shembujsh të prokurimeve dhe kontratave publike që, sipas tyre, ngrenë dyshime serioze për abuzim.
Në deklaratë thuhet se qytetarët dëgjojnë çdo ditë për qindra tenderë të dhënë kompanive individuale, miliona dollarë për kompani me një numër minimal punonjësish, si dhe kontrata të lidhura me kompani të afërta me koalicionin qeverisës OBRM-PDUKM – ZNAM.
“Kjo është zgjedhja e qeverisë – skema tenderësh në vend të punëtorëve”, thotë LSDM, duke shtuar se të rinjtë po largohen masivisht nga vendi, ndërsa Qeveria njëkohësisht po importon fuqi punëtore të huaj me pretekstin e mungesës së personelit.
Një moment jo fort i këndshëm televiziv është regjistruar mbrëmjen e djeshme gjatë spektaklit “prime” të Big Brother VIP Kosova, duke shkaktuar reagime dhe komente të shumta në rrjete sociale.
Situata ka ndodhur në një çast që zakonisht shënon kulmin e tensionit në format, atë të shpalljes së të eliminuarit.
Teksa moderatorja e programit, Jonida Vokshi, njoftoi se spektakli do të shkonte në publicitet dhe se pas rikthimit do të bëhej i ditur emri i banorit që do të largohej nga shtëpia, banorja Olta ndërhyri papritur me një koment që u konsiderua i papërshtatshëm.
Ajo u dëgjua të thotë: “Sa të kryejë Jonida nevojën”, një shprehje që u transmetua drejtpërdrejt dhe nuk kaloi pa u vënë re nga publiku.
Ky moment u perceptua si i pakëndshëm nga një pjesë e audiencës, e cila e konsideroi gjuhën e përdorur si të papërshtatshme për një format televiziv të kësaj natyre dhe për një orar prime-time.
Shumë ndjekës të emisionit reaguan menjëherë në rrjetet sociale, duke theksuar se deklarata të tilla nuk përputhen me standardet e komunikimit publik dhe profesional që priten në një spektakël kaq të ndjekur. /Telegrafi/
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Cakolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se shpallja e këtyre rezultateve është shkelje, pasi siç tha “nuk është konsumuar afati ligjor për ankesa”.
“Përtej shkeljes fillestare – shpalljes së rezultateve pa u konsumuar afati ligjor për ankesa – sot KQZ shkoi edhe një hap më tej dhe formalizoi një praktikë tërësisht të kundërligjshme, duke shpallur rezultate ‘të pjesshme’, pra, jo për të gjitha subjektet politike. Rezultatet zgjedhore janë akt i vetëm dhe prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht. Ligji nuk njeh rezultate përfundimtare për një parti të veçantë, as vendime të ndara sipas subjekteve apo kandidatëve. Po aq e rëndësishme, kundërshtimi i rezultateve nuk mund të mbetet opinion politik i papërcaktuar, pa asnjë pretendim konkret për shkelje ligjore”, ka shkruar Cakolli.
Ai tha se ajo që ndodhi sot është absurde.
“Cilido anëtar që votoi kundër ose abstenoi, nëse kishte dyshime reale për rezultatet, ishte ai që duhej të ankohej. Situata nuk zgjidhet me votim politik brenda KQZ-së dhe as duke bllokuar ose lejuar rezultate sipas interesave të momentit. Por duke e ditur se çfarë do të ishte epilogu ligjor nga një ankesë potenciale në PZAP apo Supreme, disa zgjodhën ta shtyjnë edhe një episod të kësaj shfaqjeje të pakuptimtë politike”.
Sipas tij, KQZ po sillet sikur ka kompetencë të vendosë kush hyn në fazën pas shpalljes dhe kush jo.
“E për këtë, përgjegjësi mban edhe Kryesuesi i KQZ-së që lejoi ndarjen artificiale të rezultateve pa asnjë bazë ligjore. E mbi të gjitha, problemi kryesor nuk është vetëm dita e sotme, por precedenti që po krijohet. Nëse sot rezultatet shpallen në mënyrë selektive, nesër mund të vonohen ose të certifikohen në mënyrë selektive. Kështu procesi zgjedhor pushon së qeni proces ligjor dhe shndërrohet në menaxhim politik të rezultateve. Dhe kjo është arbitraritet institucional, pa asnjë dilemë”, ka shkruar Cakolli. /Telegrafi/
Profesori i Fakultetit Juridik, Kolë Krasniqi, ka bërë të ditur se është propozuar si kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Ai në një postim në Facebook thotë se Republika e Kosovës ka nevojë për institucione që gëzojnë besim, për një presidencë që bashkon e nuk përçon ndarje, që ruan ekuilibrat kushtetues dhe që përfaqëson dinjitetshëm shtetin në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar
Lexoni të plotë postimin e tij:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të medieve,
Me përgjegjësi të lartë morale dhe me ndjenjë të thellë reflektimi kam pranuar njoftimin se Rrjeti Intelektual Shqiptar më ka propozuar si kandidat për President të Republikës së Kosovës. Këtë propozim nuk e konsideroj si nder personal, por si shprehje të një shqetësimi të sinqertë qytetar për gjendjen e institucioneve tona dhe për nevojën e një udhëheqjeje që mbështetet mbi etikën, dijen dhe përgjegjësinë publike.
Formimi im akademik perëndimor, i ndërtuar në universitete ku mendimi kritik, autonomia morale dhe respekti për shtetin e së drejtës janë parime themelore, më ka mësuar se pushteti nuk është privilegj, por barrë; jo mjet afirmimi personal, por shërbim ndaj shoqërisë. Në këtë kuptim, çdo angazhim publik duhet të kalojë përmes filtrit të ndërgjegjes, ligjshmërisë dhe interesit afatgjatë të shtetit.
Republika e Kosovës ka nevojë për institucione që gëzojnë besim, për një presidencë që bashkon e nuk përçon ndarje, që ruan ekuilibrat kushtetues dhe që përfaqëson dinjitetshëm shtetin në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Presidenti duhet të jetë figurë unifikuese, e pavarur nga interesat e ngushta politike, e aftë të dialogojë me të gjitha subjektet politike, institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile, mbi bazën e respektit dhe përgjegjësisë kushtetuese.
Nëse ky propozim do të marrë trajtë konkrete institucionale dhe politike, unë do ta shqyrtoj me seriozitet maksimal, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës, me parimet e demokracisë parlamentare dhe me bindjen time se integriteti personal nuk guxon të komprometohet për asnjë funksion publik. Kosova ka nevojë për qetësi institucionale, maturi politike dhe rikthim të besimit qytetar – jo për aventura personale apo projekte të ndërtuara mbi emocione të momentit.
Në çdo rrethanë, do të mbetem i përkushtuar ndaj dijes, të vërtetës dhe shërbimit publik, sepse besoj se vetëm një shtet i udhëhequr nga ndërgjegjja dhe arsyeja mund të garantojë të ardhmen që qytetarët e Kosovës meritojnë.
Arabia Saudite, pavarësisht deklaratave publike për përmbajtje dhe zgjidhje diplomatike, duket se në prapaskenë ka një qëndrim dukshëm më të butë ndaj një sulmi të mundshëm amerikan kundër Iranit.
Kjo del nga informacione të siguruara gjatë një takimi privat në Uashington, ku ministri saudit i Mbrojtjes, princi Khalid bin Salman, ka dhënë sinjale se Riadi nuk do ta kundërshtonte një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së.
Sipas burimeve të pranishme në takim, princi Khalid ka shprehur bindjen se nëse Shtetet e Bashkuara nuk veprojnë ndaj Teheranit, regjimi iranian do të dalë edhe më i fuqishëm nga situata aktuale, raporton axios.
Ky qëndrim përfaqëson një kontrast të fortë me retorikën publike të Arabisë Saudite, e cila vetëm pak javë më parë kishte paralajmëruar për pasoja të rënda rajonale në rast të një sulmi ushtarak ndaj Iranit.
Zyrtarisht, Riadi ka insistuar se nuk do të lejonte përdorimin e hapësirës së tij ajrore për operacione ushtarake amerikane dhe se preferonte dialogun diplomatik për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, deklaratat private të ministrit saudit sugjerojnë se mbretëria është e gatshme të tolerojë një përshkallëzim ushtarak, nëse kjo shihet si mënyrë për të frenuar ndikimin iranian në rajon.
Ky zhvillim ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sinqeritetin e politikës së jashtme saudite dhe ka shtuar shqetësimet për një destabilizim të mëtejshëm të rajonit.
Analistët vlerësojnë se ky “dualizëm diplomatik” - një gjuhë publike e moderuar dhe një qëndrim privat më agresiv - pasqyron frikën e thellë të Arabisë Saudite nga zgjerimi i ndikimit iranian në Lindjen e Mesme.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa çdo veprim i SHBA-së ndaj Iranit pritet të ketë pasoja të gjera jo vetëm për marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. /Telegrafi/
Vallëzimi pas një goli, një teknikë e rafinuar dhe ajo pamje që shumëkujt i kujton Kakan. Lucas Paqueta, pas 263 paraqitjeve gjithsej për AC Milan, Lyon dhe West Ham, vendosi të largohet nga Evropa dhe të kthehet te Flamengo , klubi që e rriti para mbërritjes së tij në Itali.
Por si erdhi kjo zgjedhje? Për ta kuptuar, duhet të kthehesh në Brazil. Jose Boto, drejtori sportiv i Flamengos, tregoi menjëherë durim dhe pjekuri të madhe. Negociatat zgjatën pothuajse një muaj punë, ato u zhvilluan nga 23 dhjetori deri më 28 janar.
Kontributi i trajnerit portugez, i mbështetur nga vendosmëria e Paquetas, rezultoi vendimtar. Boto personalisht menaxhoi të gjithë negociatat me West Ham, agjentin e lojtarit, dhe me shoqërimin e mesfushorit brazilian.
Që në fillim, Boto sqaroi kushtet dhe arriti të ulte kërkesat financiare të klubit anglez, të vendosura fillimisht në 60 milionë euro.
Marrëveshja u mbyll në 42 milionë euro , me pagesën që do të realizohet deri në vitin 2028. Një investim që e bëri Paquetan, të njohur me nofkën "magjistari" në Brazil, blerjen më të shtrenjtë në historinë e kampionatit brazilian.
Paqueta kthehet te Flamengo: detajet prapa skenave të marrëveshjes
Por, a ishte West Ham i gatshëm ta shiste përgjithmonë numrin e tij 10 ? Jo tamam.
Ata fillimisht ofruan një marrëveshje huazimi dhe më pas një marrëveshje huazimi me mundësi blerjeje, opsione që, megjithatë, nuk e bindën as Flamengon dhe as lojtarin.
Paqueta, në fund të fundit, po kthehet në shtëpi. Braziliani dëshiron të kthehet në Rio De Janeiro , duke e ditur se do të ribashkohet me një klub ambicioz, të fortë financiarisht dhe të gatshëm të garojë për çdo titull të madh./Telegrafi/