Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 January 2026Telegrafi

"Ebo Noah dhe Arkat e Përmbytjes” - "Profeti" ganez arrestohet pasi nuk ndodhi përmbytja që e parashikoi

1 January 2026 at 20:57


Profeti vetëshpallur nga Gana, Evans Eshun, i njohur gjerësisht si Ebo Noah, është arrestuar nga Shërbimi Policor i Ganës, pas përhapjes së profecive të tij që tërhoqën vëmendjen e masave dhe medieve.

Ebo Noah kishte fituar famë në internet dhe mediat sociale për parashikimin e tij të një përmbytjeje globale që, sipas tij, do të fillonte më 25 dhjetor.

Ai gjithashtu kishte nisur ndërtimin e “arkave” të mëdha, të destinuara për të strehuar besimtarët e tij gjatë kësaj katastrofe që pritej. Shumë qytetarë dhe ndjekës e morën seriozisht paralajmërimin, duke shkaktuar shqetësim dhe konfuzion në disa komunitete.

Megjithatë, profecia e Ebo Noah nuk u realizua, dhe ngjarjet që ai kishte parashikuar nuk ndodhën.

Autoritetet policore të Ganës e arrestuan për hetime, duke e akuzuar për shpërndarje të informacionit të rremë dhe shkaktim paniku tek publiku.

Arrestimi i tij vjen pas një periudhe tensioni dhe debatesh mbi ndikimin e profecive të rreme në shoqëri, duke ngjallur diskutime mbi kufijtë e lirisë së fjalës dhe përgjegjësinë për shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Në rrjetet sociale, lajmi për arrestimin e Ebo Noah ka shkaktuar reagime të ndryshme, disa duke e mbrojtur dhe disa të tjerë duke e kritikuar ashpër për veprimet e tij dhe frikësimin e njerëzve me parashikime të pabazuara. /Telegrafi/

— (@)

MPB: Janë privuar nga liria tre shoferë të dehur, shkaktuan dhe aksidente rrugore

1 January 2026 at 20:50


Më 01.01.2026, në orën 04:55, nëpunës policorë nga SPB Veles e privuan nga liria Z.J. (29) nga Velesi. Në rr. “Dimitar Vllahov” në Veles, ai me një automjet udhëtarësh “Seat” me targa regjistrimi të Velesit, të cilin e drejtonte, është përplasur në një kandelabër metalike. Gjatë ndërmarrjes së masave në lidhje me aksidentin, u konstatua se drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht se kishte 1.66 promilë alkool në gjak.

Më 01.01.2026, në orën 00:54, në Tetovë, nëpunës policorë nga SPB Tetovë e privuan nga liria A.Z. (19) nga f. Poroj, rrethina e Tetovës. Më herët, në rr. “Ivo Ribar Llolla” në Tetovë, ai me një automjet udhëtarësh “Volksvagen Golf” me targa regjistrimi të Tetovës, ishte përplasur në një bordurë, ndërsa pas ndërmarrjes së masave, u konstatua se ishte nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht se kishte 1.68 promill alkool në gjak. Më pas, në Spitalin Klinik të Tetovës, ai sulmoi fizikisht nëpunës policorë që po kryenin veprime zyrtare.

Më 01.01.2026, në orën 01:50, në Koçan, nëpunës policorë nga NJPB Koçan e privuan nga liria D.Gj. (69) nga Koçani për shkak se drejtonte automjet udhëtarësh ,”Ford” me targa regjistrimi të Shtipit në një rrethrrotullim në drejtim të kundërt dhe vazhdoi të lëvizte në drejtim të kundërt përgjatë rr. “Dimitar Vllahov” në Koçan.

Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj tyre do të ngrihen kallëzime sipas nenit 297-a të Kodit Penal – “Drejtim i pakujdesshëm i mjetit motorik”.

Liverpool dhe Leeds ndahen pa gola, Reds zhgënjejnë pas tri fitoreve radhazi

1 January 2026 at 20:32


Liverpool dhe Leeds United nuk arritën të gjenin rrugën e golit në një përballje që përfundoi 0-0, në një ndeshje ku skuadra e Arne Slot dukej e zbehtë dhe pa ide.

Ky rezultat shënon fundin e një serie pozitive për Liverpool, i cili vinte pas tri fitoreve radhazi në kampionat, por nuk arriti të krijonte raste të pastra gjatë 90 minutave.

Ndeshja nisi me ritëm të moderuar, me pak aksione në portat respektive. Leeds tregoi organizim dhe përkushtim në mbrojtje, ndërsa Liverpool duket se nuk kishte ide të qarta taktike për të kaluar mbrojtjen kundërshtare.

Nga ana tjetër, Leeds provonte të shfrytëzonte çdo hapësirë, por e vetmja mundësi e shënimit që u anulua ishte goli i Dominic Calvert-Lewin, i cili u konsiderua pozitë jashtë loje.

Ky barazim i lë Liverpoolin në pozitën e katërtë me 33 pikë, plot 12 pikë pas Arsenalit lider, ndërsa Leeds ka 21 pikë në vendin e 17-të. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

MPJ: Nuk ka informacione për të vdekur apo të lënduar shtetas të Maqedonisë në zjarrin në Crans-Montana

1 January 2026 at 20:19


Ambasada e Maqedonisë në Bern është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet kompetente në Zvicër dhe deri në këtë moment nuk ka informacione për shtetas maqedonas të vdekur apo të lënduar në zjarrin në Crans-Montana, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ).

Ambasada po e ndjek me vëmendje situatën dhe është në gatishmëri të plotë për t’u ofruar ndihmën e nevojshme shtetasve të saj.

Po ashtu, nga MPJ bëjnë ditur se rrjetet sociale Ambasadës Bernë dhe Ministrisë janë publikuar informacionet e kontaktit për gjithë ata kanë nevojë për mbështetje.

Të premten nis numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora

1 January 2026 at 20:09


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bën të ditur se të premten (nesër) do të nis numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora, respektivisht të fletëvotimeve nga votimi përmes postës, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare në jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thekson për Telegrafin se të premten, më 2 janar nga ora 10:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.

“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, thekson Elezi.

Sipas tij, deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

“Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, tha ai.

Në fund ai tha se nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi në 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24%./Telegrafi/

Rikthime, muzikë, skandale dhe tragjedi që tronditën publikun - ngjarjet që shënuan vitin 2025 në showbizin shqiptar

1 January 2026 at 20:09


Viti 2025 ka qenë një vit i paharrueshëm për shoubizin shqiptar, një vit që përmbledh ngjarje të forta, emocione të jashtëzakonshme dhe momente që tronditën publikun.

Estrada shqiptare nuk ka qenë kurrë kaq dinamike, duke lëvizur nga periudha të qeta dhe përgatitjeje deri te skandale të papritura, performanca të mëdha dhe tragjedi personale që kanë lënë gjurmë të thella.

Artistët shqiptarë treguan edhe një herë se jeta e tyre profesionale dhe private janë të ndërlidhura dhe shpesh gjenerojnë lajm, debat dhe polemikë.

Muajt e parë të vitit kaluan në heshtje, duke shërbyer si periudhë përgatitore për sezonin e verës, ku shumica e artistëve punuan pas skenave në projekte të reja muzikore dhe koncerte.

Por qetësia u ndërpre në prill me rikthimin e Feronit Shabanit - Feros në muzikë, pas dy vitesh pauzë për t’u përkushtuar fesë islame.

- YouTube www.youtube.com

Kënga e tij e rikthimit “A pe sheh” solli një mesazh të qartë dhe të diskutueshëm për ish-partneren Arbenita Ismajli, me të cilën ka një vajzë.

Pas kësaj, u hapën përplasje të shumta në rrjetet sociale, ku Fero akuzoi se ish-partnerja i kishte mohuar të drejtën për të parë vajzën, duke theksuar se ndodhej jashtë Kosovës.

Fero dhe Arbenita IsmajliFoto: Norik Uka

Situata u komplikua më tej me lëshimin e një urdhërarresti ndërkombëtar për Arbenitën, për moszbatimin e vendimeve të gjykatës për takimet e vajzës me babanë biologjik.

Kjo ngjarje ngjalli diskutime të gjera në media dhe rrjete sociale, duke u kthyer në një nga temat më të ndjekura të vitit.

Në maj, vëmendja u përqendrua tek Eurovisioni, një nga ngjarjet më të mëdha të muzikës.

Shqipëria u përfaqësua nga grupi Shkodra Elektronike, Beatriçen dhe Kolën me “Zjerrm”, të cilët arritën të renditeshin në vendin e tetë, duke sjellë krenari dhe emocione për publikun shqiptar.

- YouTube www.youtube.com

Fitues i edicionit u shpall Austria, e cila do të organizojë Eurovisionin e vitit 2026.

Vera e 2025 ishte e ngarkuar me projekte muzikore, koncerte dhe festivale.

Gushti shënoi kulmin e sezonit me “Sunny Hill Festival”, ngjarja më e madhe kulturore në vend, ku performuan artistët më të njohur shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Dua Lipa solli një performancë të zjarrtë për fansat në Kosovë, ndërsa Shawn Mendes u prezantua për herë të parë në skenën vendore, duke krijuar atmosferë euforike dhe duke mbledhur mijëra spektatorë.

Festivali u kthye në një pikë qendrore të verës dhe një dëshmi të fuqisë së tregut shqiptar.

Megjithatë, vera nuk solli vetëm kënaqësi dhe muzikë.

Një tragjedi e madhe preku publikun shqiptar: vëllai i Gjestit humbi jetën në një aksident me motoçikletë.

Gjesti me të vëllanë tashmë të ndjerë

Humbja e një djali të ri, vetëm 15-vjeç, ishte një goditje e rëndë për artistin dhe familjen e tij.

Në skenën e polemikave, Mozzik u përfshi në një debat të madh për orën e tij luksoze Richard Mill, të cilën pretendoi se e bleu vetë për ditëlindje.

Ora u bllokua nga Dogana e Kosovës dhe rezultoi se ishte false, duke nxitur spekulime për detyrimet e reperit ndaj ATK-së, të cilat arrinin në rreth 500 mijë euro - gjegjësisht para dy viteve.

Mozzik bëri një reagim duke treguar se e gjitha ishte një lloj inskenimi, e madje duke hedhur akuza për Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të preferencave të tij në politikë.

MozzikFoto: Instagram

Në aspektin e performancave muzikore, Alban Skënderaj vazhdoi të dëshmojë profesionalizmin e tij duke mbajtur katër netë koncert me projektin “Motiv”, gjersa mblodhi rreth 20 mijë spektatorë në Prishtinë.

Dafina Zeqiri gjithashtu përmbylli vitin me dy netë koncert “Supernova”, më 25 dhe 26 dhjetor.

Viti 2025 shënoi edhe humbje të rëndësishme në skenën kulturore shqiptare.

Aktori i madh Enver Petrovci, këngëtari Shpat Kasapi dhe Shemsi Krasniqi – Shemi, u ndanë nga jeta, duke lënë pas veprimtari që kanë lënë gjurmë të thella në artin dhe kulturën shqiptare.

Humbjet e tyre tronditën publikun dhe mediat, duke rikujtuar rëndësinë e trashëgimisë artistike që ata lënë pas.

Enver PetrovciFoto: Avni Selmani

Si përfundim, viti i kaluar në shoubizin shqiptar ka qenë një kombinim i pasionit, skandaleve, rikthimeve dhe tragjedive personale.

Nga qetësia e muajve të parë, te polemikat, performancat madhështore, lidhjet e përfolura dhe humbjet që lënë një boshllëk të madh, estrada shqiptare tregoi një vit të jashtëzakonshëm, të mbushur me ngjarje që do të mbeten në kujtesën e publikut për shumë kohë. /Telegrafi/

Shemsi Krasniqi - ShemiFoto: Facebook

Trump tregon rutinën ditore - punë, ushqim dhe barna

1 January 2026 at 20:01


Presidenti amerikan, Donald Trump, në një intervistë për The Wall Street Journal, ka përshkruar shëndetin e tij si “të shkëlqyer” dhe ka zbuluar disa detaje nga rutina e tij e përditshme që surprizuan publikun.

Ai tha se merr një aspirinë çdo ditë, por në katërfishin e dozës së ulët të rekomanduar, pavarësisht këshillave të mjekëve për ta reduktuar.

Trump gjithashtu pranoi se fle vonë dhe shpesh dërgon mesazhe në telefon ndihmësve ose personave që ndiqte në Fox News rreth orës 2 të mëngjesit.

Rutina e tij punuese fillon në Zyrën Ovale rreth orës 10:00 dhe zakonisht zgjasë deri në 7-8 të mbrëmjes.

Ai ka zbuluar gjithashtu se ushqehet me McDonald’s dhe i atribuon energjinë e tij “gjenetikës shumë të mirë” të prindërve të tij.

Sa i përket aktivitetit fizik, Trump deklaroi se nuk bën ushtrime të rregullta, përveç golfit, të cilin e konsideron si aktivitetin e vetëm që nuk e mërzit. /Telegrafi/

Humbën komunat, fituan Kuvendin: Ish-kandidatët që u rikthyen fuqishëm në garë

1 January 2026 at 19:45


Me mbi 83 për qind të votave të numëruara për kandidatët për deputetë, tashmë është bërë e qartë pjesa dërrmuese e emrave që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Edhe pse nuk arritën të bëhen kryetarë komunash në zgjedhjet lokale, një numër i konsiderueshëm ish-kandidatësh për këtë pozitë kanë arritur të fitojnë mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare.

Sipas të dhënave nga procesi i numërimit, së paku 10 ish-kandidatë për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tashmë e kanë siguruar mandatin e deputetit, raporton Telegrafi.

Hajrulla Çeku, në top-dhjetëshen e më të votuarve në LVV

Nga radhët e LVV-së, mandat deputeti kanë fituar:

Hajrulla Çeku (Prishtinë) – mbi 85 mijë vota

Rufki Suma (Hani i Elezit) – mbi 29 mijë vota

Rufksi Suma, poshtu njëra nga surprizat e zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Ardian Gola (Gjakovë) – mbi 26 mijë vota

Artan Abrashi (Prizren) – mbi 18 mijë vota

Taulant Kelmendi (Pejë) – mbi 18 mijë vota

Enver Haliti (Ferizaj) – mbi 17 mijë vota

Jeton Raka (Kaçanik) – rreth 17 mijë vota

Arsim Ademi (Viti) – mbi 16 mijë vota

Sylejman Meholli (Vushtrri) – rreth 16 mijë vota

Valon Hoti (Malishevë) – rreth 15 mijë vota

Afër sigurimit të mandatit është edhe ish-kandidati i LVV-së për kryetar të Rahovecit, Ali Dula, i cili deri më tani ka grumbulluar rreth 13 mijë vota.

Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mandat deputeti kanë siguruar dy ish-kandidatët për kryetarë komunash:

Arian Tahiri e Uran Ismaili, ndër më të votuarit e PDK-së

Arian Tahiri (Prishtinë) – mbi 60 mijë vota

Uran Ismaili (Mitrovicë) – mbi 44 mijë vota

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mandat deputeti ka siguruar ish-kandidati për kryetar të Prishtinës:

Bekë Berisha – mbi 14 mijë vota

Procesi i numërimit është duke vazhduar, ndërsa rezultatet përfundimtare do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./Telegrafi/

Kur Babagjyshi dhe elfët e tij formojnë një ekip futbolli: FC Santa Claus

1 January 2026 at 19:42


Në veriun ekstrem të Evropës, disa mijëra kilometra larg Italisë, ndodhet Rovaniemi, qyteti i Laplandës i njohur në mbarë botën si shtëpia e Babagjyshit të Vitit të Ri.

Një vend ku dimri dominon pjesën më të madhe të vitit, drita e diellit është e rrallë dhe temperaturat zbresin ndjeshëm nën zero.

Pikërisht këtu ka lindur një nga klubet më të veçanta të futbollit evropian, FC Santa Claus.

Origjina e klubit

Historia e FC Santa Claus nis në vitin 1992. Sipas një legjende lokale, ideja për krijimin e klubit erdhi si një dëshirë për të ndërtuar një ekip futbolli të hapur për të gjithë, në frymën e bashkimit dhe komunitetit.

“Në Rovaniemi, përrallat shpesh duken reale”, shpjegon Juha Etelainen, përgjegjës për marrëdhëniet me median e klubit.

“Madje thuhet se në fillim u kërkua edhe ‘leja’ e Babagjyshit të Vitit të Ri për të nisur projektin”.

Klubi u formua nga bashkimi i dy ekipeve historike lokale, Rovaniemen Lappi dhe Rovaniemen Reipas.

Gjatë viteve, FC Santa Claus ka kaluar faza të ndryshme, duke ndryshuar edhe emrin për shkak të vështirësive ekonomike

Kulmi sportiv u arrit në vitet 2010/11, ndërsa sot klubi po përjeton një proces të qëndrueshëm rindërtimi.

Struktura dhe ambiciet

Aktualisht, FC Santa Claus numëron rreth një mijë anëtarë, meshkuj dhe femra, nga mosha 3 deri në 70 vjeç.

Ekipi i parë, ku rreth gjysma e lojtarëve vijnë nga akademia, militon në Kolmonen, kategoria e pestë e futbollit finlandez.

“Ne kemi shumë skuadra në nivele të ndryshme dhe investojmë shumë në sektorin e të rinjve”, thekson Etelainen.

“Lojtarët nuk vijnë vetëm nga zona jonë, por edhe nga pjesë të tjera të Finlandës dhe nga jashtë vendit. Sezoni nis në mars dhe përzgjedhja e lojtarëve bëhet përmes provave të hapura”.

Motoja e klubit është e thjeshtë dhe domethënëse: “Mos resht kurrë së besuari”.

Identiteti teknik

Trajneri Mika Salmela përshkruan qartë filozofinë e lojës së skuadrës.

“Ne preferojmë një futboll ofensiv, zakonisht me skemën 4-3-3. Skuadra vrapon shumë, mbron mirë dhe kërkon të jetë agresive në fazën sulmuese”.

Kushtet klimatike janë një sfidë e përhershme.

“Stërvitemi 11 muaj në vit, tri herë në javë. Në dimër përdorim ambiente brenda, sepse temperaturat mund të arrijnë deri në -30 gradë Celsius”.

Falë emrit dhe identitetit unik, FC Santa Claus ka fituar vëmendje ndërkombëtare, duke zhvilluar ndeshje miqësore me ekipe nga Anglia, Irlanda dhe Kina.

“Do të na pëlqente të luanim edhe në Itali, me skuadra të nivelit tonë”, shton Salmela me humor.

Babagjyshi, tifozi më i famshëm

Figura simbolike e klubit është vetë Babagjyshi i Vitit të Ri, i cili ndjek nga afër aktivitetin e ekipit.

“E mbështes skuadrën çdo ditë dhe e dua futbollin, edhe pse nuk mund të luaj më”, thotë ai.

“Shpesh jam në stërvitje dhe në ndeshje, por ndonjëherë është e vështirë të përqendrohem për shkak të fëmijëve që kërkojnë autografe”.

Edhe dhuratat për klubin nuk mungojnë, edhe pse mbeten sekrete. “Do të jetë diçka speciale, por duhet të prisni Krishtlindjet”.

Zëri i lojtarëve

Lojtarët e ekipit të parë theksojnë karakterin amator, por ambicioz të klubit.

“Shumica prej nesh kanë edhe punë të tjera, por jemi të përkushtuar për t’u përmirësuar”, shprehen ata.

“Vitin e kaluar arritëm promovimin dhe synojmë të vazhdojmë rritjen”.

Një rol kyç luan akademia: “Edhe lojtarët e ekipit të parë janë të përfshirë si trajnerë për fëmijët. Kjo krijon një lidhje të fortë dhe ndihmon zhvillimin afatgjatë të klubit”.

Një moment simbolik mbetet edhe fakti që, gjatë një ndeshjeje të Kupës së Finlandës, goditja e parë u dha nga vetë Babagjyshi i Vitit të Ri.

Një ftesë nga veriu

“Nga Italia mund të mbërrini në Rovaniemi për vetëm pak orë”, përfundon Etelainen.

“Në verë dielli nuk perëndon kurrë dhe kushtet janë ideale. Të gjithë janë të mirëpritur për të mbështetur FC Santa Claus”.

Një histori e veçantë futbolli, mes legjendës dhe realitetit, që vjen nga zemra e Laplandës. /Telegrafi/

Dosja e Prokurorisë: Si Ministria e Arsimit pagoi 220 euro për një shportë bërlloku, ndërsa çmimi real ishte 12 euro

1 January 2026 at 19:32


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, 12 persona fizikë (zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe pronarë e përfaqësues të kompanive) dhe tre persona juridikë, në lidhje me dallavere në procedura të tenderimit, me ç’rast pretendohet se janë paguar produkte deri në 1557% më shtrenjtë se çmimet reale të tregut.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, në procedurën e prokurimit “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” zyrtarë të MASHTI-i kishin vepruar kundërligjshëm duke kontraktuar produkte që çmimin në treg e kishin shumë më të ulët sesa që Ministria i kishte paguar gjatë viteve 2019-2021.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë Speciale.

Të akuzuar janë: Ardian Berisha, pronar i kompanisë “Shkëmbi Gllareva” Sh.P.K, Dashmir Limaj, Mërgim Limaj drejtor në kompaninë Fabrika e mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala, pronar i biznesit “A&F Projekti” SH.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj-Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demir – i punësuar në MASHTI. ndër ta të akuzuar janë tre persona juridik. “A&F Projekti” Sh.P.K., Fabrika e mobileve “Standard” Sh.P.K dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.

Prokuroria me prokurorin special, Dren Paca, i ka akuzuar të lartcekurit se përmes procedurave të prokurimit u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, në prill të vitit 2019 deri në mars të vitit 2021, Arberita Mehmetaj si zyrtare përgjegjëse për prokurim dhe Naim Demiri udhëheqës i njësisë kërkuese dhe menaxher i kontratës në Ministri të Arsimit kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim shpërblimin me kontratë për bizneset “A&F Projekt” Sh.P.K, “Fabrika e Mobilieve Standard”, N.N.P. “Standard Plus” dhe “Shkëmbi Gllarevë”.

Produktet në tenderin “Blerje të pakove të pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” sipas Prokurorisë janë kontraktuar me çmim deri në 1557% më të larta se çmimi i tregut, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej mbi 1.5 milion euro.

Këtë, sipas Prokurorisë, të akuzuarit e kanë bërë duke mos përgatitur specifika teknike të qarta për artikujt e përfshirë në paramasë dhe parallogari.

Tutje, sipas aktakuzës së PSRK, janë vendosur kritere selektive dhe të panevojshme për dëshminë e angazhimit të ekspertëve, inxhinierëve dhe autorëve duke ndërtuar kritere përzgjedhëse që të favorizojnë bizneset fituese duke i përjashtuar padrejtësisht bizneset e tjera.

Shkelja tjetër sipas PSRK nga të akuzuarit është bërë duke mos e siguruar çmimin më të ulët të tregut, duke lejuar blerje të produkteve me çmime artificialisht të fryra.

Tutje në aktakuzë thuhet se përmes këtyre kontraktimeve është shkaktuar një dëm shtesë prej 137 mijë euro duke lejuar që të tejkalohet sasia e kontraktuar për tri produkte më të shtrenjta mbi 30% e sasisë për një produkt tjetër më të lirë.

Tutje akti akuzues thot se kontraktimi për këto produkte ishte paraparë që të kenë origjinë nga Bashkimi Europian, por që ishin lejuar që produktet të vinin nga Kina dhe Turqia.

Pra vlera e përgjithshme e dëmit që është shkaktuar nga këto veprime, sipas Prokurorisë, vlerësohet të jetë mbi 1.8 milion euro.

Për këtë të pandehurit ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në pikën dy të aktakuzës renditen si të akuzuar: Agim Berdyna – zyrtar kryesor administrativ, Xhemajl Buzuku – zyrtar përgjegjës i prokurimit, dhe Murtez Zekolli – zyrtar kryesor financiar dhe Naim Demiri – udhëheqës i njësive kërkuese dhe menaxher i kontratës dhe Arberita Mehmetaj – zyrtare e prokurimit tutje kanë aktivizuar aktivitete të prokurimit me titullin “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” pa pasur nevojë për një aktivitet të tillë. Kjo, sipas Prokurorisë, është bërë me qëllim që t’i shpërblejnë me kontratë për përfitim pasuror bizneset “A&F Projekt”, “Fabrika e mobileve Standard” dhe “Standard Plus”.

Dy projekte të ndara, sipas Prokurorisë, të akuzuarit i kishin bashkuar në një të vetëm, njëri ndër ta sipas PSRK-së ishte “Blerja e Pakove për fusha lëndore dhe mirëmbajtje”, i cili ishte në fazë të zbatimit. Këtë projekt sipas Prokurorisë e kishin aprovuar duke i vënë në barrë shtetit për pagesë mbi 2.8 milionë euro.

Sipas Prokurorisë, shkeljet nuk kanë përfunduar me kaq, pasi gjatë përpilimit të dosjes së tenderit nuk i kanë përgatitur qartë specifikat që duhet të kryhen për artikujt e kontraktuar me ç’rast janë kontraktuar produkte me çmim më të lartë se i tregut për 1900%.

Tutje PSRK pretendon se të akuzuarit i kanë ndryshuar kriteret e projekteve vetëm dy ditë para hapjes së ofertave dhe nuk janë siguruar që ta kontraktojnë çmimin më të ulët se ai i tregut dhe kanë shkurtuar afatin për dorëzimin e ofertave.

Me këtë të dyshuarit akuzohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Aktakuza përmban disa pika për veprime të ngjashme të të akuzuarve.

Në pikën tre të aktakuzës, të pandehur janë: Xhemajl Buzuku – zyrtar përgjegjës i prokurimit, Fadile Dyla – zyrtare kryesore administrative, Naim Demiri – menaxher i kontratës, Fehmi Zylfiu – zyrtar kryesor i financave. Ata nga 12 shkurti 2024 e deri më 29 mars 2024 pasi kishte përfunduar zbatimi i kontratës kornizë nga projekti “Blerja e Pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore – Pakot e pajisjeve të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” kanë vepruar me dashje e në kundërshtim me ligjin me qëllim që t’u mundësojnë përfitim pasuror bizneseve “A&F Projekt”, “Fabrika e Mobileve Standard” Sh.P.K dhe N.N.P. “Standard Plus”, duke i kompensuar këto biznese për inflacionin e kontratës mbi 445 mijë euro.

Pika katër e aktakuzës thot se Agron Shala, Mërgim Limaj, Dashmir Limaj dhe Ardian Berisha si pronarë të bizneseve “A&F Projekt”, N.N.O “Standard Plus”, Fabrika e Mobileve “Standard” dhe “Shkëmbi Gllarevë” në lidhje me tenderin e MASHTI-t “Blerja e Pakove të pajisjeve të Nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje” kanë bërë mashtrim të autoritetit kontraktues, në këtë rast MASHTI-t.

Mashtrimi sipas PSRK është bërë duke prezantuar kontrata të punëtorëve gjoja se janë duke punuar në këto firma me qëllim që të plotësojnë kriteret për ta fituar projektin. Tutje mashtrimi sipas PSRK është bërë duke mos dorëzuar vërtetimet tatimore të rreme.

Në pikën pesë të aktakuzës, Dashmir Limaj si pronar i biznesit “Standard Plus” edhe pse ka qenë në dijeni se inxhinierët Anita Kabashi dhe Adnan Mustafa nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar në kuadër të biznesit të tij kanë mundësuar përdorimin e dokumenteve të rreme me qëllim që të plotësojnë njërin nga kriteret për t’u shpallur kompani fituese.

Me këtë akuzohen për vepër penale të falsifikimit të dokumenteve.

Në këtë aktakuzë, e cila është ngritur nga prokurori Dren Paca, janë të akuzuar 15 persona, 12 persona fizikë dhe tre persona juridikë: “A&F Projekti” Sh.P.K, Fabrika e Mobileve “Standard” Sh.P.K., dhe “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K.

Kurse persona fizikë të akuzuar janë: Ardian Berisha – pronar i kompanisë “Shkëmbi – Gllarevë” Sh.P.K., Dashmir Limaj, Mërgim Limaj – drejtor në kompaninë Fabrika e Mobileve “Standard”, Agron Shemsi Shala – pronar i biznesit “A&F Projekti” Sh.P.K., Fehmi Zylfiu i punësuar në MASHTI, Fadile Kokaj – Dyla, Murtez Hasan Zekolli, Xhemajl Buzuku, Agim Berdynaj, Arberita Mehmetaj – e punësuar në MASHTI dhe Naim Demiri – i punësuar në MASHTI./Kallxo.com

Rikthimi që hapi plagët: Fero, muzika dhe drama me ish-bashkëshorten Arbenita Ismajlin

1 January 2026 at 19:21


Viti 2025 e riktheu emrin e Feros në qendër të vëmendjes, jo përmes një rikthimi të zakonshëm muzikor, por përmes një historie ku arti, jeta private dhe drejtësia u përplasën në mënyrë të ashpër.

Ajo që nisi në prill si një kthim në studio dhe në skenën muzikore, shumë shpejt u shndërrua në një sagë publike me akuza të rënda, beteja ligjore dhe përplasje emocionale që u zhvilluan para syve të publikut.

Në muajin prill, Fero publikoi këngën “A pe sheh”, duke shënuar rikthimin e tij pas një pauze dyvjeçare nga muzika.

- YouTube www.youtube.com

Projekti u prit me interes të madh, jo vetëm për faktin se reperi po kthehej në skenë, por edhe për shkak të tonit personal të tekstit, i cili u interpretua si një reflektim i drejtpërdrejtë i përjetimeve të tij personale.

Rikthimi muzikor u pa fillimisht si një përpjekje për të rifilluar karrierën, por shumë shpejt u bë e qartë se prapa këtij kapitulli të ri artistik fshihej një konflikt i pazgjidhur familjar.

FeroFoto: YouTube

Pas publikimit të këngës, marrëdhëniet mes Feros dhe ish-bashkëshortes së tij, Arbenita Ismajli, u përkeqësuan edhe më tej.

Në muajt që pasuan, çështja e kujdestarisë dhe e takimeve me vajzën e tyre doli hapur në publik.

Fero deklaroi se ishte ndarë nga vajza për rreth tetë muaj dhe se po i mohohej e drejta për ta takuar, duke i dhënë konfliktit një dimension të fortë emocional.

Kjo dhimbje u reflektua edhe në reagimet e tij publike, veçanërisht në postimin prekës në ditëlindjen e vajzës, ku ai shprehu hapur mallin dhe zhgënjimin e tij.

Situata mori përmasa edhe më serioze kur Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj Feros për dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje.

Arbenita Ismajli dhe FeroFoto: Norik Uka

Lajmi shkaktoi reagime të shumta dhe e vendosi reperin në qendër të një stuhie mediatike.

Feronit Shabani (emri i vërtetë) reagoi publikisht bashkë me avokaten e tij, duke mohuar akuzat dhe duke deklaruar se beson në drejtësi, ndërsa njëkohësisht kritikoi mënyrën se si rasti u trajtua në media.

Drama u thellua edhe më tej kur autoritetet në Kosovë raportuan për lëshimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar ndaj Arbenita Ismajlit, nën dyshimet se ajo nuk kishte zbatuar vendimet gjyqësore për takimet e vajzës me babanë dhe e kishte larguar fëmijën jashtë vendit pa leje.

Ky zhvillim i ri e ktheu konfliktin nga një përplasje personale në një çështje të hapur ligjore ndërkombëtare.

Në këtë klimë tensioni, Arbenita Ismajli doli me një rrëfim të gjatë publik, ku ngriti akuza të rënda ndaj ish-bashkëshortit.

FeroFoto: Instagram

Ajo pretendoi se Fero kishte abuzuar me substanca narkotike, kishte kaluar në rehabilitim dhe ishte rikthyer te përdorimi i drogës, si dhe hodhi dyshime për veprime të paligjshme, duke deklaruar se disponon prova për këto pretendime.

Deklaratat e saj ndezën edhe më shumë debatin publik dhe ndanë opinionin mes palëve.

FeroFoto: Instagram

Në fund të vitit, rikthimi i Feros në muzikë nuk shihet më thjesht si një rikthim artistik, por si pika e nisjes së një viti të trazuar, ku çdo hap i tij u shoqërua me zhvillime dramatike edhe në jetën private.

Historia e Feros dhe Arbenita Ismajlit mbetet një nga më të ndërlikuarat dhe më të komentuara të vitit. /Telegrafi/

Rreth 40 të vdekur në tragjedinë në Zvicër, konfirmon policia

1 January 2026 at 19:20


Policia dhe zyrtarë të tjerë kanë mbajtur një konferencë për shtyp pasi ra një zjarr i madh në një bar zviceran gjatë natës së Vitit të Ri.

Presidenti i Këshillit Federal të Zvicrës, Guy Parmelin, e quan zjarrin “një nga tragjeditë më të rënda që vendi ynë ka përjetuar ndonjëherë”, raporton skynews.

Ndërkohë, komandanti i policisë së kantonit Valais, Frederic Gisler, deklaroi se “aktualisht kemi rreth 40 persona që kanë humbur jetën dhe rreth 115 të tjerë të plagosur, shumë prej të cilëve në gjendje shumë serioze. Duke qenë një vendpushim ndërkombëtar, mendojmë se ka viktima ndërkombëtare”.

Ai shpjegon se identifikimi i të vdekurve “mund të marrë disa ditë”.

Gjithashtu është bërë e ditur se mbi 100 persona po marrin trajtim mjekësor në spitale.

Ndryshe, flamujt zviceran do të qëndrojnë në gjysmështizë për pesë ditë në nderim të viktimave. /Telegrafi/

Si një grua u ngatërrua me punonjës të dyqanit?

1 January 2026 at 19:08


Një përvojë e vogël e përditshme në një dyqan ka bërë xhiron e internetit. Një grua ka filmuar momentin kur, brenda vetëm dhjetë minutave, gjashtë klientë të ndryshëm e pyesin nëse ajo punon në dyqan.

Shkaku i konfuzionit është i thjeshtë: gruaja kishte veshur një kombinim që ngjante me uniformën e punonjësve të dyqaneve – bluzë e bardhë, xhaketë e zezë, pantallona të zeza dhe ‘mokasina’ të rehatshme. Kjo i bëri klientët të mendonin se ajo ishte punonjësja që mund t’i ndihmonte.

Në video duket qartë se situata është e qeshur, por njëkohësisht tregon sesi veshja dhe pamja mund të ndikojnë te perceptimi i njerëzve. Gruaja planifikon të ndryshojë pak dukjen e saj për t’u ndjerë më komode gjatë shopping-ut.

@aislingfinlay2 I don’t work here, I just dress like I do 😂
♬ original sound - Aisling Finlay

Reagimet në rrjetet sociale ishin të shumta dhe shpesh qesharake.

Ekspertët e sjelljes njerëzore thonë se ngatërimi i klientëve me punonjësit nuk është i rrallë dhe ndodh shpesh për shkak të psikologjisë vizuale dhe stereotipeve të uniformës.

Një përvojë e thjeshtë që u bë virale tregon se edhe gjërat më të vogla në jetën e përditshme mund të jenë qesharake dhe mësuese njëkohësisht. /Telegrafi/

10 pilotët më të paguar të Formula 1 në vitin 2025

1 January 2026 at 19:04


Max Verstappen mund ta ketë humbur titullin e Kampionit të Botës për pilotë këtë sezon për një diferencë minimale, por për të katërtin vit radhazi ai kryeson listën e pilotëve më të paguar në Formula 1.

Gjashtë nga dhjetë skuadrat pjesëmarrëse janë të përfaqësuara në TOP 10-shen e fitimeve për vitin 2025, bazuar në paga dhe bonuse.

Të dhënat janë raportuar nga Forbes, ndërsa të ardhurat nga sponsorët nuk janë përfshirë.

Ja renditja e plotë, duke nisur nga i vetmi “rookie” në listë.

10. Kimi Antonelli

Pagë: 4.6 milionë € | Bonuse: 6.9 milionë € | Totali: 11.5 milionë €

I vetmi debutues në listë, Kimi Antonelli mori një detyrë të vështirë nga Toto Wolff, duke zëvendësuar Lewis Hamilton te Mercedes.

Italiani pati një sezon solid, me podiumin e parë (P3 në Kanada), shumë rezultate në TOP 10 dhe një vend të dytë në Brazil. Në moshën 19-vjeçare, ai u bë debutuesi me më së shumti pikë në histori dhe e mbylli kampionatin në vendin e 7-të.

9. Carlos Sainz Jr

Pagë: 9.2 milionë € | Bonuse: 2.8 milionë € | Totali: 12 milionë €

Pas largimit nga Ferrari, Sainz iu bashkua Williamsit me dëshirën për të dëshmuar veten.

Fillimi ishte i vështirë, me aksident në Australi dhe shumë probleme teknike, por spanjolli shkëlqeu në gjysmën e dytë të sezonit, duke siguruar dy podiume (Azerbajxhan dhe Katar) dhe vendin e 9-të në renditje.

8. Lance Stroll

Pagë: 11 milionë € | Bonuse: 1.4 milionë € | Totali: 12.4 milionë €

Një sezon zhgënjyes për kanadezin, i cili përfundoi vetëm i 16-ti në kampionat.

Vetëm gjashtë herë në TOP 10, me rezultatin më të mirë vendin e 6-të në Australi. Pavarësisht formës, ai do të vazhdojë me Aston Martin pas rinovimit të kontratës.

7. George Russell

Pagë: 13.8 milionë € | Bonuse: 10.1 milionë € | Totali: 23.9 milionë €

Në sezonin e tij të parë si piloti kryesor te Mercedes, Russell ishte konstant dhe efikas.

Ai fitoi në Kanada dhe Singapor, siguroi 9 podiume dhe e mbylli kampionatin në vendin e 4-t, pavarësisht mungesës së ritmit krahasuar me Red Bull dhe McLaren.

6. Fernando Alonso

Pagë: 22.1 milionë € | Bonuse: 2.3 milionë € | Totali: 24.4 milionë €

Alonso kërkon ta mbyllë karrierën me dinjitet, por makina nuk e ndihmoi.

Fillimi i sezonit ishte i dobët, por spanjolli u përmirësua në gjysmën e dytë dhe e mbylli kampionatin në vendin e 12-të. E ardhmja e tij pas 2026 mbetet e pasigurt.

5. Charles Leclerc

Pagë: 27.6 milionë € | Bonuse: 0 € | Totali: 27.6 milionë €

I konsideruar si kampion bote në pritje, Leclerc vuajti nga mungesa e konkurrueshmërisë së Ferrarit.

Megjithatë, ai arriti 7 podiume dhe përfundoi i pesti në renditjen përfundimtare.

4. Oscar Piastri

Pagë: 9.2 milionë € | Bonuse: 25.3 milionë € | Totali: 34.5 milionë €

Piastri luftoi deri në fund për titull me shokun e skuadrës Lando Norris.

Edhe pse humbi avantazhin prej 34 pikësh, australiani fitoi 7 gara dhe tregoi se është gati për titullin në të ardhmen.

3. Lando Norris

Pagë: 16.6 milionë € | Bonuse: 36.3 milionë € | Totali: 52.9 milionë €

Kampioni i Botës për vitin 2025.

Norris shpërtheu në pjesën e dytë të sezonit, me fitore në Hungari, Meksikë dhe Brazil, duke u bërë kampioni i parë i McLarenit që nga Hamilton në 2008.

2. Lewis Hamilton

Pagë: 64.4 milionë € | Bonuse: 0.5 milionë € | Totali: 64.9 milionë €

Sezoni i parë te Ferrari ishte zhgënjyes për Hamiltonin.

Pa podiume dhe vetëm një fitore Sprinti, britaniku shpreson që rregullat e reja të vitit 2026 ta rikthejnë në krye.

1. Max Verstappen

Pagë: 59.8 milionë € | Bonuse: 10.1 milionë € | Totali: 69.9 milionë €

Edhe pse nuk fitoi titullin, Verstappen mbetet piloti më i paguar në Formula 1.

Me tetë fitore dhe një rikthim spektakolar në fund të sezonit, holandezi e mbylli kampionatin vetëm dy pikë larg titullit, duke treguar pse është katër herë kampion bote radhazi.

/Telegrafi/

Durmishi: Prej sot filloi zbatimi i ligjit për punën sezonale dhe të përkohshme

1 January 2026 at 19:00


Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi njoftoi se sot hyn në fuqi ligji që u lejon studentëve dhe pensionistëve të angazhohen në punë sezonale dhe të përkohshme në këtë rast pa humbur përfitimet që u takojnë.

“E fillojmë vitin me lajme të mira! Sot, më 1 janar, fillon zbatimi i ligjit që e vendos punën sezonale dhe të përkohshme në një kornizë të qartë ligjore, që do të thotë më pak ekonomi gri. Studentët dhe pensionistët tani mund të angazhohen në punë sezonale dhe të përkohshme pa frikë se do të humbasin të drejtat ose përfitimet që u takojnë”, sqaroi Durmishi.

Thekson se masa është e rëndësishme sepse u lejon qytetarëve të fitojnë me dinjitet, u ndihmon bizneseve më lehtë të gjejnë fuqi pune, formalizon tregun e punës dhe zvogëlon ekonominë gri.

Nga sot, kujton Durmishi, fillon zbatimi i Ligjit për Mbështetjen Financiare për Investimet, i cili, siç thuhet në postim, ka për qëllim t’i stimulojë investime cilësore, të inkurajojë hapjen e vendeve të reja të punës dhe të rrisë konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Samsung po përgatit “baterinë e ëndrrave”

1 January 2026 at 19:00


Samsung, sipas mediave të huaja të teknologjisë, po punon në një teknologji të re të baterive që mund të çojë drejt krijimit të baterive me kapacitet shumë të madh për telefonat inteligjentë. Këto bateri mund të zgjasin shumë më gjatë mes ngarkimeve sesa bateritë aktuale.

Kompanitë raportohet se po testojnë bateri me një anode silicium-karboni, një material që mund të ruajë më shumë energji krahasuar me bateritë standarde litium-jon. Në teori, kjo teknologji mund të sjellë bateri me kapacitet deri në rreth 20 mijë mAh, që do të rritte ndjeshëm kohëzgjatjen e telefonit midis një ngarkimi dhe tjetrit.

Megjithatë, edhe pse rezultatet e testimeve duken premtuese, teknologjia ende nuk është gati për përdorim masiv, pasi Samsung vazhdon të përballet me sfida teknike – veçanërisht për stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë e baterive.

Për këtë arsye, modelet e para që pritet të dalin në treg (p.sh. Galaxy S26 Ultra) nuk do të kenë një përmirësim të madh të kapacitetit të baterisë. Sipas raporteve, ato mund të kenë vetëm një rritje modestë, rreth 5200 mAh – pak më shumë se modelet aktuale.

Megjithatë, zhvillimi i kësaj teknologjie sinjalizon se në vitet e ardhshme, telefonat inteligjentë mund të ofrojnë autonomi shumë më të madhe pa pasur nevojë për ngarkime të shpeshta. /Telegrafi/

Prodhimi vendor i municionit, një nga sfidat më të mëdha por e realizuar me sukses

1 January 2026 at 18:43


Ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka deklaruar se një nga sfidat më të mëdha, por edhe arritjet më të rëndësishme strategjike gjatë mandatit të tij, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Kosovë, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit.

Në një intervistë për RTV Dukagjini, Mehaj ka theksuar se ky proces ka qenë kompleks dhe kërkues, por sipas tij është përmbyllur me sukses dhe me mbështetje të gjerë nga partnerë ndërkombëtarë.

“Një sfidë madhore, e cila njëkohësisht përbën edhe një ndër arritjet më të rëndësishme, ka qenë inicimi dhe konkretizimi i industrisë së mbrojtjes në Republikën e Kosovës, duke filluar me vendosjen e prodhimit vendor të municionit. Ky proces ka qenë kompleks dhe kërkues, por është realizuar me sukses. Për këtë iniciativë ekzistojnë dëshmi dhe mbështetje nga partnerë ndërkombëtarë, ministra e ish-ministra, disa prej të cilëve vazhdojnë ende të jenë pjesë e institucioneve qeveritare”, ka deklaruar Mehaj.

Sipas ish-ministrit, ky hap ka shënuar një moment të rëndësishëm drejt rritjes së vetëqëndrueshmërisë së Kosovës në fushën e mbrojtjes, duke reduktuar varësinë nga importi i municionit dhe duke krijuar bazë për zhvillimin afatgjatë të industrisë vendore të mbrojtjes, njofton Dukagjini.

Krahas inicimit të industrisë së municionit, Mehaj ka renditur edhe konsolidimin e bazës ligjore dhe institucionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës si arritje kyçe të mandatit të tij.

“Arritja jonë më e madhe gjatë drejtimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës ka qenë konsolidimi i plotë i bazës ligjore dhe institucionale për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në këtë kuadër, janë miratuar dhe plotësuar ligje thelbësore, si heqja e kufizimit të numrit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, miratimi i Ligjit për Policinë Ushtarake dhe Ligjit për Inteligjencën Ushtarake, të cilat kanë krijuar themele të qëndrueshme për funksionimin modern dhe profesional të saj”, ka thënë ai.

Mehaj, si pjesë tjetër e rëndësishme e mandatit të tij, thotë ka qenë edhe modernizimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake përmes marrëveshjeve shtet me shtet për të cilat ishte angazhuar personalisht.

“Një arritje e rëndësishme strategjike ka qenë gjithashtu nënshkrimi i marrëveshjeve për blerjen e pajisjeve të avancuara ushtarake, përfshirë mjetet ajrore pa pilot ‘Bajraktar’, mjetet ajrore pa pilot të tipit ‘Puma’, si dhe pajisje të tjera moderne nga shteti mik i Turqisë, përfshirë sistemet kundërtanke të tipit ‘OMTAS’. Po ashtu, janë iniciuar dhe nënshkruar marrëveshje shtet me shtet, të cilat kanë hapur rrugën për shumë blerje të mëvonshme strategjike në fushën e mbrojtjes”, ka deklaruar ish-ministri.

Ai ka përmendur gjithashtu përmirësimin e infrastrukturës ushtarake dhe kapaciteteve logjistike, duke theksuar se gjatë mandatit të tij janë siguruar prona strategjike për nevojat e ushtrisë.

Në planin operacional dhe ndërkombëtar, Mehaj ka theksuar pjesëmarrjen e FSK-së në ushtrime shumëkombëshe dhe rritjen e rolit të saj si partner i besueshëm i sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe dërgimin e pjesëtarëve të saj në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Dështim total i shout me dronë për Vitin e Ri në Mal të Zi

1 January 2026 at 18:40


Shou i dronëve që u planifikua si një spektakël i madh për festimin e Vitit të Ri në qiellin mbi Qytetin e Vjetër të Budvës përfundoi në mënyrë të paharrueshme, por jo siç pritej.

Gjatë performancës që duhej të ndriçonte natën e ndërrimit të viteve, u shfaq një problem teknik, për shkak të të cilit dronët filluan të bien njëri pas tjetrit para shumë qytetarëve të mbledhur aty. Rreth 600 dronë ranë në det dhe në platformat para Kapetanisë së Portit, ndërsa pamjet e këtij momenti u shpërndanë shpejt në rrjetet sociale.

Policia e Budvës konfirmoi se ka kryer një hetim në vendngjarje dhe ka informuar Prokurorinë themelore në Kotor për incidentin. Fatmirësisht, askush nuk u plagos. Sipas informacioneve jozyrtare, dëmet materiale mund të arrijnë qindra mijëra euro.

— (@)

Ky shou me dronë u parapri nga një fishekzjarr, por arsyeja e saktë e defektit që shkaktoi rënien masive të pajisjeve teknologjike ende nuk dihet. Autoritetet lokale, përfshirë Organizatat Turistike dhe Komunën e Budvës, nuk kanë dhënë shpjegime zyrtare për shkaqet e incidentit, raporton vijesti.me.

Sipas mediave malazeze, disa pohojnë se nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes së pajisjeve që pengojnë sinjalin, por këto pretendime nuk janë konfirmuar ende. Shou i dronëve, i cili duhej të ishte një nga momentet kryesore të festimeve të Vitit të Ri në Budva, përfundoi me zhgënjim për publikun dhe organizatorët.

Në fund, dronët u ngritën në disa dhjetëra metra lartësi përpara se të fillonin të binin pa kontroll në tokë dhe në det – një skenë që, sipas dëshmitarëve, vetëm me fat kaloi pa pasoja serioze për njerëzit. /Telegrafi/

Raul i thotë të gjitha: Messi është më i mirë se Ronaldo dhe Zidane

1 January 2026 at 18:32


Legjenda e Real Madridit, Raul, ka befasuar opinionin futbolldashës duke lënë mënjanë përkatësinë klubore dhe duke e shpallur Lionel Messin më të madh se ikonat e “Los Blancos”, si Cristiano Ronaldo dhe Zinedine Zidane.

Ndryshe nga shumica e figurave të lidhura fort me “Santiago Bernabeu”, të cilët zakonisht zgjedhin CR7 në debatin e përhershëm për lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave, Raul e pranon hapur se magjia e argjentinasit ka epërsi ndaj fuqisë së portugezit, shkruan Goal.com.

Debati i përjetshëm vazhdon

Messi ka qenë për vite me radhë “makthi” i Real Madridit, ndërsa përplasjet e tij epike me Cristiano Ronaldon shënuan një epokë të tërë të futbollit botëror.

Gjatë dy dekadave, dy superyjet fituan së bashku 13 Topa të Artë, duke e çuar nivelin e shkëlqimit individual në kufij të paparë më parë.

Edhe në fillim të vitit 2026, të dy vazhdojnë të jenë aktivë. Messi ka kontratë me fituesit e MLS Cup, Inter Miami, deri në vitin 2028, ndërsa Ronaldo është i lidhur me Al-Nassr me një kontratë dyvjeçare që do ta mbajë në fushë edhe pas ditëlindjes së tij të 42-të.

Pse Messi është mbi të gjithë

Raul, i cili shënoi 323 gola në 714 paraqitje për Real Madridin, ka luajtur me disa nga futbollistët më të mëdhenj në histori, por sërish Messin e vendos në majë.

“Kam pasur fatin të luaj me lojtarë si Zidane, Cristiano, Ronaldo, Figo… por mendoj se Messi është më i miri. Ai është shumë ndryshe. I bën gjërat të duken të lehta; ato që për të tjerët duken të pamundura, ai i bën sikur po luan në rrugë me miqtë”, u shpreh Raul.

Ylli i ri që po vjen

Edhe pse Messin e konsideron më të madhin e të gjitha kohërave, Raul pranon se një tjetër produkt i akademisë legjendare La Masia mund të dominojë futbollin në të ardhmen e afërt. Ai veçon Lamine Yamal, talentin adoleshent që po thyen rekorde që nga debutimi në moshën 15-vjeçare.

Tashmë 18-vjeçar, Yamal ka fituar titullin e La Ligës dhe Kampionatin Evropian, ndërsa vitin 2025 e mbylli si i dyti në renditjen për Topin e Artë. Megjithatë, Raul paralajmëron se mbi të nuk duhet ushtruar presion i tepruar.

“Të gjithë e dimë se do të jetë një lojtar i rëndësishëm, por Lamine nuk duhet të jetë shtylla e Kombëtares së Spanjës. Ka lojtarë më me përvojë që duhet ta ndihmojnë, në mënyrë që ai të jetë protagonist pa u ndjerë i detyruar të na shpëtojë çdo ndeshje”, theksoi Raul.

A do ta arrijë Yamal madhështinë?

Për shkak të stilit të lojës dhe faktit se është majtak që kalon lehtë kundërshtarët, Yamal krahasohet vazhdimisht me Messin. Edhe pse ai përpiqet të ndërtojë rrugën e tij, është e vështirë të shmangë hijen e futbollistit më të trofeshëm në histori.

Shumë parashikojnë se Yamal mund të ndjekë hapat e Messit dhe të bëhet fitues i shumëfishtë i Topit të Artë, por për momentin, Lionel Messi mbetet i pakonkurrencë në krye, si më i madhi i të gjitha kohërave. /Telegrafi/

Shqipëria merr komandën e batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026

1 January 2026 at 18:30


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar sot një takim online me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në misione paqeruajtëse jashtë vendit. Në këtë fillimviti, Kreu i Shtetit vlerësoi lart sakrificën e ushtarakëve shqiptarë, të cilët festojnë larg familjeve për të garantuar sigurinë në pikat më të nxehta të globit.

Gjatë bisedës me oficerët dhe ushtarët, Presidenti dha një lajm të rëndësishëm për vitin që sapo ka nisur: Shqipëria do të marrë komandën e batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026.

“Kjo është një dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive dhe sigurisë në rajon,” theksoi Begaj, duke e cilësuar këtë detyrë si një arritje madhore të ushtrisë shqiptare.

Prania shqiptare në botë

Presidenti listoi hartën e gjerë të angazhimit të trupave tona, duke treguar peshën që Shqipëria ka brenda Aleancës:

Në Rajon- Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Krahu Lindor i NATO-s- Letoni dhe Bullgari.

Misione Strategjike- Irak, Sinai, Deti Egje dhe Sudani i Jugut.

Mbështetje për Ukrainën- Pjesëmarrje në strukturat mbështetëse ndaj agresionit rus.

Modernizimi si prioritet

Përballë sfidave komplekse gjeopolitike, Begaj nënvizoi se nuk mjafton vetëm shtimi i trupave, por kërkohet një forcë moderne.

“Sfidat kërkojnë një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitete mbrojtëse moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me partnerët tanë,” u shpreh ai, duke premtuar vijimin e investimeve në mbrojtje.

Fjala përshëndetëse e Presidentit Begaj në takimin online me efektivët e FARSH në misione dhe operacione jashtë vendit

I nderuar Ministër,

I nderuar Shef i Shtabit të Përgjithshëm,

Gjeneralë, komandantë dhe drejtues të Forcave të Armatosura,

Mbi të gjitha, të dashur ushtarë, nënoficerë dhe oficerë,pjesëmarrës në misione dhe operacione jashtë vendit,

Është kënaqësi e veçantë për mua të jemi së bashku në këto momente për t’ju përshëndetur dhe për t’ju uruar nga zemra gëzuar festat!

Uroj që viti që vjen të jetë i mbarë dhe i begatë jo vetëm për ju, por edhe për familjet tuaja!

Atmosfera festive dhe e gëzuar kërkon të jemi së bashku. Juve ju ka gjetur larg familjeve tuaja, por me një mision tërëndësishëm: të jeni në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut, në shërbim të paqes, të sigurisë dhe lirisë në mbarëglobin. Ju mbani lart flamurin e Shqipërisë dhe ne ndihemi krenarë për shërbimin tuaj!

Angazhimi juaj, nga Kosova, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut dhe në strukturat për mbështetjen e Ukrainës,janë dëshmi e qartë e angazhimit dhe përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë jo vetëm në rajon, por edhemë gjerë.

Paqja dhe siguria nuk kanë çmim dhe garantimi tyre duhet tëjetë i domosdoshëm. Sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë janëkomplekse dhe kërkojnë që ne t’u përgjigjemi atyre sipas kërkesave jo vetëm duke rritur kontributin, por, mbi të gjitha, me një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitetembrojtëse, moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme.

Ne do të vijojmë të shtojmë kontributet tona në misione dhe operacione jashtë vendit dhe patjetër do të jemi pjesëmarrës kudo ku Aleanca të kërkojë.

Marrja e komandës së batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026 është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive, ndaj paqes, ndajdhe sigurisë. Shpreh bindjen se drejtimi i kësaj strukture të rëndësishme do të jetë një tjetër arritje e Forcave tona të Armatosura.

Edhe një herë, ju uroj gëzuar festat, shëndet dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja!

Faleminderit shumë për shërbimin tuaj!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura!

/RTSH/

❌
❌