Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, vjen analiza e gazetarëve të Telegrafit, të cilët diskutuan gjerësisht për zhvillimet aktuale në futbollin vendor dhe ndërkombëtar. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.
Gazetari Romak Zeqiri, ka ngritur një shqetësim të madh lidhur me menaxhimin e kontratave te klubet kosovare të futbollit.
Ai ka akuzuar klubet se e fillojnë sezonin e ri me një presion të panevojshëm ndaj lojtarëve që kanë kontrata në vitin e fundit, duke krijuar një situatë të pafavorshme për të gjithë palët.
“Thuajse krejt klubet e kanë, domethënë pa asnjë frikë e nisin sezonin e ri kur e dinë që lojtarët kryesorë e kanë vitin e fundit”.
“Edhe 11 muaj ose edhe 10 muaj ju skadon kontrata, qysh po filloni ashtu? Domethënë në momentin që ti i bën lojtarit presion 12 muaj më herët, ose nënshkruaj ose nuk luan, asnjë lojtar nuk rrezikon”.
“Asnjë lojtar nuk rrezikon të qëndrojë një vit pa luajtur. A në momentin që i thua në shkurt ose në mars, a po nënshkruan apo nuk luan, secili pret”.
“Nuk është kjo sindromë me thonë veç te Prishtina, por është te krejt klubet. E kemi pa edhe Dritën vitin e kaluar, me dy shtyllat kryesore të mesfushës, Dabiqaj dhe Broja, po ata për fat të mirë të Dritës rinovuan”.
“Edhe pse ka pasur oferta, po atë po dua ta them, është një problem që ju ndodh të gjitha klubeve dhe po vazhdojnë duke e përsëritur”, ka thënë gazetari Romak Zeqiri.
Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka miratuar sot një Deklaratë Politike që përcakton orientimet kryesore reformuese, organizative dhe programore të partisë, pas shqyrtimit të gjendjes politike dhe organizative të saj.
Sipas deklaratës, LDK-ja nis një riorganizim tërësor të strukturës së saj, duke u bazuar në meritokraci, angazhim të dëshmuar politik dhe funksionalitet të degëve dhe nëndegëve. Platforma e re politike dhe organizative duhet të përfundojë brenda 100 ditësh, duke parashikuar ristrukturimin e degëve dhe krijimin e mekanizmave matës për performancën politike dhe organizative.
Kuvendi ka riafirmuar parimin se asnjë anëtar nuk duhet të mbajë më shumë se një funksion partiak, përveç atyre që burojnë nga pozita institucionale. Po ashtu, është kërkuar respektimi i vendimmarrjes kolegjiale dhe i disiplinës statutare, si dhe trajtimi i çdo veprimi që cenon unitetin organizativ përmes mekanizmave statutare.
Një pjesë kyçe e reformës është formimi i një Kryesie të re statutare, forcimi i Kolegjiumit të Degëve dhe krijimi i Trupit Qeverisës të Përfaqësimit Lokal, për të harmonizuar politikat partiake me praktikat qeverisëse në nivel lokal. Kuvendi autorizon gjithashtu formimin e një Trupi Këshilldhënës, që do të ruajë kujtesën institucionale dhe orientimin strategjik afatgjatë të partisë.
Kuvendi thekson gjithashtu nevojën për Program Kombëtar Politik, i cili e pozicionon LDK-në si forcë qeverisëse dhe garantues të stabilitetit institucional dhe përgjegjësisë shtetërore. Kryetari i partisë do të ndërtojë pozicionet politike të LDK-së në konsultim me organet legjitime, ndërsa vendimet përfundimtare do të zbatohen nga të gjitha strukturat e partisë.
Deklarata përfundon duke e konsideruar këtë vendim orientues dhe obligues për veprimet politike dhe organizative të LDK-së, duke shënuar fillimin e një faze të re reformuese dhe konsoliduese për partinë në shërbim të anëtarësisë, votuesve dhe Republikës së Kosovës./Telegrafi/
Para ca ditësh, Xheneta Fetahu, publikoi një InstaStory nga shtëpia e saj, duke treguar gjendjen e vështirë pas një operacioni në hundë.
Ajo u shpreh se ndërhyrja erdhi për shkak të një devijimi, duke shtuar se ka vuajtur më parë nga astma.
“Sot kam filluar pak me marrë veten dhe shyqyr po shoh sot. Kam pasur problem më herët, kur kam pas ndërhyrje prej aksidentit të kaluar. Punimi brenda hundës ka qenë shumë keq, unë e kam astmën dhe kam pasur problem nëse s’marrë frymë mirë nga hunda”, tregoi Xheneta.
Lidhur me thashethemet se mund të ishte sulmuar, ajo u përgjigj me vendosmëri: “Kush guxon me më prekë mua”.
Ndjekësit shprehen të shqetësuar dhe mbështetës, duke i uruar shërim të shpejtë dhe rikuperim të plotë. /Telegrafi/
Qeveria gjermane është futur në botën e memeve virale duke përdorur "pinguinin nihilist" për të përcjellë një mesazh shprese rreth fuqisë së solidaritetit evropian.
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul publikoi një video me Inteligjencë Artificiale në llogarinë e tij në Instagram, ku shfaqet shpendi i preferuar i internetit.
Postimi e riemërton memen e një pinguini të vogël që ndërmerr një udhëtim të vetmuar drejt maleve të gjera të Antarktidës si një simbol të këmbënguljes evropiane përballë sfidave të mëdha, në vend të një shprehjeje të dëshpërimit ekzistencial.
Në videon e Wadephul, pinguini është paraqitur si një krijim shumëngjyrësh i Al.
Ai tregohet duke buzëqeshur dhe duke ecur nëpër një tundrë të akullt.
Pastaj, pavarësisht se nuk e ka këtë aftësi në jetën reale, ai ngrihet në fluturim mbi majat e mbuluara me dëborë.
Pinguini mban një çantë shpine shumëngjyrëshe me portretet e kancelarit gjerman Friedrich Merz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Keir Starmer.
Kolona zanore e videos përfshin fraza nga fjalimet e fundit të udhëheqësve, përfshirë sloganin "me siguri" të Macron nga fjalimi i tij i fundit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, i cili është bërë një meme popullor në internet. /Telegrafi/
Bayern Munichu është ndalur në një barazim në udhëtim te Hamburgu, në kuadër të xhiros së 20-të në Bundesliga.
“Bavarezzët” edhe pse dominuan nuk arritën t’i merrnin pikët e plota, me epilogun përfundimtar që rezultoi të jetë 2-2.
Fabio Vieira u tregua i saktë nga pika e bardhë për të zhbllokuar rezultatin (34’).
Sidoqoftë, Harry Kane shënoi pas asistimit të Joshua Kimmich për ta barazuar shpejtë rezultatin (42’).
Bayerni e përmbysi epërsinë përmes Serge Gnabry, sidoqoftë goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Megjithatë, në fillimin e pjesës së dytë – Michael Olise e gjeti Luis Diaz, i cili nuk gaboi përballë portierit për ta përmbysur Hamburgun (46’).
Pas kësaj Hamburgu nisi të sulmojë më shumë dhe e gjeti golin e barazimit përmes Luka Vuskovic, i cili shënoi me kokë (53’).
Bayerni e mori krejtësisht lojën në dorë por assesi s’arriti ta thyente më mbrojtjen vendase. Kësisoj, ata shkojnë në kuotën e 51 pikëve ndërsa Hamburgu qëndron në vendin e 13-të me 19 sosh./Telegrafi
Chelsea me rikthim ka arritur t’i fitojë pikët e plota në përballjen londineze ndaj West Ham Unitedit.
“Blutë” ishin në disavantazh prej dy golave, por arritën ta përmbysnin në 3-2 për t’i gëzuar tifozët midis “Stamford Bridge”.
Jarrod Bowen kaloi West Hamin në epërsi pas vetëm shtatë minutave lojë për të shënuar nga afërsia.
Ndërsa, ishte Summerville që dyfishoi epërsinë pas asistimit të Wan-Bissaka (36’).
Megjithatë, në pjesën e dytë Chelsea zhvilloi krejtësisht lojë tjetër. Joao Pedro fillimisht me një goditje të fuqishme e ngushtoi epërsinë (58’).
Ndërsa, ishte Marc Cucurella që shënoi me kokë nga afërsia për ta barazuar rezultatin (70’).
Fitoren e Chelseas krejt në kohën shtesë e vulosi mesfushori Enzo Fernandez, i cili me një goditje të lehtë e la të shtangur portierin mysafir (90+2’).
Chelsea me këtë fitore ngjitët në pozitën e katërt me 40 pikë kurse West Ham qëndron në vendin e 18-të me 20 sosh./Telegrafi
Komuna e Gostivarit njofton se është arritur marrëveshje me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në Gostivar, për pagesën e K-15 për të gjithë mësimdhënësit.
Sipas komunës, pagesa do të realizohet sipas një dinamike të dakorduar deri në fund të muajit prill.
“Në periudhën kur nga Qeveria janë lëshuar dotacionet dhe kur, sipas afatit ligjor, pagesa e K-15 është dashur të realizohet deri më 31.12.2025, me komunën e Gostivarit ka udhëhequr një i besuar i Qeverisë. Në të njëjtën kohë, dotacionet e lëshuara kanë qenë të destinuara vetëm për shkollat fillore, duke mos përfshirë institucionet e tjera arsimore, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në mosrealizimin e pagesës brenda afatit ligjor. Pas marrjes së përgjegjësisë nga udhëheqja aktuale e Komunës së Gostivarit, është zhvilluar dialog konstruktiv me Sindikatën e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë – Gostivar dhe është arritur një marrëveshje xhentëllmene, sipas së cilës pagesa e K-15 për të gjithë mësimdhënësit, përfshirë edhe ata të institucioneve që nuk kanë qenë të mbuluara me dotacione, do të realizohet sipas një dinamike të dakorduar deri në fund të muajit prill të këtij viti”, thuhet në njoftimin e komunës.
Pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të Punës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i konfirmuar i partisë, Lumir Abdixhiku, foli për mediat, duke dhënë detaje mbi vendimet dhe qëndrimet e partisë.
Ai bëri të ditur se gjatë Kuvendit janë miratuar dy deklarata politike, njëra lidhur me situatën politike në vend dhe tjetra për gjendjen dhe reformimin e brendshëm të LDK-së.
“Janë deklarata që kërkojnë maturitet politik. LDK-ja shpreh gatishmëri që ta ofrojë veten për të dhënë mendime me këdo që është pjesë e skenës politike në Kosovë. Nuk kemi folur specifikisht për koalicione apo pozicione specifike, por kemi dhënë vlera orientuese të një partie”, tha Abdixhiku, duke shtuar se deklaratat do të publikohet së shpejti.
Ai theksoi rëndësinë e komunikimit politik brenda spektrit të gjerë politik dhe u shpreh i gatshëm të bashkëbisedojë me të gjitha partitë për çështjen e zgjedhjes së një presidenti konsensual të Kosovës, duke sqaruar se dialogu nuk nënkupton “pazare politike”.
“Kemi diskutuar se na duhet diskutim brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk kemi fjalën për pazare, por për ulje të të gjitha palëve që të gjenden zgjidhje për një president që do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës”, tha ai.
Abdixhiku siguroi gjithashtu se LDK-ja ka gatishmëri të diskutojë për çështje të stabilitetit politik, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me gjithë spektrin politik për të ardhmen e vendit./Telegrafi/
Fotografitë duket se e tregojnë ish-Princin Andrew i përkulur mbi një grua të shtrirë në dysheme, në publikimin e fundit të dosjeve të Epstein nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.
Në një imazh pa datë, Andrew Mountbatten-Windsor shikon drejtpërdrejt kamerën ndërsa përkulet mbi një grua, fytyra e së cilës është errësuar.
Një fotografi tjetër tregon dorën e Mountbatten-Windsor të vendosur mbi barkun e të njëjtit person.
Dokumentet e fundit të Epstein përmbajnë gjithashtu një shkëmbim email-esh midis shkelësit të dënuar seksual Jeffrey Epstein dhe Mountbatten-Windsor në gusht 2010, në të cilin financieri fton familjen mbretërore të takohet me një “mik” për darkë në Londër.
Mountbatten-Windsor përgjigjet se do të ishte “i kënaqur ta shihte” dhe i thotë Epstein t’i japë asaj të dhënat e tij të kontaktit.
Epstein më pas e përshkruan atë si një ruse 26-vjeçare që është “shumë e zgjuar, e bukur dhe e besueshme” dhe konfirmon se ajo ka email-in e Mountbatten-Windsor.
Më shumë se një muaj më vonë, në një grup tjetër emailesh, Epstein dhe Mountbatten-Windsor bëjnë plane për t'u takuar në Londër.
Mountbatten-Windsor sugjeron darkë në Pallatin Buckingham ku do të kenë "shumë privatësi".
Epstein shkruan se dyshja do të "kenë nevojë/do të kenë kohë private".
Nuk është e qartë se kur ose ku janë bërë imazhet; nuk u dha asnjë mbishkrim ose kontekst për fotografitë së bashku me dokumentin e publikuar. /Telegrafi/
Këngëtarja e njohur, Tayna, ka ndarë së fundmi disa fotografi speciale në Instagram, ku shfaqet së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Dyshja u takua gjatë premierës së dokumentarit “Melania”, një ngjarje që solli në Kosovë vëmendjen ndërkombëtare mbi figurën e Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump.
Në njërën nga fotografitë, Tayna i ka dhënë përshkrimin: “Presidentja e shtetit dhe presidentja e skenës në një foto”, duke theksuar jo vetëm respektin, por edhe lidhjen e veçantë mes botës politike dhe asaj të artit.
Tayna/Instagram
Ngjarja e organizuar në bashkëpunim me Presidencën dhe Cineplexx pati pjesëmarrjen e artistëve dhe personaliteteve të njohura të skenës, duke e kthyer premierën në një moment të veçantë për publikun.
Tayna dhe Osmani, përveç fotografive, dukeshin të kënaqura dhe të relaksuara gjatë takimit, duke treguar bashkëpunimin dhe vlerësimin reciprok.
Ky takim nxori në pah jo vetëm praninë e Taynës si një nga yjet më të ndjekur të skenës muzikore shqiptare, por edhe angazhimin e Presidentes Osmani për të mbështetur ngjarjet kulturore dhe artistike në vend. /Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i ka mbijetuar votëbesimit të kërkuar nga vetë ai të shtunën, në Kuvendin e partisë, duke u konfirmuar me shumicë votash për të vazhduar udhëheqjen e LDK-së.
Pas përfundimit të procesit, Abdixhiku ka bërë të ditur se Kuvendi ka zhvilluar mbi shtatë orë diskutime, ndërsa qëndrimin e tij në krye të partisë e ka cilësuar si privilegj dhe përgjegjësi.
“Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së, për të cilin jam falënderues. Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme, por edhe për kundërshtimet gjatë këtij procesi”, ka deklaruar Abdixhiku para mediave.
Ai ka njoftuar se Kuvendi ka miratuar dy deklarata politike: një për riorganizimin e brendshëm të LDK-së dhe një tjetër për gjendjen politike në Kosovë.
Sipas tij, përmes deklaratës së dytë, partia është zotuar për diskutime të hapura me të gjithë spektrin politik, me synim ofrimin e stabilitetit për të ardhmen e vendit.
Duke folur për hapat e ardhshëm, Abdixhiku theksoi se rimëkëmbja është drejtimi kryesor i partisë dhe ftoi të gjithë anëtarët, përfshirë edhe ata kritikë ndaj tij, që të bashkohen.
“Rruga përpara e LDK-së ka emër – Rimëkëmbje. Kjo nuk bëhet me ndarje në fitues e humbës, por me përafrimin e të gjithë anëtarësisë. I ftoj të gjithë, edhe ata që nuk ishin të kënaqur me mua, të rreshtohen pas qëllimit të përbashkët”, u shpreh ai.
Abdixhiku theksoi se në Kuvend nuk është diskutuar për koalicione apo pozicione specifike, por për vlera orientuese dhe për rolin e LDK-së si parti që synon stabilitetin politik.
Ai bëri të ditur gjithashtu se edhe kryesia e re e partisë do të zgjidhet përmes procesit të njëjtë të votimit, sikurse kryetari.
Procesin e Kuvendit, Abdixhiku e cilësoi si një shfaqje të lartë të kulturës politike, duke vlerësuar si standard të rrallë në Kosovë ballafaqimin me votëbesim pas ofrimit të dorëheqjes.
“Për mbi shtatë orë debat të hapur dhe konstruktiv, prodhuam demokraci maksimale. Një proces i tillë i votëbesimit përmes votimit të fshehtë është dëshmi e pjekurisë politike të LDK-së”, tha ai, duke falënderuar delegatët për përfaqësimin dinjitoz të anëtarësisë dhe duke u zotuar për ruajtjen e unitetit dhe sinqeritet ndaj qytetarëve dhe vlerave themeltare të LDK-së./Telegrafi/
Arjanit Hoxha është emëruar sot nënkryetar i Bashkimi Demokratik për Integrim.
Në një reagim publik pas emërimit, Hoxha ka theksuar se ky vendim shënon përmbylljen e një kapitulli dhe hapjen e një etape të re në angazhimin e tij politik.
Hoxha shkruan se aktiviteti i tij politik vazhdon me misionin për mbrojtjen e kauzës kombëtare.
“Sot u përmbyll një kapitull që nuk ka qenë as i lehtë e as i shkurtër, për t’i hapur rrugë një kapitulli të ri. Më është besuar përgjegjësia për të ushtruar detyrën e nënkryetarit të BDI-së, një proces që shënon nisjen e një rruge të re me vazhdimësi të kauzës sime kombëtare: përfaqësimin e denjë, Ky hap nuk është për pushtet personal. Është për përgjegjësi më të madhe, për angazhim më të fortë dhe për një të ardhme ku zëri ynë dëgjohet dhe respektohet. Forca jonë është bashkimi", shkruan Hoxha.
Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, vjen analiza e gazetarëve të Telegrafit, të cilët diskutuan gjerësisht për zhvillimet aktuale në futbollin vendor dhe ndërkombëtar.Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.
Gazetari Lavdim Pireva, ka shprehur hapur pakënaqësitë e tij ndaj menaxhimit të Prishtinës dhe mënyrës se si trajneri ka menaxhuar repartin defensiv gjatë pjesës vjeshtore.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe largimin e Gentrit Salihut, të cilin e vlerësoi si një lojtar që nuk ka marrë vlerësimin e duhur te kryeqytetasit.
“Ramiz Bytyqi ende luante standard domethënë, kjo ishte kritika ime. Saletici ka qenë një prej lojtarëve më të mirë të Prishtinës në stinorin vjeshtor edhe me e qitë Ramiz Bytyqin mbrojtës të majtë me luajt kur të djathtin nuk mund ta bëjë aq mirë”.
“Po tregohem pak i ashpër këtu nuk është zakon i imi, por mendoj që Saletici është mbrojtës me shumë vlera dhe me e lënë në bankë, edhe me e qitë jashtë pozicionit natyral, një mbrojtës që pozicionin natyral nuk e bën aq mirë, mu duk shumë gabim”.
“Në lojë të Superkupës nuk provohet, sepse i ka pasur pesë miqësore. Edhe ishte dashur në atë lojë me provu, tash çka është edhe një gjë e keqe te Prishtina, Gentrit Salihu lirohet prej kontratës dhe shkon nënshkruan te Lokomotiva e Zagrebit”.
“Domethënë ty një lojtar që e ke ti aty edhe shkon te Lokomotiva, ekip në Superligën e Kroacisë plus ai te Prishtina në tri-katër ndeshjet e fundit ishte standard dhe unë mendoj që nuk i është bërë vlerësimi i duhur”, ka thënë Pireva.
Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
Pas procesit të votimit dhe mbështetjes së Lumir Abdixhikut nga Kuvendi i LDK-së për të qëndruar në pozitën e kryetarit të kësaj partie, është deklaruar anëtarja e këtij subjekti politik, Hykmete Bajrami.
Ajo para gazetarëve tha se do ta respekton vendimin e Kuvendit, i cili votoi kundër dorëheqjes së Lumir Abdixhikut.
“E kam thënë edhe më herët, po e përsërisë prapë, LDK është më e madhe se secili prej nesh, respektoj vendimin e Kuvendit të LDK-së", tha ajo shkurt.
Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar kundër dorëheqjes se kryetarit, Lumir Abdixhiku. 164 delegatë ishin kundër dorëheqjes dhe 136 pro dorëheqjes së Abdixhikut.
Fillimisht para votimit, delegatëve iu është prezantuar letra për votim: “A e pranoni dorëheqjen e Lumir Abdixhikut - Po, Jo.”
LDK, me këtë proces ka vendosur që Abdixhiku të vazhdojë si kryetar i këtij subjekti politik, përkundër rezultatit të dobët në zgjedhjet e 28 dhjetorit për Kuvendin e Kosovës.
Jehona Lushaku-Sadriu është deklaruar pas mbledhjes së Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku shumica e anëtarëve nuk e kanë pranuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë.
Ajo ka bërë të ditur se Abdixhiku ka paraqitur dy deklarata politike, njëra që parasheh reformimin e brendshëm të LDK-së, dhe tjetra që përfshin qëndrimet e partisë ndaj zhvillimeve politike në vend, të cilat, sipas saj, janë miratuar me shumicë votash në Kuvend.
“Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, për herë të parë e ka provuar votëbesimin si rezultat i rezultatit të zgjedhjeve dhe me shumicë votash është konfirmuar sërish si kryetar i LDK-së. Ai ka paraqitur edhe dy deklarata politike, një që parasheh reformimin e brendshëm të partisë dhe një që paraqet qëndrimet e LDK-së për zhvillimet politike në vend, dhe të dyja janë miratuar me shumicë votash në Kuvend”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Ajo ka shtuar se rruga përpara është e qartë, duke theksuar se përgjegjësia për reformimin e LDK-së i takon kryetarit Abdixhiku.
“Rruga përpara është e qartë. Kryetari Abdixhiku është përgjegjës për ta reformuar LDK-në, për të ndërtuar një strukturë që do të reformojë degët, nëndegët, kryesinë dhe gjithë strukturën partiake, në mënyrë që të arrihen rezultate të tjera”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Kuvendi ka miratuar edhe një deklaratë për ristrukturimin e partisë, e cila përfshin disa parime të reja, ndër to edhe atë që persona të caktuar nuk do të mund të mbajnë dy poste njëkohësisht brenda strukturave të LDK-së.
Raporti mbi masat e marra për mbrojtjen e Ohrit dhe Liqenit të Ohrit është dorëzuar zyrtarisht në UNESCO, bëri të ditur sot ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov.
Vendimi nëse rajoni i Ohrit do të përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik pritet të merret në qershor, gjatë sesionit të ardhshëm të UNESCO-s, që do të mbahet në Korenë e Jugut. Ministri theksoi se institucionet duhet të jenë të përgatitura për çdo skenar të mundshëm.
“I morëm të gjitha të dhënat e nevojshme nga të gjitha institucionet dhe në bazë të atyre të dhënave, por edhe në bazë të komunikimit me Shqipërinë, u bë raporti. Në ndërkohë, formuam edhe shtab të krizës për ta ngritur gjithë situatën në një nivel shumë më të lartë. Shtabi i krizës kishte dy takime, kemi mendim nga ai. Javën e kaluar të hënën, pata takim me Komisionin kombëtar për UNESCO-n, kemi bërë mendim, e kaluam raportin dhe të martën raporti kaloi edhe në Qeveri. Menjëherë i krahasuam dy raportet, si nga ana e Maqedonisë, ashtu edhe nga Shqipëria, dhe tani janë dërguar në UNESCO. Tani, në këtë periudhë nuk na mbetet asgjë tjetër, përveç ta justifikojmë atë që kemi bërë deri në shkurt.”, – deklaroi ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov. Preskar: Besojmë në potencialin e komuniteteve rurale
Këto informacione, ministri i Kulturës i dha gjatë pjesëmarrjes në panairin e turizmit, ku mori pjesë edhe ambasadori slloven, Gregor Presker, i cili theksoi se panairi është një iniciativë e veçantë që promovon agroturizmin.
“Ky projekt ka një qëllim të qartë dhe human: ruajtjen e natyrës dhe përmirësimin e jetës së njerëzve në zonat rurale, veçanërisht të të rinjve dhe grave, duke forcuar pavarësinë e tyre ekonomike dhe rolin në komunitet. Kjo nuk është vetëm një çështje ekonomike, por edhe çështje dinjiteti, përfaqësimi të drejtë dhe e ardhmja. Ne besojmë fuqishëm në potencialin e komuniteteve rurale dhe në forcën e njerëzve lokalë. Ky është një investim në njerëzit, në mjedisin jetësor dhe në perspektivën evropiane.”, – theksoi ambasadori i Sllovenisë, Gregor Preskar.
Përfaqësuesi i Ambasadës së Zvicrës, Mihal Harari, theksoi se ndërtimi i një destinacioni turistik aktiv dhe të qëndrueshëm nuk është rezultat vetëm i përpjekjeve individuale. Ai nënvizoi se nevojitet bashkëpunim mes ofruesve të shërbimeve, lidhje të forta me komunitetin lokal dhe përgjegjësi e përbashkët për zhvillim të qëndrueshëm.
Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, deklaroi me vendosmëri se Jude Bellingham, Vinicius Junior dhe Federico Valverde gëzojnë “besimin e plotë” të tij, pavarësisht kritikave të forta që kanë rënë mbi këta tre lojtarë javët e fundit.
Treshja e yjeve nuk arriti të ketë ndikim në humbjen zhgënjyese 4–2 ndaj Benficas në Ligën e Kampionëve, një rezultat që rriti edhe më shumë presionin dhe vëmendjen mbi individët në dhomat e zhveshjes së Real Madridit. As Kylian Mbappe dhe Thibaut Courtois nuk i shpëtuan kritikave, pavarësisht se bënë gjithçka për ta mbajtur skuadrën në lojë.
Pas mbrëmjes zhgënjyese në Lisbonë, në kryeqytetin spanjoll nisën të qarkullojnë zëra për rotacione në formacion apo edhe për uljen në stol të disa emrave të mëdhenj. Megjithatë, Arbeloa i hodhi poshtë këto ide pa hezitim.
“E kuptoj debatin në futboll. Por unë gjithmonë dua t’i kem lojtarët më të mirë në fushë. Sa më shumë minuta të luajnë për mua, në dispozicion të ekipit, aq më mirë. Këta janë lojtarë që mund ta vendosin një ndeshje në çdo moment. Do të ketë njerëz që nuk janë tifozë të Madridit dhe që nuk i duan ata në fushë. Imagjinoj se tifozët e Real Madridit duan që lojtarët e tyre më të mirë të jenë gjithmonë të gatshëm dhe në fushë”.
“Pesë lojtarët që përmendët janë futbollistë që, në nivel botëror, mund të jenë në top 10. Ata kanë besimin tim të plotë. Nuk është besimi im ai që i vendos në fushë, por paraqitjet e tyre”, përfundoi Arbeloa.
Një nga pikat më të forta të Arbeloas si trajner i ri i Real Madridit është mbështetja e hapur që ai u jep çdo lojtari me fanellën e bardhë. Spanjolli e ka bërë prioritet të rikthejë besimin te një skuadër që po vuante dhe rezultatet u panë pothuajse menjëherë.
Pas një debutimi ku një formacion i rotuar nuk arriti të mposhtte Albaceten e kategorisë së dytë, lojtarët kryesorë u rikthyen në ekip dhe Real Madridi regjistroi tri fitore radhazi. Gjatë kësaj serie, “Los Blancos” shënuan 10 gola dhe pësuan vetëm një.
Gjigantët spanjollë dukeshin sikur kishin rifituar vetëbesimin, veçanërisht Vinicius Jr, marrëdhënia e tensionuar e të cilit me Xabi Alonson kishte ndikuar jo vetëm gjysmën e parë të sezonit të tij, por edhe gjithë ekipin. Megjithatë, një humbje e rëndë e riktheu Real Madridin me këmbë në tokë.
Kritikat ndaj emrave të mëdhenj të klubit nuk janë pa bazë, sidomos për brazilianin, i cili ka vetëm dy gola në 22 paraqitjet e fundit. Pikëpyetje ka edhe për rolin e Valverdes në skuadër, veçanërisht pasi Trent Alexander-Arnold të rikthehet në krahun e djathtë; uruguaiani u shfaq dukshëm i dobët pas rikthimit në mesfushë në finalen e Superkupës së Spanjës.
Mbështetja publike dhe private ndaj lojtarëve ndihmon në rikthimin e unitetit në një dhomë zhveshjeje të përçarë, por nuk i shërben yjeve që po zhgënjejnë në fushë. Real Madridit i duhet një ndjenjë më e fortë përgjegjësie nëse synon të arrijë potencialin maksimal dhe të rifitojë mbështetjen e plotë të tifozëve.
Përveç vështirësive në fushë dhe përplasjes publike me Alonson, negociatat e ngecura për rinovimin e kontratës së Vinicius Jr kanë hedhur hije mbi sezonin 2025–26. Sulmuesi i krahut nisi bisedimet për zgjatjen e kontratës, e cila skadon në qershor 2027, që në janar të vitit të kaluar, por përparimi ka qenë minimal.
Vinicius Jr i është përkushtuar së ardhmes së tij Real Madridit — por me çfarë kostoje?
Mendohet se Vinicius Jr po kërkon një pagë historike prej 30 milionë eurosh në sezon, një shifër që klubi më herët nuk ishte i gatshëm ta pranonte. Megjithatë, tensionet në negociata dhe fishkëllimat e forta nga tifozët e Real Madridit nuk e kanë lëkundur besnikërinë e 25-vjeçarit ndaj klubit.
“Dua të qëndroj këtu për një kohë shumë të gjatë. Flitet shumë edhe për rinovimin e kontratës sime, sepse më ka mbetur edhe një vit. Ne jemi shumë të qetë për këtë çështje. Unë i besoj Florentino Perezit dhe ai më beson mua. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe gjithçka do ta zgjidhim në momentin e duhur. Nuk kemi asnjë nxitim”, deklaroi Vinicius Jr pas fitores 6–1 ndaj Monacos.
Megjithatë, me çdo paraqitje ku numri 7 nuk bind, kërkesat e tij financiare duken gjithnjë e më të vështira për t’u justifikuar, sidomos nëse do të thotë të paguhet më shumë se Mbappe, i cili pothuajse i vetëm mban peshën e golave të skuadrës.
Nëse Vinicius Jr nuk arrin të rikthehet në formë në katër muajt e ardhshëm, ai mund ta gjejë veten me shumë pak leverdi në bisedimet për kontratën me Real Madridin, pavarësisht se sa shpesh Arbeloa e lavdëron publikisht./Telegrafi
Kruarja, zbokthi dhe rritja e ngadaltë e flokëve janë shenja që tregojnë se lëkura e kokës ka nevojë për kujdes të veçantë
Sa herë keni blerë një shampo të re me shpresën se pikërisht ajo do t’i zgjidhë të gjitha problemet që flokët të rriten më shpejt, të duken më të dendur, më të shndritshëm dhe më të shëndetshëm? Raftet e dyqaneve janë plot me premtime për “formula magjike”, por e vërteta është shumë më e thjeshtë.
Flokët e shëndetshëm nuk fillojnë nga shampoja. Fillojnë nga skalpi. Vetëm kur ta kuptoni këtë, do të ndaloni së kërkuari produkte mrekullie dhe do të filloni të ndërtoni një rutinë që vërtet sjell rezultate.
Skalpi është baza e gjithçkaje dhe shpesh e neglizhojmë
Shumica e njerëzve kujdesen për flokët, por harrojnë se skalpi është vazhdim i lëkurës së fytyrës. Ashtu si fytyrën e pastrojmë, e hidratojmë dhe e trajtojmë me serume, të njëjtin kujdes e meriton edhe lëkura e kokës.
Nëse skalpi ju kruhet, shtrëngohet, luspohet apo duket i thatë, këto nuk janë shenja për t’u injoruar. Janë sinjale të qarta që tregojnë se ka nevojë për kujdes shtesë. Kur skalpi është i shëndetshëm, flokët rriten më të fortë, duken më të dendur dhe kanë shkëlqim natyral.
Pse trajtimet për skalpin janë kaq të rëndësishme?
Në skalp grumbullohen çdo ditë:
sebumi
mbetjet e shampove dhe maskave
produktet për stilizim
qelizat e vdekura të lëkurës
Nëse këto nuk largohen rregullisht, mund të shfaqen inflamacion, zbokth, kruarje dhe rritje e ngadalësuar e flokëve. Një piling i butë ose një serum për skalpin ndihmon që lëkura të “marrë frymë” dhe folikulat të mbeten të hapura, duke krijuar kushtet ideale për rritje të shëndetshme, transmeton Telegrafi.
Paralajmërim i rëndësishëm: mos e teproni
Edhe pse serumet vajore dhe trajtimet intensive duken joshëse, përdorimi i shpeshtë mund të sjellë efekt të kundërt. Teprica e produkteve yndyrore në skalp mund të shkaktojë çrregullim të ekuilibrit, shtim të yndyrës apo edhe zhvillim të kërpudhave. Moderimi është çelësi.
Si të zgjidhni trajtimin e duhur për skalpin tuaj?
Probleme të ndryshme kërkojnë përbërës të ndryshëm:
Skalp i yndyrshëm – Pilingë të butë, veçanërisht ata me acid glikolik, që ndihmojnë në largimin e tepricës së yndyrës.
Rënie e flokëve – Përbërës si ginkgo biloba ose vaji emu përdoren shpesh për të stimuluar qarkullimin dhe për të forcuar rrënjën e flokut.
Skalp i thatë dhe i dehidratuar – Acidi hialuronik dhe ekstrakti i kokosit qetësojnë dhe hidratojnë lëkurën e kokës.
Çfarë duhet shmangur në produkte?
Disa përbërës mund ta irritojnë edhe më shumë skalpin, sidomos nëse është i ndjeshëm: parabenë, sulfate, formaldehid, ngjyra sintetike, silikone.
Silikonet japin shkëlqim të menjëhershëm, por shpesh bllokojnë poret, mbyllin folikulat dhe mund të përkeqësojnë zbokthin dhe rënien e flokëve.
Sa shpesh përdoren pilingët dhe trajtimet?
Rregulli i përgjithshëm është i thjeshtë:
Piling për skalpin, maksimumi 1–2 herë në javë, vetëm nëse keni skalp shumë të yndyrshëm. Përdorimi i shpeshtë mund të heqë vajrat natyralë dhe të shkaktojë kruarje edhe më të fortë.
Për rutinën e përditshme preferohen:
shampo të buta pa sulfate
maska ushqyese
vajra qetësues në sasi të vogla
Si ta kuptoni që skalpi juaj ka nevojë për ndihmë?
Nëse vini re kruarje, djegie, ndjesi shtrëngimi, skuqje, zbokth, rënie të shtuar të flokëve, është shenjë se skalpi kërkon kujdes shtesë. Shkaktarë mund të jenë grumbullimi i qelizave të vdekura, dermatiti seborrheik, ekzema, psoriaza, por edhe produkte agresive, ngjyrosje e shpeshtë apo larje me shampo të forta.
Flokët e ëndrrave fillojnë aty ku rrallë shikojmë
Ndoshta nuk ju duhet një shampo e re “mrekullie”. Ndoshta ju duhet vetëm një gjë: një skalp i shëndetshëm.
Kur kujdesi për të vihet në plan të parë, flokët vërtet mund të rriten “si nga uji”. /Telegrafi/
Të paktën katër persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në dy shpërthime të ndara që ndodhën në jug dhe jugperëndim të Iranit, raportuan mediat lokale.
Raportohet se shpërthimi vdekjeprurës në Ahvaz u shkaktua nga një rrjedhje gazi, ndërsa shkaku i shpërthimit të dytë nuk dihet ende.
Agjencia e lajmeve Mehr, duke cituar shërbimet e zjarrfikësve dhe sigurisë të komunës Ahvaz, raportoi se shpërthimi ndodhi në një kompleks apartamentesh në lagjen Kianshahr.
Më shumë se një duzinë automjetesh të parkuara pranë ndërtesës u dëmtuan gjithashtu.
Ndryshe, tani kanë filluar të përhapen pamje të shpërthimit në rrjete sociale.
Major explosion reported in a building in Azadegan district, Bandar Abbas (Iran). Local reports cite an unusually intense blast sound. pic.twitter.com/NfB4gEuphn — TRIDENT (@TridentxIN) January 31, 2026
Explosions today in southern Iran
Video shows the aftermath of an explosion in the port city of Bandar Abbas.
Meanwhile, the Islamic Revolutionary Guard Corps has denied online rumours of the assassination of Rear Adm Alireza Tangsiri, the commander of the IRGC Navy. pic.twitter.com/orCPHAZyfd — Ghoncheh Habibiazad | غنچه (@GhonchehAzad) January 31, 2026
At least one person was killed and over a dozen injured as a result of a “gas explosion” this morning in the Southern Iranian port city of Bandar Abbas, with the apartment building from which the blast originated from suffering significant damage. Claims have circulated that the… pic.twitter.com/ZLZtyF858J — OSINTdefender (@sentdefender) January 31, 2026
Kujtojmë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha javën e kaluar se një "armadë" po lëvizte drejt Iranit dhe disa burime relevante raportuan se Trump po shqyrton mundësitë për një sulm të mundshëm. /Telegrafi/