10 yjet që mund të befasojnë botën e futbollit dhe të bëhen me klube të reja në afatin e janarit
Afati kalimtar i transferimeve të janarit po afron me shpejtësi, dhe klubet do të jenë sërish në garë për të forcuar skuadrat për gjysmën e dytë të sezonit.
Në tregun dimëror të vitit 2025 janë shpenzuar 1.2 miliard euro në ligat kryesore evropiane dhe në Championship, shifra më e lartë në shtatë vitet e fundit, ku vetëm Manchester City ka shpenzuar 191 milion euro.
Mohamed Salah (Liverpool)
Në prill, Mohamed Salah u shpërblye me një kontratë të re dyvjeçare pas udhëheqjes së Liverpool drejt titullit të dytë në Ligën Premier. Por, rreth nëntë muaj më vonë, i ashtuquajturi “Mbreti Egjiptian” është përballë një largimi të tensionuar që mund të dëmtojë trashëgiminë e tij në ‘Anfield’.
Salah aktualisht është në Kupën e Kombeve të Afrikës me Egjiptin dhe është rikthyer te golat, por klubet e pasura të Arabisë Saudite e kanë identifikuar ende si objektiv.
Për herë të parë këtë sezon, Salah ka treguar shenja dobësimi, që do të thotë se kjo mund të jetë mundësia e fundit për Liverpool për të kërkuar një tarifë të madhe, pasi fuqia negociuese e fituar nga kontrata e re mund të mos zgjasë pas dimrit.
Conor Gallagher (Atletico Madrid)
Në fund të nëntorit, Sky Sports zbuloi se 16 klube të Ligës Premier kanë shfaqur interes për Conor Gallagher që nga transferimi prej 33 milionë eurosh nga Chelsea te Atletico Madrid në gusht 2024, duke treguar vlerësimin e tij të lartë në Angli.
The Guardian raporton se Manchester United po e monitoron gjithashtu Gallagher me synim një huazim në janar, por Atletico preferon një shitje të përhershme dhe dëshiron të rikuperojë investimin fillestar, gjë që mund të hapë mundësi për Tottenham dhe Leeds.
Marc-Andre Ter Stegen (Barcelona)
Marc-Andre ter Stegen u rikthye në fushë për Barcelonën pas tre muajsh mungesë në fitore ndaj Guadalajara në Kupën e Mbretit, pasi u rikuperua plotësisht nga operacioni në shpinë.
Megjithatë, trajneri Hansi Flick bëri të qartë se kjo ishte vetëm një rast i veçantë. Joan Garcia dhe Ëojciech Szczesny janë tani portierët kryesorë në ‘Camp Nou’, ndërsa Ter Stegen iu hoq përkohësisht shiriti i kapitenit në gusht pas refuzimit për të ndarë të dhënat mjekësore me La Liga, çka do të kishte liruar 50% të pagës së tij për regjistrim.
Sipas Mundo Deportivo, nuk duket të ketë rrugë kthimi, me klube nga Turqia dhe Arabia Saudite që mund të ofrojnë një rrugëdalje për Ter Stegen..
Kenan Yildiz (Juventus)
Juventus rrezikon të humbasë asetet e saj më të çmuara. Kenan Yildiz ka kontratë deri në 2029, por ndihet se paga aktuale nuk reflekton rëndësinë e tij në skuadër dhe ka kërkuar një zgjatje që do ta vendoste ndër pagat më të larta të klubit, sipas Tuttosport.
Derisa negociatat për rinovimin nuk kanë pasur përparim, Arsenal raportohet se ka kontaktuar agjentin e Yildiz, Jorge Mendes, për të diskutuar disponueshmërinë e tij.
Ruben Neves (Al-Hilal)
The Times raporton se Ruben Neves po kërkon një rikthim në Ligën Premier pas dy e gjysmë vitesh në Arabinë Saudite me Al-Hilal, të cilët nuk kanë arritur ta bindin ish-yllin e Ëolves të nënshkruajë një zgjatje kontrate.
‘Old Trafford’ është përmendur si “destinacioni i dukshëm” për Neves, për shkak të vështirësive të vazhdueshme të Manchester United në mesfushë, ku skuadra e Amorim ende nuk ka një specialist që mund të kontrollojë ritmin e ndeshjeve.
Antoine Semenyo (Bournemouth)
A ka ndonjë sulmues krahu më të mirë në Ligën Premier aktualisht se Antoine Semenyo? Sipas statistikave dhe vlerësimit vizual, përgjigjja është jo.
Liverpool, Chelsea, Manchester United dhe Tottenham kanë shfaqur nivele të ndryshme interesi për Semenyo para afatit të janarit, kur do të hyjë në fuqi klauzola e tij e lirimit prej 65 milionë eurosh.
Megjithatë, edhe pse Semenyo duket si zëvendësues i përsosur për Salah te Liverpool, konsensusi i zakonshëm tani është se Manchester City po udhëheq garën për nënshkrimin e sulmuesit nga Gana, i cili raportohet se dëshiron të vendosë të ardhmen e tij sa më shpejt të jetë e mundur.
Nico Schlotterbeck (Borussia Dortmund)
Nico Schlotterbeck është një futbollist shumë i kërkuar. Raportohet se Barcelona dhe Real Madrid e kanë ndjekur yllin e Borussia Dortmund për muaj me radhë, ndërsa BILD ka shkruar se Bayern Munich po planifikon të përpiqet ta transferojë mbrojtësin nga rivalët e tyre në Bundesliga, duke e parë atë si një alternativë strategjike për Dayot Upamecano, i cili së shpejti do të jetë lojtar i lirë.
Liverpool gjithashtu raportohet se ka shfaqur interes për 26-vjeçarin gjerman, i cili ka kontratë deri në vitin 2027.
Marc Guehi (Crystal Palace)
Marc Guehi ishte shumë pranë një transferimi prej 35 milionë eurosh te Liverpool verën e kaluar, aq sa kishte xhiruar edhe një video zyrtare për njoftimin, por Crystal Palace e bllokoi marrëveshjen pak para afatit.
‘Të Kuqtë’ mbeten admirues të mëdhenj të tij, por konkurrenca për Guehi është rritur ndjeshëm muajt e fundit, me Daily Mail që raporton se Man City, Bayern Munich dhe Atletico Madrid janë të gjithë të etur për të siguruar nënshkrimin e tij në vitin 2026.
Elliot Anderson (Nottingham Forest)
Mesfushorët defensivë nuk janë më të lirë, të paktën jo në Ligën Premier. Enzo Fernandez, Declan Rice dhe Moises Caicedo kanë kushtuar të gjitha më shumë se 100 milionë euro dhe ylli i Nottingham Forest, Elliot Anderson, mund të jetë i radhës.
Sipas gazetarit të Sky Sports, Florian Pletterberg, ky është çmimi minimal i kërkuar nga Forest për mesfushorin anglez, ndërsa klubi është bërë i vetëdijshëm për interes “konkret” nga Manchester United.
Karim Adeyemi (Borussia Dortmund)
Sipas BILD, Karim Adeyemi i ka bërë me dije drejtuesve të Borussia Dortmund se dëshiron të largohet, me të dashurën e tij që thuhet se po nxit një jetë të re në një qytet të madh evropian.
Sulmuesi gjerman ka ndryshuar agjent dhe ka nisur përpjekjet për një transferim në janar, dhe nuk do të ketë mungesë ofertash kur hapet afati i transferimeve.
Interi është lidhur me një transferim të mundshëm të Adeyemit, ndërsa The Mirror raporton se Manchester United dhe Arsenal janë gati të nisin garën për shërbimet e tij./Telegrafi/
