Një zbulim me vlerë për trashëgiminë kulturore është bërë në fshatin Rromës, në Bashkinë Selenicë, ku gjatë punimeve për ndërtimin e një depoje uji kanë dalë në dritë rënojat e një çezme të vjetër.
Pas njoftimit nga banorët e zonës, specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë dokumentuar strukturën e zbuluar.
Sipas specialistëve, çezma ruan elementë të rëndësishëm ndërtimorë, si tubacion qeramike për furnizimin me ujë, kanale shkarkuese dhe mure të ndërtuara me gurë, tjegulla dhe llaç gëlqereje.
Nga analiza paraprake e tipareve arkitekturore dhe materialit qeramik të gjetur, monumenti mendohet të datojë në shekujt XV–XVI, në fillimet e periudhës osmane.
Specialistët vlerësojnë se ky zbulim përbën një dëshmi të rëndësishme për historinë dhe zhvillimin e fshatit Rromës, ndërsa theksojnë se bashkëpunimi i banorëve me institucionet e trashëgimisë kulturore bëri të mundur dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj rënoje me vlera historike.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së dielës në Pyllin e Sodës në Vlorë, duke krijuar një re të dendur tymi që ka mbuluar një pjesë të mirë të qytetit.
Vatra e zjarrit ka rënë brenda pyllit me pisha, pranë vijës hekurudhore në zonën e Zvërnecit, ndërsa tymi është i dukshëm nga disa lagje të Vlorës.
Banorët dhe pushuesit në qytetin e Vlorës në ndihmë të zjarrfikësve për të izoluar flakët dhe për t’i shuar ato. Flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, duke detyruar forcat zjarrfikëse të vendosin në dispozicion të gjithë personelin për izolimin e vatrës.
Zjarri ka marrë përmasa të konsiderueshme dhe rrezikon të përfshijë një sipërfaqe të madhe me pyje dhe bimësi, ndërsa ekziston rreziku që flakët t’u afrohen edhe bizneseve dhe ambienteve të tjera pranë zonës.
Në terren ndodhen shërbimet zjarrfikëse, të mbështetura nga strukturat e tjera të emergjencës, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur dhe të respektojnë udhëzimet e forcave në terren, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve vijon.
Siç edhe më herët korrespondneti i Top Channel Mikel Marsi raportoi, menjëherë pas sinjalizimit, drejt zonës janë nisur forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave paraprake, situata paraqitet e vështirë për shkak të përhapjes së zjarrit në një zonë me bimësi të dendur dhe erës që favorizon avancimin e flakëve.
Burime nga shërbimi zjarrfikës bëjnë me dije se aktualisht ne Vlorë janë aktive pesë vatra zjarri njëkohësisht, çka ka vështirësuar ndarjen e forcave në terren. Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport.
Era e fortë dhe dallgët e mëdha kanë përfshirë mesditën e kësaj të diele plazhet e Vlorës, duke detyruar qindra pushues që kishin zgjedhur bregdetin e qytetit të largohen nga uji për të shmangur rrezikun.
Për shkak të përkeqësimit të kushteve në det, rojet e stacioneve të plazheve kanë ngritur flamurin e kuq, duke ndaluar hyrjen e pushuesve në ujë.
Ata u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe turistëve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e rojeve bregdetare, pasi dallgët e fuqishme dhe rrymat detare paraqesin rrezik serioz për jetën.
Autoritetet apelojnë që të shmangen noti dhe aktivitetet në det deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
Pas fillimit të largimit të pushuesve, janë krijuar radhë kilometrike automjetesh nga Zvërneci në drejtim të qytetit të Vlorës./Euroneews Albania
Një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë, të regjistruar rreth orës 06:10 të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Dukat–Orikum, në zonën e Fushë-Dukatit.
Sipas të dhënave paraprake, një furgon që transportonte punëtorë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor. Dyshohet se punëtorët ishin nisur nga Tirana drejt bregdetit.
Sicc raporton korrespondenti i Top Channel në Vlorë, Mikel Marsi, shkak i aksidentit mund të ketë qenë përgjumja e drejtuesit të mjetit ose një arrest kardiak. Rrethanat e plota pritet të sqarohen nga hetimet.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën Ilir Haka, 52 vjeç. Të plagosur kanë mbetur Saimir Haka, 22 vjeç, Qazim Haka, 44 vjeç, Sako Rexha, rreth 22 vjeç, si dhe një tjetër person, ende i paidentifikuar.
Për shkak të deformimit të mjetit, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët prenë pjesë të sediljeve për të nxjerrë të plagosurit, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes llamarinave dhe hekurave të furgonit, që kishte përfunduar pjesërisht i përmbysur në kanal.
Të plagosurit u transportuan me autoambulanca drejt Spitalit Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa trupi i viktimës u dërgua në morgun e spitalit.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. /TCH/
Një zjarr është regjistruar mesditën e kësaj të diele në zonën e Ujit të Ftohtë, mbi tunelin e Vlorës.
Flakët përfshinë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të ulët, ndërsa, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era, u përhapën me shpejtësi duke iu afruar zonës së banuar.
Për disa momente pati rrezik që zjarri të përfshinte edhe banesat pranë.
Në vendngjarje mbërritën forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat ndërhynë menjëherë për izolimin e vatrës së zjarrit dhe mbrojtjen e banesave, shkruan A2CNN.
Operacioni për shuarjen e plotë të flakëve vijon, ndërsa autoritetet po punojnë për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm.
Pamje shqetësuese vijnë nga zona e Llamanit në Himarë, ku një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat me shkurre dhe bimësi, ndërsa flakët vijojnë të jenë aktive pranë vijës bregdetare.
Në videot e postuara në rrjete sociale, shihen pushues që vazhdojnë të lahen në det, ndërsa vetëm pak metra larg tyre ngrihen flakë dhe re të dendura tymi që kanë mbuluar zonën.
Ndërkohë, zjarrfikësit vijojnë betejën për të izoluar dhe shuar vatrën e zjarrit. Në terren ndodhen mbi 17 efektivë të shërbimit zjarrfikës, forca të Policisë së Himarës dhe strukturat e Emergjencave Civile, të cilat po punojnë pa ndërprerje për të vënë situatën nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e Edmond Sulës, 50 vjeç i cili u vra të dielën pak pas mesnatën në fshatin Bërxullë të Vorës. Burime nga grupi hetimore bëjnë të ditur se ka dyshime se autorët kanë qenë vrasës me pagesë.
Sipas asaj që është parë edhe në pamjet filmike të kamerave të sigurisë autori e ka pritur 50- vjeçarin pranë banesës së tij deri në momentin që ka zbritur nga automjeti i tij dhe është drejtuar për të hyrë në banesën e tij.
Më pas e ka qëlluar me një plumb në kokë duke i marr jetën.
Autori është larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes deri në momentin që është marr nga një makinë që dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorët e tij.
Pavarësisht se në deklarimet para uniformave blu familjarët e viktimës janë shprehur që nuk kanë informacion për ndonjë konflikt që mund të ketë pasur, grupi hetimorë dyshon se ngjarja të këtë ndodhur për një konflikt pronësie pasi Edmond Sula merrej me shit-blerje pronash.
Ai nuk ishte i panjohur për policinë pasi në të kaluarën ishte proceduar për disa vepra penale si rrahje, grabitje dhe konflikte të tjera. 50-vjeçari njihej si person me influencë nga komuniteti ku jetonte pasi qëndronte gjithmonë në të njëjtën kafe ku bënte edhe takime që lidheshim më shitblerjen e pronave.
Madje ai kishte në emrin e tij të regjistruar edhe një kompani për shitblerje dhe dhënie me qira makinash.
Deri tani nuk ka persona të ndaluar, ndërsa autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve./RTSH
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “WEST”, në kuadër të goditjes së shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke arrestuar në flagrancë 5 persona, mes tyre edhe dy shtetas italianë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e shërbimeve operacionale, pas sigurimit të informacioneve operative për disa persona që dyshohej se transportonin dhe shpërndanin drogë në qytetin e Vlorës.
Në pranga ranë shtetasit N. K., 20 vjeç, R. H., 20 vjeç, M. M., 23 vjeç, të tre banues në Lezhë, si dhe shtetasit italianë C. L., 42 vjeç, banues në Romë, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo.
Sipas Policisë, pesë personat u ndaluan në zonën e Zvërnecit. Gjatë kontrollit fizik, kontrollit të automjetit që përdornin dhe të banesës ku qëndronin në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, përfshirë “Tusi”, “Ketaminë”, “MDMA”, kokainë, ekstazi dhe kanabis.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash, e dyshuar se ishte përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe 8 aparate celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se personat e arrestuar shpërndanin lëndët narkotike në ambiente të ndryshme, përfshirë plazhe dhe lokale të zonës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /Euronews/
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pas mesnate në Vorë, ku një 50-vjeçar ka mbetur i vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas informacionit paraprak, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10, në fshatin Bërxullë. Viktima, shtetasi me inicialet Edmond Sula alias Ali Sula, rreth 50 vjeç, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në derën e banesës së tij.
Në vendngjarje ka mbërritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e krimit, si dhe për sigurimin e provave që do të ndihmojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po zhvillojnë kontrolle intensive në zonë, në kuadër të operacionit për lokalizimin dhe arrestimin e autorëve./tch/
Dy drejtues mjetesh lundruese janë ndëshkuar me gjoba të larta nga Policia Kufitare, pasi u konstatuan duke lundruar në afërsi të zonave të frekuentuara nga pushuesit, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Aksionet janë zhvilluar nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në kuadër të kontrolleve për garantimin e sigurisë përgjatë vijës bregdetare.
Rasti i parë është evidentuar në plazhin e Semanit, ku drejtuesi i një mjeti lundrues tip “Jet Ski”, i identifikuar me inicialet E. D., është konstatuar duke lundruar pranë bregut, në zonën ku ndodheshin pushuesit.
Për këtë shkelje, ai është ndëshkuar me masë administrative në vlerë prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues është bllokuar administrativisht.
Ndërkohë, gjatë patrullimeve në zonën e njohur si “Plazhi i Hidrovorit”, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar një gomone që lëvizte në mënyrë të kundërligjshme pranë pushuesve.
Gjatë verifikimeve është zbuluar se drejtuesi i saj, shtetasi J. H., nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm për mjetin lundrues.
Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij është vendosur masë administrative prej 510 mijë lekësh të rinj, ndërsa edhe gomonia është bllokuar administrativisht.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese dhe operatorëve që ushtrojnë veprimtari në det të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, me qëllim shmangien e rrezikut për pushuesit.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror dhe se ndaj çdo shkelësi do të merren masa të menjëhershme, në funksion të garantimit të jetës dhe sigurisë së qytetarëve në plazhe.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e “Ujit të Ftohtë”, pasi një grua e moshuar ka rënë nga autobusi urban dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës në gjendje të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur përgjatë Lungomares, teksa po zbriste nga autobusi i linjës, ku një zonjë e moshuar ra nga shkallët e urbanit.
Siç raporton Top Channel, zonja u përplas përtokë në betonin e shëtitores, duke pësuar lëndime.
Sipas informacioneve, ajo ka pësuar lëndime në pjesën e fytyrës, kokës dhe gjymtyrëve. Qytetarët kanë lajmëruar menjëherë policinë dhe ambulancën. E moshuara, për shkak të plagëve të marra, është transportuar drejt Spitalit të Vlorës. /Tch/
Një vajzë e re është gjetur e mbytur këtë të premte në plazhin e Vlorës.
A. Gjilaj, 29 vjeçe, ka humbur jetën në det, teksa ndodhej në zonë për pushime me familjen.
Ngjarja ka ndodhur në plazhin Porto Novos, i njohur ndryshe si një nga plazhet e rrezikshme për shkak të rrymave. E reja ka qenë duke pushuar në këtë zonë, ku ndodhet edhe një tabelë që paralajmëron rrezikun nga rrymat detare.
Trupi është transportuar me gomone, pasi rruga për automjete është e vështirë dhe e ngadaltë për shkak të terrenit me gropa.
Sipas informacioneve, ka qenë e pamundur për ta shpëtuar, pasi ajo ka qenë pa shenja jete.
Një ngjarje e rëndë është raportuar në fshatin Xhyherinë, Vlorë, ku një 23-vjeçare, Ola Metani, dyshohet se ka konsumuar fotoksinë dhe ka humbur jetën.
Dyshohet se ajo jetonte me të fejuarin e saj.
Në lidhje me vdekjen e saj ka reaguar edhe xhaxhai i saj i cili tha:
“O Ola e xhaxhit. Menduam që mjaft i kemi pasur lotët, por ikja jote na hidhëroi shpirtin. Ishte një lule e bukur dhe e tillë do të mbetesh gjithë jetën, o yll i bukur, që na loton zemrën dhe shpirtin. Lamtumirë, o yll i xhaxhit”, shkruan xhaxhai në Facebook.
Deri tani lidhur me ngjarjen policia nuk ka reaguar dhe nuk ka dhënë asnjë detaj.
Ndërkohë një mikeshë e saj shkruan se shkak mund të ketë qenë i fejuari.
Në një fshat të Vlorës ka vdekur një 23 vjeçare. Mendohet se shkak ka qenë i fejuari”, shkruan shoqja e të ndjerës në rrjetin social facebook.
Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në një ambient lokali në qytetin e Vlorës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 në lagjen “Pavarësia”, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme materiale në ambientet e lokalit. Nga shpërthimi është dëmtuar edhe një automjet që ndodhej i parkuar pranë lokalit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, shkruan Abcnews.al.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve të vendosjes së lëndës plasëse. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mesditën e kësaj të hëne fshatin Llakatund të Vlorës. Siç shihet edhe nga pamjet, flakët kanë marrë përmasa të konsiderueshme dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke u përhapur me shpejtësi.
Problematike paraqitet edhe era, e cila po favorizon përhapjen edhe më të shpejtë të zjarrit. Ndërkohë, nuk raportohet ende për mbërritjen e zjarrfikëses në vendngjarje. /Euronews.al/
Një incident i rrezikshëm është regjistruar në bregdet, ku një parashutist është rrëzuar në det gjatë tentativës për ulje, duke rrezikuar të mbytej.
Dy pushues, që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, janë hedhur menjëherë në ujë dhe kanë notuar drejt tij, duke arritur ta nxjerrin në breg dhe t’i shpëtojnë jetën.
Pas dhënies së ndihmës së parë, i dëmtuari është transportuar me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore. /Tch/
Është përfshirë nga flakët një apartament në katin e 8-të të një pallati në lagjen Pavarësia, në Vlorë.
A2 CNN raporton se incidenti ndodhi rreth orës 01:00 të mëngjesit sotëm pranë ish-Kombinatit.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për disa orë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në apartamentet përreth. Operacioni ka qenë i vështirë për shkak të lartësisë.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale në banesë kanë qenë të konsiderueshme.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa pritet që ekspertët të kryejnë verifikimet përkatëse për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.
Një apartament në katin e 8-të të një pallati në lagjen Pavarësia, pranë ish-Kombinatit, është përfshirë nga flakët rreth orës 01:00 të mëngjesit sotëm në Vlorë.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë punuar për disa orë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në apartamentet përreth.
Operacioni ka qenë i vështirë për shkak të lartësisë së katit ku ra zjarri, shkruan Tch.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale në banesë kanë qenë të konsiderueshme.
Në kuadër të operacionit të koduar “Grupi”, Policia e Vlorës arrestoi Turi Algjonin. Kujtojmë që Aligjoni dyshohet se dy ditë më parë ka plagosur një të ri me pistoletë në zonën e Çoles, pjesë e lagjes 24 Maji në Vlorë. Personi që u qëllua ishte duke dalë nga një lokal pranë rrethrrotullimit të lagjes 24 maj.
Sipas njoftimi thuhet se është arrestuar edhe i dyshuari për plagosjen që ndodhi dy ditë më parë në Vlorë, po ashtu arrestohen edhe 6 shtetas, nga të cilët 2 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se janë sekuestruar 4 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 3 automjete, njëri prej tyre i blinduar, celularë dhe një shumë parash.
“Në vijim të veprimeve intensive për goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se disa shtetas lëviznin të armatosur dhe me mjete të blinduara dhe ndër ta ishte dhe autori i plagosjes së rëndë me dashje, të ndodhur më datë 07.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar ‘Grupi’ “.
Po ashtu bëhet e ditur se “Si rezultat, në një lokal në fshatin Vranisht, gjatë operacionit u godit një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore që vepronte në qytetet e Vlorës dhe Fierit. Gjithashtu, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Sh.(A.), 52 vjeç, N. D.(Q.), 50 vjeç, M. B., 35 vjeç dhe A. D. alias A. Th. alias I. D., 51 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Italia, pasi Gjykata e Apelit Lecce, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’ dhe ‘Pjesëmarrja në organizatë kriminale’, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Siç thuhet në njoftim gjatë operacionit po në këtë lokal, në të njëjtën tavolinë, u kapën dhe shtetasit T. A., 55 vjeç (i dyshuar autor i plagosjes së ndodhur më datë 07.06.2026) dhe D. Ç., 48 vjeç, të shpallur në kërkim kombëtar, të dyshuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
“Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete (2 prej tyre, me targa të huaja dhe njëri prej tyre, i blinduar). Nga hetimet rezultoi se njëri nga automjetet e sekuestruara, tip “BMË X5”, ishte përdorur nga shtetasi T. A., për t'u larguar nga vendi i ngjarjes, pas plagosjes me armë zjarri, të shtetasit F. L., 26 vjeç, ngjarje e ndodhur më datë 07.06.2026, në Vlorë”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/
Detaje të reja janë zbardhur lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur këtë të martë në Vlorë, ku janë përfshirë tre automjete.
Sipas informacioneve paraprake, në aksident janë përfshirë një automjet tip “Benz” me targa AB 248 EB, një automjet tip “BMW” me targa AB 291 EF dhe një automjet tip “Seat” me targa AB 679 NY.
Pas përplasjes së fortë, mjetet janë përfshirë nga flakët. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip “BMW”.
Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i automjetit tip “Benz”, si dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të.
Nga hetimet e para dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një manovër e gabuar dhe lëvizja me shpejtësi e njërit prej automjeteve të përfshira në ngjarje. (A2 Televizion)