Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajlovski, ka njoftuar se 42 automjete luftarake Stryker do të mbërrijnë në vend këtë vit, si pjesë e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, 17 automjete janë tashmë në portin e Greqisë, ndërsa një marrëveshje teknike për instalimin e pajisjeve mbetet për t’u miratuar.
Misajlovski theksoi se nuk ka asnjë ndryshim në marrëveshjen e përgjithshme, dhe të gjitha automjetet do të kalojnë nëpër trajnime për Ministrinë e Mbrojtjes.
Policia ka arrestuar një 21-vjeçar, H.B., pas një incidenti ku ai ka gjuajtur me armë zjarri nga automjeti i tij në fshatin Gjonaj.
Ngjarja ka ndodhur më 29 janar, rreth orës 12:15, kur automjeti i dyshuar është identifikuar dhe i është dhënë urdhri për t’u ndalur.
I dyshuari ka ikur, duke u ndjekur nga policia, dhe më pas është kapur dhe ndaluar. Gjatë kontrollit, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me pesë fishekë.
Hetimet vazhdojnë për veprat penale të “Mbajtjes së armëve pa autorizim” dhe “Përdorimit të armës”. I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Burim Shala, i dyshuar për keqpërdorime në kuadër të Eko Regjionit, është arrestuar sot pas disa ditësh qëndrimi në arrati.
Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e hetimit, ai u kap pas bastisjeve të kryera nga Krimet Ekonomike në Prizren, të cilat përfshinë kontrollin e zyrave dhe banesës së tij.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë i pandehuri B.Sh. I pandehuri B.Sh., dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Shala është arrestuar në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të prokurimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për të lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj tij.
Në një postim në Facebook, Meta ka theksuar se nuk është më i befasuar nga atë që e quan “drejtësi me regji”.
“U provuan qartë dhe me fakte gënjeshtrat e prokurorëve për të manipuluar gjykatën dhe për të zgjatur në mënyrë të paligjshme paraburgimin tim”, ka shkruar Meta.
Ai gjithashtu ka shpjeguar se gjykata u shmang nga gjykimi i ankesës së avokatëve të tij për vazhdimin e paraburgimit.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar pas intervistës së tij të zhvilluar sot me Prokurorinë Speciale lidhur me dyshimet për keqpërdorime në dhënien e granteve.
Në një postim në Facebook, Peci ka sqaruar se ka dhënë përgjigje të plota dhe ka qenë transparent gjatë intervistës.
“Permes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja, përmes ish-deputetit të saj Paris Guri”, ka shkruar Peci.
Ai ka theksuar se ka qenë i qartë lidhur me rolin e tij si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Peci gjithashtu ka bërë të ditur se shumë shpejt do të ngrejë kallëzim penal kundër Paris Guri për kallëzim të rrejshëm penal, duke shtuar se Guri ka orkestruar një fushatë shpifjesh për të sulmuar dhe diskredituar emrin e tij.
“Sulmet, akuzat e pabaza, gënjeshtrat dhe shpifjet nuk do të më ndalin nga punët e mira për Kosovën”, ka përfunduar Peci në postimin e tij.
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Rastavic, në rrugën Deçan-Gjakovë, ku një kamion është përplasur me një veturë, e cila ka dalë jashtë rrugës.
Lexuesit e Gazetës Sinjali kanë dërguar video të ngjarjes, ndërkohë që redaksia ka kontaktuar me Policinë për të marrë më shumë detaje, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë përgjigje.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në dhënien e granteve.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, për Gazetën Sinjali konfirmoi se Peci është intervistuar si i pandehur në këtë rast, që po trajtohet nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.
“Ju njoftojmë se z. Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të pandehurit në rastin e granteve,i cili është në trajtim nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës për të nisur hetimet në lidhje me rinumërimin e votave për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit 2025, pas dyshimeve për mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet në komunën e Obiliqit.
Hetimet do të shqyrtojnë saktësinë e rezultateve dhe mundësinë e shkeljeve nga personat përgjegjës.
“Prokuroria mbetet e angazhuar për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe ligjit”, thuhet në njoftim.
Humbja e Real Madridit në Lisbonë ndaj Benficës me rezultatin 4-2 vazhdon të shkaktojë reagime të forta brenda klubit.
Disfata e së mërkurës së kaluar i privoi madrilenët nga një vend në tetëshen më të mirë të Ligës së Kampionëve, duke i detyruar të kalojnë nëpër fazën “playoff”, një skenar i konsideruar dështim për ambiciet e klubit.
Pas disa paraqitjeve pozitive, ky rezultat u përjetua si një hap i madh pas.
Situata ka sjellë edhe një ndryshim të menjëhershëm në atmosferën rreth ekipit dhe trajnerit Alvaro Arbeloa.
Lavdërimet e fundit për teknikun janë kthyer në kritika, ndërsa vëmendja është përqendruar te problemet mbrojtëse dhe mungesa e përkushtimit të disa lojtarëve në fushë.
Sipas raportimeve të COPE, brenda dhomës së zhveshjes kanë nisur të shfaqen shenja pakënaqësie nga disa futbollistë të rinj.
Franco Mastantuono dhe Arda Guler thuhet se janë të zhgënjyer me vendimet e Arbeloas, pasi janë zëvendësuar herët në ndeshje të rëndësishme dhe ndihen të penalizuar për shkak të mungesës së statusit të tyre në ekip.
Në veçanti, Arda Guler e shfaqi hapur zemërimin e tij gjatë zëvendësimit në ndeshjen ndaj Benficës, duke e konsideruar trajtimin e trajnerit si të padrejtë.
Ndërkohë, gazeta ABC raporton se edhe Aurelien Tchouameni ndodhet në një situatë të ngjashme, duke shtuar se Arbeloa është më i kujdesshëm në vendimet ndaj yjeve si Vinicius Junior dhe Jude Bellingham, sesa ndaj lojtarëve që ende nuk janë të padiskutueshëm në formacion.
Trajneri spanjoll do të duhet të gjejë ekuilibrin mes rezultateve, autoritetit dhe motivimit të lojtarëve të rinj, në mënyrë që tensionet e brendshme të mos ndikojnë negativisht në objektivat e sezonit. /Telegrafi/
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë i pandehuri B.Sh.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se i pandehuri B.Sh., dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së” dhe "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve".
"B.Sh., është arrestuar në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të prokurimit", thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Hibrid.info ka organizuar sot një tryezë diskutimi me temë “Roli i inteligjencës artificiale në fushën e integritetit të informacionit”. Përfaqësues të institucioneve publike, mediave, akademisë e shoqërisë civile diskutuan për ndikimin në rritje të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA) në ekosistemin e informimit publik në Kosovë, sfidat për median dhe boshllëqet ekzistuese rregullative.
Në diskutimin që u mbajt në “Europe House” u trajtua problematika e zbehjes së kufirit mes përmbajtjes së verifikuar dhe asaj sintetike, rritja e dezinformimit dhe ndikimi i këtyre zhvillimeve në besimin publik ndaj medias.
Gjatë diskutimit u theksua se përhapja e përmbajtjeve të gjeneruara me IA – përfshirë tekste, imazhe, video dhe audio – po e përshkallëzon një problem tashmë ekzistues në mjedisin mediatik, veçanërisht në kushte të mungesës së transparencës, standardeve editoriale dhe mekanizmave të qartë të llogaridhënies.
Panelistët vlerësuan se problemi nuk qëndron te teknologjia në vetvete, por te mungesa e rregullimit dhe përgjegjësisë në përdorimin e saj.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe krahasimit me zhvillimet në Bashkimin Evropian (BE), ku përmes akteve si EU AI Act dhe Digital Services Act (DSA) janë vendosur detyrime konkrete për transparencë dhe mbikëqyrje të përmbajtjeve të gjeneruara me IA. Në kontrast, u theksua se Kosova aktualisht nuk ka një kornizë specifike ligjore për IA në media, as detyrim për etiketimin e këtyre përmbajtjeve dhe as autoritet të dedikuar mbikëqyrës.
Panelistët diskutuan rolin dhe përgjegjësitë e aktorëve të ndryshëm në këtë situatë, duke nënvizuar se, në mungesë të rregullimit ligjor, barra kryesore bie mbi vetë redaksitë, organet e vetërregullimit, institucionet arsimore dhe organizatat e shoqërisë civile. U theksua nevoja për veprim të koordinuar dhe për ndërtimin e standardeve profesionale që mund t’i paraprijnë rregullimit formal.
Ardita Zejnullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) tha se korniza aktuale ligjore për media është e vjetruar dhe nuk i përgjigjet zhvillimeve teknologjike. Ajo vlerësoi se Kosova është prapa në rregullimin e IA dhe se nevojitet mobilizim i aktorëve të fushës për ndërtimin e një qasjeje ligjore dhe vetërregulluese.
Nevojën për bashkëpunim më të madh ndërinstitucional dhe për vendosjen e standardeve që mbrojnë interesin publik e ka vënë në pah edhe Niman Racaj nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM). Ai vlerësoi se IA kërkon qasje të re dhe gjithëpërfshirëse.
Roli njerëzor në gazetari duhet të ruhet, tha Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i cili theksoi shqetësimet e gazetarëve lidhur me përdorimin e IA. Ai vuri theksin edhe te përdorimi i përgjegjshëm dhe etiketimi i përmbajtjeve ku përdoret kjo intelegjencë.
Muhamet Hajrullahu nga Telegrafi dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) tha se aktorët që dezinformojnë me IA janë shpesh përpara mediave tradicionale. Ai nënvizoi përgjegjësinë e mediave ndaj publikut dhe nevojën për avancim të standardeve profesionale.
Të rëndësisë së madhe i vlerësoi përditësimin e kurrikulave dhe edukimit mediat, Alban Zeneli nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës (UP). Ai vlerësoi se IA duhet të përfshihet në kornizat ekzistuese rregullative me parime të qarta etike dhe transparencë.
Mërgim Hoti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP theksoi se IA nuk është rrezik në vetvete, por teknologji që përshpejton proceset ekzistuese.
Se ndërtimi i rregullativës duhet të bazohet në standardet evropiane dhe në gjithëpërfshirjen e aktorëve relevantë, e tha edhe Pajtim Gashi nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).
Ndërkaq, Hyrije Mehmeti nga Hibrid.info prezantoi gjetje nga raporti i fundit i publikuar “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it”, me fokus në tema që lidhen me Kosovën dhe rajonin. Ajo theksoi rrezikun e trajtimit të IA si burim primar informacioni.
Nga diskutimi dolën disa rekomandime kryesore, përfshirë nxitjen e etiketimit vullnetar të përmbajtjeve të gjeneruara me IA në media, përditësimin e kodeve editoriale dhe etike, trajnime për gazetarë dhe redaktorë, si dhe ndërtimin e një modeli kombëtar të vetërregullimit për IA në media dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Po ashtu, u theksua rëndësia e harmonizimit gradual të Kosovës me standardet evropiane në këtë fushë.
Hibrid.info e sheh këtë tryezë si një nisje – ende jo të formalizuar – për të menduar së bashku për një qasje vetërregulluese dhe bashkëpunuese. Një proces ku aktorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në ndërtimin e standardeve etike, dokumenteve orientuese, modeleve të transparencës dhe praktikave profesionale për përdorimin e AI në media.
Si përfundim, IA nuk është kërcënim për median. Mungesa e rregullimit, transparencës dhe koordinimit është rreziku real. /Hibrid.info/
Edhe këtë javë, Telegrafi Jobs vjen me një përzgjedhje të gjerë konkursesh të reja për të gjithë ata që janë në kërkim të hapit të radhës në karrierë.
Në platformë janë publikuar pozita të reja që mbulojnë fusha të ndryshme profesionale, duke iu përshtatur profileve të ndryshme të kandidatëve.
Konkurset e kësaj jave përfshijnë pozita në administratë, teknologji informative, marketing dhe komunikim, financa, shitje, shërbime ndaj klientit, si dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm të tregut të punës. Mundësitë janë të hapura si për profesionistë me përvojë, ashtu edhe për të rinj që synojnë të nisin apo zhvillojnë karrierën e tyre.
Telegrafi Jobs vazhdon të mbetet një platformë e besueshme dhe funksionale, duke ofruar një përvojë të thjeshtë për punëkërkuesit - kërkim të lehtë, aplikim të shpejtë dhe akses nga çdo pajisje. Çdo konkurs është i strukturuar qartë, me informacione të detajuara për pozitën, kriteret dhe afatet e aplikimit.
Në anën tjetër, për punëdhënësit, Telegrafi Jobs ofron shtrirje të gjerë dhe prezencë të fuqishme në ekosistemin digjital të Telegrafit, duke e bërë publikimin e konkurseve më efektiv dhe më të targetuar drejt kandidatëve të duhur.
Nëse jeni në kërkim të një mundësie të re profesionale apo dëshironi të informoheni për zhvillimet më të fundit në tregun e punës, vizitoni jobs.telegrafi.com dhe aplikoni në konkurset aktuale - sepse hapi i radhës në karrierën tuaj mund të nisë pikërisht këtë javë.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se është i gatshëm që të bëjë marrëveshje me opozitën që qeveria teknike të mbetet edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që mbahen ato, por me kusht që pas tyre e njëjta të shfuqizohet.
“Tani nuk mund të fitoj në vend të tyre! Ja në zgjedhjet e ardhshme sërish le të ketë qeveri teknike. Nëse kemi zgjedhje të rregullta në vitin 2028, unë do të jap dorëheqje në janar të vitit 2028, nuk është problem, vetëm le të merremi vesh që në zgjedhjet e ardhshme mos të ketë qeveri teknike.
Ata le të urdhërojnë, le të organizohen dhe le të fitojnë, dhe më pas, në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë. Tani çfarë më tepër të bëjmë për opozitën, më shpjegoni. Vërtet nuk e di çfarë të bëj më tepër. Tani nuk mund të fitoj në vend të tyre! Kjo është…”, tha Mickoski.
Dje kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi tha se qeveria teknike mund të shfuqizohet edhe me 61 vota të deputetëve, mirëpo është mirë që kjo të bëhet me konsensus.
Dje poashtu reagoi edhe kryetari LSDM-së, Venko Filipçe i cili kërkoi konsensus lidhur me shfuqizimin e qeverisë teknike. "Shoqëria përsëri nuk është e pjekur për shfuqizimin e Qeverisë Teknike. Nëse u miratua me konsensus, le të shfuqizohet me konsensus", tha Filipçe.
Shfuqizimi i qeverisë teknike është diskutuar edhe në takimin e liderëve, mirëpo nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete./Telegrafi/
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë të ditur se ka filluar qarkullimi i mauneve dhe mjeteve transportuese në kufirin me Serbinë, i cili ishte i bllokuar që nga data 26.01.2026.
Edhe Shoqata e Transportuesve të Malit të Zi një ditë më parë tha se ka vendosur t’i japë fund bllokimit të pikave kufitare për mallra me Bashkimin Evropian, e cila ka prekur edhe bizneset në Kosovë.
Ndryshe, ditë më parë shoferët kanë bllokuar terminalet për mallra për shkak të ashpërsimit të procedurave për të hyrë në Zonën Schengen.
Ata kishin thënë se procedurat tani janë më të komplikuara dhe mund t’ua shkurtojnë kohën e qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian.
Ata kërkonin që qëndrimi i tyre në Bashkimin Evropian të rritet në katër muaj, në krahasim me tre që është tani, brenda gjashtë muajve. /Telegrafi/
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka inauguruar Premium Business Club gjatë një ceremonie të mbajtur në Rezidencën e Ambasadorit Gjerman në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Në këtë ngjarje morën pjesë kompanitë anëtare Premium të OEGJK-së, Bordi i Odës, si dhe ekipi i saj, duke reflektuar besimin, partneritetin dhe angazhimin afatgjatë që karakterizon këtë komunitet biznesor.
Sipas OEGJK-së, Premium Business Club është një platformë e dedikuar për kompanitë Premium, e fokusuar në rrjetëzim të targetuar, bashkëpunime konkrete dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim me tregun gjerman.
Ceremonia inauguruese shënoi zyrtarisht fillimin e funksionimit të Premium Business Club dhe vendosi themelet për ndërtimin e një komuniteti biznesor më të fortë, më të lidhur dhe me ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik. /Telegrafi/
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, tha se pret që administrata e presidentit amerikan, Donald Trump të “respektojë sovranitetin e Kanadasë” pasi raportohet se separatistë nga Alberta kanë zhvilluar takime me zyrtarë amerikanë.
Carney u shpreh në një konferencë shtypi në Ottawa se lideri amerikan nuk ka ngritur ndonjëherë çështjen e pavarësisë së Albertës direkt me të dhe se ai gjithmonë nënvizon rëndësinë e sovranitetit kanadez në bisedat e tyre.
Këto komente erdhën pas raportimeve se zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit janë takuar disa herë me Alberta Prosperity Project (APP), grup që kërkon një referendum për pavarësi të provincës së pasur me naftë Alberta, shkruan cnn.
David Eby, kryeministër i provincës së British Columbia, e quajti këtë veprim “tradhti”, duke thënë se është e papërshtatshme që një grup të kërkojë ndihmë nga një fuqi e huaj për të ndarë Kanadanë, ndërsa vendi duhet të qëndrojë i bashkuar.
Nga ana tjetër, Danielle Smith, kryeministre e Albertës, tha se ajo punon që provinca të mbetet pjesë e Kanadasë, por një pjesë e qytetarëve të provincës ndjehen të zhgënjyer nga politika federale dhe duan më shumë kontroll për vendimet ekonomike dhe energjetike.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se takimet me separatistët ishin takime rutinë me “grupe të shoqërisë civile” dhe nuk është premtuar ndihmë, as mbështetje financiare nga administrata amerikane. /Telegrafi/
Çmimet e arit dhe argjendit kanë shënuar sot një rënie të fortë, duke nxitur një valë shitjesh në tregjet globale dhe duke goditur aksionet e kompanive minerare si edhe fondet e lidhura me metalet e çmuara.
Në orët e para të tregtimit në SHBA, çmimi i argjendit u ul me rreth 15 për qind, duke zbritur në afërsisht 98.66 dollarë për ons dhe duke rënë sërish nën kufirin psikologjik prej 100 dollarësh.
Ndërkohë, ari humbi rreth 7 për qind të vlerës, duke u tregtuar në nivelin 5,009.46 dollarë për ons.
Rënia u reflektua edhe në tregun e kontratave të së ardhmes.
Kontratat e arit me maturimin më të afërt në New York ranë me 5.5 për qind, ndërsa kontratat 'futures' të argjendit me dorëzim në muajin shkurt pësuan një ulje prej 11 për qind.
Presioni i shitjeve u shtri edhe në metalet e tjera të çmuara - Platini në tregu ra me mbi 14 për qind, ndërsa Paladiumi humbi gati 12 për qind të vlerës.
Këto zhvillime patën ndikim të ndjeshëm edhe në bursat botërore, shkruan CNBC.
Në Evropë, indeksi rajonal Stoxx 600 Basic Resources, që ndjek performancën e kompanive minerare më të mëdha në kontinent, ishte në rënie me 3.2 për qind gjatë tregtimit të mëngjesit.
Goditja u reflektua edhe te aksionet individuale.
Fresnillo, prodhuesi më i madh i argjendit në botë i listuar në Bursën e Londrës, regjistroi një rënie prej 7 për qind.
Ndërkohë, në tregtimin para hapjes në Wall Street, aksionet e Endeavour Silver ranë me 14.7 për qind, ndërsa First Majestic Silver me 14.4 për qind.
Rënie të ndjeshme pësuan edhe fondet e tregtuara në bursë (ETF) të lidhura me argjendin. ProShares Ultra Silver u ul me 25 për qind para hapjes së tregut, ndërsa iShares Silver Trust ETF humbi 12.7 për qind.
Megjithatë, pavarësisht rënies së fundit, ari dhe argjendi kishin arritur nivele rekord gjatë vitit 2025, me rritje vjetore prej 65 për qind për arin dhe 150 për qind për argjendin.
Trendi rritës ka vijuar edhe në vitin 2026: që nga fillimi i vitit, argjendi është rritur me 37 për qind, ndërsa ari me 15.4 për qind. /Telegrafi/
Ekspertët shpjegojnë dallimet mes dy sëmundjeve, rreziqet kryesore dhe pse parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë vendimtarë
Leukemia dhe limfoma janë sëmundje malinje që prekin sistemin e gjakut dhe sistemin imunitar. Të dyja fillojnë nga qelizat e mbrojtjes së organizmit, por dallojnë sipas qelizave nga të cilat burojnë, mënyrës së zhvillimit, disa simptomave karakteristike dhe prognozës së sëmundjes.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO), këto dy sëmundje përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kancereve hematologjike dhe kërkojnë vëmendje të veçantë për shkak të ecurisë së tyre potencialisht agresive.
Leukemia zhvillohet në palcën e eshtrave, indin përgjegjës për prodhimin e qelizave të gjakut. Në këtë proces ndodh një rritje jonormale e qelizave të bardha të gjakut, leukociteve, të cilat janë shpesh të papjekura dhe jo funksionale. Me rritjen e numrit të tyre, shtypen gradualisht linjat e tjera qelizore, përkatësisht eritrocitet dhe trombocitet. Instituti Kombëtar i Kancerit në SHBA (National Cancer Institute - NCI) shpjegon se kjo është arsyeja pse pacientët me leukemi shpesh zhvillojnë anemi, infeksione të shpeshta dhe gjakderdhje të lehta apo të zgjatura.
Ndryshe nga leukemia, limfoma zhvillohet kryesisht në nyjat limfatike, të cilat janë pjesë integrale e sistemit imunitar. Në këtë sëmundje ndodh prodhim i tepërt dhe grumbullim i limfociteve T ose B, çka çon në çrregullimin e funksionimit normal të mbrojtjes imunitare. Sipas klasifikimit të WHO-së, limfomat ndahen në limfoma Hodgkin dhe jo-Hodgkin, me dallime të rëndësishme në ecuri dhe trajtim, por me një mekanizëm të përbashkët të shumimit jonormal të qelizave imunitare, transmeton Telegrafi.
shutterstock
Faktorët e rrezikut, nuk janë të njëjtë për leukeminë dhe limfomën, edhe pse në disa raste mbivendosen. Për leukeminë, shkruan Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), faktorë të rëndësishëm rreziku janë ekspozimi ndaj rrezatimit jonizues dhe ndaj benzenit, një substancë kimike industriale e njohur për efektin e saj kancerogjen. Po ashtu, trajtimet e mëparshme me kimioterapi ose radioterapi për kancere të tjera mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e leukemisë sekondare. NCI raporton gjithashtu se disa infeksione virale, si virusi Epstein–Barr, si dhe sindroma gjenetike të lindura, përfshirë sindromën Down dhe aneminë Fanconi, lidhen me një rrezik më të lartë për këtë sëmundje.
Në rastin e limfomës, faktorët e rrezikut varen nga tipi i saj, por sipas të dhënave të publikuara nga WHO dhe NCI, ekspozimi afatgjatë ndaj pesticideve dhe herbicideve, infeksionet kronike virale si Epstein–Barr dhe citomegalovirusi, si dhe disa infeksione bakteriale, veçanërisht Helicobacter pylori , luajnë rol të rëndësishëm.
Përveç kësaj, personat me sistem imunitar të dobësuar, si ata që jetojnë me HIV/AIDS ose që përdorin barna imunosupresive pas transplantimeve, janë më të rrezikuar. Edhe sëmundjet autoimune, si artriti reumatoid, sëmundjet inflamatore të zorrëve dhe sindroma Sjögren, përmenden si faktorë që rrisin probabilitetin e zhvillimit të limfomës.
Megjithatë, theksojnë ekspertët e WHO-së, prania e një ose më shumë faktorëve të rrezikut nuk do të thotë se sëmundja do të shfaqet patjetër. Zhvillimi i leukemisë apo limfomës është rezultat i ndërveprimit të shumë faktorëve, gjenetikë, mjedisorë dhe individualë, si dhe i mënyrës se si sistemi imunitar i secilit person reagon ndaj këtyre ndikimeve.
Lajmi inkurajues është se disa nga faktorët e rrezikut janë të shmangshëm. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), reduktimi i ekspozimit ndaj kimikateve toksike, mbrojtja nga rrezatimi i panevojshëm, trajtimi në kohë i infeksioneve kronike dhe përdorimi i kujdesshëm i barnave që ndikojnë në sistemin imunitar mund të kontribuojnë në uljen e rrezikut.
Kontrolli i rregullt shëndetësor dhe diagnostikimi i hershëm mbeten faktorë kyç për përmirësimin e prognozës dhe rritjen e mbijetesës. /Telegrafi/