Javën e ardhshme do të dalin në treg biletat për ndeshjen e parë të play-off-it të Shqipërisë përballë Polonisë që do të luhet më 26 mars në stadiumin Narodowy të Varshavës.
Një stadium me kapacitet prej 58.000 vendesh që për këtë ndeshje në cdo faqe që shet bileta apo prenoton on-line tregohet me shenjën, intere shumë i lartë.
Pavarësisht reklamimeve të ndryshme, biletat për këtë ndeshje nuk kanë dalë ende në shitje as për pjesën e tifozerisë vendase as për ato të sektorit mik, ku do të jenë tifozët kuqezi. Sipas rregullores për sektorit mik do të jenë në dispozicion vetëm 5% e kapacitetit të stadiumit, apo thënë ndryshe, 2900 bileta ndërkohë që 55100 do të jenë në dispozicion të tifozerisë vendase.
Edhe pse e përcakton rregullorja, në delegacionin e dërguar në Varshavë dje mes takimeve dhe bisedimeve për logjistikën dhe lokacionet ku do të qëndrojë ekipi, do të kërkohet edhe një favor që lidhet me shtimin e përqindjes, rreth 10%, për tifozerinë shqiptare për këtë eveniment që për ne mbetet historik. Sa i përket çmimeve të biletave ende nuk janë zyrtare por në ndeshjet e së shkuarës për të ndjekur Poloninë në një eveniment kualifikues, bileta më e lirë kushtonte 55 euro në pjesën e tribunave anësore, 42 në qoshet e stadiumit dhe fushës, 26 euro pas portave, ndërkohë që tribunat qëndrore dhe ato VIP janë disi më shtrenjtë./et
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka shpërthyer ndaj ndryshimeve në Kodin Penal, teksa tashmë parkimi dysh i automjeteve ka qenë i ndëshkuar me gjobë por tashmë do të kthehet në një vepër penale të dënueshme me burg.
Manjani shkruan se një ndryshim i tillë në Kodin Penal është përtej llogjikës dhe parkimi dysh nuk mund të jetë vepër penale.
“Ore, si do e ndalojë ndjekja penale që merr vite të tëra ndalimin e parkimit dysh?! A jeni në terezi apo jo?! Parkimi i gabuar dhe çlirimi i rrugës janë çështje emergjence. Prandaj është krijuar policia”, thekson Manjani në postimin e tij.
Ndërsa në fund, juristin shton se duhen ndryshime në Kodin Penal, por mos të ngarkohet akoma më shumë me vepra penale të pallogjikshme dhe të paefektshme.
Postimi i plotë i Manjanit:
Parkimi dysh nuk mund të jetë vepër penale!!!
Mos ja q* robt llogjikës!
Ore, si do e ndalojë ndjekja penale që merr vite të tëra ndalimin e parkimit dysh?! A jeni në terezi apo jo?! Parkimi i gabuar dhe çlirimi i rrugës janë çështje emergjence. Prandaj është krijuar policia.
Po për çfarë na duhet policia rrugore, karroatreci, karkaleci e ku e di unë se çfarë ka tjetër?!
Cili është qëllimi në fund të fundit, të dënohen njerëz apo të lirohet trafiku i bllokiar nga parkimi dysh?!
Si e liron trafikun prokurori e gjykatësi mor aman?!
Dmth polici çon shoferin në ndjekje penale dhe makinën e lë prap në parling dysh?!!!
Trafiku rrugor është detyrë administrative e policisë rrugore ore, ejjjjj! Një karroatrec vlen më shumë se çdo ndjekje penale.
Kot fare!
Ua ua ua ua…
E pabesueshme!
E mendova shaka këtë llogjikë, por duan ta bëjnë pjesë të Kodit Penal..!!!
****
Absolutisht është abuzim llogjik ideja e ngatërrimit të juridiksionit penal mbi parkimin në rrugë.
Në vend ta çlirojmë Kodin nga penalizimi i shkeljeve të tjera administrative e ngarkojmë akoma më shumë me vepra penale të pallogjikshme dhe të paefektshme.
Një aksident ka ndodhur në hyrje të Beratit, në vendin e quajtur “Rruga e Re”. Mësohet se dy automjete janë përplasur me njëra tjetrën.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur lehtë çifti i bashkëshortëve. Të plagosurit janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, për të marrë mjekim shëndetësor.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë që po kryejnë edhe këqyrjen e vendit të aksidentit, për të përcaktuar dinamikën dhe shkaqet e tij./mxh
Prindërit e dekurajuar nga ditët e shumta të sëmundjes së fëmijëve të tyre gjatë vitit të parë të shkollës së fëmijëve, do të jenë të lumtur të dinë se fëmijët që ndjekin shkollën e fëmijëve kanë një mikrobiotë shumë më të pasur me lloje bakteriale sesa ata që nuk e ndjekin, falë ndërveprimeve dhe shkëmbimeve të vazhdueshme (të spërkatura me mukus dhe pështymë ) me bashkëmoshatarët e tyre.
Sipas një studimi të Universitetit të Trentos të botuar në revistën Nature , vetëm pas një muaji në çerdhe, një pjesë e konsiderueshme e baktereve të zorrëve të fëmijëve rrjedhin nga ato të shokëve të klasës. Pas katër muajsh, foshnjat ndajnë 15-20% të specieve të baktereve të zorrëve me shokët e klasës , një pjesë më e madhe e mikrobiotës sesa ajo e fituar nga anëtarët e familjes pas lindjes.
Një ndotje shumë e shpejtë
Mendohet se mikrobiota e të porsalindurve fillon të formohet gjatë lindjes , falë kontributit të baktereve të nënës, dhe më pas pasurohet nga lloje bakteriale nga anëtarët e ngushtë të familjes. Për të kuptuar se çfarë ndodh më vonë, me ndërveprimet e para jashtë familjes me bashkëmoshatarët, një grup mikrobiologësh të udhëhequr nga Nicola Segata analizuan mostrat e jashtëqitjes nga 43 foshnje, me një moshë mesatare prej 10 muajsh në fillim të studimit, si dhe ato nga 10 anëtarë të stafit të çerdhes dhe shumë anëtarë të familjes së foshnjave, duke përfshirë nënat, baballarët, vëllezërit e motrat dhe kafshët shtëpiake.
Mbledhja filloi ditën e parë të shkollës së fëmijëve, për të kapur momentin e ndjeshmërisë më të madhe ndaj kontaminimit, duke pasur parasysh se sistemet imunitare të fëmijëve ishin ende të papjekura, dhe vazhdoi çdo javë deri në festat e Krishtlindjeve (por për një grup të vogël fëmijësh deri në korrik).
Udhëtim vajtje-ardhje
Diversiteti i mikrobiotës së fëmijëve u pasurua vetëm pas muajit të parë dhe vazhdoi ta bënte këtë gjatë gjithë vitit shkollor. Mjedisi shtëpiak sigurisht që ndikoi në kontributin e secilit fëmijë në këto “shkëmbime”: ata që kishin vëllezër e motra në përgjithësi merrnin më shumë mikroorganizma prej tyre sesa nga prindërit e tyre dhe kishin një mikrobiotë më të pasur – prandaj, ata kishin tendencë të merrnin më pak lloje bakteriale nga shokët e klasës.
Tek fëmijët me qen dhe mace në shtëpi, janë vërejtur raste të shkëmbimit të mikroorganizmave të zorrëve me kafshët, ndërveprime që nuk u shfaqën tek të rriturit – sikur të kishte kontakte më intime midis fëmijëve të vegjël dhe katërkëmbëshëve.
Një fakt kurioz është se fëmijët në çerdhe ndonjëherë kanë vepruar si ndërmjetës për shkëmbimin e baktereve midis prindërve të tyre përkatës .
Një simbiont i zorrëve njerëzore, bakteri “miqësor” Akkermansia muciniphila , kaloi nga nëna te foshnja e saj, nga foshnja te shoku i folesë dhe nga foshnja te të dy prindërit. Ky udhëtim mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë jo vetëm ndikimet në mikrobiotë, por edhe përhapjen e patogjenëve midis familjes dhe botës së jashtme.
Le të ripopullojmë!
Një efekt pozitiv i këtij ndërveprimi shoqëror u shfaq kur disa prej fëmijëve iu desh të merrnin antibiotikë . Trajtimi uli në mënyrë drastike diversitetin e mikrobiotës së tyre, por kontakti me bashkëmoshatarët e tyre lejoi që mjedisi i zorrëve të ripopullohej me shpejtësi me specie të dobishme.
Sipas studiuesve, ndikimet afatgjata shëndetësore të këtij pasurimi të hershëm janë të paqarta; por fakti që shumica e llojeve bakteriale të fituara ishin ende të pranishme një vit pas ditës së parë të shkollës tek shumica e fëmijëve në studimin pasues sugjeron që këto lloje mund të mbeten të vendosura në moshë madhore . Një kujtesë e atyre ditëve të hershme të kaluara mes miqve./et
Ekspertët zbulojnë si temperatura e ujit, sapuni dhe mënyra e tharjes ndikojnë drejtpërdrejt në lëkurë
Duart e thata pas larjes shfaqen kryesisht sepse nga lëkura largohen vajrat natyrale që e mbrojnë atë. Përdorimi i ujit të vakët dhe i sapunit hidratues e zvogëlon tharjen e lëkurës, ndërsa edhe mënyra se si thahen duart ndikon ndjeshëm në gjendjen e saj.
Larja e rregullt e duarve është një nga masat më efektive për mbrojtje nga infeksione të ndryshme. Megjithatë, ekspozimi i shpeshtë ndaj ujit dhe sapunëve e dëmton barrierën natyrale mbrojtëse të lëkurës, gjë që çon në tharje, çarje dhe ndjesi parehatie.
Dermatologia dr. Melisa Piliang shpjegon pse lëkura e duarve thahet, çfarë ndryshimesh ndodhin gjatë larjes dhe cilat masa ndihmojnë në ruajtjen e butësisë dhe shëndetit të saj.
Pse thahen duart pas larjes
Irritimi dhe tharja e lëkurës së duarve pas larjes janë problem i shpeshtë. Shkaku më i zakonshëm është largimi i vajrave natyrale dhe lagështisë nga sipërfaqja e lëkurës gjatë procesit të larjes, çka dëmton barrierën e saj mbrojtëse, shkruan Cleveland Clinic.
Në tharjen e lëkurës së duarve ndikojnë disa faktorë:
• Sapuni: Shumica e sapunëve për larjen e duarve janë të formuluar për të larguar papastërtitë, bakteret dhe yndyrën. Edhe pse kjo është e domosdoshme për higjienën, njëkohësisht çon në largimin e lipideve natyrale të lëkurës, duke e bërë atë të thatë dhe më pak elastike. Disa produkte përmbajnë përbërës agresivë, si natrium-lauril-sulfati, që e përkeqësojnë më tej tharjen.
• Temperatura e ujit: Larja e duarve me ujë shumë të ngrohtë ose të nxehtë përshpejton humbjen e lagështisë nga lëkura. Temperatura e lartë mund të dëmtojë barrierën lipidike, shtresën mbrojtëse që ndodhet në sipërfaqe të lëkurës dhe ruan lagështinë. Ndryshe nga kjo, uji i vakët ose i ftohtë ka ndikim shumë më të vogël në dëmtimin e saj.
• Larja e shpeshtë e duarve: Larja e shpeshtë, veçanërisht pa hidratim të mëvonshëm, mund të çojë në tharje kronike. Ky problem është veçanërisht i theksuar te punonjësit shëndetësorë dhe te personat që, për shkak të profesionit, duhet të ruajnë vazhdimisht higjienën e duarve.
• Sëmundjet e lëkurës: Personat me sëmundje të lëkurës, si ekzema ose psoriaza, janë më të prirur ndaj tharjes dhe irritimit të lëkurës së duarve. Tek ata, larja e duarve me sapunë të caktuar ose në temperatura më të larta mund të përkeqësojë simptomat, ndaj shpesh rekomandohet përdorimi i mjeteve të buta për larje dhe preparateve hidratuese të formuluara posaçërisht.
A është dezinfektuesi i duarve më pak agresiv për lëkurën?
Shpesh dëgjohet se dezinfektuesit e duarve janë një alternativë më e butë krahasuar me larjen me sapun dhe ujë. Megjithatë, kjo nuk është plotësisht e saktë.
– Edhe pse përdorimi i tyre nuk nënkupton kontakt me ujë të nxehtë ose sapunë, dezinfektuesit e duarve nuk janë zëvendësim i përshtatshëm për larjen klasike. Për më tepër, për shkak të përmbajtjes së lartë të alkoolit, ata mund ta thajnë dhe irritojnë edhe më shumë lëkurën, shpjegon dr. Piliang, shefe e Departamentit të Dermatologjisë në Cleveland Clinic.
Për të zvogëluar efektet negative të dezinfektuesve dhe për të ruajtur funksionin mbrojtës të lëkurës, rekomandohen këto masa:
• Aplikimi i kremit hidratues pasi dezinfektuesi të jetë tharë plotësisht.
• Kufizimi i përdorimit të dezinfektuesve vetëm në situata kur sapuni dhe uji nuk janë të disponueshëm.
• Larja e duarve me sapun dhe ujë kur ato janë dukshëm të ndotura.
Pesë këshilla për parandalimin dhe kujdesin ndaj lëkurës së thatë të duarve për shkak të larjes së shpeshtë
Lëkura e thatë e duarve është një shqetësim i përditshëm, sidomos kur larja e shpeshtë është e domosdoshme. Megjithatë, ekzistojnë mënyra efektive për të zvogëluar irritimin dhe për të lehtësuar tharjen, pa cenuar higjienën.
Pesë rekomandimet e mëposhtme mund të ndihmojnë në minimizimin e efekteve negative mbi lëkurën.
1. Shmangia e ujit të nxehtë
Edhe pse nuk është e nevojshme përdorimi i ujit të ftohtë, larja e duarve me ujë të nxehtë i than dhe i irriton ato edhe më shumë.
– Përpiquni ta ulni temperaturën e ujit gjatë larjes së duarve, madje edhe gjatë dushit, për të shmangur tharjen dhe irritimin. Uji i nxehtë largon vajrat e shëndetshëm nga lëkura, thekson dr. Piliang.
I njëjti parim vlen edhe për aktivitete të tjera higjienike, si larja e enëve. Ndryshe nga uji i nxehtë, uji i vakët mund të jetë pikërisht ajo që i nevojitet lëkurës për të shmangur tharjen.
2. Zgjedhja e sapunit hidratues
Disa sapunë përmbajnë përbërës hidratues që janë më të butë për lëkurën dhe ndihmojnë në parandalimin e tharjes.
– Është më mirë të përdoret sapun hidratues dhe duart të shpëlahen mirë pas larjes – këshillon dr. Piliang, duke rekomanduar që gjatë zgjedhjes së sapunit të butë të kihet parasysh prania e këtyre përbërësve: gjalpa shea, jojoba, ceramidet, acidi hialuronik.
3. Hidratimi i lëkurës pas larjes
Aplikimi i kremit hidratues menjëherë pas larjes është një nga mënyrat më efektive për ruajtjen e butësisë dhe elasticitetit të lëkurës së duarve.
– Pas larjes rekomandohet përdorimi i losioneve ose kremrave që ndihmojnë në mbajtjen e lagështisë në lëkurë. Duhet t’u jepet përparësi preparateve pa aromë, pasi ka më pak gjasa të shkaktojnë irritim shtesë, rekomandon dr. Piliang.
4. Përdorimi i balsameve ose pomadave
Te personat e prirur ndaj lëkurës shumë të thatë, losionet shpesh nuk janë të mjaftueshme. Në këto raste rekomandohet përdorimi i formulimeve më të trasha, si kremra të pasur, balsame ose pomada. Këto preparate kanë fuqi më të madhe okluzive, përthithen më ngadalë dhe e mbajnë lagështinë më gjatë në lëkurë, duke ndihmuar në rigjenerimin dhe mbrojtjen e saj.
5. Dorëza mbrojtëse dhe kujdes shtesë
Për të zvogëluar ekspozimin e panevojshëm të lëkurës së duarve ndaj ujit dhe mjeteve pastruese, rekomandohet përdorimi i dorëzave mbrojtëse gjatë larjes së enëve ose kryerjes së punëve shtëpiake, sidomos te personat me lëkurë shumë të thatë.
– Për më tepër, përdorimi i lagështuesit të ajrit gjatë natës mund të rrisë lagështinë e ambientit, gjë që ndikon pozitivisht në gjendjen e lëkurës. Kjo qasje ndihmon në ruajtjen e shëndetit të lëkurës së duarve gjatë gjithë ditës dhe e zvogëlon ndjeshmërinë e saj ndaj larjes së shpeshtë, këshillon dr. Piliang.
Tharja e butë e duarve – truku që parandalon tharjen e lëkurës
Mënyra e tharjes së duarve pas larjes mund të ndikojë ndjeshëm në gjendjen e lëkurës. Te shumica e njerëzve, impulsi i parë pas larjes është tharja e plotë e duarve, deri në pikën e fundit të ujit. Por, në fakt, është më mirë të lihen duart paksa të lagështa pas larjes, në mënyrë që lagështia të “mbyllet” në lëkurë para aplikimit të kremit.
– Fërkimi i fortë dhe tharja e plotë e lëkurës kontribuojnë në humbjen e lagështisë së mbetur. Në vend të kësaj, rekomandohet tharja e butë me peshqir, duke e lënë lëkurën pak të lagësht. Kurdo që është e mundur, tharja e duarve në ajër është një avantazh shtesë. Kjo qasje e zvogëlon irritimin mekanik dhe ndihmon në ruajtjen e lagështisë natyrale të lëkurës, thotë dr. Piliang.
Balanci mes higjienës dhe kujdesit për lëkurën
Nuk duhet harruar se larja e rregullt dhe e kujdesshme e duarve mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtje nga mikrobet dhe bakteret, si dhe për parandalimin e përhapjes së sëmundjeve. Megjithatë, larja e shpeshtë mund të çojë në tharjen e lëkurës.
Për të ruajtur butësinë e duarve, rekomandohet:
ulja e temperaturës së ujit,
përdorimi i sapunit të butë ose hidratues,
aplikimi i rregullt i një kremi hidratues cilësor
Në rast të tharjes së theksuar, çarjeve ose dhimbjes pas larjes, rekomandohet konsultimi me dermatologun ose një profesionist tjetër shëndetësor. /et
Gjermania u bë blerësi më i madh në botë i kafesë nga Brazili në vitin 2025, duke tejkaluar Shtetet e Bashkuara, të cilat ranë në vendin e dytë pas vendosjes së tarifave të larta të importit.
Gjermania importoi 5.4 milionë qese 60 kilogramëshe kafe braziliane vitin e kaluar, duke përbërë 13.5% të totalit të eksporteve të Brazilit, tha shoqata braziliane e eksportuesve të kafesë Cecafé.
SHBA-të, tradicionalisht klienti më i madh i kafesë në Brazil, ranë në vendin e dytë me importe prej 5.3 milionë qesesh, 33% më pak se një vit më parë.
Cecafé tha se rënia u nxit kryesisht nga tarifat e përkohshme deri në 50% të vendosura nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shkruajnë mediat e huaja.
Drejtori i Cecafé, Márcio Ferreira, bëri të ditur se dërgesat në SHBA ranë me 55% gjatë periudhës nga fillimi i gushtit deri në fund të nëntorit, kur u vendosën tarifa të larta për të gjitha varietetet e kafesë braziliane.
Trump vendosi tarifat për një gamë të gjerë produktesh ushqimore braziliane në përgjigje të procedurave penale kundër ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, një aleat politik i presidentit amerikan.
Bolsonaro është dënuar që atëherë dhe po vuan një dënim me burg prej më shumë se 27 vitesh për përpjekje për grusht shteti.
Ndërsa çmimet e ushqimeve në SHBA u rritën, Trump i tërhoqi kryesisht tarifat në nëntor.
Brazili thuhet se eksportoi gjithsej 40 milionë qese kafeje vitin e kaluar, rreth 20% më pak se një vit më parë.
Pavarësisht vëllimit më të ulët, të ardhurat nga eksporti u rritën me 24% në një rekord prej 15.5 miliardë dollarësh.
Ferreira tha se dërgesat më të dobëta pasqyruan gjithashtu rezerva më të ulëta pas eksporteve rekord një vit më parë dhe humbjeve të lidhura me motin, duke shtuar se çmimet më të forta globale e kompensuan më shumë se rënien.
Brazili është i vetmi vend prodhues që eksporton kafe në më shumë se 120 vende dhe përbën mbi një të tretën e tregut global.
Pas Gjermanisë dhe SHBA-së, blerësit kryesorë përfshijnë Italinë, Japoninë dhe Belgjikën. /et
Kompania e njohur e aseteve digjitale, Strategy, ka blerë mbi dy miliardë dollarë Bitcoin, duke befasuar tregun, megjithëse çmimi i kriptomonedhës ka rënë ndjeshëm gjatë vitit të fundit.
Sipas CEO-së, Michael Saylor, blerja e re është pjesë e strategjisë afatgjatë të kompanisë për të rritur zotërimet e saj në Bitcoin.
Aktualisht, Strategy zotëron rreth 709 mijë Bitcoin, që përfaqëson rreth 3 për qind të furnizimit global – shumë më tepër se çdo kompani tjetër publike.
Analistët vlerësojnë se kompania po shfrytëzon rënien e tregut dhe pritshmëritë për miratimin e Clarity Act, një ligj kyç për kriptovalutat, që mund të favorizojë investimet në këtë hapësirë.
“Strategy është oportunist në blerjet e tij, duke përfituar nga mundësitë kur çmimet bien”, tha analisti Mark Palmer.
Kjo lëvizje tregon një dallim të madh mes Strategy dhe konkurrentëve të saj, si Mara Holdings dhe Bitmine, të cilët zotërojnë shumë më pak kriptovaluta.
Ekspertët e tregut parashikojnë se pozicioni i fortë i Strategy mund t’i japë avantazh gjatë periudhave të vështira të tregut. /et
Juventus do të luajë kundër Napolit të dielën në orën 18:00, në një ndeshje e cila është e vlefshme për javën e 22-të të Seria A. Ashtu siç e do tradita, para dueleve të dy trajnerët si Luciano Spalleti po ashtu edhe Antonio Conte japin konferencat e tyre për shtyp, gjë e cila nuk ndodhi.
Nga deklaratat e dhëna prej të dyja palëve, trajnerët tregojnë gjendjen në të cilën ndodhet skuadra si dhe pritshmëritë përballë rivalëe. Një detaj i cili do të mungojë për duelin e së dielës pasi të 2 kanë zgjedhur heshtjen.
Një heshjte e cila jep dhe “ankth” pasi dihet se Sfida mes Juventus dhe Napolit është një garë mes vendit të 3-të dhe atij të 5-të. Por më shumë se gjendjes aktuale ka dhe shije “nostalgjike” pasi Conte rikthehet përballë klubit ku ka qenë lojtar dhe trajner fitues titujsh, ndërsa Spalletti vjen si ish-fitues i Scudettos me Napolin.
Nga ana tjetër, Spalletti ishte parashikuar të dilte para gazetarëve rreth orës 16:00 sipas kohës lokale të premten, por konferenca e tij për shtyp u anulua rreth dy orë para se të niste.
Sipas medias “La Gazzetta dello Sport”, kjo nuk është hera e parë këtë sezon që Conte apo Spalletti shmangin konferencat për shtyp, por rasti i kësaj ndeshjeje konsiderohet veçanërisht i çuditshëm, duke marrë parasysh rëndësinë dhe konkurrencën e “frikshme” mes 2 ekipeve./et
Flota amerikane po i afrohet Gjirit Persik dhe po shtohen diskutimet për një përshkallëzim ushtarak kundër Iranit. Presidenti amerikan Donald Trump ka dhënë sinjale të paqarta, duke thënë vetëm se “do të shohim nëse do të na duhet ta përdorim”.
Trump është i kujdesshëm ndaj ndryshimit të regjimeve, duke iu referuar përvojave të kaluara të SHBA-ve. Ai ka kujtuar rastin e Irakut në vitin 2003, kur u rrëzua regjimi, por më pas u shfaq ISIS.
Sipas tij, një skenar i ngjashëm në Iran do të ishte një gabim i madh. Për këtë arsye, pavarësisht presionit nga disa media amerikane, Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Ndërkohë, në Lindjen e Mesme po ndodhin ndryshime të mëdha. SHBA-të kanë ulur rolin e Izraelit dhe kanë lënë më shumë hapësirë për Arabinë Saudite dhe Turqinë.
Turqia dhe Arabia Saudite e kanë shfrytëzuar këtë situatë. Në Siri, forcat kurde janë dobësuar dhe kanë humbur territore. Qeveria siriane ka rimarrë kontrollin e shumicës së vendit.
Në rajonin e Gjirit, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë humbur ndikim. Arabia Saudite ka larguar forcat emiratase nga Jemeni dhe nga disa territore të tjera.
Edhe në Sudan dhe Libi, aleatët e Emirateve janë nën presion.
Në tërësi, ndikimi i Iranit në rajon është dobësuar ndjeshëm, ndërsa po formohet një bosht i ri mes Turqisë, Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Sirisë. Këto zhvillime nuk përkojnë me interesat e Izraelit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, njoftoi se ka marrë sot një ftesë nga gjykata lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në institucionin zyrtar të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Rexhepi theksoi se kjo është një dëshmi e presionit institucional ndaj shqiptarëve në Preshevë.
“Flamuri trajtohet si shkelje, ndërsa diskriminimi si politikë shtetërore. Nuk do të tërhiqemi. Dinjiteti nuk gjykohet”, shkruan ai.
Rexhepi riafirmoi vendosmërinë për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e komunitetit shqiptar në rajon, pavarësisht sfidave institucionale./et
Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa tha se vendet e mëdha po riorganizojnë zinxhirët e furnizimit për t’u shkëputur nga Kina, proces që do të prekë edhe BE-në.
Sipas tij, inteligjenca artificiale dhe robotika do të zëvendësojnë shumë profesione, duke rritur produktivitetin, ndërsa vendet duhet të përshtatin politikat e kapitalit njerëzor. Këto ndryshime, tha ai, pritet të ndihen edhe në Shqipëri brenda 4–5 viteve.
“Do të ketë një riorientim të zinxhirëve të financimit. Politikat e vendeve të mëdha tentojnë të riorganizojnë zinxhirët e furnizimit për t’u shkëputur nga Kina, tashmë duan t’i kenë më nën kontroll. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me BE-në dhe polet e tjera. Procesi i riorientimit nuk do të jetë “business as usual”, por nga ajo që po shohim do të kemi një riorientim të theksuar.
Shumë drejtues të kompanive botërore e bënë të qartë që në vitet që vijnë pritet që pjesa më e madhe e profesioneve të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale ose robotika, pasi kjo do të rrisë produktivitetin për kompanitë. Ndërkohë që mundësia është që ato vende më pak të zhvilluara ose në zhvillim do të bëjnë kapërcime më të mëdha falë AI-së.
Do të duhet një kujdes i shtuar në politikat e kapitalit njerëzor dhe në orientimin e tregut të punës. Brenda 4–5 viteve, kjo nuk do të jetë e largët as për Shqipërinë.”, tha Sefa.
Princi Harry përmendi shërbimin e tij në Afganistan dhe sakrificat e ushtarëve atje në përgjigjen e tij ndaj Donald Trump, i cili kishte deklaruar se forcat e NATO-s në vend ishin “pak prapa vijave të frontit”.
Deklarata e presidentit amerikan shkaktoi reagime nga politikanët në Britani, si dhe nga veteranët dhe familjet e ushtarëve të rënë.
“Në vitin 2001, NATO thirri Nenin 5 për herë të parë – dhe të vetmen – në histori”, tha princi, i cili kishte shërbyer në vend, në një deklaratë.
“Kjo do të thoshte që çdo komb aleat ishte i detyruar të qëndronte pranë Shteteve të Bashkuara në Afganistan për të mbrojtur sigurinë tonë të përbashkët. Aleatët iu përgjigjën kësaj thirrjeje .”
Dhe ai vazhdon: “Shërbeva atje. Krijova miq për gjithë jetën atje. Dhe humba miq atje. Vetëm Mbretëria e Bashkuar pati 457 vdekje ushtarake.
”Mijëra jetë ndryshuan përgjithmonë. Nënat dhe baballarët varrosën bijë dhe bija. Fëmijët mbetën pa prindër. Familjet u lanë të mbanin barrën.
“Këto sakrifica meritojnë të kujtohen me ndershmëri dhe respekt, ndërsa të gjithë mbetemi të bashkuar dhe të përkushtuar ndaj mbrojtjes së diplomacisë dhe paqes .”Donald Trump tha në një intervistë për Fox të enjten se “nuk ishte i sigurt” nëse aleanca do të ishte në anën e SHBA-së nëse do të kishte ndonjëherë nevojë për të.
Ai shpjegoi se “nuk kemi pasur kurrë nevojë për ta, nuk kemi kërkuar kurrë asgjë prej tyre” dhe shtoi se “Ata do të thonë se dërguan disa trupa në Afganistan. E bënë dhe qëndruan pak prapa, përtej vijave të frontit”.
BBC i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë sqarime mbi deklaratën e presidentit. “Kontributet e SHBA-së në Aleancë janë të jashtëzakonshme krahasuar me vendet e tjera”, tha zëvendëszëdhënësja Anna Kelly, duke shtuar se premtimi i Trump për të rritur buxhetet e mbrojtjes së vendeve të tjera në 5% “e ndihmon Evropën të marrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj”.
Dhe sigurisht, ajo kujtoi Groenlandën: “SHBA-të janë i vetmi partner i NATO-s që mund të mbrojë Groenlandën. Presidenti është i vetmi që mund të përparojë interesat e NATO-s atje”, tha Kelly. Një total prej 51 vendesh dërguan trupa në Afganistan. Nga këto, 24 regjistruan viktima.
Shumica e vdekjeve ishin amerikane me një total prej 2,465, të ndjekura nga britanikët me 457 dhe kanadezët me 158. Nëse e përkthejmë numrin e vdekjeve në raport me popullsinë, SHBA-të kishin 7.9 vdekje për milion, Danimarka me 7.7 vdekje, Britania me 7.2 vdekje dhe Estonia me 6.7 vdekje.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka akuzuar presidentin amerikan Donald Trump se po minimizon sakrificën e ushtarëve britanikë që ranë në Afganistan, duke pretenduar se ata që luftuan qëndruan “pak larg vijës së frontit”.
Deklaratat e Trump kanë shkaktuar reagime të forta nga politikanë të të gjitha anëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga familjet e veteranëve
Trump sugjeroi gjithashtu se NATO nuk do ta mbështeste SHBA-në nëse do të kërkohej, duke bërë krahasime me mungesën e tij të shërbimit ushtarak në Luftën e Vietnamit.
“Presidenti gaboi kur minimizoi rolin e trupave të NATO-s, përfshirë forcat britanike në Afganistan. Ne jemi krenarë për sakrificën e tyre”, tha zëdhënësi i Starmer.
Kemi Badenoch, liderja e Konservatorëve, e quajti komentimin “plotësisht të pabazë”, ndërsa Liberal Demokratët kërkuan që ambasadori amerikan të thirrej “për këtë fyerje ndaj trupave britanike.”
Sekretari i Mbrojtjes, John Healey, tha se të rënët duhet të kujtohen si “heronj që dhanë jetën për vendin tonë”. Ish-marin Al Carns i quajti komentet “krejtësisht qesharake” dhe ftoi ata që besojnë në to të takohen me familjet e viktimave.
Edhe veteranë dhe ish-ushtarë britanikë, si Calvin Bailey dhe Ben Obese-Jecty, kritikuan Trump për mosrespektin ndaj sakrificës së trupave britanike dhe të NATO-s.
Trump më parë ishte kritikuar për shmangien e shërbimit në Luftën e Vietnamit dhe tani komentet e tij janë konsideruar si një “fyerje” e kujtimit të ushtarëve të rënë në Afganistan.
SHBA mbetet vendi i vetëm që ka aktivizuar nenin 5 të NATO-s pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
E di që askush s’ka nerva të dëgjojë seriozisht mesazhet e Berishës para protestave që thërret, dhe ky është një fat për të. Por nëse thellohesh në ato që thotë, janë të gjitha kundër tij.
Sa herë që Berisha thërret një protestë, përpiqet të gjejë një model proteste që shpreson se motivon pjesëmarrjen. Nëse ja lexoni deklaratat në tridhjetë vitet e fundit që merret me protesta, më së shumti i pëlqejnë protestat e Beogradit. Që prej vitit 1996, kur i bënte thirrje Rugovës të mbështeste protestat e Beogradit e deri sot, gjithmonë u bën thirrje shqiptarëve të frymëzohen prej tyre.
E tillë është edhe thirrja e sotme që të rinjtë të frymëzohen nga protestat e Beogradit dhe Bangladeshit.
Sa për statistikë, prej vitit 1996 e deri te protestat e fundit në Beograd, janë ndërruar 5 presidentë pas Millosheviçit, që ishte bashkëkohës i Berishës, dhe një rezultat i tillë natyrisht i bën protestat frymëzuese. Në krye të këtyre protestave, sa herë që ndodhin, është një lider i ri që i udhëheq, një lider i ri që frymëzon dhe një lider që korr sukses ndaj pushtetit të radhës. Vetëm në Shqipëri ndodh që prej vitit 1997 protestat i udhëheq gjithmonë i njëjti njeri dhe nuk fiton asnjëherë. Arsyeja është se ai nuk udhëheq protesta popullore, por udhëheq protesta të dëshpëruarish që nuk janë në pushtet. Dhe ky është një ndryshim i madh. Protestat popullore zgjohen nga shpresa për ndryshim dhe shpresa për ndryshim nis nga ai që kanë në krye. Protestat shqiptare që nga viti 1997 kanë në krye Sali Berishën sa herë që ai është në opozitë. Dhe rezultati është gjithnjë i njëjtë: i udhëheqësi i tyre.
Në Bangladesh po ashtu. Protestat nuk është se i bën gjenerata Z, por i udhëheq gjenerata Z. Udhëheqësi i tyre është dikush që disa ditë para protestës nuk e njihte askush. Është dikush i lindur nga protesta. Dhe ai natyrisht frymëzon shokët e vet.
Gjenerata Z, në Shqipëri, e ka katragjysh Sali Berishën. Si mundet që një brez 20-vjeçarësh të luftojnë për të ardhmen e një 81-vjeçari dhe të jenë të frymëzuar?
E kuptoj qejfin që të jesh udhëheqës i një sheshi të mbushur, por sheshet e mbushura nga zemërimi nxjerrin udhëheqësit e tyre. Sali Berisha nuk ka shans të bëhet as udhëheqës i brezit të tij të pensionistëve, pasi është pensionisti më i pasur miliarder i Shqipërisë dhe pensionisti më i paguar nga shteti shqiptar, me pension 3 mijë euro në muaj.
Sali Berisha ka katër vjet që përpiqet të mbijetojë duke thënë se dikush në SHBA dhe në Tiranë kanë dashur të emërojnë opozitën dhe ta lënë Shqipërinë pa opozitë. Nëse ekziston vërtet dikush në këtë botë që ka emëruar opozitën në Shqipëri dhe vazhdon ta emërojë, është Sali Berisha. Ai ka caktuar vetë kush do të jetë në opozitë, kush do të jetë në shërbim të tij, kush do të jetë ai që do të shesë dhe blejë opozitën. Të tjerët ai i “vetpërjashton” nga opozita, si të fundit e tyre Ervin Salianjin.
Sali Berisha është shembulli më flagrant i njeriut që, pasi përpiqet të emërojë opozitën, pastaj përpiqet të emërojë edhe popullin opozitar, përpiqet të emërojë protestues, t’u bëjë atyre identitetin si i do, si në Beograd apo Bangladesh, madje edhe si i do: të rinj të bukur, të veshur me iPhone në duar, si gjenerata Z në botë. Por me një kusht, me një ndryshim, me një përjashtim: që udhëheqësi i tyre të jetë ai.
Kjo është kryesyeja pse nuk kemi një opozitë të lirë të shpërthejë, pse zemërimi popullor nuk shkon në favor të tij.
Por sot nuk është dita e tij, dhe ajo opozitë që do mundë këtë pushtet nuk do të jetë opozitë e tij.
Autoritetet policore të Emirateve të Bashkuara Arabe kanë arrestuar në Dubai një 39-vjeçar shqiptar. Mediat italiane bëjnë të ditur se 39-vjeçari shqiptar ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi ishte dënuar me 9 vite burg.
Ai akuzohet si kreu i një organizate të madhe të narkotrafikut në Venecia dhe Shqipëri, duke transportuar jo vetëm kokainë, por edhe marijuanë dhe hashash, deri në Holandë.
39-vjeçari shqiptar identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga mediat fqinje, ishte në arrati që prej vitit 2019 dhe ishte dënuar me 8 vite e 7 muaj burg në Itali.
Sipas autoriteteve italiane, shqiptari “gaboi” gjatë fundvitit duke ftuar familjarët e tij në Dubai, çka solli më pas edhe zbulimin e vendit ku ai fshihej.
Në kohën e aktivitetit kriminal, ai banonte në Noale të Venecias dhe konsiderohej drejtuesi operativ dhe vendimmarrës i organizatës, duke menaxhuar furnizimin ndërkombëtar me drogë dhe shpërndarjen në zona si Mestre, Scorzè, Noventa di Piave dhe Jesolo.
Arrestimi u realizua falë bashkëpunimit mes Policisë italiane, Interpolit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të projektit “WANTED”, për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.
Kreu i FRPD Durrës, Shyqyri Myrtollari, në fjalën e tij në Foltoren që po mbahet në selinë blu, shprehet se Foltoret nuk janë zgjidhja që çon në mundjen e kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës në pushtet.
Sipas tij një tjetër problematikë është edhe zbardhja e mbledhjeve të PD në media përpara se vendimet e diskutimit t’i bëhen të ditura strukturave të partisë, ndërsa edhe ai njëlloj si Glauk Olldashi ka kërkuar mbledhje me dyer të mbyllura në mënyrë që të flitet më hapur në lidhje me problematikat e PD.
“Kam një kritikë të madhe për lidershipin e PD ku në mbledhje para se gjërat t’i marrë vesh struktura, me sms i marrin vesh mediat. Kjo nuk është normale.
Jo më çfarë ka shtëpia i tregon fëmijë, sepse nuk janë fëmijë, janë politikanë që në përfaqësojnë ne.
Foltoret nuk mendoj se janë të mjaftueshme përballë propagandës. Çdo drejtues e deputet duhet të dalë në zona dhe të kuptojë problematikat”, tha ai.
Më 25 shtator 2025, Gjykata Federale e Virxhinias mori në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga prokurorja e përkohshme federale Lindsey Halligan për gjykimin e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, për dy çështje penale. Por shumë shpejt, raporti procedural u përmbys: nga akuzuese, prokurorja federale u kthye vetë në objekt shqyrtimi gjyqësor. Ish-drejtori i FBI-së ngriti një pretendim thelbësor: Lindsey Halligan nuk ishte emëruar në mënyrë të rregullt dhe, për rrjedhojë, nuk kishte të drejtë të ushtronte autoritet federal prokurorial. Gjykata federale nuk heshti dhe nuk e relativizoi çështjen. Përkundrazi, ajo mori një vendim që tashmë konsiderohet një prej referencave në jurisprudencën kushtetuese amerikane, duke sanksionuar parime themelore:
Një zyrtar që nuk është emëruar ligjërisht e kthen çdo veprim të tij në akt nul që në origjinë (void ab initio). Autoriteti i bazuar në ligj është parakusht absolut. Nuk ka legalizim ex post për emërime antikushtetuese. Nuk ka ratifikim retroaktiv, sepse ratifikimi kërkon që autoriteti të ketë ekzistuar në momentin e veprimit. Gjykata nuk mund ta neutralizojë faktin që një prokuror pa mandat ka drejtuar procesin. Kur i gjithë procesi është i kontaminuar, i gjithë procesi rrëzohet. Si pasojë, gjykata federale vendosi se: emërimi i prokurores ishte në kundërshtim me Kushtetutën; çdo akt i saj ishte i paligjshëm për mungesë autoriteti ligjor; dhe çështja penale ndaj James Comey duhej rrëzuar.
(Lexo vendimin bashkangjitur ne fund.)
Pas një rezistence disa mujore dhe pasi asnjë gjykatë amerikane nuk e njohu më si prokurore federale, më 20 janar 2026 Lindsey Halligan u largua nga zyra e prokurorit federal. Ky është një shembull i qartë se si një sistem drejtësie korrigjon veten, si gjykatat ruajnë pavarësinë reale nga sistemi prokurorial dhe si në fund drejtësinë e bëjnë gjykatat dhe jo prokurorët.
Krahasimi me rastin shqiptar është tronditës.
Çështja Dado është, në thelb, shumë më e rëndë se rasti Halligan. Në Shtetet e Bashkuara bëhej fjalë për një tejkalim afati në ushtrimin e mandatit. Në Shqipëri kemi të bëjmë me diçka shumë më themelore: një individ që nuk i ka pasur kurrë kriteret ligjore për të qenë prokuror. Pra, jo një mandat i skaduar, por një mandat që nuk ka ekzistuar asnjëherë në kuptimin juridik. Një person që nuk ka pasur kurrë të drejtë të ushtrojë autoritet shtetëror, të marrë vendime në emër të Republikës dhe të përdorë pushtetin penal të shtetit.
Si ka reaguar sistemi shqiptar i drejtësisë përballë këtij pretendimi?
Jo me verifikim, jo me shqyrtim në themel, jo me transparencë. Përkundrazi: me shmangie, me heshtje dhe me mbrojtje korporative. Kërkesa drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë për përfundimin e statusit të një personi që pretendohet se ka uzurpuar një funksion publik pa bazë ligjore nuk është shqyrtuar në themel. Gjykatat penale, gjyqtari Bani dhe gjyqtari Pëllumbi kanë shmangur vendimmarrjen substanciale, duke u fshehur pas çështjeve formale të kompetencës, madje u shkua deri atje sa ju fallsifikua firma Veliaj që të mos ushtronte rekurs në Gjykatë të Lartë.
Ndryshe nga gjykata amerikane, e cila ndërhyri menjëherë për të mbrojtur rendin kushtetues, sistemi shqiptar ka zgjedhur të mos shohë dhe të mos dëgjojë. Pikërisht për këtë arsye, çështja tashmë ka mbërritur në Gjykatën Administrative, me kërkesën për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit. Kjo është përpjekja e fundit për ta rikthyer debatin aty ku duhet të ishte që në fillim: te legjitimiteti i mandatit.
Ky nuk është një test për Erion Veliajn dhe as për qytetarin Olsi Dado. Ky është një test zjarri për vetë sistemin e drejtësisë.
Pyetja është e thjeshtë: a kemi një sistem drejtësie që është shndërruar në një korporatë gjyqësore, e ndërtuar për të mbrojtur interesat e paligjshme të anëtarëve të saj, apo një sistem që ekziston për t’u dhënë drejtësi qytetarëve, edhe kur në bankën e të akuzuarve janë vetë anëtarë të drejtësisë?
Reforma në drejtësi kishte në themel të saj pikërisht pastrimin e sistemit nga pjesa e kalbur e tij, për t’i dhënë atij autoritetin moral për të gjykuar të tjerët. Nëse, pas reformës, konstatohet se individë kanë ushtruar në mënyrë të paligjshme një funksion shtetëror me pasoja kaq të rënda sa pushteti penal dhe sistemi hesht dhe i mbron, atëherë reforma në drejtësi nuk ka dështuar në mënyrë spektakolare, ajo ka dështuar rëndë në thelbin e saj.
Ky dështim po cenon jetën e dhjetëra qytetarëve, po dëmton në mënyrë të pakthyeshme besimin tek drejtësia dhe po shkatërron pikërisht atë shpresë që shoqëria shqiptare investoi tek reforma që besuam se po ndërtonim. TemA
Një 30-vjeçar me iniciale S.P., është gjetur të premten në mesditë, pas dy ditë kërkimesh intensive nga autoritetet e Kosovës në rajonin e Ferizajt.
Sipas Policisë së Kosovës, S.P. ishte zhdukur mëngjesin e 21 janarit në fshatin Jezercë të Ferizajt. Ai ishte larguar nga një vilë dhe besohet se me një veturë BMW kishte shkaktuar një aksident trafiku.
Pas pranimit të informatës për zhdukjen e tij, autoritetet kanë kontrolluar kamerat e sigurisë në zonën përreth, si dhe kanë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë dhe disa ordinanca private, por nuk është raportuar për asnjë të lënduar.
Të premten, një qytetar ka kontaktuar autoritetet duke njoftuar se e ka hasur një person të panjohur në fshatin Budakovë të Suharekës, pranë vendit të quajtur “Gurra e Kadisë”.
Pas verifikimeve është konfirmuar se bëhej fjalë për S.P., i cili menjëherë ka marrë ndihmë mjekësore dhe po trajtohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj.
Policia ka falënderuar Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, si dhe qytetarin B. Osmani, 54 vjeç nga Ferizaj, për kontributin e dhënë në gjetjen e personit të zhdukur.
Ndërkaq, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit ka publikuar disa fotografi nga momenti i gjetjes, duke bërë të ditur se shtetasi shqiptar është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore.
Gazetari Ardit Rada, në një analizë të tijën në ABCnews, përmendi një zë, që ishte më shumë se zë vite më parë, por që siç dihet kujtesa popullore e ka hardiskun plot, në lidhje me fenomenin e përmendjes së rastit “Noriega” në mjedisin publik e politik në Tiranë.
Rada tha se ka qenë viti 1998, përkatësisht kur njerëzit e Berishës morën Kryeministrinë, Parlamentin dhe RTSH në një “coupe” klasik, kur u fol se amerikanët mund ta merrnin me forcë Sali Berishën, pasi kishte kaluar vijën e kuqe.
Ngjarja është e tillë. Më 14 shtator 1998, ditën e ceremonisë së varrimit të Azem Hajdarit, funerali i tij u kthye në një kryengritje. Në fillim më kryeministri, e më pas në institucionet e tjera. Lufta u bë me armë zjarri këmbësorie të disa llojeve; nga kallashi te antitanku. Forcat qeveritare bënë një rezistencë të shkurtër, por më pas e lanë godinën, e cila ishte zbrazur nga qeveria.
Fakt ishte se në kryeministri hynë vetëm rebelët e asnjë politikan relevant. Vetëm në godinën e RTSH, e cila gjithashtu u pushtua, Ekrem Spahia, kryetari i Legalitetit, një aleat i PD-s, i cili shpalli në transmetim të drejtpëdrejtë se ne kemi marrë pushtetin, pasi kemi të gjithë institucionet. Vetëm 10 minuta nga kjo deklaratë, Sali Berisha thërret të ndjerin Bujar Muharremi, gazetar i redaksisë ndërkombëtare në RTSH për të dhënë një intervistë, e cila transmetohet shpejt. Intervistë ku i kërkohet njerëzve të PD të tërhiqen nga institucionet. Për këtë episod është folur shumë e është thënë se Berisha foli me një shqiptaro-amerikan me influencë, i cili i kërkoi të tërhiqej.
Ky rast dramatik, shumë dramatik mund të ketë lidhjen e mundësisë së marrjes së “Noriegës” shqiptar, porn ë të vërtetë, nuk ishte risi. Pasi në 1997, pas 12 marsit është folur pa fund që Sali Berishën mund ta marrin marinsat paketë. Sidomos pas një incidenti me ambasadorin amerikane pranë presidencës. Natyrisht të gjitha këto janë fjalë, të cilat nuk u bënë lajme, nuk u bënë as opinione, sepse atëherë kishte gazetarë që kur publikonin një lajm, duket të kishin mbi 3 burime. Sot, del një “e dërguar speciale” dhe thotë gjëra edhe më të tmerrshme se kjo. Që as qarkullonin në mjedset mediatike; por që thjeshte ja thotë një politikan, si pjesë e axhndës.
Në fakt, version i cituar nga Arditi ka një tjetër më të besueshëm atë të vitit 1997. Kur jo vetëm marinsat e SHBA erdhën në Shqipëri, por forcat ushtarake të Italisë, Spanjës, Greqisë, Turqisë, Austrisë, Belgjikës, Sllovenisë, Portugalisë, Sllovenisë dhe Danimarkës.
Përpara se të instaloheshin trupat e Operacionit Ndërkombëtar Shumëkombësh Alba, n ë Shqipëri mbërritën disa grupe speciale marinsash nga Flota e Gjashtë që rekuperuan njerëzit e ambasadës, e atëherë u fol se mund të ndodhte rasti “Noriega”. i cili më pas u arkivua me rastin e normalizimit të Shqipërisë si një shtet normal.
Por kur shpërtheu “kompleksi Noriega”? Kur në vitin 2017, Edi Rama merr titullin “Komandant i Legjionit të Nderit” nga Presidenti i Reublikës së Francës, Francoise Hollande. Një titull shumë prestigjoz realisht.
Në atë kohë, PD dhe mediat e Sali Berishës përmendën rastin se me këtë titull ishte nderuar dikur edhe Manuel Noriega, por që më pas u arrestuar nga amerikanët. Një narracion që ka vijuar papushim në logjikën e marrjes së titujve dhe rrëmbimin e Edi Ramës.
Ja ku jemi sot; e mund të bëjmë analizë për këtë logjikë që vijon, sidomos sa herë ka “protesta historike”. Por sado që të jetë kjo epidemi e shiringuar faktet janë ndryshe. Sali Berisha në realitet është siç e thonë edhe vetë njerësit e tij nëpër panele që është ftuar dy herë në Shtëpinë e Bardhë, nga Bush dhe Clinton e ka pritur Bushin e ri në Tiranë. Një ditar apo rekord shumë i rëndësishëm, por sado që është i pari dhe i vetmi që ka arritur këto rekorde, gjithsesi është i vetmi nga udhëheqësit e rëndësishëm shqiptaret që është shpallur Non Grata me 7031/C. A është record edhe ky? Jo thonë se është Sorosi, Blinkeni, Bideni, Donald Lu, Yuri Kim, Tik Lllalla me shokë. Po mirë, kush është Noriega në rastin tonë…