Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka krijuar një tronditje të thellë në ekonominë amerikane dhe në tregjet financiare globale, duke vënë në pikëpyetje epërsinë tradicionale teknologjike të Shteteve të Bashkuara. Kështu ka deklaruar eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, në “Përballje Podcast”.
Sipas Bajrës, për herë të parë pas dekadash, tregu amerikan është përballur me ndjenjën se dominimi teknologjik nuk është më i garantuar, gjë që ka reflektuar drejtpërdrejt në sjelljen e investitorëve dhe në luhatjet e forta të tregjeve gjatë vitit 2025.
“Kjo ishte një tronditje e madhe për tregun amerikan. U kuptua se epërsia teknologjike nuk është më e sigurt”, tha Bajra.
Ai shpjegoi se frika nga përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale dhe nga humbja e avantazhit teknologjik ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e besimit te kompanitë e mëdha teknologjike dhe në tërheqjen e shpejtë të kapitalit.
“Kur kapitali fillon të tërhiqet, bie konfidenca dhe krijohet panik. Reagimi i investitorëve ka qenë i menjëhershëm”, theksoi ai.
Bajra theksoi se inteligjenca artificiale nuk është vetëm zhvillim teknologjik, por tashmë është shndërruar në faktor kyç ekonomik dhe gjeopolitik, që po ndikon mënyrën se si alokohet kapitali dhe si ndërtohen strategjitë ekonomike globale.
“Inteligjenca artificiale sot është faktor ekonomik dhe gjeopolitik. Ajo po e ndryshon mënyrën se si funksionojnë tregjet dhe si mendohet për të ardhmen”, u shpreh Bajra shkruan Telegrafi.
Sipas tij, këto zhvillime do të vazhdojnë të ndikojnë në tregjet financiare edhe në vitet në vijim, duke e bërë inteligjencën artificiale një nga faktorët më të rëndësishëm në ekonominë globale./Telegrafi/.
Pavarësisht pasigurive dhe luhatjeve në tregjet financiare globale, Trusti Pensional i Kosovës pritet ta mbyllë vitin 2025 në pozitivisht.
Kështu ka deklaruar Emanuel Bajra, kryesues i Bordit të Trustit, në “Përballje Podcast”, duke theksuar se fondi është ndërtuar për t’i përballuar pikërisht periudhat e paqëndrueshme në tregje.
Bajra sqaroi se fondi pensional nuk duhet parë si investim afatshkurtër dhe se rëniet ditore apo mujore nuk e përcaktojnë të ardhmen financiare të kontribuuesve.
“Fondi pensional nuk është investim për sot e nesër. Është investim për pensionimin. Luhatjet e sotme nuk e rrezikojnë të ardhmen e kontribuuesve”, tha ai shkruan Telegrafi.
Sipas Bajrës, gjatë vitit 2025 Trusti është përballur me disa luhatje në tregje, por falë menaxhimit aktiv dhe diversifikimit të investimeve ka arritur t’i absorbojë goditjet pa rrezikuar stabilitetin e fondit.
“Ne i kemi përballuar luhatjet shumë mirë. Kemi alokuar dhe rialokuar kapitalin aty ku kemi parë rënie dhe aty ku kemi parë mundësi për kthim”, theksoi Bajra.
Ai shtoi se strategjia e investimeve është ndërtuar mbi parimin e sigurisë maksimale për kontribuuesit, duke mos e ekspozuar fondin ndaj rrezikut të panevojshëm, por duke shfrytëzuar mundësitë që krijohen në tregjet globale.
“Natyra e fondeve pensionale nuk është si e investitorëve privatë. Ajo kërkon durim dhe planifikim afatgjatë”, u shpreh ai.
Bajra theksoi se Trusti ka investuar në mënyrë të diversifikuar, përfshirë edhe në sektorin e mbrojtjes, me qëllim të ruajtjes së vlerës dhe rritjes graduale të kthimit.
Në fund, Bajra e cilësoi fondin pensional të Kosovës si një arritje institucionale, duke vënë në pah disiplinën e kontribuuesve dhe menaxhimin profesional ndër vite.
“Kosova sot ka një fond pensional gati katër miliardë eurosh. Kjo është storie suksesi dhe meritë e kontribuuesve dhe e menaxhimit institucional”, përfundoi Bajra./Telegrafi/.
Viti 2025 ka shënuar një ndryshim të thellë në rendin gjeopolitik dhe ekonomik global, veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu tha në “Përballje Podcast”, eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, i cili vlerëson se nuk ka pasur vetëm ndryshim administrate, por edhe ndryshim doktrine politike dhe ekonomike.
“Me ardhjen e presidentit Trump, u ndryshua doktrina politike dhe ekonomike e Shteteve të Bashkuara. Brenda një kohe shumë të shkurtër u nënshkruan qindra urdhra ekzekutivë që krijuan perceptimin e një Amerike që po ndryshon rrënjësisht”, tha Bajra, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, këto zhvillime janë reflektuar drejtpërdrejt në marrëdhëniet transatlantike dhe në fragmentimin e tregut evropian, i cili mbetet tregu më i madh dhe më i lakmueshëm konsumator në botë.
“Amerikës nuk i konvenon një Evropë e bashkuar si njësi e vetme tregtare. Kostoja e rikthimit të Amerikës si superfuqi e vetme po paguhet kryesisht nga Evropa”, theksoi ai.
Katër luhatjet kryesore në tregjet globale financiare gjatë 2025-së
Bajra thotë se kanë ndodhur katër luhatje të mëdha që kanë goditur tregjet financiare globale gjatë vitit 2025, me theks të veçantë në sektorin teknologjik dhe politikat tarifore amerikane.
“Kemi pasur katër luhatje serioze në tregjet globale. Ato erdhën si kombinim i gjeopolitikës, tarifave amerikane dhe goditjes së sektorit të teknologjisë”, shpjegoi ai.
Foto: Floriana Alija
Sipas tij, rënia e besimit në kompanitë e mëdha teknologjike, frika nga inteligjenca artificiale dhe reagimet emocionale të investitorëve krijuan pasiguri të theksuar, por pa shkaktuar kolaps sistemik.
“Investitorët reagojnë shumë shpejt. Kur kapitali tërhiqet, bie konfidenca dhe krijohet panik, por tregjet kanë treguar rikuperim gradual”, tha Bajra në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
2026- vit më i nxehtë dhe pritjet për Trustin Pensional të Kosovës
Duke folur për vitin 2026, Bajra paralajmëron se pritet të jetë edhe më i tensionuar, si në aspektin gjeopolitik ashtu edhe në tregjet financiare, për shkak të konsolidimit të pushtetit të Trumpit dhe vendimeve ekonomike që priten nga administrata amerikane.
“Viti 2026 do të jetë edhe më i nxehtë. Amerika është superfuqi dhe çdo vendim i saj reflektohet globalisht”, tha ai.
Sa i përket Trustit Pensional të Kosovës, ku Bajra është kryesues i bordit, thotë se pavarësisht luhatjeve të tregut, fondi mbetet stabil dhe me kthim pozitiv.
“Fondi pensional nuk është investim për sot e nesër. Është investim për pensionimin. Luhatjet afatshkurtra nuk e rrezikojnë të ardhmen e kontribuuesve”, theksoi ai.
Sipas Bajrës, viti 2025 pritet të mbyllet pozitivisht për fondin, ndërsa diversifikimi i investimeve dhe menaxhimi profesional kanë garantuar siguri dhe rritje afatgjatë.
“Kosova ka një fond pensional gati katër miliardë eurosh. Kjo është storie suksesi dhe meritë e kontribuuesve dhe e menaxhimit institucional”, përfundoi Bajra. /Telegrafi/
Dezinformimi gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, ndërsa rrjetet sociale dhe inteligjenca artificiale po e vështirësojnë dallimin mes lajmit të verifikuar dhe përmbajtjeve të rreme.
Kështu u tha në episodin e pestë të “Përballje Podcast”, ku Getoarbë Mulliqi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Festim Rizanaj nga HIBRID.info folën për rreziqet që dezinformimi paraqet për integritetin medial dhe proceset demokratike.
Mulliqi theksoi se, pavarësisht përgatitjes së gazetarëve, qytetarët mbeten të cenueshëm për shkak të mungesës së edukimit medial.
“Gazetarët dinë t’i demantojnë dezinformatat, por qytetarët mbesin të pambrojtur pa edukim medial,” tha ajo shkruan Telegrafi.
Të dy panelistët bënë thirrje për orientim drejt mediave kredibile, verifikim të informatave dhe institucionalizim të edukimit medial si zgjidhje afatgjate kundër dezinformimit./Telegrafi/.
Mediat sociale po e dëmtojnë autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”, ku qytetarët përballen çdo ditë me përmbajtje të pakontrolluara, përfshirë dezinformata që intensifikohen sidomos gjatë fushatave zgjedhore.
Kështu u shpreh Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.info, në episodin e pestë të “Përballje Podcast”, duke folur për gjetjet nga monitorimi i dezinformimit në periudha zgjedhore.
Sipas Rizanajt, me shfaqjen e mediave sociale, secili ka mundësi të hapë faqe apo llogari dhe të shpërndajë informacione, shpesh të emërtuara me prapashtesa si “info” apo “gazeta”, duke krijuar përshtypjen e rreme të burimeve mediatike.
“Kjo ia ka marrë autoritetin medias kredibile dhe gazetarisë profesionale, duke krijuar mjegull informativ në rrjete sociale,” tha Rizanaj shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se sot shumica e qytetarëve informohen kryesisht përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata, gjë që e ka rritur nevojën për platforma të verifikimit të fakteve dhe për media profesionale e kredibile.
Dezinformimi gjatë fushatave dhe përdorimi i AI
Rizanaj tha se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe, kanale dhe llogari të reja që shpërndajnë përmbajtje manipuluese, duke filluar nga deklarata të vjetra të ripublikuara, imazhe të edituara e video të prera, deri te përmbajtje të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
“Së fundmi kemi identifikuar video të gjeneruara me inteligjencë artificiale, të cilat improvizohen si intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme", tha ai, transmeton Telegrafi.
Foto: Ridvan Slivova
Sipas Rizanajt, këto përmbajtje synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e audiencës dhe të votuesve, duke e bërë verifikimin e informacionit edhe më të domosdoshëm.
Duke folur për gjetjet e raportit të fundit të HIBRID.info, Rizanaj tha se mediat ruse, si Russia Today dhe Sputnik, operojnë në Ballkanin Perëndimor kryesisht në gjuhën serbe, me synim arritjen e një audience sa më të gjerë.
“Narrativat e këtyre mediave amplifikohen nga tabloidet dhe mediat e afërta me pushtetin në Serbi dhe më pas arrijnë te komuniteti serb në Kosovë”, tha ai.
Sipas Rizanajt, target audienca e këtyre mediave mbetet komuniteti serb, i cili vazhdon të informohet kryesisht nga tabloidet serbe, duke mos pasur alternativa të tjera të besueshme.
“Këto narrativa riciklohen vazhdimisht dhe shpërndahen si informacione të besueshme, ndonëse kanë agjendë të qartë politike,” theksoi ai. /Telegrafi/
Dezinformimi gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë mbetet një rrezik serioz për integritetin medial dhe proceset demokratike, ndërsa format e tij po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, veçanërisht përmes mediave sociale dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.
Kështu u tha në episodin e pestë të serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), ku u diskutua roli i organizatave të shoqërisë civile në luftën kundër dezinformimit, me fokus të veçantë periudhën zgjedhore.
Në këtë episod të ftuar ishin Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), dhe Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.
Ajo nënvizoi se AGK-ja, përveç mbrojtjes së gazetarëve, ka zgjeruar rolin e saj edhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe integritetit të informacionit, përmes trajnimeve, akademive dhe bashkëpunimit me platforma të verifikimit të fakteve.
Foto: Ridvan Slivova
“Gazetarët kanë qenë të përgatitur për t’i demantuar dezinformatat, por problemi kryesor është mungesa e edukimit mediatik te qytetarët,” theksoi ajo.
Sipas Mulliqit, mungesa e edukimit medial në sistemin arsimor dhe shfaqja e portaleve të përkohshme gjatë fushatave e bëjnë mjedisin informativ edhe më të brishtë.
Ndërsa hulumtuesi nga HIBRID, Festim Rizanaj, tha se mediat sociale kanë ulur autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”.
“Sot shumica e njerëzve informohen përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata,” tha Rizanaj në “Përballje Podcast” me kreyredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Ai paralajmëroi se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe dhe llogari që shpërndajnë përmbajtje të rreme, përfshirë deklarata të vjetra, imazhe të manipuluara dhe video të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
“Së fundmi kemi edhe video të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat imitojnë intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme,” shtoi ai.
Narrativa nga mediat ruse dhe serbe
Rizanaj prezantoi edhe gjetjet e hulumtimeve të fundit të HIBRID.info, duke theksuar ndikimin e mediave ruse dhe serbe në hapësirën informative të Ballkanit Perëndimor.
“Narrativat e Russia Today dhe Sputnik në gjuhën serbe amplifikohen nga tabloidet në Serbi dhe arrijnë te komuniteti serb në Kosovë,” tha ai.
Sipas tij, këto narrativa shpesh e paraqesin Listën Serbe si të vetmen alternativë politike për serbët në Kosovë, ndërsa institucionet e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë si kërcënim për mbijetesën e tyre.
Foto: Ridvan Slivova
Thirrje për edukim medial
Të dy panelistët u pajtuan se zgjidhja afatgjate nuk qëndron vetëm te demantimi i dezinformatave, por te edukimi medial i qytetarëve.
“Ne nuk kemi shkop magjik për ta zgjidhur problemin, por edukimi medial duhet të institucionalizohet,” tha Mulliqi.
Ndërsa Rizanaj theksoi rëndësinë e orientimit të publikut drejt mediave kredibile.
“Media serioze kanë ekipe, burime dhe verifikim. Faqet në rrjete sociale me prapashtesa ‘info’ apo ‘gazeta’ nuk janë domosdoshmërish media,” tha ai.
Diskutimi u mbyll me thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet mediave tradicionale, organizatave të shoqërisë civile dhe platformave të fakt-checking-ut, për të mbrojtur integritetin e informacionit dhe proceset demokratike në Kosovë./Telegrafi/.
Ky është episodi i pestë i serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), që synon të nxisë debat për rolin e mediave, sfidat e besueshmërisë dhe ndikimin e dezinformimit gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. /Telegrafi/
Ndërtimi në Kosovë nuk është më i përqendruar vetëm në kryeqytet, por po shtrihet me intensitet të lartë edhe në komunat dhe regjionet tjera të vendit, ku po zhvillohen projekte të reja banesore dhe urbane dhe jo vetëm.
Kështu u tha në “Përballje Podcast” nga Faton Hoxha, i cili theksoi se “boom” ndërtimi po vërehet në të gjitha regjionet e Kosovës.
“Në secilin prej regjioneve të Kosovës ka boom ndërtimi – Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, Ferizaji është ndër komunat me zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe ndërtimor pas Prishtinës, ndërsa Prizreni po shënon zgjerim të madh drejt zonave përreth.
“Prizreni praktikisht po bashkohet me zonat përreth përmes projekteve të mëdha ndërtimore”, tha Hoxha shkruan Telergafi.
Ai theksoi se edhe Gjakova po përjeton rritje të ndjeshme të ndërtimeve të reja, pavarësisht madhësisë së qytetit, ndërsa zhvillim të vazhdueshëm po shënojnë edhe Peja, Gjilani dhe Mitrovica.
Foto: Ridvan Slivova
Hoxha shtoi se dhënia e lejeve të reja ndërtimore dhe vazhdimi i projekteve të mëdha tregojnë qartë se kërkesa për banesa ekziston edhe jashtë kryeqytetit.
“Përderisa po jepen leje të reja ndërtimi, kjo tregon se ka kërkesë. Në momentin që nuk ka kërkesë, nuk ka as ndërtim”, theksoi ai.
Në përmbyllje, Hoxha tha se ndërtimi do të vazhdojë në të gjitha këto komuna për aq kohë sa ekziston interes real për blerje.
“Derisa ka blerës dhe kërkesë reale, ndërtimi nuk do të ndalet”, përfundoi ai./Telegrafi/.
Sektori i ndërtimtarisë vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Kosovës, ku rreth 12 për qind e të punësuarve janë në këtë sektor.
Kështu tha në “Përballje Podcast”, Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës, duke folur për rolin e ndërtimtarisë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe trendet e vazhdueshme të ndërtimit.
Ai tha se ndërtimi nuk pritet të ndalet për aq kohë sa ekziston kërkesë reale për banesa.
“Ndërtimi ka qenë dhe mbetet infuzioni i ekonomisë sonë. Ende është diku te një e gjashta e GDP-së së Kosovës dhe rreth 12 për qind e të punësuarve janë në këtë sektor”, tha Hoxha.
Ai theksoi se zhvillimi i ndërtimtarisë pas luftës ka qenë i domosdoshëm për shkak të rritjes së popullsisë dhe mungesës së infrastrukturës bazë, duke përfshirë jo vetëm objektet banesore, por edhe rrugët, shkollat, spitalet dhe infrastrukturën publike në përgjithësi.
Sipas Hoxhës, ndërtimi sot nuk është i përqendruar vetëm në Prishtinë, por është shtrirë në të gjitha regjionet e Kosovës.
“Në secilin prej regjioneve të Kosovës ka boom ndërtimi – Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj”, u shpreh ai.
Duke komentuar debatet për një ndalim apo ngadalësim të ndërtimit për shkak të numrit të lartë të banesave të pabanueshme, Hoxha tha se këto interpretime nuk pasqyrojnë realitetin e tregut.
“Në momentin që nuk ka shitje, nuk ka as ndërtim. Përderisa ka blerës dhe kërkesë reale, ndërtimi nuk do të ndalet”, theksoi ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Foto: Ridvan Slivova
Ai shtoi se dhënia e lejeve të reja ndërtimore dhe vazhdimi i projekteve të mëdha tregojnë se kërkesa për banesa vazhdon edhe përtej qendrës së kryeqytetit.
Në përmbyllje, Hoxha vlerësoi se ndërtimtaria do të vazhdojë të mbetet faktor kyç i zhvillimit ekonomik të Kosovës, pavarësisht sfidave me planifikimin urban, infrastrukturën dhe kostot e ndërtimit.
Në këtë podcast ai ka folur edhe për legalizimet, cilësinë e ndërtimit të banesave dhe tema të tjera. /Telegrafi/
Kosova ka qenë për një kohë të gjatë në pozicion defanziv në raport me krimet e luftës, për shkak të mungesës së dokumentimit institucional dhe të verifikueshëm.
Kështu ka deklaruar drejtori i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL), Atdhe Hetemi, në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com
Sipas tij, mungesa e një arkive shtetërore të dokumentuar profesionalisht ka bërë që Kosova, ndonëse viktimë e krimeve të luftës, të mos ketë pasur mjetet e nevojshme për t’iu kundërvënë narrativave të rreme dhe propagandës nga Serbia.
“Si rezultat i mungesës së dokumentimit në mënyrë të mirëfilltë dhe të institucionalizuar, Kosova për vite ka marrë një pozicion defanziv sa i përket krimeve të luftës”, ka thënë Hetemi.
Ai theksoi se kjo situatë ka ndikuar edhe në mënyrën se si krimet janë trajtuar në arenën ndërkombëtare, përfshirë studimet, raportimet dhe prodhimet dokumentare që shpesh kanë ardhur nga palë të tjera.
“Na ka munguar dokumentimi i besueshëm që mund të ndahej me ambasada, studiues, gazetarë dhe institucione ndërkombëtare,” u shpreh ai.
Sipas Hetemit, ky boshllëk ka nisur të mbushet vetëm vitet e fundit përmes krijimit dhe funksionalizimit të IKKL-së, i cili po ndërton një arkiv të verifikuar me standarde profesionale dhe metodologji shkencore.
Ai shtoi se dokumentimi institucional nuk është i rëndësishëm vetëm për drejtësinë tranzicionale, por edhe për pozicionin politik dhe diplomatik të Kosovës.
“Vetëm me dokumente të verifikuara, Kosova mund të kalojë nga mbrojtja në prezantimin aktiv të së vërtetës historike,” tha Hetemi.
Episodi i radhës i “Përballje Podcast”, sjell një bisedë me drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL), Atdhe Hetemin, i cili shpalos mandatin, punën deri tani dhe sfidat e dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë.
Biseda nis me një nga kapitujt më të rëndësishëm të kujtesës kolektive, mënyrën si Kosova po e ndërton arkivin e vet historik për krimet e kryera nga forcat serbe.
Hetemi sqaroi se instituti ka një kornizë të qartë ligjore për dokumentimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve ekonomike, psiko-sociale, dëmeve në ambient dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore.
Periudha prioritare mbetet 1 janar 1998 – qershor 1999, por ligji i jep hapësirë edhe për dokumentimin e krimeve që çuan drejt luftës – përfshirë helmimet e nxënësve në vitet ’90 dhe vrasjet e ushtarëve shqiptarë në ish-APJ.
Një pjesë e rëndësishme e episodit i kushtohet helmimeve të nxënësve në vitet 1990–1992, një temë që gjeneratat e reja pothuajse nuk e njohin.
IKKL ka nisur dokumentimin e këtij kapitulli tragjik, i cili deri më sot nuk ka qenë i institucionalizuar.
“Është e dhimbshme që si shoqëri nuk kemi arritur t’i dokumentojmë krimet në periudhat më të hershme”, thotë Hetemi në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu duke theksuar se mungesa e dokumentimit ka lënë boshllëqe të mëdha.
Një pjesë me rëndësi e diskutimit shpjegon procesin e dorëzimit, arkivimit dhe verifikimit të materialeve.
IKKL sot funksionon me procesverbale, regjistra, fonde arkivore me emër të dorëzuesit dhe standarde të avancuara profesionale, duke e bërë institutin një qendër reference për studiues, gazetarë, producentë dhe institucione ndërkombëtare.
Në vetëm dy vite, IKKL ka grumbulluar materiale nga 650–700 burime të ndryshme, përfshirë dokumente nga fotoreporterë të luftës, media vendore e ndërkombëtare, viktima të mbijetuara, familjarë të tyre dhe institucione të huaja.
Arkiva përfshin materiale të ardhura nga 14 shtete dhe vihet në dispozicion për hulumtime akademike, punime shkencore, dokumentarë dhe projekte të ndryshme kulturore.
Sipas Hetemit, kjo e ka shndërruar institutin në një “nyje të grumbullimit dhe shpërndarjes së së vërtetës historike”.
Një temë tjetër e ndjeshme që prek episodi është përballja me propagandën serbe, përfshirë dokumentarët që synojnë të shtrembërojnë ngjarjet e luftës.
Foto: Ridvan Slivova
Sipas Hetemit, Kosova historikisht ka qenë në pozicion mbrojtës për shkak të mungesës së dokumentimit institucional, por këtë boshllëk po e mbush gradualisht IKKL me punë të qëndrueshme dhe të verifikueshme profesionalisht.
Hetemi tregon se kur u emërua drejtor në vitin 2023, institucioni kishte vetëm një staf – atë vetë.
“Sot janë mbi 40 punonjës, të shtrirë në të gjitha rajonet e Kosovës, me arkiv të standardeve ndërkombëtare dhe projekte të shumta kërkimore e kulturore”, ka deklaruar ai.
Episodi trajton rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe financiare, rolin e shtetit, por edhe përgjegjësinë e shoqërisë për të mos e injoruar të kaluarën./Telegrafi/.
Ekonomisti Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest ka ngritur shqetësimin se struktura e investimeve të huaja direkte në Kosovë është e gabuar dhe nuk po kontribuon në zhvillimin real të ekonomisë.
Sipas tij, shumica e kapitalit të jashtëm po derdhet në patundshmëri, në vend se të investohet në sektorë që krijojnë vlerë të shtuar, punësim dhe eksport.
Mustafa tha në “Përballje Podcast” se kjo prirje është një nga arsyet pse ekonomia e Kosovës vazhdon të mbetet e brishtë dhe e varur nga importet transmeton Telegrafi.
Ai shtoi se mungesa e stabilitetit politik dhe perceptimi për konflikt të vazhdueshëm ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e investitorëve.
“Investimet e jashtme janë kryesisht në patundshmëri, jo në sektorë prodhues që krijojnë vlerë të shtuar. Cili investitor i huaj vjen me investu në një vend ku në Google sheh konflikt politik permanent...”, ka shtuar ai.
Sipas Mustafës, Kosova ka nevojë për politika të qarta industriale dhe stimuj për sektorët prodhues, në mënyrë që investimet e huaja të orientohen drejt aktiviteteve që rrisin eksportin, përmirësojnë bilancin tregtar dhe krijojnë vende pune të qëndrueshme./Telegrafi/.
Listën me kandidatët e tyre për deputetë, secili subjekt politik tashmë e ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Ndonëse afati për dorëzimin e këtyre listave ka qenë i hapur nga 24 nëntori, subjektet politike e kanë pritur ditën e fundit, 7 dhjetorin, për publikimin e tyre.
Politologu Dorajet Imeri, tha për Radio Dukagjinin se partitë nuk kanë ofruar ndonjë ndryshim të madh, krahasuar me zgjedhjet e shkurtit.
“Partitë politike në minutat e fundit që të zgjedhin disa figura të reja, me synimin që të duken se po u japin mundësi figurave, njerëzve, kontributorëve, profesionistëve, dhe kjo mbetet të shihet. Unë konsideroj se nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme ndoshta, e për këtë arsye unë konsideroj se listat janë pak a shumë në domenin e asaj çfarë i kemi pasur në zgjedhjet paraprake”, theksoi Imeri.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Muhamet Hajrullahu, thotë se fokusi duhet të jetë te programet e partive.
“Është shumë e rëndësishme që ka reforma dhe zhvillim brenda listave. Por për mua prej sot mbetet çështja çfarë do të ofrojnë këto lista, cili është programi. Këtu duhet të jetë thelbi, e jo emrat. Emrat shkojnë e vijnë, natyrshëm janë freskim, por për mua programi çfarë ka të ofrojë është elementi kryesor në këtë periudhë.”, tha Hajrullahu.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, paritë e mëdha kandidojnë të vetme, ndërsa partnerët politik i kanë përfshirë brenda listës së tyre.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, ekonomisti dhe profesori Muhamet Mustafa ka dhënë një mesazh për situatën politike dhe ekonomike të Kosovës, duke kërkuar që qeveria e re të krijohet pa vonesa dhe të rikthehet urgjentisht fokusimi në zhvillim ekonomik.
Sipas tij, mosfunksionimi i institucioneve dhe zvarritja e proceseve politike po e kushtëzojnë drejtpërdrejt performancën e vendit.
“Vëmendja duhet të rikthehet në ekonomi, zhvillim, edukim dhe inovacion – jonë bllokada politike”, ka deklaruar Mustafa.
Ai tha se çfarëdo vonese në formimin e qeverisë së re e dëmton Kosovën në dy drejtimet kryesore, stabilitetin e brendshëm dhe financimet ndërkombëtare.
Ai paralajmëroi se procedurat e zgjatura institucionale mund t’i kushtojnë vendit qindra milionë euro në fonde të Bashkimit Evropian, të cilat kërkojnë qeveri të funksionalizuar, plane të qarta buxhetore dhe vendimmarrje të qëndrueshme.
“Vonesat në formimin e qeverisë rrezikojnë humbjen e qindra milionë eurove nga fondet evropiane”, ka shtuar ai.
Mustafa kërkoi që viti 2026 të mos humbet me kriza politike, por të shfrytëzohet për një ndryshim rrënjësor të modelit ekonomik të vendit.
Ai theksoi se Kosova ka potencial, por se ai potencial nuk mund të shfrytëzohet në një klimë të vazhdueshme të pasigurisë politike.
“Kosova duhet të hyjë në vitin 2026 me qasje të re dhe me fokus në prodhim, inovacion dhe investim në faktor njeri.bInstitucionet duhet të funksionalizohen menjëherë – koha për ekonomi nuk mund të shtyhet më”, ka përfunduar ai./Telegrafi/.
Në episodin e radhës të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, profesori dhe ekonomisti Muhamet Mustafa nga Instituti RIINVEST ka folur për gjendjen e ekonomisë së Kosovës, sfidat kryesore dhe domosdoshmërinë e reformave urgjente.
Mustafa tha se Kosova po përballet me një vit të vështirë, të shoqëruar me pasiguri politike, zgjedhje të njëpasnjëshme dhe mungesë funksionaliteti institucional, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në ekonomi.
Sipas tij, vendimmarrja ekonomike në Kosovë nuk po bëhet në bazë të evidencës.
Profesori vuri theksin tek problemi më i madh strukturor në vendimmarrjen qeveritare, mungesën e analizave profesionale para marrjes së vendimeve.
“Ajo që i mungon politikës sonë dhe qeverisjes ekonomike është mungesa e vendimmarrjes në bazë të evidencës. Te ne masat merren dhe pastaj shikohet çka po ndodh – kjo është e pafalshme”, ka deklaruar Mustafa në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai përmendi shembullin e liberalizimit të tregut të energjisë, ku sipas tij as ZRRE-ja, as Qeveria nuk kanë pasur një analizë të qartë të ndikimit financiar.
Katër sektorët që tregojnë gjendjen e ekonomisë
Mustafa i ndau sfidat ekonomike në katër sektorë kryesorë, duke theksuar se secili prej tyre po përballet me probleme serioze.
Sektori real sipas tij, prodhimi vendor dhe bizneset nuk janë në gjendje të mirë.
“Situata në sektorin real, aty ku prodhohet vlera, nuk është në rregull. As konsumatorët nuk kanë pritje optimiste, as bizneset”, ka deklaruar Mustafa.
Ai e cilësoi rritjen ekonomike aktuale “rritje me inercion” dhe jo rezultat i politikave zhvillimore.
Në sektorin e jashtëm Mustafa paralajmëroi se deficiti tregtar po thellohet vazhdimisht dhe investimet e huaja janë të fokusuara në patundshmëri, jo në ekonomi prodhuese.
“Deficiti tregtar po thellohet dhe mbulueshmëria e importit me eksport po zvogëlohet”.
Profesori sqaroi se sistemi financiar (bankat dhe kreditimi) janë nën presion dhe kreditimi është ngadalësuar ndjeshëm.
“Ka stres të dukshëm në likuiditet dhe dhënia e kredive është shtrënguar”, ka thënë ai.
Ekonomisti Muhamet Mustafa me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu në "Përballje Podcast"Foto: Ridvan Slivova
Bizneset, sipas tij, po detyrohen të përdorin më shumë overdraft, një tjetër indikator i stresit financiar.
Si pikë të katërt ai përmendi buxhetin e Kosovës. Mustafa kritikoi orientimin e buxhetit të shtetit, duke thënë se ai është deformuar në dëm të investimeve kapitale dhe sektorëve kyç.
“Struktura e buxhetit është ndryshuar në dëm të investimeve kapitale, arsimit dhe shëndetësisë. Paratë janë aty, por investimet nuk realizohen. Kjo është keqqeverisje. Modeli i rritjes ekonomike është i gabuar – duhet rindërtuar”, ka thënë ai.
Mustafa tha se rritja e Kosovës mbështetet në konsum dhe importe, një model që sipas tij e dëmton ekonominë në afatgjatë.
“Ky model i rritjes, i bazuar në konsum dhe importe, e ka kursy zhvillimin ekonomik të vendit.”
Ai kërkoi që pas zgjedhjeve të vitit 2026, qeveria e re të ndërtojë një model të ri ekonomik të bazuar në prodhim, inovacion dhe investim në faktor njeri.
Mustafa dha rekomandime se ku ku duhet të fokusohet Kosova në ekonomi në vitin 2026
“Rindërtimi i modelit ekonomik nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Investime të mëdha në arsim, kërkime shkencore dhe inovacion. Qeverisje e bazuar në evidencë dhe jo në improvizim. Rritje e prodhimit vendor dhe eksportit. Stabilitet politik dhe formim i shpejtë i qeverisë”, ka shtuar Mustafa transmeton Telegrafi.
Foto: Ridvan Slivova
Mustafa tha se Kosova duhet të hyjë në vitin 2026 me një qasje të re.
“Vëmendja duhet të rikthehet në ekonomi, zhvillim, edukim dhe inovacion – jo në bllokada politike.”
Ai paralajmëroi se vonesat në formimin e qeverisë rrezikojnë humbjen e qindra milionë eurove nga fondet evropiane. /Telegrafi/
Mbyllja e afatit pa asnjë koalicion nga partitë e mëdha sipas analistëve është tregues se ato i kanë kalkuluar dëmet dhe dobitë nga koalicionet e kaluara, por anën tjetër disa koalicione me parti të vogla ose me individë sipas tyre janë bërë pa asnjë përputhje ideologjike ose programore. Sipas tyre as në listat për deputet, përpos aderimeve ose shumë pak emrave të rinj, nuk pritet të ketë ndryshime substanciale tek asnjë parti politike.
Përpos Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka koalicion me Listës GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), partitë tjera të mëdha në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të garojnë të vetme, me disa individ ose parti të vogla të cilat janë bërë pjesë e listës për deputetë.
PDK, LDK, AAK e NISMA, si parti politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare llogarisin vetëm në forcat e veta.
Për analistin Muhamet Hajrullahu, fakti se NISMA nuk ka arritur koalicion as me LDK-në e me asnjë parti tjetër, ka qenë befasi.
Të pa natyrshme sipas tij janë edhe koalicionet e Lëvizjes Vetëvendosje me disa parti të vogla, por në anën tjetër edhe bashkimi i Eman Rrahmanit në listën e PDK-së, e Ferid Agani i cili i është bashkuar listës së LDK-së.
“Kjo tregon për mua njëfarë lloj pazari në momentet e fundit pra që nuk janë këto bashkime as me ideologji as bashkime që i lidh shumë njëra me tjetrën, kjo tregon se të gjitha këto subjekte, edhe të voglat, edhe të mëdhatë po tentojnë, ose tentuan që në momentet e fundit të marrin nga pak vota kudo që është e mundshme në Kosovë dhe kjo tregon që ata nuk janë bashkuar për ideologji apo bashkim për interesa nacionale a ku ta di unë por janë interesa të momentit të fundit të cilët mund të përfundojnë ndonjë votë”, ka thënë Muhamet Hajrullahu – analist.
Hajrullahu nuk pret ndryshime në listën për deputet as në këto zgjedhje, ndërsa vlerëson se decentralizimi i të drejtës për të propozuar kandidatët për deputet, në degët nëpër qytete e shpërndanë edhe përgjegjësinë për rezultatet, çfarëdo që janë ato.
Analisti tjetër politik, Bekim Kabashi thotë se partitë politike kanë nxjerrë mësime dhe kanë marrë llogari nga terreni, dhe po tentojnë t’i shmangin bashkëpunimet që nuk i do elektorati dhe strukturat.
Kjo vlen edhe për koalicionet por edhe për listën për deputet.
“Kanë mësu nga gabimet e zgjedhjeve të kaluar, dëmet që i kanë pësu, shembull AAK, është dëmtu nga NISMA sesa që ka përfitu prej saj edhe pse me atë qëllim ka hy në atë koalicion parazgjedhor ngjashëm ka ndodh një problem tjetër me LDK-në, përcaktimi i listës për deputet nga ana e kryetarit, Lumiri edhe pse e ka me statut që ka të drejtë, i ka paraqit problemet e brendshme që nuk kanë qenë të vogla edhe tash ka shku me seanimin e tij problemi që mos me pasë një klimë të tensionume të polirazume brenda subjektit të tij politik dhe ua ka lënë të hapur kryesisë që ta përcaktojë listën”, ka thënë Bekim Kabashi – analist.
Partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor që t’i dorëzojnë në KQZ listat për deputetë me të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit./Tv Dukagjini/
Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, në “Përballje Podcast” ka vlerësuar se ardhja e brendeve botërore të hoteleve në Kosovë është një nga zhvillimet më pozitive për imazhin turistik të vendit. Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.
Ai theksoi se tashmë në Prishtinë janë të pranishme disa prej emrave më të njohur ndërkombëtarë të hotelerisë.
Sipas tij, Sheraton, Hilton dhe Marriott po e rrisin nivelin dhe besueshmërinë e ofertës turistike të kryeqytetit.
Hoti u shpreh se këto investime i shërbejnë drejtpërdrejt imazhit të Kosovës.
“Ta kem Sheratonin në Prishtinë, ta kem Hiltonin që do të hapet në fund të dhjetorit, ta kem Marrotin që është në Prishtinë është një pasuri. Është një imazh shumë i mirë që po krijohe”, ka deklaruar ai.
Ai sugjeroi që shteti dhe institucionet duhet ta shfrytëzojnë këtë bazë të re hoteliere edhe për promovim ndërkombëtar. Hoti propozoi që të ftohen media prestigjioze, blogerë dhe influencues nga jashtë për të qëndruar disa ditë në Kosovë dhe për ta promovuar vendin përmes përmbajtjeve të tyre.
Foto: Ridvan Slivova
“Pse mos t’i ftojmë disa blogerë, disa influencë, media prestigjioze… t’i ftojmë me ardhë katër-katër ditë në Kosovë, me agjendë të qartë dhe duke promovuar Kosovën,” tha ai.
Sipas Unionit të Turizmit, prania e këtyre brendeve ndërkombëtare jo vetëm që e rrit imazhin dhe standardin e shërbimeve, por hap edhe mundësi të reja për punësim dhe karrierë për të rinjtë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit në Kosovë.
Kryeqyteti i Kosovës po shfaqet si një nga qendrat më dinamike të zhvillimit turistik në vend, falë rritjes së aktiviteteve kulturore, koncerteve, festivaleve dhe eventeve ndërkombëtare.
Kështu u shpreh Baki Hoti nga Unioni i Turizmit të Kosovës në “Përballje Podcast”, duke theksuar se ky model tashmë është duke u ndjekur edhe nga komuna të tjera të vendit. Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.
“Ne po e shohim Prishtinën që ka shtuar numrin e aktiviteteve dhe festivaleve të ndryshme dhe ka arritur të rritë numrin e turistëve. Dhe kjo është diçka shumë pozitive,” tha Hoti. Sipas tij, ky trend po përhapet gradualisht edhe në qytete të tjera.
“Kështu kanë filluar të bëjnë edhe disa komuna tjera,” shtoi ai.
Rritja e aktiviteteve, sipas Hotit, nuk ndikon vetëm në numrin e vizitorëve, por edhe në kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre: “Dhe kjo, përpos që e rrit numrin e turistëve, e rrit edhe numrin e netëqëndrimeve,” u shpreh ai.
Hoti bëri të ditur se ndikimi ekonomik i secilit vizitor është i qartë dhe i matshëm: “Një vizitor në Kosovë mesatarisht shpenzon njëqind e pesëdhjetë euro brenda njëzet e katër orëve.”
Ai detajoi se këto shpenzime përfshijnë akomodimin, ushqimin, transportin dhe blerjet: “Pra, akomodimin, fjetjen, taksin, ushqimin, ndoshta edhe shoppingun… mesatarisht shkon njëqind e pesëdhjetë euro,” tha Hoti.
Sipas tij, kjo është arsyeja pse Kosova duhet të synojë rritjen e netëqëndrimeve, pasi çdo ditë shtesë e kaluar në vend ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin lokal: “Sa më shumë që ne kemi turistë, sa më shumë netëqëndrime që ka në Kosovë, llogaritet me nga njëqind e pesëdhjetë euro që ai lë mjete buxhetore në Kosovë. Dhe këtë duhet ta synojmë”.
Turizmi dimëror në Kosovë ka potencial të jashtëzakonshëm, por mungesa e infrastrukturës dhe menaxhimit po e pengon zhvillimin e tij. Kështu u shpreh Baki Hoti nga Unioni i Turizmit të Kosovës në “Përballje Podcast” ku foli hapur për problemet dhe mundësitë e sektorit dimëror.
Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS.
Hoti tha se Brezovica, një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në vend, aktualisht funksionon vetëm në një pjesë shumë të vogël të kapacitetit të saj.
“Ne e kemi potenciale të jashtëzakonshme sa i përket turizmit dimëror, por sot Brezovica shfrytëzohet rreth njëzet për qind,” deklaroi ai.
Sipas tij, Brezovica duhet të jetë destinacion aktiv gjatë gjithë vitit, jo vetëm në muajt e dimrit.
“Brezovica duhet të shfrytëzohet dymbëdhjetë muaj të vitit. Ne po i shfrytëzojmë nja dy muaj, edhe atë me kushte – jo punoi lifti, jo s’punoi lifti, jo u bllokua rruga, jo s’u bllokua rruga,” tha Hoti, duke theksuar se kjo është e papranueshme për një destinacion me potencial të tillë.
Ai paralajmëroi se problemet me rrugët, energjinë dhe funksionimin e teleferikëve ndikojnë drejtpërdrejt në përvojën e vizitorëve dhe dëmtojnë imazhin e vendit.
“Nuk duhet të ndodhë që një vizitor nga Shqipëria me familjen e vet të vjen dhe të ngecë në rrugë për shkak të mirëmbajtjes së dobët ose pse nuk punon teleferiku. Kjo është një anti-marketing, se ai ma nuk vjen,” u shpreh Hoti.
Ai u ndal edhe te zona e Bores, për të cilën tha se ka vite që pritet të zhvillohet, por vazhdon të mbetet projekt i papërfunduar.“Borea… ka mbet që sa vite – një potencial i jashtëzakonshëm,” tha ai, duke kërkuar që kjo zonë të rikthehet në agjendën e zhvillimit turistik.
Sipas Hotit, me planifikim të duhur dhe përkushtim institucional, Brezovica dhe Borea mund të shndërrohen në dy nga destinacionet dimërore më konkurruese në rajon.
Ai theksoi se Kosova ka gjithçka që i duhet për t’u zhvilluar në këtë sektor – por nevojitet qasje serioze dhe menaxhim i vazhdueshëm.
Kosova po forcon profilin e saj turistik falë disa zonave me potencial të jashtëzakonshëm kulturor, malor dhe shëndetësor.
Në “Përballje Podcast”, prodhim i Telegrafit e që përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS, Baki Hoti nga Unioni i Turizmit të Kosovës theksoi se Prizreni mbetet qendra kryesore e turizmit kulturor.
“Ne në turizëm Prizrenin e quajmë kryeqytet… Andaj, ka një potencial të jashtëzakonshëm,” tha Hoti, duke nënvizuar rolin e qytetit në festivale, trashëgimi kulturore dhe atmosferën unike që tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit.
Për turizmin malor, Hoti theksoi se edhe Rugova po shënon rritje të jashtëzakonshme.
“Tek pjesa e turizmit malor kemi pjesën e Rugovës… ku dita-ditës është duke shënuar numër rekord të vizitorëve,” u shpreh ai.
Sipas tij, ky zhvillim lidhet me aktivitetet e shumta në zonë që kanë bërë Rugovën një destinacion të qëndrueshëm për turistë vendas dhe ndërkombëtarë.
Hoti foli edhe për llojet e turizmit që Kosova mund t’i zhvillojë paralelisht, duke përfshirë turizmin shëndetësor dhe dentar.
Sipas tij, vendi ka një avantazh të madh në këtë drejtim.
“Çmimet janë shumë të lira. Standardi i ordinancave është tepër i lartë me krahasu me Evropë,” deklaroi ai.
Ai propozoi që turizmi dentar të shndërrohet në një pako të integruar turistike, duke kombinuar shërbimet shëndetësore me vizita në destinacione brenda Kosovës.
“Pse mos t’i ftojmë njerëzit me destinacion rregullimin e dhëmbëve dhe të qëndrojnë edhe ditë – ku do të shëtisin, do të hanë, do të pinë?” tha Hoti.
Sipas tij, një paketë e tillë do të mund të sillte grupe nga jashtë vendit, duke u ofruar shërbime dentare me kosto që “nuk i bëhet as sa gjysma e kostos sa duhet me i rregullu dhëmbët në Gjermani.”
Hoti theksoi se me orientim të qartë, organizim dhe promovim profesional, Kosova mund të zhvillojë disa forma të turizmit njëkohësisht dhe të bëhet një destinacion konkurrues në rajon./Telegrafi/.
Kosova po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga rajoni dhe bota, por një pjesë e konsiderueshme e turistëve që hyjnë në vend nuk po qëndrojnë brenda natës në vendin tonë.
Sipas kryetarit të Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, arsyeja kryesore lidhet me politikat e vendeve fqinje në mbështetje të turizmit.
Në “Përballje Podcast”, të përkrahur nga kompania e derivateve EXFIS, Hoti tha se Maqedonia e Veriut i subvencionon operatorët turistikë me minimum 14 euro për person për çdo natë të kaluar.
Ai theksoi se kjo politikë ka krijuar një avantazh të qartë për vendin fqinj, duke bërë që operatorët të orientohen drejt Maqedonisë për qëndrime më të gjata.
“Kemi plot raste ku turistët vijnë në Kosovë, shëtisin gjithë ditën dhe kthehen për të fjetur në Maqedoni,” tha Hoti, duke shtuar se kjo nënkupton humbje të drejtpërdrejtë ekonomike për vendin tonë.
Ai bëri thirrje që Kosova të marrë modele të ngjashme mbështetjeje për të qenë konkurruese në rajon, sidomos në një kohë kur turizmi po bëhet një prej sektorëve me potencialin më të madh zhvillimor.
Sipas tij, ulja e TVSH-së për akomodim, subvencionet turistike dhe bashkëpunimi me kompanitë ajrore do të ishin disa nga hapat kyç për të rritur netëqëndrimet dhe për të mos humbur vizitorët tek fqinjët./Telegrafi/.