Dy yjet e Kosovës, Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu, po kalojnë në një formë jetësore këtë sezon.
Dyshja e cila aktivizohen së bashku në nivel klubi te Hoffenheimi në Gjermani, kanë shkëlqyer këtë edicion me paraqitjet e tyre në Bundesliga, e po ashtu edhe me Kosovën në ciklin kualifikues të Botërorit.
Paraqitjet e tyre të mira javë pas jave tashmë kanë bërë që përveç rritjes së interesimit për transferimin e tyre, edhe vlera e kartonit të tyre të rritet ndjeshëm.
Sipas përditësimit të fundit nga Transfermarkt, vlera e kartonit të Asllanit është rritur për shtatë milionë euro.
Nga 18 milionë euro sa vlente paraprakisht sulmuesi dardan, ai tashmë vlen rreth 30 milionë euro.
Në anën tjetër Avdullahu nga 12 milionë euro sa vlente më herët, tashmë ka një çmim prej 17 milionë.
Asllani deri më tani këtë sezon ka zhvilluar 14 ndeshje në Bundesliga, duke arritur të shënojë gjashtë gola dhe të dhurojë dy asistime.
Avdullahu në anën tjetër ka po ashtu 14 ndeshje këtë sezon, që të gjitha nga minuta e parë dhe tashmë e ka vendosur veten si lider i pakontestueshëm në mesfushë.
Dyshja kosovare do të rikthehen sërish në aksion nesër (e shtunë), me Hoffenheimin që do të luajë në udhëtim ndaj Stuttgartit./Telegrafi/
Hoffenheim ka shënuar fitore të thellë ndaj Hamburgut (4-1), në kuadër të Bundesligas.
Tre yjet e Kosovës Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani ishin sërish protagonist, ku secili kishte vlerësim të lartë në paraqitje.
Hajdari përndryshe këtë herë u provua në një pozitë tjetër, pra si mbrojtës i krahut të majtë.
Asllani hyri vetëm si zëvendësues, megjithatë pesë minuta pas inkuadrimit shënoi një gol të bukur për ta vulosur fitoren.
Ndërkohë, Avdullahu si zakonisht zhvilloi tjetër paraqitje solide, ku nga “SofaScore” u vlerësua me notën 7.3.
Të tre yjet kësisoj po e ndihmojnë Hoffenheim të luftojë për një vend që të dërgon në Ligën e Kampionëve, pasi zënë pozitën e katërt me 26 pikë./Telegrafi/
Klubi gjerman Hoffenheim ka shkruar se për herë të parë në histori katër lojtarë nga Kosova luajtën në një ndeshje në Gjermani.
Treshja e Hoffenheim Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, së bashku me Elvis Rexhbecajn e Ausgburgut ishin titullarë në fundjavë në Bundesliga.
Edhe vetë skuadra gjermane ka uruar FFK-në për këtë arritje të jashtëzakonshme.
“KosoWOW. Me Fisnik Aslllanin, Leon Avdullahun, Albian Hajdarin dhe Elvis Rexhbecaj i Augsburgut, katër lojtarë kosovarë luajtën në një ndeshje për herë të parë në histori të Bundesligas”, shkroi klubi gjerman.
Hoffenheim përndryshe e fitoi përballjen me rezultat bindës 3-0, ku Hajdari e Avdullahu bënë paraqitje të shkëlqyer./Telegrafi/
Tre yjet e Kosovës Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani sërish kanë zhvilluar paraqitje pozitive për Hoffenheim që mposhti Augsburgun me rezultat 3-0.
Të tre lojtarët ishin titullarë, me Asllanin që u shfrytëzua në një pozitë tjetër, pra si një numër 10, prapa dy qendërsulmuesve prandaj edhe nuk ishte në formën më të mirë.
Asllani u zëvendësua pas 59 minutave lojë, derisa dyshja Hajdari e Avdullahu ishin të pathyeshëm – për të regjistruar një tjetër paraqitje të shkëlqyer në kampionatin gjerman.
“SofaScore” e vlerësoi Hajdarin me notën 7.9 derisa Avdullahun me 7.7.
Hoffenheim falë këtyre paraqitje pozitive ka zënë pozitën e katërt me 23 pikë në Bundesliga pas 12 xhirove./Telegrafi/
Presidenti i Federatës Zvicerane Peter Knabel thotë se provuan gjithçka për ta bindur mesfushorin Leon Avdullahu të mos i bashkohet Kosovës, por nuk ia dolën.
Kosova u përforcua dukshëm këta muajt e fundit, duke bindur top talentët e Hoffenheimit si Leon Avdullahu e Albian Hajdari, ndërsa falë paraqitjeve të shkëlqyeshme edhe e siguruan për herë të parë play-offin e Botërorit 2026.
Së fundmi lidhur me largimin e lojtarëve nga Zvicra reagoi edhe Knabel, i cili përmendi çështjen e Avdullahut si shembull që “Helvetikët” nuk mund të bëjnë gjithçka për t’i bindur lojtarët.
Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari
“Provuam gjithçka, edhe e vizitova Leon Avdullahun në Hoffenheim së bashku me Murat Yakin, por vendimi i tij ishte kryer”.
Knabel gjithashtu konfirmoi se problemi kyç është të talentët e rinj sepse edhe konkurrenca mes Federatave është rritur në përgjithësi.
“Kemi një problem me kalimin e lojtarëve të rinj në ligën më të lartë sepse konkurrenca midis Federatave për talente është bërë shumë më e madhe”, deklaroi ai për “SRF”.
Ndërkohë, Kosova është duke provuar të marrë edhe disa talentë tjerë të Zvicrës, si Demir Xhemalija e Adrien Llukes./Telegrafi/
Në një cikël kualifikues për Botërorin e vitit 2026 të mbushur me sfida dhe rivalitet të fortë, Kombëtarja e Kosovës ka arritur të shkëlqejë dhe të sigurojë "play-off"-in falë disa prurjeve të reja që kanë sjellë energji, kualitet dhe perspektivë.
Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha kanë ardhur në skuadër me ambicie të mëdha dhe shpejt janë shndërruar në lojtarë kyç që po ndihmojnë ‘Dardanët’ drejt aspiratave të tyre për kualifikim në Botëror.
Hajdari bëri debutimin e tij me Kosovën më 10 tetor 2025, në ndeshjen kundër Sllovenisë, gjatë fazës kualifikuese për Botërorin.
Për Kosovën, prania e Hajdarit në qendër të mbrojtjes ofron stabilitet dhe siguri, një dimension shumë i domosdoshëm për ekipin.
Një tjetër atribut shumë i rëndësishëm që Hajdari ka sjellë me vete te Kosova është aftësia e tij për të luajtur me topin, gjë që i ka ndihmuar shumë skuadrës në ndërtimin e aksioneve nga mbrojtja.
Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu
Një tjetër prurje e re te Kosova ishte mesfushori Leon Avdullahu. Ai u përfshi në skuadër për ndeshjet kualifikuese që nisën më 5 dhe 8 shtator 2025, kundër Zvicrës dhe Suedisë.
Në debutimin e tij kundër Zvicrës, Avdullahu u vendos me besim nga Foda në mesfushë, duke sjellë vizion loje, kontroll topi dhe kreativitet, elemente këto që i nevojiten secilës kombëtare në rrugën drejt suksesit.
Veldin Hoxha, nga ana tjetër, debutoi më 8 shtator 2025 ndaj Suedisë, duke hyrë në lojë nga banka rezervë.
Edhe pse minutat e tij në fushë ishin të kufizuara, prania e tij i jep Fodës një opsion të vlefshëm për të bërë rotacione në mesin e fushës.
Veldin Hoxha në stërvitje
Aftësitë e Hoxhës për të mbajtur topin dhe për të shkatërruar aksionet e kundërshtarit e kanë bërë atë një lojtar të çmuar për kombëtaren.
Ky fleksibilitet është i domosdoshëm për Kosovën, sidomos në ndeshjet që kërkojnë strategji të ndryshme ndaj kundërshtarëve të fortë si Zvicra dhe Suedia.
Me përzgjedhësin Franco Foda në krye, ardhjet e reja dhe tifozët në tribunë, Kosova duket më e përgatitur dhe më konkurruese se kurrë në histori për të arritur objektivin e saj: të sigurojë pjesëmarrjen në Botërorin e 2026-ës./Telegrafi/
Megjithatë, ylli shqiptar i cili mban fanellën e Zvicrës, Xhaka, nuk u prit edhe aq ngrohtë nga një grup i tifozëve në stadium, të cilët vendosen ta vërshëllejnë pas çdo prekje të topit.
E gjithë kjo vjen pas disa deklaratave të mesfushorit të Sunderland kundrejt Albian Hajdarit dhe Leon Avdullahut, të cilët lanë fanellën e Zvicrës për të përfaqësuar Kosovën.
Por, ishte pikërisht Hajdari, i cili i doli në mbrojtje pas ndeshjes, duke postuar një fotografi së bashku me Xhakën dhe Avdullahun, me një mbishkrim: “Ne jemi një”.
Kjo fotografi u shpërnda edhe nga Avdullahu, duke treguar që edhe mesfushori e përkrah dhe nuk iu ka mbetur aspak hatëri nga deklaratat e bëra.
Fotografia u rishpërnda edhe nga vetë Xhaka. /Telegrafi/
Kombëtarja e Kosovës ka pasur një paraqitje mbresëlënëse në fazën e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 me një epilog prej tri fitoresh, dy barazimesh dhe një humbje, duke siguruar vendin e dytë në Grupin B dhe një vend në ‘play-off’.
Në këto ndeshje, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda demonstroi konsistencë dhe karakter, sidomos në sfidat me Suedinë dhe Slloveninë.
Dy nga momentet kyçe ishin fitorja 1-0 në udhëtim te Suedia falë golit të Fisnik Asllanit dhe 2-0 si mysafire ndaj Sllovenisë, në të cilën Fisnik Asllani shënoi në minutën e 6-të, ndërsa goli i dytë erdhi nga një autogol i mbrojtësit slloven, Zan Karnicnik, në minutën e 64-të.
Po ashtu, Kosova mposhti Suedinë me rezultat 2-0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku golat u shënuan nga Elvis Rexhbeçaj (26’) dhe Vedat Muriqi (42’), ky i fundit në një kundërsulm perfekt të ndërtuar së bashku me Albion Rrahmanin.
Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme, pasi vendosi Kosovën në rrugën drejt ‘play-off’-it.
Nga ana tjetër, humbja e vetme erdhi në përballjen me Zvicrën - një kundërshtar i fortë në grup - duke treguar se Kosova ka ende punë për t’u afruar me nivelet e ekipeve kryesuese. Megjithatë, diferenca e golave nuk e pengoi atë të arrijë vendin e dytë dhe të sigurojë fazën ‘play-off’.
Përfundimisht, Fisnik Asllani ishte ‘ndriçuesi’ në sulm, me golin e tij vendimtar në Suedi, por edhe njërin gol në Slloveni, ndërsa Vedat Muriqi vazhdon të jetë figura kryesore dhe motori në fazën ofensive.
Një tjetër lojtar që la mbresa në këto kualifikuese padyshim se ishte edhe mbrojtësi i majtë Dion Gallapeni, por pa harruar edhe Lumbardh Dellovën, Arijanet Muricin dhe Florent Muslijan, të cilët ishin tre lojtarët me notën më të mirë mesatare në këto kualifikuese.
Shkëlqim dhe rritje niveli të skuadrës ofruan edhe dy prurjet e reja, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, të cilët ofruan siguri me performancat prej yjesh.
Falë këtyre paraqitjeve, Kosova shkel hap pas hapi drejt ëndrrës së pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2206 - për herë të parë në histori. /Telegrafi/
Hoffenheimi ka vendosur t’i tregojë mbështetjen e tij të veçantë talentëve dardanë që bëjnë pjesë në skuadrën e tij, duke u uruar atyre fat në ndeshjen e sotme ndaj Zvicrës.
Klubi gjerman publikoi një mesazh në rrjetin social Facebook ku përmendte lojtarët Fisnik Asllani, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu, duke i motivuar për paraqitjen e tyre me kombëtaren e Kosovës.
Megjithatë, dy prej tyre, Hajdari dhe Avdullahu, nuk do të jenë të pranishëm në fushë për këtë takim.
Selektori i Kosovës, Franco Foda, ka vendosur të mos i përfshijë në listën e lojtarëve, për shkak të rrezikut të një suspendimi, duke i lënë jashtë për të ruajtur lojtarët nga ndëshkimi potencial.
Pavarësisht kësaj, Hoffenheimi nuk i ka harruar dhe ka dashur të shprehë mbështetje morale për ta.
“Fat të mbarë, djema,” shkruante në postimin e klubit, duke treguar kështu përkujdesjen e veçantë për lojtarët e tyre./Telegrafi/
Ekipi i kombëtares së Kosovës ka një vlerë thuajse dyfish më të vogël se ekipi i kombëtares së Zvicrës, para përballjes së sotme (e martë) në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Dardanët janë nikoqir të Helvetikëve në ndeshjen e fundit të Grupit B, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës, në ndeshjen e cila pritet të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45.
Por, si qëndron situata e vlerës së dy ekipeve kombëtare para kësaj ndeshje?
Telegrafi ka marrë në faqen e specializuar Transfermarkt vlerat e të dyja kombëtareve dhe ka bërë krahasimin mes tyre dhe lojtarëve të tyre.
Ekipi kombëtar i Kosovës ka një vlerë totale prej 131.38 milionë euro, ndërsa ai i Zvicrës ka një vlerë prej 240.40 milionë eurosh.
Dallimi mes dy kombëtareve qëndron se Helvetikët kanë dy futbollistë që vlejnë nga 40 milionë euro, si Dan Ndoye dhe Gregor Kobel.
Helvetikët gjithashtu kanë emra tjerë të vlerë të lartë në treg si Manuel Akanji me 22 milionë euro, Johan Manzambi me vlerë 15 milionë euro dhe Granit Xhaka e Breel Embolo me nga 12 milionë euro.
Në anën tjetër, te Kosova lojtari më vlerën më të lartë është Edon Zhegrova, i cili në treg vlerësohet me 25 milionë euro.
Lojtarët tjerë me vlerën më të lartë te Dardanët janë Fisnik Asllani me 18 milionë euro dhe Amir Rrahmani, Albian Hajdari dhe Leon Avdullahu me vlerë prej 12 milionë euro secili.
Kosova renditet e 84-ta në ranglistën e kombëtarëve të FIFA-s, teksa Zvicra renditet e 17-ta.
Vlen të theksohet se Zvicra ka 13 pikë në vendin e parë në grup, ndërsa Kosova 10 pikë. /Telegrafi/
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka zgjedhur 23 futbollistët që do të jenë në protokoll për ndeshjen e sotme (e martë) ndaj Zvicrës.
Dardanët janë nikoqir të Helvetikëve në takimin e fundit të Grupit B, i cili pritet të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:45.
Ekipi i Fodas ka mundësi kualifikimi nëse fiton me rezultat të thellë 6-0, por një gjë duket e pamundur së paku në letër.
Kështu, trajneri gjerman ka vendosur t’i “ruajë” disa futbollistë që rrezikojnë të ndëshkohet me karton të verdhë dhe të mungojnë në ndeshjet e ‘play-off’-it.
Sipas përditësimit të fundit nga faqja zyrtare e UEFA-s, dy yjet titullarë si Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari nuk janë në listën e ndeshjes ndaj Zvicrës dhe arsyeja e vetme është që rrezikojnë të mungojnë nëse marrin edhe një karton.
Në vend të këtyre dy lojtarëve në listë janë rikthyer Lindon Emërllahu dhe Baton Zabërgja, të cilët nuk ishin në ndeshjen ndaj Sllovenisë.
Përveç Avdullahut dhe Hajdarit, edhe tre tjerë nuk janë pjesë e listës. Faton Maloku ia lë vendin Arijanet Muricit të rikthyer nga suspendimi, teksa Leard Sadriu dhe Meriton Korenica mbesin në tribunë edhe për këtë ndeshje. /Telegrafi/
Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë përballjen e vështirë ndaj Zvicrës në shtëpi të martën, në kuadër të ndeshjes së fundit kualifikuese për Kupën e Botës.
“Dardanët” e kanë siguruar tashmë vendin për play-offin e Botërorit, mirëpo mund të kualifikohen direkt nëse ndodhë ndonjë mrekulli, pra një fitore me gjashtë gola diferencë.
Sidoqoftë, përzgjedhësi Franco Foda duhet të ketë kujdes pasi mund të mbetet pa disa nga yjet kryesorë në play-off, meqenëse katër lojtarë kanë nga një karton të verdhë në këto kualifikuese dhe nëse ‘zverdhën’ nesër atëherë do ta humbasin së paku gjysmëfinalen.
Bëhet fjalë për dy qendërmbrojtësit Lumbardh Dellova dhe Albian Hajdari, si dhe mesfushorët Muharrem Jashari dhe Leon Avdullahu.
Franco Foda
Dellova u ndëshkua me karton të verdhë ndaj Sllovenisë, kurse Albian Hajdari gjatë fitores 0-1 te Suedia. Avdullahu e ka kartonin e verdhë në barazimin 0-0 të Sllovenisë, derisa Jashari në triumfin 2-0 kundër suedezëve në Prishtinë.
Tre nga këta katër yje luajnë titullarë në formacionin e Franco Fodas, prandaj nëse ndodhë më e keqja, atëherë do të jenë mungesë jashtëzakonisht e madhe për “Dardanët”.
Faktikisht edhe Foda po e konsideron ndryshimin e formacionit fitues shkaku i kësaj situate.
“Sot e kemi seancën stërvitore, do të flas me disa lojtarë dhe ndoshta do të kemi disa ndryshime në formacion”, kishte deklaruar Foda.
Përndryshe, mbetet të shihet në çfarë mënyrë do t’i qaset Kosova përballjes me Zvicrën./Telegrafi/
Klubi gjerman Hoffenheim ka uruar Kosovën që siguroi play-offin e Kampionatit Botëror 2026.
Skuadra gjermane përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” ka publikuar një foto të lojtarëve të Kosovës, ku në qendër janë tre yjet e tyre si Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari.
Ndër të tjera ata përmenden edhe golin e Asllanit, i cili zhbllokoi rezultatin të shtunën mbrëma.
“Ëndrra e Kupës së Botës së tyre po vazhdon”.
“Fis, Leon dhe Albi siguruan biletën për në play-offin e Kupës së Botës. Numri 11 i ynë e nisi këtë fitore me gol për ta bërë rezultatin 1-0 ndaj Sllovenisë”, shkroi ndër të tjera klubi gjerman.
Kjo nuk është hera e parë që Hoffenheim uron Kosovën, me paraqitjet e lojtarëve të tyre që nuk kanë zhgënjyer prej kur i janë bashkuar “Dardanëve”.
Kujtojmë, Kosova do të përballet me Zvicrën në Prishtinë të martën me fillim prej orës 20:45, ndërsa nëse nuk arrijnë një mrekulli – shortin për Kupën e Botës do ta mësojnë të premten./Telegrafi/
Mesfushori Leon Avdullahu thotë se Kosova ende nuk ka arritur aty ku synon, ndërsa e vlerësoi si historike pjesëmarrjen në play-offin e Kampionatit Botëror 2026.
Avdullahu ndër të tjera refuzoi të komentojë deklaratat e Granit Xhakës, të cilit vetëm i uroi suksese.
Në një intervistë për Telegrafin pas ndeshjes, ai qëndroi me këmbë në tokë – ku ndër të tjera shtoi se do të japin 100 për qind në secilën ndeshje.
“Kam ardhur për Kosovën me luajtur sepse jam shqiptar, por paraqitja është e tërë ekipit”.
“Është arritje shumë e madhe, historike. Por ende nuk kemi arritur aty ku duam të arrijmë. Kemi forcë dhe këtë e kemi dëshmuar, por besoj se do të japim 100 për qind si në grupe”.
I pyetur për Zvicrën dhe Granit Xhakën, Avdullahu shtoi se duhet revansh ndaj “Helvetikëve” për ndeshjen e parë.
“Loja e parë nuk u kanë më e mirë ndaj Zvicrës, e duhet me ua kthy edhe atyre diçka. Xhaka? S’kam ndonjë koment, veç i uroj suksese”.
Kujtojmë, përballja mes Zvicrës dhe Kosovës zhvillohet të martën me fillim prej orës 20:45 në “Fadil Vokrri”./Telegrafi/
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka ndarë tashmë mendjen për formacionin që do ta vendos për ndeshjen e sotme (e shtunë) ndaj Sllovenisë, në kuadër të kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Kosova do të luajë si mysafir i Sllovenisë në ndeshjen e parafundit të Grupit B, e cila pritet të zhvillohet në stadiumin “Stozice” të Lubjanës me fillim nga ora 20:45.
Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja kombëtaret, por sidomos për Kosovën, e cila me një barazim siguron pozitën e dytë apo ‘play-off’-in për kualifikim në Kampionatin Botëror.
Kështu, trajneri gjerman, Foda, ka vendosur tashmë për formacionin që pritet të luajë në ndeshjen jetike ndaj Sllovenisë.
Sipas burimeve të Telegrafit, Foda do të vazhdojë t’i besojë rreshtimit 3-5-2, i cili në mbrojtje transformohet në 5-3-2, ku pjesë e tij do të jenë disa ndryshime të domosdoshme.
Ndryshimi i parë do të jetë në portë, ku Amir Saipi do ta marrë vendin e Arijanet Muric, i cili mungon shkaku i kartonëve.
Kapiteni Amir Rrahmani pritet të kthehet në ekip pas lëndimit dhe do të marr vendin e tij nga minuta e parë.
Përveç Rrahmanit, në treshen e mbrojtjes pritet të luajnë edhe Albian Hajdari dhe Lumbardh Dellova, i cili shihet si i favorizuar ndaj Fidan Alitit, ndërsa krahët do t’i mbulojnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni.
Mesfusha do të përbëhet nga Leon Avdullahu, Elvis Rexhbeçaj dhe Florent Muslija, teksa në sulm dyshja Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani.
Milot Rashica dhe Edon Zhegrova pritet të marrin minutat e tyre gjatë pjesës së dytë. /Telegrafi/
Dyshja e Hoffenheimit Leon Avdullahu e Albian Hajdari në në intervsitë të gjatë për “Blick” kanë konfirmuar se pavarësisht gjithçka që do të bënte Federata Zvicerane nuk do t’ua ndryshonte mendjen për ta përfaqësuar Kosovën.
Brenda dy muajve, Zvicra humbi dy “top talenta” me Avdullahun që fillimisht zgjodhi Kosovën, e pastaj edhe Hajdari ndjeku rrugën e tij.
Të dy u pyetën nga “Blick” se çfarë duhej të bënte Zvicra për t’ua ndryshuar mendjen, por përgjigja ishte e qartë.
“Asgjë”, konfirmoi shkurtimisht Avdullahu, ndërsa Hajdari deklaroi: “Ndoshta 50 paraqitje për Zvicrën do të ishin reale për mua, por te Kosova mund të kontriboujmë diçka. Mund të ndihmojmë të ndërtojmë diçka të madhe në këtë shtet të ri. Vendimi ynë gjithashtu mund t’i inspirojë të gjithë kosovarët: Bëhuni të guximshëm dhe merreni hapin. Leoni dhe unë e morëm këtë vendim dhe ndihemi mirë”.
Megjithatë, të dy qëndruan me këmbë në tokë kur u pyetën për ndikimin që kanë pasur te Kosova.
Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari
“Statusi legjendar mund të vjen më shpejt, apo jo? (bën shaka). Jo. Nuk kemi futuar asgjë dhe nuk varemi vetëm nga ne të dy, por e tërë skuadra. Diçka po përparohet te Kosova, mund ta ndjeni”, tha Hajdari.
“Sigurisht, po kalkulojmë se si mund të ndodhë. Pritjet dhe euforia në shtet janë të çmendura. Edhe nëse përfundojmë në pozitën e dytë dhe arrijmë në play-off, mund të konsiderohet arritje”, shtoi Avdullahu.
Hajdari ndër të tjera shtoi se po e pret me dëshirë të madhe përballjen ndaj Zvicrës.
“Fillimisht me rëndësi e kemi ndeshjen ndaj Sllovenisë, që na duhet për vendin e dytë. Pastaj Zvicra duhet të lëshojë pikë për të ndodhur skenari. Shumë opsione. Sidoqoftë, do të jetë lojë e veçantë për ne ndaj Zvicrës”./Telegrafi/
Hoffenheim ka regjistruar fitoren e radhës në Bundesliga, këtë herë në shtëpi ndaj RB Leipzigut.
Si zakonisht protagonist ishin yjet e Kosovës, ku Albian Hajdari ia bëri sefte me gol në kampionatin gjerman, ndërsa Fisnik Asllani dhuroi asist. Përpos tyre titullar ishte edhe Leon Avdullahu.
Hajdari u përkujdes për të barazuar rezultatin pasi mysafirët kishin kaluar në epërsi, duke përfituar nga një asistim i Burger dhe shënoi me lehtësi në portën e zbrazur (20’).
Asllani u inkuadrua vetëm në minutën e 67-të, por menjëherë la gjurmë. Ai asistoi për mrekulli te Promel që vulosi fitoren e Hoffenheim.
Vlen të ceket se qendërsulmuesi shënoi edhe një tjetër gol, megjithatë iu anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Hoffenheim kësisoj renditet në pozitën e pestë në tabelë me 19 pikë, tre më pak se Leipzig që zë vendin e dytë në tabelë.
Të tre lojtarët tanë tani do të udhëtojnë për në Kosovë, për të përfaqësuar fanellën dardane në sfidat vendimtare kundër Sllovenisë dhe Zvicrës, në kuadër të Kampionatit Botëror./Telegrafi/
Edhe pse TSG Hoffenheim ndodhet në një pozitë të shkëlqyer të gjashtë në Bundesligë pas nëntë xhirove, pas skenave klubit i ka shpërthyer një krizë e madhe brenda strukturave drejtuese. Një luftë për pushtet po zhvillohet dhe kërcënon të destabilizojë të gjithë organizatën.
Drama u intensifikua të hënën mbrëma, kur dy drejtorët, Markus Schutz (60) dhe Frank Briel (50), u njoftuan se ishin shkarkuar. Të dy tashmë kanë lënë zyrat e tyre, ndërsa një njoftim zyrtar për shtyp është përgatitur dhe një takim me punonjësit ishte planifikuar, por më pas u anulua në minutën e fundit.
Vendimi për shkarkim u mor nga aksionarët Dietmar Hopp (85) dhe presidenti i klubit, Jorg Albrecht (57).
Sipas mediave gjermane, vetëm Hopp nënshkroi shkarkimin, pasi dy drejtorët kundërshtuan auditimin e biznesit që ai kërkoi, duke çuar situatën në një bllokim të plotë dhe duke e quajtur Hoffenheim "një klub të rrënuar të Bundesligës", ku kaosi ka mbretëruar ditët e fundit.
Schutz dhe Briel nuk i besonin firmës ligjore të përzgjedhur për auditimin, ndërsa presidenti Albrecht synonte të bisedonte fillimisht me drejtorët përpara se të nënshkruante. Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte largimi i dy drejtorëve në mënyrë vullnetare, ndërsa Hopp do të hiqte dorë nga kërcënimi për auditim.
Pasardhësi i mundshëm i drejtorit sportiv
Situata ndërlikohet edhe më shumë nga e ardhmja e pasigurt e drejtorit sportiv, Andreas Schicker (39), për të cilin RB Salzburg dhe Jurgen Klopp kanë shfaqur interes serioz.
Klubit i mbetet ende të vendosë nëse ai do të qëndrojë apo do të largohet, ndërsa tashmë është kontaktuar Jonas Boldt, ish-drejtori sportiv i Hamburgut, si pasardhës i mundshëm.
Boldt ka përvojë të gjerë në Bundesliga, ku ka punuar te Bayer Leverkusen dhe HSV, dhe njohja e tij e mirë e rajonit Rhein-Neckar e bën atë një kandidat ideal për të rimarrë kontrollin mbi politikën sportive të klubit.
Fraksioni rreth Dietmar Hopp dhe trajnerit me ndikim Roger Wittmann duket se ka një vizion të qartë: të rikthejë kontrollin e plotë mbi drejtimin sportiv të Hoffenheim, duke vendosur Boldt në krye të drejtorisë sportive.
Stabilitet në fushë, paraqitje të shkëlqyera nga lojtarët shqiptarë
Edhe pse kaosi administrativ është i dukshëm, skuadra e parë po tregon stabilitet dhe performancë të lartë në fushë. Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari janë bërë pjesë e rëndësishme e ekipit startues dhe kanë treguar paraqitje të shkëlqyera deri më tani në Bundesligë, duke fituar besimin e trajnerit dhe duke kontribuar në rezultatet pozitive të klubit.
Në ambientet e klubit në Zuzenhausen, e marta kaloi në heshtje dhe pa konfirmim zyrtar për shkarkimet e drejtorëve. Takimi i planifikuar me punonjësit u anulua në minutën e fundit, duke lënë të pasigurt se çfarë vendimesh do të merren përfundimisht dhe kush do të mbajë pozicionet e tyre në ditët e ardhshme.
Ndërkohë, tifozët dhe mediat mbeten të shqetësuar për situatën brenda klubit, ndërsa në fushë Hoffenheim vazhdon të demonstrojë aftësitë dhe potencialin e tij me skuadrën e rinjve dhe yjet e rinj shqiptarë që po bëhen një pjesë thelbësore e ekipit. /Telegrafi/
Pas përfundimit të angazhimeve me Kombëtaren e Kosovës në tetor, Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari janë rikthyer në Gjermani për t’u bashkuar me klubin e tyre TSG Hoffenheim, të mbushur me vetëbesim dhe moral të lartë.
Të tre futbollistët ishin pjesë e formacionit që shkroi histori në Goteborg, ku Kosova mposhti Suedinë me rezultat 0-1. Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi pikërisht Fisnik Asllani, i cili vulosi një nga fitoret më të mëdha të Dardanëve në arenën ndërkombëtare.
Në atë takim, Asllani, Avdullahu dhe Hajdari ishin titullarë, duke dhënë kontribut të madh në suksesin historik.
Në ndeshjen e parë të muajit tetor, barazimin ndaj Sllovenisë (0-0) në “Fadil Vokrri”, trajneri Franco Foda aktivizoi Albian Hajdarin dhe Leon Avdullahun nga minuta e parë, ndërsa Asllani u inkuadrua në pjesën e dytë për të freskuar repartin ofensivë.
Pas këtyre dy paraqitjeve fantastike me fanellën e Kosovës, treshja e Hoffenheimit tashmë është kthyer në stërvitje me klubin gjerman, ku janë figurat kryesore e skuadrës nga Bundesliga.
Kjo treshe dardane pritet të jetë titullare për Hoffenheim në sfidën ndaj St Paulit në fundjavë. /Telegrafi/
Futbollistët kosovarë kanë ndikim të madh në botë dhe ata kështu po e përfaqësojnë edhe shtetin tonë.
Pas fitores të madhe 0-1 të Kosovës ndaj Suedisë, Hoffenheim ka publikuar në rrjetet sociale fotot e tre futbollistëve kosovarë që luajtën nga minuta e parë: Albian Hajdari, Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu.
“Krenar me juve Albi, Leon dhe Fis”, shkroi Hoffenheim, duke treguar vlerësimin dhe mbështetjen e klubit për paraqitjen e tyre.
Ky mesazh nënvizon ndikimin e lojtarëve kosovarë në Bundesliga, si dhe rolin e tyre vendimtar në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Vëmendja që Hoffenheim u ka kushtuar futbollistëve tregon se Dardanët po bëhen gjithnjë e më me ndikim në klub dhe në skenën evropiane. /Telegrafi/