Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Inteligjenca evropiane: Putini nuk synon paqe me Ukrainën, tenton të mashtrojë SHBA-në

Presidenti rus, Vladimir Putini, nuk e ka as dëshirën e as vullnetin ta ndalë luftën në Ukrainën fqinje dhe beson se  mund t’i “mashtrojë” Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë bisedimeve në Washington për përfundimin e luftës, ka deklaruar një zyrtar i Inteligjencës Evropiane.

Kaupo Rosin, drejtor i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Estonisë, ka thënë se Moska po përpiqet  të fitojë kohë në bisedimet  me SHBA-në dhe se “nuk ka absolutisht asnjë diskutim për bashkëpunim real apo domethënës me Shtetet e Bashkuara”.,

Rosin i ka bërë këto deklarata gjatë një konference online me gazetarë, përpara publikimit të raportit vjetor të sigurisë së Estonisë.

Ai ka thënë se vlerësimet bazohen në informacione të mbledhura nga inteligjenca estoneze nga “diskutime të brendshme ruse”, pa dhënë detaje se si janë siguruar këto të dhëna.

Raporti estonez vlerëson se Rusia ka pak gjasa të sulmojë NATO-n gjatë këtij viti ose viti e ardhshëm, por paralajmëron se Moska mbetet e rrezikshme, pasi po përpiqet të forcojë kapacitetet e saj ushtarake.

Zyrtarët rusë kanë këmbëngulur publikisht se dëshirojnë një marrëveshje të negociuar, por sipas raportit tregojnë pak gatishmëri për kompromis dhe mbeten të palëkundur në kërkesat e tyre.

“Dimri i kriptomonedhave”/ Eksperti rendit arsyet që kanë çuar Bitcoin në pikiatë: Trump, skandali Epstein…

“Dimri i kriptomonedhave” po thellohet, ndërsa Bitcoin vijon rënien e ndjeshme në tregjet globale.

Eksperti i kriptomonedhave, Shahin Dokuzi, i ftuar në “Money Report” në ABC News, renditi një sërë faktorësh politikë, ekonomikë dhe psikologjikë që kanë ndikuar në humbjen e besueshmërisë dhe luhatjet e forta të tregut.

Sipas tij, ndërhyrjet politike, spekulimet, normat e interesit, si edhe zhvillimet ndërkombëtare, po e shtyjnë kriptomonedhën më të madhe në një pikiatë që pritet të vijojë edhe në periudhën në vijim.

“Vetë presidenti Trump ka bërë dëmin më të madh me kriptomonedhën e tij. Uli besueshmërinë. Që me ardhjen e pushtetin e tij dhe bleu të gjithë kriptomonedhat, 80 fishoi pasurinë e tij brenda pak ditësh dhe dëmtoi qindra qytetarë. Ka qenë një lojë e Trump për zgjedhjet presidenciale. Faktorë të tjerë, të gjithë e dimë që valutat nuk kanë një treg të saktë, ecin me spekulime.

Kemi normalisht edhe normat e interesit, duan që të investojnë në normat e interesit dhe jo në bitcoin. Një ndikim kanë pasur edhe efektet psikologjike. Dosja “Epstein” është një tjetër faktor që po ndikon në luhatjen e kriptomonedhave. Kina është përgatitur që të nxjerrë një tjetër monedhë, që synon të zëvendësojë dollarin amerikan.

Nëse të gjitha monedhat e tjera mund të zhduken, Bitcoin është shumë e vështirë që të zhduket, është një nga monedhat më të qëndrueshme në treg. Do të ishte një kaos shumë i frikshëm që mund të shkaktohej në tregje. Mund të kemi një rënie në vazhdim”, tha Dokuzi.

Përkeqësohet globalisht perceptimi për korrupsionin/ TI: Shqipëria humb tre pikë në vlerësimin për vitin 2025

Perceptimi për nivelin e korrupsionit në botë ka pësuar përkeqësim gjatë vitit 2025. Transparency International ka publikuar raportin për vitin 2025 ku rezulton se edhe Shqipëria ka pësuar përkeqësim dhe vlerësohet me  39 pikë në raportin e vitit 2025 nga 42 që ishte një vit më parë, duke humbur 3 pikë dhe si rezultat ka rënë me 11 vende në renditjen globale

Por Indeksi vjetor tregon se numri i vendeve që marrin mbi 80 pikë është tkurrur nga 12 një dekadë më parë në vetëm pesë këtë vit.

Në raportin e Transparency International  vlerësimi me pikë i një shteti tregon nivelin e korrupsionit të perceptuar në sektorin publik ndërsa renditja e një shteti në indeks tregon pozicionin e tij krahasuar me vendet e tjera.

Bitcoin në pikiatë/ Zbret poshtë 701 mijë dollar, niveli më i ulët në 16 muaj

Bitcoin ka rënë në nivelin më të ulët në 16 muaj, pavarësisht mbështetjes personale dhe publike të presidentit amerikan Donald Trump. Aktualisht çmimi i bitcoin llogaritet në 69 mijë dollarë, duke rekuperuar lehtë humbjet e ditëve të fundit. Javën e kaluar monedha virtuale ra në 60 mijë dollarë, niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2024. Me rënien e javës së kaluar, çmimet e Bitcoin u tkurrën me 32%.

Rënia erdhi pas disa muajsh rritje të fortë të çmimit të Bitcoin, të cilat e bënë kriptovalutën të arrinte nivelin më të lartë prej 122 mijë dollarë në tetor të vitit të kaluar.

Analistë të Deutche Bank e lidhin rënien drastike të bitcoin me emërimin e Kevin Warsh si kryetari i ri i Rezervës Federale. Investitorët sipas tyre mendojnë se ai mund të ndjekë një qasje të ashpër duke i mbajtur normat e interesit të larta, ndërsa politika monetare lehtësuese mbështet përgjithësisht investimet në asetet virtuale.

Po ashtu, ndikim sipas tyre kanë dhënë edhe humbja e interesit nga investitorët tradicionalë dhe një pesimizëm I përgjithshëm lidhur me asetet virtuale.

Në 2025 investitorët u inkurajuan nga përfshirja e presidentit Trump në sektor, nga mbështetja e tij për monedhat virtuale dhe premtimet për të rregulluar legjislacionin për zhvillimin e tregut.

Një ndër veprimet e para të Trump pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë ishte një urdhër ekzekutiv që synonte ta bënte SHBA kryeqytetin e kriptovalutave. Më pas, ai linçoi edhe kriptomonedhën e tij çka i dha një shtysë edhe më të madhe tregut asokohe, por rritja mesa duket do të ishte e përkohshme.

Kreditë me probleme, niveli më i ulët historik/ BSH: Në dhjetor zbritën në 3.8%

Kreditë që nuk shlyhen në kohe ose  huatë e këqija kanë arritur në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë gjatë  dhjetorit niveli i kredive të këqija rezultoi  3.8% nga  4.2% që u regjistrua një vit më parë në të njëjtën periudhë. Por përmirësimi duket edhe në raportin e kredive me probleme me bazë vjetore. Ndërkohë që në vlerë huatë me probleme rezultojnë se janë  358 milionë euro kredi me probleme.

Nëse vërejmë të njëjtën periudhë të disa viteve më parë përmirësimi  i huave me probleme është i ndjeshëm.

Ky është një tregues mjaft optimist i cili konfirmon se aftësia paguese e qytetareve dhe e bizneseve është përmirësuar në vend. Po ashtu ndikim në këtë drejtim ka pasur edhe rritja e nivelit të punësimit por edhe e pagave.

Qëndrueshmëria e  nivelit të kredive e me probleme është një sinjal pozitiv për sistemin bankar dhe përmirësimin e  gjendjes financiare të huamarrësve.

Tashmë norma e interesit  në lekë është pozicionuar në nivelin 2.50% si një masë për të stabilizuar çmimet e konsumit por njëkohësisht  kjo ka  ulur  edhe kostot për qytetarët dhe bizneset që kanë një kredi në monedhën kombëtare. Kjo nënkupton që këstet e kredive të reja do të jenë më të lira se ato që janë aprovuar aktualisht.

Ndikim në përmirësimin e bilancit të bankave ka dhënë edhe rritja e ndjeshme e kredidhënies. sipas të dhënave të bankës së Shqipërisë vërehet se portofoli total i kredive në fund të vitit 2025 ka arritur rekord duke tejkaluar të gjitha periudhat e njëjta përgjatë viteve të kaluara. Në total  portofoli i kredisë rezultoi se ishte  943.4 miliardë lekë.

Zjarret, nisin dëmshpërblimet/ Gramsh, shpërndahet gjysma e fondit prej 86.6 milionë lekësh

Pasi qeveria alokoi fondin e dëmshpërblimeve për banesat dhe objektet që u prekën nga zjarret e verës, bashkia e Gramshit ka nisur me shpërndarjen e dëmshpërblimeve.

Skëndërbegasi ishte njësia administrative më e goditur nga flakët, ndërsa aktualisht banorët kanë përfituar gjysmën e shumës së alokuar. Nga 86.6 milionë lekë që përfiton bashkia, dëri më tani është shpërndarë 50 përqind e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjatë zjarreve të verës, bashkia e këtij qyteti ofroi strehim të përkohshëm për familjet e prekura dhe masa të tjera emergjence.

Nga fondi i qeverisë shqiptare prej 345 milionë lekësh, përfituesja më e madhe është Kruja, pasuar nga Gramshi e Finiqi.

“Dështimi i reformës bashkon shqiptarët”/ Nura: Është kuptuar mosfunksionimi i drejtësisë. SPAK nuk mund të jetë partiak

Analisti politik Artur Nura, i ftuar në emisionin “News Line” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë dhe ndikimin e tyre në skenën politike shqiptare. Sipas Nurës, rezultatet dhe vendimet e fundit tregojnë se opinioni publik ka nisur të kuptojë mosfunksionimin e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë në vend, i cili, sipas tij, ka marrë një rol politik duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve.

Ai theksoi se kjo situatë ka ndikuar më shumë në opozitë dhe partitë e reja, ndërsa ngriti shqetësime për rolin e SPAK, përgjegjësinë e shumicës dhe të ndërkombëtarëve në fuqizimin e tepruar të prokurorisë, si edhe për perceptimin në rritje të dështimit të reformës në drejtësi dhe të Gjykatës Kushtetuese.

“Rezultatet tregojnë që opinioni e ka kuptuar mos funksionimin e institucionit më të rëndësishëm të drejtësisë në Shqipëri. E cila duhet të ndante shapin nga sheqeri, sepse diskutohet demokracia. Ky ishte edhe qëllimi kryesor i kryeministrit, që ishte ndarja e pushteteve. E kemi bërë Shqipërinë si një Republikë prokurorësh dhe kjo është shumë e rëndësishme. Kjo nuk e ka penalizuar mazhorancën, por më shumë për opozitën dhe partitë e reja. SPAK është bërë “partia” më e votuar që ka pasur mbështetjen më të madhe dhe kjo ka filluar të marrë një rrjedhë tjetër, ka filluar të marrë një rol politik dhe kjo është papërgjegjshmëri.

SPAK nuk mund të jetë partiak, duhet të jetë i besueshëm. Berisha ka shantazhuar Kushtetuesen drejtpërdrejt. Të gjitha këto entuziazmi të pakontrolluara ka dhënë një lloj kolori partiak. Vendimi ka vënë kapakun kësaj situate, por perceptimi për sistemin e drejtësisë ka filluar që të kthjellohet. Kushtetuesja ka dështuar, reformat nuk janë bërë ashtu siç duhet. E dyta është edhe përgjegjësi e ndërkombëtare, sepse me mbështetjen e ndërkombëtare një prokuror i zakonshëm merr një të tillë fuqi, saqë pezullon një anëtarë të kabinetit. Kërkojnë rritje pagash që janë ekstravagante. Kjo është një përgjegjësi që edhe ndërkombëtarët duhet që ta marrin përsipër. Përgjegjësia e parë është e shumicës edhe të këtyre financimeve të tepërta. Strategjia e Berishës është e mbështetur tek puna e SPAK”, tha Nura.

Gjermania do të porosisë dronë sulmues me vlerë mbi 500 milionë euro

Qeveria gjermane planifikon të porosisë dronë sulmues me vlerë 536 milionë euro (638 milionë dollarë) nga startup-et gjermane Helsing dhe Stark Defense.

Dhe këto porosi, thuhet se janë pjesë e një shtytjeje për riarmatim pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Kontratat për municione – dronë që qëndrojnë pezull mbi një zonë të mundshme sulmi përpara se të fluturojnë drejt objektivave – janë pjesë e një marrëveshjeje më të madhe kornizë me vlerë 4.3 miliardë euro.

Kontratat, pritet gjerësisht të miratohen nga komiteti i buxhetit të dhomës së ulët të parlamentit.

Ato u raportuan për herë të parë nga revista Spiegel.

Dronët fillimisht synojnë të mbështesin Brigadën e 45-të të Tankeve të Gjermanisë, e cila është e vendosur në Lituani.

Sipas dokumenteve, kontratat me dy kompanitë do të kenë një afat prej shtatë vjetësh dhe grupi fillestar është planifikuar të dorëzohet deri në fillim të vitit 2027.

“Luftë diplomatike” në Olimpiadë/  Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ndalon helmetën e atletit ukrainas

Vladyslav Heraskevych, atleti ukrainas i skeleton dhe flamur mbajtësi i vendit të tij në “Milano-Cortina 2026”, e gjen veten në qendër të një polemike të nxehtë diplomatike dhe sportive. Kjo pasi Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i mohoi lejen për të garuar me një helmetë të veçantë. Atleti, I cili në Kampionatin Botëror 2025 mori vendin e katërt, fillimisht e kishte përdorur pajisjen gjatë seancave stërvitore në pistën olimpike, por mori një ndalim zyrtar kategorik të hënën në mbrëmje. Helmeta në fjalë nuk është thjesht një pajisje mbrojtëse, por një homazh vizual për kolegët dhe anëtarët e familjes olimpike ukrainase që humbën jetën gjatë pushtimit rus. Ndër fytyrat e portretizuara në serigrafinë gri janë figura të tilla si patinatori artistik Dmytro Sharpar, i cili vdiq pranë Bakhmutit, dhe biatleti i ri 19-vjeçar Yevhen Malyshev, i vrarë pranë Kharkiv, si dhe boksieri Pavlo Ishchenko.

Sipas Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, helmeta e Heraskevych shkel nenin 50 që ndalon çdo lloj demonstrimi ose propagande politike, fetare ose racore brenda ambienteve olimpike. Sipas Komitetit, helmeta e shkel këtë rregull, pavarësisht se Heraskevych këmbëngul me bindje se ky nuk është një mesazh politik, por më tepër një akt nderi ndaj atletëve që nuk do të shkelin më kurrë në një arenë sportive.

Atleti shprehu trishtim të thellë, duke e quajtur vendimin zemërthyes dhe duke akuzuar IOC-në për tradhti të anëtarëve të lëvizjes Olimpike duke penguar nderimin e kujtimit të tyre. Çështja u përhap shpejt në radhët politike, duke arritur deri te Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e mbrojti flamurtarin e tij, duke lavdëruar iniciativën e tij. Zelensky përsëriti se shfaqja e portreteve të atletëve të vrarë nuk duhet të konsiderohet e turpshme ose e papërshtatshme, pasi përfaqëson të vërtetën rreth çmimit që po paguan Ukraina për lirinë e saj. Sipas presidentit, kujtimi i këtyre sakrificave është në përputhje me misionin historik të lëvizjes olimpike, e cila duhet të orientohet drejt paqes.

Leerdam, fitore dhe dashuri/ Skiatorja holandeze, sukses në 1000 metra në Lojërat Olimpike

Ishte e qartë se emocionet po I ndjente pak si shumë. Juta Lerdam nuk ishte favorite në pistën e akullit në Stadiumin e Patinazhit në Milano, ndonëse ëndrra e saj ishte që të fitonte medaljen e artë olimpike në Lojrat Dimërore që po zhvillohen në Itali.

Holandezja 29-vjeçare kishte si mbështetje në tribunë familjen, miq e shokë, por edhe të dashurin, që është Xhek Pol, një personazh i jutjubit dhe një boksier amator.

Ajo ia dha një shenjë amerikanit, përpara nisjes së garës, ndërsa rivalet kryesore ishin patriotja e saj, Femke Kok, lidere e Kupës së Botës, dhe japonezja Takagi, rekordmenia olimpike deri në këtë garë.

Ajo që ndodhi padyshim që ishte realizim i ëndrrës, përveçse edhe rekord olimpik.

Lerdam fitoi me kohën 1’12”31, ndërsa gara ishte e shkëlqyer pasi edhe Femke Kok e theu përpara saj rekordin olimpik.

Rekordi botëror i amerikanes Britani Boui mbeti për t’u thyer ndonjëherë tjetër, dhe është 70 të qindat më i shpejtë.

Lerdam festoi medaljen e saj, ndërsa i dashuri Xhek Pol lumturohej në tribunë, ndërsa Kok mbeti 28 të qindat prapa. Japonezja Takagi, ish-kampionia olimpike në Pekin katër vjet më parë doli e treta.

Në Kinë kishte mundur pikërisht holandezen Lerdam, e cila e mori revanshin e saj.

Japonia ngjitet në podium/ Aziatikët kanë më shumë medalje përveç Italisë vendase

Kush nuk e di sesa vend krenar ka qenë gjatë historisë.

Japonia sot mund të jetë disi e heshtur, ndryshe nga periudhat e kaluara, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të arrijë suksese të mëdha në sport.

Skuadra kombëtare japoneze po bën një figurë shumë të mirë në Lojrat Olimpike të Dimrit në Milano e Kortina d’Ampeco, dhe ka një numër kaq të madh medaljesh saqë ua kalon të gjithëve, me përjashtim të Italisë vendase.

Yje të tillë si Kokomo Murase dhe Kira Kimura janë shpallur kampionë olimpikë, dhe të dy në të njëjtën disiplinë, në snoubordin.

Murase ishte e fundit që ia doli duke lënë pas neozelandezen Sadovski-Sajnot dhe koreanojugoren Ju Seung-Eun.

Japonezja, kampione e botës në fuqi, dhe medaliste e bronzit në Olimpiadën e kaluar, nuk doli e para në kualifikuese, por gjatë garës finale e parakaloi dhe e la shumë prapa rivalen neozelandeze.

Kimura fitoi gjithashtu në snoubordin, veçse për meshkuj, duke ia dalë ndaj patriotit të tij, Rioma Kimata dhe kinezit Su Jiming.

Në moshën 21-vjeçare ai sapo e ka nisur rrugën e suksesit.

Argjendi tjetër japonez, përveç Kimatës, u fitua nga skuadra e baletit artistik në akull në garën ekipore.

Ishin 7 sportistë që u paraqitën në mënyrë të shkëlqyer, dhe u lanë prapa vetëm nga skuadra shumë e fortë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kishte në përbërje yllin Ilija Malinjin.

Në vend të tretë doli Italia, ekipi vendas.

Japonia mori medalje bronzi me Nozomi Marujamën në kërcim me ski nga trampolina për vajza, me Miho Takagin në 1000 metra rrëshqitje në akull dhe nga Ren Nikaido në kërcim me ski nga trampolina për djem.

Rama vlerëson paraqitjen e RENEA-s në “SWAT Challenge Dubai 2026”

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Njësia Elite RENEA po përfaqëson Shqipërinë në “SWAT Challenge Dubai 2026”, një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare të forcave speciale.

Për të pestin vit radhazi, Policia e Shtetit merr pjesë në këtë garë, ndërsa këtë vit RENEA konkurron me dy ekipe, RENEA “A” dhe RENEA “B”, duke demonstruar nivel të lartë profesionalizmi mes dhjetëra ekipeve nga rreth 50 shtete të botës.

“RENEA në elitën botërore të forcave speciale në “SWAT Challenge Dubai 2026”. Në Dubai po zhvillohet “SWAT Challenge Dubai 2026”, një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare të forcave speciale.

Për të pestin vit radhazi, Policia e Shtetit përfaqësohet nga Njësia Elite RENEA, e cila këtë vit konkurron me dy ekipe, RENEA “A” dhe RENEA “B”.

Në ditën e tretë të garave, ekipet e RENEA-s po demonstrojnë profesionalizëm të lartë në një garë ku marrin pjesë rreth 50 shtete me 109 ekipe nga e gjithë bota”, tha kryeministri Rama.

TTW: Pa diga dhe pa beton, Vjosa mbetet lumi i vetëm i egër për aventura në 2026

Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion kyç i ekoturizmit në Evropë falë Parkut Kombëtar të lumit të egër Vjosa, një nga mrekullitë natyrore më të rralla të kontinentit, shkruan faqja e njohur turistike travelandtourworld.it (TTW).

I shpallur park kombëtar në vitin 2023, ky territor i mbrojtur shtrihet në rreth 12 727 hektarë dhe mbron një pasuri unike: një lumë të madh që rrjedh plotësisht i lirë, pa diga apo ndërhyrje artificiale.

Një park unik në Evropë

Vjosa është parku i parë kombëtar në Evropë i dedikuar një lumi të egër. Lumi buron në Greqi dhe përshkon Shqipërinë për rreth 270 kilometra, duke krijuar një mozaik peizazhesh që përfshin male të ashpra, lugina të gjera, kanione mbresëlënëse dhe fusha aluviale.

Kjo liri natyrore e rrjedhës e bën Vjosën një laborator të gjallë ekologjik dhe një model referimi për ruajtjen e lumenjve në shkallë evropiane.

Biodiversitet i jashtëzakonshëm

Zona e parkut është shtëpi për mbi 1 100 specie bimore dhe shtazore, përfshirë shumë specie të rralla ose të rrezikuara.

Habitatet e ndryshme nga shtrati i lumit dhe zonat e lagështa deri te pyjet dhe shpatet malore krijojnë kushte ideale për zogjtë migrues, peshqit e ujërave të pastra dhe gjitarët e egër.

Vlera ekologjike e territorit ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe është vlerësuar si një pasuri me rëndësi globale për ruajtjen e natyrës.

Parku i aventurës për vitin 2026

Në vitin 2026, Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa pritet të jetë një nga destinacionet më të kërkuara për turizëm aktiv dhe përvoja në natyrë.

Aktivitetet kryesore përfshijnë:

  • Rafting dhe kajak, falë segmenteve me rrjedhë të shpejtë që ofrojnë adrenalinë dhe siguri për sportistët;
  • Trekking dhe ecje në natyrë, përgjatë shtigjeve që zbulojnë pamje spektakolare të kanioneve dhe luginave;
  • Vëzhgim zogjsh dhe faune, një atraksion i veçantë për fotografët dhe studiuesit e natyrës;
  • Turizëm i qetë dhe reflektues, për ata që kërkojnë qetësi, ajër të pastër dhe peizazhe të paprekura.

Kur dhe si të vizitohet

Periudhat më të mira për vizitë janë pranvera (prill–qershor) dhe vjeshta (shtator–nëntor), kur klima është e butë dhe natyra shfaqet në kulmin e saj.

Parku është i arritshëm lehtësisht nga Tirana, me dalje drejt Përmetit, Tepelenës dhe Këlcyrës, qytete që shërbejnë si porta hyrëse për eksplorimin e zonës.

Një model për turizmin e qëndrueshëm

Parku Kombëtar i Lumit të Egër Vjosa nuk është vetëm një atraksion turistik, por edhe një simbol i ruajtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ai tregon se Shqipëria mund të zhvillojë turizmin pa sakrifikuar pasuritë e saj natyrore, duke ofruar një përvojë autentike dhe të papërsëritshme.

Në vitin 2026, Vjosa pritet të konfirmohet si zemra e aventurës natyrore në Ballkan, një destinacion ku adrenalinë, qetësi dhe biodiversitet bashkohen në një peizazh të rrallë evropian.

Dorëheqja e dytë brenda 24 orëve në Britani/ Largohet nga posti shefi i komunikimit i Keir Starmer

Tim Allan, drejtori i komunikimit i kryeministrit britanik, Keir Starmer, ka dhënë dorëheqjen pas vetëm pesë muajsh në detyrë.

Allan tha në një deklaratë të shkurtër: “Kam vendosur të jap dorëheqjen për të lejuar ndërtimin e një ekipi të ri nr. 10. I uroj kryeministrit dhe ekipit të tij çdo sukses”.

Dorëheqja është një tjetër goditje për pozicionin e Starmer mes një debati të ashpër rreth vendimit për ta bërë Peter Mandelson ambasador në Uashington, pavarësisht lidhjeve të tij të ngushta me pedofilin e ndjerë, Jeffrey Epstein.

Starmer përsëriti keqardhjen e tij për emërimin e Mandelson, ndërsa këmbënguli që qeveria e tij mund të “vazhdojë përpara nga këtu”.

“Le të ecim përpara që këtej. Le të ecim përpara me besim ndërsa vazhdojmë ta ndryshojmë vendin”, tha Starmer.

Por një tjetër dorëheqje nuk e qetësoi pikërisht situatën dhe as nuk i heshti thirrjet për dorëheqjen e Starmer.

Skandali i ri që rrethon Mandelsonin, i cili u shkarkua nga posti i ambasadorit në Shtetet e Bashkuara në shtator, vjen pasi dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së muajin e kaluar përfshinin email-e që sugjeronin se Mandelson i kishte zbuluar Epsteinit diskutime rreth shitjeve të mundshme të aseteve britanike dhe ndryshimeve tatimore gjatë krizës financiare.

Franca nis stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë

Franca filloi të dielën stërvitjen e saj më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë, duke vendosur 12,500 trupa në një stërvitje tremujore të projektuar për t’u përgatitur për luftë me intensitet të lartë në Evropë.

Stërvitja Orion 26, e cila zgjat deri më 30 prill, do të përfshijë 25 anije, përfshirë aeroplanmbajtësen Charles de Gaulle, 140 avionë, 1,200 dronë dhe forca nga 24 vende, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ministria Franceze e Forcave të Armatosura e përshkroi Orion 26 si “një ngjarje të madhe në përgatitjen operacionale franceze për skenarë me intensitet të lartë” që synon përgatitjen e forcave për “situata komplekse në mjedise të shumëfishta, të larmishme dhe të kontestuara”.

Stërvitja bazohet në një skenar fiktiv që përfshin dy vende të quajtura Arnland dhe Mercury, të frymëzuara drejtpërdrejt nga kërcënimi rus në Evropë.

Në skenar, Mercury, një shtet ekspansionist, kundërshton fqinjin e tij Arnland, të cilin Mercury kërkon ta destabilizojë për të parandaluar afrimin e tij me Bashkimin Evropian.

Franca udhëheq një koalicion ndërkombëtar për të mbrojtur Arnland kundër veprimeve hibride në rritje dhe mbështetjes nga milicitë e mbështetura nga Mercury.

Stërvitja do të fillojë me një ulje të simuluar amfibe dhe ajrore në Brittany, me rreth 700 ushtarë dhe 100 automjete të vendosura pranë Quiberon në rajonin Morbihan më 20 dhe 21 shkurt.

Nga prilli, stërvitja do të vihet nën komandën e NATO-s për të testuar aftësinë e ushtrive evropiane për të punuar së bashku.

Stërvitja përfshin tre brigada, 2,150 automjete taktike dhe 40 helikopterë, së bashku me komponentë të luftës kibernetike dhe hapësinore.

Forcat franceze dhe të NATO-s do të simulojnë vendosjet në terren të hapur, do të nisin kundërsulme dhe do të kalojnë pengesa natyrore duke përfshirë lumenjtë Seine dhe Aube me “zjarr të vërtetë”.

Ministria Franceze e Forcave të Armatosura tha se stërvitja ishte veçanërisht e rëndësishme “në një kontekst ku përfshirja në një konflikt me intensitet të lartë mund të bëhet realitet”.

Japonia, Zvicra, Maroku dhe SHBA-të janë midis vendeve aleate të Francës që marrin pjesë në stërvitje.

Stërvitja vjen ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Rusia mund të sulmojë aleancën brenda pesë viteve.

“Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë”, tha Rutte, ndërsa operacionet e luftës hibride që i atribuohen Rusisë po shumohen në të gjithë Evropën, ndërsa pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës hyn në vitin e katërt.

❌