“Mos udhëtoni nga Serbia”. Kjo është thirrja e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, drejtuar veteranëve, familjarëve të dëshmorëve dhe qytetarëve të Kosovës.
Shkak është bërë arrestimi i një tjetër ish-ushtarit të UÇK-së, Mithat Llozhani, nga autoritetet serbe.
Gucati ka paralajmëruar se ndalimet janë presion i Serbisë për të frikësuar veteranët e luftës.
“Ata i ndalojnë pjesëtarët e UÇK-së vetëm me tregu pak forcën që unë e bëj këtë punë. Ka këtë mundësi me i ndalë njerëzit, një vit, dy vjet apo sa po i ndalin nëpër burgje. Tani, unë nuk e di deri kur duhet me u bind veteranët, apo te kur duhet me u vetëdijësu, ne duke bërë apel. Ne i kemi përbetu në Zot, mos shkoni nëpër territor të Serbisë. As qytetarë është mire mos me i ra, se lëre më pjesëtarë të UÇK-së me i ra nëpër territorin serb me shku asajde”, u shpreh kreu i OVL-UÇK Hysni Gucati.
Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mithat Llozhani, është arrestuar të enjtën nga autoritetet serbe në kufirin mes Serbisë dhe Koracisë teksa po kthehej nga Gjermania.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, ka dhënë versionin zyrtar të autoriteteve serbe lidhur me arrestimin dhe ndalimin e Mit’hat Lozhanit, i cili sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) është ndaluar vetëm pse në xhep i është gjetur kartela e anëtarësisë së veteranit.
Daçiç ka deklaruar se Lozhani është arrestuar në Pikën Kufitare të Batrovcit nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile.
Më 21 janar të këtij viti, është liruar 77-vjeçari Haziri Haziri i cili u arrestuar më 8 shtator të 2025-ës në Merdare, po ashtu nën pretendime për krime lufte.