Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Armë për Rusinë nga Europa, Gjermania zbulon rrjetin sekret të eksporteve të paligjshme

Autoritetet doganore gjermane kanë arrestuar pesë persona këtë të hënë, 2 shkurt, të dyshuar se kanë shkelur embargon e Bashkimit Europian ndaj Rusisë, duke eksportuar mallra industriale drejt prodhuesve rusë të armëve.

Sipas hetimeve të deritanishme, të dyshuarit kanë organizuar rreth 16 mijë dërgesa drejt Rusisë, ndërsa vlera e transaksioneve të paligjshme arrin të paktën 30 milionë euro. Kështu bën të ditur Prokuroria e Përgjithshme Federale e Gjermanisë.

Arrestimet vijnë në një kohë kur autoritetet në Kiev u bëjnë thirrje liderëve europianë të forcojnë kontrollet ndaj eksporteve të mallrave industriale dhe pjesëve që Rusia mund t’i përdorë për prodhimin e armëve të përdorura në luftën kundër Ukrainës.

Mes pesë personave të akuzuar janë dy shtetas me nënshtetësi të dyfishtë gjermano-ruse dhe një shtetas me nënshtetësi të dyfishtë gjermano-ukrainase. Në qendër të hetimit ndodhet një kompani tregtare në qytetin verior gjerman Lübeck, në pronësi të njërit prej të dyshuarve, i identifikuar nga gjykata si Nikita S.

Për të fshehur aktivitetin e tyre, të dyshuarit dyshohet se kanë përdorur të paktën një kompani “guackë”(fiktive, pa zyra reale dhe aktivitet normal ekonomik) tjetër në Lübeck, blerës fiktivë brenda dhe jashtë BE-së, si edhe një kompani ruse si përfituese.

Sipas prokurorisë, “përdoruesit përfundimtarë” të mallrave të eksportuara përfshinin të paktën 24 kompani ruse të mbrojtjes. Gjithashtu, institucionet shtetërore ruse dyshohet se kanë mbështetur këto procese furnizimi.

Mallrat e eksportuara përfshinin, mes të tjerash, komponentë mekanikë dhe teknikë për prodhimin e armëve ruse dhe pajisje gjysmëpërçuese.

PD braktis bojkotin për “territorialen”/ Çupi: Do vijë përçarja në PD. Pritet që të tunden pozitat e Berishës

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Partisë Demokratike, ka pasur debate të ashpra nëse PD do të duhet të bojkotojë Komisionin për reformën territoriale dhe atë për reformën zgjedhore.

Megjithatë duket se PD ka braktisur bojkotin për “territorialen”.

Analisti Frrok Çupi i ftuar në “Tirana Live” në ABC News e cilësoi këtë zhvillim si një lëvizje kundër Sali Berishës, duke paralajmëruar përçarje brenda PD-së dhe lëkundje të pozicioneve të tij, ndërsa theksoi se veprimet e opozitës po bëhen kryesisht për sy të ndërkombëtarëve dhe jo si shenjë e një ndryshimi pozitiv real brenda partisë.

“Në PD nuk ka nevojë për entuziazëm se po ndodh diçka pozitive. Po ndodh diçka që është kundër Berishës dhe që ky nuk e komandon dot më. Pas këtij vendimi do të vijë përçarja në PD. Duke qenë se Berisha kërkon që ta shkatërroje me dorë të hekurt do të dalë shumë komik. Këto përbetimet që Berisha se do rrëzojë Ramën nuk shkojnë më, sepse PD hyri në ‘vathën’ e mazhorancës. Të gjitha këto PD me Berishën në krye i bëjnë për sy të ndërkombëtarëve. Atje dëgjojnë jehonën e tyre, në Strasburg dhe Bruksel. Shqipëria është goditur gjithmonë nga të vetët, por nga jashtë.

Pritet që në PD të tunden pozitat e Berishës. Godasin drejtësinë nga jashtë. Berisha e bën këtë, se paradite sulmoi një pjesë të drejtësisë dhe pasdite u jep sinjale pjesës tjetër, janë ata që Berisha ka në dorë, ose edhe ata janë neutralë që nuk i bëjnë gjë. Drejtësia jonë ka kohë që ka hyrë në ekstazë, kërkojnë rroga sa e gjithë bota, kërkojnë që të shkrijnë qeverinë. Berisha quan armike të përbetuar Irena Gjokën dhe Altin Dumani, sepse ata vepruan sipas ligjit”, tha Çupi.

“Revolucion”… në tavolinë, PD braktis bojkotin/ Pas presionit nga PS dhe të vetët, Berisha pranon rikthimin në tryezat e reformave

Berisha ha fjalët e veta. Presioni nga 10 deputetë të PD për të marrë pjesë në komisionet e reformave, e detyroi të zhbëjë vendimin e bojkotit.

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës së Territoriale, Luçiano Boçi zbuloi se PD ka një vendim të ri, për tu rikthyer në komisionet e posaçme parlamentare.

“Qëndrimi i shprehur i PD, pas diskutimeve në grupin parlamentar dhe më pas në kryesinë e vogël, është që PD do të vijojë të jetë pjesë. Në një mbledhje sa më të afërt, të dakordësuar mes bashkëkryetarëve, dhe do vijojë me axhendën e komisionit”, tha Boçi.

Si vendimi i ri, ka dhe një kusht të ri. Boçi paralajmëroi se komisioni duhet të përfundojë me një produkt, jo me dy.

“Ne nuk heqim dorë nga qëndrimi ynë, duhet të ketë një finalizim, një dalje të vetme, dhe kjo dalje të jetë konsensual, përndryshe nuk ka përfundim. Të heqin dorë nga këto do zvogëlohet etj, duhen konsulta me qytetarë”, shtoi ai më tej.

Por si erdhi ky ndryshim 180 gradë i PD?

Në fillim, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla gjatë paradites dha shenjat e para të tërheqjes së ultimatumit të fundit.

Më pas, doktori thirri grupin parlamentar. Aty ku vendimi i tij u vu në diskutim, nga plot 10 deputetë, shumica anëtarë të dy komisioneve. Çuditërisht edhe nga më besnikët e doktorit, Oerd Bylykbashi apo Tritan Shehu.

Megjithatë, PD ka edhe 24 orë kohë, kësaj radhe për të mos ndryshuar më mendje. Pasi projektvendimi i PS për të ndryshuar formulën e komisionit, duke i hequr opozitës bashkëkryetarin, paritetin dhe veton, ka shkuar në seancën parlamentare të së martës gati për tu votuar. Kjo do të varet nga humori i doktorit, që me dëshirën e tij do e bënte reformën në rrugë.

 

Ambasada e SHBA: Vendimi i KQZ për Listën Serbe minon partneritetin SHBA-Kosovë

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre”.

“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Më 31 janar, KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Por, gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit miratuan listat e kandidatëve të të gjithë partive, përveç Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Tre anëtarë të KQZ-së votuan për, dy kundër nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe anëtarët tjerë abstenuan.

Lista Serbe më 2 shkurt është ankuar në Panelin Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa për këtë vendim të KQZ-së.

“Ushtarë-robot” të Serbisë/ Vuçiç: Do të na ndihmojë Kina

Beogradi e ka prej kohësh në vëmendje fuqizimin e ushtrisë së saj, por kësaj here presidentit serb Aleksandër Vuçiç i ka “lindur” një ide e re.

Ushtria serbe do te fuqizohet shpejt me rekrutë rinj, e ata nuk do të jenë njerëz por robotë.

Sipas Vuçiç, vendi do të prezantojë mijëra robotë të armatosur në paradën e ardhshme ushtarake, pasi prodhimi i tyre do të fillojë që këtë vit, ndërsa për bërjen realitet të kësaj ideje do të kontribuoj Kina.

Vuçiç tha se do të kërkojë mbështetjen nga presidenti Xi Jingping.

Sipas presidentit serb, robotët janë të përshtatshëm sepse mund të mbajnë deri në 30 kilogramë peshë, mund ti paisësh me kamera, të bëjnë patrullime në pikat kufitare dhe gjithashtu mund ti armatosësh.

Vuçiç theksoi se Serbia mund të bëhet vendi i parë në Europë që prodhon robotë humanoid në ushtri.

Lëvizjet për forcimin e ushtrisë dhe rekrutimin e ushtarëve të rinjë, përsfhirë shërbimin e detyrueshëm ushtarak, janë të fokus të presidencës Vuçiç, ndërsa ai intensifikon edhe marrëdhëniet me Kinën.

Kryetari i votëbesuar i LDK/ Abdixhiku: Faleminderit për besimin e pastër

“Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj. Ju faleminderit për demokracinë maksimale, për besimin e ri e të pastër; dhe për një fillim të ri, shumë më të ndryshëm. Ecim bashkë tani!”

Ky është reagimi i kryetarit të votëbesuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së anëtareve të partisë të shtunën e 31 janarit.

Diskutimet brenda partisë u mbajtën me dyer të mbyllura, ku kishte edhe një kandidaturë për kryetar, ajo e Avdullah Hotit, ndërsa dyert u hapën për mediat vetëm për fjalën e kryetarit dhe votimin.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit shënoi rezultatin e dytë më të ulët në historinë e saj me vetëm 15 deputetë.

Sipas kritikëve ky proces ishte bosh dhe nuk solli asnjë ndryshim real në parti.

 

Belinda Balluku njofton emërimin e Persida Shkrepës në krye të Institutit të Ndërtimit

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka uruar Persida Shkrepa për marrjen e detyrës së re në krye të Institutit të Ndërtimit, duke vlerësuar karrierën dhe përvojën e saj profesionale.

Sipas Ballukut, profesionalizmi dhe përkushtimi i Shkrepës përbëjnë një garanci të fortë për drejtimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij institucioni të rëndësishëm, si dhe për forcimin e rolit të tij në shërbim të industrisë së ndërtimit në vend.

“Suksese Persida Shkrepa në këtë detyrë dhe sfidë të re, në drejtimin e Institutit të Ndërtimit. Me një karrierë të spikatur si arkitekte, profesionalizmi, përkushtimi dhe përvoja e saj janë një garanci e fortë për drejtimin dhe zhvillimin e këtij institucioni kaq të rëndësishëm, si edhe për forcimin e rolit të tij në shërbim të industrisë së ndërtimit në vend”, shkruan zëvendëskryeministrja Balluku në “Facebook”.

Sekretari polak i shtetit: Rusia dëshiron të vazhdojë luftën në Ukrainë

Sekretari i Shtetit polak për Çështjet Evropiane, Ignacy Niemczycki, “shpreson vërtet” që SHBA-të mund ta “bindin Rusinë të jetë më krijuese” në bisedimet trepalëshe të paqes që do të rifillojnë në Abu Dhabi këtë të mërkurë.

Por, sipas tij, ndërsa “Ukraina bëri një përpjekje të konsiderueshme për t’i dhënë fund luftës”, Rusia po “përpiqet ta zgjasë diskutimet”.

Gjatë një interviste me Europe Today, Niemczycki tha se sulmet ruse në infrastrukturën energjetike civile në Kiev janë provë se Moska dëshiron të vazhdojë luftën.

Ukraina aktualisht po përjeton një mot jashtëzakonisht të ashpër, me temperatura që bien në minus 20 gradë Celsius.

“Ne e kemi parë Rusinë të synojë gjeneruesit e nxehtësisë, gjeneruesit e energjisë elektrike. Kjo është shumë shqetësuese”, tha Niemczycki.

Por Niemczycki mbetet optimist.

“Presidenti (Donald) Trump ka njoftuar se negociatat janë premtuese”, tha ai për Euronews, duke thënë se pret një “një lloj marrëveshjeje që është e dobishme për Evropën dhe që është e dobishme për SHBA-në” – por edhe “për paqen botërore, sepse kjo është ajo që është në lojë këtu”.

Se a përmban ndonjë marrëveshje e tillë ndonjë lëshim territorial ndaj Rusisë, tha ai, duhet të jetë një çështje për popullin ukrainas.

“Nuk mendoj se varet nga ne të themi se Ukraina duhet të bëjë këtë apo atë”, tha politikani, i cili këmbënguli që bisedimet duhet të “ushtrojnë presion mbi Rusinë, jo mbi Ukrainën”. Ndërsa i pyetur për afatin e fundit të vitit 2027 për Ukrainën për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, Niemczycki tha se “do të ishte shumë e vështirë” dhe se ndërsa ai beson se Ukraina mund t’i bashkohet bllokut së shpejti, ai “nuk do të përqendrohej aq shumë në një datë”, por në “faktin e bashkimit të Ukrainës me BE-në”

Rrëzohet aeroplani stërvitor në rajonin Orenburg të Rusisë, tre të vdekur

Tre persona humbën jetën pasi një aeroplan trajnimi u rrëzua në rajonin Orenburg të Rusisë të hënën, tha Ministria e Situatave të Emergjencave.

Aeroplani Diamond DA, i operuar nga Universiteti Shtetëror i Aviacionit Civil të Shën Petersburgut, po kryente një fluturim trajnimi pranë qytetit të Orskut kur u rrëzua me një instruktor dhe dy kadetë në bord, të cilët të gjithë vdiqën, tha ministria në një deklaratë.

“Një aeroplan trajnimi u rrëzua në rajonin e Orenburgut. Rrëzimi u raportua në fshatin Dzhanatalap, Orsk. Ai ishte në një fluturim trajnimi. Kur ekipet e shpëtimit nga Ministria Ruse e Situatave të Emergjencave mbërritën në vendngjarje, nuk kishte zjarr. Fatkeqësisht, tre persona u vranë”, tha deklarata.

Autoritetet rajonale do t’u ofrojnë ndihmë familjeve të viktimave, sipas shërbimit për shtyp të guvernatorit të Orenburgut dhe qeverisë rajonale.

Operacionet e shpëtimit po vazhdonin në vendin e rrëzimit dhe zyrtarët thanë se nuk kishte zjarr. Ministria nuk dha informacion paraprak mbi shkakun e mundshëm të rrëzimit.

Bleu karburant me kartëmonedha false/ Durrës, arrestohet 24-vjeçari i shpallur në kërkim

Policia ka arrestuar një 24-vjeçar të shpallur në kërkim, pasi në datën 24 janar bleu karburant, në një subjekt në rrugën “Egnatia”, me 2 kartëmonedha (në prerjen 100 dollarë) false.

Nga verifikimet, 24-vjeçari rezultoi në kërkim nga Policia e Vlorës, për 2 raste të tjera të së njëjtës veprimtari kriminale, të kryera gjatë muajit janar, 2026. Vijon hetimi për të zbardhur raste të tjera në këtë fushë, në të cilat mund të jetë përfshirë shtetasi E. K.

Dosjet Epstein, emri i Vladimir Putinit përmendet mbi 1 mijë herë

Emri i presidentit rus Vladimir Putin përmendet 1 mijë e 56 herë në më shumë se tre milionë dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për abuzime seksuale, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019. Moska citohet gjithsej 9.629 herë. Edhe pse nuk ka prova konkrete për një lidhje direkte mes Epstein dhe Kremlinit, hetuesit amerikanë e konsiderojnë të pazakontë një numër kaq të lartë referencash.

Sipas shërbimeve sekrete amerikane, Epstein mund të jetë përfshirë në rrjete spiunazhi për shkak të lidhjeve të tij me Robert Maxwell, ish-agjent i Moskës në vitet ’70 dhe babai i Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së tij, e dënuar me 20 vjet burg.

Gazeta britanike Daily Mail raporton se Epstein dyshohet se ka drejtuar një operacion të gjerë shantazhi seksual (“kompromat”) për llogari të shërbimeve sekrete ruse, duke rekrutuar gra, përfshirë edhe nga Rusia, për rrjetin e tij të personave me ndikim. Në dokumente përmenden email-e dhe letra ku flitet për takime të mundshme me Putinin, përfshirë komunikime të viteve 2011–2014.

Në një email të vitit 2014, sipërmarrësi japonez Joey Ito përmend mundësinë që Reid Hoffman, bashkëthemelues i LinkedIn, t’i bashkohej një takimi me presidentin rus. Megjithatë, pas rrëzimit të avionit Malaysia Airlines MH17 mbi Ukrainë, ideja u braktis. Në email-e të tjera, Epstein i referohet “dokumenteve Putin”, pa sqaruar përmbajtjen e tyre.

Epstein kishte ndërtuar një rrjet të gjerë ndërkombëtar kontaktesh politike dhe financiare. Ai kishte kryer pagesa ndaj figurave politike britanike dhe kishte komunikuar me ish-kryeministrin norvegjez Thorbjørn Jagland lidhur me takime me liderë botërorë, përfshirë Putinin.

Sipas dokumenteve, Epstein kishte pretenduar se mund t’i siguronte Kremlinit informacione komprometuese për Donald Trump, në prag të samitit të Helsinkit në vitin 2018. Në email-e të tjera, ai përshkruan aktivitetet e Robert Maxwell dhe lidhjet e tij me shërbime të huaja inteligjence.

Në korrik 2019, pas arrestimit në New York, avokatët e Epstein i njoftuan FBI-në se ai ishte i gatshëm të bashkëpunonte. Tre javë më vonë, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij. Autoritetet amerikane e cilësuan vdekjen si vetëvrasje, një përfundim që vijon të ngjallë dyshime dhe debate.

Me molotov, jo reforma/ Berisha refuzon Schieder, sulmon Gonzaton

Në ditën kur në Tiranë, raporteri për Shqipërinë në PE kërkoi një hap para, për dialog në parlament, Berisha hodhi hapin pas, shpalli protestën e radhës në rrugë pas asaj me molotov.

“Të bashkohemi ne datën 10 shkurt në ora 5 në Tiranë për t’i dhënë leksionin e merituar kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën. Revolta dhe vetëm revolta është përgjigja e merituar e sovranit ndaj këtij grupi që nuk ka ligj, kushtetutë e as moral”, tha Berisha.

Berisha e shfaqi hapur respektin, por edhe pakënaqësinë ndaj raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Shider. Por shpresën e fundit e ka tek Partitë Popullore Europian

“Mendoj se, shqiptarët prisnin prej tij dhe presin jo vetëm prej tij, por presin nga Brukseli, kërkesën për të mbrojtur standardin Europian, i cili standard edhe 12-13 vite më parë në këtë vend, detyronte ministrat për koincidentë dhe zv/kryeministrin që kërkohej nga prokuroria imuniteti, të dorëzonin imunitetin, para se të votonte parlamentin”, shtoi ai

Po për Berishën, më shumë faji është në Tiranë, në zyrat e BE.

“Zoti Schider, për fat të keq as edhe përfaqësuesi i BE-së, ambasadori Gonzato, madje Gonzato pak më thellë se zoti Schider, nuk e kërkuan këtë. Ndonëse theksoj se grupi popullor ka edhe ai reporterin në hije për Shqipërinë dhe pritet që dhe ai të vijë në Shqipëri”,- u shpreh Berisha.

Protestë do të ketë. Por reforma jo. Te enjten taulant Balla la afatin e së hënës për territorialen, dhe Bardhi e pranoi me kokën ulur thyerjen e bojkotit.

Sot Berisha refuzoi afatin, dhe Bardhi sërish duhet ta pranojë bojkotin e doktorit, po me kokën ulur. 

“Bllokimit që i bëjnë drejtësisë, bëjnë të pamundur çdo formë bashkëpunimi me mandatet e krimit të kësaj mazhorance,” – u shpreh Berisha.

Tabloja tashmë është qartë, jo vetëm për sytë e shqiptarëve, por dhe për sytë e BE.

Mazhoranca në një rrugë të re, qëndron brenda institucioneve, dhe punon për të anëtarësuar Shqipërinë në BE.

“Nëse nuk vijnë deri të hënën, anëtarët e PS në Komision kanë firmosur dhe kërkesa Kuvendit i është çuar. Pra, puna nuk ndërpritet sepse jemi bllokuar pa nisur punën. Dhe jemi nën presion të madh për të kapur afatin e për ta miratuar”- tha Mazniku në Real Story./abcnews.al

Izraeli pranon viktimat/ Ushtria e Tel Aviv: Mbi 71 mijë palestinezë të vrarë

Ushtria izraelite ka pranuar për herë të parë se gjatë luftës dyvjeçare në Rripin e Gazës kanë humbur jetën mbi 71 mijë qytetarë palestinezë, shifër kjo e raportuar më herët nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë, e cila kontrollohet nga Hamasi.

Gazeta izraelite Haaretz shkruan se kjo shënon herën e parë që Izraeli pranon publikisht shifrat e dhëna nga autoritetet brenda enklavës palestineze, të cilat më parë ishin hedhur poshtë nga Tel Avivi zyrtar, duke u cilësuar si të pabesueshme dhe propagandë e Hamasit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga grupi militant palestinez, që nga nisja e ofensivës izraelite më 7 tetor 2023 janë regjistruar 71.667 viktima. Ushtria izraelite thekson se këto shifra nuk përfshijnë personat e zhdukur, të cilët dyshohet se mund të ndodhen ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Konflikti në Lindjen e Mesme shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor 2023, ku rreth 1.200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Ministria Palestineze e Shëndetësisë njofton se të paktën 492 palestinezë kanë humbur jetën që nga shpallja e armëpushimit më 10 tetor 2025. Ndërkohë, autoritetet izraelite kanë raportuar se katër ushtarë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të grupeve militante palestineze.

Pas publikimit të lajmit nga Haaretz, një zyrtar i lartë i ushtrisë izraelite refuzoi të komentojë më tej, duke deklaruar se të dhënat zyrtare do të publikohen vetëm nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit përmes kanaleve të tyre zyrtare të komunikimit.

Rusia përgënjeshtron Trump/ Kremlini: Armëpushimi në Ukrainë deri në 1 shkurt

Rusia përgënjeshtron presidentin amerikan Donald Trump. Pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se kishte rënë dakord me Vladimir Putin që Rusia të mos sulmonte Kievin dhe fshatrat përreth për një javë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se Trump kishte kërkuar të ndaleshin sulmet deri më 1 shkurt, me qëllimin për të krijuar kushte të favorshme për bisedimet e paqes që do të mbahen këtë të dielë.

Peskov refuzoi të komentonte më tej nëse Trump kishte gënjyer kur përmendi afatin prej një jave, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi këtë të premte se nëse Putin do të thyente armëpushimin e pjesshëm, ushtria e vendit të tij do të kundërpërgjigjej.

Një valë e të ftohtit ekstrem ka goditur Ukrainën, me temperaturat që brenda kësaj jave pritet të arrijnë deri në minus 30 gradë Celsius.

Rusia, e cila ka shënjestruar vazhdimisht objektivat energjetikë të Ukrainës duke lënë miliona civilë pa ngrohje, ka vrarë përmes këtyre sulmeve edhe qindra persona të pafajshëm.

Moska ka provokuar sërish presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky duke thënë se nëse vendi i tij do paqe, ai mund të udhëtojë drejt Moskës për bisedime, por Zelensky thotë se duhet të jetë Putin ai që duhet të shkojë në Kiev, ndërsa refuzoi ftesën e Kremlinit.

Fundi i luftës në Ukrainë, konfliktit më të madh të Europës Lindore që prej Luftës së Dytë Botërore, ka qenë një ndër prioritetet kryesore të Donald Trump, por kreu i Shtëpisë së Bardhë ka dështuar deri më tani t’i japë fund kësaj lufte nën pretendime të ndryshme, duke përmendur mungesën e vullnetit mes palëve.

Drejtori i FBI shkakton skandal diplomatik/ Flet publikisht për një operacion sekret në Meksikë

Drejtori i FBI‑së, Kash Patel, ka shkaktuar një skandal diplomatik pasi zbuloi publikisht pjesëmarrjen e agjentëve të këtij agjencie në një operacion të fshehtë në Meksikë, ku u arrestua ish‑olimpisti, Ryan Wedding.

FBI së bashku me policinë meksikane kreu aksionin e arrestimit të Weddingit, por përfshirja e agjentëve amerikanë duhej të mbetej e fshehtë për shkak të ligjeve në Meksikë që ndalojnë operacionet e zyrtarëve të huaj në territorin e tyre, raporton wallstreetjournal.

Megjithatë, menjëherë pas arrestimit Patel publikoi në rrjetet sociale se ekipet e tij kishin punuar “me profesionalizëm dhe bashkë me partnerët meksikanë” për të sjellë Weddingun para drejtësisë – deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta në Meksikë.

Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum u përpoq të ulte tensionet, duke thënë se nuk ka pasur përfshirje të SHBA‑s për operacionin dhe se agjentët amerikanë ligjërisht janë të kufizuar në Meksikë. Ajo shtoi se zyrtarët amerikanë i thanë autoriteteve meksikane se bëhej fjalë për një dorëzim vullnetar.

Avokati i Weddingut, Anthony Colombo, kundërshton këtë version dhe thotë se klienti i tij është kapur me pranga nga agjentë të FBI‑s dhe është dërguar në Kaliforni.

Kjo çështje ka tensionuar marrëdhëniet mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, sidomos në një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe janë të ndjeshme për shkak të politikave të fuqishme të sigurisë dhe çështjeve të tjera rajonale.

Transportuesit nga Serbia dhe Bosnja vazhdojnë bllokadat në pikat kufitare

Transportuesit nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina po i vazhdojnë bllokadat në pikat kufitare me Bashkimin Evropian për të pestën ditë me radhë.

Ndërkohë, kolegët e tyre nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë hequr dorë prej këtyre masave më 29 janar, pasi Komisioni Evropian bëri të ditur se po punon në një strategji të re për viza që parasheh zgjidhjen e problemit të ditëve të kufizuara për punëtorët e vendeve të treta që duhet të hyjnë në Zonën Schengen.

Terminalet për mallra janë bllokuar në 22 pika dalëse dhe 19 pika hyrëse vetëm në Serbi.

Transportuesit e mallrave janë duke protestuar kundër atyre që i konsiderojnë procedura të ashpra për të hyrë në Zonën Schengen, të cilat, sipas tyre, ua kanë shkurtuar kohën e qëndrimit në shtetet e Bashkimit Evropian. Ata kërkojnë që periudha e qëndrimit të zgjatet nga tre në katër muaj brenda një periudhe gjashtëmujore.

Paralajmërimet fillestare ishin që bllokadat të zgjasnin për të paktën shtatë ditë, në rast se nuk arrihet ndonjë marrëveshje.

Presidenti i Dhomës së Tregtisë në Serbi, Marko Çadezh, ka thënë në ditën e parë të bllokadave se dëmi direkt ditor që u shkaktohet ekonomive të Ballkanit Perëndimor shkon në rreth 100 milionë euro.

Strategjia e re e vizave, që është miratuar nga Komisioni Evropian më 29 janar parasheh që institucioni të punojë nga afër me vendet anëtare për të gjetur “zgjidhje pragmatike” dhe të miratojë zgjatje të qëndrimit për disa kategori të shtetasve që vijnë nga shtetet e treta.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka thënë të premten se mirëpret heqjen e bllokadave nga kompanitë transportuese të rajonit, referencë për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ky është një hap pozitiv drejt normalizimit të qarkullimit të mallrave dhe funksionimit të zinxhirëve të furnizimit për bizneset kosovare, pasi këto bllokada shkaktuan vonesa të konsiderueshme në import dhe eksport, rritje të kostove operative për kompanitë dhe pasiguri për sektorë të tërë ekonomikë në vend”, ka thënë mes tjerash Dhoma e Tregtisë e Kosovës përmes një komunikate për media.

Kosova nuk ka marrë pjesë në protestë, mirëpo i ka vërejtur pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende.

Disa biznese kosovare me të cilat ka biseduar Radio Evropa e Lirë kanë thënë se ditëve të fundit janë përballur me vonesa, rrezikim kontratash dhe dëme financiare.

Shiste produkte me logo false/ Tiranë, arrestohet pronari i dyqanit

Zbulohet një tjetër subjekt, ku shiteshin produkte me logo false, për të cilat nuk posedoheshin fatura blerjeje dhe nuk lëshoheshin fatura shitjeje. Në këtë subjekt, gjatë kontrolleve, u gjetën mallra të ndryshme (veshje, çanta, syze dhe ora) me logo të markave ndërkombëtare, të dyshuara false.

Policia arreston pronarin e dyqanit në rrugën “Sulejman Delvina”. Sekuestrohen mallrat.

29-vjeçari nuk kishte fatura mbi origjinën e mallrave. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Rama ndan prononcimin e zyrtarit të KiE: Arrestimi me burg pa gjyq, ka sjellë rezultate skandaloze. Më shumë të paraburgosur se sa të burgosur

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale prononcimin e Drejtorit të Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Europë, Gianluca Esposito, i cili tha gjatë fjalës së tij se burgu pa gjyq në Shqipëri, e cila është kthyer në një praktikë normale ka sjellë rezultate skandaloze.

Ai ngriti alarmain se në vendin tonë ka më shumë ka më shumë të paraburgosur se sa të burgosur.

“Arresti me burg pa gjyq si praktikë normale në Shqipëri, ka sjellë rezultatin skandaloz të një vendi europian me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, duke alarmuar Këshillin e Europës.

Pjesë nga prononcimi i djeshëm në Tiranë i Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Europë”, citon kryeministri Rama.

EMRI/ Vrau një të mitur në Gramsh, arrestohet në Greqi shqiptari i dënuar me burgim të përjetshëm

Arrestohet në Greqi me qellim ekstradimi një shtetas shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm. I arrestuari është Kostandin Nishku alias Baki Duzha, i ditëlindjes 17.10.1965, nga Gramshi. Akuza “vrasje për shkak të cilësive të veçanta”.

Më 19 mars te vitit 1997 ai ka vrare me armë zjarri një djalë 9 vjeç ne Gramsh. Ka shkuar në shtëpinë e tij qe të kërkonte vëllain e të miturit dhe e ka kërcënuar të miturin se do ta vriste në rast se nuk tregonte.

Kur 9-vjecari nuk ka treguar e ka qëlluar për vdekje. Me 10 shtator te vitit 1998 është dënuar në burgim të përjetshëm.

❌