Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Miratohet ndërtimi i centralit fotovoltaik 128 MW në Fier

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Shoqëria “SOLEN ENERGY” ka marrë miratimin për ndërtimin e një centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 128 MW, me vendndodhje në Sheq-Marinas, bashkia Fier.

Projekti i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse shtetërore.

Shoqëria ka afat 36 muaj për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në punë. të centralit. Ai pritet të funksionojë për një periudhë 49 vjet.

Për realizimin e tij, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike, duke siguruar që ndërtimi dhe operimi të jenë në përputhje me standardet dhe dokumentacionin teknik.

Shoqëria “SOLEN ENERGY” do të raportojë çdo tre muaj mbi ecurinë e punimeve dhe do të respektojë të gjitha kushtet e lejeve, licencave dhe autorizimeve mjedisore.

Projekti parashikon gjithashtu që 2% e energjisë së prodhuar të jepet falas ministrisë përgjegjëse për energjinë, ose të konvertohet në vlerë monetare për buxhetin e shtetit, dhe pjesa tjetër mund të shitet furnizuesit publik sipas legjislacionit në fuqi. /j.p/

 

The post Miratohet ndërtimi i centralit fotovoltaik 128 MW në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Paketa e Maleve, shpallen zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Krujë, Maliq e Vorë

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave shpalli disa zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në bashkitë Krujë, Maliq dhe Vorë, në kuadër të ligjit për paketën e maleve.

Në bashkinë Krujë, zonat e shpallura përfshijnë Barkaneshin, Dane-Fushë Madhe, Bojë, pjesë të njësive administrative Krujë, Cudhi, Picërragë, Brret, Gjyre, Abaze, Krastë, Mali i Krujës, Halil, Virjon, Nikël, Zezë, Kurcaj, Buran, Mukaj dhe Budull, Bubq, Mazhë-Madhe, Mallkuç.

Sipërfaqet e tyre variojnë nga rreth 1,258 deri në 7,712 hektarë dhe kufijtë e tyre janë përcaktuar në hartat treguese të sistemit KRGJSH. Në këto zona do të zhvillohen aktivitete ekonomike, industriale dhe turistike.

Në bashkinë Maliq, zonat përfshijnë njësitë administrative Maliq, Libonik, Pirg, Vreshtas, Pojan, Moglicë dhe Gorë, duke mbuluar një sipërfaqe totale që shkon deri në 1,775 hektarë në zonat kryesore. Këtu gjithashtu do të promovohen zhvillimi ekonomik, industrial dhe turistik.

Në bashkinë Vorë, zonat e shpallura përfshijnë fshatrat Gërdec, Marikaj, Kuç dhe Prezë, me sipërfaqe nga 3.27 deri në 34.04 hektarë.

Aktivitetet e lejuara në këto zona do të përqendrohen gjithashtu në zhvillim ekonomik, industrial dhe turistik. /j.p/

The post Paketa e Maleve, shpallen zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Krujë, Maliq e Vorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje pagash dhe shtesë për vjetërsi për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në strukturën e pagave për punonjësit e sistemit shëndetësor, si dhe për ata që punojnë në strukturat shëndetësore të Forcave të Armatosura, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Policisë së Shtetit.

Sipas vendimit të ri, shtesa për vjetërsi në punë ndryshohet duke u rritur gradualisht sipas viteve të shërbimit: 0.6% për 10 vitet e para, 0.8% për vitet 11–20 dhe 1% për vitet 21–30, duke u llogaritur mbi pagën e pozicionit.

Po ashtu, shtesat për mjekët në shërbimet e urgjencës, reanimacionit, hemodinamikës, njësinë e aksidenteve cerebrale dhe neonatologji arrijnë 18,000 lekë në muaj, ndërsa infermierët dhe teknikët e laboratorit apo imazherisë që punojnë në këto shërbime do të përfitojnë 12,000 lekë në muaj.

Vendimi parashikon gjithashtu shtesa për shërbimin e urgjencës që ndryshojnë sipas ditëve dhe orarit të punës.

Për shërbimin e urgjencës në spitale dhe qendrat shëndetësore që ofrojnë shërbim të pandërprerë, shtesat ndryshojnë sipas kohëzgjatjes së turnit dhe ditës: për sistemin 24-orësh ato shkojnë nga 2,700 lekë në ditët e zakonshme deri në 3,200 lekë në ditët e festave, ndërsa për sistemin 16-orësh dhe 12-orësh shtesat janë proporcionalisht më të ulëta.

Po ashtu, punonjësit teknikë të laboratorëve që kryejnë shërbim 24-orësh marrin shtesa nga 2,000 lekë në ditët e zakonshme deri në 3,000 lekë në ditët e festave.

Po ashtu parashikohen kompensime për punonjësit që punojnë larg vendbanimit, si dhe mundësinë për titullarët e institucioneve shëndetësore të kenë deri në tre këshilltarë të jashtëm me pagesë deri në 112,750 lekë në muaj.

Zbatimi i këtij vendimi do të nisë nga 1 janari 2026 dhe do të përballohet nga buxheti i miratuar për institucionet përkatëse për vitin 2026. /j.p/

The post Rritje pagash dhe shtesë për vjetërsi për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punonjësit e Policisë, Gardës dhe Agjencive shtetërore indeksim 2.5% të pagave

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë vendimesh që sjellin ndryshime në strukturën e pagave dhe në mënyrën e përllogaritjes së shtesave, për disa kategori të administratës publike.

Vendimet parashikojnë indeksimin e pagave me 2,5% dhe rregullime të elementëve përbërës të pagës për punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, si dhe për punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në institucione të administratës publike.

Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, rritja reflektohet te paga për funksion, ndërsa për funksionet drejtuese parashikohen përmirësime shtesë.

Në Gardën e Republikës dhe Policinë e Burgjeve, indeksimi aplikohet mbi pagën për gradë, me rritje më të theksuar për disa grada të caktuara.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me strukturën e shtesave për vjetërsi në punë dhe nivel kualifikimi, veçanërisht për koordinatorët kundër korrupsionit.

Ndryshime janë miratuar edhe për punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme, ku paga bazë për klasë indeksohet me 2,5%, në përputhje me politikën e përgjithshme të rritjes së pagave në administratën publike.

Efektet financiare të këtyre vendimeve do të përballohen nga buxhetet përkatëse të vitit 2026, ndërsa rritjet dhe ndryshimet do të kenë efekt nga 1 janari 2026, pas botimit të vendimeve në Fletoren Zyrtare. /j.p/

The post Punonjësit e Policisë, Gardës dhe Agjencive shtetërore indeksim 2.5% të pagave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ervin Mete dhe Jonida Prifti, kandidaturat e qeverisë për Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi sot t’i propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dy anëtarë për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Qeveria propozon Jonida Priftin dhe Ervin Meten si anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Mete më herët ka mbajtur postin e kreut të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”. /j.p/

The post Ervin Mete dhe Jonida Prifti, kandidaturat e qeverisë për Këshillin Mbikëqyrës të BSH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Indeksohen 2,5 % pagat në sistemin e drejtësisë dhe administratë

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot rritjen me 2,5% të pagës referuese bazë për gjyqtarët dhe prokurorët.

Pas indeksimit, paga referuese bazë arrin në 156,825 lekë në muaj, ndërsa efektet financiare përballohen nga buxheti i vitit 2026.

Në të njëjtën kohë, është miratuar edhe indeksimi me 2,5% i pagës së Presidentit të Republikës, e cila pas rritjes arrin në 435,625 lekë në muaj.

Në mbledhjen e sotme u miratuan gjithashtu përditësime të strukturave të pagave për kategori të tjera të administratës publike, përfshirë Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.

Përveç indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve.

Vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrijnë efektet financiare nga data 1 janar 2026. /j.p/

The post Indeksohen 2,5 % pagat në sistemin e drejtësisë dhe administratë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dialog dypalësh Shqipëri-Slloveni për investime dhe zgjerim bashkëpunimi

TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Tirana u shndërrua sot në qendër të dialogut ekonomik dypalësh mes Shqipërisë dhe Sllovenisë.

Forumi ekonomik shërbeu si një platformë e rëndësishme bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave dhe eksplorimin e mundësive konkrete të investimit, duke u dhënë mundësi kompanive sllovene dhe shqiptare të njihen më nga afër me potencialet e ndërsjella të tregjeve respektive.

Në fjalën e tij, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, theksoi se Shqipëria dhe Sllovenia kanë një histori të hershme bashkëpunimi ekonomik, që daton menjëherë pas rënies së komunizmit, ndërsa sot bizneset sllovene janë tashmë të mirëkonsoliduara në Shqipëri.

Musabelliu vuri në dukje se ekonomia shqiptare po kalon një moment të rëndësishëm pozitiv, me rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3,75% në vitin 2025, krahasuar me një mesatare prej 1,6% në Bashkimin Europian.

Sipas tij, inflacioni në Shqipëri mbetet pak më i ulët se mesatarja e BE-së, ndërsa norma e papunësisë ka zbritur në 8,5%, niveli më i ulët historik.

Ai theksoi gjithashtu se stoku i investimeve të huaja direkte është rritur me 4,4% në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024.

Zëvendësministri nënvizoi se procesi i integrimit europian po krijon një moment të rëndësishëm transformimi për vendin, duke shprehur pritshmëri për përmbylljen e negociatave me Bashkimin Europian në një afat të shpejtë, si dhe duke përmendur projekte infrastrukturore me rëndësi strategjike.

Në këtë kuadër, Musabelliu ftoi bizneset sllovene të rrisin praninë e tyre në Shqipëri dhe të shfrytëzojnë klimën e favorshme për investime.

Forumi i Biznesit Shqipëri-Slloveni u organizua nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me SPIRIT Slovenia, Institute for Strategic Solutions (ISR) dhe ambasadën e Republikës së Sllovenisë në Tiranë, me fokus të veçantë në sektorët e ndërtimit, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT), industrisë ushqimore dhe të pijeve, inovacionit në bujqësi dhe turizmit.

Pjesëmarrësit e vlerësuan forumin si një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e rrjetit të kontakteve profesionale dhe forcimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

Të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se importet nga Sllovenia drejt vendit tonë në vitin 2025 arritën në rreth 60 milionë euro, ndërsa eksportet drejt Sllovenisë llogariten 21 milionë euro.

1 nga 26
zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu - Foto: Andrin Hoxha

/r.e/a.f/

The post Dialog dypalësh Shqipëri-Slloveni për investime dhe zgjerim bashkëpunimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama viziton Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë: Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona


TIRANNË, 5 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe djali i tyre Zaho, vizitoi Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë “Regina di Albania”, në prag të takimit me Atin e Shenjtë.

Gjatë vizitës, kryeministri Rama zhvilloi një moment lutjeje, duke ia besuar Zojës së Këshillit të Mirë popullin shqiptar, familjet dhe rininë.

“Nënë e ëmbël e Këshillit të Mirë, kaq e dashur për bijtë e Shqipërisë në atdhe dhe jashtë tij, sot po vijmë tek Ti edhe një herë për të ta besuar popullin tonë, familjet tona dhe rininë tonë. Ti që je Zojë e Shkodrës dhe e mbarë Shqipërisë, na udhëhiq në rrugën e së mirës, na jep dritë në dyshime dhe ngushëllim në provat e jetës. Nën mbrojtjen tënde kërkojmë strehë, o Virgjër e Bekuar. Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona dhe na bëj gjithmonë besnikë ndaj Birit tënd, Jezus. O Zoja e Këshillit të Mirë, lutu për ne!”, u shpreh kryeministri Rama gjatë lutjes.

Në vijim të vizitës së tij, Kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.

Pritja do t’i paraprijë audiencës që kryeministri Rama do të ketë me papa Leonen XIV, në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.

Më pas, vizita do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.

Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit.

Kryeministri Rama viziton Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë
1 nga 12
Kryeministri Rama viziton Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë

/a.f/r.e/

The post Rama viziton Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë: Mbroje Shqipërinë, ndriço mendjet tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmbyllet në Fier turi i dëgjesave, Salla: Skema e re Kombëtare sipas sugjerimeve nga fermerët

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, përmbylli sot në Fier turin kombëtar të dëgjesave me fermerët për hartimin e Skemës Kombëtare 2026.

Në takimin përmbyllës morën pjesë edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, si dhe fermerë nga Patosi, Roskoveci, Mallakastra dhe Fieri.

Turi i dëgjesave nisi nga Librazhdi dhe u shtri në të gjitha qarqet e vendit, me gjithsej 23 takime në terren, duke vendosur fermerin në qendër të procesit të bashkëhartimit të politikave mbështetëse për bujqësinë.

Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se takimi në Fier shënon mbylljen e këtij procesi konsultues në rang kombëtar dhe kalimin në fazën finale të hartimit të skemës së re.

“Sot është dhe takimi i fundit përmbyllës në të gjithë qarqet e Shqipërisë dhe bashkë me stafin e Ministrisë dhe AZHBR-së do të përmbyllim të gjithë kërkesat dhe ankesat që lidhen drejtpërdrejt me atë që ju keni ngritur me emër mbiemër, për t’i reflektuar në paketën e re financiare dhe në masat e reja që do të prezantohen për pak ditë,” u shpreh ai.

Ministri Salla nënvizoi se nga 23 takimet e zhvilluara është ndërtuar një panoramë e qartë e nevojave reale të fermerëve, të cilat do të reflektohen drejtpërdrejt në Skemën Kombëtare 2026.

Skema po konceptohet mbi analizën e sugjerimeve të ardhura nga terreni, me synim adresimin e mbështetjes së munguar, rishikimin e kritereve dhe zgjerimin e përfitimit, për një mbështetje më të drejtë, më efikase dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Europian.

Duke folur për zhvillimin afatgjatë të sektorit, ministri Salla theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve kryesorë.

“Bujqësia dhe interesi i eksporteve mbështeten në tre kolona shumë të forta: fermerët, qeverinë dhe pushtetin vendor. Nëse këta tre komponentë nuk funksionojnë së bashku, nuk mund të arrijmë rezultatin maksimal që synojmë”, u shpreh ai.

Skema e re do të nisë me një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, 16% më i lartë se një vit më parë, dhe do të shoqërohet me instrumente të integruara financiare, përfshirë kredi të buta me interes deri në 2% të mbështetura nga garancia shtetërore deri në 70%, si dhe kompensim të TVSH-së, me qëllim uljen e kostove të prodhimit, nxitjen e formalizimit dhe rritjen e vlerës së produkteve “Made in Albania”.

Procesi i analizimit të sugjerimeve po vijon në mënyrë të strukturuar, me synimin që Skema Kombëtare 2026 të garantojë mbështetje reale për fermerët, rritje të konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmëri afatgjatë për sektorin bujqësor shqiptar. /j.p/

 

 

The post Përmbyllet në Fier turi i dëgjesave, Salla: Skema e re Kombëtare sipas sugjerimeve nga fermerët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcim i bashkëpunimit për sigurinë hekurudhore në rajon

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Një grup ekspertësh nga ERA, Agjencia e Bashkimit Europian për Hekurudhat, Sekretariati i Përhershëm i Komunitetit të Transportit (TCT), Autoriteti Kombëtar i Sigurisë, si dhe nga Organi Austriak i Investigimit, u mblodhën në Tiranë në kuadër të një trajnimi dyditor me fokus forcimin e sigurisë në transportin hekurudhor në rajon.

Pjesë e këtij trajnimi ishte edhe Hekurudha Shqiptare, e cila po angazhohet në procesin e rritjes së standardeve të sigurisë dhe përafrimit me praktikat më të mira europiane.

Trajnimi bëri bashkë zyrtarë dhe ekspertë të fushës, me synim shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mbi parandalimin e incidenteve dhe përmirësimin e sistemeve të sigurisë.

Fokusi kryesor i këtij aktiviteti lidhet me objektivin strategjik të Agjencisë së BE-së për arritjen e zero aksidenteve në të gjithë rajonin.

Rritja e kapaciteteve profesionale dhe trajnimi i vazhdueshëm i stafit për të shmangur incidentet dhe për të garantuar siguri maksimale në transport mbetet një prioritet absolut për institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare të përfshira në sektorin e transportit hekurudhor.

Ky bashkëpunim rajonal dhe europian vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë, besueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së transportit hekurudhor në Shqipëri dhe më gjerë. /j.p/

The post Forcim i bashkëpunimit për sigurinë hekurudhore në rajon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tatimet arkëtojnë 43,6 miliardë lekë në janar

TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura nga Administrata Tatimore kanë vijuar trendin pozitiv edhe në muajin e parë të vitit 2026.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se gjatë janarit 2026 u arkëtuan 43,6 miliardë lekë, duke tejkaluar planin e parashikuar prej 43,5 miliardë lekësh.

Sipas Tatimeve, realizimi i planit në masën 100,3% konfirmon ecurinë pozitive të mbledhjes së të ardhurave, si dhe efektivitetin e masave të ndërmarra për forcimin e formalizimit të ekonomisë dhe zbatimin korrekt të detyrimeve tatimore.

Performanca e janarit vjen pas një viti me rezultate të qëndrueshme për Administratën Tatimore. Gjatë vitit 2025, të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit arritën në 4,7 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2024.

Ndërkohë, për vitin 2026, të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohet të arrijnë në 531,1 miliardë lekë, në funksion të mbështetjes së financave publike dhe realizimit të objektivave fiskale të qeverisë. /j.p/

The post Tatimet arkëtojnë 43,6 miliardë lekë në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla me fermerët në Cërrik, Gramsh dhe Belsh: Orientim më i mirë i mbështetjes direkte


TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një dëgjesë me fermerë të Cërrikut, Gramshit dhe Belshit, diskutoi mbi Skemën Kombëtare 2026 dhe mënyrat për të orientuar më mirë buxhetin e mbështetjes direkte drejt nevojave reale të fermerëve.

Në këtë takim, ministri prezantoi edhe instrumentet e tjera financiare që fermerët mund të përdorin gjatë vitit 2026 si skemat e granteve, kredinë e butë, e cila, e kombinuar me garancinë shtetërore, ul normën e interesit deri në 2% dhe mbulon kolateralin deri në 70%, si dhe kompensimin e TVSH-së.

Paketa e integruar e mbështetjes financiare synon të shoqërojë fermerët në çdo hap, nga prodhimi deri te tregu, duke nxitur formalizimin, investimet dhe rritjen e konkurrueshmërisë së bujqësisë shqiptare.

Ministri Salla theksoi se bashkë me qeverinë është përgatitur paketa më e madhe financiare ndonjëherë për bujqësinë shqiptare dhe se qeveria ka vendosur një garanci prej 250 milionë eurosh për të lehtësuar marrjen e kredive me 2% interes.

Sektori i agropërpunimit do të ketë fokus të veçantë këtë vit, për të stimuluar investimet dhe për të rritur shtimin e vlerës së prodhimeve bujqësore në treg.

/r.e/j.p/

The post Salla me fermerët në Cërrik, Gramsh dhe Belsh: Orientim më i mirë i mbështetjes direkte appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq, Kapiteneria e Vlorës ndalon lundrimin e mjeteve të vogla

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Kapiteneria e Portit të Vlorës ka ndaluar lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike.

Ndalimi vlen nga ora 14:00 e ditës së sotme, deri në orën 06:00 të datës 5 shkurt, pasi pritet që lartësia e dallgëve të shkojë deri në 6,5 metra, ndërsa shpejtësia e erës të arrijë 30-45 m/s.

Institucionet dhe subjektet që operojnë në fushën e detarisë janë të këshilluara të marrin të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe për rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve.

/a.f/r.e/

The post Moti i keq, Kapiteneria e Vlorës ndalon lundrimin e mjeteve të vogla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QKB: 5356 regjistrime të reja deklaruan pronarin përfitues në 2025-ën


TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Në vitin 2025 regjistri i pronarëve përfitues ka shënoi një rritje të dukshme të ndërgjegjësimit dhe respektimit të ligjit nga bizneset.

Gjatë këtij viti, 5 356 subjekte kanë deklaruar pronarët përfitues, duke shënuar një rritje prej 27% krahasuar me vitin 2024 dhe 16% më shumë në krahasim me vitin 2023.

Deklarimi i saktë i pronarëve përfitues është një detyrim ligjor për të gjitha subjektet që janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe është një hap i domosdoshëm për të siguruar një mjedis të pastër dhe të qëndrueshëm biznesi.

Rritja e numrit të deklarimeve tregon se subjektet janë bërë më të përgjegjshme dhe po e kuptojnë rëndësinë e transparencës në aktivitete të biznesit, jo vetëm për përmbushjen e detyrimeve ligjore, por edhe për forcimin e besimit të publikut dhe partnerëve të tyre.

“Për t’u përputhur me kërkesat ligjore, çdo subjekt duhet të sigurohet që të deklarojë saktë pronarët përfitues, ndihmon në rritjen e besueshmërisë së tij dhe shmang mundësitë për penalizime”, bën të ditur QKB.

Për këtë qëllim, QKB ofron mundësi për të përditësuar informacionet online, një proces i thjeshtë dhe i shpejtë që mund të kryhet përmes platformës zyrtare të QKB-së.

/r.e/a.f/

The post QKB: 5356 regjistrime të reja deklaruan pronarin përfitues në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

210 milionë lekë për punësimin dhe mbështetjen e shtresave në nevojë përmes ndërmarrjeve sociale

TIRANË, 3 shkurt/ATSH/ Fondi total i vënë në dispozicion për mbështetjen e punësimit dhe përfshirjes sociale të shtresave në nevojë për periudhën 2026-2028 arrin në 210 milionë lekë.

Skema ka për qëllim mbështetjen e ndërmarrjeve sociale që krijojnë vende pune dhe ofrojnë shërbime për grupet më të pafavorizuara, përmes subvencionimit të pagës minimale dhe sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore.

Ky fond do të shpërndahet nëpërmjet skemës së ndihmës shtetërore “Fondi në mbështetje të ndërmarrjes sociale”, e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe e autorizuar nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Sipas vendimit, ndihma për një ndërmarrje të vetme nuk mund të kalojë 14 milionë lekë për tre vjet.

Çdo përfitues duhet të nënshkruajë deklaratën për ndihmën, ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale do të raportojë çdo vit mbi ndikimin ekonomik dhe social të skemës. Të dhënat për zbatimin e saj do të ruhen për 10 vjet.

Komisioni ka vlerësuar se skema është në përputhje me ligjin e ndihmës shtetërore, nuk cenon konkurrencën dhe nuk shtrembëron funksionimin normal të tregut.

/r.e/a.f/

The post 210 milionë lekë për punësimin dhe mbështetjen e shtresave në nevojë përmes ndërmarrjeve sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ankandi i obligacioneve 2 miliardë lekë, Malaj: Kërkesa e investitorëve trefishoi ofertën

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Ministria e Financave zhvilloi sot, ankandin e instrumentit obligacione 15-vjeçare. Shuma e shpallur nga Ministria ishte 2 miliardë lekë.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se kërkesa e investitorëve rezultoi rreth tri herë më e madhe se shuma e shpallur për emetim, duke reflektuar besim të shtuar në stabilitetin makroekonomik dhe në perspektivën afatmesme të financave publike.

Obligacionet 15-vjeçare, të emetuara nga qeveria shqiptare, konsiderohen instrumente me risk minimal, të përshtatshme për investime afatgjata nga institucionet financiare, fondet e pensioneve dhe investitorë të tjerë që kërkojnë siguri dhe kthime të qëndrueshme.

Tejkalimi i ofertës në ankand tregon se tregu është i gatshëm të financojë borxhin publik në maturitete më të gjata, duke ulur presionin e rifinancimit në afat të shkurtër.

“Këto obligacione të emetuara nga qeveria shqiptare ofrojnë siguri dhe risk zero, duke i bërë një zgjedhje tërheqëse për investime afatgjata”, deklaroi Malaj.

Interesi i lartë për këtë obligacion lidhet edhe me rënien graduale të yield-eve të titujve qeveritarë gjatë dy viteve të fundit. Kjo prirje është nxitur nga kërkesa më e moderuar për huamarrje nga ana e qeverisë dhe nga përmirësimi i perceptimit të riskut sovran, faktorë që kanë rritur pjesëmarrjen si të investitorëve vendas, ashtu edhe të atyre ndërkombëtarë.

Sipas projeksioneve fiskale, borxhi publik bruto pritet të vijojë trajektoren rënëse, duke zbritur në rreth 53,6% të PBB-së në vitin 2026, ndërsa në afat më të gjatë synohet një nivel rreth 46,4% në vitin 2031. Ky konsolidim fiskal forcon më tej besueshmërinë e instrumenteve afatgjata si obligacioni 15-vjeçar.

Në këtë kontekst, ankandi i suksesshëm i obligacionit 15-vjeçar shërben jo vetëm si burim financimi për buxhetin e shtetit, por edhe si një indikator i qartë i besimit të tregut në politikat fiskale dhe në stabilitetin ekonomik të vendit.

/a.f/r.e/

The post Ankandi i obligacioneve 2 miliardë lekë, Malaj: Kërkesa e investitorëve trefishoi ofertën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje besimi në sektorët kryesorë ekonomikë në janar, konsumi pak i rezervuar

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Bizneset në Shqipëri janë më optimiste për zhvillimin e aktiviteteve të tyre ekonomike në këtë fillimvit.

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit në muajin janar, duke qëndruar 10 pikë mbi mesataren historike, sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë.

Sektori i industrisë shënoi rritje besimi me 4,8 pikë përqindje, për shkak të përmirësimit të prodhimit, rritjes së kontratave dhe eksporteve.

Besimi në ndërtim u rrit me 3,1 pikë përqindje, ndërsa sektori i shërbimeve regjistroi rritje prej 7,4 pikë dhe tregtia me 4,4 pikë përqindje. Për të gjithë këta sektorë, pritjet për të ardhmen mbeten optimiste.

Ndërkohë, besimi i konsumatorëve mbeti i pandryshuar krahasuar me muajin e mëparshëm, duke qëndruar rreth 1,4 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Vrojtimi tregon përmirësim në blerjet e mëdha, por konsumatorët janë pak më të rezervuar për situatën e tyre financiare personale dhe për ekonominë e vendit në të ardhmen.

Vrojtimi i Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit, i cili bashkëfinancohet nga Banka e Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian, ofron të dhëna mujore për klimën ekonomike dhe pritshmëritë e aktorëve ekonomikë në vend.

1 nga 3

/a.f/r.e/

The post Rritje besimi në sektorët kryesorë ekonomikë në janar, konsumi pak i rezervuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga “Albbakër” te “Superfosfati”, shoqëritë tregtare shtetërore në likuidim

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit (MEI) ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, i cili synon zgjidhjen përfundimtare të një problematike të akumuluar ndër vite, lidhur me shoqëritë tregtare shtetërore që vijojnë të qëndrojnë për periudha shumëvjeçare në proces likuidimi, pa u çregjistruar përfundimisht.

Projektligji parashikon krijimin e një procedure të posaçme ligjore për përfundimin, mbylljen dhe çregjistrimin përfundimtar të këtyre shoqërive, si dhe përcaktimin e mekanizmave për trajtimin, administrimin dhe kalimin e aseteve dhe detyrimeve të tyre te një shoqëri shtetërore pasuese.

Qëllimi themelor i kësaj nisme ligjore është krijimi i një zgjidhjeje të qëndrueshme për adresimin e vështirësive të theksuara në administrimin e detyrimeve, pasurive dhe marrëdhënieve juridike të shoqërive tregtare shtetërore në likuidim, procese të cilat në shumë raste janë zgjatur për mbi 15-20 vjet.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet përmbyllja përfundimtare juridike, financiare dhe administrative e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim, transferimi i të drejtave dhe detyrimeve të tyre te një subjekt shtetëror pasues, si dhe garantimi i vazhdimësisë juridike në marrëdhëniet me kreditorët dhe palët e treta. Njëkohësisht, ligji krijon kushte për një administrim më efikas dhe të centralizuar të aseteve dhe pjesëmarrjeve shtetërore.

Edhe pse projektligji nuk ishte parashikuar në programin analitik të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit apo në programin analitik të akteve normative, ai vlerësohet si i domosdoshëm për përmbylljen efektive të proceseve të likuidimit dhe për administrimin e rregullt të pasurive dhe detyrimeve shtetërore.

Aktualisht, në pronësinë dhe përgjegjësinë administruese të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit ndodhen disa shoqëri tregtare me kapital shtetëror mbi 51%, të cilat nuk ushtrojnë më veprimtari ekonomike dhe ekzistojnë kryesisht për administrimin e aseteve dhe trajtimin e detyrimeve të mbartura ndër vite. Mes tyre përfshihen “Albbakër” sh.a., “Albkrom” sh.a., “Albminiera” sh.a., “Prodhim Mobilie” sh.a., “Petrol Alba” sh.a., “Duhan–Cigare” sh.a., “Albkontroll” sh.a. (Durrës), “Superfosfat Kurbin” sh.a. dhe “Qendra e Regjistrimit të Aksioneve”.

Analiza e situatës financiare të këtyre shoqërive tregon se një pjesë e konsiderueshme e detyrimeve të raportuara janë shumë të vjetra, të parashkruara, të pajustifikuara ose të regjistruara pa dokumentacion mbështetës. Në të njëjtën kohë, këto shoqëri administrojnë pasuri të paluajtshme me vlerë të konsiderueshme, si truall, objekte industriale, fabrika, depo dhe galeri minerare, vlera e të cilave tejkalon detyrimet reale të pagueshme.

/r.e/a.f/

The post Nga “Albbakër” te “Superfosfati”, shoqëritë tregtare shtetërore në likuidim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pagat e gjyqtarëve të njëjta me ato të Greqisë, s’mund të përdorin pushtetin duke ushtruar presion

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me kërkesën e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga dy shoqata gjyqtarësh për rritjen e pagave të gjyqtarëve, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe problematike nga pikëpamja e logjikës dhe e etikës institucionale.

Në një komunikim me qytetarët, Rama iu referua regjistrimit të një seance të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar së fundmi, ku një gjyqtar dhe dy shoqata gjyqtarësh kanë kërkuar rritje të pagave mujore nga rreth 2 000 deri në 3 000 euro, duke përdorur, sipas tij, argumente që vënë në diskutim standardet e arsyetimit dhe përgjegjësisë publike.

Kryeministri u shpreh se dëgjimi i atij regjistrimi të lë “në vështirësi të madhe”, pasi bëhet fjalë për individë që kanë në dorë dhënien e drejtësisë, ndërkohë që arsyetimi i paraqitur para Gjykatës Kushtetuese është, sipas tij, “tejet për të dëshiruar”.

Rama theksoi se kjo nuk është çështje personale dhe se nuk synon polemikë me askënd, por ngriti shqetësimin se gjyqtarët, duke qenë të pavarur nga vota dhe llogaridhënia direkte publike, nuk mund të përdorin pushtetin e tyre për të ushtruar presion mbi pushtetet e tjera me qëllim rritjen e pagave.

Kryeministri theksoi se gjyqtarët në Shqipëri tashmë paguhen në nivele të barabarta me gjyqtarët në Greqi, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe se pagat e tyre janë 2 herë më të larta se ato të gjyqtarëve në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Rama nënvizon se diskutimi për “ndërgjegjen” dhe “nivelin e demokracisë”, i ngritur nga disa prej gjyqtarëve gjatë seancës, është ironik dhe i pabazuar, ndërsa theksoi se demokracia nuk forcohet përmes vendimmarrjes në interes vetjak, por përmes përgjegjësisë dhe respektimit të balancës së pushteteve.

Ai shtoi se Shqipëria ndodhet përballë një situate paradoksale, ku gjyqtarët synojnë të imponohen mbi dy pushtetet e tjera, duke krijuar një precedent të rrezikshëm institucional.

Ai kujtoi se sistemi i referencës i miratuar në vitin 2016 kishte një qëllim të qartë dhe të kufizuar në kohë: forcimin e pavarësisë së gjyqësorit në kuadër të reformës në drejtësi, përmes pagave më të larta se ato të funksionarëve të tjerë, si sinjal i fortë i vullnetit shtetëror për një drejtësi të pavarur dhe të respektuar.

“Ky mekanizëm u ndërtua për të reflektuar ndryshimet reale të çmimeve dhe zhvillimet ekonomike, jo për t’u shndërruar në një privilegj të përhershëm që gjyqtarët ta vendosin vetë”, nënvizoi Kryeministri.

Shqipëria, sipas tij, mbetet ndër të paktat vende ku gjyqtarët paguhen më shumë se Presidenti, deputetët dhe drejtuesit e tjerë të lartë të shtetit.

“Shqipëria mbetet praktikisht i vetmi vend ku gjyqtarët përfitojnë paga më të larta se të gjithë funksionarët e tjerë të shtetit, përfshirë edhe Presidentin e Republikës. Kërkesat aktuale parashikojnë rritje prej rreth 1 800 euro për gjyqtarët e shkallës së parë, rreth 2 000 euro për gjyqtarët e Apelit dhe deri në 3 000 euro për gjyqtarët e SPAK-ut, BKH-së dhe strukturave të lidhura me to. Vlen të theksohet se SPAK nuk i është bashkuar kësaj nisme, e cilësuar nga shumëkush si e pabazuar dhe e tepruar, çka përbën një akt përgjegjshmërie institucionale dhe meriton respekt”, deklaroi Rama.

Në këtë kontekst, Rama kritikoi ashpër edhe argumentin e paraqitur gjatë seancës, sipas të cilit gjyqtarët “sjellin të ardhura” në buxhetin e shtetit përmes gjobave dhe konfiskimeve, duke pretenduar se kjo justifikon rritjen e pagave.

Ai e cilësoi këtë arsyetim si absurd dhe të rrezikshëm, pasi hap rrugën për një logjikë ku edhe administrata tatimore, doganat apo policia mund të kërkojnë paga më të larta bazuar në të ardhurat që gjenerojnë, madje deri në përvetësimin e gjobave.

“Po mësuesit, infermierët, pensionistët dhe punonjësit e tjerë të shtetit që nuk prodhojnë të ardhura të drejtpërdrejta, por mbajnë shoqërinë në këmbë? Si justifikohet përballë tyre përdorimi i rreth 37 milionë eurove për rritje pagash që e çojnë gjyqësorin shqiptar mbi nivelin e shumë vendeve të Bashkimit Evropian?!”, shtroi Rama.

Kryeministri shprehu besimin që kjo çështje të mos kthehet në një njollë të rëndë për shtetin shqiptar dhe që sistemi i drejtësisë të mos detyrojë institucionet të kërkojnë “ilaçe të tjera” për të korrigjuar një situatë që, sipas tij, rrezikon të dalë jashtë çdo norme logjike dhe morale.

“Shpresoj shumë që Gjykata Kushtetuese mos t’i lërë këtë njollë të madhe turpi Shqipërisë dhe të mos na detyrojë të kërkojmë ilaçe të tjera. Kush është i interesuar të marrë regjistrimin dhe të kuptojë shumë mirë se sa absurde është kjo histori me gjykatësit që duan t’i rrisin vetes pagat. Vetë zot, vetë shkop!”, u shpreh Rama.

/a.gj/r.e/ /a.g/

The post Rama: Pagat e gjyqtarëve të njëjta me ato të Greqisë, s’mund të përdorin pushtetin duke ushtruar presion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ish-materniteti i Korçës do të shërbejë si qendër e Polit të Dijes

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/ Ish-materniteti i Korçës, i dhuruar qytetit nga filantropi i shquar Thoma Turtulli, një nga objektet më të rëndësishme për kujtesën historike dhe vlerat arkitekturore të qytetit, do t’i nënshtrohet restaurimit.

Kryeministri Edi Rama publikoi foto nga projekti i restaurimit, duke bërë të ditur se godina është shpëtuar nga asgjësimi dhe do të shërbejë si qendër administrative e Polit të ri të Dijes.

Projekti i restaurimit synon të nxjerrë në pah vlerat arkitekturore të godinës, të degraduara ndër vite, duke ruajtur elementët origjinalë dhe karakterin unik të saj.

Thoma Turtulli ishte një nga bamirësit më të mëdhenj të Korçës, i cili i dhuroi qytetit një sërë objektesh me rëndësi të veçantë, si spitalin, bibliotekën, kinemanë, liceun dhe jetimoren.

Me ndërtimin e spitalit, ai shpëtoi nga vdekja dhjetëra njerëz, ndërsa me bibliotekën kontribuoi në përhapjen e dijes në një qytet të njohur për traditën e tij arsimdashëse.

Restaurimi i kësaj godine vlerësohet si një hap i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të Korçës.

/a.gj/r.e/ /a.g/

The post Ish-materniteti i Korçës do të shërbejë si qendër e Polit të Dijes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌