Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Disa sisteme imunitare mund të mundin kancerin: A mund të kthehet kjo në një ilaç?

Shkencëtarët po shqyrtojnë një ide premtuese: a mund të përdoret mënyra se si vetë trupi lufton kancerin për të krijuar një trajtim të ri?

Sipas disa studimeve, përgjigjja mund të jetë po, megjithëse rruga drejt një ilaçi funksional është ende e gjatë, ka raportuar The New York Times.

Dihet se shumica e kancereve rriten, përhapen dhe pa trajtim janë vdekjeprurëse.

Por në disa raste të rralla, kanceri ose zhduket vetë, ose mbetet në trup pa u përkeqësuar dhe pa shkaktuar simptoma. Kjo bie ndesh me atë që zakonisht besohet për kancerin.

Pikërisht kjo e ka intriguar prej vitesh doktorin Edward Patz, studiues i njohur i kancerit në Universitetin Duke, i cili mendon se këto raste të pazakonta mund të fshehin çelësin për trajtime të reja.

Pas shumë vitesh kërkimi, puna e tij ka çuar në zhvillimin e një ilaçi eksperimental, i cili deri tani është testuar vetëm te një numër i vogël pacientësh me kancer të mushkërive. Rezultatet fillestare janë inkurajuese, megjithëse shumica e ilaçeve eksperimentale dështojnë kur testohen në studime më të mëdha.

Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur doktor Patzin, i cili ka themeluar kompaninë Grid Therapeutics, me shpresën se ky ilaç do të shndërrohet në një formë të re trajtimi kundër kancerit.

Edhe studiues të tjerë, që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë projekt, shprehen të interesuar.

“Jemi ende shumë, shumë herët. Por ideja më pëlqen”, ka thënë doktor Roy Herbst, ekspert i kancerit të mushkërive dhe shef i onkologjisë mjekësore në Universitetin Yale.

Edhe doktor David Barbie, shef i onkologjisë torakale në Institutin Dana-Farber, e konsideron konceptin interesant, por paralajmëron se rruga drejt provave të forta është e gjatë.

“Në këtë fazë, efektiviteti është ende vetëm një lidhje e vëzhguar, jo një provë e qartë”, ka thënë ai.

Kërkimi i doktor Patzit ka nisur dekada më parë, kur ai ka vërejtur se disa kancere që duken të njëjta në skanime, në realitet sillen shumë ndryshe: disa janë të ngadalta dhe të padëmshme, ndërsa të tjerat agresive.

Ai dhe ekipi i tij kanë analizuar mostra të ruajtura prej 25 vjetësh nga pacientë me kancer të mushkërive, duke krahasuar ata që kishin ndërruar jetë shpejt me ata që kishin mbijetuar.

“Ne kishim mostra indi të tumorit, mostra gjaku dhe të dhëna të qarta për ecurinë e sëmundjes”, ka thënë doktor Patz.

Fillimisht, studiuesit kanë kërkuar dallime gjenetike ose proteina të veçanta, por nuk kanë gjetur asgjë domethënëse. Më pas, ata u fokusuan te serumi i gjakut dhe aty zbuluan diçka interesante: një antitrup të quajtur GT103.

Pas analizës së qindra pacientëve, doktor Patz ka vërejtur se prania e këtij antitrupi lidhej me një stagnim të kancerit të mushkërive në fazat e hershme.

Dukej se GT103 ndihmonte sistemin imunitar të sulmonte qelizat kancerogjene, duke bllokuar një “mburojë molekulare” që kanceri përdor për t’u fshehur nga mbrojtja e trupit.

Kur ky antitrup është i pranishëm, një pjesë e sistemit imunitar arrin t’i shkatërrojë qelizat e kancerit.

Hapi tjetër ishte prodhimi i sasive të mëdha të këtij antitrupi për përdorim si trajtim.

Studiuesit e Institutit për Vaksina në Universitetin Duke ndihmuan në prodhimin e tij.

Testet te kafshët kanë treguar rezultate pozitive. Më pas nisi faza e parë e provave te njerëzit, e fokusuar vetëm në sigurinë e ilaçit.

Studimi ka përfshirë 31 pacientë me kancer të mushkërive, te të cilët trajtimet standarde kishin dështuar.

Tumoret nuk u tkurrën, por te rreth një e treta e pacientëve, ato ndaluan së rrituri për një peirudhë kohore.

“E përdora te një pacient që kishte kaluar disa linja trajtimi pa sukses. Nuk kishim shumë çfarë t’i ofronim, por me këtë ilaç, kanceri i tij ka ndaluar së rrituri për nëntë apo dhjetë muaj”, ka thënë doktor George Simon.

Më pas, studiuesit e kombinuan antitrupin me pembrolizumab, një ilaç imunoterapie i njohur si Keytruda.

Ideja ishte që të aktivizoheshin dy mekanizma të ndryshëm të sistemit imunitar njëkohësisht.

“Antitrupi ynë vret qelizat e tumorit, por ndoshta jo të gjitha. Me ilaçin tjetër, ne përpiqemi ta ‘trajnojmë’ sistemin imunitar që të merret me pjesën tjetër”, ka shpjeguar doktor Patz.

Rezultatet ishin të përziera. Te disa pacientë, tumoret u stabilizuan, por më vonë filluan të rriteshin sërish. Në disa raste, rritja e dukshme në skanime ishte për shkak të inflamacionit, jo të rritjes reale të kancerit.

“Ajo që shohim në imazhe nuk janë gjithmonë qeliza kancerogjene”, ka thënë doktor Patz.

Megjithatë, pati edhe një rast të jashtëzakonshëm.

Një pacient kishte zhdukje të plotë të tumorit. Prej dy vitesh, analizat nuk kanë treguar asnjë shenjë të sëmundjes.

“Ai nuk është më në asnjë trajtim”, ka thënë doktori Hirva Mamdani.

Hapi i radhës, sipas studiuesve, është një studim shumë më i madh, me qindra pacientë dhe me një grup krahasimi.

“Duhet t’i studiojmë këto rezultate në shkallë të gjerë”, ka thënë doktor Simon.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Disa sisteme imunitare mund të mundin kancerin: A mund të kthehet kjo në një ilaç? appeared first on Sinjali.

Si të lehtësoni sekrecionet me zgjedhje të mençura ushqimore

Kur përballeni me të ftohur ose infeksione të sinuseve, mënyra e të ushqyerit mund të ndikojë dukshëm në gjendjen tuaj. Disa ushqime mund të rrisin prodhimin e sekrecioneve dhe të përkeqësojnë simptomat.

Çokollata mund të rrisë aciditetin në stomak dhe të dobësojë sfinkterët e ezofagut, duke shkaktuar kollë, gëlbazë dhe ngjirje të zërit.

Mentja dhe nenexhiku veprojnë në mënyrë të ngjashme, sidomos tek personat me refluks laringofaringeal (LPR) ose gastroezofageal (GERD), duke shtuar sekrecionet dhe irritimin e fytit.

Kafeja dhe alkooli gjithashtu dobësojnë sfinkterët e ezofagut dhe mund të shkaktojnë refluks, duke rritur prodhimin e mukusit. Alkooli po ashtu mund të çojë në dehidrim, gjë që bën që sekrecionet të grumbullohen më gjatë.

Ushqimet me histaminë, si djathi, kosi, lakra turshi, mishi i përpunuar, qershitë dhe patëllxhani, mund të shkaktojnë reagime të ngjashme me alergjitë, përfshirë shtim të mukusit.

Pijet e gazuara dhe disa ushqime alergjike si qumështi, vezët, kikirikët dhe soja, mund të shkaktojnë kollë, frymëmarrje të vështirësuar dhe ënjtje të fytit.

Përkundrazi, disa ushqime mund të ndihmojnë: supat, ushqimet pikante, frutat, perimet, drithërat dhe legumet, të pasura me fibra, mund të lehtësojnë rrjedhjen e mukusit dhe të përmirësojnë gjendjen.

Një dietë e kujdesshme dhe shmangia e ushqimeve që irritojnë fytin mund të bëjë diferencën midis një infeksioni të gjatë dhe një shërimi më të shpejtë.

The post Si të lehtësoni sekrecionet me zgjedhje të mençura ushqimore appeared first on iconstyle.al.

13:00 Unë jam neurolog dhe nuk i ha kurrë këto 4 ushqime

Mjekët shpesh këshillojnë të shmangim ushqimet e përpunuara ose ato që përmbajnë shumë sheqer dhe yndyra të ngopura. Kjo është një këshillë e domosdoshme, pasi konsumimi i shpeshtë i tyre rrit rrezikun për sëmundje kronike, përfshirë edhe çrregullime neurologjike si goditja në tru dhe demenca.

Megjithatë, si neurolog, mund t’ju them se ekzistojnë edhe disa ushqime të tjera, më pak të njohura, që duhen shmangur për të parandaluar probleme serioze neurologjike.

Këto janë katër ushqime që unë nuk i ha kurrë:

1. Ushqime të konservuara me kanaçe të dëmtuara

Nëse një kanaçe është e fryrë, e çarë ose shumë e gërvishtur, kjo duhet të jetë një sinjal alarmi. Mund të jetë shenjë e kontaminimit me botulinum, një bakter që prodhon toksinën e botulizmit.

Toksina botulinike është një nga neurotoksinat më të fuqishme që njeh shkenca. Ajo bllokon çlirimin e një neurotransmetuesi që i mundëson trurit të komunikojë me muskujt. Pasojat mund të përfshijnë paralizë të gjymtyrëve, shikim të turbullt dhe, në raste të rënda, vështirësi të frymëmarrjes. Pa trajtim të menjëhershëm, botulizmi mund të jetë fatal.

Ajo që e bën këtë toksinë veçanërisht të rrezikshme është fakti se nuk mund të zbulohet nga era, shija apo pamja. Për më tepër, ngrohja e ushqimit nuk garanton neutralizimin e saj.

Mbani mend këtë rregull të thjeshtë: “Kur ke dyshime, hidhe.”

2. Disa peshq shkëmborë, veçanërisht në zona tropikale

Unë e dua peshkun dhe i inkurajoj pacientët e mi të konsumojnë lloje si salmoni, sardelet dhe trofta, të cilat janë të pasura me omega-3 dhe të ulëta në merkur.

Por këshilloj kujdes me peshqit e mëdhenj tropikalë si barrakuda, grouper, morena, ngjala detare dhe amberjack. Këta peshq mund të përmbajnë ciguatoksinë, veçanërisht në zona me shkëmbinj koralorë.

Kam parë personalisht raste të helmimit nga ciguatera. Simptomat përfshijnë ndjesi të çuditshme të të ftohtit, djegie, mpirje, marramendje dhe madje edhe ëndrra shumë të gjalla. Për shkak se simptomat janë të paqarta, diagnoza shpesh vonohet.

Problemi kryesor është se ciguatoksina është rezistente ndaj nxehtësisë — pra, gatimi nuk e shkatërron. Ashtu si toksina botulinike, ajo nuk ka shije apo erë.

Rekomandohet të kufizohet konsumimi i peshqve grabitqarë të mëdhenj, të shmangen pjesë si mëlçia, vezët dhe koka, dhe të tregohet kujdes i veçantë në zona endemike.

3. Mish derri i pagatuar ose i pagatuar dobët

Rreziku këtu është neurocisticerkoza. Neurocisticerkoza është një nga shkaqet kryesore të epilepsisë në mbarë botën. Edhe pse më e rrallë në vendet e zhvilluara, raste janë raportuar edhe në SHBA.

Nëse udhëtoni shpesh ose jetoni në zona me kushte të dobëta sanitare, është thelbësore të gatuani mirë mishin e derrit dhe të mbani higjienë të mirë të duarve.

4. Qumësht i papasterizuar

Pasterizimi i qumështit përfshin trajtimin me nxehtësi për të eliminuar mikroorganizmat e rrezikshëm. Edhe pse procesi ul lehtësisht disa vitamina, ndikimi është minimal.

Qumështi i papasterizuar, është një burim i njohur i baktereve si Listeria, E. coli dhe Salmonella. Studimet tregojnë se konsumimi i tij shkakton rreth 840 herë më shumë sëmundje dhe 45 herë më shumë shtrime në spital krahasuar me qumështin e pasterizuar, edhe pse konsumohet nga një pjesë shumë e vogël e popullsisë.

Fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët janë më të rrezikuarit për pasoja serioze, përfshirë dëmtime të trurit, meningjit, koma, abort spontan dhe madje vdekje.

Kam parë personalisht raste me dëmtime të pakthyeshme neurologjike të shkaktuara nga produkte të papasterizuara.

Pretendimet se qumështi i papasterizuar ul astmën, kancerin apo intolerancën ndaj laktozës nuk mbështeten nga prova shkencore.

Para se të bëni ndryshime të mëdha në dietën tuaj, këshillohuni gjithmonë me një profesionist shëndetësor. Çelësi është të jemi më të vetëdijshëm për atë që konsumojmë veçanërisht kur bëhet fjalë për ushqime që mund të dëmtojnë trurin./KM

12:30 Shëndeti mendor i fëmijës suaj është më i rëndësishëm se notat e mira; rezultatet e mira nuk më shërbyen!

Po t’i kthehem pas viteve të shkollimit, kujtoj që (si shumë të tjerë) më interesonin vetëm rezultatet e mira në shkollë; ato ishin gjithçka! Kujtoj netët kur stërmundohesha vetëm që të arrija rezultatin maksimal në provim, të nesërmen! Atëherë dukej se kjo ishte gjëja e duhur për t’u bërë por sot, unë nuk dua që im bir të sforcohet aq shumë, në moshën e tij. Mund t’iu duket e çuditshme por lermëni ta shpjegoj mendimin tim…

1. Askush, në gjithë vitet që erdhën më pas, nuk më ka pyetur ndonjëherë për rezultatet që kam arritur në shkollë. As punëdhënësit nuk më kanë kërkuar rezultatet e universitetit. Gjithë çfarë vlente për t’u plotësuar ishte kutia e ‘përvojës në punë’.

2. Kam harruar gjithçka që kam mësuar në shkollë.

E vija re që atëherë se harroja gjithçka që kisha mësuar, menjëherë pas provimit. Kur nisa të punoj kuptova që nuk kujtoja asgjë nga ato që kisha mësuar në shkollë dhe, mbi të gjitha, asgjë prej tyre nuk më duhej! Përveç të tjerash pata edhe një dilemë të madhe meveten; nuk po dija ku t’i aplikoja gjithë gjërat që kisha mësuar. Siç u kuptua më vonë, vitet e studimit nuk më dhanë asnjë përparësi; nuk isha as më e mirë e as më e zonja se njerëzit më pak të shkolluar.

3. Përpjekja për rezultate maksimale më dëmtoi shëndetin

Disa njerëz mund t’i kapin gjërat në ajër por unë nuk jam një prej tyre! Që t’i fiksoja leksionet më duhej të studioja shumë. Në kohën e provimeve studioja 12-15 orë në ditë. Ende më kujtohet se si më zinte gjumi gjatë leksioneve apo në mjetet e transportit publik, prej lodhjes. Për shkak të lodhjes produktiviteti im ra. Tani që i mendoj këto gjëra habitem me veten dhe teknikat e mia të studimit! Jam e sigurtë që nëse do të kthehesha pas, nuk do të bëja më të njëjtën gjë!

4. Nuk kisha kohë për njerëzit

Në universitet kisha mjaft mundësi për të krijuar marrëdhënie me njerëzit por isha tepër e zënë për ta bërë këtë gjë. Studimet rrëmbenin të gjithë kohën që kisha dhe nuk më mbetej kohë për jetën private. Humba mundësinë më të mirë për të krijuar miqtë që nuk kam ku I gjej më! Sot, shumë vite më vonë, kam vënë re që të gjithë studentët e shkathët e të socializuar, jo aq të përkushtuar pas studimeve, janë sot njerëz të rëndësishëm e me ndikim në shoqëri.

Këto janë këshillat që kam sot për fëmijët e mi, kur të nisin shkollën:

-Ndryshimi midis vlerësimit me A apo B është kaq I pandjeshëm sa që nuk duhet të ndikojë në cilësinë e jetës!

-Janë aftësitë e tua ato që do të ndihmojnë për të paguar faturat dhe jo rezultatet e shkollës.

-Një diplomë prestigjoze nuk do të të ndihmojë të kesh përparësi në jetë por miqtë me influencë, po!

-Mos bëj gjëra për të cilat mendon se janë të pakuptimta!

-Mos u mundo të përmbushësh pritshmëritë e të tjerëve!/KM

Nga çokollata te kafeja, ushqimet që shtojnë sekrecionet dhe përkeqësojnë shëndetin e fytit

Nëse po luftoni me të ftohurin dhe po përjetoni një infeksion të sinuseve, mënyra e të ushqyerit është shumë e rëndësishme. Ushqimet që hamë mund të përmirësojnë ose përkeqësojnë situatën dhe në disa raste mund të jetë shkaku kryesor për prodhimin e tepërt të sekrecioneve. Ja disa ushqimet që mund të ndikojnë duke përkeqësuar gjendjen tuaj. […]

The post Nga çokollata te kafeja, ushqimet që shtojnë sekrecionet dhe përkeqësojnë shëndetin e fytit appeared first on BoldNews.al.

20:44 Analizat e gjakut mund të parashikojnë rrezikun e diabetit të tipit 2 vite përpara

Studiuesit identifikojnë dhjetëra metabolite dhe krijojnë një “nënshkrim” biologjik që parashikon rrezikun e sëmundjes, përtej faktorëve tradicionalë

Studiues nga Mass General Brigham dhe Albert Einstein College of Medicine kanë identifikuar se metabolitet, molekula të vogla në gjak që krijohen gjatë metabolizmit, lidhen me rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 në të ardhmen. Ata po ashtu kanë zbuluar faktorë gjenetikë dhe të stilit të jetesës që mund të ndikojnë në këto metabolite. Përveç kësaj, kanë zhvilluar një nënshkrim që parashikon rrezikun e ardhshëm për diabet të tipit 2, përtej faktorëve tradicionalë të rrezikut. Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën Nature Medicine.

Gjatë analizimit të metaboliteve, u vërtetua se 235 prej tyre kanë lidhje me rrezik më të lartë ose më të ulët për zhvillimin e diabetit të tipit 2.

Diabeti është një sëmundje metabolike që është në rritje në mbarë botën, dhe më shumë se 90 për qind e rasteve janë diabet i tipit 2, ku trupi nuk reagon në mënyrë efikase ndaj insulinës. Në studimin e ri, studiuesit ndoqën 23.634 persona me prejardhje të ndryshme etnike, në 10 grupe prospektive, me ndjekje deri në 26 vjet. Këta persona, në fillim të studimit, nuk kishin diabet të tipit 2. Ekipi analizoi 469 metabolite në mostrat e gjakut, si dhe të dhëna gjenetike, dietike dhe të stilit të jetesës, për të parë se çfarë lidhjeje kanë me rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2. Nga metabolitet e analizuara, u konstatua se 235 lidhen me rrezik më të madh ose më të vogël për zhvillimin e diabetit të tipit 2, prej të cilëve 67 ishin të zbuluar për herë të parë.

Ushqyerja, stili i jetesës dhe ndikimet gjenetike

– “Është interesante se zbuluam që faktorët e ushqyerjes dhe të stilit të jetesës mund të kenë ndikim më të fortë te metabolitet e lidhura me diabetin e tipit 2 sesa te metabolitet që nuk lidhen me sëmundjen. Kjo vlen veçanërisht për obezitetin, aktivitetin fizik dhe konsumimin e ushqimeve dhe pijeve të caktuara, si mishi i kuq, perimet, pijet e ëmbëlsuara dhe kafeja ose çaji. Gjithnjë e më shumë prova tregojnë se këta faktorë ushqimorë dhe të stilit të jetesës lidhen me rrezik më të lartë ose më të ulët për diabet të tipit 2. Studimi ynë tregoi se metabolite specifike mund të veprojnë si ndërmjetës potencialë, duke i lidhur këta faktorë me rrezikun e diabetit të tipit 2”, shprehet një nga autorët e studimit, Jun Li, profesor dhe epidemiolog në Mass General Brigham Department of Medicine.

U vërtetua gjithashtu se metabolitet e lidhura me diabetin e tipit 2 janë të ndërlidhur gjenetikisht me karakteristika klinike dhe tipe indesh që janë relevante për sëmundjen. Për më tepër, ekipi shkencor zhvilloi një nënshkrim unik prej 44 metabolitesh, i cili përmirëson parashikimin e rrezikut të ardhshëm për diabet të tipit 2.

Megjithëse këto gjetje të reja ofrojnë njohuri të rëndësishme, studiuesit theksojnë se nevojiten studime shtesë eksperimentale dhe prova klinike për të konfirmuar shkakësinë e këtyre lidhjeve dhe për të sqaruar se si këto rrugë metabolike kontribuojnë në zhvillimin e diabetit të tipit 2. Një kuptim më i mirë i rrugëve biologjike që qëndrojnë pas sëmundjes, siç theksojnë ata, mund të ndihmojë në zhvillimin e trajtimeve të reja. /et

Gripi vdekjeprurës, pse është kaq i rëndë këtë vit?

Jemi në sezonin e gripit dhe gjatë javës së parë të janarit në vendi u raportuan rreth 13 mijë raste, kryesisht te fëmijët dhe të moshuarit, ndërsa specialistët paralajmërojnë se shifrat reale janë shumë më të larta. Instituti i Shëndetit Publik pret rritje të shtrimeve spitalore në fund të janarit ose fillim të shkurtit. Situata është serioze edhe jashtë vendit. Portugalia regjistroi pak ditë më…

Source

Neurologu tregon ushqimet që nuk i ha kurrë

Mjekët shpesh këshillojnë të shmangim ushqimet e përpunuara ose ato që përmbajnë shumë sheqer dhe yndyra të ngopura. Kjo është një këshillë e domosdoshme, pasi konsumimi i shpeshtë i tyre rrit rrezikun për sëmundje kronike, përfshirë edhe çrregullime neurologjike si goditja në tru dhe demenca. Megjithatë, si neurolog, mund t’ju them se ekzistojnë edhe disa […]

The post Neurologu tregon ushqimet që nuk i ha kurrë appeared first on BoldNews.al.

12:00 Qepa: Ilaçi natyral për zemër, flokë dhe peshë

Qepa, një nga perimet më të vjetra të kultivuara nga njerëzimi, nuk është vetëm një përbërës i zakonshëm në kuzhinë, por ka edhe vlera të shumta shëndetësore. Historia tregon se egjiptianët e konsideronin qepën simbol të përjetësisë për shkak të formës së saj rrethore. Sot, shkenca po zbulon se kjo perime mund të ofrojë përfitime të ndryshme për trupin.

Përveç se ka pak kalori, qepa është e pasur me ujë dhe vitaminë C, duke e bërë një ushqim ideal për forcimin e sistemit imunitar. Përmbajtja e saj sulfurike i jep aromën karakteristike dhe mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut dhe mbrojtjen e zemrës. Studimet sugjerojnë gjithashtu se disa përbërës aktivë të qepës, si kurcetina dhe fitokimikatet, mund të ofrojnë mbrojtje ndaj disa formave të kancerit.

Eksperimentet e hershme tregojnë se qepa mund të ndihmojë edhe në parandalimin e rënies së flokëve, kontrollin e sheqerit në gjak tek personat me diabet dhe reduktimin e peshës tek individët mbipeshë ose obezë. Aplikimi i ekstrakteve të qepës në lëkurë mund të zvogëlojë celulitin dhe shenjat e lindjes. Për më tepër, qepa është përdorur tradicionalisht për përmirësimin e gjendjeve si astma, bronkiti, dhimbjet e stomakut, ftohja dhe inflamacioni në fyt.

Megjithatë, ekspertët këshillojnë se nevojiten më shumë studime për të konfirmuar efektet e saj të plota dhe për të kuptuar mënyrat më të sigurta dhe efektive të përdorimit. Megjithatë, qepa mbetet një aleat i shëndetit që mund të shtohet në dietën e përditshme pa frikë./KM

“Mos lyeni flokët me bojëra me amoniak”, gjinekologia tregon ndikimin ne shtatzëni

Gjinekologia Mimoza Keta, ka deklaruar se lyerja e flokëve nga ana e femrave me bojëra me amoniak ndikon në shtatzëni dhe këshillon mospërdorimin e tyre. Mjekja thotë se të gjitha produktet e përdorura nga nënat në shtatzëni duhet të jenë sa mban natyrale pa përmbajtje të rrezikshme. “Ne nuk rekomandojmë edhe lyerjen e flokëve me […]

The post “Mos lyeni flokët me bojëra me amoniak”, gjinekologia tregon ndikimin ne shtatzëni appeared first on BoldNews.al.

21:25 A ekziston një problem i tillë si të “ ngrënit shumë proteina”? Po, ja kur e tepron

Duket sikur të gjithë flasin për “targetin” e proteinës. Dhe ka arsye: proteina është thelbësore sepse ndihmon në ndërtimin dhe riparimin e muskujve, lëkurës, flokëve dhe thonjve, si edhe në funksione jetike të metabolizmit, si prodhimi i hormoneve dhe mbështetja e sistemit imunitar.

“Proteina duhet të jetë protagonistja e çdo diete,” thotë mjekja María José Crispín. “Por nuk duhet të mbështetesh te një burim i vetëm, si p.sh. pulë ose vezë çdo ditë. Synimi është shumëllojshmëria.” Ajo përmend si opsione peshkun nga burime të qëndrueshme, vezët dhe produktet organike të qumështit, si edhe burime bimore si arrat, quinoa dhe thjerrëzat.

Dhe ka edhe një paralajmërim: po, mund të hash edhe më shumë proteina seç të duhen. Sidomos tani që “proteina” po i shtohet edhe karameleve, kafesë, kokoshkave e të tjera, bëhet edhe më e rëndësishme të dish çfarë sasie të shkon.

Sa proteina të duhen?
Nuk ka një përgjigje fikse për të gjithë. Si rregull i përgjithshëm për një person aktiv, shpesh përmendet rreth 2 gramë për kilogram peshë trupore, por kjo ndryshon nëse je shtatzënë, nëse synon të shtosh masë muskulore, ose nëse je shumë aktive. Nëse s’të pëlqejnë llogaritjet, një kalkulator mund të të japë një vlerësim më të saktë.

Dietologia e regjistruar Lisa McDowell jep një rregull praktik: “Proteina në pjatë të jetë të paktën sa madhësia e pëllëmbës tënde.” Rreth 30 gramë, afërsisht.

Si ta kuptosh që të duhet më shumë proteinë
Katër shenja tipike kur proteina mungon janë: lodhje, humbje e masës muskulore, rënie e fortë e flokëve dhe ndjesia që je gjithmonë e uritur edhe pasi ke ngrënë. Vaktet e balancuara, përfshirë proteinën, janë të rëndësishme për imunitetin dhe rregullimin e hormoneve.

Si ta kuptosh që po e tepron me proteinën
Çfarë ndodh kur e shton pa kriter? Sipas Brittany Towers Lewis, e njohur si “The Black Food Scientist”, Shoqata Ndërkombëtare e Ushqyerjes Sportive ka studiuar se, mesatarisht, trupi përdor rreth 20–30 gramë proteina pas një vakti. Kjo shifër mund të rritet nëse ushtron shpesh dhe ke nevojë për më shumë riparim muskulor. Por nëse rri ulur gjithë ditën, trupi nuk ka të njëjtën kërkesë, dhe një pjesë e proteinës nuk përdoret “me vlerë”.

Përveç faktit që mund të “shpërdorosh” lëndë ushqyese, ka edhe shqetësime të tjera fizike: teprica mund të rrisë rrezikun për gurë në veshka. Dietat shumë të larta në proteina shtazore dhe të ulëta në karbohidrate mund të rrisin aciditetin në veshka. Nëse ke probleme ekzistuese me veshkat, situata mund të përkeqësohet.

Lewis shton se produktet “me proteina të shtuara” si karamele, kokoshka apo kafe, për shumicën e njerëzve nuk janë të nevojshme dhe shpesh hyjnë te kategoria e teprimit. “Mesatarisht, njeriu nuk ka pse t’i konsumojë çdo ditë. Më e rëndësishme është cilësia e proteinës.”

Në fund, ideja s’është “sa më shumë, aq më mirë”, por “sa duhet dhe nga burime të mira”./mxh

21:00 A po i merrni vitaminat B6, E dhe C pa këshillë mjeku? Ja kur “ndihma” mund të kthehet në problem

Pse vitaminat B6, E dhe C nuk janë gjithmonë të padëmshme dhe kur doza e gabuar bëhet rrezik

Në vitet e fundit, suplementet ushqimore janë bërë pjesë e përditshme e shumë njerëzve. Vitamina B6, E dhe C merren shpesh “për nerva”, “për imunitet” ose “për zemrën”, pa u menduar shumë për dozën dhe kohëzgjatjen. Megjithatë, studimet shkencore dhe përvoja klinike tregojnë se vitaminat nuk janë gjithmonë të padëmshme, sidomos kur merren në doza të larta dhe për një kohë të gjatë.

Ekspertët e National Institutes of Health (NIH) dhe European Food Safety Authority (EFSA) theksojnë se, në megadoza, disa vitamina nuk sillen më si ushqyes, por si substanca me efekt farmakologjik, të afta të shkaktojnë pasoja të padëshiruara. Pikërisht vitaminat B6, E dhe C janë shembuj të mirë se pse parimi “më shumë është më mirë” nuk vlen gjithmonë.

Vitamina B6, e njohur si piridoksinë, është e nevojshme për funksionimin e nervave dhe metabolizmin, por vetëm në sasi shumë të vogla. Nevoja ditore për një të rritur është rreth 1.3 deri në 1.7 mg. Kur merret për muaj ose vite në doza të larta, sidomos mbi 25–50 mg në ditë, studimet e publikuara në revista neurologjike dhe të përmbledhura nga NIH kanë treguar rritje të rrezikut për dëmtime të nervave periferikë. Këto dëmtime shfaqen me mpirje, ndjesi shpimi gjilpërash, djegie në duar dhe këmbë, madje edhe vështirësi në ecje. Në disa raste, përmirësimi pas ndërprerjes së suplementit është i ngadalshëm dhe jo gjithmonë i plotë.

Edhe vitamina E, e njohur si antioksidant i fuqishëm, nuk është pa rrezik kur merret pa kontroll. Doza ditore e rekomanduar është rreth 15 mg, ndërsa shumë suplemente përmbajnë qindra njësi ndërkombëtare (IU). Meta-analiza të publikuara në BMJAnnals of Internal Medicine dhe rishikime të Cochrane Collaboration tregojnë se përdorimi i dozave të larta, veçanërisht mbi 200–400 IU në ditë, lidhet me rritje të rrezikut për gjakderdhje dhe goditje hemorragjike në tru. Ky rrezik është edhe më i madh te personat që përdorin aspirinë ose barna për hollimin e gjakut. Studimi i madh SELECT, i botuar në JAMA, nuk gjeti përfitime mbrojtëse nga vitamina E, por ngriti shqetësime për përdorimin e saj afatgjatë në doza të larta.

Vitamina C, ndoshta më e përdorura nga të gjitha, konsiderohet relativisht e sigurt, por edhe këtu doza bën diferencën. Nevoja ditore është rreth 75–90 mg, ndërsa shumë njerëz marrin 1 ose 2 gramë në ditë “për imunitet”. Sipas NEJM, BMJ dhe JAMA Internal Medicine, dozat e larta të vitaminës C mund të shkaktojnë shqetësime gastrointestinale dhe diarre, ndërsa te personat e predispozuar rrisin rrezikun për formimin e gurëve në veshka. Studimet tregojnë se përfitimi imunitar nuk rritet proporcionalisht me dozën, ndërsa rreziku po.

Mesazhi që del nga literatura shkencore është i qartë: suplementimi nuk duhet të bëhet sipas këshillave të internetit apo trendeve, por sipas nevojës reale të organizmit. Vitaminat duhen marrë në dozat e duhura, për kohën e duhur dhe me qëllim të qartë. Analizat laboratorike, gjendja shëndetësore dhe terapia që përdorni janë faktorë kyç që duhen marrë parasysh.

Në fund, ekspertët theksojnë një parim të thjeshtë, por shumë të rëndësishëm: suplementet nuk janë karamele dhe vitamina nuk është gjithmonë sinonim i sigurisë. Kur keni dilema, këshilla mjekësore është gjithmonë zgjidhja më e sigurt. /et

20:00 Pse është e rëndësishme që gratë shtatzëna të pinë qumësht dhe cila është zgjedhja më e mirë

Ekspertët tregojnë pse qumështi nuk duhet anashkaluar dhe si të zgjidhni variantin më të sigurt për ju dhe foshnjën

Gratë shtatzëna duhet të konsumojnë qumësht në sasi të moderuar për të marrë kalcium, vitaminë D dhe lëndë të tjera ushqyese të rëndësishme. Zgjedhja më e mirë është qumështi i lopës, por ja çfarë duhet të dini edhe për variantet bimore.

Sipas studimeve klinike, konsumimi i moderuar i qumështit gjatë shtatzënisë lidhet me një ecuri më të mirë të shtatzënisë. Shumica e ekspertëve rekomandojnë qumështin e lopës si llojin më të shëndetshëm të qumështit për t’u pirë gjatë shtatzënisë. Arsyeja është se qumështi i lopës ka profilin më të plotë ushqyes, me një spektër të gjerë vitaminash dhe mineralesh që janë të domosdoshme për nënën dhe foshnjën gjatë shtatzënisë, përfshirë kalciumin dhe vitaminën D.

Megjithatë, nëse shmangni produktet e qumështit për shkak të intolerancës ose preferencave personale, qumështet bimore mund të jenë një alternativë e mirë. Në vijim, mësoni më shumë për përbërjen ushqyese të qumështit dhe alternativave të tij, në mënyrë që të siguroheni se po merrni mjaftueshëm lëndë ushqyese të rëndësishme për një shtatzëni të shëndetshme, transmeton Telegrafi.

Qumështi i lopës

Shumica e ekspertëve rekomandojnë qumështin e lopës gjatë shtatzënisë, sepse është i pasur me lëndë ushqyese për nënën dhe foshnjën në zhvillim. Kalciumi dhe vitamina D janë veçanërisht të rëndësishëm për ndërtimin dhe ruajtjen e kockave të forta. Qumështi i lopës është gjithashtu i pasur me proteina dhe aminoacide esenciale, të cilat janë blloqet ndërtuese të qelizave të foshnjës.

Vitamina D ndihmon në uljen e rrezikut për diabet gestacional, ndërsa vitamina E vepron si antioksidant dhe mbron organizmin nga sëmundje të ndryshme. Një gotë qumësht lope përmban rreth 285 mg kalcium.

Nëse po përpiqeni të ulni marrjen e yndyrnave të ngopura, mund të zgjidhni qumësht të skremuar. Duhet shmangur konsumimi i qumështit të papasterizuar (të papërpunuar) dhe produkteve të përgatitura prej tij gjatë shtatzënisë, pasi ato mund të përmbajnë baktere të rrezikshme. Konsumimi i qumështit të papasterizuar nuk është i sigurt gjatë shtatzënisë.

Gjatë procesit të pasterizimit, mikroorganizmat që shkaktojnë sëmundje shkatërrohen përmes ngrohjes në temperatura të larta.

Qumështi i sojës

Qumështi i sojës ka pothuajse të njëjtën sasi proteinash si qumështi i lopës dhe shpesh është i pasuruar me kalcium, në mënyrë që përmbajtja e tij të jetë e ngjashme me atë të qumështit të lopës. Megjithatë, organizmi mund të mos e përthithë të gjithë këtë kalcium, pasi soja përmban një përbërës natyror që pengon absorbimin e tij.

Qumështet bimore të aromatizuara, përfshirë edhe qumështin e sojës, shpesh përmbajnë sheqerna të shtuar, prandaj nëse i kushtoni vëmendje marrjes së sheqerit, rekomandohet të zgjidhni variantet pa sheqer të shtuar.

Qumështi i sojës ka vlerën ushqyese më të afërt me qumështin e lopës krahasuar me alternativat e tjera bimore, ndaj disa ekspertë e konsiderojnë atë si alternativën më të mirë gjatë shtatzënisë. Antioksidantët që përmban ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimet. Një gotë qumësht soje siguron rreth 300 mg kalcium.

Qumështi i bajameve

Nëse jeni alergjike ndaj produkteve të qumështit ose sojës, qumështi i bajameve mund të jetë një alternativë e mirë. Ai përmban më pak lëndë ushqyese dhe më pak proteina se qumështi i lopës, por natyrshëm ka më shumë vitaminë A dhe kalcium. Disa lloje janë të pasuruara me kalcium dhe vitamina të tjera, përfshirë vitaminën D.

Qumështi i bajames përmban acid folik, fibra, proteina, vitamina të grupit B, kalcium, hekur dhe vitaminë E. Ka pak kalori dhe antioksidantët e tij ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar. Një gotë qumësht bajameje siguron rreth 7,5 mg kalcium.

Qumështi i orizit

Qumështi i orizit mund të jetë alternativë e mirë për personat alergjikë ndaj qumështit, sojës dhe arrorëve. Ai përmban pak proteina, por ka më shumë karbohidrate se qumështi i lopës. Nuk rekomandohet për gratë me diabet, pasi përmban deri në katër herë më shumë karbohidrate krahasuar me qumështin e lopës. Disa lloje janë të pasuruara me vitamina A dhe D.

Qumështi i tërshërës

Qumështi i tërshërës është një tjetër alternativë e mirë për personat me alergji ndaj qumështit, sojës dhe arrorëve. Edhe pse tërshëra nuk përmban natyrshëm gluten, qumështi i tërshërës i blerë në dyqan shpesh përpunohet në të njëjtat ambiente me drithëra që përmbajnë gluten. Prandaj, nëse keni intolerancë ndaj glutenit, kontrolloni etiketën për të siguruar që produkti është pa gluten.

Qumështi i tërshërës ka më pak proteina se qumështi i lopës, por më shumë karbohidrate se alternativat e tjera bimore. Ai përmban natyrshëm hekur, vitamina të grupit B dhe minerale të tjera esenciale. Shumë produkte tregtare janë të pasuruara me kalcium dhe vitamina A dhe D. Përmbajtja e lartë e fibrave ndihmon në parandalimin e kapsllëkut gjatë shtatzënisë.

Këshilla ushqimore gjatë shtatzënisë

Nëse konsumoni rregullisht qumësht bimor, duhet të siguroheni që përmes ushqimit të merrni mjaftueshëm kalcium, vitaminë D dhe proteina nga burime të tjera. Produktet e qumështit janë burim i rëndësishëm i vitaminës D, prandaj nëse nuk i konsumoni, duhet të kujdeseni që ta merrni këtë vitaminë nga burime të tjera, si peshku yndyror (salmoni, trofta), vezët ose drithërat e pasuruara. /et

Qepa: Ilaçi natyral për zemër, flokë dhe peshë

Qepa, një nga perimet më të vjetra të kultivuara nga njerëzimi, nuk është vetëm një përbërës i zakonshëm në kuzhinë, por ka edhe vlera të shumta shëndetësore. Historia tregon se egjiptianët e konsideronin qepën simbol të përjetësisë për shkak të formës së saj rrethore. Sot, shkenca po zbulon se kjo perime mund të ofrojë përfitime të ndryshme për trupin.

Përveç se ka pak kalori, qepa është e pasur me ujë dhe vitaminë C, duke e bërë një ushqim ideal për forcimin e sistemit imunitar. Përmbajtja e saj sulfurike i jep aromën karakteristike dhe mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut dhe mbrojtjen e zemrës. Studimet sugjerojnë gjithashtu se disa përbërës aktivë të qepës, si kurcetina dhe fitokimikatet, mund të ofrojnë mbrojtje ndaj disa formave të kancerit.

Eksperimentet e hershme tregojnë se qepa mund të ndihmojë edhe në parandalimin e rënies së flokëve, kontrollin e sheqerit në gjak tek personat me diabet dhe reduktimin e peshës tek individët mbipeshë ose obezë. Aplikimi i ekstrakteve të qepës në lëkurë mund të zvogëlojë celulitin dhe shenjat e lindjes. Për më tepër, qepa është përdorur tradicionalisht për përmirësimin e gjendjeve si astma, bronkiti, dhimbjet e stomakut, ftohja dhe inflamacioni në fyt.

Megjithatë, ekspertët këshillojnë se nevojiten më shumë studime për të konfirmuar efektet e saj të plota dhe për të kuptuar mënyrat më të sigurta dhe efektive të përdorimit. Megjithatë, qepa mbetet një aleat i shëndetit që mund të shtohet në dietën e përditshme pa frikë.

The post Qepa: Ilaçi natyral për zemër, flokë dhe peshë appeared first on iconstyle.al.

18:20 I jepni fëmijës ujë me sheqer? Mjekët japin alarmin: Ndaloni menjëherë!

Ekspertët pediatër, neonatologët dhe specialistët e ushqyerjes së fëmijëve këshillojnë që foshnjave të porsalindura të mos u jepet ujë apo ujë me sheqer. Po ashtu, në rastet kur foshnja ushqehet me qumësht artificial (pluhur ose të koncentruar), është thelbësore që formula të përgatitet saktësisht sipas udhëzimeve në etiketë, pa e holluar me më shumë ujë sesa rekomandohet.

Foshnjat marrin gjithë sasinë e nevojshme të lëngjeve përmes qumështit të gjirit ose formulës. Edhe gjatë ditëve të para pas lindjes, kur qumështi i nënës është ende në fazën fillestare, foshnja ushqehet me kulloshtër, e cila është plotësisht e mjaftueshme për ta mbajtur të hidratuar.

Dhënia e ujit në këtë moshë mund të jetë e rrezikshme. Ajo mund të çojë në një gjendje serioze, ku uji i tepërt hollon nivelin e natriumit në trup, duke çrregulluar ekuilibrin e elektroliteve. Në raste të rralla, por të rënda, kjo mund të shkaktojë fryrje të indeve, konvulsione dhe madje edhe koma.

Në situata të veçanta, si për shembull gjatë një gastroenteriti që shkakton humbje të lëngjeve, vetëm mjeku mund të rekomandojë përdorimin e pijeve elektrolitike të posaçme për foshnjat.

Megjithëse disa studime kanë treguar se uji me sheqer mund të përdoret në ambiente mjekësore për të qetësuar foshnjat gjatë procedurave si vaksinimi, kjo nuk duhet të praktikohet në shtëpi. Dhënia e ujit me sheqer për qetësim apo për shuarjen e etjes nuk është e nevojshme dhe nuk sjell përfitime shëndetësore.

Përkundrazi, uji apo uji me sheqer mund të ndikojë negativisht në përthithjen e lëndëve ushqyese nga qumështi i gjirit ose formula. Duke e bërë foshnjën të ndihet e ngopur, mund të reduktojë sasinë e ushqimit që ajo merr, duke ndikuar në rritjen dhe zhvillimin e saj./mxh

15:00 Mjekët e konsiderojnë minierë të vërtetë vlerash ushqyese, ja pse duhet të hani vetëm bukë të zezë

Që buka është pjesë e rëndësishme e jetës tonë, kjo është e ditur tashmë. Por ajo që na mundon shpesh herë është zgjedhja midis qindra llojeve bukësh që ekzistojnë në treg. Të gjithë mund të pyesim: cila është e duhura për ne? Cila është më e shëndetshme dhe cila nuk duhet të mungojë në vaktet tona?

Po le te ndalemi edhe një herë tek buka e zezë: Cilat janë arsyet se përse duhet zgjedhur një bukë e zezë?

Buka e zezë përmban më shumë fibër, vitaminë B6 dhe E, magnez, hekur, zink dhe acid folik. Gjithashtu, buka e zezë është e duhura për të gjithë ata që vuajnë nga diabeti i tipit 2 si dhe ndihmon me konstipacionin. Nëse doni të keni një diet të balancuar apo dhe të humbisni peshën e tepërt, atëherë buka e zezë nuk duhet të mungojë në vaktet tuaja./KM

A është çokollata e zezë vërtet e mirë për ju?

Prej kohësh na është thënë se çokollata nuk është e mirë për shëndetin. Megjithatë, studime dhe vëzhgime të ndryshme sugjerojnë se sa më e errët të jetë çokollata, aq më e madhe mund të jetë vlera e saj shëndetësore.

Njerëzit kanë konsumuar forma të ndryshme të çokollatës prej qindra vitesh. Për pjesën më të madhe të historisë, ajo përdorej si kakao e lëngshme, e përgatitur nga kokrrat e kakaos. Vetëm më vonë, disa kultura filluan t’i shtonin sheqer, qumësht dhe ta shndërronin atë në produktin e përpunuar që njohim sot. Ndërkohë, komunitetet që vazhdojnë ta konsumojnë kakaon në mënyrë tradicionale kanë nxitur debatin nëse çokollata mund të ketë përfitime për shëndetin.

Një shembull interesant janë indianët Kuna, të cilët jetojnë në Ishujt San Blas të Panamasë. Sipas Marji McCullough, drejtoreshë e lartë shkencore e kërkimit epidemiologjik në Shoqatën Amerikane të Kancerit, kjo popullsi ka tension të ulët të gjakut që nuk rritet me moshën, nivele shumë të ulëta të sëmundjeve të zemrës, goditjeve në tru, diabetit dhe kancerit, si dhe një jetëgjatësi të lartë.

Ajo që bie veçanërisht në sy është fakti se, ndryshe nga rekomandimet e zakonshme shkencore që lidhin kripën e tepërt me rritjen e tensionit të gjakut, dieta e indianëve Kuna përmban pothuajse po aq kripë sa ajo e një personi mesatar në Shtetet e Bashkuara.

Për të kuptuar më mirë stilin e tyre ushqimor, McCullough vizitoi këtë komunitet dhe zbuloi se indianët Kuna konsumojnë rreth katër gota kakao në ditë. Kjo kakao përgatitet duke përzier pluhurin e kakaos me ujë dhe sasi të vogla sheqeri.

Megjithatë, studiuesja thekson se nuk mund t’i atribuojë me siguri shëndetin e shkëlqyer të këtij komuniteti vetëm konsumimit të kakaos. Indianët Kuna konsumojnë gjithashtu dy herë më shumë fruta dhe katër herë më shumë peshk sesa dieta mesatare amerikane, përveç faktit që bëjnë një jetë shumë më aktive fizikisht.

Edhe studime të tjera vëzhguese kanë analizuar përfitimet e çokollatës së zezë për shëndetin e zemrës. Sipas JoAnn Manson, profesoreshë e mjekësisë në Shkollën Mjekësore të Harvardit, këto studime mund të jenë të anshme, pasi njerëzit që konsumojnë më shpesh çokollatë të zezë priren të jenë më pak të shqetësuar për peshën e tyre dhe, në përgjithësi, mund të jenë më të shëndetshëm që në fillim.

Pavarësisht kësaj, një gjë duket e qartë: çokollata e zezë, veçanërisht ajo me përmbajtje të lartë kakao dhe pak sheqer, mund të jetë një zgjedhje më e mirë sesa çokollatat e përpunuara, gjithmonë nëse konsumohet me masë.

The post A është çokollata e zezë vërtet e mirë për ju? appeared first on iconstyle.al.

Intervista të trilluara dhe faqe të klonuara/ Biznesi miliona euro i suplementeve online

Një postim në Facebook, që i atribuohet mjekut Ilir Alimehmeti, endokrinolog dhe këshilltar bashkiak në Tiranë, paralajmëron se “9 nga 10 njerëz janë të infektuar me parazitë”, ndërsa premton një recetë “shtëpiake” që do t’i çlirojë pacientët nga “deri në dy kilogramë krimba brenda natës”. Një klikim mbi postimin e çon lexuesin në një faqe […]

The post Intervista të trilluara dhe faqe të klonuara/ Biznesi miliona euro i suplementeve online appeared first on BoldNews.al.

Revolucion në trajtimin e kancerit të gjirit, gjaku i pacientit zbulon terapinë e duhur kundër sëmundjes

Një test i thjeshtë gjaku mund të parashikojë që në fazat e para se cili trajtim do të funksionojë më mirë për pacientët me kancer të gjirit, duke i ndihmuar mjekët të shmangin terapitë jo të domosdoshme dhe të përdorin trajtim efektiv, sipas një studimi të ri shkencor. Testi, i zhvilluar nga studiues të Institutit për […]

The post Revolucion në trajtimin e kancerit të gjirit, gjaku i pacientit zbulon terapinë e duhur kundër sëmundjes appeared first on BoldNews.al.

Inteligjenca artificiale transformon diagnostikimin e sëmundjeve të zemrës

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm në shëndetësi ka të bëjë me përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në diagnostikimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Raportohet se spitale në Britani po përdorin sisteme AI për të analizuar skanime të zemrës dhe për të identifikuar shenja të hershme të problemeve kardiake që shpesh kalojnë pa u vënë re nga mjekët, shkruan BBC.

Kjo teknologji mund të shkurtojë ndjeshëm kohën për diagnostikim, duke mundësuar trajtim më të shpejtë dhe më efikas. Për pacientët me rrezik të lartë, AI mund të parashikojë probabilitetin për sëmundje serioze, duke lejuar ndërhyrje preventive dhe ndryshime në stilin e jetës.

BBC thekson se kjo qasje ka treguar rezultate premtuese në testime klinike, ku përdorimi i AI për zbulimin e sëmundjeve të zemrës ka rritur saktësinë e diagnozës deri në 90 %, krahasuar me metodologjitë tradicionale.

Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se AI nuk do të zëvendësojë mjekët, por do të jetë një mjet shtesë që ndihmon në marrjen e vendimeve më të informuara dhe shpejton trajtimin e pacientëve.

Kjo nismë tregon se teknologjia po ndryshon rrënjësisht kujdesin shëndetësor, duke sjellë përfitime reale për pacientët dhe duke u mundësuar spitaleve të menaxhojnë më mirë kapacitetet dhe kohën e stafit mjekësor.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Inteligjenca artificiale transformon diagnostikimin e sëmundjeve të zemrës appeared first on Sinjali.

❌