Bota ka hyrë në një epokë të rrezikshme të “politikës së shkatërrimit” që i jep përparësi shkatërrimit të institucioneve në vend të përpjekjeve sociale dhe politike që synojnë nxitjen e ndryshimit përmes përshtatjeve graduale, sipas një raporti të kryer nga Konferenca e Sigurisë së Mynihut, para takimit të saj vjetor këtë javë.
Konferenca e MSC-së do të mbledhë rreth 65 liderë botërorë, së bashku me gati 100 ministra të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe politikbërës të nivelit të lartë për tre ditë diskutimesh që fillojnë të premten.
Ndër të ftuarit më të shquar që priten në Mynih është sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz.
I mbajtur për herë të parë në vitin 1963, eventi është rritur nga një takim relativisht i panjohur i strategëve të Luftës së Ftohtë në një forum kryesor për mbështetësit e NATO-s, lidhjeve transatlantike dhe rendit global të udhëhequr nga Perëndimi.
Megjithatë, konferenca e këtij viti do të përqendrohet në shkatërrimin e këtyre marrëdhënieve dhe normave diplomatike.
Raporti i Sigurisë i Mynihut 2026, i publikuar sot, i cili përcakton temat e konferencës, ia hedh pjesën më të madhe të fajit, ndryshimit radikal të presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili përshkruhet si një person që po “shmang rregullat ekzistuese” dhe po angazhohet në “politikë buldozeri”.
Por, Trump është vetëm manifestimi më i fuqishëm i një trendi më të gjerë që po zhvillohet në shumë vende.
“Në shumë shoqëri perëndimore, forcat politike që favorizojnë shkatërrimin kundrejt reformës po fitojnë vrull”, tha ekipi i ekspertëve në raportin e titulluar “Nën Shkatërrim”.
Vendimmarrësit e establishmentit shihen gjithnjë e më shumë jo si udhëheqës, por si “rojtarë të status quo-së” dhe administratorë të një sistemi politik të paralizuar që nuk i përgjigjet më nevojave të shumicës.
Perspektivë e zymtë për të ardhmen
Si pjesë e raportit, konferenca publikoi rezultatet e një ankete të kryer në disa vende. Pjesëmarrësit u pyetën nëse politikat aktuale qeveritare po përmirësonin perspektivat për brezat e ardhshëm.
Në Kinë, 80% e të anketuarve thanë se prisnin përmirësime, dhe 61% në Indi shprehën të njejtat pritshmëri.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm 31% ndanin këtë pikëpamje. Pritshmëritë ishin edhe më të ulëta midis të anketuarve në Evropë, me 22% në Itali, 20% në Britani të Madhe, 13% në Gjermani dhe vetëm 12% në Francë prisnin rezultate më të mira.
“Një pasiguri e thellë po trondit globin, Evropën në veçanti”, shkruan kryetari i MSC, Wolfgang Ischinger në një parathënie të raportit.
“Rrallë në historinë e kohëve të fundit të konferencës ka pasur kaq shumë pyetje themelore në tryezë në të njëjtën kohë: në lidhje me sigurinë e Evropës, qëndrueshmërinë e partneritetit transatlantik dhe aftësinë e unionit ndërkombëtar për të menaxhuar një botë gjithnjë e më komplekse dhe të kontestuar”, sipas Ischinger.
Vlerësimet për politikat e Trump ishin të dobëta në shumë vende
Edhe në SHBA, vetëm 39% mendojnë se politikat e tij janë të mira për vendin dhe 37% mendojnë se ato i sjellin dobi botës, ndërsa afërsisht gjysma e të anketuarve thonë se ato janë të dëmshme.
Skepticizmi është më i fortë në Kanada dhe Gjermani. Rreth 77% e kanadezëve presin pasoja negative për vendin e tyre dhe 71% për botën. Në Gjermani, shifrat janë përkatësisht 72% dhe 69%.
Jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikëpamjet më të favorshme për politikat e Trump gjenden në Brazil, Indi dhe Kinë.
Rezultatet bazohen në anketa të rreth 1000 personave nga secili vend i G7, përfshirë Brazilin, Kinën, Indinë dhe Afrikën e Jugut, në nëntor.
Thirrje për pavarësi më të madhe nga Uashingtoni
Raporti thotë se vendet që janë ende të përkushtuara ndaj një rendi të bazuar në rregulla duhet të organizohen dhe të ndjekin qasje që shkëput varësinë nga Uashingtoni.
Ai paralajmëron se ata që mbeten vëzhgues rrezikojnë të përfundojnë “në mëshirën e politikës së fuqive të mëdha”.
Për të shmangur këtë, qeveritë do të duhet të “përparojnë” duke investuar më shumë në mbrojtjen e tyre dhe duke bashkëpunuar më ngushtë, ndërsa u tregojnë gjithashtu votuesve se reformat kuptimplote mund të japin rezultate më të mira sesa “një politikë shkatërrimi të përhapur”.