Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Gashi: Shpresoj se do të arrijmë te një Kod Zgjedhor që do t’i përmbushë kriteret e të gjitha partive politike



Partitë politike kanë propozuar emrat për anëtarë të grupit të punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe të njëjtat i janë dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë.

Ministri i këtij dikasteri, Igor Filkov, ka premtuar së shpejti formimin e këtij trupi negociues.

Sipas kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, bisedimet do të zhvillohen në Kuvend me një dinamikë të shtuar.

“Shpresoj se shumë shpejt do të formohet grupi punues, i cili besoj se do të punojë me një dinamikë të përshpejtuar, do të punojë në bazë të parimit të konsensualitetit, të gjithë përfshirjes, inkluzivitetit dhe duke qenë këtu në Kuvend, duke u zhvilluar ky dialog, jam i bindur se do të arrijmë te një Kod Zgjedhor, që do t’i përmbushë kriteret edhe të partive politike dhe të gjitha subjekteve të tjera të përfshira në procesin zgjedhor", tha Gashi.

Kryeministrit Hristijan Mickoski mbetet që modeli zgjedhor nga gjashtë njësi të shkrihet në një njësi zgjedhore. VLEN-i në pushtet dhe BDI-ja kërkojnë lista të hapura, por ende nuk e kanë të kristalizuar qëndrimin për modelin zgjedhor.

Mucunski: Këshilli i Evropës mori vendim për mbylljen e dialogut pas-monitorues me Maqedoninë



Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, njoftoi se Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot ka marrë vendim për mbylljen e dialogut pas-monitorues me shtetin tonë, një proces që ishte hapur në vitin 2000.

Siç theksoi Mucunski, ky vendim përbën një njohje të rëndësishme institucionale për përparimin dhe përkushtimin e shtetit ndaj parimeve dhe standardeve të Këshillit të Evropës, si dhe një konfirmim të qartë të progresit të arritur në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve me vendet fqinje.

Ministri theksoi se meritë e veçantë për përmbylljen e suksesshme të këtij procesi afatgjatë ka delegacioni maqedonas në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i udhëhequr nga deputetet Marija Petrushevska dhe Ivanka Vasilevska, si dhe Misioni i Përhershëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut pranë Këshillit të Evropës.

Mucunski tha se ky vendim përfaqëson një sukses të rëndësishëm dhe një konfirmim të qartë të përkushtimit, profesionalizmit dhe efektivitetit të diplomacisë maqedonase në avancimin dhe mbrojtjen e vlerave themelore evropiane.

Gashi-Pamer: Austria ka mbështetur gjithmonë zhvillimin e vendit tonë



Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në takimin e sotëm me Ambasadorin e Republikës së Austrisë, i theksoi marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve.

Gashi falënderoi për mbështetjen e Austrisë në rrugën integruese të vendit tonë drejt Bashkimit Evropian.

"Kisha kënaqësinë të zhvilloj një takim shumë konstruktiv me Ambasadorin e Republikës së Austrisë, Sh.T. z. Martin Pamer.
Konfirmuam marrëdhëniet miqësore ndërmjet vendeve tona dhe diskutuam forcimin e mëtejmë të raporteve bilaterale. Shqyrtuam mundësitë e bashkëpunimit në fushën e kulturës, si dhe thellimin e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, shkëmbyem mendime lidhur me zhvillimet aktuale politike, si dhe për rrugën europiane të vendit tonë. Falënderova Ambasadorin për kontributin e tij të çmuar dhe për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në zhvillimin e vendit", thuhet në njoftimin për media lëshuar nga kabineti i Gashit.

Toshkovski: MPB-ja ende nuk ka dorëzuar deri te Qeveria sistematizimin e ri



Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski tha sot se nuk do të lejoj kurrë që siguria të rrezikohet në asnjë qytet në Maqedoni me emërime, shkarkime, largime ose ndonjë riorganizim tjetër të strukturave të brendshme të MPB-së.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Toshkovski theksoi se në dy vitet e fundit, siguria e qytetarëve ka qenë shumë e favorshme, veçanërisht nëse merren parasysh shifrat totale të krimit të cilat, siç përmendi, “janë më të mirat në 20 vitet e fundit”.
Ministri informoi gjithashtu se MPB-ja deri te qeveria ende nuk ka dorëzuar sistematizimin e ri.

“Stacionet policore në Dibër, Strumicë, Shtip, Saraj, Ilinden do të punojnë sipas ligjit dhe sistematizimit. Një sistematizim i ri ende nuk i është propozuar Qeverisë nga MPB-ja dhe Qeveria nuk ka miratuar një sistematizim të ri për punën e MPB-së. Kur të përgatitet një sistematizim i ri nga shërbimet e MPB-së, ai do t’i propozohet Qeverisë dhe kur ajo ta miratojë, ne do të vazhdojmë ta implementojmë. Gjithçka që kemi bërë në 1.5-2 vitet e fundit tregon se siguria e qytetarëve është përmirësuar ndjeshëm në krahasim me më parë, veçanërisht nëse merren parasysh shifrat për kriminalitetin total. Shifrat janë më të mirat në 20 vitet e fundit”, theksoi Toshkovski.

Bllokimi i transportuesve, Mucunski-Kos: Nevojitet reagim i shpejtë që t'i shmangim efektet negative mbi ekonominë vendore



Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi pasditen e sotme një bisedë telefonike me eurokomisaren për zgjerim, Marta Kos.

Fokusi i bisedës ishte vendosur te sfidat aktuale ekonomike dhe procesi i eurointegrimit, njoftuan nga Ministria.

“Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për gjetjen e një zgjidhjeje konkrete dhe të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballen transportuesit profesionalë, si dhe për çështjen që lidhet me tarifat për çelikun. Në këtë kontekst, ministri Mucunski theksoi nevojën për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar, me qëllim shmangien e efekteve shtesë negative mbi ekonominë vendase”, thuhet në njoftim.

Në kontekst të rrugës eurointegruese të shtetit, ministri Mucunski konfirmoi përkushtimin e qartë dhe të fortë ndaj procesit reformues, sigurimin e vazhdimësisë në zbatimin e tij, si dhe miratimin e ligjeve që janë pjesë përbërëse e agjendës evropiane.

Durmishi: Jemi për rritje të pagës minimale nëse dakordohen sindikatat dhe punëdhënësit



Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi deklaroi sot se që të ketë rritje të pagës minimale, duhet të merren parasysh stabiliteti ekonomik, inflacioni dhe shumë kritere tjera. Ai tha se qeveria është për rritje të pagës minimale nëse dakordohen sindikatat dhe punëdhënësit.

“Ne jemi aty për të ndihmuar, duke marrë parasysh produktivitetin në vendin tonë, i cili, për shkak të politikave të gabuara në të kaluarën, është në nivelin më të ulët nga të gjitha vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe në krahasim me vendet e tjera. Administrata shtetërore është në shërbim të qytetarëve dhe sektorit privat në mënyrë që të krijojë vende të reja pune, të ulë papunësinë dhe të rrisë ekonominë”, tha Durmishi.

Ai për pagën minimale thotë se ekziston një formulë dhe metodologji, të cilën edhe qeveria e mëparshme, siç tha, e ka respektuar.

“Ka marrëveshje midis sindikatave, Ministrisë dhe Qeverisë. Qëndrimi ynë është qëndrimi i formulimit, i cili është në fuqi. Ne kemi Këshill ekonomik, ku duhet të diskutohet paga minimale. Dhe si çdo pikë tjetër, edhe kjo merret në konsideratë kur mbahen ato takime. Ne vazhdimisht themi se jemi aty për të ndihmuar të dyja palët. Ne punojmë për interesin e të gjithë qytetarëve, siç janë punëdhënësit, punëtorët dhe sindikatat. Çfarëdo marrëveshjeje që arrihet, ne jemi aty për ta mbështetur. Në fund të fundit, punonjësit në administratën shtetërore duhet t’i shërbejnë sektorit privat dhe ne e arrijmë këtë përmes masave nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, siç kemi plan operativ, përkrahje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ne e dimë se shtylla kryesore e vendit tonë janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Durmishi.

Ai përkujtoi se vitin e kaluar kemi pasur 4,1 për qind inflacion dhe, siç tha, nuk ka pasur rritje të çmimeve, konkretisht për produktet ushqimore, ku duhej të reagohet.

“Projeksionet tona ja në që inflacioni të jetë nën tre për qind dhe punojmë në këtë. Lidhur me produktet ushqimore, në tre muajt e fundit të vitit, sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, këto pordukte kanë ulje të çmimeve. Ashtu edhe do të vazhdojmë, e kjo qartë tregon se politikat tona kanë efekt”, tha Durmishi.

Bllokimi i transportuesve, Siljanovska-Davkova: Problemi duhet të zgjidhet, po preken interesat kombëtare, rajonale dhe evropiane



Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova tha se pret zgjidhjet të problemit me transportuesit e mallrave dhe se bllokada e tyre të merr fund.

"Pres zgjidhje të problemit, mendoj se tashmë manifeston vetëdije dhe përgjegjësi, veçanërisht pasi çështja është rajonale, por siç e thashë tashmë, nuk bëhet fjalë vetëm për interesa rajonale, por për interesa evropiane, sepse po flasim për kompani që vijnë edhe nga vende të tjera", deklaroi Siljanovska-Davkova.

Sipas saj, zgjidhja për problemin e transportit është e nevojshme, sepse kjo çështje nuk është vetëm kombëtare, por edhe rajonale dhe evropiane.

“Pres që të gjejnë zgjidhje, të gjejnë një mënyrë veprimi që do t’i trajtojë transportuesit si subjekte, subjekte ekonomike që kontribuojnë jo vetëm në ekonominë e vendit dhe atë rajonale, por edhe në atë evropiane”, shtoi Siljanovska-Davkova.

Presidentja tha se çështja targeton rajonin, madje, siç shton, ka të bëjë me pjesëmarrjen tonë në NATO.

“Pse? Sepse nëse ekonomia jonë bie pa asnjë faj tonin dhe nëse rritja ekonomike ngadalësohet, atëherë aftësia jonë për të marrë pjesë në alokimet, përfshirë ato për NATO-n, është sigurisht një problem edhe për NATO-n. Prandaj ne presim mirëkuptim dhe zgjidhje”, thekson Siljanovska-Davkova.

Sali: "Safe City" do të shtrihet gradualisht në gjithë territorin e vendit



Në ditën e parë të implementimit të projektit Safe City në Shkup, sipas zëvendëskryeministrit Bekim Sali, janë regjistruar mbi 150 mijë kundërvajtje, ndërsa ditën e nesërme ky numër ka rënë në 50%, rreth 60 mijë.

Ai për TVM2 tha se pritshmëritë janë që numri i kundërvajtjeve të ulet në 2-3 mijë deri në momentin e aplikimit të plotë të sistemit.

“Domethënë kemi rënie drastike të kundërvajtjeve, dhe sipas informacionit nga Qendra për Urgjencë në Shkup, numri i aksidenteve dhe i personave që kërkojnë ndihmë ka rënë ndjeshëm”, deklaroi Sali.

Ai theksoi gjithashtu se investimi i parë i sistemit është bërë në zonat më të ndjeshme të vendit, duke përfshirë qytetet më të mëdha, dhe se kjo do të vazhdojë gradualisht në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Sali sqaroi se projekti nuk ka të bëjë me ndërprerjen e aksionit vetëm në tre qytete, por përkundrazi, do të shtrihet në të gjitha qytetet për të garantuar mbrojtje për qytetarët.

Projekti Safe City synon përmirësimin e sigurisë rrugore dhe mbikëqyrjen e zonave urbane përmes teknologjisë, duke sjellë një reduktim të ndjeshëm të kundërvajtjeve dhe aksidenteve në qytetet ku është implementuar.

Mexhiti: Marrëveshja "fituesi me fituesin" u arrit në vitin 2007, BDI e theu në vitin 2016



Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, njëherit kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti në një intervistë për TV21 ka folur për takimin e liderëve të thirrur nga ana e kryeministrit Hristijan Mickoski, duke theksuar se ai kishte propozuar që në këtë takim VLEN-i të përfaqësohet nga kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Mexhiti më tej komentoi se nuk ka një rradhitje se kush në cilin takim do të jetë por që brenda VLEN-it bëhet punë ekipore duke shtuar se kjo e bën VLEN-in kështu si është.

Mexhiti përmendi edhe marrëveshjen e vitit 2007 kur në atë kohë si pjesë e BDI-së u aritë marrëveshja që “fituesi me fituesin” të formoj qeverinë që nënkuptonte se fituesi tek pala maqedonase dhe fituesi te pala shqiptare të krijojnë institucionet e sistemit por që sipas Mexhitit kjo fatkeqësisht nuk u funksionalizua me një ligj.

Kjo marrëveshje më vonë në vitin 2016 u thye nga Bashkimi Demokratik për Integrim, por që sipas Mexhitit po ashtu nuk ishte gabim se iu dha fund një sistemi të keq.

Gjykatësit nesër do të zgjedhin anëtar të Këshillit Gjyqësor nga komunitetet joshumicë



Gjyqtarët nesër do të votojnë në zgjedhje të drejtpërdrejta për një anëtar të ri të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin një komuniteti që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë.

Të gjithë 418 gjyqtarët e regjistruar në Regjistrin zgjedhor gjyqësor kanë të drejtë vote. Votimi fillon në orën 8 të mëngjesit dhe zgjat deri në orën 15:00 në qendrat e votimit në të gjitha gjykatat në vend, pas së cilës rezultatet do të shpallen në një seancë publike.

Në listën e kandidatëve, gjyqtarët në zgjedhje të drejtpërdrejta do të votojnë për një nga gjashtë kandidatët: Afrim Jakupi (gjyqtar i Gjykatës së Apelit Gostivar), Sadulla Izairi (gjyqtar i Gjykatës Themelore Tetovë), Ylber Hasani (gjyqtar i Gjykatës Themelore Civile Shkup), Hasan Asani (gjyqtar/kryetar i Gjykatës Themelore Tetovë), Xhemali Saiti (gjyqtar i Gjykatës Supreme) dhe Shpresa Grainca Osmani (gjyqtare e Gjykatës Themelore Penale Shkup).

Këshilli Gjyqësor zgjodhi gjyqtarin Osman Shabani, nga Gjykata e Apelit Shkup, si kryetar të Komisionit për Zbatimin e Zgjedhjeve dhe gjyqtarin nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit, Ilija Tërpkov, si zëvendës të tij.

Këshilli Gjyqësor publikoi njoftimin për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin komunitetit që përbën më shumë se 20% të popullsisë më 20 nëntor të vitit 2025.

Zgjedhja zëvendëson gjyqtarin Hanif Zendeli, nga Gjykata e Apelit e Gostivarit, mandati gjashtëvjeçar i të cilit po skadon. Zendeli u zgjodh anëtar i Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin një komuniteti që përbën më shumë se 20 për qind të popullsisë më 22 janar të vitit 2020.

Këshilli Gjyqësor përbëhet nga 15 anëtarë, tetë prej të cilëve zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve, tre zgjidhen nga Parlamenti dhe dy anëtarë emërohen nga presidentja e shtetit. Kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i Drejtësisë janë gjithashtu anëtarë pa të drejtë vote. Ata zgjidhen për një mandat prej gjashtë vitesh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë.

Gashi-Shjaojan: Për Kinën, Maqedonia e Veriut është partner i rëndësishëm në bashkëpunim



Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me Xhiang Shjaojan, ambasadore e Republikës Popullore të Kinës në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Shërbimi për informim i Kuvendit njoftoi se Gashi shprehu kënaqësi të madhe për takimin dhe theksoi se “pret që miqësia e sinqertë që ekziston midis të dy vendeve të forcohet dhe të avancohet më tej në të ardhmen”.

“Ai theksoi se megjithëse të dy vendet janë gjeografikisht të largëta, marrëdhëniet midis tyre po zhvillohen në frymën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë. Republika e Maqedonisë së Veriut vazhdimisht e afirmon qëndrimin e ekzistimit të ‘një Kinë’, si dhe qëndrimin se Qeveria e Republikës Popullore të Kinës është Qeveria e vetme legjitime e popullit kinez, dheTajvani është një pjesë e pandashme e territorit kinez”, theksohet në kumtesë.

Ambasadorja Shjaojan informoi për të gjitha aktivitetet e ndërmarra nga Republika Popullore e Kinës për të thelluar bashkëpunimin midis të dy vendeve në fusha të tilla si arsimi, kultura, shkenca, shëndetësia, mjekësia, etj.

“Ajo theksoi se për Kinën, vendi ynë është një udhëkryq i disa qytetërimeve, një urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe një partner i rëndësishëm në rajon. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se në të ardhmen ka shumë mundësi të reja për bashkëpunim, veçanërisht në fushën e digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale, veçanërisht në kohën kur Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut po punon seriozisht për digjitalizimin e plotë të të gjitha proceseve të punës në parlament”, njofton shërbimi për informim i Kuvendit.

Zgjedhjet lokale në Bogdanc, tre të dyshuar për falsifikim të dokumenteve zgjedhore



Janë ngritur kallëzime penale ndaj tre personave për keqpërdorim të të dhënave personale dhe falsifikim dokumentesh gjatë zgjedhjeve lokale në Bogdanc.

Ata kanë tentuar, përmes dokumenteve të falsifikuara, të dorëzojnë një listë kandidatësh për anëtarë të Këshillit të Komunës së Bogdancit.

Sipas kallëzimit të Njësisë për Punë të Brendshme në Gjevgjeli, një 40-vjeçar nga Bogdanci, gjatë muajit shtator 2025, pa pëlqim ka përdorur të dhënat personale nga letërnjoftimi dhe pasaporta e nënës së tij dhe e një personi tjetër, të cilat më pas ia ka dorëzuar një 33-vjeçari nga Shkupi.

I dyshuari nga Shkupi i ka përdorur këto të dhëna në procedurën e kandidimit pranë Komisionit Zgjedhor Komunal në Bogdanc, ku janë falsifikuar edhe nënshkrimet e personave, të dhënat e të cilëve ishin keqpërdorur.

I dyshuari i tretë, një 45-vjeçar nga Shkupi, sipas kallëzimit, më 13 shtator 2025 në Bogdanc ua ka dorëzuar dokumentet e rreme anëtarëve të Komisionit Zgjedhor Komunal, me qëllim dorëzimin e listës së kandidatëve për anëtarë të Këshillit Komunal.

Ndaj të dyshuarve janë ngritur kallëzime penale për veprat “keqpërdorim i të dhënave personale”, “falsifikim dokumentesh” dhe “ndihmë në falsifikim”, ndërsa procedura vazhdon pranë organeve kompetente.

Trendafilov: Nëse nuk ka rritje të pagave, do të bllokojmë rrugët dhe do të kemi grevë



Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë sot përmes protestës kërkuan pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera.

Protesta e LSM-së filloi para simbolit të luftës punëtoret, Shtëpisë së Punëtorëve, vazhdoi para Kuvendit, pastaj Odës së Tregtisë dhe Qeverisë. Ata thanë se nëse edhe këtë herë Qeveria nuk do të ulet për të negociuar zgjidhjen e kësaj çështjeje, do të vazhdojnë me bllokime të rrugëve dhe institucioneve ku shkelën më së shumti të drejtat e punëtorëve dhe me bllokimin e gjithë shtetit përmes grevës së përgjithshme në sektorin privat dhe publik.

“Do të pasojnë bllokime, do të pasojë greva e përgjithshme. Dhe do të vijë ajo që do t’ju bëjë më shumë dëm. Do të mbledhim 10,000 nënshkrime, me të cilat do të bëhemi propozues të autorizuar dhe do të kërkojmë që t’ju ulet 80 përqind të pagave tuaja. Dhe do të kërkojmë të rrisni pagën minimale në 600 euro dhe të rrisni pagat e tjera së paku për 6,000 denarë. Do t’ju vendosim në test. Do të votoni për veten kundrejt njerëzve që ju kanë votuar, apo do të votoni për njerëzit që me votën e tyre ju mundësojnë luksin tuaj”, deklaroi Sllobodan Trendafilov – kryetar i LSM-së.

Nga LSM njoftuan se shpenzimet vjetore janë rritur për6.000 denarë, teksa nuk është ndërmarrë asnjë masë për mbrotjen e punëtorëve të cilët me pagat aktuale vetëm se mbijetojnë.

Ministria e Energjetikës me memorandum bashkëpunimi me UNDP-në, për partneritet për të ardhmen energjetike



Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) sot nënshkruan Memorandum për Bashkëpunim që vendoset një kornizë e qartë dhe afatgjatë për veprim të përbashkët në fushën e energjisë, efikasitetit të energjisë, burimeve të rinovueshme të energjisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Memorandumi e nënshkroi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska dhe përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Maqedoninë e Veriut, Armen Grigorjan.

Me Memorandumi forcohet bashkëpunimi institucional midis dy palëve dhe hap hapësirë për aktivitete të koordinuara që synojnë një tranzicion të drejtë dhe gjithëpërfshirës të energjisë, duke forcuar pavarësinë dhe qëndrueshmërinë energjetike të shtetit, si dhe duke përmbushur objektivat kombëtare dhe ndërkombëtare të klimës, njoftoi MEMBM.

“Ky Memorandum paraqet një konfirmim të fortë të angazhimit tonë për një tranzicion modern, të qëndrueshëm dhe të drejtë të energjisë. Përmes partneritetit me UNDP-në, marrim ekspertizë dhe mbështetje shtesë për krijimin dhe zbatimin e politikave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët, ekonominë dhe mjedisin”, deklaroi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska.

Bashkëpunimi do të realizohet në përputhje me prioritetet kombëtare dhe Dokumentin e Programit Kombëtar të UNDP-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut për periudhën 2026–2030, me një fokus të veçantë në menaxhimin e mirë, transparencën dhe përfshirjen aktive të publikut në proceset e vendimmarrjes në lidhje me energjinë.

“UNDP mbetet një partner i përkushtuar i institucioneve të Maqedonisë së Veriut në përparimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Ky Memorandum krijon një bazë të fortë për punë të përbashkët në sektorin e energjisë, me një fokus në energjinë e pastër, uljen e emetimeve dhe dialogun publik gjithëpërfshirës”, theksoi përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan.

Memorandumi parashikon aktivitete të përbashkëta në zhvillimin e sektorit të energjisë, menaxhimin e minierave dhe burimeve minerale, uljen e emetimeve të gazrave serrë përmes përdorimit të shtuar të burimeve të rinovueshme dhe masave të efikasitetit të energjisë, si dhe mbështetje në përpunimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare, legjislacionit dhe planeve të veprimit në fushën e energjetikës.

Veçanërisht një segment i rëndësishëm i bashkëpunimit synon forcimin e kapaciteteve institucionale, teknike dhe njerëzore, përmes ndërtimit të ekspertizës dhe përmirësimit të proceseve për krijimin dhe zbatimin e politikave publike, si dhe përparimin e transparencës dhe dialogut publik gjithëpërfshirës, me vëmendje të veçantë për të rinjtë, gratë dhe grupet e cenueshme të qytetarëve. Në kuadër të partneriteti është paraparë edhe organizimi i përbashkët të ngjarjeve, forumeve dhe iniciativave kombëtare dhe ndërkombëtare të dedikuara për zhvillimin e qëndrueshëm dhe tranzicionin energjetik.

Memorandumi është lidhur për një periudhë katërvjeçare, me mundësi për vazhdim, dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Energjetikës dhe UNDP-së drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të sigurt energjetike për Maqedoninë e Veriut.

Nesër 370 kamionë do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në RMV



Nesër rreth mesditës, 370 automjete të rënda do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në vend.

Do të ndalet transporti i mallrave drejt Bashkimit Evropian dhe tranziti nëpër rajon. Do të lejohen vetëm kamionët që transportojnë ilaçe, kafshë të gjalla, eksplozivë dhe municion.

Shkak për protestën është sistemi i ri i hyrje-daljes në vendet e zonës Shengen, i cili kufizon qëndrimin e shoferëve të kamionëve nga Ballkani Perëndimor.

Plani është që bllokadat të zgjasin shtatë ditë, por protestuesit janë të gatshëm t’i ndërpresin ato nëse BE-ja nis negociata për zgjidhjen e problemit.

“Nëse qoftë ditën e parë apo të dytën dërgohet sinjal tek institucionet kompetente të shtetit tonë se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm as vetes, as ekonomisë. Si rajon do të përballemi me një situatë ku shumë transportues do të kërkojnë zgjidhje duke transferuar kapitalin në shtete të tjera të BE-së, gjë që do të çonte në kolaps të tërë ekonomisë,” deklaroi Biljana Muratovska, nga Shoqata e Transportit MakamTrans.

Transportuesit paralajmërojnë se nëse BE-ja nuk gjen mënyrë për tejkalimin e këtij problemi, kjo do të nënkuptojë kolaps për ekonominë e Ballkanit Perëndimor.

Kostot e transportit do të rriten shumëfish, e bashkë me to edhe çmimet e produkteve.Nga Qeveria thonë se janë në komunikim me përfaqësuesit evropianë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të vënë në dukje problemet e transportuesve, të cilat përbëjnë kërcënim serioz për ekonominë.Përveç transportuesve nga Maqedonia e Veriut, kamionët në pikat kufitare do t’i parkojnë edhe transportues nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Nuk do të ketë pengesa për hyrje-daljen e autobusëve të udhëtarëve dhe automjeteve personale.

MSH: Ligji për mbrojtje nga duhani është i mirë, synohet ndërgjegjësimi i duhanpirësve



Ministria e Shëndetësisë thotë se ligji për mbrojtje nga duhani është i mirë.

Në njoftimin e fundit shkruajnë se projektligji i ri parashikon masa për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe mbështetje për ndërprerjen e varësisë nga duhani.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, shpjegon se sistemi synon të ndihmojë duhanpirësit të heqin dorë nga duhani pa u stigmatizuar. Ligji parashikon obligime për zbatimin e programeve parandaluese, këshillime dhe edukime, si dhe mbështetje të gjithanshme gjatë procesit të largimit nga varësia.

Aliu thekson se varësia nga nikotina është një problem shëndetësor publik dhe se parandalimi është më efektiv dhe më pak i kushtueshëm se trajtimi.

Përveç kësaj, projektligji përcakton inspektoratet përgjegjëse, sanksionet për mosrespektim dhe rolin e autoriteteve lokale në zbatimin e tij.

Kujtojmë se ligji ndalon ekspozimin dhe reklamimin e produkteve me duhan dhe kërkon ruajtjen e tyre në dollapë të mbyllur dhe të errët, pa ndonjë shenjë që të tërheqë klientin.

Për këtë arsye bizneset e vogla si kiosqet që shesin kryesisht produkte si duhani, kërkojnë një periudhë tranzitore për t’u përshtatur ose në të kundërtën sipas tyre, shumë biznese do të detyrohen të mbyllen.

Kallëzime penale kundër katër personave nga Shkupi, rrëmbyen një vajzë 23 vjeçare në Strugë



Policia e Strugës ngriti kallëzime penale kundër katër banorëve të Shkupit të moshës 18 deri në 35 vjeç, të dyshuar për rrëmbimin me dhunë të një vajze 23-vjeçare.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Strugës ngriti kallëzim penal kundër A.A. (25), D.K. (35), R.K. (18) dhe R.K. (21), të gjithë nga Shkupi, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim” dhe “Bashkëpunim në Rrëmbim”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Të akuzuarit e kanë kryer krimin në rrugën “Marshall Tito” në Strugë, në dëm të një vajze 23-vjeçare nga Shkupi.

Pasi 25-vjeçari AA e vuri re vajzën, ai e ndoqi atë për një kohë të gjatë dhe më pas e futi me forcë në një makinë pasagjerësh, me ndihmën e tre të pandehurve të tjerë.

"Safe City" në Tetovë, vendosja e shenjave paralajmëruese për radar dhe kamera është në proces



Edhe pse kamerat e sigurisë nga sistemi "Safe City" janë vendosur, në rrugët e Tetovës dhe bulevarde, nuk ka shenja paralajmëruese për kamera apo radar për matje të shpejtësisë, që janë parakusht për funksionimin e kësaj aparature dhe dënimin e vozitësve.

Zëvendës kryetari Albi Qamili, thotë se tenderi për furnizime me sinjalizimin horizontal dhe vertikal është mbyllur dhe është përzgjedhur kompania.

“Në fillim të këtij muaji menjëherë është hapur prokurimi publik për vendosjen e sinjalistikës ndriçuese, sinjalistikës vertikale pra të semaforëve dhe shenjave të komunikacionit. Është zgjedhur kompania dhe tani jemi në fazën e ankesave dhe besoj se nga fillimi i muaji të ardhshëm do të fillojë realizimi apo vendosja e shenjave ku do të vendosen edhe shenja të komunikacionit për matjen e shpejtësisë që korespondon me sistemin “Safe City” i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 shkurt. Do të ketë edhe shenja paralajmëruese se ka kamera dhe krahas kësaj do të vendosen edhe semafor të rinj, ndërkaq, pjesë e këtij prokurimi publik janë edhe renovimet e semaforëve ekzistues.”, tha Qamili.

Kujtojmë se zbatimi i sistemit Safe City do të filloj nga 1 shkurti, me ç'rast shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion do të gjobiten.

Kallëzim penal kundër 46 vjeçarit nga Shkupi, mashtroi një të moshuar për aksident të rremë



Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se SPB-Manastir ka ngritur kallëzim penal kundër një 46 vjeçari nga Shkupi për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “mashtrim” sipas nenit 247 të Kodit Penal.

Njoftimi i plotë nga MPB:

“Më 25.01.2026, SPB Manastir, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminalistike pranë BSP-së, në Prokurorinë Themelore Publike Manastir paraqiti kallëzim penal kundër M.A. (46) nga Shkupi, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” sipas nenit 247 të Kodit Penal.

Më 11.11.2025, një 72-vjeçare nga fshati Bukovë është mashtruar përmes telefonit nga një person që u paraqit si inspektor policie dhe e informoi në mënyrë të rreme se vajza dhe dhëndri i saj kishin shkaktuar aksident trafiku. Nën kërcënim dhe bindje të rreme, e dëmtuara la 40.000 denarë dhe 1.500 dollarë amerikanë në një lokacion të dakorduar në Manastir. Pasi ka kuptuar se ngjarja nuk ishte e vërtetë, rasti është denoncuar në polici. Më 24.01.2026, i dyshuari është privuar nga liria në pikën kufitare Qafë Thanë dhe e ka pranuar plotësisht veprën”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ligji për mbrojtje nga duhani, rrezikon mbylljen e mbi 4.000 bizneseve të vogla



Përmes një qëndrimi të përbashkët, pronarë të bizneseve të vogla, kanë reaguar në lidhje me draft-ligjin për mbrojtjen nga duhani, duke shprehur shqetësime për pasojat që do të shkaktojë zgjidhja ligjore për këtë veprimtari tregtare.

Paralajmërojnë se mbi 4.000 biznese të vogla, si tobako, kioska dhe mini-markete, rrezikojnë të mbyllen.

Pronarët po ashtu druajnë se kufizimet e reja për shitjen dhe ekspozimin e produkteve me duhan do të shkatërrojnë investimet e bëra me kredi dhe do të detyrojnë disa të mbyllin dyqanet.

Ligji ndalon ekspozimin dhe reklamimin e produkteve me duhan dhe kërkon ruajtjen e tyre në dollapë të mbyllur dhe të errët, pa ndonjë shenjë që të tërheqë klientin.

Pronarët kërkojnë një periudhë tranzitore për t’u përshtatur dhe zgjidhje të qarta për produktet e aromatizuara që nuk do të lejohen më. Pa këto masa, thonë ata, shumë biznese do të përballen me kolaps financiar dhe shkurtim të stafit.

❌