Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Reforma territoriale, Berisha: PS synon shpopullimin, ne do bëjmë një projekt në bashkëpunim me qytetarët

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita nuk do të vijë në pushtet me dhunë po vetëm me votën e shqiptarëve. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita do të vijojë rrugën e kryengritjes paqësore.

“Ne i qëndrojmë parimit të kryengritjes paqësore. Sepse i dashur ne nuk vijmë në pushtet me dhunë, ne jemi Parti Demokratike dhe vijmë në pushtet vetëm me votën e shqiptarëve. Kjo rrugë është pak më e mundimshme, por është më e sigurtë dhe më është më fitimtare”, tha Berisha.

Duke ju përgjigjur qytetarëve, Berisha u pyet edhe për Reformën Territoriale. Sipas tij propozimet e qeverisë synojnë shpopullimin e vendit.

“Ju duhet ta dini se ai tani parashikon nga 62 bashki të kalojë në 36 bashki. Kjo është praktika e nxitjes së largimit masiv nga periferitë të shqiptarëve”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, Berisha bëri të ditur se ekipi i Partisë Demokratike do të zhvillojë takime në të gjitha qarqet e vendit për të mbledhur mendimet dhe sugjerimet e qytetarëve, përpara se të hartohet projekti përfundimtar i reformës territoriale.

“Meqenëse ky është një problem shumë themelor me vendin, ne do bashkëpunojmë ngushtë me ekspertët më të mirë shqiptarë. Ekipi ynë do të bëjë takime në të gjitha qarqet për të marrë mendimet e qytetarëve. Do të hartojë projektin tonë.”

“Nuk mund të them se sa do jetë, por u rikujtoj se Sllovakia me një popullsi pak më të madhe se ne, ka 210 komuna dhe bashki. Sllovakia, dy herë më e zhvilluar, ka 210 komuna dhe bashki.  Pra, ne do bëjmë një projekt në përputhje me interesat e plota të qytetarëve dhe të zhvillimit të komuniteteve. Këtë projekt do e diskutojmë me ju, me qytetarët.”

“Këtë projekt do e paraqesim në komisionin e reformës territoriale. Këtë projekt do ta diskutojmë me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës që është institucioni numër një me ekspertizën më të madhe për reformën territoriale”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha gjithashtu se mazhoranca nuk do të votojë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Ai deklaroi gjithashtu se disa qeveri evropiane dhe vetë Komisioni Evropian po e ndjekin me seriozitet situatën në Shqipëri.

“Në opsionet që kanë përpunuar, kanë përpunuar dhe opsionin e padëgjuar ndonjëherë në historinë e BE-së të zhbërjes së plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë.  E di çdo të thotë zhbërje e plotë? Do të thotë anullim i të gjitha marrëveshjeve, vizave, stabilizim-asocimit, pranimit të kërkesës për anëtarësim, statusit të kandidatit”, tha Berisha.

Sa i përket emërimit të Dashnor Sulës në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm, Berisha tha se ai u bë “patericë e Ramës dhe se PD ndahet nga këta njerëz”.

/m.q/

The post Reforma territoriale, Berisha: PS synon shpopullimin, ne do bëjmë një projekt në bashkëpunim me qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çështja “Balluku”, Berisha: Gjykata Kushtetuese rrëzoi një kërkesë që ishte si një grusht shteti

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pas 10 orësh diskutime nuk arriti të marrë një vendim mbi kërkesën e Kryeministrit për heqjen e pezullimit të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha vlerësoi qëndrimin e disa prej gjyqtarëve dhe theksoi se rrëzuan një kërkesë që ishte baras me një grusht shteti kundër shqiptarëve.

“Pas 9 orësh, të ndryrë në një sallë, Gjykata Kushtetuese nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Në këtë kuadër, unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve, të cilët me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baras me grusht shteti kundër shqiptarëve”, tha Berisha.

Megjithatë, Berisha tha se gjykata i dha kohë mbi dy muaj Ballukut që “të fabrikojë dhe të falsifikojë çdo dokument”.

Ai theksoi se ndarja katër me katër në Kushtetuese bëri që kërkesa e Ramës të mos miratohej.

“Të paktën vendimi ishte që kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave”, deklaroi Berisha.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim të opozitës, duke kërkuar që “populli opozitar të shumëfishojë energjitë dhe forcat” deri në largimin e qeverisë.

Berisha u shpreh i bindur se reagimi qytetar do të sjellë ndryshim.

“Jam i bindur se kryengritja paqësore e juaj, e guximtarëve shqiptarë, do të rikthejë Kushtetutën, ligjin. Do të rikthejë votën shqiptarëve, qeverinë teknike, zgjedhjet e lira, fitoren e opozitës”, u shpreh Berisha

/m.q/a.f/

The post Çështja “Balluku”, Berisha: Gjykata Kushtetuese rrëzoi një kërkesë që ishte si një grusht shteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjatë janarit u finalizuan 107 operacione policore, në pranga 498 persona

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Policia e Shtetit publikoi sot një bilanc të punës së kryer gjatë muajit janar. Policia njoftoi se gjatë muajit janar u finalizuan 107 operacione policore dhe u vunë në pranga 498 autorë të dyshuar për vepra penale të ndryshme.

Sipas policisë, 17 operacione janë finalizuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për goditjen e rrjeteve globale të trafiqeve, kapjen e pjesëtarëve të grupeve/organizatave kriminale, si dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Disa prej këtyre shtetasve kishin falsifikuar identitetin për t’iu fshehur drejtësisë;

Gjithashtu policia bëri të ditur se janë sekuestruar rreth 186 kg kanabis, rreth 3 kg kokainë, sasi ekstazie, sasi heroine, 3855 bimë/fidanë kanabisi, 2528 fara kanabisi, si dhe mijëra pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Sipas policisë janë sekuestruar gjithashtu edhe “41 armë zjarri, 21 armë gjahu dhe sportive, 2 granata dhe municion luftarak; 7 automjete të trafikuara, dhjetëra ora luksoze, 3 pajisje GPS, dhe maska; 183 000 euro të padeklaruara në pikat e kalimit kufitar, ilaçe të skaduara dhe produkte të kontrabanduara (veshmbathje, si dhe produkte estetike dhe elektronike); rreth 20 milionë lekë, 2 sipërfaqe toke në Dhërmi, 3 shoqëri tregtare, 2 automjete dhe llogari bankare, asete të veprimtarive kriminale në fushat e narkotikëve, mashtrimit kompjuterik dhe prostitucionit”.

Policia nënvizoi se “janë zbuluar 13 ambiente të mbyllura në Lezhë, Malësi të Madhe, Vau i Dejës, Shkodër, Vlorë, Sarandë dhe Tiranë, ku kultivoheshin bimë narkotike me anë të llambave; 5 ambiente ku luheshin lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri; 3 ambiente në qarkun Tiranë, ku magazinoheshin veshje të kontrabanduara dhe/ose stampoheshin me logo false të markave ndërkombëtare; kazino dhe bilardo ku shiteshin lëndë narkotike, në Lezhë dhe në Mat; banesë dhe lokal në Fier, ku babë e bir mbanin arsenal armësh zjarri dhe armë shpërthyese, sasi të madhe municioni dhe mbi 17 kg lëndë narkotike; grupe kriminale në Tiranë, që shitnin  dhe trafikonin armë dhe drogë të fortë (kokainë)”.

Gjithashtu sipas policisë janë parandaluar ngjarje kriminale që mund të kryheshin në Durrës dhe në Tiranë nga 3 shtetas që lëviznin të armatosur; përshkallëzimi i 3 konflikteve me armë zjarri dhe mjete prerëse, në Vlorë, Velipojë dhe Gramsh; ngjarje kriminale me armë zjarri, në një familje në Tepelenë; 11 tentativa për të kaluar kufijtë me para të padeklaruara, me burime të dyshimta; trafikimi nga Gjirokastra në Greqi i 44 pakove me 34 kg kanabis; trafikimi në Itali i një arme zjarri, nëpërmjet PKK Rinas.

Policia njoftoi më tej se janë zbardhur vrasje me eksploziv, me armë zjarri ose me send të fortë (çekiç), në Shkodër, Dibër dhe Tiranë, si dhe 4 plagosje dhe 1 aksident me pasojë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë 2 fushata sensibilizuese për të mbrojtur qytetarët nga platforma false për pagesën e masave administrative (gjobave) dhe për marrjen e kredive, që synonin të merrnin dhe të keqpërdornin të dhënat personale dhe të ardhurat në kartat bankare. Hetimet për këto raste janë në vijim.

Më tej, sipas policisë janë finalizuar 21 operacione për parandalimin/zbardhjen e vjedhjeve;  17 goditje në fushën e kontrabandës; 11 operacione kundër ushtrimit të prostitucionit; 8 goditje kundër organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit; 3 operacione kundër transportimit të emigrantëve që synojnë të shkojnë ilegalisht në shtetet e BE-së.

Gjithashtu, 3 departamente të Policisë së Shtetit kontribut në megaoperacionin “Liberterra III”, që goditi 1800 rrjete në mbarë botën, të implikuara në këtë veprimtari kriminale dhe në forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore.

Për shkak të motit të keq, me reshje dëbore dhe shiu, shërbimet e Policisë qëndruan në gatishmëri në të gjithë vendin, duke iu shkuar në ndihmë qytetarëve për orientim dhe, në disa raste, për evakuimin e tyre.

Shërbimet e Policisë Rrugore, krahas shërbimit të përforcuar gjatë ditëve me mot të keq, të pajisura me mjete bashkëkohore, vijuan monitorimin në të gjitha akset e vendit, me qëllim parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës, si dhe menaxhimin e trafikut.

“Gjatë muajit janar u vunë në pranga 197 drejtues mjetesh, nga të cilët 135 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 62 për drejtim mjeti pa leje drejtimi; u pezulluan 216 leje drejtimi, për tejkalim të normave të shpejtësisë, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë; u vunë 93 011 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, nga të cilat 3 934 masa administrative për shpejtësi mbi normën e lejuar, me sanksion pezullimin e lejes së drejtimit. Në këto raste, drejtuesit e automjeteve kanë paguar dyfishin e masës administrative maksimale dhe janë penalizuar me zbritje nga 6 deri në 12 pikë nga leja e drejtimit. Policia Rrugore e Durrësit goditi 3 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë nga drejtues që drejtonin automjetet në gjendje të dehur”, njoftoi policia.

Në pikat e kalimit kufitar, si rezultat i kontrolleve të imtësishme dhe analizave të riskut, shërbimet e Policisë Kufitare evidentuan dhe goditën gjatë muajit janar: 45 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 18 raste të tentativës për të kaluar kufijtë me dokumente false, 8 raste të trafiqeve dhe 2 raste të vjedhjeve.

/m.q/a.f/

The post Gjatë janarit u finalizuan 107 operacione policore, në pranga 498 persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkollës “Ali Laçej” në Shkodër i rikthehen hapësirat, mjedise të reja për mbi 150 nxënës

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Shkolla 9-vjeçare “Ali Laçej” në Shkodër ka marrë një pamje të re, pas rikthimit të funksionalitetit të hapësirave përreth saj.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga shkolla në të cilën janë kryer investime që kanë përmirësuar kushtet për mësimdhënie dhe aktivitete jashtëshkollore.

Sipas Ramës, mjediset e sistemuara tashmë do t’i shërbejnë mësimdhënies, sporteve, arteve, zejeve dhe aktiviteteve komunitare, në dobi të mbi 150 nxënësve, mësuesve dhe gjithë komunitetit përreth shkollës.

“Një shkollë e bukur, me një pamje të re dhe mjedise të sistemuara. Shkollës “Ali Laçej” në Shkodër i është kthyer funksionaliteti i hapësirave rreth saj në shërbim të mësimdhënies, sporteve, arteve, zejeve dhe aktiviteteve komunitare për mbi 150 nxënës, mësues e gjithë komunitetin”, shkruan Rama.

Hyrja e shkollës ishte bllokuar nga disa hekura, lavazhe dhe motorë uji të braktisur prej vitesh aty. Lirimi i hyrjes së saj u krye në shtator në kuadër të operacionit për lirimin e hapësirave publike.

/m.q/

The post Shkollës “Ali Laçej” në Shkodër i rikthehen hapësirat, mjedise të reja për mbi 150 nxënës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndihmoi 6 emigrantë të paligjshëm të kalonin kufirin, arrestohet shtetasi sudanez në Korçë

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Një shtetas sudanez është arrestuar nga policia plicia e Korçës, pasi ndihmoi 6 emigrantë për të kaluar kufirin ilegalisht nga Greqia, në drejtim të vendit tonë me qëllim destinacionin një nga vendet e BE-së.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Itinerari 2” u arrestua në flagrancë shtetasi M. J., 24 vjeç, banues në Darfur, Sudan.

“Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare në vendin e quajtur “Fusha e Parë”, mbi fshatin Drenovë, Korçë, pasi nga veprimet hetimore dhe informacionet e siguruara në rrugë operative dyshohet se ka ndihmuar 6 emigrantë për të kaluar ilegalisht nga Greqia në territorin e Shqipërisë”, njoftoi policia.

Sipas policisë po punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, edhe për shtetasin O. C., 30 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi.

Materialet procedurale për këto raste iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

/m.q/

The post Ndihmoi 6 emigrantë të paligjshëm të kalonin kufirin, arrestohet shtetasi sudanez në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 20 mijë vizitorë vizituan sitet kulturore gjatë janarit

TIRANË, 7 shkurt /ATSh/ Mbi 20,000 vizitorë vendas dhe të huaj vizituan sitet kulturore në Shqipëri, gjatë muajit janar 2026, duke treguar një interes për trashëgiminë tonë kulturore.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, gjatë këtij muaji janë regjistruar 11,315 vizitorë në muzetë kombëtarë, 6,012 vizitorë në parqet arkeologjike, si dhe 2,693 vizitorë në kala dhe monumente kulturore.

Sa i përket 5 siteve më të vizituara, sipas të dhënave të publikuara nga Gonxhja, në krye renditet Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, me 4,948 vizitorë, i ndjekur nga Parku Arkeologjik i Shkodrës me 3,475 vizitorë dhe Kalaja e Gjirokastrës me 2,167 vizitorë.

Ndërkohë, Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat është vizituar nga 1,604 persona, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit ka pritur 1,100 vizitorë gjatë muajit janar.

/m.q/a.f/

The post Mbi 20 mijë vizitorë vizituan sitet kulturore gjatë janarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Debati për pagat, KLGJ: Konstatohet “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) reagoi lidhur me debatin për pagat e gjyqtarëve, duke shprehur shqetësimin për rritjen e presionit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor.

KLGJ përmes një deklarate u shpreh se mirëkupton qëndrimet dhe opinionet kritike të shprehura nga funksionarë publikë apo subjekte private, e në veçanti nga media e shkruar dhe ajo audiovizive, të cilat kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor.

“Por kohët e fundit, me shqetësim konstatohet një “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit, e cila ka një tendencë rritëse, si dhe shfaqja e disa qëndrimeve apo deklaratave me ndikim të dukshëm në informimin e opinionit publik, të cilat, përveçse shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë seriozisht edhe kryerjen e funksioneve ligjore nga ana e tyre”, njoftoi KLGJ.

Këshilli i Lartë Gjyqësor “rithekson se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Këshilli i Lartë Gjyqësor, në respekt të detyrës së tij kushtetuese, është në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor dhe u bën thirrje që të shmangen deklarata të tilla, të cilat tentojnë të ndikojnë mbi sistemin gjyqësor”.

Në deklaratë theksohet se, në një shoqëri demokratike, “gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit” dhe për këtë arsye “ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”.

KLGJ sjell gjithashtu në vëmendjen e opinionit publik se respekton “misionin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut”, por njëkohësisht pret që media “të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese”.

Gjithashtu Këshilli u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës.

“E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, nënvizoi KLGJ.

/m.q/j.p/

The post Debati për pagat, KLGJ: Konstatohet “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese nuk arrin shumicën, mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për Ballukun

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Gjykata Kushtetuese, pas 11 orësh mbledhje, nuk arriti të merrte sot një vendim për çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, duke përfunduar në votim 4 me 4, i cili rrëzon ankimimin e Kryeministrit.

Qeveria kërkonte shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për pezullimin nga detyra të Ballukut si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe GJKKO-së nga ana tjetër.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi njëzëri se “imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pika 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Pas diskutimeve, gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime. Sipas njërit qëndrim, “masa e pezullimit nga detyra, për nga shkalla dhe intensiteti i saj, prek funksionin kushtetues politik të ministrit” dhe për këtë arsye “edhe për këtë masë kërkohet autorizimi paraprak i Kuvendit”, me qëllim mbrojtjen e funksionimit të pushtetit ekzekutiv.

Ndërsa sipas qëndrimit tjetër, Gjykata vlerëson se “regjimi i imuniteteve duhet interpretuar në mënyrë të ngushtë, në përputhje me vullnetin e kushtetutëbërësit për zvogëlimin e imunitetit”, duke theksuar se Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht autorizim parlamentar për masën e pezullimit nga detyra.

Sipas njërit qëndrim, qëllimi kryesor i imunitetit është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit. Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri.

Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit te detyrës apo shërbimit publik vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale.

“Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues”, argumentoi Gjykata Kushtetuese.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës së Kryeministrit dhe heqjen e masës së pezullimit nga detyra, të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12 dhjetor 2025. Për rrjedhojë rikthehet në fuqi masa e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren, njerazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun.

Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

Gjykata bëri të ditur se vendimi i arsyetuar do të shpallet brenda afateve ligjore, në përputhje me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

/m.q/j.p/

The post Gjykata Kushtetuese nuk arrin shumicën, mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro” në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Shqipëria parakaloi mbrëmjen e sotme në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, ku përfaqësohet me katër sportistë në disiplinat e skive, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga parakalimi i sportistëve shqiptarë dhe të valëvitjes së flamurit kuqezi, ndërsa iu uroi suksese skiatorëve.

“Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro”, në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026”, shkruan Rama.

Ceremonia kryesore hapëse u zhvillua në stadiumin legjendar “San Siro” në Milano, ndërsa dy ceremoni të tjera paralele u mbajtën në zona të ndryshme, për shkak të shpërndarjes së sportistëve sipas garave.

Në Cortina d’Ampezzo, flamurin kuqezi e ka mbajtur skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi, e cila ka udhëhequr delegacionin shqiptar në këtë qytet simbol të sporteve dimërore. Ndërkohë, në Livigno, flamurin e Shqipërisë e ka mbajtur skiatori Denni Xhepa, duke përfaqësuar vendin në ceremoninë e zhvilluar aty.

Shqipëria merr pjesë në këtë edicion të Olimpiadës Dimërore me katër skiatorë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti, të cilët do të kërkojnë medaljen e parë historike për vendin tonë në një Olimpiadë Dimërore.

/m.q/j.p/

The post Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro” në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore: Moment krenarie për vendin

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot krahas udhëheqësve botërorë në pritjen dhe ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

“I nderuar që së bashku me miq te mirë u mikpritëm nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella në ceremonitë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano- Cortina 2026”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

Sipas Kreut të Shtetit ky është një moment krenarie dhe përfaqësimi dinjitoz për vendin tonë.

Shqipëria përfaqësohet në Lojërat Olimpike Dimërore me katër skiatorë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Semire Dauti dhe Denni Xhepa. Begaj u uroi suksese sportistëve që si u shpreh ai “të na bëjnë krenarë me paraqitjen dhe shpirtin e tyre garues”.

“Forca Shqipëri!”, shkroi Begaj.

Sot nisën Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 të cilat do të mbahen deri më datën 22 shkurt.

1 nga 4

/m.q/j.p/

The post Begaj në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore: Moment krenarie për vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Kushtetuesja nuk mund të kthehet në komision pagash

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Ministri i Shtetit, Toni Gogu ka komentuar debatin mes qeverisë dhe shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve për çështjen e pagave, duke theksuar se qeveria nuk synon ulje pagash dhe se thelbi i konfliktit lidhet me kompetencat kushtetuese për piramidën e pagave.

“Në asnjë rast qeveria shqiptare nuk synon uljen e pagave të gjyqtarëve. Asnjë rast. Është e kundërta”, u shpreh Gogu gjatë një interviste televizive.

Sipas tij, ajo që po kërkohet është që Gjykata Kushtetuese të vendosë për pagat, gjë që sipas ministrit do të ishte devijim i rolit të saj.

“Gjyqtarët po kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të kthehet në një komision pagash, t’i marrë kompetencën Kuvendit për të caktuar pagat dhe piramidën e pagave”, deklaroi ai.

Gogu e vendosi debatin në kornizën e integrimit europian, duke thënë se eficienca, vonesat dhe transparenca në emërime janë pjesë e kritereve që monitorohen.

“Ky debat lidhet me integrimin europian. Komisioni Evropian ngre çështje për vonesat në gjykata, për emërimet e transferimet… dhe pavarësia nuk do të thotë të mos japësh llogari”, tha ministri.

Ai insistoi se pagat janë kompetencë e pushtetit ligjvënës dhe se skema aktuale garanton indeksim automatik.

“Pagën e cakton Parlamenti i Shqipërisë… dhe paga e gjyqtarëve është e lidhur me majën e piramidës së pagave, pagën e Presidentit. Sa herë indeksohet ajo, indeksohen automatikisht edhe pagat e gjyqtarëve”, u shpreh Gogu.

Sipas tij, debati duhet të fokusohet te standardet e llogaridhënies dhe funksionimit, jo te “pazari i pagave”.

“Nuk duhet ta zbresim në pazar pagash. Është çështje shteti, hierarkie dhe kushtetute”, tha Gogu.

/m.q/j.p/

The post Gogu: Kushtetuesja nuk mund të kthehet në komision pagash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Predikonte mësime fetare në shkollë, largohet nga puna mësuesi në shkollën “Gustav Mayer”

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Një mësues i gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë, është pushuar nga puna, pas publikimit në medie se predikonte tek fëmijët fenë e Jehovait.

Përmes një reagimi zyrtar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Tiranës bëri të ditur se mësuesi Dritan Zaimi, që prej datës 3 shkurt nuk ka zhvilluar mësim në shkollë.

“Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor”, njoftoi DRAP

Bazuar në gjetjet e verifikimit, sipas DARP ndaj mësuesit Dritan Zaimi janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi.

“Konkretisht: Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës i cili u mblodh në të njëjtën datë. Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës. Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna””, njoftoi DRAP.

DRAP njoftoi më tej se në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.

Gjithashtu në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 9 shkurt, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.

Institucionet arsimore nënvizoi DRAP mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse. /j.p/

The post Predikonte mësime fetare në shkollë, largohet nga puna mësuesi në shkollën “Gustav Mayer” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Debati real për drejtësinë nuk janë rrogat, por zvarritja e proceseve dhe qytetarët në paraburgim

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari vlerësoi se se debati real për drejtësinë sot nuk duhet të jenë pagat por proceset gjyqësore dhe stoku i dosjeve.

Gjatë një interviste televizive, i pyetur në lidhje me padinë e Shoqatës së Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese për rritjen e pagave, Lamallari tha se 10 vite pas miratimit të Reformës në Drejtësi, nuk do duhej të ishte ky debati real, teksa theksoi se sot gjyqtarët në Shqipëri kanë paga më të larta se vendet e rajonit dhe njësoj si në Greqi, vend anëtar i Bashkimit Evropian.

Lamallari nënvizoi gjatë intervistës se problemet reale të sistemit janë proceset gjyqësore që zvarriten, vakancat e pazbatuara, zgjatjet e afateve të krerëve të gjykatave dhe paraburgimi i padrejtë për qytetarët.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, llogaridhënia e zyrtarëve dhe besimi i qytetarëve te drejtësia janë kyçe për forcimin e demokracisë dhe integrimin evropian.

“Diskutimi real duhet të jetë për një nevojë për analizë të fortë për 10 vitet e reformës: a ka sot procese gjyqësore që zvarriten, a ka vakanca që duhen adresuar, a ka sot zgjatje të afateve të qëndrimit në detyrë të krerëve të gjykatave dhe prokurorive, a ka drejtësi cilësore për qytetarët. Nuk duhet të ketë sot zvarritje dhe qytetarët duhet të marrin drejtësi; një drejtësi e vonuar është e mohuar. Këtë mund ta pësojë një qytetar në paraburgim dhe nuk ka vendim gjykate apo pafajësie që të kthejë pas kohën e mohuar të një qytetari. Këto janë çështje reale që gjyqësori duhet t’i flasë sot”, u shpreh Lamallari duke theksuar se Qeveria e ka treguar mbështetjen e saj.

“Sot gjyqtarët kanë pagat më të larta në rajon, paga të barabarta me një vend anëtar të BE-së, konkretisht Greqinë. Pagat e gjyqtarëve janë dinjitoze, duke marrë parasysh edhe kontekstin e pagave, dhe besimi i qytetarëve te drejtësia është kyç dhe nuk duhet të cenohet nga diskutime të vogla për një mision të madh”, vijoi ministri i Drejtësisë.

“Unë respektoj ndarjen e pushteteve, por më e rëndësishme është llogaridhënia. Kjo është në funksion të forcimit të demokracisë. Çdo zyrtar shqiptar duhet të japë llogari para qytetarit. Paraburgimi është padrejtësi e shtuar ndaj qytetarëve dhe kur kjo përforcohet nga Këshilli i Europës, kur kemi një stok çështjesh që nuk po shqyrtohen nga gjyqtarët, këto janë çështjet reale që duhen diskutuar”, theksoi ministri i Drejtësisë.

/m.q/j.p/

The post Lamallari: Debati real për drejtësinë nuk janë rrogat, por zvarritja e proceseve dhe qytetarët në paraburgim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Korrupsion në zgjedhjet e 2023 në Rrogozhinë, GJKKO dënon 5 persona

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi sot pesë persona të akuzuar për korrupsion në zgjedhjet lokale të përsëritura të 23 korrikut të vitit 2023 në Rrogozhinë.

Bëhet fjalë për ish-kandidatin e Partisë Demokratike, Shkëlqim Hoxha si dhe bashkëpunëtorët e tij Limon Shala, Fatmir Thaçi, Engjell Cara dhe Florant Saraçi.

Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka dhe çështja u gjykua me procedurë të shkurtuar.

Të pandehurit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi u dënuan për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Ata u dënuan fillimisht me 1 vit e 6 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul me një të tretën, duke përfunduar në 1 vit burgim për secilin. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tyre në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare, me kusht që të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të mbajnë kontakte me Shërbimin e Provës.

Ndërkohë, i pandehuri Shkëlqim Hoxha u shpall fajtor për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.  Ai u dënua fillimisht me 6 muaj burgim, por pas uljes së dënimit me një të tretën, u dënua përfundimisht me 4 muaj burgim. Gjykata vendosi zëvendësimin e dënimit me burg me shërbim prove për gjashtë muaj.

Gjithashtu, gjykata urdhëroi kthimin e aparateve celularë të sekuestruar shtetasve Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Engjell Cara.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

/m.q/j.p/

The post Korrupsion në zgjedhjet e 2023 në Rrogozhinë, GJKKO dënon 5 persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkëlqim Hajdari emërohet prefekti i Tiranës

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Afrim Qendro është liruar nga detyra e prefektit të qarkut të Tiranës, detyrë të cilën e ka mbajtur që nga nëntori i vitit 2021. Vendim u mor sot në mbledhjen e qeverisë dhe në vend të tij është emëruar Shkëlqim Hajdari.

Shkëlqim Hajdari ka mbajtur postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm që prej vitit 2016 dhe dha dorëheqjen pak javë më parë.

Hajdari gjithashtu ka përvojë prej më shumë se 20 vitesh në sistemin e drejtësisë si prokuror dhe ka drejtuar për shumë vite edhe Shoqatën e Prokurorëve.

Ndër vite ai ka qenë një forcë shtytëse e promovimit të vlerave të kryeqytetit si kryetar i asamblesë për Shoqatën Tirana.

/m.q/j.p/

The post Shkëlqim Hajdari emërohet prefekti i Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dashnor Sula emërohet në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Ish deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, është emëruar inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Përgjithshëm. Vendimi u mor sot në mbledhjen e qeverisë.

Sula zëvendëson në këtë detyrë Shkëlqim Hajdarin, i cili ka mbajtur postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm që prej vitit 2016.

Inspektorati i Përgjithshëm funksionon nën varësinë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit dhe ka rol mbikëqyrës mbi të gjitha inspektoratet qendrore dhe vendore.

Inspektorati i Përgjithshëm ka si mision të tij të sigurojë përmirësimin dhe rritjen e nivelit të efektivitetit dhe përgjegjshmërisë gjatë kryerjes së veprimtarisë së inspektimit në gjithë vendin.

/m.q/j.p/

The post Dashnor Sula emërohet në krye të Inspektoratit të Përgjithshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manja: Sistemi i pagave jo listë dëshirash, nuk ka cenim të magjistratëve

TIRANË, 5 shkurt /ATSh/ Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, tha sot se ndryshimet ligjore nuk kanë cenuar pagën e magjistratëve.

Gjatë një interviste televizive në “Top Story”, i pyetur në lidhje me debatin për pagat e gjyqtarëve, çështje e cila po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, Manja tha se në një shtet demokratik sistemi i pagave nuk mund të jetë një listë dëshirash.

“Nuk është debat që zhvillohet në distancë mes gjyqtarëve dhe ekzekutivit, sepse flasim për një vendim kushtetues ku qeveria është palë e interesuar. Debati në rastin konkret po zhvillohet mes dy palëve të interesuara. Në një shtet demokratik sistemi i pagave nuk mund të jetë një listë dëshirash. Sistemi i pagave është pasqyra e funksionimit politik, demokratik dhe social të një shteti”, u shpreh Manja.

Deputeti socialist argumentoi normën ligjore që përcakton pagat e sistemit të drejtësisë sot.

Sipas tij, ligji për statusin e prokurorëve që u miratua në 2016, ishte ndër ligjet e rëndësishme sepse statuset për kategori të caktuara të funksioneve publike janë sa privilegje, por dhe lidhen me përgjegjësinë e funksionit të tyre publik.

Sipas tij, ligji parashikonte një sërë kriteresh që përbënin statusin e magjistratit, nga shkalla e funksionit dhe vjetërsia në punë, te kompetenca, pozicionet drejtuese, shtesat për kualifikim dhe trajtimet financiare shtesë.

“Parimi kryesor që kishte ligji sa i takon caktimit të pagës, ishte respektimi i dinjitetit të profesionit. Kriteri i dytë ishte vjetërsia në punë, i treti kompetenca ku e ushtron funksionin, kriter tjetër paga për pozicion drejtues, shtesa për kualifikime. Statusi nuk mbaronte këtu sepse ishte dhe trajtimi i veçantë financiar, kompensimi për raste transferimi, për kur përfshiheshin në skemë delegimi jashtë qendrës së banimit, pensioni suplementar, sigurimi i jetës dhe familjarëve dhe shtesa për vështirësisë profesioni. Ishin një sërë kriteresh që përbënin statusin e magjistratit”, tha Manja.

Manja tha se debati për pagën referuese nisi në vitin 2017 dhe u thellua në vitin 2021, kur Ministria e Financave kërkoi saktësim të terminologjisë ligjore. Pas ndryshimeve, sipas Manjës, paga referuese u lidh me pagën e një drejtori në Kryeministri, por kjo u kundërshtua nga shoqatat e magjistratëve dhe u çua në Gjykatën Kushtetuese.

Manja u shpreh se debati tani është për pagën referuese.

“Debati i parë lindi në 2017. Në 2021, Ministria e Financave ngriti një shqetësim dhe tha neni 12 pika 5, kur flet për pagën referuese, pagë për funksion. I kemi pyetur a e cenon në vlerë nominale saktësimi i kësaj terminologjie? Jo. Kemi bërë ndryshime dhe kemi bërë që paga referohet me pagën e një drejtori në kryeministri”, shpjegoi ish-ministri i Drejtësisë.

“Sapo hyri në fuqi ky ndryshim, shoqata i atakoi dhe e çoi në Kushtuese, dhe kjo e fundit urdhëroi: paga referuese bazë nuk do jetë drejtor i Kryeministrisë, por kategoria B që i korrespondon Sekretarit të Përgjithshëm, dhe do ketë pagën referuese plus pagën e grupit, jo për përfitime të tjera”, tha Manja.

Manja shtoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i qartë. Manja shpjegoi se në vitin 2023, Kuvendi e përktheu vendimin e Kushtetueses në ligj, duke e lidhur pagën referuese të magjistratëve me atë të Presidentit të Republikës.

“Përcaktimi i pagës referuese, e reja është përcaktuar nga vendimi i Kushtetuese. Nuk duhet të prekni pagën e fituar deri tani nga magjistratët tha Kushtetuesja. Çfarë ndodhi pas këtij vendimi? Duke qenë se norma u shfuqizua, Ministria e Financave tha të fillojë zbatimi nga 1 janari i 2019, pra të merrnin diferencën. Gjyqtarët nuk pritën dhe iu drejtua gjykatës administrative”, u shpreh ai.

Duke iu përgjigjur kritikave të gjyqtarëve se rritja e pagave në administratën publike krijoi diferenca në dëm të magjistratëve, Manja theksoi se neni 138 i Kushtetutës flet vetëm për ndalimin e uljes së pagës.

“Kur u rritën pagat në shërbimin civil dhe administratën publike, magjistratët thanë do shkojmë në Kushtetuese se ju na keni cenuar pagën dhe keni shkelur nenin 138, sepse nëse do na kishit lënë me referencë të Sekretari i Përgjithshëm, paga e tyre është rritur me 30%, në vlerë paga bazë plus pagën e grupit, shkon 237 mijë lekë të reja për Sekretarin e Përgjithshëm”, informoi Manja.

“Neni 138 thotë mos e ul pagën e magjistratit. Ne nuk e ulëm, por e rritëm, por ama nuk do të thotë ulje page nëse një formulë e përllogaritje e re të jep një përfitim më të vogël, është në shkelje të nenit, dhe një formulë që të jep përfitim më të madh qenka në zbatim të nenit. Nuk di të ketë vlerësim më të madh sesa të të referojmë pagën me atë të Presidentit”, tha Manja.

/m.q/j.p/

The post Manja: Sistemi i pagave jo listë dëshirash, nuk ka cenim të magjistratëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: 10 shkurti, dita e kryengritjes sonë paqësore

TIRANË, 5 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demeokratike, Sali Berisha zhvilloi pasditen e sotme takim me degën 7 të kësaj partie në kryeqytet në kuadër të turit të Foltores. Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se opozita nuk mund të pranojë më këtë qeveri dhe se vendi duhet të shkojë drejt krijimit të një qeverie teknike dhe zhvillimit të zgjedhjeve të lira.

“Ne tani kemi një armik përpara, i cili me qëndrimet e tij nuk krijon zgjedhje. Të krijojmë një qeveri teknike, të shkojmë drejt zgjedhjeve, se përndryshe ne këtë qeveri nuk mund ta pranojmë kurrë”, u shpreh Berisha gjatë takimit me demokratët.

Sipas tij, përveç farsës elektorale, një arsye po aq e rëndësishme për të protestuar, është ajo që ai e cilëson si plaçkitje të qytetarëve.

“Çdo qeveri që vjedh qytetarët humbet legjitimitetin. Le të ketë dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, po vodhi qytetarët, humbet legjitimitetin”, theksoi Berisha.

Berisha deklaroi se opozita ndodhet në një “fushëbetejë” për demokracinë.

Kreu i PD-së u ndal edhe te protestat e organizuara nga opozita, të cilat, sipas tij janë pritur pozitivisht nga qytetarët.

Berisha tha se protestat janë mirëpritur sepse qytetarët e dinë se zgjedhjet janë vjedhur dhe se po bëhet grusht shteti duke bllokuar drejtësinë.

“Për këtë kemi mbështetjen në mbarë botën dhe për këtë do t’u provojmë shqiptarëve dhe botës se nuk rrimë”, tha ai.

Në fund të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim për protestën e 10 shkurtit, duke e cilësuar këtë datë si ditën e “kryengritjes paqësore” kundër qeverisë.

“Data 10 shkurt është dita jonë. Është dita e kryengritjes sonë paqësore, është dita që do t’i dridhen themelet Edi Ramës gjer në largimin e tij nga pushteti”, tha Berisha.

Berisha bëri thirrje për bashkim të opozitës dhe qytetarëve kundër qeverisë.

“Të bashkohemi me çdo qytetar të ndershëm që beson që është i gatshëm të ngrihet për të shpëtuar Shqipërinë. Askush tjetër përveç nesh, njerëz që mbrojmë të vërtetën, njerëz që i kemi qëndruar besnikë, pavarësisht nga sakrificat, idealeve tona, nuk do të shpëtojë Shqipërinë”, tha Berisha. /m.q/j.p/

The post Berisha: 10 shkurti, dita e kryengritjes sonë paqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Ndalimi i qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi, rënie e ndjeshme e aksidenteve

TIRANË, 5 shkurt /ATSh/ Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu, i cilësoi sot si të pavërteta, lajmet për rikthimin e qarkullimit të monopatinave në qytet.

Koçiu theksoi se udhëzimi për ndalimin e qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi dhe se nuk ka asnjë vendim për heqjen e masës së ndalimit të përkohshëm.

Ministrja bëri me dije se Policia e Shtetit vijon angazhimin e përditshëm në terren për garantimin e zbatimit të plotë të këtij udhëzimi, në përputhje me njoftimet zyrtare të bëra më herët.

Koçiu shprehu mirënjohje për qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në respektimin e kësaj mase, e cila sipas saj synon mbrojtjen e sigurisë dhe jetës, në veçanti të të rinjve.

Sipas saj, të dhënat zyrtare tregojnë një efekt pozitiv të ndalimit.

“Të dhënat e Policisë së Shtetit dhe të shërbimeve të traumës konfirmojnë një rënie të ndjeshme të numrit të aksidenteve gjatë periudhës së zbatimit të saj”, tha ministrja.

Në fund, Koçiu theksoi se situata po vlerësohet në mënyrë të vazhdueshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, po vijon vlerësimin e situatës për të përcaktuar vendimmarrjen më të drejtë, duke vendosur në qendër sigurinë dhe jetën e çdo qytetari”, përfundoi ajo.

/m.q/j.p/

The post Koçiu: Ndalimi i qarkullimit me monopatina mbetet në fuqi, rënie e ndjeshme e aksidenteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Deputetët e opozitës takojnë kongresmenin Turner: Shqipëria e ka jetike të përkushtohet në prioritetet e Trump

TIRANË, 5 shkurt /ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut Jorida Tabaku dhe deputetja Albana Vokshi, gjate vizitës në Uashington, u takuan me kongresmenin Michael R. Turner, i cili ka drejtuar për një kohë të gjatë Komitetit e Inteligjencës në Kongres.

Deputetët e opozitës theksuan nevojën e forcimit të partneritetit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shqipëria është e nderuar të ketë aleat strategjik SHBA dhe e ka jetike që të përkushtohet në prioritetin e Presidentit Trump për luftë pa kompromis ndaj krimit të organizuar, karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre”, shkruan Bardhi.

Gjithashtu, deputetët e opozitës ndanë me kongresmenim Turner shqetësimin në raport me këtë prioritet strategjik dhe pasojat që ka, sipas tyre, bashkëqeverisja me krimin e organizuar në aleancën strategjike me SHBA.

/m.q/j.p/

The post Deputetët e opozitës takojnë kongresmenin Turner: Shqipëria e ka jetike të përkushtohet në prioritetet e Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌